Michelle Obama nuk është vetëm bashkëshortja e ish presidentit amerikan Barack Obama. Ajo është një avokate shumë e suksesshme, por njëkohësisht edhe një oratore mjaft e mirë, cilësi e cila është vënë re edhe gjatë fjalimeve politike të zgjedhjeve.
Kaq e vërtetë është kjo, saqë në komentet e fjalimeve të saj në YouTube mund të lexoni shpesh edhe fjali të tipit : “Nëse ti do të garoje për presidente, vota ime do të shkonte për ty”.
Ndërkohë, në këtë material ne duam t’ju sjellim disa prej thënieve të saj më të mira që kanë për t’ju mbetur gjatë në mendje për shkak të “peshës” që kanë.
“Suksesi nuk ka të bëjë aspak me sasinë e lekëve që fiton, por me ndryshimin që ti bën në jetën e të tjerëve”.
“Ti duhet të shkosh në shkollë. Ti duhet të shkosh në kolegj. Ti duhet të diplomohesh me patjetër, sepse nëse ka diçka që njerëzit nuk mund ta marrin dot prej teje, ai është edukimi yt. Më beso që ia vlen çdo investim për edukimin tënd”.
“Le ta pranojmë tashmë. Meshkujt e fortë, ata që ia vlejnë t’i kesh idhuj, nuk e ulin një femër për t’u ndjerë vetë të pushtetshëm. Njerëzit që janë vërtetë të fortë, i ndihmojnë të tjerët të rriten bashkë me ta”.
“Nuk ke pse ndryshon për të qenë e rëndësishme. Ti je e rëndësishme ashtu siç je, pa ndryshuar gjë nga vetja”.
“Gjej dhe rri me njerëz që të bëjnë të ndihesh mirë”.
“Unë nuk i loja orët e mësimit. Më pëlqente shumë të merrja nota maksimale. Më pëlqente të isha e zgjuar. Mendoj se të jesh e zgjuar është gjëra më e bukur në botë”. / KultPlus.com
Sot bëhen 70 vjet nga vdekja e shktimtarit, patriotit dhe intelektualit, Haki Stërmilli, shkruan KultPlus.
Është nga ato personalitete të rëndësishme të letrave shqipe dhe veprimtarisë patriotike dhe dijetuese. Shkrimtari, gazetari, dramaturgu, atdhetari, janë ato shtresime ku ai dha më të mirën e tij, atë të një ylli që me kalimin e viteve e shton shkëlqimin e vet
Sepse sa më shumë që rrëmon në jetën dhe veprimtarinë e tij të shpaloset një realitet befasues, një e shkuar që koha ka guxuar ta nënshtrojë me harresë dhe errësirë. Asnjëherë nuk jemi të vonuar për t’iu rikthyer ridimensionimit të kësaj figure, opusit të këtij vepruese dhe krijuesi, me të cilin nuk na lidh vetëm një roman, por jo më pak e vlerësuar dhe e çmuar është krejt kolana e tij letrare dhe bedenat e larta të atdhetarit dhe patriotit, politikanit dhe ideatorit revolucionar.
Nuk ka dyshim se Haki Stërmilli zë një vend të vlerësuar në historinë e letërsisë shqipe, për kontributin e çmuara që ai ka dhënë në fushën e prozës, dramaturgjisë, letërsisë dokumentare etj. Por ajo që ngre vlerën e personalitetit të tij dhe duket se qëllimisht është mënjanuar është dhe veprimtaria dhe kontributi në lëvizjet politike dhe revolucionare për një Shqipëri të lirë e të pavarur. Ai është pjesëmarrës në ngjarje të rëndësishme të historisë së re shqiptare dhe kjo gjen shprehje në gjithë atë çfarë përbën angazhimin e tij letrar dhe politik. Të paktë janë ato personalitete që kanë zënë vend në kujtesën e brezave, të cilët të kenë një jetë kaq të stuhishme sa Haki Stërmilli.
Jeta e Haki Stërmillit kalon nëpër disa etapa vendimtare të historisë sonë, që nga fundi i Rilindjes, shpallja e Pavarësisë, Lufta e Parë Botërore, vitet 20 të rimëkëmbjes së shtetit shqiptar, mërgimi politik, koha e monarkisë, pjesëmarrja aktive në Luftën Nacionalçlirimtare e deri në çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë dhe kontributi i tij në ngritjen e shtetit popullor dhe hapat e para të letërsisë së re.
Haki Stërmilli mbetet një figurë, personifikim i përsosur i patriotit dhe demokratit, e shkrimtarit dhe intelektualit popullor, i mbrojtësit të lirive dhe të drejtave të njeriut, grave në veçanti, ku romani “Sikur t’isha djalë” është një emblemë e kësaj aspiratë në traditën tonë letrare.
Haki Stërmilli u lind në Shehër të Dibrës më 17 maj 1895. Atje ai mori mësimet e para. Arsimin e mesëm e nisi në Manastir por nuk mundi ta përfundojë për shkak të Luftës Ballkanike. Mbasi qyteti i Dibrës mbeti jashtë kufijve e shtyu Haki Stërmillin për t’u vendos në Shqipëri ku edhe angazhohet për tu bërë pjesë e administratës shqiptare të asaj kohe. Në vitet 1915-1918 punon si sekretar krahinor në Mat dhe Peshkopi, pastaj si sekretar i parë i nënprefekturës së Matit. Vlen për t’u shënuar dhe puna e tij si mësues personal i motrave Zogolli, të cilat ndikojnë te një lidhje dhe konsideratë e Ahmet Zogut, me të cilin e lidh edhe suksesi dhe divergjencat. Është kjo afri dhe kjo ndarje që në vetvete përbën një etapë shumë të larmishme të jetës dhe marrëdhënieve të tij si politikan dhe patriot.
