Intelektualja shqiptare

Poezi nga Petraq Kolevica

O grua intelektuale shqiptare!
Sa himne mund të thuren për ty!
Poezia, piktura, muzika, simfonia,
nuk t’i këndojnë dot ato vetija
ty, që lexon e mëson duke larë e
shpëlarë, duke të qarë fëmia.
Ty, që jep provime, mbron tema,
doktorata, me orë të ngrëna nga nata.
Shpesh je shtrënguar librin ta mbash në
dorë, gjellën duke trazuar.
Mbete duke nxituar për të shkuar 
në punë, në Institut, në zyrë.
Herët zgjohesh po kohë s’ke, kur krihesh,
të shihesh në pasqyrë.
Nxiton të kthehesh në shtëpi, po rrugës
ndal e ble ç’arrin të gjesh.
Shpesh, tok me çantën lustrafin, mban
edhe rrjetën me presh…
Pa vimë ne pastaj, burrat e martuar,
të shkolluar,
kërkojmë këmishë të kollarisur,
kostum të varur në kremastar,
shaminë të hekurosur, palosur, vendosur në sirtar.
Po, kur s’i gjejmë kështu,
i varim buzët të inatosur dhe prej asaj
buze lëshojmë romuze.
Ti dëgjon e shkon kokulur e mbyllesh në banjë e qan
dhe para se të dalësh fytyrën lan, që të mos kuptohesh.
Ti kur të gjitha i mbaron, natën vonë, gjen qetësinë.
Ulesh në tavolinë e lexon, studion e shkruan referate
dhe veten e ndjen fajtore, kur ndonjë nate,
këputur nga lodhja, të mbërthen gjumi në divan…

Vjeshtë, 1980 /KultPlus.com

Harold Bloom: Poezia kundër dhunës

Intervistë me kritikun Harold Bloom
Poezia kurë për dhunën, burim mendimesh, antihelm për melankolinë dhe mur kundër rrëshqitjeve politike. Nuk bëhet fjalë për ndonjë armë të re sekrete psikologjike apo ushtarake, por flitet për poezinë. Veç kësaj për të flet  profesori i Yale University, kritiku i madh Harold Bloom, i cili para ca kohësh botoi antologjinë  “Vjershat më të bukura të gjuhës angleze” (The Best Poems of the English Language). Vetëm atij, mbase kritiku më i njohur letrar në botë, mund t’i lejohej një provokim i këtij lloji: propozimin e poezisë si ilaç universal  ndaj së keqes botërore, ndërsa njerëzimi kërcen në skajin e një lufte epokale. Gazetari italian i gazetës “La Stampa”, Paolo Mastrolilli, i mori një intervistë me dilemën;  a ia vlen ende botimi i një libri me 972 faqe, në të cilin përmblidhen poezitë më të mira shkruar në anglisht, që nga Geoffrey Chaucer lindur, më 1343 e Hart Crane i datëlindjes 1899. “Është antologjia -shpjegon Bloom- që kam ëndërruar gjithmonë ta kem. Pak faqe me komente e shumë literaturë, kjo që më ka shoqëruar e gjallëruar ekzistencën time qysh kur isha dymbëdhjetë vjeç”
•    Ju shkruani se në çaste jo të këndshme recitoni me zë të lartë “Odisean” e Alfred Tenyson-it:  a vërtetë poezia në shoqërinë e shfrenuar të sotme, mund të ketë ende këtë funksion balsami e katarsi?
•    Justifikimi kryesor për studimin e letërsisë imagjinuese, Biblës, Shën Agostinit, Petrarkës, Dantes, Shekspirit, Tolstoit, Servantesit, Manzonit, është pikërisht këtu, për të luftuar depresionin dhe melankolinë, për të kuruar dhunën. E me që ra fjala, askush nuk e kuron dhunën si Dantja.
•    Libri yt fillon me një esse të titulluar “Arti i të lexuarit të poezisë”; si mësohet ky art?
•    Duke bërë atë që u kërkoj edhe studentëve të mi. I ftoj të zgjedhin një poezi, ta lexojnë me zë të lartë e pastaj në heshtje për një javë, pastaj të vinë tek unë për ta recituar pasi ta kenë mësuar përmendësh. Vetëm pas këtij asimilimi të plotë, që të godet në zemër, (veçse duhet orientuar edhe nga një njohje kritike e tekstit), mund t’i kuptojmë në thellësi vlerat e letërsisë imagjinuese.
•    Me mësua poezi përmendësh në shkollat e sotme?
•    Arsyeja kryesore e devijimit politik në Shtetet e Bashkuara qëndron në faktin se nuk mësojmë më të lexojmë. Xhorxh Bush është nga presidentët më të këqij të historisë së vendit dhe qeverisja e tij është më e tmerrshmja nga të gjitha pikëpamjet : politika e jashtme, ajo e brendshmja, sociale e kulturore. Më vjen keq të theksoj se ai është laureuar në Universitetin tim ; është një gjysmë analfabet dhe besoj se nuk ka lexuar kurrë gjatë jetës së tij një libër nga kreu deri në fund. Fakti i të qenit president, sigurisht që do të thotë shumë për kombin tonë. Ndoshta poezia mund ta kuronte do t’ia mënjanonte prirjen që ka për dhunë.
•    E çfarë mund të kuronte kjo te terroristët?
•    Të njëjtën gjë. Ata vijnë nga një vend me traditë të madhe kulturore. Kurani është një vepër e jashtëzakonshme poetike. Për fat të keq ata kanë preferuar ta lexojnë në manierën libreske duke ndjekur interpretimin e egër “wahabi” (sekt fetar myslyman. NGj.).
•    Vërtetë poezia mund sjellë në vete marrëzinë që duket sikur po i vjen vërdallë botës?
•    Nuk ka mundësi të mendosh në mënyrë korrekte pa i besuar kujtesës. E në qoftë se në kujtesë nuk kemi kujtimet e faqeve më të mrekullueshme që ka shkruar njerëzimi, mendimet tona do të bjerrin në mënyrë të pashmangshme. Provo ta lexosh me seriozitet Makiavelin, jo veç ta shfletosh përmbledhtas, e do të kuptosh se çfarë është në të vërtetë republika. Por fatkeqësisht në Shtetet e Bashkuara nuk lexojmë më, sepse të gjithë e fyejnë korrektesën në politikë, ndërsa në Itali nuk lexoni më se  jeni dhënë pas “vocational traning” (kurseve të kualifikimit), studimeve mbi teknologjinë dhe pas biznesit.
•    Sidoqoftë gjendet një mbështetje që poezia në Amerikë është ende e gjallë, p.sh falë muzikës rap.
•    Të lutem, i dashur, mos thuaj kësi gjërash. Njëherë mblodha tekstet e këngëve të Bob Dylan-it, njeri me kulturë të mirë dhe i kërkova nëse i pëlqenin. M’u përgjigj se nuk i lexonte kurrë lirikat e veta, por lexonte ato të Wallace Stevens. Ky vendim duhet të vlejë për të gjithë. Rap-i, fenomeni hip-hop janë akti i vetëzgjedhur më i tmerrshëm që kanë bërë afro amerikanët, e për fat të keq është duke u bërë popullor edhe jashtë nesh. Me Jazz-in kanë krijuar një nga shprehjet kulturore  më të mira në botë dhe nuk kuptoj se pse ia kanë kthyer shpinën. I njëjti diskutim vlen edhe për librat e Harry Potter, për të cilin jam lodhur së debatuari : shpresoj që historia të më japë të drejtë, e në të ardhmen fëmijët të kthehen për ta lexuar Alice të Lewis Carroll. Nuk dua të kthehem që të flas për autorët popullor si Stephen King. E keqja duket fitimtare.
•    Antologjia jote ndalon më 1899, pas këtij viti nuk ka pasur më poezi?
•    Përkundrazi, ka pasur shumë; nga Elizabeth Bishop tek afroamerikani Jay Wright. Veçse problemi është se  poezia sot diskutohet mbi baza politike, ideologjike, ngjyra e lëkurës e tendencat seksuale të autorit. Nëse nuk do ta kisha shmangur Nëntëqindtën, të gjithë do të më kishin kritikuar pse nuk e kisha vënë filanin, këtë apo atë, për arsye krejt personale e jo për vlerat e krijimeve të tij. Për këtë kam parapëlqyer ta shmang edhe pse është një dëm i madh.
•    Cilat janë karakteristikat që e bëjnë një poezi të madhe?
•    Forca e njohjes, meritat estetike e dituria. Kjo, për arsye, se tek e fundit nga letërsia të gjithë shpresojmë se kemi fituar diçka në termin e diturisë.
•    Ju shkruani se një lirikë e madhe duhet të trashendojë vërtetë kohën e saj: Si i bëhet që ta njohë këtë lexuesi?
•    Marrim Montale.  Me qartësi poezitë e tij thonë gjithçka mbi atë që përcakton të jetuarit në epokën e fashizmit e të nazizmit, e megjithëkëtë kanë një gjenialitet trashendent. Letërsia gjashtërrokëshe e Dantes ose e Petrarkës nuk vdes kurrë, sepse kohë pas kohe na mëson diçka të re. Besoj se e kam lexuar i Promessi  Sposi mbi 25 herë e nuk më ka mërzitur kurrë: Manzoni është autori më i nënvleftësuar në botën anglosakone, e pra ai meriton të renditet ndër dhjetë shkrimtarët më të mirë të shekullit të tij.
•    Kush tjetër të pëlqen nga tradita italiane?
•    Listë e gjatë dhe e vështirë. Dante, Petrarca, pa të cilët nuk do të ekzistonte një pjesë e madhe e letërsisë angleze, Tasso, Boiardo, Ariosto, Sannazzaro, Leopardi, Foscolo, Montale, Ungaretti, Saba, Quasimodo, Dino Campana e tashmë folëm për Manzonin. Nëse do të heshtni së lexuari këta autorë, siç dëgjoj të thuhet, bëni një veprim vandal, një tragjedi kulturore.
•    Në antologjinë tuaj i keni kushtuar Shekspirit  (Shakespeare) vetëm dy faqe koment. Pse?
•    Është e pranueshme se kam thënë gjithçka te Shekspiri. “Zbulimin e njeriut”. Kam pëlqyer t’i lë hapësirë teksteve të tij.
•    Por keni shkruar se, mbase, Tolstoi e kritikonte nga zilia.
•    Tolstoi është një autor i madh, që zotëronte aftësinë të bënte të dëgjueshëm zërin e natyrës në veprat e tija. Në këtë pikë vetëm Shekspiri ishte më i zoti se ai e, mbase, për këtë arsye e kam nënvizuar, konkretisht te “Mbreti  Lir” në veçanti. Dhe mendoni që me atë vdekjen në stacionin e trenit, duke u larguar nga familja, Tolstoi ka bërë pikërisht fundin e Lirit.
•    Ju digjni Edgar Allan Poe dhe Ezra Pound, ndërsa promovoni Uollt Uitmanin (Walt Whitman) si poetin më të mirë amerikan. Pse?
•    Edhe më tepër. Sipas meje, Uitman është poeti më i mirë që ka krijuar Bota e Re. Është demokrat dhe i hapur, por në të njëjtën kohë edhe kompleks e novativ. Ka shpikur gjuhën moderne të poezisë amerikane. Si Manzoni për Italinë, me romanin e tij pjellor. Gjininë e letërsisë që duhet ta kemi në kujtesë për të kuruar dhunën e për të ndaluar rënien.

