Rusia mohon se ka shkaktuar krizë globale ushqimore

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, në një ofensivë diplomatike në Egjipt, ka hedhur poshtë pretendimet se Moska shkaktoi krizën globale të ushqimit, shkruan BBC.

Në një fjalim para ambasadorëve të Ligës Arabe në Kajro, ai tha se vendet perëndimore po shtrembërojnë të vërtetën rreth ndikimit të sanksioneve në sigurinë globale të ushqimit.

Ai akuzoi vendet perëndimore se po përpiqen të imponojnë dominimin e tyre mbi të tjerët, transmeton KultPlus.

Pjesa më e madhe e botës arabe dhe e Afrikës është e prekur keq nga mungesa e grurit të shkaktuar nga lufta e Rusisë në Ukrainë.

Një marrëveshje historike e nënshkruar të premten për të rifilluar eksportet e drithërave të Ukrainës mbetet në balancë pasi Rusia sulmoi objektivat në portin e Odesa të shtunën.

Lavrov do të vazhdojë të vizitojë tre vende afrikane për të mbledhur mbështetje mes zemërimit për luftën. /KultPlus.com

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov/ EPA

Alarm i rremë për bombë në koncertin e festivalit të Ramë Lahajt në Prishtinë

Policia e Kosovës është njoftuar se një bombë është vendosur në kampusin universitar, përkatësisht në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në Prishtinë.

Mirëpo më vonë Policia e Kosovës njoftoi se ky alarm ishte i rremë

“Rreth orës 19:30 është pranuar informata për dyshimet që ndërlidhen me një shpërthim të mundshëm në Kompleksin e  Universitetit “Hasan Prishtina” në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur ndërmarrjen e veprimeve operative të nevojshme për të menaxhuar me situatën”, ka deklaruar zëdhënësja e Policisë Flora Ahmeti. /KultPlus.com

“Sa më shumë e mendoj aq më shumë e kuptoj që s’ka asgjë më artistike se sa të duash të tjerët”

Thënie të njohura

• Nuk mund të shkelësh dy herë në të njëjtin lumë (Herakliti)

• Nuk ka njeri, sado i zgjuar, që në një periudhë kohore të rinisë së tij të ketë thënë gjëra, ose të ketë jetuar në një mënyrë që ndërgjegjes së tij të tashme mos t’i pëlqejnë më (Marcel Proust)

• Nëse s’mund të fluturosh, vrapo, nëse s’mund të vraposh, ec, nëse nuk ecën, kacavjerru, por si do që të jetë, vazhdo të ecësh përpara (Martin Luther King)

• Kënaqu me atë që ke, dhe lëri gjërat ashtu siç janë. Kur të kuptosh që s’mungon asgjë, e gjithë bota do të përkasë (Lao Tzu)

• Sa më shumë e mendoj aq më shumë e kuptoj që s’ka asgjë më artistike se sa të duash të tjerët (Vincent Van Gogh)

• A nuk është interesante se si jemi të gjithë të krijuar nga Zoti, dhe prapë dallojmë kaq shumë. (Desmond Tutu)

• Integriteti nuk ka nevojë për rregulla (Albert Camus)

• Ajo që dimë është një pikë, ajo që nuk dimë është oqean (Isaac Newton)

• Shkenca pa fenë është e çalë, feja pa shkencën është e verbër (Albert Einstein)

• Njeriu ndjehet i frikësuar vetëm nëse nuk është në harmoni me veten (Hermann Hesse)

• Një shoqëri delesh me kohë lind një qeveri ujqërish (Bertrand de Jouvenel)

• Librat janë për njerëzit që urojnë të ishin diku tjetër (Mark Twain)

• Gjithkush dëshiron të jetojë në kurriz të shtetit. Ata harrojnë se shteti jeton në kurriz të të gjithëve (Frederic Bastiat)

• Mos qaj për të shkuarën, mos ëndërro për të ardhmen, përqendro mendjen tek e tashmja (Buda)

• Mos i bëj të tjerëve atë që s’të pëlqen të ta bëjnë ty (Sokrati)

• Jeto sikur do vdesësh nesër, mëso sikur të duhet të jetosh gjithmonë (Mahatma Gandhi)

• Bëj punën që do, dhe nuk do të të duhet të punosh kurrë (Konfuçi)

• Mendoj, prandaj jam (René Descartes)

• Vdekja s’duhet të na shqetësojë pasi kur ne ekzistojmë vdekja nuk ekziston, dhe kur vdekja ekziston, ne s’do të jemi më (Epikuri)

• Shpata nuk vret njeri; ajo është mjet në duart e vrasësit (Seneka)

• Jeta është shumë e shkurtër për të shpenzuar kohën duke lexuar një libër të keq (James Joyce) /KultPlus.com

Osmani uron Begajn: Do të thellojmë bashkëpunimin mes Kosovës e Shqipërisë dhe rrugën e përbashkët euro-atlantike

Bajram Begaj, është betuar si president i ri i Shqipërisë, shkruan KultPlus.

Begaj u zgjodh president me 78 vota pro dhe katër kundër  dhe një abstenim në Kuvendin e Shqipërisë më 6 qershor.

