Poeti shqiptar të cilin e varën midis qyteti, por la poezinë më prekëse

Havzi Nela padyshim mund të konsiderohet si ndër të paktët shkrimtarë disidentë që ka pas Shqipëria e periudhës komuniste.

E gjithë jeta e tij ka kaluar mes peripecirash të panumërta, midis burgut, internimeve, arratisjen për një kohë të shkurtër në Kosovë nën ish-Jugosllavi, kapjes nga policia jugosllave dhe rikthimit në burgjet komuniste në Shqipëri, dhe në fund dënimi me varje në mes të qytetit të Kukësit. Por, pavarësisht të gjithave, poeti shpirtlirë i “brezit të humbur” të periudhës së zezë komuniste shqiptare, asnjëherë nuk iu nënshtrua këtij regjimi, dhe e luftoi me të gjitha mënyrat që kishte mundësi.

Që kur ishte adoleshent në shkollë të mesme në Kukës, Havzi Nela shfaqi kundërshtitë e para ndaj regjimit komunist në Shqipëri. Ndër varfërisë ekstreme në të cilën jetonte dhe persekutimit, ai arriti të gjente punë si mësues në shkollën fillore të Planit të Bardhë, një fshat i vogël në rrethin e Matit. Por, nuk do kalonte shumë kohë që Havzi Nela të dëbohej edhe nga ky fshat si armik për shkak të “aktivitetit të tij të dyshimtë” duke qënë se i lexonte vjersha të ndaluara nxënësve të tij. Me datë 26 prill 1967, Havzi Nela dhe gruaj ae tij rrezikuan jetën e tyre duke kaluar ilegalisht kufirin midis Shqipërisë dhe Kosovës (nën Jugosllavi atë kohë), ndërsa me pezmatim në zemër për ditët e errëta që kalonte atdheu i tij nën regjimin komunist, ai do të linte një letër në të kaluar të kufirit:

“”Lamtumirë, atdhe i dashtun, po të la, por zemërplasun…” duke e vendosur në degën e një peme.

Por, fati tragjik e ndjek poetin kuksian dhe gruan e tij edhe në Kosovë, ku vetëm pak ditë pas kalimit të kufirit, ato arrestohen nga policia jugosllave, të cilët do t’i rikthenin sërish në Shqipërinë komuniste. Menjëherë pas rikthimit, poeti dënohet me plot 50 vite burg. Por, Havzi Nela kurrë, edhe në burgjet famëkeqe komuniste, nuk u përthye dhe nuk rreshti kurrë së urryeri “Partinë” dhe kriminelat e saj. Në vitin 1988, poeti shpirtlirë kuksian u dënua me varje dhe kjo ndodhi në mes të qytetit të tij të lindjes.

Më poshtë gjendet një nga poezitë më të bukura dhe të ndjera të tij, si një trashëgimi për periudhën e zezë komuniste të Shqipërisë së atyre ditëve. Në atë kohë, sic kishte edhe një shprehje në Shkodër, “të gjithë ishin të vde,kur; ndaj atyre që vdi,snin u thonin se ato thjesht kishin ndërruar jetë”.

Kur të vdes

Kur të mësoni se kam vde.kë,
Kur të thoni: “Ndjesë pastë!”
A e dini se çfarë kam hjekë
Unë, poeti zemërzjarrtë?

Kur të pyesni: “Ku e ka vorrin?”
Kur t’kërkoni me ma gjetë.
Thoni: “Ai urreu mizorin”.
Thoni: “Dheu s’ka me e tretë”.

Thoni: “Ai e deshi jetën,
Jeta n’vuetje e dërmoi”.
Thoni se ka mbrojtë të drejtën,
Grusht tiranësh nuk duroi.

Thoni: “Desh, kërkoi lirinë,
Si skifter në fluturim,
Provoi prangat, t’errtë qelinë,
Për të mjerët lëshoi kushtrim”.

Thoni: “Dritë ai kërkoi,
E vetë dritë nuk pa me sy”
Thoni: “Për njerëzinë këndoi,
E për vete mbajti zi”.

Thoni se e qërroi terri
Thoni: “Dielli nuk u ngrohu”.
Thoni se e trishtoi tmerri
E të shtypunit i tha: “Çohu!”

Kur të vijë, të çelë pranvera,
Kur bilbili nis me këndue.
Mbi vorr tim me gur’e ferra,
Nji tufë lule me ma lëshue.

Prekni vorrin, mos ngurroni,
Kush ka lindë, ai ka me vdekë,
Veten ju kur t’a ngushëlloni,
Thoni:”Gjallë kurkush s’ka mbetë!”

Havzi Nela

‘Vetëm një herë në jetë, ti do ta gjesh dikë që do të të ndryshojë krejt botën’

Bob Marley

Vetëm një herë në jetë, besoj me të vërtetë, ju do të gjeni dikë që mund t’jua ndryshojë krejtësisht botën tuaj.

Ju do t’i thoni atyre gjëra që kurrë nuk keni ndarë me një shpirt tjetër dhe ata do përthithingjithçka që ju thoni dhe do të duan të dëgjojnë edhe më shumë. Ju do të ndani me ta shpresat për të ardhmen, ëndrrat që ndoshta kurrë nuk do të bëhen realitet, qëllimet që nuk keni arritur kurrë dhe shumë zhgënjime që jeta mund t’ju ketë sjellë.

Kur ndodh diçka e mrekullueshme, ti mezi pret ta tregosh atë, duke ditur se ai do të ndajë të njëjtinntuziazëm me ju. Ai nuk do të ketë turp për të qarë me ju, kur ju jeni e mërzitur, ose të qeshë me entuziazem, kur ju bëni si budallaqe. Ai asnjëherë nuk do i lëndojë ndjenjat tuaja ose nuk do ju bëjë të ndiheni sikur ju nuk jeni mjaftueshëm e mirë, por më tepër ai do të ndërtojë dhe do t’ ju tregojë gjërat që ju bëjnë të veçantë  dhe të bukur.

Nuk do ketë kurrë presion, as xhelozi apo konkurrencë, por vetëm qetësi kur eshte afer jush. Ti mund të jesh vetvetja dhe te mos shqetesoshesh per gjerat qe ai do te mendoje per ju pasi ai do ju doje per ate qe jeni.

Gjërat që duken të parëndësishme për shumicën e njerëzve, si një mesazh, kenge apo edhe nje shetitje, do te behen thesare të paçmueshme që qendrojnw të sigurta në zemrën tënde për t’u kujtuar përgjithmonë.

Kujtimet e fëmijërisë suaj  do ju kthehen përsëri dhe do jene kaq të qarta dhe të gjalla , si të jesh përsëri  e re.

Ngjyrat do te duken më të ndritshme dhe më të shkëlqyeshme. E qeshura do te jete duket pjesë e jetës së përditshme, kur më përpara ishte e rrallë ose nuk ekzistonte fare. Një ose dy thirrje telefonike gjatë ditës iu ndihmojnë për tëaluar një ditë të gjatë dhe të vështirë dhe gjithmonë do te sjellin një buzëqeshje në fytyrën tuaj. Në praninë e tij ju nuk do te keni nevojë për biseda të vazhdueshme, por  do te jeni mjaft te qeta dhe te kenaqura vetem kur jeni prane jush.

Gjërat që kurrë nuk ju kanë interesuar më parë bëhen interesante sepse e dini se ato janë të rëndësishme për personin i cili është kaq i veçantë për ju. Judo te mendoni në çdo rast dhe në çdo gjë që bëni. Gjëra e thjeshta do jua sjellin në mendje atë si psh. qielli i kalter, era e lehte apo edhe ndonjë stuhi në horizont.

Ju e hapni zemrën duke e ditur se mund të ketë shans që të thyhet një ditë dhe duke e hapur zemrën tuaj, ju përjetoni një dashuri dhe gëzim që nuk keni ëndërruar kurrë të ishte e mundur. Ju e kuptoni se të qenit i ndjeshem është e vetmja mënyrë për ta lejuar zemrën juaj të ndjejë kënaqësi të vërtetë, që është kaq e vërtetë sa ju frikëson. Ju e gjeni forcën per të kuptuar se keni një mik të vërtetë dhe ndoshta një shok shpirti i cili do të mbetet besnik deri në fund. Jeta duket krejtësisht e ndryshme, emocionuese dhe e vlefshme. Shpresa dhe siguria juaj e vetme është të dini se ata janë pjesë e jetës suaj.

