“Kur ndaloni së lexuari libra, ju pushoni së menduari”

Fjodor Dostojevski është një prej shkrimtarëve më të famshëm në letërsinë botërore. Veprat e tij madhështore ngrenë mjeshtërisht pikëpyetje mbi tema të rëndësishme të jetës dhe vdekjes.

Më poshtë janë disa thënie të këtij shkrimtari.

1. Duhet ta duash jetën, më shumë se sa vetë kuptimin e jetës.
2. Hedhja e një hapi të ri, nxjerrja nga goja e një fjale të re. Këto janë gjërat të cilave njerëzit u druhen më shumë.
3. Në mendjen e gjithsecilit prej nesh ka një kufi, përtej të cilit është e rrezikshme të shkosh. Pasi e ke kaluar atë kufi, është e pamundur të kthehesh mbrapa.
4. Lumturia nuk qëndron në vetë lumturinë, por në arritjen e saj.
5. Kur ndaloni së lexuari libra, ju pushoni së menduari.
6. Liria nuk gjendet në kufizimin, por në kontrollin e vetvetes.
7. Lumturia nuk vjen nga rahatitë tokësore, por fitohet përmes vuajtjes.
8. Në një zemër që dashuron vërtetë, ose xhelozia vret dashurinë, ose dashuria vret xhelozinë.
9. Nuk duhet shumë për të shkatërruar një person. Gjithë sa do ju duhet të bëni është ta bindni se puna që ai bën është krejt e padobishme dhe e pakuptimtë.
10. Heshtja është gjithmonë e bukur dhe një person i heshtur është gjithmonë më i bukur se një që flet.
11. Një person mund të jetë i mençur, por që të veprojë mençurish, vetëm inteligjenca nuk mjafton.
12. Kurrë nuk do të mbërrini në destinacionin tuaj, në qoftë se ndaleni dhe qëlloni me gur çdo qen që leh.
13. Unë dua të flas për çdo gjë me të paktën një person, ashtu si unë flas për gjërat, me veten time.
14. Është e pabesueshme se çfarë mund të bëjë vetëm një rreze dielli, për shpirtin tënd.
15. Njeriu duhet të flasë hapur me të tjerët, në një mënyrë që zbulon mendimet e veta të brendshme përmes fytyrës së tij, që zbulon hallet e tij, direkt përmes fjalëve. Një fjalë e thënë me bindje, me sinqeritet të plotë dhe pa hezitim, ndërkohë që e sheh tjetrin në sy, ka më shumë kuptim se dhjetëra faqe nga një libër.
16. Pa një objektiv në jetë, njeriu ndihet i mbytur.
17. Shpirti shërohet duke ndenjur me fëmijë.
18. Edhe një njeri që i ka duart e lidhura mund të bëjë shumë mirë, nëse do.
19. Bukuria do ta shpëtojë botën.
20. Njerëzit flasin ndonjëherë me një mizori kafshërore, por kjo është një padrejtësi e madhe dhe fyerje për kafshët; një kafshë nuk mund të jetë aq mizore sa një njeri, kaq artistikisht mizore.
21. Të rriturit nuk e dinë që një fëmijë mund të japë këshilla jashtëzakonisht të mira, edhe në rastet më të vështira.
22. Mos e mbushni kujtesën tuaj me të gjitha herët që jeni ndjerë të fyer; mund të përfundoni duke mos lënë asnjë hapësirë për momentet e mrekullueshme që keni përjetuar.
23. Një njeri, i cili e di se si të përqafojë një tjetër, është një njeri i mirë.
/bota.al/KultPlus.com

Rrezikohet karriera e Ed Sheeran, akuzohet për plagjiaturë

Ed Sheeran është akuzuar për vjedhjen e këngëve të artistëve të tjerë, si frymëzim për materialet e tij.

Në disa dokumente të paraqitura në Gjykatën e Lartë në Angli, këngëtari akuzohet se me vetëdije dhe ndërgjegje ka përvetësuar punën e kompozitorëve të tjerë.

Por 28-vjeçari i ka mohuar pretendimet.

Akuzat u bënë nga muzikanti Sam Chokri, 26 vjeç, i cili është në ‘betejë’ me Sheeran muzikën e këngës ‘Shape of You’.

Ajo ishte kënga më e shitur në vitin 2017 dhe arriti vendin e parë në 34 shtete.

Chokri pretendon se Sheeran kopjoi refrenin e këngës së tij të vitit 2015 “Oh Why” të cilën Ed e ka mohuar.

Ndërsa në dosjen e fundit, Ed akuzohet ka vjedhur këngë nga artistë të tjerë përfshirë grupin e vajzave TLC, artistin Shaggy dhe këngëtaren Jasmine Rae. /KultPlus.com

“Jeta e Re” vjen me 420 faqe në numrin e dytë për këtë vit

Në një vëllim prej 420 faqesh, posa ka dalë në qarkullim numri i ri i revistës letrare të traditës “Jeta e re”, i dyti për këtë vit. Të gjitha rubrikat e këtij numri, si dhe deri tash, sjellin autorë me peshë nga fusha e letërsisë, e kritikës letrare botërore dhe asaj shqiptare.

Proza fillon me tregimin “Era e jugperëndimit” të shkrimtarit turk me origjinë shqiptare, një nga zërat më të veçantë të letërsisë së sotme turke, Onur Caymaz, për të vazhduar me Silvina Ocampo-n, shkrimtaren argjentinase, që me burrin e saj, Adolfo Cesares, me motrën Victoria Ocampo dhe me mikun e tyre të pandashëm Hohe Luis Borhesin, përbënin plejadën më të ndritshme jo vetëm të letësisë argjentinase. Ocampo vjen me tregimet “Xhelati”, “Informacion për parajsën dhe ferrin”, “Enigma” dhe “Shtëpia si prej sheqeri”, kurse Augusto Monterroso, shkrimtar guatemalas me famë ndërkombëtare, prezantohet me tregimet “Të mirat dhe të këqijat e Horhe Luis Borhesit”, “Homo scriptor”, “Mister Taylor”, “Maska e vjetër”, “Miza që donte të bëhej shqiponjë” etj.

Ndërkaq, shkrimtari italian Danniele Del Guidice me “Rikthimi në Jug” dhe shkrimtari anglez me prejardhje pakistaneze, Haif Kureishi, me prozën “Thashetheme”.

Ndërkaq, nga autorët tanë janë prezantuar: Eqrem Basha me “Rruga nga nuk kalon askush”, Rifat Isamaili me tregimet e shkurtra “Në labirint”, “Gostia e djajve”, “Hija e jetës”, “Në skëterrën e fatit”, “Varri i humbur”, Bajram Sefaj me “Tuneli”, Azem Qazimi me “Vasili, i përsosuri” dhe “Letër” dhe Kismete Hyseni me “Kur binte shi”.

Rubrika e poezisë nis me një cikël të gjerë poezish të nobelistes Wislawsa Szimborkas dhe vazhdon me autorin dhe shkrimtarin italian Umberto Saba, pastaj me Joana Gruia-n, poeten dhe romancieren e Granadas, të përkthyer në shumicën e gjuhëve europiane, pastaj James Baldwin, si dhe me poeten holandeze Garry Van Der Linen. Ndërkaq, nga autorët tanë me nga një cikël poezish në këtë numër të revistës janë paraqitur Xhavit Beqiri, Dije Demiri- Frangu, Serafina Lajçi, Skënder R. Hoxha, Selvije Rexhepi dhe Sulejman Pireva.

Në rubrikën qendrore të revistës Dossier, në një hapësirë prej 80 faqesh, vjen për herë të parë në shqip Richard Ford, një prej shkrimtarëve më të vlerësuar të kohës sonë dhe një nga stilistët më të mëdhenj të prozës amerikane. Rubrikës i prin teksti i Laura Barton-it me titullin “Zëra të tjerë, dhoma të tjera”, për jetën dhe veprën e Fordit, për të vazhduar me tregimet “I përkohshëm” “Të dashurit” dhe “Shooting the rest Area”. Rubrika përfundon me intervistën e autorit me titullin “Masa dhe stili i pranimit”.

