Burimësitë etike të të menduarit filozofik

Nga: Karl Jaspers
Përktheu: Arben Haxhiymeri

Historia e filozofisë, si një formë e të menduarit metodik, zuri fill këtu e dymijë e pesëqind vjet më parë, ndërkohë që si formë e të menduarit mitik, fillesat e saj i vërejmë shumë kohë më parë. Sidoqoftë, fillesa është diçka krejtësisht e ndryshme nga burimi: fillesa është historike dhe u ofron pasardhësve një sasi të caktuar të dhënash në lidhje me punën intelektuale të kryer më parë, ndërkohë që burimi është gurra prej nga e përfton ekzistencën për t’u dhënë pas të menduarit filozofik. Vetëm lidhja e drejtpërdrejtë me burimin është gjithë sa i jep të menduarit filozofik të kohëve tona një kuptim thelbësor, ndërkohë që, nga ana tjetër, është po kjo lidhje që na bën të mundur të kuptojmë të menduarit filozofik të së shkuarës. Ndërkaq, ky burim na shfaqet i llojeve të ndryshme. Më së pari, ndjesia e habisë shpie në lindjen e pyetjeve dhe në formimin e ideve dhe pikëpamjeve të ndryshme; ndjesia e pasigurisë dhe dyshimi që njeriu ushqen në lidhje me shkallën dhe vërtetësinë e njohurive që ka arritur të përftojë shpije në lindjen e analizës kritike dhe procesit të vërtetimit; frika dhe ndjesia e të qenit i veçantë e shpije njeriun drejt sipërmarrjes për të njohur vetveten. Le të përpiqemi ndërkaq që të qëmtojmë nga afër këto tre burime.

Së pari: Platoni pohon se të menduarit filozofik buron nga ndjesia e habisë. Falë syve, “kemi mundësinë të marrim pjesë në shfaqjen e mrekullueshme që ofrojnë yjet, dielli dhe kupa qiellore”. Kjo shfaqje “na shtyu që t’i hyjmë vrojtimit të kujdesshëm dhe të thelluar të mbarë gjithësisë; pikërisht prej këndejmi zuri fill dhe u zhvillua të menduarit filozofik, më e çmuara ndër tërë dhuntitë që hyjnitë u dhanë vdekatarëve”. Ndërkaq, Aristoteli pohon: “Në të tashmen, sikundërse edhe në të shkuarën, njerëzit filluan që të jepen pas të menduarit filozofik për shkak të ndjesisë së habisë: në fillim ndiheshin të habitur përballë gjërave të çuditshme me të cilat haseshin; më pas, dora-dorës që përparonin, filluan që të ngrinin pyetje në lidhje me probleme shumë herë më të thella dhe më të mëdha: për shembull, rreth problemeve që lidheshin me dukuritë e hënës, me dukuritë e diellit dhe të yjeve të tjerë, apo rreth problemeve në lidhje me zanafillën e mbarë gjithësisë”. Ndjesia e habisë e shtyn njeriun që të vihet në hulumtim të njohjes.

Gjatë kohës kur ndjejmë habi, në një formë apo tjetrën bëhemi të vetëdijshëm për mungesat që kemi në fushën e njohjes. Kështu që, pa një pa dy, vendosemi në hulumtim të njohjes, dhe fjala është për një hulumtim thjesht dhe vetëm për hir të njohjes, dhe jo “për të kënaqur apo për të përmbushur një nevojë të rëndomtë”. Gjatë kohës kur jepet pas të menduarit filozofikë, njeriu zgjohet, duke u çliruar nga pesha dhe vargonjtë e nevojave të përditshme. Ky zgjim zë fill në mënyrë krejt të natyrshme gjatë kohës kur njeriu sodit pa kurrfarë interesi gjësendet, qiellin, botën, dhe fillon që të pyesë veten: “Çfarë është vallë e gjithë kjo? Prej nga vjen vallë e gjithë kjo?”. Gjatë kohës kur përpiqet që t’i japë një përgjigje pyetjeve të kësaj natyre, njeriu nuk synon që të vjelë ndonjë përfitim material apo praktik, por thjesht që përgjigjet në fjalë të jenë sa më të kënaqshme dhe të qëndrueshme.

Së dyti: fill sapo arrijmë të davarisim ndjesinë e habisë dhe mahnitjes përmes njohjes së asaj çka është në vetvete objekti që shkakton vetë habinë, në një mënyrë apo tjetrën vërejmë të nxjerrë krye dyshimi. Natyrisht, tashmë kemi arritur që të kristalizojmë një mori idesh apo pikëpamjesh të caktuara, por ende nuk jemi në gjendje të themi nëse këto ide apo pikëpamje do të vijojnë të jenë të qëndrueshme dhe të vërteta edhe pas kalimit të tyre në sitën e analizës kritike. Perceptimet shqisore kufizohen dhe kushtëzohen nga shqisat tona, dhe pikërisht për këtë arsye mund të na shtyjnë në të shumtën e herëve drejt disa përfundimeve të gabuara; nga çdo këndvështrim që t’i shohim, këto perceptime nuk përkojnë me realitetin që ekziston në vetvete dhe jashtë nesh, në fund të fundit, me realitetin e pavarur nga perceptimet tona. Kategoritë që përdorim janë ato të të kuptuarit tonë njerëzor. Këto kategori i vërejmë shpeshherë të ngecin keqas në një rrjetë të dendur kontradiktash të pazgjidhshme. Kudo dhe kurdoherë një pohim i kundërvihet një pohimi tjetër. Gjatë përparimit që bëjmë brenda domenit të të menduarit filozofik, ne vendosemi vazhdimisht përballë dyshimit dhe përpiqemi që të vështrojmë, të trajtojmë dhe analizojmë në mënyrë rrënjësore gjithçka nën dritën e këtij dyshimi; gjatë këtij procesi analitik, dikush mund të ndalet dhe të kënaqet thjesht me një qëndrim skepticist, i cili e shtyn, nga njëra anë, që të mos pranojë asgjë dhe, nga ana tjetër, ia pret udhën në mes, duke i hequr çdo mundësi për të bërë qoftë edhe një hap të vetëm përpara; ndërkaq, një tjetër mund të mos kënaqet me një qëndrim të tillë, arsye për të cilën vendos që të vijojë hulumtimin e tij më tej dhe më në thellësi. Ndërkaq, pyetja që shtrohet krejt natyrshëm në këtë rast, është: a ekziston vallë një përftesë e sigurt dhe e qëndrueshme, një ide apo një pikëpamje përfundimtare, si të thuash, e cila të jetë në gjendje që të qëndrojë larg çdo dyshimi dhe t’i qëndrojë paepur çdo lloj qasjeje kritike?

Shprehja tashmë e njohur e Descartes-it “Mendoj, pra ekzistoj”, shfaqej për të një përftesë apo një përfundim më se i sigurt, pavarësisht se ai vetë u përpoq që ta vështronte gjithçka tjetër me dyshim. Arsyeja është më se e thjeshtë: edhe në rast se përpjekja jonë është e destinuar që të dështojë, edhe në rast se vetë dështimi shfaqet i një natyre të atillë, që i kapërcen paq të gjitha mundësitë dhe aftësitë e të kuptuarit tonë, sërishmi duhet thënë se e tërë kjo nuk na pengon aspak në të kuptuarit e të vërtetës së thellë që lëviz pas tij; më konkretisht këtu, të faktit se përpara se t’ia dalë apo të dështojë në një sipërmarrje të caktuar, njeriu lipset më së pari të ekzistojë. Dyshimi metodik na shtyn vetvetiu drejt analizimit kritik të mbarë njohurive, të ideve apo pikëpamjeve të përftuara; prej këndejmi, besojmë se del mjaft qartas në pah se të menduarit e mirëfilltë filozofik nuk mund të ekzistojë pa një qëndrim rrënjësisht dyshues. E megjithatë, gjithë sa shfaqet e nevojshme në këtë është përpjekja për të vëmë në pah se në ç’mënyrë dhe deri në ç’pikë na lejon kjo vënie-në-dyshim që të ndërtojmë një themel të sigurt në lidhje me njohjen.

Së treti: gjatë kohës që përpiqemi që t’i përqendrojmë të gjitha energjitë tona rreth njohjes së gjësendeve që gjenden në botën brenda të cilës jetojmë; gjatë kohës kur jepemi pas vëniesnë-dyshim si një mënyrë për të arritur tek njohja e sigurt dhe e përpiktë, në të vërtetë ne gjendemi dhe lëvizim në brendësi gjësendeve; aso çastesh nuk vramendemi rreth vetvetes, rreth qëllimeve, lumturisë apo shëlbimit tonë. Në këtë lënie-pas-dore apo harresë ndaj vetvetes, ne ndihemi të kënaqur me arritjen e kësaj njohjeje. Ndërkaq, kjo lloj sjelljeje ndryshon rrënjësisht në çastin kur ne bëhemi të vetëdijshëm apo ndërgjegjësohemi për ekzistencën e vetvetes brenda gjendjes në të cilën ndodhemi.

Epikteti, një mendimtar i shkollës së stoicizmit, pohon se “të menduarit filozofik lind dhe zhvillohet në çastin kur bëhemi të vetëdijshëm rreth dobësisë dhe pafuqisë sonë.”. Po si mund t’ia dalim vallë mbanë, nëse ndihemi dhe jemi vërtet të pafuqishëm? Përgjigjen që Epikteti dha në lidhje me këtë pyetje, mund ta përmbledhim me këto fjalë: gjithçka që gjendet jashtë mundësive dhe fuqive tona, është e nevojshme që ta vështrojmë si diçka që nuk ka kurrfarë lidhjeje me ne, dhe kjo për shkak të vetë natyrës që shfaq, ndërkohë që, nga ana tjetër, gjithçka që varet nga ne, shprehimisht këtu, përmbajtjen dhe formën e shtrimit të ideve, është e nevojshme që ta drejtojmë gjithnjë e më tepër për nga qartësia dhe liria përmes forcës së të menduarit. Dhe tani le të përpiqemi që të hedhim një vështrim të shpejtë rreth gjendjes ekzistenciale në të cilën ndodhemi ne, qeniet njerëzore. Njerëzit vërejmë të lëvizin gjithmonë brenda disa gjendjeve të caktuar ekzistenciale. Me ndryshimin e tyre, gjendjet ekzistenciale na vendosin vazhdimisht përballë një morie mundësish për të organizuar jetën tonë. Në rast se i lëmë të na rrëshqasin, mundësitë në fjalë humbasin, ikin dhe nuk kthehen më. Në jo pak raste, njeriu mund të përpiqet që të ndryshojë gjendjet ekzistenciale në të cilat ndodhet. Porse, nga ana tjetër, lipset që të themi, madje, edhe që t’i mëshojmë fort faktit, se ekzistojnë jo pak gjendje ekzistenciale të cilat në të vërtetë mbeten në thelb krejt të pandryshueshme, pavarësisht se mund të ndryshojnë në pamjet e tyre të përkohshme apo se forca tronditëse dhe ligjësitë e tyre të brendshme mund të qëndrojnë në errësirë: një ditë do të vdesim, apo se në këtë jetë është e pamundur që të mos hasemi me vështirësi apo vuajtje, apo se në këtë jetë na duhet shpeshherë që të përpiqemi dhe të ndeshemi me gjithfarë problemesh, apo se në të shumtën e herëve gjendemi në mëshirë të fatit, apo se në një formë apo tjetrën biem vazhdimisht në gabim etj. Të tilla gjendje themelore të ekzistencës sonë i cilësojmë si gjendje të fundme ekzistenciale. E shprehur paksa më ndryshe, fjala është për ato gjendje ekzistenciale të cilat jemi të pafuqishëm që t’i ndryshojmë apo t’u rrëshqasim, si me thënë.

Së bashku me habinë dhe dyshimin, vetëdija apo ndërgjegjësimi në lidhje me këto gjendje të fundme ekzistenciale është burimi më i thellë dhe më i pasur i të menduarit filozofik. Në jetën tonë të përditshme, shpeshherë mëtojmë t’u rrëshqasim, t’i anashkalojmë të tilla gjendje të fundme ekzistenciale, duke u përpjekur të mbyllim sytë dhe të jetojmë mend sikur syresh nuk ekzistojnë. Kështu, për shembull, shpeshherë përpiqemi të lëmë në harresë faktin se një ditë do të vdesim, apo faktin se kemi gabuar më se një herë, apo faktin se shpeshherë gjendemi në mëshirën e fatit. Në të shumtën e herëve mëtojmë që t’u bëjmë ballë vetëm atyre gjendjeve dhe situatave që shfaqen konkrete, të përditshme, duke u përpjekur t’i vëmë syresh nën “hyqmin” dhe “interesin” tonë; shpeshherë përpiqemi të reagojmë ndaj tyre duke thurur plane dhe duke vepruar sipas një mënyre a tjetre brenda botës në të cilën jetojmë, duke u shtyrë vazhdimisht nga interesat e jetës sonë të përditshme.

Ndërkaq, sa i përket gjendjeve të fundme ekzistenciale, ndaj syresh shpeshherë reagojmë ja përmes anashkalimit dhe lënies në harresë, ja përmes dëshpërimit dhe rilindjes, në ato raste kur arrijmë t’i ngërthejmë të tilla gjendje: arrijmë që të bëhemi vetvetja përmes një ndryshimi të brendshëm në vetëdijen apo ndërgjegjshmërinë tonë në lidhje me qenien si e tillë. Ndërkaq, gjendjen ekzistenciale të qenieve njerëzore mund ta përkufizojmë fare mirë duke ndjekur një drejtim tjetër; më konkretisht, duke e vështruar si një përftesë që mundësohet nga qëndrimi skepticist që shfaqim në lidhje me ekzistencën e botës materiale. Në të shumtën e herëve, dhe në mënyrë mjaft të mefshtë e të gabuar, botën materiale e vështrojmë si të ishte vetë qenia si e tillë. Gjatë kohës kur gjendemi në situata të këndshme, i gëzohemi jo pak fuqisë që vërejmë apo ndjejmë brenda vetes, tregojmë një lloj mospërfilljeje dhe një besim të verbër tek vetvetja, dhe nuk vështrojmë si të mirëqenë asgjë tjetër përpos se të tashmen në të cilën gjendemi. Ndërkaq, kur gjendemi në situata dhembjeje, dobësie dhe pafuqie, ndjejmë të mbërthehemi keqazi nga dëshpërimi. Porse, në rast se arrijmë të dalim gjallë nga një situatë e tillë, përpiqemi që ta hedhim pas krahëve apo që ta varrosim në harresë një situatë të tillë, për t’iu dhënë sërishmi një hedonizmi të shfrenuar. Një përvojë e tillë, pavarësisht kësaj ane negative, ka arritur të formësojë jo pak prirjet dhe mprehtësinë e qenies njerëzore. Jetesa nën trysninë e rrezikut dhe kanosjes e shtyn njeriun që të vihet në kërkim të sigurisë. Përmes nënshtrimit të natyrës dhe bashkëjetesës me qeniet e tjera njerëzore, njeriu përpiqet ta bëjë ekzistencën e vet sa më të sigurt. Njeriu vendos pushtetin e tij mbi natyrën me qëllim që kjo e fundit të kthehet një shërbëtore e tij; përmes shkencës dhe teknologjisë, njeriu përpiqet që ta shndërrojë natyrën në burim shfrytëzimi.

Sidoqoftë, pavarësisht kësaj, lipset të themi se ende gjallon një element i gjithë sa shfaqet e pallogaritshme dhe e paparashikueshme; një element i tillë gjallon deri edhe në vetë sundimin që njeriu ka vendosur mbi natyrën, arsye për të cilën vijon të shfaqet si një kanosje e vazhdueshme, përballë të cilës përfundimi na shfaqet gjithnjë një dështim i plotë: ligji i egër i jetesës përmes punës rraskapitëse, mplakja, sëmundja dhe vdekja janë disa dukuri krejtësisht të pashmangshme. Natyra që kemi arritur të nënshtrojmë nuk shfaqet e dobishme dhe e shfrytëzueshme përpos se në disa raste tejet të veçanta, duke na dhuruar një ndjesi të vagëllimtë të një sigurie të pjesshme dhe tejet të përkohshme; ndërkaq, lipset thënë se të tërë rastet e tjera sundohen egërsisht nga një pasiguri e mbrame. Sakaq, njerëzit përpiqen të krijojnë dhe organizojnë jetesën në bashkësi me qëllim që t’i presin hovin luftës së pafundme të të gjithëve kundër të gjithëve; në fund të fundit, përmes marrëdhënieve dhe ndihmesës së ndërsjellët, nuk mëtojnë përpos se të arrijnë një siguri për jetën. E megjithatë, pavarësisht këtij mëtimi, lipset të vëmë në dukje se edhe në këtë drejtim ekziston një kusht i pakapërcyeshëm: drejtësia dhe liria nuk mund të sigurohen dhe vihen në jetë përpos se në ato raste kur ekziston një shtet në të cilin çdo qytetar shpalos karshi qytetarëve të tjerë një prirje solidariteti të tërësishëm, absolut, si me thënë; vetëm në të tilla raste, në qoftë se një qytetar bëhet pre e një padrejtësie, të tërë qytetarët do të ngriheshin kundër saj si të ishin një trup i vetëm.

Një shtet i tillë, siç na mëson edhe historia, nuk është parë kurrë një herë në këtë botë brenda të cilës jetojmë. Një ndjenjë e tillë solidariteti, që i lidh njerëzit me njëri-tjetrin në çaste fatkeqësish apo nevojash, nuk është vërejtur deri më sot përpos se tek disa grupe tejet të kufizuar, madje, shpeshherë, thjesht dhe vetëm tek disa individë fare të pakët në numër. Asnjë shtet, asnjë institucion fetar, asnjë shoqëri nuk është në gjendje që të na ofrojë një siguri absolute për jetën dhe ekzistencën tonë mbi këtë planet që quhet tokë. Një siguri e kësaj natyre ka qenë për një kohë mjaft të gjatë një nga ndezullitë më trëndafilore të mbarë historisë së qenieve njerëzore; në të shumtën e herëve, gjendjet e fundme ekzistenciale ja u anashkaluan, ja u hodhën pas krahëve për t’u varrosur në heshtje dhe në harresë të mbrame. Ndërkaq, në lidhje me pasigurinë dhe luhatjen e përgjithshme që na shpërfaq bota brenda të cilës jetojmë, lipset thënë se ekziston një lloj kundërpeshe, apo një anë tjetër e medaljes, nëse mund të shprehemi kësisoj: në këtë botë ekzistojnë jo pak gjëra që meritojnë të vështrohen si të mirëqena, që meritojnë t’u zëmë besë se janë të tilla, si me thënë; kështu, për shembull, ekziston toka që na mban sipër, ekziston streha dhe atdheu, etërit dhe të parët tanë, vëllezërit, motrat dhe miqtë, bashkëshortët dhe bashkëshortet.