Fjalët e fundit që shkrimtarët e mëdhenj thanë para vdekjes

Shkrimtarë të njohur të botës së letrave, para vdekjes së tyre kanë thënë fjalët e fundit: prekëse, mesazhe, himne, fatkeqësi, zhgënjim… atë çfarë jeta dhe bota e tyre e brendshme shpirtërore ka grumbulluar për t’u shprehur në frymën e fundit.

Gjergj Fishta

Shkrimtari i madh shqiptar i “Lahutës së Malcisë” vdiq më 30 dhjetor të vitit 1940 në spitalin civil të Shkodrës. Revista “MAPO” botoi para disa vitesh detaje të rëndësishme të ditëve të fundit të jetës së tij. Në studimin e Fr. Agustin Gemelli, shkruhet: “At Gjergj Fishta, pak para se të ndahej nga kjo jetë, pasi u la porosi rinisë françeskane të provincës shqiptare, e mbyllte testamentin e tij me këto fjalë: “Po vdes i kënaqur, sepse kam punuar për fe, për Atdhe e për provincën tonë”.

Ndërkohë, sipas At Viktor Volajt, bashkëpunëtor i afërt i poetit, Gjergj Fishta para se të vdiste kishte përmendur nevojën për rishikimin e “Lahutës së Malcisë” dhe kishte përsëritur fjalën “i kryqëzuemi” në latinisht. Ai kishte kërkuar t’i pikturonin në murin përballë shtratit të tij skena nga “Gjyqi i fundit”.

Edhe Patër Marin Sirdani, filolog e mik i poetit, shkruan në librin e përgatitur nga Benedikt Dema, se Fishta e mbylli testamentin e vetë me këto fjalë: “Po des konden (i kënaqur) përse kam punue për fe, Atdhe e për provincën tonë”.

Ndërkohë, Lasgush Poradeci shkruante se mesazhi i fundit i poetit Gjergj Fishta janë fjalët e tij thënë një françeskani që i qëndronte te koka në çastet e fundit: “Po vdes. Ju tash keni me mendue për salikim, por edhe kombi ka të drejtë për rreth meje”.

Ndërsa, italiani Enriko Grasi, që e kishte njohur nga afër poetin, duke folur për popullaritetin e tij në të gjitha shtresat e popullsisë, pohon se prej një të riu shkodran kishte dëgjuar se fjalët e fundit të shenjta të Fishtës kishin qenë: “Jo për tjetër, por sepse po lë armikun mbi truallin shqiptar, mua më vjen keq që më duhet të vdes”.

Faik Konica

Për shqiptarin më të veçantë në historinë tonë, edhe vdekja ashtu duhet të ishte. Nuk e prishi rregullin Faik Konica në momentet e fundit të jetës së vetë. Është e shkruar nga studiuesi i njohur i tij, Nasho Jorgaqi, që një ditë më parë se t’i ndahej shpirti nga trupi, Konicës iu dogj kafeja në dhomën e tij. Dhoma iu mbush me tym dhe u deshën ca minuta të mira të vendosej normaliteti.

“Nuk më duket shenjë e mirë kjo”, mësohet t’i ketë thënë Nolit. Por, çudia nuk mbaroi këtu. Hëngri drekë të rëndë, një bërxollë shumë të madhe dhe kur mbaroi tha: “Nuk do ha mish për tri ditë”. Por, në mbrëmje ai vdiq nga një atak në zemër.

Megjithatë, historia e fjalëve të fundit apo testamentit që ka lënë Konica nuk mbaron këtu. Deri më sot ekzistojnë dokumente dhe dëshmi që Konica të ketë lënë një testament, sipas të cilit nuk do ta treste dheu nëse nuk do ta varrosnin në atdhe. Këtë e ka përforcuar Fan Noli, i cili në disa letra dërguar Enver Hoxhës i ankohej se Faikun e kishte në “dollap”, domethënë në morg, dhe shteti shqiptar duhet të financonte varrimin në atdhe. Por, Enveri e kishte shpallur armik me kohë Konicën dhe nuk e bëri këtë.

Mbështetur në këtë dëshmi, në vitin 1995, eshtrat e Konicës rivarrosen në Shqipëri në kodrat e Liqenit Artificial të Tiranës. Mendohet se testamenti i është lënë Sejfulla Malëshovës dhe kjo është përmendur, por për hir të vërtetës, testamenti origjinal i tij nuk është botuar asnjëherë.

Fan Noli

Një nga figurat më të mëdha të historisë së Shqipërisë, Fan Noli, u nda nga jeta në moshën 83-vjeçare në Fort Lauderdale, Floridë, larg vendit të cilit i kushtoi jetën e tij. Më 13 mars të vitit 1965, në ditën e fundit të jetës, Noli kishte në dorë një libër me poezi të poetit francez, Alfred Devinji (Afred de Vigny) dhe po lexonte poemën “Vdekja e ujkut”. Sipas studiuesit dhe shkrimtarit Nasho Jorgaqi, Noli dha frymë në kopshtin e shtëpisë ku po lexonte poemën. Libri i Devinjit i kishte rënë nga dora dhe ai kishte nënvizuar këto vargje: “Rënkimi, vaji dhe lutjet janë të gjitha dobësi! Detyrën bëj si burrë pa u epur kurrsesi! Në rrugën vetë fati që deshi të caktojë! Pastaj si unë, vuaj dhe vdis pa hapur gojë”.

Të gjithë studiuesit që janë marrë me fundin e jetës së Nolit, i mbajnë si testament këto vargje të cilat nënvizoi Noli. Sipas Nolit, njeriu duhet të përballej në këtë mënyrë me vdekjen. Të vuante, të vdiste pa hapur gojë, gjë të cilën e dëshmoi edhe vetë në fundin e tij.

Lasgush Poradeci

“Shtërgu i fundit” iku nga kjo jetë në orën 3 pasdite të 12 nëntorit të vitit 1987. Një nga lirikët më të mëdhenj të letërsisë shqiptare, që i dhuroi Shqipërisë “Vallen e yjeve”, “Yllin e Zemrës”, e më tej bëri të flasin shqip “Eugjen Onjegin” i Pushkinit, lirikat e Lermontovit, poemat e Hajnes, të Majakovskit e Miskieviçit, lirikat e Gëtes dhe poezi të Lanaut, Brehtit, Hygoit, Mysesë, Bajronit, Shellit, Bërnsit, të Emineskut, etj., u la në harresë dhe në mjerim të plotë pas vitit 1944.

I diplomuari në Grac të Austrisë, ishte një përkthyes me normë, që po vdiste dalëngadalë nga indiferentizmi i shtetit. I ballafaquar çdo ditë me rrezikun e ndonjë internimi të mundshëm që kishte kapur shumë shokë të tij të letrave, ai stërmundohej për gjëra nga më të voglat.

Një jetë e vështirë që e kaloi në shtëpinë e tij me lagështirë, të papërfunduar, në Tiranë, e pjesërisht në shtëpinë e rrënuar të tij në Pogradec, i solli edhe sëmundjen që e çoi drejt vdekjes. “Kostandinë, bijë e babait, trupin tim edhe të vdekur ta shpiesh në Pogradec”, i thotë ai vajzës së tij të dashur që i qëndron tek koka. Pasi heshti pak e pyet: “Po a ke lekë ti, bijë e babkës, të më varrosësh mua atje?”. Këto janë fjalët e fundit të poetit të madh shqiptar që vdiq padrejtësisht si i vogël.

