Që të shkosh te Migjeni

Nga Ton Zmali

Që të shkosh te Migjeni duhet të kalosh domosdo nga Puka. Po të shkosh edhe si vizitor a kalimtar në Pukë, Migjeni ashtë aty me gjithësinë e universit të tij, me grushtin e dobët e të sëmurë që godet malin që nuk bzan. Kujtoj Pukën e më zbret në kujtesë Migjeni, Luli, Zeneli, Bukuria që vret me legjenda mistri, molla të ndalueme e kangët e pakëndueme, gjithë ai shpërthim vullkanik i poetit të ri djaloshar që mbolli në fidanishtet e artit letrar “Kangët e Rinisë” dhe “Poemën e mjerimit”.
Migjeni e ka ngarkue Pukën në kurriz e udhëton me të në përjetësi, po e njajta gja ndodh edhe me Pukën që e mban poetin në gjithësi të historisë së vet si një pjesë të qënies eprore, ndaj dhe epiteti krahasues se “Puka dhe Migjeni janë dy vllazën siamez” më duket se i qëndron në sy realitetit, të vërtetës së pamohueshme që i lidhi përjetësisht.
Migjeni jetoi në Pukë nji periudhe të shkurtër kohe nga jeta e tij e shkurtër, e prerë në mes si nji shkrepëtim meteori që në djegien e tij ndriçon qiellin e përjetësimit të shpirtit fluid. Migjeni ia ndjente vullkanit llavën që djeg e përvëlon gjithçka gjen përpara, duke u ba lajmëtar i pavetëdishëm i tij, ai asht njikohësisht viktimë paqësore e zjarrit utopik e iluziv të turrit idealist përmbysës. Kodi i Migjenit asht kodi i varfërisë së tejskajshme, i shprehun në shpërfytyrimet e kohës së tij, shpërfytyrime tronditëse me vula mjerimi e shpresa të idhujve pa krena. Fenomene të përhershme prezente edhe sot si atëhere në jetën e bashkatdhetarëve të tij, ndonëse në kalendaret e botës ka kalue thuajse një shekull impulsiv zhvillimi, përvoje e përsosjeje. Vepra e tij si nji kasnec, lajmëtar burizan paralajmëronte mllefe, dhimbje eprore, kundërpetale varrezash masive, vrasjesh e zhdukjesh, internimesh e shfarrosjesh çnjerëzore në emën të nji “bote të re”.
Lind pyetja: A ishte Migjeni aspirant i iluzioneve utopike për barazi e drejtësi njerëzore, apo nji viktimë e verbër që u paraprin katastrofave të mëdha në emën të drejtësive të mëdha klasore?!…
Migjeni mbetet në tërësinë e vet nji krijues i avancuar i relizmit kritik, por kurrsesi vepra krijuese e tij nuk mund të quhet pararendës i letërsisë proletare, as tendencë qorrnajash për shkallmime traditash. Së pari, Migjeni nuk ka letërsi të orientuar e të angazhuar, por akuzë të orientimit shpirtëror ndaj padrejtësive shoqërore. Së dyti, ai nuk njeh rolin e ndihmëslustragjiut e bojatisësit të realiteteve përditë e më tragjike në emën të lumturive që nuk u duken kurrë. Migjeni u cilësue nga realizmi socialist si pararendës i tij për shumë arsye tashma të njohura botërisht. Për t’u godit poeti ynë kombëtar Gjergj Fishta dhe kryevepra e tij kombëtare “Lahuta e Malëcis” duhej gjetur nga pseudoletërsia nji idhull i besueshëm i cili mund të ishte vetëm Migjeni për vetë fuqinë iluzive të artit të tij që buronte nga çdo pore dhimbje, gjak e qelb. Përzgjedhja e Migjenit në këtë rol u shkonte për shtat padronve sllavolindorë të parimeve leniniste mbi letërsinë e partisë. Por Migjeni u ndje tepër ngushtë, i vogël e i paplotë me mbush gjithë ato horizonte qiejsh që i sundonte profetësia e artit fishtian, ndaj dhe mbeti si nji varkë në detin e oqeanin e artit të traditës. Një vark pa port, anije, nëndetëse e flota të mëdha gjë e cila e fryu, e pompoi e tollumbacoi ashtu si “idhujt e rremë” të realizmit socialist për të mbush nji boshllëk të zbrazun të ushqimit idealist shpirtëror. Kjo përpjekje amatoreske e diletantizmit socialist për të mbulue diellin fishtian me lëkurën e artë të Migjenit ishte aq sa utopike edhe e dëmshme, hyjnizuese e hiperbolizuese për vetë lumin e vogël e burimet e njianëshme që reflektonte arti i thellë e i vertetë, por fatkeqësisht produkt i nji jete të shkurtër që bart më shumë vrulle, pathos e pasione, adoleshencë e iluzione se sa mundësi të praktikave reale dhe bashkëkohësi ideale.