Përmes një postimi në “Twitter”, Osmani uron Begajn dhe thotë se bashkë do ta thellojmë bashkëpunimin, jo vetëm në raportet vëllazërore mes Kosovës dhe Shqipërisë, por edhe në rrugën e përbashkët euro-atlantike

“Në inaugurimin e Presidentit Bajram Begaj, i përcolla urimet më të sinqerta për suksese në këtë detyrë të rëndësishme. Bashkë do ta thellojmë bashkëpunimin, jo vetëm në raportet vëllazërore mes Kosovës dhe Shqipërisë, por edhe në rrugën e përbashkët euro-atlantike”, thuhet në postimin e presidentes. /KultPlus.com

Alarm për bombë në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në Prishtinë

Policia e Kosovës është njoftuar se në kampusin universitar, përkatësisht në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në Prishtinë, është vendosur një bombë.

Aty po mbahej koncerti i tenorit Ramë Lahaj, i cili është ndërprerë nga policia, njofton KultPlus.

Njësitet kompetente policore kanë rrethuar objektin, duke kontrolluar edhe me qen.

Pas kontrolleve të detajuara bëhet e ditur se nuk është gjetur asgjë.

Koncerti i Lahajt do të vazhdojë. /KultPlus.com

FOTO: Telegrafi

“Seç u mbush e shkreta Vlorë, plot me krushq e me dasmorë”

Poezi nga Lasgush Poradeci.

Shqipëri! moj nëna ime,
Më ke rritur me thërrime!
Shqipëri! të qofsha falë,
Të kam nënë e më ke djalë
********
Ç’u mbush mali me dëborë,
Ç’u mbush deti me pamporë,
Seç u mbush e shkreta Vlorë
Plot me krushq e me dasmorë,
S’janë Toskë e Malësorë
Me flamur të kuq në dorë
Si dhëndurë me kurorë.
Ç’u zbardhë malet, ç’u zbardhë:
Nga çdo anë seç na ardhë
Shqipëtarët gunë-bardhë,
Seç na ardhë palë-palë
Duke rutulluar malë
Kush më këmb’e kush më kalë
Kush më shpejt, kush më ngadalë;
Kush i lum e kush i gjorë
Kanë zbritur mun në Vlorë,
Mun në Vlorën e lirisë,
N’atë thelb të Shqipërisë. /KultPlus.com

Kurti: SHBA, alet dhe mik i pashmangshëm

Kryeministri Albin Kurti, priti në takim kryesuesin ekzekutiv të Atlantic Council, gjeneralin James Jones, themeluesin dhe kryesuesin e Fondacionit Malama Ka’u, Mel Yokoyama, si dhe ish-ministrin e Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë, Fatmir Mediu.

Siç njofton Kryeminsitria, në takim u disukuta për zhvillimet politike, mundësitë për investime dhe çështjet e sigurisë në Kosovë e rajon.

Kurti e njoftoi gjeneralin Jones për progresin përgjatë një të tretës së mandatit qeverisës, duke vënë theksin te stabiliteti institucional, indikatorët pozitivë ekonomik dhe demokratik.

Ai veçoi renditjen e Kosovës në vendin e parë sa i përket sundimit të ligjit në Ballkan, sipas World Justice Project, ngritjen për 17 vende sa i përket luftës kundër korrupsionit, sipas Transparency International dhe ngritjen për 17 vende më lartë sa i përket lirisë së mediave sipas Reporterëve pa Kufij.

Si aleat dhe mik i pashmangshëm, na duhet ndihma e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për t’u bërë pjesë e Programit Partneriteti për Paqe të NATO-s, derisa të bëhemi anëtar i plotë i NATO-s, tha kryeministri Kurti, ndërsa potencoi rritjen e buxhetit për mbrojtje për 52 për qind dhe bashkëpunimin shumë të mirë dhe pjesëmarrjen në misione e stërvitje të përbashkëta të Forcës së Sigurisë së Kosovës me ushtrinë amerikane dhe me NATO-n.

Kryeministri theksoi përkushtimin e Qeverisë për nxitjen e investimeve nëpërmjet zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik e social dhe tolerancës zero ndaj krimit e korrupsionit.

Gjenerali Jones ka qenë Komandant Suprem i Aleancës për Evropë dhe ish-këshilltar për siguri kombëtare të Presidentit të SHBA-së.

Ai ka mbështetur anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe është iniciator i Iniciativës së tre deteve Baltik, Mesdhe dhe Deti i Zi, ku janë të përfshira të gjitha vendet e Evropës Qendrore për investime në infrastrukturë, energji dhe teknologji.

Në takim ishin edhe deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Shqipe Selimi dhe këshilltari i kryeministrit Kurti, Lulëzon Jagxhiu. /KultPlus.com

Borrelli i drejtohet Presidentit Begaj: Të ecim përpara në rrugën tonë të përbashkët në BE

Zëvendës Presidenti i BE-së, Përfaqësuesi i Lartë, Joseph Borrell uroi sot Presidentin e Republikës, Bajram Begaj.

“Urime Bajram Begajt për betimin si President i Shqipërisë”, shkroi Borrell në një postim në rrjetet sociale.

