Fanaj: Prejardhja ime e huaj nuk është e vetmja gjë që mund të ofroj në politikë

Deputetja kantonale e PS, Ylfete Fanaj pritet të zgjidhet këtë të martë, në postin më të lartë politik të Kantonit të Lucernit, kryetare e Parlamentit Kantonal.

Gazeta “Luzerner Zeitung” i ka bërë një prezantim të gjerë politikanes  rrënjë shqiptare nga Kosova, duke e cilësuar atë si një grua të fuqishme dhe politikane që punën e saj e bën me pasion.

Si vajzë nëntë vjeçe, në vitin 1991 Ylfete Fanaj vjen në Zvicër. Në shkollën ku nis mësimet ajo është nxënësja e parë nga Ballkani, transmeton albinfo.ch. Në vitin 2007, tashmë si një e re 25 vjeçe, Ylfetja sërish është diku e para: kosovarja e parë në asamblenë e qytetit të Lucernit.

Ndërsa aktualisht, si grua 37 vjeçe, Ylfete Fanaj është caktuar për të qenë në krye të Parlamentit të Kantonit ku jeton. Dhe do të jetë migrantja e parë në këtë post, mbase jo vetëm në kantonin  e saj.

“Unë kam qenë e para për disa gjëra, por nuk do të doja të mbetesha e vetmja”, thotë ajo për gazetën.

“Në kantonin e Lucernit jetojnë njerëz nga 160 kombe. Parlamenti as përafërsisht nuk e pasqyron këtë realitet”, thotë më tutje. Prandaj Ylfetja i gëzohet faktit, të zgjedhjes, për shembull, të një gjykatësi me prejardhje turke, në Lucern, që pritet të bëhet në sesionin e ardhshëm parlamentar.

“Në vitin tim presidencial unë veçanërisht dua që, njerëzve të cilët janë larg nga politika, t`ua bëj më të afërt punën e parlamentit”, thotë veç tjerash, duke bërë fjalë për synimet e saj në postin e ri.

Pasi që masat kundër koronavirusit, pamundësojnë një ceremoni zgjedhore, përfshirë aperitivin, Fanaj ka vendosur të mbështetet në formatet digjitale, duke bërë transmetimin në faqen e saj të fb, përcjell albinfo.ch. Po kështu në fb të saj do të jepet drejtpërdrejt nga Kosova, koncerti i grupit “String”.

Si kryetare parlamenti, ajo nuk do të ketë mundësi të “politizojë” nga pozitat e partisë së saj, SP. Ndërkaq, edhe pse e njohur për politikëbërjen e saj me pasion, ajo gëzon respekt edhe ndër kolegët nga partitë tjera, madje edhe ato kundërshtare të socialdemokratëve. Gazeta u jep fjalën disave prej tyre.

Udhëheqësja e Grupit parlamentar të GLP, Claudia Huser thotë për Fanajn se “ajo angazhohet me pasion për synimet e saj por është  gjithashtu një person i shoqërueshëm dhe me shumë humor. Nga e majta në të djathtë ajo konsiderohet si politikane e përkushtuar dhe e sigurt, e provuar për dosjet që i trajton”.

Ndërsa deputeti kantonal nga CVP Ludwig Peyer thotë: “është gjithmonë e qëndrueshme dhe ka një ndjenjë të theksuar të drejtësisë”, transmeton albinfo.ch. Nga ana tjetër, deputeti i SVP Marcel Omlin bën këtë parashikim: “Në funksionin e saj të ri, ajo nganjëherë do të jetë e detyruar të lërë anash mendimin e saj personal”.

Duke qenë se “mullinjtë parlamentarë bluajnë ngadalë – dhe nga ana tjetër Partia Socialdemokrate nuk është parti qeverisëse në nivel kantoni, Fanaj dhe partia e saj e kanë të vështirë punën. Për këtë arsye ajo vë theksin në angazhimin qytetar. “Secili prej nesh mund të bëjë ndryshimin”, thotë Fanaj.

Në vitin 2013 Ylfetja ka qenë kryetare themeluese e shoqatës “Lisa”, e cila mbronte interesat e grave në prostitucion, të rrezikuara pas një vendimi për zhvendosjen e tyre në një zonë industriale. Aktualisht Fanaj kryeson shoqatën e ngritur me rastin e 50 vjetorit të fitimit të të drejtës së votës për gratë në Lucern dhe në gjithë Zvicrën.

“Kantoni nuk e sheh veten të detyruar të shënojë jubileun në tetor të këtij viti por unë si kryetare e parlamentit, ndjehem përgjegjëse për të qenë aktive në këtë drejtim.

Duke qenë e angazhuar edhe në mjaft projekte të integrimit, ajo di si t`i plasojë mesazhet e saj, shkruan gazeta, transmeton albinfo.ch. Fanaj, sipas “LZ” onsiderohet tashmë si “kosovare shembullore”. Dikur nuk dinte asnjë fjalë gjermanisht ndërsa tani është me studime të mbaruara të shkencave sociale dhe mban poste në projekte dhe shoqata të ndryshme, pëfcjell albinfo.ch.

E pyetur nëse është krenare për rolin e saj si shembull, ajo thotë: “Unë, thjesht e trajtoj atë që më duket e rëndësishme. Nëse të tjerët identifikohen me mua, mendoj se kjo është gjë e bukur. Por, shton ajo “unë kam shumë më shumë për të ofruar sesa sfondin tim të migracionit (prejardhjen e huaj). /albinfo/ KultPlus.com

Luljeta Pula Beqiri: Burrat arritën që rolin e gruas në shoqëri dhe në politikë ta reduktonin ashtu siç e donin në familje

Besa Kalaja

Luljeta Pula Beqiri gruaja protagoniste e viteve të 90-ta, tregon për aktivitetin e saj dhe sfidat nëpër të cilat ka kaluar. Ambienti kosovar sipas saj nuk është fare i lehtë për gratë por ato duhet të gjejnë energji dhe vullnet që të japin kontributin e tyre në shoqëri

Ishte 16 vjeçe kur e filloi aktivitetin e saj politik. Ishin demonstratat e vitit 1968. Në atë vit Luljeta Pula Beqiri, e cila gati dy dekada më vonë do të bëhej njëra prej protagonisteve më të rëndësishme të jetës politike dhe shoqërore, në ato demonstrata po kërkonte për vendin e saj vetëvendosje dhe republikë. Kjo nuk ishte e zakonshme për një vajzë të asaj moshe. Ajo thotë se prindërit e saj, baba profesor universiteti dhe nëna mësimdhënëse e kishin mësuar atë dhe fëmijët e tjerë me edukatë kombëtare.

“E veçanta e gjithë kësaj, që natyrisht dua ta theksoj dhe që nuk ishte e zakonshme, ishte se unë isha rritur në një familje me mirëqenie të lartë, dhe kisha shumçka të humbisja me angazhimin tim.”

Angazhimi politik i kishte kushtuar me përjashtim nga gjimnazi po në të njëjtin vit kur u mbajtën demonstratat e vitit 1968, pavarësisht se ishte nxënëse e shkëlqyer. Ajo në rrëfimin e gjatë për jetën e saj, thotë se kjo nuk e kishte ndalur që të vazhdonte rrugën në kërkim të të drejtave për shqiptarët.

Kishte marrë pjesë në demonstratat e vitit 1981, duke rrezikuar në këtë rast punën e saj si profesoreshë universiteti. Gjatë viteve të 90-ta, aktiviteti i saj politik dhe shoqëror u intensifikua  vite të cilat Pula Beqiri na i rrëfen me nostalgji dhe dhimbje. Për shkak të atmosferës politike, kur u suprimua autonomia dhe terreni dukej se më shumë ishte bërë për burrat, ajo u gjend para sfidave të mëdha. Na tregon për përballjen e saj me shumë aktorë të rëndësishëm të jetës politike të asaj kohe.  Thotë se për gratë nuk ishte fare e lehtë. Aktiviteti i gruas nuk çmohej shumë në ato kohë mirëpo ato vazhdonin të punonin dhe të jipnin kontributin e tyre.

Pas luftës kur situata ndryshoi dhe kushtet u bënë më të mira për gratë, Pula Beqiri, thotë se vetë gratë duhet të luftojnë për të drejtat e tyre dhe të emancipohen.

Pasi prania e grave në jetën politike u bë çështje kuotash ajo e kishte kundërshtuar këtë. I kishte kundërshtuar ndërkombëtarët që e imponuan një gjë të tillë por zëri i saj dhe kontributi i saj nuk u çmuan pas luftës. Për këtë pas përfundimit të luftës ajo aktivitetin e saj e reduktoi vetëm në dhënie mësim në universitet.

Gruaja e zëshme e viteve të nëntëdhjeta na rrëfen shumë ngjarje dhe peripeci nëpër të cilat ka kaluar ajo vetë, po në të cilat kanë kaluar dhe kalojnë ende shumca e grave shqiptare.

Kur jeta politike ta determinon jetën private

Me 1989 iu mor autonomia Kosovës. Pula Beqiri nga pozita ku ishte, profesoreshë e Fakultetit të Xehtarisë dhe Metalurgjisë në Mitrovicë, u deklarua kundër ndryshimit të pozitës kushtetuese të Kosovës. Ishte kohë kur në Kosovë po zhvilloheshin demonstrata të mëdha. Në të gjitha ushtrohej dhunë ndaj demonstruesve. Në shumicën prej tyre Pula Beqiri kishte marrë pjesë.

Njëra ishte më e vështira. Luljeta Pula ishte shtatzënë, në muajin e shtatë. Gjatë protestës ku u hodh gaz lotsjellës të cilit regjimi sipas saj i kishte hedhur helme, humbi fëmijën e saj.

Në këtë kohë në Kosovë u formua Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) që për një dekadë u njoh si rezistenca paqësore. Në themelimin e saj Pula Beqiri nuk arriti të ishte prezente pasi kishte probleme shëndetësore pas humbjes së fëmijës. U bë anëtare e kësaj Lëvizjeje, siç njihej atëherë, një muaj pas themelimit. Partia po konsolidohej, brenda saj u themelua Shoqata e Gruas së LDK-së. Pula Beqiri ishte kryetarja e parë e kësaj shoqate.

“Në atë kohë kishte një mobilizim të paparë të grave të të gjitha kategorive për t’u vënë në shërbim të çështjes kombëtare”, na tregon me krenari të madhe. Për shtatë muaj shoqata numëronte 80 mijë gra. Madje tek gratë që për herë të parë po fuqizoheshin në këtë masë Pula Beqiri thotë se pa fuqinë jo vetëm në raport me regjimin por edhe ta sensibilizonin faktorin ndërkombëtar për gjithë çfarë ndodhte në Kosovë.  “Kush më mirë se gratë dhe nënat mund ta bënin këtë”, thotë ajo.

Ky fuqizim i grave brenda partisë nuk e kishte trembur veç regjimin po edhe partinë. U ishte sugjeruar grave e sidomos asaj si kryetare e shoqatës që të merrej me çështje të gruas dhe fëmijëve e jo me politikë. Natyrisht politika dhe politikat e mëdha u takonin burrave. Të vepruarit ndaj regjimit i cili tashmë kishte mbyllur shkollat dhe spitalet dhe gjithçka tjetër publike, ishte terren burrash.

“Por ata bënë e ç’bënë dhe nën pretekstin e ndryshimit të statusit e formatit të Shoqatës e gjoja për t’i ndryshuar emrin i morën autonominë shoqatës, i urdhëruan të lëvizin vetëm në kornizën e mbrojtjes së të drejtave të gruas dhe fëmijës, dhe të mos merreshin me politikë.”

Ky ishte një veprim që e kishte zemruar shumë Pula Beqirin, po nuk kishte ku ta paraqiste zërin e saj kundër. Edhe mediet e asaj kohe ishin të kontrolluara sipas saj.

“Burrat arritën që rolin e gruas në shoqëri dhe në politikë ta redukonin ashtu siç e donin në familje. Gruaja të merrej vetëm me të ashtuquajturat punë të gruas”, thotë Pula Beqiri.

Kishte ardhur koha për një alternativë tjetër politike

Koha e entuziazmit të madh mbaroi. Pas përballjes me gjithë këtë situatë Pula Beqiri e kishte parë se duhej të ndërmerreshin hapa tjerë. Ajo po angazhohej ne forma të ndryshme. Kishte ndihmuar nxënësit e helmuar në shkolla në vitin 1990.

“Natyrisht është e veçantë paraqitja ime publike në këtë temë, në mars të vitit 1990 në një emision,debat  të drejtëpërdrejtë në Televizionin e Beogradit, e cila bëri bujë jo vetëm në Kosovë por edhe në tërë Jugosllavinë por edhe më gjerë”, thotë ajo. Aty Pula Beqiri tregoi se çfarë u kishte ndodhur nxënësve shqiptarë nëpër shkolla.

Në korrik të po atij viti kur u shpall pavarësia e Kosovës, thotë se bashkë me shoqen e saj Eva Breandtly anëtare e Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane, dhe profesore e të drejtës ndërkombëtare në 6 universitete në Amerikë, ishin para Kuvendit të Kosovës. Pasi juristët e Kuvendit hezitonin ta shpallnin pavarësinë në oborr të këtij institucioni sepse nuk e dinin a do të ishte valide një mënyrë e tillë, shoqja e saj nga Amerika insistonte që kjo të bëhej. Pas këtij insitimi ishin arrestuar te dyja nga policia serbe. Ishin liruar pas intervenimit nga Amerika. Në këtë kohë çështja shqiptare po merrte dimensione të reja. Shqiptarët po udhëtonin drejt Amerikës për të treguar se çfarë ndodhte në Kosovë. Në mesin e tyre edhe vetë Pula Beqiri.

Pas dy vitesh aktiviteti më 1992 erdhi koha që në Kosovë të themelohej një parti tjetër. Këshilli i saj nismëtar prej disa vetash, kryesisht sociologë ekzistonte që nga viti 1990.

“Kjo mënyrë e funksionimit u zgjodh më tepër për të përçuar në botë përcaktimin pluralist e demokratik të shqiptarëve në një shtet të ardhshëm të synuar. Megjithate ishte jashtë rrethanave dhe jashtë kohës. E me mangësi të mëdha.”

Asaj i ishte ofruar posti i kryetares së partisë, të cilin thotë se kishte shumë dilema ta merrte sepse në parti ishte së bashku me shumë figura të ish nomenklaturës komuniste, të cilat i kishte luftuar tërë jetën. Megjithatë postin e kishte pranuar dhe kështu u bë gruaja e parë që mori postin e kryetares në një parti politike në Kosovë. Fillimisht thotë se ka pasur shumë probleme me masivizimin e partisë. Vlerëson se pavarësisht që nuk mund të masivizoheshin ata ishin një zë ndryshe dhe shprehnin qëndrime politike të pavarura.

“Aktiviteti ynë partiak i Partisë Socialdemokrate të Kosovës, ishte i jashtëzakonshëm. Kemi bërë mijëra e mijëra prononcime për të gjitha ngjarjet politike të cilat ndiqnin njera tjetrë, kemi dalë me shumë deklarata, kemi mbajtur shumë konferenca për shtyp, kemi pasur aktivitete të dendura në terren”, rrëfen për punën e bërë ajo.

Çështjen e pazgjidhur të Kosovës thotë ta ketë adresuar jo vetëm në mediat e Kosovës po edhe në ato më prestigjiozet ndërkombëtare. “Kam dhënë dy intervista për CNN”, thotë ajo.

Shoqërisë i duhej dinamizim për të fituar lirinë

Megjithëse aktivitetet nuk mungonin Pula Beqiri, ishte angazhuar për dinamizim të lëvizjës politike.

Kemi kërkuar aplikimin e të gjitha formave të protestës, demonstratave dhe formave të tjera të padëgjueshmërisë qytetare”.

Njëra ndër kërkesat ishte edhe nisma për konstituimin e Parlamentit të Kosovës si një akt politik i përçimit të mesazhit të vërtetësisë, vendosmërisë dhe seriozitetit të kërkesës për pavarësi, në radhë të parë për qarqet ndërkombëtare.

“Kjo ide është kundërshtuar në vazhdimësi dhe fuqishëm veçanërisht nga paria e LDK-së. Ishte e qartë se lëvizja pacifiste kishte degjeneruar dhe kishte krijuar në masa një demotivim, amulli, zhgënjim dhe rezignatë. Ndaj dinamizimi i Lëvizjes me forma të reja, strategji e taktikë efikase me vite pas 94-së ishte e vetmja zgjidhje.”

Në ndërkohë nuk ndodhi asgjë e me 1998 u zhvilluan zgjedhjet në të cilat Pula Beqiri e sfidoi Ibrahim Rugovën kryetarin e LDK-së si kundërkandidate e tij për postin e të parës së Kosovës. Ishte e sigurt se nuk do të fitonte por e bëri këtë për të treguar se një grua ka kurajo dhe guxim për t’u kandiduar dhe për të udhëhequr me vendin edhe në ato rrethana.

“Tërhoqa kandidaturën time pas shtetrrethimit të Drenicës nga forcat serbe si akt moral dhe parimor për absurditetin e mbajtjes së zgjedhjeve në kohën kur një regjion i vendit po digjej në flakët e luftës”, thotë ajo.

Gjatë kohës se luftës thotë se kishte kaluar shumë momente të vështira. Kishte vizituar familjen Jashari pas sulmit të parë dhe madje i kishte shkruar letër bashkëshortës së Slobodan Millosheviqit, Mira Markoviqit ku i kishte treguar atë që po ndodhte në Kosovë e sidomos për vrasjet e fëmijëve në Drenicë.

Thotë se ishte ajo dhe vëtëm disa figura të tjera intelektuale si Adem Demaçi që e kishin mbështetur publikisht Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës që në fillet e saj.

“Më 1998 u krijua Forumi Demokratik shqiptar me në krye Adem Demaçin. Ideja ishte që në te të përfshiheshin të gjitha figurat politike, udhëheqësit e partive politike, personalitetet me peshë ato kombëtare e intelektuale.”

Në krye të këtij Forumi u zgjodh Adem Demaçi. Ideja kryesore dhe esenciale ishte që ky Forum të bëhej krahu politik i UÇK-së. Ishe LDK-ja ajo që e minoi Forumin duke refuzuar ta pranonte dhe duke mos deleguar përfaqësuesin e saj atje. Më pas edhe Demaçi u tërhoq dhe Pula Beqiri mori udhëheqjen e tij.  “Më pas për shkak të sabotimeve kryesisht të klaneve të fuqisë politike të Lëvizjes pasoi zhbërja e tij”, thotë Pula Beqiri.

Një përvojë të cilën ajo e quan të hidhur në një mënyrë i kishte dhënë fund karrierës së saj. Në ceremoninë e varrimit me 1998 në Likoshan të viktimave civile ajo kishte thënë “Fajtorë për këtë terror shtetëror që bën Serbia në Kosovë janë jo vetëm regjimi kriminal serb, jo vetëm injorimi që bashkësia ndërkombëtare i bën çështjes së Kosovës, por edhe Lëvizja politike e Kosovës në krye me Ibrahim Rugovën”. Kjo fjali ku e kishte përfshirë edhe Rugovën thotë se ju nxor nga konteksti dhe u interpretua si marketing politik dhe fushatë presidenciale.

“Më pastaj mediat u mbyllën për mua, dhe edhepse jo formalisht, praktikisht ky ishte fundi i karrierës sime nuk them politike por punës kombëtare që e kisha bërë gjithë jetën time”, thotë ajo.

Pas luftës të cilën e kishte kaluar në një ankth të papërshkrueshëm duke qëndruar në tavanin e një shtëpie ku ishte strehuar iu kthye edhe njëherë jetës politike duke ia ndërruar emrin partisë me sugjerim të OSBE-së që në atë kohë i organizonte zgjedhjet,  në Union Socilademokrat dhe duke marrë pjesë në zgjedhjet lokale të vitit 2000.  

“Pësuam një rezultat katastrofal. Pas debaklit të plotë në zgjedhjet lokale unë dhashë dorëheqje të parevokueshme nga udhëheqja e partisë dhe përfundimisht u tërhoqa nga politika. Thjesht si një akt moral”, e thotë me shumë dhimbje këtë Pula Beqiri.

Tani ndjehet e zhgënjyer jo vetëm për faktin se puna e saj nuk është respektuar por se kontributi i saj është harruar tërësisht.

“As një e vetmja ftesë për ceremoni të ndryshme, festime, shënime përvjetorësh e shënime të ngjarjeve të rëndësishme. E të mos flasim për pjesëmarrje si mysafir në aktin e shpalljes së pavarësisë”, thotë ajo.

 Emancipimi i grave nuk bëhet me një dekret

Prej perspektivës së saj Pula Beqiri thotë se klasa politike e Kosovës nuk ka arritur që karshi qytetarëve t’i kryej detyrat e saj. Ajo thotë se ata përveç se u pasuruan në kurriz të qytetarëve nuk kultivuan asnjë vlerë. Në këtë kontekst ajo flet edhe për gratë dhe rolin e tyre në shoqëri pas luftës. E pengon që përfaqësimi i grave në jetën politike bëhet përmes kuotës duke ia humbur kështu shijen edhe atyre grave që suksesin e tyre ia atribuojnë angazhimit të tyre.

“Kur pas luftës u bë e ligjshme, legale dhe e aplikueshme e ashtuquajtura kuotë e grave për të imponuar një përfshirje të caktuar të grave medoemos në institucione, ndjeva vehten të fyer si grua.”

Ky sipas saj nuk ishte kontribut emancipimit të grave. Sepse emancipimi nuk mund të bëhet me një dekret. Ai është proces të cilit duhet t’i kontribuojë vetë gruaja në veçanti dhe shoqëria e nxitja e rrjedhave shoqërore në përgjithësi.

“Kjo formulë e cila vazhdon të implementohet edhe sot, ofendon gruan, integritetin e saj dhe ngritjen e saj profesionale dhe intelektuale. E cila mohohet në parim dhe paragjykohet pa turp duke u pranuar si e tillë, për vetë faktin e përkatësisë gjinore”.

Ajo mendon që edhe vetë ndërkombëtarët që imponuan një gjë të tillë në vendet e tyre as nuk mund ta mendojnë një formulë të tillë denigruese.

“Me imponimin e saj këtu bënë një përligjje oficiele të shkurtmendësisë së gruas shqiptare. Duke i mohuar vlerat e saj dhe gjithë kualitetet që gruaja shqiptare mund t’i ketë. Duke merituar përshirjen me cilësi dhe jo me këtë formulë poshtëruese.”

Thotë se po të ishte në vend të grave nuk do të pranonte kurrë të kishte favore apo një pozitë të institucione nëse nuk do ta meritonte.

Gruas sipas saj nuk mund t’i ndihmohet vetëm me kuota. Njëherë duhet analizuar dhe studiuar të gjithë faktorët e shumica prej tyre janë të ditur, pse gratë kanë mbetur në këtë shkallë të ulët të emancipimit.

“Vetëm me një veprim të studiuar, të analizuar, me një strategji dhe taktikë të ndërtuar mbi bazë të realitetit faktik kosovar, mund t’i ndihmohet jo emancipimit të shpejtë, sepse kjo thjesht nuk mund të bëhet, por shkurtimit të rrugës evolutive të procesit të emancipimit. Pa tronditje të forta, pa sforcime, dhe në mënyrë të natyrshme”.

Ky shkrim u mundësua nga Programi Angazhimi për Barazi (E4E) i financuar nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe zbatuar nga Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim (ATRC). Përmbajtja është përgjegjësi e Fondacionit Jahjaga dhe nuk pasqyron deomos pikëpamjet e ATRC, USAID ose të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara. / KultPlus.com

‘U shkarkova se jam grua, sepse asnjë burrë në të kaluarën kur ka vepruar kundër vendimeve të partisë, nuk janë përjashtuar’

Shkruan Vjosa Osmani

Po përjashtohem e diferencohem sepse:
Thashë kurrë me të korruptuarit, dhe ashtu mbeti;
Thashë do t’i sjellim Kosovës ndryshimin e jo mendësinë e vjetër në pushtet, dhe ashtu mbeti;
Thashë se nuk do ta përkrahë asnjë tregtar të kufijve e të sovranitetit, dhe ashtu mbeti.
Thashë për Kosovën do të kërkojmë barazi nëpërmjet reciprocitetit, dhe ashtu mbeti;
Thashë se askujt nuk do t’i punojmë pas shpine, dhe ashtu mbeti;
Pra, u diferencova e shkarkova sepse e mbajta fjalen.
U diferencova edhe për shkak se jam grua, sepse asnjë nënkryetar burrë në të kaluarën, edhe kur kanë kundershtuar e vepruar kundër vendimeve të partisë, nuk janë përjashtuar.

Por, të dashur qytetarë të Kosovës, sistemet që themelin mbi të cilin qëndrojnë e kanë diferencimin, janë gjithnjë të destinuara të dështojnë. Kështu ka qenë në të kaluarën, e kështu do të jetë edhe tash e tutje, të jeni të bindur. Prandaj po e përsëris atë që e kam thënë në Kuvend më 25 mars:

Në politikë, sikur edhe në jetë, ndonjëherë duhet ta paguash çmimin e të qenit parimor. Unë e kam provuar në lëkurën time më shumë se njëherë. Por, parimësia tregon udhën e vërtetë, edhe kur ajo është e mbushur përplot gjemba. E, unë nuk përtoj t’u rrekem këtyre pengesave për ta bërë të dukshme dritën, edhe nëse kjo nuk kuptohet nga disa mendjeshkurtër që sot votuan për përjashtimin e diferencimin tim. Por është një udhë që unë e kam ndjekur këto 20 vjet e ajo është udha që ta shtron besimi qytetarë dhe asaj nuk e kam ndërmend t’i ndahem kurrë. Në secilën betejë, do të jem me qytetarët, deri në fund.

