Drejtori i Shkencave Kompjuterike në Kolegjin Universum emërohet Ministër i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë


Profesori dhe njëkohësisht Drejtori i Departamentit Shkenca Kompjuterike në Kolegjin Universum Muzafer Shala është emëruar Minister i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë. Prof. Muzafer është doktoruar në fushën e Inxhinierisë Elektronike në Universitetin e KENT-it, njëri ndër universitetet më të mira në Angli, i themeluar qysh nga viti 1965. Ka përvojë 17 vjeçare në fushën e edukimit në Kosovë dhe në Angli. 

Studentët e Departamentit Shkenca Kompjuterike në Kolegjin Universum angazhohen në projekte reale që nga viti i parë i studimeve. Pra studentët po sigurojnë punësimin që nga mosha 18 vjeçare, duke punuar për tregun global që nga viti i parë i studimeve në pozita si Programer, IT, Data Security, Digital Marketing, Project Management, Content Writing etj. Gjithmonë me mbështetje dhe mentorim të profesorëve. Apliko këtu https://bit.ly/2HuMame 

Kolegji Universum është kolegji më inovativ në Kosovë, i renditur në Top 1000 shkollat më të mira të biznesit në botë nga Agjencia Eduniversal. Institucion lider i ndërkombëtarizimit, i vetmi institucion nga Kosova që ka arritur numrin më të madhë të marrëveshjeve të financuara nga Komisioni Evropian. Apliko këtu https://bit.ly/2HuMame / KultPlus.com

‘Koonta’, qyteti brenda shkollës finlandeze

Shkolla Finlandeze ne Kosovë, ka sjellur inovacion të paparë në Kosovë, duke ju qasur të mësuarit krejtësisht ndryshe nga sistemi aktual tradicional.

Nxënësit arrijnë objektivat mësimore përmes përjetimit të situatave dhe zgjidhjes së problemeve nga vetë ata në vend të dhënies së përgjigjeve nga dikush tjetër. Kësaj metode të mësimdhënies më së shpeshti i referohemi si të mësuarit aktiv apo të mësuarit “eksperimental”.


Në Shkollën Finlandeze nxënësit simulojnë jetën profesionale dhe qytetarinë në ‘Koonta’ një qytet i improvizuar brenda Shkollës për të zhvilluar shkathtësitë e shekullit XXI.

Në Koonta, nxënësit mund të zgjedhin të jetnë ndërmarrës, inxhinier, menaxher apo kryetar. Duke performuar role dhe pozita të ndryshme, dhe përmes teknologjisë më të avancuar, ata mësojnë për shoqërinë, ekonominë dhe ndërmarrësinë. Kështu, nxënësit zhvillojnë kreativitetin, përvetësojnë aftësitë e duhura menaxheriale dhe sensin e të menduarit suksesshëm qysh në fillim të shkollimit të tyre.
Me sistemin numër 1 në botë për edukim; me mësuesit më të mirë në botë, ata finlandez; me teknologjinë më të avancuar dhe iPad edukativ për secilin nxënës; me mësimin e bazuar në fenomene e lojra, e jo lëndë; dhe me qasjen krejt ndryshe të të mësuarit dhe zhvillimit të shkathtësive të shekullit 21 tek fëmijët tanë, Shkolla Finlandeze në Kosovë po shihet si një revolucion në sistemin arsimor të Kosovës. Shkolla posedon kampusin inovativ tek rrethi i QMI-së.

Shikoni më shumë lidhur me Koonta në videon ne vijim: https://youtu.be/fT5d-Ed0Mlk. Ndërsa për më shumë informata mund të kontaktoni në 045 235 650./KultPlus.com

Tradita e punimit të qilimave në tezgjah

Në Pazarin e Krujës vazhdon të ruhet tradita e të punuarit të qilimave, qelesheve, veshjeve popullore etj., në mënyrë artizanale, duke ruajtur traditën dhe trashëguar këtë proces tek brezat e rinj.

Dallëndyshe Tabaku bën prej 30 vitesh të njëjtën punë – të krijimit të qilimave tradicionalë në tezgjah, pasion ky i cili i kishte lindur që në rininë e hershme.

“Për të punuar një qilim duhet tezgjahu, i cili është dy llojesh: vertikal dhe horizontal. Më parë gjyshet tona kanë punuar me tezgjah horizontal. Ngjeshja e leshit për një qilim tani bëhet me sfurk, kurse më përpara është bërë me shpatë. Simbolet që gjenden në qilimat tradicional janë ato të shqiponjës, lulet e pranverës, anije ilire, pra simbole që tregojnë identitetin dhe trashëgiminë tonë kulturore”, tha Tabaku.

Tabaku shpjegon se, “procesi i punës për një qilim fillon me endjen me fill pambuku, më pas fillohet thurja me fill leshi që është i cilësisë së parë. Gjithashtu, për bërjen e një qilimi duhet dhe vizatimi teknik, i cili ka të bëjë me simbolet kombëtare dhe kulturore të vendit tonë. Për prodhimin e një qilimi prej 1 metër katror duhen gati shtatë ditë dhe një punë intensive prej tetë orësh”.

“Duke iu përshtatur edhe kërkesave të turistëve dhe modës tashmë bëjmë dhe qilima modernë me ngjyra të tjera dhe me simbole matematikore, pra figura ekzakte”, thotë ajo/ Telgrafi/ KultPlus.com

Kur heronjtë e marrin teposhtën

Suzanne Vega: Kur heronjtë e marrin teposhtën

Përktheu: Fadil Bajraj

Kur heronjtë e marrin teposhtën
Ata s’kanë të ndalur
Kështu që mos pritni që ndonjëherë
Ta bishtnoj të kaluarën

Kur heronjtë e marrin teposhtën
Ata futen në flakë
Kështu që mos prisni ndonjë vendosje të
Ngadaltë e të kujdesshme të përgjegjësisë

Të kam dëgjuar si thuash
Se je duke kërkuar gabimin
Që dikush do të mund ta bënte
Pa pasur kurrfarë gjase
Për respektin e mëparshëm
Ti e ndien zhgënjimin

Kur heronjtë e marrin teposhtën
Burri apo gruaja dalin në shesh
S’mund të presësh ndonjë mëshirë
Në fushën e betejës

Të kam dëgjuar si thuash
Se je duke kërkuar gabimin
Që dikush do ta bëjë
Pa pasur kurrfarë gjase
Për respektin e mëparshëm
Ti e ndien zhgënjimin
Kur heronjtë e marrin teposhtën
Burri apo gruaja dalin në shesh
A tregoni ndonjë mëshirë
Në fushën e betejës?

Kur heronjtë e marrin teposhtën
Ata futen në flakë
Kështu që mos prisni ndonjë vendosje të
Ngadaltë e të kujdesshme të përgjegjësisë

Bankënota e re 50 funte, për herë të parë fytyra e një homoseksuali

Fytyra e re e bankënotës 50-funteshe në Britani të Madhe do ta ketë fytyrën e Alan Turing, ka njoftuar guvernatori i Bankës së Anglisë.

Alan Turing, është një matematikan i cili ndihmoi Britaninë e Madhe që t’i thyej kodet e komunikimit të nazistëve.

Ai është përshkruar si “një matematikan i mrekullueshëm puna e së cilit ka ndikim të madh për jetën që ne sot e jetojmë” thuhet nga Carney, kur e bëri njoftimin në Muzeun e Shkencës dhe Industrisë në Manchester.