Petro Marko

“Cila do të ishte fjala e fundit kur do të jepja shpirt? Tani mendoj si i gjallë dhe do të dëshiroja të isha i gjallë deri në çastin e fundit kur të thosha: Jetova kohën si një aktor që nuk e shprehu mirë pjesën e caktuar nga regjisori jetë…”, shkruan në një nga shënimet e tij të pabotuara më parë, gjeniu i Brezit të Humbur. Kjo është fjala e fundit që kishte dëshirë të thoshte ai. Një “Hasta la vista” vetëm prej Petro Markoje. E menduar deri në detaj dhe e trishtë, si subjektet e romaneve të tij. Apo ashtu si jeta e tij, që ishte e vetmja vepër e pashprehur mirë. Dhe kjo, jo për faj të tij. Një nga shkrimtarët më të vuajtur gjatë regjimit diktatorial, i mbylli sytë në dhjetor të vitit 1991, atëherë kur sapo po hapeshin perdet e një Shqipërie të lirë.

Teodor Keko

Dhe, në fjalët e fundit Teodor Keko do bënte letërsi. “Në këtë botë nuk ka njerëz të përjetshëm, por kalimtarë. Është e vështirë ta pranosh vdekjen tënde, por ja që ajo është prezente dhe një ditë vjen, dhe atëherë pavdekësinë, pikërisht atë që lakmojmë, na e dhuron nëse e meritojmë ajo vdekje. Filozofi e komplikuar apo jo!”, këto ishin fjalët që shkrimtari njohur kishte thënë pak kohë para se të vdiste.

I lindur më 2 shtator 1958, në një familje të shquar kineastësh, Teodor Keko që i vogël shquhet për humorin e hollë dhe shpirtin e rebeluar, cilësi këto që do të ridimensionoheshin me kalimin e viteve. Në vitin 1979, në moshën 19-vjeçare boton të parat poezi në gazetën letrare “Drita”, përcjellë me mjaft dashuri nga personaliteti i letrave shqipe Fatmir Gjata. Shkrimtari i njohur është shumë aktiv gjatë lëvizjeve demokratike në Shqipëri dhe zgjidhet deputet i Partisë Demokratike për dy mandate rresht. Në vitin 1996, i zhgënjyer largohet përfundimisht nga politika e drejtpërdrejtë dhe vendos të kontribuojë në demokratizimin e jetës si intelektual përmes fjalës në shtypin e shkruar. Pas një sëmundjeje të rëndë, Teodor Keko vdes më 20 gusht 2002 nga një sëmundje e rëndë.

Dhimitër Shuteriqi

Shkrimtari i madh Dhimitër Shuteriqi lindi dhe vdiq ditën e hënë. Jetoi në tri periudha: mbretërinë, socializmin dhe demokracinë. Ai mbi të gjitha i ka dhënë letërsisë kombëtare duke shkruar dhe historinë e saj. Por, edhe më mbresëlënëse janë momentet e fundit të jetës së vetë.

Bashkëshortja e tij, Myneveri, tregon se në një moment kur po i rrinin tek koka e gjithë familja, ai u shpreh se “ç’bukuri ish, që aty ishin të gjithë”. Por, edhe më kuptimplotë se kjo, ishte ajo që tha shumë më gjerë dhe me brengë. “Ti, Mynever, e di si e kam shkruar historinë e letërsisë, me një brengë për tërë jetën”, një fjali që nënkupton se shumë poetë dhe shkrimtarë që nuk iu lejuan t’i përmendte në atë libër, do të mbetet një brengë që do ta merrte me vete në varr. Por, në të njëjtën kohë edhe një thirrje për letrarët shkrimtarët e historianët për të shkruar një vepër të plotë dhe të saktë të letërsisë.

Për të gjitha këto, Dhimitër Shuteriqi punoi tërë jetën. Por, nuk arriti që të plotësonte atë që mbante thellë në vete. Megjithatë, ato fjalë jo vetëm për familjen, por edhe për të gjithë mbeten si një këshillë e thënë me zë të ulët në vesh.

Nonda Bulka

Chri-Chri i mbylli sytë në orën 20:10 të mbrëmjes së datës 14 nëntor të vitit 1972. Prej kohësh ishte i sëmurë prej kancerit. Ai e dinte se ishte nisur në një rrugë pa kthim, por nuk e lëshonte veten. “Do ta mund demonin”, kujton ish-bashkëshortja e tij, Qefseri, fjalët që përmendte shpesh shkrimtari që prej vitesh kishte pushtuar zemrat e njerëzve.

Ai është një ndër shkrimtarët e parë të viteve `30 që me krijimet e tij solli kritikën e protestën e hapur kundër regjimit të Zogut, demaskimin e shoqërisë së prapambetur feudale, një qëndrim të prerë antiklerikal, si dhe denoncimin e politikës imperialiste të kohës, motive këto që më pas u trajtuan pothuaj nga të gjithë autorët e rinj të viteve `30 e sidomos nga Migjeni.

Megjithatë, sëmundja e rëndë shpeshherë ia ulte moralin. Në një letër dërguar miqve të tij, kur shkon të kurohet në Bukuresht, shkruan: “Të dashur shokë, Sterjo, Zisa, Fate! L’inevitable, l’inexorable, l’ineluctable, l’irreparable… erdhi (e paevitueshmja, e papërthyeshmja, e paluftueshmja, e pariparueshmja..). Po hyj edhe unë në listën e kandidatëve të 50000-ve që i venë pikë librit të jetës, çdo ditë në turmën e miliardave frymorëve që mbërthen globi”. Me tej, duke e mbyllur letrën, thotë: “P.S.: Në hyrje të spitalit me shkronja të padukshme, po që duken është shkruar ‘Voi ch’entrate,Lasciate ogi speranza’ (Ju që hyni, braktisni çdo shpresë)! Jo Dante, po K… (kanceri)”.

Virginia Woolf

Një prej shkrimtareve më të rëndësishme të shekullit të kaluar, e cila ka revolucionarizuar letërsinë. Fjalët e fundit: Jam e sigurt se po çmendem sërish. Besoj se nuk mund të kalojmë sërish nëpër ato kohë të tmerrshme. Dhe kësaj radhe nuk do e rimarr veten. Kam nisur të dëgjoj zëra.

Anton Chekhov

Anton Çehov, në shtratin e vdekjes kërkoi morfinë dhe shampanjë. “Ka kaluar shumë kohë qëkur kam pirë shampanjë për herë të fundit”, ishin fjalët e fundit që tha.

Voltaire

“Tani, miku im, nuk është koha e përshtatshme për të bërë armiq”, ishin këto fjalët e fundit të Volterit, thënë priftit që i kërkoi të hiqte dorë nga Satanai.

Franz Kafka

“Më vrit, ndryshe je vrasës”, janë fjalët e fundit të Kafkës që i drejtoheshin mjekut të tij, i cili nuk donte t’i bënte një mbidozë vdekjeprurëse morfine. Kafka vuante nga tuberkulozi dhe nuk mund të fliste ditët e fundit të jetës.

Aldous Huxley

Aldous Huxley, autori i librit të mirënjohur “Më e mira e botëve”, para se të vdiste, i kërkoi së shoqes t’i jepte një dozë LSD – një lloj droge e njohur për efektet psikologjike – në mënyrë që të ikte nga kjo botë në gjendjen mendore që dëshironte vetë.

Johann Wolfgang von Goethe

Fjalët e fundit të Gëtes ishin: “Më shumë dritë”! Natën para se të vdiste, shkrimtari i njohur gjerman kishte diskutuar me nusen e djalit për fenomenin optik.

Jane Austen

Jane Austen, e pyetur nga e motra se çfarë dëshironte pak para fundit, thotë: “Nuk dua asgjë përveçse të vdes”!

James Matthew Barrie

“Nuk mund të fle”! Para se të vdiste, Barrie i dha spitalit të Londrës të drejtat e kryeveprës së tij, “Piter Pan”. Ky spital vazhdon edhe sot e kësaj ditë të përfitojë nga trashëgimia.

Hunter S. Thompson

Hunter S. Thompson, para se të vriste veten shkroi në letër: “Qetësohu, nuk do të dhembë”!

Edgar Allan Poe

“Zot, ndihmoje shpirtin tim të shkretë!”, ishin fjalët e fundit të Edgar Allan Poe. Vdekja e tij ishte e mistershme dhe ende nuk ka të dhëna se çfarë i ndodhi në ditët e fundit të jetës.

