Më 25 janar 1980 Nënë Tereza ka marrë çmimin më të lartë civil në Indi, Bharat Ratna për punën e saj humanitare. Shenjtorja shqiptare, emri origjinal i së cilës ishte Agnez Gonxhe Bojaxhiu u largua nga shtëpia në moshën 18-vjeçare dhe shkoi në Indi ku nisi aktivitetin e saj humanitar.
Atje themeloi kongregacionin fetar katolik, Misionaret e Bamirësisë, në vitin 1950.
Nënë Tereza u shua në moshën 87 vjeçare më 5 shtator 1997, ndërsa u shenjtërua më 5 shtator 2016.
Kur mori çmimin Nobel për Paqe në vitin 1979 ajo bëri këtë apel: “Shkatërrimtari më i madh i paqes së sotme është thirrja e një fëmije të pafajshëm ende të palindur. Nëse një nënë vret fëmijën që mban në barkun e saj, atëherë çfarë mbetet për ty dhe mua?
Ndërsa çmimi Bharat Ratna në Indi është çmimi më i lartë civil. Instituti, më 2 janar 1954 nisi të jepte çimet për njohjen e shërbimeve të jashtëzakonshme pa dallim race, feje, gjinie e pozicioni. Fillimisht ishte i kufizuar në arritjet në art, letërsi, shkencë e shërbime publike por më pas kriteret u zgjeruar duke përfshirë “çdo fushë të përpjekjeve njerëzore” në dhjetor të 2011. / KultPlus.com
Figura magjepsëse dhe hijerëndë e Ali Pashë Tepelenës është studiuar nga shumë romancierë europianë perëndimorë të cilët kanë shprehur vlerësime të merituara për të.
Për të janë kënduar këngë dhe poema nga më të ndryshmet por ndër to spikat dhe një këngë jo edhe aq e njohur për këtë kolos, e krijuar dhe e kënduar nga artisti i madh shkodran Bik Ndoja.
Edhe pse ky këngëtar, që me të drejtë quhet “Bilbili i Shkodrës”, ka kompozuar për figura të mëdha të Veriut të Shqipërisë si: Oso Kuka, Dedë Gjo Luli, Luigj Gurakuqi, ai me të drejtë tregon admirimin e tij për Ali Pashën nëpërmjet këtyre vargjeve:
O të hanën kur topi krisi, amane Ia dha kalasë anë o për anë, amane O mbreti pashallarët i nisi, more mbi vezir Mbi vezir Ali Pashën, amane Ali Pasha i ngratë Lufton ditë e natë Çu ba muhaserë Bini gegë e bini Se fishekë tek kini Bini toskë e gegë Fishekë ju nap vetë
Njizetekatër pashallarë, amane O dojn me i hi kalasë përmrendë, amane Ali Pasha del i parë, o more Ali Pashë Ali Pashë Tepelena Ali Pashë Berati Ç’po luftonte i ati Ali Pashë tërhalla Ç’po t’shkëlxhente palla Bini gegë e bini Se fishekë tek i kini Bini toskë e gegë Fishekë iu nap vetë. / KultPlus.com
Imazhi i karrocës që ecën e shoqëruar nga xhandarmëria italiane patriotë shqiptarë, ku flamuri kuq e zi duket i trishtuar mbi arkivolin me trupin e pajetë të Ismail Qemalit, është fokusuar në kameran e Kel Marubit.
Muzeu Marubi e pati bë publike këtë foto me shënimin: Një moment nga ceremonia mortore e patriotit Ismail Qemali (1844-1919), kryefirmëtar i Pavarësisë, ndër kontribuesit më të mëdhenj në formimin e shtetit shqiptar. Ismail Qemali ndërroi jetë në Peruxhia ku ndodhej i ftuar, me ftesë të qeverisë italiane..
I shoqëruar nga tre djem të tij: Et’hemi, Qazimi dhe Qamili dhe nga përfaqësues të Ministrisë së Jashtme italiane, më 8 shkurt 1919, trupi i Ismail Qemalit u dërgua me tren në Brindizi nga ku, në bordin e torpedinieres “Alpino”, u shoqërua në Vlorë. Më 12 shkurt, nën një ceremoni madhështore, trupi i tij, i vendosur mbi shtratin e topit dhe i mbështjellë me Flamurin Kombëtar, u shoqërua në Kaninë, ku u varros në oborrin e Teqesë, në varrezat e familjes Vlora.
“Nëse masim madhështinë e një personaliteti politik me dashurinë e popullit të thjeshtë,duhet të pohojmë se asnjë nuk i afrohet Ismail Qemal Vlorës. Në ceremoninë e përmotshme… as fshatar as qytetar nuk qëndroi në shtëpi. Tërë faqet e maleve dhe brigjeve, që qëndronin gjatë udhëtimit, ishin mbushur me njerëz. Ishte një apotezë madhështore e të gjithë popullit, pa dallim, dhe një kurorë që Ai e fitoi me punën e tij të madhe në shërbim të vendit të tij, derisa dha frymën e fundit”, shkruante në kujtimet e saj Safa Vlora./ KultPlus.com
Sot mbushen 75 vjet nga lindja e ish-kryetarit të PDSH-së në Maqedoni, Arbën Xhaferi.
Arbën Xhaferi mbetet ndër figurat kryesore të historisë së shqiptarëve.
Sot, KultPlus ju sjell një thënie të cilën ish Presidenti italian, Giorgio Napolitano gjatë kohës sa ishte në pozitën e presidentit, e kishte thënë për Ibrahim Rugovën dhe Arbën Xhaferin.
“Nëse Ibrahim Rugova dhe Arbën Xhaferi, do kishin qenë amerikanë, gjermanë apo francezë, ata do ta kishin pushtuar botën me diplomaci, por për fat të keq këto dy figura i përkasin një popullit shumë të vogël…”, ishte shprehur Napolitano. / KultPlus.com
Pas vdekjes së Gianluca Viallit dhe Sinisa Mihajlovic nga tumoret, bota e futbollit ka nisur të dridhet. Në veçanti, ish-lojtarët kanë frikë se suplementet dhe barnat që dikur merreshin shumë më lehtë se sa sot, mund të shkaktojnë sëmundje me pasoja fatale për jetën.
Pas Dino Baggio, edhe Marco Tardelli e pranoi se ishte i shqetësuar. Ish-lojtari i Juventusit dhe i kombëtares italiane, e pranon se gjatë karrierës së tij ka pirë vazhdimisht Micoren. “Kur kam luajtur, në vitet 1980-1990, nuk kishte një vëmendje aq tëmadhe ndaj farmakologjisë sa sot. Sot një lojtar ndiqet shumë në aspektin mjekësor, madje asistohetedhe nga pikëpamja psikologjike”– deklaroi 68-vjeçari në një intervistë për “Corriere della Sera”.
Tardelli shtoi: “Kohët e rikuperimit nga dëmtimetishin të shkurtra. Ne ishim të detyruar të luanim,prandaj ka mundësi që të kemi abuzuar me ndonjë ilaç. Ne i besonim verbërisht mjekut të klubit. Nuk kishim as njohuritë dhe ndërgjegjësimin që kanëlojtarët e sotëm”.
Ish-futbollisti i famshëm italian nuk beson se “ka një lidhje të drejtpërdrejtë midis ilaçeve të marra dhe vdekjes së parakohshme të disa sportistëve”. “Askush nuk e ka shpjeguar ndonjëherë këtë marrëdhënie. Si mund ta mbështetemi tek një tezë e tillë? Sigurisht, është e sigurt që nuk do të shihniish-sportistë që t’i kalojnë të 100-at”,- theksoi ai.
Në këtë çështje ka ndërhyrë edhe Giuseppe Bergomi, që kujton përvojën e tij me ilaçin Micoren kur luante me Interin. Ish-kapiteni legjendar iskuadrës zi-kaltër, aktualisht trajner,thotë se u inkurajua të marrë Micoren për të përmirësuar performancën e tij sportive.