Përgatiti: Ndue Gjika /Revistaletrare /KultPlus.com



Silvia

Nga: Carlos Fuentes

E para dhe e fundit, thotë Gerard de Nerval te poezia e mrekullueshme «Artemisa»…
«Et c’ést toujours la seule – ou c’ést le seul moment*»…
Nëse gjithë femrat që kam dashur do të përmblidheshin në një të vetme, do t’i përfshinte të gjitha ajo, do të ishte ajo, e vetmja grua që kam dashur përgjithmonë. Ato të gjitha janë yje, por Silvia është vetë galaksia. Ajo i rrok të gjitha. Ajo është bukuria, kënaqësia erotike, por edhe thjesht mrekullia për të qenë së bashku, për të ngrënë, për të fjetur dhe për t’u zgjuar së bashku, për të shëtitur dhe udhëtuar së bashku, për t’i pasur miqtë së bashku, për t’i ndarë të gjitha së bashku mëdyshjet, planet, të metat, gabimet, dashurinë; duam dhe atë që mund të mos na pëlqejë apo të na pezmatojë në personalitetet dhe sjelljet tona. E përbashkët kënaqësia për të pasur fëmijë dhe hidhërimi për t’i humbur ata. Të përbashkëta kujtimet, respekti për të shkuarën dhe shijet e ndryshme. Bashkëpërmbushja profesionale, intelektuale dhe emocionale: jemi të ndryshëm, por secili i jep tjetrit diçka që të mos i mungojë më, në mënyrë që e imja ndikon tek ajo, ashtu siç ndikon e saja tek unë. Ndërthurje gjenealogjish, miqësish, qytetesh të preferuara; vogëlima shkëlqimtare të ngrënash, restorantesh; pasioni ynë i përbashkët për kinemanë, teatrin, operën. Çdo gjë që na bashkon, madje edhe ajo që mund të na ndajë, kthehet në një pikë takimi, hetimi dhe në fund bashkimi. Fizikisht jemi shumë të ndryshëm. Ajo është delikate, vajzë e çlirët, bionde dhe me ca sy sensualë që ndërrojnë nga e kaltra në të gjelbër apo në gri, sipas kohës. Pamja e saj është europiane, por cipën e ka të brymtë, me një vezullim të bukur oriental. Shija e saj për t’u veshur është e jashtëzakonshme dhe më kënaq. E dua, sepse unë jam njeriu më i përpiktë mbi këtë tokë dhe ajo, me përpikëri, mbërrin gjithnjë me vonesë. Është pjesë e magjisë së saj. Të bën të presësh. Europianët e shekullit XVII prisnin që vdekja t’u vinte nga Spanja, në mënyrë që të arrinte sa më vonë. Jo, mua dhe asaj na mbërriti shpejt, kur humbëm Karlosin. Të bashkuar përgjithmonë, na erdhi një vdekje që na bashkoi më shumë se kurrë. Ajo e ka pranë Karlosin çdo çast. Mua, më pak i ndjeshëm apo më burracak, më është bërë zakon ta thërras tim bir, me një forcë që vetë mua më habit, gjatë kohës kur shkruaj. Ky është momenti kur im bir vjen pranë meje dhe ndiej se gjatë përpjekjes sime të përditshme për të shkruar, ai e përmbush qëllimin e tij të cunguar. Kësisoj ndodh që gjithçka zgjatet dhe kthehet për t’u mishëruar në bashkimin e një çifti. Ka thënë Apolineri se ka nga ata që vdesin për të qenë të dashuruar. Në rastin tonë, biri ynë është gjallë, sepse dashuria që na bashkoi (Silvian, Karlosin dhe mua) është e gjallë në jetët tona. Ama është ajo, gruaja, e cila zbulon aftësinë për ta bërë dashurinë të veçantë dhe përfshirëse. Është ajo, Silvia, e cila kurorëzon ngrohtësisht përpjekjen time vitale për t’i kushtuar vëmendje seksuale, erotike, politike, letrare. Tregohu i vëmendshëm, ndryshe nuk do të kesh të drejtë që të të dua dhe të më duash. Miku ynë i shtrenjtë argjentinas, Tomas Eloi Martines, kur humbi gruan e tij të bukur, Suzana Rotker, shkroi një rekuiem të fuqishëm dhe të dhimbshëm, që përfundonte kështu: «Do të jepja gjithçka jam dhe gjithçka kam për të qenë në vendin e saj. Sa do të doja ta shihja të plakej! Sa do të doja që ajo të shihte vdekjen time!».
Një çift nuk e di se cili do ta përcjellë tjetrin apo nëse do të vdesin së bashku. Veç ai që mbetet pas nuk do të jetë thjesht një i pikëlluar, por një përfaqësues i vdekjes. Dashuria që vazhdon edhe pas vdekjes quhet eros. Ajo vazhdon edhe pas netëve, ditëve dhe viteve me gjallje, kur nuk është më, por vetëm përmes imagjinatës erotike. «Erotizëm do të thotë ta miratosh jetën deri në vdekje», thotë Georges Bataille te romani i shkrimtares britanike, Emily Bronte, «Maja të stuhishme». Seksualiteti të çon drejt vdekjes, sepse të riprodhohesh do të thotë të zhdukesh. Të kuptosh këtë do të thotë të kuptosh jetën erotike pas zhdukjes së çiftit. Të kuptosh këtë do të thotë t’i shtosh në maksimum marrëdhëniet seksuale të së tashmes, duke u zbrazur, erotikisht, gjithë kohën dhe në çdo moment, që fizikisht s’ka për t’u kthyer më.
Pra, vallë a nuk duhet pasur edhe në dashurinë më të plotë një paraprirje humbjeje që ta intensifikojë të tashmen?
Nganjëherë, duke parë Silvian që fle, do të doja t’i vidhja emrin, pamjen, përvojën dhe të qenit zot absolut i ekzistencës së saj, rojtari xheloz i të fshehtave të saj. Pa atë, vetëm e përfytyroj dashurinë përpara një pasqyre që dridhet nga kujtimet. Kthehem i nxituar, i shqetësuar dhe i uritur pranë saj. E tratoj trupin e saj si të ishte imi. Me Silvian mësoj të jem, i apasionuar e njëherazi ta respektoj trupin femëror të bashkuar me trupin tim. E lëvdoj vetëm në emër të përsosmërisë që i dhuroj, edhe pse nuk është, dhe që ajo ma ofron, edhe pse nuk e shikon.
Çdo natë lë një shënim të padukshëm mbi nënkresën e saj që thotë: «Sa më pëlqen!»
Gratë janë udhëtare të agimit. Secila prej tyre është bartëse e një fati të ndryshëm. Fati im ka qenë të gjej Silvian dhe ta kthej fatin tim në të sajin.
—————————————————-
*Dhe është përherë e vetmja – apo është i vetmi çast…

