Pal Engjëlli, lajmëtar i shqipes së shkruar

Nga Behar Gjoka

Në mes të Motit të Madh, një simbolikë domethënëse e identifikimit të bëmave heroike të abnorëve dhe kryetrimit të asaj epoke Gejrgj Kastriot –Skënderbeut, ka një lidhje shumë të fortë, një lidhje unike dhe të ndërsjellë, aq sa nuk mendohet të kuptohen të shkëputura nga njëra-tjera.

Ky unitet organik, që është gdhendur, nga shekulli në shekull, në mijëra libra dhe vepra artistike në të gjithë botën, e ka skalitur të plotë figurën e heroit kombëtar, ndërsa vetë epokën e qëndresës shqiptare në shekullin e XV, e ka përveçuar si shenjën më emblematike të ekzistencës së kombit shqiptar. Megjithatë, pjesa e pandarë dhe faktike e kësaj periudhe tepër të rëndësishme historike, e përmasave të pazakonta të kohës dhe të heroit tonë janë edhe bashkëpunëtorët  më të afërt të Skënderbeut, udhëheqës dhe bashkëluftëtarë që me praninë edhe aktet e tyre, i dhanë zë kohës, shekullit të madh të qëndresës heroike të shqiptarëve, të një lufte me kaq shumë sakrifica përballë hordhive osmane.

Në mesin e tyre spikat figura e Pal Engjëllit, jo vetëm si këshilltar sipëror dhe bashkëluftuar i pandarë, por më tepër si një figurë përfaqësuese e vlerave intelektuale dhe shpirtërore, e vlerave atdhetare dhe fetare, që i zgjeruan dimensionet e qëndresës shqiptare, duke i vendosur në ndërlidhje me epokën e humanizmit, i cili përkon me Rilindjen Evropiane. Të qenët e tij kaq pranë figurës qindore të Motit të Madh, me vepra dhe kontribute të dallueshme, me një rol primar si përfaqësues i diplomacisë së Gjergj Kastriotit, por ndarazi edhe si një klerik mendjendritur, e bën të pashmangshme dhe vlerëplotë nxjerrjen në dritë të përmasave të kësaj figure unikale të periudhës në fjalë.

Data 8 nëntor 1462, së paku gjer më tani, shënon gjurmën e parë të dokumentuar të shkrimit të gjuhës shqipe, të realizuar nga ana e arbnorit Pal Engjëlli. Mbajtja e Kuvendit Kishtar në kishën e Shën Trinisë, nën drejtimin e Pal Engjëllit, Arqipeshkv i Durrësit, bashkëpunëtor i ngushtë i Skënderbeut, prijatari i diplomacisë arbnore, ka vlera të jashtëzakonshme historike. Në artikullin “Leksiku historik i gjuhës shqipe”, botuar në Shkodër në vitin 1996, Kolë Ashta nënvizon: “Ndërkohë, me sa duket u muar me vizitën baritore, të cilën e vendosi në Mat, në këtë krahinë të Kastriotëve e iu vu përgaditjes që të mbledhë Kuvendin.”

Formula e Pagëzimit, rrethanat e mbijetesës, që e sollën në skenë, veçmas karakteri sakral dhe institucional i zbatueshmërisë, si një e drejtë që buronte nga vendimet e marra në kuvend, është një tekst që fiton vlera emblematike, shpirtërore, gjuhësore dhe historike: “Unte’ paghesont premnenit Atit et’birit et spertit senit.” Në disa burime arkivore gjenden jon pak dëshmi dokumentare, sipas të cilave Kuvendi kishtar është mbajtur në Mat, në kishën  që mban emrin e Shën Trinisë, ndonëse ende nuk është saktësuar përfundimisht vendi dhe kisha, madje pavarësisht të dhënave tërthore që jepen se është mbajtur në njërën nga kisha t e dioqezës së Lisit të Matit, që në shekullin e XV ishte nën juridiksionin e  Arqipeshkopatës së Durrësit. Në rrafshin gjuhësor, që mbase përbën të dhënën më të padiskutueshme në gjithë këtë mjegullsi, të mbajtjes së  kuvendit dhe të përcaktimit të natyrës dhe misionit të formulës së pagëzimit, Eqerem Cabej shkruan: “…në shpirti, do menduar se kemi të bëjmë me një trajtë reale, trajtë e shqiptimit krahinor, sikundër flitet edhe sot në anët e Matit dhe Lurës, ku thonë pikërisht shpert, më duel shperti…”

Të qenët at shpirtëror, përveç bëmave lapidare të kryera në jetën përdëlluese të Pal Engjëllit, plazmohet në tri përmasa të identifikuara në dokumentet arkivore, të cilat shpalohen përmes aktesh të qarta:

Si prelat i paepur dhe vizionar, që përkujdeset për grigjën e vet, për shqiptarët e besimit katolik, duke ndërmarrë herë pas herë udhëtime nëpër krahinat më të thella, për herë të parë me sytë e vet gjendjen, si dhe për të nxitur organizimin e kuvendeve, si nevojë e komunikim dhe mbijetese e qenies shqiptare, në situatën e amullisë së një lufte heroike dhe me shumë sakrifica. Si burrështetas largpamës, këshilltar i pandarë i Skënderbeut, në ndërmjetësimin e marrëdhënieve me Raguzën, Napolin, Venedikun vet Papatin e Vatikanit, e shumë akte të tjera, duke vënë kështu themelet e diplomacisë arbnore, por edhe të një modeli diplomati, që gërshetonte dijen me humanizmin, në dobi të shtetit të arbrit dhe grigjës abnore.

Sipërmarrja e pazakontë për të futur gjuhën shqipe në shërbesat fetare, që kulmon me Formulën e Pagëzimit, si një akt i pashembullt reformator në historinë e Vatikanit, për të shpëtuar njeriun nga konvertimi detyrues, që ndërmorën hordhitë osmane, menjëherë pas vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.

Tiparet e gdhendura në jetën dhe veprën shembullore të Pal Engjëllit, si at shpirtëror fetar, po kaq si at shpirtëror i qenies arbnore, i fatit të gjuhës dhe kulturës, janë të mjaftueshme për të parë te bëmat e tij prijatarin e priftërinjve katolikë, për t’i shërbyer atdheut dhe fesë, si një union i vlerave shpirtërore, që mbajti gjallë ëndrrën e gjallimit të qenies arbnore. Shenja fillestare e projektuar me ndihmesën e Pal Engjëllit, po në atë devizë, të atdheut dhe fesë, formësohet dhe shqiptohet në veprën e Buzukut, Budit, Bardhit dhe Bogdanit, në letërsinë e hershme shqipe. po me atë vokacion të njëmendtë të atdheut dhe fesë, që përbëjnë shtigjet e mbijetesës së qenies arbnore, formulohet kaq fuqishëm në veprën letrare, fetare dhe atdhetare të rilindëseve, si dhe të mjeshtërve të tjerë të shqipes, që ruajtën shpirtin e kombit, aspiratën për liri dhe përparim./KultPlus.com

Kur piqen dy shqiptarë, pas gëzimit të parë, pyetja esenciale është: nga të kemi zotër

Nëse ai vjen pas Konicës apo është një lloj si ai me të vërtetat e hidhura për shqiptarët këtë mund ta gjykoni vetë, por Mid’hat Frashëri i ka renditur disa thënie për shqiptarët, që edhe sot janë po aq aktuale sa dukur.

Ja çfarë thotë Mid’hat Frashëri për shqiptarët:

1- Shqiptari prej natyre është kotësidashës, plot vanitet dhe egoizëm. Nuk i pëlqen kurrë të shohë dhe të njohë fajin dhe të metën e tij: i pëlqen kurdoherë të ngarkojë një tjetër.

2- Shqiptarët, megjithëse në pjesën më të madhe myslimanë, nuk e kanë konsideruar veten kurrë turq. Në të kundërtën, ata kishin një nocion të qartë për individualitetin e tyre dhe një hendek i thellë i pengonte ata të ngatërroheshin me racën e pushtuesve.

3- Kur merr një detyrë, ki disiplinë e durim. Shqiptarin e ka prishur mungesa e disiplinës dhe zjarri i padurimit

4- Shqiptarin e ka prishur mosbindja dhe jo bindja. Nis ti më parë të japësh shembullin e bindjes jo të verbër.

5- Hiqe veten si pak të mençur dhe pak të ditur. Mendjemadhësia na ka çmendur gjer më sot.

6- Duhet të kemi kurajo të themi të vërtetën, të bardhës t’i themi të bardhë dhe të zezës- të zezë.

7- Mos e qorto dhe mos e shaj shqiptarin për fajin që ka bërë, se ajo është mënyra më e fortë që ta bësh të këmbëngulë në atë faj. Merre me të mirë dhe shiko ta bindësh, pa pasur as pamjen e të dhënit këshillë.

8- Shqiptari, duke mos qenë i mësuar me jetë politike, dua të them, duke mos pasur gjer më sot shtet, qeveri dhe independencë, s’ka kuptuar dot akoma barrën, detyrat dhe përgjegjësitë që rrjedhin nga një jetë indipendente.

9- Patrikularizma, lokalizma dhe ekskluzivizma tek shqiptari rrëfehen me atë mani që ka secilido të marrë emrin e fshatit ose të qytetit si emër familjeje. Kur piqen dy shqiptarë, pas gëzimit të parë, pyetja esenciale është: nga të kemi zotëri?

10 – Shumë herë ideali për shqiptarin është të qenët i zoti, me çdo mënyrë që të jetë. Pa dyshim, duke pasur horizontin të ngushtë, nuk mund të kërkojë veç sukseset e lehta.

11- Vetëm një proverb të mirë di: ”Trimi i mirë me shokë shumë”. Por kur mendoj fjalën e Ali Pashës: dy shqiptarë janë shumë! Atëherë kam dëshirë ta kthej proverbin: ”Trimi i mirë me shokë…pak!”

12- Shpëtimi i Shqipërisë do të vijë me anë të vetes tonë./KultPlus.com

11 thënie nga Charlie Chaplin

Përveçse me role që e kanë skalitur në kinematografi, siç është ai i endacakut, Charlie Chaplin ka lënë edhe shumë aforizma brilantë, shkruan KultPlus.com

KultPlus jua sjell 11 thëniet me mesazh shumë të qartë :

Jam në paqe me Zotin. Konflikti im është me Njeriun.

Ne mendojmë shumë dhe ndjejmë pak.

Një prej ironive të jetës është që të bësh gjënë e gabuar, në momentin e duhur.

Asgjë nuk është e përhershme në këtë botë të ligë – as edhe telashet.

Një ditë pa qeshur, është një ditë e çuar dëm.

Karakteri i vërtetë i një burri shfaqet kur ai është i dehur.

Që të qeshësh me të vërtetë, duhet ta marrësh dhimbjen tënde, dhe të luash me të!

Më pëlqen gjithmonë që të eci në shi, kështu askush nuk do të më shohë duke qarë.

E qeshura është zbutësi i dhimbjes.

Dëshpërimi është një narkotik. Ai e vë mendjen në gjumë dhe e shpie drejt indiferencës.

Jeta do të ishte e mrekullueshme, nëse njerëzit do të mund të të linin rehat./KultPlus.com

“Duke udhëtuar në një libër erërash të reja”

Poeti i ri nga Peja, Donart Rexhbogaj, ka botuar këto ditë, librin e dytë poetik, me titull “Eolia”.

Shkruan: Preng Maca

 (Mendime rreth librit poetik “EOLIA”, të poetit, Donart Rexhbogaj)

    E lexova me vëmendje librin e Donart Rexhbogajt, jo vetëm se e pata në dorë këtë libër, por sepse poezia e tij prej kohësh ka trokitur ndryshe në vëmendjen time. Poezia e shkruar dhe e sistemuar në një libër, ma përforcoi edhe njëherë mendimin, se poezia e vërtetë është gjithnjë elitare, e ndërkaq poetët janë si të gjithë njerëzit e kësaj bote, pos kësaj, të shënuar nga Zoti ta imitojnë ATË, duke e rikrijuar botën prej fjalësh, si një ndjesi, si një shenjë, si një pasqyrim, si një përjetim, si një qëndrim, si një estetikë, si një muzikë, si një dhimbje, si një forcë, si një mençuri…

     Ata (poetët), janë të përkohshëm, ndërsa mbetën të përjetshëm pikërisht me shenjën e veçantë që e lënë si një testament, shenjë kjo e pavdeksisë së tyre të vërtetë.

     Përpara leximit të këtij libri kisha në dorë Paul Calan, një “dhuratë” e mrekullueshme prej poetit Agron Tufa, përkthyer me një mjeshtri e dashuri të dallueshme, një Celan që flet shqip… Diku i lexova vargjet e poshtëshënuara dhe me mbetën në mendje;

“Fjala – a e di:

është një kufomë.

Ejani ta lajmë,   

ejani ta krehim

ejani t’i kthejmë,

sytë e saj nga qielli”

      Ndërsa lexoja librin poetik të Donart Rexhbogajt, kjo poezi e Celan m’u zgjua papritur në mendje, aq herë sa e rilexova këtë libër. Poeti Rexhbogaj, e kishte kthyer fjalën e bukur shqipe me fytyrë nga qielli.

     Një poezi e shkëlqyer, e dorës së parë, ku rri aq hijshëm ndjeshmëria, mendimi, stili origjinal, gjuha, teknika e të shkruarit me ato shenja aq origjinale, falë të cilave kush e lexon e kërkon poezinë e këtij poeti të veçantë, si një “mjet” që të çon në një botë që shkëlqen e vibron.