I falenderoj 53 anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm që nuk u bënë pjesë e këtij diferencimi politik. Ndërsa për diferencuesit e sotëm, shihemi në garën zgjedhore së shpejti. E aty do ta shohim se kush do të fitojë kur të dalim para qytetarëve. Gara e vërtetë është para qytetarëve, edhe pse shumica dërmuese prej jush diferencues, jeni aq frikacakë sa nuk do të guxoni të dilni në atë përballje, por sërish do të fshiheni prapa dikujt tjetër. Por përballja e madhe do të ndodhë. Mua më ka ngritur populli dhe vetëm ai do të mund të më rrëzojë.

Bring it on! 💪🏼 / KultPlus.com

Sot Dita Ndërkombëtare e Muzikës

Muzika është pjesë e pandashme e jetës, është ajo pa të cilën askush nuk do të mund të imagjinonte jetën.

Ndërkaq, muzika popullore shqipe, ka një histori tejet interesante, mënyra sesi kjo lloj muzike ka jetuar gjithmonë me popullin shqiptar duke u trashëguar brez pas brezi dhe duke vazhduar të jetoj gjithmonë me popullin shqiptar, shkruan KultPlus.

Sot në Ditën Ndërkombëtare të Muzikës, KultPlus ju sjell një artikull të shkurtër mbi muzikën popullore shqipe.

Muzika popullore Shqiptare përbën një ndër pasuritë më të çmuara të vendit. Në përshkrimet e studiuesve të huaj të ardhur në Shqipëri gjatë shekujve XVIII-XIX është arritur përafërsisht në konkluzionin se pasuria kryesore e Shqipërisë është folklori muzikor.

Folklori muzikor bën një jetë aktive edhe sot, ndërkohë që gjurmët e lashtësisë së tij janë provuar që prej shekujve XIV-XIII p.e.s. Në objekte të ndryshme arkeologjike – skulptura, basoreliefe, terrakota, etj. – janë përfiguruar qartë vegla popullore, që përdoren deri në ditët tona, valltarë, këngëtarë, kostume karakteristike, etj.

Folklori muzikor shqiptar është jashtëzakonisht i pasur , çka dhe shprehet në ekzistencën e muzikës vokale që nga forma njëzërëshe e deri tek shumëzërëshi; në muzikën me vegla popullore; muzikën me zë e vegla; muzikën për shoqërimin e valleve popullore, etj. Këtyre u shtohet dhe një fond i madh veglash popullore të klasifikuara në katër grupet tashmë të njohura si ideofone, membranofone, kordofone, areofone.

Folklori muzikor shqiptar e bën jetën e vet në një ndarje specifike, që lidhet me format e të shprehurit muzikor dhe me tipet kryesore të instrumenteve të përdorur. Lumi i Shkumbinit, që përshkon mes për mes Shqipërinë, përvecse ndan dy dialektet kryesore të vendit në Gegë në Veri të Shkumbinit dhe në Toskë në Jug të Shkumbinit, shërben edhe si kufi natyror për klasifikimin e tipologjisë së folklorit muzikor.

Folklori u ka qëndruar shekujve ndonëse është transmetuar e ruajtur në kujtesën popullore brez pas brezi. Duke mesuar folklorin në mesojme se si ka ecur dhe është zhvilluar populli si I ka perjetuar fatet e veta historike cfare ka vleresuar etj.

Folklori ndryshe mund të quhet edhe gurra popullore. / KultPlus.com

Në Ditën Botërore të Muzikës, MKRS-ja shpall çmimet në këtë fushë

Sot, më 21 qershor, shënohet Dita Botërore e Muzikës e njohur me emrin “Fête de la Musique” (Festivali i Muzikës). Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për nder të kësaj dite, shpall laureatët e çmimeve vjetore në fushën e muzikës, konkretisht Çmimin Kombëtar për Vepër Jetësore “Niketë Dardani” si dhe çmimet tjera vjetore në këtë fushë.

Në bazë të vlerësimeve të Jurisë Profesionale për ndarjen e çmimeve në fushën e muzikës, ministrja Vlora Dumoshi, ka marrë vendim që çmimi për vepër jetësore “Niketë Dardani” t’i ndahet kompozitorit Vinçenc Gjini, me motivacionin e profesionistit muzikor të shumanshëm dhe kontributit gjysmë shekullor në fushën e muzikës. 

“Fillimisht dua t’i uroj të gjithë muzikantët, artistët e profesionistët muzikorë, kompozitorët dhe tërë muzikdashësit për Ditën Botërore të Muzikës. Edhe Kosova i bashkohet vendeve tjera të Botës me shënimin e kësaj dite. Të gjithë fituesve ua uroj çmimet. Këto shpërblime shtetërore të cilat ndan MKRS-ja janë një mirënjohje dhe falënderim për punën të cilët këta artistë e profesionistë të muzikës e kanë krijuar duke kontribuar në kultivimin e vlerave të mirëfillta muzikor. Gjithashtu, dua t’i falënderoj anëtarët e Jurisë Profesionale për vlerësimet e tyre, të cilët nuk e kanë pasur të lehtë të përzgjedhin më të mirët në mesin e kandidatëve”, tha ndër të tjera ministrja Dumoshi.

Çmimet tjera vjetore nga fusha e muzikës janë siç vijon: 

Çmimi për vepër vokalo-instrumentale dhe muzikore skenike i ndahet kompozitorit Valton Beqiri, për veprën “Rrugëtimi”, si vepër madhore kombëtare e cila trajton motivin e qëndresës përmes larmisë muzikore të etnosit shqiptar; 

Çmimi për vepër orkestrale-simfonike dhe koncertante i jepet kompozitorit Kreshnik Aliçkaj, për veprën “Koncert” për kitarë dhe orkestër, për marrëdhënien dinamike të vazhdueshme dhe bashkëvepruese mes instrumentit solistik dhe orkestrës; 

Çmimi për vepër kamertale i ndahet kompozitorit Drinor Zymberi për veprën “Trance” për orkestër harqesh për kompaktësinë dhe gjetjen kompozicionale; 

Çmimi për vepër korale i jepet kompozitorit Hajrullah Syla për veprën “Ubi Caritas” për kor miks për këndvështrimin origjinal të kompozimit;

Çmimi për veprat solistike dhe duo i ndahet kompozitorit Mehdi Mengjiqi për veprën “Discantus” për kontrabas solo për risjelljen e vlerave të “discantusit” në kohën moderne përmes ruajtës së kontekstit formal.

Të gjitha çmimet shpërblehen edhe me shuma financiare sipas rregullores për çmimet për muzikë. Gjithashtu, parashihet që të organizohet edhe një ceremoni solemne për ndarjen e këtyre çmimeve, por për shkak të rrethanave të pandemisë, ceremonia do të organizohet në një datë të përshtatshme.

Juria profesionale e cila ka bërë shqyrtimin dhe analizimin e veprave muzikore të paraqitura në konkurrim ka qenë në përbërje të kompozitorit Prof. Dr. Vasil S. Tole – kryetar, kompozitorit Rafet Rudit dhe kompozitorit e dirigjentit Baki Jashari – anëtarë. / KultPlus.com

Aktori Masterson përballet me akuzat për përdhunimin e tri grave

Aktori Danny Masterson, i njohur më së miri për rolin e tij në serinë televizive “That ‘70s Show”, është akuzuar për përdhunimin e tri grave në fillim të viteve 2000. Ai është akuzuar për përdhunimin e grave, që të gjitha në moshën 20-vjeçare.

Përdhunimi i tyre dyshohet se ka ndodhur mes viteve 2001 dhe 2003. 44-vjeçari Masterson ka mohuar akuzat dhe ka bërë të ditur se Kisha e Sajentologjisë është duke i prirë mbrojtjes në procedurat gjyqësore.

Në rast se shpallet fajtor, aktori mund të përballet me dënimin deri në 45 vjet burgim. Prokurorët nuk kanë ngritur akuzë për dy rastet e tjera, për shkak të provave të pamjaftueshme. Tom Meserau, avokat i aktorit, ka thënë se klienti i tij është i pafajshëm, transmeton KultPlus.

Në vitin 2017, Netflixi i kishte kërkuar sqarime aktorit pas publikimit të komedisë “The Ranch”. “Kurrë nuk jam akuzuar për ndonjë krim. Në këtë shtet je i pafajshëm derisa nuk ka prova se je fajtor”, kishte thënë aktori. “Sidoqoftë, në kohën që po jetojmë, duket se sapo akuzohesh, je edhe fajtor”, kishte shtuar aktori.

Masterson është i martuar me aktoren dhe modelen Bijou Phillips që prej vitit 2011. Gjatë vitit 2019, katër gra të tjera i akuzuan Mastersonin dhe Kishën e Sajentologjisë se pas ngritjes së padisë ato janë ndjekur vazhdimisht.

Seria “That ‘70s Show”, në të cilën luajtën edhe yjet si Ashton Kutcher dhe Mila Kunis, nisi transmetimin në vitin 1998. Ishte pjesë e ekraneve televizive deri në vitin 2006. / KultPlus.com

Sot Dita Dita Ndërkombëtare e Joga-s, përfitimet nga ajo

Data 21 qershor është shpallur si Dita Ndërkombëtare e Joga-s nga Kombet e Bashkuara, më 11 dhjetor 2014 me anë të Rezolutës 69/131, duke njohur vlerat e saj universale.

Joga është një praktikë e lashtë fizike, mendore dhe shpirtërore që e ka origjinën nga India. Fjala “Joga” rrjedh nga një gjuhë e lashtë si sanskrishtja, dhe kuptimi i saj është të lidhësh/bashkosh, që simbolizon bashkimin e trupit dhe ndërgjegjes.

Sot kemi forma të ndryshme të praktikimit të Joga-s në gjithë botën, dhe popullariteti i kësaj praktike është në rritje.

Dita Ndërkombëtare e Joga-s ka për qëllim të rrisë ndërgjegjësimin e popullsisë së globit në lidhje me përfitimet e praktikimit të Joga-s.

Qëllimi i Joga-s është të krijojë forcë, vetëdije dhe harmoni, si në mendje ashtu dhe në trup. Ndërkohë që ka më shumë se 100 lloje ose “shkolla” të ndryshme të Joga-s, shumica e sesioneve tipike përfshijnë ushtrimet për frymëmarrjen, meditimin, ushtrime të caktuara fizike (pozicione të trupit që ndryshe quhen asana, në sanskrisht) të cilat tërheqin dhe tkurrin grupe të caktuara të muskujve të trupit.

Përfitimet fizike

Teknikat e relaksimit, të cilat janë pjesë e praktikimit të Joga-s, mund të lehtësojnë dhimbjet kronike, si dhimbja e shpinës, artriti, dhimbjet e kokës, si dhe sindromën “Tuneli Carpal”. Gjithashtu, Joga mund të ulë presionin e lartë të gjakut dhe të përmirësojë problemet e gjumit.

Përfitimet e tjera fizike përfshijnë:

Elasticitet më të mirë

Tonifikim të muskujve dhe rritje të masës muskulore

Përmirësim të frymëmarrjes, energjive dhe vitalitetit

Ruajtje të balancës metabolike

Rënie në peshë

Përmirësim të qarkullimit të gjakut dhe shëndetit kardiovaskular

Përmirësim të performancës fizike/atletike

Mbrojtje nga dëmtimet fizike

Përfitimet mendore

Përveç përfitimeve fizike, një nga përfitimet më të mira të Joga-s është se ndihmon personin që të menaxhojë stresin, i cili ka pasoja të dëmshme për trupin dhe mendjen. Stresi mund të shfaqet në shumë mënyra, duke përfshirë dhimbje të shpinës ose të qafës, probleme të gjumit, dhimbje koke, abuzime me drogën dhe një paaftësi për t’u përqendruar. Joga mund të jetë shumë efektive në zhvillimin e aftësive përballuese dhe në arritjen e realizimit të një këndvështrimi më pozitiv të jetës.

Përfshirja në Joga e meditimit dhe ushtrimeve të frymëmarrjeve mund të ndihmojë në përmirësimin e mirëqenies mendore të individit. Praktikimi në mënyrë të rregullt i Joga-s krijon qartësi mendore dhe qetësi; rrit vetëdijen ndaj trupit; lehtëson dhimbjet kronike; qetëson mendjen; rrit përqendrimin; ndihmon në identifikimin e hershëm të problemeve fizike dhe mundëson parandalimin nëpërmjet veprimeve paraprake.

8 arsye përse duhet të praktikoni Joga-n :

Redukton stresin dhe përmirëson humorin

Disa metoda të Joga-s përdorin teknika medituese specifike, të cilat fokusojnë mendjen në frymëmarrjen tuaj për të qetësuar “bisedën mendore” që është konstante, lehtëson stresin dhe ju relakson. Praktikimi i këtyre teknikave të frymëmarrjes në seanca të zgjatura mund të rrisin nivelin e oksigjenit në tru, duke ju dhënë ndiesinë e të qenit të lumtur dhe më të kënaqur me jetën tuaj.

Përmirëson vetëbesimin

Përveç rritjes dhe konsolidimit të vlerave shpirtërore, meditimi përmirëson vetëbesimin. Ky proces çtensionon mendjen tuaj duke ju dhënë më shumë vetëbesim për trupin tuaj. Në mungesë të ankthit, ju mund të vendosni një marrëdhënie të brendshme me veten. Kjo, më pas reflektohet në perceptimin që keni për të tjerët, dhe përmirëson marrëdhëniet me ta duke rritur dhembshurinë dhe vetëdijen.

Minimizon mundësitë për dëmtime

Ushtrime si vrapi janë një seri lëvizjesh të forcuara dhe të shpejta, që do të thotë se organizmi sforcohet në maksimum, dhe ekziston një rrezik i lartë për dëmtim dhe tension të lartë muskulor. Shpesh, aktivitetet e sforcuara shpien në disbalanca të grupeve të muskujve të kundërta me njëra tjetrën, ndërsa Joga përqendrohet në balancimin e tyre.

Ndihmon rënien në peshë

Të qenit mbipeshë është një shenjë që tregon se ka mungesë balance në përditshmërinë tuaj, dhe një nga ndikuesit kryesor të saj është stresi i tepërt. Praktikimi i Joga-s ju mundëson që të fitoni një ndjeshmëri më të thellë, të relaksoni trupin dhe mendjen tuaj, ndihmon në largimin e stresit dhe mundëson rënien në peshë në mënyrë natyrale.

Rrit elasticitetin

Shpesh njerëzit thonë se nuk janë mjaftueshëm elastikë për të bërë Joga. Në fakt, nuk është e rëndësishme se sa të tonifikuar janë muskujt tuaj, pasi kryerja e pozave (asana) të Joga-s mundëson tërheqjen e muskujve në mënyrë të sigurt dhe ndihmon praktikimin e tyre në vazhdimësi. Gjithashtu, Joga bën të mundur tërheqjen e muskujve të imët të trupit, si ligamentet, duke rritur gamën e gjerë të lëvizjeve të ligamenteve dhe lëvizje më të lirshme të muskujve të trupit.

Përmirëson tonifikimin dhe fuqizimin e muskujve

Një pjesë e mirë të pozave të Joga-s asana, siç mund të jenë pozicionet “ Downward dog” dhe “upperward dog”, kanë efekt në forcimin e pjesës së sipërme të trupit, ndërsa pozicioni “plank” përqendron muskujt kryesorë të trupit. Pozat e qëndrimit në këmbë forcojnë muskujt e sipërm të këmbëve dhe të fundshpinës. Në përgjithësi, çdo pozë forcon një zonë të trupit nëse praktikimi i saj bëhet ashtu siç duhet, pa sforcuar grupe muskujsh specifikë.

Përmirëson frymëmarrjen dhe presionin e gjakut

Nëse praktikoni Joga në mënyrë të vazhdueshme, kapacitetet e mushkërive tuaj do të rriten si rezultat i procesit të frymëmarrjes së thellë. Kjo do të ketë një efekt pozitiv në praktikimin e sporteve të tjera, duke rritur staminën dhe rezistencën e trupit tuaj. Gjithashtu, meditimi dhe praktikimi i një forme më të qetë të Joga-s ngadalëson rrahjet e zemrës, e cila ul presionin e gjakut duke përmirësuar sistemin imunitar dhe uljen e kolesterolit në gjak.

Përmirëson qëndrimin drejt të trupit

Duke praktikuar Joga, ju mbani një peshë trupore optimale, bëheni më elastikë dhe përmirësoni muskujt duke i tonifikuar dhe fuqizuar. Me kalimin e kohës, do të vini re që pozicioni i trupit tuaj drejt do të përmirësohet. Muskujt e barkut dhe të shpinës mund ta mbajnë plotësisht peshën tuaj trupore, dhe ju do të jeni në gjendje të qëndroni drejt, ulur ose në këmbë, duke parandaluar kërrusjen, dhimbjet në shpinë ose pjesë të tjera të trupit. / KultPlus.com

Grua fenomenale

Poezi nga Maya Angelou
Përktheu: Majlinda Bashllari

Gratë e bukura sfiliten të gjejnë sekretin e sharmit tim.
Ngase s’jam e bukur ndoshta, e as ndonje trup modeleje nuk kam
dhe kur këto ua them atyre
mendojnë se tallem.
Them se –
është në gjatësinë e krahëve,
në përdredhjen e vitheve të mia,
në ritmin e hapave,
në formën e bukur të buzëve…
Jam jashtëzakonisht femër!
Një femër fenomenale
Jam unë.

Kur hyj në një dhomë,
aq qetë sa s’e merrni me mend
dhe një burri i afrohem, –
të gjithë shtangin a bien në gjunjë
dhe sulen drejt meje –
Një koshere e gëzueshme bletësh.
Them se –
është prej zjarrit që më digjet në sy
dhe vezullimit të bardhë të dhëmbëve,
lëkundja e belit ndoshta
dhe hareja e këmbëve.
Oh, jam jashtëzakonisht femër
Një femër fenomenale
Kjo jam unë.

Vetë burrat, sa herë janë habitur
Ç’gjë i tërheq drejt meje…
Përpiqen kaq shumë,
por s’munden t’i afrohen dot
të fshehtës sime.
Edhe kur vetë ua rrefej
prapë s’dinë ta prekin…
Them vjen
prej harkut të thellë të shpinës,
nga dielli i buzëqeshjes sime,
përhedhja e gjoksit, a ndoshta,
nga hijeshia e stilit
Oh, jam kaq e jashtëzakonshme
Një femër e mrekullueshme
Jam unë

Tani e kuptoni,
se përse nuk kam nevojë të tund kokën,
të klith a të lëviz më kot,
a të flas me zë të lartë.
Nëse shihni që përmes kaloj
me krenari të thellë… Shijomëni!
Ju thashë, pra –
është në kërcitjen e takave të mia,
valëzimin e flokut,
në cipën e shndritshme të dores,
në etjen për njeriun –
Sepse jam e jashtëzakonshme,
Grua fenomenale –
Kjo jam unë.

Intervista e fundit e Moikom Zeqos: Plotësova veprat, s’kam më kohë

“Rafti me poçe dhe pjata në kuzhinën e nënës, si një Olimp me Zotat në gjumë të thellë të përjetshëm. Ç’orbita ëndërron koka ime e prerë nga trupi? Shpesh jashtë kohës jam, si endacaku që nuk pati kurrë shtëpi, si udhëtari i vetëm në stacion, ku nuk vinë kurrë trenat e vjetër. Jashtë kohës? Mos i përkas një tjetër universi, një tjetër lloji të species?”. Poeti i metaforave të mëdha, poliedriku Moikom Zeqo, një ditë para shtrimit në spital (8 qershor 2020) endej mes entuziazmit të botimit të tij të fundit dhe lodhjes fizike që e kish kapluar vrullshëm…

“Ky botim qe pjesë e periudhës së pandemisë në një kuptim, sepse kisha shumë kohë të lirë. Është pjesë e koleksionit tim, të cikleve, që kam bërë unë me poezi. Edhe besoj se është plotësimi i veprës sime, duke mos e ditur që nuk kam më kohë të tjera. Është një finalizim i veprës sime poetike. E shikoj, që edhe koha fizike që më ka mbetur nuk është më aq e gjerë, edhe aq në dispozicion. Kështu që jam shumë i lumtur, që e botova edhe këtë libër”, do të shprehej Moikom Zeqo, një javë para se të shuhej nga jeta për “ReporTV”.

Në duar mbante me përkëdheli vëllimin “Fata Morgana”, në kopertinën e së cilës pat shënjuar gjurmët e duarve të mbesës së dashur (e cila mban emrin e nënës së tij) Pandora-s, ndoshta ndaj, edhe për këtë sytë shndrinin, me një përlotje përmallimi…

“Happy birthday gjyshi, arriti që ta thoshte. Mirëpo, në dorën e vet kishte marrë akuarel, edhe me këtë bëra kopertinën e librit. Është një gëzim i paparë”, rrëfente poeti.

Në këtë rrëfim të tij të fundit mediatik,njeriu i dijeve të gjithanshme, i letërsisë, arkeologjisë, pikturës, historisë, studimeve, mendimtari i pazakontë, kritiku, tregon copëza nga krijimtaria e tij, jeta personale, por edhe shqetësimet mbi trashëgiminë e ngjarjet politike.

“Unë kam pas fatin e madh që kam lindur në qytetin e Durrësit. Kam lindur në një shtëpi që është 50 metra larg shtëpisë së Aleksandër Moisiut edhe Kullës Bizantine. E habitshme është që një nga vegimet e mëdha të mia, qe legjenda e Holandezit Fluturues. Kjo është një legjendë e popujve veriorë të Evropës, që ka si subjekt një kapiten apo detar të mallkuar, që anija e tij fluturon edhe nuk mund të ndalet. Ai mund të ndalet dhe të fluturojë në fund, nëse gjen dashurinë e një gruaje të vërtetë. Natyrisht që historia nuk është kaq pozitiviste. Por, ideja e një fluturimi pafundësisht në qiej, unë kam shkruar për holandezin fluturues, pa e ditur se një ditë në këtë vend do të jetonin edhe vajzat e mia. Qenë imazhe, imazhet janë ato që e bëjnë poezinë. Poezia është një dëshmi e brendshme e poetit, më shumë sesa mund të jenë librat e tjerë”.

Në orët e para të mëngjesit, në 15 qershor të 2020-s, jeta e tij fizike u ndërpre në moshën 71-vjeçare, pas betejës 5-vjeçare me leuceminë akute, por Moikom Zeqo, jeton në një vepër sa madhështore, aq edhe të mistershme, që pret të zbulohet nga “kërkuesit e thesareve letrare”.

“Kam përkthyer në këtë libër dhe një pjesë të madhe të krijimtarisë së Pindarit, për arsye se në poezinë time ka shumë pindarizëm. Kalohet nga një varg në një tjetër, edhe të duket se nuk kanë lidhje vargjet me njëri-tjetrin, por kanë një lidhje të brendshme. Të gjitha këto janë një dëshmi për të treguar se unë kam konstruktuar stilin tim. Poezitë nuk kanë historicitet, ky diskutim është bërë gjithmonë. Poezia e Homerit nuk ka historicitet, pavarësisht se flet për ngjarje historike. Është e përjetshme. Unë mendoj se poezia i kapërcen kohërat. Ka disa koncepte të kohës. Është për shembull koha astronomike,që mund ta masim përmes orëve atomike, por është edhe një koncept i kohë poetike, që s’ka përmasa, s’mund të thuhet se ku është e kaluara, e ardhmja apo se çfarë mund të ndodh me kohën poetike”.

Ndonëse si libër të jetës, ai konsideronte “Kështu foli Mona Liza”, të cilin së fundmi po e zgjeronte dhe e ripërpunonte, ndër më të rëndësishmit, konsideronte edhe përmbledhjen me poezi “Fata Morgana” ndërtuar mbi metaforën e “një mirazhi të jashtëzakonshëm”, që shfaqet në horizontin e detit. Ky libër përmbledh 2 etapa të rëndësishme të krijimtarisë së shkrimtarit, poezitë e vitit 1973, ku siç thoshte është VETVETJA dhe ato të vitit 1993, kur pas 20 viteve të “harrimit të poezisë” ai kish fituar një pjekuri krijuese të pakrahasueshme, me të tjerë.

“Historia është pak më e ndërlikuar. Unë isha redaktor në gazetën “Drita” deri në vitin 1973. Pastaj nga Plenumi IV më larguan, pasi më kritikuan për hermetizëm. Nuk më kthyen në Durrës, por më çuan në Rrogozhinë. Kjo është e vërteta! Por, në vitin 1973 unë botova një numër të madh poezish, në gazetën “Drita”, “Zëri i Rinisë” edhe revistën “Nëntori”. Ndërkohë, kisha shkruar librin tim më të ri, “Peshku me krahëza fluture”, që e çova në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”. Natyrisht, që ky libër nuk u botua. Një pjesë e këtyre poezive të pabotuara i gjeta në dorëshkrime, edhe i kam botuar në këtë libër. Në atë kohë unë isha 24 vjeç, edhe mendoj se kisha shpikur stilin tim.