Lev Tolstoi

Tolstoi në fund të jetës e braktisi shtëpinë dhe u mundua të jetonte mes njerëzve. Fjalët e fundit para se të ndërronte jetë: “Dua shumë gjëra, i dua të gjithë njerëzit”.

Emily Dickinson

“Duhet të shkoj, mjegulla po shtohet”, ishin fjalët e fundit të saj, që kishte zënë shtratin për shtatë muaj para se të ndërronte jetë.

Eugene O’Neill

“E dija! I lindur në një dhomë hoteli dhe si për dreq po vdes në një dhomë hoteli”. O’Neill vdiq nga pneumonia, pasi kishte vuajtur edhe nga Parkinsoni, çka e kishte bërë të paaftë për të shkruar për vite të tëra./KultPlus.com

‘Kush është i pasur në brendinë e vet, nuk do të ketë nevojë të kërkojë shumë nga fati’

Lumturia dhe mjerimi – paragraf nga “Këshilla për jetën”, Arthur Schopenhauer.

“Ashtu sikurse kafsha, e cila në të gjitha rrethanat ku gjendet, qëndron e kufizuar brenda rrethit të vogël që natyra pakthyeshmërisht ka përvijuar rreth qenies së saj, edhe masa e lumturisë së mundshme të njeriut është e përcaktuar a priori nga individualiteti, ndërsa qëndrimi i tij i natyrshëm ndaj kënaqësive të larta, mbetet i përcaktuar një herë e përgjithmonë nga gjerësia e tij shpirtërore.

Nëse dikush është shpirtngushtë, të gjitha përkujdesjet e mundshme, të gjitha përpjekjet që mund të bëhen nga jashtë, gjithë çfarë do të guxojë njeriu dhe fati për të, nuk do të mund ta ndihmojnë kurrë të kapërcejë masën e zakonshme të një kënaqësie ose të një lumturie akoma kafshërore.

Njeriu do të mbetet i lidhur ndaj kënaqësive seksuale, ndaj jetës familjare, ndaj shoqërisë së keqe dhe argëtimeve vulgare. As studimi, megjithë hapsirat e tij, nuk do të mjaftojnë për ta zgjeruar këtë rreth, sepse kënaqësitë më të larta, më të shumëllojshme, më të qëndrueshme janë ato të shpirtit, sado që gënjejmë veten për të kundërtën kur jemi të rinj, ato varen kryesisht nga forca intelektuale.

Nga kjo duket qartë se lumturia jonë varet nga ajo se çka jemi, nga individualiteti ynë. Ndërsa në shumicën e rasteve, vlerësojmë vetëm fatin, për atë çka kemi dhe çfarë paraqesim. Kush është i pasur në brendinë e vet, nuk do të ketë nevojë të kërkojë shumë nga fati, ndërsa torollaku dhe teveqeli do të mbeten të tillë deri në fund.”

Gjenden 22 amfora të lashta në bregdetin shqiptar

Një projekt i përbashkët arkeologjik shqiptaro-amerikan njoftoi për Associated Press se ka gjetur të paktën 22 amfora që janë të paktën 2500 vjeçare në brigjet shqiptare, të cilat tregojnë për një anije të mbytur në lashtësi.

Anija kërkimore “Hercules” e Fondacionit Nautical RPM tha të premten se kishin gjetur 22 amfora në shtratin e detit Jon pranë gadishullit të Karaburunit. Arkeologu Mateusz Polakowski tha se ata besojnë se amforat e llojit korintas datojnë në mes të shekullit të 7-të dhe të 5-të, P.L.K.

Që nga viti 2004, anija RPM ka analizuar shtratin e detit të Shqipërisë për anijet e vjetra dhe moderne, me plane të vazhdueshme për hapjen e një muzeu nënujor në Shqipërinë perëndimore. Kryetari i RPM James Goold e konsideroi zonën si një nga pjesët më të rëndësishme sa i përket zbulimeve të tilla sa i përket aspektit arkeologjik dhe historik.

Buxhovi, ky shërbëtor i lirisë

Populli i Dardanisë ka ba shumë lufta për liri. E mbrama ka mbaru para 20 vje­të­ve. Por vendi ynë nuk asht ende krejt i lirë, ndërsa sun­dim­tarët e pa­su­nuem prej pu­shtetit sul­mojnë inte­lek­tualët e ska­mun që shpre­hin men­dimin e tyne të mirë­mbë­shtetun.

Kët javë, shkrimtari e his­to­riani Jusuf Bu­xhovi e çmoi luftën e drejtë t’Ush­trisë Çlirim­ta­re të Ko­so­vës, por dënoi krimet që dy­­sho­het se i kanë ba pjesë­­tarët e saj.

«UÇK-ja nuk ka qenë e pas­tër», tha Buxhovi. «Ka qenë e drejtë, por ka pasur edhe shumë gjëra të kë­qi­ja. Janë vrarë mbi 100 zyr­tarë të LDK-së, mbas luf­tës».

Njerëzit e pushtetit iu vër­su­lën pas­krupull­sisht, tue e qujtë pro­pa­gan­dist, tradh­tar të ko­m­bit e shpiun të Sërbisë. Do thanë se Bu­xho­vi po e njo­llon «luftën e pa­s­tër të UÇK-së» dhe «pjesë[n] më të lav­di­shme të his­torisë së kom­bit dhe po­pullit shqip­tar».

Me reagimet e tyne, kun­dër­­shtarët e Buxho­vit shpër­­faqën sa mos­dije aq dhe mos­durim ndaj drej­tësisë e lirisë.

Tregunë mosdije, sepse shpikën kon­ceptin e «luf­tës së pastër». Dije­tarët kanë ri­kujtu këto ditë se e drejta dhe marrë­dhaniet ndër­kom­bë­tare nuk e njo­hin luf­tën e pastër; njo­hin vetëm luftën e drejtë. Dhe Buxhovi e ka për­sëritë ma fort se kush­­do se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë. Kët javë ai foli për krime që shteti ynë ende nuk i ka ndëshku.

Tue i shpërfillë ato krime — mbi 100 vrasje poli­tike të mbas­luftës — për­ndje­kë­sit e Bu­xho­vit tregunë shpir­tin des­potik. Tue u thirrë në gjoja inte­resat e gru­pit, këta zhvleftë­sojnë je­tën e njeriut, shty­pin li­rinë e in­di­vidit, dhe pen­gojnë sun­dimin e ligjit. Kë­shtu sjellja e tyne për­ban për­kufi­zimin klasik të fa­shiz­mit, kurse guximi i Bu­­xho­vit thel­bin e luftës për liri.

Librat e Jusuf Buxhovit i kam pasë në dorë qysh fë­mijë. Atëherë nuk dij­sha se ç’brezi i për­kiste, nga vin­te, a ç’dia­lekt fliste. E çmoj­­sha si tre­gim­­tar shqip­­tar. Por ma fort i ad­mi­roj­sha herojtë liri­da­shës për të cilët shkrunte.

Te Shënimet e Gjon Nikollë Ka­zazit, osmanët e va­rin Col Shku­pin që ka guxu me shkru arbë­nisht dhe me andë­rru për lirinë e po­­pu­llit tonë. E shkrim­ta­rët e nji­mendtë duhet me qenë po aq trima sa per­so­na­zhet që krijojnë.

Vite ma vonë, shkrimtarin tonë e kam taku kur kam qenë student n’Ame­rikë. Aso­kohe kam për­kthy ang­­lisht librin e tij për Ko­so­vën nën Peran­do­rinë Os­­mane. E kam përcjellë në ligjerata n’univer­si­te­te ame­ri­kane, në takime me bo­tues e in­telek­tualë ven­das, dhe në tu­bi­me me mër­­gim­tarët tanë. Të gjithë e çmoj­shin dhe e për­krah­shin.

