Kënga ‘Meant to be’ nga Bebe Rexha, arrin një miliard dëgjime në platformën Spotify.
Këngëtarja shqiptare me famë botëërore, Bebe Rexha ka shënuar një tjetër arritje në karrierën e saj si këngëtare.
‘Meant to be’, një nga këngët më të suksesshme të saj ka arritur plot një miliard dëgjime në platformën muzikore ‘Spotify’.
Lajmin e bëri të ditur vetë këngëtarja duke ndarë një Instastory me 10 milionë ndjekësit e saj.
Kënga ‘Meant to be’ është shpallur nga Billboard si kënga më e dëgjuar e dekadës në zhanrin kantri, duke qëndruar 50 javë në krye të toplistave. /Demokracia.com/KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se kontributi i grave në procese vendimtare të ndërtimit të Kosovës është i jashtëzakonshëm.
Osmani këtë e deklaroi gjatë një takimi që u realizua online në bashkëpunim të Rrjetit të Grave, Qendrës Artpolis dhe UN Women, transmeton KlanKosova.tv.
Aty u lansua raporti “Një ulëse në tryezë”, Osmani u zotua se do të punojë së bashku me organizatat e grave për të garantuar se zëri i grave do të dëgjohet edhe në procese të paqes dhe të sigurisë.
“Kontributi i grave në procese vendimtare të ndërtimit të shtetit tonë është i jashtëzakonshëm dhe roli i tyre kurrsesi nuk mund të mohohet. Gratë dhe vajzat ishin aty kur luftohej për liri, ato ishin aty kur e vulosëm pavarësinë, ato janë pjesë e rrugëtimit tonë të shtetndërtimit. Por, shpeshherë ato nuk janë dëgjuar aq sa duhet në procesin e ndërtimit të paqes. Gratë vërtetë e kanë vendin në tryeza vendimmarrëse, dhe ky nuk është vetëm vendim i duhur, por është edhe më i mençur”, ka thënë Osmani./ KultPlus.com
Miliona grave në të gjithë botën u është mohuar liria për të marrë vendime në lidhje me trupin e tyre, sipas një raporti të lëshuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.
Informacione nga 57 vende, shumica e tyre në Afrikën Subsahariane zbuloi se vetëm rreth gjysma e vajzave adoleshente dhe gratë mund të marrin vendime “të cilat janë baza e autonomisë dhe integritetit të trupit”.
”Këto përfshijnë lirinë për të zgjedhur në mënyrë të pavarur”, sipas raportit të lëshuar nga UNFPA.
Shefja e UNFPA Natalia Kanem i etiketoi gjetjet si “skandaloze”, duke thënë se në thelb “qindra miliona gra dhe vajza nuk zotërojnë trupat e tyre”.
”Jeta e tyre drejtohet nga njerëz të tjerë”, theksoi ajo. / atsh / KultPlus.com
Aileen O’Connor McConnell ka lindur në SHBA dhe deri vonë ka menduar se mamaja e saj është me origjinë italiane. Vonë ato u ndeshën me fjalën “Albanese” në shënimet e gjyshit dhe kurioziteti për të mësuar më shumë ishte i madh. Kur vizitoi për herë të parë komunën Picili në Kalabri, Aileen e kuptoi menjëherë që ishte një prej tyre.
Edhe pse nuk njihte as gjuhën italiane, dhe as atë arbëreshe, ajo e ndjeu dashurinë e njerëzve të saj.
Pas kësaj vizite të parë, lidhja e Aileen me arbëreshët dhe katundin Picili vetëm u forcua, tashmë edhe nipërit e saj janë njohur me origjinën arbëreshe dhe historinë e heroit tonë kombëtar Skënderbeut.
Edhe pse jetoni në Amerikë, jeni shumë e lidhur me kulturën dhe traditat arbëreshe. Pse është kaq e fortë kjo lidhje me origjinën tuaj?
Një ditë nëna ime po shikonte fotot e gjyshit tim dhe ajo pa shënimin “Albanese” në një nga fotot, kur ajo e pyeti për domethënien ai ju përgjigj në anglishten e tij “Sepse ne jemi shqiptarë!”. Ajo nuk e kuptonte atëherë sepse ne e dinim që ai ishte nga Italia. Kishim dëgjuar diçka që kishim një lidhje me Shqipërinë, por vetëm kaq. Gjyshi im nuk na krijoi lidhje me Komunën e Picilicë, nuk na kishte folur kurrë për familjen e tij atje.
Ai kishte një kopsht të vogël, prodhonte verë, gjithnjë kishte salcë në sobë dhe përgatiste vet sallamin, trashëgimi e dashurisë për bujqësinë dhe ushqimin. Pasi gjyshi vdiq, nëna ime shikonte shpesh fotot e tij. Midis fotove i bëri përshtypje portreti bardh e zi i një Prifti të pashëm. Në anën e pasme ishte shkruar Mario Cristiano, Santa Caterina, Albanese.
Rreth vitit 1984 nëna ime dërgoi një kopje të fotografisë në postën në Santa Caterina së bashku me një shënim në anglisht duke pyetur nëse dikush e njihte kush ishte. Për fat të mirë në atë kohë në fshat ishte një grua që fliste anglisht, kështu që ajo mund të përkthente letrën edhe pse vinte nga Amerika. Ky ishte kontakti ynë i pare me vendin e origjinës.
Gjyshi nuk i kishte shkruar familjes së tij që prej vitit 1957. Nëna ime, Margaret Cristiano dhe motra e saj, Rose Cristiano, vendosën të shkonin në Santa Caterina Albanese dhe të takonin familjen tonë.
Ishte një takim i bukur, të gjithë qanin dhe megjithëse nëna dhe tezja ime nuk dinin as italisht, as gjuhë arbëreshe, të gjithë dukej se e kuptonin njëri-tjetrin. Gruaja që fliste anglisht i ndihmoi në përkthimin. Unë shkova në fshat në vitin 2006, ishte “shtëpia”, familja ime, ne ishim shumë të ngjashëm, unë dukesha si ata. Ne u përpoqëm të bashkonim historinë e largimit të gjyshit tim. Ai ishte fëmija më i madh i familjes dhe të gjithë fshatin e kishte marrë malli për të. Kur u kthyem, fshati ishte aq i lumtur! Kam qenë atje disa herë, me motrën dhe vajzat e mia. Ne e “rikthyem” përsëri gjyshin tim në shtëpi!
Një ditë në dyqanin e fshatit disa gra ju afruan hallës time dhe më shikuan, “Sa i ngjan Giovannini Cristianos u shprehën ato.
Halla ime ishte aq krenare dhe ajo u përgjigj, “Është mbesa e madhe e Giovanninit… është vajza e vajzës së Francesco Cristianos!”
Unë mund të shihja dhe ndjeja se si identiteti im dhe ajo që unë dua për botën janë në një linjë të përsosur me familjen time Arbëreshe. Ne jemi të njëjtë.
A do të vazhdoni të trashëgoni kulturën arbëreshe tek brezat e rinj?
Po. Unë u kam mësuar fëmijëve të mi dhe tani nipërve dhe mbesave të mia të krenohen me kulturën tonë arbëreshe. Nipërit e mi ndihen shumë të veçantë për lidhjen e tyre me Skënderbeun dhe me historinë. U tregoj atyre se nuk ka shumë prej nesh në këtë vend (Sh.B.A) dhe se jemi shumë me fat që jemi Arbëreshë!
Sa të pasionuar janë nipërit dhe mbesat për historinë e Shqipërisë?
Për shkak se ata janë vetëm 6 dhe 4 vjeç, ne i kemi përqendruar më shumë tek historia për Skënderbeun. Unë e përdor atë si një simbol të guximit, inteligjencës dhe forcës. Ata duan të shikojnë dhe të mësojnë në lidhje me betejat!
Na folët për vizitën në Kalabri, ajo ishte hera e parë dhe e fundit, apo u pasua nga vizita të tjera?
Jo, vizitat e mia vazhduan. Kam qenë në fshatin tim familjar shumë herë dhe dy kushërinjtë e mi kanë ardhur në Sh.B.A. Xhaxhai im donte të vinte për vizitë, por fatkeqësisht vdiq disa vite më parë.
Po Shqipërinë e keni vizituar?
Dëshiroj të vizitoj Shqipërinë. Shumë vite më parë doja të vizitoja dhe të blija tokë atje!
A mund të na tregoni disa histori që keni trashëguar për origjinën tuaj?
Kur vizitoj familjen time në Picilia ne flasim për familjen tonë dhe për ta, Skënderbeu është familje. Ne kemi një pllakë zbukuruese të Skënderbeut në qendër të fshatit dhe kemi murale të bukura artistësh në anët e shtëpive në të gjithë fshatin. Shenjat tona në rrugë janë në italisht dhe shqip / arbëresh. Ne veshim kostumet tona që janë të vjetra qindra vjeçare. Pra, ne e lidhim origjinën që nga Skënderbeu. Ne gjithashtu ndajmë dashurinë tonë për bujqësinë dhe ushqimin. Picilia ka shumë ullinj.
Me çfarë merreni në SHBA?
Unë praktikoj një degë të mjekësisë Alternative, Energy Medicine prej njëzetë e një vitesh. / Diaspora shqiptare/ KultPlus.com
Ne na hidhëron deklarata e hoxhe Shefqetit jo vetëm se është në thelb dhe katërçipërisht seksiste, po se hoxhe Shefqeti ndër tjera, po shpërfaq një të vërtetë të hidhur dhe skajshmërisht të dhimbshme.
Argumentet se kuzhinierët më të mirë në botë janë burra, dhe se të gjitha gjinitë kanë uri, mbesin fatkeqësisht vetëm klishe.
Kuzhinierët më të mirë burra janë të tillë, sepse kanë pasur mundësinë dhe lirinë të ndjekin ëndrrat dhe tani paguhen mirë për këtë punë.
Se këta burra kurrë askush nuk i ka detyruar të zgjedhin mësuesinë psh, si profesion, jo për faktin se është ndër profesionet më fisnike, po se kjo pastaj do tu jepte komoditetin të bëheshin dhe bashkëshort dhe baballarë, siç ndodh rëndom me gratë.
Në fund të fundit, fakt që të gjithë kanë uri, por ama “nanë dua bukë” thuhet. Pra, Shefqeti përmes një deklarate seksiste, e ka deklaruar dhe një fakt statistikor.
Sepse realisht po ti pyesje burrat dhe gratë sa shpesh gatuajnë në shtëpitë e tyre, sa shpesh fshijnë me thithëse të rrymës, sa shpesh lajnë teshat, sa shpesh fshijnë banjot, përgjigjet do të ishin diametralisht të kundërta.