Përktheu: Bajram Karabolli

Shkrimtari i shquar meksikan Karlos Fuentes dhe miku më i afërt i nobelistit Gabriel Garsia Markes, kaloi një fëmijëri dhe adoleshencë të gëzuar. Por jeta e tij familjare qe e mbushur, njëherazi, me lumturi e dhimbje. Fuentesi shquhej për bukurinë e tij mashkullore dhe shijen e hollë për t’u veshur, gjë që bëri të adhurohej prej femrave të kohës dhe sërës së tij. Më 1958, kur ishte 30 vjeç, Fuentes ra në dashuri me aktoren e famshme meksikane Rita Masedo (María de la Concepción Macedo Guzmán), e cila ishte tre vite më e madhe dhe që la burrin e dytë për shkrimtarin e ri simpatik. Bashkë patën një vajzë. Edhe pse Fuentesi e donte shumë, Rita divorcohet (1969) për shkak të tradhëtive të tij me të tjera femra. Rita, më 1993, kur ishte 67 vjeçe, vret veten, pasi merr vesh se ishte me kancer. Kjo e plagosi Karlosin.
Po atë vit (1969) Karlosi martohet me aktoren amerikane Jean Seberg që ishte dhjetë vjeçe më e vogël. Pas një romance intensive, por të shkurtër, pas pak muajsh ata ndahen. «Ishte brilante, inteligjente, e bukur… ishte një femër mjaft vunerable.», thotë Fuentes për të. Më 1979, kur ishte ende 41 vjeçe, edhe Jean Seberg i jep fund jetës, duke gëlltitur një mbidozë barbirutikos.
Më 1971 Fuentes humbet të atin, me të cilin ishte i lidhur shumë. Por, po atë vit u njoh me gazetaren Silvia Lemus, gjë që do ta quaj ngjarje vendimtare në jetën e tij. Pas një viti u martuan. Bashkë patën dy fëmijë: Karlosin dhe Natashën. Më 1999, kur sapo kishte mbushur 25 vjeç, biri i tyre, Karlosi, që vuante prej hemofilisë qysh i vogël, vdes. Dhimbjen për të Fuentes e tregon tek eseja e mësipërme. Por fatkeqësia nuk do të mbaronte këtu. Më 24 gusht të 2005-s, në gazetat e mbrëmjes njoftojnë se diku pranë lagjes Tepito të kryeqytetit qe gjetur trupi i pajetë i vajzës së Karlos Fuentes. Natasha sapo kishte mbushur 30 vjeçe.
Në tekstin kushtuar fëmijëve të tij, shkrimtari do të shkruajë për Natashën: «Ishte një vajzë lojcake, e gëzuar, plot imagjinatë dhe humor. Iluzioni i madh i një prindi është që bija e tij të jetë përherë një burim dashurie dhe përherë ta shikojë në sallon duke kërcyer…»
Tre vjet pas vdekjes së Karlos Fuentes (2012), Silvia Lemus prezantoi librin me kujtime për të shoqin, me titull “Shkrime dhe përshkrime”.

Shënime të përkthyesit /KultPlus.com

Si u realizua fotoja e famshme me gjuhën jashtë e Albert Ajnshtajnit

Ajo është ndër fotot më të njohura të gjeniut të fizikës, me gjuhë jashtë, si të ishte një personazh komedian e jo njeri i ftohtë i shkencës. Eshtë tërësisht origjinale e jo ndonjë truk.

Fotografia i përket ditëlindjes së 72-të të fizikanit të famshëm. Konkretisht, miqtë dhe kolegët përgatitën një festë në 14 mars 1951 në Klubin Princeton.

Mbërritën shumë mysafirë, si dhe fotografë të mediave. Aty, Ajnshtajni takoi fotografin profesionist Arthur Sasse, i cili i bëri disa foto.

Festës i erdhi fundi dhe profesori i lodhur u drejtua drejt makinës. Sasse iu përgjërua edhe për një foto tjetër. Ajnshtajni reagoi ndaj tij duke i nxjerrë gjuhën me humor dhe kështu u krijua fotoja e lavdishme.

Arthur Sasse i dërgoi disa kopje të të gjitha fotove që kishte realizuar në festë dhe Ajnshtajni menjëherë “u dashurua” me foton tani legjendare, duke porositur nëntë kopje.

Fizikanti i famshëm e përdori këtë foto në të gjitha rastet, gjë që tregon se sa shumë i pëlqeu. /KultPlus.com

Kaosi dhe zhurma në rrugët tona, pasqyrojnë gjendjen tonë shpirtërore dhe primitivizmin

Ndue Ukaj

Kaosi dhe zhurma në rrugët tona, pasqyrojnë gjendjen tonë shpirtërore dhe primitivizmin e madh që mbretëron mes nesh. Dhe këtë e vëren gjithsecili që ngas makinën ose ec rrugëve, ku sheh njerëz plot nerva dhe një atmosferë të shëmtuar e krejtësisht kaotike.

Ne e kemi gojën plot kritika kundër të tjerëve- sidomos kundër politikës – por sapo vetë sprovohemi në çështje të etikës publike, bëhemi shkelës të çdo etike e rregulli publik.
Kjo mendësi pastaj bartet në çdo fushë të jetës publike.
Në trafik, përditë e tregojmë mosedukatën tonë, tregojmë kush jemi, dhe me siguri, për këtë s’ i ka fajet askush, përveç shpirtit tonë egoist, që s’ çan kokën për rend, rregull dhe interes të përbashkët.
Rrugët tona janë imazhi ynë, ku shpërfaqet pakujdesia, kaosi dhe zhurma e çmendur që mbretëron mes nesh.

Në rrugët tona pak kush çan kokën për tjetrin. Po, sepse në rrugët tona, njeriu ndalet ku të mundet, pa u interesuar fare ç’ pengesa u shkakton të tjerëve, dhe, nëse rastësisht i mbetet ndonjë qese plastike a copë bërllok, pa fije turpi e hedh kudo që të mundet.

Një perëndimor që vjen në Prishtinë dhe shëtit me veturë ose në këmbë – hiç më shunë se një orë – e sheh të vërtetën e popullit tonë, varfërinë shpirtërore, moskujdesin, dhe s’ ka nevojë për asnjë informacion shtesë politik e institucional, që të kuptojë sa vlejmë ne dhe sa kujdesmi për të mirën e përgjithshme.

Pra, e keqja në Kosovë s’është vetëm “privilegj” i elitës, i të njohurve dhe pushtetarëve, ose i “atyre” të tjerëve, siç na pëlqen të kukurisim, por e të githëve dhe mbretëron kudo mes nesh./KultPlus.com

Slash thotë se “Guns N’ Roses” nuk janë të sigurt si do ta publikojnë muzikën e re

Slash konfirmoi në një intervistë të re se “Guns N’ Roses” janë ende duke punuar në albumin e tyre të ardhshëm – por ata thjesht nuk janë të sigurt se si do ta publikojnë atë.

“Nuk ka asnjë përgjigje definitive për asgjë, dhe do të mbetem me kaq”, tha kitaristi për Guitar.com gjatë panairit të fundit NAMM (National Association of Music Merchants). “Gjërat po ndodhin, por nuk ka specifika. Më e rëndësishmja është për shkak të natyrës së industrisë tani. Është sikur, si dëshironi ta bëni këtë? Ka materiale dhe ka regjistrime dhe gjërat po ndodhin, por nuk jemi të sigurt se çfarë po bëjmë me të tani”.

Nëse “Guns N’ Roses” i publikojnë këngët si LP-në e tyre të shumëpritur të gjashtë, ky do të jetë albumi i parë i bendit që nga albumi i tyre i vitit 1993, “The Spaghetti Incident?”, ku shfaqet formacioni i tyre pjesërisht i ribashkuar me Slashin, këngëtarin Axl Rose dhe basistin Duff McKagan. (Rose e mblodhi një formacion të ri për albumin e shumështyrë të vitit 2008, “Chinese Democracy”.)

Duke pasur parasysh ndryshimet thelbësore në industrinë e muzikës që nga qëndrimi i tyre i fundit në studio, “Guns N’ Roses” po debatojnë se çfarë forme duhet të marrin këngët e tyre. “Janë disa njerëz që thanë: “Po, bëni një album në mënyrën e vjetër”, tha Slash. Dhe ka disa njerëz që thonë, “Ne as që e dimë se çfarë do të thotë të blesh album (fizik)”, shkruan KOHA Ditore.

“Guns N’ Roses” e kanë paralajmëruar një projekt të ri shumë herë gjatë vitit të kaluar, megjithëse ata kanë mbetur të paqartë për përparimin e tyre. Slash vuri në dukje shkurtin e kaluar se “ka materiale dhe gjëra që po ndodhin”, dhe shtoi në prill se “ka pasur kaq shumë thashetheme për këtë album të “Guns N’ Roses”, me të cilin nuk kemi bërë asgjë. Pra, do të përqendrohemi në të”.