Rubrika e kritikës nis me tekstin prej 35 faqesh të Charles Altier-it me titullin “Ideja dhe ideali i kanonit letrar”, për të vazhduar me “Vetmia thelbësore” të Moris Blanshos dhe “Gjeografia e hijes” të Xhevat Karahasanit. Nga autorët tanë janë për t’u veçuar tekstet “Itaka- një simbol i madh ballkanik i Agim Vincës dhe “Kryeveprat Gege” të Kujtim M. Shalës. Po ashtu, në këtë rubrikë kemi edhe një vështrim të Xhemail Pecit për librin “Asnjë zë tjetër” të Sali Bashotës dhe “Prilli i thyer” i Ismail Kadaresë përballë “Kanunit të Lekë Dukagjinit” të Gentiana Bajramit.

Përkthyesit që kontribuuan në këtë numër janë: Bajram Karabolli, Gëzim Aliu, Alket Çani, Belfjore Qose, Albion Zilfa, Edita Kuçi-Ukaj, Sulejman Dërmaku, Alfred Beka, Arben Idrizi, Erion Karabolli, Qerim Ondozi, Rexhep Maloku, Arta Hallaçi, Fatbardha Statovci, Arbana Rexhepi dhe Gazmend Bytyçi. /KultPlus.com

Eddie Murphy kthehet në Saturday Night Live për ta udhëhequr specialen e Krishtlindjes

Eddie Murphy po kthehet në shown televiziv të skeçeve i cili e ndihmoi atë ta lansojë karrierën e tij, për një emision në dhjetor.

Komediani do ta udhëheqë episodin e Krishtlindjeve të Saturday Night Live më 21 dhjetor, duke e bërë paraqitjen e tij të parë si prezantues i showt që nga viti 1984.

Sezoni i ri i hit showt do të hapet me Woody Harrelson si prezantues dhe Billie Eilish si mysafir muzikor më 28 shtator, por episodi më i spikatur i sezonit sigurisht që do të jetë me debutimin e yllit dhe krijueses së Fleabag dhe skenaristes së James Bond, Phoebe Waller-Bridge, në SNL më 5 tetor, kur Taylor Swift do të jetë mysafire muzikore.

Këngëtarja e ME! u emocionua kur zbuloi se do të ishte në emision me Phoebe, sepse ajo është një adhuruese e madhe e britanikes.

“Që kur e pashë Fleabag, mezi po prisja ta shoh këtë femër ta drejtonte @nbcsnl dhe kjo po ndodh tani + unë do të jem atje gjithashtu = jam e mahnitur – 5 tetor,” tweetoi Swift.

Ylli i “Stranger Things”, David Harbour dhe Kristen Stewart gjithashtu do të jenë prezantues për sezonin e 45-të të Saturday Night Live. /KultPlus.com

Më 27 gusht të vitit 1770 erdhi në jetë Hegeli, filozofi i shquar gjerman

George Wilhelm Friedrich Hegel, ishte i biri i një nëpunësi te thjeshtë te financave mbretërore. Liceun e mbaroi me 1788 dhe u anetaresua ne seminarin e Tubingenit ku studioi ne deget filozofi dhe teologji.

Ai ndante dhomën e konviktit me Fridrih Holderingun (1770-1834) dhe Fridrih von Shelingun (1775-1854). Hegeli e dha provimin perfundimtare me 1793 dhe me pas dha mësime private ne Berne deri me 1797. Nga ky vit e deri me 1800, ai dha leksione private ne Frankfurt-mbi-majn. Vdekja e babait i beri te mundur te shtinte ne dore nje trashëgimi te mjaftueshme për tu vendosur ne Jene. Atje, me 1801, mbrojti tezen e tij. E nisi si mesues privat, por me 1805 te gjithë e njihnin si profesori i jashtezakonshem i filozofise. Per dy vjet, Hegeli perfundoi vepren e tij te njohur “Phanomenologie des Geistes” (Fenomenologjia e Shpirtit).

Pak para se kjo veper te shihte driten e botimit me 1807, Hegeli mori drejtimin e gazetes se Bambergut “Bamberger Zeitung”. Ai mbajti nga viti 1808 deri me 1816, ai mbajti postin e rektorit te liceut artistik te Nurembergut. Rreth kesaj periudhe daton edhe vepra e tij e dyte “Wissenschaft der Logik” (Shkenca e Logjikes). Hegeli u martua me 1811 me Mari von Tuher e cila do te behej nena e dy femijeve te tij. Vepra e radhes mbante titullin “Enzyklopadie der philosophien Wissenschaften Grundrissen” (Enciklopedia e shkurtuar e Shkencave Filozofike) dhe nen titull shkruhej “Profesori i universitetit te Haidelbergut G.W.F. Hegel”. Dy botime me te plota pasuan ne ne vitet 1827 dhe 1830. Krahas karrieres didaktike, ne kete periudhe, Hegeli botoi (ne bashkepunim me nje reviste) studimin e tij “Heidelberger Jahrbucher” (Analet e Haidelbergut). Me 1818, ai u fut si profesor ne Universitetin e Berlinit ku zevendesoi Fihten. Leksionet e tij u bene menjehere te famshme. Nder deget qe jepte Hegeli rreshtohen:

  • Logjika
  • Historia
  • E Drejta dhe Feja
  • Antropologjia
  • Psikologjia
  • Filozofia e Natyrës
  • Filozofia e Artit
  • Historia e Filozofisë
  • Historia Botërore

Shkolla e krijuar rreth tij dote ushtronte nje ndikim te madh ne opinionin publik dhe qarqet intelektuale ne vitet 1820. Nje organ i shperndarjes se mendimit Hegelian ishte dhe “Jahrbucher fur wissenschaftliche Kritik” (Analet e Kritikes Shkencore)qe dote botohej per here te pare me 1827. Megjithate, ajo qe mbahet si vepra me e rendesishme e Hegelit qe botuar para 6 vitesh dhe titullohej “Grundlinien der Philosphie des Rechts” (Parime te Filozofise te se Drejtes). Ky ishte nje traktat filozofik-politik mbi teorine e shtetit. Njekohesisht, ishte i pari dhe i vetmi cikel konferendash berlineze te botuara nen kujdesin e vete Hegelit. Ai i vizitonte rregullisht qendrat me te medha intelektuale te Europes. Me 1830, mori postin e rektorit te Universitetit te Berlinit. Gjithesesi, ai nuk e mbajti kete post gjate. Me 14 nentor 1831, Hegeli nderroi jete. Ai u varros prne Fihtes ne varrezen protestante te kishes se Berlinit. Shume nga mendimet dhe parimet qe u botuan me vone ne “Vepren e Plot te G.W.F. Hegel” ishin ne te vertete leksione qe u botuan nga studentet pasi Hegeli nuk i la te shkruara.

Filozofia e Hegelit

Merita kryesore filozofike e Hegelit është krijimi i nje sistemi teresisht te ri dhe te thjështë te mendimit filozofik. Ai e konkretizonte : “…une them nje pohim. Ky pohim quhet ndryshe edhe teze. Bashkebiseduesi im me kundershton dhe ky kundershtim interpretohet si antiteze. Nese ne ulemi dhe nxjerrim nje perfundim te perbashket me konsensus ,ajo qe del quhet sinteze e dy mendimeve te meparshme…” Sot ne e shohim se sa i dobishem është ky parim, pasi vetem kompromisi nuk e bllokon ecurine e gjerave dhe nxjerr ne pah me te miren e te dyja paleve. Duhet pasur parasysh se ne kohen e Hegelit, ekzistonte nje rivalitet i madh mes empiristeve dhe racionalisteve. Edhe pse gjeografikisht, Hegeli gjendej ne gjirin e racionalisteve, ai nuk u fut as ne kampin e tyre, as ne ate te moralisteve. Shumica mund ta quajne Hegelin nje pozitivist te bazuar te historia.