Përpjekja mjerane e liderëve të Realsocit për të mbush qiellin e fjalës shqipe me Migjenin e Mjedën duke luftue deri në asgjësim Fishtën, Nikajn, Harapin, Gjeçovin, Prenushin etj., krijues e studiues që u shpallën reaksionarë e u etikuan me lloj lloj akuzash nga ma monstruozet, duke përfshirë “zogjtë pa flatra”, “papagallët e diktaturës” “shokët komunarë” e tellallgjijtë e idhtarët e tjerë të Realsocit. Kjo goditje qëllimkeqe e cila në çarqe dogmatike vazhdon edhe sot, s’asht gja tjetër veçse ngushtim e zvoglim i qiellit tradicional të letërsisë shqipe me tendencë për errësimin e kollosve si Buzuku, Matrenga, Bardhi, Barleti, Variboba etj., lëvrues të traditës së fjalës shqipe. Pa vënien në vend nderi të të gjithëve, fjala e re udhëton pa genin e vet pa rrajët ushqyese të truallit të vet. Ka mendjelehtë që me egoizmin e padijen përpiqen ta nençojnë këtë traditë duke e akuzue si “letërsi murgjish” pa ia njohur epokën, vlerën, kumtin as mesazhet që mbarten në raport me flakën e shkruar në gjuhën tonë. Ky errësim qëllimkeq i traditës nga segmente të veçanta nuk u bani asnji nder as talentit të Migjenit e Mjedës, por as vetë idhtarëve pa krena të letërsisë e arteve si ndihmuese të diktaturës e zingjirëve të hekurt të saj. Mjeda e Migjeni kanë vendin e tyre të veçantë, të nderuar deri në shkallën eprore, por ata nuk mund t’i bajnë hije askujt ashtu si nuk mund të mbeten bimëhije e asnji tjetri. Qielli ka aq shumë yje dritëzues sa që askush nuk ka pse të vrasë dritën hyjnore me shpresën e verbër se do të zënë vendin e tyre. Kjo logjikë krijoi idenë megallomanike te shumë krijues e lulëzon me Realsocin. Orvajtja për ta “zvoglue” veprën e Migjenit duke e etiketue si pararendëse e Realizmit Socialist s’ishte gjë tjetër veçse përpjekje për ta kallupos e për ta formatue me shabllonet e artit dogmë të modelit. Por Migjeni nuk ishte shkrimtar as poet i kallëpeve të ngurrta e stampave të fjalës sterile, ai krijoi hapsirën e vet të bollëshme për t’i dhurue vehtes vend nderi në panteonin e pavdekësisë së fjalës së shkruar. Ashtu si Anteu që merrte forcë nga toka ashtu edhe këngëtari i mjerimit gjeti anteun e tokës së vet, Pukën e Lulit të vocërr, legjendës së misrit e bukurisë që vret, duke sundue përjetësisht atje pavdekësitë e tij, të cilat edhe pse rastësisht u bënë vitrina xhevahirësh e margaritarësh magjistar që askush nuk mund t’ua shuajë origjinën e dyfishtë, shpirtin e poetit dhe vendsubjektet të artit ngadhnyes të sugjeruar prej mbijetesës së tij. Kështu Puka dhe Migjeni mbeten dy vllazën siamez, asnjani nuk udhëton dot pa marrë tjetrin në kurriz, në shpirt e në frymë hyjnore. Fakti që Migjeni u emnue si mësues në Pukë në nji kohë kur brenda këtij rrethi funksionin shtatë shkolla në kushte primitive për arsimin pukajan ishte shtytje shpresëmadhe. Nxënës të tij por edhe bashkëkohës e më tej u shkolluan e u arsimuan në gjurmët e fjalës dhe eksperiencës së tij, mësimdhënës, edukator e luftëtar u paepun i dritëdijes.
Shumë studiues e analistë kanë pranue faktin se periudha e artë e qëndrimit të tij në Pukë asht periudha e artë e lulëzimit të artit të tij me përmasa gjithëkohore. Kam ndjerë kënaqësi të vërtetë kur mësova se për Migjenin dhe vlerat e tij të gjithanshme bashkëmësuesit, intelektualët, krijuesit e njerëzit e dijes e penës kanë realizue një sesion shkencor dhe botue nji libër me titullin kuptimplotë “Migjeni në Pukë”. Aty janë përfshirë kumtesa, shkrime, kujtime.
Regjisori Fran Vukaj i dekoruar me dekoratën Martin Canaj, poet dhe krijues i talentuar, referon kumtesën me titullin magjistar: “Faleminderit, Migjen” (meditim). Ai thotë: “Puka dhe Migjeni plotësojnë mrekullisht njëri-tjetrin. Ata janë një binom i pandarë, janë sinonime të njëri-tjetrit. Kurrsesi nuk mund të kuptohen të veçuar nga njeri-tjetri”.
Të faleminderit Migjen por edhe ty Fran, artisti i madh i “Njëqind Buzëqeshjeve” dhe ‘titullar’ i këtij shkrimi. Falenderoj nga zemra kryebashkiakun Halit Furrikun që në fjalën e tij titullue “Në gjurmët e Migjenit” ka vu emrin tim në kryelistën. Si poet, por edhe si shkrimtar, Migjeni plotëson magjikisht universin e tij të plotë me zjarrin e atij vullkani që me llavën e vet krijoi malet e veta të dhimbjeve e pikëllimeve. Duhet thanë se vargmalet e lahutës së Malësisë kanë vendin e vet ashtu si “Andrra e jetës” dhe “Juvenilja” e Mjedës, veprat e Asdrenit, Poradecit, Canajt, e të tjerë bashkëkrijues. Unë mendoj se tendenca për të hiperbolizue veprën e tij, i ban dam në radhë të parë vetë atij, ndërsa akuza se ai ishte pararendës i Realizmit Socialist, asht nji akuzë ashtu si qindramijëra shpifje, falcifikime, mohime, zhdukje e mashtrime që polli rrenalizmi i madh me liderët e vet të artit proletar. Zërat e dëgjuar në lamin e letrave për të vlerësue a çvlerësue krijuesit nga etnia, origjina a faktorë të jashtëfjalës e jashtëpohimit të tyne nuk u bajnë aspak nder, vlerë as lartësim shfaqësve të tyre, të cilët për fat të keq harrojë se letërsia e artet janë “njeriu e shpirti në universalitet”, pastaj origjinë, etni, fe a raport kohor e natyral. Fenomeni i talentit dhe aplikimi real i tij nuk kushtëzohen as nuk parakushtëzohen nga shtysa të jashtme, por nga forcat e brendshme të genit individual të vetë krijuesit. Mjeda, Migjeni e Poradeci etj, i këndojnë botës së kafazit të vet e kjo u mjafton atyne për t’qënë bilbila të kohës së tyre. Fishta duke thye kafazët nuk priti të hapeshin ata, por i plasi e i bani copë e thërrime me forcën homeriane të artit të tij. Gabohen tmerrësisht të gjthë ata njerëz të letrave a papagaj të tyre që mendojnë se vetëm gjenitë kanë liçensa të krijojnë supervlera. Krijuesit janë si minierat, gjenden ku nuk pritet e zbulohen në jetë papritshmërisht. Kam ndëgjue se nji disident i nderuar ka diskutue për gjuhën e Migjenit, gja për të cilën sipas idesë time studiuesi gabohet. Gjuha asht për shkrimtarin e poetin vertetë lana e parë për veprat e tij, por ortografia e rregullsitë gjuhësore fillojnë aty ku ka vdek letërsia. Krijuesit e vërtetë krijojnë kodet e veta si kudo edhe në formatikat evulante të botës së fjalëve. Askush nuk e ka mandatin e formulës për të përligj rregullore, statute as kanone, kallupe as stampa teorike, as praktike në të cilat duhet të hyjnë krijuesit dhe krijimtaria. Migjeni në kohën e vet i theu të gjitha porcelanet, vorbat, vegshat, ortundat, çerepët, duke krijue prodhimet e veta unikale, që mbajnë përjetësisht vulën e tij.
Dikush mund të thotë se Migjeni ishte e do të mbetej si nji krijues i madh edhe për Pukën e binjakëzimin me të. Por ja që përgjigjen ua jep vetë Migjeni në Pukë, fjala plot emocion, dhimbje e shpirtit të tij të revoltuar ndaj mjerimit, varfërisë e padrejtësisë shoqnore. Pra, Migjeni dhe Puka, ky binom i përjetshëm udhëtojnë në kohra si dy vllazën siamez. /KultPlus.com

Mesazhi i tifozit kosovar që u bë viral në Angli

Kosova sonte është mposhtur 5-3 si mysafire në Angli, në një ndeshje mjaft interesante ku nuk munguan golat, drama dhe paraqitja e mirë, sidomos në pjesën e dytë.

Por, përveç ndeshjes, anglezëve u ka lënë përshtypje edhe një mesazh i një tifozi kosovar.

Në shumë faqe në Twitter, është shpërndarë foto me mesazhin ku shkruan:

“Falë jush, ne sot luajmë kundër jush. Përgjithmonë mirënjohës për ju, Anglia jonë e dashur”, shkruhet në mesazh. /KultPlus.com

View image on Twitter

Kosova ekipi i parë që realizoi tri gola si mysafirë ndaj Anglisë që nga viti 2007

Kosova është bërë ekipi i parë që i ka realizuar tre gola si mysafirë ndaj kombëtares së Anglisë në 12 vjetët e fundit.

Hera e fundit që Anglia kishte pësuar tre gola në shtëpi në një ndeshje, ishte përballja me Kroacinë në nëntor të vitit 2007.

Kroacia kishte fituar 2 me 3 në atë ndeshje.

Kosova pas 90 minutave lojë, pësoi 5 me 3. /KultPlus.com

Tifozët kosovarë këndojnë “Besa-besë” në mes të Anglisë

Në stadiumin e Southemptonit “St. Mary” ku po zhvillohet ndeshja ndërmjet Anglisë dhe Kosovës, është i pranishëm një numër i madh i tifozëve kosovarë.