Po ashtu, ekziston një themelësi e kristalizuar dhe e çimentuar si e tillë nga tradita dhe zhvillimet historike të mbarë njerëzimit: gjuha amtare, besimi fetar dhe përvoja shpirtërore, puna, përpjekjet dhe lëvrimet apo përftesat e njerëzve të mendimit, e poetëve dhe e krijuesve dhe lëvruesve të sferave të artit. E megjithatë, pavarësisht vlerave dhe rëndësisë që mbart, lipset thënë se kjo traditë nuk është aspak në gjendje që të na dhurojë ndjesinë e sigurisë, apo të na sigurojë ekzistencën apo jetesën e përditshme mbi këtë planet, arsye për të cilën nuk mund ta vështrojmë assesi si një burim sigurie apo si një pikëmbështetje e qëndrueshme dhe e sigurt. Një nga arsyet e gjithë kësaj qëndron në faktin se kjo traditë shfaqet, më së pari, krijim i njeriut; Perëndia nuk gjendet në asnjë cep të botës dhe as përzihet me punët e saj. Për këtë arsye, tradita në fjalë, e vështruar në tërësinë dhe të tërësishmen e saj, qëndron krejt e hapur ndaj diskutueshmërisë, shfaqet fort e diskutueshme në tërë sa mbart dhe shpalos në vetvete. Prej këndejmi, nëse mbështetet tek kjo traditë, nëse i mban sytë e mbërthyer vetëm tek ajo, njeriut i shtrohet si detyrë që ta hulumtojë brenda vetes sigurinë për jetën, qenien, forcën tek e cila duhet të mbështetet etj. Në këtë drejtim, ekziston një paralajmërim, me fort gjasa, madje, nga një zë autoritar: nuk duhet ta vështrojmë si të mirëqenë asgjë që është pjesë e kësaj bote brenda të cilës jetojmë, e kemi të ndaluar, si me thënë, të kënaqemi dhe të mjaftohemi me të gjithë sa vërejmë brenda realitetit të dukshëm, brenda botës materiale.

Një paralajmërim i tillë na shpërhap drejt një realiteti apo çështjeje tjetër. Gjendjet e fundme ekzistenciale – vdekja, rastësia, ndjenja e fajësisë, pasiguria në lidhje me botën brenda të cilës jetojmë – na vendosin gjithnjë përpara një dështimi. Çfarë mund dhe duhet të bëjmë vallë përballë këtij dështimi të tërësishëm dhe të pashmangshëm, të cilin, nëse tregohemi të çiltër, e kemi të pamundur të mos e pranojmë si të tillë, apo ta mohojmë dhe ta hedhim pas krahëve? Këshilla që na jep stoicizmi, shprehimisht këtu, ideja sipas të cilës në të tilla raste është e nevojshme të tërhiqemi apo të strehohemi brenda lirisë sonë, e cila përkon me mendjen dhe të menduarit e pavarur, një këshillë e tillë, pra, personalisht mendojmë se tingëllon fort pak e përshtatshme dhe e pamjaftueshme. Parë nga ky drejtim, lipset thënë se stoicizmi thjesht gënjeu apo mashtroi vetveten, pasi nuk arriti që ta qëmtojë siç duhet dhe në mënyrë të tërësishme dhe rrënjësore dobësinë dhe pafuqinë njerëzore. Stoicizmi nuk ia doli mbanë që të kuptonte siç duhej faktin se të menduarit është një proces i varur, sikundërse nuk arriti të kuptonte, nga ana tjetër, se, e vështruar në vetvete, mendja e njeriut është e zbrazët, dhe se përmbajtja e saj qëndron në varësi të plotë nga gjithë sa vendosim ne brenda saj; po ashtu, stoicizmi nuk arriti të marrë parasysh ekzistencën e mendjeve të tjera, apo ekzistencën e asaj dukurie apo realiteti të mundshëm që njohim si çmenduri.

Kësisoj, stoicizmi nuk na jep asnjë lloj mbështetjeje apo ndjenje ngushëllimi; pamësia e të menduarit të pavarur është krejt e paqëndrueshme, për aq sa vetë mendja është e zbrazët, nuk mbart asnjë lloj lënde të mëvetësishme. Po ashtu, stoicizmi nuk na jep asnjë lloj shprese, për aq sa pamësitë dhe bindjet e tij botëkuptimore nuk i lënë asnjë shteg të lirë mundësisë për të mëtuar një shndërrim apo një revolucion të brendshëm, sikundërse nuk i lënë asnjë shteg të lirë mundësisë për të mëtuar plotinë e vetvetes me anë të dhurimit të kësaj vetveteje një vetveteje tjetër përmes forcës së dashurisë. Prej këndejmi, stoicizmi nuk i lë kurrfarë shtegu të lirë as pritshmërisë, as shpresës se mund të arrijmë ndonjë rrugëdalje fatlume nga gjendja në të cilën ndodhemi. E megjithatë, pavarësisht nga gjithë sa parashtruam më sipër, lipset thënë se, i vështruar në thelbin, natyrën dhe prirjet që shpërfaq, stoicizmi mëton vërtet që të depërtojë në suazat e të menduarit pastërtisht filozofik, forma e tij e të menduarit shpërfaqet filozofike në kuptimin më të pastër dhe më autentik të fjalës.

Çdo njeri që ka arritur të përjetojë në mënyrë sa parake, po aq edhe burimore, gjendjet e fundme ekzistenciale, ka arritur, më së pari, që të zbresë deri në thellësitë e honshme të vetvetes, për të kërkuar atyre zonave, përmes dështimit dhe pranimit të tij si i tillë, vetë udhën dhe përmasën e qenies si e tillë. Ndërkaq, lipset të themi se vetë forma e përjetimit të dështimit në fjalë ka qenë me të vërtetë vendimtare për mendimtarin skepticist: një dështim i tillë, falë natyrës rrëshqitëse që shpërfaq, mund të vijonte të qëndronte i fshehur, larg vetëdijes apo ndërgjegjes së mendimtarit, dhe një gjasë e tillë do ta kishte shtypur keqazi, do ta vithiste në shtjellat e një dëshpërimi të mbramë, ndërkohë që, në rastin kur arrin ta pikasë dhe ta kuptojë drejtë, njeriu mund ta vështrojë një dështim të tillë në sy dhe ta thadrojë mirë në mendje dhe në vetëdije si shenja e kufirit, e cakut të pakapërcyeshëm të jetës dhe ekzistencës së vet; ndaj këtij kufiri, apo caku ekzistencial, njeriu mund të mëtojë disa rrugëdalje apo zgjidhje imagjinare, siç mund të mëtojë që ta pranojë dhe ta njohë si të tillë, me çiltërsi dhe qetësi shpirtërore dhe mendore, duke mbyllur gojën dhe duke mëtuar të kultivojë artin e heshtjes përpara të pashpjegueshmes.

Prej këndejmi, lipset thënë se forma se si i qaset dhe e përjeton një dështim të kësaj natyre përcakton në thelb natyrën dhe prirjet e të gjithë sa njeriu do të jetë në vetvete, sikundërse edhe të gjithë sa do të mëtojë që të shpalosë tek të tjerët. Në rastet kur përballet me gjendjet e fundme ekzistenciale, njeriu haset ja me asgjënë, ja parandjen gjithë sa ekziston me të vërtetë dhe në të vërtetë, pavarësisht natyrës rrëshqitëse dhe të përkohshme që shpërfaq ekzistenca e vetë botës brenda të cilës jeton. Parë nga ky drejtim, lipset thënë se edhe vetë dëshpërimi, nisur nga fakti që shpërfaqet si një realitet i mundshëm dhe zë vend brenda botës sonë, në të vërtetë synon diçka tjetër dhe lëviz drejt një hapësire të përtejme, transcendentale, një hapësirë që gjendet përtej vetë botës. E shprehur me fjalë të tjera, qenia njerëzore mëton gjithnjë të vihet në kërkim të shëlbimit, të shpëtimit të vetvetes. Një shëlbim të tillë kanë rrahur të ofrojnë tërë besimet e mëdha universale (të mbarëhapësirshme dhe të mbarëkohshme), të cilat mbështeten fuqimisht tek realiteti i shëlbimit.

Tipari dallues i besimeve në fjalë qëndron tek prirja dhe misioni përkatës për t’i ofruar njeriut një siguri objektive në lidhje me të vërtetën dhe me realitetin e shëlbimit. Rruga drejt të cilës na shpërhapin besimet (fetë) e mëdha universale na shpijnë drejt një kthese vetjake në rrafshin etik dhe shpirtëror. Një kthesë të tillë të menduarit filozofik nuk është në gjendje të na e sigurojë. E megjithatë, pavarësisht kësaj, i vështruar në natyrën dhe thelbin e vet, të menduarit filozofik priret nga mëtimi për të shkuar përtej botës së gjësendeve, pothuajse njëlloj siç ndodh në rastin e hulumtimit të shëlbimit. Për të bërë një përmbledhje të gjithë sa jemi shprehur deri këtu: burimi i të menduarit filozofik lipset kërkuar tek habia, tek dyshimi, dhe tek ndërgjegjësimi në lidhje me pasigurinë që shpalos ekzistenca si e tillë. Sidoqoftë, lipset thënë se të menduarit filozofik zë fill me tronditjen e thellë që qenia njerëzore përjeton përsëbrendshmi, dhe është pikërisht një tronditje e tillë ajo që e shtyn njeriun të ndjejë nevojën për t’i vënë vetes një qëllim apo synim. Ndjenja e habisë ishte gjithë sa i shtyu Platonin dhe Aristotelin që të hulumtonin për natyrën e qenies si e tillë. Luhatshmëria dhe natyra e pasigurt që shfaqnin gjësendet e shtynë Descartes-in që të hulumtonte për gjithë sa shfaqet e sigurt dhe larg çdo mëdyshjeje. Vuajtjet dhe lëngatat që sillte jeta e përditshme i shtynë stoicistët që të hulumtonin për të gjetur rrugët që të shpinin drejt paqes dhe qetësisë së shpirtit dhe të mendjes.

Çdocili prej këtyre mëtimeve mbart të vërtetën përkatëse brenda vetes, të ndërveshur gjithnjë përmes pikëpamjesh dhe konceptesh historike dhe gjuhës. Ndërsa përpiqemi që t’i përvetësojmë të tilla forma të të menduarit filozofik, dora-dorës arrijmë të depërtojmë deri tek burimet dhe shtysat parake të të menduarit filozofik, syresh që vijojnë të gjallojnë ende brenda nesh. Të vështruar në natyrën dhe thelbin e tyre, këto burime dhe shtysa parake priren vazhdimisht të hulumtojnë për një themelësi të sigurt, të depërtojnë thellësive të qenies, për të rrokur kësisoj përjetësinë. E megjithatë, mund të ndodhë që, për ne, asnjë prej gjithë sa u shprehëm më sipër nuk është burimi më themelor, zanafilla më tërësore dhe më tërësuese. Kur qenia zbulon apo shpalos vetveten duke ngjallur brenda nesh ndjesinë e habisë, shpeshherë përballemi me një lloj frymëzimi apo gjallërimi, si të thuash, porse, nga ana tjetër, shpeshherë ndihemi të grishur të tërhiqemi nga bota e gjësendeve, për t’iu dhënë qashtërsisht një magjie metafizike. Ndërkaq, për të arritur gjithë sa shfaqet e sigurt dhe larg çdo mëdyshjeje është çështje e njohjes shkencore, pikërisht asaj njohjeje përmes të cilës përpiqemi t’i japim një drejtim të caktuar vetvetes dhe jetës sonë brenda botës në të cilën gjendemi.

Vështruar nga ky drejtim, sjellja dhe qëndrimi që stoicizmi shfaq ndaj botës që gjallon jashtë është thjesht kalimtar dhe nuk vlen përpos se në rastet kur përballemi me ndonjë fatkeqësi, apo kur përpiqemi që t’i shpëtojmë rrënimit të tërësishëm, porse, pavarësisht kësaj, stoicizmi vijon të shpërfaqet i zhveshur nga çdo lloj përmbajtjeje apo shenje jete. Sidoqoftë, lipset thënë se këto tre shtysa, habia që na shpie drejt njohjes, mëdyshja që na shpie drejt sigurisë, dhe ndërgjegjësimi në lidhje me pasigurinë që shpalos ekzistenca si e tillë, e cila na shpie drejt vetvetes, këto tre burime apo shtysa parake, pra, nuk përkojnë edhe aq me arsyet që na shtyjnë në kohët tona t’i jepemi të menduarit filozofik. Në kohët tona, që sa vijnë e po karakterizohen gjithnjë e më tepër nga një kthesë historike rrënjësore, në këtë epokë rrënimi të pashoq, kur rrugëdaljet fatlume mbeten ende të errëta, tre shtysat parake që trajtuam më lart vijojnë ende të mbeten të vlefshme, por të pamjaftueshme. Vlera dhe efikasiteti i tyre shfaqen të kushtëzuara, varen nga komunikimi mes njerëzve.

Në të kaluarën, mes njerëzve ekzistonin një mori lidhjesh të forta e të pamohueshme; ekzistonin bashkësi të qëndrueshme, institucione, ide dhe pikëpamje universale. Vështruar nga ky drejtim, madje, edhe njerëzit që jetonin të tërhequr, gëzonin deri diku mbështetjen e të tjerëve për këtë zgjedhje të tyre. Një nga simptomat më të dukshme të shpërbërjes nëpër të cilën po kalon mbarë shoqëria e kohëve tona vërehet qartazi në faktin se njerëzit sa vijnë dhe e kuptojnë gjithnjë e më pak njëri-tjetrin, takohen dhe ndahen me një lloj mospërfilljeje dhe pavramendjeje, aq sa mund të thuhet pa drojë se në kohët tona nuk ekziston më një bashkësi njerëzore e sigurt, një bashkësi që të mbështetet mbi ndjenjën e solidaritetit dhe ndershmërisë. Në kohët tona, gjendje në të cilën ndodhet mbarë njerëzimi, e cila ka ekzistuar përgjatë tërë historisë njerëzore dhe thuajse në çdo cep të lëmshit të dheut ku ka gjalluar jeta njerëzore, një gjendje e tillë universale, pra, sot duket se shpërfaqet e një rëndësie tejet të veçantë, madje, vendimtare. Më konkretisht, në kohët tona ndihen mjaft fuqishëm dilemat mes mundësisë dhe pamundësisë për t’u bërë njësh me Tjetrin në suazat e të vërtetës; besimi im, pikërisht në çastin kur ndihem i sigurt, fillon të bjerë ndesh dhe të përplaset egërsisht me besimin e njerëzve të tjerë; në kohët tona, në çdo vend dhe si kurrë më parë, vërejmë të gjallojnë një mori përpjekjesh të pashpresa për të arritur në një bashkim mes njerëzve, porse disa syresh shuhen shpejt, ndërkohë që disa të tjera synojnë ja nënshtrimin, ja asgjësimin e Tjetrit; ndërkaq, plogështia dhe kënaqësia pasive i shtyjnë njerëzit e zhveshur nga çdo lloj bindjeje ja drejt një bashkimi apo solidariteti të verbër, ja drejt sulmesh dhe fyerjesh po aq të verbra dhe të egra kundër njëri-tjetrit.

Një gjendje e tillë nuk mund të anashkalohet lehtë, pasi nuk është aspak e parëndësishme; do të kishte qenë e tillë vetëm në rast se do të kishte ekzistuar një e vërtetë që do të më bënte të ndihesha i plotë dhe i vetëmjaftueshëm brenda vetmisë apo jetës së tërhequr. Vuajtja që ndjej kur komunikimi me të tjerët është i papërsosur, apo kënaqësia e qashtër dhe autentike që më jep një komunikim i përsosur, nuk do të shfaqeshin aspak të tilla, në rast se në vetminë time do të ndihesha tërësisht i sigurt për të vërtetën. Porse, e vërteta është krejt ndryshe: në çdo vend dhe në çdo kohë, jam i shtrënguar të jem në një bashkëlidhje ekzistenciale me Tjetrin, pasi vetëm, në vetminë time, jam thjesht asgjë. Komunikimi i ndërsjellët që arrijmë të ngërthejmë, jo thjesht dhe vetëm nga të kuptuarit tek të kuptuarit, nga mendja tek mendja, por, më së pari dhe mbi të gjitha, nga ekzistenca tek ekzistenca, është e vetmja rrugë që na shpie drejt kuptimit dhe vlerave universale, në fund të fundit, drejt atij kuptimi dhe drejt atyre vlerave që nuk varen nga një njeri i vetëm, përkundrazi, janë të pavarura prej tij dhe gjallojnë përtej tij. Atëherë, nëse i vështrojmë nga ky drejtim, mëtimet për të gjetur përligjet e rastit, apo mëtimet për t’u hedhur në sulme dhe diskutime janë mjete jo për të fituar dhe vendosur pushtetin mbi Tjetrin, por për t’u afruar sa më tepër me Të. Fjala është për një debat, për një rrahje mendimesh që udhëhiqet nga parimet e dashurisë vëllazërore, ku çdo njeri ia dorëzon armët Tjetrit.

Siguria në lidhje me qenien e qashtër dhe autentike nuk qëndron tjetër përpos se në këtë formë komunikimi të hapur, ku liria qëndron ballë për ballë një tjetër lirie, lirisë së Tjetrit, duke u bashkuar lirisht me të në një formë diskutimi që nuk mbështetet në ide apo bindje të parafabrikuara, por, përkundrazi, vë në pikëpyetje gjithçka. Vetëm në këtë lloj komunikimi, dhe vetëm përmes tij, shpaloset me tërë vërtetësinë e vet e vërteta tjetër; vetëm në këtë lloj komunikimi, dhe vetëm përmes tij, arrijmë të jemi vetvetja; për më tepër, vetëm në këtë lloj komunikimi, dhe vetëm përmes tij, nga thjesht dhe vetëm gjallesa, shndërrohemi në formësues dhe përmbushës të jetës si e tillë. Perëndia nuk e zbulon vetveten përpos se në mënyra dhe forma të tërthorta dhe vetëm përmes dashurisë së njeriut për njeriun; siguria e tërësishme dhe tërësore është e veçantë dhe, mbi të gjitha, e varur, e kushtëzuar nga e Tërësishmja.

Parë nga ky këndvështrim, qëndrimi dhe pikëpamjet e shprehura nga stoicizmi shfaqen të zbrazëta dhe të ngrira, pa kurrfarë jete. Rrënjët e këtij qëndrimi filozofikisht themelor që mëtova të shtjelloj deri këtu qëndrojnë të ngulura fuqishëm dhe në thellësitë e vuajtjeve dhe tronditjeve që sjell mungesa e komunikimit, sikundërse edhe tek nevoja që ndjejmë për ngërthimin e një komunikimi të qashtër dhe autentik dhe për mundësitë që lipsen stisur për t’i lënë një hapësirë sa më të gjerë diskutimit vëllazëror, i cili i hap udhën e nevojshme bashkimit të qashtër dhe të njëmendtë të një vetveteje me një vetveteje tjetër. Një synim e tillë filozofik e pikasim të rrënjosur edhe tek tre burimet apo shtysat e të menduarit filozofik që përmendëm më lart, të cilat lipset të merren parasysh dhe të trajtohen gjithnjë dhe pashmangshëm nën dritën e kuptimit dhe kahjeve – paqësore apo armiqësore – që shpalosin në drejtim të komunikimit mes njerëzve.