“Si babai i shkencës kompjuterike dhe inteligjencës artificiale, gjithashtu si një hero, kontributet e Alan Turing kanë hapur rrugët. Turing është një gjigand në krahët e së cilit shumë veta qëndrojnë” tha ai.

Turing, pas luftës ishte dënuar për një lidhje me një mashkull, për shkak se homoseksualiteti ishte i ndalueshëm në atë kohë. Krim i cili më vonë u fal nga mbretëresha Elizabeth.

Si një matematikan, ai ka lënë gjurmë të mëdha në sistemet e kodimit si dhe në krijimin e kompjuterëve modern. Ai njihet më së shumti për arritjen e tij më të madhe, thyerjen e kodeve të komunikimit të nazistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore, gjithashtu pati rol të madh në zhvillimin e kompjuterit të parë që u përdor në Laboratorin Kombëtar të Fizikës, e më vonë edhe në Universitetin e Manchesterit, raporton Mirror, transmeton Gazeta Express./ KultPlus.com

Trazirat politike që ushqejnë artin e Gaye Su Akyol

Gaye Su Akyol quhet “artistja më e guximshme në Turqi” shpesh është marrë në pyetje nga policia rreth teksteve të saj kundër sistemit qeverisës në shtetin turk.

“Ndjesia e këndimit të saj na çon në një turne rreth Stambollit për të shpjeguar se si trazirat politike ushqejnë punën e saj”. U shpreh “The Guardian” Këngëtarja dhe tekstshkruesja në zhanrin Psychpop po lë gjurmë në historinë e muzikës turke. Në intervistën për “The Guardian”ajo sqaroi se si skena muzikore e qytetit ishte e përqendruar mbi ujë në anën evropiane, në zonën e Taksimit dhe në vendet përgjatë Rrugës Istiklal. “Njerëzit u takuan dhe pinë”, thotë ajo. “Ishte një qendër kulturore por qeveria fetare nuk ishte e lumtur për situatën. ”

Presidenti Rexhep Tajip Erdogan dëshironte që këtë zonë ta transformonte dhe të ndërtonte një xhami në Gezi Park – një hapësirë ku sipas presidentit, thotë Akyol, njerëzit mund të bëhen bashkë. Në vitin 2013, ato plane çuan në demonstrata ku pjesë e tyre ishte edhe artistja.

Kjo protestë nuk përfundoi pa reagime të dhunshmë nga ana e policisë dukë shkatuar lëndime të mëdha poashtu edhe vdekje te disa prej protestuesve, gjë kjo e cila u bë shkak që protesta të vazhdoj edhe me tutje kundër Erdoganit. Pastaj, u bë e pamundur që muzikantët të punonin në Taksim, disa edhe u larguan nga vendi e disa të tjerë u shpërngulën në zona tjera të cilat supozohej të ishin më mikëpritëse për skenën e muzikës.

Mirëpo, artistja me entuziast pohon se disponimi në Stamboll ka ndryshuar dhe njerëzit cdo ditë e më shumë po e kuptojnë mënyre e gabuar të qeverisjes së Erdoganit. /KultPlus.com

Çifti shqiptar pjesë e serialit “Gangs of London”, luajnë përkrah aktorëve të famshëm botërorë

Jeta Zymberi

Ata janë një çift i jashtëzakonshëm jo vetëm në jetën e përditshme por edhe në profesion. Si të tillë ata tashmë kanë fituar rolin e dytë ku luajnë përkrah njëri-tjetrit. Eri dhe Orli Shuka, janë aktorë shqiptarë të cilët prej kohësh jetojnë në Londër, atje ku tashmë po e ndërtojnë një karrierë mbi baza të forta, shkruan KultPlus.

Eri Shuka në vendlindjen e saj njihet për rolin në filmin “Darka” të Suela Bakos. Por ishte roli i dytë, ai në filmin “Hyena” nga Gerard Jonson i cili i bëri “bashkë” Erin dhe Orlin. Ky rol si duket ishte një mundësi shumë e mirë për të dy, sepse nuk vonoi dhe ata pranuan ftesa të reja, por kësaj radhe për një projekt botëror.

Në një intervistë për KultPlus, Eri Shuka na rrëfen për rrugëtimin e saj si aktore në Shqipëri dhe tashmë në Londër dhe gjithë këtë eksperiencë bashkë me bashkëshortin.

“Filmi im i parë është “Darka” nga Suela Bako. Shumë e lumtur për rolin pasi punova me miq dhe profesionistë shumë të shtrenjtë për mua. Projekti i dytë ishte si pjesë e produksionit, Dilect Coach, në filmin “Hyena” nga Gerard Jonson. Një eksperiencë fantastike, më pëlqen shumë Gerard. Kam kërcyer me vajzën time të vogël vallen e Tropojës dhe ishte një nga skenat e tij të preferuara”, ka treguar aktorja fillimisht për KultPlus.

Por, ishte viti 2016 kur ajo bashkë me Orlin morën një mesazh në email nga Pulse, ku ju është kërkuar ndihmë për projektin “Gangs of London” dhe pas këtij mesazhi ata zhvilluan takimin e parë me regjisorët Gareth Evans dhe Matt Flannery. Ky takim rezultoi me një kontratë përmes secilës Eri dhe Orli Shuka u bënë pjesë e serialit. Xhirimet e episodit të parë filluan në janar të këtij viti, duke e mbyllur sezonin e parë në korrik më 10 episode.

NEW YORK, NY – APRIL 20: (L-R) Cast members Orli Shuka, Elisa Lasowski, Peter Ferdinando, and director Gerard Johnson attend the premiere of “Hyena” during the 2015 Tribeca Film Festival at Regal Battery Park 11 on April 20, 2015 in New York City. (Photo by Rob Kim/Getty Images for the 2015 Tribeca Film Festival)

 “Gangs of London” është një seri e ardhshme britaniko-amerikane e aksionit. Pas përfundimit të serialit më të famshëm në botë “Game of Thrones” është lëshuar teaseri i “Gangs of London”, i cili pritet të jetë një prej serialeve më të shikuara në të ardhmen e afërt. Seria u krijua nga Gareth Evans dhe Matt Flannery, me Evansin në shumicën e episodeve përfshinë skena komplekse koreografike të luftës, për të cilat edhe është bërë i njohur.

Në këtë serial, Eri luan Mirlinden e cila është e martuar me Luan (Orli Shuka). Një çift që i ka mbijetuar luftës dhe lëvizin në Londër menjëherë pas luftës. Ata kanë dy fëmijë, dy vajza. Xavier e thërret Mirlinden, lady Macbeth. Ajo është grua e fortë dhe që i dëgjohet fjala. Pika e dobët e Luan dhe nxitësja e veprimeve të tij në të njëjtën kohë.

“Është shumë fantastike të jesh në një projekt të tillë dhe pjesë e një kaste si kjo, eksperiencë e re njëkohësisht. E kam shijuar shumë sezonin e parë dhe të shohim çfarë do të ndodhë tutje”.

Por, se sa janë ndihmues për njëri tjetrin në xhirime, Eri shprehet me të qeshura se kjo është më mirë se martesa.

“Kjo është pjesa më e bukur. Kur na ofrojnë ndonjë projekt bashkë, pyetja e parë që na bëjnë: Jeni rehat  të punoni bashkë? Unë dhe Orli e shijojmë shumë, është tamam festë. Punojmë shumë mirë bashkë. Orli është pak më serioz se unë në punë. Unë e marr më lehtë po me shumë qejf. Orli është pak kritik dhe ndonjëherë më thotë Eri merre seriozisht”, vazhdon të tregoj ajo rreth bashkëpunimit të tyre në projekte.