Tifozët kosovarë “Dardanët” që kanë shkuar për ta përkrahur Kombëtaren e Kosovës, kanë kënduar këngën e mirënjohur “Besa-besë, besën ta kam dhanë” derisa po zhvillohej pjesa e parë.

Edhe gjatë ditës, tifozët ata kanë kënduar rrugëve të Southemptonit.

Kombëtarja e Kosovës mposhti së fundmi Cekinë në Prishtinë me rezultat 2-1, ndërsa sonte në ballafaqimin me Anglinë pas pjesës së parë, është duke pësuar disfatë me rezultat 5-1.

Megjithatë, “Dardanët” e mbledhur në stadium po vazhdojnë të këndojnë e ta mbështesin Kombëtaren. /KultPlus.com

Aristoteli për lumturinë: Kush studion, e arrin

Në pamje të parë është teoria më absurde, vetë Aristoteli është i pari që e pranon. Pyesni, përgjigja do jetë gjithmonë e njëjta. Lumturia? Dikush ndoshta do të vërejë se arrihet në angazhimin publik, në një jetë dedikuar të mirës së përbashkët. Duke besuar vërtet?

Të tjerët, shumica dërrmuese, nuk kanë asnjë hezitim: i lumtur është ai që mund ta shijojë jetën – vila spektakolare, ekskluzivitete, dreka dhe darka në restorantet më luksoze, shumë argëtim dhe pak lodhje, gjithmonë me stil. Ja pra, jeta e lumtur. Ne italianët madje kemi gjetur përkufizimin e përsosur: dolce vita. A mund të dëshirosh më shumë se kaq? Absolutisht po, përgjigjet Aristoteli: e vetmja jetë me të vërtetë e lumtur është një jetë studimesh. Vështirë të mbështesësh diçka më absurde. Por ai ka të drejtë.

Ndërkohë duhet të kuptohemi: nuk po flasim për momente gëzimi intensiv – në të tilla momente, pothuajse pa e kuptuar, e reduktojmë lumturinë ne modernët – por për një jetë të lumtur. Ato janë dy gjëra shumë të ndryshme. Nëse lumturia mund të reduktohej në momente të mirëqenies, në fakt, problemi nuk do të ishte aq i komplikuar: ndonjë moment entuziazmi nuk i mohohet askujt. Por, a janë të mjaftueshme këto momente për ta bërë një jetë të lumtur? Jo. Një jetë e lumtur, e përmbushur është një jetë në të cilën kam realizuar talentin tim, kam zhvilluar potencialin tim, jam bërë ai që doja dhe ndihesha që të bëhesha. Për ta arritur këtë duhet së pari të kuptoj kush jam. Duket e vështirë, por nuk është.

Çdo gjë zotëron diçka, që e dallon nga gjithë të tjerat, dhe aty është esenca e saj, ajo çfarë është në të vërtetë. Eshtë në natyrën e thikës, që të presë: një copë druri dhe një copë metali të bërë bashkë, të vetme nuk mjaftojnë për të bërë një thikë. Duke prerë, thika realizon natyrën e saj të thikës. Po ne? Ajo që na dallon, në krahasim me çdo krijesë tjetër, është zotërimi i arsyes. Njeriu, kafsha racionale. Pra, kur përdorim trurin realizojmë natyrën tonë të të qënit racionalë, potencialin tonë të të qënit njerëz. Aty është lumturia jonë. Nuk do të thotë që të heqim dorë nga kënaqësitë, përkundrazi. Por një jetë dedikuar vetëm kënaqësive, e vetme nuk mjafton.

Lumturia, ajo më origjinalja dhe jetëgjata, shoqërohet me një vetëdije të caktuar mbi veten, vetëdijen se je duke jetuar sipas një projekti. Për këtë arsye, jeta e atyre që janë tëangazhuar, në fund është më e kënaqshme: sepse po ndërton diçka njerëzore. Dhe më thellë akoma, është dëshira për të njohur, për të kuptuar. Gëzimi i Ajnshtainit, kur zbuloi misteret e relativitetit – a është ndokush që dëshiron ta krahasojë me një drekë të mirë?

Nuk duhet ta harrojmë asnjëherë: në këtë Univers shumë të madh, deri kur të kemi gjetur provë për të kundërtën, ne jemi të vetmit që mundemi të reflektojmë dhe mendojmë, që nuk kufizohemi thjesht tek të jetuarit, por që mundemi të kuptojmë atë që po bëjmë dhe atë që po ndodh. Kjo dëshirë për të kuptuar, për t’i dhënë një kuptim ekzistencës sonë është diçka unike, është vetëm e jona. Pse jemi këtu, nga vijmë dhe ku shkojmë? Si mund të jetojmë një jetë të drejtë? Nuk janë pyetje të thjeshta. Por a nuk është pikërisht në këto momente, që ne jemi vetvetja? Të lindur jo për të jetuar në shëmti / por për të ndjekur virtytet dhe dijen. Për këtë arsye Uliksi ishte nisur në udhëtim… / Mauro Bonazzi /KultPlus.com

Ky është libri më i madh i botës dhe ndodhet në Azi

Kuthodaw Pagoda i Myanmar është një faltore Budiste e përbërë nga qindra pllaka guri të gdhendura, të cilat nga një farë distance ngjajnë si një grup tempujsh të vegjël.

Megjithatë, të kombinuara, ato formojnë tërësinë e mësimeve të Budës. Secila prej 730 pllakave përmban një sipërfaqe mermeri, të gjatë 5 metra dhe që e gjitha është e mbushur me mbishkrime.

Tabletat dikur ishin të mbuluara me gurë të çmuar dhe ishin zbukuruar me bojë ari; megjithatë, pas pushtimit britanik, faqja u grabit dhe mbetën vetëm shkrimet në të.

Sot, libri mbetet akoma i disponueshëm për vizitorët, pasi shkrimi është në bojë të zezë dhe është lehtësisht i lexueshëm dhe me shumë mundësi do jetë i lexueshëm edhe në vitet në vazhdim. /KultPlus.com

Rita Ora: Fat të mirë sonte për Përfaqësuesen e Kosovës

Rita Ora me anë të një postimi në Instagramin e saj ka uruar Kombëtaren e Kosovës sot për lojën me Anglinë.

Rita, në mes të Anglisë e Kosovës, ka shkruar “Good luck” me një foto që asocon për lojën e cila do të ndodhë sonte. Ajo ka uruar fat të mirë për ndeshjen Angli-Kosovë.

Ka plot statistika dhe parashikime për lojën por duket se ka shpresa për një triumph të Kosovës krahas një prej kombëtareve më të forta në botë. / KultPlus.com

Rita Ora e pranon që ka qenë në lidhje me meshkuj dhe me femra

Këngëtarja dhe kantautorja Rita Ora i ka befasuar shumë fansa me deklaratën më të re. Në një intervistë për “Daily Star”, ajo foli për seksualitetin e saj dhe zbuloi se ka qenë në lidhje romantike edhe me femrat. Ajo gjithashtu foli për thashethemet se është në lidhje me ish-yllin e “One Direction”, Liam Payne, dhe tha se e pengon fakti që gjithnjë e lidhin me meshkujt me të cilët shoqërohej.

‘Pse njerëzit nuk supozojnë se ai ka të dashur? Gjithmonë ajo e dashur është me të. Unë kam shumë miq meshkuj, shumë miq meshkuj tërheqës. Kjo nuk do të thotë se kam diçka më shumë me ta”, shpjegoi këngëtarja 28-vjeçare. ‘Liam dhe unë jemi thjesht miq. Unë e admiroj bukurinë e meshkujve dhe femrave. Unë i shoh njerëzit pa fytyra dhe pa gjini, për mua ka të bëjë me personin. Në jetën time kam pasur lidhje romantike me femra dhe meshkuj’, shtoi ajo.