Unë pata një zhgënjim pas ‘73, por më ndodhi një gjë e çuditshme, poeti i Kosovës Rrahman Dedaj mori një pjesë të cikleve të mia të botuar në gazetat e kohës, ’71,’72 dhe ’73 edhe botoi në Prishtinë librin “Brenda vetes”. Unë nuk e dija që ishte botuar ky libër, vetëm në ‘99 e kam mësuar nga Biblioteka e Kosovës se ekzistonte”.

Kush ua bëri karakteristikën kur iu larguan për në Rrogozhinë?

“Karakteristikën që më bënë kur më larguan, sepse unë isha redaktor i gazetës “Dita”, e kanë shkruar emra shumë të rëndësishëm të asaj kohe. Shkrimtarë të rëndësishëm, që nuk dua t’i përmend…”.

Megjithatë…

“Dritëro Agolli e shkroi karakteristikën time, ai e shkruajti. Kjo mua më dëmtoi, sepse konsiderohesha si njeri me ndikime të huaja. Pastaj shkova në Rrogozhinë, por interesante është që poezitë e viteve 1973 janë një vijë kufitare për mua, unë nuk shkrova më poezi për shumë vjet. U mora me arkeologjinë, botova një numër të madh librash për fëmijë me motive nga ilirët, historitë e arbërorëve edhe Skënderbeut, më i famshmi ka qenë “Kalorësi Dardan”, pasi kishte shumë ribotime edhe u botua dhe në gjuhë të huaja. Unë e braktisa poezinë për shumë vjet. Nuk u mora më me poezi”.

Si ka ndikuar kritika e kohës në krijimtarinë tuaj të mëvonshme?

“Nuk e besoj, unë kam qenë shumë i pavarur në mendimet e mira. Nuk e kam përfillë atë kritikë asnjëherë. Poezitë e viteve ‘73, s’kanë asgjë të gabuar. Ishte një poezi që ishte jeta ime personale në atë kohë. Por unë mendoj se çdo e keqe ka një të mirë. Nuk është gjithmonë e keqja, vetëm e keqe. Ndoshta ishte e domosdoshme një periudhë akumulimi. Nëse s’do isha marrë me arkeologjinë edhe me kulturën universale të antikitetit edhe të mesjetës, nuk do të isha ky që jam sot. Kjo duket edhe në strukturën se si i strukturoj metaforat. Ky cikël flet për gjeografinë time shpirtërore, urën e Dalanit, Porto Romanon etj., ishin shumë e elementë që lidheshin me toponimet e mia intime për qytetin.

Ndërsa, në vitin 1993 unë kisha botuar edhe poezi të tjera, por përgjithësisht kam një mungesë prej 20 vitesh, që s’kam shkruar poezi, përveçse nisa të shkruaj për arkeologjinë edhe historinë arbërore. E çuditshme është që unë pata guximin, që pas 20 vitesh të rishkruaj edhe bëra shumë libra. E veçanta e këtij libri është që midis poezive të vitit 1973 edhe 1993 ka një lidhje të brendshme, sinkretike. kjo është edhe aftësia që ka poezia. Madje një poet thotë që kurrë mos shikoni, se si i nënshkruan poeti datat. Ai thotë që i ka shkruar në shekullin e XX, edhe ka mundësi që i ka shkruar në shekullin XII”.

Moikom Zeqo, gjatë viteve të fundit, krahas veprave të reja,u mor me përmbledhjen e botimin e dorëshkrimeve të tij të mëhershme. Mirëpo, ai nuk mund të qëndronte indiferent as ndaj aktualitetit. E brente mungesa e personaliteteve në politikë, dhe ngjarjet e fundit, ku sipas tij, marrëveshjet mes partive, mund të mos përjashtonin riskun për të mbartur ndryshimet kushtetuese të 2008-ës, që ai i pat kritikuar sa e sa herë…

“Për mua është një katastrofë, pavarësisht anës propagandistike që bëjnë ndërkombëtarët, kjo është një marrëveshje, që ruan përmasat e ndryshimit të kobshëm, që ndodhi në vitin 2008, pasojat tragjike po i ndiejmë edhe sot. Ne nuk kemi një klasë politike që kërkon zhvillim, ne kemi një establishment të vjetër, s’kemi përmasa që të dalin parti të reja, politikanë të rinj. Establishment i vjetër është shumë i fuqishëm. Kundër tyre doli Albin Kurti, që e rrëzuan. Ndërsa, ne në hapësirat shqiptare nuk kemi një politikan që kërkon ndryshime progresive. Unë e shikoj me skepticizëm këtë ngjarje, natyrisht që do të ketë një lloj normaliteti. Për shembull PD do marrë një pjesë të pushtetit vendor. Por kjo marrëveshje nuk zgjidh asgjë. Absolutisht asgjë. S’jam në gjendje që ta kuptojë, se si një klasë politike të jetë kaq e përcaktuar nga ndërkombëtarët. S’mundem dot! Habitem, kur dëgjoj që shyqyr që është Ambasada Amerikane, nëse s’do ishte ajo, ne s’do ishim, ndërkohë që ne jemi komb i vjetër. Ne kemi qenë edhe kur s’kemi pasur marrëdhënie më SHBA-n. Amerika është një aleat i madh, por nuk përcakton pjesën e brendshme të kontinuitetit shqiptar. Ky servilizëm ndaj të huajve, s’është dinjitet. Edhe BE është një komunitet kontradiktor në shumë gjëra. Por thelbi është që vota e lirë, edhe përgjithësisht mendimi i pavarur në Shqipëri nuk ekziston. Ne kemi vetëm establishmentin e vjetër që do të vazhdojë për një kohë të gjatë. S’janë problemi vetëm deputetët, por edhe kryetarët e partive që janë mbi 20 vjet. Një nga mrekullitë e Kushtetues Amerikane është kufizimi i mandateve, ndërsa këtu Rama, Berisha, të gjithë kanë mbi 20 vjet”.

Shqetësimi tjetër i Moikom Zeqos, që fati i pasurive arkeologjike në vend, menaxhimi i tyre dhe specialistët e përjashtuar.

“Projektet e mëdha të Ministrisë së Kulturës kalojnë nëpër sitet më të prekura në Durrës, kemi nisur punën për një projekti shumë më të madh, që nuk është vetëm në pjesët e dëmtuara në Amfiteatër, në mure e në Kala, por mbi të gjitha do të jetë një punë që do të çojë në Plani Menaxhimi të mirëfilltë, të një zone më të madhe, të Parkut Arkeologjik. Kjo formulë do i kthejë Durrësit atë hijeshi që ka pasur. Një formulë për qytetarët edhe për studentët që duhet të mësojnë mbi kombin e tyre. Unë kam jetuar gjithë jetën në Durrës. Zonën A dhe B të Durrësit, atë që quhet zonifikimi arkeologjik me ligj e njoh mirë. Asnjë qytet arkeologjik në Shqipëri s’ka pasur ligj. Ky organizëm, se di çfarë fuqie menaxhuese ka, por s’ka të bëjë fare me arkeologjitë dhe fuqitë shkencore. Pasi po merr një situatë të vdekur, sepse zona A dhe zona B janë zonat ku është ndërhyrë dhe shkatërruar qyteti i Durrësit. Çfarë do bëjë ky fondacion? Zhvillimi ekonomik i zonës, s’ka të bëjë më arkeologjinë. Ne qytetin e Durrësit e kemi invalid. Shumë elementë arkeologjik të qytetit i kemi shkatërruar në 20-30 vjet. Siç kam kundërshtuar rastin e Butrintit, as në këtë rast s’jam optimist. Lëre që s’janë përfshirë specialistët shqiptarë, cili arkeolog nga Durrësi është në këtë organizëm? S’jam në gjendje ta kuptoj”.

Këtë pranverë tufa e shpendëve qiejve vërtitet si një alfabet i ri, si t’i shkruaj me të sërisht dorëshkrimet e hershme të rinisë së dëlirtë. Vdekja vjen. Ka veshur pardesynë time edhe shëtit para banesës duke tymos duhan. E shqetësuar, por nuk di ç’të bëj. Nguron, nguron të hyjë brenda për të më marrë. /Shqiptarja.com /KultPlus.com

Greta Thunberg krahason reagimin ndaj Covid-19 me përgjigjen ndaj ndryshimeve klimaterike

Aktivistja suedeze Greta Thunberg ka thënë që pandemia tregon se bota mund të veprojë me “forcën e nevojshme” kur dëshiron, ndërsa krahason reagimin ndaj Covid-19 me përpjekjet për të luftuar ndryshimet klimaterike.

Duke folur në Sveriges një stacion Radio në Suedi, Thunberg tha se nga këndvështrimi i klimës nuk kishte asgjë pozitive në lidhje me pandeminë pasi ndryshimet e bëra në jetën e përditshme kishin “jashtëzakonisht pak ngjashmëri” me veprimet e kërkuara për t’u marrë me ndryshimin e klimës. “Tragjedia e koronës natyrisht nuk ka asnjë efekt pozitiv afatgjatë në klimë përveç një gjëje, fituam njohuritë se si duhet të perceptosh dhe trajtosh një emergjencë. Sepse gjatë krizës së koronës ne befas vepruam me forcën e nevojshme, “tha Thunberg. “Takimet urgjente të ndërkombëtarve zhvillohen çdo ditë, skemat e ndihmave astronomike financiare paraqiten në mënyrë magjike nga askund.

“Ngjarjet e anuluara dhe kufizimet e ashpra i bëjnë njerëzit të ndryshojnë sjelljen e tyre dhe qasjen brenda natës,” shtoi ajo. “Media është tërësisht në tranzicion, i vë në lëvizje gjërat duke raportuar ekskluzivisht raporte mbi Covid-19 dhe duke mbajtur konferenca shtypi të përditshëm dhe azhornime live 24/7. “Të gjitha pjesët e shoqërisë bëhen së bashku dhe politikanët i lënë mënjanë pikëpamjet e tyre të ndryshme dhe bashkëpunojnë për të mirën më të madhe.”

Thunberg tha se njerëzit me pozita të pushtetit politikë, biznes dhe financë kishin thënë se “ata do të bëjnë gjithçka që duhet”, gjatë pandemisë pasi “nuk mund të vendosësh një çmim për një jetë njerëzore.” “Këto fjalë dhe ky trajtim i një krize hap një dimension krejt të ri, sepse ju shihni çdo vit të paktën 7 milion njerëz që vdesin nga sëmundjet që lidhen me ndotjen e ajrit sipas OBSH,” tha ajo.  “Ata me sa duket janë njerëz, jetës të së cilëve ne mund t’i vendsim një çmim. Meqenëse ata vdiqën nga shkaqet e gabuara dhe në pjesët e gabuara të botës. ”

Thunberg frymëzoi protestat në të gjithë botën për klimën vitin e kaluar pasi organizoi marshime javore jashtë Parlamentit Suedez çdo të premte nga Gushti 2018. CNN/bota.al /KultPlus.com

Gëte, simboli i universalitetit të kulturës evropiane

Nga: Dorian Koçi

Përvjetori i lindjes së Gëtes, këtij vigani të mendimit europian, është gjithmonë një përvjetor që të shtyn të kërkosh lidhjet e krijimtarisë së tij me kulturën e vendit apo të rajonit. Kjo gjë, në fakt, është kurthi që bien të gjithë studiuesit, pasi kur përpiqen të nxjerrin në pah të veçantat, ata gjejnë universalitetin e dijeve të tij. Gëte ishte shumë i apasionuar nga kultura e lashtë dhe e re e Ballkanit, por ai simbolizonte dhe shpirtin racional gjerman. “Im Anfang war die Tat” (Në fillim ishte vepra), një përkthim i lirë i versës së parë të ungjillit sipas Gjonit, (1:1),  “në fillim ishte fjala” që Gëte e vendos në gojën e Faustit, kur e vë këtë të fundit në dramën “Faust” të përkthejë Ungjillin sipas Gjonit (Vargu. 1237). Kjo frazë u kthye në moton e filozofisë së tij, që në fakt shkundi Gjermaninë e shekullit të XVIII dhe gjithë Europën.

Gëte i njohu tërthorazi shqiptarët nëpërmjet krijimtarisë së Lord Bajronit, të cilin e admironte dhe kishte letërkëmbim të rregullt. Gëte e kondideronte Bajronin si një nga poetët që do i mbijetonte gjithmonë kohrave. Adhuronte talentin poetik të Bajronit, për të cilin shkruante se “kur krijonte arrinte gjithçka dhe mund të thuhet me bindje se frymëzimi atij i zëvendësonte të menduarit thellë. E ndjente vazhdimisht nevojën për të krijuar dhe gjithçka që krijonte, gjithçka që buronte prej zemrës së tij ishte e mrekullueshme. I krijonte veprat si gratë që krijojnë fëmijët e bukur: pa menduar dhe pa ditur qysh. Ai është talent i madh i lindur, dhe nuk di njeri tjetër me fuqi poetike më të madhe. Për perceptimin e së jashtmes dhe për aftësinë e depërtimit në të kaluarën ai është po aq i madh sa edhe Shekspiri”. (Gëte, Vepra të zgjedhura, Volumi 4).

Gëte i kish përpirë të gjitha veprat e Bajronit dhe, në bisedë me sekretarin e vet Ekerman, ai pranonte se përshkrimet poetike të tij ishin shumë afër realitetit:

“Edhe tek Bajroni – thashë unë – gjej shpesh pjesë krejtësisht të drejtpërdrejta, të cilat na japin vetëm pasqyrimin e sendit dhe na zgjojnë ndjenjat e brendshme, sikundër bën pikërisht dhe vizatimi i një piktori të mirë; veçanërisht i pasur me pjesë të tilla është “Don Zhuani”.”

“Po, – pranoi Gëtja – atje Bajroni është me të vërtetë i madh; herë–herë jeta reale jepet prej tij me një lehtësi që të duket si improvizim. Te “Don Zhuani” këto pjesë nuk më kujtohen, por te poemat e tjera ato kanë mbetur në mend, veçanërisht skenat detare, ku kohë më kohë një valë vezullon tej; aq mirë është bërë kjo, sa të duket se po nuhat edhe ti ajrin e detit. (Gëte, Vepra të zgjedhura, Volumi 4).

Një nga poemat e tjera ku ka skena të mrekullueshme të përshkrimit të detit është dhe “Udhëtimet e Çajld Haroldit”, poemë e cila e bëri të famshëm Bajronin në 1812-n. Sigurisht, përveç pjesëve të përshkrimeve detare, Gëte kish lexuar edhe 160 vargjet e Këngës II, ku përmes një ligjërimi orientalist flitet për shqiptarët.

Adhurimi i tij për Byronin ishte një adhurim intelektual dhe pa komplekse, kur ndër të tjera do të shprehej:  “M’u desh një përfaqësues i kohëve të reja poetike dhe kush mund të ishte tjetër veç atij që, pa dyshim, duhet parë si talenti më i madh i shekullit? Për më tepër Bajroni nuk është as ithtar i antikitetit, as i romantizmit, ai është mishërimi i kohës sonë. Një i tillë m’u desh dhe për synimin tim artistik më shkonte si jo më mirë natyra e tij, gjithmonë e pakënaqur dhe karkateri i tij luftarak, që edhe e çoi të vdesë në Mesolongji. Të shkruash një monografi për Bajronin nuk është aspak një punë e volitshme dhe e këshillueshme; por ta nderosh në ndonjë rast dhe të tregosh meritat e tij të shumta, kjo është një gjë që unë do të vazhdoj ta bëj gjithmonë.” (Gëte, Vepra të zgjedhura, Volumi 4).

Kjo lloj modestie dhe inkurajimi për shkrimtarët e tjerë, është shumë e rrallë për kohën, sepse Gëte, ashtu si shkruajti për Bajronin, me të njëjtin adhurim shkroi edhe për Volterin dhe Shilerin.

Gëte shquhej për një lloj modestie në trajtimin e hierarkive kulturore në Europë, duke dëshmuar që ai, mbi të gjitha, ishte një intelektual kozmopolit dhe qytetar i “polisit” të mendimit. Ja si shprehej për kulturën gjermanike të kohës së vet dhe vendin e saj në lidhje me kulturën antike.

“Ne (d.m.th., gjermanët) me të vërtetë kemi arritur në thuajse këto njëqind vjetët e fundit të lëvrojmë siç duhet kulturën tonë. E megjithatë, duhen edhe nja dy-tre shekuj që kultura jonë kaq shumë e lëvruar të arrijë të bëhet kulturë e të gjithëve. Deri përpara këtij çasti, të gjithë do jenë thjesht barbarë”.

Gëte ishte mendjehapur edhe ndaj kulturës lindore dhe formave të ndryshme poetike të lëvrimit të kësaj kulture. Ai njihte mirë Rumiun, Sadiun dhe Hafizin. Nën ndikimin e poezisë orientale shkroi një divan perëndimoro-oriental (1819-1827).  Gëte e admironte shumë Hafizin, i cili ishte edhe një simbol i shpeshtë humanizmi në poezinë e tij. Në vargjet e “Ribashkimi”, Gëte shkruan për Hafizin:

“Hafiz, me ty të jem kam mall,
Në garë! Gaz e dhimbje mal
Të shkulën, ne u bëjmë ballë!
Të dua e të pi ngaherë
Si ti, se ç’krenari e rrallë.”

(Halil Ibrahimi, Gëte, Islami dhe poezia)

Në këtë mënyrë ai ishte bashkëkohës në mendim me  Bajronin që shkroi “Oriental Tales” në 1816-n dhe Pushkinin që shkroi për “Baçevasarajin” në Krime, në vitet 1821-1823. Orientalizmi, si rrymë e mendimit  në Evropë, fillon ndoshta që në kohën e kryqëzatave dhe romancave mesjetare. Në periudha të ndryshme ka patur interesa dhe qëndrime të ndryshme ndaj Orientit dhe Orientalizmit, por ai u bë i njohur gjatë Romanticizmit, sepse Orienti ishte një formë sublime e tij. Romantizmi gjerman ka konfliktin e jetës së brendshme të individit, dramën e njeriut kundrejt mjedisit. Gëtja i madh, duke mbështetur filozofinë e Herderit, për kulturat popullore si një vllazëri universale, shpiku termin “Letërsia botërore”, ku përkatësia etnike e poetëve nuk kishte rëndësi absolute. Gëtja, që admiroi Bajronin, megjithatë qe ai që tha se “klasike unë quaj të shëndoshën, romantike të sëmurën”. Në të vërtetë, Fausti i Gëtes është ravizuar si një kryehero romantik. (Moikom Zeqo: “Bajroni dhe shqiptarët”.)

Shkrimtari egjiptian Taha Husein, disa herë kandidad për çmimin Nobel në letërsi, thotë: “Divani nuk është thjesht një ngjarje e rëndësishme në historinë letrare të Gëtes së madh; ajo është një ngjarje me rëndësi në historinë e letërsisë europiane” ( Halil Ibrahimi, Gëte, Islami dhe poezia). Përcaktimi i Husein është nga më të saktit përreth lidhjeve të Gëtes me qytetërimin lindor. Për këtë çështje është debatuar shumë ku admirimit të Gëtes për letërsinë lindore i është veshur dhe dëshira e tij për të njohur në detaje Islamin. Në fakt kjo dëshirë shkonte deri në kufijtë e njohjes dhe subjektet e tij orientaliste ishin më tepër në frymën e relativizmit kulturor, që mbizotëronte si diskurs në krahasimet lindje-perëndim në Europën e asaj kohe. Prej esesë së njohur të Michel de Montaigne (Mishel dë Montanje) “Kanibalët”, në Europë ishte krijuar një atmosferë që admironte qytetërimet e tjera jashtë kontinentit, duke kritikuar vetë qytetërimin europian, si shkatërrues dhe të mbizotëruar nga lufta. Kështu, p.sh, dhe Volteri ka shkruar për qytetërimin kinez me fjalët më të mira, duke vlerësuar strukturën sociale, arritjet e hershme në teknologji dhe përkushtimin e tyre ndaj filozofëve, Konfucit. Gjithsesi, këto tekste të frymëzuara nga të famshmet “Letrat Jezuite”, nuk ishin gjithmonë për Kinën. Nëse shohim me kujdes aspektet e kulturës që ai lavdëron, mund të shikojmë se ai i zgjodhi ato saktësisht për të evidentuar problemet në këto fusha në vendin e vet, në  Francë. Nuk mund t’i shpëtojë syrit të thjeshtë të lexuesit aluzioni se Kina është e zhvilluar sepse respekton filozofët, një respekt dhe admirim që Volteri dëshironte ta shihte dhe në Francë. Po kështu dhe Montesque ku shkruajti “Letrat Persiane” në vitin 1721, për të krahasuar ligjet dhe sistemin e drejtësisë në Francë, ku kërkoi nëpërmjet satirës në mendimin e dy të huajve dhe vendin ideal të parimeve universale të drejtësisë e gjeti jashtë kontinentit të vet.

Gëte nuk ishte nënvlerësues ndaj traditës. Një nga shkrimtarët që ai adhuronte ishte Shekspiri. Në bashkëbisedimin me sekretarin e tij, Ekerman, do të shprehej:

“Makbethi është, për mendimin tim, pjesa më e mirë e Shekspirit, në kuptimin e plotësimit të kërkesave të skenës. Por nëse doni të njihni shpirtin e tij të lirë merrni e lexoni “Troilin dhe Kresidën”, ku ai ka trajtuar sipas mënyrës së vet subjektin e “Iliadës” (Gëte, Vepra të zgjedhura, Volumi 4).

Në një moment tjetër do të shprehej për veprën e Shekspirit: “ai na shërben mollë të arta me tabaka argjendi. Duke studiuar veprat e tij edhe ne bëhemi me tabaka të argjenda, por e keqja është se mund të vëmë mbi të vetëm patate.” (Gëte, Vepra të zgjedhura, Volumi 4).

Kjo modesti për veprën e vet letrare, në fakt, është e tepruar, sepse ai na ka dhuruar vepra-mollë që mund të rrinë shumë mirë në tabakatë e argjendta të Shekspirit.

Ky është 270-vjetori i lindjes së Gëtes, një përvjetor që do të shënohet në gjithë botën. Ndikimi i Gëtes në mendimin shqiptar ka qenë i pamatë, pasi me veprën e tij janë marrë një sërë figurash të shquara të kulturës sonë, si: Ndre Mjeda, Gjergj Fishta, Hilë Mosi, Fan Noli, Lasgush Poradeci, Skënder Luarasi, Sejfulla Malëshova, Krist Maloki, Lazër Shantoja, Zef Simoni, Vangjel Koça, Branko Merxhani, Shevki Selenica, Aleks Buda, Hasan Mekuli, Klara Kodra, Shpëtim Çuçka, Pertef Kruja, Fatos Arapi, Petraq Kolevica, Pashko Gjeçi, Arshi Pipa, Petro Zheji, Bujar Doko, Robert Shvarc, Perikli Jorgoni, Aristidh Ristani, Visar Zhiti, Vehbi Bala, Jorgo Bllaci, Anila Omari etj.

Kohët e fundit në Prishtinë është botuar një libër i studiueses dhe pedagoges së gjermanistikës në Universitetin e Prishtinës, Albuelena Blakaj, “Gëte dhe receptimi i tij në kulturën shqiptare”, shkurt 2018. Sipas saj, ky libër e ka zanafillën nga eseja që titull fillestar kishte: “Gëte shqiptar”.

“Ky titull shprehte dëshirën time të përvetësimit të plotë letrar e kulturor, por jo edhe realitetin. Megjithatë, duhet të ndihemi të gëzuar që shkrimtari i madh, universal, shkrimtari i “njeriut të emancipuar”, është edhe i shqiptarëve, ashtu siç është i tërë botës së civilizuar, i kulturave që e kanë kapërcyer gardhin e ngushtë kombëtar dhe janë bërë pasuri e të gjithëve.” (Koha.net. Gëte, edhe i shqiptarëve).

Ky konstatim i shkon më tepër për shtat krijimtarisë dhe personalitetit të Gëtes, pasi asnjë më tepër se ai nuk e plotëson figurën e intelektualit kozmopolit të përbotshëm që mbizotëroi me krijimtarinë e vet, në mendimin europian në fund të shekullit të XVIII dhe në fillim të shekullit të XIX në Europë. Kjo veprimtari e larmishme e personaliteteve të kulturës sonë, për sa i përket figurës së Gëtes, sidomos gjatë periudhës së letërsisë së Rilindjes Kombëtare, Pavarësisë dhe në vitet 50’-60’ të shekullit të shkuar, duhet analizuar për të kuptuar se sa ka shërbyer për të kumtuar tharmin e veprës së Gëtes, por edhe për të përqasur vlerat universale të qytetërimit europian në atë shqiptar. /KultPlus.com

Për shkrimtarin Anton Pavlloviç Çehov

Nga: Nasho Jorgaqi

Emri i A.P. Çehovit i përket asaj plejade të korifenjve që e ngritën artin dhe shkencën ruse në kulme të pa para, që hapën rrugë të reja në artin dhe shkencën e përbotshme. Çehovi është përfaqësuesi i fundit i letërsisë së madhe klasike ruse, ai mbyllë një epokë të ndritur letrare duke i dhënë botës vepra të pavdekshme.

A. Çehovi konsiderohet me të drejtë një nga shkrimtarët më të mëdhenj realist që ka njohur letërsia e shekullit të tij, një artist i rrallë i fjalës, një mjeshtër novator i tregimit dhe i dramës realiste.