Veprat më të njohura

  • Phanomenologgie des Geistes (Fenomenologjia e Shpirtit) – 1807
  • Wissenschaft der Logik (Shkenca e Logjikes) – 1808-16
  • Heidelberger Jahrbucher (Analet e Haidelbergut) – 1818
  • Enzyklopadie der phiosophien Wissenschaften Grundwissen (Enciklopedia e shkurtuar e Shkencave Filozofike) – Botimi I me 1821, botimi II me 1827, botimi III me 1830.
  • Grundlinien der Philosophie des Rechts (Parime te Fiolozofise te se Drejtes) – 1821
  • Jahrbucher der wissenschaftliche Kritik (Analet e Kritikes Shkencore) – 1827
  • Veprat e plota – pas vdekjes /KultPlus.com

Së shpejti do të nis restaurimi i gurit me piktograme, i zbuluar në Fan të Mirditës

Puna për restaurimin dhe ekspozimin e gurit me piktograme, të zbuluar rastësisht në fshatin Xhuxhë, në Fan të Mirditës do të nisë shumë shpejt. Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila zhvilloi një takim me banorët e e Xhuxhës në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar, ku ky gur ndodhet aktualisht.

“Një vend legjendash, pas së cilave banorët janë lidhur brez pas brezi. “Aty ka qenë fillimi i botës”, thotë një nga burrat më të vjetër të fshatit Xhuxhë të Luginës së Fanit, në Mirditë, që ka marrë rrugën për në Tiranë për të ndjekur fatin e pllakës së gurit me piktograme, që u zbulua rastësisht”, shprehet ministrja Margariti.

Banorët kanë kërkuar në takimin me ministren edhe kryerjen e gërmimeve arkeologjike në vendin ku gjet guri.

Ministrja thekson se “të shqetësuar me të drejtë për një pjesëz të historisë së zonës së tyre, ata na kërkuan jo vetëm restaurimin dhe studimin e gurit, por edhe për kryerjen e gërmimeve arkeologjike në territorin e zbulimit, vendosjen e tabelave orientuese, pse jo dhe shtrimin e rreth 17 kilometrave rrugë që të çon atje”.

“Të gjithë ramë në një mendje, që ardhja e gurit në Tiranë jo vetëm do ta shpëtojë këtë objekt të shpallur pasuri kulturore, por edhe do të orientojë vëmendjen e arkeologëve, studiuesve, historianëve dhe turistëve”, – nënvizoi Margariti.

Ky gur prehistorik është një objekt me rëndësi të veçantë për trashëgiminë tonë kulturore. Ai është zbuluar disa javë më parë në Xhuxhë të Fanit të Mirditës dhe më 18 gusht u zhvendos në Muzeun Historik Kombëtar.

Objekti konsiderohet si një nga zbulimet më të rëndësishme nga arkeologët dhe renditet krahas “simotrave” të zbuluara në vitet ‘60-‘70 në Xibër të Matit, në Rubik, apo në Lepenicë të Vlorës. /KultPlus.com

Po të mos ishte Migjeni

Nga Artan Lame

Më të shumtit prej nesh sot, kur ulemi të shkruajmë për varfëri e për mjerim, na pëlqen t’i zbukurojmë shkrimet tona me nga një thënie a frazë të Migjenit. Ndonjëherë, kur ja kemi ngenë të thellohemi, na bën përshtypje dhe e vëmë edhe në dukje se sa të vërteta mbeten edhe sot e gjithë ditën shkrimet e përshkrimet e Migjenit. Në fakt, kjo nuk është ndonjë meritë e Migjenit, por e jona, e shqiptarëve në përgjithësi, që vazhdojnë të notojnë në të njëjtin llum e ndyrësi, të cilën e përshkruante dikur Migjeni. Kështu që nuk ishte Migjeni profeti – shkrimet e të cilit mbeten të vlefshëm edhe sot – përkundër, jemi ne të paaftë të ndryshojmë, duke e lënë këtë vend të vuajë të njëjtat sëmundje dhe duke i bërë kështu të kurdovlefshme vargjet e Migjenit. Nëse ne do ishim francezë a hollandezë, do ja kishim dalë ta ndryshonim fatin e vëndit dhe kështu vargjet e Migjenit do mbeteshin në muze të historisë.

Shkodranët nuk e duan Migjenin. Nuk them për njerëzinë e thjeshtë – ata që heqin e vuajnë për të bukën e gojës dhe për të mbyllur ditën e punës, se këta s’ia kanë ngenë të merren me filozofira e me shkrime – as të sotmit e ca më pak me ata të para një shekulli. Më e holla punë intelektuale që bëjnë këta, është t’u përgjigjen thirrjeve të partive për mitingje dhe të thërresin sa më fort, me shpresë që t’i shohë kryemitingashi. Ndaj, s’e kam fjalën për ata për të cilët shkruante Migjeni, se këta të mjerë, sikur ta dinë se sa u ka kënduar e u ka qarë hallin poeti, do ta shpallnin kryetar partie, meqë tjetër kategori nderimi nuk dijnë.

Migjenin nuk e duan as ata që kanë shkollë, e që i mbajnë për të dijshëm e për elitë të qytetit. As e kanë dashur në të gjallë, e ca më pak e duan sot. Në të gjallë nuk e donin sepse e shihnin si rrezik për veten e tyre, ndërsa sot nuk e duan se janë edhe më injorantë të padijshëm sesa njerëzia e thjeshtë. Njerëzit e thjeshtë, lënda e parë e shkrimeve të Migjenit, nuk i quaj dot injorantë, por thjesht të pakultivuar që jeta dhe hallet nuk u ofruan luksin e diturisë, ndërsa elita është vërtet injorante se, megjithë që u shkollua e u përkëdhel nga fati, mbeti po aq injorante dhe pazot të lartohet moralisht.

Kështu pra siç thashë, shkodranët nuk e donin Migjenin. Të parët e mbi të gjithë, nuk e donin priftat. Kleri shqiptar, e veçan ai katolik, i kish bërë shërbime të paçmuara shqiptarizmës, ruajtjes së gjuhës shqipe e dëshmimit të traditës malësore. Të gjitha këto, i shërbyen fort ëndrrës rilindase të formimit të kombit por, në vitet ‘30 kjo ëndërr ishte realizuar. Shqipëria ishte krijuar, tani duheshin krijuar shqiptarët, siç thoshin përfaqësonjësit e neoshqiptarizmës. Këtu kleri ngeci dhe nuk bëri dot përpara. Konservator për vetë natyrën e vet, kleri vazhdoi të himnizonte shqiptarin trim e kreshnik, të pamposhtur e krenar, që vigjëlonte i ngrysur në malet e paafrueshme; të mbrujtur me kanune e me zakone burrash.

Mirëpo Migjeni e shqeu gjithë këtë fasadë false, të dalë mode dhe të panevojshme në shekullin e ri, duke ju përplasur dhe vënë përpara syve një realitet të turpshëm. Realitetin e malësorit që lyp misër, që shtrin dorën për bukë, të malësores që është gati të shesë trupin, të murgeshës që ofshan, të qytetit që i bishtnon modernizimit, të fëmijës që vuan për bukë ndërsa don të vazhdojë shkollën, të tregëtarit që bën adetet e fesë por mbetet i pashpirt, e gjithë ç’ka tjetër që ende na zukat në kujtesë nga vargjet e tij.