Image

Këngëtarja britanike/shqiptare ka vendosur të flasë pasi që në vitin 2018 u akuzua për shfrytëzimin e biseksualitetit për promovimin e këngës së saj ‘Girls’, kryesisht për shkak të vargut: ‘Ndonjëherë thjesht dua të puth femra, thjesht dua të puth femra’, shkruan KOHA Ditore. Në atë kohë këngëtarja tha se ajo kurrë nuk do t’i dëmtonte me dashje njerëzit e tjerë LGBTQ ose këdo tjetër. ‘Jam përpjekur të jem bashkëpunëtore e komunitetit LGBTQ gjatë gjithë karrierës sime dhe do të jem gjithmonë. Këngën ‘Girls’ e kam shkruar për ta paraqitur një pasqyrë të saktë të përvojës sime reale dhe të sinqertë në jetën time”, e pranoi ylli i ri i popit. /KultPlus.com

FAZ citon Muriqin: “Ne jemi të gatshëm të vdesim në fushë”

Muriqi: “Bashkëlojtarët e mi dhe unë jemi të gatshëm të vdesim në fushë. Ne përpiqemi që të japim 1000 për qind për këtë fanellë dhe për këtë vend”.

Serisë së pafund të shkrimeve që shtypi botëror dhe në veçanti ai në gjuhën gjermane, i ka kushtuar suksesit senzacional të Përfaqësuese së Futbollit të Kosovës, i është shtuar edhe artikulli i botuar sot në gazetën më prestigjioze gjermane, “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.

“Jemi gati të vdesim në këtë vend” e ka titulluar FAZ  artikullin në të cilin merret me sfondin historik dhe politik të “fenomenit Kosova” në futbollin botëror. Ndërsa vetë fjalët e titullit, gazeta i ka marrë nga deklarata e heroit të fitores kundër Çekisë, Vedat Muriqit, shkruan albinfo.ch.

“Bashkëlojtarët e mi dhe unë jemi të gatshëm të vdesim në fushë. Ne përpiqemi që të japim 1000 për qind për këtë fanellë dhe për këtë vend”, citohet më tutje Muriqi, fotografia famoze e të cilit ilustron artikullin në fjalë.

Një deklaratë si kjo, sipas FAZ tregon për fushën e tensionit lidhur me identifikimin e lojtarëve kosovarë me republikën e tyre të re dhe me ekipin e tyre kombëtar”.

E pranuar vetëm në vitiun 2016 në UEFA dhe FIFA, “Kosova e Milot Rashicës (Werde Bremen) është e pamposhtshme edhe në kualifikimet për Evropianin . 1:1 me Malin e Zi, 3:2 në Bullgari dhe tash 2:1 fitore ndaj kundërshtarit të konsideruar si shumë më të fortë. Para ndeshjes kulmore që luhet sonte (ora 20.45) në Sothampton kundër favoritit të madh Anglisë, Kosova është e dyta në tabelën e kualifikimeve, Grupi A. Një vend i vogël ëndërron për Kampionatin Evropian 2020.

E shpallur shtet i pavarur në vitin 2008, ndërkohë që Serbia vazhdon ta konsiderojë provincë të sajën. Kjo është Kosova. Për këtë arsye u zhvillua luftë në vitet 1998-1999, transmeton albinfo.ch. “Dhe kjo është arsyeja se edhe sot në disa ndeshje futbolli nuk mund të tërhiqen kaq thjesht kufijtë në mes të sportit, politikës dhe historisë, siç do të kishin kaq shumë dëshirë organizatat ndërkombëtare të sportit”, shkruan veç tjerash FAZ. /KultPlus.com

Mbramja asht larg

Poezi nga Martin Camaj

Mbramja asht larg
e ti je atje mbi kodër të blerueme
ku gurzit që bashin zhurmë
i përpiu dheu.

Ti je atje me të bijën e heshtjes
e me shoqe tjera e mendon për mue.
Unë jam në detin e tingujve
e ndër gjujt e mij ndieva
peshën e tramit tue u ndalue me turr.

Mandej i lëshova vendin një të vjetri
e mes tallazit të krahve thashë:
mbramja ashtë larg e ti andej lumit.

Heshtja prek qiellin me dorë
E ti atje mbi kodër të blerueme
njeh gjurmët e diellit npër qiell.

Justin Timberlake do të luajë në dramën “Palmer”, xhirimet fillojnë në vjeshtë

Justin Timberlake e ka pranuar një sfidë të re. Aktori dhe këngëtari ka pranuar të luajë në dramën e re të titulluar “Palmer”, xhirimet e së cilës fillojnë në fund të vjeshtës, sipas mediave amerikane.

Regjisori i kësaj drame është Fisher Stevens, ndërsa producentë janë: Charles B. Wessler, John Penotti dhe Charlie Corwin. Produksionin do ta bëjnë Sidney Kimmel dhe Daniel Nadler.

Drama “Palmer”, e shkruar nga Cheryl Guerriero, flet për ish-fenomenin e futbollit të kolegjit, i cili pas qëndrimit në burg, kthehet në qytetin e tij të lindjes për ta rikthyer jetën e tij në rrugën e duhur. Atje, ai përballet jo vetëm me konflikte shumëvjeçare nga e kaluara e tij, por edhe me një sfidë shumë më befasuese, pasi që befas e mbështet një djalë të ri unik të braktisur nga nëna e tij.

“Justin dhe Fisher sjellin perspektivë në këtë tregim emocional. Është një tregim i kohës së duhur dhe përfundimisht argëtues në lidhje me rezistencën dhe fuqinë e mirësisë njerëzore”, theksuan Penotti dhe Corwin. /KultPlus.com

Aleksandër Moisiu, fantazma e shekullit XX

Nga: Rudiger Schaper
Përktheu: Feride Xh. Berisha

Moisiu, një zë joshës, ogurzi, i mistershëm. Sapo t’ia dëgjojë emrin, njeriu e lidh me filmin e viteve ‘20 të shekullit të kaluar. Moisiu përshoqërohet me filmat “Mabuse”, “Metropolisi”, “Një qytet kërkon një vrasës”, asokohe paralajmërues të barbarisë naziste nëpërmes një mediumi revolucionar, “kanavaca demonike” siç e përkufizonte filmin në atë kohë Lotte Ajsneri, historiane e kinematografisë.

Gjurma tek filmi nuk është krejt e huqur, por çon, megjithatë, në rrugë të gabuar. Duhet të dëgjohet edhe një herë me vëmendje Moisiu. Paraqitet Moira, perëndia greke e fatit dhe përfytyrimi i një moire – efektit vezullues. Më pas, në thellësi shquhet një fotografi, një kujtim, një pamje tashmë e njohur, e cila fanitet ende e paqartë, e pasaktë, e mjegulluar. Një vezullim, një dridhje. Një gjë tejet morbide. Moisiu – një melodi ëndërrimtare. Ky burrë ishte aktor. Dhe ajo që ishte më veçorizuese për të, ishte zëri i tij. Ky emër me tingëllimin e një sirene homerike, që e merr njeriun peng, e ndjek, e bën të ndihet çuditshëm. Prosper Merimeja, autori i Carmenit, shprehej: “Historitë e çuditshme u ngjajnë çdoherë vetëm atyre, emri i të cilëve shqiptohet me vështirësi”.