Ai ka përshkruar me guxim në veprat e tij gjeniale, realitetin e tmerrshëm të Rusisë cariste dhe e ka demaskuar atë pa mëshirë. Çehovi sipas Gorkit, nëpërmjet fjalës së tij realiste; “Zgjonte ndërgjegjen dhe mendjen e lexuesit, ngjallte te ai dëshirën për ta përmbysur jetën e padrejtë”.

Realisti i madh gjatë tërë jetës, pati besim në forcën e popullit, në njeriun e mrekullueshëm rus, ai shpresonte në të ardhmen e atdheut të tij, dhe mendonte në fillim të shekullit të XX se “jeta dhe njerëzit po bëhen gjithnjë e më të mirë, më të zgjuar dhe më të ndershëm”.

A.Çehovi jetoi dhe krijoi në një kohë të errët dhe të rëndë për fatin e Rusisë. Është koha kur në Rusi sundon obskurantizmi, kur lëvizja revolucionare ruse kalon një periudhë tranzicioni, narodnizmi ka pësuar disfatë, ndërsa marksizmi akoma s’i ka forcuar mirë pozitat e tij. Lenini duke folur për vitet ’80, e pat krahasuar këtë epokë me atmosferën e burgut, por ana tjetër, ai pat vënë re se: Në Rusi nuk ka pasur kurrë ndonjë epokë për të cilën mund të thoshje si tashti se “i erdhi radha mendimit dhe arsyes”.

Pikërisht në këtë epokë mendimi revolucionar rus filloi të punojë më intensivisht, duke krijuar bazat e botëkuptimit social-demokrat. Po, ne revolucionarët nuk mund të mohojmë kurrë rolin revolucionar të periudhave reaksionare.

Çehovi, duke jetuar në një periudhë të tillë tranzicioni, qëndroi larg lëvizjes revolucionare dhe nuk mori pjesë në jetën politike.

Këtë qëndrim të shkrimtarit, studiuesit e tij, e shpjegojnë me faktin se Çehovi kish lindur dhe ish edukuar në një ambient shumë mikroborgjez, pa interesa politike dhe me arsyen se Çehovi nuk shihte më jetën shoqërore të Rusisë s’atëhershme ndonjë parti të tillë politike që t’ishte e zonja të sillte ndryshime. Ai s’kish besim as tek liberalët borgjezë, as edhe te narodnikët.

Në të vërtet botëkuptimi i tij ishte më i përparuar se e tyre. Por, duhet nënvizuar se apoliticizmi, e pengoi shkrimtarin për t’u thelluar në esencën revolucionare të epokës, për t’u lidhur me klasën punëtore ruse. Ai ëndërroi për një jetë më të mirë, të arsyeshme, të bazuar në punën e lirë të njeriut, veç si shumë shkrimtarë të kohës së tij, nuk i zbuloi rrugët dhe mjetet që do ta çonin popullin drejtë lirisë së vërtetë.

Anton Pavlloviç Çehovi lindi në 29 janar të vitit 1860 në Taganrog, një qytet buzë detit Azov, në familjen e një bakalli të vogël. Gjyshrit e tij, si nga babai dhe nga nëna ishin fshatarë bujkrobë. I jati qe njeri shumë i rreptë dhe fetar. Ai e detyronte Antonin e vogël të punonte në dyqan dhe të këndonte në kishë. “Ne ishim tamam si të internuar…Në fëmini, unë nuk kam pasur fëmini”- ka shkruar më vonë Çehovi për këtë kohë.

Mbasi mbaroi shkollën greke të qytetit, Antosha hyri në gjimnaz me sakrifica të mëdha.

Gjimnazi i Taganrogut si gjithë shkollat e atëhershme jepte një kulturë të kufizuar dhe kish mësues si Belikovi, heroi i novelës “Njeriu në Këllëf” që i trembeshin çdo gjëje të re përparimtare. Çehovi i ri, duke qenë i pakënaqur nga shkolla, fillon e jepet pas letërsisë dhe teatrit. Atë që s’ia jepte shkolla, ai e gjente nëpër librat dhe shfaqjet e teatrit të qytetit.

Kur Çehovi ishte 16 vjeç, i jati falimentoi në tregti dhe u detyruar të iki nga Taganrogu dhe të vendoset me familje në Moskë.

Antosha i ri, qëndroi në vendlindje, ai ngeli të mbaronte gjimnazin, por tashti filloi të punonte për të mbajtur vehten dhe familjen. “Varfëria më torturonte si dhimbja e dhëmballës”, me këto fjalë e karakterizon këtë periudhe të vështirë të jetës së tij.

Më 1879 Çehovi mbaron gjimnazin dhe vjen në Moskë, ku hyn në universitet, në fakultetin e Mjeksisë. Gjatë viteve universitare Çehovi fillon veprimtarinë e tij letrare duke botuar shkrimet e tij të para në revistat hummoristike. Shkrimet e kësaj kohe janë trillime të vogla, gazmore, anekdota, fejtone nëpërmjet të cilave Çehovi qesh e tallet me aspekte të ndryshme të jetës së atëhershme ruse.

Në të qeshurën e Çehovit ndodhet dhimbja ndaj njerëzve që kanë humbur dinjitetin njerëzor dhe urrejtjen karshi jetës meskine banale. p.sh. një tregim të vogël të kësaj kohe, përshkruan një episod të thjeshtë, por kuptimplotë, një nëpunës i kolegjit duke qenë i dehur, rrëzohet nga karroca dhe për këtë është i kënaqur sepse i ka dal emri në gazetë. Në periudhën e parë Çehovi për t’iu përgjigjur kërkesave të gazetave shkruan shumë. Vetëm, gjatë vitit 1885 boton 129 shkrime. Në vitet 1880-1890 boton katër libra me tregime, një nga të cilat nderohet me çmimin Pushkin.

Në 1886 mbaron Universitetin dhe del mjek. Profesioni asnjëherë nuk e pengoi Çehovin në punën letrare, përkundrazi e ndihmoi për të njohur njerëzit dhe jetën nga afër. Për këtë Çehovi ka thënë: “Mjekësia është gruaja ime legale, ndërsa letërsia e dashura e ime ilegale.” Në vitin e mbarimit të studimeve të larta, ai pati edhe një gëzim tjetër, Çehovi mori një letër lavdëruese nga shkrimtari i vjetër rus Grigorieviç ku ndërmjet të tjerash i thoshte: Ju kini një talent të mrekullueshëm. Duhet të çmoni dhe ta respektoni talentin që jepet aq rrallë. Pas kësaj letre, Çehovi fillon të sillet me seriozitet ndaj punës letrare, tematika e veprave të tij merr një kuptim me të thellë shoqëror dhe ai si autor mban një qëndrim kritik më të përcaktuar ndaj problemeve sociale dhe ngjarjeve. Tashti ai i braktis gazetat humoristike dhe i boton veprat e tij ne gazeta dhe revista letrare. Të kësaj kohe janë tregimet e njohura për “Nën/oficeri Prishibejev” dhe “Vdekja e nëpunësit”.

-Në vitin 1890 Çehovi bën një udhëtim të gjatë dhe shkon deri në Sakalinë. Këtu ai sheh jetën e mjerë të rusëve që ishin shpërngulur me forcë dhe të internuarve politikë. Përshtypjet e tij nga ky ishull i tmerrshëm, që ai e quan “skëterr”, Çehovi i shkruan në një letër të veçantë që e botoi posa u kthye.

Për disa kohë, Çehovi duke u përpjekur të gjejë një botkuptim të drejtë, përqafoi Tolstoizmin…., idenë e të moskundërshtuarit të së keqes me forcë dhe pastaj idenë tjetër të përhapur në kohën e tij se përparimi mund të arrihet ngadalë duke kryer punë të vogla. Por jeta e bën Çehovin që të shkëputet nga këto ide të gabuara dhe kjo shihet nga novelat “Pavjoni Nr.6”, “Jeta ime”, “Kaçubet e rrushit të tokës”, “Fshatarët” ku autori kërkon ndryshime në jetën ruse nëpërmjet një lufte t’ashpër, të guximshme dhe të shpejt. Në novelën “Pavjoni Nr.6″ dënohet pa mëshirë tolstoizmi: aty përshkruhet jeta e një spitali provincial ku sundon rrëmuja, arroganca. Në figurën e doktorit Ragin, demaskohet inteligjenca ruse, pasiviteti dhe dobësia e saj që s’është në gjendje të bëj asnjë ndryshim.

Njerëzit e përparuar të kohës e merrnin Pavjonin Nr.6 si Rusinë e viteve 90 – ku ishte vështirë edhe jeta edhe puna. Lenini pasi e lexoi tregimin i tha së motrës i tronditur: “Kur e mbarova mbrëmë këtë tregim, e ndjeva vehten jashtëzakonisht të trishtuar, nuk mund të rrija, dot në dhomë, u ngrita dhe dola jashtë. Kisha përshtypjen sikur edhe unë ndodhesha i mbyllur në Pavjonin Nr.6.”

Duke ndjekur traditat e Gogolit, Çehovi në një sërë tregimesh tall dhe godet pa mëshirë manifestimet e ngushtësisë mendore dhe varfërinë shpirtërore, jetën e mbyllur dhe të pas punëve boshe që nuk kanë asnjë vlerë shoqërore. I tillë ishte tregimi i famshëm “Njeriu në Këllëf” ku Çehovi nëpërmjet mësuesit Bjelikov, demaskon figurën tipike e intelektuale të kohës, i cili duke pasur frikë nga çdo gjë e re veçohet nga realiteti dhe mbyllet në vetvete, futet në këllëfin e tij, Bjelikovi është pjellë tipike e gjendjes së rëndë që ishte krijuar në Rusi në vitet fundit të shekullit të XIX kur shtypej çdo mendim lire dhe përparimtar. Bjelikovi përsërit shpesh shprehjen e tij të preferuar: “Vetëm të mos më ngjasë gjë mua”.

Një nga veprat mi të mira të Çehovit është tregimi “Joniç” dhe këtu heroi i veprës është një intelektual. Autori me një forcë të madhe përgjithësuese artistike tregon vdekjen shpirtërore të një intelektuali rus, në një ambient pa jetë, në një atmosferë mbytëse, siç ish Rusia e atëhershme. Çehovi, megjithëse qëndroi i shkëputur nga lëvizja revolucionare e kohës, prapëseprapë, me gjenialtetin e tij, ai i ndjen ndryshimet e afërta që do të ndodhnin në shoqërinë ruse dhe pasqyroi këtë, në një ose në një tjetër në veprat e tij fundit.

Për këtë Gorki më 1901, shkruante; çdo tregim i ri i Çehovit, i forcon gjithmonë më tepër një notë thellësisht të vlefshme dhe të nevojshme për ne, notën e gjallërisë dhe të dashurisë për jetën. Vepra më optimiste dhe më e qarta përsa i përket ideve ishte tregimi i tij i fundit ‘E fejuara” ku autori flet me besim për të ardhmen që e pret Rusinë. “E fejuara” është historia e një vajze aristokrate, e Nadjes, e cila nën influencën ë Sashës, e një të riu me mendime përparimtare, shkëputet nga ambienti i saj dhe nga i fejuari mikroborgjez dhe shkon drejt luftës. Sasha i thotë Nadjes: Gjëja kryesore është të përmbyset jeta dhe të gjitha të tjerat nuk kanë rëndësi. Kjo notë pozitive ndjehet edhe në novelën “Tre vjet” ku Shkencëtari i ri Jorlev thotë: “Në daç besoni, në daç mos besoni, po unë jam i bindur se po rritet një brez i mrekullueshëm. Çehovi është nga mjeshtrit më të mëdhenj të prozës. Ai i ka të rrallë shokët në letërsinë e përbotshme. Novelat më të mira janë kryevepra të kësaj gjinie. Tregimet e tij, të vogla duke iu nënshtruar gjenisë së tij krijuese u ngritën në lartësinë e tregimit epik. Novelat dhe tregimet e Çehovit dallohen për shumë anë origjinale. Autori duke venë në qendër të veprës një problem të kohës, e konkretizon këtë nëpërmjet detajeve psikologjike në personazhe të gjallë dhe realist. Çehovi, si mjeshtër i madh që ishte formuloi ligjet e tregimit.

Ai kërkonte që shkrimtarët të shkruajnë shkurt e thjeshtë. Çehovit i përkasin shprehjet: “Lakonizmi është motra e talentit “. Arti të shkruarit është arti i të shkruarit shkurti”. “Duhet të shkruajmë thjeshtë”. ‘Për mjeshtërinë e Çehovit, L.Tolstoi ka thënë: Çehovi si artist ka një formë origjinale. Ti e shikon burrin e botës të lyej me ngjyra pa ndonjë kuptim ashtu si i vjen dhe duket sikur këto ngjyra s’kanë asnjë lidhje me njëra tjetrën. Por po u tërhoqe pakëz dhe i vështron së largu, atëherë prej së tërës merr një përshtypje të mrekullueshme: para teje shfaqet një tabllo e qartë, e pa përshkrueshme”. Në vitin 1897 Çehovi u përkeqësua shumë nga shëndeti dhe mjekët e këshilluan të shkojë jashtë në ndonjë vend me klimë të butë. Po ai nuk deshi të shkëputet nga atdheu. “Pa Rusinë ndjehem keq, megjithmend keq” – I shkruante një shoku në këtë kohë. Ai preferon të banojë në Krime dhe më 1898 vendoset në Jalta. Në këtë qytet bregdetar me një vilë të rrethuar nga gjelbërime të përhershme ai kalon vitet e fundit. Kësaj periudhe i përkasin disa nga veprat e tij më të pjekura. Në këtë kohë, ai shkruan këtu: Mërzitem këtu në Jaltë dhe ndjej se jeta po më kalon pranë dhe po më ikën. Për fat të mirë shoh dhe kuptoj se jeta dhe njerëzit po bëhen gjithmonë më të mirë, më të mençur, më të ndershëm.”

Shtëpia e Çehovit në këtë kohë vizitohet nga shumë përfaqësues të shquar të kulturës ruse. Aty vijnë shkrimtarë si V.Korolenko, kompozitori Çajkovski, piktori Levitan, këngëtari i famshëm Shaljapin dhe veçanërisht shkrimtari proletar M. Gorki. Gorki miqësohet shumë me Çehovin, ai e çmonte shumë talentin e shkrimtarit të ri. Në vitin 1902 kur Gorki nuk u pranua në Akademi, Çehovi shenjë proteste, refuzoi titullin e akademikut të nderit që ia kishin dhënë më 1900. Çehovit nuk i eci shëndeti as në Krime, sëmundja e gjoksit përparonte vazhdimisht. Pas këshillave të mjekëve, ai u detyrua ta lejë përgjithmonë Rusinë dhe në qershor të vitit 1904, sëbashku me të shoqen O.Kniper, (aktore e shquar e Teatrit Artistik të Moskës) shkon në Gjermani dhe vdes në Baden në 15 korrik 1904. Vdekja e Çehovit qe një humbje e madhe për letërsinë ruse dhe të përbotshme, ai vdiq në kulmin e lulëzimit të forcave të tij krijuese. Gorki, duke folur për këtë ka thënë: Kur vdiq Çehovi, Rusia humbi një nga bijtë e saj më të mirë….e deshi dhe vuajti për të…”

Që nga vdekja e Çehovit ka kaluar më shumë se një shekull. Koha vërtetoi se ai është një artist i madh, vlera dhe madhështia e të cilit nuk do të vdesin kurrë.

Revolucioni i Tetorit hodhi dritë dhe zbuloi para masave milijonshe figurën e Çehovit, krijoi mundësinë që trashëgimia e tij të Çmohet dhe shijohet nga populli. Lenini e ngrinte lartë disa herë Çehovin si shkrimtar me vlera të mëdha: ai e ka përmendur disa herë Çehovin në veprat e tij. Në atdheun e tij, Çehovi gëzon një dashuri dhe popullaritet të pa masë: veprat e tij janë përkthyer në të gjitha gjuhët e popujve ish sovjetikë, në tirazhe rekord, shtëpitë e tij janë kthyer në muze, janë ngritur statuja, me emrin e tij, janë pagëzuar vende dhe institucione të ndryshme.

Ai është një mësues i së bukurës dhe i së vërtetës.

Në Shqipëri Çehovi ka filluar të njihet që kur ishte gjallë me tregimet e përkthyera në gjuhën shqipe nga shkrimtari Milto Sotir-Gurra.

Çehovi njihet në historinë e letërsisë edhe si dramaturg novator. Ai filloi të merret me dramaturgji, kur teatri rus ishte në tatëpjetë. Çehovi, me dramat e tij, e afroi shumë skenën me jetën, ai e paraqiti jetën në skenë ashtu siç është. Qëllimi i dramave të Çehovit nuk është ta prek spektatorin me efekte të jashtme, por ta bëjë atë, të lidhet shpirtërisht me skenën.

Për këtë Çehovi thotë: “Në jetë nuk ndodh që çdo minutë njerëzit të vriten, të varen dhe të bëjnë deklarata dashurie dhe nuk ndodh që çdo minutë të thonë gjëra të mençme. Për këtë arsye dramat e Çehovit dallohen për përmbajtjen e thellë shoqërore, për zhvillimin e qetë e të thjeshtë të ngjarjeve” për paraqitjen realiste dhe zbulimin e psikologjisë së personazheve, për lirizmin e ëmbël që i përshkon.

Për të gjitha këto vlera janë përkthyer në gjuhën shqipe dramat e tij kryesore dhe një pjesë e tyre janë vënë në skenë nga regjisori i talentuar Andrea Malo, shoqëruar me një studim të Nasho Jorgaqit “ Dramaturgjia e Çehovit dhe dramat e tij lirike”.

Por lexuesi shqiptar është njohur me pjesën më të madhe të tregimeve të tij duke filluar nga koha kur Çehovi ishte gjallë nga shkrimtari patriot Milto Sotir-Gurra. Për të vijuar në vitet ‘20-‘30 të shekullit XX dhe për t’u pasuruar me shumë tregime të tij të përkthyera në vitet ‘40 deri në ditët tona nga përkthyesit T. Zavalani, S. Caci, V.Kokona, J. Doksani, N.Jorgaqi, G. Halilaj, R.Vullkani etj.

Çehovi tanimë është bërë nga shkrimtarët më të dashur dhe më të lexuar nga lexuesi shqiptar, studiuesit dhe nga brezi i ri.

Këtë e dëshmon dhe ripërkthimi i disa veprave të tij me nivel cilësor më të lartë. /KultPlus.com

Vendi i Mihal Gramenos në letërsinë dhe gazetarinë shqiptare

Shek. XIX, shekulli i lëvizjeve kombëtare, e gjeti popullin shqiptar, pasardhësin e fiseve ilire, të dëmtuar rëndë prej zgjedhave të gjata romake, bizantine, sllave dhe së fundi prej asaj osmane. Gjatë kësaj zgjedhës së fundit, për të lehtësuar disa taksa dhe peshën e rëndë të sundimit turk, gati shtatëdhjetë përqind e shqiptarëve ishin konvertuar në myslimanë, pjesa tjetër kishin ruajtur besimin e krishter katolik në veri dhe ortodoks në jug.

Gjatë shekujve XVIII-XIX dhe deri në nëntor të vitit 1912, kur u fitua pavarësia e Shqipërisë, sunduesi turk përpiqej me çdo kusht ta mbante popullin shqiptar në errësirë, për ta përdorur si mish për top në luftërat e veta, që t’ia zgjaste jetën Perandorisë së vet. Për këtë arsye ishte ndaluar me ligj hapja e shkollave në gjuhën shqipe si dhe përdorimi i kësaj gjuhe si gjuhë liturgjike në kishë e xhami. Propagandohej me forcë prej sunduesve se shqiptarët myslimanë ishin osmanë (turq), bij të sulltanit, kurse shqiptarët e krishterë ortodoksë ishin grekë ose sllavë, dhe shqiptarët e krishterë katolikë ishin latinë, italianë. Edhe politikanët e shteteve të reja ballkanike që fituan pavarësinë gjatë shek. XIX filluan të ndiqnin të njëjtën propagandë kundër popullit shqiptar. Formula mesjetare bizantine cuius religio, eius nacio (lat. i cilit besim je, atij kombi i përket), këmbëngulej që për shqiptarët të respektohej edhe në shekullin XIX e XX, kur ishte pranuar se popujt e Europës ndaheshin në kombe sipas gjakut, gjuhës, zakoneve, psikologjisë dhe territorit.

Në një situatë të tillë tepër mbytëse për popullin shqiptar, lindi dhe u ngjiz Lëvizja e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Ideologët e kësaj lëvizjeje vlerësuan tiparet e përbashkëta të kulturës shpirtërore e materiale të popullit shqiptar, luftuan ta shkruanin, ta pastronin e ta pasuronin gjuhën shqipe, faktorin më të rëndësishëm bashkues të kombit, të vinin në dukje zakonet e mira, besën, trimërinë, mikpritjen, respektin ndaj të huajit, mëshirën ndaj të pafuqishmit, etj. Ata nuk i mbivlerësuan dhe as i nënvlerësuan ndikimet e shumta që kishte pësuar prej zgjedhave të huaja të gjata mendësia e popullit shqiptar, gjuha dhe besimi i tij fetar, por vlerësuan si duhej faktin e madh, mrekullinë e mbijetesës së popullit shqiptar si një popull i veçantë midis popujve ballkanikë, i cili meritonte dhe duhej të jetonte i lirë në ato hapësira ballkanike, ku përbënte shumicën.

Rilindësit tanë qenë iluministë, njerëz me inteligjencë të lartë. Ata luftuan që populli shqiptar të zgjohej nga letargjia ku e kishte futur sundimi i gjatë dhe i egër turk. Luftuan ta nxirrnin popullin e tyre nga kjo gjendje foshnjore dhe ta aftësonin për të përdorur mendjen, logjikën e vet, për të njohur e vlerësuar tiparet e tij përbërëse.

Rilindësit tanë luftuan për përhapjen e shkrimit të gjuhës, për ringjalljen e krenarisë kombëtare, duke evokuar në letërsi të kaluarën heroike dhe duke himnizuar udhëheqësit e mëdhenj si Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Pirrua i Epirit, etj. Krahas lëvrimit të letërsisë origjinale, ata i dhanë rëndësi dhe mbledhjes dhe botimit të letërsisë gojore të popullit. Këtë punë ata e bënë, sepse letërsia gojore ndër shqiptarët e kishte plotësuar dhe mbushur boshllëkun që kishte krijuar gjatë shekujve mungesa e letërsisë së shkruar. Letërsia gojore u kuptua drejt prej tyre si një thesar i vlefshëm kulturor, një identitet kombëtar që duhej rizbuluar dhe shpënë më tej. Për këtë punuan Zef Jubani, Thimi Mitko, Spiro Dine , etj

Një ndër veprimtarët dhe krijuesit më aktivë të çerekut të parë të shek. XX është dhe Mihal Gramenua, një nga bijtë më të shquar të Korçës e të mbarë Shqipërisë, që u dallua si shkrimtar, publicist dhe luftëtar për liri e demokraci. Ai është shembulli i shkrimtarit shqiptar, i ngjashëm me poetët dhe shkrimtarët luftëtarë të popujve ballkanas, që shkruan dhe luftuan me armë kundër zgjedhës osmane, si rumunët Mihal Eminesku (Mihail Eminescu 1850-1889) e Tudor Argjezi (Tudor Arghezu, 1880-1967), dhe bullgari Kristo Botevi (Hristo Botev, 1848-1876), etj. Veprimtarinë e tij atdhetare dhe krijimtarinë letrare e publicistike, Gramenua e kreu në Shqipëri, Rumani e SHBA. Ai u bë i njohur në popull, jo vetëm përmes krijimeve letrare e publicistike, himneve e këngëve dashurore, të cilat u kënduan në kohën e tij dhe këndohen edhe sot, por dhe përmes njohjes së drejtpërdrejtë si luftëtar i lirisë, kur me pushkën krahut i ra kryq e tërthor Shqipërisë së Jugut. Ai u shqua për aktivizimin e tij të vijueshëm në lëvizjen kombëtare e demokratike, sipas motos së tij: më e vlefshme është të punonjë njeriu brenda në Shqipëri, se sa në kolonitë, moto që u bë parim i jetës së tij.

Rilindësit tanë ishin heronj. Ata u hodhën në një luftë të pabarabartë, por të mbushur me shpresë se populli shqiptar do ta ndiqte shembullin e tyre deri në fitoren e lirisë e të demokracisë dhe ia arritën synimit të tyre, ndonëse jo plotësisht për shkak të rrethanave dhe të politikës jo dashamirëse të Rusisë Cariste. Ata luftuan për ta çliruar letërsinë shqiptare prej ndikimeve të panevojshme të letërsive të huaja dhe arritën ta bënin atë një letërsi të pavarur me tiparet e veta origjinale kombëtare. Duke ecur, kush krah për krah e kush pas poetëve kombëtarë Naim Frashëri (1846-1900) e Atë Gjergj Fishta (1871-1940), shkrimtarët tanë të Rilindjes e afruan letërsinë me proceset e zhvillimit shpirtëror e kombëtar të shqiptarëve dhe e bënë atë shprehëse të ndërgjegjes së tyre morale dhe estetike, që ishin në përputhje me vërtetësinë historike. Ata luftuan me shumë sakrifica për dinjitetin e tyre dhe të mbarë popullit shqiptar, pra dhe për dinjitetin tonë, prandaj neve nuk na lejohet t’i harrojmë e t’i lemë pa i studiuar dhe pa i vlerësuar si duhet. Studimi dhe zbulimi i vlerave të jetës dhe veprës së tyre na ndihmon për të pajisur veten tonë me norma morale dinjitoze dhe të qëndrueshme.