    Duke “pluguar” poezinë  më të bukur të traditës, shfaqet aq modern, i kursyer në sasi, dhe bujar në cilësi. Fjala e figurshme shfaqet tek lexuesi në mënyrë të pashlyeshme, ndërsa metafora e shpërfaq brenda vargjeve kulturën, dijen, guximin, njeriun me dhimbjet dhe vikamën e ngritur mjeshtërisht, me një regjistër poetik krejt të ri.

    Libri është i strukturuar në katër cikle.

Rrjedh, dhe të bën t’i rikthehesh për të vjelë, atë që përmban jo vetëm në gjërësinë e vet, por për të shijuar thellësinë, nivelin më të lartë poetik e emocional, i cili haset kudo në faqet e këtij libri.

       I lexuar, sipas meje ciklet i mendova kështu;

       ( I kërkoj falje autorit për sinqeritetin, por ta lexojë si shenjë dashurie për poezinë e tij!);

“Katër fjalë t’çame n’mes”

(Dimri… kështu e përjetova unë)

“Fëmijë  i shiut”

(Pranvera… siç e ndjeva)

“N’andrrinë”

(Vera… sipas meje)

“Moti m’asht vra”

(Vjeshta…pjekuri dhe dhimbje)

       Poezitë e ciklit të parë, kanë një dialog të çuditshëm. Kufiri mes atyre që janë dhe atyre që nuk janë më, tashmë është i fshirë. Është dashuria dhe malli ajo që e bën të mundur dialogun;

“A ke gjumë n’at terrinë t’dheut Ernë

 A t’mërdhijnë ato t’njomat duer…”

      Dialogu ka diçka të largët nga eposi.

Biseda është e lirshme, ndërsa kufijtë janë të fshirë tashmë. Ndjen dhimbje dhe nuk mundesh ta kalosh lehtë. Ne thuajse jemi të përbërë prej plagësh, rruga nga e cila kaloi e tashmja është krejt dhimbje e atyre që mbetën si shenja prej nga erdhi liria.

  “…Pranvera asht stina jote…”, shkruan poeti;

   “…Hajde oj Ernë pashë moshën tande

       Se nana veç nji pranverë ka”

     Nuk flet nana, por poeti e fut në skenën e poezisë, në lutjen e saj, këndon dashuria e madhe për ta pasur sërish vajzën, bijën, “ikur” nëpër luftën jetëgllabruese, ndërsa zbulohet se mungesa e Ernës, ka vendosë një dimër në zemrën e nanës, por jo vetëm asaj.

    Tek poezia  “Marazi i erës”, tani pikturohet shtëpia ku tashma pushon Ernë. Janë përdorur fjalë tipike që tregojnë raportin e të gjallëve me ata që ikin. Kursyer në fjalë dhe me një gjuhë të figurshme, hapet dhe mbyllet “dritarja” e kësaj poezie.

     Tek poezia “Çohu”, tonet rriten. Kërkohet që ajo të dëgjojë, është kërkesë ngritja e saj, ”harrohet“ kufiri i madh i vendosur tashmë, ka një shpresë prej nga mendohet se ende ka një mënyrë me udhëtue…

  “…Me t’prek nuk mundem

      Me t’lëshu nuk guxoj…”

    Këto vargje kanë një tension të madh. Nuk mund të jetohet pa të kaluarën, pa mungesën, pa kujtimin e saj;

 “…Udhë e udhë ke

     Me ardhë e me shku…”

    Dera mbetet e hapur, nuk ka lamtumirë, dialogu vazhdon, dhe asnjë pengesë tashmë s’ka. Bie në sy veçanërisht mënyra e trajtimit të poezisë. Aty janë të gjitha, poeti nana, Ernë që mungon, një mungesë e spërkatur, me një elegji ku fryma e eposit të veriut bën një dritë, prej së cilës gjithçka është mëse normale, e mundshme.

    Tek cikli, “Fëmijë  i shiut”, poeti  hyn tek vetja, shpjegon veten, të shënuarin e tij, raportet thuajse jashtë njerëzore, të një fati të para thënë.

     Tek poezia “Fëmijë i shiut”, gjendemi në historinë e sajuar poetikisht. Gjithë poetët e vërtetë kanë pjesë në atë poezi, ose ma mirë me thënë, janë nga pak të skicuar në këtë poezi.

    “…Asht fëmijë i shiut, i patën thanë

       Je gëzue para vaktit…”

     Këtë poezi e ndjeva, se m’u shkrua në mendje, që herën e parë kur e lexova. Këtë cilësi e ka poezia e Donart Rexhbogajt.

     Kisha me e veçue një poezi kredo të poetit. Ajo ndoshta ka për t’i bërë të skuqen ata që e mbushin emrin e tyre me libra të pafund.

N’GERMË

“Me u nisë

N’varg

Dikund duhet me vdekë

Shkrumb m’u ba n’germa

E letrën mos me e mbaru

Deri kur germa

T’bahet

Frymë e fjalë!”

    Do të mjaftonte kjo poezi për ta kuptuar çfarë është poezia për Rexhbogajn;

“Due me t’përngja

Sall me t’shikju

Po përditshmënia

Ma sos qejfin,

Me njoftë të pambërritshmen…”

    Janë vargjet në poezinë me titull “Me t’përngja”. Së pari ka karakter filozofik. Poetët gjithnjë synojnë të pamundurën. Elegancë dhe kumt, vargje të menduara e të shkruara me një stil të dallueshëm, një gjuhë ku bën dritë një gegnishte e kujdesshme, një fonetikë poetike e cila e vendos emrin e autorit në një gjeografi poetësh tashmë.

    Pas ciklit poetik “Fëmijë i shiut”, pason cikli tjetër; “N’andrrinë”.

      Stili është i njëjtë për ai vështron në një kënd tjetër botën, mbushur me shumë imagjinatë e mendim, me konstrukte të çuditshme, zbuluar magjishëm e me finesë.

    “Sofrën leje shtruem”, një poezi që më ndaloi si një kangë, që e kthejmë shiritin për ta shijuar dy tre, herë.  Më bëri për vete për intensitetin e të shkruarit, atë botë të “fshehur” brenda gjërave të përditshme, prej nga marrin rrugë një nga krijimet më të spikaturat të librit.                    Aty është Atdheu, krejt ajo gjendje e re, marrëdhënia e rrezikuar nga lufta për të jetuar larg Atdheut, duke e mbajtur atë në mendje e zemër, ndërsa vetë nana, kisha me thanë se është marrëdhënie ma shënuese për Atdheun; 

“…Kam me u dukë

Po s’kam me u pa

Nanë!

Sofrën leje shtruem…”

     Natyrisht se dashuria nuk ndodhë të dallohet, ndaj dhe biri nuk shihet por ndodhë gjithnjë që është aty, në shtëpi, në Atdhe. Largësia nuk pengon asnjë me e gëzue dashninë, nanën e cila sheh andrra me “Fëmijën e shiut”. Ta shkruash jetën e zakonshme në mënyrë të jashtzakonshme. Ky është një leksion mjaft cilësor i poezisë së këtij libri me aq pak fletë dhe aq shumë botë. Natyrisht gjërat e menduara janë kualitet intelektual, sepse arti i vërtetë përcaktohet nga cilësia e tij së pari.

“…E unë rrëfehesha

    Për mëkatin që s’e kam ba…”

    Diku tjetër i lexova këto vargje në një poezi në vazhdim. U ndjeva i strukur brenda tyre, pak i trishtuar, por kjo “çati” poetike e Rexhbogajt më shpëtoi për momentin nga trishtimi i botës dhe i jetës plot shpresa e zhgënjime.

    Pastaj pak vargje, nga një poezi tjetër mjaft mbresëlënëse, shkak për ta lexuar dy tre herë, për të qenë në lëkurën e poetit. Nga poezia  “Rruzullim shatzanë”;

“…Trajtë kam lëshu

N’kët tokë,

Si pëlhurë n’vek endem shpirtit

Dera më pagëzon

Si hiç i së nesërmes…”

     Rrallë më ndodhë të lexoj cilësi poetike e filozofike kësisoj. Në landën e shkruar “fshihet” kultura e dija e Rexhbogajt. E kam parandjerë librin e tij poetik. I sigurt se ai ka me na “godit” me një libër si ky që kam në dorë. Natyrisht në kapakët e këtij libri gjeta emrin e Xhevdet Bajrajt, dhe nuk u surprizova aspak. Syrit  të kujdesshëm të Bajrajt nuk i ka shpëtuar poezia e Rexhbogajt. Është me fat poeti në emrin e një kumbari si Xhevdet Bajraj, por dhe Bajraj mendoj se është gëzuar me zbulimn e një visi poetik, ku “banon” autori i këtij libri. Është fundviti dhe në këtë çast sapo ka hyrë viti i ri 2020.

   Libri i Rexhbogajt është një libër i ri, një mënyrë e re e të shkruarit të poezisë. Ai vendos lart stekën, duke e bërë atë të pakalueshëm për mediokritetin poetik, kësisoj jep një kontribut në rritjen e cilësisë së poezisë;

 MOMENTI

“Momenti asht ndjesi

E pamarrun vesh,

Pritje e çoroditun…

Momenti

Asht tutë!

Mashtrim i kohës

Që s’vjen kurrë!

Momenti

S’ban rrugë!

Asht veç nji andërr e keqe

Që e kam besu!”

     Nuk munda me e nda këtë poezi. Ajo nuk mundi me ndejt e pjesshme. Nuk e marr vesh se ku fillon, e ku mbaron. Ajo ka lind dhe nuk mund ta prekësh. Një bravo për poetin!

    Mes të tjerave kisha me dallue poezinë  “Gryka”.

   Gjetje befasuese, metafora elegante, strukturë krejt veçanti. Detyra e këtij shkrimi është njësoj mirënjohje për këtë libër që lexova këtij fundviti, e viti i ri më zuni me këtë libër në dorë. E marr si ugur të mirë për vete dhe për lexuesit që e patën këtë fat. 

Do të jetë një vit poezie!

GRYKA

“Grykë

Asht ajo grykë

Që t’merr

Ngryk

Ba me dashtë

Të grykon,

Ba me dashtë

Të hudh e s’të lëshon

Ba me dashtë

Të zanon,

Vorrin ta len

Emnin s’ta gdhend

Gryka

Që asht grykë

T’bahet gjamë,

Gurin

Ta ban jastëk

E vet bahet

Gur!”

    Përmbyllës vjen cikli i fundit i librit, “Moti m’asht vra”. Këtë cikël e sundon lirika e një dashnije plot dritë, pezm, lutje, shpresë, drita që na bën të mos e mendojmë vdekjen e të shpresojmë gjithnjë në dashninë, si një stacion drejt të cilit përsoset njeriu.

   Ndërsa isha duke lexuar poezitë e këtij cikli, nuk e di pse m’u kujtuan vargjet aq të bukura nga De Rada :

                 “…Çdo ditë malli për ty bëhet më i thellë

                  Kur nuk të shoh ty nuk jam ma i kthjellët…”

     Poezitë e këtij cikli kanë një qasje ndryshe ndaj dashnisë, dhimbjes, sjellë prej saj, gjurmët e lëna tek njeriu, gjurmë të cilat bien aq lehtë e të pashlyeshmne njëkohshëm nëpër vargje.

    Poeti hap derën e asaj që quhet intime, personales së tij, të një përjetimi aq të besueshëm, na beson çelsat e një shtëpie poetike, ku shkruhen vargje të përdiellta dashnije. Vargje nga poezia;

“T’lus t’më kjash”

“…Hajde pa ba za

E njehi mirë

Ditët e djehme pa ty!

Njaty janë

T’palueme në qivurin bri meje

E masnej

T’lus t’më kjash!”

    Është këtu lutja, një përpjekje tashmë për ta shëruar plagën e cila dhemb nga ndarja. Nuk bëhet fjalë për rikthim, por ajo çfarë ka shkëlqyer dikur është sërish në kujtesë dhe lutja për të dashurën se ai do të jetë gjithnjë në të njëjtin vend duke e menduar gjithnjë atë çfarë humbet mes njerëzve që duhen. Çfarë do të ndodhë më pas? Asnjeri nuk di më tepër se autori, falë të cilit përftojmë këtë poezi të rallë për nga drita që lëshon ajo tek lexuesi, falë së cilës gjithkush shkon e falet në “kishën” e vet.

     “Me vdekë para teje”, është tjetër poezi. Ai që dashuron don me vdekë para saj, sepse nuk mundet me e durue ndryshe. Dashnija këtu ka një vetmohim, tregues i një thellësie e ndjeshmërie hasur në jetë mes njerëzve që duhen. Poezia është shkruar me trevargësh por brenda saj është njësoj gjendja dhe forma, mbi  të gjitha gjuha aq e pasur , aq e pastër njëkohësisht. E ka qëruar fjalën e cila vazhdimisht është një pengesë për të thënë atë që ndjen, por Rexhbogaj e sfidon këtë  mendim për gjuhën me mënyrën se si e trajton atë(gjuhën), si një shenjë shprehje që transmeton pa humbë ndjenjën dhe mendimin..

“… Ti kurrë s’ke me dëgju zanin tem

Atë t’egrin, fëminorin, t’padëgjueshmin

Sepse gjithmonë kam me u ba fjal jote…”

   Në poezinë tjetër gjithë çfarë ndodhë është një rikthim në kujtesë. Nuk ka shpresë aspak por dhimbja akoma zotëron, aty mbetën gjumët e një ngjarje ku humbin njerëzit për njëmijë arsye, por nuk ndjehet mëri. Bëhet një apel i lehtë  vlerash e përkujtimesh.