“Mandati juaj fillon pasi vendi juaj ka arritur një moment historik në rrugën e tij drejt BE-së”, theksoi Borrell.

“Ne mezi presim të vazhdojmë të ecim përpara në rrugën tonë të përbashkët në BE. Ne jemi së bashku më të fortë”, u shpreh Borrell. /KultPlus.com

Nga Gjermania në Australi, turistët e verës në kalanë e Argjiros

Në këto ditë vere kalaja e Gjirokastrës po mirëpret vizitorë të ndryshëm.

Janë mbi 35 mijë turistë vendas dhe të huaj, të cilët përgjatë këtij viti kanë vizituar kështjellën e gurtë.

Krahas vlerave historike kështjella e Argjiros ofron për turistët edhe një pamje mbresëlënëse të qytetit të gurtë.

 Mysafirë në kështjellë

Vizitorët që mbërrijnë gjatë këtyre ditëve korriku në kalanë e gurtë janë vendas po nuk mungojnë edhe vizitorët e huaj.

“Është hera e dytë që vizitoj Kalanë e gurtë. Edhe vitin e kaluar kam qenë në Gjirokastër. Është një qytet i veçantë dhe kalaja është një prej pikave më tërheqëse”, thotë një i ri nga qyteti i Tiranës, i cili me një grup bashkëmoshatarësh po kalojnë fundjavën në jug të Shqipërisë. “

Kalaja është me të vërtetë e veçantë. Një monument tërheqës me shumë vlera”, shprehet Anisa që së bashku me familjen e saj po udhëton nga Elbasani për një vizitë turistike në zonën e Gjirokastrës. Por ka edhe nga ata turistë vendas të cilët vizitojnë për herë të parë kështjellën e Argjiros, duke ngelur të impresionuar nga vlerat e saj.

“Do të më ngelet në kujtesë kjo vizitë e parë në kështjellën e gurtë të Gjirokastrës”, shprehet Andi nga Korça. Ndërkohë gjatë këtyre ditëve vere në kështjellën e gurtë nuk mungojnë edhe turistët e huaj.

“Jam nga Gjermania. Është hera e dytë që vizitoj kështjellën por falë bukurisë së saj gjithmonë vizitat këtu janë tërheqëse”, shprehet një tjetër vizitor.

Turistët i japin gjallëri mjediseve të kalasë së gurtë. Gjermanë, italianë, grekë, maqedonas, madje edhe turistë nga SHBA, Kanadaja dhe Australia e largët udhëtojnë për të vizituar Gjirokastrën dhe kështjellën e saj, duke qenë pjesë e sezonit turistik në qytetin e gurtë këtë verë.

 Punimet mirëmbajtëse zgjerojnë hartën e vizitueshmërisë

Këtë sezon veror kalaja e gurtë ofron me shumë pika të vizitueshme për turistët. Falë ndërhyrjeve mirëmbajtëse dhe restauruese, të cilat vazhdojnë ende, është bërë e mundur evidentimi i vlerave të reja historike dhe ndërtimore të këtij monumenti.

“Ne kemi punuar për pastrimin e bimësisë dhe vegjetacionit në disa zona të kështjellës, duke bërë të mundur jo vetëm lehtësimin e vizitës për turistë por edhe evidentimin e vlerave të këtij monumenti”, shprehen specialistet e Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare.

Punë mirëmbajtëse e tyre dhe strukturave të bashkisë Gjirokastër ka bërë të mundur evidentimin e disa dëshmive me vlera historike dhe ndërtimore të kështjellës.Pastrimi nga bimësia i mureve të gurta apo rehabilitimi i zonës në brendësi të kështjellës, krahas dëshmive historike të reja përcjell edhe vlera estetike për syrin e turistëve.

“Tashmë turistët kanë më shumë mundësi për të vizituara Kalanë dhe vlerat e saj”, shprehen guidat turistike.

“Porsa vizituam kështjellën e Gjirokastrës, është një monument me bukuri të veçantë. Na tërhoqi vëmendjen zona e Kullës së Sahatit, për të cilën kam lexuar edhe në guidat turistike për kalanë”, thotë Elga, turiste nga Bjellorusia.

“Është vizita ime e parë në Gjirokastër. Këtu në kala më duket i veçantë ky mjedis ku janë ekspozuar edhe disa armë të mesjetës”, thotë Mario nga Italia. Ndërkohë edhe rruga e kalldrëmtë që të çon në këtë monument është e pastruar dhe mirëmbajtur.

“Përgjatë verës ne do të kujdesemi vazhdimisht për pastrimin e rrugëve të kalldrëmta që të çojnë në kalanë e gurtë, mirëmbajtjen e rrjetit të ndriçimit publik, etj”, pohojnë përfaqësuesit e Bashkisë Gjirokastër.

 Pak histori

Kalaja, si histori e lidhur me qytetin e Gjirokastrës, përmendet për herë të parë si qytet dhe Kështjellë në vitin 1336. E megjithatë historianë të ndryshëm mendojnë së ekzistenca e Kalasë së gurtë është më e hershme. Kulmin e historisë së saj kjo kështjellë do ta kishte në periudhën e Pashallëkut të Janinës, kur Ali Pashë Tepelena do të realizonte një sërë ndërtimesh të reja apo ndërhyrje të tjera duke i dhënë Kalasë së Gjirokastrës fizionominë arkitektonike dhe ndërtimore që ka sot.