Migjeni me këtë grisje të maskave të kohës së vet, na shpëtoi fytyrën morale përgjithmonë. Nëse ai nuk do kishte shkruar, neve sot do të kishim vetëm poetët që u këndonin Zanave të Malit, ndërsa ndërsa varrezat mbusheshin me fëmijë të vdekur urie. Dhe kur të uleshim të analizonim këtë kundërshti, do të akuzonim paraardhësit se qenë të pashpirt e të pamoral që u këndonin zanave e maleve, ndërsa fëmija s’kishin tullumba e vajzat shisnin nderin.

Migjeni është gati i vetëm midis morisë së shkrimtarëve që denoncuan mjerimin. Ishin edhe një grusht djemsh të dijshëm, përfaqësues të neoshqiptarizmës, por ata qenë më shumë filozofë se sa poetë dhe morali ka nevojë edhe për poezi, pa le pastaj po të jetë “me nji grusht t’fuqishëm”. Sikur të mos qe Migjeni, ne nuk do kishim përfaqësues të brezit të madh të denoncuesve të realitetit; do të qe sikur Franca të mos kishte patur Balzakun apo Anglia të mos kishte Dikensin. Ne e patëm por s’e duam.

Kaq për shkodranët e atëhershëm.

Por edhe shkodranët e sotëm nuk e duan Migjenin. Ndryshe nuk ka si shpjegohet që gati druhen t’i zënë emrin me gojë; që më tepër se një here kanë dashur t’i heqin emrin nga Teatri; që i kanë thyer bustin, e i kanë harruar varrin midis plehrave të qytetit; që i kanë zhdukur çdo shenjë të ekzistencës së tij në qytetin e Madh të Veriut, shtëpi, dhomë, muze, e gjithshka tjetër.

Sërisht janë edhe priftat, që nuk e duan e s’mund t’ia falin atë ç’ka i bëri ai klerit të kohës kur qe gjallë. Në fakt, Migjeni duhej të konsiderohej si aleat i klerit në përpjekjen e kahershme për drejtësi sociale e barazi shoqërore, por kjo nuk ndodhi as në gjallje të tij e aq më pak sot. Kisha katolike në momente të vështira të shekullit XX, përgjithësisht ja ka dalë të rreshtohet në anën e të dobtëve, duke ju rikthyer vokacionit të shekujve të parë të ekzistencës së vet; por për fat të keq kjo nuk ka ndodhur gati askurrë në Shqipëri. Kleri shqiptar ka nxjerë plot martirë të fesë si Gjon Gazulli, por ndoshta askurrë martirë të njerëzve, si Romero i Salvadorit.

Zoti më ndjeftë se ndoshta e rëndova dorën pak si shumë mbi kurriz të priftave, kur më shumë se ata, përgjegjësi për këtë harresë ka vargani grotesk që i thonë vetes “zotnit e sotëm të Shkodrës”. Këta, të dal nga hiçi e të bërë zotnij veç prej lekut a prej karriges, as mund të pritet të duan dikë që ju zbulon rrënjët.

Për fat, “sikur”-i i vënë në krye të këtij shkrimi, nuk mund të ngjasë, pasi ne e patëm Migjenin. E duam a s’e duam, ai është aty për të treguar me gisht pisllëkun e kohëve. /KultPlus.com

“Kopshti i qershive” i Çehovit, në skenën e Teatrit të Korçës

“Kopshti i qershive” nga Anton Çehov do të vijë premierë për artdashësit korçarë në skenën e teatrit “Andon Zako Çajupi”. Tashmë ka nisur shitja e biletave për premierën e 31 gushtit, e cila do të vendoset në skenën teatrore me regji nga Dino Mustafic.

Me një kastë aktorësh të njohur, si Ema Andrea, Sotiraq Bratko, Zamira Kita, Ligoraq Riza, Gert Ferra, Jozef Shiroka dhe të tjerë artistë të teatrit, kjo shfaqje vjen me koreografi nga Gjergj Prevazi. Provat për shfaqjen kanë nisur që në muajin qershor dhe kanë vijuar edhe gjatë muajit korrik.

I lindur në Bosnje, regjisori Dino Mustafic, e ka lidhur jetën herët me skenën. Ai është diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Sarajevë, dhe është drejtor i një festivali ndërkombëtar teatror MESS, që mbahet në Sarajevë prej gati 20 vjetësh. /KultPlus.com

Vajza e Kadaresë në mbrojtje të Teatrit Kombëtar

Mbrojtja e godinës së Teatrit Kombëtar është kthyer në një kauzë të vërtetë për një grup artistësh e qytetarësh që e gdhijnë çdo natë aty dhe organizojnë shfaqje falas që prej 24 korrikut, kur u tentua zbrazja e godinës si hap i parë drejt shembjes.

Çdo ditë këtij grupi i bashkohen njerëz të rinj, artistë ose qytetarë të thjeshtë. Të hënën në darkë, grupit protestues i janë bashkuar dhe vajza e shkrimtarit Ismail Kadare me bashkëshortin.

“Dje, rreth orës 19:00 në sheshin e teatrit erdhi Gresa Kadare dhe Risto Siliqi (djali i Llazar Siliqit). Bashkëshortë, ajo pedagoge në Francë e ai kërkues shkencor në një kompani. Kanë studiuar bio kimi dhe prej pothuaj 30 vitesh jetojnë në vendin e “lirisë, barazisë e vëllazërisë”. Vajza e shkrimtarit me të shoqin u ulën pranë Edmond Budinës dhe folën gjatë. Thanë se e kanë mbështetur gjithnjë kauzën. Thanë se përfaqësojnë vetveten dhe se nuk i janë fshehur atyre që mendojnë. Regjisori u rrëfeu 19 muaj protestë, 13 muaj përditë, e 30 ditë 24 orë. U rrëfeu “24 korrikun”. Bashkëshortët treguan mbështetjen e tyre në mbrojtje të teatrit.

Më pas, kur erdhi ora e fjalimeve në shesh, të dy u ulën mes njerëzve. Edmond Budina i prezantoi dhe i falenderoi. “Jemi njerëz që e duam teatrin. Njerëz që besojmë. Ne jemi bashkë. Nuk na përçan askush, kam kënaqësinë të them se sonte kauzës sonë i shtohen edhe dy miq. Janë dy shkencëtarë. Gresa Kadare dhe Risto Siliqi. Ju faleminderit që jeni me ne. Ndaj ky teatër nuk do bjerë. Teatro të rinj të bëhen sa të duan. Këtu është vënë Doruntina, Nata me hënë, Gjenerali i ushtrisë së vdekur të Ismail Kadaresë”, tha Budina, – shkruan GSH. Ndërkohë vetë Kadare nuk është shprehur asnjëherë për çështjen e shembjes së Teatrit Kombëtar”. /KultPlus.com

Këngëtaret shqiptare, të veshurat më së keqi në MTV VMA

Nata e MTV VMA u shoqërua me spektakël, çmime dhe pa dyshim shumë muzikë. Por pjesa që nuk kalon pa vëmendje, që për disa është po aq e rëndësishme sa çmimet, është veshja.

Ashtu si çdo herë, edhe mbrëmjen e kaluar kishte VIP-a të veshur shumë mirë, por kishte edhe nga ata që zhgënjyen. Mes këtyre të fundit ishin edhe këngëtaret shqiptare, Bebe Rexha dhe Ava Max, e cila është krahasuar me pamjet e paparashikuara të Lady Gaga-s dikur. /KultPlus.com

Dilema e këngës

Nga Enver Gjerqeku 

A ky është kthimi, apo hap zbrazëtie? 
Dielli kështu më zgjon? Apo rigon shi? 
S’do t’i kthehem barit, as asaj errësie. 
Kah do vemi, ditë, kur asgjë nuk ndi? 

A jam tash i zgjuar, apo m’mashtron drita? 
Ndëgjoj hap’n e vjeshtës, lulja fle në mua. 
Çdo gjë që dash’rova – tek ajo s’arrita – 
Askund ndonjë thnegël, sa për t’më shoqërua. 