“Edhe unë kam frikë. Por 20 vjet më parë kur fola, mora një letër kërcënuese nga federata italiane e futbollit, FIGC. Kur isha në një klub, emrin e të cilit nuk do ta përmend, e konsumoja Micoren para lojës si të ishte një karamele. Në kohë ai ilaç nuk ishte indaluar. Por pas disa vitesh u be shumë i ndaluar. Po ashtu kam pirë edhe Anemina, një lëndë që nuk cilësohej doping, por ia ndjeja efektin:nuk ndjejalodhje në fushë, kisha rrahje zemre të përshpejtuar dhe një përqendrim më të madh”– thotë Massimo Brambati, agjent sportiv dhe ish-futbollist.
Gjatë viteve 1980, Micoren ishte një substancë e ligjshme, e konsideruar si e padëmshme.
Por më pas, konsumimi i saj u ndalua në mbarë botën për shkak të rreziqeve të mundshme shëndetësore që paraqet për atletët. U përdor kryesisht në botën e futbollit, por më pas në vitin 1985 u ndalua me ligjin anti–doping.
Ai është përdorur për ta nisur ndeshjen me 100 për qind të kapacitetit të mushkërive, dhe për të parandaluar që trupi të mësohej me sforcimin fizik që në minutat e para të lojës. Po ashtu,ai ndihmoi në ruajtjen e sforcimi të gjatë në kohë.
Është një ilaç që e përmirëson frymëmarrjen, jepet nga mjekët në rastin e krizave të astmës dhe presionit të ulët të gjakut. Megjithatë, në njëperiudhë afat të shkurtër, ai ka efekte anësore të rëndësishme:probleme kardiovaskulare, teksa dihetshumë pak dihet mbi efektet e tij afatgjata.
Duket se futbollistët nuk këshilloheshin (nga mjekët dhe trajnerët) që të merrnin vetëm Micoren, por një koktej me barna të ndryshme. “Isha 20 vjeç dhe më thanë se duke pirë një koktej të tillë do të kisha një paraqitje më të mirë në fushën e blertë. Kishte trajnerë që inatoseshin po të mos i pije ato”- thotë Brambati.
Lidhur me këtë çështje ka folur edhe Florin Raducioiu, sulmuesi i Barit, Veronës, Brescias dhe Milanit në vitet 1990. Por për të shmangur alarmet e panevojshme, trajneri i kombëtaresitaliane, Roberto Mancini, i ftoi të gjithë të “gjitha këto deklarata tëmerren me rezerva”, në pritje të studimeve shkencore për të sqaruar efektet afatgjata të barnave si Micoren. / Today / KultPlus.com
Edvard Munch, piktori që i parapriu ekspresionizmitmë shumë se çdokush tjetër, lindi më 12 dhjetor 1863 dhe vdiq më 23 janar 1944. Nëse ka një vepër që përfaqëson modernitetin, ajo është tabloja “Klithma”. Kritiku i mirënjohur i artit Luka Nannipieri , autor i librave “Rafaelo” dhe “Kryeveprat e vjedhura ”, na tregon se çfarë fshihet pas asaj britme zemër–thyese.
Pse “Klithma” konsiderohet një vepër e përjetshme
Nëse moderniteti është përfaqësuar në art, në këtëvepër ai arrin nivelin sipëror. Arti e ka përshkruar shumë herë dëshpërimin dhe ankthin. Në fakt, ai i ka përshkruar ato më shpesh sesa dashurinë dhe vëllazërimin. “Klithma” është shumë moderne, sepse atë njeri me gojën e tij të shqyer nuk ka kush ta shpëtojë, nuk ka Zot.
Njeriu bërtet i vetmuar, klith pa pasur mundësi për shpëtim, dhimbja e tij rrethohet nga heshtja. Dhe pastaj kujt po i bërtet? Askush, askush nuk e dëgjon atë. Dy kalimtarët largohenkrejtësisht indiferentë.
Peizazhi përreth është thuajse çnjerëzor, qielli është i kuq si prej gjaku, gjiri i detit pas tij dallgëzon në mënyrë të frikshme, ura dhe parmakët e saj e presin tablonë si një teh thike, dhe protagonisti, i stilizuar me një fytyrë me një ngjyrë të verdhë të zbehtë, me një shprehje të tronditur, goja e tij hapet jashtë normales drejt nesh, por ne nuk mund ta shpëtojmë.
Pra duket se me këtë vepër Munch shuan çdo shpresë për shpëtim. Është një klithmë e padëgjuar. Fytyra e burrit është e deformuar. E zmadhuar ështëjo vetëm goja, por edhe sytë, vetë forma e fytyrës duket sikur nuk ka më tipare njerëzore. Ajo duket si një kafkë. Trupi valëzon sikur të ishte një flakë qëlëkundet me forcë nga era.
Çfarë na mëson “Klithma” e Munch
Në versionin e saj të referencës, kjo vepër daton nëvitin 1893, edhe pse artisti ka bërë disa variacione me vajra, tempera dhe pastel në karton, dhe litografi në bardh e zi. Një vit më herët, artisti shënoi në ditarin e tij gjenezën psikologjike të veprës:”Isha duke ecur përgjatë rrugës me dy miq të mi. Pastaj dielli perëndoi. Papritur qielli u bë i kuq si gjaku, dhe ndjeva një dridhje të shkaktuar nga ankthi.
Një dhimbje të fortë në gjoks. Ngriva i gjithi dhe u mbështeta në parmakët e urës, sepse u ndjeva shumë i drobitur. Mbi fjordin ngjyrë blu të errët dhe mbi qytet reflektohej e kuqja e përgjakur e atij qielli. Miqtë e mi vazhduan të ecnin, dhe më lanë aty duke u dridhur nga frika. Dhe në atë moment, unë dëgjova një klithmë të madhe e të pakufishme që e përshkonte gjithë natyrën”.
Një nga versionet e kësaj vepre doli në ankand në Nju Jork në vitin 2012. Ajo u shit për 119.9 milionë dollarë. Versionet e kësaj vepre janë vjedhur disa herë. Nga muzeu“Nasjonalgalleriet” në Oslo tëNorvegjisë më 12 shkurt 1994 dhe nga muzeu “Munchmuseet”, 10 vjet më vonë, më 22 gusht 2004. Për fat të mirë, ato u gjetën përsëri.
Por vjedhjet na tregojnë se sa shumë dashuria –edhe pse e sëmurë dhe kriminale – e çon përpara mitologjinë e kësaj pikture të patejkalueshme nga koha./bota.al/ KultPlus.com
Nga Beverly Hills Hotel i Los Angeles-it, aktorët Allison Williams dhe Riz Ahmed kanë shpallur kandidatët për çmimet Oscar 2023.
Përveç kineastëve të njohur ndërkombëtarisht, ajo çka përbën interes për publikun shqiptar është fakti se, në njërën nga kategoritë, renditet si fitues i mundshëm i çmimit Oscar, një film i cili para pak muajsh ishte konkurrent në Festivalin Ndërkombëtar të filmit në Tiranë (TIFF).
Ka qenë pikërisht TIFF-i, i cili e ka propozuar filmin “The Red Suitcase”, i cili garon në kategorinë “Best Live Action Short Film”.
Kjo është e para herë që propozimi i TIFF arrin të përzgjidhet në fazën finale të kandidatëve për Oscar.
Filmi “The Red Suitcase”, i Cyrus Neshvad është propozuar vetëm nga festivali i Tiranës (TIFF) dhe është përzgjedhur në mesin e 94 propozimeve nga festivalet më të mira në botë, të cilat ashtu si edhe TIFF kanë cilësinë e “Oscar Qualifying”.