Duke filluar nga viti 1968 skena e gurtë e kalasë pret me bujari instrumentistët, këngëtarët dhe valltarët e folkut nga hapësira mbarëshqiptare, në kuadër të organizimit të Festivalit Folklorik të Gjirokastrës.

Kalaja e gurtë është një prej pikave më tërheqëse në guidat e grupeve turistike vendase dhe të huaja që vizitojnë Gjirokastrën e UNESCO-s. /atsh /KultPlus.com

5 libra nga nobelisti Gabriel Garcia Marquez që duhet t’i lexoni

Njëqind vjet vetmi – 1967

“Njëqind vjet vetmi” është një novel e cila bazohet në historinë e familjes Buendia në qytetin e Makondos. Kjo është vepra e cila i dha famë ndërkombëtare shkrimtarit të njohur kolumbian. Bestselleri i Marquez i dha një dimension tjetër letërsisë amerikano-latine.

Vjeshta e patriarkut – 1975

Kjo poemë është e bazuar në jetën e një diktatori “imagjinar” të cilin Marquez e ka krijuar në bazë të variteteve të disa diktaorëve si Gustavo Rojas Pinilla, Francisco Franco dhe Juan Vicente Gómez. Nga kërkimet e Institutit Spanjoll të Librave, “Vjeshta e patriarkut” është libri më i shitur në vitin 1975, në Spanjë.

Dashuria në kohën e kolerës – 1985

Novel e bazuar në histori familjare, “Dashuria në kohën e kolerës” tregon se si dashuria midis Florentino Arizo dhe Fermina Daza prishet nga martesa Ferminas me një doktor i cili përpiqet të zhdukë kolerën. Pas largimit të tij Florentino rikthehet pas 60 vjetësh.

Gjenerali në labirinthin e tij – 1989

Kjo novel i kushtohet Simon Bolivar, i cili çliroi Kolumbinë nga pushtimi spanjollë në shekullin e 19. Novela shkaktoi një stuhi të vërtet në Amerikën e Jugut kur u publikua për herë të parë.

Kronikë e një rrëmbimi – 1996 Tematika e librit bazohet në rrëmbimet e organizuara nga kartelat e drogës në Kolumbi, të udhëhequra nga trafikanti i famshëm Pablo Escobar. Fillimisht libri është publikuar në spanjisht në vitin 1996, për tu përkthyer një vit më vonë në anglisht./ KultPlus.com

Bajram Begaj betohet si president i ri i Shqipërisë

Edhe zyrtarisht, Bajram Begaj, është betuar si president i ri i Shqipërisë.

Begaj u zgjodh president me 78 vota pro dhe katër kundër  dhe një abstenim në Kuvendin e Shqipërisë më 6 qershor.

Zgjedhjen e Begajt si president i Shqipërisë e ka kundërshtuar opozita atje, ku sipas tyre, kryeministri Edi Rama, tashmë e ka kapur edhe institucionin e fundit në vend.

Se ishin kundër Begajt u pa edhe në seancën solemne ku disa deputetë të opozitës nuk ishin të pranishëm. /KultPlus.com

Tirana e gjitha kuqezi, gati për betimin e presidentit të ri

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka postuar në rrjetet sociale  fotot nga zbukurimet me flamuj kuqezi përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Veliaj shkruan se kryeqyteti i ka respektuar gjithnjë presidentët edhe pse shpesh kanë sabotuar projektet madhore të bashkisë.

“Kryeqyteti i ka respektuar gjithnjë presidentët, dhe pse shpesh kanë sabotuar punët, nga këndet e lodrave e gjer tek projektet madhore, Astiri e Lana. Me shpresën e madhe që më në fund do kemi një president normal, qyteti i Tiranës është stolisur kuq e zi gati për ceremoninë”, shkruan Veliaj. /KultPlus.com

Ç’do të thotë patriot?

Poezi nga Ali Asllani

Ç’do të thotë patriot
sot për sot në Shqipëri?
Një tuf’ ah e një tuf lotë,
një njeri i pa njeri!

Jo, jo! Burri i bën ball’
do buçit si val’ mbi zall,

Sa më zi edhe më zi
sido qoftë pun’ e tij,
copë-cop’ i bënet buza
po aspak s’i falet shpuza.

Sikurse një gur stërrall,
në gji zjarrin e ka ngjall,
qoft në lum’ e qoft’ në det
zjarr’ i tija nuk humbet! /KultPlus.com

‘Arena e Pulës’ e duhura për “Illyricvm”, Spahiu: Në tetor filmi jepet edhe në Prishtinë e Tiranë

Uranik Emini

Me skenar dhe regji të Simon Bogojević Narath, filmi artistik i metrazhit të gjatë “Illyricvm”, bashkëprodhim i Kroacisë, Sllovenisë, Italisë, Kosovës dhe Bosnjës, me shumë sukses ka pasur edhe premierën botërore në Festivalin Kroat të Filmit në Pula më 21 korrik, shkruan KultPlus.