Por, pjesë e këtij seriali është bërë edhe aktori kosovar Florist Bajgora. Eri ka treguar se me Floristin nuk kanë ndonjë skenë bashkë, por që ja kanë kaluar shumë mirë dhe kanë marrë kritika të mira nga produksioni.

Ajo çka vlen të ceket është fakti se në këtë serial pjesë e kastës së aktorëve do të jenë edhe aktorë të ‘Peaky Blinders’ dhe prej serialit ‘Game of Thrones’ të cilët për momentin konsiderohen aktorët më të famshëm botërorë e përkrah të cilëve tashmë do të ketë rastin të luaj edhe aktorët shqiptarë.

EDINBURGH, UNITED KINGDOM – JUNE 18: Orli Shuka, Gjveat Kelmendi and Gordon Brown attend the Premiere of ‘HYENA’ at Festival Theatre during the Edinburgh International Film Festival on June 18, 2014 in Edinburgh, Scotland. (Photo by Roberto Ricciuti/Getty Images)

E pyetur nga KultPlus se si është të punosh me produksionet e huaja, Eri përgjigjet thjesht dhe bukur: “Në fakt është më relaksim të punosh me produksionet e huaja, po aq dashuri dhe pasion vështirë të gjesh. Në gjithashtu kemi shumë energji, pasion dhe dashuri dhe kjo besoj është arsyeja pse na duan”.

Seria “Gangs of London” është një bashkëprodhim i HBO / Sky me Pulse Films dhe Sister Pictures dhe është (për një marrëveshje prej 250 milionë dollarësh) të vendosur për Cinemax dhe Sky Atlantic të HBO-së, që u raportua së pari në nëntor 2017. Në një serial ëndërrojnë të luajnë shumë aktorë, por Eri thotë se nuk është prej personave që “fluturon”, ajo pret edhe më shumë nga vetja.

“Nuk jam person që fluturoj, por padyshim uroj që karakteri im të vazhdoj dhe zhvillohet më tej por dëshira ime është edhe një projekt në Kosovë dhe kam arsye: Në 2018 radio drama ‘On Kosovo’ me kolonë zanore të JP Harvey dhe një kast aktorësh të përzier, anglez – shqiptar ku fitoi iadio drama më e mirë e vitit në BBC4. Regjisorja Nadia Molinary deshi ta vinte në teatër për 20 vjetorin e Pavarësisë dhe bën një workshop, unë u dashurova pas kësaj drame që është e shkruar aq bukur, Nuk u mundësua projekti dhe unë akoma e kam mendjen aty”, thotë Eri duke shpresuar t’i rikthehen këtij projekti.

Se si do të zhvillohen karakteret e tyre në këtë serial dhe sa do të arrijnë të marrin vëmendjen e publikut çifti shqiptar, mbetet të shihet ën vazhdimin e serialit. / KultPlus.com

Nënshkruhet marrëveshje me DVV International për aftësimin e të rinjve në teknologji informatike dhe ndërmarrësi

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka pritur në kabinetin e tij drejtorin e Zyrës në Kosovë të Institutit për Bashkëpunim Ndërkombëtar i Bashkësisë së Shkollave të Larta Popullore Gjermane (DVV International), Ramadan Alija.

Në këtë takim mes Ministrisë dhe Institutit u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi me qëllim të implementimit të projektit “Ngritja e aftësive dhe kompetencave të të rinjve në fushën e teknologjisë informatike dhe ndërmarrësisë nga tri rajone të Kosovës (Ferizaj, Malishevë dhe Viti).

Ministri Gashi bëri të ditur se për realizimin e këtij projekti Ministria merr përsipër që të investojë me 11 mijë euro duke siguruar furnizimin me pajisje të nevojshme të së paku dy punëtorive për teknologji informatike dhe ndërmarrësi në dy qendra rinore.

“Me DVV International, Zyra në Kosovë, jemi pajtuar që të bashkëpunojmë në fushën e arsimimit të rinisë kosovare përmes arsimit joformal duke përfshirë tri Qendra Rinore nga tri rajone të ndryshme të Kosovës, si struktura organizative të MKRS-së dhe kjo duke pasur parasysh faktin se arsimimi i rinisë dhe përfitimi i njohurive në fushën e teknologjisë informatike dhe ndërmarrësisë ndikon në nxitjen e punësimit, pjesëmarrjen e rinisë në zhvillimin kulturor, shoqëror, ekonomik dhe të qëndrueshëm si dhe në uljen e varfërisë”, theksoi ministri Gashi.

Ai po ashtu tha se objektivë kryesore e këtij projekti është aftësimi i së paku 100 personave në vit me qëllim të zbutjes së papunësisë dhe krijimit të mundësive për hapjen e bizneseve të vogla dhe vetëpunësimit të rinisë.

Ramadan Alija, drejtor i Zyrës në Kosovë të këtij instituti, falënderoi ministrin Gashi për pritjen e tij dhe nënshkrimin e marrëveshjes dhe sqaroi:

“Projekti në fjalë në mënyrë specifike do të përfshijë ngritjen e vetëdijes për themelimin e biznesit te personat që do të marrin pjesë në trajnim, ngritjen e aftësive, shkathtësive dhe kompetencave të tyre në fushën e teknologjisë informatike dhe ndërmarrësisë dhe punësimin apo vetëpunësimin e kandidatëve pas vijimit të trajnimeve”. 

Ai gjithashtu tha se pret që realizimi i këtij projekti të rezultojë i suksesshëm dhe se bashkëpunimi me Ministrinë të vazhdojë edhe në të ardhmen me projekte të tjera në të mirë të rinisë. / KultPlus.com

Lipa: Qëllimi i festivalit “Sunny Hill” është promovimi i Kosovës dhe i artistëve tanë

Sot është mbajtur një konferencë për media në kuadër të festivalit “Sunny Hill”, i cili pritet të mbahet me 2, 3 dhe 4 gusht.

Në prag të festivalit, organizatori i saj, Dukagjin Lipa, ka treguar për më të rejat që do të përcjellin “Sunny Hill”, përgjatë këtij viti.

Ky festival sipas Lipajt ka për qëllim të promovojë vendin tonë, mundësinë e ndarjes së platformës së ‘Sunny Hill Festival’ me artistë të mëdhenj botërorë, përfshirë edhe ata lokalë.

“Sunny Hill Festival tashmë veç ka filluar, e keni parë në media dhe në kanalet tona. Shfrytëzoj rastin të falendëroj birra Pejën. Ky është viti tretë duke përfshirë edhe vitin 2016, në koncertin e Duas për bamirësi. Qëllimi është promovimi i vendit tonë, artistëve tonë, mundësia e ndarjes së platformës tonë me artistë të mëdhenj botërorë dhe me artistë shqipfolës. Po shpresojmë nga viti në vit të jemi më të mëdhenj dhe të jemi pikë referuese e rajonit”, ka thënë Lipa.

“Gjatë gjithë kohës e potencojmë faktin se e kemi një rini shumë të mirë, kreative, proevropianë, të gjithë artistët që vijnë nga vendet e tjera edhe pse nuk janë të njohur të na, qëllimi është të shohin se çfarë rinie të mirë dhe të bukur kemi”, shton më tej ai.

Ndërkaq, drejtori ekzekutiv i birra Peja, Ernest Jusufi, ka treguar se bashkëpunimi me ‘Sunny Hill Festival’ do të vazhdojë edhe për tri vite të tjera.