Kandidatët e tjerë që pretendojnë Oscar-in për filmin më të mirë me metrazh të shkurtër janë: An Irish Goodbye, Ivalu, Le pupille dhe Night Ride.
Përveç suksesit që mori tashmë TIFF, lajm përbëjnë dhe 11 kandidaturat e filmit komedi-aksion “Everything everywhere all at once”.
Ceremonia e ndarjes së cmimeve Oscar do të zhvillohet mbrëmjen e 12 marsit. Ky do të jetë edicioni i 95-të i Academy Awards./atsh/ KultPlus.com
epa09851901 An Oscar statue on the red carpet as preparations continue for the 94th annual Academy Awards ceremony at the Dolby Theatre Dolby Theatre in Hollywood, Los Angeles, California, USA, 26 March 2022. The Oscars are presented for outstanding individual or collective efforts in filmmaking in 24 categories. EPA/JOHN G. MABANGLO
Teatri i “Qytetit të Gjilanit” ishte i mbushur me emocione teksa u ngrit perdja në natën e hapjes së Festivalit të Dramës Shqipe“Talia e Flakës”. Çdo karrige ishte e zënë, ndërsa shikuesit e teatrit prisnin me padurim premierën e interpretimit vizionar të Fadil Hysajt të veprës “Fausti”, një bashkëprodhim i tre teatrove të njohur, “Teatri Kombëtar i Kosovës”, “Teatri i Qytetit të Gjilanit” dhe “Teatri Bekim Fehmiu” nga Prizreni, shkruan KultPlus.
Shfaqja ishte një sukses i jashtëzakonshëm, duke e lënë audiencën të mahnitur nga bashkëpunimi krijues dhe përsosmëria artistike e shfaqur. Vendet ishin të mbushura me audiencë të etur dhe të emocionuar për të parë fundin, një dëshmi e fuqisë së performancës dhe tërheqjes së përjetshme të historisë së Faustit, duke shfaqur gjenialitetin e profesorit dhe regjisorit Fadil Hysaj. Ndërsa perdja ngrihej, ajri ishte i dendur nga pritjet, një ndjenjë që vetëm sa u intensifikua ndërsa historia u shpalos. Ishte një natë për t’u mbajtur mend, ku publiku ishte i zhytur plotësisht në histori, sytë e tyre të ngjitur pas skenës, zemrat e tyre rrahnin në sinkron me kolonat zanore të shfaqura mjeshtërisht nga Memli Kelmendi, si kompozitor i shfaqjes.
“Koha është një shoqëruese që udhëton bashkë me ne. Ajo na kujton të vlerësojmë çdo moment, sepse nuk do të vijë më. Ajo që lëmë pas nuk është aq e rëndësishme sa mënyra se si kemi jetuar.” – Jean Luc Picard.
Koha është një thesar gjithmonë në lëvizje por e cila nuk ka çmim, një thesar që duhet ruajtur dhe shpenzuar me mençuri. Por për Dr. Faust, kjo fjalë e urtë e vjetër ka pak peshë. I bllokuar në një cikël mospërmbushjeje, ai e gjen veten në një udhëkryq, përballë një zgjedhje që ka pllakosur mendjet e njerëzve gjatë historisë – të bëjë një marrëveshje me djallin për një shans kalimtar nga pendimi?
Dr. Faust, personazhi titullar i dramës klasike të Gëtes, është një personazh kompleks dhe shumëdimensional, rrugëtimi i vetëzbulimit dhe shelbimit të të cilit shërben si pasqyrim i përvojës njerëzore. Ai është një njeri që, pavarësisht shkëlqimit dhe intelektit të tij, e gjen veten të paplotësuar dhe në kërkim të diçkaje më shumë. Kjo turbullirë e brendshme e shtyn atë të bëjë një marrëveshje me djallin, Mefistofelin, që shërben si katalizator për transformimin e tij dhe në kontratë përfshihen njohuritë e pakufizuara dhe kënaqësitë të pafundme në këtë botë, në këmbim të shpirtit të Faustit.
Ajo që pason është një zbritje në humnerën e shpirtit të Faustit, ndërsa ai kënaqet në fillim, grumbullon pasuri, fuqi dhe përjeton majat e kënaqësisë dhe famës, me kalimin e viteve, Fausti fillon të kuptojë boshllëkun e ndjekjeve të njëpasnjëshme të tij dhe ai zhgënjehet gjithnjë e më shumë me jetën që ka zgjedhur.
Ndërsa shfaqja arrin kulmin e saj dramatik, Dr. Faust e gjen veten në një pikë kthese, i detyruar të përballet me pasojat e tmerrshme të veprimeve të tij dhe të bëjë një zgjedhje fatale midis shëlbimit dhe dënimit të përjetshëm.
Udhëtimi i tij shërben si një pasqyrë për përvojën njerëzore, si një simbol i luftës së përjetshme me tundimin dhe kërkimin e pafund për përmbushjen dhe kuptimin e jetës së tij. Dr. Fausti shërben si një përrallë paralajmëruese, një kujtesë e rreziqeve të ambicies së pakontrolluar dhe rëndësisë që vendimet në jetën e një njeriu luajnë.
Por përralla e Faustit nuk ka të bëjë vetëm me udhëtimin e një njeriu, ai gërmon më thellë në gjendjen njerëzore, duke eksploruar kërkimin e përjetshëm për qëllimin dhe zgjedhjet që formojnë fatin tonë.”
Pasi shfaqja zgjati mbi dy orë, radhën e kishte debati me dy panelistët e rregullt, Josif Papagjoni – autor i dhjetëra librave për teatër e dramë, si dhe Trina Hoti, sociologe. Në debat u përfshi edhe përfaqësuesi i shfaqjes, regjisori Fadil Hysaj dhe gazetarët e publiku.
“E vlerësoj lart shfaqjen e bazuar si inspirim në kryeveprën botërore. Për mua, regjisori Fadil Hysaj është regjisor filozof dhe i jashtëzakonshëm në punën që ai bën”. – deklaroi Papagjoni.
Kurse Hoti u shpreh se, shfaqja “Fausti”, kap tema të gjera, por një gjë me rëndësi është të thuhet se, “dija ka ndryshuar nëpër periudha të ndryshme historike, por sot, dija është e cenuar, kjo dija e klikuar, madje dija është fetishizuar, sipërfaqësore dhe jo e thellë”.
Si përfundim, shfaqja e “Faustit” në Teatrin e “Qytetit të Gjilanit” pati një sukses të jashtëzakonshëm, me publikun e përfshirë plotësisht në histori dhe me një lojë të jashtëzakonshme nga kasti.
Skenat e ndërlikuara, aktrimi i jashtëzakonshëm dhe regjia mjeshtërore kontribuan në një përvojë të paharrueshme teatrale. Ndërsa perdja mbyllej, publiku shpërtheu në duartrokitje, një dëshmi e suksesit të performancës dhe triumfit të bashkëpunimit krijues dhe ekselencës artistike.
Ndërkaq, aktori Adrian Morina, i cili luajti rolin e Mefistos, tha për KultPlus, që e llogarit veten me fat që në ka luajtur në dsisa prej kryeveprave të dramaturgjisë.
“E llogaris veten me fat që në vazhden e disa prej kryeveprave të dramaturgjisë, përfshirë Malvolion e “Natës së 12-të”, Napoleonin te “Ferma e kafshëve”, Egjisitin në “Bordel Ballkan”, tani pata fatin që të jem pjesë e “Faustit”, aq më tepër që pata mundësinë të portretizoj Mefiston”, shprehet aktori.
Morina, tutje flet edhe për rolin e tij, duke e cilësuar atë si një personazh të adhurueshëm prej aktorëve, por vështirë të zbërthyeshëm e shumë vështirë për t’u analizuar.