Pajtohem që ka përjashtime. Po të rralla janë, prandaj përmenden dhe quhen përjashtime. Pajtohem poashtu edhe që ka dhe gjëra që kryesisht i bëjnë burrat. I ndërrojnë gomat e kerrit, psh. Edhe gratë që nuk kanë burra i ndërrojnë gomat e kerrit. Ama kjo bëhet veç dy herë në vit, sipas sezonit. Bukë ndërkaq hahet tre herë në ditë, dhe jo vetëm me sezonë.
Se në shoqëritë patriarkale, ku fatkeqësisht s’bëjmë pjesë vetëm ne, po të mos ishte kryesisht gruaja në kuzhinë, do të vdisnim urie të gjithë. Pra derisa gratë nuk e kanë dhe s’do të duhej ta kishin vendin vetëm në kuzhinë, vazhdoj të plakem pa dëgjuar dikë ta pyes një burrë se çka do të gatuajë për drekë sot.
Pra, siç thotë një fjalë e urtë, mos vritni lajmëtarin. Vritni mentalitetin me veprime të përditshme, për t’ju dhënë çikave e grave lirinë dhe mundësinë për të ndjek ëndrrat, pa detyrimin për të zgjedhur vendin. As më pak as më shumë se burrat. Se urie vdesin ata që nuk ushqejnë kokën dhe jo patjetër barkun./KultPlus.com
Pikërisht në këtë ditë e cila është menduar të shënohet si Dita e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë Luftës në Kosovë, duke përkujtuar viktimën e dhunës seksuale, Vasfije Krasniqi Goodman, e cila është dhunuar brutalisht nga forcat serbe e për cka ende nuk është marrë një dënim i merituar për dhunuesin, tanimë nga qendra QKRMT, ka filluar iniciativa që ka nisur tash e 2 vite për një kërkesë zyrtare që iu dedikohet viktimave të dhunës seksuale, shkruan KultPlus.
Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), sot ka mbajtur një konferencë për media me rastin e publikimit të raportit “E drejta për të vërtetën – Viktimat pa emër”.
Ky raport ka dalë si rezultat i dokumentimit të rasteve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Në kuadër të projektit: “Rritja e angazhimit për drejtësi tranzicionale në Kosovë përmes dokumentimit të dhunës seksuale gjatë luftës”, QKRMT ka nisur dokumentimin gjithëpërfshirës të rasteve të dhunës seksuale, në bashkëpunim me organizatat partnere: Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave (QPDG), Medica Kosova dhe Medica Gjakova.
Të pranishme në këtë konferencë ishin: drejtoresha e QKRMT Feride Rushiti, Fatmire Haliti – udhëheqëse e këtij grumbullimi dhe Mirlinda Sada nga qendra Medica Gjakova, të cilat folën për dokumentimin statistikorë të 345 rasteve të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
“Ideja e krijimit të një platforme dhe dokumentimin gjithëpërfshirës dhe sistematik të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë ka qenë prioritet që nga fillimi për organizatën QKRMT dhe organizatat e tjera. Në vitin 2019, është dhënë mundësia nga Ambasada Zvicerane në Kosovë dhe QKRMT ka marrë përsipër dokumentimin e këtyre krimeve”, ka thënë Rushiti.
Sipas saj, institucionet e vendit dhe ato ndërkombëtare kanë dështuar për ti grumbulluar dhe krijuar një arkivë gjithëpërfshirëse ku krimet do të duhej të ishin dokumentuar mirë, e pastaj që ky arkiv të jetë një shërbim për gjeneratat e reja. Por, së bashku me 3 organizatat e tjera është arritur dokumentimi i dëshmive që kontribuojnë në të vërtetën, duke krijuar një ballafaqim të drejtë dhe të saktë mbi të kaluarën ku njëkohësisht zëri i këtyre rasteve të dëgjohet.
Ndërsa, ajo që ka udhëhequr këtë program, Fatmire Haliti ka folur mbi të dhënat që kanë dalur nga kjo platformë dhe të cilat priten të pasurohen ende më shumë edhe në vitet në vazhdim.
“Nga 345 raste të dokumentuara, 20 nga ta janë djem dhe burra, 325 janë gra dhe vajza, kurse nga të gjitha rastet e dokumentuara, 6% janë të komunitetit jo shumicë, duke përfshirë boshnjake, rome, egjiptiase etj. Ndërsa, 11% të rasteve kanë qenë të moshës nën 18- vjeçare, kur është përjetuar dhunën seksuale gjatë luftës. Po ashtu, 22% e viktimave, dhunën e kanë përjetuar në shtëpinë e tyre kur forcat e armatosura kanë bastisur shtëpitë e tyre. Këto janë paraqitur si rastet më të vështira të cilat shpalosin historinë e tyre”, ka thënë Haliti.
Sipas saj, ato viktima ende jetojnë në ato shtëpi duke mos pasur guxim që të tregojnë historinë e tyre ndaj familjarëve të tjerë. Këta të mbijetuar jo vetëm që janë raste të dhunimit por edhe kanë qenë dëshmitare të atij akti, duke lënë kështu mjaft pasoja jo vetëm psikologjike por edhe fizike të cilat kanë pasuar edhe në sëmundje organike.
Po ashtu, për këtë iniciativë dhe bashkëpunim që u cilësua si një nismë që do të kompletohet me monstra të tjera në një raport kredibil që do tu shërbejë organizatave të ndryshme dhe institucioneve të tjera për hulumtime dhe do të shërbejë edhe për ndërkombëtarizimin e çështjes së të mbijetuarve të dhunës seksuale, ka folur edhe Mirlinda Sada.
“Shpresoj që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe më tutje për të pasur një numër dokumentues dhe sa më gjithëpërfshirëse të të gjithë të mbijetuarve. I falënderoj të gjithë të mbijetuarit që morën pjesë në këtë raport për rrëfimet e tyre në një situatë të tillë, dhe të gjithë stafin që është marrë në këtë raport”, tha për fund Sada. / KultPlus.com
Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist mbrëmë ka zhvilluar një aksion simbolik me grafite në muret e qytetit të Deçanit, me parulla që dënojnë patriarkatin dhe shtypjen e grave, shkruan KultPlus.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Kolektivi për Mendim Veprim Feminist ka shkruar se përmes shkrimeve në mure janë vënë në pah të vërtetat e grave të cilat përjetohen e riprodhohen në heshtje.
“Dhuna ndaj grave, ndalimi i shkollës nga baballarë, vëllezër e axhallarë, mbyllja e grave brenda mureve të shtëpisë u shkruan me ngjyrë të kuqe, si alarm për shoqërinë e institucionet dhe shenjë që revolta dhe rezistenca e grave po zihet shtëpive e rrugëve të qytetit”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e tyre.
Këtë postim të Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist e ka shpërndarë në rrjetin e saj social Facebook edhe gazetarja e KultPlus, Suada Qorraj duke dashur të përkrahë nismën.
Por, ky postim u bë shkak që Policia e Kosovës të kërkojë Suadën për deklaratë me idenë që ajo ishte ideatorja e kësaj nisme.
Në shtëpinë e saj në Deçan, familja e Suadës u vizitua nga Policia e Kosovës duke e shqetësuar pa të drejtë dhe fakte.
Kjo vizitë është bërë vetëm mbi bazën e shpërndarjes së postimit aga ana e Suadës.
Për këtë shqetësim familjar ka reaguar Qorraj duke e konsideruar shqetësuese dhe sulm direkt ndaj fjalës së lirë.
Ky është postimi i plotë i saj:
REAGIM NDAJ POLICISE SE KOSOVES
Mbreme bera share nje aktivitet te nje organizates Kolektivi per Mendim dhe Veprim Feminist ne te cilin tregohej se jane bere grafite ne Komunen e Deçanit
Sot perpos qe u sulmova pa baze nga individ qe fshihen pas portaleve, ne shtepine time ne Deçan familja u vizitua nga Policia e Kosoves.
Vizita e Policise se Kosoves ishte bere vetem mbi bazen e shperndarjes se postimit nga ana ime duke aluduar qe aktiviteti ishte realizuar nga une, gje qe nuk eshte e vertete kjo sepse deri ne momentin e publikimit te fotove une nuk isha ne dijeni per nje aktivitet te tille.
Policia e Kosoves ka marre mundimin qe te shqetesoj familjaret e mij, po te njejtin nuk kane marre mundimin qe te verifikojne faktet.
Kjo eshte shqetesuese sepse eshte sulm direkt mbi fjalen e lire. / KultPlus.com
Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA) zgjidhet zyrtarisht si institucioni pritës organizator i një prej konferencave më të rëndësishme ndërkombëtare nga Fondacioni për Gjuhët e Rrezikuara (FEL) me qendër në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Vendimi është marrë pas mbledhjes së fundit të Bordit Drejtues të FEL, (pjesë e së cilës është edhe studiuesja shqiptare Eda Derhemi) ku janë caktuar edhe datat e organizimit të konferencës, përkatësisht 16-19 dhjetor 2021. Në këtë konferencë pritet të mbajnë kumtesa disa nga emrat më të rëndësishëm të studimeve bashkëkohore botërore mbi gjuhët në rrezik.
Pas organizimit më të fundit të FEL 24 në University College London, (2020), FEL vendosi ta organizojë konferencën e 25-të në Tiranë. Organizator lokal është QSPA në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës, Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë. Kjo është një mundësi dhe vëmendje e posaçme për të shqyrtuar dhe diskutuar gjendjen dhe perspektivat për mbijetesën e dialekteve të shqipes jashtë vendit amë: të folmeve të arbëreshëve në Itali, në Kroaci, të arvanitasve, etj.