“Ne kemi bashkëpunim që nga viti 2016,dhe do të vazhdojmë edhe 3 vitet e ardhshme, po shpresojmë që e gjithë Evropa të vijë këtu. Jam shumë krenar që jemi pjesë e këtij festivali”, ka thënë Jusufi.

Përveç bashkëpunimit me ‘Birra Peja’, Dukagjini flet edhe për ndryshimet që do bëhen nga viti në vit në festivalin “Sunny Hill”. “Pritshmëritë nuk i kemi tejkaluar akoma, “Sunny Hill” do të jetë në ekspansion, në vazhdim do kemi mysafirë që do jenë në krye të top-listave botërore, shpresoj që do të rritemi edhe me audiencë”./Telegrafi/ KultPlus.com

Letra prekëse e Markezit pasi doli me kancer

Shkrimtari me famë botërore, Gabriel Garcia Marquez, i cili është edhe fitues i Çmimit “Nobel”, ka lënë një letër që do t’iu mbizotërojë të gjitha kohërave.

Pasi u diagnostifikua me kancer, Markez vendosi t’iu drejtohet për herë të fundit miqve dhe lexuesve të tij përmes një letre të hapur.

Letra e plote

“Miqtë e mi lamtumirë!

Sikur Zoti të harronte për një moment që unë jam një dordolec i ndrequr me rrecka dhe të më dhuronte një copë jetë, mbase nuk do të thosha të gjitha ato që po mendoja, por, sigurisht, do të mendoja të gjitha ato që po them. Do t’i jepja rëndësi gjerave, por jo vetëm nga vlera e tyre, por për domethënien që kanë.

Do të flija pak, e do të ëndërroja më shumë, sepse çdo minutë që mbyllim sytë, humbasim 60 sekonda dritë. Do të vazhdoja kur të tjerët të ndalonin, do të zgjohesha kur të tjerët të flinin… dhe do të shijoja një akullore me çokollatë!!!

Nëse Zoti do të më jepte një copë jetë, do të vishesha thjeshtë, do të shtrihesha përballë diellit duke e lënë të pambuluar, jo vetëm trupin tim, por edhe shpirtin. Zoti im, nëse do të mundja do të shkruaja urrejtjen time mbi akull, dhe do të prisja sa të dilte dielli.

Do të pikturoja një ëndërr të Van Gogut mbi yje, do të recitoja një poezi të Bernardit, dhe një këngë e Shtradus do të ishte serenata që do t’i dhuroja hënës. Do të ujisja me lotët e mi trëndafilat, që të ndjeja dhimbjen nga gjembat e tyre, dhe puthjen ngjyrëkuqe nga fletët e tyre.

Ah, Zoti im, sikur të kisha një copë jetë, nuk do të lija të kalonte as edhe një ditë pa u thënë njerëzve që i dashuroj. Do të bëja çdo burrë e çdo grua të besonte se i dashuroj, dhe do të dashurohesha me dashurinë.

Njerëzve do t’u tregoja se sa gabim bëjnë kur mendojnë se ndalojnë së dashuruari kur plaken, pa e kuptuar se plakemi kur pushojmë së dashuruari.

Fëmijës do t’i jepja pendë, por do e lija të mësonte vetë se si të fluturonte. Pleqve do t’u tregoja se vdekjen nuk e sjell pleqëria por “harresa”. Mësova kaq gjëra nga ju njerëzit…

Mësova se të gjithë duan të jetojnë në “majën e malit” pa e kuptuar se lumturia qëndron në mënyrën sesi e zbret “faqen e pjerrët”.

Mësova gjithashtu, se kur fëmija i porsalindur shtrëngohet mbi pëllëmbën e tij të vogël për hërë të parë gishti që i zgjatet nga babai i tij, e robëron atë përjetë.

Mësova se njeriu ka të drejtë ta shohë tjetrin nga lart, vetëm kur duhet të ndihmojë atë të ngrihet.

Janë kaq shumë gjëra që mesova prej jush, por në të vërtetë nuk do të më hyjnë në punë, sepse kur të më mbajnë të mbyllur brenda në këtë valixhe, fatkeqësisht do të kem vdekur.

Të thuash atë që ndjen dhe të bësh gjithnjë atë që mendon, sepse askush nuk do të të mbaj mend për mendimet e tua të fshehta. Nëse do të dija që sot do të ishte hera e fundit që do të të shihja duke fjetur, do të të përqafoja fort…fort.., dhe do t’i lutesha Zotit të bëhesha roje e shpirtit tënd. Nëse do të dija se sot do të ishte hera e fundit që do të të shihja të dilje nga dera, do të të përqafoja dhe do të të jepja një puthje, dhe do të të thërrisja përsëri të të jepja të tjera…”

Shkrimtari me famë botërore, Gabriel Garcia Marquez, i cili është edhe fitues i Çmimit “Nobel”, ka lënë një letër që do t’iu mbizotërojë të gjitha kohërave.

Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës reagon për projektin e stadiumit nacional

Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës (A-A-K),  në mbledhjen e rregullt shqyrtoi kërkesat  e anëtarëve të saj të interesuar për informacion për procesin e konkursit të projektit të Stadiumit Nacional në Drenas, të shpallur dhe të përmbyllur disa ditë më parë në kuadër të procedurave të udhëhequra nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve të Kosovës.

Pasi që, Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës, nuk ka qenë i përfshirë në asnjë mënyrë në procedurat e zhvilluara të përgatitjes së programit të konkursit, të evaluimit të tij apo dhënies së çfarëdo mendimi profesional, ndajnë shqetësimet me anëtarët e tyre dhe opinionin, lidhur me jo-transparencën gjatë vendimmarrjes nga ana e Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit (MKRS) dhe njëkohësisht, informojnë se, as në shkresën e tyre zyrtare drejtuar Ministrit, dhe Ministrisë, ata, si trupi i vetëm profesional me interes publik në vend, nuk kanë marrë përgjigje.

Në situatën e krijuar, ata kanë kërkuar që të respektohen disa pika:

Procedura e aplikuar e përzgjedhjes së konkurrentëve, ka qenë procedure e kufizuar;

Konkursi ka përfunduar me rivlerësim, për arsye të ankesës së konsorciumit amerikan DLP – ARUP ,të cilët fillimisht janë eliminuar, sipas arsyetimit “për mungesë të eksperiencës…”, ndërkohë që të dy anëtarët e konsorciumit janë top kompani botërore;

Në këtë rast, Organi Shqyrtues i Prokurimit ka kthyer procedurën mbrapsht;

Nga të gjithë të paraqiturit në konkurs dhe gjashtë të përzgjedhurit, vetëm dy punime janë dorëzuar [Konzorciumi amerikan DLP – ARUP njëherë i eliminuar si dhe kompania Turke Tabanlioglu, tashmë fituese];

Konsorciumi amerikan e ka tërheqë punimin e vet para se të kalojë procedurën e vlerësimit, pasi që MKRS-ja nuk ka emëruar komisionin vlerësues konform rregullave të konkurseve ndërkombëtare;

Projekti i kompanisë turke [Tabanlioglu] është shpallë si më i miri në konkurrencë me vetveten, nga se ka qenë i vetmi në procedurën e vlerësimit;

Nuk ka pas asnjë mbrojtje publike, prezantim publik apo çfarëdo forme të komunikimit me publikun as nga autoret as nga Komisioni eventual;

Nuk ka pas as Komision Vlerësues profesional, të njohur apo të publikuar, ose i njëjti është mbajtur larg syve të publikut;

Vetëm më 14.06.2019 është mbajtur, një prezantim përpara një rrethi të ngushtë të emrave nga politika dhe sporti;

Asociacioni nuk komenton projektin arkitektonik, pasi që, nuk ka pas çasje në vlerësimin e tij.