“Mefisto është një personazh i adhurueshëm prej aktorëve, vështirë i zbërthyeshëm e shumë i vështirë për t’u analizuar, kompleks për t’u interpretuar dhe shumë i lehtë për t’u klishezuar”, thotë ai.
Qasjen e profesorit Fadil Hysaj dhe insistimin e tij për të realizuar një Mefisto të “padjallëzuar” e sheh si të suksesshëm me vlerësimet që ka marr nga kolegët dhe duartrokitjet e publikut të pranishëm në sallë.
“Kaq të “lirë” jemi ne aktorët. Dy-tri fjalë miradie nga kolegët, pesë minuta duartrokitje nga publiku dhe harrojmë të gjitha vështirësitë”, thotë tutje Morina.
Sa i përket procesit të provave, aktori shton se ka qenë një periudhë shumë e shkurtër për t’u përgatitur, ndërkaq e vlerëson si një proces të lodhshëm, stresues, e intenziv”, duke shtuar gjithashtu se është hera e parë që ka punuar me profesorin Hysaj, i cili përveç si regjisor është edhe autori i “Faustit” (duke u bazuar në Gëthen dhe Marloun).
“Dua të falënderoj nga zemra kolegët e shfaqjes për korrektësinë, edukatën, profesionalizmin e mbi të gjitha dashninë që e kemi dhuruar përgjatë kësaj kohe, pasi kemi kaluar shumë kohë në proces të provave në Gjilan dhe 24/7 kemi menduar për “Faustin”. Ky projekt nuk do të ndodhte, padyshim, pa angazhimin e tre teatrove. Mbi të gjitha, ky projekt nuk do të ndodhte pa dashninë që e kemi dhuruar ndaj njëri-tjetrit”. tha ai për KultPlus.
Sipas tij, Festivali “Talia e Flakës” është një prej festivaleve të vetme të profilizuara në Kosovë dhe si festival i vetëm i dramës shqipe.
“Pa dramë shqipe, kombëtare, s’mund të kemi as teatër kombëtar. E gjithashtu, është një kënaqësi të jesh në Gjilan. Publik i jashtëzakonshëm, mikpritës dhe i dashur. E kur bëhet fjalë për “Flakën e Janarit”, atëherë mund të them, pa modesti, se ia kemi qitë flakën “Flakës”, thotë në fund Morina.
Duartrokitjet e publikut ishin të pafundme, si një tregues i qartë se sa shumë u kënaq publiku dhe sa mirë u luajt shfaqja.
Shfaqja është e bazuar në veprën e J. W. Gëtes dhe Ch. Marlosë, me autor dhe regjisor Fadil Hysajn, me asistent regjie Ekrem Sopin, me koreograf Robert Nuhën, asistente koreografie, Lavdije Idrizin, skenograf Mentor Berishën, kostumograf Youliana Voykovan, kompozitor Memli Kelmendin, dizajner të dritave Yann Perregaux-in, video-imazhet nga Ujkan Hysaj, mjeshtër zërimi Flamur Krasniqin, grimin nga Minivere Fejzullahi, dizajnin grafik nga Bekim Korça, organizator dhe rekuiziter Suad Berisha, realizatorë të skenografisë: Mejdi Hoti, Haki Aliu dhe Fehmi Hoti; asistentë teknikë Kenan Gurgurovci dhe Qëndrim Kqiku, dritat nga Fatmir Halili dhe Alban Limoni, e realizatorë të kostumeve, Bahrije Kurtalani dhe Anila Gashi.
Në “Faust” morën pjesë aktorët dhe aktoret vijuese: Shkelzen Veseli, Adrian Morina, Xhevdet Doda, Beslidhje Bytyçi, Aurita Agushi, Shpetim Kastrati, Kushtrim Qerimi, Sheqerie Buqaj, Liridona Shehu, Ali Demi, Alban Krasniqi, Zana Berisha, Emine Toska, Rifat Smani, Valmira Hoti, Mejreme Berisha & Alban Morina. /KultPlus.com
Pikturat e tij më 1947 ishin dorëzuar për Ekspozitën Verore dhe në fakt ato ishin pëlqyer nga komiteti përzgjedhës. Presidenti i Akademisë, Alfred Munnings, pas vendimit të tyre ka thënë: “Mirë keni bërë që i ekspozoni, se janë të Churchillit”. Pasi u shfaqën, Churchill e ekspozoi veten si piktor dhe veprat i nënshkruante me emrin e tij.
Ndonëse nuk kishte shkollim të duhur, ai megjithatë ka mësuar nga më të mirët, siç ishin miqtë e tij John Lavery, W R Sickert dhe William Nicholson – të gjithë këta emra të njohur në botën e artit.
Madje, që më 1921 pikturat e tij shfaqen në Paris, me pseudonimin Charles Morin. Ndërsa, ishte komplimentuar nga esteti dhe historiani më i madh i artit, Ernst Gombrich.
“Dikush fillon të shohë, për shembull, që pikturimi është si luftimi i një beteje; dhe përpjekja për të pikturuar, mendoj se është si përpjeka për të luftuar… Nuk ka gjë më emocionuese se të luftosh me sukses. Parimi është i njëjtë. Është problemi i njëjtë si shpalosja e një argumenti të gjatë dhe të ndërlidhur. Është një propozim i cili, qoftë i pjesëve të pakta ose të panumërta, urdhërohet nga një unitet i vetëm i konceptimit”., ka thënë Churchill. Ndërsa, Cooms për të thotë: “Ky unitet është diçka që Winston Churchill e ka kuptuar dhe zotëruar.” / KultPlus.com
Bill Gates ka paralajmëruar që bota duhet të jetë gati për pandeminë e radhës, që mund të jetë shumë më e rëndë sesa Covid-19.
I pranishëm në Institutin Lowy të Sidneit, miliarderi theksoi se liderët politikë duhet të lënë mënjanë keqkuptimet dhe të punojnë së bashku për t’u përgatitur për virusin e radhës.
“Me pandeminë që kaluam u treguam budallenj, nuk kishim pajisjet e duhura, ashtu siç i kemi për zjarret apo tërmetet”, tha Gates./a2cnn/ KultPlus.com
Ceremonia e 95-të e Çmimeve të Akademisë do të mbahet më 12 mars.
Ndërkaq, tashmë është publikuar lista e të nominuarve.
Duke filluar prej këngës më të mirë origjinale, aktori dhe filmi më i mirë, çmimet e Oscars do të ndahen në teatrin Dolby në Ovation Hollywood
Në kategorinë e këngës më të mirë origjinale, janë nominuar dy yje të mëdhenj të pop -it: Lady Gaga për “Hold My Hand” (Top Gun: Maverick) dhe Rihanna për “Lift Me Up (Black Panther: Wakanda Forever).
Më poshtë janë nominimet për çmimet kryesore:
Filmi më i mirë
“All Quiet on the Western Front”
“Avatar: The Way of Water”
“The Banshees of Inisherin”
“Elvis”
“Everything Everywhere All at Once”
“The Fabelmans”
“Tár”
“Top Gun: Maverick”
“Triangle of Sadness”
“Women Talking”
Aktorja më e mirë
Cate Blanchett, “Tár”
Ana de Armas, “Blonde”
Andrea Riseborough, “To Leslie”
Michelle Williams, “The Fabelmans”
Michelle Yeoh, “Everything Everywhere All at Once”
Aktori më i mirë
Austin Butler, “Elvis”
Colin Farrell, “The Banshees of Inisherin”
Brendan Fraser, “The Whale”
Paul Mescal, “Aftersun”
Bill Nighy, “Living”
Regjisori më i mirë
Martin McDonagh, “The Banshees of Inisherin”
Daniel Kwan and Daniel Scheinert, “Everything Everywhere All at Once”
Steven Spielberg, “The Fabelmans”
Todd Field, “Tár”
Ruben Östlund, “Triangle of Sadness” / KultPlus.com
Për 1 muaj e 24 ditë Arbnor Karaliti, Lumturie Krasniqi dhe Yll Xhaferi së bashku me Paper Gallery dhe Prishtina Biennale në kuadër të projektit “Në Duart Tona” konvertuan hapësirën e Galerisë në Open Studio duke e ftuar publikun që nga afër të njoftohen me procedurën dhe procesin e punës së artistëve.