“…E tue t’pa

Kam harru

Si duket pritja…”

  Pastaj ngjarja tjetër është ndryshe. Ka shumë dashuri, distanca është shterruese, askush nuk do të gjendet larg, gjithsekush e dëshiron afeksionin e dashnisë. Pak vargje nga poezia“Me ikë”;

“…M’duket shumë!

Me ikë

Po si me ikë

Hapave tu

Që m’shkelin përditë!”

    Nuk ka rrugë tjejtër përveçse me qenë me atë (Të dashurën).

   Të gjitha rrugët të çojnë tek dashnija. Poezi si një arritje e emocionit dhe e përçueshmërisë, prej një mjeshtrie të spikatur.

    Tani një poezi tjetër nga ato që nuk mund të lashë pa e sjellë në këto pak rreshta për poezinë e Rexhbogajt. Titulli është kuptimplotë por dhe vetë poezia njësoj. Vlerat e poezisë janë tek qartësia niveli i transmetimit emocional, narracioni, mbi të gjitha leksiku i zgjedhur e figurat letrare në faqet e librit.  Poezia titullohet “Larg me t’pa”;

“Buzë perëndimit

Larg me t’pa

Afër me t’u afru

Kur du me t’dashtë

Më përhumbesh para syve

Kur du me ardhë

Të rrëmbejnë retë

Tue praru ti m’djeg ma shumë…”

      Mundohem vetëm me e cik këtë libër, sepse po të ishte për mue të gjitha poezitë kanë zjarrin e vërtetë të poezisë me vlerë. Metafora e poezisë së Rexhbogajt është aty, për ta prekur e në këtë prekje gjithkush zgjohet më i mençur, më i pasur. Një libër si ky do të mbetet  aty në skaj  të librave të zgjedhur duke ma ba me sy ta lexoj sërish, sepse poezia e Rexhbogajt sa herë e lexon lëshon një dritë të re , ndriçuese për jetën e njeriut.

    Do  të mundohem të bëj  të njohura edhe dy vargje, tunduese për nga mesazhi, nga vërtetësia, nga ndjeshmëria, lakonizmi, nga të gjitha ato që përbëjnë poezinë moderne e të lashtë,  ndërsa  e bëjnë atë (poezinë), të pakonkurueshme prej asnjë shpikje moderne të teknologjisë,  e cila vrapon sikur do të fshijë gjithçka të shkruar në fletë. Por njeriu mbetet gjithnjë një soj qenie më perfekte në këtë botë, qenia më rrezatuese. Dy vargje nga poezia “Fundi:;

“…O Zjarre kanë me ardhë

E na s’kem me kenë aty…”

     Udha e mbarë poezia e Donart Rexhbogaj!  Jam i bindur se ata që e duan poezinë do të gjejnë tek libri juaj poezinë në nivelin më të lartë, si një dashuri që nuk shterr kurrë, si një apel për ngritjen e nivelit poetik e të “kursimit” të letrës. O duhen shkruar habi poetike si tuajat ose duhet të kënaqemi si lexues, nëse nuk mund të shkruajmë poezinë që duhet.

     Isha i lumtur që e pata librin tuaj. E mbaj aty në tavolinë e herë pas here e lexoj. Libri juaj më ngjall të njëjtin efekt,  siç ndodhë me  një muzikë të bukur që pasi e dëgjojmë, e kthejmë sërish për ta shijuar sërish e sërish. Gjithnjë  vargjet tuaja lëshojnë  dritën që përmban në vetvete poezia moderne. Me këmbët e mbështetura tek tradita e klasikja , për së tepërmi është  një shembull se gjuha shqipe është e mundur të ketë një regjistër të nivelit të lartë perceptimi e shprehjesh.

Më ngjan se ju kam lexuar tash njëqint vjet!

Preng MACA

Tiranë, 1 janar 2020

Pritja

Poezi nga Besim Bokshi.

Kam pritur – si shkëmbi,
si ylli skaj horizontit – në pikëllim,
vite me radhë…

Larg jam,
aty ku puthen jeta dhe vdekja –
aty i përtyp ditet e mia të gastarta…

Kur të vijë,
ndoshta do të më gjejë të mplakur
e s’do të mund të qesh si flladi i pranverës

Të vdes – nga gëzimi,
do të mundem!

Mos u zhduk

Poezi nga: Evgeni Jetvtushenko

Përktheu: Visar Zhiti

Mos u zhduk… Duke u zhdukur nga mua,

e çmishëruar vetvetes ju zhduke.

Vetja jote kështu u tradhëtua

me pandershmëri prostitute.

Mos u zhduk… Të zhdukesh është lehtë,

të ringjallesh për tjetrin s’ka se si.

Vdekja të tërheq shumë thellë,

të vdesësh nuk është mënçuri.

Mos u zhduk. Harro hijen e tretë.

S’ka të tretë. Dy janë dashurive.

Bashkë do shkojmë në gjyqin e shenjtë,

kur gjaku t’na thërrasë për përgjigje.

Mos u zhduk… e kemi shlyer mëkatin,

fajtorë s’jemi ne, as damkosur.

Të denjë jemi unë dhe ti për të falur

në-mos-dashje ç’kemi plagosur.

Mos u zhduk. Të zhdukesh është çast,

por si do takohemi nëpër shekuj?

Ç’sozi kemi në botë, ti fantazmë

dhe unë? – Fëmijët tanë të qeshur.

Mos u zhduk. Jepma dorën tënde,

në të jam shkruar unë – i besoj sekretit.

Dashuria e fundit është e tmerrshme,

S’është dashuri, por frikë e humbjes së tjetrit./KultPlus.com

New York Times: Shqipja, ndër tri gjuhët më të vjetra në botë

Sipas një studimi “New York Times” rendit armenishten si gjuhën e parë më të vjetër në botë, e dyta është greqishtja, e më pas vjen shqipja, prej nga rrjedhin shumë gjuhë të tjera.

Ndikimi i gjuhës shqipe në gjuhët e tjera në rajon, dhe pohimet se shqipja është gjuha më e vjetër vazhdojnë të jenë temë diskutimi dhe debati në Ballkan. Kjo për shkak se teoria përmban implikime të shumta etnike dhe politike dhe ushtron një ndikim të mundshëm në pretendimet e shteteve moderne për territore të kontestuara.

Sipas gazetës prestigjioze amerikane “New York Times”, gjuha shqipe radhitet në mesin e 3 gjuhëve më të vjetra të botës. Në studimin e publikuar dje dhe të përhapur rrufeshëm në të gjitha sitet online, paraqiten fakte se gjuha shqipe është ndër gjuhët më të vjetra të botës, madje si gjuhë është praktikuar që në kohën e Greqisë së lashtë.

“New York Times” rendit armenishten si gjuhën e parë më të vjetër në botë, e dyta është greqishtja, e më pas vjen shqipja, prej nga rrjedhin shumë gjuhë të tjera. Në fakt, kjo ka qenë tezë për shumë albanologë shqiptarë, të cilët gjithnjë kanë argumentuar se gjuha shqipe burimin e ka në gjuhen indoevropiane, e cila ka gjetur përdorim që në kohën para lindjes së Krishtit, respektivisht para epokës së re.

Si argument mbështetës të asaj që pohon në studimin e saj prestigjiozja “New York Times”, po u referohemi më poshtë kërkimeve shkencore nga të huajt që dalin në këto konkluzione shumë më herët. Në shekujt XIX dhe XX, shkenca e gjuhësisë krahasuese bëri të mundur që studiuesit të përcaktonin origjinën e gjuhës shqipe dhe lidhjet e saj me gjuhët e tjera indoevropiane. Të shumtë ishin shkencëtarët që bënë emër në këtë drejtim, ku mund të përmendim filologun Gotfrik Lajbnik (1646-1717), i cili deklaroi se gjuha shqipe rrjedh nga ilirishtja. Hans Tunman pak më vonë (1746-1778), historian suedez, profesor në Universitetin e Halles të Gjermanisë, ishte albanologu i parë që studioi shkencërisht origjinën e gjuhës shqipe. Ai bëri kërkime në burimet greke, latine, bizante dhe studioi fjalorin tregjuhësh sllav-grek-shqip të Theodhor Kavaliotit të vitit 1770.

Hans Tunman arriti në përfundimin se, shqiptarët janë vazhdues autoktonë të popullsisë së lashtë ilire, që as u romanizua dhe as u asimilua nga dyndjet e mëvonshme.

Johan Fon Han, 1811-1869, austriak i diplomuar për drejtësi në Universitetin e Haidelbergut, i cili shërbeu si gjykatës i shtetit të ri grek, dhe më vonë si nënkonsull në Janinë, iu fut studimeve të gjuhës shqipe bashkë me mendjendriturin, gjuhëtarin shqiptar, Kostandin Kristoforidhi. Botoi tri vëllime ‘Studime shqiptare mbi kulturën, gjuhën dhe historinë’ dhe nxori përfundimin se shqipja rrjedh nga ilirishtja dhe ilirishtja nga pellazgjishtja.

Franc Bop 1791-1867, profesor i Universitetit të Berlinit dhe themeluesi kryesor i gjuhësisë së krahasuar historike indoeuropiane, botoi në vitin 1854 veprën e tij dhe nxori përfundimin se shqipja bën pjesë në familjen indoevropiane dhe është gjuhë e veçantë pa simotër gjuhë tjetër. Dhimitër Kamarda, filolog italian me origjinë shqiptare, botoi veprën ‘Një ese e gramatikës krahasuese rreth gjuhës shqipe’ më 1864, ku vërtetoi me dokumente lashtësinë e gjuhës shqipe si një gjuhë ndër më të vjetrat në botë. Gustav Majer, 1850-1900, profesor austriak në Universitetin e Gracit, anëtar i Akademisë së Shkencave të Vjenës, i cili u specializua në fushën e studimit të gjuhëve shqipe, greke dhe turke, botoi librin ‘Mbi pozitën e gjuhës shqipe në rrethin e gjuhëve indoevropiane’ në vitin 1883, që më vonë u pasua me 8 vëllime shkencore mbi historinë, gjuhën, poezinë, përrallat popullore shqipe dhe ngulmimet e arbëreshëve në Itali dhe Greqi./KultPlus.com

“Le të flasin njerëzit për vetën e tyre”

Ese mbi filozofinë dhe mendimet e Jean-Jacques Rousseau

PërktheuBardhi Bakija

Përmendjuni Jean-Jacques Rousseauin disa liberalve e libertarianve, universi mendor i së cilëve është i pajisur me tregje të lira, të drejta individuale dhe shkencë evolucionare, dhe shpesh do t’iu thuhet se ai qe një mashtrues, një hipokrit dhe i çmendur, zbrazëtia e mendimit të së cilit tejkalohet vetëm nga shthurja e karakterit të tij. Gjatë Luftës së Ftohtë, ky reagim me shumë gjasë do të shoqërohej nga një akuzë tjetër: se Rousseaui ishte stërgjyshi intelektual i totalitarizmit, se krimet e së Majtës, që nga Terrori i Madh e te Gulagu, rezultojnë nga idetë e tij. Intelektualisht, urryesit e Rousseauit shpesh e shohin atë si paraardhës të armiqësisë iracionale ndaj shkencës dhe “progresit”, sikur të ishte disi fajtor si për postmodernizmin ashtu edhe për kundërshtinë e mpiksur ndaj energjisë bërthamore dhe të korrave të GMsë. Kështu, Rousseau na bëhet personifikim jokoherent i të gjithë kundërshtarëve të shoqërisë shekullare liberale dhe komerciale.

Në anën tjetër, ka prej tyre të cilët e duan Rousseauin, që e shohin si një mendimtar me aftësinë e depërtimit në premtimet e rreme të modernitetit dhe si udhërrëfyes dhe shoqërues në lidhje me atë se si të jetohet mirë, apo të paktën si të mbijetohet, në një shoqëri të pllakosur nga koprracia, gara dhe statusi. Kjo, përkundër asaj që ai ishte një burrë jashtëzakonisht i vërshtirë për t’u marrë me të, një shok i paarsyeshëm dhe kopriçoz, dhe një mizogjin i cili tjetërsonte pothuajse çdokë që e donte dhe që kujdesej për të. Këto ekstreme duken edhe më të çuditshme kur kujtojmë se Rousseaui nuk mbajti ndonjë post politik, se ai veçse shkruante libra, letra dhe muzikë. Ai ishte totalisht i panjohur deri në moshë të mesme dhe, pas një periudhë të shkurtër të famës së madhe, ai vdiq në rrethana të errëta dhe i varfër. Gabimet e tij, çmenduria e tij dhe ndonjëherë veprimet e tij të rënda të mërisë dhe mosfalenderimit, të përmendura shpesh nga armiqë e tij, dhe në të shumtën e rasteve, të pranuara prej vet atij, nuk e veçojnë atë si një prej monstrave të historisë.

Kalimi i kohës e bën këtë poashtu të veçantë. Rousseau u lind para 300 vjetësh (më 28 qershor). Publiku vështirë se mban mend dikë për një kohë aq të gjatë, prapë se prapë Rousseaui vazhdon të inspirojë, të gjenerojë konferenca të pafundme akademike, biografi, dhe studime kritike në shumë disciplina. Ai ka inspiruar romane siç është Rrëfimet e Reja [The New Confessions] të William Boyd.

Falë shkrimeve të tij autobiografike, faktet e jetës së Rousseauit janë të njohura mirë. Pas vdekjes së të ëmës gjatë lindjes së tij në Zhenevë, Jean-Jacques u edukua nga i ati, qytetar si dhe një patriot zhenevas dhe rastësisht mësoi për historianët romakë.