Njëkohësish, njoftojmë se nuk jemi të thirrur, në çfarëdo cilësie, nga ana e MKRS as për Konkursin tjetër kapital të paraparë,  atë për ndërtesën e Teatrit dhe Operës.  Në ndërkohë, ne jemi informuar se me datë 08.07.2019  Ministria (MKRS) ka anuluar procedurat e mëtejme për këtë Konkurs dhe më pas me një lajmërim të ri ritenderohet, edhe pse një lajmërim i tillë sot, nuk mund të shkarkohet nga ueb-faqja zyrtare e  MKRS-së.

Gjithsesi, ekipi ynë monitories, do të tentoj në vazhdimësi të kontaktoj dhe të grumbulloj informata  nga Ministria (MKRS) për këtë çështje dhe për të njëjtat do të iu mbaj të informuar me kohë./ Telegrafi/ KultPlus.com

“Blloku”, kujtimet e mjekut personal të Enver Hoxhës në një libër

Për herë të parë kujtimet e mjekut personal të Enver Hoxhës vijnë në një libër nga Isuf Kalo. Raportet personale dhe një histori tjetër e Bllokut ndryshe, parë përmes raporteve njerëzore të njerëzve që jetonin aty, por dhe një gjykim i kohës përmes penës së një njohësi të mirë të saj.

Isuf Kalo, një nga njerëzit që ka qëndruar më pranë Enver Hoxhës vjen në një botim me rrëfime të veçanta.

“Blloku”, ështe libri që sjell një këndvështrim tjetër duke parë bllokun komunist edhe nga ana njerëzore.

Për herë të parë kujtimet e mjekut personal të Enver Hoxhës vijnë në një libër.

Fatos Tarifa, Luçiano Boçi dhe Henri Çili ndanë këndvështrime tepër intersante mbi librin.

Mjeku, Isuf Kalo, u shpreh tepër i emocionuar për impresionet që ky libër iu ka sjellë vlerësuesve, por edhe bashkëpunëtorëve të tij.

Kalo: Dita e sotme ëShtë për mua sa e lumtur aq edhe e trishtë sepse është dita e ndarjes time me librin. Tani e tutje do të jetë në duar të lexuesve. Në varësi të vlerësimit do të vendosin fatin e mëtejshëm të tij. Ata do të vendosin nëse ja vlejnë mesazhet që ai përcjell apo përkundrazi të zhgënjyer do ta flakin dhe lënë me indiferentizëm në harresë.

Libri është një ftesë për lexim jo vetëm për ata që duan të dinë më shumë për të shkuarën komuniste, por është një ngjarje dhe dhuratë për të gjithë ata që do merren me historinë./ Oranews/ KultPlus.com

“Vlerë”, koleksioni i disenjatores Saime Buleshkaj që për bazë ka motivet tradicionale

Kur modernia bashkëvepron me antiken shpesh rrezikon të mos realizohet në mënyrën më të mirë. Bashkëveprime të tilla gjejmë në pikturë, në grafikë e shumë shpesh edhe në veshje. Këtë realizim së fundi e ka bërë një disenjatore, veshjet e së cilës nuk kanë dështuar së paraqituri motivet e bukura të tradicionales mbi ato të modernes, shkruan KultPlus.

Është kjo Saime Buleshkaj e cila ka filluar të merret me dizajnin e modës qysh në moshën 13 vjeçare ku më pas vazhdoi të merret me dizajnin si profesion, duke ndjekur kurse të ndryshme të rrobaqepësisë e më pas edhe studimet në fushën e Dizajnit të Modës. Ka punuar për shtëpi mode dhe dizajnerë të njohur të vendit.

 Këtë vit, Saime Buleshkaj ka hyrë në tregun e modës me një stil më të veçantë, ku për bazë ka motivet tradicionale. Disenjatorja për KultPlus potencoi se ideja pse ka vendosur që në veshjet e saj moderne të ketë motive tradicionale ka ardhur si dëshirë për të paraqitur diçka nga rrënjët tona, nga kultura jonë si komb, në mënyrë që vlerat tona të përditësohen përmes modernizmit të tyre në veshjen formale.

Ky është koleksioni i parë i Saimes, koleksion ky që e ka emëruar “Valuable” që në shqip do të thotë “Vlerë”, përmes të cilit solli siluetat e fustaneve, jelekët e deri te qëndisja e detajeve të cilat vijnë nga periudha e të parëve tanë.

Sipas saj, këto veshje janë pritur mjaft mirë, ajo u shpreh se: “E kanë mirëpritur shumë këtë koleksion dhe si duket kam prekur një pikë që kishte qenë shumë e nevojshme për kohën. Pasi që disa prej këtyre veshjeve mund të vishen edhe të ndara dhe jo vetëm për raste formale e më pas të përfundojnë dollapëve si të pa vlera”.

Poashtu, disenjatorja ka potencuar se do të vazhdoj të trajtoj këto motive edhe në të ardhmen përmes koleksioneve të tjera.

“Ka qenë shumë e vështirë sigurimi i materialeve të tilla, mirëpo në momentin që i kam pasur në dorë materialet, me punë dhe përkushtim ia kam dal të realizoj atë që kam pasur në plan”. pohoi Saime Buleshkaj. / Xh. Hysenaj /KultPlus.com

Lumbardhi prezanton ekspozitën “Kino” të artistit Vladimir Miladinović

“Kino” është një ekspozitë e komisionuar nga Lumbardhi në mbështetje të procesit të ndërtimit dhe interpretimit të arkivit të Kinemasë Lumbardhi, me datë 19 Korrik paraqet ekspozitën “Kino” të artistit Vladimir Miladinović, përcjell KultPlus.

Ekspozita “Kino” do të hapet në ora 19:30 dhe do të qëndroj e hapur deri më 11 Gusht

Artisti u ftua të hulumton dhe të ndërvepon me arkivin e kinemasë, duke sjellë një tregim të shumëdimensional që kaplon pesë dekada të jetës së institucionit. Duke zbatuar metodën e tij të riprodhimit të përzgjedhjeve nga materialet arkivore të shkruara dhe vizuale, të cilat janë shtypur ose margjinalizuar në kujtesën kolektive të komuniteteve të vogla, Miladinović shfaq momente dhe marrëdhënie nga jeta e përditshme e një institucioni të dedikuar për shpërndarjen e vlerave, normave dhe praktikave në masa të gjera përmes filmit.

Projekti u zhvillua dhe u prodhua në partneritet me Forumin ZFD në Kosovë dhe Forumin ZFD në Serbi me mbështetjen e Ministrisë Federale për Zhvillim të Bashkëpunimit Ekonomik (BMZ). Hulumtimi për këtë ekspozitë është mbështetur nga Foundation for Arts Initiatives.