Tre artistë me medium të përbashkët pikturën por me stile dhe teknika të ndryshme brenda hapësirës së galerisë bënë punë të ndryshme të cilat do të prezantohen në ekspozitën ‘Daily Archived’ që do të hapet të enjten me datë 26.01.2023 në ora 19.00, dhe do të qëndrojë e hapur për 1 muaj. / KultPlus.com
Bërthama e Tokës mund të ketë ndaluar së rrotulluari, ose mund të jetë duke u rrotulluar prapa. Në këtë përfundim ka arritur një studim i ri, sipas të cilit bërthama e planetit tonë përbëhet nga një shtresë e jashtme e metalit të lëngshëm dhe një bërthamë e brendshme prej metali të ngurtë që është rreth 70 për qind e madhësisë së Hënës.
Besohet se bërthama rrotullohet në drejtim të kundërt të akrepave të orës kur shikohet nga Poli i Veriut, si pjesa tjetër e planetit Tokë.
Por një studim që analizon të dhënat e valëve sizmike gjatë 60 viteve të fundit nga studiues në Universitetin e Pekinit në Kinë ka arritur në përfundimin se rrotullimi i bërthamës ndaloi rreth vitit 2009 dhe më pas rifilloi në drejtim të kundërt.
“Ne mendojmë se bërthama, në lidhje me sipërfaqen e Tokës, rrotullohet në një drejtim dhe më pas në tjetrin, si një lëkundje”, deklaruan për AFP autorët e studimit Xiaodong Song dhe Yi Yang.
Një cikël i plotë, në një drejtim dhe më pas në tjetrin i kësaj lëkundjeje është rreth 70 vjet, shtuan ata.
Sipas studiuesve, ndryshimi i fundit i rrotullimit para vitit 2009 kishte ndodhur në fillim të viteve 1970, dhe tjetri do të ndodhë në mesin e viteve 2040.
Gjetjet e diskutueshme
Por ka ende shumë debate për natyrën e bërthamës së Tokës, sepse mbledhja e informacionit për të është jashtëzakonisht e vështirë.
Buza e bërthamës së jashtme takohet me mantelin e Tokës në një thellësi prej rreth 2,890 km, dhe kjo bërthamë e jashtme besohet të jetë prej hekuri dhe nikeli të lëngët.
Bërthama e brendshme fillon rreth 5000 km nën sipërfaqen e planetit dhe mendohet të jetë prej hekuri dhe nikeli të ngurtë, për shkak të presionit ekstrem që detyron atomet e metalit të grumbullohen së bashku.
Ai ndodhet brenda bërthamës së jashtme të lëngshme dhe besohet se ka qenë duke u rrotulluar në të njëjtin drejtim si pjesa tjetër e Tokës, bazuar në analizën e valëve sizmike të shkaktuara nga tërmetet.
Xiaodong Song dhe Yi Yang studiuan këto valë sizmike, duke gjetur një “kthim gradual mbrapa të bërthamës së brendshme si pjesë e një lëkundjeje përafërsisht shtatë dekadash”. Studimi i tyre është publikuar në revistën Nature Geoscience.
“Ky është një studim shumë i kujdesshëm i kryer nga shkencëtarë të shkëlqyer që përdorën shumë të dhëna,” tha John Vidale, një sizmolog në Universitetin e Kalifornisë Jugore, i cili nuk ishte i përfshirë në hulumtim.
Megjithatë, ai shtoi se “asnjë nga modelet ekzistuese nuk i shpjegon mirë të gjitha të dhënat në dispozicion”.
Sa shpesh ndryshon rrotullimi i bërthamës së brendshme të Tokës?
Sizmiologu Vidale publikoi një studim vitin e kaluar duke sugjeruar se bërthama e brendshme lëkundet shumë më shpejt, duke ndryshuar drejtimin rreth çdo gjashtë vjet, sipas të dhënave sizmike nga dy shpërthime bërthamore që datojnë nga fundi i viteve 1960 dhe fillimi i viteve 1970.
Një tjetër gjeofizikant, Hrvoje Tkalcic në Universitetin Kombëtar Australian, beson se cikli i bërthamës së brendshme është rreth 20 deri në 30 vjet, në vend të 70 viteve të propozuara nga studimi i kësaj jave në Nature Geoscience.
Studiuesit e Universitetit të Pekinit pohojnë në studimin e tyre se kjo lëkundje “përkon me ndryshimet në disa vëzhgime të tjera gjeofizike”, të tilla si gjatësia e ditëve dhe ndryshimet në fushën magnetike të Tokës.
“Këto vëzhgime ofrojnë prova për ndërveprimet dinamike midis shtresave të Tokës, nga pjesa më e thellë e brendshme në sipërfaqe, potencialisht për shkak të bashkimit gravitacional dhe shkëmbimit të momentit këndor nga bërthama dhe manteli në sipërfaqe,” shkruajnë ata.
“Shpresojmë që kërkimi ynë t’i motivojë studiuesit të hartojnë dhe testojnë modele që trajtojnë Tokën si një sistem dinamik të integruar,” shpjegojnë ata. /A2CNN/ KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar në Vatikanin me sekretarin e këtij shteti, kardinali Parolin.
Në këtë takim është diskutuar për raportet e Kosovës me Vatikanin.
“Në takim u diskutua mbi raportet e Kosovës me Selinë e Shenjtë, mbi kultivimin e paqes, harmonisë e bashkëjetesës në mes njerëzve e besimeve të ndryshme, mbi vlerat e përbashkëta, mbi promovimin e mëtejmë të lirive fetare, për rolin e Kishës Katolike në Kosovë si partner të rëndësishëm social, si dhe për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit në fusha të ndryshme”.
Të hënën, presidentja Osmani është pritur edhe nga Papa Françesku. / KultPlus.com
Skitari Klos Vokshi, ka garuar sot në disiplinën e sllallomit në Tarvisio të Italisë, ku po mbahet EYOF 2023.
Në një shteg të vështirë dhe konkurrencë të fortë, ku po marrin pjesë skitarët më të mirë të Evropës nën 18 vjeç, Vokshi zuri vendin e 70-të prej 100 garuesve, 28 prej të cilëve dolën nga shtegu. Koha e tij pas dy lëshimeve ishte 1 minutë e 53.97 sekonda.
Vokshi garon edhe të premten në sllallom të madh. Nesër në sllallom garojnë Lirika Deva dhe Enxhi Sefaj.
Garën e tij e përcollën edhe drejtuesit e KOK-ut me presidentin Ismet Krasniqi dhe drejtuesit e FSK-së me kryetarin Milaim Kelmendi. / KultPlus.com
Në mbledhjen e sotme të komisionit parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, është diskutuar Projektligji për Kinematografinë.
Pas ekspozesë së Ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, deputetët e komisionit shtruan pyetjet e tyre me qëllim të qartësimit të të gjithave neneve, duke votuar më pas që projektligji të futet në lexim të parë në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Ky projektligj rregullon veprimtarinë, organizimin, financimin, prodhimtarinë, shpërndarjen dhe shfaqjen e veprave filmike. Synim ka nxitjen e krijimtarisë, promovimin, mbrojtjen, ruajtjen dhe studimin e trashëgimisë kinematografike. / KultPlus.com
Qendra për Hapje dhe Dialog (COD) zhvilloi sot takimin e tretë të ciklit “Personazhe në Fokus”, me të ftuar “Artistin e Popullit”, Luftar Paja.