Kjo është një konferencë e rëndësishme që organizohet rregullisht çdo vit nga Fondacioni për Gjuhët e Rrezikuara (FEL) në bashkëpunim me universitetet dhe qendrat shkencore më të mira të botës. Ka rreth 30 vjet që gjuhëtarët kanë konstatuar dhe konfirmuar tendencën për humbjen e përshkallëzuar të shumicës së gjuhëve të botës. Kauza e Gjuhëve të Rrezikuara u përvijua më zyrtarisht duke filluar nga 1991, nga diskutimi dhe prezantimi në konferencën vjetore të Shoqatës Amerikane të Gjuhësisë, duke vijuar më tej me studime, iniciativa, raporte ekspertësh, dokumente të rëndësishme ndërkombëtare, që kanë përfshirë si institucione të politikës ndërkombëtare: OKB, UNESCO, Këshillin e Europës, Bashkimin Europian, ashtu edhe institucione akademike. Ka pasur lëvizje, iniciativa deri ligje të rëndësishme në këtë kuadër, pjesë e të cilës është edhe ligji italian i vitit 1999, Karta Europiane për Gjuhët Minoritare. FEL zakonisht organizohet në bashkëpunim me universitetet dhe qendrat më të njohura në botë: SHBA, Gjermani, Spanjë, Australi, Japoni, etj. / Diaspora shqiptare / KultPlus.com
Në 22 vjetorin e masakrës serbe në rrugën e Kovaçëve në Mitrovicë, autoritetet komunale kanë vendosur lule dhe kanë bërë homazhe te lapidari me emrat e viktimave që u vranë nga paramilitarët serbë gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Të pranishëm ishin edhe familjarët e viktimave dhe një numër i qytetarëve, të cilët thanë se nuk ndihen të qetë derisa të vihet drejtësia në vend.
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, tha se sot është dhimbje e madhe për familjarët dhe qytetin e Mitrovicës në përgjithësi.
Ai kërkoi nga niveli qendror që të punojë në drejtim të vënies së drejtësisë për këta martirë, në mënyrë që të kapen të gjithë ata që kryen krimin më 14 prill të vitit 1999.
“Sot jemi ardhur këtu për t’i nderuar ata që u vranë padrejtësisht dhe në mënyrën më barbare. Serbët i ndanë nga familjet e tyre njerëzit më të devotshëm të qytetit tonë. Prandaj ne si institucione komunale, kërkojnë nga niveli qendror, qeveria e Kosovës, kryetarja, por edhe nga kryeministri Albin Kurti, që të kërkojë drejtësi për këta qytetarë”, ka thënë Bahtiri.
I dëshpëruar për shkak të mos vënies së drejtësisë në vend, Fisnik Sejdiu, i cili në këtë masakër kishte humbur babain, axhën dhe djalin e axhës, u shpreh i pakënaqur me drejtësinë.
Sipas tij, që 22 vite kriminelët e kësaj masakre vazhdojnë të jenë të lirë.
“Në këtë lagje ka ndodhur masakra më e madhe në Mitrovicë. 31 dëshmorë janë ekzekutuar pa faj. Falangat serbe, së bashku me fqinjët kriminelë, kanë ardhur na kanë dëbuar nga shtëpitë tona pa asnjë faj, veç pse kemi folur shqip[…] Tash edhe pas 22 vitesh ata kriminelë qëndrojnë të lirë…Me drejtësinë nuk jemi të kënaqur, shpresoj që do të merren masa ndaj kriminelëve dhe të marrin dënimin për atë që kanë bërë ndaj popullit tonë të pafajshëm”, theksoi Sejdiu.
Ndërkaq, Bajram Çerkini, kryetar I Shoqatës së të pagjeturve në Mitrovicë, ka përshkruar me pak fjalë ngjarjen tronditëse të asaj dite.
“Forcat serbe çetnike kanë ardhur dhe i kanë nxjerr prej shtëpive duke i masakruar dhe dërguar dy-tre kilometra larg nga këtu, ku më vonë janë gjetur”, tha Çerkini.
Ai ka apeluar tek institucionet komunale që të marrin vendim dhe të caktojnë 15 prillin si datë unifikuese për shënimin e të gjitha masakrave që kanë ndodhur në Mitrovicë.
Ndryshe, më 14 prill 1999 forcat serbe dëbuan me dhunë nga shtëpitë e tyre shumë qytetarë shqiptarë të lagjes ‘Bair’ në Mitrovicë, duke i ndarë meshkujt, dhe duke i ekzekutuar 31 prej tyre në rrugën e Kovaçëve, që njëherit njihet si masakra më e madhe në këtë qytet. / KultPlus.com
Carrie-Ann Moss ka bërë të ditur se vetëm një ditë pas ditëlindjes së saj të 40-të, asaj i ishte ofruar një rol i gjyshes në një projekt filmik.
Ylli i filmave “Matrix” e cila është 53-vjeçare, në një intervistë të fundit ka folur hapur për moshën dhe pritshmëritë në Hollywood, si dhe ka diskutuar për pritja psikotike që gratë duhet t’iu nënshtrohen operacioneve dhe intervenimeve të ndryshme në fytyrë, vetëm për t’i siguruar rolet më të mira.
Moss, e cila rikthehet në vazhdimin e katërt të filmit “Matrix” në rolin e Trinity, tha: “Kisha dëgjuar nga koleget e mia në këtë industri, që pas moshës 40-vjeçare, gjithçka do të ndryshonte. Unë nuk e besoja këtë gjë sepse nuk jam person mendimi i së cilit ndikohet nga fjalët e të tjerëve. Por, në të vërtetë, vetëm një ditë pas ditëlindjes time të 40-të, isha duke lexuar një skenar që më kishte ardhur dhe po diskutoja me menaxheren time për këtë. Dhe ajo më tha ‘Oh, jo, jo, nuk është ai roli që të është ofruar, në fakt roli të cilin duhet ta lexosh në skenar është ai i gjyshes’. Ndoshta po e ekzagjeroj pak, por kjo ndodhi brenda natës. Unë kalova nga rolet e vajzave tek ato të nënave dhe pastaj të gjysheve. Kjo është një histori tipike, marrë parasysh se punojmë me burra që janë shumë më të vjetër dhe po plaken çdo ditë e më shumë. Njerëzit e mirëpresin plakjen e tyre, ndërsa unë jam shumë më e re se ata dhe sërish më ofrohen role të gjysheve”.
Në vazhdimin e radhës së filmit “Matrix”, ylli hollywoodian Keanu Reeves rikthehet në rolin e protagonistit Neo, derisa aktorja Carrie-Anne Moss edhe një herë e portretizon personazhin, Trinity. Në këtë projekt, dyshja e njohur e hollywoodit gjithashtu bashkohet me producenten dhe regjisoren, Lana Wachowski. Në një intervistë të fundit, ylli i vazhdimit të katërt të “The Matrixit”, Jessica Henwick, tha se beson që filmi i ri do ta ndryshojë industrinë e filmit, derisa Keanu Reeves e përshkroi atë si një tregim inspirues i dashurisë.
Pjesë e kastës së aktorëve të vazhdimit të katërt të filmit do të jetë ylli i filmave “Aquaman”, “The Greatest Showman” dhe “Watchmen”, Yahya Abdul-Mateen. Aktori tjetër që është konfirmuar si pjesë e kastës së këtij projekti, është ylli i serisë “How I Met Your Mother, Neil Patrick Harris, i cili gjithashtu besohet se e ka një rol të rëndësishëm në film.
Data e lansimit të filmit “The Matrix 4” ka ndryshuar disa herë për shkak të pandemisë. Aktualisht pritet që të vijë nëpër kinematë botërore në prill të vitit 2022. / KultPlus.com
Pas takimit të sotshëm, me Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, me organizatat partnere, (QPDG, Medica Kosva dhe Medica Gjakova) dhe Vasfije Krasniqi-Goodman, përmes një statusi në Facebook ka reaguar edhe Presidentja Vjosa Osmani-Sadriu, shkruan KultPlus.
Ajo është shprehur se 14 Prilli për dikë mund të jetë ditë e një përvjetori të rëndësishëm, datë e lindjes, ditë e parë e punës, e për dikë thjeshtë një ditë e zakonshme, duke përkujtuar kështu edhe barrën e deputetes Vasfije Krasniqi, e cila në vitin 1999 është rrëmbyer dhe dhunuar barbarisht nga forcat serbe. Kjo barrë sipas saj, nuk duhet të bartet e vetme por duhet të ndahet me të gjithë botën, duke luftuar së bashku për të kërkuar drejtësi.
Ndërsa, për sa i përket diskutimit rreth datës 14 Prill, presidentja ka pohuar që nën patronatin e Presidentes së Republikës së Kosovës, që kjo ditë të shënohet si Dita e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, duke premtuar që në konsultim me Qeverinë e Republikës së Kosovës, të angazhohet për të ndërmarrë të gjithë hapat e duhur institucional për ta shndërruar datën 14 prill në një ditë të shënuar edhe me ligj.
Ky është postimi i plotë i Osmanit:
14 prilli për dikë mund të jetë ditë e një përvjetori të rëndësishëm, datë e lindjes, ditë e parë e punës, e për dikë thjeshtë një ditë e zakonshme. Por, për Vasfije Krasniqin mbetet përherë data kur jeta e saj ndryshoi përgjithmonë. Atë ditë të vitit 1999 ajo u rrëmbye me forcë dhe u dhunua në mënyrë barbare nga forcat serbe. Në këtë ditë, barra e luftës për të ka marrë kuptim tjetër, sepse u shtua aq shumë në peshë e u bë përjetësisht e pashlyeshme.
Barrën që e bartë Vasfija, sot e mbijetuar e dhunës seksuale në luftë, nuk guxojmë kurrsesi të lejojmë ta bartë e vetme, sepse kjo është plotësisht e padrejtë dhe e papranueshme. Ashtu siç e ndau ajo guximshëm dhimbjen, guximin e të vërtetën me ne e me gjithë botën, po ashtu duhet të luftojmë ne krah për krah me të dhe shumë gra e burra të tjerë si ajo, për të treguar të vërtetën e për të kërkuar drejtësi.
Por, siç Vasfija ia doli të jetojë, të mbijetojë, të triumfojë, shembulli e guximi i saj le të na shërbejnë si udhërrëfyes në kërkimin për drejtësi e në komunikimin me të tjerët për këtë pjesë të historisë sonë. Vasfija nuk është e vetme – as në këtë përjetim, por as edhe në rrugëtimin që ka marrë për sjelljen e drejtësisë. Ajo është sot zëri i më shumë se 20.000 të mbijetuarve të dhunës seksuale në luftën e fundit në Kosovën tonë.
Sot përveç që diskutuam se duhet të vazhdojmë të flasim gjithnjë e më zëshëm për krimet e kryera nga Serbia e që ende po i mohon, u pajtuam që 14 prilli nga sot e tutje, nën patronatin e Presidentes së Republikës së Kosovës, të shënohët si Dita e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Po ashtu, i premtova që në konsultim me Qeverinë e Republikës së Kosovës do të angazhohemi për të ndërmarrë të gjithë hapat e duhur institucional për ta shndërruar datën 14 prill në një ditë të shënuar edhe me ligj.