Kënga e munduar kishte për të treguar: 
Se si njëherë moti ish feniks ndër ne. 
Po. Është ajo vetë, që kurrë pa u friguar, 
U la prore n’gjak, n’stuhi dhe rrufe. 

Po ç’është tani kjo? Ëndërr o hap lashtësie? 
Malli kështu më zgjon? Jo! Është hap’ humnera. 
S’do t’i kthehem barit, as asaj errësie, 
Që për sy të mi presin untë përhera.

Hajrulla Çeku, nga shoqëria civile tash aderon në Vetëvendosje

Hajrulla Çeku ka aderuar në Vetëvendosje. Atë e ka prezantuar vetë Albin Kurti, sikur po bën me të gjithë aderimet tjera. Çeku për shumë vite ka qenë aktiv në jetën kulturore në Kosovë.

Ky është prezantimi i Albin Kurtit për ÇEKUN:

Hajrulla Çeku ka studiuar Shkencë Politike në Universitetin e Prishtinës dhe ka magjistruar në Qeverisje dhe Zhvillim Lokal në Universitetin e Trentos, Itali, dhe Universitetin e Regensburgut, Gjermani.

Njihemi kaherë por tash do të punojmë bashkë në Lëvizje. Sot isha në Prizren ku na gëzoi e nderoi me anëtarësimin e tij në VETËVENDOSJE!.

Për 15 vjet ka qenë pjesë e shoqërisë civile i angazhuar në çështje të trashëgimisë kulturore, turizmit, planifikimit urban dhe mjedisit. Hajrullau ka qenë i përfshirë në shumë nisma qytetare për mbrojtjen e strukturës urbane të qyteteve të Kosovës, si në Prishtinë, Prizren, Pejë, Mitrovicë, Vushtrri dhe të tjera. Qasja komunitare dhe fuqizimi i grupeve të pambrojtura dhe pa zë kanë qenë shtylla të veprimtarisë së tij.

Hajrullau ka pëfunduar disa programe ndërkombëtare të aftësimit në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, të drejtat e njeriut, menaxhimin e turizmit, shkathtësitë e lidershipit në Shtetet e Bashkuara të Bashkuara, Maltë, Gjermani dhe Francë. Ka qenë pjesë e projekteve hulumtuese dhe ka publikuar gjerësisht mbi qeverisjen dhe zhvillimin lokal, menaxhimin e trashëgimisë kulturore, planifikimin urban, aktivizmin dhe zhvillimin e shoqërisë civile. Rishtazi ka shërbyer edhe në qeverinë e Shqipërisë në cilësinë e zëvendës ministrit të turizmit dhe mjedisit.

Me dijen e përvojën, kulturën e ndershmërinë e Hajrullaut jemi edhe më të sigurt, edhe më të fuqishëm. Më afër se kurrë, shpejt si asnjëherë, 6 tetorit 2019, kur zgjedhja dhe festa bëhen bashkë me emrin e Lëvizjes sonë, e me të ardhmen e vendit tonë.

Shqipëria ndër gjashtë vendet për t’u vizituar në shtator, sipas agjencisë çeke

Shqipëria dhe plazhet e saj janë përzgjedhur mes gjashtë destinacioneve turistike botërore, ndër to Gjermania, Bullgaria, Norvegjia dhe Kina, të cilat duhet të vizitohen gjatë muajit shtator.

Agjencia çeke e udhëtimeve “Kiwi.com” shkruan se nga të gjitha vendet e preferuara për pushime deri më sot, me bregdetin dhe plazhet e saj mahnitëse, Shqipëria ka të gjitha tiparet e një destinacioni klasik mesdhetar. Moti është ende shumë i mirë, por megjithatë sezoni turistik thuajse ka përfunduar. Por çfarë u ofron vizitorëve muaji shtator? Fëmijët pothuajse në të gjitha vendet tashmë janë rikthyer në shkollë dhe çmimet ndërkohë janë ulur. Për këtë arsye, shtatori është muaji kur mund t’u gëzoheni pushimeve paksa të vonuara verore. Ne kemi disa ide që mund t’ju frymëzojnë për të zgjatur edhe pak sezonin e pushimeve verore.

Plazhet e Shqipërisë

Jeni në kërkim të pushimeve diku në bregdet, ku numri i pushuesve nuk është më edhe aq i lartë, ndërkohë që moti është ende i mirë? Greqia? Ende plot e përplot me turistë. Kroacia? Sigurisht, por një vend gjithnjë e më i zhurmshëm. Spanja? Praktike, por e eksploruar së tepërmi. Shqipëria? Epo… sigurisht, përse jo?

Deri më sot, nga të gjitha vendet e preferuara turistike, Shqipëria ka të gjitha tiparet e një destinacioni klasik mesdhetar. Në pjesën jugore, Shqipëria ka një vijë të gjatë bregdetare dhe plazhe, që, në shumicën e tyre, janë vërtet mahnitës. Në atë që tashmë njihet si Riviera Shqiptare ju do të gjeni plazhet e Gjipesë dhe Jalit, rreth 13 kilometra larg njëri-tjetrit, dhe që të dy të fshehur në gjire magjepsës shkëmborë.

Jugu i Shqipërisë ofron edhe dhjetëra opsione të tjera. Plazhi i Dhërmiut, që shtrihet pranë fshatit me të njëjtin emër, është vendi që duhet ta vizitoni patjetër nëse ju mundon dilema e përjetshme e përzgjedhjes mes plazhit me rërë dhe atij me gurë.

Në mënyrë të pazakontë, ky plazh i ofron të dyja. Kepi i Rodonit është një gadishull mahnitës i rrethuar nga plazhe dhe me një kështjellë mbi të; ky vend mund të arrihet lehtësisht nga kryeqyteti i vendit, Tirana. Po kështu, nëse ju pëlqen historia, në Parkun Kombëtar të Butrintit mund të vizitoni rrënojat romake rrethuar nga një peizazh i mrekullueshëm.

Atëherë, të vizitoni Shqipërinë? Përse jo? /KultPlus.com

Restaurohen “bukuroshet” baroke të Petworthit

Në një studio thellë në Croydon, dy zonja me lidhje të mira në oborrin e mbretëreshës Anne, do të përjetojnë atë që nuk e kishin çuar asnjëherë në mend, këmbët e tyre do të restaurohen.

“The National Trust” ka zbuluar hollësi të një prej projekteve restauruese më të pazakonta e më ambicioze që janë ndërmarrë ndonjëherë, do të restaurohen këmbët e poshtme femërore të pikturave 200-vjeçare pasi një prej pronarëve të tyre kishte urdhëruar që të hiqeshin.

Dy ndenjëset janë Rachel Russelli, dukeshë e Devonshireit, dhe zonja Mary Somerset, dukeshë e Oromdes, që është elegjiakizuar nga poeti John Dryden: “fytyra e saj është parajsë, por e gardhuar nga mëkati, se Zoti në secilin sy i ka vënë engjëj”.

Ato janë pikturuar nga Michael Dahli dhe janë nga një set prej tetë portretesh të mbikëqyrura për Dhomën e Bukurisë në Shtëpinë e Petworthit, një pallat barok në West Sussex, shkruan sot Koha Ditore.

“Bukuroshet e Petworthit” varen aty të patrazuara për më shumë se një shekull nga vitet 1820, kur pronari i shtëpisë, i treti kont i Egremontëve, vendosi se atij i duhej më shumë hapësirë në mur për veprat e reja që kremtonin Betejën e Waterloosë. Gjashtë prej portreteve duhej të bëheshin të gjatë tre çerekë, dhe ai kishte thënë: “Unë dua t’i këpus këmbët e tyre. Nuk më duhen të poshtmet e tyre”.

Këmbët e tyre ishin prerë me kujdes dhe pikturat ishin rivënë, por kuratorët e “National Trust” më 1995 kishin zbuluar diçka të mahnitshme. Këmbët në të vërtetë ishin palosur prapa pikturave.