Aktori shumë i dashur për publikun rrëfeu për të rinjtë pjesëmarrës disa prej realizimeve të tij më mbresëlënëse. Luftar Paja tregoi sfidat përgjatë karrierës si edhe eksperiencën personale në komedinë, teatrin dhe filmin shqiptar.
Ky cikël takimesh do të vijojë të përçojë histori frymëzuese nga të tjerë “Personazhe në Fokus”.
Luftar Paja lindi në Gorishovë të Mallakastrës më 1 dhjetor 1941. Që në moshë të re spikat talenti i tij si aktor. Në vitin 1968 u emërua aktor profesionist në estradën e Fierit. Në vitin 1971 është ndër të parët në krijimin e Teatrit Bylis Fier. Në vitin 1979 merr titullin Artist i Merituar.
Luftar Paja ka marrë pjesë dhe në shumë filma artistikë, ku ka spikatur me role karakteri në filma si “Këshilltarët”, “Guna përmbi tela”, “Nëntori i dytë”, “Gjeneral Gramafoni”, “Ëndrra për një karrige”, etj. Në vitin 1990 mori titullin e lartë Artist i popullit./atsh/ KultPlus.com
Winston Leonard Spencer-Churchill (1874-1965) ishte kryeministër i Britanisë së Madhe, në momentet më të rënda gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ishte oficer, por njihet si historian dhe një nga oratorët më të njohur në histori. Më 1953 fiton Nobelin për Letërsi, “për mjeshtërinë e tij të përshkrimeve historike dhe biografike, si dhe për oratorinë brilante në mbrojtje të vlerave njerëzore”. Më poshtë mund të lexoni 30 thënie të tij.
• Shakaja është një gjë shumë serioze!
• Gënjeshtra ka shkuar deri në gjysmë të botës, përpara se e vërteta të ketë mbathur pantallonat!
• Njeriu bën çfarë duhet bërë – pavarësisht pasojave personale, pavarësisht pengesave, rreziqeve dhe presioneve – dhe kjo është baza e gjithë moralit njerëzor.
• Një pesimist shikon vështirësi në çdo mundësi; një optimist shikon mundësi në çdo vështirësi.
• Politikani ka aftësinë të parathotë se çfarë do të ndodhë nesër, javën tjetër, muajin tjetër dhe vitin tjetër. Dhe, e ka aftësinë pastaj të shpjegojë pse të parathënat nuk ndodhën!
• I burgosuri i luftës është një njeri që përpiqet të të vrasë ty dhe pastaj të kërkon ty të mos e vrasësh atë!
• Edhe pse unë jam krejt i kënaqur me eksplozivet ekzistuese, e ndjej se nuk duhet të ecim në drejtim të përmirësimit të tyre.
• Ndonëse isha i përgatitur për martirizim, parapëlqeva ta lë për më vonë!
• Paqebërësi është ai që përpiqet ta ushqejë krokodilin, duke shpresuar se ai do ta hajë atë të fundit!
• Sjellja është një gjë e vogël që përbën një ndryshim të madh!
• Betejat janë fituar me masakra dhe manovra. Gjenerali i madh, sa më shumë që i jep përparësi manovrës, aq më pak lë vend për masakrën!
• Trimëria me të drejtë është vlerësuar si cilësia e parë njerëzore… sepse ajo është cilësia që i garanton të tjerat!
• Kritika mund të mos jetë e pranueshme, por është e nevojshme. Ajo përmbush të njëjtin funksion që ka dhimbja në trupin njerëzor. Ajo tërheq vëmendjen ndaj gjendjes jo të shëndoshë të gjërave!
• Vështirësitë e mposhtura janë mundësi të fituara!
• Mos lë hapësira të mëdha për një botë të re, kënaqi energjitë tua së shpëtuari çfarë ka mbetur nga e vjetra!
• Ngrënia e fjalëve nuk m’i ka bërë asnjëherë keq tretjes!
• Çdokush e ka ditën e tij dhe disa ditë zgjatin më shumë se të tjerat!
• Sa për mua, mendoj se do të ishte shumë më mirë për të gjitha palët t’ia lëmë të shkuarën historisë, sidomos përderisa kam qëllim ta shkruaj historinë vet!
• I madh dhe i mirë janë rrallë i njëjti njeri!
• Ai i ka të gjitha virtytet që nuk më pëlqejnë dhe nuk e ka asnjë nga veset që unë i admiroj!
• Qytetarët e shëndoshë janë pasuria më e madhe që mund të ketë çdo vend!
• Historinë e shkruajnë fitimtarët!
• Sado e bukur të jetë strategjia, unë herë pas here vështroj rezultatet!
• Unë gjithmonë shmang dhënien paraprake të profecive, sepse është shumë më mirë të profetizosh pasi një zhvillim ka ndodhur tashmë!
• Jam gjithnjë gati të mësoj sado që asnjëherë nuk më pëlqen të më japin mësim!
• Sigurisht që nuk jam një nga ata që kanë nevojë të më nxitin. Në fakt, nëse diçka jam, atëherë jam vetë nxitja!
• Unë kënaqem lehtë me të bukurën!
• Më pëlqejnë derrat. Qentë na shikojnë ne nga lart. Macet na shikojnë nga poshtë. Derrat na trajtojnë si të barabartë!
• Perandoritë e së ardhmes janë perandori të mendjes!
• Nuk kam ndërmend të kem të bëj më me politikën ose politikanët. Kur kjo luftë të mbarojë, unë do të merrem vetëm me shkrime dhe pikturë!
Në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, janë ngritur atelierët e edukimit për fotoreportazhin. Ato janë një seri punëtorish analitike mbi ekspozitën e Michel Setboun “Fotoreporteri në kohën e duhur, në vendin e duhur”, ku shfaqen imazhe të Shqipërisë së viteve 1980 deri në vitin 1991, me rrëzimin e sistemit dhe ngjarjet e lidhura me të.
Nisur nga fotografi e shkrime të gazetave të kohës, nxënësit e shkollave të mesme, të ndarë në grupe, punojnë mbi seri fotografike të ekspozitës duke ndërtuar një fotoreportazh që reflekton kohën e problematikat, e duke nxitur njëkohësisht edhe analizën e ngjarjeve e mendimin kritik.
Në punëtorinë e dytë ishin pjesëmarrës nxënës të gjimnazit “Oso Kuka” dhe të departamentit të gjuhës frënge të Universitetit të Shkodrës./atsh/ KultPlus.com
Tre vite përpara shpalljes së Pavarësisë, Ismail Qemali është pritur me nderime nga Kolonia e Horës së Arbëreshëve, në cilësinë e kryetarit të Lëvizjes Shqiptare për Pavarësi. Me rastin e festës së “28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë”, shkrimtari arbëresh Zef Schirò Di Maggio, risjell disa fakte historike rreth asaj dite që lidhen me mbështetjen dhe reagimet e komunitetit arbëresh më këtë ngjarje të madhe të historisë së popullit shqiptar. Duke iu referuar botimit të Akteve të të Rilindjes Kombëtare Shqiptare 1878-1912, (Tirane 1978), citon një telegram të nëntorit 1912, me titull “Protestë kundër synimeve pushtuese të shteteve ballkanike ndaj Shqipërisë”.