Prej këndejmi, mund të pohojmë me plot gojë se habia, mëdyshja, dhe përjetimi i gjendjeve të fundme janë me të vërtetë burime dhe shtysa parake të të menduarit filozofik, por, megjithatë, burimi më zanafillor i të menduarit filozofik qëndron tek vullneti dhe tek prirja për të ngërthyer dhe për të qenë i hapur ndaj komunikimit të qashtër dhe autentik, i cili përfshin në vetvete gjithë sa shprehëm më lart. Një vullnet dhe një prirje të tillë e vërejmë mjaft qartazi në faktin se filozofia – të tërë format e të menduarit filozofik – mëton të shfaqet një formë komunikimi; në fund të fundit, ajo shpreh vetveten, idetë dhe pikëpamjet e saj, dhe kërkon që zëri i saj të dëgjohet dhe idetë dhe pikëpamjet e saj të përcillen nga një vend në tjetrin, nga një brez në tjetrin, deri edhe nga një njeri në tjetrin. Kjo kahje për të qenë e përcjellshme, e komunikueshme, përbën vetë thelbin e të menduarit filozofik, dhe shfaqet i pandashëm nga e vërteta. Kështu që, për t’i dhënë fund këtij kapitulli, lipset të vëmë edhe një herë tjetër në pah, dhe t’i mëshojmë fort faktit se komunikimi është qëllimi më thelbësor dhe më parësor i të menduarit filozofik, dhe se tek komunikimi gjallojnë tërë rrënjët e qëllimeve dhe kahjeve të tjera të filozofisë, të tilla si: ndërgjegjësimi në lidhje me qenien si e tillë, ndriçimi i shpirtit dhe i ekzistencës njerëzore përmes dashurisë, apo arritja e qetësisë dhe paqes shpirtërore. /VirtualSophists /KultPlus.com

Ndërron jetë në moshën 73-vjeçare kitaristi i njohur anglez, Peter Green

Bashkëthemeluesi i grupit “Fleetwood Mac” Peter Green ka ndërruar jetë sonte në moshën 73-vjeçare, njofton familja e tij, përcjellë KultPlus.

Me trishtim të madh familja e tij njoftoi për ikjen e tij në amshim gjatë kësaj fundjave.

Green ka qenë kitarist me ndikim të madh muzikor. Ai mori pjesë ne themelimin e grupit në Londër më 1967 me të cilin korri mjaft suksese. /KultPlus.com

Selena Gomez do të mbledhë fonde për shërbimet e shëndetit mendor

Këngëtarja e njohur së bashku me kompaninë e saj për kozmetikë “Rare Beauty” është zotuar se do të mbledhë 100 milionë dollarë për të përkrahur ata të cilët kanë nevojë për shërbime të shëndetit mendor.

“Jam shumë e lumtur që jam e rrethuar nga një ekip i cili më ka ndihmuar që të themeloj Fondin Rare Impact” tha Gomez në një deklaratë. “Që nga nisja e këtij brendi, kemi dashur të gjejmë mënyra se si t’ia kthejmë komunitetin të mirat dhe të përkrahim njerëzit që kanë nevojë për shërbimet e shëndetit mendor, shërbime të cilat kanë pasur ndikim të madh në jetën time”, ka shtuar ajo.

Ajo ka thënë se Rare Beauty dëshiron të ndihmojë njerëzit që të ndihen më të lidhur me njëri-tjetrin dhe më pak të vetmuar në botë. “Fondi Rare Impact do të ndikojë në shumë jetë, dhe përfundimisht do të bëjë ndryshim për të mirë në botë. Mburrem me punën që kemi filluar të bëjmë me partnerët tanë në mënyrë që t’ju ofrojmë këto shërbime çdo kujt që ka nevojë”, shkruan NME.

Një deklaratë e postuar në faqen e Instagramit të Rare Beauty thuhet: “Qëllimi ynë me Rare Impact Fund është të mbledhim 100 milionë dollarë brenda 10 viteve të ardhshme në mënyrë që të kemi më shumë burime të ndihmës në shëndetin mendor. 1% i shitjeve vjetore të Rare Beauty do të shkojnë në Fondin Rare Impact. Pos kësaj, do të rrisim fondet me shumë partnerë filantropë për të arritur qëllimin tonë”, transmeton KOHA.

Posti përfundoi duke cekur: “Së bashku, jemi më të mirë, sepse e dimë që nuk mund ta bëjmë këtë të vetëm. Andaj e kemi themeluar Këshillin për Shëndet mendor të Rare Beauty që përbëhet nga ekspertë dhe profesionalë që do të na ndihmojnë në punën tonë”. /KultPlus.com

Fragment nga libri “Kukulla” që lidhet me portretin e nënës

Në prill të vitit 1994, im vëlla na lajmëroi nga Tirana se nëna ishte duke dhënë shpirt.
U nisëm të dy me Helenën, me avionin e parë nga Parisi, me shpresë për ta gjetur ende gjallë. Në të vërtetë ishte ende në jetë, por nuk kuptonte asgjë. Ndodhej në koma, në apartamentin e emtës sime, në rrugën “Qemal Stafa”, ku e kishin çuar disa javë më parë, për ta pasur më mirë në kujdes.

Kushëriri im i parë, Besnik Dobi, njeriu që e kishte çuar në krahë gjer tek e motra, pasi më shpjegoi perse e kishte parapëlqyer atë mënyrë bartjeje, për një distance aq të shkurtër, nga Rruga e Dibrës te fillimi i “Qemal Stafes”, shtoi fjalët: Veç kësaj, ajo ishte tepër e lehtë.

Në përpjekje për të sqaruar diçka më tepër, ai përsëriti pak a shumë të njëjtën gjë: e pabesueshme, sa e lehtë ishte! Do të thosha prej letre.

Si një kukull prej letre.

S’isha i sigurt nëse fjalët e fundit ishin të tijat, apo isha une që i kisha menduar, por pata ndjesinë se nuk u habita fort. Thua se të gjitha ato që dëgjoja i dija ndërkaq.

Një skenë e njohur, e përsëritur shpeshherë në banesën tonë, kur vajzat tona loznin kukullash me nënën, më kaloi nëpër mend. E durueshme rrinte midis tyre ndërsa ato i vinin në flokë gjithfarë fjongosh e karficash, pa harruar të përsërisnin: “nënë, mos lëviz!”.

Helenës, merrej me mend që i vinte zor nga një pamje e tillë, por vajzat nuk bindeshin. Nëna s’thotë asgjë, përsërisnin. Asaj i pëlqen, ç’ke ti?

E lehtë. Shkallët prej druri të shtëpisë, zakonisht të ndjesh me, nuk kërcisnin kurrë nga e shkelura e saj. Sepse ashtu si hapat, çdo gjë e kishte të lehtë: veshjen, të folurën, psherëtimën.

Në lagje, e më pas në shkollë, kishim mësuar gjithë ato vjersha për nënën. Kishte gjithashtu vjersha, madje dhe një këngë për ata që s’kishin të tillë, ku fjalët pa nënë përsëriteshin në atë mënyrë që ta këpusnin shpirtin. Nuk dija ndonjë nga shokët e klasës që të mos kishte nënë, ose ndoshta kishte të tillë, por nuk e tregonin. Sipas një shokut tonë, të mos kishe nënë ishte turp, gjë që një tjetër, nga klasa B., e kundërshtonte ngaqë, sipas tij, turp ishte të mos kishe baba. Dy nga shoqet tona, Ylberja me Ela Labovitin, qeshnin me të dy, ngaqë, sipas tyre, jo vetëm ngatërronin fjalën “turp” me “mëshirë”, por nuk kuptonin asgjë nga ato që flisnin.

Sidoqoftë, puna e nënës nuk ishte kaq e thjeshtë, domethë në mjaftonte ta kishe, se të tjerat s’kishin rëndësi. Mund të këndoje gjithë ditën nënë e dashur, nëna ime, më e mira në botë, sa erë e mirë që të vjen, e trululu e tralala, e prapë të mos ishe i kënaqur. Disa, pavarësisht se nuk e thoshin, mërziteshin, ngaqë, në krahasim me të tjerët, nënat e tyre iu dukeshin jo fort të reja, për të mos thënë plaka. Por as kjo s’dukej ndonjë hata në krahasim me rastin e shkollës së lagjes fqinje, ku kishte jo një, por dy nëna të ndara nga burrat. Ose rasti i Pano X., që erdhi duke qarë, ngaqë, rrugës për në shkollë, dikush i kishte thënë “bir i kurvës”, dhe nuk u qetësua veçse kur Ylberja me Ela Labovitin i kishin shpjeguar se kjo s’do të thoshte asgjë dhe se ata që përdomin atë fjalë me “k” për nënat e të tjerëve, mund ta kishin vetë mizën nën kësulë.

Shumë shpejt do ta kapja se unë gjithashtu kisha një problem me nënën, por ai ishte tepër larg nga ato që përmenda. Kishte të bënte kryesisht me lehtësinë, me atë që më pas do të më dukej si ana prej letre apo prej gipsi e saj. Në fillim turbull, pastaj përherë e më qartë po kuptoja se ato që pothuajse nuk mungonin kurrë në vjershat dhe këngët për nënat: qumështi, gjiri, aroma, ngrohtësia e amësisë, s’e kisha lehtë t’i gjeja tek ime më.

S’ishte punë ftohtësie. Dhembshuria e saj ndihej që larg. Kujdesi gjithashtu. Mungesa ishte gjetkë dhe, siç do ta kuptoja më vonë, kishte të bënte me pengesën e shfaqjes, e kapërcimit të një pragu që, me sa dukej, ajo e kishte të pamundur.

Shkurt, qysh herët e kam ndier se nëna ime, më shumë se atyre të vjershave, i ngjante një lloj vizatimi apo skicimi, prej të cilit nuk dilte dot. Edhe bardhësia e fytyrës së saj, sidomos kur vinte sqafill, siç ia kishte mësuar Kako Pinoja, stolisësja e famshme e nuseve të Gjirokastrës, shtëpia e së cilës ishte pothuajse ngjitur me tonën, pra, edhe bardhësia e saj kishte ngrirjen dhe moskuptimin prej maske. Më pas, kur gjatë një udhëtimi në Japoni do të shihja për herë të parë një shfaqje të teatrit tabuki, bardhësia e fytyrave të aktoreve do të më dukej si diçka e njohur. Ishte e njëjta e fshehtë si ajo e nënës sime, një mister prej kukulle, por pa tmerr.

Në të njëjtin stil, si në filmat vizatimorë, ishin lotët e saj. Në shumicën e rasteve nuk e kisha kuptuar arsyen e tyre. Ashtu siç nuk e kuptoja dot se si ishte e mundur që vite me radhë nuk e kisha ndier kurrë të hynte a të dilte në tualet, thua se nuk shkonte kurrë atje.

Nënat janë qeniet më të vështira për t’u kuptuar, më thoshte gjatë një darke në Paris Andrei Voznjesenski. Ishim të ftuar të dy me Helenën tek Alain Bosquet, kur, midis të tjerash, e pyeta diçka për ca vargje të tij që kishin bërë bujë, të shkruara në trajtë gjysmë anagrami. Midis tyre ishte një varg ku fjala nënë, rusisht mat (shoqëruar me shenjën zbutëse), përsëritej tri herë: Matmatmüt, kurse herën e katërt ishte vetëm gjysma e saj ma, e cila në fund të vargut, duke u bashkuar me shkronjën “t” të mat (nënës) së fundit, jepte fjalën tma, që do të thoshte terr.

Voznjesenski në atë darkë ishte në gjendje të rëndë shpirtërore, çka m’u duk se ndikonte në shpjegimin e vargjeve. Ka qenë takimi im i parë dhe i fundit me të, kështu që nuk m’u dha rasti të sqaroja më pas se ç’donte të thoshte. Shpjegimi kishte të bënte pak a shumë me lidhjen midis sintagmave nënë dhe terr,sipas të cilave, njeriu dilte nga barku i nënës si nga terri, dhe ky ishte një qerthull i pafund matma, nënaterr, ku nëna, ashtu si terri, mbetej e pazbërthyeshme.

Ndërsa për lotët e nënës e kisha vështirë të gjeja shkakun, për mërzinë e saj ishte e kundërta. Shkakun e thoshte vetë, madje me një shprehje që, pasi e kisha dëgjuar gjithë frikë herën e parë, sa herë që e kujtoja vazhdonte të më ngjethte mishtë: “më ha shtëpia!”.

Shumë shpejt e mora vesh që kjo ishte shprehja më e zakonshme për të thënë se mërziteshe në shtëpi. Mirëpo kjo nuk më pengonte që, sipas një xanxe që më kishte kapur njëfarë kohe për të zhbiruar kuptimin e fjalëve, ta mundoja veten me përfytyrimin se sa e tmerrshm’e ishte kur shtëpisë ku banoje mund t’i shkrepej një ditë të të hante.

2
Nëna, pavarësisht se mund të dukej e pazbërthyeshme për shumë gjëra, nuk e fshihte se shtëpia jonë nuk i pëlqente aspak.

Në një shikim të parë mund të dukej e shpjegueshme: një vajzë shtatëmbëdhjetëvjeçare hynte nuse në një shtëpi tepër të madhe. Donte apo s’donte, mendimi i parë, qoftë dhe i tërthortë, do të ishte se një shtëpi e tillë kërkonte shumë punë. Aq më tepër për një vajzë që, siç do ta merrja vesh më pas nga tregimet e motrave të saj, ishte qortuar shpesh për mungesë zelli për punë shtëpie. E sidomos aq më tepër që do të ishte nuse e vetme, pa asnjë shpresë për nuse të dytë, ngaqë im atë ishte djalë i vetëm dhe pa baba.

Shtëpia, përveç e stërmadhe, ishte e vjetër dhe hijerëndë. E si të mos mjaftonte kjo, vjehrra, gjyshja ime e ardhshme, përveç namit të gruas buzëhollë, kishte edhe atë të mençurisë. Do të duhej të kalonte mjaft kohë për të kuptuar arsyen e thellë se përse name të tilla për mençuri të tepërt e bezdisnin time më.

Kishte gjasë që të dukej se ftohtësia e parë midis nuses së re dhe vjehrrës të ishte shkaktuar nga mospërfillja, ose më saktë, nga mosmahnitja e nuses prej shtëpisë. Në të vërtetë, shkaku duhej të kishte qenë më i thellë dhe, në njëfarë mënyre i pashmangshëm.

Dihej se familjet gjirokastrite në çastin që lidheshin në krushqi, viheshin aty për aty, në një gjendje të re. Përveç aleancës së natyrshme të dy klaneve, në një mënyrë befasuese krijohej njëfarë shurdhimi, sidomos në periudhën paramartesore. Gjithë krekosja e njohur e shtëpive të vjetra, sedra, mburrjet, kotësia, kishin rast të shpaloseshin e të viheshin në peshore midis dy shtëpive, që do t’i bashkonte kurora e martesës. Në netët e gjata të dimrit, nuset e ardhshme, e po ashtu dhëndurët, do të dëgjonin gjithfarë romuzesh për palën tjetër, të tipit “mos kujtojnë ata se janë më të mirë se ne” e të tjera të ngjashme. Ishte një lloj lufte e ftohtë që vetvetiu i ngarkonte të dy palet, por sidomos nuset dhe vjehrrat e ardhshme, me ndjesi mohuese për njëra-tjetrën.
Nisur nga kjo, mund të thuhej se do të tregonte apo jo nëna ime e ardhshme shpërfilljen e saj ndaj shtëpisë së Kadarenjve, apo do të tregohej buzëhollë a jo gjyshja ime ndaj saj, ftohtësia midis tyre s’mund të shmangej.

Me kalimin e viteve, me shumë vështirësi do të merrja vesh, ose më saktë do të kujtoja se do të merrja vesh, kronikën e pakuptimtë të kinse mërisë midis Kadarenjve dhe Dobatëve.

Ajo që dukej e lehtë për t’u kapur, ndërlikohej papritur, aq sa vinte ora kur ngjante krejtësisht e pazbërthyeshme. Dhe më pas e kundërta: e mjegullta do të qartësohej befas, aq sa të gjithë do thoshin, ah, ja ç’na paskësh qenë kjo punë që ne të verbrit s’e shquanim dot.

Ngatërresa vinte nga pamundësia e çdo krahasimi midis dy klaneve. Niste nga shtëpitë, që ishin aq të ndryshme, saqë kurrsesi s’mund të besohej se i përkisnin të njëjtit qytet.
Sa ç’ishte e vjetër dhe hijerëndë shtëpia jonë, aq nuk ishte e tillë ajo e babazotit, siç quhej gjyshi nga nëna. Ishte e madhe, po s’kishte as qilarë të thellë, as stemë, as shkalla trillane prej druri, për të mos folur për dhoma të pabanuara, për burg, nënkalime të fshehta, mesore apo nënmesore (nëndivane) pa kuptim. Shtëpia e Dobatëve ishte ndoshta e tillë ngaqë ishte e veçuar, pa lagje apo rrugë, që, në njëfarë mënyre do ta detyronin të ngjante me të tjerat. Ishte në një zonë të zbrazët, përbri kështjellës dhe një përroi të rrëmbyeshëm. Në mungesë të fshehtësive, ajo kishte një truall të gjerë, që mund të merrej për kopsht dhe një nënshtëpizë midis truallit, që quhej odajashtë dhe ku banonte një familje romësh, shërbyes të dikurshëm të shtëpisë.

Në vend që njerëzit të ndreqnin disi drejtpeshimin e prishur mes dy shtëpive, ata e theksonin edhe më fort atë. Kadarenjtë dhe Dobatët, siç do ta merrja vesh më pas, ndryshonin nga njëri-tjetri më fort se shtëpitë e tyre. Ndryshimi kryesor që binte në sy ishte se, ndërsa shumica e klanit Dobi ishin në jetë, Kadarenjtë ishin të vdekur. Kur në këndet e shtëpisë gjeja herë pas here ndonjë fotografi të vjetër dhe vrapoja te gjyshja për ta pyetur kush ishte dhe ku ndodhej, përgjigjja e saj më zgjonte trishtim në shpirt. Po ky këtu? e pyesja pas disa ditësh, kur gjeja një tjetër fotografi, dhe përgjigjja ishte e njëjtë: s’është më në këtë botë.

Ndryshimet e tjera, si drurët, zogjtë, violinat e romët, bujqit grekë të ish-pronave të babazotit, tezet dhe ungjët, nuk ishin të pakta, por e keqja ishte se të gjitha ato ishin ca gjëra që s’krahasoheshin dot me tonat. A mund të krahasohej, për shembull, rënia e violinës, me dy dhomat ku s’na lejohej të hynim ose me hapsanën, siç quhej burgu? Për tezet dhe ungjët, për shembull, e kisha mbledhur mendjen se nuk mund të kisha, ngaqë, sipas gjyshes, edhe po të ishin do të quheshin halla dhe xhaxhallarë dhe do të ishin jo motra dhe vëllezër të nënës, por të babait, pra duhej t’i kishte pjellë gjyshja vetë.
(Më vonë, kur të dy ungjët shkuan për studime jashtë shtetit, njeri në Budapest e tjetri në Moskë, mungesa e të ngjashmëve te ne, më shumë se me ata vetë, lidhej me letrat që vinin prej tyre nga larg. Në shtëpinë tonë nuk vinin letra nga askush dhe kjo më dukej e natyrshme, ngaqë dihej se të vdekurit s’dërgonin të tilla.)