Turneu i bendit 2020 fillon më 31 janar në Bud Light Super Bowl Music Festival në Miami, i pasuar nga një seri koncertesh në Amerikën e Jugut, Evropë dhe Mbretëri të Bashkuar. /KultPlus.com

Botohet libri “Edukimi mjedisor për zhvillim të qëndrueshëm” i Skënder Sylajt

Ka dalë nga shtypi libri shkencor me titull “Edukimi mjedisor për zhvillim të qëndrueshëm”, me autor Skënder Sylaj, profesor universitar dhe ekspert i fushës së sigurisë e të mjedisit. Arsyen e angazhimit shumëvjeçar në trajtimin shumëdimensional të kësaj çështjeje, ai e ka arsyetuar veç tjerash me faktin se edukimi mjedisor është lënë në margjina, se është investuar pak në adresimin e faktorëve që kërcënojnë mjedisin e edhe më pak në mbrojtjen e tij. Ka argumentuar se si qasja më serioze shkencore dhe institucionale mund të ketë ndikim të madh në zhvillimin e qëndrueshëm të shoqërisë.

“Ruajtja e mjedisit jetësor nuk duhet të jetë vetëm disiplinë biologjike në kuadër të së cilës mësohet për ekologjinë-mjedisin, si dhe nuk duhet lënë anash dimensionet dhe aspektet e tjera, pedagogjike, sociologjike, etike, filozofike, juridike, ekonomike, shëndetësore. Ai nuk është problem i izoluar, por fushë për të cilën kanë interes shumë shkenca dhe e tërë shoqëria. Pritjet bazohen në zhvillimet e përgjithshme shoqërore, si dhe në përparësitë që sot i jepen përparimit mjedisor”, ka shkruar ai në njërin nga konkluzionet e studimit – librit.

Ndërsa, në parathënie ndër të tjera ai shkruan se si procesi i edukimit mjedisor e kapërcen teorinë dhe se si duhet të dalë jashtë institucioneve shkollore, meqë prek mënyrën individuale dhe kolektive të të vepruarit.

“Duke edukuar gjeneratat e reja për mbrojtjen e mjedisit jetësor do të kemi një ndër­gjegjësim të mbarë qytetarëve, të cilët nuk do të pajtohen me mënyrën se si hidhen hedhurinat dhe plehrat e ndryshme vend e pavend, si shpërdorohet uji në familje apo si dëmtohen sipërfaqet e blerta në komunitet”.

Në hyrje të librit përmendet edhe të kuptuarit e kësaj dukurie si faktor i rëndësishëm i qëndrimit të të rinjve ndaj mjedisit jetësor.

“Hulumtimet tregojnë se është i madh numri i nxënësve që nuk i kanë të njohura nocionet themelore mjedisore dhe se informimi i tyre në këtë fushë është i pamjaftueshëm, i ngushtë dhe i pjesshëm. Këtu duhet kërkuar shkaqet e qëndrimit të individëve ndaj mjedisit jetësor. Mirëpo, njohuritë për mjedisin në vetvete nuk e përbëjnë vetëdijen për mjedisin. Nxënësi mund të jetë i informuar për degradimin e mjedisit jetësor, por, megjithatë, të mos jetë faktor aktiv për mbrojt­jen e tij. Duhet të kihet parasysh që për formimin e vetëdijes ndikojnë një varg faktorësh që kushtëzojnë që vetëdija mjedisore të mos jetë e plotë”, thuhet aty.

Autori i librit i jep forcë qëndrimit se zhvillim i qëndrueshëm i mjedisit jetësor do të thotë shfrytëzimi në mënyrë racionale i burimeve natyrore mjedisore, me qëllim përmirësimin e jetës së njerëzve tani dhe në të ardhmen.

Në kontekstin e gjendjes së mjedisit në Kosovë, libri në përmbajtjen e tij trajton gjerësisht masat mbrojtëse për tokën, ujin dhe ajrin. Qytetet industriale, por edhe faktorët e tjerë ndotës e shkatërrues shfaqen aty si kërcënim i vazhdueshëm për shëndetin e qytetarëve dhe mjedisin ku jetojnë. Libri në terma shkencorë sjell hollësi edhe mbi rreziqet, përfshirë shterimin e shtresës së ozonit, ndryshimin e klimës dhe pakësimin e biodiversitetit.

Libri me 160 faqe, me botues “Librin Shkollor”, është dokument i rëndësishëm shkencor që mund t’u shërbejë ekspertëve, studentëve, institucioneve arsimore dhe organizatave të specializuara joqeveritare. Ky libër identifikon mjeshtërisht problemet e mjedisit në Kosovë, por shërben edhe si udhërrëfyes për ndërtimin e politikave dhe strategjive për mbrojtjen e mjedisit.

Skënder Sylaj, para nxjerrjes në dritë të këtij libri, ka botuar edhe shtatë libra shkencorë nga fusha e pedagogjisë, sigurisë e mjedisit. Po ashtu edhe dhjetëra artikuj e studime profesionale – shkencore. /KultPlus.com

Galeria e Ministrisë së Kulturës përzgjedh Programin Artistik për vitin 2020

Në bazë të konkursit publik për Programin Artistik të Galerisë së Ministrisë së Kulturës për vitin 2020, i cili ka qëndruar i hapur nga data 01.10.2019-11.11.2019, për të qenë pjesë e repertorit të GMK-së për vitin 2020 kanë aplikuar rreth dyzet artistë/e vendas, nga rajoni dhe më gjerë nga Evropa e Kanadaja.

Ministri i Kulturës në bazë të kompetencave të tij këto ditë ka emëruar Komisionin Artistik, përgjegjës për shqyrtimin dhe seleksionimin e projekteve konkuruese.

Komisioni në përbërje: znj. Shqipe Kamberi – Kryesuese, si dhe znj. Zana Ramadani dhe Arlinda Hajrullahu – anëtare, pas shqyrtimit të projekteve konkuruese dhe në përputhshmëri me politikat kulturore e programore të GMK-së për vitin 2020, në takimin e mbajtur më 22 janar 2020, vendosi për projektet dhe artistët/et që do të ekspozojnë këtë vit në Galerinë e Ministrisë së Kulturës: Faik Krasniqi; Michael Stoeger, Florent Pista, Idlir Koka, Argenita Fetahu, Pranvera Kicaj, Yll Xhaferi dhe Engji Jaha.

Gjithashtu, në bazë të kompetencave ligjore, koordinatorja e GMK-së znj. Dhurata Ramosaj, ka të drejtë që përveq këtyre tetë projekteve të përzgjedhura nga Komisioni, të ftoj për ekspozitë edhe dy artistë të dalluar vendas apo të jashtëm. / KultPlus.com

Margariti: Teatri i Operas dhe Baletit po shndërrohet në hapsirën e ëndërruar nga të gjithë artistët

Ministrja e Kulturës Elva Margariti tha sot se Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit, po shndërrohet në hapësirën e ëndërruar nga të gjithë artistët.

Ministrja Margariti ka inspektuar nga afër punimet që janë drejt përfundimit në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit.

“Po shkurtohen ditët, kur punëtorët do t’ia lënë vendin artistëve të skenës. Ditë pas dite shohim se si ajo gërmadhë, që nuk arrinte të mbante më mbi supe, me emrin e madh të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, po shndërrohet në hapësirën e ëndërruar nga të gjithë artistët”, shprehet Margariti.

Investimi madhor vjen pas 60 viteve për t’u kthyer artistëve një skenë europiane.

“Kjo ndërtesë priti gjatë, plot 60 vjet që nga dita e ndërtimit, që të shihte një investim kaq madhor. Së shpejti ajo do t’i kthehet prapë artistëve e publikut, që do të mund të shijojnë një shfaqje si kudo në Europë, pa u shqetësuar për të ftohtët e dimrit dhe vapën e verës”, tha ministrja Margariti.

Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit është transformuar si nga akomodimi ashtu dhe garancia e parametrave teknikë e profesionalë të akustikës, cilësisë së zërit dhe me një skenë moderne në qendër, falë investimit të qeverisë shqiptare.

Salla e Teatrit të Operas dhe Baletit ka filluar të shfrytëzohet që nga shtatori i vitit 1966 dhe që në fillim janë hasur problemet që lidheshin me akustikën si: intensiteti i ndryshëm i përhapjes së valëve zanore në mënyrë jo të njëtrajtshme në pika të ndryshme (dhe veçanërisht në lozhën qeveritare) dhe dëgjimi i dobët dhe pa kolorit. Për këtë u bënë ndërhyrjet e para në akustikë në vitin 1975. /atsh/ KultPlus.com

‘Ty të dua si kurrë nuk kam dashur e si nuk do të dua më, ti je dhe do të mbetesh e vetmja’

Letër dashurie nga Gustave Flaubert

“Ty të dua si kurrë nuk kam dashur e si nuk do të dua më. Ti je dhe do të mbetesh e vetmja, e pakrahasueshme me asgjë tjetër. Eshtë diçka e pleksur dhe e thellë, diçka që më mban nga të gjitha anët, që kënaq të gjitha orekset e mia dhe përkëdhel sedrën time.

Realiteti yt gati zhduket. Përse sa herë mendoj për ty, të shoh me kostume të tjera, të ndryshme nga të tuat? Mendimi se ti je dashnorja ime më vjen rrallë, apo ti nuk formulohesh tek unë nga kjo. Kundroj fytyrën tënde të ndriçuar nga gëzimi, teksa lexoj vargjet e tua duke të admiruar.