Kinematografia e Kosovës në vitet e fundit ka qenë pa asnjë dyshim si një sinonim i fjalës “sukses”, shumë filma, shumë regjisorë të rinj e madje edhe edhe më shumë çmime të fituara. Një prej filmave të fundit që ka shënuar sukses ndërkombëtar është edhe filmi “Illyricvm”.

“Arena e Pulës” – e duhura për këtë film

Një nga producentët e filmit, Fatmir Spahiu, ka thënë për KultPlus se premiera ka rezultuar për mrekulli.

“Premiera ka shku për mrekulli, filmi dukej se është bërë për ta patur premierën në një ambient të tillë antik. Arena e Pulës është unike njësoj sikurse edhe filmi”, thotë ai.

Spahiu tutje njofton se filmi është “art house” dhje si i tillë ka qasje pothuajse dokumentareske.

“Filmi ka qasje pothuajse dokumentareske, ska protagonist klasik, disi protagonist është koha dhe vendi i ngjarjes, Ilira. Ata që kanë dëshirë me bo një udhëtim nëpër atë kohë përmes personazheve, ky është rasti”, thotë ai, duke treguar se numri i gazetarëve dhe publikut ishte masiv, e pozitive ishin edhe kritikat.

Shfaqja e talentit kosovar përmes aktorëve – qëllimi kryesor i producentit

I pyetur se sa i kënaqur është me punën dhe arritjet deri tani, aktori dhe producenti i njohur kosovar thotë se kënaqësia e tij më e madhe është shfaqja e talentit kosovar përmes aktorëve në një treg që e njeh pak Kosovën.

Shfaqja e filmit në Kosovë?

“Besoj se tetori do të jetë muaji i shfaqjes së filmit, në Prishtinë dhe Tiranë”, njofton tutje Spahiu.

Përjetimi nga sytë e aktorit në “Arenën Pula”

Në anën tjetër, aktori Labeat Bytyçi thotë se ky film është pritur shumë mirë nga publiku kroat, e sidomos nga shqiptarët që jetojnë në atë rrethinë.

“Premiera shkoi shumë mirë, patëm një pritje shumë të mirë nga publiku kroat në “Pula”, veçanarisht nga shqiptarët që jetojnë në këtë rrethinë”, tha ai mes tjerash.

Bytyçi gjithashtu u shpreh i lumtur edhe me rolin e tij, i cili u prit shumë mirë nga publiku dhe mori kritika pozitive.

“Jam tejet i kënaqur me filmin dhe shpresoj që të ketë një rrugëtim të mbarë dhe të suksesshëm”, përfundon ai.

Në filmin ku janë të përfshirë më shumë se 30 aktorë dhe 150 punëtorët të filmit, Bytyçi është përzgjedhur që të luajë njërin ndër rolet kryesor në këtë film, aty luan rolin e “Curtiusit”.

Ndërkohë, më poshtë gjeni edhe linkun për të parë “trailerin” e këtij filmi.

Disa prej aktorëve shqiptarë që marrin pjesë në këtë film janë: Ylber Bardhi, Ilir Prapashtica, Labeat Bytyçi, Dukagjin Podrimaj, Ali Demi, Kushtrim Hoxha, Armend Smajli.

Filmi ILLYRICVM është filmi i parë në të cilin personifikohen paraardhësit e shqiptarëve, ilirët, dhe është produkt i bashkë-producentëve nga katër shtete, ndër të cilat janë Kroacia, Italia, Sllovenia, Bosnja dhe Kosova. /KultPlus.com

Osmani udhëton në Shqipëri, merr pjesë në inagurimin e presidentit të ri

Presidentja Vjosa Osmani do të marrë pjesë nesër në inaugurimin e presidentit të ri të Shqipërisë, Bajram Begajt.

Presidenca ka njoftuar se Osmani shkon në Tiranë me ftesë të Presidencës shqiptare.

“Presidentja Osmani do të marrë pjesë në një ceremoni që do të mbahet në Presidencën e Shqipërisë, në të cilën presidenti aktual, Ilir Meta, do ta dorëzojë detyrën tek Presidenti i ri, z. Bajram Begaj”, njoftoi Presidenca.

Para dy ditësh, Osmani e priti me nderime të larta shtetërore në Prishtinë, presidentin në largim të Shqipërisë, Ilir Meta. /KultPlus.com

Kasti i ‘Black Panther’ kujtojnë Boseman përpara shfaqjes së trailerit të ‘Wakanda Forever’

Kasti dhe regjisori i vazhdimit të filmit “Black Panther” të Marvel Studios i bënë homazhe bashkë-aktorit të tyre të ndjerë Chadwick Boseman të shtunën dhe thanë se ata e përballuan pikëllimin e tyre gjatë realizimit të filmit të ri, transmeton KultPlus.

Lupita Nyong’o, Letitia Wright dhe yje të tjerë u shfaqën në konventën e kulturës pop Comic-Con në San Diego për të parë paraprakisht “Black Panther: Wakanda Forever”, i cili është planifikuar të dalë në kinema në nëntor.