I bazuar në Beograd, Vladimir Miladinović punon si artist i pavarur që nga viti 2007. Ai aktualisht është rezident i Arkivit UAL dhe Qendrës së Koleksioneve Speciale si hulumtues i arkivit të Stanley Kubrick dhe është pjesë e rrjetit të Metodologjive Vizuale të Trupëzuara VEM me bazë në Kolegjin Kings në Londër. Ai diplomoi në Fakultetin e Arteve Aplikative në Beograd dhe përfundoi doktoraturën në Departamentin e Teorisë së Artit dhe Medias në Universitetin e Arteve të Beogradit. Miladinović ishte anëtar i grupit punues “Katër fytyra të Omarskës”, një grup i artit/teorik që vë në pyetje strategjitë e prodhimit të memorialeve. Interesat kryesore të Miladinovićit qëndrojnë brenda politikës së kujtesës, manipulimit të medias dhe krijimit dhe riinterpretimit të historisë. Ndërsa puna e tij angazhohet me traumën e luftës dhe të pasluftës, që kanë të bëjnë jo vetëm me median, forenzikën, identifikimin politik dhe etik të prezantimit të krimeve të luftës, ato përqendrohen gjithashtu në ideologjitë aktuale të tranzicionit të mohimit dhe fshirjes. Duke pyetur se si mediat dhe institucionet në shoqëritë e pasluftës krijojnë hapësirë publike, gjithnjë duke formuar kujtesën kolektive, Miladinović përdor artin si një forum për të krijuar një kundër-sferë publike që ngre pyetje rreth luftës, propagandës mediale, manipulimit të narrativës, përgjegjësisë historike dhe angazhimit intelektual. Ai

ishte laureati në 53 vjetorin e çmimit të Salonit të Tetorit në Beograd dhe e fitoi çmimin nga fondi “Vladimir Veličković”./KultPlus.com

Prishtina Gastronomy Festival po vjen me data të reja dhe lokacion të ri

Prishtina Gastronomy Festival po vjen me data e reja dhe lokacionin e ri, festivali do të mbahet këtë fundjavë me 20 dhe 21 Korrik, në sheshin Adem Jashari (afër ndërtesës të komunës së vjetër).

Festivali do të vazhdojë të ketë programin e njëjtë me të ftuarit e bërë publik deri më tani. Përgjatë dy ditëve do të prezantohen koncepte të ndryshme gatimi nga kuzhinier të njohur, do të mbahen simpoziume, punëtori, promovime të librave, prezantime të produkteve të ndryshme nga shitës vendor.  Ky festival është mundësi e mirë për kompanitë që të promovojnë produktet dhe shërbimet të tyre në veçanti për bizneset e reja.

Kjo gjë në të ardhmen do të jetë traditë e festivalit, i cili pritet të kthehet në një takim vjetor të kuzhinierëve dhe adhuruesve të ushqimit, me qëllim kryesor zhvillimin e kulinarisë shqiptare.

Prishtina Gastronomy Festival ka për qëllim promovimin e gastronomisë shqiptare duke promovuar kuzhinën dhe traditat kulturore shqiptare. Ky festival vjen si nevojë e promovimit të recetave dhe produkteve, si një nga elementet e ruajtjes së identitetit kombëtar. Ky do të jetë edicioni i parë i këtij festivali e që do të quhet “Bukë e kripë e zemërbardhë”. / KultPlus.com

Hardh Fest paraqet sloganin e edicionit të 5-të

Festivali “Hardh Fest” i cili sivjet feston 5-vjetorin e tij, ka paraqitur sloganin “Një got’ për mot!”.

Ky festival i cili nis më 16 dhe përfundon më 18 gusht, do të sjellë emra të ndryshëm të muzikës e po ashtu do të paraqiten pije të ndryshme për të cilën edhe është i thirrur ai.

“Në këtë 5-vjetor, është koha që të ngremë të gjithë një dolli, si shenjë falënderimi për të gjithë ata që besuan në këtë ide, që sot është e njohur ndërkombëtarisht. Është koha të ngremë një gotë vere lart e të festojmë për shume mot, dashuri e shëndet. Të festojmë nga e ardhmja e të falënderojmë të kaluarën dhe të tashmen, për një edicion të ri, që do të jetë i paharruar, e cili do të mbahet në datat 16, 17, 18 gusht”, thuhet në njoftimin e bërë për media/Insajderi/ KultPlus.com

Kryeveprat nuk mund të përshtaten, është masakër, e shndërron letërsinë në thashethem

Nga Virion Graçi

Përkthimi: interpretim, përshtatje apo shqipërim?

Emërtesa e parë, ‘përkthim’, më duket e saktë, e pranueshme; ruan modestinë e përkthyesit si premtim i matur, por edhe zotohet të kryejë një punë, prej shekujsh e njohur dhe e rëndësishme: ta sjellë një tekst letrar prej një gjuhe në një gjuhë tjetër. Interpretimi mund të na ngatërrojë në kontekste të ndryshme social-kulturore mësimdhënieje me zbërthimet/ analizat shkollore-univesitare të teksteve të përzgjedhura për interpretim. Po kështu ‘shqipërim’ më duket se premton një liri të madhe të përkthyesit ndaj tekstit, d.m.th. që ai ta aktualizojë origjinalin, ta bëjë një ‘mall’ vendas, paçka se ‘mall’ letrar-artistik. Në këtë mënyrë origjinali përdoret nga përkthyesi dhe botuesi i tij në gjuhën/ sistemin tjetër letrar – unë jam kategorikisht kundër shndërrimit të tekstit origjinal në një jastëk/ kopaçe/ traktat duke u… shqipëruar. Gjithsesi, kemi sinonime kontekstuale, dallimeve semantike midis tyre nuk u duhet mëshuar në planin teorik; duhet hetuar, shijuar a kritikuar çdo libër i botuar, pavarësisht si quhet puna e kryer: përkthim/ interpretim/  shqipërim.

Kurse me ‘përshtatjet’ jam kategorikisht kundra. Kam parë me lemeri si kryevepra të ndryshme, që nga antikiteti greko-romak e deri te klasikë të kohëve të vona, ritregohen, gjasme, të përshtatur për fëmijët e moshave të hershme. Kjo është masakër, e shndërron letërsinë në thashethem, në anekdotë, në kallëzim policor. Nxënësit minorenë le të vihen në dijeni për ato vepra prej mësuesve, por lipset t’u shërbehen disa faqe a ndonjë fragment i zgjedhur nga vepra, sa për t’i përligjur vlerësimet e ligjëruesit epror për atë vepër e për ta ndezur kureshtjen te lexuesi për ta lexuar veprën e plotë në kohën e duhur, në moshën e duhur. Ritregimi i tragjedive të antikitetit duke i treguar në mënyrë prozaike, ritregimi prozaik i eposeve, e të tjera përshtatje transvestite si këto, për të ashtuquajturat interesa shkollore, i vlerësoj si akte vandale ndaj veprave letrare përkatëse e nxënësve të gjorë.

Të përkthesh nga gjuha origjinale apo gjuhë e dytë?

E mira e të mirave është të përkthesh nga origjinali. Por për gjuhë tepër të rralla, ose me sferë mikroskopike njohjeje përtej abitatit të vet etnik-kulturor, mund të përkthehet edhe nga një gjuhë e dytë, zgjedhje nga e keqja, si e keqja më e vogël. Për poezinë jam shumë skeptik nëse mund të vijë me ndërmjetësinë e një gjuhe tjetër, proza e gjatë deri diku e duron një transit të tillë, me humbje të padëmshme. Duke qëndruar në terrenin tonë kulturor, kam përshtypjen se tashmë kemi përkthyes të mirë për çdo gjuhë të botës letrare, mund të jemi të qetë e mikpritës për veprat e kryeveprat që ata na bëjnë gati për lexim në gjuhën tonë amtare.Përkthimi: kulturë dhe gjuhë, sa rëndësi kanë?