Por kur ishte vetëm dhjetë vjeç, i ati u largua për t’iu shmangur një procesi gjyqësor, dhe në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare, kur po kalonte një jetë të mjerueshme si shegert i një gdhendësi, ai hoqi dorë nga qyteti, për t’u kthyer vetëm për vizita të rralla.

Deri më 1749, ekzili, pas një jete të larmishme si dashnor i një aristokrate, si shërbëtor, muzikant shëtitës, tutor i fëmijëve të aristokracisë dhe, disi pakënaqshëm, si sekretar i ambasadorit francez në Venedik, ai qe një vizitor i padalluar në salonet e Iluminizmit që frekunetoheshin prej Denis Diderotsë dhe qarkut të tij. Atë vit, rrugës për të vizituar të burgosurin e përkohshëm Diderot, Rousseaui thotë të ketë pasur një lloj epifanie. Me të lexuar rreth një gare letrare të organizuar nga Akademia e Dizhonit, Rousseaui u ballafaqua me pyetjen se a kuntribuonin artet dhe shkencat moralit a jo? Ishte atëherë, thotë ai, që atij i erdh teza disi e errët qendrore e filozofisë së tij: se njeriu është i mirë për nga natyra, por i koruptuar nga shoqëria. Duke arnuar këtë mendim së bashku me disa pasazhe gjysëm të kopjuara nga Montesquieu, Rousseaui përmblodhi Diskursin mbi Shkencat dhe Artet [Discourse on the Sciences and the Arts], që i fitoi çmimin dhe i siguroi famën.

U nis një karierë që do ta shihte Rousseauin të zhvillonte ndjeshmërinë e tij të natyrshme muzikore, tekstet klasike që i kishte lexuar me të atin, shkencat e reja humane që i konsumoi si tutor, dhe krenarinë e tij republikane Zhenevase në një konceptim të dalluar të njerëzimit, shoqërisë, jetës së mirë dhe vetes. Së bashku me shkrimet e tij mbi politikën, ai do të jepte kontribut të çmuar në letërsi, në opera dhe muzikë, në edukim, fe dhe në studimin e gjuhës, antropologjisë dhe autobiografisë, dhe madje edhe në botanikë. (Natyra ndërdisciplinare e arritjeve të Rousseauit shpërfaqet shumë mirë në librin Rousseau dhe Liria [Rousseau and Freedom] të Christie McDonaldit dhe Stanley Hoffmannit, ku çështjet standard të politikës dhe filozofisë lidhen me interesat e Rousseauit për teatron, muzikën dhe historinë.)

Damari më i dalluar që e përshkon veprën e tij, është pyetja, se si të kënaqen nevojat tona më bazikë për liri dhe njohje në një botë të ndërvarësisë. Rousseaui qe i fiksuar pas idesë se përderisa nevojat tona shumëzohen përtej pikës ku ne do të mund t’i plotësonim ato duke përdorur forcat tona të natyrshme, ne jemi bërë të varur nga bashkëpunimi me të tjerët për të marrë atë që duam, një temë që eksplorohet në mënyrën më të spikatur te Diskursi mbi Pabarazinë [Discourse on Inequality].Varësia te të tjerët ndjell një deformim në vete përderisa njerëzit shndërrohen në personazhe të cilët ata besojnë se të tjerët do t’i shohin si joshës apo të dobishëm. Por ne të gjithë po e luajmë këtë lojë së bashku, dhe ndjenja se dashuria dhe respekti që na japin të tjerët mund të jetë e shtirur për arsye instrumentale, një ndjenjë që merr mbështetje nga ajo çfarë bëjmë vet ne për t’i nënshtruar të tjerët ndaj vullnetit tonë, shkakton një sens të thellë ankthi dhe ndjenja të krenarisë, kotësisë, tërbimit, përbuzjes, vetë-urrjetjes dhe xhelozisë. Ne përfshihemi me të tjerët jo ashtu siç “jemi në të vërtetë” por përmes një loje pambarimisht rekursive të besimeve rreth asaj se çfarë besojnë të tjerët, një lojë që përforcon hierarkitë e shtypjes dhe dominimit. Këto forca të fuqishme na socializojnë dhe izolojnë njëkohësisht, duke na shtyrë që të ndrydhim ndjeshmërinë tonë të natyrshme ndaj vuajtjes së të tjerëve dhe që të zhvillojmë racionalizime të elaboruara për të arsyetuar pushtetin dhe pozitën që marrin formën e ideologjive politike dhe kodeve morale.

Pa dyshim se pikëpamja e Rousseauit për modernitetin është tepër distopiane. Kritikët kanë qenë shumë të shpejtë të gjejnë burimin e fiksimit të tij me opinionin dhe varësinë ndaj sëmundjes së tij mendore. Megjithatë, Rousseaui gjithsesi ka të drejtë të ketë identifikuar këtë tension mes aspiratës për autonomi dhe varësisë ndaj zgjedhjeve dhe opinioneve të të tjerëve si njërin prej problemeve kyçe të jetës modern: manifestimi i tij i fundit është varësia e jetës së shumë njerëzve ndaj opinioneve të paqëndrueshme të tregtarëve të bonove dhe përpjekve të dëshpëruara të politikanëve për të inspiruar “besim” në ekonomitë e tyre. Në të këto çështje, Rousseaui është paraardhës edhe i Marksit edhe i ekzistencializmit.

Përgjigjja e Rousseauit ndaj këtyre çështjeve është shpesh dorëheqja dhe pesimizmi. Në një disponim më konstruktiv, ai u përpoq të mendonte për mënyrat e përballimit. Te Kontrata Shoqërore [The Social Contract] ai u mor me idenë se a mundet që liria dhe ndërvarësia të arrihen përmes politikës. Te Emile: ose, Mbi Edukimin, ai shikonte se si mund të edukohej një fëmijë për të rezistuar deformimet e modernitetit. Aty, ai shtyn përpara një ideal të cilin sot do ta quanim edukim të përqendruar te fëmija [child-centred education], në të cilin nxënësi inkurajohet që të mesojë përmes një program të strukturuar me kujdes të zbulimeve në dukje spontane, të cilat e lënë atë të sigurtë në kuptimin e fuqive dhe aftësive të tij dhe rjedhimisht mospërfillës ndaj korupsionit të opinionit. Komanda, mësimi i rutinës, e madje edhe librat janë të huaj për këtë metodë pedagogjike. Mësuesi e lë fëmijën të zbulojë gjërat për veten e tij: por është gjithmonë i vëmendshëm që të shtrojë rrugën e duhur përmes sugjerimeve të arsyeshme. Natyrisht se ka shumë më tepër se kaq te Emile; ai poashtu përmban reflektimet më të sofistikuara të Rousseauit mbi psikologjinë dhe emocionet, shpërfaq mizogjininë e tij më ekstreme dhe shndërrohet në një lloj romani. Për fat të vetë karierës së Rousseauit, libri përmban aq profanime fetare sa ta bëjnë të dënohet në Paris dhe Zhenevë dhe të ndiqet për në ekzil në Stafordshajër.

Por ky është një manual edukimi që ka ndjellë interesim më së shumti, dhe rezistencë. Brenda një viti pas botimit, Emile u ndesh me gjykime të rrepta nga kritikët – shumë prej tyre të përshpirtnuar nga mendimi se fëmijët të cilët mësojnë që të mendojnë për veten e tyre mund të gjenerojnë pikëpamje skeptike ndaj ortodoksisë fetare dhe politike. Më i rëndësishmi nga ta ishte H.S. Gerdil, Anti-Emile i së cilit u shfaq vitin që pasoi.

Edhe pse ka shumëçka te Emile për të ngazëllyer urryesit e Rousseauit, është vërtet politika, siç deklarohet te Kontrata Shoqërore, që shpjegon pjesën tjetër të armiqësisë – veçanërisht kur ndërlidhet me ndikimin që Rousseau perceptohet të ketë pasur mbi Revolucionin Francez dhe ngritjen në pushtet të njerëzve të cilët deklaruan se qenë ndikuar drejptërdrejt prej Rousseauit. Kur, në vitin 1794, revolucionarët ri-internuar Rousseauin në Pantheon së bashku me armikun e tij të përbetuar Voltaire, si inspirues të përbashkët të republikës së virtytit, ata betonuan një asociacion mes tyre dhe zhenevasit, që i rezistoi kohës. Revolucioni dhe luftërat që pasuan sollën ankth te klasat sunduese në Evropë, ku shumë prej francezëve kishin pësuar shpronësim, zhvendosje dhe prerje kokash. Reagimi intelektual që pasoi qe i detyruar që të kërkonte zanafillat idelogjike të katastrofës dhe Rousseaui, i cili pat argumentuar për sovranitetin e patjetërsueshëm të popullit, qe një figurë e qartë për t’u fajësuar. Për më tepër, shumë prej formulimeve më të gjalla të Kontratës Shoqërore, siç është argument se qytetarët që sforcohen që t’i binden “vullnetit të përgjithshëm” janë prandaj “të detyruar që të jenë të lirë”, ofrojnë një lidhje sipërfaqësore mes lapsit të Jean-Jacquesut dhe aktualiteteve ekstatike të Jakobinizmit.

Vetë politika e Rousseauit, posaçërisht ndaj vendlindjes së tij, qe disi e moderuar dhe pajtuese të paktën deri atëherë kur edhe aty u dënua Kontrata Shoqërore. Zheneva, edhe pse e përqafonte vetëm nominalisht idealin e sovranitetit popullor, qe në fakt një oligarki fisnikësh, edhe pse qytetarët e saj provuan që të merrnin të drejtët të cilat mendonin se ishin të tyre përgjatë episodëve të ndryshëm në shekullin e 18-të. Baba Rousseaui kishte futur në mendjen e të birit një lidhje sentimentale me idealin e një Zheneve të bashkuar dhe ai mund të ketë mashtruar veten disi për sa i përket realitetit oligarkik. Kur do ta kujtonte më vonë një vizitë qytetit në vitet 1730, frymëzimi i supozuar për dhunën e mëvonshme revolucionare e bëri të qartë tmerrin e tij ndaj prospektit të gjakderdhjes për qëllime politike. Edhe kur doktrinat republikane të Kontratës Shoqëore e ktheu Rousseauin në një armik dhe viktimë të sunduesve të Zhenevës, ai vazhdoi të mbronte disa prej kompromiseve kushtetuese që ngjeshnin pushtetin e tyre, dhe ndërsa ai e simpatizonte disi partinë popullore në konfliktet e brendshme të qytetit, ai kurr nuk mbështeti dhënien e së drejtës së votimit për shumicën, a madje as për popullatën mashkullore të Zhenevës.

Në filozofinë politike, Rousseaui është dëshmuar si i pa-asimilueshëm për çfarëdo shkolle konvencionale. Ai është edhe pararendës i Kantit dhe një mendimtar me rrënjë të forta natyraliste, që shqyrton lidhjet mes natyrave tona morale dhe kafshërore. Totalitari Rousseau, i dënuar nga shkollarët liberalë e konzervativë të Luftës së Ftohtë, ko-ekziston me liberalin Rousseau, paraardhësin e largët të teorisë së drejtësisë të John Rawls-it, një Rousseau, qytetarët e së cilit komunikojnë me njëri tjetrin përmes identitetit të tyre të përbashkët politik në terma të cilat abstrahojnë prej dallimeve të tyre rrëfyese. Është edhe Rousseaui, kritiku i tjetërsimit, eksploatimit dhe pronës private, por gjithashtu teoricieni dialektik i historisë, i cili parashikon temat e tilla te Marksi. Është edhe Rousseaui habermasian i cili kërkon ringjalljen e frymës tonë demokratike. Komunitarët mund të frymëzohen nga vlerat e përbashkëta që ndërtojnë identetin e qytetarëve dhe të cilat ata i riafirmojnë në lojëra dhe festival. Dhe rigjallërimi i interesimit për republikanizmin klasik, i nisur nga Quentin Skinner dhe Philip Pettit, mund të gjejë jehonë në ngulmimin e Rousseauit se rendi politik duhet të çlirojë individët nga varësia ndaj vullneteve arbitrare të bashkëqytetarëve të tyre.

Ndryshe nga pikëpamja e përhapur që e sheh atë si primitivist, Rousseaui e dinte se s’ishte e mundur që thjesht të ktheheshe te natyra. Ndërvarësia njerëzore është një fakt dhe ne duhet të gjejmë mënyra për ta bërë këtë fakt të përputhshëm me nevojat tona bazike njerëzore. Te Kontrata Shoqërore, i ballafaquar me këtë, ai na thotë: se o duhet të ndryshojmë mënyrën e të qenit, o do të tretemi. Por zgjidhja që ofron vet Rousseaui, një qytet-shtet i vogël e i pavarur, dukej jopraktik edhe atëbotë. Kjo edhe më shumë kur problemet që tash kërcënojnë ekzistencën e njerëzimit janë në shkallë globale dhe kështu kërkojnë një lloj të qeverisjes globale. Që të adresohen këto probleme në mënyra që përputhen me lirinë dhe barazinë e qenieve njerëzore, mund të jetë një problem i pazgjidhshëm, por gjetja e mënyrës për të mbledhur së bashku në mënyrë të cilat respektojnë, në vend se të minojnë, natyrën tonë si qenie të lira dhe të barabarta, është një sfidë me të cilën përballemi. Prandaj edhe interesim për Rousseauin vazhdon edhe pas 300 vjetësh.