Boseman, i cili luajti personazhin e titullit në filmin e 2018-ës, vdiq nga kanceri në moshën 43-vjeçare dy vjet pas publikimit të filmit, duke nxitur një rishkrim të pjesës tjetër.

Regjisori Ryan Coogler kujtoi se kishte parë skena nga filmi i parë “Black Panther” me Boseman në një Comic-Con të mëparshëm.

Kasti dhe krijuesit u përqafuan në skenë pasi fansave iu shfaq një trailer që zbulonte mbretërinë imagjinare të Wakanda që po përballej me humbjen e ish-liderit të tyre. Skenat u pritën me duartrokitje të forta.

“Shpërndarja e këtij traileri ishte katartike dhe shumë emocionale,” i tha Nyong’o Reuters pas prezantimit./ KultPlus.com

Prezantohet projekti për rehabilitimin dhe rijetësimin e Qendrës Historike të Pogradecit

Sikurse në disa qytete të vendit, edhe në Pogradec do të rijetësohet Qendra Historike që do të ruajë trashëgiminë dhe vlerat historiko-kulturore.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti gjatë prezantimit të projektit për Rehabilitimin dhe rijetësimin e Qendrës Historike të Pogradecit, theksoi se “do të jetë një mundësi e shtuar për qytetin e liqerit, të Poradecit e Kutelit”.

Qendra Historike e Pogradecit është hapësira me vlera të rëndësishme historike dhe arkitekturore që dokumenton rrugën e zhvillimit historik të qytetit të Pogradecit dhe tiparet urbanistiko-arkitekturore që u formuan gjatë historisë së tij.

Margariti nënvizoi se falë këtij projekti do të dalin në dritë një sërë objektesh historike të fillim shekullit XX, do të lidhen itinerare kulturore e turistike.

Ajo nënvizoi se rijetësimi i qendrave historike ka qenë prioritet i kësaj qeveria dhe ka prekur shumë qytete të ndryshme.

Në këtë pikë, ministrja solli në vëmendje Korçën e cila ka marrë një zhvillim të padiskutueshëm dhe që vazhdon tashmë me hapa të qëndrueshëm që të zhvillohet nëpërmjet të gjitha nyjeve, jo vetëm kulturore.

Në fjalën e saj, ministrja bëri me dije se restaurimit dhe rijetësimit do t’i nënshtrohet edhe kalaja e Pogradecit, një dëshmi e historisë dhe trashëgimisë kulturore.

Margariti u ndal edhe te bonusi i rijetësimit duke u bërë thirrje qytetarëve që të bëhen pjesë për të shndërruar shtëpitë e tyre ose banesat e trashëguara, në bujtina.

Qendra historike përmbledh Ansamblin në Lagjen e Burirnave (Topleci), i cili ruan rrjetin rrugor karakteristik dhe një sërë ndërtimesh, dëshmi e një periudhe të hershme të zhvillimit të qytetit, Ansamblin përgjatë rrugës “Naim Frashëri”, i cili dëshmon për proceset e reja që ndodhen gjatë zhvillimit të qytetit në fillimet e shek. XX, siç është formimi i arterieve tregtaro-shoqërore si dhe Ansamblin rreth rrugicës së ngushtë tërthor me rrugën “Nain Frashëri” (pjesë e Lagjes së Angjellarëve), përfaqësues tipik i lagjeve të vjetra të qytetit, i cili ruan ende karakterin urbanistiko-arkitekturor fillestar.

Me qëllim ruajtjen e vlerave urbanistiko – arkitekturore të Qendrës Historike, brenda kësaj zone do të lejohen vetëm ndërhyrjet sistematike konservuese, restauruese dhe të mirëmbajtjes në Qendrën Historike si dhe në monumentet e të dyja kategorive.

Në Qendrën Historike ndërhyrjet restauruese synojnë ruajtjen e hapësirave urbanistiko-arkitekturore, rrjetit rrugor tradicional nëk ompozim dhe teknikë, duke mbajtur të pandryshuar konfiguracionin e truallit të hapësirave pushuese dhe të bimësisë tradicionale./ata/KultPlus.com

Liberalizimi i vizave për Kosovën, ambasadori italian: Shpresojmë për hapin e parë me presidencën çeke

Ambasadori i Italisë në Prishtinë, Antonello De Riu është optimist se nën presidencën çeke të Bashkimit Evropian do të jepet hapi i parë për liberalizimin e vizave për Kosovën.

De Riu ka rikthesuar mbështetjen e Italisë për liberalizimin e vizave dhe për dialogun me Serbinë.

 “Qëndrimi i Italisë për liberalizimin e vizave është i qartë që nga fillimi. Italia përkrah liberalizimin e vizave edhe ngase Kosova ka mbetur i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor që i nënshtrohet kësaj disipline”, tha ai.

“Qytetarët kosovarë e njohin edhe natyrën e procedurave brenda BE-së, por sigurisht e dinë se Italia do të vazhdojë të mbështesë qëndrimin e Kosovës me partnerët evropian. Shpresojmë se me presidencën çeke, do të mund të jepet një hap i parë i rëndësishëm për të nisur këtë proces, fatkeqësisht deri më tani të bllokuar”, u shpreh diplomati.