Disa e mbajshin mend prej kohës kur vep­rat i le­xo­­he­shin si radio­dramë në Pri­sh­­tinë, disa prej vi­te­ve kur pu­nonte ko­rres­po­n­dent i Rilind­jes në Gjer­­mani, e do tjerë nga ditët e the­me­limit të LDK-së dhe vizitat e her­shme në ShBA me krye­ta­rin Ib­ra­­him Ru­gova. Kish miq bashkë­­kombas nga të gjitha tro­jet tona dhe nga ko­­lonitë arbë­reshe. E prit­shin in­telek­tualët, biznes­menët, pro­fe­sio­nis­tët, dhe pu­në­torët e thjeshtë. Dhe e nde­roj­shin veçmas ata mër­gim­tarë që e kishin mbë­sh­tetë luf­tën çlirim­tare, tue dhanë mi­liona dollarë për UÇK-në ose tue iu bashku vetë ra­dhëve të saj.

E kemi lehtë me gjetë di­çka me të cilën s’paj­to­he­mi në mbi 40 libra dhe qinda in­ter­vista e li­gje­ra­ta, dhe Bu­xho­vi ka po aq. Por asht pa­qy­te­ta­ri me e sha nji njeri aq të res­pek­tuem si Bu­xhovi.

Shkrimtari ynë asht kthy në vend­lindje më 2000, mbasi ka kalu mbi dy de­kada në mër­gim si gaze­tar e re­fugjat. Për dallim prej kundër­shta­rëve të tij që ndje­kin pri­vi­legjet e pu­sh­tetit, Bu­xhovi nuk ka kër­ku kurrë post në qeveri. Sot jeton mo­de­s­tisht në nji ba­nesë të vogël në Pri­sh­tinë, ku vijon me shkru ro­­mane e pu­bli­cistikë.

Foto: Unë me shkrim­tarin Jusuf Bu­xhovi në nji pro­mo­vim libri, në lib­ra­rinë Du­ka­gji­ni në Pri­sh­tinë, dhjetor 2016./plisi.or

Anketa në Ballkan: Shqipëria, më miqësorja për refugjatët e huaj

 Vendet e Ballkanit, edhe pse kanë nivele të larta emigracioni, nuk janë treguar të gatshme të pranojnë emigrantë të huaj në qytetet ku jetojnë, përveç Shqipërisë.

Një anketë e zhvilluar vitin e kaluar nga Barometri i Ballkanit njëkohësisht në Shqipëri, Bosnjë, Maqedoni, Serbi, Malin e Zi dhe Kosovë tregoi se shqiptarët kishin gatishmërinë më të lartë për të pritur emigrantë të huaj.

Pyetjes nëse prania e emigrantëve të huaj është e mirëpritur në qytetin tuaj iu përgjigjën pozitivisht 43% e shqiptarëve.

Pas Shqipërisë, emigrantët ishin më të mirëpritur në Kosovë, ku 28% e popullatës e kanë vlerësuar pozitivisht praninë e emigrantëve.

Në Shqipëri, popullsia që mirëpret emigrantët është 4 herë më e lartë se e vendeve fqinjë.

 Më pak miqësorë për pritjen e emigrantëve të huaj shihen të jenë Bosnja dhe Maqedonia, ku vetëm 10% e popullsisë i mirëpret emigrantët.

Sipas “Our World in Data” janë rreth 57,616 mijë të huaj që jetojnë në Shqipëri, ku prej tyre 13 mijë janë të pajisur me leje pune.

Prej vitit 2010, numri i të huajve në Shqipëri është rritur. Në vitin 2010, sipas të dhënave të Bankës Botërore kishte rreth 52,784 mijë të huaj, ndërsa në 2015-n (viti i fundit me të dhëna të përditësuara) numri i të huajve është rritur me 10%.

Në rajon, Shqipëria renditet ndër vendet me numër të ulët emigrantësh. Numrin më të madh e ka Serbia, me rreth 807 mijë të huaj që jetojnë atje. Në Maqedoni janë rreth 130 mijë dhe në Malin e Zi rreth 82 mijë të huaj. Bosnjë-Hercegovina ka numrin më të ulët të huajve në rajon, ku sipas Bankës Botërore në 2015-n ishin rreth 32 mijë.

Kurrë hiç

Poezi nga Arijeta Kukaj

Kam lind për me vdekë

 e kam me vdekë për me jetua

kam me mbajtë mend shumë

se si asnjëri sduhet nënçmua.

 E nëse fjalën kam me shkel

shajumni gjithë pa ndalë

se ngjyrë,komb as fe skam

po e shkela fukaranë.

 Trimëri kurrë skam me shitë

se jam grua e jo burrë,

por fuqinë që kam në shpirt

kjo nuk ka me humbë kurrë.

E nëse shpinën gjithë kanë me kthye

une kurrë mu mërzitë jo!

Se është ni Zot për ty e mua

ai sheh edhe ndëgjo!

Shtatorja e Adem Jasharit merr formë

Shtatorja e komandantit legjendar, Adem Jashari ka hyrë në procedurën e realizimit të shtatores në argjilë për të vijuar pastaj në bronz.

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka shkruar në Facebook se pas finalizimit të shtatoreve të Shaban e Hamzës, edhe shtatorja e komandantit legjendar ka hyrë në procedurën e realizimit të shtatores në argjilë për të vijuar pastaj të trijat në bronz.

“Tri shtatoret, nga nëntori, në Sheshin “Fehmi Lladrovci” në Drenas, përjetësisht do t’i japin vlerë, bukuri dhe mesazh gjeneratave se sa e vlefshme dhe sa e çmueshme është liria. Lavdi e përjetshme Jasharajve legjendar”, ka shkruar ai. /Telegrafi/

The Independent: Nëse s’ju pëlqen rreziku, mos shkoni në Gjirokastër

“Mos shkoni në Gjirokastër. Gjithsesi, kurrë më parë nuk keni dëgjuar për të, dhe për më tepër, kush do të donte të hiqte dorë nga ato pak javë të shumëpritura të pushimit vjetor, për t’i çuar dëm në një qytet malor në Shqipëri? Së pari, është e pamundur të mbërrish në destinacion- e vetmja linjë fluturimi britanike “nonstop” drejt Shqipërisë, të çon në Tiranë, prej nga ku Gjirokastra është më e pakta 4 orë larg (nëse përdor automjetin) dhe në rastin më të keq, nëse përdorni sistemin e transportit publik, të pisët e të pasigurt, rrugëtimi juaj mund të zgjasë deri në 12 orë, për të mos shtuar edhe ndërlikimin e rrugëve zor të kalueshme”.

Kështu shkruan prestigjiozja britanike “The Independent”, në një shkrim mes ironisë e lavdeve për Gjirokastrën, duke përshkruar problematikat që udhëtarët hasin gjatë udhëtimit por edhe bukurisë natyrore që vështirë se do gjenden në vend tjetër.

Natyrisht, nëse do të shikonit se ku pozicionohet Gjirokastra, një pëllëmbë prapa qytetit bregdetar të Sarandës në bregun jugor të Shqipërisë, atëherë mund të kuptoni që është aq pranë Korfuzit nga ku mund të shihni ishujt e Greqisë.

Dhe mandej mund të zbuloni se në fakt ka një traget të lirë që mund të merrni nga Korfuzi në Sarandë, që niset tri herë në ditë dhe që mund t’ju çojë në destinacion për vetëm 30 minuta, por kjo tingëllon shumë e rrëmujshme për pushime.

Përfundimisht, mos shkoni në Gjirokastër. Askush nuk flet anglisht, si fillim. Me gjasë do të duhet të kaloni disa orë ulur në plazh me një vakt 10 herë më të lirë se ai që keni konsumuar në Korfuz atë mëngjes, ose keni ngrënë përbri të njëjtët det (Jon) kristal të pastër para se të mund të zbuloni se si të mbërrini në destinacionin tuaj të ardhshëm.

Dhe pastaj do të duhet të bësh plot ecejake përgjatë rrugës derisa të gjesh një minibus, shoferi i të cilit do të diskutojë me ju për çmimin dhe destinacionin. Në vend të autobuzit të bollshëm ose të “National Express”, që paraqitet në një ekran digjital, atje nuk ka bileta elektronike ose bileta çfarëdo të disponueshme. Ju duhet të bini në ujdi për çmimin e udhëtimit, që nuk është standard, para se të ngjesheni pranë ndonjë familjeje lokale, derisa minibusi të lërë Sarandën dhe disa prej peizazheve më të pabesueshme që ju kanë zënë sytë. Dhe, kush e dëshiron këtë?