Vasfije, na ke pas, ti dhe të gjithë mbi 20.000 të mbijetuar të dhunës seksuale të regjimit barbar serb! / KultPlus.com
Pas debatit rreth rolit të gruas në shoqëri po të drejtohemi me letër të hapur meqë konsideroj se disa prononcime tua janë në kundërshtim me sistemin demokratik që e kemi instaluar në Kosovë.
I nderuari hoxhë Krasniqi, ne jemi të një trualli dhe flasim të njëjtën gjuhë dhe konsideroj që kemi mundësi që me u kuptu mirë me njëri tjetrin përmes një qasje konstruktive sepse debati rreth të drejtave të grave ka devijuar dhe është stërkeq.
Unë, që po ju drejtohem juve, jam politikologe me profesion por para se të arrija këtë gradë kam qenë një aktiviste që nga mosha 15 vjeçare bile qysh në vitin 1981 kam qenë e organizuar në grupin Shotë Galica të Ferizajt. Unë si femër në grupin tonë të ilegales (që përbëhej nga shumë meshkuj dhe femra) patëm votue dhe zgjodhëm një femër kryetare të grupit. Pra, të gjithë meshkujt anëtarë të grupit, vëllezërit tanë, pranua që femra të jetë prijëse e tyre meqë ne luftonim dhe ishim të përbetuara që në mënyrë të barabartë me meshkujt të kontribuonim për lirinë e këtij vendi.
I nderuari hoxhë Krasniqi, sa e sa femra janë burgosur e maltretuar e vrarë sikurse vëllezërit tanë pa dallim gjinor për të kontribuar për liri. Lista me emra të të burgosurave femra është shumë i gjatë. Përpos kësaj, femrat shqiptare, kudo që ishte, me fëmijë për gjiri dhe shtatzëna e barkun e fryer deri te gusha nuk kanë ndejtë te shtëpia e me lanë burrin vetë por janë organizuar krah përkrah me vëllezërit dhe nuk janë ankuar për stërngarkesa në luftën tonë për liri. Këtë gatishmëri për luftë femra shqiptare në mënyrë të vetëdijshme e morri mbi supe dhe nuk lejoj që vëllezërit shqiptarë të mbesin kaçak të maleve, siç mbetën shumë trima. Me involvimin e femrës në kauzën për liri u përkrah edhe lufta jonë nga bota demokratike se përndryshe mund të zbehej dhe të shuhej rezistenca jonë, siç ka ndodhur gjatë historisë sepse vetëm me një Shotë nuk mobilizohet e gjithë popullata. Pra, edhe lista me luftëtare femra fletë se femra shqiptare nuk e prit lirinë që ti servohet në pjatë por kapi armën edhe luftoj. Bile, po qe se do kishte armatim të mjaftueshëm, lista e vullnetareve femra për të luftuar do ishte edhe më e gjatë sepse femrat në mënyrë të vetëdijshme ishin të gatshme të sakrifikohen dhe priheshin me slloganin: ja vdekje ja liri. Femrat gjatë luftës jo vetëm që ishin të devotshme por u dalluan edhe si prijëse në beteja.
I nderuari hoxhë Krasniqi, pas mbarimit të luftës shpresoja që tani barazia gjinore do të mirëpritet dhe përqafohet edhe nga njerëz që kishin hezitim për të drejta të barabarta në mes gjinive. Me këtë besim dhe me këtë vrull, erdha nga shtetet skandinave, në vitin 2004 përmes Ëorld University Service, dhe morra përsipër që teoritë e barazisë gjinore t’i zbërthej para studentëve të Universitetit Prishtinës.
I nderuari hoxhë Krasniqi, në teoritë e barazisë gjinore që janë pjesë e qenësishme e vlerave demokratike nuk ka ndarje të drejtave mes njerëzve por kërkohet që çdo njeri pavarësisht përkatësisë gjinore të kontribuoj pa u kursyer në të gjitha lëmitë, si në sferën private ashtu dhe atë publike. Mbi këtë bazament është ndërtuar bota demokratike sepse femra është gjysma e popullatës së çdo shteti dhe fuqia e saj duhet të merret në konsideratë dhe të respektohet.
I nderuari hoxhë Krasniqi, kontributi i femrës si në sferën private dhe publike duhet të përkrahet edhe nga ju sepse është në dobi të familjes suaj, është në dobi të shoqërisë tënde, respektivisht shoqërisë tonë.
I nderuari hoxhë Krasniqi, ju bëjë apel të hapur, ty dhe gjithë atyre që mbajnë ligjërata para popullit, që t’i pranoni vlerat e demokracisë dhe përpiqeni që t’a kuptoni feminizmin demoratik të shëndoshë e jo atyre që në emër të feminizmit kanë cënuar vlerat më të çmuara të barazisë. Asgjë të përbashkët nuk ka feminizmi me devijimet që ndodhin, në shoqërinë tonë apo gjetiu, në emër të feminizmit. Devijimet të këtilla janë të ngjashme si me devijimet tjera, për shembull si përdorimi i drogës apo stërkeqieve të ngjashme. Duhet t’a kuptojmë dhe të sqarohemi një herë e mirë se demokracia nuk ushqen asnjë lloj stërkeqie. Demokracia është në përkrahje të lirisë së çdo individi i cili në mënyrë të vetëdijshme dhe me ndërgjegje duhet të ketë përgjegjësi për veprimet e veta individuale. Liria dhe barazia kërkon përgjegjësi dhe arsyeshmëri për çdo veprim individual.
I nderuari hoxhë Krasniqi, barazia gjinore është vlerë e pa kontestueshme dhe ne së bashku pa dallime të grupimeve religjioze duhet t’a mbështesim këtë vlerë të shoqërisë tonë. Nuk duhet lejuar të turbullohet mendja asnjë predikanti të asnjë feje që të ngatërron vlerat e demokracisë me devijimet nga rrymat e fenomenet e ndryshme që mund të shfaqen në shoqëri. Sikurse në konfeksionet religjioze që ekzistojnë sekte të ndryshme që ju sigurisht nuk pajtoheni ashtu edhe në ideologjitë feminist ekzistojnë rryma të ndryshme që tentojnë të fragmentarizojnë feminizmin demokratik.
I nderuari hoxhë Krasniqi, një gjë është e kristaltë si loti, që me barazi gjinore rritet e mira e shoqërisë sepse edhe femra jep maksimumin e vet për ta ndërtuar dhe mirëmbajtë familjen e shoqërinë.
I nderuari hoxhë Krasniqi, bindja e çdo individ apo prijësi për një fushë të caktuar duhet të ushqehet me njohuri të thella e argumente të fuqishme për t’a kuptuar drejt çdo fenomen shoqëror. Në predikimiet e juaja do të dëshiroja që të dëgjoj komentime e interpretime që i shërbejnë zhvillimit shoqëror për t’a fuqizuar demokracinë në shoqëri dhe për t’i mbrojtur vlerat e shëndosha të shoqërisë. Ju mund të shërbeni si një hoxhë duke përpjekur që t’a interpretoni kuranin për t’a përshtatur për jetesën bashkohore. Për t’a marrë një hap të këtillë nevojitet guxim dhe përkrahje gjë që nuk do ju mungoj sepse do gjeni nëse angazhoheni për këtë mision. Në të vërtetë ju vetë duheni të merrni iniciativë për ri-vlerësimin e barazisë gjinore sepse paqja, mirëkuptimi, respekti dhe vlerat në mes barazisë gjinore janë të domosdoshme për një shoqëri demokratike.
Ne, me shumë gjak e me sakrifica të panumërta kemi luftuar për me sjell demokracinë në këto troje dhe mos të lejomë, as unë si politikologe por as ju si hoxhë, shkatërrimin e këtyre të arriturave, që ende janë të brishta në vendin tonë. / KultPlus.com
Sot, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës së bashku me organizatat partnere, (QPDG, Medica Kosva dhe Medica Gjakova) dhe Vasfije Krasniqi-Goodman, kanë mbajtur një takim me presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, shkruan KultPlus.
Në këtë takim, është diskutuar mbi zhvillimin e statusit dhe politikave afirmative për të mbijetuarit e dhunës seksuale nga koha e luftës, duke filluar nga ana shëndetësore, ekonomike dhe ajo sociale.
Njëherësh është kërkuar një mbështetje më e fuqishme për dokumentimin e dhunës seksuale gjatë luftës në kuadër të nismave institucionale dhe drejtësisë tranzicionale.
Gjatë këtij takimi, QKRMT ka propozuar që 14 Prilli të jetë Dita Kombëtare e Viktimave të Dhunës Seksuale gjatë Luftës në Kosovë. / KultPlus.com
Është krijuar Shoqata e Përkthyesve Shqiptarë dhe në krye të saj është zgjedhur përkthyesi i njohur Rexhep Hida, shkruan KultPlus.
Shoqata e Botuesve Shqiptarë e përshëndet dhe e përgëzon këtë nismë të rëndësishme për kulturën e librit.
“Është kënaqësi që në punën tonë të madhe të kemi bashkudhëtare një organizatë profesionistësh, me të cilën jemi të gatshëm të bashkëpunojmë për të mirën e përbashkët, për leximin dhe për lexuesit”, thonë nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë.
Kujtojmë që Rexhep Hida është një ndër personalitetet më të njohur në fushën e përkthimit dhe editorisë. Ai ka përgatitur për botim një sër veprash të rëndësishme nga letërsia botërore në gjuhën shqipe që përgjatë gjysmës së dytë të shekullit XX-të, kohë kur në Shqipëri ishte instaluar regjimi totalitar komunist.
Më pas, me rënien e diktaturës ai themelon Shtëpinë Botuese “Fan Noli”. Shtëpia botuese “Fan Noli” është shtëpia e parë botuese private në Shqipëri e krijuar në maj 1991. Me një veprimtari të gjerë botuese afro 30 vjeçare “Fan Noli” është një nga botuesit më të mëdhenj në Shqipëri, në pozicionet drejtuese në tregun shqiptar të librit, duke përgatitur për botim dhe publikuar pothuajse në të gjitha zhanret e librave për një audiencë të gjerë. Në portofolin e Shtëpisë Botuese “Fan Noli” zënë vend emrat më të mëdhenj të të drejtave të autorit: fituesit e çmimeve letrare, shkrimtarët më të njohur dhe të modës, yjet e medias, aktorët, prezantuesit televizivë dhe gazetarët, politikanët dhe figurat publike.