* * *

Mihal Gramenua u lund në qytetin e Korçës më 13 janar 1871. Deri në moshën 15-vjeçare ai jetoi në qytetin e lindjes, ku u shkollua në shkollën fillore dhe gjysëm gjimnazin në gjuhën greke. Në moshën 15-vjeçare, si shumë të rinj shqiptarë, emigroi në Bukuresht të Rumanisë, ku ndoqi gjatë mbrëmjeve mësimet në një shkollë të mesme, që ishte hapur me ndihmën e qeverisë rumune prej Nikolla Naços. Në vitet 1907-1908 ai u kthye në atdhe, ku doli maleve me pushkë krahut për liri. Mbas korrikut 1908, kur u shpall Kushtetuta Xhonturke, ai qëndroi në qytetin e vet, në Korçë, ku punoi në ilegalitet për organizimin e lëvizjes së armatosur kundër pushtuesit turk dhe botoi gazetat e veta Lidhja Orthodokse (1909-1910) dhe pas saj Koha (1911-1912). Në faqet e këtyre gazetave ai botoi shumë artikuj, portrete, fejtone dhe skica letrare për të mbrojtur të drejtat kushtetuese të popullit, për të forcuar ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve dhe për të diskredituar propagandat antishqiptare të qarqeve shoviniste të shteteve fqinjë, sidomos qarqeve shoviniste greke.

Pas fitores së Pavarësisë më 28 nëntor 1912, ai mbërriti disa ditë me vonesë në Vlorë, kryeqyteti i parë i shtetit të pavarur shqiptar, për të ndihmuar qeverinë dhe kryeministrin Ismail Qemali (1844-1919) për një varg punësh në atë kohë të vështirë. Pas shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, kur Korça u pushtua prej ushtrisë greke dhe gjithë Shqipëria prej ushtërive të shteteve ndërluftuese, Mihal Gramenua u detyrua të emigronte në SHBA bashkë me tre prej vëllezërve të tij. Në SHBA ai u vendos në qytetin Jamestown N.Y., ku vijoi botimin e gazetës Koha (1915-1919). Më 1920 u rikthye në atdhe, në qytetin e lindjes, ku filloi ribotimin e gazetës së tij.

Me artikujt, kryeartikujt, fejtonet, portretet, pamfletet dhe skicat letrare që botoi në vitet 1920-1924, ai ndihmoi për forcimin e mendimit demokratik dhe për fitoren e Revolucionit Demokratik Borgjez të Qershorit 1924, kur erdhi në pushtet intelektuali i shquar Fan Noli, njeri i formuar në SHBA. Pas dështimit të këtij revolucioni dhe ardhjes në pushtet të feudalit Ahmet Zogu (1895-1961), Mihal Gramenua, duke qenë i sëmurë dhe në kushte të vështira ekonomike, u detyrua të pajtohej me situatën dhe të mënjanohej nga lufta politike. Në vitin 1926 e mbylli gazetën Koha dhe jetoi i tërhequr deri sa vdiq në shkurt të vitit 1931.

Në luftën për çlirimin kombëtar dhe për krijimin e shtetit shqiptar të pavarur, si dhe në përpjekjet e para serioze për një demokraci borgjeze, ndihmesa e mendjes, e shpirtit dhe e talentit të Mihal Gramenos, është shumë e dukshme dhe e paharrueshme. Si rilindësit më të mirë shqiptarë, ai e zgjodhi luftën për liri e demokraci, sepse kuptoi se jeta në liri e demokraci e bën të mundur bashkëjetesën njerëzore në formën dinjitoze. Përmes leximeve në greqisht e rumanisht, Gramenua kishte përvetësuar mësimin e madh të Demokritit: Unë parapëlqej jetën e varfër në një demokraci, sesa pasurinë në një tirani, …. sepse liria është më e mirë se skllavëria. Kjo bindje e ndihmoi atë që të pranonte vuajtjet si shkrimtar dhe gazetar shqiptar në shërbim të lirisë për popullin e vet, se sa të pranonte propozimet që i bënë në Korçë sundimtari turk më 1909 dhe dhespoti grek më 1910, si dhe ministri italian San Juliano në Itali më 1914, për të marrë rroga të majme, po të punonte si gazetar në shërbim të politikës së tyre.

E marrë në tërësinë e vet, prej fillimeve të saj e gjer në dhjetor të vitit 1924, krijimtaria e tij përshkohet nga fryma luftarake, nga optimizmi historik, nga patosi atdhetar dhe idetë demokratike. Pas dhjetorit 1924, me riardhjen në pushtet të Ahmet Zogut pas shtypjes së Revolucionit të Qershorit 1924, lëvizja demokratike ra në fashë dhe Gramenua përjetoi krizën e idealeve të kësaj lëvizjeje.

  1. Gramenua bën pjesë në radhën e shkrimtarëve tanë të Rilindjes, të cilët pas vitit 1902, viti i botimit të veprës madhore Baba Tomorri të Andon Zako Çajupit (1866-1930), shënuan një periudhë të re letrare, ku bashkë me tematikën, disponimet, vizionet, format e shprehjes romantike, ata sollën edhe tema, disponime, vizione dhe forma të shprehjes realiste. Çajupit, Fishta, Gramenua, Asdreni (1872-1947) e çliruan letërsinë artistike nga fryma dhe morali fetar. Ata nuk e panë popullin shqiptar vetëm si komb, si e shihnin para tyre romantikët, por edhe si shoqëri të përbërë nga klasa të ndryshme, të cilat kishin problemet e veta. Pavarësisht se si i shtruan dhe si menduan t’i zgjidhin këto probleme, fakti që ata i panë dhe i shtruan ato, përbën një hap para për letërsinë shqiptare të asaj kohe.

Me novelat Oxhaku, E puthura dhe Varri i pagëzimitqë botoi në vitet 1904-1909, Gramenua hyri në letërsinë tonë si lëvruesi i parë i prozës së gjatë në gjuhën shqipe, ku mungonte tradita. Për t’ia dalë me sukses kësaj pune, në drejtim të ligjërimit ai iu drejtua prozës popullore, e cila i shërbeu si përvojë e gjallë artistike. Me përmbajtjen e këtyre veprave, duke shprehur pakënaqësitë ndaj normave morale të shtresave të larta e duke poetizuar vlerat shpirtërore të njerëzve të vegjëlisë, ky krijues i binte kambanës për zgjimin e ndërgjegjes shoqërore të shtresave të ulëta, ndikonte për të forcuar dinjitetin dhe respektin e këtyre shtresave ndaj vetvetes. E pikërisht me të tilla ide që shprehte ai në novelat e veta, jepte një kontribut në thellimin e frymës demokratike jo vetëm të prozës së gjatë në hapat e saj të parë, por të mbarë letërsisë sonë, çka do të bëhej në të ardhmen një nga tiparet më të qenësishme të kësaj letërsie. Me veprat e tij novelistike përmes patosit sentimental, ky autor vuri në dukje vetitë njerëzore të fshatarëve e të qytetarëve të varfër shqiptarë, shprehu simpatinë e tij për këtë pjesë të shtypur të popullit dhe u përpoq ta shpëtonte atë nga gjendja e rëndë, ndonëse në këtë çështje nuk predikoi rrugën e lëvizjeve shoqërore, por vetëm atë të mëshirës e të harmonisë utopike. Por nuk duhet harruar se të drejtoje vëmendjen tek njerëzit e varfër, tek interesat e shtresave të ulëta të shoqërisë, ishte dalje kundër propagandës zyrtare. Me novelat e veta sentimentale, ku nuk mungojnë dhe elemente të realizmit, Gramenoja u hapi rrugë të mbarë prozatorëve tanë të mëvonshëm si Foqion Postolit, Nikolla Lakos, Andon Frashërit, Veli Panaritit, Sterio Spasses, Sotir Andoni, etj.

Komedia Mallkimi i gjuhës shqipe është një komedi politike. Në qendër të saj autori ka vendosur luftën kundër klerit grek e veglave të tij (shqiptarët grekomanë), të cilët punonin nën rrobën e fesë për të përçarë popullin shqiptar dhe për t’i greqizuar besimtarët ortodoksë shqiptarë. Autori, si intelektual dhe atdhetar i ndershëm, kishte kuptuar se feja ortodokse ishte kthyer prej klerit grek e atij vendës grekoman, në një instrument të shovinizmit grekomadh. Prandaj, përmes humorit e satirës ai i demaskoi këto forca antishqiptare.

Në këtë komedi të Gramenos ndjehet ndikimi pozitiv i komediografit të madh francez Zhan Batist Molier (Jean Batiste Moliere, 1622-1673) në krijimin e karaktereve letrare të shërbëtorit Thanë dhe të dhespotit hipokrit grek Sofroni. Përmes dialogjeve dhe veprimeve të këtyre përfaqësuesve të dy kampeve kundërshtare dhe të personazheve të tjerë, realizohet satira e veprës. Krijimi i figurës së shërbëtorit Thanë, si përfaqësues tipik i popullit të thjeshtë shqiptar, dhe i dhespotit grek, si përfaqësues tipik i shovinizmit grekomadh, janë realizime të shënueshme të Gramenos. Në komedinë Mallkimi i gjuhës shqipe autori arriti që urrejtjen kunër forcave kundërshtare ta shprehte jo duke e deklamuar me fjalë, si në disa poezi, por duke e ngritur atë në art, përmes motivimit të mendimeve dhe veprimeve të pesonazheve. Lidhjet midis personazheve dhe ambientit që ata i rrethon, këtu janë kapur sipas një realizmi spontan, intuitiv, pa u ndriçuar nga historizmi, nga kuptimi i karaktereve letrare si produkt i rrethanave. Veçse në këtë vepër, ky lloj realizmi është më i shëndetshëm se në novelat E puthura dhe Oxhaku.

Karakteri spontan i realizmit të Gramenos ka të bëjë me faktin se personazhet kryesorë në këto vepra mendojnë, ndjejnë e veprojnë jo gjithnjë në përputhje me logjikën e brendshme të karaktereve shoqërore që ata mishërojnë. Ata mendojnë e veprojnë shpesh herë në përputhje me idenë fillestare që ka paracaktuar autori.

Komedia politike atdhetare me tre akte Mallkim i gjuhës shqipe, e shkruar më 1902 dhe e botuar më 1905, ka qenë njohur prej A. Z. Cajupit dhe mund t’i ketë shërbyer si nxitje për hartimin e komedisë së tij politike me një akt Pas vdekjes më 1908, lënë dorëshkrim dhe botuar pas vdekjes së tij më 1937.

Tragjedia Vdekja e Pirros ka në qendër temën historike, jetën e mbretit Pirro të Epirit. Në këtë tragjedi ndjehet ndikimi i poetikës së tragjedive të Klasicizmit francez dhe të tragjedive të lashta greke. Kjo tragjedi është e para e llojit, si e tillë ajo hapi rrugën për hartimin e tragjedive klasiciste prej autorëve të tjerë si Çajupi, Kristo Floqi, Et’hem Haxhiademi, etj. Me vëniet e shumta në skenë gjatë Rilindjes e pas saj prej grupeve amatore në kolonitë shqiptare të Rumanisë, SHBA-së dhe brenda vendit në Vlorë, Korçë e Tiranë, kjo vepër dramaturgjike luajti një rol të ndjeshëm edhe përsa i përket gjallërimit të lëvizjes teatrale, duke shënuar fillimet e historisë së teatrit shqiptar. Komedia politike atdhetare Mallkimi i gjuhës shqipe dhe tragjedia Vdekja e Pirros, të cilat autori i shkroi në vitet 1902-1903 e i botoi më 1905-1906, janë ndër veprat e para të llojit. Ato, bashkë me vepra të tjera të këtij lloji, shënuan fillimet e dramaturgjisë shqiptare si gjini letrare. Pavarësisht nga karakteri spontan i realizmit të komedisë Mallkimi i gjuhës shqipe dhe i novelave E puthura dhe Varr’ i pagëzimit të Gramenos, duhet pranuar se ato ishin një prurje e mirë në kahjen e realizmit. Ato ndihmuan procesin e lindjes së realizmit, proces që filloi të merrte rrugë me Baba Tomorrin (1902) e Andon Zako Çajupit, me vepra të Pader Gjergj Fishtës, Asdrenit, Faik Konicës, Dom Ndre Mjedës dhe të konsolidohet më tej në vitet 30-të të shek. XX me veprat e Migjenit, Ernest Koliqit, Mitrush Kutelit, Nonda Bulkës, etj.

Gramenua nuk është vetëm prozator e dramaturg, por edhe poet, poet i vrulleve atdhetare. Këngët Për mëmëdhenë,Lamtumirë, Uratë për liriArdhi dita, të cilat u bënë shumë popullore gjatë Rilindjes, ndikuan për krijimin e një mori këngësh e marshesh në vitet 1908-1912. Ato janë ndër krijimet më të mira të lirikës atdhetare që trashëgojmë nga Rilindja. Këto këngë u bënë popullore për thjeshtësinë me të cilën shprehnin idetë themelore të epokës. Teksti i tyre i pangarkuar me figura të vështira e të kërkuara dhe melodia e thjeshtë dhe e kapshme nga të gjithë, bënë që këto këngë atdhetare të përvetësoheshin shpejt e të përhapeshin si himne të luftëtarëve të lirisë. Meritë e poetit Grameno është edhe fakti se ai i muzikoi vetë këto këngë, mbi bazën e muzikës së këngëve revolucionare që ishin përhapur në atë kohë në mbarë Ballkanin. Këngët e tij atdhetare u kënduan jo vetëm gjatë viteve 1908-1912 nga luftëtarët e lirisë kundër zgjedhës turke dhe prej Bandës “Liria”, por edhe në vitet e Mbretërisë prej “Korit Lira” të Korcës, si dhe në vitet 1940-1944 prej popullit e luftëtarëve antifashistë kundër pushtimit italo-gjerman. Kënga “Për mëmëdhenë” dhe “Muaji i majit” këndohen edhe sot prej “Korit Lira” dhe këngëtarëve amatorëve të këngëve atdhetare e lirike.

Poezia Për Mëmëdhenë e Gramenos bashkë me poezitë Moj Shypni e mjera Shqypni e Pashko Vasës, Gjuha Shqipe e Naim Frashërit, Shqipëtar! e Çajupit, Gjuha shype e Atë Gjergj Fishtës, Kënga e Bylbylit e Dom Ndre Mjedës, Shko dallandyshe / Eja dallendyshe të F. Shirokës, Hymni i Flamurit i Asdrenit, Flamuri i At Fan Nolit, Vlora, Vlora e Ali Asllanit, Poradeci i Lasgush Poradecit e të tjera hyjnë në çdo tekst antologjik për shkollat 8-vjeçare e të mesme të Shqipërisë e Kosovës, si poezi të goditura që ndihmuan, ndihmojnë e do të ndihmojnë drejtpërdrejt në formimin atdhetar të nxënësve.

Gramenua u shqua edhe më tepër si publicist i talentuar. Ai botoi shkrime të shumta publicistike me nivel të lartë artistik si rrallëkush, për gati një çerek shekulli. Ai drejtoi vetë gazetat Lidhja orthodhokse (1909-1910) e Koha (1911-1926), të cilat me punën e talentin e tij kanë zënë një vend nderi në historinë e gazetarisë shqiptare të periudhës së Rilindjes e të Pavarësisë.

Publicistika është, në fakt, fusha ku shkëlqeu talenti i tij krijues. Ai iu kushtua kësaj fushe me pasion e frymëzim të veçantë dhe arriti të botojë një mori shkrimesh prej mbi 3000 faqe të daktilografuara. Shumë prej këtyre faqeve kanë vlera të mëdha njohëse për jetën shqiptare të çerekut të parë të shekullit XX, periudhë që është e mbushur me ngjarje të një rëndësie të veçantë. Në këtë fushë të krijimtarisë ky publicist është ndër të parët dhe kryesorët propagandistë të rrymës atdhetare, sipas së cilës çlirimi i vendit nuk duhej pritur nga qeveritë e shteteve të huaja, si qeveria austro-hungareze, që propagandonte Faik Konica; ajo italiane, që propagandonin disa arbëreshë dhe ndonjë klerik katolikë; ose ajo turke, që propagandonte më 1908-1910 Mit’hat Frashëri. Çlirimi i vendit nga zgjedha turke, sipas Gramenos, do të sigurohej vetëm nga lufta e armatosur e popullit shqiptar.

Në plan shoqëror ky gazetar ishte gjithnjë një mbrojtës i vendosur i interesave të shtresave të ulëta të shoqërisë dhe armik i bejlerëve çifligarë, i këtyre uzurpatorëve të pushtetit shtetëror pas fitores së pavarësisë.

Krijimtaria publicistike e Gramenos shquhet për trajtimin e problemeve të mprehtë atdhetarë dhe socialë. Vend qendror në të zuri ajo që ishte kryesore në jetën shqiptare të kohës: lufta për liri kombëtare dhe progres shoqëror. Heronjtë që zenë kryet e vendit në këtë krijimtari janë luftëtarët e çetave kombëtare, atdhetarët demokratë, bijtë e shtresave të ulëta, të cilët ia kishin kushtuar jetën luftës për liri e demokraci. Po ashtu, shpesh herë në qendër të krijimtarisë publicistike të Gramenos u vendosën dhe përfaqësuesit e aristokracisë shqiptare. Një pjesë e vogël e kësaj aristokracie u lidh sinqerisht me lëvizjen kombëtare për liri. Këta veprimtarë Gramenoja diti t’i vlerësonte me shkrime të ndryshme politike dhe letrare. Përmendim këtu shkrimet e tij plot frymëzim për Ismail bej Qemalin, Isa beg Boletinin, Orhan bej Pojanin, Alo bej Dishnicën, etj. Por pjesa më e madhe e kësaj aristokracie, duke parë interesat e veta të ngushta, mori një qëndrim jo atdhetar ndaj lëvizjes kombëtare dhe u përpoq të përfitonte poste e nëpunësi të pamerituara. Të tillë elementë u pasqyruan gjithmonë në plan sarkastik prej penës së këtij gazetari. Shkrimet që vunë në qendër personalitete historike si Esad Pashë Toptani, Turhan Pasha, Myfit bej Libohova, etj, i përshkon patosi satirik, përmes të cilit Gramenua demaskonte thelbin reaksionar të këtyre forcave shoqërore, mentalitetin e tyre antipopullor.

Duke qenë se Gramenua iu kushtua gazetarisë në një kohë kur demokratizmi i tij vinte duke u pjekur, sidomos pas jetës në çetën e Çerçizit, kur ai e njohu më nga afër karakterin e popullit shqiptar dhe nevojat e aspiratat e tij, në publicistikën e tij interpretimi i ngjarjeve nga këndvështrimi i shtresave të ulëta erdhi duke u forcuar vazhdimisht. Kështu, në vitet 1909-1912 ai krahas thirrjes opinga është shtylla e kombit shkroi edhe portretet letraro-publicistike, ku vuri në qendër luftëtarët kombëtarë të dalë nga radhët e bujqve dhe barinjve të varfër, për të treguar se në cilat shtresa duhej të mbështetej lëvizja e armatosur për liri. Kurse në vitet që pasuan pas shpalljes së pavarësisë, Gramenua eci dhe më tej në forcimin e ideve të tij demokratike.

Në vitet 1915-1918 ai shkroi një varg pamfletesh e fejtonesh, në qendër të të cilave vuri ish-ministrat bejlerë të Qeverisë së Vlorës (1912-1913) e sidomos të asaj të Durrësit (1914), shkrime ku ai demaskoi karakterin reaksionar të bejlerëve çifligarë si klasë. Ai tregoi se kësaj klase i kishte kaluar koha, i ishin shterur energjitë e brendshme dhe se ishte kthyer në një pengesë serioze për progresin shoqëror. Edhe pse teorikisht nuk kishte njohuri mbi ecurinë dhe zhvillimin e shoqërisë njerëzore, Gramenoja, në sajë të njohjes së drejtpërdrejtë të jetës, zgjeroi e forcoi më tej botëkuptimin e vet demokratik dhe arriti në mendimin se eleminimi i mbeturinave të theksuara të feudalizmit në Shqipëri ishte një nevojë, një domosdoshmëri për të ecur përpara. Zotërimi i të tilla mendimeve bëri që, në fillim të viteve ‘20 të shek. XX, ky gazetar të orientohej drejt e të zinte vend menjëherë në radhën e veprimtarëve politikë e shoqërorë që nxitën atë lëvizje demokratike, e cila çoi në triumfin e Revolucionit Demokratik Borgjez të Qershorit 1924.

Me shkrimet më të mira gazetareske të botuara që nga viti 1915 deri më 1924, për një dekadë të tërë, mund të themi se Gramenua qëndroi në radhën e publicistëve më të shquar të gazetarisë shqiptare. Ai shkroi e botoi qindra shkrime publicistike me nivel të spikatur artistik dhe me përmbajtje të thellë ideore. Më 1919 dhe 1921 ai ngriti ndër të parët nevojën e një reforme agrare në Shqipëri. Gjatë muajve që qëndroi në pushtet Qeveria e F. Nolit, Gramenoja në faqet e gazetës Koha kërkoi me këmbëngulje zbatimin e reformave të shpallura, në mënyrë që demokracia e shpallur të mos kthehej në demagogji. Por, për arsye që tashmë njihen, kjo qeveri u përmbys në fund të dhjetorit 1924. Kriza botëkuptimore që kaluan Mihal Gramenua, Asdreni, Hil Mosi, Milo Duçi, Risto Siliqi e shkrimtarë e publicistë të tjerë pas dhjetorit 1924, shpjegohet me karakterin spontan të demokratizmit të tyre dhe situatën mbytëse që krijoi Ahmet Zogu.        Pavarësisht nga disa dobësi ideore dhe artistike që vihen re në një pjesë të publicistikës së Gramenos, theksojmë se me pjesën më të mirë të krijimtarisë publicistike ai u shfaq në gazetarinë shqiptare si një publicist novator e i fuqishëm, me një larmi të madhe tematike e mbi të gjitha me një prodhimtari shumë të pasur me nivel të lakmueshem artistik. Ai ka meritën se lëvroi ndër të parët dhe me sukses portretin, skicën, fejtonin, pamfletin dhe letërsinë memuaristike. Për më se 20 vjet, deri në dhjetor 1924, ai qëndroi në rreshtat e parë të publicistëve tanë si një penë origjinale dhe veprimtar i shquar i lëvizjes sonë kombëtare e demokratike. Njeri me karakter të pastër, me kulturë mbimesatare për kohën, me vullnet të madh krijues, me formim atdhetar e demokratik, njohës i rumanishtes, greqishtes dhe italishtes, Gramenoja është rasti i shkrimtarit e gazetarit shqiptar autodidakt që u rrit përmes vullnetit dhe ambicjeve të veta, përmes përpjekjeve të veta të pandalshme. Ai shkruante për shtresat popullore, me një gjuhë gjithnjë të kuptueshme dhe u ndoq prej shumë shkrimtarësh e gazetarësh të kohës dhe më vonë. Gramenua, duke qenë një gazetar që vinte nga radhët e shkrimtarëve, i dha rëndësi në shkrimet e tij publicistike letrare përgjithësimit artistik, i cili u bë një tipar tjetër dallues i individualitetit të tij publicistik. Përgjithësimi artistik është një dukuri që ka ardhur në ngritje nga dhjetëvjetshi i parë tek i dyti në krijimtarinë publicistike të këtij gazetari. Përpjekja për të dhënë në mënyrë të përgjithësuar tipat e jetës bashkëkohore shqiptare e shpuri Gramenon në një dukuri të re. Ai, krahas shkrimeve të mirëfillta publicistike letrare si portreti, fejtoni, pamfleti, filloi të hartonte dhe shkrime ku hoqi dorë nga përdorimi i emrave konkretë të njerëzve dhe të vendeve ku ndodhnin ngjarjet, të cilët i zëvendësoi me emra përgjithësues të sajuar prej fantazisë së tij. Në këto lloj shkrimesh ai hoqi dorë edhe nga ngjarjet konkrete historike, të cilat i zëvendësoi me ngjarje të krijuara nga fantazia e vet. Kështu ai kaloi tek skica letrare. Që në vitin 1908 ai hartoi skicën Gazetari shqiptar, ku skaliti më mirë se kushdo tjetër figurën e gazetarit shqiptar të Rilindjes e të pas Rilindjes, të cilët punonin me ndërgjegje të kthjellët për zgjimin e popullit, pa marrë parasysh vuajtjet e sakrificat e tyre kudo ku jetonin e punonin, në Shqipëri, ose në kolonitë shqiptare. Në vitet 1915-1918 Gramenoja i kushtoi edhe më shumë vëmendje hartimit të skicave letrare satirike si Honxho-Bonxhot,Mëmëdheu i vjetër, Kafe oxhakët etj, përmes të cilave përgjithësoi tipin e qeveritarëve anadollakë që i morën frymën qeverisë së I. Qemalit dhe sidomos asaj të princ V. Vidit. Kurse me skicat e viteve 1921-1923 si Shëmëndëferi (Hekurudha), DuvaxhinjtëI gjori IbrikXinxifkë pashaXhongo-rokët etj, ai e pasuroi procesin e kritikës ndaj qevweritarëve të padenjë me krijimin e tipit të deputetëve dhe nëpunësve indiferentë e pseudopatriotë, të cilët prapa fjalëve dhe veshjeve të bukura fshihnin boshllëkun e tyre shpirtëror e mendor dhe mungesën e atdhetarizmit. Me të tilla skica humoristike e sarkastike, si dhe me fejtonet e pamfletet e shumta, duke e treguar botën shqiptare pa maskë, publicisti Grameno i hapi rrugën publicistëve dhe shkrimtarëve si Gjergj Bubani (1899-1954) dhe Nonda Bulka(1906-1972), të cilët në vitet 1921-1924 ishin në moshën e formimit të tyre dhe pak më vonë do ta shpinin në një stad të ri skicën humoristike (Gj. Bubani në vargje) dhe tregimin e shkurtër humoristik N. Bulka.