Konservuesi Jim Dimond, që është i specializuar për veprat artistike që janë të dëmtuara jashtë çdo mase, ka thënë se ishte goxha e çuditshme që pikturat ishin prerë në pjesë të veçanta para se të paloseshin e të ktheheshin prapa pikturës. “Nuk ka farë logjike që…nuk duket se ka kuptim”, ka thënë ai.

Një teori është që dikush, mbase konti ose ndonjë prej rrethit të tij, ka pasur dyshime të papritura mbi këtë përpjekje.

“Konti nuk po e bën këtë për shkak se ai nevojisht i urren pikturat”, ka thënë kuratori Richard Ashbourne. “Ai po e bën këtë për shkak se ai do më shumë hapësirë në atë çfarë është përnjëmend një dhomë e rëndësishme. Ai do më shumë piktura”.

Projekti është ende në ditët e tij të para, por pastrimi ka dhënë një dromcë se sa spektakulare duken portretet. Heqja e shtresave të trasha të vernikut dhe pikturimi i tepërt zbulojnë që tone të kafta të lëkurës të jenë të bardha në të rozë.

Pikturat janë restauruar para se të shfaqen vitin e ardhshëm në “Tate Britain”, si pjesë e një ekspozite madhore që qëmton kulturën e barokut në Britani. Tabitha Barber, kuratore e galerisë së artit britanik nga vitet 1550 deri më 1750, ka thënë se plani ishte që të ribëhej një element i paraqitjes së tyre burimore, me pasqyrime të plota mes tyre.

“Dahlët e Petworthit janë mes veprave më të mira të artistit dhe ne gjithnjë e dinim se do të donim t’i përfshinim si shembull të tyre në ekspozitën tonë, me shpresë në formatin e tyre origjinal”, ka thënë ajo. “Është vërtet befasuese që ‘National Trust’ është pajtuar që të nisnim këtë projekt ambicioz konservimi”.

Dimond ka kohë deri në Kërshëndella që ta përfundojë restaurimin dhe është qetësisht besimplotë. Projekti nuk është pa sprova, përfshirë edhe faktin se një nga portretet nuk është prerë pastër, duke lënë skaje të dhëmbëzuara.

Kuratori për piktura dhe skulptura në “National Trust”, David Taylor, ka thënë se rëndësia e dy prej pikturave që janë pjesë e “koleksionit të jashtëzakonshëm të pikturave në Petworth” nuk duhet të mbivlerësohet.

“Duka i gjashtë i Somersetit darkonte shpesh në dhomë dhe mirëpriste vizitorë me rëndësi, përfshirë Karlin VI, perandorin e ardhshëm të shenjtë romak, ku ata do të rrethoheshin prej portreteve që i shihnin nga sipër”, ka thënë ai.

Dy dukeshat e portretizuara ishin zonja të dhomës së gjumit nën mbretëreshën Anne, një monarke e mirënjohur te audiencat bashkëkohore, falë Olivia Colmanit që e kishte portretizuar në filmin që ka fituar Oscarin “The Favourite”.

Pikturat janë pjesë e një tradite të gjatë në Evropë të serisë së “bukurosheve” dhe janë të krahasueshme me setin e oborrit Hampton, të mbikëqyrur nga mbretëresha Mary në vitet 1690. /KultPlus.com

Fjalë nusesh e koalicionesh…

ME FJALË JAM RRASË QE TRIDHETË VJET

Njani ish kanë çoban me dhên. Koxha ish kanë bâ i vjetër e pa i nxanë nuse epae martue shpija e vet. Ai n’bjeshkë me gjâ e kta ja nxunë nusen e po dojnë me bâ nifarë zijafeti. Shkuen e e thirrën atje n’bjeshkë.

Ky çobani, kur e thirrën, po kujto’ qi ja kanë pru misen, se sa për fjalë ai jo me ardhë. Kur erdh tu shpija, po i nîn do defe e nifarë zijafeti. Po i dvét do thmi:

— Shka â’, bre, kjo?
— Fjalë nusje kie.
— A s’e kanë pru nusen a?
— Jo, s’e kanë pru, po fjalë nusje.
— Pasha zoten shkova n’bjeshkë, se me fjalë jam rrasë qe tridhetë vjet.

Emma Stone si “Cruella de Vill” në filmin për keqbërësen ikonike

Emma Stone na sjell një pamje të re të keqbërëses ikonike Cruella De Vill në filmin e saj të ri të Disneyt të titulluar “Cruella”.

Fituesja e çmimit Oscar do ta ekranizojë hajduten e re të dalmatëve në një edicion goxha punk-rock çfarë nuk kemi mundur ta shohim në filmin legjendar të Disney “101 Dalmatians”.

Ngjarja e filmit është vendosur në vitet 1970, dhe përveç Stone, në film do të shohim edhe Paul Walter Hauser, Joel Fry dhe Emma Thompson. Filmi do të bëjë fjalë për femrën e fiksuar pas palltove, ndërsa në filmin origjinal të vitit 1961, Cruella portretizohet si një grua e moshuar e pasur dhe e llastuar, misioni i së cilës është t’i vjedhë qenushët dalmatë për të bërë pallto të reja.

Megjithatë, në foton e parë, Stone si keqbërësja legjendare është e veshur kokë e këmbë me lëkurë të zezë, në vend të gëzofit, gjë që i ka hutuar shumë fansa të klasikut të Disney.

Siç shpjegoi Stone, filmi u bë në frymën e viteve 1970 kur skena në Londër mbizotërohej nga punk-rock.

“Cruella” do të shfaqet në kinema më 28 maj 2021. /KultPlus.com

Angelina Jolie hap kanal humanitar në YouTube

Angelina Jolie ka zbarkuar në YouTube duke hapur një kanal që brenda pak ditësh, ka mbledhur më shumë se 5600 abonentë.

Pa modë, udhëtime apo produkte bukurie: rrëfimi i yllit të Hollivudit ka të bëjë me përpjekjet e saj humanitare. Dy nga fjalimet e saj janë në internet, të mbajtur i pari në ceremoninë për Hollywood Reporter Women in Entertainment 2017 dhe një në 2019 gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në të cilën ajo mori pjesë si e ftuar speciale nga UNHCR.

Në biografinë që ajo publikon në platformë, Angelina përqendrohet në historinë e veprimeve të saj mbrojtëse dhe përfaqësimin e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët: “Jolie përqendrohet në kriza serioze që shkaktojnë shpërngulje masive të popullatës duke ndërmarrë veprime mbrojtjeje dhe përfaqësimi të UNHCR-së dhe Komisionit të Lartë në nivelin diplomatik. Angazhohet gjithashtu me vendimmarrje për çështje që lidhen me zhvendosjen globale dhe përmes kësaj pune ka kontribuar në procesin jetik të gjetjes së zgjidhjeve për njerëzit e detyruar të ikin. nga shtëpitë e tyre “.

Aktorja ka luftuar për vite me radhë në mbështetje të grave dhe të drejtave të tyre në zonat e luftës. Në vitin 2001, pas angazhimit në kampet e refugjatëve në Kamboxhia, ajo u emërua Ambasadore e Vullnetit të Mirë nga UNHCR dhe që nga viti 2012 ajo u “promovua” si e ftuar speciale e organizatës. Për aktivizmin e saj ajo mori çmime të shumta, përfshirë çmimin Citizen Of The World nga Shoqata e Korrespondentëve të Kombeve të Bashkuara në 2003. / KultPlus.com

“Klithma” e Korab Lecajt selektohet në tri festivale prestigjioze ndërkombëtare

Filmi “Klithma”, në regji të Korab Lecaj, është seleksionuar në tri festivale ndërkombëtare të filmit.

Në javët në vazhdim “Klithma” do të jetë në konkurrencë zyrtare të këtyre festivaleve prestigjioze:

-7th Indian Cine Film Festival, që mbahet nga 8 shtatori 2019 në Mumbai të Indisë e ku marrin pjesë qindra filma nga vende të ndryshme të botës.