Midis tyre: M. Proust, J.P. Sartre, A. Camus, F. Kafka, E. Remarque, J. Galsëorthy, D. Çeliku, A. S. Pushkin, F. Dostojevski, Ch. Dickens, M. Yan, T. Dreiser, A. Verbeke, S. Zëeig S. Freud, CG Jung, E. Fromm, F. Nietzsche, M. Horkheimer, M. Ëeber, L. Ëittgenstein, A. Adler, Konfuci, Osho, G. Le Bon, AP Chekhov, J. Austen, O. Kemal, AH Tanpinar, RN Guntekin, M. Levy, A. Tunch, E. Vahapoglu etj. Në mesin e autorëve shqiptarë Shtëpia Botuese “ Fan Noli” publikon vepra nga A. Puto, A. Mero, N. Cabej, J. De Rada, Sh. Bali, S. Limani, E. Shallvari, Th. Naqo, I. Beqiri, V. Peshkepia, A. Kolea etj.
Shtëpia Botuese Fan Noli sjell në shqip fituesit e Çmimit Europian të Letërsisë, në kuadër të projektit Evropa Krijues, për promovimin e letërsisë.
Rexhep Hida është nderuar edhe me vlerësime dhe çmim ndërkombëtar për përkthimin e novelës Fati i një njeriu, vepër e shkrimtarit rus Mihail A. Shollohov, laurant i Çmimit Nobel në vitin 1965. / KultPlus.com
I trishtë dhe i thellë është peneli i Agim Ramadanit i cili është ngjyer në magmën dhe vërshimin e trishtë të klithmës së lirisë dhe vuajtjet shekullore të këtij populli. Pikturat në frymën abstrakte sjellin përmbytje ngulmime plot ethe dhe pasione sidomos me ngjyrën e kuqe e cila të dehë me tërbimin dhe gostinë e zjarrit, me lumenjtë e gjakut. Një e kuqe e lehtë me tone dhe gjysmë tone, e përshkallëzuar e spërkatur nga dhimbja, aty këtu e vërshruar me njolla gjaku në tërë kompozicionin ku pena e tij është ngjyer me gjak dhe lëshon vërshimin e vet si dëshmi të kufijëve. Ndoshta kjo ngjyrë prek simbolin e kthjelluar antik-historik gjithmonë të dyshuar nga armiqtë që turreshin me hov zjarmues.
Ngjyra e kuqe jetëson të gjitha të dëshirueshmet reale që dikur ishin vetëm përfytyrime. Zemra e Agimit e ndodhur mes territ, e prekur nga një shkëndi që ja mbulonte sythin e ofshamës, e ky zemërgur në pikturë nxori kompozcione klithmë-drite dhe vullnet pranvere, dhe ti gjithmonë soditë dhe lundron nëpër atë bukuri e cila edhe sot shumohet si çdo petale luleje.
Në vepra tjera vërejmë një blu të çelur të qiellit teksa lehtshëm duket sikur puth blunë e detit ose magjishëm ngjitet në shkallët e parajsës. Si në pkturat e Klod Monet, relaksohesh i tëri duke u ngopur me energji të dritës. Te Agimi bluja e hap kompozcionin, krijon thellësinë nxitë paqen, shpresën çliron ndjesinë e largësisë, distancës dhe perpsektivës. Pastërtia, ftohtësia e kësaj bluje qëndron rrëbeshëm përballë të verdhës, të kuqes, grisë, të bardhës dhe duket si një sakrificë. Ngjyrat nuk janë të ngopura me bojë, janë me një shtresë të hollë dhe duken si ilustrative.
Psikologjia e Agimit reflekton përmes këtij vërshimi ngjyror duke kthjellë një botë të trazuar, të trimëruar, të pastër, lojë kaosi, kontrast i qetësisë, mirëpo të gjitha janë të radhitura bukur dhe këtu shihet strategjia e kthjelltë e tij.
Biografia
Agim Ramadani (3 Maj 1963 – 11 Prill 1999) i njohur ndryshe me nofkën Katana, ishte njëri prej komandantëve më të shquar dhe më aktivë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si dhe komandant i Zonës Operative të Dukagjinit, gjegjësisht i Koshares. Lindi më 3 Maj 1963 në fshatin Zhegër të Komunës së Gjilanit dhe ra dëshmorë më 11 Prill 1999 në Koshare gjatë një luftimi fyt për fyt me forcat serbe. Mori pjesë në Betejën e përgjakshme të Koshares e cila u zhvillua më 9 Prill të vitit 1999, ku edhe ishte komandant i Brigadës 138 deri në ditën e rënies së tij. Pas vdekjes, iu dha dekorata Hero i Kosovës. “Mu shterrshin syt nëse pushoj lirin tënde me ëndërrue, mallkue qoft gjaku im nëse m’vrasin pa luftue”.
Gjatë luftës u dëshmua si strateg i lartë dhe udhëheqës i dashur për ushtarët. Ishte njëri ndër hartuesit e planit për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar, gjë të cilën edhe e bëri bashkë me shokët e vet. Ishte i pari që shkuli gurin-piramidën-kufitare në Koshare. Pas thyerjes së këtij kufiri, në pjesën e Kosovës, tek vendi i quajtur “Zharret”, ai ra dëshmor heroikisht për të mos vdekur kurrë. Njihet me emrin konspirativ Katana. Llogaritet si një nga heronjtë më të njohur të historisë së re shqiptare. Në Gjilan para Teatrit Kombëtar i është ngritur një shtatore, në të cilën janë komponuar të gjitha elementet artistike dhe luftarake të Agim Ramadanit-Katanës. Është përfaqësuar në disa leksikone dhe antologji të shkrimtarëve shqiptarë, të botuara pas Luftës së Kosovës në vitin 2000. Agimi la pas vetes tre pasardhës, djemtë Jetonin dhe Edonin, si dhe vajzën Laurinën. / KultPlus.com
Në një shtet laik, siç është Kosova, klerikëve nuk duhet t’u lejohet hapësirë mediale, ku bëhet thirrje e hapur për diskriminim gjinor, dhunë në familje, ku madje, edhe identiteti nacional kërkohet të zëvendësohet me atë fetar!
Meqë kushtetuta mbron të drejtën e lirive fetare si dhe përcakton vendin e klerit në shoqëri, prokurori i shtetit duhet të veprojë menjëherë aty ku preket kodi kushtetues si dhe sistemi i vlerave mbi të cilin mbështetet shoqëria e lirë dhe demokratike.
Pse gjyqësori nuk ka vepruar deri më tash në këtë frymë, fajin duhet kërkuar te pjesa e madhe e politikanëve, që për interesa meskine, jo rrallë para elektoratit përdorin gjuhën e klerikëve, ndërsa klerikët, pse jo, në kuadër të këtyre raporteve, në jetën publike, veçmas nëpër studio televizive, bëjnë politikë! / KultPlus.com
Certifikatat dixhitale jeshile ose pasaportat COVID do të përdoren derisa Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) të deklarojë fundin e pandemisë, tha Komisioneri Evropian i Drejtësisë, Didier Reynders.
Ai gjithashtu theksoi se këto pasaporta COVID do të jenë gjithashtu në gjendje të përdoren nga linjat ajrore për pasagjerët pasi shumë prej tyre tani po iu kërkohet një test negativ PCR.
“Certifikata dixhitale e gjelbër e propozuar nga Bashkimi Evropian do të përmbajë prova nëse një person është vaksinuar plotësisht, kohët e fundit ka bërë një test negativ PCR ose është rikuperuar nga infeksioni”, tha Reynders në Komitetin e Lirive Civile të Parlamentit Evropian, raporton brusselstimes.
Reynders theksoi posaçërisht se pasaportat COVID nuk janë të njëjta me certifikatat e vaksinimit sepse ato nuk do të diskriminojnë ata që nuk mund të vaksinohen.
Reynders paraqiti një propozim për anëtarët e komitetit që Komisioni publikoi në mes të muajit të kaluar.
Në fund, ai theksoi se qëllimi është që të fillojë përdorimi i këtyre certifikatave para fundit të qershorit. Parlamenti Evropian duhet të votojë rregulloren në seancën e tij plenare nga 7 deri në 10 qershor. / KultPlus.com
Nga ekspedita e parë në oqean e deri më tani kanë kaluar plot 150 vite. Aso kohë për një mision 4-vjeçar ishte Armata e Marinës Mbretërorë që udhëtoi për 70. 000 milje detare, ku zbuloi mbi 4.000 specie të panjohura më parë duke ndërtuar bazat për shkencën moderne të oqeanit.
Sot me aktivitetin intensiv njerëzor që ka ndikuar drejtpërdrejtë në mirëqenien e oqeanit duke shkaktuar ndotje e prishje të ekosistemeve nevoja për të dhëna oqeanografike është më e madhe.
Për fat të mirë, avancimi në teknologjinë autonome së shpejti do të ofrojë një zgjidhje. Anija Autonome e Mayflower do të funksionojë me energji diellore për të përshkuar në mënyrë të pavarur oqeanin duke ofruar një mënyrë të re inovative për të mbledhur të dhëna që ndikojnë në mirëqenien e tij.
Rrjetet e anijeve kërkimore autonome, do të kalojnë muaj në det, duke u mundësuar oqeanografëve më shumë kohë për interpretimin dhe veprimin e të dhënave sesa mbledhjen e tyre.
Sipas një raporti të publikuar nga Kombet e Bashkuara në oqeane gjenden çdo vit 8 milion tonë plastikë, por gjithashtu nga ujërat detar 3 miliardë njerëz marrin burimin kryesor të proteinave. Nga ana tjetër fitimet nga tregu i industrive detare dhe bregdetare është tre trilionë dollarë në vit.
Pavarësisht dëmtimeve, nuk është vonë për të shpëtuar gjithçka pasi Organizata e Kombeve të Bashkuara është duke sjellë një sërë disiplinash shkencore, iniciativa që do të sigurojnë një menaxhim më të mirë të mjediseve detare. / KultPlus.com
Historia e Shqipërisë ka një panoramë të larmishme mbi rolin e gruas në kontributin e dhënë prej tyre në luftën për liri, identitet dhe të drejta. Përkundër përfoljeve gojëkëqija dhe anatemimit, shpërdorimit të rolit të saj përtej bashkëshortes dhe nënës, ajo ka shkrepëtirë në faqet e historisë si një shpërthim i fuqishëm drite, duke i lartësuar veprat e tyre në kufinjtë e legjendës.
Lista e këtyre grave dhe vajzave që kontribuan dhe sakrifikuan është e gjatë dhe njëra prej tyre është Shaqe Marie Çoba.