Atëherë ajo ka një shprehje të shkëlqyer ideali, krenarie dhe mallëngjimi. Nëse mendoj për ty kur jam në shtrat, një krah i mbledhur, lakuriq, një kaçurrel i ngritur pak më lart se tjetri, duke parë tavanin. – Më duket se ti mund të plakesh duke u shëmtuar, por asgjë nuk do të dyve dhe të pavarur nga ne.

A nuk kam bërë gjithçka për të të lënë? A nuk ke bërë gjithçka që të duash të tjerë? Jemi kthyer prapë te njëri-tjetri, pasi jemi bërë për njëri-tjetrin. Të dua me gjithë zemër. Do doja të të dashuroja më shumë derisa të të bëja të lumtur, sesa të bëj edhe të vuash!

Unë dua të të shoh në përmbushjen e të gjitha dëshirave të tua”/ KultPlus.com

Disney+ mbërrin pak më herët në disa pjesë të Evropës

Disney+ është një shërbim relativisht i ri i streamingut i Disneyt, i cili u lansua më 12 nëntor të vitit të kaluar kur vetëm disa vende fituan qasje në të, ndërsa tani ka mbërritur lajmi se shërbimi do të jetë në dispozicion pak më herët seç ishte planifikuar edhe në një pjesë tjetër të Evropës.

SHBA-ja, Kanadaja dhe Holanda ishin vendet e para që e patën privilegjin të abonoheshin dhe ta përdornin Disney+, ndërsa një javë më vonë shërbimi u zgjerua në Australi, Zelandën e Re dhe Porto-Riko.

Data e lansimit për Mbretërinë e Bashkuar dhe Evropën Perëndimore (Irlandë, Francë, Gjermani, Itali, Spanjë, Austri dhe Zvicër) është kthyer një javë më parë, kështu që abonimet do të jenë në dispozicion që nga 24 marsi.

Deri më tani dihet që këtë verë pasojnë Belgjika, vendet nordike dhe Portugalia, ndërsa Disney+ në rajonin tonë është planifikuar vetëm në fund të vitit ose fillimit të vitit të ardhshëm.

Disney vlerëson se deri në vitin 2024 do t’i ketë midis 60 dhe 90 milionë abonentë, me faktin që për këtë vit planifikojnë t’i shpenzojnë pak më shumë se 1 miliard dollarë për përmbajtjen origjinale, ndërsa deri në vitin 2024 kjo shifër duhet të jetë rreth 2.5 miliardë dollarë, sipas raportit zyrtar.

Gjykuar nga shifrat e para, kjo mund të realizohet, sepse që nga fillimi i lansimit, Disney+ ishte një hit absolut në Amerikën e Veriut, ku në atë muaj i ka pasur rreth 24 milionë abonentë.

Image

Shërbimi është lansuar me rreth 500 filma dhe 7.500 episode të serive të ndryshme televizive të Disney, Pixar, Marvel, Star Wars, National Geographic dhe emra të tjerë të mëdhenj, ndërsa aty mund të gjenden hitet e reja të mëdha, siç janë seria e Star Wars, Mandalorian dhe filmi artistik Lady and the Tramp.

Të gjitha hitet e mëdha kinematografike të studios Disney nga viti i kaluar dhe tutje gjithashtu do të gjenden ekskluzivisht në shërbimin Disney+ (Endgame, Toy Story 4, Lion King, Frozen 2, Star Wars: The Rise of the Skywalker).

Çmimi i abonimit mujor është 5,99£/6,99€, ndërsa tarifa vjetore është 59,99£/69,99€./koha.net/ KultPlus.com

Gerta Miftari, 15-vjeçarja nga Kosova që shkruan dhe ligjëron në Gjermani

Xhemile Hysenaj

Çdo ditë e më shumë shqiptarët po tregojnë suksese nëpër botë, përmes punës së tyre të pandalshme dhe ambicieve të mëdha. Prej tyre është edhe Gerta Miftari, një vajzë shumë e re e cila ka fokusuar ambiciet e saj në fushën e letërisë, ku ndër të tjera është edhe mësuese e gjuhës gjermane, shkruan KultPlus.

Në një intervistë për KultPlus, Gerta ka shpalosur më shumë rreth aktiviteteve si mësuese, raportit të saj me familjen dhe shkollën si dhe rreth romanit të saj.

Gerta ishte vetëm 12 vjeç kur nisi rrugëtimin e saj si mësuese e gjuhës gjermane për të rritur analfabetë, punë kjo që Gerta tregon se e bën me shumë qef. ‘Ndihem shumë mirë dhe shumë krenare që kam mundësi të ndihmoj të tjerët’, potencoi ajo për KultPlus.

Gerta, së bashku me tetë nxënës dhe ish nxënës tjerë të gjimnazit, çdo të shtunë paradite angazhohet në mësimdhënie, gjegjësisht jep tri orë mësim të gjuhës gjermane.

Duke parë ndikimin e madh negativ që teknologjia ka tek moshatarët e saj, Gerta është inspiruar të shkruaj romanin e saj të parë, pasiqë fakti që leximi ka rënë dukshëm, për Gretën është mjaft shqetësues.

‘Gjatë studimeve në gjimnaz dhe punës time si mësuese, më lindi dëshira të shkruaj këtë roman i cili u përfundua për një kohë prej 13 muajsh. Libri ka disa mesazhe për lexuesin dhe mesazhi kryesor që kam dashur të përçoj është të ngritet vetdijësimi për vlerën e librit’, deklaron ajo për KultPlus.

‘Coldhearted Mafia Boss’, trajton një temë sociale, ku fokusi është te marrëdhëniet brenda një familjeje. Një martesë e dhunshme protagoniste e së cilës është një grua nga Kosova, martesë kjo që bëhet pa dëshirën e gruas duke u përcjellur kështu nga një fat jo i mirë.

‘Kam dashur të trajtoj temën e familjes, në mënyrqë të tregoj rëndësinë që dashuria brenda familjes duhet ta ketë. Duke ndihmuar kështu lexuesin që të njoh më mirë të mirën dhe të keqen dhe të reflektoj në ruajtjen e vlerave familjare’, shprehet Gerta.

Gerta është një vajzë që edhe pse lindur e rritur në Gjermani, dashurinë për Kosovën e ka të madhe. Me një nostalgji të madhe për Kosovën, ajo ka vendosur që ta përfshijë edhe në librin e saj. ‘E dua shumë Kosovën, prandaj kam vendosur që në librin tim personazhet të jenë nga po ky vend. Një pjesë e zemres sime gjithmonë është me Kosovën’, shprehet ajo për KultPlus.

Të shkruash e të botosh, kurrë nuk është e lehtë, pasiqë kërkohet mund dhe punë e madhe. Nuk ka qenë e lehtë as për Gretën, mirëpo ajo tregon se rrjeti social Wattpad, që përdoret vetëm për libra elektronik, i ka ndihmuar shumë. Sipas Gretës, libri i saj së pari është lexuar shumë në Wattpad ku pastaj ka vendosur që ta botojë edhe si libër fizik.

Në librin e saj, Gerta trajton fatin tragjik të një gruaje që është martuar pa vullnetin e saj. Duke bërë kështu që përmes saj Gerta të shpalosë prirjet e saj feministe, që edhe pse është në moshë të re, ato janë për t’u admiruar. ‘Gruaja për mua është sinonim i të mirës, i rezistencës, i forcës dhe sakrificës. Ajo nuk duhet të heshtë së kërkuari lirinë dhe të drejtat që i takojnë’’, deklaron Gerta për KultPlus.

Ambiciet e Gertës janë parë qysh në moshë të re, ajo ka treguar qysh moti se është prej vajzave që premton shumë për një të ardhme të suksseshme.

Gerta për KultPlus tregoi se se shkrimin e ka një pasion që do ta ndjek gjithmonë dhe përveç fiksionit ajo pretendon të shkruaj edhe studime shkencore në të ardhmen . / KultPlus.com

Nëna është mikja jote më e mirë

Dashuri, respekt, durim, mirësi. Lidhja midis nënës dhe vajzës është diçka e mrekullueshme, unike dhe e sinqertë. Nënat janë heroinat tona, ato janë gjithmonë aty për ne, 7 ditë në javë, 24 orë në ditë.

Nëse ato janë edhe mikeshat tona, atëherë mund të jenë “më të mirat” dhe asgjë dhe askush nuk mund ta ndryshojë këtë.

Ajo beson tek ju dhe ndonjëherë bën edhe më shumë se ju. Ajo është tifozja juaj numër një. Pavarësisht asaj që ju bëni në jetën tuaj, ajo gjithmonë do të jetë aty për t’ju mbështetur dhe për të zgjidhur dyshimet tuaja.

Kur keni nevojë për këshilla ose keni dyshime, nëna juaj është gjithmonë e gatshme t’ju japë mendimin e saj të ndershëm. Dhe e anasjellta. Ju mund t’i besoni njëra-tjetrës.

Një nënë dëshiron më të mirën për fëmijët e saj, kështu që ajo gjithmonë do të tregojë të vërtetën, edhe nëse ndonjëherë mund të jetë e pakëndshme.