Kukulla (gjithmonë e më tepër bindesha se ky cilësim ishte përpjekur, në mos ta zëvendësonte fjalën “mama”, të kthehej në emër të dytë të saj), pra Kukulla, ndonëse e kishte vështirë të shprehej qartë, kishte qenë pak a shumë e ndërgjegjshme se do të përballej me shtëpinë e Kadarenjve, me gjithë ato dritare të larta, musandra, hajate, qilarë të fshehtë, qiellzana prej druri të gdhendur, së fundi me burgun e famshëm dhe me ata emra të tingëllueshëm: Seit Kadareja, Avdo Kadareja, Shahin Kadareja dhe, më të dëgjuarin midis tyre, Ismail Kadarenë, katragjyshin tim, që, siç më pëlqente ta kujtoja shpesh, ishte bërë i famshëm ngaqë përmendej në një këngë, jo se kishte vrarë turq, siç të shkonte mendja në çastin e parë, por për punë veshjeje, më saMtë, ndjekje të modës.

Kundër kësaj gumaje kërcënuese, Kukulla do të kishte ushtrinë e saj të drurëve, të zogjve, të violinave, të motrave e të ish-shërbëtorëve. Në pamje të parë ngjante naive dhe e brishtë, por kishte edhe ajo të fshehtën e saj. Kukulla që nuk dinte shumë gjëra, ishte në dijeni, me sa dukej, të asaj të fshehte, që mbulohej pas emërtimit zhgënjyes e të rëndomtë “gjendje ekonomike”: Dobatët ishin të kamur, çka do të thoshte të pasur, Kadarenjtë jo.

Në asnjërën nga dy shtëpitë nuk përmendej kjo gjë, thua se kishin bërë marrëveshje që secila palë të mbante maskën e vet. Me atë maskë, me paraqitjen kinse të përkorë në gjithçka, Dobatët do të mbulonin kamjen e tyre. Dhe të njëjtën gjë do të bënin Kadarenjtë, me maskën e tyre, atë të madhështisë së rreme, për të mbuluar të kundërtën: skamjen.

Aleanca qysh në fillimet e saj kishte qenë e gabuar. Kurse arsyeja e krushqisë s’ishte marrë vesh kurrë.

3
Sado që jam përpjekurtë përfytyroj mbërritjen e Kukullës nuse në vitin 1933, në shtëpinë e burrit, nuk kam arritur dot. Kishte gjithmonë një pengesë, një rënie mjegulle, ose në rrë- fimin e saj, ose në përfytyrimin tim. Pengesa niste qysh nga vetë rruga e përshkuar. Nuk e kisha vështirë ta sillja me mend karvanin e krushqve nga shtëpia e babazotit tek udha e madhe në këmbët e kështjellës, e më pas te qendra e qytetit “Qafa e Pazarit”, për të zbritur në rrugën e pjerrët të Varoshit. Pikërisht te shtëpia e Dr. Vasil Labovitit, atje ku më 1943 do të shtrohej një darkë e pakuptueshme me gjermanët, niste, bashkë me rrugën që të çonte te shtëpia jonë, surrealizmi. Shtëpia e do- ktorit, vajzën e të cilit e kisha në klasë, ishte e para. Më tutje ishte shtëpia ê Pavli Urës, një shoku tjetër të klasës, mbiemri i të cilit vinte nga një urë, e vërtetë ose e rreme, nuk kuptohej, që ishte poshtë saj. Nëtë vërtetë ishte një rrjedhë e madhe uji, që dilte nga një drejtim, por urë nuk kishte asgjëkund, madje as vetë Pavli Ura s’dinte si ta shpjegonte mbiemrin e vet. Ndër- kaq, disa hapa më tutje, mu përpara shtëpisë së Ficove, rrjedha e ujit ndërronte emërtim dhe nga “urë” bëhej “Përroi i Ficos”.

Shtëpia e Ficove, përveç që ishte e madhe, ishte ndoshta më e bukura e qytetit, çka për disa kishte qenë dhe arsyeja që kishte nxjerrë, siç thuhej, ministrin e Jashtëm më me nam të të gjitha kohërave në Shqipëri. Merrej me mend se sa e lehtë do të ishte për këtë shtëpi që, pas një nami të tillë, t’i jepte emrin e saj rrjedhës së ujit. Një pjesë e rrugës shkonte përbri saj gjer te shtëpia e Kako Pinos, e ëndërruar prej krejt nuseve të ardhshme të qytetit, e vogël, lirike e plot vazo lulesh, pothuajse ngjitur me tonën. Kurse përballë portave të dy shtëpive, i shtrembër, i mbrapshtë, i pangjashëm me asgjë, niste Sokaku i të Marrëve.

Kukullës, që nuk ishte pa kureshtje, duhet t’i kenë bërë përshtypje të gjitha këto. Megjithatë, përpara të panjohurave të tjera, ato ngjanin të zbehta. Nga tri kureshtitë e mëdha që e prisnin, burri, shtëpia dhe vjehrra, kishte gjasë që kjo e fundit të ketë qenë ajo që më së shumti i fuste frikën. Burrin e kishte parë vetëm një herë nga dritarja e shtëpisë pak përpara dasmës. Fotografinë e shtëpisë së saj të ardhshme e kishte sjellë një dite një kushëri i largët, bashkë me pëshpërimat që thuheshin për të. Ndër këto të fundit, më e mjegullta ishte çështja e burgut. Me sa dihej, shtëpia e Kadarenjve hynte ndër katër-pesë shtëpitë e rralla të qytetit, që kishte burg, çka për disa nuk ishte veçse një marrëzi, e për të tjerët lidhej me ca ide të dala mode qyshkur, për punë ligjesh, me fjalë të tjera, shteti kishte ligjet e tij, por shtëpia ato të saj, shkurt secili në punë të vet.
Enigma e vërtetë për Kukullën mbetej vjehrra. Përveç asaj që përmblidhej në ijalët e pamëshirshme: e mençur dhe buzë- hollë, ishte një veçanti e tretë, dalja ose jo nga shtëpia, hamendjet për të cilën nuk ishin fort të qarta. Ishte krijuar bindja se, edhe nëse zonja mëmë e Kadarenjve nuk e kishte shpallur ende moskapërcimin e portës, ishte në përgatitje e sipër.

Mosdalja nga shtëpia e grave të vjetra ishte një nga doket më të pashpjegueshme të qytetit. S’i dihej jo vetëm shkaku, por as zanafilla apo rasti që kishte shërbyer si shkak. Ndodhte një ditë që X grua shpallte se s’do të dilte më nga porta e shtëpisë dhe askush nuk pyeste: pse? apo, si kështu?

Ajo që dihej ishte se kjo mosdalje ishte në vetvete një lloj statusi, si të thuash, ngritje rangu, ose pjesë e një mondaniteti.

Nuk kam besuar se Kukulla do ta ketë vrarë mendjen fort për moskuptimin a kuptimin e thellë të mosdaljes së vjehrrës (ndoshta thjesht ka menduar se do të ishte mirë që ajo të dilte sesa të ngujohej në shtëpi), kurse në mëngjesin e parë pas dasmës në banesën e re, ndërsa bëhej gati të ngjitej te dhoma e madhe e pritjes, do të ketë ndier me siguri se as katrahura e dasmës, as nata e parë me burrin, por ajo paraqitje përpara jurisë së pamëshirshme të krushkave, do të ishte krusma më e vështirë për të. /KultPlus.com

Kepi i Rodonit, kepi i perëndisë (VIDEO)

Një udhëtim aventuresk mes natyrës dhe historisë.

“Nëpër Shqipëri” ju tregon natyrën fantastike të Kepit të Rodonit, Kalanë e Skënderbeut dhe Kishën Mesjetare të Shen Ndout.

Kjo është ndër të paktat pika turistike qe mbledh çdo vit turistë të huaj dhe shqiptarë që ekspolorojnë një botë krejt tjetër, larg urbanizimit. /Abcnews /KultPlus.com

Camaj: Enver Hoxha, në vend të gjuhës e imponoi dialektin e vet

Nga: Ledi Shamku-Shkreli (fjalimi i mbajtur për nder të 95-vjetorit të lindjes së Martin Camajt, gjatë një konferencë të mbajtur nga Qendra Kombëtare e Librit dhe e Leximit në Tiranë)

Jemi mbledhë sot përreth Camajt, ndaj Martini s’mund të mungojë. E më fort se kur flitet për atë vetë, ai duhet me qenë i pranishëm sa herë që flitet për Shqipen – gjuhë amtare e tija dhe jona. Kështu pra, meqë krye-verb i fjalës sime sot është shqipja, përmasa jonë etno-kulturore, ju grish të kthehemi 30 vjet mbrapa në kohë, në 2 dhjetor të 1991, në Seminarin e Salernos kushtuar shtresimeve të shqipes. Ky seminar u çel nga Camaj, pikërisht nga Camaj dhe nuk është gand që Adolorata Landi dhe Patrizia del Puente zgjodhën atë për me hapë një seminar, i pari i një kohe kur besohej se fryma e lirisë dhe demokracisë do ta rimte sërish edhe pëlhurën tonë gjuhësore të ngrirë nga diktatura.

Thashë pak parit se Camaj sot nuk mund të mungojë, ndaj le t’i ndëlgojmë kumtet e tij: “Ka rreth 30 vjet qi në Shqipní po vazhdon procesi i normalizimit të gjuhës, i cili nuk merr parasysh randësinë e dialekteve e të historisë, ase të dokumentave si: dorëshkrime, tekste letrare etj. Teoria themelore qi drejtoi procesin e ndjekun për zbatimin e normës, qi në të vërtetë âsht vû në jetë me dhunë, i përket Stalinit. Hoxha (nuni i saj sipas Camajt) në vend të gjuhës, imponoi praktikisht dialektin e vet, ase mâ mirë, nji prej nëndialekteve të tosknishtes lindore. Çdo variant tjetër gjuhësor letrar u ndalue, në veçantí ai i veriut. U pengue edhe zhvillimi i tosknishtes tradicionale letrare, në veçanti përbâsja e saj perëndimore, qi âsht zhvillue në hapsinën prej bregut shqiptar të Jonit deri në Peloponez e prej aty bashkohet me zonat arbëreshe të Italís Jugore. Këtu âsht trashigue nji traditë letrare e zgjedhun e tanë sqimtí, e ngjashme me klimën e butë mesdhetare”.

Ngula këmbë që për punë të shqipes së përbashkët sot Camaj të shprehej vetë, ashtu shkipët e pa “dragomâj”, për t’ia shkëputë kumtet e tij cergave tjetërsuese, të cilat vijimisht e përmes manipulimesh, e kanë cilësuar si hiperlokalist, anti-unitar e anti-kombëtar. Porse Camaj është ndër të rrallët, për të mos thënë i vetmi që iu referohet gjithnjë tri koineve sa herë rrihet argumenti i normës. Ai dëshmon për këtë trinì si in varietate concordia, apo për t’ia dhënë fjalën atij vetë: “Për gati nji gjysë shekulli para ardhjes së stalinizmit, tre variantet letrare janë zhvillue lirshëm në nji simbiozë harmonike. Weigand-i, Nahtigal-i, Pekmezi, Xhuvani e deri edhe autorë veriorë si Fishta e Gurakuqi, këshilluen qi unjisimi i gjuhës zyrtare të mbërrihej nëpërmjet “avitjes” së këtyne varianteve. Kjo gja duhej me u krye jo në mënyrë të vrazhdë. E në të vërtetë, deri në 1944 shoqnija shqiptare zhvillohej në nji rreth simbiozet familjare, kulturore e gjuhsore. Në veçanti në Tiranë kryheshin kontaktet e para gjuhësore mes atyne që përdorojnë dialekte të ndryshme; aty kryhet afrimi. Treguesit e këtij afrimi ishte dashtë me u ndjekë me kujdes, duke gjetë rrugën mâ të drejtë për unjisimin e gjuhës”.

Në duam ta përmbledhim, kumti kryesor i citimit të mësipërm është se Camaj, tridhjetë vjet të shkuara, gjykonte se shqipja e përbashkët evolutive, do ta kish pas epiqendrën e vet të formimit në truallin sociolinguistik të Tiranës kryeqytet. Natyrisht, mendonte Camaj, do ta kish pasë po të mos ia kish zënë vendin Shqipja Totalitare. Madje, shton gjuhëtari, n’atë truall jo vetëm do të latohej entiteti gjuhësor prej miliona replikash kompromise nga çdo areal shqipfolës, por po në atë amë sociolinguistikte duheshin zgjedhur edhe elementet rregullarizuese të induktuara (Treguesit e këtij afrimi ishte dashtë me u ndjekë me kujdes, duke gjetë rrugën mâ të drejtë për unjisimin e gjuhës). Nuk është i vetmi Camaj që e mendon kësisoj. Guiraud në vitet ’70 shkruan: “duhet shqyrtuar mirë ligjërimi popullor parizian, që sot në fakt është ligjërimi popullor i thuajse të gjithë francezëve, apo së paku i atyre që e përdorin frëngjishten në mënyrë të natyrshme”.

Çfarë ndodhi në fakt në këto 30 vjet? Për nga pikëpamja sociolinguistike gjithë këto kohë lëvizjesh të lira demografike, Tirana, në aspekt gjuhësor, nisi të shërbejë si truall pritës për nivelet dhe regjistrat e ndryshme gjuhësore që konvergjojnë aty si ligjërime ardhëse. Saussure pohon se të gjitha gjuhët ardhëse do të ndryshojnë nën trysninë e sistemit gjuhësor pritës; por nuk është vetëm gjuha ardhëse ajo që ndryshon, pasi edhe idioma pritëse pëson ndikime nga përplasja me të parën. Kështu ndodh që trualli gjuhësor konservativ (i Tiranës) modifikon ligjërimet ardhëse, por njëkohësisht modifikohet prej tyre. Nga ky “proces alkimik” lind njëri ndër nivelet më të rëndësishme ligjërimore të Shqipes së Sotme, i cili në terma bashkëkohorë përkufizohet si Substandarti i Metropolit.

Por, vini re, është shumë i rëndësishëm fakti që trualli gjuhësor pritës i Metropolit ja ka dalë ta ruajë karakterin konservativ. Për nga pikëpamja strukturore, ky fakt shpjegon edhe pse një pjesë e mirë e akomodimeve të sotme të shenjuesve zyrtarë, akomodime të cilat kryhen prej këtyre forcave vetëstrukturuese, ndjekin shpesh për inerci hullinë konservative. Ndaj duke i parë në çelës diakronik, shumica e përftesave të sotme, ndonëse rezultojnë si inovacione në raport me normën, në raport me shqipen vetë dhe në thelb të tyre del se shpesh janë konservacione. Nga ana tjetër, prurjet e shumta e të shumëllojshme qoftë diatopike, qoftë diastratike që derdhen në Substandardin e Metropolit, janë kryesisht të llojit inovativ. Fakti që këto inovacione përpunohen në një truall gjuhësor, substrati i të cilit, siç e kemi analizuar në punime të mëparshme, është me karakter konsevativ, bën të mundur që neoformat e Shqipes së Sotme të mos jenë mutacione por fraktale të mëtejshme të së njëjtës lëndë historike. Me fjalë të tjera duam apo nuk duam ne, Substandardi i Metropolit bëhet kështu njëri ndër garantët e evolucionit të pandërprerë të Shqipes Publike, i cili jo rrallë rezulton se po korrigjon edhe ndërhyrjet e djeshme subjektive në lëndë të Shqipes. Ndodhemi përpara një situate jo vetëm interesante nga pikëpamja gjuhësore, por edhe historike. Kjo “gjendje” duhet studiuar sa më shpejt, pikërisht se po të shqyrtohet dhe të përkrahet në kohë, do të shpjerë në forcimin dhe rivlerësimin mbi baza reale të kodit gjuhësor mbarëshqiptar. Gjithë kjo ngaqë sociolekti, me epërsinë e tij komunikuese, thyen te çdo idiomë atë që Saussure e quan esprit de clocher – mendësinë e izolimit – dhe vë kësisoj në lëvizje proceset e uniformizimit objektiv. Z. Ardian Vehbiu, lidhur me domosdoshmërinë e marrjes në konsideratë të këtij entiteti nga studiues dhe planifikues të shqipes shkruan se: “Në të vërtetë, standardi ekzistues i shqipes e ka potencialin për t’u rishikuar pa çuar kjo në ndonjë shkoqje të identitetit gjuhësor dhe kulturor të shqipfolësve; por se çfarë do të rishikohet pikërisht, dhe si do të realizohet kjo, varet në masë të madhe nga çfarë është adoptuar prej folësve vetë përtej llogoreve dialektore, në atë ‘rain forest’ të biomasës së shqipes së sotme, që është Tirana. Me fjalë të tjera Substandardi i Metropolit mund të konsiderohet si “gjuhë në kontakt” që farkohet në rastin tonë ndërmjet dialekteve dhe shqipes standarde të të gjitha stileve, ndaj dhe paraqet një fond të pasur gjuhësor. Veç të tjerash është edhe një vënie në provë e gramatikës, duke qenë se bazohet mbi mekanizma pragmatike që priren ta thjeshtojnë sistemin e kodit formal parashkrues. Saussure dëfton se ,“ai që e krijon gramatikën, e ka në dorë sa kohë s’e ka hedhur në qarkullim, por që nga çasti kur ajo përmbush misionin e saj duke u bërë pronë e gjithkujt, kontrolli del dore. Sikur njeriu të pretendonte se po krijonte një gjuhë të pandryshueshme, të cilën pasardhësit duhet ta pranonin të pacenuar, ai do t’i ngjasonte një pule që klloçkit vezë rose: gjuha e krijuar prej tij, me hir a me pahir, do të përfshihej në rrjedhën që merr me vete të gjitha gjuhët”.

Gjallimi i Substandardit të metropolit është një tjetër element prove në mbështetje të tezës se shqipja, si çdo gjuhë tjetër, zhvillohet përmes një continuum-i gradual evolutiv duke kaluar në këto etapa:

Dialekte → Varietete Krahinore → Shqipe Popullore → Substandart i Metropolit → Shqipe e Njësuar (Standard ↔ Neostandart)

Këtë iter do të ketë pasë në mend edhe Camaj tridhjetë vjet të shkuara kur tërhoqi vëmendjen tek rëndësia parake e asaj përziemje të vetvetishme që ka ndodhë e ndodh prore në Tiranë. Kjo prurje substandarte popullore, e cila mungon krejt në kodin standard, vijon të ushqejë përditë proceset ristandartizuese të shqipes. Dhe prania e substandartit është në të vërtetë prani e folësit e madje e një folësi kolektiv trashendental, i cili është bartës i shqipes që ka qenë po dhe i asaj që do të jetë. Gjithë këtë trashëgimi kodesh stilesh e regjistrash, të shkruar e sidomos të folur, tok me tharmin unitar të ardhmënisë, Substandarti e ofron pareshtur e përmes procecesh mirëfilli vetërregulluese, në ristandardizimin e shqipes letrare. Dhe në fakt, matjet e kanë dëshmuar tashmë se ka lindur e po fuqizohet varieteti Neostandard si formë e thjeshtuar dhe e pasuruar e Standardit, që ka përdorim masiv dhe që gjuhësisht e kulturalisht paraqitet më i hapur se Standardi, pasi mund të përmbushë të gjitha nevojat e komunikimit publik, deri edhe ato praktike e të përditshme. Neostandardi gjendet në kapërcyell të gjuhës së shkruar e asaj të folur. Përbërësit e këtij varieteti del se janë: Substandardi i Metropolit + Tiparet e Gjuhës së Shkrimit. Ky rezultat është mirëfilli pohim i parathanës së Camajt: vendformimi i Neostandardit të Shqipes është Tirana Metropol. Po ashtu matjet dëftojnë se ky Neostandart po realizohet në plotninë e vet diamezike, pra si në rrafsh të folur, ashtu edhe në rrafsh të shkruar.