Kjo është një histori e mrekullueshme, magjike, prekëse, e dhimbshme, e njeriut, të cilit i ndodhi, jetonte në vitet ‘20, gëzoi famë botërore dhe në lidhje me të mund të rrëfehen shumë histori të vogla të veçanta: Se si ky njeri me këtë emër tingëllues, kur ishte shumë i vogël, dëshironte të fluturonte me një çarçaf drejt një ujdhese të largët. Dhe se si pastaj gjatë luftës u bë pilot. Se si pushtoi një shtet me fjalë, gjuha e të cilit për të ishte e huaj. Se si ai kishte luajtur me vdekjen dhe i kishte mrekulluar ata që e shihnin. Sallat, e mbushura me nga dymijë shikues, i bënte për vete.

Së bashku me të vdiqën edhe ata që e brohorisnin, ata që i bëri të qajnë me praninë e tij. E morën me vete në varr edhe fshehtësinë e tij. Në Gjermani, Aleksandër Moisiu ka qenë qysh nga viti 1910 e deri më 1930 ai aktori. Ka qenë një yll, i pari yll gjerman qysh në atë kohë, kur ende nuk kishte filma, ose atëherë kur filmi ende nuk merrej seriozisht dhe konsiderohej si një fanitje e përkohshme mode. Revista satirike “Simplicissimus” e karikaturonte në ballinë si zhongler – një zhongler me kafka. Hamleti i Shekspirit ishte një ndër rolet më të mëdhenj të Moisiut. Edhe në jetën e përditshme e quanin Princ, Princ Moisiu, për shkak të prejardhjes së tij fisnike, si pasardhës i disa pronarëve të mëdhenj tokash nga Ballkani. Por edhe ngaqë ai erdhi së andejmi si një princ përrallash: me sytë e zinj, me zërin e ëmbël dhe me natyrën e tij të huaj, të sjellshme, pushtuese.

Një herë, në Vjenë, në vitin 1926, princi Hamlet doli në skenë me xhaketë, jelek të zi dhe me mantel shiu – një skandal i vërtetë! Shekspiri me veshje bashkëkohore. Një hutim i pamasë! Një kritik i zgjuar e qetësoi publikun me faktin se edhe piktorët e Cinquecentos e paraqisnin skenën me Krishtin në mjedisin e bashkëkohës. Në Berlin, njëzet vjet më herët, gjatë ndërrimit mes shekujve, regjisori Maks Rainhard kishte sjellë një formë të re në teatër. Në pjesët e Shekspirit, të rinjtë luheshin nga të rinjtë; erotika dhe dashuria nuk ishin më vetëm fjalë; një teknikë e re ndriçimi i nxirrte fytyrat në pah. Një nga këta heronj të rinj ishte edhe Romeo, Aleksandër Moisiu. Dhe një ditë prej ditësh cilësohej si artist konservator, sepse prekte e zgjonte emocionet, besimin fëmijëror të publikut, dhe ngaqë ai nuk donte të bënte dallim mes atyre që quheshin e vjetër dhe e re.

Për adhurueset nuk kishte fare rëndësi se ç’kishte Moisiu në trup, ky magjistar, dhe se çfarë zhvillimesh politiko-estetike ndodhnin në teatër. Gratë e adhuronin, e ndiqnin, i ofroheshin, i nënshtroheshin me pasion këtij zëri, siç shkruante një kolege. Edhe ai i ndiqte, i joshte, u bënte trysni. Kishte lidhje dashurie, dashuriçka, bashkëshorte dhe skandale. Shkrimtari vjenez Heinrich Novak paraqiti kërkesën për divorc pasi e shoqja, aktorja Cecilie Lvovsky, e kishte puthur me një zjarr “tejet të natyrshëm” kolegun e vet të skenës, Aleksandër Moisiun. Gjatë kësaj skene të puthjes, bashkëshorti qe nxehur atje në lozhë dhe kishte shkaktuar një skandal. Drama që luhej në skenë titullohej “Në udhëtim”. Gazetat kishin ç’të shkruanin lidhur me divorcin: “Rapsodia e Moisiut u dëshmua për herë të parë me gjyq”.

Ky zë, ky shikim Moisiu ishte një erotoman i njohur, hero i tregimeve të ilustruara, një interpret virtuoz i vetvetes, me tiparet e një pop-ylli. Adhuruesit dëshironin ta shihnin Moisiun, ashtu siç dëgjohet Moxarti. Dhe një ditë prej ditësh ai u zhduk në asgjënë nga ku pat ardhur. Vdekja i solli menjëherë edhe famën pas vdekjes.

Ungjilli i Gjonit tregon për fatin e Llazarit, të cilin Krishti e kthen pas katër ditësh nga varri në jetë. Ringjallja e Llazarit u takon rrëfimeve shajnitëse të Shkrimit të Shenjtë. Duket sikur Krishti e kishte zbuluar fshehtësinë e tij para pasionit, me këtë veprim mrekullie, kur me trupin e vdekur të Llazarit provoi ringjalljen e Vet të mëvonshme. Historia e Moisiut i ngjan asaj të Llazarit. Mjeshtëria e tij ishte vdekja. Për çdo mbrëmje, çdo vit, në të gjitha skenat e mëdha. Një i shenjtë, por një i shenjtë botëror, pehlivan, një artist fenomenal, një martir i ndritshëm, i cili nuk rravgonte një shenjë të Zotit, por qetësinë, tendosjen, shpërthimin e duartrokitjeve në sallat e mbushura plot. Një yll që shpërndante kartolinat me firmën e vet dhe që dukeshin si fotografi të shenjta. Hamleti në aureolë…

Moisiu vdiq në moshën 55-vjeçare, që nuk është ndonjë moshë e shtyrë. Gjermania nuk ishte më atdheu i tij, ndoshta nuk ka qenë kurrë, dhe kështu ai nuk vdiq në mërgim dhe nuk mund të gjendej sërish së bashku me mërgimtarët dhe të dëbuarit, që u përndoqën e u mohuan nga regjimi nazist. Vdiq në moshën mesatare, dhe çudi që dukej sikur karriera e tij nuk kish mbaruar, ndonëse kishte arritur në një fund. Ai kishte pasur edhe shumë plane të reja, por prapë vdekja nuk mori një njeri të pakryer. Ai kishte arritur gjithçka. Ishte i ndjekur nga fati, nuk i përkiste asnjë grupimi, qëndroi në lug të kohëve, ra nga bota, u fundos si një anije në thellësi të panjohura.

Nuk gjendet një vit më i mirë për të vdekur. Pikërisht ai viti 1935 dukej sikur të ishte shterp nga ana historike. Çmendurinë e Hitlerit nuk e përjetoi më, shumë herët i ktheu shpinën Gjermanisë naziste, kur filluan fyerjet dhe kërcënimet edhe kundër tij, kundër një pjesëmarrësi të Luftës së Parë Botërore dhe mbajtësi të dekoratës Kryqi i Hekurt. Koha e vdekjes së tij fal hapësirë për përsiatje. Po të kishte jetuar më gjatë, nga do të kishte shkuar? Për të shërbyer me armë ishte tashmë i moshuar. A do ta kishte mbajtur Zvicra, ku kishte një shtëpi? Cilën nënshtetësi do të kishte marrë: italiane, shqiptare, apo do të ishte bërë amerikan? Si do t’i kishte qëndruar përballë aleatit të Hitlerit, Musolinit, me të cilin ishte njohur?