Shaqe Marie Çoba është ndoshta e para grua shqiptare që ndoqi universitetin për “Shkenca Politike” . Ajo ishte gruaja e parë intelektuale shqiptare që u përpoq për çështjen e ngritjes së grave të klasës së lartë. Sigurisht që ishte dhe mbeti e para grua shqiptare që udhëpriu lëvizjen feministe shqiptare që në vitin 1918, duke krijuar komitetin “Gruaja Shqiptare”, një grupim grash dhe vajzash të zëshmë në mbrojtje të lirive dhe të drejtave të grave, me anëtare të përkatësive të ndryshme fetare.
Ky organizëm kishte për qëllim të ndihmonte luftëtarët shqiptarë që po përballeshin me forcat sllave që përpiqeshin të pushtonin Shkodrën. Po cila është Shaqe Marie Çoba, për të cilën shkruhet në “Fjalori Biografik i Lëvizjeve dhe Feminizmit të Grave në Evropën Qendrore, Lindore dhe Jug-Lindore: Shekujt XIX dhe XX”?
Shaqe Marie Çoba lindi në familjen e shquar Shiroka në Shkodër, Shqipëri. Filloren e mbaron në Shkodër për të vijuar më pas studimet në Zagreb, në një institut austriak, ku mëson gjuhët italiane, gjermane dhe serbokroate. Pastaj në 1904 zhvendoset dhe përfundon studimet në Venecia. Pasi mbaroi arsimin, ajo u martua me intelektualin dhe nacionalistin shqiptar Ndoç Çoba, në familjen e të cilit idetë e saj atdhetare dhe feministe u inkurajuan dhe lulëzuan.
Më 3 gusht të vitit 1920 ajo themeloi komitetin “Gruaja Shqiptare”, me kryetare nderi, Habibe Bekteshin, sekretare, Paulina Lekën dhe llogaritare, Albina Ashikun. Komiteti pati si qëllim fillestar mbledhjen e fondeve në ndihmë të Ushtrisë Shqiptare që po përballej me mësymjet serbe në Koplik.
Në vitin 1920 ajo themeloi Gruaja Shqiptare (“Gruaja Shqiptare”), një organizatë për klasën e sipërme shkodrane të interesuar për çështje të emancipimit të femrës, me qëllim kryesor mbledhjen dhe shpërndarjen e fondeve për llogari të Ushtrisë Kombëtare në luftën e Koplikut të vitit 1920 (kundër Jugosllavisë forcat që bëjnë presion për aneksimin e territoreve shqiptare).
Për të bërë publik punën e Gruaja Shqiptare, organizata gjithashtu drejtoi një revistë me të njëjtin emër, duke informuar lexuesit për dhurimet, si dhe duke botuar artikuj në lidhje me çështjet e grave, duke debatuar për të drejtat dhe detyrat e grave në shoqërinë shqiptare, promovimin e arsimit të vajzave dhe duke inkurajuar njerëzit të heqin dorë nga traditat e vjetra dhe të dëmshme.
Për herë të parë në historinë shqiptare, mendimet e grave për të drejtat e tyre, arsimin dhe kulturën kishin fituar një forum publik; për herë të parë mund të dëgjoheshin mendimet e tyre mbi një vetëdije të re morale dhe një kuptim të ri të gruas moderne shqiptare.
Gjatë Luftëa së Koplikut (1920) ajo aktivizoi mjaft gra e vajza ,që me shirita të bardhë në krahë, me inicialet e kuqe “G.SH”, punonin në frontin e luftës, duke mjekuar plagët e luftëtarëve, duke i tërhequr ato nga fronti dhe i dërguar në spitalet e Shkodrës. Ato shërbenin në këto spitale, u ndanin ndihma financiare e materiale familjeve të luftëtarëve në beteja, si dhe familjeve të varfra. Aktiviteti i këtij komiteti është pasqyruar në një dokumentacion të rregullt i cili ruhet akoma nga familja Çoba.
Nga nëntori e deri në korrik të vitit 1921, doli në shtyp revista “Gruaja Shqiptare”, si mjeti i parë ku gratë mund të shprehnin mendimet mbi të drejtat dhe detyrat e tyre. Në faqet e saj kishte shkrime që trajtonin problemet shqetësuese të gruas shqiptare, duke paraqitur dhe rrugët e daljes nga kjo gjendje.
Problematika e revistës lidhej me rolin e gruas në zhvillimin dhe përparimin e familjes e të shoqërisë në ndërtimin e shtetit. Ajo duhej të luftonte për të zënë vendin që i takonte në familje, për respektimin e të drejtave e lirive të saj, të kujdesej për edukimin e arsimimin e fëmijëve, sidomos vajzave.
“Vetëm kur të arrihet të mbushen mësonjëtoret me vajza ashtu si me djem, vendi ynë do të rradhitej në vendet e qytetëruara”, shkruhej në një shkrim të revistës. Për herë të parë në historinë shqiptare, mendimet e grave për të drejtat e tyre, arsimin dhe kulturën kishin fituar një forum publik; për herë të parë mund të dëgjoheshin mendimet e tyre mbi një vetëdije të re morale dhe një kuptim të ri të gruas moderne shqiptare.
Revista trajtonte edhe probleme të amviseve dhe i bënte apel grave t’i edukonin fëmijët me idealin kombëtar, ndërsa u bënte thirrje që të jenë shembuj virtyti e mirësie para fëmijëve, me moralin e veprat e tyre.
Shaqe Çoba, më 10 nëntor të vitit 1937 bën një riplanifikim të shoqatave të grave në nivel kombëtar me pjesmarrjen e 150 grave, me objektiv luftën kundër zakoneve të vjetra, analfabetizmit, përmirësimin e jetës dhe veshjeve të grave, mbrojtjen e shëndetit të tyre, etj.
Shaqe Marie Çoba vdiq në dhjetor të vitit 1954, në Shkodër. Në nëntor 2002, me rastin e 90 vjetorit të pavarësisë shqiptare, presidenti Alfred Moisiu, i dha asaj pas vdekjes “Urdhrin Naim Frashëri” për pjesëmarrjen e saj në lëvizjen e pavarësisë së viteve 1920 si një luftëtar “kundër ndarja e Shqipërisë dhe për emancipimin e gruas shqiptare ”.
“Ne duhet ta bindim veten se gruaja është […] fryma e shoqërisë njerëzore dhe qendra e familjes.” Shkruhet në “Gruaja Shqiptare, Nr.6”
Roli dhe kontributi i kësaj gruaje është një shembull i jashtëzakonshëm që u parapri dhe u pasua nga dhjetëra e dhjetëra vajza e gra, të cilat mbetën në histori edhe pse kujtesa i rimishëron fare pak me atë frymë mirënjohje dhe respekti që meritojnë. Ata nuk ishin vetëm bashkëshorte dhe nëna, ata qenë gra që luftuan, u përpoqën dhe krijuan veprën e tyre të lavdishme.
Shkodranja, Shaqe Marie Çoba ishte njëra prej tyre, ajo që përfaqësoi gruan në një kohë që femra shqiptare lëngonte nën barrën e pamundësisë për të qenë më shumë se sa e përulur dhe nënshtruar, jetëlindëse po jo ëmëlartësuese. Obskurantizmi i kohës u rrek të eklipsonte gruan përmes mjetesh diskriminuese dhe kodeve zakonore, shpesh të keqpërdorura, por pa mundur ta ndalojë atë të ishte e përfaqësuar dhe e mbrojtur nga një Zhan D’ark shqiptare, siç ishte Shaqe Marie Çoba./albertvataj/ KultPlus.com
Më vjen keq t’a them prapë, po në të metat që ka Shqipëtari, përgjegjesija më e madhe i bie Shqipëtarkësë. Në qoftë se njerëzit tanë nukë janë aq aktifë, aqë patriot, aq të mëshirshim dhe të drejtë sa dëshironim që t’i shohim, cila grua u dha gjirin e saj, cilamotrë, cila grua, cila mëmë i këshilloj?
Në qoftë se vendi ka mbeturë kështu në varfëri dhe populli vuan në mos-kamje e në smundje, në qoftë se foshnjat tona i korr mortja e keqe, çë bëri gruaja jonë për këtë Shqipëri, çë kujdes morri për të shëruarë plagët morale dhe fizike të saja?
Kur është pra çështja për lumtërinë dhe interesin e përbashkët, a mund që gruaja jonë të rrijë akoma indiferente, si një e huaj e ftuarë në shtëpi të huaj? A nukë duhetë, për të mirët e përgjithsme, të bëhetë një sforcim i përbashkët, në kolaborim dhe harmoni, duke mbledhurë tok fuqinë a po duhetë që të dy palët të shikohenë armiq, dhe pjesa më importante e njerëzisë, mëma, motra dhe shoqeje të rrinë të larguara, duke parë mjerimin dhe plagën?
Burri në verbëri të tij mashkullore, i kërrususr nënë barrën e kalbëzuarë të fanatizmësë dhe paragjykimit që e shtyjnë të shikojë si një faj, si një turp, jo vetëm kolaborimin e gruasë, po sa edhe të zërë ngoje emërin e saj, burri them, munt që të dojë të bëjë një vetëvrasje , se s’i pëlqen të shkundetë prej pluhërit dhe të shpëtojë nga çimkat e idevet të mykura. Po a duhetë që gruaja të rrijë indiferente përpara rezikut, të mos bëjë asnjë çap, asnjë zhest, dhe të vejë drejt vdekjesë?
E dashurë këndonjëse. E di që je e mençme dhe patriote. Në qoftë se të qortonj, po të akuzonj pse nukë bën no një shërbim, dhe jo pse ke no një faj. Jam sigur që edhe ti e kupëton mirë se, ky popull i varfrë kurrë s’ka për të përparuarë në qoftë se ti nuk mbush plotësisht rolin ë mëmësë, të motrësë dhe të shoqesë dhe nuk merrë piesë active në edukatë të fëmijërisë, në shërim të plagëvet që mbulojnë trupin dhe shpirtin e kombit.
Roli yt sot është të vuash dhe të shohsh të tjerët të vuajnë , pa nxjerë zërin. Detyra jote duhet të jetë që të shpëtosh nga kjo pasifëri, të marrësh një detyrë aktife, si me teprë e interesuarë që duhet të jesh.
Them që burri duhet të punojë, të stërvitetë, të marrë edukatë dhe arësim. Po harojmë sa kohë vdierrin kot, sa minuta të vlefshme u venë dëm gravet të Shqipërisë! Themi se duhet të punojmë me një kujdes të math për qytetërimin dhe begatinë e këti vëndi, për shëndetësinë dhe mirëshkuarjen fizike të këti populli dhe harojmë që gjysmën e njerëzisë sonë, gysma që munt t’a quanj me e mira, e ndalojmë prej çdo shërbimi, ose nga egoizma jonë brutale, ose nga injoranca jonë qesharake, ose nga që i pëlqen dhe gruasë vetë që të jetë përtace dhe të mbetet si foshnjë.