Neostandardi i shkruar është ai varietet i shqipes së përbashkët me të cilin po identifikohen gjithnjë më shumë përdoruesit e shqipes, duke filluar nga përdorimi i saj si gjuhë publike e deri te përdorimet vetjake nga nxënës, studentë apo shkrues të mesëm. Epërsia e këtij varieteti ndaj normës standarde qëndron pikërisht në dy tiparet karakteristike të tij:

– në prakticitetin e repertorit të tij gjuhësor, me të cilin mund të përmbushet një gamë mjaft më të madhe situatash shkrimore, pra jo vetëm situatat thellësisht formale;

– në afërinë që ngërthen ky varietet me përdorimet e folura dhe me formate trashëguara të traditës.

Neostandardi i folur është varieteti i Shqipes së Sotme drejt të cilit synojnë gjithë ata përdorues që, duke zgjedhur ta përvetësojnë në të folurën e tyre prestigjin që ofron gjuha letrare, e deskematizojnë dhe e ristandartizojnë vijimisht këtë të fundit në përputhje me kushtet e reja social-kulturore. Natyrisht që Neostandardi i Shqipes së Sotme ka edhe një gjurmë të ndjeshme të pragmatizmit gjuhësor, prej të cilit në mjaft situata ai paraqitet edhe si i varfër në mjete, por kjo çështje i takon më shumë kulturës së gjuhës sesa gjuhës vetë. Dhe si e tillë mund të përballet duke i kundërvënë mes tjerash një edukim gjuhësor demokratik, i cili nxit qarkullimin e mjeteve shprehëse, të atyre mjeteve të simbiozës së trashëgueme – siç e quan Camaj, duke pasuruar ksodore kompetencën e mandej performancën e shqipfolësve.

Këtu e 30 vjet më parë Martin Camaj përfytyroi ringjalljen e unitarizmit gjuhësor në Shqipen që pat shkizmuar ideologjia. Parathana e tij shenjoi Tiranën e çliruar si vatër të unitarizmit gjuhësor. Tridhjet vjet më pas, koha po i jep të drejtë vegimeve poetike e andrrimtare të atij që rrëfeu se: “ngjarjet qi i kanë ra për hise gjuhës time qenë edhe shkaku mâ i thellë qi më ka shtye me u marrë si shkencëtar me gjuhën”. Kjo që po ndodh në Tiranë është vetëm fillimi i një reforme nga poshtë mbi Shqipen. /KultPlus.com

“Nacionalisti më i mirë është ai që i dallon të metat e popullit të vet”, shprehje nga ata që e bënë historinë

Harry S. Truman: “Brenda pak muajve të parë të presidencës unë zbulova se të jesh president është si të shkosh kaluar mbi një tigër. Njeriu që e nget duhet ta vazhdojë ta ngasë, ose ndryshe gëlltitet”!

Nikita Khrushchev: “Politikanët janë kudo të njëjtë. Ata premtojnë të ndërtojnë një urë edhe aty ku s’ka lumë”!

Vaclav Havel: “Nuk ka më komunist se ish-komunisti që e lufton komunizmin”!

Voltaire: “O Zot! Më shpëto nga miqtë e mi, se nga armiqtë mbrohem vetë”!

John F. Kennedy: “Nëse jemi të fortë, forca jonë flet vet. Nëse jemi të dobët, fjalët s’na ndihmojnë”!

Robert Frost: “Liberali është ai që është aq tolerant sa që mund të mos mbajë as anën e tij në një grindje”!

Friedrich Nietzsche: “Politikani e ndan njerëzimin në dy klasa: në vegla dhe në armiq”!

Charles de Gaulle: “Përderisa një politikan nuk e beson kurrë atë që e thotë, befasohet kur të tjerët e besojnë”!

Margaret Thatcher: “Çdo grua që i kupton problemet e drejtimit të një shtëpie, do ta ketë më të lehtë të kuptojë problemet e drejtimit të një shteti”!

Ronald Reagan: “Supozohet se politika është profesioni i dytë më i vjetër. Unë kam kuptuar që ai ka shumë ngjashmëri me profesionin e parë më të vjetër”!

Stanley Kubrick: “Shtetet e mëdha kanë vepruar gjithnjë si gangsterë, ndërsa shtetet e vogla si prostituta”!

Mason Cooley: “Tre njerëz të braktisur në një ishull të izoluar, do të shpiknin shumë shpejt politikën”!

James Clark: “Një politikan mendon për zgjedhje të ardhshme, kurse një burrështetas mendon për brezin e ardhshëm”!

Ely Culbertson: “Politika, një emër diplomatik për ligjin e xhunglës”!

Will Rogers: “Sa më shumë lexoni për politikën, aq më shumë arrini të kuptoni se çdo parti është më e keqe se tjetra”!

Pierre Trudeau: “Në pikëpamje akademike përpiqeni ta pohoni të vërtetën absolute; në politikë kërkoni që të vërtetën t’ia përshtatni fakteve përreth jush”!

Alexis de Tocqueville: “Në politikë, një bashkësi e njerëzve që urrehen është pothuaj gjithnjë baza e miqësisë”!

Jesse M. Unruh: “Paraja është për politikën si nëna që ushqen me qumështin e saj”!

Georges Pompidou: “Një burrështetas është një politikan që e vë veten në shërbim të kombit, ndërsa një politikan është një shtetar që e vë kombin në shërbim të vetes!

Bernard Baruch: “Votoni për njeriun që premton më pak, se ai do të jetë më pak zhgënjyes”!

Winston Churchill: “Politika është më e rrezikshme se lufta, sepse në luftë ju vriteni veç një herë”!

Soren Kierkegaard: “Tirani vdes dhe sundimi i tij merr fund; martiri vdes dhe sundimi i tij fillon”!

Harold Wilson: “Në politikë një javë është kohë shumë e gjatë”!

Boris Mashalov: “Kongresi është i çuditshëm. Dikush ngrihet të flasë e nuk thotë asgjë. Askush s’dëgjon, pastaj të gjithë bien dakord”!

Johann Wolfgang von Goethe: “Nacionalisti më i mirë është ai që i dallon të metat e popullit të vet”!

Marie Ebner: “Ne botë do të kishte më pak çaste të kobshme, nëse të këqijat s’do të bëheshin në emër të ndonjë të mire”!

Adolf Hitler: “Sa fat për sundimtarët që njerëzit nuk mendojnë!”

Faik Konica: “Ati ynë që je në Qiell, na ndihmo ta mbajmë gojën mbyllur kur s’kemi asgjë për të thënë”!

Sydney J. Harris: “Tri detyrat më të rënda të kësaj bote janë: Ta shpërblesh urrejtjen me dashuri, pranimi i të pamundshmes dhe thënia – unë isha gabim”!

Konrad Adenauer: “Jetojmë të gjithë nën një qiell, por askush s’ka të njëjtin horizont”! /KultPlus.com

Italia e gatshme t’i ndihmojë Kosovës në zhvillimin ekonomik

Ambasada e Italisë në Prishtinë ka organizuar webinar-in me temën “Kosova, Partneriteti dhe Mundësitë – Forcimi i partneritetit publiko-privat mes Kosovës dhe Italisë veri-lindore përtej Covid-19”.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, ka thënë se Kosova është duke krijuar mjedis të përshtatshëm të të bërit biznes.

Ai në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve ka thënë se vendi është i hapur për biznese, duke shtuar se sektori privat ka rol kyç në fuqizimin e ekonomisë.

“Kosova është e hapur për bizneset dhe për këtë arsye ka ndërmarrë veprime të rëndësishme për krijimin e një mjedisi të favorshëm të biznesit duke transpozuar ligje, rregullore dhe praktika të rëndësishme evropiane në legjislacionin tonë vendor. Me nënshkrimin e marrëveshjes së MSA-së në prill 2016, Kosova ka marrë përsipër reformën ekonomike, politike dhe harmonizimin e rrugës së zhvillimit të vendit me atë të integrimit evropian. Jam i bindur që takimi i sotëm do të na japë ide të rëndësishme se si të forcojmë dhe thellojmë marrëdhëniet bilaterale”, ka thënë ai.

Ndërkaq ambasadori i Italisë në Kosovë, Nicola Orlando, ka thënë se popullsia e re e Kosovës është e drejtuar fuqishëm nga Evropa, pjesë e së cilës, siç thotë ai, është në aspektin kulturor.

“Pavarësisht zhvillimeve të shpejta tipike për të gjitha demokracitë e reja, Kosova sot është një vend i qëndrueshëm dhe me zhvillim të shpejtë. Një realitet i ri dhe dinamik, i karakterizuar nga një prani e fortë dhe e strukturuar e institucioneve italiane, që ofron mundësi të rëndësishme për ata që duan t’i shfrytëzojnë”, ka thënë ai.

Nënsekretari i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar Ivan Scalfarotto theksoi vëmendjen e institucioneve italiane ndaj Kosovës, që shprehet edhe me punën e ICE-s, Institutit të Kulturës dhe mbi të gjitha kontingjentin e parë ushtarak në mbështetje të misionit të NATO-s përmes KFOR-it, i angazhuar që nga vitit 1999 në garantimin e stabilitetit në zona të rëndësishme të vendit.

“Italia i kushton rëndësi strategjike procesit të stabilizimit të Ballkanit perëndimor dhe në veçanti të Kosovës,” deklaroi nënsekretari. /Koha.net /KultPlus.com

AKK: Së shpejti shqyrtohen masat ndaj lëvizjes së lirë, çerdheve dhe gastronomisë

Drejtori ekzekutiv i Asociacioni i Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka thënë se ditëve në vijim rishqyrtohet orari i lëvizjes, hapja e çerdheve dhe situata me gastronominë.

Kjo u bë e ditur nga AKK pas takimit që Ibrahimi ka pasur me kryeministrin Hoti dhe ministrin Zemaj.

“Në takimin e sotëm të Komitetit për kordinimin dhe vlerësim të situatës emergjente me COVID-19, Asociacioni i Komunave të Kosovës, si përfaqësues i autoriteteve lokale në Republikën e Kosovës, anëtar i këtij mekanizmi, paraqiti shqetësimet e komunave të Republikës së Kosovës sa i përket zbatimit dhe efekteve të këtyre masave në komunat e Kosovës. Takimi u kryesua nga z. Armend Zemaj, Ministër i Shëndetësisë dhe në të cilin takim ishte prezent edhe Avdullah Hoti, Kryeministër i Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e AKK-së.

Propozimet në emër të komunave të Republikës së Kosovës:

Sfidat në sektorit e gastronomisë;

Ndryshimi i orarit të lëvizjes në komunat kryesore të Kosovës në të cilat komuna ka kufizim të lëvizjes së qytetarëve;

Çështja e çerdheve dhe lejimi i punës së tyre;

Hoti, thuhet se përveç që vlerësoi lartë punën e komunave dhe kryetarëve të komunave në parandalimin e përhapjes së COVID 19, së bashku me ministrin e Shëndetësisë Armend Zemajn, premtuan që në periudhën sa më të shpejt të mundur kërkesat e komunave sa i përket masave të parapara me vendimin e Qeverisë së Kosovës të datës 05 korrik 2020 dhe bazuar në kërkesat e komunave do të ri-shikohen.

“Ishte dakordim i përbashkët që përveç shëndetit publik, prioritet i Qeverisë  dhe i komunave është edhe shëndeti ekonomik”, thuhet në fund, njofton Telegrafi. /KultPlus.com

Gjoba prej 1000 eurove për mosmbajtjen e maskës në Itali

Tri gjobat e para prej 1000 euro u vunë sot për mospërdorimin e maskës në ambiente të mbyllura, në dyqeanet dhe lokale, në zbatim të urdhrit të nënshkruar dje në mbrëmje nga guvernatori i Salernos, Vincenzo De Luca.

Gjobat u vunë në tri dyqane në zonën lindore të qytetit.

Autoritetet nuk përjashtojnë edhe mbylljen e këtyre dyqaneve dhe lokaleve.

Ndërkohë, kryetari i bashkisës së Salernos, Vincenzo Napoli, i shoqëruar nga disa patrulla të policisë bashkiake, kreu personalisht inspektime për të konstatuar nëse menaxherët dhe stafi i institucioneve tregtare respektonin dispozitat antiCovid-19. /KultPlus.com

Albulena Uka, kosovarja që shënoi sukses gjatë studimeve në Belgjikë dhe që po lobon për të drejtat e të rinjve kosovarë në arenën ndërkombëtare

Bujar Meholli

Albulena Uka është një emër mjaft premtues në fushën e jurisprudencës. Studentja kosovare studimet e saj i filloi në Fakultetin Juridik pranë Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini”, të cilat arriti t’i përfundojë me sukses të lartë pas përkushtimit të madh. Duke qenë e prirur të punojë fort në këtë fushë, mundi i saj u shpërblye kur arriti të fitojë bursë e më pas edhe ta prezantojë UMIB-në në Universitetin e Harvardit. Tutje, ajo mori pjesë nëpër gara, konferenca e kongrese, nga të cilat doli me mirënjohje për performancat e saj.

Në Kosovë, Uka u angazhua gjatë kohës së studimeve edhe në praktika të ndryshme nëpër institucione qeveritare dhe gjyqësore si në Gjykatën themelore dhe atë Kushtetuese. Më pas ajo vijoi studimet Master në Universitetin prestigjioz të Ghentit në Belgjikë. Në këtë intervistë ekskluzive për KultPlus, Uka rrëfen përvojat gjatë studimeve në Belgjikë, angazhimet e saj për të drejtat e të rinjve kosovarë, takimin me Deputeten gjermane në Parlamentin Evropian Viola von Cramon me të cilën bisedoi për pengesat që iu sjell të rinjve kosovarë mos liberalizimi i vizave në aktivitetet edukative, kulturore e arsimore, si dhe planet që ka në të ardhmen.

1. KultPlus: Si vendosët t’i filloni studimet në fushën e jurisprudencës?

Drejtësia ka qenë përherë një fushë që e kam pëlqyer dhe admiruar por vendimin përfundimtar për të studiuar drejtësisë e bazova në këshillat e motrës time, Albanës, njëherit profesoreshë në Universitetin e Prishtinës, e cila më bindi që ky profesion i përshtatet më së miri personalitetit tim.

2. KultPlus: Çfarë roli ka luajtur Universiteti i Mitrovicës në zhvillimin e karrierës suaj profesionale?

Studimet bachelor i kam përfunduar pranë Universitetit të Mitrovicës dhe me të vërtetë aty kam filluar hapat e parë akademik e profesional në fushën juridike. Për mua ka qenë një periudhë tejet e vlefshme dhe rëndësishme që më ka pajisur me njohuritë fundamentale të drejtësisë duke m’i hapur dyert për të vazhduar suksesshëm më tutje.

3. KultPlus: Duke qenë se e keni prezantuar UMIB-në në Universitetin e Harvardit, çfarë mund të ndani nga kjo përvojë për lexuesit dhe konkretisht si e keni prezantuar UMIB-në atje?

Universiteti i Harvardit ka organizuar një garë ku kanë marrë më shumë se 2000 pjesëmarrës nga e tërë bota me qëllimin të gjenden zgjidhje për problemet aktuale në botë të cilat diskutohen në institucionet e Kombeve të Bashkuara dhe unë kam pasur nderin të përfaqësoj Universitetin e Mitrovicës. Të jesh në mesin e studentëve që vinin nga Universitet më të mira të botës ka qenë një motivim shumë i fuqishëm që të arrij ta përfaqësoj Universitetin tim më së miri por po ashtu për të dëshmuar që studentët e Kosovës mund të garojnë përballë studentëve tjerë dhe të dëshmojnë sukses.

4. KultPlus: Gjatë aktiviteteve që keni pasur, mes tjerash jeni angazhuar për të drejtat e të rinjve shqiptarë në OKB. Mund të na tregoni si e keni bërë këtë?

Po, në janar të këtij viti jam ftuar në takimin e mbajtur në Selinë e Kombeve të Bashkuara në New York të Shteteve te Bashkuara të Amerikës. Në këtë takim me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, z. António Guterres dhe të rinjtë liderë nga e mbarë bota janë theksuar disa nga sfidat me të cilat rinia përballet në shekullin e 21-. Këtu kam shfrytëzuar mundësinë që në këtë takim të theksoj se unë përfaqësova një të re nga Kosova e cila vjen nga një shtet që ende nuk është anëtar i Kombeve të Bashkuara, por është në krye të ekipit për organizim të një Konference për Kombet e Bashkuara, meqë unë isha Sekretare Gjenerale e Konferencës së Universitetit të Ghentit për Kombet e Bashkuara.  Kur e pyeta Sekretarin Gjeneral se çfarë mendonte ai për këtë, më tha “OKB-ja shtrin qëllimet e saj në botë dhe jo vetëm në vendet anëtare”. Një përgjigje e tillë e Sekretarit Gjeneral mua më dha shpresë e optimizëm për anëtarësimin e Kosovës në OKB, që ndër të tjera do të krijonte lehtësi për të rinjtë shqiptarë për integrim e mobilizim në botë.

5. KultPlus: Në çfarë garash, konferencash e kongresesh keni marrë pjesë dhe me çfarë mirënjohjesh jeni shpërblyer?

Krahas studimeve kam qenë vazhdimisht e angazhuar edhe në gara, kongrese e konferenca të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare. Do të theksoja disa prej atyre ndërkombëtare: kongresin për NATO në Bukuresht, garat për të drejtën evropiane në Bruksel e Paris ku edhe jam shpërblyer me vendin e parë për performancën time. Më pastaj jam përzgjedhur e ftuar të drejtoj komitete të ndryshme si Këshillin për të Drejtat e Njeriut në Budapest, Këshillin e Bashkimit Evropian në Vjenë dhe Varshavë, Këshillin e Sigurimit në Stamboll dhe Zagreb e shumë të tjera.

6. KultPlus: Cilat janë ambiciet tua në rrafshin ndërkombëtar?

Duke filluar nga vizita ime e parë jashtë Kosovës, që ishin ShBA-të e tutje, kam mbajtur përherë pika lidhëse në nivelin ndërkombëtar të cilat tash pas studimit tim për Masterin e avancuar në Belgjikë vetëm sa janë forcuar. Mirëpo, unë qëllimin final gjithmonë e kam që njohuritë dhe praktikat e mira t’i marr nga rrafshi ndërkombëtar t’i sjelli në atë kosovar.