Christopher Bertram është profesor i filozofisë sociale dhe politike në Universitetin e Bristolit. Përvec Rousseau-it, ai hulumton në temat si teoritë modern të kontratave sociale, teori të drejtësisë, dhe justifikimet publike. Libri i tij Rousseau-i dhe Kontrata Sociale u botuat më 2003 nga Routledge Philosophy Guidebooks. /KultPlus.com

Besim Bokshi, burri i rrallë shqiptar dhe intelektuali i shqipes

Një intelektual i rrallë i llojit të vet, duhet kujtuar gjithmonë Bekim Bokshi.

Bokshi lindi në Gjakovë më 12 dhjetor 1930. Gjashtë klasë të mësimit fillor i kreu në Tiranë, ndërsa dy të tjerat – në Gjakovë. Kreu maturën në Gjimnazin e Prishtinës. Ndoqi studimet në Katedrën e Albanologjisë në Beograd dhe, me ndërprerje, i përfundoi më 1959. Vijoi studimet pasuniversitare në Drejtimin e gjuhësisë në Beograd. Tema e tezës së doktoratës iu dha në bazë të punimit “Zhvillimi i strukturës së temave emërore të shqipes” (Gjurmime albanologjike, 1, 1971). Mbrojti tezën e doktoratës me temë “Rruga e formimit të fleksionit të sotëm nominal të shqipes” në Fakultetin Filozofik të Prishtinës më 1977.
Ka ligjëruar lëndën e gjuhës shqipe në Gjimnazin e Gjakovës dhe në vitet 1961-63 ka ushtruar edhe detyrën e drejtorit të kësaj shkolle.

Ka qenë profesor në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Gjakovës në vitet 1967-73 për Morfologji të gjuhës së sotme shqipe e për Hyrje në gjuhësi dhe në katër vjetët e parë e ka drejtuar punën e kësaj shkolle. Brenda kësaj kohe për tetë muaj ka punuar në Institutin Albanologjik të Prishtinës, shkruan KultPlus.

Nga viti 1974 është zgjedhur ligjërues i Morfologjisë historike në Degën e Gjuhës e të Letërsisë Shqipe në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës dhe, pas doktorimit, është zgjedhur profesor inordinar e pastaj edhe ordinar deri kur u përjashtua nga Fakulteti më 1991 bashkë me mësimdhënës të tjerë shqiptarë nga dekanati i dhunshëm. Në vitet 1992-2001 ka ligjëruar lëndën Hyrje në studimin krahasues të gjuhëve indoevropiane në Shkallën e tretë të studimeve – Drejtimi i gjuhësisë në Fakultetin Filologjik të Prishtinës.

Edhe veç këto fjalë nuk mjaftojnë për personalitetin e madh i cili la gjurmë në shkencë dhe në atdhetarizmin shqiptar.

Në Universitetin e Jenës ka mbajtur ligjëratën për origjinën e mbaresave rasore të shqipes. Para ligjëruesve të Katedrës së Gjuhës e të Letërsisë Shqipe të Fakultetit Filologjik të Tiranës dhe bashkëpunëtorëve shkencorë të Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë ka mbajtur ligjëratën për zhvillimin e sistemit emëror të shqipes (1979).

Ka qenë deputet në Dhomën për Arsim në Kuvendin Federativ më 1967-69. Në zgjedhjet e organizuara nga subjektet tona politike më 1992 është zgjedhur deputet i Kuvendit të Kosovës. Në vitet 1993-96 ka qenë kryetar i Partisë Socialdemokrate të Kosovës. Për veprën “Rruga e formimit të fleksionit të sotëm nominal të shqipes” ka marrë Shpërblimin e Dhjetorit të Kuvendit të Kosovës më 1980.

Më 2002 u zgjodh nënkryetar, ndërsa në vitet 2008-2011 ishte kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

Bokshi ndërroi jetë në vitin 2014.

Librat e botuar:

Në pritje (Përmbledhje poezish, Jeta e re, Prishtinë, 1966. Ribotim nga Rilindja, Prishtinë, 1978. Përkthyer në serbisht nga E. Mekuli, U očekivanju, Bagdala, Krushevc, 1969. Në vitet 1981- 87 ka publikuar rreth 20 poezi në Rilindja e në të përkohshmet Fjala dhe Jeta e re ).
Rruga e formimit të fleksionit të sotëm nominal të shqipes, ASHAK, Prishtinë, 1980; botimi i dytë ASHAK, Prishtinë, 2006
Prapavendosja e nyjës në gjuhët ballkanike, Rilindja, Prishtinë, 1984; Botimi i dytë, ASH, Tiranë, 2009.
Hije të këputura (Aforizma), Dukagjini, Pejë, 1996.
Pjesorja e shqipes (Vështrim diakronik), ASHAK, Prishtinë, 1998.
Për vetorët e shqipes, ASHAK, Prishtinë, 2003.
Periodizimi i ndryshimeve morfologjike të shqipes, ASHAK, Prishtinë, 2010.

“Vepër shumëdimensionale e trajtimeve gjuhësore”

Shkruan: Bahtijar Kryeziu


(Begzad Baliu: “Gjurmime albanologjike”, ShB Era, Prishtinë, 2019, faqe381)

Në vitin që po e lëmë pas, prof. dr. Begzad Baliu, na gëzoi me një sihariq – vepër të radhës, e cila sikur paraqet edhe një urim për të gjithë dashamirët që ua kënda të dinë më shumë për problemet gjuhësore, urim që viti 2020, të jetë një vit më i mbarë për të gjithë shqiptarët gjithandej ku jetojnë dhe në të gjitha fushat e jetës: në politikë, ekonomi, arsim, shkencë, shëndetësi, jurisprudencë e në kulturë në përgjithësi.

Këtë vepër, me titull ”Gjurmime albanologjike”, autori, një emër i njohur i letrave shqipe dhe mbrojtës i zellshëm i pastërtisë dhe pasurimit të gjuhës sonë, ma dërgoi në formën elektronike, të botuar ditë më parë nën siglën e Shtëpisë botuese “Era”në Prishtinë, më 2019, me mbi 380 faqe.

Me punimet e veprat e tij shkencore të deritanishme, prof. dr. Begzad Baliu i ka dhënë një ndihmesë të çmuar gjuhës shqipe, pos mësimdhënies mbi 12 vjeçare në shkollimin e lartë. Në këtë hulli, pa dyshim se vlerë të rëndësishme ka edhe vepra e tij e fundit “Gjurmime albanologjike”, të cilën edhe e kemi bërë objekt trajtimi e analize të shkurtër këtë radhë.

Vepra “Gjurmime albanologjike” e profesor Baliut, është sintezë trajtimi dhe e zbërthimit të një shumësie të problemeve gjuhësore, të trajtuara me dije e njohuri të thella dhe kujdes të veçantë. Temat e rrahura në këtë vepër janë nga fusha e gjuhësisë, të nduarduarta dhe në shtrirje kohësh të ndryshme e gjeografi të gjerë. Baliu i rreket periudhës së pas pushtimit të tokave shqiptare nga osmanlinjtë dhe përpjekjeve, aspak të lehta, të shqiptarëve për ta mbajtur gjallë fjalën shqipe e për të mos u shuar vatrat tona e gjuha jonë. Një vend të rëndësishëm në veprën e profesor Baliut zënë edhe migrimet e shqiptarëve nëpër vendet e Europës e të botës, duke hapur qendra arsimore e kulturore kudo që mundnin. Me themelimin e disa qendrave kulturore nga fundi i shekullit XIX dhe gjatë shekullit XX, “pranë institucioneve akademike evropiane (Austro-Hungari, Itali, Gjermani etj), në Lindje (zonën e Perandorisë Osmane: Stamboll) dhe shtetet përreth (Egjipt, Bullgari, Greqi, Rumani”, etj.), shihen përpjekjet, entuziazmi dhe dëshira e intelektualëve tanë për të botuar gazetat e para, librat e parë shkollorë dhe veprat e para shkencore e artistike, por për fat të keq, ato qendra nuk qenë jetëgjata, ashtu siç nuk po ju prinë fati i mirë (gjatë historisë) as disa qendrave studimore të shqipes, të këtij gjysmëshekulli, me interes për albanologjinë, si në: Leipzig, Grac, Mynih, Berlin, Këln, Budapest, Bukuresht, Romë, Napoli, Palermo, Kozencë, Kopenhagë, Paris, Poloni, Çekosllovaki; në Athinë, Selanik, Beograd, Stamboll, Sofje e deri në Shën Petërsburg, e Peking të Kinës, si dhe Arizonë të Amerikës, disa nga të cilat tanimë edhe janë mbyllur, gjë që shumë dokumente të vjetra për shqipen e popullin shqiptar kanë mbetur e do të mbesin nën pluhurin e harresës, për sa kohë që nuk ndërmerret diçka më serioze. Me këtë rast edhe autori i veprës “Gjurmime albanologjike”, edhe vetë si gjurmues i pa përtesë, e për moskujdesin e treguar ndaj kësaj begatie të paçmuar, si nga autoritetet shqiptare, ashtu edhe nga ato të Kosovës, shprehet me mllef të madh, ngase një punë aq madhore, sigurisht se nuk mund ta bartin vetëm njerëzit e vullnetit të mirë. Jo pa të drejtë, profesor Baliu pyet edhe për nderimin që është dashur t’ju bëhet studiuesve tanë, por edhe atyre të huaj që për shqipen e shqiptarët bënë aq sa ju takoi të bëjnë: “Me se i kemi nderuar deri më tash themeluesit dhe bardët e albanologjisë: Lajbnicin, Ksilanderin, Hahnin, Majeri, Pedersenin, Joklin, Durhamin, Lambercin, Hempin, Mikloshiqin, Cimohovskin etj., pos me ndonjë tekst (artikull) rasti brenda ndonjë konference shkencore, si dhe me një pagëzim të ndonjë rrugice. Po me asnjë pagëzim institucioni kombëtar, me asnjë konferencë të veçantë themelvënëse (përjashto Joklin, Majerin dhe Hampin) dhe në mënyrë të veçantë me asnjë monografi shkencore akademike, të cilat nuk mund të bëhen pa kërkime të gjata në institucionet ku kanë punuar dhe vendet ku kanë jetuar ata”.

Kur përmendëm se problemet e rrahura gjuhësore në këtë vepër janë të nduarduarta, menduam në fushat që ka kapur për analizë e trajtim profesor Baliu: nga ato historike të gjuhës, kur shqipja ende nuk kishte një formim të duhur ngase atëbotë kishte jo një, por 150 alfabete (për 353 vjet), që mund të përzgjidheshin dhe zbatoheshin (Prof. dr. Tomor Osmanit, Rruga 353-vjeçare e alfabetit të shqipes parë nga pikëpamjet filologjike, kumtesë e paraqitur në Semi¬narin II Ndërkombëtar të Albanologjisë, Ohër 22-28.9.2008); për të vënë në syzim pastaj përdorimin e standardit gjuhësor; problemet e metodës së kërkimit të onomastikës shqiptare dhe ndihmesën e profesor Idriz Ajetit në këtë fushë; raportet e profesor Ajetit me ato të Çabejt, vlerësimet e njërit e të tjetrit për gjuhën shqipe, sipas një kronologjie të caktuar; pikëpamjet e profesor Rexhep Qosjes për albanologjinë dhe çështjen e zbatimit të metodave në këtë fushë, ndihmesat e tij, jo vetëm në fushë të studimeve gjuhësore, por sidomos ato në fushën e studimeve folklorike, etnografike, kontributin e tij në fushë të historisë, të historisë së letërsisë dhe në mbrojtje të albanologjisë. Profesor Baliu, në veprën e tij, nuk lë pa përmendur edhe njërin nga kryereferuesit e Kongresit të Drejtshkrimit, profesor Androkli Kostallarin, me theks të veçantë për gjuhësinë shqiptare në gjysmën e dytë të shekullit XX, përkatësisht për ndihmesën e tij në standardizimin e shqipes letrare, si një arritje e veçantë; pastaj për filologët e shquar, si: Shaban Demiraj dhe çështja e metodave….; për studiuesin pasionant, profesor Shefki Sejdiun dhe vlerësimin e tij përkitazi me europeizimin e albanologjisë; për fjalësin gjuhësor dhe estetik të veprës letrare të Beqir Musliut; një vlerësim për versionin në dorëshkrim të librit “Një fyell ndër male” të Martin Camajt; për probleme dialektologjike-gjuhësore të krahinës së Opojës; për sistemin foljor të studimit monografik “Koha e ardhme e foljes në gjuhën shqipe (lidhjet mes kohës, aspektit e modalitetit), të dr. Sejdi Gashit etj.

Para se ta përfundojë veprën e tij, autori paraqet edhe disa evokime e kujtime për albanologët e mëdhenj të cilët më nuk i kemi ndër të gjallët, e për të cilët, nëse nuk është ngritur ndonjë shtatore, Baliu, në veprën e tij, u bën nga një bust. Të tillët janë: mësuesi i mësuesve, studiuesi e arushani e gjuhës shqipe, akademik Idriz Ajeti, studiuesi i problemeve gjuhësore-fonetike dhe etimologu i fjalës shqipe – akademik Kolec Topalli; studiuesi i gjuhës, historisë e kulturës sonë me shtetësi kanadeze, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, si dhe anëtar nderi i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, Robert Elsie, i cili u nda nga jeta në moshën 67 vjeçare, i varrosur në Shqipëri sipas amanetit që kishte lënë. Një shkrim analitik, Baliu ia kushton edhe kolegut tonë të punës, profesorit shumëvjeçar, studiuesit të shqipes e atdhetarit të paepur i cili provoi burgun e kohës së komunizmit për shkak të mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve e të gjuhës së tij, Zenun Gjocaj, për të përfunduar veprën e vet “Gjurmime albanologjike”, me një kërkesë që “Ta përmbushim idealin e etërve të albanologjisë”, të cilin lipset përmbushur ne, nxënësit e tyre. /KultPlus.com

Zbulohet mozaiku i Bylisit – daton në shekullin VI

Antikiteti ka lënë gjurmë të gjalla, në të gjithë territorin e Shqipërisë. Qyteti antik i Bylisit, është një prej qendrave më të rëndësishme arkeologjike në vend. Bylisi shtrihet në dalje të qytetit të vogël të Ballshit.