Kur ju ndodh diçka e bukur, ju menjëherë do të dëshironit t’ia tregoni miqve ose familjes tuaj, por personi i parë që ju telefononi është gjithmonë ajo: nëna.

Të gjithë ne përjetojmë periudha të vështira dhe është pikërisht kur ju duhet të përballeni me një periudhë të tillë, që nëna juaj ju jep edhe më shumë dashuri, duke ju mësuar përsëri të doni veten dhe të kujdeseni për mendjen tuaj.

Nuk ka rëndësi se sa vjeç jeni, nëna juaj gjithmonë do të kujdeset për ju, duke ju dërguar mesazhe ose duke ju telefonuar disa herë në ditë vetëm për të zbuluar nëse jeni në rregull.

Kur diskutoni, gjithmonë përpiquni ta kuptoni mendimin e saj dhe ta respektoni atë, edhe nëse është i ndryshëm nga i juaji.

Ju kënaqeni duke qenë së bashku dhe duke kaluar kohë larg shtëpisë për t’u argëtuar, madje edhe me miqtë tuaj.

Edhe nëse jetoni larg ose jeni jashtë për arsye pune, nëna juaj është gjithmonë atje për ju. Ju gjithashtu mund ta telefononi atë natën vonë ose në një ditë të ngarkuar, por ajo gjithmonë do të gjejë kohë për ju dhe t’ju ndihmojë në rast nevoje.

Ndërsa vitet kalojnë, ju njiheni më mirë me njëra-tjetrën, kjo do t’ju bëjë edhe më të bashkuar dhe lidhja juaj do të jetë edhe më e çmuar. /meb.al/ KultPlus.com

Pikturat që duken shumë reale, vështirë të besohet se nuk janë fotografi

Veprat e artit janë shumë të detajizuara, saqë për dikë nga ju mund të duket e pabesueshme se nuk janë fotografi.

Qysh moti njerëzit janë munduar që artistikisht t’i paraqesin vendet, pasuritë dhe të dashurit e tyre sa më mirë që të jetë e mundur dhe artistët në këtë përmbledhje kanë arritur ta realizojnë ato që qindra para tyre kanë dëshiruar.

/21media/ KultPlus.com

101 vjet nga vdekja e Ismail Qemalit

Sot janë bërë 101 vjet që kur ka vdekur kryeministri i parë shqiptar, Ismail Qemali, njeriu që më 1912 shpalli pavarësinë e Shqipërisë në qytetin e Vlorës.

Ai vdiq në rrethana misterioze më 24 janar në Peruxhia të Italisë, ku edhe është varrosur. Nuk ka të dhëna të sakta por mendohet se Qemali është helmuar.

Më 28 Nëntor të vitit 1912, Shqipëria shpalli Pavarësinë dhe Ismail Qemali ishte kryeministër i parë i Shqipërisë. Në shpalljen pavarësisë morën pjesë 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare.

Menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, Asambleja e Vlorës formoi Qeverinë e parë të Shqipërisë së Pavarur të drejtuar nga Ismail Qemali .

Njohja ndërkombëtare e pavarësisë, si dhe përcaktimi i kufijve të Shqipërisë u bë pas një viti në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, vendim i së cilës qe shpallja e Principatës shqiptare sovrane nga Perandoria Osmane nën mbikëqyrjen e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit dhe lënia e gjysmës së territoreve të shtetit të porsaformuar jashtë kufijve të tij administrativë. /KultPlus.com

Chris Brown konfirmon bashkëpunimin me reperin shqiptar

Reperi shqiptar që tashmë gëzon edhe famë ndërkombëtare, G4shi, kohë më para ka paralajmëruar për një bashkëpunim me këngëtarin e mirënjohur amerikan, Chris Brown, shkruan KultPlus.

Ky bashkëpunim tashmë u konfirmua edhe nga vetë artisti amerikan, përmes një postimi në llogarinë e tij personale në Instagram.

Kënga titullohet ‘Safety’ dhe do të jetë në bashkëpunim edhe me Afro B dhe DJ Snake, këngë kjo që pritet të publikohet nesër.

Kujtojmë që Gashi ka paralajmëruar adhuruesit se në vitin 2020 është viti i tij me projekte të njëpasnjëshme. / KultPlus.com

https://www.instagram.com/p/B7rJG-Uh0dW/

Miqtë

Poezi nga Timo Flloko

Kot e ke, më tha ndërgjegja,
Njerëzit s’janë përherë miq.
Ti pandeh se ata të duan,
Por në fakt i ke “armiq”!

I them vetes, pse, s’kanë shkak,
S’kam pushtet, as ofiq…
Nuk urrej askënd në jetë,
S’ndaj të mirë dhe të liq!

S’ka të bëjë, ata s’të duan,
Afërmendsh i ke “miq”!
(Dashuri. ti s’fal. thotë Krishti.
Po s’i deshe dhe armiqtë!)

S’është çudi në këtë jetë.
Midis miqsh ka dhe “armiq”.
Helm i egos i ngërthen…
Dhe i bën, oh sa të liq!

Mos u lig, mos u mpak.
Thotë vetvetja, je një hiç.
I pavlerë në këtë botë,
Po nuk pate dhe “armiq” / KultPlus.com

‘Politikani bëhet burrë shteti kur nis të mendojë për brezat e ardhshëm e jo për zgjedhjet e ardhshme’

Sot shënohet 55 vjetori i vdekjes së politikanit të njohur Winston Churchill, shkruan KultPlus.

Winston Leonard Spencer-Churchill, ishte politikan britanik i njohur kryesisht për drejtimin e Britanisë së Madhe gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai shërbeu si kryeministër i Britanisë së Madhe prej viteve 1940-1945 dhe përsëri prej viteve 1951-1955. Një burrë shteti dhe një orator i njohur, Churchill ishte edhe oficer në ushtrinë britanike, historian, fitues i Nobelit për Letërsi.

Në krye të skenës politike për rreth 50 vite, ai pati shumë pozita politike dhe në kabinet. Para Luftës së Parë Botërore, ai punoi si President i Bordit Për Tregti, si sekretar dhe Lordi i Parë i Forcave Detare si pjesë e qeverisë liberale. Gjatë luftës ai ende punoi si Lord i Parë deri në luftën shkatërruese në Gallipoli e cila shkaktoi ndarjen e tij prej qeverisë. U kthye si Ministër i Municioneve, Sekretar i Shtetit për Luftë dhe Ajër. Gjatë viteve të luftës shërbeu si Kancelar i Thesarit në qeverinë konservative.

KultPlus sot në 55 vjetorin e vdekjes së Churchill ju sjell një thënie të tij që flet për politikanin ideal.

“Politikani bëhet burrë shteti kur nis të mendojë për brezat e ardhshëm e jo për zgjedhjet e ardhshme”.

Pasi humbi zgjedhjet e vitit 1945, Churchill u bë Lider i Opozitës. Më 1951, u bë sërish Kryeministër deri në vitin 1955 kur dha dorëheqje përfundimisht. Elizabeta II i ofroi titullin Dukë i Londrës, por u refuzua nga djali i tij Randolf, i cili do ta kishte trashëguar titullin pas vdekjes së të atit. Dhe ne vitin 1965 ai vdiq ne Britaninë e Madhe dhe u Varros ne Spanje./ KultPlus.com

Shqipëria më ‘dorështrënguara’ në Evropë, Kosova në vendin e 62-të

Vetëm 23 % e shqiptarëve janë bujarë dhe të sjellshëm dhe zyrtarisht, sipas një raporti të fundit, jemi ndër më ‘kurnacët’ në Europë, ndonëse bujaria përmendet në legjenda si një ndër atributet kryesore të natyrës së shqiptarëve.

Në vitin e 10-të të publikimit, Indeksi Botëror i CAF për 2019, analizon 140 shtete të marra në shqyrtim, ku Shqipëria renditet e 105 për sa i përket bujarisë. Sipas raportit, Shqipëria ka humbur shkallë krahasuar me një vit më parë, ku bujarët përbënin 26 % të popullsisë.

Më mirë në rajon renditet Kosova e 62-a , e cila ndiqet nga Bosnje dhe Hercegovina në vendin e 91-ta, Mali i Zi i 119-ti, Serbia e 123-a.

Maqedonia renditet këtë vit e 96, duke tejkaluar edhe vendin tonë dhe duke ngjitur plot 34 shkallë nga një vit më parë që renditej e 130-a.

Indeksi Global i të Dhënit 2019, i publikuar nga Instituti CAF (Charity Aid Foundation) është etiketuar si studimi kryesues për sa i përket bujarisë. Indeksi rendit 140 shtete në tre kategori: të ndihmuarit e të huajve, dhurimi i parave dhe koha e punës vullnetare.

Sipas specifikimeve, 35 % e shqiptarëve nuk hezitojnë që të ndihmojnë një të huaj kur i kërkon ndihmë, duke u renditur të 95-tët në botë. Nga ana tjetër, 21 % e shqiptarëve kanë dhuruar para vitin e shkuar, duke u renditur kështu të 75-tët në botë.

Ndërsa sa i përket dhurimit të kohës për vullnetarizëm, një studim ky që nuk përbën pikën tonë më të fortë, vetëm 9 % e shqiptarëve kanë dhuruar kohën e tyre për bamirësi ose ndonjë kauzë të ngjashme, duke u konsideruar kështu të 107-ët në botë për këtë indikatorë.