Të dyja kanë rëndësi. Kultura e gjerë, e thelluar, është domosdoshmëri për përkthyesin që të kapë konotacionet filozofike-kulturore e botëkuptimore të origjinalit.Njohja e asimilimi me kohë i burimeve kulturore-letrare të autorit, tekstet e mëparshme të së njëjtës tipologji e problematikë me tekstin me të cilin po punohet e të tjera shtresëzime sociale-historike që njohja e njëmendtë, kultura e vërtetë i nënkupton, ndihmon në të kuptuarit e veprës në mënyrë anatomike, si frymë e si material, përtej sipërfaqes së zakonshme të fjalëve. Po ashtu, njohja e gjuhës në të cilën përkthen është domosdoshmëri. Njohja e gjuhës në të cilën përkthen nënkupton jo vetëm 25 mijë fjalë apo 50 mijë fjalë qofshin ato, por edhe të gjitha pasuritë ligjërimore të gjuhës përkatëse, monumentet e mëparshme letrare që janë në atë gjuhë: letërsi popullore, klasikë letrarë të periudhave të ndryshme, madje edhe kryeveprat nga letërsitë e huaja, të përkthyera tashmë në gjuhën në të cilën ti po përkthen. / KultPlus.com

Vdes papritur aktorja e njohur

Ylli i serive të shumta si “Grey’s Anatomy”, “Star Trek”, “Everwood” dhe “CSI: Miami”, Stephanie Niznik, befas ka vdekur në moshën 52 vjeçe.

Aktorja ka vdekur në shtëpinë e saj në Kaliforni më 23 qershor, por vetëm tani është publikuar ky lajm në medie. Arsyeja e vdekjes së saj tani për tani është e panjohur.

Famën më të madhe ia ka sjellë roli i Nina Feeney në serinë “Everwood”. Ajo ka luajtur në katër sezonet e kësaj serie. Mirëpo edhe në rolet tjera në të cilat ajo është paraqitur ka regjistruar sukses të madh.

Ajo ka lindur në shtetin Maine dhe që nga fillimi kishte dashur të merret me mjekësi, më saktësisht me gjenetikën, mirëpo ajo në fund kishte diplomuar në gjuhën ruse dhe në aktrim në universitetin “Duke”, ndërsa magjistraturën e kishte përfunduar në “California Institute of Arts”.

Pas kësaj ajo kishte filluar aktivisht të merret me aktrim. Ajo nuk kishte fëmijë. / KultPlus.com

Sesion shkencor kushtuar Atë Shtjefën Gjeçovit

Me rastin e 90-vjetorit të vrasjes së Atë Shtjefën Gjeçovit në Zym të Hasit, komuna e Prizrenit, më 30 nëntor 2019, organizon sesionin e katërt të veçantë shkencor me temën “Atë Shtjefën Gjeçovi”.

Temat ku mund të përqendrohen studiuesit janë rinia dhe shkollimi i Atë Shtjefën Gjeçovit, fillet e veprimtarisë fetare dhe kombëtare në Troshan dhe Rubik, veprimtaria kulturore fetare dhe kombëtare në Zllakuqan të Klinës, hapja e Shkollës Shqipe në Zllakuqan, hapja e Shkollës Shqipe në Laç dhe të tjera.

Sesioni shkencor kushtuar Atë Shtjefën Gjeçovit organizohet nga Shoqata e Intelektualëve Shqiptar “Trojet e Arbrit“ Prishtinë dhe Shoqata e Shkrimtarëve “Shtjefën Gjeçovi“ Zym.

Atë Shtjefën Gjeçovi, françeskan shqiptar kosovar, është një nga figurat vigane që krishterimi i fali kulturës kombëtare shqiptare, i cili për kontributi e tij, radhitet përkrah gjenive të tjerë të krishterimit ndër shqiptarë, si imzot Pjetër Budi, imzot Pjetër Bogdani, Atë Gjergj Fishta e shumë të tjerë. Sapo kujton emrin e Atë Shtjefën Gjeçovit (1874-1929), edhe më të fundmit të shqiptarëve që ka pasur rastin të bëjë qoftë edhe dy klasë shkollë, do t’i vejë menjëherë mendja te “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, mbledhur e kodifikuar nga frati i madh. Shkroi në të tria gjinitë letrare, mblodhi këngë, përralla, mite, doke e zakone popullore e, mbi të gjitha, atë që do ta pavdekësonte, “Kanunin e Lekë Dukagjinit” monument i gjuhës e i kulturës së Kombit Shqiptar, për të cilin Universiteti i Lajpcigut i dha titullin “Doktor i shkencave in honoris causa”.

Disa prej veprave të tij janë “Dashnia e atdheut”, drama “Agimi i qytetnisë”, “Shqiptari ngadhënjyes”, “Përkrenarja e Skënderbeut”,  botimi i “Kanunit të Lekë Dukagjinit”, vepra “Trashëgime trako-ilire”,  “Jeta e Shën Luçisë, Shna Ndou i Padues, Atil Reguli” – përkthim i lirë i dramës me 3 akte të Pjetër Metasatasit,  etj.

Ndryshe, Atë Shtjefën Gjeçovi u vra më 14 tetor 1929 në Zym të Hasit. / KultPlus.com

Sot fillon festivali Anibar

Festivali Anibar Animation sivjet mban edicionin jubilar prej 15 deri më 21 korrik në Pejë, me temë “Frika dhe Shpresa”.

Rreth 300 filma të animuar, me një llojllojshmëri te pasur artistike me temë kryesore shpresën dhe frikën, do të shfaqen në kuadër të festivalit.

Drejtori i Festivalit, Vullnet Sanaja, ka bërë të ditur më herët se në këtë vit jubilar të këtij festivali, do të kenë një përfshirje të aktiviteteve të ndryshme që do të shfaqen në 5 kinema të Pejës.

Në edicionin e 10-të të festivalit do të ketë edhe 15 programe speciale, 4 workshope për të ri, 3 master-klasa dhe mysafirë specialë.

Misioni Apollo 11, përmes filmave

Shkenca dhe forca e shpirtit njerëzor bënë të mundur misionin Apollo 11 të zbritjes në Hënë para 50 vjetësh, por regjisorët dhe ekspertë të kulturës thonë se shumë përpara 16 korrikut të vitit 1969 ishte kultura popullore ajo që e imagjinoi njeriun atje.

Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Penelopi Poulou u hedh një vështrim filmave dhe serialeve televizive që u dhanë mundësinë njerëzve të ëndërronin dhe ndihmuan suksesin e Apollo 11, si edhe filmave më të rinj që i janë kushtuar vetë misionit historik.

Eksplorimi i hënës ishte tema e filmit 14 minutësh “Një udhëtim në hënë” i regjisorit Georges Melies në vitin 1902. Mes të tjerash, filmi ishte frymëzuar nga romanet fantastiko-shkencore të Zhyl Vernit.

Në vitin 1950, në filmin fantastiko-shkencor “Destinacioni: Hëna” të regjisorit George Pell, astronautët pasi zbresin në sipërfaqen e hënës, shohin që nuk kanë karburant të mjaftueshëm.

Apollo 11 rrezikoi me të vërtetë të mbeste pa karburant dhe kishte vetëm një shans të ndizte motorin për t’u ngritur nga hëna. Kjo histori tregohet në dokumentarin me tre pjesë të regjisorit Robert Stone, “Duke ndjekur hënën”.

“Nëse motori nuk ndizej, gjithçka do të merrte fund! Dhe ne ishim gati me titullin për atë skenar”.

Një vit para misionit Apollo 11, përsëri kultura popullore ishte në pararojë, duke imagjinuar përtej hënës.