Lidhur me bashkëpunimin Itali-Kosovë, ambasadori De Riu, u shpreh se duhet të thellohet më tej. /Euronews/ KultPlus.com

Deri në fund të vetmisë

Poezi nga Sali Bashota

Deri në fund të vetmisë

Deri në fund të vetmisë
Një ditë kthehen
Të gjitha dallëndyshet e detit
Edhe kur shteren lotët
Në bregun e rrethuar me kujtime
Prapë nën sqetull bartet
Shkrumbi i parë i dashurisë
I paluar në librin e ëndrrave
Si gjethet e njoma të fatit
Asnjë gjurmë e zjarrit nuk shuhet
Deri në çastin e pagëzimit
Pa gjysmën e ëndrrave të këqija
Pa gjysmën e zhgjëndrrave të mira
Deri në fund të vetmisë
Secili e shkruan
Mallin e kësaj bote
Pak nga pak
Derisa të thuhet urata e parë
Për qiellin që s’grindet me yjet
Për tokën që e ruan emrin e vet
Për ujin që s’do ta pimë
Deri në fund të vetmisë
Këlthet i njëjti përfytyrim
Një kat më poshtë se humnera
Askush nuk e sheh fundin
Një kat më lart se qielli
Strehohen shpirtrat e pavdekshëm
Kur sytë harrojnë të shohin
Kur jeta shtrydhet si limon i verdhë
Kur zgjohet dhimbja njerëzore
Deri në fund të vetmisë

(24 korrik 2022)./ KultPlus.com

‘Haveit Collective’ dhe Selma Selman kulmojnë ditën e dytë të ‘Manifesta 14’

Në ditën e dytë të ‘Manifesta 14’, i cili po mbahet për herë të parë në Kosovë dhe që bën bashkë artistë vendorë e të huaj u realizuan performancat ‘Baby Blues’ nga ‘Haveit Collective’ dhe ‘You have no idea’ nga artistja Selma Selman, përcjell KultPlus.

Performanca ‘Baby Blues’ nga kolektivi ‘Haveit’ erdhi për publikun e ‘Manifestës’ duke e kthyer vëmendjen të një formë më pak e prekshme e dhunës: kodi shtypës i sjelljes që pritet nga gratë rreth martesës dhe amësisë. Figurat në këtë performancë janë frymëzuar nga personazhi i Laura Broën në The Hours.

Artistet e vendosura në skenë, me karrocat e pazarit të mbushura me gota, fillojnë t’i shkundin ato deri sa i thyejnë tërësisht për t’i artikuluar shenjat e para të rezistencës.

Pak minuta më pas,  artistja Sema Selman, dha performancën e saj ‘You have no idea’(Nuk e ke idenë), frazë kjo e cila përsëritet vazhdimisht dhe me të cilën artistja dëshiro të shpre se njerëzi nuk kanë asnjë ide me betejat të cilat përbalëen të tjerët.

Kjo paraqitet si një performancë tejet intime, në të cilën Selman herë-herë duke bërtitur shpreh zhgënjimin e sjellë në jetë, në rrethana specifike të jetës së saj.

Ndërkaq, ‘Manifesta 14’ do të vazhdojë për  100 ditë, e përgjatë kësaj periudhe, artistë vendorë e të huaj do të paraqesin veprat e tyre para vizitorëve./ KultPlus.com

Bundestagu ngre për herë të parë flamurin e LGBTI

Dhoma e Ulët e parlamentit gjerman, Bundestagu, ka ngritur për herë të parë flamurin ylber, i cili me gjashtë vijat e tij me ngjyra konsiderohet simbol i komunitetit lezbik, homoseksual, biseksual, transgjinor dhe queer.

Që nga mëngjesi i sotëm, një flamur i tillë valëvitet në kullën jugperëndimore të ndërtesës në Berlin, selia e parlamentit gjerman.

Dy të tjera janë ngritur përpara pjesëve lindore dhe perëndimore të godinës.

Kjo pasi një manifestim është planifikuar për në mesditë (10:00 GMT) në Berlin për festivalin e krenarisë LGBTQ+ të qytetit, i njohur lokalisht si ”Christopher Street Day” (CSD), për të cilin organizatorët presin qindra mijëra pjesëmarrës.

Vetëm në prill Ministria e Brendshme dha zyrtarisht lejen që flamuri i ylberit të ngrihej përpara ose në ndërtesat zyrtare federale në raste të caktuara.

Presidentja e Bundestagut, Barbel Bas njoftoi ngritjen e flamurit në ndërtesën e Reichstag-ut në qershor dhe shpjegoi se kjo do të rriste edhe një herë dukshëm përkushtimin ndaj diversitetit.

Ngjarja mban emrin e rrugës ”Christopher” në Nju Jork, vendi i trazirave të vitit 1969 që nisën lëvizjen për të drejtat e homoseksualëve./ KultPlus.com

Kur gjeniu nderon gjeniun

Lasgush Poradeci, “Zogu i fundit i liqerit”, vdiq në nëntorin e 1987-ës.