Siç njofton ministrja e Kulturës, një nga mozaikët e zbuluar sot në qytetin antik Bylis, daton në shekullin VI.

Teatri i Bylysit është një nga monumentet më të mëdha të kësaj qendre arkeologjike, që është ndërtuar në fillim të shekullit të 3-të para lindjes së Krishtit dhe ka një kapacitet prej 7 500 vendesh, që do të thotë se ka qenë një nga veprat më të mëdha të kohës.

Në Shqipëri ndodhen një sërë sitesh arkeologjike si Butrinti, Apolonia, Oriku, Amantia, etj., ndërsa nga kalatë përmendim kalaja e Gjirokastrës, kalaja e Lëkurësit, Sarandë, kalaja e Krujës, kalaja e Beratit, kalaja e Petrelës, Tiranë, kalaja e Ali Pashës, Tepelenë, kalaja e Rozafës, Shkodër etj, ndërsa nga muzetë përmendim Muzeun e Ikonografisë “Onufri” dhe Muzeu Etnografik në Berat, Muzetë Arkeologjikë në Durrës, Tiranë, Korçë, Muzeu i armëve dhe Etnografik në Gjirokastër, Muzeu Etnografik në Sarandë, Muzeu Historik Kombëtar, Tiranë, Muzeu Arkeologjik, Tiranë, Muzeu Historik, Shkodër etj. /KultPlus.com

“Shtrigat” e letërsisë

Një homazh për të gjitha shkrimtaret, që kanë ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve me fjalën e shkruar, e hasim tek libri “Celebrating of Magical Women Writers”. Një përmbledhje e ilustrimeve të rralla, të cilat na shfaqin anën tjetër të këtyre grave magjepsëse të letërsisë. 

“Mungesa e shtrigës nuk e zhvleftëson magjinë”, shkruan Emily Dickinson. Shkrimtaret e njohura gjithnjë na kanë mahnitur me punën dhe veprën e tyre dhe kjo përmbledhje me ilustrime, të cilën e kanë sjellë për admiruesit e letërsisë autoret Taisia Kitaiskaia dhe Katy Horan është një nderim dhe homazh ndaj veprës së tyre.  Skica impresioniste të ndërthurura me mjeshtëri bashkë me fakte biografike dhe imagjinatën, vijnë përmes emrave të rëndësishëm si Sylvia Plath, Virginia Woolf, Octavia Butler, Sappho, Audre Lorde, Anaïs Nin, Gertrude Stein, Flannery O’Connor, Anna Akhmatova, Toni Morrison dhe Emily Brontë, të lindura “përpara se të ekzistonte gruaja”, ashtu siç Ursula K. Le Guin, e thekson në literaturën e saj të shkëlqyer aseksuale.

Ajo çfarë vihet re më shumë është edhe kujtesa për talentin e rrallë dhe testamentin unik të mençurisë së Toni Morrison, nga fjalimi i saj i famshëm me rastin e pranimit të çmimit Nobel:

“Ne vdesim. Mbase ky është kuptimi i jetës. Por ne e krijojmë gjuhën. Mbase kjo mund të jetë pesha e jetës sonë.”

Disa nga ilustrimet:

Anaïs e zë gjumi në anijen e qelqtë e të fundosur. Derisa ëndërron, alteregot që ngrihen nga trupi i saj.  Ato kanë flokë pis të zinj, një sy që mbyllet ngadalë në të gjitha fytyrat e tyre, gjokset dhe krahët. Ca koleksionojnë guaca deti, të tjerat ndjekin lëvizjet e diellit. Ca mbajnë shtëpi, bëjnë punë dore, ndjekin dashurinë. Ca operojnë me mediat e shkruara. Para agimit, alteregot bashkohen dhe bëhen një me Anaïs, i puthin njëra-tjetrës sytë, gojën dhe bëhen një trup i vetëm ashtu si sirenat e detit.

Duke kaluar rrugën në një ditë me shi, Virginia hedh hapa të lehtë nga një pishinë e vetëdijes në tjetrën.  Ajo i do këto pellgje, krijesa që i rrethojnë secilin nga kyçet. Por para se të kalojë në rrugën tjetër, Virginia pikasë pellgun e saj: ai rrjedh me shiun, ngrihet lartë, bëhet thellësi, lum i trazuar. Ajo nuk do ta mbijetojë këtë…

“Shtrigat e letërsisë”, të pasqyruara në këto imazhe janë një  version ndryshe i personalitetit të shkrimtareve përmes ilustrimeve, që nxjerrin në pah një analizë unike të karakterit të tyre gjenial dhe shkrirjes së tij në veprat e njohura, që renditen në krye të letërsisë botërore, si një thesar dhe pasuri e rrallë./KultPlus.com

Eco: Të shkruarit është 10% frymëzim dhe 90% djersitje

Shkrimtari i njohur italian i cili vdiq vitin e kaluar, ka thënë diçka letërsinë, frymëzimin, shkrimtarët e rinj, si dhe për guximin e krijuesve për të botuar libra shpesh, shkruan KultPlus.com

Umberto Eco thotë se të shkruarit është 10% frymëzim dhe 90% djersitje. Ai gjithashtu thotë se nuk i kupton ata që kanë një vrull për të botuar.

“Ka diçka këtu: nuk i kuptoj disa autorë që botojnë libra çdo vit”.

Për më shumë , ndiqeni videon:

https://www.youtube.com/watch?v=fs7bo56gbG8

/KultPlus.com

Beatrix Potter, shkrimtarja e gjuhës së kafshëve

Autorët janë gjithnjë rrethuar nga misteret, madje edhe më të njohurit prej tyre. Beatrix Potter, e njohur botërisht për librat e saj kushtuar fëmijëve, pesë muaj para vdekjes kishte lënë të nënkuptohej se puna e saj më e madhe ishte në një koleksion ditarësh të kodifikuar. Mbetur sekret deri në vitin 1952, një adhurues tejet i përkushtuar, Leslie Linder, arriti t’i deshifronte, pas më shumë se 13 vjet pune të palodhur…

Në nëntor 1943, Beatrix Potter, asokohe në moshë të thyer 77-vjeçare dhe e sëmurë nga pneumonia, vendosi t’i shkruante një letër kushërirës së saj, Caroline Clark. Ndërsa autorja britanike kishte botuar tashmë me suksese të jashtëzakonshme tregime si “Zonja Tiggy” ose “Lepurushi Piter”, ajo përmendte për herë të parë një vepër të një natyre krejt ndryshe: ditarë intimë të koduar, që i kishte mbajtur prej moshës 14-vjeçare”., shkruan Konica.al

“Kur isha e re, kisha shumë dëshirë të shkruaja, por nuk kisha asnjë material”,  – shkruan ajo.

“Kështu që shkruaja përshkrime të gjata, copëza bisedash dhe kantika, por gjithnjë duke përdorur një sistem kriptimi”, vazhdoi ajo.

Beatrix Potter sugjeron më pas se këto fletore të vogla të padeshifrueshme mund të ishin kryevepra e saj më e madhe, që përmbante mendimet më intime mbi artin, letërsinë, por edhe shkencën, natyrën, politikën dhe shoqërinë, sikurse dhe shpresat apo zhgënjimet. Ditarët e Potterit u zbuluan në shtëpinë e saj, në vitin 1952, gati 9 vjet pas vdekjes, nga Stephanie Duke, një mikeshë e vjetër e autores. Mirëpo, në atë periudhë nuk përbënin tjetër veçse një seri shkrimesh, të pamundura për t’u deshifruar dhe në pamje të parë gjëra të pavlera. Për më tepër, shkrimtarja nuk kishte lënë asnjë udhëzim për të deshifruar shkrimin, kurse faqet e para të ditarit i kishte përshkruar si “shkrime irrituese dhe absurde” në një nga korrespondencat e saj.

Ishte pikërisht vullneti i Leslie Linder, i cili, duke i shfletuar për të kushedisatën herë kur diktoi në një nga faqet, një çelës: numra romakë të bashkangjitur me datën 1793, që i mundësuan të deshifronte fjalën e parë: “ekzekutim”. Duke përdorur të njëjtin model, ai filloi të deshifronte kodin që Potter kishte zhvilluar gjatë adoleshencës. Pasi zbuloi kodin e famshëm, iu deshën tetë vjet të tjera për të përkthyer pjesën tjetër të dokumenteve. Tjetër vështirësi ishte, se autorja britanike nuk ishte kufizuar në një mbështetës të posaçëm. Kishte fletore, natyrisht, por jo vetëm. Leslie Linder, thotë se gjeti recensione për ekspozitat e koduara në një manual diktimi në frëngjisht. Këmbëngulja e specialistit, për gati 13 vjet, zbuloi një fytyrë krejt të re të Beatrix Potter, veçanërisht gjatë adoleshencës së saj. “Ishte e habitshme të shihnim sesi e harruam Beatrix Potterin, për të mbajtur vetëm veprat e saj”, – tha ai. “Më në fund arrita të njihem me këtë njeri të bukur që ishte Mis Potter”.

Helen Beatrix Potter lindi në Londër më 28 korrik 1866 në një familje të kamur. E kaloi fëmijërinë larg fëmijëve të tjerë, e rritur nga guvernantet. Beatrix filloi të ndërtojë një botë krejt të sajën, formuar nga bretkosa, lepurushë dhe minj. Fantazi dhe përfytyrime përrallash. Gjatë një vere shkon me pushime së bashku me familjen në rajonin e Lumit të Madh, një zonë e Anglisë e dashur nga Wordsworth dhe Colleridge. Këtu Beatrix e zhytur plotësisht në natyrë dhe duke ndjekur mësimet e famullitarit, interesohet për natyrën dhe mëson rëndësinë e ruajtjes së një peizazhi natyror. Në familjet viktoriane ishte zakon që të mos i dërgonin vajzat në shkollë, kështu që Beatrix duhej të ndërmerrte fatin e saj si një grua që drejton shtëpinë, në pritje të martesës. Mirëpo, vajza, duke u rritur, preferoi të jetonte në një mënyrë jo konvencionale, duke u përpjekur t’i shpëtonte dinamikës së familjes, madje shkroi edhe ditarin me kod sekret, i cili do të deshifrohej vetëm pas vdekjes.

Pasioni i saj për natyrën rritej dita-ditës, aq sa ajo do të aplikonte për të punuar në Kopshtet Botanike të Kew. Sidoqoftë, pikëkthesa erdhi në 1901, kur ajo vendosi të botojë fabulën “Lepurushi Piter”, duke mos gjetur botues të gatshëm për ta botuar, ajo vendosi ta botonte me shpenzimet e veta. U shitën 250 kopje, njëri prej të cilëve ra në duart e botuesit Norman Warne. Beatrix më në fund arriti suksesin dhe pavarësi. Frekuentonte fshehurazi Warne, me të cilin ishte shumë e dashuruar, por nuk arriti të martohej me të sepse u sëmur dhe vdiq. Duke trashëguar pasurinë e familjes, Beatrix Potter bleu hapësira të pafundme tokash, që aktualisht përbëjnë një pjesë të madhe të zonës së mbrojtur të Parkut Natyror Kombëtar të Qarkut Lake, sepse dëshironte ta ruante atë për turizëm dhe nga shkatërrimi i dorës së njeriut.

Edhe sot, më shumë se 75 vjet pas vdekjes, përrallat e ilustruara bukur për fëmijë të Beatrix Potter, duke shfaqur kafshë dhe peizazhe të frymëzuara nga shtëpia e saj e dashur në Lake District of England, vijojnë të jenë jashtëzakonisht të njohura.

Libri më i suksesshëm i Potterit: “Përralla e Lepurushit Piter”, u frymëzua nga një letër e ilustruar që Potter i shkroi Noelit, djalit të ish guvernantes, Annie, në 1893. Më vonë, ajo ia huazoi letrën për të kopjuar fotografitë dhe historinë, e cila më pas u përshtat për të krijuar përrallën shumë të dashur. Në vitin 1903, Beatrix Potter dizenjoi dhe hodhi në treg lepurin pelush Piter, duke e bërë personazhin e parë kukull të licencuar.

Aktualisht, në mbarë botë shiten çdo vit më shumë se dy milionë libra të Beatrix Potter. Tregimet simpatike kanë një cilësi të përjetshme, të përcjella brez pas brezi, duke u pëlqyer gjithmonë nga lexues të rinj. Librat e saj, arti i saj, delet Herdwick dhe shpirti i saj i paepur janë të gjitha pjesë e trashëgimisë së saj të madhe që vazhdon edhe sot e kësaj dite./KultPlus.com

Nita Deda jep dorëheqje nga DokuFest-i

Nita Deda është dorëhequr nga pozita e Drejtoreshës së Festivalit DokuFest.