A presim ne përparim dhe dritë, kur zonja e shtëpië dhe squka e fëmijërisë të rrijë në shkallë të unjët? A presim ne një zgjim të vërtetë kur çupat tona, zonjat e nesërme të rritenë vetëm si kuklla? A pandehim se një çupë, një grua e ka mbushurë gjithë detyrën e saj kur të dijë të hollinj petë për lakror dhe të bëjë qofte me thërime?
Themi se palët e thella të kombit duan nxejrë nga errësiar, duanë shkulurë nga balta. Po si munt të hyjnë pakërrëzat e sotme, sa kohë që neve na pëlqen të mbajmëgruanë në tym dhe në pluhur të shekëlvet të vdekurë?
Duamë që të shpëtojmë llauzin dhe vendin tonëprej lëngatavet, të kmi një popull të shëndoshë,një Shtet të fuqishmë dhe harojmë që rolin më të math do ta lozë gruaja, se ajo do të interesohet për të vegjëlit, për rrojtjen e të varfrëve, për shpëtimin e atyre që vuajnë dhe lëngojnë. Duhet të kupëtojmë bukur e mirë se shpëtimi dhe shëndoshja e kësaj njerëzie, nukë bëhetë gjë e mundurë, por që gruaja dhe çupa e shtëpisë nuk arrinë më një shkallë inteligjence dhe kulture që të bëhenë me të vërtetë zonjë shtëpie dhe mprojtëse të folesë.
Mejtohemi qysh të shpëtojë Shqipëria nga varfëria ekonomike që siell injoranca dhe përtimi; po s’duamë të gjykojmë njëherë se shpëtimi nukë munt të vijë veçse nga puna, dhe puna nuk munt të na jetë e dukshme po që gruaja s’morri pjesë në të, duke diturë qeverinë e shtëpisë, duke kupëtuarë rëndësin e ikonomisë shtëpiake, ajo dituri e administratës së vatrësë.
Gruaja në Shqipëri gëzon një respekt dhe një nderim që s’e gjen lehtë në vendet e tjera. Liri e saj është e plotë në viset e vendit tënë ku s’ka hyrë pseudoqytetërimi i Asisë.
Gruaja Shqiptare është inteligjente dhe s’i mundojnë cilësitë qytetare të larta. Është vërtet se të drejtat e saj janë mohuarë. Po edhe do kujtuarë kurdoherë se, të drejtat fitohenë prej atyre që janë denjë t’i marrin, prej atyreve që dinë përdorimin e mënyrësë për t’i fituarë. Dhe më teprë akoma, mbi çdo konditë është ajo e të merituarët.
Duhetë pra që gruaja Shqipëtare të përpiqetë dhe të rrëfehetë e denjë për të drejtatë njerëzore. Lipsetë që të bëjë forcime për t’u lartësuarë intelektualisht dhe shpirtërisht, duke njohurë vendin e vërtetë që i ka hie të okupojë.
Atëhere do të bindetë gruaja shqipëtare se, në ringjallje të këtij vëndi duhet të marrë pjesë, të kolaborojë duke prurë aktivitetin dhe inteligjencën e saj për shërbimin e dheut mëmë duke siguruarë jetën dhe fatin e bardhë të djemvet dhe të burravet, të kenë sigurarë dhe rrojtjenë fatmire të tyre vetë. Atëhere, sikundrë që çdo shqipëtar sado i pasurë, i diturë dhe I lumturë të jetë e ka për detyrë që të kujdesetë për të mirët, për ata që janë fatzes, dergjen në injorancë dhe vuajnë në moskamje, ashtu edhe çdo grua, sado zonjë e madhe që të jetë sado që t’i qeshnjë fati në bukuri dhe lumturi duhetë që të bëjë pakë therori nga koha dhe dëfrimet e saj , të kujdesetë për grat e varfëra, për ato që lëngojnë dhe pësojnë.
Rolin më të math që pres prej grave tona është përhapja e parimevet të higjienësë dhe të mirërrojtëse fizike. Burii s’vvete do në shtëpi kur një e varfërëdergjet e sëmurë, ku një lehonë ka nevojë për ndihmë . Një foshnjë vuan për një filxhan qumësht. Gruaja me dorën dhe zërin e saj të njomë munt të lehtësojë plagët fizike dhe morale të shpjerë gushëllimin, të ngrerë një fëmijë afrë fikjesë, të shpëtojë një tjatrë që mënt rrëzohetë.
Ca më pak se nga burratë do të gjendetë një grua që të rrëfehet indiferete në gjallëninë dhe dobësinë e këtij trupi që i themi Shtet. Ca më mirë nga burratë gratë do të dijnë, se jeta dhe lumtëri e tyre është varurë në jeta dhe lumtëri e Shqipërisë, që pa shëndoshurë të gjithë palët dhe shkallët e kësaj popullisje , vet s’munt të quhetë jashtë rrezikut./ KultPlus.com
Veprimtaria e grave të shquara shqiptare është e lidhur ngushtë me rrethanat në të cilat u krijua, veproi dhe jetoi populli shqiptar. Si rrjedhim është më se i nevojshëm një rrugëtim i shkurtër nëpër të kaluarën për të njohur më thellë jetën dhe veprën e këtyre figurave. Padyshim ndjenja e përkatësisë etnike si dhe robërimi i gjatë krijuan llogjikën e qëndresës së përhershme shqiptare ndaj pushtuesve të ndryshëm. Sic e dimë shtyllë e fuqishme e kësaj qëndrese ka qene gruaja. Ajo e bëri këtë përmes edukimit të gjeneratave, edukim ky që niste që nga ninullat e para që mbajti frymën liridashëse, kultivoi ndjenjën e mosgjunjëzimit e të respektit ndaj vlerave njerëzore e kombëtare. Prandaj në udhën e stërgjatur të historisë meritat e gruas shqiptare zënë një vend shumë të rëndësishëm.
Nëse do të donim të strukturonim një skemë për letërsinë feministe, do të pranonim se Simone De Beauvior e Virginia Wolfe kanë një pararendëse të femnizmit europian dhe romantik e kjo ishtë Elena Gjika. Kjo figurë ka fituar një rëndësi të vecantë për ne shqiptarët nga prejardhja e saj shpallur prej vetë asaj.
Në historinë mijëvjecare të njerëzimt nuk është i madh numri i grave që patën mundësinë të shquhen në sfera të ndryshme të jetës. U njohën kryesisht , emrat e atyre grave që zëvëndësuan apo përkrah burrave të tyre të shquar i mbështetën në cdo hap. Laskarina Bubulina ishte ndryshe, për kohën që jetoj ishte nga gratë më të emancipuara e më trime të kohës. Bota e mbyllur por vepruese dhe krijuese e gruas nisi të gjejë shprehje vetëm nga shekulli XVIII. Në shekujt vijues, falë këmbënguljes individuale të femrave dhe më pas nisi të shpaloset energjia krijuese e gruas. Fundi i shëkullit të XIX shënon inkuadrimin e gruas në të gjitha sferat e jetës dhe, mbi të gjitha në qarqet e vendimarrjes, duke pasuruar kështu trashëgiminë e cmuar të njerëzimit.
Por jashtë rrjedhave historike nuk mbeti as gruaja shqiptare. Duke patur parasysh ulje ngritjet historike të kombit shqiptar, një mori grash meritojnë të njihen më mirë, sepse ishin shtylla të mirëfillta dhe të qëndrushme të familjes dhe të kombit me njemërues të përbashkët: grua shqiptare. Por ashtu si e sheh gruan shqiptare Margaret Jursenal kur shkruan :”Për nënë do të doja një shqiptare!…” Andaj nuk është rastësi që nga gjiri I popullit shqiptar doli Donika Kastrioti, Elena Gjika, Motrat Qirjazi, Dhaskalina Bubulina, Shën Angjelina, dhe më pas, Nëna më e madhe e botës së sotme, Shën Nëna TEREZA.
Qëndresa dhe sakrifica, si formë e rezistencës e grave shqiptare në luftërat për liri dhe pavarësi, sipas burimeve historike paraqitet në vazhdimësi. Ato u rezistuan tendencave të asimilimit atje ku jetonin si dhe të akulturimit, duke mëkuar që nga kohët antike frymën e edukimit human, familjar,patrotizmin si dhe traditën krijuese popullore. Pra siç e dimë ky nuk ishte fushëveprimi I vetëm I gruas shqiptare, ajo u shqua jo vetëm në fushën politike, ushrarako-luftarake, të arsimimit por dhe të kulturës dhe shkencës. Nga bashkësia e grave shqiptare, të cilat qëndruan dhe vepruan në rrethana të vështira të kohëve, dolën personalitete të shquara, veprat e të cilave I tejkaluan kufijtë gjinorë e kombëtar. Ja cfarë thotë Dora d’istria për grate:” Ato dëshmuan se truri nuk ka gjini dhe me veprat e tyre dëshmuan se nuk ka fuqi që mund t’I ndalë synimet e shenjta të një populli për vetëvendosje, emancipim të gjithëanshëm dhe arritje të barazisë gjinore…” Dhaskalina Bubulina…?
Ajo ka një histori të rrallë, arvanitësja –Kapedania, kjo grua e rrallë, me legjendën më të vecantë e të rrallë mes Greqisë dhe Shqipërisë. Jeta e Bubulinës është një luftë legjendare e jetuar në detet e Greqisë e mesdheut. Shkrimtari francez Michel de Gece përshkruan me vërtetësi betejat historike të Bubulinës të revolucionit grek. Arvanitësja që kishte ardhur në Hidra në këtë ishull sëbashku me shumë emigrant të tjerë shqiptar rretha fër tre shekuj më parë, sic kishun bërë në ishujt e tjerë të Greqisë atje pranë si në Specaj, Psaros, në Peloponez dhe Eubë. Është vërtetë shumë interesant fakti që në muzeun Zhan D’Arka”në Rouen në Francë. Krahas figurave gra luftëtare të vlerësuara nga bota e kulturuar qëndron krenare edhe Bubulina jonë.
Kush ishte Dhaskaina Bubulina?