Vepra letrare e ajo publicistike e Gramenos është një nga urat e fuqishme që lidhin letërsinë dhe publicistikën shqiptare të Rilindjes me atë të periudhës së Pavarësisë. Kjo vepër është pjesë e shëndoshë e asaj prurjeje letrare që ndihmoi në procesin e kapërcimit të letërsisë shqiptare nga letërsia romantike në letërsinë realiste. Për të theksuar është dhe fakti se bota shqiptare e kohës është pasqyruar në krijimtarinë letrare e publicistike të Gramenos në shumë aspekte të saj. Secila klasë mbart me vete psikologjinë dhe tiparet e saj dalluese gjithmonë shqiptare, gjë që ka çuar në thellimin e karakterit kombëtar shqiptar të kësaj krijimtarie. Ai afirmoi ato klasa e shtresa shoqërore që ndihmonin përparimin shoqëror dhe mohoi ato klasa e shtresa të cilat e pengonin këtë përparim.

Mihal Gramenua është shembulli i shkrimtarit atdhetar të përkushtuar, i cili për hir të atdheut rëmbeu herë penën dhe herë pushkën, sipas nevojave të kohës, të cilat ai kishte aftësinë t’i ndjente më shpejt e më mirë se shumë të tjerë. Në vitet 1902-1907, kur atdheu kërkonte ende vepra letrare më shumë se veprimtari atdhetare, ai ushtroi talentin e vet në dramaturgji, prozë dhe poezi, duke pasuruar letërsinë tonë me aspekte të reja si komedia, tragjedia, novela, kënga atdhetare dhe ajo lirike, etj. Kurse në vitet 1907-1912 dhe më vonë, kur atdheu kërkonte më shumë veprimtari politike dhe luftarake se letërsi, ai doli komit maleve dhe u angazhua në gazetari dhe punë politike e shoqërore. Në këto vite ai e pasuroi letërsinë shqiptare me shumë fejtone, portrete, pamflete, skica, si dhe me një vepër memuaristike. Bashkë me Asdrenin ai ndoqi mësimin e urtë: një njësi talent dhe nëntë njësi punë. Duke punuar vijimisht me vullnet e përkushtim, ai dha ndihmesën e vet me sukses në lëvrimin e disa llojeve letrare dhe për këtë ndihmesë mund të quhet, ashtu si Asdreni, shkrimtar i rëndësishëm i letërsisë shqiptare të Rilindjes. Ai mund të quhet shkrimtar i rëndësishëm i Rilindjes sonë edhe pse asnjëra prej veprave të tij nuk mund të krahasohet për nga vlerat ideo-artistike me veprat madhore të Rilindjes sonë si Këngët e Milosaos të Jeronim De Radës, Histori’ e Skënderbeut e Naim Frashërit, Lahuta e Malsis e Atë Gjergj Fishtës, Baba Tomori i Andon Zako Çajupit, Kënkat e luftës e Zef Skiroit (Giuseppe Schiro), Kënka e sprasme e Balës e Gavril Darës (Gabrielle Dara), Juvenilja e Dom Ndre Mjedës, e ndonjë tjetër. Mirëpo ndryshe nga këta krijues që shkëlqyen kryesisht me vepra letrare, Gramenua ka një avantazh që nuk e kanë ata, ai krijoi një publicistikë letrare dhe një jetë luftarake, që ua kaloi të gjithë shkrimtarëve të Rilindjes e atyre të viteve që erdhën më pas deri më 1924. Dhe kjo krijimtari publicistike letrare me portrete, skica, fejtone e pamflete duke qenë pjesë përbërëse e krijimtarisë së tij letrare e ngre atë pikërisht në grupin e shkrimtarëve të rëndësishëm të letërsisë sonë të Rilindjes. Duke i parë veprat dhe bëmat e këtij shkrimtari, publicisti dhe veprimtari në mënyrë të shkoqitur, nuk mund t’i kuptojmë rëndësinë dhe vlerat e tij tërësore. Rëndësinë dhe vlerat e veprës tërësore të tij mund t’i kuptojmë po të mendojmë për një moment sikur ato t’i mungonin letërsisë dhe jetës shqiptare të çerekut të parë të shek. XX.

Po të kishin munguar veprat e shumllojshme letrare e publicistike dhe jeta plot aktivitet e Mihal Gramenos, letërsia jonë dhe historia jonë kombëtare do të ndjeheshin më të varfra.

Letërsia do të ndjehej më e varfër, sepse do t’i mungonte tragjedia e parë historike Vdekja e Pirros, që u vu në skenë disa herë, do t’i mungonte një nga komeditë e para Mallkim’ i gjuhës shqipe, novelat e para Oxhaku, Varr’ i pagëzimit dhe E puthura, himnet kryengritëse Për mëmëdhenë, Uratë për liri, Lamtumitë, kënga dashurore Muaji i majit, do t’i mungonin skicat realiste me të cilat u bë autopsia e përbërjes shoqërore të qeverive të para shqiptare.

Gazetaria shqiptare do të ndjehej më e varfër, sepse do t’i mungonte sasia e madhe e artikujve, fejtoneve, pamfleteve dhe portreteve të pashoqe, me të cilat u vlerësuan drejt ngjarjet dhe klasat në vitet 1908-1924.

Letësisë memuaristike shqiptare do t’i mungonte vepra Kryengritja shqiptare, pra pasqyrimi i bëmave të çetës së Çerçiz Topullit, ku Mihali ishte jo vetëm luftëtar, por dhe shkronjës i saj.

Historia jonë kombëtare dhe ajo demokratike do të ndjeheshin më të varfra, sepse do t’i mungonin luftëtari i maleve, propagandisti popullor, veprimtari ilegal i lëvizjes së armatosur dhe agjitatori demokrat.

Shoqërisë shqiptare do t’i mungonte shembulli i njeriut të ndershëm dhe të ekuilibruar, i cili kritikoi me fakte dhe nuk fyu e nuk shau askënd pa argumente, njeriu që i priti me gjakftohtësi kritikat dhe u përgjigj me logjikë të ftohtë.

Për një shkrimtar, gazetar, luftëtar, veprimtar politik e shoqëror të përkushtuar si ai, ka pasur dhe ka shumë nevojë shoqëria shqiptare. Njeriu i urtë, i pabujë, shpesh herë mund të lihet mënjanë dhe mund të mos vlerësohet si e meriton për një kohë të gjatë e ndoshta dhe deri në vdekje, por jo përgjithmonë.

Një vlerësim shkencor të saktë për vlerat e veprimtarit, shkrimtarit e publicistit Mihal Grameno deri sot e ka penguar mungesa e një botimi shkencor sa më të plotë të krijimterisë më të mirë të tij. Unë, pasi punova disa vjet në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë së Akademisë së Shkencave për ta njohur e vlerësuar veprën tërësore të tij dhe në plan krahasimtar me pararendësit dhe bashkëkohësit, arrita në përfundimin se ky shkrimtar duhet vendosur në një vend më të mirë në klasifikimin që u është bërë deri sot autorëve shqiptarë të Rilindjes, ose më saktë autorëve shqiptarë të çerekut të parë të shek. XX. Në këtë klasifikim studiuesit shqiptarë kanë veçuar prej kohe tre poetë si poetë të mëdhenj: Jeronim De Radën, Naim Frashërin dhe Atë Gjergj Fishtën (Qosja, Rexhep. Prej letërsisë romantike deri te letërsia moderne, Prishtinë 2006, f. 202, 233). Tani së fundi studiuesi Jorgo Bulo e rivlerësoi dhe Andon Z. Çajupin si një nga poetët e mëdhenj të Rilindjes sonë, për faktin se ai kreu kalimin nga patosi afirmativ romantik, tipik për kulturën e Rilindjes, në patosin satirik, se solli në kulturën shqiptare mendësinë kritike duke hapur udhën e realizmit. (Çajupi, A. Z. Vepra, Toena, Tiranë 2008, përgatitur nga Akademik Jorgo Bulo, vëll.. I, Hyrje). Idenë se Çajupi, mbas botimit të veprës Baba Tomorri, duke u bërë shkrimtar shumë popullor, u bë i dyti mbas Naimit, e ka shprehur dhe studiuesi kanadez Robert Elsi (Elsie, Robert, Histori e letërsisë shqiptare, DUKAGJINI, Tiranë-Pejë, 1997, f. 259).

Shkrimtarët e tjerë të Rilindjes dhe të dhjetëvjetshit të parë pas saj mund të përmenden pa i renditur njëri pas tjetrit si konkuruesit e një gare, por duke i grupuar sipas individualitetit dhe ndihmesës së tyre letrare artistike në dy grupe, në shkrimtarë të rëndësishëm dhe në shkrimtarë më pak të rëndësishëm. E në këtë ndarje Mihal Gramenua mund të konsiderohet shkrimtar i rëndësishëm, për faktin se me veprat dramatike i hapi rrugë komedisë e tragjedisë, me veprat novelistike i hapi rrugën prozës së gjatë, me poezitë atdhetare e dashurore i hapi rrugë këngës atdhetare dhe lirike, me skicat letrare konsolidoi realizmin si metodë letrare të qëndrueshme, kurse si publicist me shumë artikuj, portrete, fejtone dhe pamflete, ai është një gazetar i niveleve të lakmueshme, që mund të renditet menjëherë mbas Faik Konicës dhe Fan Nolit. Të tilla vlera nuk i kanë shkrimtarë si Zef Jubani, Luigj Gurakuqi, Hil Mosi, Vincens Prenushi, etj të cilët bëjnë pjesë midis shkrimtarëve më pak të tëndësishëm të Rilindjes e fill pas saj.

Në qoftë se veprat e shkrimtarëve shqiptarë të Rilindjes e fill pas saj do t’i konsiderojmë si një polifoni, Gramenoja është një zë harmonik që nuk stonon në harmoninë e përgjithshme; po t’i krahasonim me një mozik shumëngjyrësh, do të thoshim se ngjyrat e Gramenos kanë ndritur në kohën e vet dhe nuk janë zbehur as sot.

Studimet e derisotme për jetën dhe veprën e shkrimtarit, gazetarit dhe veprimtarit Mihal Grameno nuk kanë mundur të japin në mënyrë përfundimtare e shteruese dhe gjithpërfshirëse vlerat e shumanshme të tij. Një vlerësim të tillë nuk pretendoj se e kam arritur as unë me studimin Mihal Grameno jeta e vepra 1871-1931, DDS Durrës 2012, 500 f.,  edhe pse u përpoqa dhe besoj se arrita të argumentoj një vendosje të re të vlerave të tij letrare e publicistike midis krijuesve shqiptarë të viteve 1900-1925. Jeta dhe vepra e këtij personaliteti të letërsisë, të gazetarisë dhe historisë shqiptare është studiuar, po studiohet e do të studjohet, sepse ajo është e mbushur me vlera letrare artistike dhe mesazhe të vlefshme që i vlejnë çdo epoke historike, për dinjitetin e individëve dhe të mbarë popullit shqiptar. Vepra e tërësore e Gramenos bën pjesë në shpirtin e shqiptarizmit, në vlerat më të mira dhe më rëndësishme të letërsisë dhe të kulturës sonë kombëtare.

Për këto arësye them se qyteti i lindjes, Korça, ia ka borxh një monument të plotë e jo vetëm një bust të thjeshtë si e ka sot Heroit të Popullit Mihal Grameno, ashtu si ia ka borxh edhe Gjirokastra Andon Zako Çajupit.

(Shënim: Po e shkëput këtë përmbledhje prej studimit tim monografik Mihal Grameno jeta dhe vepra 1871-1931 që botova më 2012, dhe po e botoj më vete mbasi kam vënë re se në qytetin e Korçës është gjallëruar propaganda grekomane e cila shpif kundër këtij luftëtari të kulluar të lirisë dhe shkrimtari e publiciti të talentuar atdhetar.

Lufta e qarqeve shoviniste greke kundër atdhetarëve shqiptarë është e vjetër, që kur ata helmuan e vranë njëri pas tjetrit Naum Veqilhaxhin, Pandeli Sotirin, Papa Kristo e Papa Vasil Negovanin, Petro Nini Luarasin, etj. Edhe lufta e këtyre qarqeve filloi dhe kundër Mihalit që kur ai ishte nxënës në vitin e fundit të gjysëmgjimnazit grek, sepse organizoi një protestë në provimin përfundimtar kundër mohimit të gjuhës shqipe në atë shkollë. Por Mihali nuk u tremb nga mallkimi dhe nuk u tërhoq nga lufta kunër propagandës shoviniste greke, ai shkroi e botoi shumë artikuj kundër kësaj propagande, shkroi e botoi dhe komedinë Mallkimi i gjuhës shqipe, ku demaskoi klerin grek dhe atë shqiptar grekoman; shkroi e botoi tragjedinë Vdekja e Piros, ku ngriti lart bëmat e mbretit iliro-shqiptar Piro të Epirit, të cilin propaganda shoviniste greke e ka quajtur dhe e quan mbret grek, dhe Epirin shtet grek. Por kush nuk e di se disa autorë të vjetër grekë kanë shkruar se Epiri ishte i banuar prej ilirëve barbarë dhe Pirua ishte mbret barbar ashtu si Lisimaku i Maqedonisë. Në vitin 1909 Mihali e ngriti në nivel të ri luftën kundër propagandës shoviniste grekomadhe duke krijuar me shokët e tij atdhetarë Shoqërinë “Lidhja Orthodhokse” dhe botoi për një vit gazetën e kësaj shoqërie me po këtë emër, ku mbrojti shqiptarësinë e ortodoksisë së popullit të Korçës

Mirëpo këtë luftë kundër Mihal Gramenos, që e humbën gjatë Rilindjes e më pas, qarqet shoviniste greke e paskan rifilluar sërisht pas vitit 1992. Populli shqiptar doli i raskapitur dhe i varfër nga diktatura komuniste dhe mori rrugët e mërgimit pas ndërrimit të regjimit. Populli grek ua hapi portat, i punësoi dhe i ndihmoi emigrantët shqiptarë që shkuan në Greqi. Po ashtu shumë pasanikë grekë, të nxitur prej Hirësisë së Tij Anastas Janullatos, dhanë ndihma financiare të shumta për ndërtimin dhe riparimin e kishave orthodokse në Shqipëri. Mirëpo qarqet shoviniste greke rifilluan të shkojnë kundër interesave të miqësisë midis dy popujve tanë. Këto qarqe kanë punuar kundër miqësisë midis dy popujve tanë që në krijimin e shtetit të pavarur shqiptar. E kush nuk i kujton masakrat e andartëve grekë gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore më 1914 dhe 1916 në Shqipërinë e Jugut ku dogjën mijëra shtëpi në zonën e Korçës. Kolonjës, Përmetit, e Gjirokastrës, apo masakrat kundët popullit shqiptar të Çamërisë në vitet 1944-1945?!

Janë njerëz të këtyre qarqeve që vijojnë si dikur të shpifin kundër atdhetarëve shqiptarë dhe pikërsisht kundër më të mirëve si Mihal Gramenua, sepse ata duan të deheroizojnë këtë figurë popullore, luftëtar trim dhe shkrimtar e gazetar të talentuar që ka qenë dhe është etalon i luftëtarit kundër propagandës shoviniste grekomadhe. Këto qarqe guxojnë të shpifin kundër Mihal Gramenos se ai ishte një pianik i keq, po si mund të krijonte një pianik gjithë atë korpus veprash me vlera artistike e ideore?! Guxojnë të shpifin se Zoti e dënoi kur shtiu kundër Fotit, dhespotit grek, dhe ia paralizoi gishtin e madh të dorës së djathtë. Këtë shpifje e dëgjova nga dy korçarësh dhe para disa javësh, si e kisha dëgjuar edhe prej një ish-pedagogu të Universitetit Fan Noli më 2012 në Korçë, pasi u promovua studimi im në atë universitet. Dhe nuk deshçn ta pranonin zotërinjtë të vërtetën kur u thashë se Mihali kishte dalë komit një vit më vonë pasi e vrau dhespot Fotin Çerçiz Topulli më 1906 kur kishte dalë së pari komit me çetën e Bajo Topullit. Pikërisht Mihali shkroi më 1907 një artikull te gazeta Kombi se çeta e re nuk do të merrej me vrasje individësh, por do të propagandonte çështjen kombëtare për të përgatiur popullin për luftën çlirimtare.

Grekomanët e sotëm ndoshta paguhen me pensione se gjoja janë minoritarë grekë prandaj punojnë që ta shtrembërojnë historinë tonë kombëtare. Ata shpifin sepse duan që të harrohet e vërteta se dhespot Fotin e vrau Çerçizi si hakmarrje ndaj masakrës që kryen andartët grekë në Negova më 1905 ndaj dy priftërinjve vëllezër: Papa Kristo dhe Papa Vasil Negovanit. Kjo luftë kundër Gramenos është pjesë përbërëse e luftës që kanë bërë e bëjnë qarqet shovoniste greke për ta harruar e për ta mbuluar me harresë të vërtetën e madhe se bijtë e popullit shqiptar të Çamërisë me Marko Boçarin në krye dhe arbërorët ishin luftëtarët më të lavdishëm të luftës për lirinë e Greqisë nga zgjedha turke.

Duke shpresuar se do të ndikoj në ndaljen e kësaj propagande, që prish miqësinë e popullit shqiptar me atë grek, e ribotoj këtu këtë përmbledhje të studimit tim sepse s’kam mundësi financiare ta ribotoj gjithë studimin. Kurse Ministria e Arsimit dhe ajo e Kulturës nuk planifikojnë ta ribotojnë dhe shpërndajnë këtë studim për ta lexuar sa më shumë shqiptarë dhe sidomos nxënësit e gjimnazeve, studentët dhe pedagogët e universiteteve) /KultPlus.com

Përalla për ujkun dhe veten

Tregim nga Ibrahim Berisha

Më erdhi radha edhe unë duhet të kallxoj përrallën time. Në orën dhjetë të paraditës së lodhshme nga vapa e korrikut, u vesha me rrobat më të mira dhe mbarova në mendjen time si do të dukej vendi ku unë do të kallxoja përrallën më të zakonshme. Është rasti im i fundit, mendova.

Isha në mes kur aty sy e vesh, ulur në karrigiet e bardha, me shishet plastike para, kurreshtarë më shikonin shtatë anëtarët anonim të komisionit. Prisnin të filloja.

Ky është më plaku, pëshëpriti gruaja pa më ndarë shikimin, që ishte anash burrit në mes. Ishte gara e përvjetshme për përrallën më të mirë. Rregullat e përcaktonin, një njeri mund të tregonte përrallën e tij vetëm një herë gjatë gjithë jetës. Më në fund, e munda refuzimin tim, dhe erdha i kurajuar nga bezdia e vetmisë.

Përrallë, por persnazhet duhet të jenë reale, shpjegoi faqekuqi. Ne jemi Komisioni i Traditës Gojore, sqaroi. Unë jam kryetari, ndërsa këta gjashtë afër meje, janë anëtarët e Komisionit. Je i qetë, më udhëzoi. Pastaj, bëri me dorë nga vajza me laptopin hp: Erza do ta mbajë procesverbalin dhe do të incizojë atë që ke për t’na thënë.

Unë mora frymë i përulur, e ata qëndruan të motivuar, për t’u dukur më zyrtarë dhe me autoritet të pashkelur.

Të erdhi radha, më në fund. Koha me fillu, tha anëtari me syze vezore, me kornizë të kaftë, ulur në karrigie plastike, mbrapa të cilit qëndronte muri i hirtë. Hapësira

mbrapa tullave, jo afër, së paku 50 metra larg, mbulohej nga një pemë e madhe, nuk e dalloja nëse ishte frashër apo arrë.

Nuk kemi kohë për të humbur, insistoi ai. Doni sqarime, u tregua zemërmirë.

Më zu paniku. Duart më dridheshin. Më ishte ngritur sheqeri se nuk mund t’i njomja me pështymë buzët.

Nuk duhet të kesh frikë, ndërhyri kryetari. Pse të keni frikë kur bëhet fjalë vetëm për një tregim. Të lutem, fillo!

Do ujë, më pyeti zoja.

Kam frikë, u përpoqa të arsyetohem. Secilën ditë ujku ha nga një dele.

Po, tha faqekuqi.

Nga shikimi, kuptova se këto fjalë nuk e kënaqën. Edhe?

Ujku për dhjetë ditë i ha dhjetë dele, vazhdova.

Pas njëqind ditëve bariu do të mbetet pa njëqind dele, foli e shtangur zoja që ktheu kokën kah vajza, e cila mbante procesverbalin. Hata, oh, pse, pyeti ajo.

Nuk thash më asnjë fjalë.

Komisionieret pasi pëshpëriten për disa sekondna krye me krye, në emër të tyre zoja më komtoi vendimin: Fatkeqësisht, koha për përrallën mbaroi.

Unë doja, doja…!

E fillove shumë keq, më kritikoi më flokëthinjuri, i cili gjithë kohën lunate me shishesh e ujit Kroi. Vazhdoi: Përrallat nisin me zë të butë: “Njëherë moti ish kanë një bari. Apo: një bari një kohë të largët kishte pasë njëmijë dele”.

E nisa keq përallën time, u arsyetova.

Por, koha jote mbaroi, më preu ai pa keqardhje.

Ka 78 vjet pres për të treguar përrallën time, provova t’i mëshiroj. E kam pritur gjatë këtë ditë!

Mos na lut, më tha faqekuqi. Koha jote përfundoi. Përralla jote nuk kishe fillim edhe s’ka si të ketë një fund.

Kam ëndërruar aq shumë këtë ditë, këmbëngula. Dua të tregoj epilogun.

Medet, foli me hutim të habitshëm zoja.

Kjo është një fatkeqësi e madhe. Nuk keni durim ta prisni epilogun. Vetëm unë e di çfarë ka ndodhur, fola.

Eilogu dihet, më tha faqekuqi.

I mpirë, nuk lëviza. Isha i thyer, i dërrmuar.

Pasi më nguli sytë, faqekuqi ra në mendime. Si thoni, vështroi të gjithë anëtarët e Komisionit. Mirë, tha.

Secilën ditë ujku përsëri vazhdoi të hajë nga një dele, fillova.

Po, tha kryetari i komisionit, Nga shikimi, kuptova se këto fjalë aspak nuk e kënaqën. Edhe?

Ujku për njëqind ditë i ka ngrënë njëqind dele, vazhdova.

Mos do të thuash, pas njëqind ditëve bariu do të mbetet pa asnjë dele, foli e shtangur zoja.

E vërtetë, pohova.

Edhe, pyeti i hutuar faqekuqi. Epilogu?

Unë isha bariu, thash i çliruar. /KultPlus.com

Elvana Gjata: Kur edukojmë vajzat, kemi edukuar një komb

Këngëtarja e mirënjohur Elvana Gjata përmes rrjetit social Facebook, ka dhënë këtë mesazh të fuqishëm, shkruan KultPlus.

Elvana Gjata e njohur për krijimin e shumë këngëve të bukura, si dhe për zërin unik ka bërë këtë thirrje në rrjetin e saj social në të cilin janë të mbledhur një grup i madh i fansave dhe admiruesve të muzikës së saj. /KultPlus.com

Apple Watch shpëton jetën e një 92-vjeçari

Derisa veçoria e orës së mençur Apple Watch për detektim të rrahjeve të zemrës ka shpëtuar jetën e shumë njerëzve më parë, duket se veçoria tjetër për detektim të rrëzimit po ashtu po funksionon shumë mirë.

Sipas KETV, një fermer 92-vjeçar nga qyteti Grant, Nebraska, duhet t’i falënderohet orës së mençur Apple Watch pasi ia ka shpëtuar jetën, shkruan ubergizmo. 

Fermeri ishte duke ngjitur shkallët për të siguruar një kosh gruri për pëllumbat, por fatkeqësisht kishte erë të fortë e cila shtyu shkallët e tij dhe është rrëzuar në tokë, transmeton KOHA. Pasi ai ishte vetëm, askush nuk mund ta ndihmonte. Atij në ndihmë i doli veçoria e orës së mençur Apple Watch për detektim në rast të rrëzimit e cila ka thirrur Departamentin e Zjarrfikësve të qytetit Grant për ndihmë.

Zjarrfikësit kanë arritur shpejt te fermeri dhe e kanë dërguar në spital menjëherë, ku tani është duke e marrë veten pas thyerjes së ijës dhe disa frakturave të tjera për shkak të rrëzimit nga shkallët në një lartësi prej rreth 6 metrave.

Kjo nuk është hera e parë që veçoritë e Apple Watch-it për detektim të rrëzimit shpëtojnë jetën e njerëzve. Më herët gjatë këtij muaji, është raportuar se si kjo veçori ka shpëtuar jetën e një burri kur ka thirrur 911-shin pasi ka humbur vetëdijen shkaku i rrëzimit.