Kush janë vendet më bujare sipas Indeksit 2019?

SHBA kryeson Indeksin Botëror të CAF-it për herë të parë. Ndiqet nga Myanmar, i cili ka qenë katër vjet me radhë në numrin një në Indeks; e treta Zelanda e Re, më pas Australia dhe Irlanda. Në mënyrë të konsiderueshme më shumë njerëz në të gjithë globin raportuan se ndihmonin një të huaj dhe dhuronin kohë vullnetare, ndërkohë që proporcioni i cili dhuronte para ka rënë për të tretin vit radhazi. Proporcioni i njerëzve në mbarë botën që dhuroi para në vitin 2019, është ende në nivelin më të ulët që nga viti 2014. Dhurimi i parasë është rritur nga vendet e zhvilluara (nga 40% në 42%), por ka rënë në mesin e vendeve në zhvillim (nga 25% në 24%)./monitor/ KultPlus.com

198 vjet më parë u vra Ali Pashë Tepelena

Sot bëhen 198 vjet që nga vrasja e sunduesit dhe feudalit më të fuqishëm të Shqipërisë së Mesme dhe Jugore, Ali Pashë Tepelena.

I njohur si “Luani i Janinës”, Ali Pashë Tepelena, në historiografinë shqiptare njihet si themelues i Pashallëkut autonom të Janinës, si dhe si një kryengritës kundër pushtimit osman.

“Luani i Janinës”, kishte lindur rreth viteve 1740-1750 në Tepelenën e Labërisë dhe kishte vdekur më 24 Janar 1822, duke mbrojtur trojet shqiptare të Epirit nga forcat osmane. Ali Pasha më 1784 kishte gradën e Pashait, si komandant ushtarak pranë Valiut të Rumelisë në Sofje. Po këtë vit ai kishte siguruar me luftë qeverisjen e sanxhakut të Delvinës.

Në vitet 1786-88 ishte bërë derbendpashë dhe qeveritar i Sanxhakut të Tërhallës (Thesali) dhe shtiu në dorë, sidomos me përkrahjen e borgjezisë zejtare-tregtare të vendit, qeverisjen e sanxhakut të rëndësishëm të Janinës, duke shtrirë kështu pushtetin e vet mbi Epirin dhe një pjesë të trojeve jugore shqiptare. Rreth 1787, ishte i thirrur në Kostandinopojë Tepelenë Dervenci Ali-Pasha për gjithë e Thesalisë.

Si pronar i madh tokash, sipërmarrës i taksave shtetërore, si pjesëmarrës aktiv në veprimtari tregtare dhe duke mbrojtur interesat e çifligarëve të rinj po dhe të borgjezisë tregtare, të cilën e bëri për vete me një politikë tolerance të gjere fetare, Ali Pashë Tepelena i kishte mënjanuar përkrahësit e pushtetit qendror osman dhe “tiranët e vegjël” si shkaktarë të anarkisë feudale në vend.

Ai i shndërroi kështu trevat e përfshira nën sundimin e tij në një formacion shtetëror autonom, që dallonte nga viset e tjera të perandorisë për nga rregulli, qetësia dhe zhvillimi ekonomik e kulturor. Janina u bë një qytet nga më të rëndësishmit dhe më të begatë në viset Perëndimore të Ballkanit, qendër e tregut ndërkrahinor të Rumelisë Jugore, qe përfshinte edhe një varg krahinash të Shqipërisë, një vatër arsimore dhe kulturore ku filloi të përdorej si gjuhë shkrimi dhe shqipja.

Në vitet 1798-1812, duke nënshtruar me luftë qeveritarët rivalë të sanxhaqeve fqinjë si dhe krahinat e vetëqeverisura të Sulit, Himarës, etj. dhe duke shfrytëzuar situatën e vështirë të Perandorisë Osmane në periudhën e luftërave të Napoleon Bonapartit, Ali Pashë Tepelena arriti të zgjeronte e përforconte pushtetin e vet, duke përfshirë trevat që nga gjiri i Prevezës deri afërsisht në lumin Shkumbin. Pashallëku i Janinës ishte bërë një faktor me rëndësi ndërkombëtare në kushtet kur forcat franceze që ishin vendosur në Ishujt Jonianë si dhe Anglia, drejtuan vëmendjen e tyre ndaj sundimtarit të fuqishëm shqiptar dhe krijuan lidhje direkte diplomatike me të, duke kapërcyer Portën.

Ali Pashë Tepelena ishte bërë kështu një sundimtar faktikisht i pavarur, por gjithmonë i kujdesshëm, për të mos krijuar konflikte të parakohshme me pushtetin qendror osman, duke pritur një moment të volitshëm për t’u shkëputur prej këtij. Në vitet 1820 – 1822, Ali Pashë Tepelena kishte filluar luftën për mbrojtjen e vendit nga sulmi i forcave të Perandorisë Osmane dhe me këtë filloi faza më e lartë e veprimtarisë së, sundimtarit shqiptar për të shkëputur zotërimet e veta nga vartësia e Perandorisë.

Ali Pashë Tepelena i kishte bërë ballë rrethimit për një vit e gjysmë dhe bëri një qëndresë këmbëngulëse, deri sa i ngujuar në kalanë e ishullit të Liqenit të Janinës, u vra nga ushtria osmane. Turqit i prenë kokën, e dërguan në Stamboll dhe e ekspozuan në kamaren e Portës së Lartë. / KultPlus.com

Letra dashurie: Juliette Drouet për Victor Hugo

Victor Hugo dhe dashnorja e tij Juliette Drouet nisën një lidhje plot pasion në vitin 1833, pas vënies në skenë të “Lucrezia Borgia”, ku Drouet luajti rolin e princeshës vrasëse Negroni. Hugo po kalonte një periudhë të rëndë emocionale pas zbulimit të tradhëtisë së gruas, Adele. Aktorja duket se ish shpëtimtarja e duhur për shkrimtarin e ndjeshëm e melankonik.
Dashuria e tyre vazhdoi deri në vdekjen e Drouet, më 1883.

1 nëntor 1839
Mirëmëngjes, i dashuri im i vogël, i pakti burri im i dashur. Dje më the me plot bindje se kaligrafia ime ishte aq e shëmtuar dhe llomotitja që shkruaja veç një labirinth i tmerrshëm, ku ti humbet durimin dhe dashurinë, aq sa mezi guxoj të të shkruaj sot dhe do duhet veç pak të më bëjë ta lë përgjithnjë letërkëmbimin tonë.
Na duhet ta shpjegojmë këtë që po ndodh, sepse ndryshe je i pashpirt që më detyron të bëhem qesharake ditë e natë, thjesht se të dua dhe jam veç një grua e vetmuar plot trishtim. Nëse dashuria ime është pasojë e padijes dhe mendjelehtësisë, të paktën mos më detyro të hidhem vetë në shkatërrim.
Ka qenë një kohë që ti nuk e vije re shëmtinë e shkrimit tim; thjesht lexoje atë që shkruaja, i lumtur e i kënaqur. Tani ti qesh dhe kjo është e padrejtë, e ligë. Ky duket se është fati i gjithë Kuazimodove në këtë botë, shpirtërorë apo fizikë; me ta tallen: forma duket se është gjithçka e shpirti asgjë.
Edhe sikur të të thosha me shkrimin tim të shëmtuar se “Shpiti im është i bukur”, ti prapë do qeshje. Ndaj, i dashuri, burri im i vogël, duke pritur ditën që edhe unë të të bashkohem e të qesh me veten, mendoj se është mirë të pushoj së shkruari përditë. Për më tepër, ka ardhur koha që unë të përqendroj gjithë energjitë në përmirësimin dhe sigurimin e gjendjes dhe pozicionit tim. Asgjë në këtë botë nuk më largon dot nga pikësynimi, sepse për mua është një çëshje për jetë a vdekje…
Shpresoj te ndihma jote, i dashuri im. Po të kërkoj më shumë se jetën; moralisht të përjetojmë martesën e dashurisë sonë.
Lermë të vij me ty kudo ku kërcënohet dashuria ime; lejomë të jem gruaja jote e mendjes dhe zemrës, nëse nuk mundem e jotja të jem ligjërisht. Nëse sheh se keq po shprehem, mos u tall, por kupto se kam të drejtë të shkruaj ato që edhe ti ke ndjerë, të këmbëngul të mbroj veten kundër gjithë atyre grave që të përkulen me preteksin se duan të të shërbejnë. Por do vijë dhe rradha ime, sepse të dua dhe jam xheloze.
J.