Ajo që mbetet është heshtja, siç e parasheh Hamleti me frymën e tij të fundit. Heroi i grave, aktori më i madh gjerman mes dy Luftërave – është miti Moisiu. Mitet paraqesin formën më të bukur, më të saktë të harresës. Dhe çdo gjë e Moisiut bart diçka mitike. Se si ai në kohën kur u gjend në Burgtheater nuk dinte asnjë fjalë gjermanisht. Se në kaosin revolucionar të pas Luftës së Parë Botërore do të duhej të zgjidhej ministër komunist i Kulturës.

Se Moisiu, si njeri hoteli, vdiq në hotelin vjenez “Grand” me fjalët e fundit që i nxori në jermi nga buzët e thara, në italisht: “Ah, che bella Venezia… che bella Venezia… che bella donnina”, ndonëse parapëlqente hotelin pak më të mirë, “Imperial”-in. Ah, ta shohësh Venedikun dhe të vdesësh, të kalosh jetën nëpër hotele me zonjusha të bukura! Dhe se shoku i tij, aktori i njohur Albert Baserman ia dha Unazën Iffland me vete në varr, nderimi më i lartë gjerman për artin e aktrimit. Se ishte hebre me këtë emër, me këtë pamjen e huaj, apo rom, nga qeniet më të ulëta, më jogjermane…

Të gjitha këto gjëra janë të shpikura – në një mënyrë i qëndrojnë mjaft afër së vërtetës dhe madje e prekin, ashtu siç e preku Aleksandër Moisiun jeta vetë. Dhe vetëm ai që ishte kaq i famshëm sa Moisiu, mund të harrohet kësisoj. Kjo harresë arsyetohet sigurisht edhe me modën e artit. Por kjo nuk është më e rëndësishmja. Jetohet në një kohë kur përkujdesjes për këto histori të mrekullueshme nuk u jepet kohë dhe kur koha jeton që këto histori të rrëfehen dhe të shpiken të rejat. “Bota e djeshme”, siç e quante Stefan Cvajgu epokën që solli dhe mbajti një Moisi, me vite të tëra, dhjetëvjetësha me radhë. Nëse ka diçka për t’u shpjeguar, atëherë ky është durimi i kohës ndaj vetvetes.

Jeta e Aleksandër Moisiut është një ndër përrallat më të bukura mbi artistët e shekullit XX. Përralla më e dashur e tij, të cilën ia lexonte me shumë kënaqësi vajzës së vet Betinës dhe të cilën e incizoi në një disk, ishte “Princesha në bizele” e Hans Christian Andersenit. Kështu edhe provonte princesha. Asaj iu shtrua një mal me dyshekë, dhe ajo atë natë nuk mbylli sy, sepse shtrati sipër bizeles ishte shumë i fortë. Ajo mund të shihte që ishte një princeshë, sepse e kishte mbushur bizelen me njëzet dyshekë dhe me jorganë puplash. Kaq e ndjeshme nuk mund të jetë askush, përveç një princeshë e njëmendtë.

A nuk ndihemi edhe ne kështu me përrallën e princit Moisiu? Mes të gjitha atyre tregimeve të harruara, mes shtresave të harresës, të frymës së re, të avangardës së vjetër dhe të konvencioneve të reja, nën grumbullin me tradita fshihet diçka e vlefshme që, me butësi dhe këmbëngulje, e tërheq vëmendjen drejt vetes, dëshiron të vështrohet, si bizelja e vogël majë dyshekëve. Diçka na trazon prej së largu. Është si një ëndërr, shija dhe ritmi i së cilës, si dhe qenia e saj e paqartë, ndihen edhe në ditën e re. Një ëndërr, e cila të kujtohet gjithashtu për shkaqe të paqarta. Përpara e kemi një njeri, historinë e tij, vdekjen e tij, diçka që vërehet papritmas përmes mungesës së tij – për atë që ishte mbajtur fshehtë aq gjatë.

Gjatë një udhëtimi me tren, Moisiu takon dy zonja që i njihte kalimthi. Biseda mori drejtimin politik. Aktori shpjegonte: “Kjo ndarja e punës deri në imtësi, që ka për qëllim prodhimtarinë gjithnjë e më të lartë, po bën që krejt njerëzimi i një shteti të shndërrohet në një makinë të vetme të jashtëzakonshme. Ajo më kryesorja lihet pas dore, njeriu, jeta”. Ishte viti 1918 dhe po udhëtonin drejt Pragës. Ky shënim i çuditshëm gjendet në një arkiv në Vjenë, pa të dhëna për identitetin e zonjave dhe për mënyrën se si mbërriti kjo letër atje, se kur e paskan shkruar apo trilluar këtë kujtesë.

Aleksandër Moisiu ishte zakonisht në shoqëri të zonjave gjatë udhëtimeve të veta në vagon dhe nuk mbetej vetëm në këmbime pikëpamjesh politike. Margarete Skoda, gruaja e aktorit të njohur vjenez Albin Skoda, udhëtonte si vajzë e re për shumë vite pas Moisiut të moshuar, duke u përfolur si adhuruese e flaktë, e cila refuzohej vazhdimisht nga idhulli i saj. Por ajo kurrë nuk u dorëzua. Derisa një natë, teksa rrotat e trenit rrokulliseshin nëpër binarë, Moisiu u dorëzua. Ajo ia ka përmendur këtë marrëdhënie të shkurtër një të njohure, kur ishte tashmë e shtyrë në moshë.

Në rastin Moisiu burimet duken të dyshimta dhe marramendëse si rreth ndonjë sundimtari mesjetar. Shtrohet pyetja, për shembull: Çfarë dihet nga shekulli XX? I famshmi Moisi është më i panjohuri. Moisiu, fantazmë e luksit, e një të huaji, e një pasurie të humbur. Kush ndjek gjurmët e Moisiut, i hyn një aventure si të kërkimit të një thesari. Ky udhëtim është përpirës dhe plot me fshehtësi, por nuk është larg. /Revista “Akademia” /KultPlus.com

‘Në Ditën Botërore të Parandalimit të Vetëvrasjeve, po du me ju kujtu diçka’

LENDI MUSTAFA
(Publikuar në versionin origjinal siç e ka shkruar Lendi Mustafa, pa përmirësime)

T’dashtun prinder te personave LGBTI+,

Masi vec osht Dita boterore e parandalimit te vetevrasjeve, po du me ju kujtu dicka.

Sa do e rane qe na u doket me e pranu se jemi mesu me i pa prinderit si qenja ma e dashtun qe egziston, njo prej shkaktareve te vetvrasjeve jane vet ata.

– Kur fmiu jot te vjen ne sallon edhe me gjyse zemre te thot qe osht gej, lezbike, biseksual apo transgjinor edhe ti ja mohon komplet qenjet, ja ke marr ni cope jete ne pak sekonda.

– Kur fmiu jot detyrohet me dal cdo dite me u perball me boten qe e ngulfat me gjykim e perbuzje, e kthehet ne shpi ne energjin e njejte, ja ke marr ni cope jete.

– Kur femiu jot nuk lyp kurgjo prej teje pervec respekt e dashni pa kusht e ti dyshon per me ja dhuru qata, ja ke marr ni cope jete.

Prej momentit qe femiu juj ju tregon per orientimin tij/saj seksual apo identitetin gjinor, e ju nuk jeni te gatshem me i trajtu njejt, ja ke marr ni cope jete.

Mos te ju bjen ne mend vone per keto sene, se cdo fjale e cdo veper e juja ka ndikim ne jeten tone. 
Nje person qe e ke pru vet ne jete me e bo cope-cope e me ja marr krejt shpresat e andrrat, per shkak te bindjeve/besimeve tua, po me vjen shume keq po nuk je prind i mirefillt.