-Tirana International Film Festival – TIFF, i cili mbahet 23-29 shtator 2019.

-West Nordic International Film Festival, i cili mbahet në Alesund të Norvegjisë më 24-26 tetor 2019.

Filmi “Klithma”, producent i të cilit është Besar Zahiti, flet për përdhunimin seksual të meshkujve shqiptarë gjatë luftës në Kosovë.

Rolet kryesore ne film i luajnë: Hazir Haziri, Alban Zogaj, Arbnesha Grabovci Nixha, Kaltrinë Zeneli, Arjola Demiri, Rajmonda Ahmetaj.

Filmi është subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës./ Koha.net / KultPlus.com

Shpallet i hapur konkursi për çmimin “Artistët e së nesërmes”




Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor në Prishtinë ka shpall të hapur konkursin për çmimin “Artistët e së nesërmes” 2019 për artistët e rinj të Kosovës deri në moshën 35 vjeçare, thuhet në njoftim, transmeton KultPlus.com

Ky çmim i rëndësishëm i pavarur organizohet në bashkëpunim me Residency Unlimited (RU) në Nju Jork dhe mbështetët nga The Trust for Mutual Understanding në Nju Jork.

Afati i fundit për aplikim është 27 shtator 2019.
Rezultatet e konkursit do të shpallen më së voni deri më 4 tetor 2019.

Fituesi/ ja i/e çmimit “Artistët e së nesërmes” 2019 do të shpërblehet me qëndrim dy mujor në Nju Jork, SHBA, në programin rezidencial për artistë të Residency Unlimited (http://residencyunlimited.org/), gjatë periudhës prill / maj 2020, dhe ekspozitë personale në kuadër të programit vjetor të ekspozitave të Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë të vitit 2020.

Artistët që punojnë në fushën e artit bashkëkohor, që përfshijnë punën në pikturë, skulpturë, grafikë, vizatim, instalacion, fotografi, video, mediat e reja dhe art performues inkurajohen të aplikojnë. Artistët nuk mund të aplikojnë me punë në artet aplikative, dizajn, teatër, vallëzim dhe film artistik.

Mbështetësit kryesor të “Artistëve të së nesërmes” 2019 janë: Ambasada e SHBA-së në Kosovë, Trust for Mutual Understanding (TMU), Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës dhe Friedrich-Ebert-Stiftung (FES) zyra në Prishtinë. Lista e plotë e donatorëve dhe partnerët bashkëpunues do të shpallet me kohë.

Për procesin e aplikimit dhe të dhënat tjera të detajuara drejtohuni tek linku mëposhtë. / KultPlus.com

https://www.facebook.com/events/532992444109044/

Kosova në top 10-she të shteteve më të forta në Botërorin ‘Tokio 2019’, fal xhudisteve

Kosova është përfshirë në Top 10-she të shteteve më të forta në botërorin që është duke u zhvilluar në Tokio.

E kjo fal xhudistëve, të cilat kanë fituar 2 medalje e shumë pikë në këtë garë, transmeton Koha Ditore.

Këtë e ka bërë të ditur trajneri Driton Kuka nëpërmes rrjeteve sociale, ku ka shkruar:

“Botërori në Tokio!
Pas ditës së tretë Kosova gjendet në Top 10 shtetet më të forta!
Dy medalje të fituara dhe një vend i 7 shënojnë pas tri ditësh suksesin më të madh të Kosovës në Kampionate Botërore!
Në Tokio po marrin pjesë 147 Shtete!
Pikët Olimpike të fituara deri më tash janë si vijon :
-Distria Krasniqi 1000 Pikë Olimpike 48 kg 🥉
– Majlinda Kelmendi 1000 Pikë Olimpike 52 kg🥉
– Nora Gjakova Pikë 520 Pikë Olimpike 57 kg
Vendi i shtatë në Botëror
– Akil Gjakova 240 Pikë Olimpike 73 kg pa plasman!
Loriana garon të shtundën!”. / KultPlus.com

Diaspora shqiptare në Ukrainë, tryezë diskutimi në Seminarin e Gjuhës dhe Kulturës Shqiptare



Kishin qenë në disa ekspedita shkencore në Ukrainë dhe tanimë gjenden në sallën ‘Idriz Ajeti’ për t’i shpalosur të gjitha të dhënat që kanë marrë atje. Aleksander Norik, Aleksandra Dugushina dhe Maria Morozova prezentuan informacione të larmishme për diasporën shqiptare në Ukrainë në një tryezë të moderuar nga Lindita Rugova. Tema ë kësaj tryeze ishte: Ringjallja e etnicitetit në kohën digjitale: Diaspora shqiptare në Ukrainë që erdhi në kuadër të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare që po mbahet në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Pasi drejtuesja e tryezës Lindita Rugova prezantoi panelistët dhe foli shkurtimisht për arritjet shkencore të tyre fjalën ia dha Aleksander Norikut për të folur rreth historikut të diasporës shqiptare në Ukrainë.

Norik tha se shqiptarët për shkak të luftërave ndër vite janë shpërngulur fillimisht nga Korça në Bullgari dhe më pas nga Bullgaria në jug të Ukrainës ku kanë themeluar fshatin Karakurt, fshat i cili qe në qendër të vëmendjes nga të gjithë panelistët.

“Shqiptarët kanë themeluar fshatin Karakurt në jug të Ukrainës së sotme. Për shkak të luftës në Krime në mes shek. 19 territori i fshatit Karakurt është transformuar në Moldavi që ka qenë vasale e  Perandorisë Osmane dhe kështu popullsia nga Karakurti iki fillimisht në Lindje”.

Ai ka përmendur edhe shkencëtarin e parë që është marrë në mënyrë serioze me shqiptarët në Karakurt të Ukrainës.

“Për herë të parë fshatrat shqipfolëse i ka zbuluar akademiku Nikolaj Sebastian Dërzhai. Ai ka shkruar artikujt e parë kushtuar shqiptarëve të Ukrainës dhe pastaj  diaspora shqiptare në Ukrainë është në qendër të shkrimtarëve rus”.

Tutje, Aleksander Norik, ka folur gjerësisht rreth përparësive dhe sfidave të identifikimit të shqiptarëve me etninë e tyre në konstelacione të ndryshme sociale, politike dhe ekonomike.

“Në periudhën sovjetike, të qënurit shqiptarë nuk ka qenë diçka prestigjioze. Gjatë asaj periudhe, unë mendoj që shumica e qytetarëve donin të ishin rus, jo për shkak të politikës zyrtare por për faktin se etnia ruse ka pasur prestigj”.

“Pas Bashkimit Sovjetik dhe shpalljes së Ukrainës së pavarur me fillim të viteve 90, apo më saktë më 1991 pjesa e shqiptarëve të Ukrainës deklaroheshin si ukrainas sepse shumë njerëz kishin ëndrra kishin shpresa se mund të jetonin në një shtet të lirë me përparime shumë të mëdha në fushën ekonomike, politike dhe  shoqërore e kështu me radhë. Fatkeqësisht shteti i ri s’ka pasur përparime, në radhë të parë në fushën ekonomike dhe shumica e shqiptarëve u zhgënjyen me këtë politikë  edhe filluan së deklaruari vetëm si shqiptar”, ka përfunduar Norik.

Me të dhënat nga ekspedita e saj, ligjëratën e vazhdoi Aleksandra Dugoshina, e cila fillimisht foli për vizitën e Ministrit të Shqipërisë për Diasporën, Pandeli Majko në fshatin Karakurt, të cilën e vlerësoi me rëndësi të madhe.

“Viti 2018 ka qenë vit i një kthese për shqiptarët në Ukrainë, më 11 Janar të vitit 2018, Ministri i Shqipërisë për Diasporën, Pandeli Majko, vizitoi fshatin Karkurt. Njerëzit në Karakurt e përjetuan këtë ngjarje me entuziazëm të madh”, ka thënë ajo.