Pak më vonë atë ditë:

Ti je mirë, i adhuruari im, ndërsa unë e pafat. Megjithatë të dua, kurse ti veç lejon të të duan; kjo të lejon të jesh kaq i qetë e mua më bën të hidhur. Zemra më është rënduar sonte nga xhelozia dhe asgjë përveç prezencës tënde nuk do më qetësojë dot. Brenda shpirtit kam gjithë furtunën e zjarrin e ferrit. Do desha të më qepnin te astari i xhaketës tënde sonte. Më duket sikur do të përballem me rreziqe të mëdha, që mund t’i zmbraps vetëm po të ndenja pranë. Nëse frika ime është e vërtetë, me siguri nuk do mund të bëj asgjë të shmang shkatërrimin, sepse ti nuk do mund të rrish me mua gjithë mbrëmjen. Përgëzimet dhe komplimentet që do marrësh do të të largojnë prej meje. Nuk e mohoj dot që jam e trishtuar dhe do desha më shumë të isha me ty në Fontainebleau, në “Hotel de France”, sesa në lozhen C, edhe sikur të luhej “Marion de Lorme”.
Puthmë, burri im i vogël. Dukeshe shumë bukur në pallton e re, por nuk më the se shkove të rrobaqepësi. Do barazohem me ty, duke thirrur për vizitë fustanbërësin tim.
Nuk të lëshoj pe aspak kur vjen puna për hijeshi dhe sqimë…
Juliette /KultPlus.com

Açka: Përse u është mërzitur vendi i tyre shqiptarëve?

Poetja Flutura Açka, thotë se është dramatike largimi masiv i shqiptarëve në 4 vitet e fundit.

Në studion e “360 Gradë” në Rtv Ora, ajo shtron domosdoshmërinë e politikave sociale në mbështetje të familjes shqiptare për të frenuar emigrimin masiv por edhe për të rritur lindshmërinë.

Në të kundërt, thotë ajo, vendit do ti shkaktohet një dëm i pariparueshëm.

Flutura Açka: Jetoj mes Shqipërisë dhe Holandës. Edhe Holanda, mes vendeve europiane është me popullësi më të vogël dhe e ka të nevojshme të mbrohet. Sot politkat holandeze e ndihmojnë familjen holandeze në atë formë sa është gjëja më normale që të shohësh familjen bazë me 3-4 fëmijë. Po të shikosh kurbën e lëvizjeve në 10 vitet e fundit është dramatike. Çfarë po ndodh me shqiptarët sot dhe pse ikin shqiptarët sot? Çfarë do të bëhet sot se na kanë ikur në 3-4 vitet e fundit së paku 500 mijë shqiptarë? Pyetja është pse ikin, pse u është mërzitur vendi i tyre kaq i bukur shqiptarëve? Këta janë “armiqtë” tanë, nuk e kuptojnë se po i bëhet një dëm i pariparueshëm Shqipërisë. /KultPlus.com

“Një grua me karakter bujar është në gjendje ta sakrifikojë jetën për burrin që dashuron”

Thënie nga Stendali

Henri Beyle, i njohur me pseudonimin Stendhal i lindur më 23 janar 1783 në Grenoble dhe vdiq 23 mars 1842 në Paris, është një shkrimtar francez, realiste dhe romantike, i njohur veçanërisht për romanet e tija E Kuqja dhe e Zeza si dhe Manastiri i Parmës.

Stendhal donte t’i kushtoj jetën e tij në ëndërr, e “ndjekje të lumturisë”, artet dhe dashuri; pavarësisht veten e tij, ai kishte një jetë plot peripeci. Pas vdekjes së një nëne të dashur gjithashtu, ai vuan nga një fëmijëri mbytëse në Grenoble me një baba ai e përçmon dhe një gjyshi qe ai adhuron . Ai gjen strehim në literaturën paraprak për të shpëtuar nga Grenoble në 1799 për të studiuar në Paris. Në fakt, ai zbuloi një profesion, dhe të braktisur studimet e tij: ai do të jetë i rapsod komik, ai ëndërron për të shkruar komeditë. Kushërinjtë e tij Daru e detyrojnë të hyjë në Departamentin e Luftës. Kështu ai u dërgua në Milano maj 1800. Ai zbuloi, i habitur, në të njëjtën kohë së luftës, Itali, opera, dashuri dhe lumturi. Ajo do të vazhdojë të kthehet në Itali në detyrat e tij administrative. Temperamentin trembur dhe romantike, me hipokrizi e shoqërisë së kohës së tij, ai shpiku për veten e tij një “Metode Praktike e Lumturisë”.

Sonte në ditëlindjen e tij po i sjellim disa nga thëniet e njohura:

“Dashuria është një lule e mrekullueshme, të cilën duhet të guxosh ta këpusësh në zgripin e një humnere.”

“Atdheu ynë i vërtetë është vendi në të cilin numri i njerëzve që na ngjajnë është më i madh se në çdo vend tjetër.”

“Bariu mundohet gjithmonë t’i bindë delet se interesat e tij dhe interesat e tyre janë e njëjta gjë.”

“Bukuria nuk është gjë tjetër veçse një premtim lumturie.”

“Të gjitha religjionet mbështeten te frika e shumicës dhe te zgjuarsia e pakicës.”

“Një grua me karakter bujar është në gjendje ta sakrifikojë jetën një mijë herë për burrin që dashuron, por nga ana tjetër s’e ka për gjë të prishet me të për çështje krenarie.” /KultPlus.com

Gazmend Zajmi, ndër figurat më të ndritshme intelekuale shqiptare

Një personalitet si Gazmend Zajmi duhet kujtuar gjithmonë.

Zajmi lindi në qershor të vitit 1936 në Krumë. Shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në Prizren, ndërsa Fakultetin Juridik dhe shkallën III të këtij fakulteti (drejtimi juridik-politik) i mbaroi në Beograd.

Mbrojti disertacionin e doktoratës më 1972 në Fakultetin e Shkencave Politike të Beogradit me tezën: Mbrojtja dhe trajtimi kushtetues-juridik i gjuhëve të pakicave kombëtare në Evropë në mes të dy luftërave botërore.

Pas kryerjes së fakultetit, tre vjet ushtroi detyrën e gjykatësit dhe të kryetarit të Gjyqit të Rrethit të Prizrenit, mandej, me themelimin e Fakultetit Juridik të Prishtinës, më 1961, u zgjodh asistent i këtij fakulteti për lëndën E drejta kushtetuese.

Që prej kësaj kohe, përjashtuar periudha e viteve 1963-1967, kur qe sekretar i Kuvendit Krahinor të Kosovës, Gazmend Zajmi punoi vazhdimisht me cilësi pedagogu në Fakultetin Juridik, kryetar i Shoqatës Krahinore të Pedagogëve Universitarë të Kosovës, prorektor dhe rektor i Universitetit të Kosovës në Prishtinë. Për rezultatet e tij në lëmin shkencor, pedagogjik dhe shoqëror – politik u dekorua me Urdhrin e Punës me Kurorë të Artë dhe me Urdhrin e Vëllazërim-Bashkimit me Kurorë të Artë.

Zajmi ishte pedagog i lëndës Sistemi politik në Fakultetin Juridik dhe i lëndës E drejta kushtetuese në Shkallën III të po këtij fakulteti. Ishte shef i Katedrës së Shkencave Shoqërore-Politike, kryetar i Shoqatës Krahinore të Politikologëve, anëtar i Kryesisë së Lidhjes së Shoqatave të Shkencave Politike të Jugosllavisë, anëtar i Këshillit Ekzekutiv të Shoqatës të së Drejtës Komparative të Jugosllavisë, anëtar i Pleqësisë Federative Juridike, kryetar i Bashkësisë së Universiteteve të Jugosllavisë, anëtar i Komitetit të Përhershëm të Konferencës së Rektorëve të Evropës etj. Ishte në detyrën e këshilltarit shkencor në Institutin për Kërkime Juridike të Fakultetit Juridik të Prishtinës.

Gazmend Zajmi dhe Shaqir Hoti, Burimi: Oral History Kosovo

Gazmend Zajmi ka rreth 30 punime shkencore, nga të cilat katër me karakter monorafik, si dhe është koautor i librit universitar të Universitetit të Beogradit Društveno-politički sistem Jugoslavije. Në këto punime kryesisht trajtohet problematika e pakicave kombëtare, e aspekteve sociopolitike të pozitës së gjuhëve dhe e autonomisë dhe federalizmit. Në këtë fushë është autor i një varg eseve politike, si dhe njëherësh është autor i tre librave komponimesh dhe i dy librave vargjesh në fushën e krijimtarisë muzikore dhe të poezisë. Mori pjesë në një varg simpoziumesh shkencore të vendit dhe ndërkombëtare, si dhe qe anëtar i Redaksisë së Enciklopedisë Politike në Beograd.

https://www.youtube.com/watch?v=zpTfoWh3Hog
Teksti dhe muzika: Gazmend Zajmi

Një karakteristikë që e përben z.Zajmi është se ai ka qenë edhe anëtar i “Shoqërisë Kulturore Agimi” e themeluar në nëntor të vitit 1944 në qytetin e Prizrenit. Ai kishte marrë pjesë në Grupin e Muzikës Zbavitëse si udhëheq i dalluar së bashku me mikun e tij Petrit Nushin. Ku u vlerësohet ndër konbtribuesi më të madh për Shoqërinë Kulturore Agim dhe ishte bërë i njohur në kulturën arstike mbarë shqiptare, shkruan KultPlus.

Këngë e shkruar dhe kompozuar nga akademik Gazmend Zajmi

Vdiq më 10 mars të vitit 1995 në Zagreb. / KultPlus.com