Përmes një njoftimi për media nga faqja zyrtare e DokuFest-it, Deda vetëm falënderohet për bashkëpunimin por nuk theksohet arsyeja e dorëheqjes.

“Nita i është bashkuar DokuFest-it në edicionin e vitit 2010 në pozitën e koordinatores së DokuTv për të vazhduar punën e saj në krye të Komunikimit dhe si Organizatore e DokuNights deri në vitin 2016, kur përveç këtyre detyrave mori përsipër detyrën e Drejtoreshës së Festivalit”, thuhet në njoftim.

Për një dekadë të tërë, thuhet në njoftim, Nita ka kontribuar në rritjen e vazhdueshme të festivalit si dhe sukseset në nivel vendor dhe ndërkombëtar.

“Përgjatë drejtimit të festivalit nga Nita, DokuFest ka hulumtuar dhe adresuar tema të rëndësishme sociale e politike si Korrupsioni, E Ardhmja, Reflektimi, E Vërteta, të përkthyera në kampanja poetike ndërtuar mbi mesazhe të aktivizmit dhe rebelimit të cilat kanë rezonuar në publikun vendor dhe ndërkombëtar. Programi i DokuNights i ko-kuruar nga Nita, përgjatë viteve solli në Kosovë një spektrum të gjerë të artistëve botëror dhe vendor, të cilat në skena të ndryshme të DokuNights kanë sjellë shprehjet më radikale artistike, interpretuar përmes mediumeve të reja eksperimentale apo atyre folklorike. DokuFest falënderon Nitën për kontributin e saj të jashtëzakonshëm përgjatë këtyre viteve dhe i uron sukses në projektet e saj”, përfundon njoftimi./KultPlus.com

Adoleshenti me autizëm që mahnit botën e artit

Kur Markus u diagnostikua me epilepsi dhe autizëm kur ishte vetëm një foshnjë, nëna e tij nuk pranoi ta dërgonte në një shtëpi kujdesi, megjithëse ishte vënë disa herë nën presionin e mjekëve.

Ajo tha se ai kurrë nuk do të ndihej mirë atje sepse sdo kishte nënën e tij afër.

Frymëzuar nga dashuria e tij për artin, Markus filloi të pikturojë – duke mahnitur nënën e tij me talentin artistik.

Tani punimet e artit të 13-vjeçarit janë ekspozuar në të gjithë botën, dhe shiten për mijëra dollarë.

Nëna e Markusit, Natalya foli për Shërbimin Rus të BBC për talentin e djalit të tij. Markus më ka kërkuar që në moshën 6 vjeçare të pikturonte, më kërkonte një letër dhe laps, por gjithmonë e kam menduar si një lojë për të.

Vizatimi i tij i parë ishte hija e nënës së tij , ishte një skicë por ishte e mrekullueshme, kompozimi çdo gjë.

Nëna e tij u shpreh se ka menduar në fillim se ai do të pikturonte një mollë apo pemë, diçka më të thjeshtë por jo. Këtu kuptova çfarë talenti të fshehur e të mrekullueshëm ka djali im edhe e gjithë bota duhet ta njohi atë, tha për BBC-në Natalya. /abcnews.al /KultPlus.com

“Nuk mund ta imagjinoj se të kam humbur vërtet, dikur luaja me ndjenjën e saj, tash vuaj vet”

Redon Makashi është këngëtar dhe tekstshkrues i njohur.

Gjatë karrierës së tij ai i ka sjell publikut mjaft këngë me tekste të bukura, të shoqëruara me zërin e tij unik.

Në vitin 1989, prezantohet për herë të parë në televizion në Radio Televizionin Shqiptar me këngën “Vitet më të bukura”. Kjo ndodh në spektaklin “Maratona e këngës popullore” e regjisores Vera dhe redaktor muzike Shaban Ibrahimi. Po në këtë vit krijon këngën “Rruga me fllade kujtimesh”.

Sot po e sjellim këngën e tij “Dikur luaja me ndjenjën e saj” e cila është lansuar në vitin 1994 dhe shquhet për tekstin e bukur dhe të ndjeshëm, si dhe për performancën e Makashit. /KultPlus.com


John Baldessari, prijësi i artit konceptual

“Unë nuk do të bëj më art të mërzitshëm”, ishte titulli i njërës prej veprave më të njohura të John Baldessaarit. Dhe kjo fjali e përmbledh më së miri qasjen e artistit të njohur. Në botën e artit ai u bë njëri nga figurat udhëheqëse të lëvizjes së konceptualizmit.

Baldassari, i cili me humor kundërshtoi konturat e artit bashkëkohor, vdiq të enjten e kaluar. Lajmi për vdekjen e tij në Los Angeles u konfirmua të dielën. Ai ishte 88-vjeç. Fillimisht kundërshtoi ngurtësinë e botës së artit, deri në një pikë që artistët e tjerë të artiti konceptual, kryesisht me qendër në New York, menduan se Kalifornia nuk po e merrte mjaft seriozisht punën e tyre. “Konceptualistët menduan se unë thjesht po bëja art qesharak dhe mendoja se arti i tyre ishte i mërzitshëm”, kishte thënë Baldessari për “The New Yorker”.

Në një vepër të njohur të vitit 1971, Baldessari sfidoi një nga nocionet më të fuqishme të botës së artit modern: autorësinë. Edhe pse ai ishte prapa idesë, dora e tij nuk mori pjesë në krijimin aktual: Ai bëri studentët e kolegjit të artit në Nova Scotia të shkruajnë: “Unë nuk do të bëj më art të mërzitshëm” si një ndëshkim, në muret e një galerie në të cilën ai nuk shkeli. Një printim që doli nga ky projekt është pjesë e koleksionit të Muzeut të Artit Modern.

Lindur më 17 qershor 1931, Baldessari nisi karrierën si piktor në vitet ‘50. Në vitin 1966, ai tashmë ishte duke kombinuar tekstin dhe fotografitë në kanavacë. Hoqi gjithnjë e më shumë shkrimin e tij nga teksti i shkruar që shfaqej në veprat e tij, duke shfaqur tekstin me fjalë, me shkronja të zeza e të thjeshta për të mos e shpërqendruar shikuesin. Edhe titulli i asaj serie të parë pikturash ishte një thënie ironike: “Një sipërfaqe dydimensionale pa asnjë artikulim është një përvojë e vdekur”.

Për një vepër të titulluar “Projekti i kremimit” në vitin 1970, artisti dogji të gjitha pikturat që kishte realizuar prej vitit 1953 deri në vitin 1966 dhe pjeku hirin në biskota që pastaj ishin vendosur në një urnë të zbukuruar me recetën e biskotave.

Një nga motivet e tij mbizotëruese nga mesi i viteve ‘80 e tutje ishte të ngjiste pika në portrete të pikturuara ose të fotografuara. Duke përdorur afishet e rrumbullakëta që ishin përdorur zakonisht në galeri për të treguar që një vepër arti ishte shitur, Baldessari ndau edhe vizionin e tij satirik për tregun e artit.

Baldessari ishte artisti pas shfaqjeve të pazakonta dhe krijoi skulptura, duke përfshirë edhe “Trumbetën e Beethovenit (me vesh) Opus # 127, 130, 131, 132, 133, 135”. Gjatë karrierës prej gjashtë dekadash, Baldessari hapi mbi 200 ekspozita personale dhe mori pjesë në 1000 ekspozita grupore.

Në mesin e çmimeve prestigjioze që Baldessari ka marrë për artin e tij janë Medalja Kombëtare e Arteve, dhënë nga presidenti amerikan Obama në vitin 2014, “Luani i artë” për vepër jetësore Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecie e çmimi gjerman “Goslar Kaisading” në vitin 2012 / Deutsche Welle. /KultPlus.com

Dua reciton copëza të këngës së saj në supermarket, askush s’e njeh (VIDEO)

Këngëtarja kosovare Dua Lipa, shihet e maskuar duke u recituar copëza të këngëve të saj të panjohurve në një supermarket në Amerikë.

Dua ishte pjesë e një segmenti humoristik të zakonshëm në emisionin më të shikuar në SHBA, “The Ellen DeGeneres Show”, transmeton Koha.net.

Prezantuesja e këtij emisioni, Ellen, zakonisht e dërgon skenaristen e saj Laura në dyqanin “World Market”, për t’u recituar të panjohurve fragmente të këngëve të famshme.

Por kësaj radhe, duket se Ellen ka arritur ta bindë edhe Duan që të bëhet pjesë e këtij segmenti qesharak, i cili u mirëprit nga publiku.

Megjithëse Dua ishte maskuar me një paruke me flokë të gjata dhe voluminoze dhe një palë syze të mëdha, sërish, askush nuk arriti të identifikojë pop yllin botëror.

Ndërsa reagimet nga këta të panjohur ishin të ndryshme dhe në të shumtën e rasteve pozitive. Duke qenë se shumica e këngëve të Duas flasin për dashurinë apo zemër thyerjen, ajo madje gjeti përkrahje dhe kurajë nga disa prej personave të përfshirë në këtë kamerë të fshehur.

Dua ishte aq natyrale në aktrimin e saj, saqë të bën të mendosh se nuk e ka pasur fare siklet t’u afrohet njerëzve të panjohur dhe t’u recitoj atyre vargje këngësh. Përveç prezantueses Ellen, që ishte shumë falënderuese ndaj Duas për bashkëpunimin, edhe publiku e fansat e këngëtares e mirëpritën këtë video, duke e klikuar rreth 300.000 herë brenda vetëm 15 orësh. /KultPlus.com

Pafundësi

Prozë poetike nga Fritz Radovani

Det’i kaltërt, i bukur, i pastër bilur, i qetë, renda-renda mbi të cilin ndihët një fllad që derdhët mbi breg mbas një tingllime që të ngjason me një pllaf e, gjithshka, këthehët në shkumbë. Tue e shikue më duket se po i vê kambët mbi një rrexë të punueme me grep si dikur i punonte Nana. Kur kambët mbi lmon ndiej freski. Pa ma të voglin shqetësim shkon në vendin e vet, vjen prap e prap shkon.., atje larg.

            Përballë diellit e detit jam unë!

            Gjith’ ai diell i madh dalëngadalë zhytet e zhduket.

            Aq sa i njelmët asht deti asht edhe i rrebtë, shpeshherë…         

Nuk më trembë as dallga as vala përpise e tij, madje  ndiej vedin krenar kur e shoh se m’afrohët e ikë si me më pasë frikë. Tue ecë mbi ranën e lagun e tue lanë mbrapa disa gjurmë të mija që mbas pak minutash fshihën edhe ato, shoh një yll deti të shkrryem mbi ranë e ma larg një kandil, të dy të fikun këso jete që s’marrin as napin ma të voglin shenjë.

Ndonjë degë e shkyeme algësh e plandosun për breg me gjelbrimin e fortë të saj ma ndryshon drejtimin. Shputat e kambëve nuk më bahët mi vue mbi té. Më duket se vazhdon me jetue. Mbi një kaçubë mrinash asht një leckë e ndême, ku nëpër birë të një pullës përshkohet një çestek i varun sahatit. Copë e shkyeme xhamadanit asht kjo?..      

Mendoj: Orë, minuta, vite, shumë vite, madje edhe shekuj, mendime të përzime për punë e vepra të mira e të këqija të një jete, që përplasëshin për hagrepët e atij sahati të këputun pa mërrijtë me kapë bregun… Afër një ferre asht e kapun për rrypin e hollë një takë e naltë lustrofini një përçik, e shkapun me forcë prej ndonjë gozhde të atij saloni luksoz…

 Mendja më shkon në thellësi. Atje duhet të jenë!.. Atje ku prehën shumë gjana të moçme të shkrueme ndër gur, qypa e letra, ku secili ka dashtë me diftue dishka. Janë thye, janë grrye, janë plasë, janë fshi, janë kalbë.., e kanë humbë përgjithmonë… Sa shumë gjana mbledhë ajo gropë deti, ai fund uji, ato zgavrra e gomna përpise pa i diftue askujt kurrgja. Aty ka hekur, ar, trupa, brilanta, rrashta, speranca, mburoje, topa, heshta, gjyle, flamuj e vargoj, që gjithmonë njerëzimit shpirtin ia kanë marrë pa pikë mëshire!

E, pra, dikur… madhështia e tyne rroposte frone.

Rrëxohën e bijnë gurë, kështjella, lisa, pisha, pallate, kulla, çinarë shekullorë…

Rrokullisën, shkapetën e këthehën në ashkla, ranë e cop’e grimë prroni e lumi i përcjellë për në det. Dikush i ndjekë me sy derisa nuk shihën mâ. Përpihen e zhduken në humnerë. E, bashkë me tá furia e tërbimit përlanë gjithshka edhe ata që malin e shpellat sundojshin dikur, madje edhe bishat e egra në tufan e stuhi mëshirë prej tyne kërkojshin, derisa të prânte vetëtima e fortuna. Kur frika xên vênd në ndonjë skutë, prap fillon ulërima e “dikush” vërret në kupë të qiellit: “Jam unë e askush mbi mue!”…

Harron se do të kujtohet ndonjë ditë prap për kohën e shkueme!

Me vedi rrin e mendon: “Qé, ku mbaron madhështia!”…

***

Pafundësi!…

Prap, atje nalt asht Shqipja Ilire që ruen…

Asht e plakun, e thinjun, me pupla të shpuplueme.., po synin kokërr e ká e çapojt brisk. Hapë krahët në naltësi… E, të duket, sikur mbi Maje të Bratilës ka xânë vênd. Ndër kthetrat e saja ka mbërthye Përkrenarën Tânde o Gjergj Kastrioti Skenderbé, Mbrojtësi ynë po, por edhe i atyne që bajnë se të kanë harrue!