Ekzistojnë disa mekanizma përmes së cilave fshati Karakurt ruan vetëdijen e tyre kombëtare. Kështu Aleksandra Dugoshina ka folur për Ansamblin e këngëve dhe valleve dhe për organizatën “Oborri Shqiptar” dhe Monumentin e Skënderbeut që gjendet në qendër të fshatit Karakurt në Ukrainë.

Ajo ka folur sesi, grupet në rrjetin social Facebook kanë ndikuar pozitivisht dhe kanë shërbyer si një urë lidhëse mes shqiptarëve atje me vendin e tyre të origjinës.

“Është një fakt interesant, Facebook dhe grupet brenda tij kanë ndikuar në ngritjen e ndjenjave kombëtare. Përmes internetit u përmirësua veshja tradicionale që përdorej atje si dhe vallet e ansamblit në Karakurt”, ka thënë Dugushina.

Për të folmen e shqiptarëve në Karakur të Ukrainës, fjala i është dhënë Maria Morozovës. Ajo ka folur për sferat ku përdoret Gjuha Shqipe si dhe për dallimet në gjeneratat që e njohin dhe e përdorin atë.

“Sipas vëzhgimeve tona e folmja e shqipes përdoret vetëm në komunikime e përditshme në fshat por edhe në këtë sferë të komunikimit ata shpesh përdorin edhe gjuhën ruse”.

“Niveli i  zotërimit të Gjuhës Shqipe ndryshon nga përfaqësues të ndryshëm të diasporës shqiptare në Ukrainë në familjet shqiptare në fshatin Karakur, pleqtë dhe brezi i mesëm zakonisht flasin shumë mirë gjuhën shqipe dhe pa vështirësi. Ka edhe nga brezi i ri që e  flasin këtë të folme dhe përpiqen të flasin edhe më fëmijët e tyre dhe kështu sigurohet ruajtja e gjuhës shqipe”.

Pasi përfundoi prezantimi u zhvilluar edhe një debat konstruktiv mes pjesëmarrësve në sallë dhe panelistëve rreth asaj se cilat janë shanset që shqiptarët në diasporë të vazhdojnë ta ruajnë kulturën dhe identitetin shqiptarë. / Qendrim Badalli / KultPlus.com









Amerika sot përkujton miratimin e amendamentit që u dha grave të drejtën e votës

Dita e Barazisë së Grave, që shënohet çdo 26 gusht, përkujton miratimin e amendamentit të 19 të kushtetutës amerikane në vitin 1920, që u dha grave të drejtën e votës.

Ky hap historik, megjithatë, nuk do të ishte i mundur pa lëvizjen e grave për votën. Ndër udhëheqëset e kësaj lëvizjeje ishte Alice Paul, më e madhja ndër katër fëmijët e familjes së saj të pasur dhe me bindje të majta.

Dukej qartë se ajo ishte përgatitur qysh e vogël nga prindërit për arritjen e kësaj ëndrre. Nëna e saj, Tacie Parry Paul, ishte aktiviste për të drejtën e votës së grave që e sillte të bijën në mbledhjet që bënte lëvizja për këtë qëllim.

Alice Paul ndoqi kolegjin Swarthmore në Pensilvani, e themeluar nga gjyshi i saj, dhe u diplomua për biologji në vitin 1905. Ajo mori gjithashtu një master në sociologji dhe më vonë shkoi në Angli për studime në sferën e punën sociale.

Gjatë gjithë studimeve, ajo mbeti një mbështetëse e përkushtuar e së drejtës së grave për të votuar.

Ndërsa ishte në Londër, ajo mësoi taktikat e protestave, si bllokimin e punës dhe grevat e urisë, të cilat ajo përdori pas kthimit në Shtetet e Bashkuara. Demonstrimi i saj i parë dhe më i madhi, ishte në Uashington, D.C., më 3 mars 1913, një ditë para inaugurimit të Presidentit Woodrow Wilson.

Rreth 8,000 gra marshuan në Bulevardin Pensilvania deri në Shtëpinë e Bardhë. Njerëzit u hidhnin rromuze dhe i vinin në lojë. Katër vjet më vonë, pasi nuk arritën ta bindnin Presidentin Wilson për nevojën e ndryshimit të kushtetutës, Alice Paul dhe më shumë se 1.000 të tjera filluan një grevë 18 mujore rreth Shtëpisë së Bardhë. Atë e ngacmonin, e sulmonin dhe madje e burgosën për shtatë muaj rresht.

Edhe pse në vitin 1918 Presidenti Wilson kishte njoftuar mbështetjen e tij për çështjen e votimit të grave, u deshën edhe dy vjet që Senati, Dhoma e Përfaqësuesve dhe 36 shtete të ratifikonin amendimin e Kushtetutës.

Alice Paul nuk u ndal në suksesin e arritur. Ajo vazhdoi punën dhe në vitin 1923 hartoi amendamentin për të Drejtat e Barabarta, i cili bënte thirrje për barazi absolute. Aty thuhej se “Burrat dhe gratë gëzojnë të drejta të barabarta në të gjithë Shtetet e Bashkuara dhe në çdo hapësirë që i nënshtrohet juridiksionit të tyre.”

Përkrahësit e saj e propozuan amendamentin në çdo seancë Kongresi midis viteve 1923 dhe 1972, por ai kurrë nuk u miratua. Më në fund, në vitin 1972 dy dhomat e Kongresit e miratuan ndryshimin. U caktua një afat shtatë vjeçar për ratifikimin nga tre të katërtat e 50 shteteve. Por deri në vitin 1982 kur ishte edhe afati, mungonin tre shtete nga 38 të nevojshme që kjo të bëhej amandament kushtetues.

Amendamenti nuk u ratifkua kurrë. Pavarësisht kësaj, gratë në Amerikë vazhdojnë të bëjnë presion për barazi përpara ligjit. / Shqiptarja.com / KultPlus.com

Romani i shkrimtarit shqiptar, frymëzim për kompozitoren e famshme britanike

Romani “Ditar i Shkurtër Kufijsh” i shkrimtarit shqiptar Gazmend Kapllani është bërë frymëzim për kompozitoren e famshme britanike, Cheryl Frances-Hoad.

Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko është shprehur se, “Kompozitorja e famshme britanike, Cheryl Frances-Hoad, ka kompozuar një pjesë të re (titulluar “Tales of the Invisible”), të cilën do ta ekzekutojë me kuintetin e saj të klarinetave, bazuar në prologun e romanit “Ditar i Shkurtër Kufijsh” të shkrimtarit shqiptar Gazmend Kapllani”.

“Romani është përkthyer në shumë gjuhë dhe është përshtatur për skenë teatri në Danimarkë, Greqi dhe Kili”, njoftoi Majko.

Vetë shkrimtari Gazmend Kapllani ka shprehur kënaqësinë e jashtëzakonshme për këtë lajm

“Kam kënaqësinë e jashtëzakonshme të ndaj me lexuesit e mi lajmin se kompozitorja e famshme Britanike Cheryl Frances-Hoad ka kompozuar një pjesë të re (titulluar “Tales of the Invisible”), të cilën do ta ekzekutojë me Kuintetin e saj të Klarinetave, bazuar në prologun e romanit tim të parë “Ditar i Shkurtër Kufijsh” (A Short Border Handbook, në anglisht)”, ka theksuar Kapllani.

“Romani im është përshtatur për skenë teatri në Danimarkë, Greqi dhe Kili, por kjo është hera e parë që shërben si pikë referimi dhe frymëzimi për një kompozitor/e të famës botërore. Mirënjohje”, është shprehur Kapllani, i cili ka shpërndarë edhe lajmin e publikuar nga “The Guardian”. /atsh/ KultPlus.com