“Po të shohësh filmin ‘2001: Një Odise në Hapësirë’, të regjisorit Stanley Kubrick’, që doli në vitin 1968, ai parashikon përtej uljes në hënë, duke përshkruar një kohë kur udhëtimet e rregullta në hënë, janë pjesë të jetës së përditshme”.

Dhe ndërsa gara hapësinore ishte në kulmin e saj mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik, pasi kosmonauti sovjetik Yuri Gagarin u bë njeriu i parë në hapësirë në vitin 1961, ((Marrë nga: “Star Trek”, Paramount Pictures)) seriali “Star Trek” i regjisorit Gene Roddenberry, parashikonte një federatë planetesh, që punonin së bashku në paqe për eksplorimin e hapësirës.

“… dhe imagjinonte një të ardhme ku burra dhe gra të racave dhe kombësive të ndryshme, madje edhe një jashtëtokësor, punonin së bashku në anije”, thotë zonja Weitekamp.

Dekada pas misionit Apollo 11, përparimet teknologjike në kinematografi u kanë dhënë mundësi studiove që të transformojnë xhirimet origjinale të NASA-s dhe të tjera xhirime historike në formatet IMAX, HD dhe 3D. Kjo u ka dhënë mundësi regjisorëve si Robert Stone që të ofrojnë një vështrim bindës dhe historikisht gjithpërfshirës të garës hapësinore.

Në bashkëpunim të ngushtë me NASA-n dhe Arkivat Kombëtare, regjisori i dokumentarit “Apollo 11”, Todd Douglas Miller ofron një kapsulë kohore të javës së zbritjes në hënë që nga nisja e deri tek kthimi i astronautëve.

Ekipi kinematografik transformoi xhirime historike të papublikuara dhe 11 mijë orë audio inçizime të misionit Apollo 11.

​Filmi artistik I regjisorit Damien Chazelle rreth Apollo 11, “Njeriu i Parë”, rrëfehet nga perpesktiva e Neil Armstrongut dhe familjes së tij, duke kombinuar në mënyrë të përkryer pamjet kinematografike dhe xhirime nga arkiva./ VOA/ KultPlus.com

Biblioteka e Arshi Pipës ngjall interesin e studiuesve

Në fundin e jetës, profesori shqiptaro–amerikan Arshi Pipa, i dhuroi bibliotekën dhe arkivën e familjes Pipa, Muzeut Historik të qytetit të Shkodrës. Drejtues të këtij institucioni thonë se ajo është një pasuri me vlera të veçanta jo vetëm për qytetin e Shkodrës.

Arshi Pipa (Shkodër, 28 korrik 1920 – Washington, 20 korrik 1997) ka qenë arsimtar, publicist, poet, gjuhëtar, kritik letrar, përkthyes dhe pedagog shqiptar.

Me artikujt e tij i ofroi Perëndimit të dhëna të dorës së parë mbi gjendjen e shkrimtarëve dhe intelektualëve në vitet e para të Shqipërisë staliniste/Zëri i Amrikës/ KultPlus.com

Sot feston ditëlindjen Merita Halili, zëri i ëmbël i muzikës shqipe

Sot është ditëlindja e ikonës së muzikës dhe këngës shqiptare Merita Halili, e cila falë zërit të saj të mrekullueshëm dhe buzëqeshjes së ëmbël në skenë dhe ekran, ka dhuruar emocione për vite e vite me radhë.

E shpallur tashmë si “Mbretëresha e Muzikës Shqiptare’ në New York.  Ku lajmi është publikuar nga AAWO (Albanian American Women’s Organization). Merita Halili është konsideruar nga AAWO si një nga interpretueset më të mira të Shqipërisë.

E lindur në Tiranë, debutimin e saj në shkallë kombëtare e bëri në vitin 1983 në moshën 16 vjeçare kur këndoi në Festivalin Kombëtar Folklorik në qytetin e Gjirokastrës. Menjëherë më pas ajo filloi të këndonte në Radio Televizionin Shqiptar dhe si soliste në Ansamblin e Shtetit për Këngët dhe Vallet Folklorike.

Ajo u bë më shumë e njohur në vitin 1995 kur u nderua me çmimin e parë në një Festival Gala të mbajtur në Tiranë, ku morën pjesë 90 këngëtarë nga diaspora. Në korrik 1995, Merita me bashkëshortin e saj Raif Hyseni dhe vajzën e tyre erdhën në SHBA dhe u vendosën në zonën e Nju Jorkut dhe New Jersey.

Merita Halili luajti në sallat dhe ambientet më të famshme dhe prestigjioze muzikore. Merita është fituese e shumë çmimeve të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare. Dy nga çmimet më prestigjioze kombëtare që mori nga Presidentët e Shqipërisë ishin “Ambasadore e Kombit” dhe “Mjeshtre e Madhe”/KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=tdhxmY8QZg0
Merita Halili Doli goca ne penxhere

Krishti, arma e luftës psikologjike kundër hebrenjve

Jezu Krishti”Biografia e Jezuit u ndërtua, që nga fillimi deri në fund, në historitë e mëparshme dhe veçanërisht në biografinë e Cezarit romak, Titus Flavius”, tha ai, duke shtuar se Jezusi është figura e vetme fiktive në letërsi, historia e jetës së së cilës mund të gjurmohet nga burime të tjera.

Historiani amerikan Joseph Atwill thotë se figura e Jezu Krishtit është përdorur si një armë propaganduese dhe se përfaqëson produktin e krijimit të fantazisë së romakëve të lashtë.

Autori i librit “Mesiu i Cezarit” pohon se ai ka gjetur ‘njohjen e disa romakëve’, të cilët pretendonin se autoritetet kishin krijuar një “rrëmujë” për të qetësuar hebrenjtë në Palestinë.

Ai shton se krijimi i figurës së Jezuit nuk ishte i frymëzuar nga një person i veçantë, por romakët përdorën të dhëna nga burime të ndryshme që nga lufta e parë romake-hebrenje, që zgjati nga viti 66 deri 73 Para Erës së Re.

Sipas Atwill, në atë kohë, çifutët në Palestinë pritën për Mesinë luftëtar dhe ky ishte një burim i vazhdueshëm rebelimi gjatë shekullit të parë.

“Kur romakët dështuan me mjetet konvencionale për të shtypur rebelimin, ata vazhduan me luftë psikologjike dhe supozonin se kjo ishte një mënyrë për të ndaluar përhapjen e veprimtarisë misionare hebraike për të krijuar një sistem besimi që do të ishte konkurrues”, thotë ai.

Atëherë, siç thotë Atwill, është shpikur një histori për një Mesi “të qetë”. Në vend që të bënte thirrje për luftë, mesi i kërkoi atij që të tregonte anën tjetër të agresorit.

“Biografia e Jezuit u ndërtua, që nga fillimi deri në fund, në historitë e mëparshme dhe veçanërisht në biografinë e Cezarit romak, Titus Flavius”, tha ai, duke shtuar se Jezusi është figura e vetme fiktive në letërsi, historia e jetës së së cilës mund të gjurmohet nga burime të tjera.

Sekuenca e ngjarjeve dhe e vendeve të apostulimit të Jezuit janë pak a shumë të njëjta me renditjen e ngjarjeve dhe vendeve të fushatës ushtarake të perandorit Titus Flavius dhe “kjo është një dëshmi e qartë e një modeli të hartuar qëllimisht”, përfundon historiani Atwill./BotaSot/ KultPlus.com