Gjirokastra është një makth. Ju ecni nëpër malet dhe luginat, duke vërejtur çdo disa kilometra një nga 173,000 bunkerët, ndërtimin e të cilëve e urdhëroi diktatori Enver Hoxha, në rast lufte gjatë viteve ‘70 dhe ‘80 (ka 5.7 për çdo kilometër katror). Pastaj automjeti merr drejt fundit të kodrës së madhe, që të con deri në qytetin malor.

Në rregull, ju do të shkelni qytetin e vjetër, i cili është teknikisht një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, me rrugë me kalldrëm dhe arkitekturë otomane të mirëmbajtur, por që “të vret pas shpine”. Ndërsa zgjidhni fruta të freskëta nga pemët e fikut që mbizotërojnë në kopshtet e harlisura dhe shijoni një darkë prej 5 eurosh në karriget e vendosura në pragjet përgjatë rrugëve dredha-dredha, pa dyshim do të mendoni: pse gjithçka është tatëpjetë këtu?

Sigurisht, hotelet janë të lira dhe të bukura, dhe ofrojnë në menu mëngjese të ndryshme që i bën për ju gjyshja e dikujt, por atje nuk ka asnjë etiketë për të shpjeguar varietetet e ëmbëlsirave, produktet shtëpiake apo erëzat e zonës.

Në rregull, ka një kështjellë të ruajtur mirë në majë, sapo të kesh ecur nëpër tunele guri të pafundme, do të hasni një avion të rrëzuar gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe askujt nuk i bëhet vonë nëse nga kureshtja depërtoni në brendësi të tij. Argjendi i ndezur i diellit ngjyros një copë bari, bishti i aeroplanit me yllin e famshëm të zi shtrihet në disa shkurre, por nëse ngrini kokën do të përballeni me pamjen e qytetit të vjetër të Gjirokastrës, ngritjet e larta në fund të kodrës kryesore, luginën e rrallë dhe malet përtej. Megjithatë, bën shumë vapë po të ekspozohesh në majë të kodrës dhe gjezdisja rreth një avioni luftarak të SHBA-së, mund të faturohet me cënimin e sigurisë suaj. Llogarisni këtu që nuk keni askënd përreth -po sikur të donit ca gllënjka pijeje freskuese?

Në Gjirokastër ka pak gjasa të ketë jetë nate. Vendi ku përfundojnë mbrëmjeve shumica e turistëve dhe vendasve është veranda e bashkangjitur me “Hotel Kodra”, që gjarpëron nëpër Qytetin e Vjetër dhe ofron një pamje perfekte të perëndimit të diellit përgjatë male. Një pamje frymëmarrëse, por atje nuk gjendet as një barist. Dua të them, ju lutem…

“22 burra rrethuan gruan që refuzoi dashurinë e Enver Hoxhës”

Si në çdo fushë të jetës, edhe në atë të marrjes së jetës së armiqve ndodhnin parregullsi, kur rregulli nuk respektohej korrektësisht, siç ishte rasti i një ish-shefi të shtabit të ushtrisë i cili, pasi u shpall armik, dha shpirt me mjaft vështirësi nga rrahja me purteka të trasha druri në karrocerinë e një kamioni ushtarak. Pra në mospërputhje të plotë me rregullat elementare të ekzekutimit.

Po si pasojë e shkeljes së rregullores, ndodhi që në një pushkatim pa gjyq që iu bë 23 intelektualëve të shquar të kohës, 22 burra dhe një grua, pikërisht gjatë çastit kulmor të krejt procesit, atij të ekzekutimit, në respekt të të vetmes grua, të 22 burrat nuk ndenjën në rresht për një përballë, siç e kërkonte rregullorja, por u bënë rreth, duke e mbrojtur me trupat e tyre atë grua, i vetmi faj i të cilës kishte qenë refuzimi i dashurisë së Udhëheqësit në të ritë e saj dhe ca më pas, mospërqafimi i idealit të vetë Udhëheqësit. Ndonëse e shpëtuan nga breshëria e plumbave, qëlloi që ashtu të lidhur me një tel të përbashkët me të gjithë të pushkatuarit, këta e tëhoqën pas vetes, për së gjalli, në gropën e përbashkët, hapur paraprakisht nga ata vetë.

Si rrjedhojë, fshatarët e atyre zonave u lemerisën tek dëgjonin ca rënkime dalë nga thellësia e tokës, për aq kohë sa i duhej një qenieje njerëzore të japë shpirt, mbuluar me dhe e bërë njësh me trupat e vdekur të 22 bashkëvuajtësve të saj.

Fragment nga romani “Metamorfoza e një kryeqyteti”, i shkrimtarit Ylljet Aliçka/Gsh.al

Festivali Ndërkombëtar i Muzikës Baroke në Korçë

“Vox Baroque”, Festivali Ndërkombëtar i Muzikës Baroke, vjen mbrëmjen e sotme për artdashësit korçarë.

Në edicionin e tij të 6-të, Festivali Ndërkombëtar i Muzikës Baroke do të stacionohet te Hani i Pazarit në Korçë, sonte në orën 20:00, duke ofruar tingujt e muzikës së vjetër baroke.

Festivali Ndërkombëtar i Muzikës Baroke “Vox Baroque” mbetet aktiviteti i vetëm në llojin e tij në Shqipëri.

Ky festival synon gërshetimin mes përhapjes së repertorit antik rigorozisht të ekzekutuar sipas rregullave të traktateve të kohës dhe inciativave alternative promovuese të atyre artifakteve pjesë të trashëgimisë kulturore kombëtare./m.m/ /a.g/Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Monumenti që dëshmon rëndësinë e gruas dhe të fëmijës në Dardani

Ashtu si herëve të tjera, edhe kësaj radhe Komuna e Suharekës, e cila është ndër trevat që më së shumti ka dhënë monumente të gurit nga koha romake në Kosovë, na befasoi për të mirë me gjetje të reja arkeologjike. Bëhet fjalë për një stelë, e cila përbën tipin më të shumtë të monumenteve mbivarrore nga koha romake në Dardani, shkruan sot Koha Ditore.

U gjet rastësisht në fshatin Peqan gjatë punimeve me ekskavator në truallin e Visar Bytyqit, me rastin e ndërtimit të shtëpisë, prej nga është bartur në Muzeun e Suharekës. Duhet theksuar se në këtë fshat kohë më parë u gjet edhe altari i kultit me kurorën e dekoruar në mënyrë të shkëlqyer (Khr. E. Dobruna-Salihu, Saxa loquuntur, Prishtinë 2016, 164-167, fig. 6a-6c).

Stela është e punuar në gur gëlqeror me përmasa 176 x 57-60 cm. Është e tëra dhe e ruajtur mjaft mirë. Si në të shumtën e rasteve përbëhet nga dy pjesë: fusha relievore me mbarim harkor, të cilit i takon numri më i madh i stelave sidomos në Kosovë dhe ajo mbishkrimore e profilizuar dhe e rrethuar me motivin bimor (të hardhisë, apo urthit), ku në këtë rast bëhet fjalë për atë të urthit, i cili me dy degëza del nga një vaze (këtu “kantaros”) në fund, që përbën motivin më të shpeshtë të stelave dhe njërën ndër karakteristikat kryesore të tyre në të gjithë Dardaninë. Ne fushën relievore janë skalitur dy buste femrash: një që i takon personit të rritur, e cila e zë tërë fushën dhe një me përmasa të vogla në gjoksin e saj, që i takon fëmijës, ku, bazuar në mbishkrim, bëhet fjalë për nënën dhe fëmijën. Që të dyja janë skalitur mjaft mirë, sidomos personi i rritur (nëna), ku në stilin e punimit mbisundojnë plasticiteti, proporcionaliteti dhe realizmi.

Rikthehet sezoni i tretë i serialit më të shikuar në Netflix

Sezoni i tretë i “La Casa de Papel”, seriali më i shikuar në Netflix që nuk është në gjuhën angleze, u prezantua në Madrid, tetë ditë përpara se të transmetohet në platformën amerikane.