Aty thuhet: “Kolonia e Horës së Arbereshëvet, në rrethin e Palermos, pas afro pesë shekuj jetese në tokën mikpritëse italiane, megjithëse ka ndjekur fatin e atdheut të madh italian në ditë të mira dhe në ditë të këqia, nuk e ka harruar atdheun e saj të prejardhjes, “fatkeqen Shqipëri”…. Në çastet më te vështira te jetës shqiptare, kjo ka ndjekur me zemër te dridhur dhe me vemendje të madhe fatet e kombit fatkeq. Sot që guximi i shteteve ballkanike, të cilët i kanë lënë mënjanë luftrat e tyre për liri e pavarësi, kërkon ta fusë në katastrofën osmane edhe popullin e Skënderbeut, qytetarët e Horës së Arbëreshëvet janë ngritur dhe protestojnë para gjithë botës kundër këtyre lakmive të pabesa. Dhe bota nuk mund të mos marrë parasysh jetën dhe qenien e një populli. Prandaj po bëjmë protestën që vijon: Qytetarët e Horës së Arbëreshëvet, në orën tragjike që po kalon mëmëdheu, nuk mund të qëndrojnë pa e ndjerë thellë klithmën e pikëllimit që vjen nga vëllezerit të Tejadriatikut….”. Në shkrimin e tij Di Maggio kujton se lidhjet mes arbëreshëve dhe shqiptarëe nuk janë shkëputur asnjëherë dhe patriotët e mëdhenj arbëreshë, “dy për të gjithë, De Rada e Zef Skiroi Senior, i kushtuan jetën e veprën letrare Rilindjes së Shqipërisë.
Një tjetër fakt historik që tregon patriotizmin e pashuar të arbëreshëve, është pritja që i përgatitën kryetarit të lëvizjes shqiptare Imail Qemalit, gjatë vizitës së tij këtu në Horë, tri vjetë para që të shpallej Pavarësia. Pjetro Skaljone në librin e tij “Historia e Shqipëtarëvet t’Italisë” të botuar në New York më 1921, e ka dokumentuar vizitën që Ismail Qemal bey Vlora e Xhjafer Effendi Mbreshtani bënë këtu në Horë në maj te vitit 1909. Di Maggio e citon si më poshtë këtë dëshmi: «Populli i katundit Piana dei Greçi kishte dalë jashtë katundit, me flamure Shqipë edhe Italianë, me bandën muzikore Katundare për me pritur ardhjen e të çkëlqyervet Shqipetarë te një vent i përthënë Shën Meria e Boshit. Bashkë me popullin ishën tërë Shoqëritë të katundit me flamuret e tyre… Banda loste Kënga Kombetare. Kur për së largu u-panë Karrocat, populli me zë te fortë, thiri rroftë Shqipëria.
Kur Karrocat u afruan muzika lojti ymnin Shqipetarë, e pas ymnin Italian.
Populli si karrocat u afruan e njohi të dy Atdhetarët (Ismail Qemalin e Xhjafer Effendin) të cilët ishën në e para karrocë, thriti “Rroftë Shqipëria, Rrofshin vëllezërit Shqipetarë”.
Zoterinjtë e tyre, Ismail Qemali, e Xhjafer Effendi falenderonin popullin dyke nxjerë shapkat (Kapelat) e dyke derdhur lotë nga gëzimi. Muzika udhetonte përpara, e populli u për-nda me dy krahtë të udhës, e karrocat në mestrë popullit, ishtë tue me kënduar kënga popullore e u nisën për në katundë. Kur karrocat hijtin brënda në katundi, dy Atdhetarët i priti një çuditje, përse shkuan gjera të paharrueshme, gjith balkonat e dritsoret ishën të stolisur me bukuri të madhe, e mbretërojën bojlat kombëtare; balkonet e dritsoret ishën të mbushur me zonja, të cilat ishën tue me shtur lule mbi karrocat e me thirë “Rroftë Shqiperia, Rrofshin vëllezërit tanë të Shqipërisë”. Ismail Qemali me lotë në sy e me zëmërin prej gëzimit falejë popullit, kur karrocat arrinë në shtëpia të Zotit Kalorës Gjergji Zalapi ishën mbushur me lule». Për këtë vizitë ka shkruar edhe vetë Ismail Qemali në librin e tij “Memorie”./KultPlus.com
Në shenjë të 77 vjetorit të lindjes dhe 60 vjetorin e krijimtarisë së shkrimtarit Ibrahim Kadriu, Shtëpia Botuese “Faik Konica” ka botuar kompletin me dhjetë vepra të shkrimtarit Kadriu, për të cilën do të organizohet edhe një mbrëmje letrare në KultPlus Caffe Gallery.
“Kohë e varur në litar”, “Kroi i ilaçit”, “Kalorësi i Karadakut”, “Në vajhall”, “Kapërcimi i ujit të madh”, “Misioni rus”, “Pjella e dreqit”, “Përtej binarëve”, “Varri i shitur në Damask” dhe “Ata dy të burgjeve”, janë titujt e librave, për të cilat do të flasin Anton Berisha, Nazmi Rrahmani, Elvi Sidheri dhe shkrimtari Ibrahim Kadriu. Ejani dhe bëhuni pjesë e kësaj mbrëmje të veçantë letrare, mbrëmje që do të shoqërohet edhe me tinguj të muzikës dhe me verë. Kjo mbrëmje mbështetet nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sporte.
Mbrëmja letrare me Ibrahim Kadriun do të fillojë në ora 19:00 në ambientin e KultPlus Caffe Gallery, të mërkurën më 25 janar./ KultPlus.com
58 vite nga vdekja e ish-kryeministrit britanik, Winston Churchill, i cili konsiderohet ende sot një nga liderët më karizmatikë dhe më të diskutuar të shekullit XX, shkruan focus.it.
Me energjinë dhe popullaritetin e paepur që pushtoi masat, ai personifikoi vullnetin e Britanisë së Madhe dhe popujve aleatë për t’i rezistuar kërcënimit nazist, kur bota ishte në buzë të humnerës përgjatë viteve 1940-41.
Cila ishte forca e Wilson Curchill-it?
Ai e kuptoi shumë shpejt, falë një udhëtimi në Gjermani në vitin 1934, rrezikun e jashtëzakonshëm që përfaqësonte Hitleri, i cili synonte dominimin kontinental. Churchill ishte i vetmi, edhe në qeverinë e tij, që i shpalli një luftë totale, absolute dhe dramatike. Duke përsëritur gjithmonë, edhe kur gjithçka dukej e humbur, se nazistët nuk mund të mbështeteshin kurrë në një paqe të fshehtë apo të veçantë.
Prandaj, forca e tij ishte një guxim moral dhe fizik shumë i madh, i palëkundshëm (ai lëvizi në fronte, shkoi mes popullatave të bombarduara), i kombinuar me një vizion politik afatgjatë që e lejonte të kuptonte se nëse Hitleri do të pushtonte Anglinë, atëherë ajo do të mbetej e izoluar dhe në atë pikë sa mund të humbiste gjithë perandorinë e saj.
Britania e Madhe doli fitimtare nga Lufta e Dytë Botërore, por e rraskapitur.
Çfarë ka mbetur nga trashëgimia e Churchill?
Në imagjinatën kolektive angleze, Churchill është ende një mit, një baba i vendit. Sidomos mes atyre mbi 40 vjeç ai është një personazh i klasit të parë. Sigurisht, së fundmi dikush i ka njollosur disa statuja duke e quajtur racist. Por, Churchill nuk mund të kufizohet me kaq, pasi përbën një nënvlerësim.
Sot historiografia, pas momentit të mitit, kërkon hije, bën pyetje, sheh disfata dhe jo vetëm fitore te ky personazh. Por, ajo nuk vë në dyshim madhështinë e tij. Churchill në fakt ka treguar se në orën më të errët mund të luftosh dhe të humbasësh, por gjëja e rëndësishme është të kesh guximin të vazhdosh dhe të mos dorëzohesh.
Me cilin lider mund të krahasohet Churchill?
Vetëm me presidentin e SHBA, Franklin Delano Roosevelt, i cili në fakt lëvizi si ai në një strategji planetare të konfliktit dhe kishte skrupolozitet në aleancat ndërkombëtare. / KultPlus.com
John Belushi lindi më 24 janar 1949 në Chicago, Illinois, derisa vdiq më 5 mars 1982 në West Hollywood, ishte aktor dhe këngëtar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës me prejardhjen shqiptare.