7. KultPlus: A ke menduar ndonjëherë të futesh në politikë dhe të kontribuosh me këto njohuri që gjer  tani keni fituar?

Ajo që unë mendoj në mënyrë të vazhdueshme është se si të ndikoj në përmirësimin e jetës në Kosovë dhe në këtë drejtim edhe punoj çdo ditë.  Për mua është e rëndësishme që si individ fillimisht dhe së bashku me të tjerë që kanë qëllimet e mira të fillojmë te veprojmë, secili në fushat tona dhe t’i bëjmë ndryshimet e nevojshme për të mirën e qytetarëve në Kosovë. Nuk ka dyshim se politika është një faktor shumë i rëndësishëm i cili mundëson që ndryshimet të shtyhen përpara më lehtësisht, unë besoj që thelbësore është të ekzistojë vullneti i mirë e më pas format se si do të përkthehet ai vullnet në praktikë do të gjenden, qoftë ajo politika apo edhe rrugët tjera.

8. KultPlus: Çfarë u bisedua në takimin me Deputeten e Parlamentit Evropian Viola von Cramon që e patët?

Tash së fundmi në Bruksel takova Deputeten gjermane në Parlamentin Evropian, znj. Viola von Cramon e cila njëkohësisht është edhe raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian. Me znj. Viola pata kënaqësinë të diskutoj për zhvillimet aktuale në Kosovë ngasë ajo ishte veçmas e interesuar në perspektivën time si një e re nga Kosova duke studiuar në Belgjikë, se si i perceptoj unë këto zhvillime. Diskutuam edhe për çështjen e liberalizimin të vizave për Kosovën dhe unë theksova pengesat që kjo sjellë për Kosovarët duke limituar mundësitë, sidomos të të rinjve për pjesëmarrje qoftë në aktivitete edukative e kulturore ashtu edhe për studime. Njashtu, edhe tema tjera me rëndësi nga sistemi i drejtësisë ishin pjesë e diskutimit tonë.

9. KultPlus: Studimet për programin Master i keni vazhduar në Belgjikë, gjegjësisht në Universitetin e Ghentit, ku dhe jeni diplomuar. Çfarë përvoje keni fituar gjatë kësaj kohe në Belgjikë, dhe çfarë ndikimesh kanë pasur njohuritë që keni fituar atje?

Universiteti i Ghentit është një nga universitetet më të vjetra e më prestigjioze në Belgjikë e në botë, andaj çdo ditë studimi në Universitetin e Ghentit e kam vlerësuar si një privilegj. Çdo gjë është aq e veçantë duke filluar nga ligjëratat e shkëlqyeshme të profesorëve, literatura e përdorur për studime, metodat e vlerësimit, aktivitetet në Fakultet e çdo gjë tjetër. Për më tepër, Universiteti i Ghentit mua më ka dhënë edhe shumë mundësi tjera jashtë programit të studimeve meqë për Konferencën e Universitetit të Ghentit për Kombet e Bashkuara jam përzgjedhur Sekretare Gjenerale, roli kryesor në ekipin organizativ si dhe jam anëtare e ekipit akademik për organizimin e Garës Ligjore që do të mbahet vitin e ardhshëm. Ndonëse pritshmëritë e mia për Universitetin e Ghentit kanë qenë shumë të larta që nga fillimi, Universiteti ka arritur t’i kalojë të gjitha pritshmëritë e mia. 

10. KultPlus: Kur flasim për studimet e larta, si i krahasoni programet e Universiteteve kosovare me ato evropiane, në këtë rast me të Belgjikës?

Universitetet me një traditë të gjatë kanë edhe një kualitet të lartë të arsimimit të studentëve, siç është Universiteti i Ghentit. Rrjedhimisht, çdo gjë lidhur me fakultetet: programi i studimit, lëndët, profesorët, bibliotekat janë të një niveli shumë të lartë dhe cilësor në të cilin absorbimi i dijes bëhet shumë më lehtë dhe është më efektiv. Megjithatë, kur e vëmë paralelisht me Universitetet në Kosovë, unë besoj që mbetet edhe shumë punë për t’u bërë që të arrihet një nivel i përafërt me Universitetet evropiane por patjetër që me kuadro profesionale përkatëse në sistemin e arsimit për gjeneratat e ardhshme të studentëve do të ishte më se i mundur.

11. KultPlus: Cilët janë hapat që do t’i merrni në të ardhmen brenda suazave të profesionit tuaj?

Unë jam shumë e përkushtuar që si juriste të vendosi përherë drejtësinë dhe këtë ta bëj në cilindo funksion që kam apo institucion që gjendem ngase ky është parimi im themelor i punës. E kam thënë që nga fillimi dhe do vazhdoj ta mbaj fjalën time: Me drejtësi kudo, pa të askund! /KultPlus.com

Arti i aktivistit

Nikkolas Smith e quan veten një “artivist”: artist dhe aktivist. Shtatë vjetët e fundit, artisti nga Los Angelosi ka mbajtur zi nëpërmjet veprave të tij për jetët e afro-amerikanëve. Ai thotë se po ndjek rrugën e këngëtares Nina Simone, që ka thënë se është detyrë e artistit për të reflektuar në kohë.

“Unë gjithmonë jam duke shikuar se çfarë po ndodh në botë dhe përpiqem të reflektoj për këtë”, ka thënë Smith. “Ka shumë afro-amerikanë që u është marrë jeta në këtë botë. Unë përpiqem të procesoj se si kjo më ka bërë të ndihem si pjesëtar i këtij komuniteti”.

Portreti i George Floyd, i realizuar nga Smith, që është vrarë nga policia e që nxiti protesta në gjithë botën kundër dhunës policore, është tani në kryeqendrën e billbordeve në “Times Square” në New York dhe në qendrën tregtare “Beverly Center” në Los Angeles. Për imazhin gjysmë-abstrakt, Smith ka thënë se ka përdorur vija të ashpra të brushës rreth Floydit që ka veshur kostum.

“Vepra shfaq George Floydin që ju shikon direkt me pak shqetësim në sytë e tij”, sqaron Smith. “E ndiej sikur ai pyet se çfarë po ndodh? Pse më ndodhi mua kjo? Dëshiroj që përmes artit tim t’i tregoj botës që ai ishte një qenie njerëzore që jetoi në tokë”.

Grupi “Black Lives Matter” porositi portretin e Floydit për billboard dhe një video si nderim për viktimat nga përdorimi i dhunës policore.

“Nikkolas është njëri prej atyre artistëve që bën thirrje të ndryshojmë mënyrën se si ne e shohim veten tonë”, ka thënë Kailee Scales, drejtoresha menaxhuese e “Black Lives Matter Global Network Foundation”. Ajo ka thënë se ka vite që kishte parë imazhet e tij online dhe BLM e kishte ftuar Smithin vitin e kaluar që për “Art Basel” të krijonte një logo për kampanjën e tyre civile, “What Matters”. Ajo ka thënë se portreti i tij i George Floydit dhe të tjerëve janë në linjë me mesazhin e grupit për nderimin e dinjitetshëm të jetëve të afro-amerikanëve.

“Ai shumë shpesh i kap njerëzit në momentet e tyre të lumtura para se ato të ndërpriten nga dhuna”, thotë Scales. “Dhe kjo me të vërtetë ishte një nderim për shpirtin e ‘Black Lives Matters’, qasja humane ndaj afro-amerikanëve”.

Në mesin e ndjekësve të Smithit është ish-zonja e parë Michelle Obama, që e postoi pikturën e tij të George Floyd në llogarinë e saj në “Instagram” dhe këngëtarja Rihanna, që bëri “retweet” pikturën e tij të ish-yllit të hip-hopit Nipsey Hussle. Smith ka pikturuar aktivistë të të drejtave njashtu sikurse edhe ikona të sportit e të kulturës, e po ashtu edhe viktimat e abuzimeve policore, përfshirë portretin e 26-vjeçares Breonna Taylor në uniformën e saj, 18-vjecarit Michael Brown në uniformë të diplomimit dhe Ahmaud Arbery në kostum.

“Zakonisht më pëlqen që të krijoj diçka më të hareshme, edhe nëse është një situatë tragjike”, ka thënë Smith. Për portretin e Ahmaud Arbery ka pasur një ide të qartë. “Thashë me vete: ‘E dini çfarë? Unë duhet të pikturoj vetëm tragjedinë, terrorin dhe dhembjen, që jam i sigurt që ishte në fytyrën e tij’. Kam dashur, në stilin tim abstrakt të pikturave me vaj, të krijoja një vepër të rrjedhshme me shumë emocione. Është disi e dhunshme. Nuk është e përfunduar. Shumë nga veprat e mia nuk janë të përfunduara. E shoh këtë si një lloj paralele me jetën e këtyre njerëzve, sepse ata nuk e kanë pasur rastin që ta përmbyllin jetën ashtu siç është dashur”.

(Marrë nga NPR) /Koha.net /KultPlus.com

Nikolla Koperniku dhe Galileo Galilei ata që guxuan të parët “të fusin në sherr” shkencën me fenë

Astronomi 70-vjeçar ishte në shtratin e vdekjes, duke u munduar të lexonte diçka. Në duar kishte dorëshkrimin e një dokumenti që kishte shkruar dhe që ishte gati për ta botuar. Ndoshta nuk ia merrte mendja, po libri i tij do të përmbyste pikëpamjen e njerëzimit për universin. Gjithashtu, do të ndizte një polemikë të zjarrtë brenda krishterizmit, pasojat e së cilës ndihen edhe sot.

Ky ishte Nikolla Koperniku, një katolik polak, dhe bëhet fjalë për vitin 1543. Në veprën e tij me titull Mbi rrotullimin e sferave qiellore, Koperniku vendosi Diellin dhe jo Tokën në qendër të sistemit diellor. Vetëm me një veprim, Koperniku e zëvendësoi sistemin e ndërlikuar që kishte në qendër Tokën me një sistem më të thjeshtë e të shpjeguar bukur që kishte Diellin në qendër.

Në fillim nuk kishte tregues se në të ardhmen do të lindte një konflikt. Në fakt Koperniku u tregua i kujdesshëm kur paraqiti këtë teori. Plus kësaj, Kisha Katolike, e cila kishte adoptuar teorinë se Toka ishte në qendër të sistemit, dukej më tolerante ndaj hipotezave shkencore të asaj kohe. Madje ishte pikërisht papa ai që e nxiti Kopernikun të botonte veprën e tij. Kur më në fund Koperniku e botoi veprën, redaktori që shkroi parathënien e librit, i frikësuar, e paraqiti konceptin e sistemit me Diellin në qendër ose sistemit heliocentrik si një teori matematikore, dhe jo si një të vërtetë astronomike.

Lindja e konfliktit

Pas kësaj, në skenën e konfliktit hyn astronomi, matematikani dhe fizikani italian Galileo Galilei (1564-1642), i cili ishte po ashtu katolik. Me anë të teleskopëve, që kishte krijuar duke përdorur lentet e saposhpikura, Galilei arriti të shihte në qiell hollësi të papara deri atëherë. Këto vrojtime e bindën se Koperniku kishte pasur të drejtë. Gjithashtu, Galilei pa disa njolla në Diell, që sot njihen me emrin njolla diellore, duke vënë në diskutim një bindje tjetër filozofike dhe fetare mjaft të rëndësishme, sipas së cilës pretendohej se nuk ekziston rreziku që Dielli të ndryshojë ose të shkatërrohet.

Ndryshe nga Koperniku, Galilei ishte i guximshëm dhe i vendosur për të mbrojtur idetë e tij. Dhe këtë vendosmëri e tregoi në një ambient fetar më armiqësor, pasi Kisha Katolike në atë kohë kishte dalë hapur kundër teorisë së Kopernikut. Prandaj, kur Galilei arsyetoi se ideja e sistemit heliocentrik ishte jo vetëm e saktë, por edhe në përputhje me Shkrimet, kisha dyshoi për herezi.*

Galilei shkoi në Romë për të mbrojtur veten, por ishte e kotë. Në vitin 1616 kisha e urdhëroi që të mos i mbronte më idetë e Kopernikut. Galilei u detyrua të heshtte për ca kohë. Por pastaj, në vitin 1632, ai botoi një vepër tjetër ku mbronte tezën e Kopernikut. Pikërisht një vit më pas, Inkuizicioni e dënoi Galilein me burgim të përjetshëm. Por, nuk qëndroi në burg, sepse ishte në moshë të thyer, dhe kështu ia ndryshuan dënimin në arrest shtëpie.

Shumë e konsiderojnë konfliktin e Galileit me kishën si një fitore të shkencës mbi fenë, dhe më gjerë akoma, një fitore mbi Biblën. /AlbertVataj /KultPlus.com

Imituesi norvegjez thyen rekord, këndon si Elvis Presley për 50-të orë

Një imitues norvegjez i Elvis Presley ka thyer sot një rekord botëror duke kënduar këngët e “Mbretit” për më shumë se 50 orë, gjatë një maratone muzikore të publikuar në internet, transmeton KultPlus.

Në 50 orë, 50 minuta dhe 50 sekonda, “Kjell Elvis”, emri i skenës i Kjell Henning Bjornestad, ka thyer për më shumë se shtatë orë rekordin e mëparshëm të aprovuar nga Guinness. Ky rekord ishte mbajtur që prej 16 vitesh nga një gjerman Thomas “Curtis” Gäthje.

“Nuk do ta bëj kurrë më”, deklaroi për televizionin norvegjez NRK, sozia e yllit amerikan në përfundim të performancës së tij rreth orës 10:50 (08:50 GMT). Ai kishte filluar të këndonte të enjten në mëngjes në orën lokale 08:00 në një bar në qendër të Oslo-s, me veshjen e plotë të Elvisit.

Sipas menaxherit të tij, iu rekomandua artistit që të mos konsumonte kafe për të kaluar dy netë të tëra. Smoothies, frutat dhe ëmbëlsirat energjike e lejuan atë të shkojë distancën dhe të ruajë zërin e tij, pak i ngathët në orët e fundit.

Bjornestad, 52 vjeç, më parë kishte marrë vëmendjen e mediave ndërkombëtare duke thyer rekordin dy herë, së fundmi në 2003, një maratonë 26 orëshe në atë kohë. / KultPlus.com

Mijëra hungarezë protestojnë për lirinë e shtypit

“Index qëndronte për lirinë e shtypit dhe ideve. Boshllëkun që do të lerë ai nuk do ta mbushë dot asnjë medium tjetër”, thotë Balint Honos.

Hungarezi i ri është një nga rreth 10.000 vetë që të premten në mbrëmje protestuan në Budapest kundër ndikimit të qeverisë ndaj mediumit më të madh të pavarur në vend.

Edhe Luca Jelli është mes demonstruesve.

“E para gjë që bëj në mëngjes është leximi i Index-it”, thotë ai. “Jam shumë i trishtuar për atë që po ndodh këtu”.

Kolona e protestës u formua në afërsi të redaksisë së Index-it. Prej andej protestuesit vazhduan rrugën përgjatë Danubit deri para selisë së kryeministrit, Viktor Orban. Rrugës pati duartrokitje për punën e gazetarëve të portalit dhe thirrje për solidaritet: “Ne jemi me ju”, “Vend i lirë, media të lira”.

Më shumë se 80 gazetarë të Index-it dorëhiqen

Arsyeja e protestës lidhet me largimin nga detyra të kryeredaktorit të Index-it, Szabolcs Dull të mërkurën.

Në fund të qershorit ai kishte publikuar një artikull, ku paralajmëronte nga ndikimi në rritje tek Indexi i pronarëve të afërt me qeverinë.

Të mërkurën në fjalën e lamtumirës, Dull tha se “Index është një fortesë, që ata duan ta shkatërrojnë.”

Pas largimit të Dull nga detyra, redaksia e Index-it u solidarizua me kryeredaktorin dhe kërkoi kthimin e tij në detyrë. Por drejtorët nuk reaguan. Të premten më shumë se 80 vetë gazetarë ofruan largimin nga detyra, si edhe zëvendëskryeredaktorja, Veronika Munk. Ajo u shpreh, se do të krijojë një medium të ri me ish-gazetarët e redaksisë së “Index-it”.

Përpjekja për ndikim zgjat me vite

Me rreth 1.5 milionë klikime të faqes në ditë, te një popullsi me 10 milionë banorë, Index është mediumi më i lexuar në Hungari. Prej vitesh qeveria e Orbanit përpiqet të ndikojë në raportimin kritik që i bëhet qeverisë nga portali. Para tre vjetësh ky portal u vu nën pronësi të pronarëve të afërt me partinë e Viktor Orbanit, Fidesz.

Një fondacion i krijuar do duhej të garantonte pavarësinë e Index-it. Por në mars biznesi i reklamave u shkëput nga portali dhe u vendos nën kontrollin e pronarëve. Para një muaji, pronarët kërkuan nga fondacioni, bordi drejtues dhe redaksia një raportim më miqësor ndaj qeverisë, gjë që çoi në prishjen me kryeredaktorin, Dull dhe në fund me të gjithë redaksinë.

Vënia nën kontroll e mediave kritike, tashmë një traditë në Hungari

Vitet e kaluara, qeveria e Orbanit i ka vënë nën kontroll gati të gjitha mediat kritike. Analistët vlerësojnë, se gati 90% e mediave ndodhen nën kontrollin e qeverisë. Kritikët tremben, se Index-i do të vendoset tërësisht në linjën e qeverisë, sipas një modeli të njohur: Fillimisht pronarë të afërt me qeverinë e partisë Fidesz blejnë mediat kritike. Më vonë ato ose sillen në linjën e partisë, Fidesz ose mbyllen. Në vitin 2015 ndërroi në këtë mënyrë pronar, portali Origo, i njohur si kritik ndaj qeverisë – sot ai konsiderohet si zëdhënës i qeverisë së Orbanit. Një vit më vonë brenda natës u mbyll gazeta më e madhe ditore hungareze, Népszabadság. Radiotelevizioni publik qëndron që nga viti 2010 nën kontrollin shtetëror. Shumica e radiove e televizioneve private janë nën pronësi të pronarëve të afërt me Fidesz.

Në listën e lirisë së shtypit të “Reporterëve pa kufij”, Hungaria zë vendin e 89-të nga 180 vende.

Pamje të riteve mortore shqiptare të viteve 30′ (FOTO)

Vaster Dhima, i diplomuar për Urbanistikë dhe Arkitekturë ka pasion pikturën dhe koleksionimin e fotografive. “E konsideroj si punë patriotike dhe kam kënaqësi kur i mbledh, i rregulloj dhe i seleksionoj”, thotë ai.

Fotot e tij të rralla përfshijnë Marubët, Shan Picin, Dedë Jakov;n, Ilia Xhimitikun, Ymer Balin, Vani Burd;n etj. Në koleksionin e tij të pasur që i kalon 3000 fotografi dhe pulla postare, Vasteri veçon fotografitë mortore.

“Fotot që unë koleksionoj janë të periudhës së para viteve 1944 dhe fillojnë me fotografi të Pietro Marubit (në Shkodër). Pjesa më e madhe e fotove dhe e imazheve në negativ që disponoj janë të viteve 1900-1930. Ajo që unë kam kuptuar nga këto foto është nevoja e njohjes së vlerave tona kulturore, të cilat janë shumë të larmishme nga një krahinë në tjetrën, nga një }nukël kulturor} në tjetrin. Shpesh fotografët kanë qenë piktorë, arkitektë, pjesë të grupimeve patriotike, luftëtarë. Kanë qenë personazhe shumë komplekse. Të preferuarit e mi janë Kol Idromeno, Kel Marubi, Petro Fotografi, Kristaq Sotiri”, rrëfen Dhima.