Detektimi i rrëzimit është veçori e cila aktualisht është e aktivizuar automatikisht për përdoruesit të moshës mbi 65-vjeçare, por të tjerët kanë mundësi që ta aktivizojnë vetë. /KultPlus.com

Beyonce publikon këngën “Black Parade” (VIDEO)

“Black Parade” është kënga më e re e publikuar befasishëm nga Beyonce.

Në njoftimin që e ka bërë fillimisht publik në Instagramin e saj, Beyonce thërret për të drejtat e njerëzve me ngjyrë.

“Black Parade” flet për ju, zërin tuaj, gëzimin tuaj”, thotë ndër të tjera këngëtarja.

Kënga u publikua pak orë pasi ajo njoftoi për fondin “BeyGOOD”, që ka nisur, dhe thotë se “përsosmëria e zezë është një formë proteste”. Ajo me këtë fond, po pretendon t’u ndihmojë të gjithë zezakëve që kanë në pronësi biznese.

“Gëzimi i zi është e drejta juaj”, shkruan ajo.

Kënga u publikua në kohën e “Juneteeth”, një festë që shënon zyrtarisht fundin e skllavërisë në SHBA. Kjo festë nisi në shtetin prej nga ka prejardhje Beyonce, Teksas. Por, shpejt kjo festë u bë zyrtare dhe tash festohet çdo vit më 19 qershor në gjithë SHBA-në.

“Black Parade”, që do të thotë “Parada e Zezë”, e Beyoncet, flet edhe për brutalitetin e policisë e zërat për t’i mbrojtur njerëzit me ngjyrë. /KultPlus.com

Arti i shenjave të vuajtjes

Artisti hungarez Jozsef Szurcsik ka humbur katër shokë të tij për një periudhë të shkurtër si pasojë e virusit COVID-19, dhe dhimbja e tmerrshme e pikëllimi që ai ka ndier e kanë transformuar artin e tij.

Szurcsik, ligjërues në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Hungarisë, është një nga artistët më me zë në artin bashkëkohor në vend. Gjithmonë ka provuar që të reflektojë mbi marrëdhëniet e shpirtit të njeriut dhe peizazhit në pikturat e tij shpeshherë surrealiste. Ka thënë se procesi i tij kreativ është ndikuar thellë nga dhimbja që ndien tani.

Më parë kishte pikturuar duke pasur një plan në mendje, por tani imazhet e kafkave, kokave që digjen dhe fytyrat e mërzitura krijohen rrjedhshëm nga brushat e tij. Ka thënë se pa qëllim, disa nga fytyrat në pikturat e tij reflektojnë tipare të atyre që ai ka humbur.

“Unë kisha katër shokë që ishin shumë të rëndësishëm për mua, janë katër njerëz që i kam humbur në një mënyrë shumë shokuese…Sikur kjo pandemi të mos shfaqej, ata do të ishin me ne edhe për një kohë të gjatë”, ka thënë ai.

Ende e ka të vështirë që të flasë për këtë. Një nga miqtë që ai ka humbur, nuk ishte as 40 vjeç.

Hungaria, e cila ka një popullsi me rreth 10 milionë banorë, ka regjistruar mbi 4 mijë raste me COVID-19, përfshirë 570 vdekje.

Szurcsik, që punon me teknika si grafi, litografi, e bën piktura me vaj dhe akrilik në pëlhurë, dhe po ashtu edhe skulptura, ka thënë se shëmbëlltyra e re e pikturave të tij po vepron si një lloj terapie. /Koha /KultPlus.com

Referandi (mitik) i Prishtinës, URBAN FM

Nga: Ballsor Hoxha

Kalimi i Radio Urban FM prej një fenomeni rrënjësisht identik dhe të identifikueshëm me esencën e lirisë, kalimi i Urbanit në mit, legjendë dhe histori të paarritshme, sa është i pashpjegueshëm dhe i pakuptueshëm po aq është edhe dëshpërues dhe i gjykueshëm (ndëshkueshëm), për vet ne, për vetë shoqërinë tonë. Liri dhe esencë e lirisë, pikërisht sikur partyt e Radio URBAN FM, kur krijohej dyzimi i njerëzores me atë që gjendet përtej jetës së përditshme të zakonshme dhe të kopesë.

Radio URBAN FM – ka qenë diçka që përpos muzikës ‘cutting edge’, përpos informacionit kritik, në të vërtetë të zanafillës së informacionit kritik, apo thënë ndryshe informacionit me vetëdije, që i ka dhënë fill edhe energjisë undergorund dhe avangarde. Urbani (siç është njohur në Prishtinë) URBAN FM tanimë ka kaluar në diçka si legjendë urbane, diçka mes mitit dhe realitetit, diçka që ka qenë një kohë apo që vetëm ka qenë imagjinatë e ‘prishtinalive’. Urbani, ka pasur edhe specialitetin e saj, thëniet, siglat, incizimet nga filmat, posaçërisht të Tranispotting dhe Fight Club, dhe të filmave të komunizmit të Shqipërisë, dhe thënie nga njerëz të zakonshëm kosovar nga vox popullit e saj. Copa, prerje, thënie që kanë kaluar në brumë për legjendë e legjenda.

Disa prej tyre janë

“… walk alternative, breath alternative talk alternative … pushing it to the limit…”

“kjo për neve shqiptarëve është diçka absurde”

“Gjermania do të investoj dy milion euro në Kosovë por nuk po kallxon ku”

“nuk e di nuk jam në rrjedhje, mu ka prish televizori qe nji muj”

“vazhno je da bude sloboda” (me rëndësi është që të jetë liri)

“… choose colour tv, choose washing machines… choose life… but I choose to choose something else.. I choose Urban FM”

“… pasi që po na dëgjon neve ti veç pe din çka po don…”

URBAN-i, Radio Urban FM, në përpjekjen e tij për të kapur dhe për të ndërtuar një kulturë të qëndrueshme dhe të vetëdijshme, ka vuajtur inferioritetin e shoqërisë sonë ndaj undergroundit, ndaj alternatives dhe ndaj avangardës, por aq më shumë ka vuajtur çudinë e shoqërisë sonë para një konfrontimi kritik të vetëdijshëm si të URBANIT me injorancën dhe izolimin kulturor të kolektivit tonë. Urbani ka qenë një kohë, tanimë është fenomeni i kujtesës së tij, si fenomen i mundësisë së konfrontimit të të keqes, të ligës dhe të injorancës në ne.

Në kritikën dhe filozofinë bashkëkohore referand quhet ajo pikë përvoje e njeriut, ai fenomen, dhe ajo paraqitje në vetëdijen e njeriut që as nuk ka ndodhur më parë dhe as ka gjasë të përsëritet. Në historinë e Prishtinës, ka pasur një fenomen, përvoje dhe mënyre të jetës që tejkalon çdo gjë paraprakisht asaj dhe si duket edhe në të ardhmen e afërt, diçka ngjashëm me paraqitjen e – Radio URBAN FM. Aq më shumë fenomeni URBAN FM ka pasur edhe një thënie krejtësisht spontane dhe krejtësisht anonime të një të riu kosovar që e përshkruan pikërisht inferioritetin e kolektivit tonë ndaj guximti të Urbanit, e ajo është “Kjo për neve shqiptarëve është diçka absurde”, që do të thotë, në përkthim, për shqiptarët është absurd, por jo edhe për dikë tjetër, etj…

URBAN FM, ashtu siç ka qenë dhe ashtu siç e ka përmbyllur punën e saj, ka qenë identifikim dhe mënyrë jete alternative dhe underground, në muzikën që e ka kultivuar, në filozofinë që e ka jetësuar dhe në programin e saj. Aq më shumë në punën e saj Radio Urban FM ka bërë atë që kosovari i zakonshëm nuk e bën as në imagjinatën e tij, prej mos përdorimit të qëllimshëm të gjeneratorëve në kohën e krizës së rrymës në Kosovë si shenjë solidarizimi me njerëzit e zakonshëm, e deri tek kujdesi prishtinas ndaj dëgjuesve me alternativen e saj, paradoksalisht duke shty deri në teh, e duke kultivu kujdes narrativi të po të njëjtës.

Dardan Islami, edhe tani i njohur për kritikën e tij, mendimin e tij, dhe idetë krejtësisht të pavarura, kishte thye akullin e diskutimit dhe debatimit publik në Kosovën e pasluftës në Urban FM. AI për vite me radhë ka pasur emisionet e tij ku kritika e ashtuquajtur urbane dhe e vetëdijesuar, e pavarur ka ballafaquar “Prishtinalinë” me çoroditë, me fenomenet dhe me paraqitjet në shoqërinë kosovare. Daradan Islami ka qenë edhe Show Man në emisionet e tij në Urban, show i tij ka qenë prej humorit të hollë e deri tek kritikat që kanë qenë nën vëzhgim të institucionevce të ndryshme për shkak të guximit të tij, çdo gjë ka qenë e diskutueshme, e parë nën kritikën urbane të Dardanit.

“Walk alternative, breath alternative, … pushing it to the limit” dëgjohej ikona e Urban FM i njohur si Shuki, në një nga siglat e radios. Kur pat filluar emetimin Urbani, Shuki ka pasur emisionin e tij ku tregonte përvojat e tij prej të shikuarit porno bashkë me babain e tij, e deri tek përjetimet e partyve më underground në Prishtinën e pasluftës, gjithnjë me përcjellje të DJ-ve dhe muzikës më underground të kohës, (gjithëherë të shkarkuar ilegalisht nga interneti, ende në atë Prishtinë nuk kishte lidhje dhe as mundësi të dëgjuarit të muzikës ndryshe). Migjen Kelmendi, me seriozitetin e një njeriut të rryer në kulturën alternative e pat quajtur Shukin “Një Skenderbe i Vogël”. Me rrëfimet e Shukit live në Urban, ishte e para herë që dikush hapej publikisht/rrëfente publikisht për “shijen e krem bananeve” pas partyve underground dhe për përjetimet “anti” shqiptare tej injorancës sonë, gjithnjë në frymën e konfrontimit të saj dhe të hapjes së mundësisë për të parë – ndryshe.

Urban FM ka pasur periudha të errëta, si financiarisht e po ashtu edhe ndanë sistemit. Megjithëse është themeluar dhe kanë punuar aty ushtarë direkt të UÇK dhe kanë qenë të mirënjohur, për ata që kanë dashtë, si patriot të ‘vetëdijshëm’, ata janë quajtur edhe – shkije -, – drogirasha -, – të degjeneruar -, e edhe të – rrezikshëm për rrethin -. Ka pasur kohë kur Urbani zhdukej nën të errëtën e shoqërisë sonë. Por gjithherë shfaqej, edhe më i fortë, edhe më kreativ e edhe më undergorund.

Një prej legjendave të informimit, dhe të talk show në radio, ish ushtari i UÇK Arientin Abdyli, duke e kultivuar sportin, muzikën “rep kualitet” (ironi e qëllimshme me një nga thëniet e qytetarëve të Prishtinës që përsëritej në radio), në të vërtetë muzikë të njohurisë më të lartë të saj, dhe të informimit prej fushës së Show Biz e deri tek politikat aktuale globale dhe lokale, ende është i papërsëritshëm, ende është i paarritshëm, por edhe ende është i anashkaluar për dijen enciklopedike, për profesionalizmin thellë depërtues në nyjet e çështjeve globale dhe lokale, dhe për përkushtimin e tij në profesionin e informimit kritik, Arientin Abdyli, i njohur si Ari i Urbanit, nuk e ka parë dhe as nuk e ka prezantuar asnjëherë informatën ‘copë’, ai është më i miri në atë që bën për shkak të kritikës së tij ndaj informatës që e jep, dhe të përpunimit të saj në intervistat e tij me të tjerët, që ende janë të paarritshme.

Berna Caka – edhe një hap tutje në vetëdijesimin e Prishtinës, me shijen e saj për muzikë, me backgroundin e saj në kulturën underground, dhe me kultivimin e këtyre dhe frymës/ave më të reja të muzikës globale, në emisionin e saj, një prej emisioneve të saj më të njohura “Drive Time me Bernën”, ka thyer përgjithmonë virgjërinë kosovare në përjetimin e muzikës underground dhe ka hipur një shkallë më lartë perceptimin e këtij fenomeni të njerëzimit – muzikën, në diçka tjetër, diçka që ende rezonon sikur – high – pas një party që rrënon sistemin tënd të asaj që ke ditur, duke të sjellë në një sferë të re të tokës. Këtë gjithnjë duke e bërë me kombinimin e dijes mbi këtë muzikë, muzikën vet dhe informatën rreth saj.

Urbani ka pasur edhe gjeneratat e tij, Strellakis Strella, moderator, kultivues i informacionit underground dhe muzikës me ‘vetëdije’ është një prej gjeneratave të reja në Urban, që ka krijuar trashëgiminë e Urbanit dhe ka orientuar vetëdijen alternative dhe në alternative të kulturës me dije, me informatë dhe me sjellje. Gjithnjë në emisionet e tij, në bashkëpunim me DJ-ët më të aftë shqiptar, si prezantim dhe si një ongoing party, ka pasur një prej emisioneve më të paarritshme profesionalisht që emetohej në prime time të radio emetimit, dhe që krijonte frymën, energjinë dhe ajo që njihet si ‘communion’ në alternativen, apo thënë më saktë: të ‘vetëdijshmen’. ETJ.

Një prej problemeve të shoqërive si kjo e jona, shqiptare, është se nuk kanë mbrojtje kulturore, që do të thotë medium të shtjellimit, përkufizimit dhe të diskutimit të kulturës së vetë kolektivit të vet. Turma, kopeja është tejet e rrezikshme dhe e vetëdijshme për politikën e saj (qoftë edhe sipas teorive), dhe në këtë legjendat si Urbani asnjëherë nuk arrijnë të shpërthejnë kordonin e turmës, injorancën vetë.

Urbani ka qenë antenë, ka qenë “vlera historike që duhet të mbrohet” me çdo kusht, ka qenë tehu i alternatives, undergorundit, avangardës dhe vetë kritika ndaj po të njëjtës, në këtë mënyrë duke krijuar kultivimin dhe orientimin e kulturës në atë që është e ‘vetëdijshme’.

Antena e alternatives globale dhe lokale në Prishtinë, Urbani, Radio Urban FM, ka qenë dhe ende është sinonim, dhe identitet, dhe luftë për urbanen si frymë dhe konfrontim i injorancës, dhe duke qenë tejet – përtej – kopesë ku gjendemi, ka mbetur si një ëndërr edhe e bukur por edhe e pikëllueshme, e asaj që ishte liria jonë dhe asaj që mund të kishte qenë liria jonë, por që në mungesën e guximit kulturor, së paku, është pështjellur me legjendat, mitet, dhe historinë e paarritshme në dukje. /KultPlus.com

Nga Vlora mbrëmë u hap sezoni i ri turistik në Shqipëri

Qendrim Badalli

Hotel Regina mbrëmë kishte mbledhur mysafir nga Shqipëria e nga Kosova sepse po e festonte hapjen e njësisë së re të Regina Group. Pikërisht mbrëmë me ceremoninë e inaugurimit ka filluar edhe zyrtarisht sezoni turistik për këtë vit në Shqipëri, shkruan KultPlus.

Në terasën e hotelit, literalisht me pamje nga deti, u vendosën të gjithë mysafirët e ftuar, pjesë e të cilëve ishin edhe 30 gazetarë nga Kosova, udhëtimi i të cilëve u mundësua nga agjencia e udhëtimit, “Fibula”.

Në një fjalë rasti, Ministri i Turizmi dhe Mjedisit në Shqipëri, Blendi Klosi, foli për rëndësinë e hotelit teksa tha se për turizmin është vit ‘jashtëzakonisht i vështirë”

“Ekspertët më të mirë të turizmit janë këta djem që kanë arritur ta bëjnë këtë hotel që po e inagurojmë sonte. Po marrim pjesë  në një nga ngjarjet më shpresëdhënëse. Është një vit jashtëzakonisht i vështirë për turizmin dhe inaugurimi i një hoteli i një nga zonat më të madhështore të zonës së Vlorës, është një sinjal i jashtëzakonshëm për entuziazmin që duhet të kemi edhe në fillim të sezonit”.



Tutje, Klosi, ftoj shqiptarët ta mbështesin turizmin e brendshëm.

“Edhe në kushtet e pandemisë, shpresoj shumë që shqiptarët ta mbështesin turizmin e brendshëm, të vazhdojnë turizmin brenda trojeve tona

Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, në një fjalë rasti tha se Shqipëria është vendi i përbashkët i të gjithë shqiptarëve.

“Prezantuesja që foli më parë tha që për shqiptarët që jetojnë matanë bjeshkëve, (referuar Kosovës) ky vendi këtu duket si shtëpia e dytë, në fakt mua më duket sikur ky vend është shtëpia e përbashkët e të gjithëve”.


Tutje, ai u shpreh i lumtur për njësinë e re që u hap mbrëmë.

“Si kryetar i Bashkisë së Vlorës, jam sonte shumë i lumtur që në qytetin tonë, në Vlorën e mrekullueshme, shtohet një njësi tjetër hotelerie”.

Përfaqësuesi i Ambasadës së Kosovës në Shqipëri, Blerim Xhemaili, në një fjalë rasti tha se shqiptarët e kosovës sërisht do të jenë në  bregdetin shqiptar për pushime.

“Është kënaqësi që sonte të jem këtu mes jush me hapjen e një hoteli kaq të bukur dhe impozant në Vlorë. Pa dyshim se shqiptarët e Kosovës tashmë do ta kenë edhe një vend tjetër ku do të vinë. Shpresoj dhe ju siguroj se kosovarët do të jenë këtu në Vlorë e në Shqipëri”.



Mbrëmja vazhdoi me një party dhe koktej rasti të organizuar tashmë në hotelin e ri ku të ftuarit nga Kosova dhe nikoqirët nga Shqipëri po vallëzonin e festonin së bashku.

Edhe sot, grupi i gazetarëve nga Kosova, pjesë e të cilit është edhe KultPlus, vazhdoi me aktivitete tjera në Vlorë, ku vizitoi Muzeun Etnografik të Vlorës si dhe Zonën Historik të saj. / KultPlus.com

“Dje isha i zgjuar, ndaj doja të ndryshoja botën. Sot jam i mençur, ndaj po ndryshoj veten time”

Thënie të bukura nga Rumi

“Shto fjalët, jo zërin. Është shiu që i rrit lulet, jo stuhia”.

“Ne kemi lindur prej dashurisë. Dashuria është mamaja jonë”.

“Dje isha i zgjuar, ndaj doja të ndryshoja botën. Sot jam i mençur, ndaj po ndryshoj veten time”.

“Ji mirënjohës për çdo gjë që vjen në jetën tënde, sepse çdo gjë është dërguar si një guidë nga lart”.

“Çdo moment përmbaj qindra mesazhe nga Zoti”.

“Edhe në fund të jetës ime, kur të kem vetëm një frymë të mbetur, nëse ti vjen, do të çohem e do të këndoj”.

“Kur jam me ty, unë mund të qëndroj zgjuar gjithë natën. Ndërsa kur ti nuk je këtu, unë nuk mund të shkoj dot as në gjumë. Falëndero Zotin për të dyja rastet e pagjumësisë dhe për diferencat që Ai ka krijuar midis tyre”.

“Çdo i gjallë ka për ta shijuar vdekjen, por vetëm disa prej tyre mund ta shijojnë jetën”.

“Kur i bën gjërat me shpirt, ke për të ndjerë një lumë kënaqësie brenda vetes”.

“Shndrit sikur gjithë universi të ishte yti”.

“Ai që ka një mik të mirë, nuk ka nevojë për një pasqyrë”.

– Rumi /KultPlus.com

Mario Vargas Llosa: Borges në shtëpinë e tij

Intervistë e pabotuar e vitit 1981

Nëse do të më duhej të përmendja një shkrimtar në gjuhën spanjolle të kohës sonë, vepra e të cilit do të rrojë për të lënë një gjurmë të thellë në letërsi, do të citoja këtë poet, tregimtar dhe eseist argjentinas, që i dha mbiemrin e tij artistes së famshme Grasiela Borges*, Jorge Luis Borges.

Një grusht librash që shkroi, gjithnjë libra të shkurtër, të përsosur dhe të çmuar si një unazë, ku njeriu ka përshtypjen se asgjë nuk mungon dhe asgjë nuk është e tepërt, kanë pasur dhe kanë një ndikim të madh tek ata që shkruajnë spanjisht. Tregimet e tij fantastike, të cilat zhvillohen në Pampa, në Buenos Aires, në Kinë, në Londër, në çdo vend të realitetit ose irealitetit, tregojnë të njëjtën imagjinatë të fuqishme dhe të njëjtën kulturë të frikshme sa edhe esetë e tij mbi kohën, gjuhën e vikingëve… Por erudicioni te Borgesi nuk është kurrë diçka e dendur, akademike, por gjithnjë është diçka e pazakontë, e shkëlqyeshme, argëtuese, një aventurë e shpirtit, prej nga ne lexuesit gjithmonë dalim të befasuar dhe të pasuruar.

Intervista me Borgesin është zhvilluar në një apartament modest, në qendër të Buenos Airesit, ku ai jetonte i kujdesur nga një punonjëse, e cila i shërbente edhe si shoqëruese, pasi Borgesi kishte disa vjet që e kishte humbur shikimin; po ashtu i shoqëruar nga një maçok angora, të cilin e kishte pagëzuar me emrin Bepo, sepse, siç tha, ashtu quhej maçoku i poetit anglez, Lord Bajron, të cilin ai e admironte.

INTERVISTA:

Llosa: Më habiti shumë fakti që, duke parë bibliotekën tuaj, nuk gjeta libra tuajt. Pse nuk ka libra tuajt në bibliotekë?

Borges: Kujdesem shumë për bibliotekën time. Kush jam unë që ta quaj veten njësoj me Shopenhauerin…

L: Dhe nuk ka as libra për ju, shikoj që nuk ka asnjë nga gjithë ata libra që janë shkruar për ju.

B: Nga ata unë kam lexuar në Mendosa, të parin, të botuar gjatë diktaturës.

L: Cila diktaturë, Borges? Sepse, për fat të keq, ka pasur kaq shumë…

B: Ajo e atij… emrin e të cilit nuk dua ta kujtoj.

L: As mos e përmendni.

B: Jo, as dua ta kujtoj. Ka fjalë të cilat është mirë t’i shmangësh. Epo, doli libri Borges, enigma dhe çelësi, shkruar nga Ruis Dias (Ruiz Díaz), një profesor nga Mendosa, dhe nga një bolivian, Tamajo. Dhe e lexova atë libër për të parë nëse mund ta gjeja çelësin, pasi enigmën e njihja. Pastaj, nuk kam lexuar më asnjë tjetër. Alisia Hurado (Alicia Jurado) ka shkruar një libër për mua. E falënderova dhe i thashë: “Unë e di se është mirë, por tema nuk më intereson mua ose ndoshta më intereson shumë, kështu që nuk do ta lexoj.”

L: Domethënë, nuk e keni lexuar as atë biografinë voluminoze që Rodriges Monegali (Rodríguez Monegal) ka shkruar për ju.

B: Dhe doni të thoni se është shumë e mirë?

L: Së paku shumë e dokumentuar dhe realisht e bërë me një nderim të thellë, me një dashuri të madhe për ju, madje, besoj, me njohuri të mëdha për veprën tuaj.

B: Po, jemi miq. Ai është nga Melo, apo jo? Nga Uruguai.

L: Po, dhe, gjithashtu, në një nga tregimet tuaja paraqitet si personazh.

B: Për qytetin Melo mbaj mend disa vargje shumë të këndshme të Emilio Oribes, të cilat fillojnë në një mënyrë pa shumë vlerë, por pastaj lartësohen, marrin flakë: “Unë kam lindur në Melo, qytet i shtëpive koloniale…” Epo, kjo nuk është shumë…, “shtëpi koloniale”, pak më ndryshe “shtëpi të stilit kolonial”… “Unë kam lindur në Melo, një qytet i shtëpive koloniale, në mes të fushave të pafundme, plot panik”, dhe tani zmadhohet, “në mes të fushave të pafundme, plot panik dhe pranë Brazilit”. Shikoni si vjen duke u rritur vargu, ë? Si vjen duke u zgjeruar!

L: Mbi të gjitha, sepse e thoni ju.

B: Jo, por… “Unë kam lindur në Melo, një qytet me shtëpi koloniale” nuk është asgjë; “në mes të rrafshinës së pafund dhe të frikshme, pranë Brazilit”, dhe tashmë shikon një krenari në fund të vargut. Është shumë e bukur. Emilio Oribe.

L: Është shumë e bukur. Borges, është një gjë, për të cilën ka vite që dua t’ju pyes. Unë shkruaj romane dhe gjithmonë më lëndon një frazë juaja, shumë e bukur, por shumë fyese për një romancier, një frazë që, pak a shumë, është kështu: “Është prirje varfanjake të kërkosh të shkruash romane, të duash ta zgjerosh në pesëqind faqe diçka që mund të formulohet në një frazë të vetme”.

B: Po, por është një gabim, një gabim, sipas meje. Të sorollatesh kot, apo jo? Ose të jesh i paaftë.

L: Por keni qenë një lexues i shkëlqyer dhe një përkthyes i mrekullueshëm i romaneve.

B: Jo, jo. Unë kam lexuar shumë pak romane.

L: Megjithatë, romanet shfaqen në veprën tuaj, janë përmendur, madje janë sajuar.