Po ju rekomandoj edhe nje film ‘Prayers for Bobby”, e di qe nuk keni me e shiku po nese po e lexon qita, edhe e ki ni femi LGBTI+ ndaji 2 ore me reflektu pak.

Gillian Anderson do ta luajë rolin e Margaret Thatcher në “The Crown”

Gillian Anderson është e entuziazmuar që e ka fituar rolin si Margaret Thatcheri e “frikshme dhe ikonike” në sezonin e katërt të ardhshëm të “The Crown”.

Aktorja do ta marrë rolin e ish-kryeministres së Britanisë, e cila shërbeu si udhëheqëse e Partisë Konservatore dhe e mbajti detyrën e kryeministres nga viti 1979 deri në vitin 1990. Dhe derisa Thatcher ishte një figurë kontroverse, Anderson (51) e pranon se mezi pret të hulumtojë se çfarë ka “nën sipërfaqen” e personazhit në fjalë.

“Jam shumë e entuziazmuar që do t’u bashkohem kastit dhe ekipit të “The Crown” dhe që do ta kem mundësinë ta portretizoj një grua kaq të komplikuar dhe kontroverse”, tha ajo në një deklaratë në mediat sociale. “Thatcher ishte padyshim e frikshme, por me kënaqësi do të eksploroj nën sipërfaqe dhe, guxoj të them, jam duke rënë në dashuri me ikonën, e cila, qoftë e dashur apo e përçmuar e definoi një epokë”.

Hit seriali i Netflixit do të pësojë ndryshime të kastit kryesor për serinë e tretë të ardhshme, ndërkohë që e eksploron dekadën e ardhshme të monarkisë, pas kulminacionit të sezonit të dytë në vitin 1964.

Olivia Colman do ta marrë përsipër portretizimin e njohur të Claire Foy të Mbretëreshës Elizabeth II, Tobias Menzies do ta zëvendësojë Matt Smith si Princi Philip dhe Emerald Fennell është Camilla Shand, e cila me kohë do të bëhet Camilla, dukesha e Cornwall. Helena Bonham Carter gjithashtu i bashkohet kastit si Princesha Margaret në vend të Vanessa Kirby.

Sezoni i tretë i “The Crown” publikohet më 17 nëntor, ndërsa seria e katërt është aktualisht në produksion. /KultPlus.com

Këngëtarja Enkelejda Arifi i bashkohet Lëvizjes Vetëvendosje

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti ka prezantuar anëtarësimin e ri në partinë e tij.

Përmes Facebook-ut, Kurti ka njoftuar se këngëtarja Enkelejda Arifi i është bashkuar Vetëvendosjes.

“Këngëtarja e mirënjohur shqiptare, Enkelejda Arifi, na është bashkuar në Lëvizje dhe është në listën e kandidatëve të VETËVENDOSJE!-s për deputete në Kuvendin e Kosovës. Ajo vjen nga Durrësi ku është shkolluar për muzikë (flautë dhe kanto) dhe jeton në Gjilan ku punon si zyrtare për kulturë në komunë që nga viti 2010”, ka shkruar Kurti.

Kurti ka shkruar se me këngë në zemër Vetëvendosje do të fitojë me 6 tetor.

“Me këngën në zemër dhe me këngëtaren Enkelejda ecim drejt fitores më 6 tetor 2019”, ka shkruar Kurti. /KultPlus.com

Ministria e Diasporës në Shqipëri dërgon falas tekste shkollore në gjashtë shtete të huaja

Ministria e Diasporës në Shqipër, përkatësisht Qendra e Botimeve për Diasporën në bashkëpunim me Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme, ka dërguar falas tekste shkollore në Poloni, Ukrainë, Belgjikë, Rumani, Çeki, Slloveni, shkruan KultPlus.com

“Sot Qendra e Botimeve për Diasporën në bashkëpunim me Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme dhe Postën Shqiptare përmbylli dërgesën me tekstet shkollore për mësimdhënien në Diasporë drejt Polonisë, Ukrainës, Belgjikës, Rumanisë, Çekisë, Sllovenisë. Tekstet për fëmijët dhe mësuesit e Diasporës janë falas dhe kanë pikëmbërritje qytetet kryesore të shteteve përkatëse. Vijon pa u ndalur puna për shtetet e tjera… “, thuhet në njoftimin e tyre.

“Mullixhiu”, i pari në listën e New York Times

New York Times së fundi ka shkruar një artikull për restaurantet dhe hotelet e Shqipërisë, duke iu rekomanduar lexuesve se ku mund të ushqehen dhe të bëjnë gjumë, nëse veç vendosen në Tiranë, përcjellë KultPlus.

Hotel Plaza, është vendi ku rekomandohet se turistët mund të kalojnë natën, kurse sa i përket restauranteve, ata kanë spikatë “Mullixhiu”, duke e vendosur të parin në këtë listë.

New York Times shkruan se te “Mullixhiu” mund të provojnë ushqim tradicional dhe shumë të veçantë në lloj, shije dhe aromë. Gjithçka e gatuar në këtë restaurant është e stinës, dhe New York Times përmend jufkat që serviren me kërpudha, sallatën e argjinareve dhe shumë të tjera. /KultPlus.com

Shenjat e atyre që s’kanë pasur dashuri në vegjëli!

Ka qëndrime, sjellje karakteristike që zbulojnë njerëz që nuk janë dashur si fëmijë. Angela Osvalt, Ph.D argumenton se “fëmijët, përveç ushqimit, veshjeve dhe strehimit, kanë nevojë për diçka tjetër. Mbështetja e tyre kryesore është afektive dhe psikologjike, sepse nëse nuk ndjehen të dashur ata do të tregojnë mangësi afektive si të rritur”.

Truri i fëmijës: vitet e fëmijërisë së hershme janë një periudhë e ndryshimit të shpejtë në trurin e fëmijëve.

Në këtë periudhë lidhjet komplekse të rrjetit janë formuar me ritme gjithnjë e më të shpejta. Formimi i neuroneve të trurit, një proces i njohur si myelination, përfundon në 80% nga mosha katër vjeçare. Me fjalë të tjera, truri i të ardhmes së të rriturve është pothuajse tërësisht i përfunduar.

Sipas shumë shkencëtarëve, nënndërgjegjja njerëzore dikton rreth 95 për qind të sjelljes sonë.

Kur bëhet ky “programim I nënndërgjegjeshëm”? Në thelb nga lindja deri në 6 vjet. Çfarë do të thotë kjo?

Peg Streep, një psikolog i Nju Jorkut, shpjegon marrëdhëniet midis fëmijërisë së hershme dhe jetës së të rriturve: “Ndërsa është e vërtetë që përvoja e fëmijërisë është e ndryshme nga fëmija tek fëmija … ende ka pasoja të mëdha dhe të dokumentuara që mund të bëhen mbi efektin e përvojave të jetuara nga secili fëmijë.

Ato janë esenciale për të kuptuar se si fëmijëria ka formuar personalitetin dhe sjelljen”.

Ne shohim 7 pasoja tipike që ndodhin kur një fëmijë nuk ka mbështetje të duhur psikologjike dhe emocionale.

1 – MUNGESA E BESIMIT

Zhvillimi i një ndjenje besimi në një nivel individual kërkon një mjedis të qëndrueshëm të jashtëm. Gjatë fëmijërisë, është thelbësore që njerëzit rreth fëmijës të jenë të balancuar dhe të transmetojnë besim.