Për gjenerata me radhë, kultura të caktuara janë eksportuar në të gjithë botën, por ky serial dëshmoi se edhe histori të jshtëzakonshme mund të përhapen gjithandej e të vlerësohen nga të gjithë.

“Dhe ky është një show i jashtëzakonshëm. Është nga Spanja, por sot e sheh i gjithë globi”, tha Ted Sarandos i Netflix-it. Krijuesi dhe producenti Alex Pina megjithatë, i njeh dhe meritat e platformës së njohur dixhitale për suksesin e madhe që ka arritur seriali.

“Mundësia e transmetimit në 191 vende të ndryshme në të njëjtën kohë, të jep të njëjtat shanse me filma fiction amerikano-veriore. Ajo qe platforma të tilla kanë bërë është që e kanë rritur nivelin e aksesueshmërisë. Për ne, kjo është një mundësi shumë e mirë”, tha ai.

I krijuar nga Pina në 2007-ën, seriali spanjoll rrotullohet rreth një grabitjeje të planifikuar me shumë kujdes ndaj korporatës publike Mint Royal në Madrid prej një mendjeje kriminale shumë pjellore të vënë në jetë nga tetë hajdutë, identitetet e të cilëve nuk zbulohen.

Gjatë harkut të vetëm dy sezoneve, ai fitoi një popullaritet të jashtëzakonshëm, me disa elementë të kthyer tashmë në pjesë të kulturës pop përfshirë uniformat e kuqe, apo maskat e frymëzuara nga Salvador Dali që protagonistët i mbajnë gjatë grabitjes apo dhe rikthimin e këngës italiane antifashsite, “Bella ciao“ të përdorur si metaforë të rezistencës dhe lirisë. /KultPlus.com

Kosovarja shpallet kampione e matematikës në Cyrih

Vajza katërmbëdhjetëvjeçare, Dorea Robelli, është kampione kantonit të Cyrihut në garën e matematikës, shkruan KultPlus.

Lajmin për kampionen simpatike e ka bërë të ditur Ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, përmes një postimi në profilin e saj në Fecebook.

“Më lejoni tua prezantojë Dorea Robellin, kampionen e kantonit të Cyrihut në matematikë! Po, në matematikë. Dorea është 14 vjeçare. Mbajeni mend këtë emër!”, ka shkruar Çitaku

Ajo ka shtuar që sukseset e bashkëqytetarëve tanë nuk janë vetëm në sport e art por edhe në shkencë.

“Tashmë jemi mësuar që diaspora jonë të na e flladitë shpirtin me sukese të shumta në art e sport. Po ja që gama e sukeseve po rritet e po shtrihet edhe në fusha që dikur konsideroheshin të pa mundura për ne” ka shtuar Çitaku. /KultPlus.com   

Frank Sinatra debutoi për herë të parë më 13 korrik 1939

Së bashku me grupin e Harry James, debutoi me incizimin e tij të parë më 13 korrik 1939, ku më pas u bë shumë i dashur për publikun. Fansat “çmendeshin” për ta parë atë. Vajzat e adhuronin.

Karriera e Sinatrës nuk përfundoi pas pesë apo dhjetë viteve, por qëndroi më shumë se gjysmë shekulli.

Ai performoi para një audience shumë të madhe, duke përfshirë edhe presidentët John Kennedy dhe Richard Nixon.

Gjithashtu, incizimet e tij vazhdojnë të jenë prezente te të gjitha moshat.

Disa nga këngët e tij më të famshme janë: Fly Me to the Moon, My Way, That’s Life, Come Fly with Me e të tjera. /KultPlus.com

Zbulohen idetë e panjohura të Kubrickut, për filmat që nuk u bënë kurrë

Konsiderohet mjeshtër i kinematografisë, por i kishte bërë vetëm 13 filma. Tani po dalin në ditë idetë për tre skenarë të panjohur, me të cilët ka punuar Stanley Kubrick, e që ndërlidhen me martesën, me xhelozinë dhe me kurorëshkeljen. Ato janë të viteve 1954-56, kohë kjo kur kishte probleme martesore me gruan e dytë, Ruth Sobotka, që ishte aktore dhe valltare, transmeton Telegrafi.

Nën titullin punues “Burri i martuar” janë 35 faqe. Një tjetër quhet “Martesa ideale” dhe ka shtatë faqe. Ndërsa, e treta “Xhelozia” është me 13 faqe.

Te rreshtat e parë te “Burri i martuar”, Kubrick shkroi: “Martesa është si një vakt i gjatë me ëmbëlsirën që shërbehet në fillim… A mund t’i imagjinoni tmerret e jetesës me një grua që lidhet për ty si një ngjitës e ku e tërë jeta sillet rreth teje… Është si mbytja në detin me pupla. Të zhytesh thellë e më thellë në thellësitë e buta ngulfatëse. Sikur të luftonte. Sikur të çmendej nga xhelozia, madje veç një herë…”.

Materiali u transferua së fundmi në arkivin e Kubrickut në Universitetin e Arteve në Londër. Nathan Abrams, profesor i studimeve filmike, thotë: “Është material i ri që nuk e dinim se ekzistonte. Janë projekte që Kubricku donte t’i bënte, por nuk i bëri”.

Brenda këtyre skenarëve ka ide për filmin “Eyes Wide Shut” që u bë katër dekada më vonë (sidomos xhelozia). Kubricku, amerikani që kaloi shumicën e jetës së tij në Britani, vdiq më vitin 1999 menjëherë pas përfundimit të këtij filmi – një triler kontrovers psikoseksual ku luanin Tom Cruise dhe Nicole Kidman. Abrams shpreh zhgënjim se si kaq shumë materiale u shfaqën në kohën kur e mbaroi librin e tij të fundit dedikuar 20-vjetorit të këtij filmi.

“Kubrick nuk ishte shkrimtar. Ka një arsye pse ka punuar me shkrimtarë të tjerë te filmat e tij. Sa i përket meritës letrare, nuk shquhej shumë për këtë. Kubrick ishte regjisor. Pra, kjo ishte ajo që për të kishte ka rëndësi. Kirk Douglasi dikur tha: ‘Stanley… gjithnjë ka funksionuar më mirë nëse e ka një shkrimtar të mirë e ai punonte si redaktor i tij…”, thotë Abrams. “Sobotka, me të cilën ishte i martuar kur po i zhvillonte këta skenarë, kishte ndikim tek ai. Por, nuk dimë aq shumë për këtë apo atë. Gjërat nuk po shkonin mirë me të në Los Anxhelos. Iku në Gjermani për të bërë filmin ‘Paths of Glory’, më 1957, ku u takua me një nga aktoret e tij, Christiane, që u bë gruaja e tij e tretë dhe e fundit”. /Telegrafi/

Marco Grassi, artisti italian që mahnit të gjithë me punën e tij

Marco Grassi, një artist italian, arriti që shumë shpejt të bëhet i njohur, për shkak të punimeve të tij artistike.

Pikturat e Grassit janë tejet të habitshme, ato ngjasojnë me fotografitë profesionale.

Ai kryesisht punon me ngjyra të vajit në pëlhurë, duke iu kushtuar një rëndësi shumë të madhe detajeve, me ç’rast një pikturë e tij kërkon muaj të tërë deri në përfundim.

Grassi është aq i lidhur me pikturën saqë thotë se:  “Arti është jeta ime. Kudo që shkoj, çka do që bëj, nuk mundem t’i shmangem nevojës për të pikturuar”.

KultPlus jua sjellë disa prej pikturave të tij më të famshme. /KultPlus.com

“Mother of pearl”
“La Belleza Del Tempo”
“Green Queen”
“The Garden”

Vendet që iu shtuan listës së UNESCO-s në 2019

UNESCO ka shtuar 29 vende të reja nga e gjithë bota në listën e Trashëgimisë Botërore.

Vendet përfshijnë që nga ishuj të mbushur me jetë të egër, pallate të lashtë, shumë prej të cila ruajnë trashëgimi të lëna nga njerëzit e lashtë.