B: Po, por unë jam tmerruar nga romancieri Uilliam M. Thekëri (Thackeray). Përkundrazi, Dinkes më pëlqen shumë.

L: Vanity Fair (Panairi i kotësive) ishte shumë i mërzitshëm për ju.

B: Romanin Pendennis, me shumë sforcim, munda ta lexoj, por, Vanity Fair, jo, nuk munda.

L: Josef Konrad (Joseph Conrad), për shembull, është një autor që ju e admironi, nuk ju interesojnë romanet e Konradit?

B: Po, sigurisht që po, veçse këtu bëj disa përjashtime. Për shembull, rasti i Henri Xhejmsit (Henry James), i cili, le të themi, ishte tregimtar dhe romancier i shkëlqyer, i një kalibri tjetër.

L: Por, midis autorëve më të rëndësishëm për ju, a nuk ka ndonjë romancier?

B: …

L: A do të përmendnit ndonjë romancier midis autorëve që ju i konsideroni më të rëndësishëm, apo ata janë kryesisht poetë dhe eseistë?

B: Dhe tregimtarë.

L: Dhe tregimtarët.

B: Sepse nuk mendoj që Një mijë e një net është një roman, apo jo? Është një antologji e pafund.

L: Avantazhi i romanit është se gjithçka mund të jetë roman. Mendoj se është një zhanër kanibal, i cili i gëlltit të gjitha zhanret.

B: Sa i përket “kanibalit”, e dini origjinën e fjalës?

L: Jo, nuk e di, cila është?

B: Shumë e bukur. Karaibe,  nga e cila vjen karibal dhe pastaj kanibal.

L: Pra, qenka një fjalë me origjinë latino-amerikane.

B: Po, por pa “latino”. Ata ishin një fis indianësh, karibët, një fjalë indigjene, dhe prej andej erdhi kanibal dhe Kaliban, te Shekspiri.

L: Kontribut interesant i Amerikës në fjalorin universal.

B: Ka shumë të tjera: çokollatë, që ishte xocoatl, besoj, apo jo? Për fat të keq, ka humbur l, në fund. Po ashtu papa.

L: Sipas jush, cili ka qenë kontributi më i mirë i Amerikës në fushën e letërsisë? I gjithë Amerikës: Amerikës hispanike, portugeze… Ndonjë autor, ndonjë libër, ndonjë temë?

B: Unë do të thosha se gjëja më e mirë është modernizmi, në përgjithësi. Ishte vepër e letërsisë në gjuhën spanjolle, dhe kjo buron nga kjo anë, ana jonë, siç thekson Maks Enrikes Urenja (Max Henríquez Ureña). Unë kam folur me Huan Ramon Himenesin (Juan Ramón Jiménez) dhe ai më ka treguar për emocionin me të cilin kishte marrë një kopje të Maleve të arit (vepër poetike e Leopoldo Lugonesit, 1897), dhe për ndikimin e tij te poetë të mëdhenj në Spanjë. Prandaj them se vjen nga kjo anë. Dhe çuditërisht, ne këtu jemi shumë më afër Francës – jo gjeografikisht – nga ç’janë spanjollët. Unë, në Spanjë, kisha vënë re se mund të lavdëroje Anglinë, Italinë, Gjermaninë, madje edhe Amerikën e Veriut, por, nëse lavdëroje Francën, atyre nuk u vinte mirë.

L: Kudo, nacionalizmi është diçka shumë e vështirë për t’u çrrënjosur.

B: Një nga të këqijat e mëdha të kohës sonë.

L: Po, Borges, për këtë do të doja të flisja pak, sepse… Mendoj se mund t’ju flas me shumë sinqeritet.

B: Po, dhe unë, veç kësaj, dua t’ju them se është një e keqe që u përket të djathtëve dhe të majtëve.

L: Disa nga deklaratat tuaja politike edhe mund të më habitin, por, kur flisni për çështjen e nacionalizmit, meritoni gjithë admirimin dhe respektin tim. Mendoj se përherë keni folur me kthjelltësi të madhe për këtë temë, ose, më saktë, kundër nacionalizmit.

B: E megjithatë, unë e kam pësuar prej tij.

L: Por tani, me këta të fundit…

B: Për faktin si flas për brigjet e Buenos Airesit, për faktin se nuk i njoh bejtet patriotike dhe sherrxhinjtë patriotë, pse nuk i pranoj këto gjëra në letërsinë time. Unë kam shkruar milonga*… Gjithçka është e denjë për letërsi, pse jo edhe tema autoktone?

L: Unë e kam fjalën për nacionalizmin politik.

B: Ky është një gabim, sepse, nëse dikush do një gjë kundër tjetrit, është diçka që, në të vërtetë, nuk do ta dëshironit. Për shembull, nëse unë dua një Angli kundër Francës është një gabim, duhet t’i dua të dyja vendet, brenda mundësive të mia.

L: Ju keni bërë shumë deklarata kundër çdo armiqësie të mundshme midis Argjentinës dhe Kilit.

B: Edhe më shumë duhej. Edhe pse, aktualisht, jam nip dhe stërnip ushtarakësh dhe, më larg, pushtuesish, të cilët nuk më interesojnë fare, unë jam pacifist. Mendoj se çdo luftë është një krim. Madje edhe, kur pranohen si luftëra të drejta, siç ishte, pa dyshim, Lufta e Gjashtë Ditëve*; nëse pranojmë një luftë të drejtë, qoftë edhe një të vetme, kjo, tashmë, i hap derën çdo lufte dhe kurrë nuk do të mungojë arsyeja për ta justifikuar atë, sidomos kur akuzohen dhe burgosen si tradhtarë ata që mendojnë ndryshe. Unë, dikur, nuk i kisha kuptuar që Bertrand Ruselli, Gandi, Huan B. Alberdi dhe Romen Rolani kishin të drejtë të kundërshtonin luftën; dhe ndoshta tani nevojitet më shumë guxim për të kundërshtuar luftën sesa për ta përkrahur apo për të marrë pjesë në të.

L: Për këtë, jam dakord me ju. Mendoj se është shumë e saktë kjo që thoni. Cili është regjimi politik ideal për ju, Borges? Çfarë do të dëshironit për vendin tuaj dhe për Amerikën Latine? Ç’regjim do t’ju dukej më i përshtatshëm për ne?

B: Unë jam një anarkist i vjetër spencerian dhe besoj se Shteti është një e keqe, por për momentin është një e keqe e nevojshme. Nëse do të isha diktator, do të hiqja dorë nga posti im dhe do të kthehesha te letërsia ime shumë modeste, sepse nuk kam zgjidhje tjetër për të ofruar. Unë jam një person i hutuar, i dekurajuar, si të gjithë bashkatdhetarët e mi.

L: Por ju e konsideroni veten një anarkist, në thelb, një njeri që mbron sovranitetin individual kundër Shtetit.

B: Po. Megjithatë, nuk e di nëse jam i denjë. Gjithsesi, nuk besoj se ky vend është i denjë për demokraci apo anarki. Ndoshta në vendet të tjera mund të bëhet, në Japoni ose në vendet skandinave. Këtu, pa dyshim, zgjedhjet do të ishin të këqija dhe do të na sillnin një Frondizi* tjetër apo të tjerët…, etj.

L: Ky skepticizëm sikur bie ndesh me disa prej deklaratave tuaja optimiste që bëni për paqen, pikërisht kundër luftës, së fundmi, kundër torturave dhe të gjitha formave të shtypjes.

B: Po, e di. Por nuk e di nëse kjo mund të jetë e dobishme. Unë i kam bërë ato deklarata për arsye etike, por nuk mendoj se janë të dobishme, nuk mendoj se mund t’i ndihmojnë ndokujt. Ato mund të më ndihmojnë të qetësoj ndërgjegjen time, asgjë më shumë. Por nëse unë do të isha një qeveri, nuk e di se çfarë do të bëja, ne jemi në një rrugë qorre.

L: Unë, pothuajse, një çerek shekulli më parë, ju kam bërë një intervistë në Paris dhe një nga gjërat që ju pyeta…

B: Një çerek shekulli… Prit. Është tejet e trishtuar, nëse do të flasim për një çerek shekulli përpara…

L: …një gjë që ju pyeta ishte se ç’mendonit për politikën, dhe a e dini se si  m’u përgjigjët? “Është një nga format e mërzisë”.

B: Oh, mirë, në rregull.

L: Ishte një përgjigje e bukur, por nuk e di, nëse do t’jua përsëritja tani: vazhdoni të mendoni se është një nga format e mërzisë?

B: Hëm, do të thosha se fjala mërzi është pak e butë. Gjithsesi, le të themi e neveritshme. Mërzitje është tepër… Është një understatement…

B: Nuk e di nëse dikush mund të admirojë politikanë, njerëz që janë të përkushtuar për të rënë dakord, për t’u korruptuar, për të buzëqeshur, për t’u fotografuar dhe, më falni, për të qenë popullorë…

L: Ç’tip njerëzish admironi ju, Borges? Aventurierët…

B: Po, i kam admiruar shumë, por tani nuk e di. Më pëlqejnë aventurierët individualë.

L: Cilin, për shembull? Ju kujtohet ndonjë aventurier që do të donit të ishit?

B: Jo, nuk do të doja të isha dikush tjetër.

L: Ju jeni i lumtur me fatin e Borgesit.

B: Jo, nuk jam i lumtur, por e di që me një fat tjetër do të isha dikush tjetër. Dhe siç thotë Spinoza, “çdo gjë dëshiron vetminë e qenies së vet”. Unë insistoj të jem Borges, nuk e di pse.

L: Mbaj mend një nga frazat tuaja: “Kam lexuar shumë gjëra dhe kam jetuar pak”, e cila nga njëra anë është shumë e bukur dhe nga ana tjetër duket nostalgjike…

B: Shumë e trishtuar.

L: Duket se po qaheni.

B: E kam shkruar kur isha tridhjetë vjeç dhe nuk e kuptoja që të lexuarit është gjithashtu një mënyrë jetese.

L: Por, a nuk keni ndonjë peng për gjëra që nuk i keni bërë, ngaqë i jeni përkushtuar për kaq shumë kohë jetës thjesht intelektuale?

B: Besoj se jo. Mendoj se me kalimin e kohës njeriu, në thelb, i jeton të gjitha gjërat dhe, më e rëndësishme, nuk janë përvojat, por ajo që njeriu bën me to.

L: Mendoj se kjo ju ka çliruar shumë nga gjërat materiale. Kushdo e kupton këtë, kur vjen në shtëpinë tuaj. Në të vërtetë, ju jetoni si një murg, shtëpia juaj është tepër e thjeshtë, dhoma juaj e gjumit duket si qeli e një murgu trapens, në të vërtetë keni një përkorje të jashtëzakonshme.

B: Luksi më duket një vulgaritet.

L: Ç’kuptim kanë paratë për ju, në jetë, Borges?

B: Mundësi për të siguruar libra dhe udhëtime dhe për t’i zgjeruar e për t’i zhvilluar ato.

L: Por, nuk ju kanë interesuar kurrë paratë? Nuk keni punuar kurrë për të fituar para?

B: Epo, edhe nëse e kam bërë, duket se nuk ia kam arritur dot. Sigurisht që mirëqenia është më e mirë se varfëria, veçanërisht në një vend të varfër, ku, tërë kohën, je i detyruar të mendosh për paratë. Një person i pasur mund të mendojë për diçka tjetër. Unë kurrë nuk kam qenë i pasur. Prindërit e mi po, kemi pasur prona dhe i kemi humbur, na i kanë konfiskuar, por, gjithsesi, nuk mendoj se ka shumë rëndësi kjo.

L: Ju e dini që një pjesë e mirë e vendeve të kësaj toke sot jetojnë në varësi të parave, mirëqenia materiale është nxitja e tyre.

B: Është e natyrshme të jetë ashtu, sidomos kur ka një varfëri të tillë. Për çfarë tjetër mund të mendojë një lypës, veçse për paratë dhe ushqimin. Nëse ju jeni shumë i varfër, duhet të mendoni për para. Një i pasur mund të mendojë për diçka tjetër, por një i varfër, jo. Ashtu sikurse edhe një i sëmurë duhet të mendojë vetëm për shëndetin. Secili mendon për atë që i mungon, jo për atë që ka. Kur unë e kisha shikimin, nuk mendoja se ky ishte një privilegj, ndërsa sot do të jepja gjithçka për të më riardhur shikimi dhe nuk do të dilja nga kjo shtëpi.

L: Borges, më ka befasuar shumë shtëpia modeste në të cilën jetoni, veçanërisht dhoma juaj e gjumit aq e thjeshtë. Një nga objektet e pakta që shikon në dhomën tuaj të gjumit është medalja e Urdhrit të Diellit dhënë nga qeveria peruane.

B: Është medalja që iu dha familjes sonë, pas katër brezave.

L: Dhe si ka ndodhur kjo, Borges?

B: Atë medalje e ka marrë stërgjyshi im, kolonel Suares, i cili drejtoi një sulm të kalorësisë peruane në Hunin. Ai e fitoi atë Urdhër dhe mori gradën e kapiten-kolonelit nga Bolivari*. Pastaj, gjatë Luftës Civile, atë Urdhër e humbi. Edhe pse familja ime ishte unitare*, së largu, unë jam i lidhur me De Rosas* – ne, të gjithë jemi të afërm në këtë vend pothuajse të pabanuar. Pas katër brezave kjo medalje na u kthye, tashmë për motive letrare, për këtë, unë shkova me time ëmë në Lima, e cila qau, sepse i kujtohej që këtë medalje e shihte në portretet e gjyshit tim, ndërsa tani e kishte në duar dhe ishte për djalin e saj. Ishte shumë, shumë e emocionuar.

L: Me fjalë të tjera, marrëdhënia juaj me Perunë shtrihet në shumë breza.

B: Po, në katër breza. Madje, është më herët, do t’jua them, unë isha… Ah, jo, jo, prit… Po. Unë kam qenë në Kusko dhe kam parë një shtëpi me një emblemë në formën e kokës së dhisë, dhe aty kishte qenë Heronimo Luis de Kabrera* (Jerónimo Luis de Cabrera), katërqind vjet më parë, i cili ka themeluar një qytet të quajtur Ika, që nuk e di se ku është, dhe qytetin Kordova, në Argjentinë. Dua të them, është një marrëdhënie e vjetër.

L: Kështu që ju, në njëfarë mënyre, jeni edhe peruan.

B: Po. Sigurisht që po.

L: Çfarë ideje kishit për Perunë, përpara se të shkonit në Lima?

B: Një ide shumë të paqartë që mendoj se ishte mbështetur kryesisht te historiani Uliam Preskot (William Presccott).

L: Te Historia e Pushtimit të Perusë e Preskotit. Kur e keni lexuar atë histori?

B: Ndoshta, duhet të kem qenë shtatë ose tetë vjeç. Libri i parë i historisë që kam lexuar në jetën time. Më vonë, kam lexuar Historinë e Republikës së Argjentinës të Visente Fidel Lopesit (Vicente Fidel López), dhe më pas historinë e romakëve dhe atë të grekëve. Por libri i parë që kam lexuar, throughout, domethënë, nga fillimi në fund, ka qenë ai.

L: Dhe çfarë ideje kishit për Perunë, atë të një vendi ndoshta mitik?

B: Po. Pak mitik. Dhe, më pas, unë u bëra shumë mik me një shkrimtar, pa dyshim i harruar prej jush, peruani Alberto Hidalgo, nga Arekipa.

L: Që ka jetuar një kohë të gjatë në Argjentinë, apo jo?

B: Po, dhe ai më zbuloi një poet nga i cili unë mësova shumë poezi përmendsh.

L: Cili poet, Borges?

B: Eguren.

L: Ose Maria Eguren (José María Eguren).

B: Po. Ai. Libri quhej Vajza me llambën blu, apo jo?

L: Është një poemë, një nga poemat më të njohura të Egurenit.

B: Po. Ishte dhe një poemë tjetër… Unë kam një imazh të paqartë për një anije dhe një kapiten të vdekur që drejton anijen. Nuk i mbaj mend vargjet.

L: Është një poet simbolist me çiltërsi dhe delikatesë të madhe.

B: Një delikatesë e madhe. Nuk e di nëse edhe çiltërsi. Unë mendoj se ai ishte qëllimisht i çiltër.

L: Them i çiltër jo në kuptimin pezhorativ, jo naiv.

B: Jo, jo. Natyrisht, çiltërsia është një meritë.

L: Ai nuk doli kurrë nga Peruja dhe besoj se edhe nga Lima, kurrë. Dhe, për habi, një pjesë të mirë të veprës së tij e shkroi për një botë nordike, për zanat skandinave. Tema veçanërisht ekzotike për të.

B: Sepse nostalgjia është shumë e rëndësishme.

L: Ndoshta kjo krijon njëfarë afërsie midis jush, midis Egurenit dhe jush.

B: Po. Është e vërtetë që unë jam duke menduar për vende që nuk i njoh ose që i kam njohur shumë më vonë. Do të dëshiroja shumë të njihja Kinën ose Indinë…, megjithëse tashmë, në fushën e letërisë, i njoh mirë.

L: Cili vend do t’ju emocionte më shumë, po ta njihnit, Borges?

B: Nuk e di, do të thosha Japonia, Anglia dhe…

L: Islanda, për shembull?

B: Islanda, pa dyshim, sepse unë jam duke studiuar gjuhën nordike, e cila është gjuha mëmë e suedishtes, norvegjishtes, danishtes, gjithashtu, pjesërisht, e anglishtes.

L: Është një gjuhë që ka pushuar së foluri, sa shekuj më parë?

B: Jo, jo, aktualisht, flitet në Islandë. Kam botime të klasikëve, vepra të shekullit XIII, dhe këto botime, që m’i kanë dhuruar ose i kam blerë në Rejkjavik, nuk kanë fjalor, as prolog dhe as shënime.

L: Me fjalë të tjera, është një gjuhë që nuk ka evoluar, që vazhdon të jetë e njëjtë, gjatë tetë shekujve.

B: Unë dyshoj se shqiptimi ka ndryshuar. Ata mund të lexojnë klasikët e tyre, ashtu si një anglez mund të lexojë, për shembull, William Dunbar, Geoffrey  Chaucer-in, ose sikur të mund të lexonim, nuk e di, Këngët e Sidit spanjoll apoe La chanson de Roland francez.

L: Ose grekët e Homerit.

B: Po, pikërisht. Ata mund t’i lexojnë klasikët e tyre në botime pa shënime, pa fjalorë, pa dyshim, duke i shqiptuar ato në një mënyrë tjetër. Por, për shembull, shqiptimi në anglisht gjithashtu ka ndryshuar shumë. Ne themi To be or not to be  dhe duket se Shekspiri, në shekullin e XVII i thotë ende, duke i ruajtur zanoret e hapura saksone: “Tou be or nat Tou be be.” Kjo është shumë më kumbuese, krejtësisht e ndryshme, dhe pothuajse komike, tani.

L: Borges, ky kuriozitet ose, më shumë se kuriozitet, kjo magjepsje juaja ndaj letërsisë ekzotike…

B: Nuk e di nëse është ekzotike

L: I referohem interesit tuaj për letërsinë nordike ose anglo-saksone.

B: Epo, anglo-saksonia është letërsia e lashtë angleze.

L: …ju besoni se ka të bëjë me…

B: Me nostalgjinë?

L: Me Argjentinën, me faktin se Argjentina është një vend krejtësisht modern, pothuaj, pa të kaluar.

B: Po. Ashtu besoj, dhe se ndoshta një nga pasuritë tona është nostalgjia. Mbi të gjitha, nostalgjia për Europën, që një europian nuk mund ta ndiejë, sepse një europian nuk ndihet europian, por, le të themi, anglez, francez, gjerman, spanjoll, italian, rus…

______________________

*     Graciela Noemí Zabala (1941) – e njohur si Graciela Borges, artiste argjentinase, qysh kurshkrimtari Jorge Lis Borges i fali mbiemrin e tij, sepse i ati i saj ia ndaloi përdorimin e mbiemrit të tij.

*     Milonga – tekste këngësh popullore.

*     Lufta e Gjashtë Ditëve – lufta midis Izraelit dhe koalicionit arab (1967)

*     Arturo Frondizi – president i Argjentinës (1958 – 1962), vendosi një regjim diktatorial.

*     Simon Bolivar (1783 – 1830) – figura më e madhe në historinë e Amerikës Latine, luftëtari dhe çlirimtari i saj prej kolonizatorëve spanjollë.

*     Unitar – ithtar i Partisë Unitare, themeluar në shek. XIX.

*     Juan Manuel de Rosas (1793 – 1877) – ushtarak dhe politikan argjentinas.

*     Jerónimo Luis de Cabrera (1528 – 1574) – ushtarak, eksplorator dhe kolonizator spanjoll.

Buenos Aires, junio de 1981

Marrë nga libri Gjysmë shekulli me Borgesin.Mario Vargas Llosa. Alfaguara, 2020.

Përktheu nga origjinali spanjisht Bajram Karabolli /exlibris.al /KultPlus.com

Lleshaj: Nuk do të lejojmë ndërtimet pa leje përgjatë vijës bregdetare

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Sandër Lleshaj kërkoi sot një vëmendje të shtuar të strukturave përgjegjëse për të parandaluar ndërtimet pa leje përgjatë vijës bregdetare.

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj zhvilloi sot një takim në Sarandë, me kryetarët e Bashkive Sarandë, Delvinë, Himarë, Finiq e Konispol, deputetët e qarkut Vlorë, përfaqësues e drejtues vendorë, Prefektin, drejtues të Policisë së Shtetit dhe IKMT, për të diskutuar për mbarëvajtjen e sezonit turistik, masat për mbrojtjen e mjedisit dhe kundër ndërtimeve pa leje, luftën antikanabis dhe çështje të tjera që lidhen me sigurinë.

Duke folur për krimin mjedisor, Lleshaj “kërkoi që strukturat përgjegjëse të bëjnë maksimumin kundër krimit mjedisor”. Ai tha se “Policia e Shtetit do të ndërmarrë masat ligjore kundër atyre që kryejnë krim mjedisor, Kodi Penal i Republikës ka 19 nene që adresojnë krimin mjedisor”.

Lidhur me ndërtimet pa leje, Lleshaj tha se IKMT dhe Policia e Shtetit punojnë së bashku për të adresuar këtë problem. “Kundër krimit mjedisor do të ketë gjoba shumë të majme ashtu sikundër edhe përgjegjësi penale. Policia bashkë me IKMT do të marrin masa të plota për ta ushtruar këtë përgjegjësi me seriozitet”, tha ai.

“Vija bregdetare nuk duhet të cënohet më tej. Ne nuk do të lejojmë më asnjë tullë që të vendoset pa leje në vijën bregdetare. Për këtë duhet që drejtuesit përkatës, veçanërisht Policia e Shtetit ta kenë të qartë se e kanë faturë mbi shpinë çdo konstatim për cënim të vijës bregdetare”, tha Lleshaj.

Ai garantoi se “nuk do të lejojmë asnjë tullë të re të shtohet përgjatë vijës bregdetare, apo ndërhyrjet nëpër plazhe”. “Policia dhe IKMT e kanë të qartë se këtu nuk ka asnjë hapësirë për të diskutuar. Ndërtimet pa leje që janë jashtë çdo procesi legalizimi nuk tolerohen, ndërsa ato që janë futur në proces legalizimi nuk bëhet fjalë që ne të ndërhyjmë. Por, asnjë tullë apo bankinë private nuk mund të ndërtohet në vijën bregdetare. Prekja e konfiguracionit natyror të vijës bregdetare është e papranueshme”, tha ai.

Lleshaj shtoi se “Policia ka po ashtu detyra të shtuara edhe në kontekstin e sigurisë në plazhe”. “Këtë vit të shtohen masat e Policisë edhe sa i takon kontrollit në plazhe”, tha Lleshaj.

Ministri u shpreh se “siguria është prioritet, ndaj Policia do të godasë edhe krimin e vogël, i cili është i papranueshëm sidomos kur ndodhe dhe në zonat minoritare “.

Lleshaj tha se “ne kemi një ndër Policitë më të vogla në rajon, por qeveria po vijon përpjekjet për shtimin e numrit të policëve, që të afrohemi me numrin e policisë për frymë të vendeve europiane”.

“Kryeministri ka dhënë miratimin e tij për shtimin e mbi 500 punonjësve të rinj policie. Me këtë shtojmë kapacitetet”, tha Lleshaj, ndërsa nxiti edhe përfshirjen në radhët e Policisë nga zonat minoritare. /KultPlus.com

Fjala

Poezi nga Xhevahir Spahiu

I thanë fjalës: tani je e lirë.
Po fjala s’kish fuqi t’u thosh: nuk më duhet.
E ç’më duhet
kur s’u thashë atëherë kur duhej?
Kam mbetur pa krahë,
kam mbetur pa qiell,
jam jetë pa ëndërr,
jam ëndërr pa jetë.
I thanë fjalës: je e lirë.
Vështirë, tha fjala, sa vështirë
të besosh se je e lirë;
pasi ke ngrënë rrokjet e tua,
pasi ke mbetur cung
dhe liria bëhet burg.
I thanë fjalës: liria jeton.
Fjala ua ktheu:
S’jam si Konstandini që pas vdekjes udhëton.
I thanë fjalës: ti je liria.
Për ta kuptuar këtë të duhet fare pak.
Ajo e besoi,
ajo hapi gojën,
po në vend të tingujve
prej saj
doli gjak. / KultPlus.com