Koleksionisti shton se ceremonitë mortore janë fotografuar shumë në Shqipëri, “madje dhe më shumë se ç’duhet ndoshta, duke u shndërruar kështu në një fenomen autentik të fotografisë shqiptare”.

“Kjo lloj fotografie është pjesë e studimeve të mia. Nuk kam shumë foto të ceremonive mortore, rreth 50 foto dhe negative, por që janë të zgjedhura për nga veçantia që pasqyrojnë. Sidomos fotografitë e Dhimitër Vangjelit janë shumë të goditura”, thotë ai. /Dita/ KultPlus.com

Ceremoni mortore në veri të Shqipërisë (1930)

Ceremoni mortore (e ritit katolik) në Shkodër (vitet 1930). Autori: Shan Pici

Ceremoni mortore e ritit ortodoks (Elbasan 1920). Autor: Foto Papajani

Seniesa Estrada ndryshon historinë e boksit, knockout-on kundërshtaren në 7-të sekondat e parë (VIDEO)

Boksierja amerikane, Seniesa Estrada ka shënuar fitore impresive të premten mbrëma. Fitorja e saj ndaj Miranda Adkins po vlerësohet historike për boksin e femrave, transmeton KultPlus.

Në ndeshjen e zhvilluar në Kaliforni, Estrada shënoi fitore me nokaut për vetëm shtatë sekonda luftë. “Lidhi” disa goditje të fuqishme menjëherë pas gongut dhe Adkins shpejtë u rrëzua. Kjo po vlerësohet të jetë fitorja më e shpejtë në boksin e femrave.

Adkins nuk ia ka dalë të jap asnjë goditje. Madje as t’i ngritë duart mirë. Estrada është kampione e përkohshme në kategorinë mizë në versionin ëBA. Adkins ka zëvendësuar një boksiere në meçin e së premtes. Përfundimisht ka shpresuar se do të kalojë më mirë.

Estrada 28-vjeçare ka fituar të gjitha 19 ndeshjet në karrierën e saj. Tetë prej fitoreve i ka me nokaut. / KultPlus.com

Postoi foton me flamur, Mustafa Nano për Dua Lipën: Gaboi, nuk është punë për të

Këngëtarja e njohur, Dua Lipa postoi para pak ditësh në Instagram flamurin autokton të trojeve shqiptare, të ngritur në Beograd, duke nxitur reagime të shumta nga përdoruesit serbë të rrjetit.

Veprimi i saj u komentua gjerësisht dhe më pas Dua sqaroi se nuk kishte si qëllim që të nxiste urrejtje. Së fundmi, gjatë emisionit të tij “Provokacija”, Mustafa Nano ka prekur pikërisht këtë temë.

Ai e vlerësoi Duan si këngëtare dhe për më tepër si një vajzë inteligjente dhe plot klas. Megjithatë sipas Nanos ajo nuk duhet të merret me harta, me politikë pasi dëmton fillimisht imazhin e saj.

“Sot dua të luaj në një terren të rrëshqitshëm. Por ju e dini që mua më pëlqejnë terrene të tilla. Më pëlqen të rrezikoj. Ku e kam fjalën? Do të flas për Dua Lipën, më saktë për një gjest të sajin, që ka provokuar shumë diskutime, mbështetje nga shqiptarët, por edhe nga shumë të tjerë dhe kontestime nga serbët.

Ajo postoi në instagramin e vet një kërkesë:

Të vihen kufijtë e Kosovës në Apple map. Një kërkesë absolutisht e drejtë. Pak më vonë, po në Instagram (në fakt, edhe në Tëitter), ajo publikoi një mesazh tjetër. Publikoi hartën e Shqipërisë etnike.

Është e njëjta hartë që u valëvit mbi një stadium të Beogradit, me fotografitë e Isa Boletinit e Ismail Qemalit dhe me mbishkrimin “Autochthonous”. Pas kësaj, ajo inicioi apo mbështeti një peticion online, nëpërmjet të cilit i kërkohej Apple-it që ta ndreqte këtë gabim.

Ky peticion është nënshkruar nga mbi 100 mijë vetë, mes të cilëve është edhe Rita Ora, aleatja e saj kur vjen puna te patriotizmi. Do ta nënshkruaja edhe unë me kënaqësi.

Dua Lipa është një nga këngëtaret më të mira në botë. Për mua është më e mira në botë. Dhe nuk e them si shqiptar, e them si konsumator muzike. Edhe serb po të isha, të njëjtën gjë do mendoja, pavarësisht se nuk do mund ta thoja dot në publik.

Ajo është edhe vajzë e mençur dhe me klas. Dhe mua më pëlqen edhe kur hap gojën. Më pëlqen edhe kur ajo e deklaron origjinën e saj etnike. Ajo ka ditur të bëjë një lloj diplomacie kulturore.

Atë që mund ta bëjë ajo për afirminin ndërkombëtar të Kosovës e për promovimin e sojit të shqiptarëve në përgjithësi nuk mund ta bëjë e gjithë makina e diplomacisë. 

Dhe në këtë kuptim, kërkesa e saj drejtuar Apple-it për të përfshirë Kosovën në hartë e për të mos e lënë atë nën Serbinë, për të njohur kështu diçka që në realitet ka vite që ka ndodhur është një kërkesë me vend. Që nuk ke si ta kritikosh. Kosova nuk është më pjesë e Serbisë, e nuk ka për të qenë ndonjëherë.

Por ajo në të njëjtën kohë duhet të kursehet me deklarata e qëndrime politike. Ajo nuk duhet të futet në këtë lojë. Nuk duhet ta bëjë këtë për imazhin e vet, në radhë të parë.

Ajo bëri gjënë më të mirë që i kërkoi Apple-it të vërë hartën e Kosovës më vete, por gabimi i saj ishte kur u mor me harta. Kjo nuk është punë për të. Nëse këmbëngul të merret me gjëra të tilla ajo dëmton veten, dëmton edhe kauzën që kërkon të mbrojë apo të promovojë, por edhe krijon një lloj simetrie, që hë për hë nuk na shërben”, u shpreh Nano. /“Abc News” / KultPlus.com

Sekretet e vogla të shkrimtarëve të mëdhenjë

Franc Kafka (1883-1924)

Autorit të Metamorfozës i pëlqente të praktikonte nudizmin, edhe pse kjo ndodhte në raste të rralla. I kalonte pushimet e tij në një hotel në natyrë që quhej “Burimi i të rinjve”, por kishte pak siklet për t’u zhveshur i tëri, dhe i kishin vënë pseudonimin “njeriu me rroba banje”.

Agatha Christie (1890-1976)

Librat e saj kanë shitur miliona kopje, por nuk i ka shkruar ajo. Në fakt ajo vuante nga disgrafia, një çrregullim për të mësuar shkrimin e dorës, që e bënte kaligrafinë e saj të palexueshme dhe prandaj ishte e detyruar t’ia diktonte dikujt tjetër romanet e saj.

Oskar Uaild (1854-1900)

Autori i “Dorian Greit” shprehu diversitetin e tij që fëmijë, kur atij i pëlqente të vishej si femër. Në kolegj nuk praktikonte sportet tipike mashkullore, por merrej me zbukurimin e dhomës së tij me lule.

Xhorxh Bajroni (1788-1824)

Ishte një nga rebelët më të mëdhenj të fillimshekullit të 19. Atij i atribuohen një numër i madh të dashurash, 250 vetëm në një vit, vitin kur vizitoi Venecian. Për të kujtuar femrat që kishte zënë, mbante disa prej qimeve pubike të secilës në një zarf me emrin e vajzës. Lord Bajroni i donte edhe kafshët. Në shtëpinë e tij kishte kuaj, pallua, shpendë të ndryshëm si papagall apo rakun, një dhelpër, një shqiponjë dhe një korb.

Xhejms Xhojs (1882-1941

Kishte një pasion të vërtetë për të pasmet e femrave. Por jo vetëm, i pëlqente të ishte i frustruar dhe i nënshtruar. Këtë e dëshmojnë disa letra nga e dashura Nora Barnacle, që më vonë ishte dhe partnerja e tij. Autori i Uliksit kishte edhe një frikë të madhe ndaj bubullimave, ishte katolik i devotshëm, dhe thoshte se bubullimat janë shprehje e zemërimit të perëndisë.

Xhek London (1876-1916)

Djalë i jashtëligjshëm, kishte një njerkë të alkoolizuar që kur ishte fëmijë e çonte në një pijetore për të blerë birra me kovë. Kështu që i vogli Xhek filloi të pinte që 5 vjeç. Dhe nuk u ndal kurrë. Që në moshën 14-vjeçare pinte si një i rritur. Pas një aksidenti humbi dhëmbët e tij të përparme. Njihej për racizmin e thellë sidomos ndaj aziatikëve.

Leon Tolstoi (1828-1910)

Si fëmijë ashtu edhe adoleshent ishte një student indiferent. Rininë e tij e kalonte mes femrave, bixhozit, alkoolit dhe dueleve. Natën e dasmës detyroi gruan të lexonte ditarin e tij ku ishin shkruar të gjithë aventurat e tij erotike. Këto ndodhën para konvertimit të Tolstoit, që nga ai moment hoqi dorë nga alkooli, duhani, seksi.

Edgar Allan Poe (1809-1849)

Kishte frikë nga errësira dhe e mësoi matematikën duke llogaritur moshën e të vdekurve nga lapidarët e varreve. Ishte i gjithë faji i profesorëve të tij që në shkollën fillore i çonin fëmijët në varreza në fillim të çdo viti shkollor. I jepnin një lopatë të vogël dhe e përdornin për të gërmuar varrin e shokëve të tyre që do vdisnin para përfundimit të shkollës. Kur ishte pa para, ai hiqej si gazetar, duke shpikur artikuj të rreme.

J.R.R Tolkien (1892-1973)

Autori i “Zotit të Unazave” ishte para së gjithash një studiues gjuhësh: mes gjuhëve antike dhe moderne dinte 12 dhe shpiku 14. Profesor i Oksfordit, ishte publikisht i njohur si një shofer i keq, aq sa gruaja e tij refuzonte të hipte në makinë me të kur ecte në qytet. Kishte gërhitje shumë të fortë dhe ndonjëherë gruaja e bindte të flinte në banjë.

Uilliam Shekspir (1564-1616)

Dramaturgu anglez ishte i fiksuar pas parasë. Merrte shumë para borxh nga miqtë e tij, mashtronte departamentin e taksave dhe ishte shumë i ashpër në kërkesat ekonomike të punës së tij. Ishte një bashkëshort i pabesë. Të shumta kanë qenë lidhjet e tij jashtëmartesore.

Përmbyllet fushata për mbrojtjen e fëmijëve

Është përmbyllur fushat vetëdijësuese njëjavore lidhur me implementimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve. Fushën e ka organizuar Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF).

Ligji për Mbrojtjen e Fëmijëve është hartuar në qershor të vitit të kaluar, ndërsa hyri në fuqi më 17 korrik të këtij viti.

“Me hyrjen në fuqi, KOMF, bashkë me platformën avokuese ‘Miqtë e Fëmijëve’ dhe me personalitete tjera të shquara nga fusha të ndryshme në Kosovë, filluan fushatën virtuale ‘#Mbrojfëmijët’, me qëllim të promovimit të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës dhe rritjes së vetëdijësimit të qytetarëve dhe institucioneve për implementimin e plotë të këtij ligji. Përmes fushatës 14 personalitete janë bashkuar në kauzën për garantim e të drejtave dhe mbrojtës së fëmijëve, duke ndarë copëza të shkëputura nga Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës, me qëllim të informimit të publikut rreth përmbajtjes së këtij ligji. Personalitetet kanë apeluar te institucionet qendrore dhe lokale për ta bërë prioritet absolut mbrojtjen e fëmijëve dhe për të ndërmarrë në mënyrë të menjëherë të gjithë hapat e nevojshëm për zbatim rigoroz dhe tërësor të Ligjit”, thuhet në njoftimin e KOMF-it.

Sibel Halimi: Shkruaj për gratë, ngaqë jam grua, dhe askush më mirë se unë nuk e di se sa vështirë është të jesh grua në vendin tonë

Xhemile Hysenaj

“Me ekzistu është vetë kuptimi”, është një përsiatje poetike mbi shumë fenomene të cilat e kanë përcjellë shoqërinë tonë. Orvatje për të vazhduar rrugën drejt një njohje të re të shumë figurave, që ne i kemi lartësuar apo mos njohur për motive të caktuara shoqërore dhe politike e që rrjedhimisht i kemi shndërruar në dikë tjetër, epilogu i së cilës është tjetërsimi i tij/saj. “Me ekzistu është vetë kuptimi” rikthen njeriun kah vetja. Duke njohur veten ne do të krijojmë paqen jo vetëm për ekzistencën, por na bënë më njerëzor edhe ndaj tjetrit, i cili jo domosdoshmërish duhet të jetë si ne.

Bëhet fjalë për librin më të ri të poetes dhe sociologes Sibel Halimi, një vëllim poetik që para lexuesit vie si një rinjohje ndaj vetvetes duke trajtuar kështu shumë fenomene të cilat zhvillohen e rriten krahas shoqërisë sonë. Në një intervistë për KultPlus, Halimi shpalos më shumë rreth librit të saj më të ri, rreth të qenurit shkrimtare, rreth zhvillimit të kulturës e letërsisë në Kosovë.

Sibeli tregon se shkruan për të mos e ndjerë kohën, shkruan për t’u arratisur e fshehur nga ajo. Kështu edhe arriti deri tek realizimi final i ‘Me ekzistu është vetë kuptimi’, duke i përmbledhur poezitë e saj në një vëllim të vetëm.

Ndonëse, në leximin e parë të titullit na bien ndërmend shumë gjëra, ajo çfarë autorja ka tentuar të përçojë ka të bëjë me zhveshjen e njeriut nga kuptimet që e emërtojnë identitetin personal, çlirimin e tij nga kuptimet që i japin vlerë e si rrjedhojë duke mos qenë vetja, njeriu është i humbur.

‘Njeriu kosovar është i instrumentalizuar nga politika, religjioni dhe konsumerizmi dhe si rezultat, ne e kemi humbur atë si një mendje kritike. Ne thjesht sot e takojmë njeriun që i përket grupeve të ndryshme, kolektives, kokë ulur, e në një ambiguitet të thellë. Ndonëse, rruga për të vetja është e gjatë, prandaj si fillim thjesht duhet t`i gëzohemi ekzistencës, pavarësisht pasigurisë e konfuzionit që mund të shkaktohet nga fakti që nuk i takojmë askujt. Por, po bëhemi të vetëdijshëm për veten ne e kemi bërë hapin e parë drejt vetëdijes mbi jetën tonë e shoqërores, vetëm kësisoj mund ta shpëtojmë lirinë.’, shprehet tutje Halimi për KultPlus.

Nuk ka shkrimtarë që në ndonjë periudhë apo tjetrën nuk ka kaluar në një moment bllokimi, në një moment ku ka humbur vetveten dhe rrugën drejt krijimit. Ndërkaq, momentet e tilla, Sibeli i quan më shumë momente reflektimi sesa bllokimi. Përmes poezisë, ajo përpiqet të çlirojë njeriun nga dogmat e ndryshme që ia zënë frymën atij, e në këtë synim e çliroj edhe veten

‘Vështirë të bëhet një dallim i prerë në mes personales dhe sociales në të shkruar. Përditshmëria sociale është pjesë e pandashme dhe jo vetëm. Rrugëtimi i njeriut në ngjarjet politike dhe shoqërore janë inspirimi im.’, deklaron ajo.

Duke qenë se sociologjia është pjesë e pandashme e Sibelit, ajo ka arritur që në mes të sociologjisë dhe poezisë të bëjë një gërshetim të mahnitshëm, i cili e shpie punën e saj drejt një krijimi që padyshim mund t’i vëmë titullin ”Art’. Një art që tek lexuesit e saj vjen në një formë e përmbajtje që në një mënyrë apo tjetrën, prekë secilin prej tyre.

Sibeli tregon se në relacion me sociologjinë e cila e kundron realitetin siç është, poezia i jep asaj mundësinë e projektimit të diçkaje që e bën të ndihet mirë, një lloj shtegtimi imagjinar për të dëshirueshmen. ‘Kur shpresa humbet, poezia është shpëtim që ta jep mundësinë e konceptimit të vetes në relacion me të tjerët’, potencon ajo.

‘Trajtimi i fenomeneve sociologjike në shoqërinë kosovare, shpesh më ngjason me njëfarë vargëzimi sociologjik. Është zgjatim, ku fenomenet marrin trajtë artistike, ku vargu shndërrohet në revoltë, indinjatë, ndaj si i tillë nuk e përmbushë veten vetëm në aspektin metrik. Poezia është shëmbëllim i vetvetes, katarsis për atë që s`e ke, për atë që e do dhe për atë që mbase mund të mos jetë e arritshme kurrë. Shprehja nëpërmjet vargjeve është ngarendje pas lirisë, ngase aty përplotësohet uni dhe dëshmohet se liria individuale është mbi të gjitha’, shprehet Sibeli për KultPlus.

Sibel Halimi njihet edhe për pjesëmarrje në shumë aktivitete kulturore, duke konsideruar se konteksti kulturor nuk mund të shihet i ndarë nga mënyra jonë e të menduarit dhe të jetuarit. ‘Liria nuk i përket qenies, por turmës në Kosovë. Aty ku tjetri konceptohet si armik- i huaj, krijohet mendim uniform, e injorohet të menduarit, të jetuarit ndryshe, prandaj shfaqet ndëshkimi apo disiplinimi. Në këso kushte, kultura e ka të vështirë mbijetesën, ngase përballet me konceptin, të cilën Branko Merxhan e quan “shoqëri kazermë”. Rrjedhimisht, kemi problem të prodhojmë profile kulturore të qëndrueshme, që na sjellin ndryshim në mënyrën e të menduarit, vlerave shoqërore e kulturore.’, potencon Halimi.

Ndër të tjera, Sibeli me shqetësim të thellë e konsideron se shoqëria kosovare është në një krizë të thellë. Sipas saj, mungesa e shkrimtarëve që shtyjnë botën drejt një drejtimi njerëzor e mendimi ndryshe, shndërron atë në mjetin që arsyeton qëllimet regresive. Ajo poashtu potencon se nëse një shoqëri e kalon në heshtje mbylljen e qendrave kulturore, koncepti i shkrimtarit ëshë një sall dekor politik, i cili i shërben nevojave të turmës, ku sipas saj kjo vie si pasojë e faktit që shkrimtari si i tillë i frikësohet t’i del turmës përballë.

Në vijim mund të lexoni dy nga poezitë e ‘Me ekzistu është vetë kuptimi’, të cilat Sibeli i ka zgjedhur për lexuesit.