E pas shumë vitesh, mbi varrin e këtij gjeniu qëndronte një tjetër po aq madhështor si Agolli.

Mbi varrin e Poradecit, Dritëro Agolli, kujton vjershat e shkrimtarit.

“Fluturoj dhe shtërg’ i fundit, madhështor, me shpirt të gjorë
Dyke shkuar që -me-natë sipër malesh me dëborë…”

Kujtimi i tij mbetet i përjetshëm njëlloj si vjershat e tij.

Duke kujtuar artin e tij, Agolli, thekson se Lasgushi ishte më i vonuari nga simbolistët e fuqishëm.

“Simbolizmi i tij ishte shumë kombëtar, veçanërisht në muzikalitetin e gjuhës shqipe.”

Njëlloj si në poezinë e tij “Mbarim vjeshte”.

Si njeriu, i cili kërkon të ktheht atje ku ka lindur dhe do të kthehet përsëri atje. /Konica.al /KultPlus.com

“Më shumë se 5 yje”, Rama ndan median austriake dhe vlerësimin e saj për Manifesta Biennial

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka shpërndarë sot përmes rrjetit social “Facebook”, shkrimin e një gazete austriake rreth festivalit Manifesta Biennial që po mbahet në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Në atë shkrim thuhej :

“Bienalja e 14-të Nomade Evropiane është Documenta më e mirë. Kjo, jo vetëm që bashkon artin e ri e më emocionues në rajon, por gjithashtu ju shpije nëpër një qytet dhe histori të panjohur per shumë kë. Kurse në vitin 2028 këtë tentojnë ta mbajnë në Kiev.

Yjet shkëlqejnë sërish në çatinë e Hotelit Grand në Prishtinë. Por, ka më shumë se pesë yje klasik që shkëlqenin mbi emrin e ndërtesës simpatike komuniste, të veshur me mermer që shëndritën deri në vitin 2010. Në duplifikimin e tyre kërcimtar, yjet tani tregojnë për një histori të trazuar.

Po aq të trazuar sa historia e këtij vendi të vogël, që përgjithësisht është parë si rajon konflikti – dhe që këtë vit është mikpritës i ngrohtë i Bienales nomade evropiane Manifesta.

Me edicionin e saj të 14-të, kjo e bën kryeqytetin kosovar më bashkëkohorë, e të qasshëm për turizmin kulturor se sa të egër. Edicioni na merr për dore me një plan të qartë.

Konceptualisht dhe artistikisht, Manifesta është bërë dukshëm “Documenta” më e mirë, ndaj nëse keni zgjedhje mes Kaselit dhe Prishtinës, ne ju rekomandojmë këtë të fundit.

Si t’i vësh veshin zemrave të kukullave gjigante shumëngjyrëshe të shtrira në qoshet e katit të fundit të Grand Hotelit. Në qilima mes krahëve dhe këmbëve të kukullave të mbushura e të hapura, si “Kokoschkam” me kukullën e tij Alma, por këto janë më pak të lehta për t’u klasifikuar këtu:

Dardan Zhegrova, i lindur në Prishtinë në 1991, jep poezi për takime, pabesi apo dëshirë romantike. Murmuritje nga brenda, ku pamja nga dritarja e shkretë e fotografive rrëshqet mbi një qytet që nuk e njeh ende më mirë, mbi një rrëmujë ndërtesash të zyreve gjysmë të larta, me tabela reklamuese Coca Cola, arkitekturë fantazie brutaliste por konkrete – si Biblioteka Kombëtare me kupolat e saj me çati të bardhë si balonat e çamçakëzit – dhe vilat me llaç e veranda prej druri.

Driton Kuka për suksesin e xhudistësve të tij: Përtej imagjinatës sime

Sot është bërë një vit që nga fitorja madhështore e Distria Krasniqit në Olimpiadë, duke u bërë kështu Kampione Olimpike, shkruan KultPlus.

Për këtë sukses të jashtëzakonshëm, trajneri Driton Kuka shprehet se ishte përtej çdo imagjinate të tij.

Postim i plotë:

“Përtej imagjinatës time …
Pas luftës mblodha një grup fëmijësh në lagjen time,mesin e tyre edhe Majlinda,Disi,Nora e shumë të tjerë!
Për ti larguar nga traumat e luftës dhe për të u mësuar sportin e bukur tê xhudos!
Këta fëmijë shkuan përtej imagjinatës time,shkuan larg,dëshmuan se sa shumë ja vlen të punohet me të rinjtë Shqiptar!
Sot një vjet 24 Korrik 2021
Distria Krasniqi vazhdoj rrugën e Majlindes!
Distria Krasniqi mbretëroj në Budokan Tokyo 24 korrikun e vitit të kaluar
Arriti kulmin e të arriturave në sport!
Një vajzë e cila shumë pak flet por ka punuar shumë!
Ka punuar shumë për ëndrrën e saj.
Urime Disi 1 vjetorin e titullit –
Kampione Olimpike
Titullin që bëre krenar një Komb!
Shteti ynë i ri po bahet i fuqishëm në Botën e sportit por jo vetëm”, thuhet në postimin e tij. /KultPlus.com