Në datën e lindjes së tij, kujtojmë momentin kur emri i tij u shënua në pllakat e Hollivudit.
Më 9 shkurt 1960 tetë pllakat e para të yjeve prej bronzi vendosen në Bulevardin e Famës në Hollivud, ku sot ndodhen më shumë se 2,500 yje të ngulitur në trotuare përgjatë Bulevardit prej 3 kilometrash, që vizitohet çdo vit nga mbi 10 milionë njerëz.
Këta Yje janë monumente të përhershme publike për arritjet në industrinë argëtuese, duke mbajtur një përzierje emrash; aktorë, muzikantë, regjisorë producentë, grupe muzikore, teatrale, karaktere imagjinarë, dhe të tjerët. Aktori John Belushi është i vetmi shqiptar në këtë Bulevard.
Belushi vdiq më 5 mars 1982 në Hollywood, pasi kishte marrë në sasi të mëdha një përzierje drogash kokainë dhe heroinë.
Ai ishte 33 vjeç, i ri, por la gjurmë si komedian; 22 vjet pas vdekjes, Ylli me emrin “John Belushi” u vendos në Bulevardin e Famës. /KultPlus.com
Sot mbushen 75 vjet nga lindja e ish-kryetarit të PDSH-së në Maqedoni, Arbën Xhaferi.
Në vijim po ju përcjell disa nga shprehjet e tij, të cilat ruajnë një aktualitet të gjithëkohshëm.
– Me që jetojmë në një botë, kohë të ndërveprimit të kulturave kombëtare, duhet konstatuar se shqiptareve u mungon kryesorja: propaganda kombëtare në planin ndërkombëtar. – Në historinë politike shqiptare nuk ekziston, të paktën një broshurë propagandistike drejtuar kundër popujve të tjerë. – Një popull që humb besimin te të gjitha autoritetet, siç ndodh me shqiptarët, e vë në dyshim qënien e vet, humb vetëbesimin, rezistencën ndaj asimilimit, kështu që përbuzja e vetvetes shoqërohet me adhurimin e tjetrit. – Albanofobia manifestohet si grekofili, italofili, turkofili, sllavofili etj… – Mjeshtëria që formon ose e deformon vetëdijen quhet propagandë. – Shpeshherë më e vërtetë se e vërteta bëhet gënjeshtra, fjalët që paketohen bukur, sipas rregullave të propagandës. – Anarkia është pasoja më e hidhur e lirisë, e demokracisë së keqpërdorur. – Nuk thuhet më se çdo mysliman është terrorist, por çdo terrorist është mysliman. – Për të qenë të përçarë duhet të jenë të barabartë. – Kushti i parë që një besim fetar të shndërrohet në religjion është: ndarja e shtetit, politikës prej fesë; pra respektimi i parimit të shekullarizmit. – Disa analistë thonë se ideja e krijimit të Maqedonisë ka qenë vllahe, nga që vetëm kjo popullatë protoballkanike, nuk arriti të krijojë shtetin e vet. – Faktori ndërkombëtar me vonesë do ta kuptojë gabimin, kur lejoi që luftërat në hapësirat jugosllave të përfundojnë pa emërimin e fajtorit. – Serbët nuk e pranojnë argumentin e arsyes, prandaj dhe sillen në mënyrë arrogante. – Autoritet jugosllave heshtazi e zbatonin marrëveshjen e fshehtë jugosllavo-turke, ngjashëm me atë turko-greke të Lozanës, për pastrimin etnik përmes shpërnguljeve masive të popullatës. – Çdo njeri bën përpjekje që të largohet nga dimensioni i inferioritetit. – Duhet lexuar për shkak se duhet kuptuar më mirë pse jetojmë, pse kemi ardhur në këtë botë, pse ndodhin fenomene të ndryshme dhe, mbi të gjitha, për të fisnikëruar veten dhe shoqërinë ku jetojmë. – Gjuha standarde duke mbrojtur vetveten, mbron dhe kombin. – Luajaliteti ndaj kombit është më e madhe se ndaj shtetit. – Në dallim nga shqiptarët, serbët, por jo vetëm ata, më se një shekull hartojnë projekte, elaborate të studiuara mirë se si t’i shfarosim shqiptarët, t’i dëbojmë nga vendlindja, t’ua njollosim imazhin, t’u ngjisin bishta, të nxisin përçarjet e brendshme, t’i korruptojnë përfaqësuesit, prijësit e tyre etj. – Në mes botës perëndimore dhe lindore ekziston një relacion i çuditshëm i këmbimit: perëndimi eksporton në lindje ideologji (dikur komunizmin sot demokracinë); ndërkaq nga lindja pranon religjionin. – Çdo komb ka thesarin e vet të urtësive, rrjedhimisht dhe populli shqiptar. – Çdo shoqëri ka heronj dhe oportunistë, flijues dhe utilitaristë. Gjithmonë oportunistët përpiqen të konsumojnë atë që kanë siguruar heronjtë. – Grekët kanë vënë zapt mbi periudhën antike, sllavët mbi periudhën mesjetare, turqit për pjesën tjetër, ndërkaq qenia shqiptare, gjithnjë e më shumë po merr trajtën e një të sëmuri paraplegjik, që nuk arrin të lëviz gjymtyrët qafë e tëposhtë. – Kur religjionet e suspendojnë hyjnoren, atëhere zëri i këmbanës ose i muezinit, përjetohet si shpallje e luftës… – Luftrat që përfundojnë pa fajtor, kurrë nuk përfundojnë as me paqe. – Mjerisht, demokracia vetvetiu nuk e sjell lirinë, por liria hap shtegun për paraqitjen e demokracisë. – Në rininë time, të qenit shqiptar shoqërohej gjithnjë me ndjenjën e prestigjit. – Një popull shndërrohet në komb kur patriotizmi nuk është më çështje individuale, por çështje institucionale. – Pluralizmi ka krijuar terren të përshtatshëm për relativizim të gjithçkaje. – Serbët, por edhe të tjerët, i urrejnë shqiptarët për shkak të krenarisë së tyre. – Si çdo njeri që synon të ketë një të kaluar të fisme, ashtu dhe çdo popull kërkon të ketë një të kaluar të lavdishme. – Tipari kryesor i qytetërimit perëndimor, është dyshimi si metodë e zbulimit të së vërtetës, ndërkaq tipari kryesor i qytetërimit lindor është besimi i paluajtshëm ndaj autoritetit. – Shqiptarët i kanë dhënë kontribut të madh pavarësisë së Greqisë, i kanë dhënë njerëz të shquar, politikanë, ushtarakë, shkencëtarë, krijues etj. – Në politikë me rëndësi parësore është mjeshtëria e zgjedhjes së prioriteteve. – Autonomia iu dha Kosovës për shkak të shqiptarëve e jo për shkak të serbëve. – Një pjesë e madhe e popullit grek ka prejardhje shqiptare. – Shpesh herë, paqja peshon si vlerë më shumë se interesat e tjera. – Shteti i parë Serb është formuar në Rashkë dhe jo në Kosovë. – Sot, në Kosovë dhe në vise, nuk mund të gjesh as 1% të shqiptarëve që janë pro serbë. – Grekët, që nga koha antike e deri në ditët e sotme, kanë bashkëjetuar me shqiptarët duke u përzier me ta në vazhdimësi. – Individi dhe komuniteti që nuk kultivon nevojën për pendesë, nuk arrin t’i korrigjojë gabimet. – Maqedonia s’ka të ardhme, kështu siç po shkon. – Popujt e Ballkanit vuajnë nga një strabizëm etno-politik që i bën të shohin shtrembër njëri –tjetrin. – Propanganda serbe është mjeshtërore dhe nuk ka skrupuj moralë. – Një VIP ( Very Important Person) nuk mund të pranojë lehtë të bëhet NIP (Non Important Person). / KultPlus.com