Këtu, bash ku pat shkelë kamba e Sh’ Palit, ruen Bijën e Sajë, ruen Bijën e Tokës sonë, ruen Bijën Tande Shqipni, Nanë Terezën, që me Kryq për parzëm, Atje… lutet për né!

Asht prap mbi këte shkamb e mbi këta krepa të lame me gjakun e Martirëve!

Asht prap aty përbri, mjedis t’ atyne selvijave… Aty ka çerdhen…

Asht prap aty ku ringjallët Madhështore… E, në Pafundësi…

Asht prap aty sot, brij atyne çinarve…Kisha e Shqipeve!

Një PAFUNDËSI…

Shkodër, Rrëmaji, 11 Nandor 1990.

Melbourne, Janar 2020… /KultPlus.com

“Nuk duhet t’i humbasim rastet më të mira që na shfaqen në jetë”

Nicolas Cage është aktor amerikan dhe fitues i çmimit Oskar, Cage punon edhe si regjisor dhe producent filmi te kompania prodhimit të tij Saturn Films. Nicolas Kim Coppola (i lindur më 7 janar 1964), i njohur profesionalisht si Nicolas Cage, është një aktor dhe producent amerikan.

Ai e ka kryer në rolet kryesore në një shumëllojshmëri e filmave, duke filluar nga komeditë romantike dhe drama të science fiction dhe filmat e veprimit. Në vitet e para të karrierës së tij, Cage luajti në filma të tillë si Valley Girl (1983), Racing me Moon (1984), Birdy (1984), Peggy Sue Got martuar (1986), Rritja Arizona (1987), i rrjedhur (1987 ), vampir s Kiss (1989), Wild në Zemrës (1990), Honeymoon në Vegas (1992), dhe Red Rock Perëndim (1993).

Cage mori një Academy Award, një Golden Globe, dhe Screen Actors Guild Award për performancën e tij si një shkrimtar alkoolike Hollivudit në Leaving Las Vegas (1995) para se të vijnë në vëmendjen e shikuesve më të gjerë me filmat e zakonshme të tilla si The Rock (1996), Face / Off (1997), Con Air (1997), City of Angels (1998), dhe Treasure Kombëtare (2004).

Ai fitoi emërimin e tij të dytë Akademia Award për performancën e tij si Charlie dhe Donald Kaufman në Adaptimi (2002). Në vitin 2002, ai drejtoi filmin Sonny, për të cilat ai ishte i nominuar për Çmimin e Madh të Veçantë në Festivalin e Filmit Dovijë. Cage zotëron kompaninë e prodhimit Saturn Films dhe ka prodhuar filma të tilla si hije e Vampire (2000) dhe Jeta e David Gale (2003).
Më poshtë thënia e tij e famshme:

“Nuk duhet t’i humbasim rastet më të mira që na shfaqen në jetë, thjesht ngaqë jemi të sigurtë se s’i meritojmë”. /KultPlus.com

NEW YORK, NY – APRIL 10: Actor Nicolas Cage attends “Meet The Filmmakers” at Apple Store Soho on April 10, 2014 in New York City. (Photo by Noam Galai/WireImage)

Kërkohet logoja më e pëlqyer për 100-vjetorin e Tiranës kryeqytet

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj fton të gjithë ata që kanë talent dhe pasion për të dërguar brenda kësaj jave logon për këtë përvjetor duke krijuar diçka të bukur për historinë e këtij qyteti.

Ky vit shënon edhe 100-vjetorin e shpalljes së Tiranës si kryeqyteti i Shqipërisë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj fton të gjithë ata që kanë talent dhe pasion për të dërguar brenda kësaj jave logon për këtë përvjetor duke krijuar diçka të bukur për historinë e këtij qyteti.

“Java e fundit për dërgimin e logos për 100-vjetorin e Tiranës KRYEQYTET . Mirëpresim punimin tënd deri më 12 janar, ora 17:00 me email në [email protected]! Ke talent dhe dëshirë për të bërë diçka të bukur për historinë e qytetit tënd? Kjo është mundësia jote. Krijo logon e 100 vjetorit të Tiranës kryeqytet!”, shkruan Veliaj.

Më 11 shkurt të vitit 1920 qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjes u vendos në Tiranë, duke e shpallur kështu zyrtarisht kryeqytet i vendit. Në këtë datë vlerësohet historikisht ardhja e qeverisë shqiptare në Tiranë me në krye Sulejman bej Delvinën dhe pritja iu bë asaj nga populli tiranas. /Shqiptarja /KultPlus.com

Homazh për Albert Kamynë

Nga: Zhan-Pol Sartri

Gjashtë muaj më parë, madje edhe dje, njerëzit pyesnin të interesuar: “Ç’do të bëjë ai?” Përkohësisht, i dërrmuar prej kontradiktave që duhen respektuar, ai kishte vendosur të heshtte. Por ai ishte ndër ata njerëz të rrallë, për të cilët ia vlen të presësh, pasi ata nuk nxitohen të zgjedhin dhe i mbeten besnikë zgjedhjes që bëjnë. Një ditë ai do të fliste hapur. Ne as që do të kishim guxuar të supozonim se çfarë mund të thoshte ai. Ne mendonim se ai do të kishte ndryshuar bashkë me botën, siç ndodh me të gjithë ne; kaq mjaftonte për të qenë të vetëdijshëm për praninë e tij.
Unë dhe ai ishim zënë. Një zënie nuk ka dhe aq rëndësi—edhe nëse ata që zihen nuk e shohin më kurrë njëri-tjetrin—kjo thjesht është një tjetër mënyrë e të jetuarit së bashku, pa i humbur shikimit të njëri-tjetrit në atë copë botë ngushtësisht të vogël që na ka rënë për pjesë. Kjo nuk më pengonte aspak që të mendoja për të, të ndieja që sytë e tij ishin mbi librin apo mbi gazetën që unë po lexoja dhe pyesja veten: “Ç’mendon ai për këtë? Çfarë mendon ai në këtë moment?”
Heshtja e tij—të cilën, në varësi të asaj çfarë ndodhte ose të gjendjes sime shpirtërore, e shihja herë si një sjellje të kujdesshme, herë me dhimbje—ishte një tipar i së përditshmes, si të nxehtit ose drita, por ishte njerëzore. Ne jetonim me mendimin e tij ose kundër tij, siç shtjellohej ky mendim në librat e tij—veçanërisht te Rënia (La chute), që është ndoshta libri i tij më i mirë dhe më pak i kuptuari. Ishte një aventurë e jashtëzakonshme e kulturës sonë, një lëvizje së cilës u përpoqëm t’i kuptonim fazat dhe rezultatin final të saj.
Në kohën tonë ai përfaqësonte shembullin e fundit të asaj aradhe të gjatë moralistësh, veprat e të cilëve përbëjnë ndoshta elementin më origjinal në letërsinë franceze. Humanizmi i tij i palëkundur, i kufizuar dhe i kulluar, i rreptë dhe sensual, frymëzoi një luftë të pasigurt kundër ngjarjeve masive dhe pa formë të kohës. Por, në anën tjetër, përmes refuzimeve të tij të vendosura, ai riafirmoi, në zemër të epokës sonë—në kundërshim me makiavelizmat dhe idhujt e realizmit—ekzistencën e çështjeve morale.
Në një farë mënyrë, ai vetë ishte pikërisht ky afirmim i vendosur. Kushdo që i ka lexuar ose ka reflektuar mbi veprat e tij ka ndeshur me vlerat humane që ai vlerësonte fort; ai e vuri në dyshim veprimin politik. Atij ose duhej t’i shmangeshe, ose duhej ta luftoje—ai ishte i domosdoshëm për atë tension që e bën jetën intelektuale të jetë ajo që është. Heshtja e tij, këta vitet e fundit, kishte në vetvete diçka pozitive: ky Dekard i Absurdit refuzoi ta linte terrenin e sigurt të moralit duke rrezikuar në shtigjet e pasigurta të praktikalitetit.

Ne e ndjemë këtë, siç ndjemë edhe konfliktet që ai mbante të fshehura, për shkaqe etike, të cilat, në vetvete, njëherësh e kërkonin dhe e dënonin revoltën.
Ne prisnim; ne duhej të prisnim; ne duhej të dinim. Pavarësisht se ç’bëri ose vendosi të bënte më pas, Camus nuk reshti kurrë së qenuri një ndër forcat kryesore të veprimtarisë sonë kulturore dhe, në mënyrën e tij, të përfaqësonte historinë e Francës dhe të këtij shekulli. Por ne ndoshta e kemi ditur dhe kuptuar itinerarin e tij. Ai i tha vetes: “Puna ime shtrihet përpara”. Tani, ajo ka marrë fund. Skandali i vërtetë i vdekjes së tij është eliminimi i rendit njerëzor nga jonjerëzorja.
Rendi njerëzor s’është gjë tjetër veçse “mungesë e rendit”—ai është i padrejtë dhe i rrezikshëm, ai përmban vrasje dhe vdekje për shkak të urisë, por të paktën ky rend është krijuar, është ruajtur ose i ka rezistuar kohës prej njerëzve. Në këtë rend do të jetonte edhe Camus. Ai njeri, gjithnjë në lëvizje, që na pyeste vazhdimisht, ishte vetë një pyetje që kërkonte përgjigje. Ai jetoi në gjysmën e një jete të gjatë; për ne, për veten e tij, për njerëzit që e mbështesin rendin dhe për ata që e refuzojnë atë. Për të ishte e rëndësishmë që ta thyente heshtjen, të ishte ai që vendoste dhe që vinte në përfundime. Disa vdesin në moshë të thyer, ndërkohë që të tjerë, pa bërë kurrë thuajse asgjë, mund të vdesin në çdo minutë, pa e ndryshuar kuptimin e jetës së tyre ose vetë jetën e tyre. Por, për ne, të pasigurt në mungesë të një busulle, njerëzve tanë më të mirë u është dashur të arrijnë fundin e tunelit. Natyra e punës së një njeriu dhe kushtet e momentit historik rrallë herë kanë kërkuar kaq qartë që një shkrimtar të vazhdojë të jetojë.
Aksidentin që vrau Camus-in unë e quaj një skandal, pasi ai, papritur, në qendër të botës sonë njerëzore, projekton absurditetin e nevojave tona më thelbësore. Në moshën 20 vjeçare, i prekur papritur nga një sëmundje që më pas ndikoi në tërë jetën e tij, Camus zbuloi Absurdin—mohimin e pakuptimtë të njeriut. Ai u mësua me të, ai e mbajti përherë parasysh gjendjen e tij të papërballueshme dhe ia doli. Dhe përsëri njerëzit tundohen të mendojnë se vetëm veprat e tij të para dëshmojnë të vërtetën mbi jetën e tij, pasi ky njeri invalid, i sapo shëruar, shkatërrohet nga një vdekje e papritur që i vjen nga jashtë.
Absurdi mund të jetë pikërisht ajo pyetje që askush tani s’do të mund t’ia bëjë më atij, ajo pyetje të cilën ai vetë s’do mundet t’ia bëjë më askujt, ajo heshtje që tashmë nuk është më as heshtje, që tani është absolutisht asgjë.
Unë nuk mendoj kështu. Në momentin që shfaqet, jonjerëzorja bëhet pjesë e njerëzores. Çdo jetë që ndërpritet—edhe jeta e një njeriu kaq të ri në moshë—i ngjan një pllake gramafoni që, edhe pse e thyer, është njëherësh një jetë e plotë. Për të gjithë ata që e deshën Camus-in, ka një absurditet të papërballueshëm në atë vdekje. Por ne duhet të mësohemi ta shohim atë vepër të lënë përgjysmë si një vepër të plotë. Për sa kohë që humanizmi i Camus-ë përmban një qasje humane ndaj vdekjes që e zuri atë në befasi, për sa kohë që përpjekja e tij krenare në kërkim të lumturisë nënkuptoi dhe kërkoi domosdoshmërinë johumane të vdekjes, ne duhet të vlerësojmë në atë vepër dhe ne jetën që është e pandashme prej saj, përpjekjen e pastër dhe trimfuese të një njeriu për të rrëmbyer çdo çast të ekzistencës së tij prej vdekjes së tij të ardhshme.

Përktheu nga anglishtja
Elena Lula

(Marrë nga ExLibris) /KultPlus.com

Janar

Nga grupi “Pilot”

Teksti: David Paton

Shqipëroi: Bujar Meholli

Janar
i sëmurë dhe i lodhur
ashtu ke rënë mbi mua

Më zhyt në melankoli
kur më sheh me ata sy
por mos u largo
mos u largo
janar
vetëm mos ji i ftohtë

Mos u zemëro me mua
kur të them se
ti më zhyt në melankoli
pa më shiko një herë
oh
janar
mos u largo
mos u largo

Jeta më bëhet më e gjallë
mund të ta dëshmoj
unë mund të nisem
të shkoj
gjithë botën mund ta zgjoj

Dielli ngroh
sikurse zjarri
vazhdo tej
mos u largo

Nxirrmë jashtë shtëpisë
sime të ëmbël
duhet të më njohësh
duhet të më tregosh
shumë gjëra
sepse ti ke qenë
rreth e qark botës
e ke ndjekur kudo atë

janar
i sëmurë dhe i lodhur
ke rënë mbi mua

koha fluturon
ditët me diell gjithashtu
ikin tutje-tëhu
edhe verërat angleze
janë zhdukur
shumë larg kanë fluturuar
e koha është e gjatë
ajo vjen e shkon