2- INTELIGJENCA E ULËT EMOCIONALE

Fëmijët mësojnë të interpretojnë emocionet kryesisht nëpërmjet komunikimit të përbërë nga fjalë dhe gjeste. Që të dyja luajnë një rol vendimtar për të ndihmuar fëmijën të shprehë ndjenjat e tij, të menaxhojë frikën, të kuptojë emocionet negative dhe të zhvillojë elasticitetin. Pa mbështetjen e duhur të durimit dhe dëgjimit, fëmija mund të mos jetë në gjendje të zhvillojë një inteligjencë emocionale si i rritur.

3- MUNGESA E VETEVLERESIMIT

Për fat të keq, fëmijët që rriten në një mjedis të pakujdesshëm kurrë nuk zhvillojnë një ndjenjë të shëndetshme të vetëvlerësimit. Një fëmijë i padëshiruar pothuajse me siguri do të ndiejë një mungesë të vetëvlerësimit, e cila shpesh rezulton në një ndjenjë të pajustifikuar të dështimit.

4- MARREDHENIET TOKSIKE

Truri i njeriut mëson kryesisht nëpërmjet shoqërimit dhe njohjes së modelit. Ata që jetojnë në mjedise toksike, domethënë në mjediset me qetësi të prishur, do të priren që të rriten të kërkojnë të njëjtin model social dhe të marrëdhënieve.

5- SIGURIA E PËRHERSHME

Çdo ekspert i shëndetit mendor do të pajtohet që një mjedis pozitiv jashtë shtëpisë ndihmon, të paktën deri në një farë mase, të neutralizojë negativitetin që gjendet brenda shtëpisë. Por këtu lind pyetja spontane: nëse një fëmijë nuk gjen mbështetje dhe brenda shtëpisë së tij, si do t’i besojë dikujt jashtë saj?

6- DEPRESION DHE ANKTH

Jo çuditërisht, fëmijët e padëshiruar shpesh përballen me probleme të këtij lloji. Depresioni dhe ankthi janë dy problemet më të zakonshme të shëndetit mendor në botë. Dhe shanset e një të rrituri në zhvillim, rriten ndjeshëm kur ai ka një të kaluar me mungesë dashurie.

7 – SUPERNDJESHMERIA

Të gjithë e kemi dëgjuar fjalën “Mos i trego gjerat personale”. Por kjo është gjendje e atyre që janë rritur në një mjedis të ftohtë dhe të vështirë dhe si një i rritur ndonjëherë vuan çdo situatë ose episod në të cilin ndjeshmëria individuale testohet ashpër. Gjithkush ka mënyrën e vet për të treguar dashuri për fëmijët; por është duke treguar dashuri – pavarësisht nga metoda – themeli për pjesën tjetër të jetës së tyre. / KultPlus.com

Adelina Paloja dhe Lule Elezi u prezantuan me koncert në Lecco të Italisë

Në 40 vjetorin e çmimit Nobel për Paqe të Shën Nënës Terezë, në Komunën Lecco të Italisë është mbajtë një koncert nga Adelina Paloja, e përcjellë nga pianistja Lule Elezi.

Dy artistet kanë njoftuar se ky koncert ishte një përjetim i rrallë, ku u prezantuan arie nga: F.Schubert, A.Catalani, L.Antoni/G.Tukici, A.Mula, G.Puccini.

Kjo mbrëmje artistike është mbajtur nën patronatin e “Konzulati i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Milano”, “Shoqata kulturore e humanitare Stublla”, “Konzulati i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë në Milano”, “Komuna e Lecco-së”…/KultPlus.com

Më 10 shtator 1922 u bë shpallja e Autoqefalisë së Kishës Ortodokse Shqiptare nga Fan Noli

Më 10 shtator 1922 u realizua shpallja e Autoqefalisë së Kishës Ortodokse Shqiptare nga Fan Noli dhe klerikët ortodoksë shqiptarë në Kongresin kishtar të Beratit, një nga ngjarjet madhore të Kombit.

Ky kongres plotësoi aspiratat e ortodoksëve shqiptar, sepse vendosi përfundimisht pavarësinë e Kishës Ortodokse Shqiptare, të drejtën e zgjedhjes së Kryepeshkopit dhe të klerikëve të lartë me gjuhë e gjak shqiptari dhe përdorimin e gjuhës shqipe në kishë.

Me vendimin Nr. 807 të datës 18. 09. 1922 Këshilli i Ministrave bëri njohjen zyrtare shtetërore të vendimeve të Kongresit të Beratit dhe i miratoi ato plotësisht, sepse ishin mbështetur në parimin e pavarësisë. /KultPlus.com

Aktivitetet kulturore për folklorin dhe kulturën shqiptare do të vazhdojnë edhe këtë vit në Greqi

Ministri i Shtetit dhe Diasporës, Pandeli Majko, ka bërë të ditur se edhe këtë vit do të vazhdojnë aktivitetet kulturore për promovimin e folklorit dhe kulturës shqiptare në Greqi, shkruan KultPlus.com


“Aktivitetet kulturore për të promovuar folklorin dhe kulturën shqiptare do të vazhdojnë edhe këtë vit në Greqi. Shoqata shqiptare “Emigranti”në Patra ka bërë të ditur se në datën 29 shtator organizon një event kulturor me pjesë të këngëve dhe valleve nga zona të ndryshme të Shqipërisë. Për vitin 2019-2020, kjo shoqatë ka planifikuar organizimin e disa aktiviteteve të tjera me qëllim ruajtjen e traditave tona jashtë trojeve shqiptare”, ka shkruar Majko në Facebook.

Shoqata e Filozofëve të Kosovës po përgatitet për numrin e tretë të revistës “Agora Philosophia”

SHFK, po realizon pregatitjet e fundit për publikimin e numrit të tretë të revistës “Agora Philosophia”, me ç’ rast bëjnë thirrje edhe për të ju dërguar punime të ndryshme filozofike, shkruan KultPlus.com

“Të nderuar miq,

Ju njoftojmë se SHFK është në pergatitje e sipër të numrit të tretë të revistës Agora Philosophia.
Të gjithë të interesuarit mund t’i dergojnë artikujt e tyre për botim deri me 1 nëntor, të vitit 2019. Temat qëndrore të numrit të radhës janë “Lufta dhe Paqja” dhe “Radikalizmi: një perspektive filozofike”, poashtu në këtë numër mund të përfshihen edhe përkthime, recensione dhe të ngjashme.”, thuhet në njoftimin e tyre.

Gashi: Kulla e Azem Galicës, pishtar i lirisë

Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi inspektoi punimet që po bëhen për restaurimin dhe konsolidimin e Kullës së Azem Bejtës, në Galicë të Vushtrrisë, të cilat po bëhen nën koordinimin dhe monitorimin e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Mitrovicë.

Me këtë rast, siç njofton kumtesa për media, Gashi vlerësoi punimet që po realizohen në projektin që MKRS-ja po financon në kuadër të revitalizimit të Kullës.

Ai tha se “Ruajtja e monumenteve të rëndësishme historike të Republikës së Kosovës, do të mbetet përkushtimi i imi edhe në të ardhmen. Kulla e Azem Galicës, e ndërtuar në fund të shek. XIX, ishte djegur tri herë. Ajo ishte kullë fortesë dhe qëndrimi i përhershëm i komandantit në të, i dha popullit zemër dhe trimëri të shumëfishtë, me ç ‘rast u ngrit morali luftarak”.

“Në këtë kullë mbaheshin mbledhje dhe kuvende të rëndësishme, u morën vendime historike, andaj kjo kullë u bë pishtar i ndezur i lirisë”, shtoi tutje Gashi./KultPlus.com