Dhaskalina lindi në një burg të Stambollit i quajtur “ Kështjella e shtatë kullave”, në mëngjezin e 11 majit të vitit 1771. Nëna e saj Parashqevia, kishte shkuar të takonte burrin e saj Kapiten Stavri Pinotis, që mbahej I burgosur nga turqit. Ai ishte një luftëtar I rezistencës greke, që luftonte për clirimin e Greqisë. Ajo kishte shitur gjithshka që kishte, vetëm që të shkonte e të takonte në burgun e tmerrshëm burrin e saj. Rruga për në Stamboll kishte qenë shumë e gjatë. Më kot kishte kërkuar ta ndihmonin në dyert e Fanarit, por më në fund kishte mundur të siguronte një leje që të shihte bashkëshortin e saj. Fatkeqësisht kur kishte arritur në qelinë e burgut ajo e gjetit ë vdekur burrin e saj. Nga trishtimi I madh gruaja fatkeqe e lindi fëmijën para kohe. Burzino shoku i Pinotis-it ishte i burgosur bashkë me të shoqin të saj, e ndihmoi Parashqevin gjatë lindjes dhe I vuri emrin Dhaskalina, në kujtim të nënës së tij. Më pas bashkë me Dhaskalinën e dobët Shqevo( i thërrisnin shkurt Parashqevisë) u kthye në Hidra, në shtëpinë e saj. Pas disa kohësh Shqevo shkon në Specaj , ku edhe martohet për të dytën herë. Edhe Specaj ishte populluar me arvanitas, por më të butë e më të dashur se ata të Hidrës që ishin edhe rivalët e tyre. “Në Specaj flisnin arvanitika, pra shqip”, shkruan Michele de Grece nëpërmjet gojës së Bubulinës. “ Në fakt nëna, ati im dhe unë, ishim grekë pa qenë të tillë, Ishim grekë me shpirt e me zemër, me fe dhe me ideale dhe sigurisht grekë, të sakrificës, sepse ne jepnim edhe jetën tonë për Greqinë. Por jo grekë nga gjaku. Unë jam një arvanitase, me një fjalë shqiptare. Që prej kohësh tepër të largëta, raca e jonë ka patur emra tepër të ndryshëm. Vallë a janë pellazgët, ilirjanë. Di që Hidra është shqiptare dhe Specaj gjithashtu…” Bubulina ka qenë një nga gratë më të shquara ndër pjesëmarrësit që luftuan në revolucjonin grek të vitit 1821. Në moshën 17 Bubulina u martua me kapitenin arbëresh të marinës së Specës-Dhimitër janozës. Në atë kohë Hidrotët dhe Spicotët ishin në luftë me piratët, që e vështirësonin shumë tregëtinë e tyre në detin mesdhe. Më në fund trimat i thyen piratët por në këtë betejë të ashpër mbeti i vrarë bashkëshorti i bubulinës. Pas disa vjetësh Bubulina u martua përsëri me një kapiten shqipëtar,speciotin Dhimitër Bubulina, nga i cili mori mbiemrin dhe u bë e njohur dhe hyri në historinë e njerëzimit. Nga të dyja martesat pati gjashtë fëmijë, tre djem dhe tre vajza. Lufta që vazhdonte kundër piratëve i mori jetën edhe burrit të dytë, ishte viti 1811. Bubulina vuri në shërbim të luftës kundër turqve të gjithë pasurinë që kishte. Kjo zonjë mori pjesë në shumë beteja, si trime dhe burrëneshë e vërtetë si nëpër betejat në tokë ashtu edhe në det. Vetë ajo i udhëhoqi trimat edhe në Greqinë jugore. Shumë fitore të kryengritësve grek kundër pushtuesve turq kanë lidhje me sgjuarësinë si një stratege e vërtetë dhe trimërinë e saj. Tregojnë që në një betejë shumë të ashpër pasi i armatosi luftëtarët e saj arbëreshë dhe përgatiti anijet. Ajo mori drejtimin e anijes më të madhe, anijet më të vogla i la nën komandën e djemve të saj –janit dhe Gjergjit. Si fillim bllokoi Nafion, zbarkoi në Milos dhe furnizoi me ushqime ushtrinë e këtij qyteti. Më pas Bubulina mori pjesë në rrethimin dhe clirimin e Tripolicës dhe Monemvasit që ndodhet në Peloponez. Por fatkeqësit e ndoqën, në betejën e fundit ju vra i biri –jani. Në të gjitha betejat ku ajo luftoi dolën në pah aftësitë dhe talenti i saj i rrallë si një stratege, trime – një ushtarake e vërtetë., ku spikaste heroizmi dhe guximi shqiptar. Historianët tregonin, se në Tripolicë ajo hyri e para hipur mbi një kalë, në krye të ushtrisë dhe për cudi ajo cliroi haremet e pashait. Bubulina trime mori pjesë edhe në luftën për clirimin e Naflios, i cili më vonë u caktua edhe kryeqyteti i përkohshëm i Greqisë. Kapedanen e tokës dhe të deteve e gjeje kudo mes luftëtarëve të saj. Bubulina shkoi kudo, e gjeje mes luftëtarëve si me Kollokotronin. Shkrimtari i madh rus Gogol-i dhe shumë historianë e përshkruanin Bubulinën si një sokoleshë të vërtetë, truplidhur, të hijshme, të fortë si lisi, guximtare, e pajisur me një mencuri natyrale, stratege e vërtetë. Një historjan grek, Filimoni jepte këtë përcaktim për Bubulinën:” frikacaku përpara saj turpërohej, ndërsa trimi tërhiqej…” Kjo figurë e spikatur historike u quajt “heroinë” nga poetët dhe shkrimtarët e asaj kohe. Këtë grua trimëreshë e gjen të përshkruar me gjithë madhështinë e saj tek poeti arbëresh Zef Serembe, Zhyl Verni, tek historiani grek Kosta Biri, Michael Kokkinaris etj. Ajo tashmë është një legjendë nga gojëdhanat, poezia popullore, ka hyrë në pikturë, skulpturë, mbetet e tillë si në Greqi dhe Shqipëri, tek arbëreshët e Greqisë. Kështu i këndonte Naim Frashëri asaj dhe trimit arbëresh Kanarit:” … Bubulina dhe Kanari shqiptar dhe bij shqiptari…”
Sipas Elena Gjikës, kur shkoi në kryeqytetine Perandorisë Osmane , u pranua në organizatën e shoqërisë së miqve(Heteris), e cila nën shembullin e revolucionit francez, i pranonte me dëshirë gratë në lëvizjen shoqërore revolucionare.
Sa e ashpër dhe e rëmbyer ishte në beteja kundër armiqve, aq e urtë dhe me shpirt humanist ndaj njerzve të pafajshëm. Por në majin e vitit 1825 vdiq Bubulina, e vranë në Specia tradhëtisht, jo në fushëbetejë. Një nga historianët e shumtë grek ,Diege Seria, shkruante për humbjen e Bubulinës:” Duart e një vrasësi e derdhën atë gjak, që gjatë betejave , hekuri i armikut e kishte “respektuar” për tu kushtur lirisë…” Ndërsa Michael Kokinaris thotë kështu për Bubulinën:” Ajo e filloj revolucionin dhe ishte e vetmja grua në histori që ju dha titulli i madh Gruaja e Parë Admirale nga Perandori rus…” Kurse italiani Periviane Xekini theksonte:” Bubulina ishte aq guximtare, sa në det ashtu edhe në tokë, i njihte rreziqet dhe vetëm i përbuzte, ajo luftonte vetëm për lirinë. Edhe pse kanë kaluar shekuj, që në kohën kur stërgjyshërit e saj kishin lënë Arbërinë, por edhe Bubulina nuk e harroi atdheun e saj të dashur, Shqipërinë. Historianët dhe biografët e saj thonë që Bubulina u jepte urdhëra detarëve të saj trima nëpër beteja vetëm në gjuhën shqipe. Ishte kjo gjuhë që i ngriti në këmbë fshatatrët arbëresh të Buas, të Spatës, të Lalës, të Laskës, Lopësit, Muzaqit. Ajo luftoi kundër armikut të përbashkët të Gadishullit Ballkanik. Historiani Hijasin Hekardi në veprën e tij: ” Historia dhe Përshkrimi i Shqipërisë së Sipërme”, pasi vë në dukje se, ”historia jep provat e shkëlqyera të energjisë, zgjuarësisë dhe veprimtarisë të shqiptarëve”theksonte se:” Shqipëria i ka dhënë historisë personalitete të ndritura, njëra prej tyre ka qenë edhe trimëresha Bubulina…” Për Bubulinën janë ngritur shtatore, figura e saj është përdorë në kartmonedhat greke, sikurse janë realizuar edhe dy filma, i fundit në vitin 2005./KultPlus.com
Policia thotë se një nga lepujt më të mëdhenj në botë është vjedhur nga shtëpia e saj në Anglinë qendrore.
Darius, një lepur gjigand kontinental, u zhduk nga shtëpia e tij, ku qëndronte në oborrin e pasëm në fshatin Stoulton, shkruan Associated Press.
Forcat e Policisë në West Mercia nuk sqaruan se pse kjo më parë ishte konsideruar si arratisje edhe pse kjo ishte ishte një vjedhje.
Forca apeloi për çdo informacion në lidhje me ose shikimet e Darius, i cili është gri-kafe dhe 129 centimetra (4 këmbë, 3 inç) i gjatë në shtrirje të plotë. Ai mban citimin e Rekordeve Botërore Guinness për lepurin më të gjatë në botë. Lepujt e llojit të tij dihet se peshojnë rreth 15 deri 20 paund (7 deri në 9 kilogramë).
Pronarja Annette Edwards, një edukatore dhe model i lepujve të mëdhenj, kërkon nga fajtorët që ta kthejnë Darin në shtëpinë e tij 160 kilometra (100 milje) në veriperëndim të Londrës, duke thënë se ishte një ditë shumë e trishtuar për të./indeks/ KultPlus.com
Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist sonte ka zhvilluar një aksion simbolik me grafite në muret e qytetit të Deçanit, me parulla që dënojnë patriarkatin dhe shtypjen e grave, shkruan KultPlus.
Nëpërmjet një postimi në Facebook Kolektivi për Mendim Veprim Feminist ka shkruar se përmes shkrimeve në mure janë vënë në pah të vërtetat e grave të cilat përjetohen e riprodhohen në heshtje.
“Dhuna ndaj grave, ndalimi i shkollës nga baballarë, vllezër e axhallarë, mbyllja e grave brenda mureve të shtëpisë u shkruan me ngjyrë të kuqe, si alarm për shoqërinë e institucionet dhe shenjë që revolta dhe rezistenca e grave po zihet shtëpive e rrugëve të qytetit”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e tyre./ KutPlus.com
Sonte në Deçan bashkë me aktivistet feministe të Deçanit u zhvillua aksion simbolik me grafite në muret e qytetit me…