Për dyert që mbyllen

⦁ Për timen bijë –

Në vetmi mësohu ta dëgjosh veten
Të gërmosh në skutat e errëta e t’u rrish ballë 
Mësohu të ecësh vetë
Edhe ashtu ishe gjithmonë
Por, herët a vonë do ta kuptosh

Mos e ndjek askë 
Nëse së paku njëherë nuk e kthen kokën
E të sheh në sy
Për të kuptuar nëse je në këmbë apo në gjunjë

Nëse je rrëzuar një herë
Ngrihu ngadalë
Është imazhi im e fjala “kici i mamit” që do të ndjekë
Gjithmonë nga pas

Mësohu ta duash qetësinë tënde
Edhe atëherë kur nuk i beson
Nga kjo qetësi
Do të dalësh ti

Ecja nuk nënkupton gjithmonë lëvizje
Mësohu ta mbash kokën lart
të ndjekësh një yll edhe kur retë e mbulojnë
ajo do të ekzistojë për ty

Mësohu të duash 
Të përqafosh
Të falësh buzëqeshje 
Kur jeta të rrëzon e të përplas për toke
Vetja, të shpëton!

Me u çue peshë

Me u çue peshë domethënë
me e dashtë e njoftë lirinë
E liria kokën dikujt ia han
rënkojnë gardianët e moralit
e tok bashkë me e mbyllë në dry në trup t‘tokës
Se me kenë i lirë është më lehtë
me mendue për vdekjen
jo të vetes
Ke frikë nga vdekja njeriu im?
Kemi mbet fillikat e pezull
unë e ti në peshë t‘atomit

Kohët e fundit në Kosovë, letërsia ka marrë hov në zhvillim e saj. Dhe ajo që vërehet më shumë, është numri i madh i grave që krijojnë. Ndërkaq, Sibeli, na ka folur më shumë rreth dy koncepteve, atij të ‘letërsisë femërore” dhe ‘kritikës feministe’. Sipas saj, konceptimi fillestar i letërsisë femërore duket të jetë projeskion patriarkal, përpjekje për të kornizuar letërsinë e grave brenda gjinisë. Ndërsa, ‘kritikën feministe’, e konsideron një prespektivë feministe mbi traditën letrare, mbi rolet e kufizuara që u atribuoheshin personazheve fiktive të shkrimtarëve si dhe njohjen e shkrimit të grave.

”Kritika feministe gjatë tri dekadave të fundit na shpie në fokusimin dhe tematizimin e nënshtrimit letrar të grave, përjashtimin e tyre e gjer tek analiza e konstruksionit dhe prezantimit të gjinisë brenda diskursit letrar. Andaj, si e tillë, kritika feministe i ndihmoj institucionalizimit dhe legjitimimin e feminizmit si vlerë akademike, falë përpjekjes së shumë teoriticienteve dhe shkrimtareve feministe si Mary Wollstonecraft, Madame de Stael, George Eliot, Margaret Fuller, Rebeka West, Virginia Woolf dhe Simon de Beavoir, e Judith Buttler.’, vazhdon tutje ajo.

Ndërkaq, rolin e grave që bëjnë art e letërsi në Kosovë, Sibeli e konsideron si ende të konceptualizuar në kuadër të paradigmave patriarkale.
‘Vetëm nëse marrim pjesë në grupet letrare shohin që ekziston një dominim i shkrimtarëve burra, të grumbulluar në grupe të caktuara, të cilët janë në shpërputhje të madhe në mes asaj çfarë shkruajnë dhe çfarë mendojnë e kush janë në të vërtetë. Letërsia duhet të jetë ndër të tjera dhe ngacmuese në nervin dhe kallon e shoqërisë patriarkale, duhet të ketë misionin emancipunes, në të kundërtën do t`i përshtatet rahatisë që ua sjell ky sistem.’, tregon Sibeli.

”Shkruaj për gratë, ngaqë jam grua, dhe askush më mirë se sa unë nuk e di se sa vështirë është të jesh grua në vendet si e jona.”, deklaron Sibeli.

Ekziston gjithmonë një shtysë kur shkrimtarët shkruajnë. Ekziston një revoltë, një nostalgji, një shqetësim që e shtyen secilin ta hedhë atë në fletën e bardhë, e sidomos kur shkrimtarja qëllon të jetë një grua në një sistem patriarkal. Ndërkaq, për Sibelin, qëndron kështu: Kur shkruajmë jemi të vetmuar dhe të shqetësuar, jo për veten e të tashmen, sa për të ardhmen e gjeneratat që viijnë. Premisa, nëse mund ta emërojmë kësisoj, e poezive të mia e kanë fokusin tek gratë, jetën dhe padrejtësitë që u bënë asaj përgjatë historisë.

”Saherë që mendoj për ta konceptuar gruan, më duket sikur ia bëj të padrejtën e radhës sikurse vetë historia. Të gjitha etapat duke e përfshirë edhe feminizmin janë përpjekur për të definuar atë, ndaj në këtë ngarendje me dashje apo jo, ne kemi vendosur gruan brenda projeksioneve tona. Ajo është përtej konceptimit shoqëror dhe politik. Gruaja dhe liria janë disiplinuar dhe kontrolluar duke përcaktuar role dhe përgjegjësi statike, andaj gruan nuk mund të konceptoj ndryshe, përpos si liria vetë. Pa mëdyshje, nocionin grua do ta kisha zëvendësuar me liri, ndoshta vetëm në këtë mënyrë do t`i kishim zbutur mëkatet ndaj saj.”, deklaron ajo.

Sibeli ka përmendur edhe gratë shkrimtare që zhvillojnë letërsinë në vendet shqipfolëse, të cilat sipas saj po i sjellin një dimension emancipues letërsisë së sotme shqipe. ‘Vështirë ta bëjë një listë të grave shkrimtare e poete kam frikë të mos e harroj ndonjërën. Por ato të cilat po i sjellin një dimension emancipues letërsisë së sotme në Kosovë dhe jo vetëm janë Luljeta Leshanaku, Entela Tabaku, Donika Dabishevci, Majlinda Bregasi, Dije Demiri Frangu, Nerimane Kamberi, Ervina Halili, Eli Krasniqi, Rita Petro Filipi, Ilire Zajmi, Erenestina Gjergji Halili, Entela Kasi, Flutura Açka e shumë të tjera.’, tregon ajo.

Sibel Halimi, si një poete zëri i së cilës dëgjohet gjithmonë fuqishëm, ku përmes poezisë sa saj ka prekur gjithmonë tema të ndjeshme, tregon se ajo i qëndron fuqishëm pas mendimit se në Kosovë gratë duhet të shkruajnë, se vetëm kësisoj ato mund të arrijnë të ridefinohen dhe të lirohen nga paradigmat e kulturës patriarkale. / KultPlus.com

Dua të jem

Poezi nga Ali Podrimja

Nganjëherë dua të jem lum –
të rrjedh nëpër damarët e tu,

gemb ëndrre dua të jem nganjëherë –
dita e nata jonë të pushojnë n`mua,

nganjëherë dua të jem ti oj –
heshtjet e shirat e kohërave t`i ndiej,

dua të jem etje nganjëherë –
ujërat e tua deri n`pikë t`i pi.

‘Martesat në djep’ kalojnë kufinjtë shqiptarë

Kur Shqipëria ishte nën pushtimin e Perandorisë Osmane dhe malësite e veriut, Dukagjini dhe Mirdita ende ishin në luftë dhe nuk pranonin kurrsesi të qeveriseshin apo drejtoheshin nga osmanët.

Në këto kushte, lindi nevoja për një rregullore dhe një sistem vetëqeverisës. Prijësi i Dukagjinit, Lekë Dukagjini, vendosi disa rregulla, norma dhe doke me karakter juridiko-social, që më pas do të quhej “Kanun”.

Kodi është i përbërë nga 12 libra: Kisha, Familja, Martesa, Shpija –Gjaja- Prona, Puna, Tё Dhanunat (transferimi i prones), Fjala e Gojёs, Ndera (nderi), Damet (dёmet), Kanuni kundra mbrapshtivet (kanuni mbi krimet), Kanuni i pleqnis, Shlirime e Pёrjashtime.

Kanuni kishte 1262 nene, tё cilat shërbenin si parim normues për të gjitha aspektet e jetёs nё male: organizimin ekonomik, mikpritjen, vёllazёrinё, kufinjtё, punёn, martesёn, e kёshtu me rradhё.

Që në krijimin e tij, ai i dha shumë forcë burrit duke e mbushur me privilegje kundrejt gruas. Kjo e fundit, madje nuk gëzonte asnjë të drejtë, madje as të vendoste për fatin e saj.

Martesat në djep

Në 9 bajrakët e Dukagjinit, sipas gojëdhënave të përcjella brez pas brezi, martesat në djep kanë nisur të vihen në zbatim shumë kohë përpara epokës së Gjergj Kastriot Skenderbeut.

Pra, dy fëmije martoheshin që në moshën 1, 2 apo 3 vjeçare dhe mjaftonte që dy baballarët të ishin dakord. Por si ndodhte një martesë e tillë dhe çfare kushtesh duheshin ? Në shumicen e rasteve, kur lindte një fëmijë, miqtë e familjes shkonin për vizitë për të shprehur urimin e tyre.

Martesat ndodhnin në mënyrë krejt të rëndomtë. Në bisedë e sipër, dy baballaret miq dhe shokë të mirë, vendosnin të lidhnin dy familjet më shumë, duke martuar fëmijët e tyre. Kolë Gjoni, një malësor i Dukagjinit tregon historinë sesi babai i tij e martoi që në djep.

“Kur u bëra 8 vjeç mësova se kam një nuse. 16 vjeç u martova dhe u futa në rangun e burrave. Babai, Kola më ka treguar se si unë u martova me Linen, gruan time, që në djep.

Dy prindërit tanë ishin miq të mirë. Ishin njohur në një festë të Shalës dhe që nga ai moment ishin bërë shokë. Kur kishte lindur Lina, babai im, Kola kishte shkuar për ta uruar.

Gjatë darkës, ata vendosën që të na martonin duke lidhur edhe më shumë dy fiset. Ata i kishin dhënë fjalën njëri – tjetrit dhe njeriu vde.s e besa nuk thyhet”

Në ato vite, për fejesën e dy të rinjve përdoreshin fjalët : zënie, mblesë, mbulesë, vlesë. Vajza quhej e zënë (e nxanë, e zanë), e vluar, e mbuluar, ndërsa djali i zënë (i nxanë, i zanë) i vluar, i mbuluar.

Ndodhte shpesh që të fejuarit të mos dinë se i janë premtuar njeri-tjetrit. Një rregull i tillë ishte e drejta dhe e fshehta e prindërve të tyre, të cilët ua bënin të njohur kur dëshironin ata vetë.

Kujtimet e Edit’h Durham

Duke folur për bajraqet e Pultit, që përfshinë zonat e Shalës, Shoshit, Krimit dhe Toplanës, “fejesat e bebeve qenë thuajse krejt të zakonshme” – nënvizon Durham.

Në shtresat e mesme dhe të varfëra të popullsisë zënia në djep ose pa lindur fëmijët bëhej me qëllim që të forcohej miqësia ndërmjet dy shtëpive. Marrëveshja bëhej drejtpërdrejt, me marrëveshjen e dy të zotëve të shtëpisë ose të dy prindërve të fëmijëve.

Kur dy gra nga shtëpia e tyre ishin me barrë, ata shfaqnin dëshirën që, po qe se lindnin njëra djalë e tjetra vajzë, të porsalindurit do të quheshin të zënë ndërmjet tyre.

Në ndonjë krahinë bëhej edhe një ceremoni e vogël dhe, kur lindnin fëmijët me seks të kundërt, lajmërohej me të shtëna pushke se të dy familjet u lidhën me miqësi. Për ligjësimin e kësaj “shkëmbehej edhe buka”, domethënë, organizoheshin gosti në të dy familjet.

Britania kundër këtyre martesave

Policia e South Yorkshire në Angli, ka ndërhyrë për të mbrojtur një djalosh 19-vjeçar, martesa e të cilit ishte mbajtur që kur ai ishte 5 vjeç.

Ngjarja ka ndodhur më 19 qershor 2018, dhe tani i riu është vënë nën mbrojtje, së bashku me tre vëllezërit tij më të vegjël. Për arsye sigurie, agjentët nuk kanë dhëna detaje të tjera në lidhje me identitetin e viktimës, duke mos zbuluar kështu as edhe origjinën e vendit në Shqiperi.

Në vitet e para të jetës, djali ishte lidhur me martesë me një person që ai kurrë nuk e kishte njohur. Tani, në moshën 19-vjeçare, familja e tij po organizonte udhëtimin për të festuar martesën,

por i riu nuk pranoi. Kështu ai filloi të marrë kërcënime, sepse ai nuk po “respektonte marrëveshjen” duke thyer kështu zakonet e vendit dhe djali vri.tej. Policia ndërhyri dhe tani djali dhe tre vëllezërit e tij të rinj jetojnë në një vend të sigurt.

Martesat me mblesëri

Një tjetër lloj i martesës, që nuk zbatohej vetëm në veri por edhe në të gjithë Shqipërinë ishte edhe ajo me mblesëri apo shkuesi. Për të kryer këtë lloj martese në veri, mjaftonte që edhe në këtë rast, meshkujt e familjeve të ishin dakord.

Në ndryshim nga martesa në djep, në këtë rast duhej një “shkues”. Ai mund të ishte një njeri i afërt i familjes që do të fliste mirë për djalin në momentin kur kërkohej dora e vajzës.

Por jo vetem kaq pasi shkuesi kishte edhe përgjegjësi. Nëse meshkujt e familjes së vajzës pranonin atëherë, shkuesi ishte personi garant që të mos prishin besën asnjëra prej familjeve dhe martesa të bëhej.

Në kanunin e Lek Dukagjinit përcakohen qartë edhe të drejtat e familjarëve mbi vajzën:

“NYE I DYMBDHETËT.

Tagri i djalit e i vajzës.
31. Tagri vajzës.
Vajza, edhe në mos pasët prindt, ajo s’ka tager me mendue per Martes të vet, tagri asht në dorë të vllazenve a të kusherijve.
Vajza s‘ka tager:
a) me zgjedhë fatin e vet; do të shkojë per ate, per të cilin t’a fejojn;
b) m’u perzie në shkuesi as në fejesë;
c) as në këpucë as në petka

Në kanun parashikohet qartë edhe pasojat kur vajza thyen marrëveshjen e arritur për fejesën dhe ajo vr.itet me plum.bin e dhënë nga familja së saj./shkodra.info/ KultPlus.com

Gratë më të bukura të të gjitha kohërave

Njerëzit mund mos të bien asnjëherë dakord, se cila është gruaja më e bukur. Sidoqoftë, disa janë përsosurisht të bukura.

Në fotografitë e mëposhtme, po ju risjellim disa prej grave që marrosën burrat dhe rivalizuan plot sharm, gjininë e tyre…

Marilyn Monroe është ndarë nga jeta prej shumë kohe, por ende e influencon Hollivudin. Ja një shprehje e saj: Papërsosmëria është bukuri, çmenduria është gjenialitet, më mirë të jesh shumë qesharak sesa i mërzitshëm.

Natalie Wood ka qenë në qendër të vëmendjes që kur ishte e vogël. Ajo ka interpretuar në filma si “West Side Story”, “Rebel Without a Cause”, etj. Në moshën 43-vjeçare, ajo vdiq gjatë një udhëtimi në ishullin Santa Catalina.

Elizabeth Taylor lindi në Angli dhe u zhvendos në Kaliforni gjatë Luftës së Dytë Botërore. E ëma  i thoshte gjithmonë, se ajo duhet të ishte pjesë e kinemasë, sikurse më vonë u bë një yll i Hollivudit dhe aktiviste.

Michelle Pfeiffer arriti kulmin e karrierës së saj në vitet ‘80 dhe ‘90. Ajo ishte një aktore e mrekullueshme! Edhe pse asaj i jepnin vetëm role të vajzave të bukura, ajo e tregoi aftësinë e saj në filmin “Scarface”.

Julie Gibson: A mund të besoni se ajo debutoi, mbi 80 vjet më parë? Karriera e saj, arriti kulmin në vitet 40.

Jo shumë njerëz e dinë, që Charlize Theron u rrit në fermë! Kur Theron ishte 15 vjeç, nëna e saj vrau babanë e aktores, për vetëmbrojtje.

Raquel Welch u bë e njohur, kur debutoi me bikini në “One Million Years B.C”.

Rita Hayworth ka qenë gjithmonë një performuese. Ajo ishte një kërcimtare në New York, para se të transferohej në Kaliforni me familjen e saj. Në vitet 40 ajo mori role serioze. Në 1987, u nda nga jeta.

Ursula Andress u bë e njohur, si vajza e parë e Bondit, kur luajti me Dr. No. Ajo, më vonë modeloi shpesh herë për revistën “Playboy”. Kur u pyet se pse bënte foto nudo, ajo u përgjigj: E bëj sepse jam e bukur.

Catherine Deneuve u bë e famshme në skenën ndërkombëtare, kur luajti në “Les Parapluies de Cherbourg”. Ajo ka luajtur në shumë filma.

Ann-Margret Olsson ishte shumë e suksesshme gjatë viteve ’60 -’70. Ajo vazhdon të ndikojë në Hollivud edhe sot e kësaj dite!

Vivien Leigh ishte një grua e talentuar, bukuria e të cilës, shpesh linte në hije aftësitë e saj aktoriale. Ajo vdiq në vitin 1967, pas një lufte të gjatë me tuberkulozin.

Ava Gardner vinte nga Karolina e Jugut dhe dhe mendonte se ‘MGM’ nuk do ta kuptonin. Por, ata firmosën kontratën me të. Tragjikisht, aktorja vdiq nga pneumonia, më 1990.

Hedy Lamarr ishte një person shumë interesant. Ajo ishte gruaja e parë, që tregoi orgazmën femërore në një film.

Në vitin 1969, bukuroshja Sharon Tate vdiq në familjen Manson. Tragjikisht, ajo ishte 8-muajshe shtatzënë, në atë kohë.

Ingrid Bergman u bë e famshme kur luajti në “Casablanca”. Anatole Litvak, tha: Pavarësisht të gjitha telasheve të saj, ajo mbajti bindjen se i kishte qëndruar besnike vetvetes.

Në 1980, ylli francez Sophie Marceau bëri emër duke punuar në “La Boum”. Ajo ishte shumë modeste dhe njëherë është shprehur: Unë, kurrë nuk kam qenë me të vërtetë e bukur. Jam fotozhenike…

Isabella Rossellini është fëmija i Ingrid Bergman dhe Roberto Rossellini-t. Ajo ishte jo vetëm aktore, por edhe modele.

Ajo filloi të modelonte, kur ishte në kolegj. Në vitin 1994, Aishwarya Rai Bachchan fitoi konkursin e “Miss World”.

A e dini se Brigitte Bardot, ishte balerinë para se të bëhej modele? Ajo njihet gjithashtu, si aktiviste për të drejtat e kafshëve.

Nëse keni dëgjuar për të, duhet të jetë sepse Barbara Eden, ishte ylli i “I Dream of Jeannie”.

Elizabeth Hurley ishte zëdhënëse e “Estée Lauder” edhe pse nuk ishte modele para kësaj.

Anita Ekberg, jo vetëm luajti në filmat amerikanë, por bashkëpunoi në filma evropianë në të kaluarën. Më 1950, ajo hyri në konkurset “Miss Malmö” dhe “Miss Suedia”. Një vit më pas, ajo u bashkua me “Miss Universe”!

Lauren Bacall është e njohur për pamjen joshëse dhe zërin unik. Para se të aktronte, ajo modeloi për revista si: “Vogue”, “Harper’s Bazaar” etj. / KultPlus.com