  1. Territoret dhe Detet Australe Franceze, Francë, Kjo zonë në Oqeanin Indian përbëhet nga shumë ishuj, ku jeton një numër shumë i madh shpendësh dhe gjitarësh detarë. Territori prej 67 milionë hektarësh ka popullsinë më të madhe të Pinguinëve Mbret dhe të Albatrosëve Hundë-Verdhë.
  2. Paratyand Ilha Grande, Brazil Kjo zonë përfshin një pyll tropikal të Brazilit, dhe një nga qytezat bregdetare që janë ruajtur më mirë në vendin latino-amerikan. Sipas UNESCO-s, aty jeton një larmi e madhe speciesh në rrezik zhdukjeje, si disa lloje jaguarësh dhe majmunësh.
  3. Bagan, Myanmar, Vendi i shenjtë ka tempuj e manastire të lashta, si dhe vende pelegrinazhi që ruajnë vepra të veçanta të arkitekturës dhe artit budist.
  4. Seouon, Akademitë neo-konfuciane të Koresë së Jugut. Vendi i shenjtë ka tempuj e manastire të lashta, si dhe vende pelegrinazhi që ruajnë vepra të veçanta të arkitekturës dhe artit budist. Ky vend përbëhet nga nëntë institucione arsimore të quajtura “seuonë”, ku nxënësit mësojnë të ndërveprojnë me mjedisin, gjë që shprehet shumë qartë në dizenjon e tyre.
  5. Shkrimet në gur, Kanada. Ky vend në kufirin kanadez me SHBA-në ka gdhendje dhe vizatime të lëna nga vendasit e fiseve “Këmbëzinj”. Gjurmët arkeologjike datojnë që në vitin 1800 p.e.s.

Lepurushi

Poezi nga Rexhep Hoxha (1929-2019)

Deshi lepurushi
të bëjë një mrekulli:
të vishej me tesha
po sikur njeri.

Veshi pantallona,
këpucë e jelek,
n’Zvicër porositi
sahat me qostek.

Mirëpo të ngratit
i shkoi puna huq,
sepse veshët e gjatë
s’i ndenjën n’kapuç.

I veçuari, ose “rebeli” i papërmirësueshëm

Nga Ibrahim Kadriu

Profesor e shkrimtar, apo shkrimtar e profesor. Në të vërtetë, kur kihet parasysh emri i Rexhep Hoxhës cilësohet shkrimtar, e jo profesor, ndonëse tërë jetën e ka kaluar para nxënësve, studentëve… Por ai ishte shkrimtar i ditëve të para, ende pa e marrë ditarin e profesorit në dorë, kur ishte ende duke e arritur titullin e profesorit.

Njëmend titullin e profesorit e arriti dinjitetshëm, por gjithashtu e mbajti dinjitetshëm deri në ditët e para të pleqërisë, domethënë – deri në pensionim, kurse angazhimin në fushën e krijimtarisë letrare e vazhdon edhe më tutje, edhe pas pensionimit, duke u kthyer në inspirimet e hershme…Shih për këtë, duke qenë në dilemë se cilin ia vlen ta përfaqësoj në “Buzëqeshje…” shkrimtarin apo profesorin, i dhashë të drejtë shkrimtarit, por duke mos harruar edhe teket e tij si profesor, jo si mësues, sepse ajo ishte një kohë shumë e hershme, kohë kur nuk pyetnin se ku dëshiron të punësoheshe…

Prandaj Rexhep Hoxhës ia kishin ofruar punën e mësuesit në një katund të largët nga Gjakova, të cilin, sigurisht deri me atë rast, as e kishte dëgjuar. I kishin thënë të shkonte në Gjilan, pastaj të kapërcente Gjilanin dhe të vazhdonte rrugën me ndonjë qerre të rastësishme, sepse atëherë as nuk kishte autobus, e lëre më farë taksi, për të arritur në Pogragjë. /Koha Ditore/ KultPlus.com

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe”, kandidat për Çmimin e Muzeut Evropian

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” është zyrtarisht kandidat për Çmimin e Muzeut Evropian të Vitit. Drejtorja e Muzeut, Etleva Demollari këtë mëngjes, ndau lajmin.

Pas një aplikimi të suksesshëm në prill, jë pjesëtare e jurisë, znj. Metka Fujs nga Sllovenia, vizitoi dhe inspektoi muzeun në mënyrë të detajuar dhe më pas zhvilloi një bisedë me stafin, ku u njoh me punën, programet edukative dhe projektet e ardhshme. Përgëzime stafit për këtë arritje! Ruajmë memorien tonë, ua përcjellim brezave! /KultPlus.com

Pas 10 vitesh, Dren Abazi i dhuron Prishtinës një koncert nën yje

Rrona Jaka

Nën yjet e parkut të Gërmisë, është promovuar albumi i  ri i këngëtarit Dren Abazi.

I veshur në të bardhë e më kitarë të kuqe, Abazi e ka shndërruar në festë këtë koncert, duke na dhuruar disa këngë të jashtëzakonshme, që të kujtojnë dashuritë më të zjarrta si dhe trishtimet më të thella. – shkruan Kultplus.

“Po shënojmë dhjetëvjetorin e Zig Zak Orkestrës dhe po e promovoj albumin e ri, me këtë koncert për realizimin e të cilit, kanë kontriubuar shumë njerëz” –  ka thënë Dren Abazi për Kultplus.

Me këngë të reja e të vjetra festa është bërë gjithnjë e më madhështore. Trumbetat dhe kitara rrisnin adrenalinën teksa publiku nuk zinte vend në karriget e tyre.

Teksa i gjithë publiku i është bërë BackVocal, Abazi ka kënduar këngë të vjetra me të cilat të gjithë jemi rritur si: “O moj ti me sytë e zi”, “Jorgjica”, “I dehur jam” e shumë e shumë të tjera.

I pyetur nga KultPlus se si e ka zgjedhur titullin e albumit, Dren Abazi është përgjigjur gjithë gaz.

“Ky album mban titullin e këngës më të panjohur, ndoshta ishte një tendencë për t’i dhënë pak më shumë hapësirë kësaj kënge.”

Ndonëse këngët e reja ishin ende të panjohura për publikun këngët si “Mbreti i natës”, “Lamtumirë” e “Pa frymë” janë kënduar thuajse Acapella, ku zëri entuziast i audiencës dominonte mbi muzikën.

“Sonte qenka shumë më nxehtë, s’po bjen shi, po edhe në raftë le ta mirëpresim” ka thënë Abazi teksa e ka ftuar të gjithë audiencën që të kënaqen me koncertin e shumëpritur.

Ai nuk ka harruar t’i falënderojë përzemërsisht të githë miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij për realizimin e këtij koncerti madhështor.

“Në këto momente emocioni, dua t’i përmend të gjithë e t’i falënderoj përzemërsisht por ndoshta e harroj ndokënd. Jam shumë i lumtur që pas shumë viteve, më në fund po rikthehem në Prishtinë. E gjithë kjo nuk do të ishte e mundur pa mbështetjen e madhe të Komunë së Prishtinës, Ministrisë së Kulturës në Kosovë, Ministrisë së Kulturës në Shqipëri dhe gjithë sponsorëve të tjerë.” ka sqaruar Dren Abazi

Këngëtari  Dren Abazi është një ndër këngëtarët më të suksesshëm dhe më të dashur për publikun, i cili fillimisht u shfaq me grupin Zig Zag Orkestra, ndërkaq përmes këtij koncerti sonte u rikthye fuqishëm në Prishtinë pas disa viteve./KultPlus.com

Rammstein me koncert të madh në Britani të Madhe

Rok-bendi gjerman Rammstein, ka dhënë detajet për një tjetër koncert të madh që do ta mbajnë në Britani të Madhe.

Grupi ka bërë të ditur se do të jenë të pranishëm në “Ricoh Arena” të Coventryt më 20 qershor të vitit të ardhshëm.

Ky koncert do t’ia kalonte për nga madhështia atij që e mbajtën në “Stadiumi MK” në Milton Keynes.

Biletat për këtë koncert do të dalin në shitje sot në ora 10:00. /KultPlus.com