Në vitet 1920-1924 u përfshi në lëvizjen demokratike, më 2 shkurt 1922 Ahmet Zogu i propozoi Kryeministrisë emrin e Haki Stërmillit për Sekretar të Shifrës ekuivalenti i sotëm i një posti ky në ministrinë e Ekonomisë. Këshilli i Naltë nuk e dekretoi Stërmillin, por pas një viti, Ahmet Zogu, tani ministër, e dekretoi më 16 janar 1923 si sekretar i Sekretarisë Sekrete. Propozimi do të miratohej nga Këshilli i Ministrave më 20 janar dhe 31 janar do të dekretohej nga Këshilli i Naltë. Si kryetar i Sekretarisë Sekrete, Haki Stërmilli qëndroi deri më 16 prill 1924, e u largua përfundimisht pas largimit të Zogut dhe emërimit të Shefqet bej Vërlacit kryeministër dhe Ministër i Brendshëm.
Pas Lëvizjes së qershorit, Haki Stërmilli merr pjesë në Kuvendin e Jashtëzakonshëm të shoqërisë “Bashkimi”, ku u zgjodh sekretar i shoqatës dhe ku u rivendos Llazar Fundo kryetar.
Me rikthimin e Ahmet Zogut dhe Triumfin e Legalitetit mërgon drejt Italisë, Francës, Austrisë, Gjermanisë, Polonisë dhe Lituanisë. Për një vit qëndroi në Bashkimin Sovjetik ku u takua edhe me Ali Kelmendin, bashkëpunoi edhe me KONARE-n. Më 1927 gjendet në Jugosllavi, ku qëndron në Manastir. Këtu më 17 mars 1929 në rrethana jo krejtësisht të sqaruara, dëbohet nga shteti jugosllav. I dorëzohet autoriteteve shqiptare në Bilisht, e vendosin në Korçë dhe pak ditë më pas në Tiranë ku e shoqërojnë në burg. Aty e takon miku dhe pasardhësi i tij në atë institucion që tashmë quhej Zyra Sekrete, Abedin Hoxha. Më 6 gusht 1929 dënohet me 5 vjet burg se kishte guxuar të propagandonte botërisht kundër regjimit dhe personit të Mbretit. Më 28 nëntor 1933 në sajë të një telegrami që i kishte dërguar NMT Zogu I për amnisti, falet dhe lirohet. Pas lirimit hapi një dyqan në rrugën Mbretnore, mbasi kishte bërë të mundur të punësohej te një firmë e huaj që shiste në Shqipëri llampat elektrike të firmës OSRAM. Shkruan më 6 prill 1939 “Ti leve o yll” për princin Leka.
Në biografinë e tij shënohej se më 31 korrik 1943 ishte hedhur në ilegalitet, kur kishte qenë në Tiranë. Më vonë do të zgjidhej në organet paralele të pushtetit komunist, duke filluar nga mbledhja e Labinotit në shtator 1943 e deri në anëtar i dalur nga kongresi komunist i Përmetit. Përfaqëson lëvizjen komuniste në mbledhjen e Mukjes. Për këtë shkak u zgjodh më 2 dhjetor 1945 dhe më 28 maj 1950 deputet. Pas 1945 ishte kryetar i Frontit Demokratik dhe nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv për Qarkun e Peshkopisë. / KultPlus.com
Janë përhapur me shpejtësi në internet pamjet e momentit kur aktivistja e njohur suedeze e klimës, Greta Thunberg, merret me forcë nga policia gjermane në Lützerath, ku mijëra vetë ishin mbledhur për të protestuar kundër shkatërrimit të këtij fshati dhe për ndalimin e nxjerrjes qymyrit në zonë.
20-vjeçarja ishte ulur buzë një muri me pamje nga miniera, duke shkaktuar shqetësimin e efektivëve të cilët e urdhëruan të largohej për sigurinë e saj.
Ajo nuk pranoi dhe policët e morën nga krahët dhe e tërhoqën zvarrë për një distancë të shkurtër. Videot e shpërndara në rrjetet sociale tregojnë momentin kur dy policët e marrin Gretën, që nuk pranon të largohet.
Thunberg e akuzoi Gjermaninë, se “është një nga mëkataret më të mëdha të klimës në botë” dhe bëri thirrje për vazhdimin e rezistencës.
Që të premten ajo kishte bërë apel në Lützerath kundër prishjes së fshatit dhe nxjerrjes së qymyrit nga koncerni energjitik, RWE.
“Nëse qeveritë dhe koncernet shkatërrojnë mjedisin, (…) njerëzit do të mbrohen”, ka thënë aktivistja.
Protesta e aktivistëve të klimës filloi paqësisht, por më vonë sipas të dhënave të policisë, u hodhën mjete piroteknike. Më pas pati përplasje dhe disa aktivistë arritën të thyenin kordonin policor dhe të hynin në zonën ku nxirret qymyri, Garzweiler II.
Ministri gjerman i Ekonomisë, Robert Habeck, kishte bërë të ditur para disa ditësh se qymyri në Lützerath nevojitet për sigurinë energjitike në këto kohë krize./Top Channel/ KultPlus.com
Romani “Klepsidra” i Danillo Kishit, i përkthyer nga shkrimtari, muzikanti, aktivisti dhe atdhetari Jusuf Gërvalla (1943-1982), është botuar për herë të parë në Kosovë më 1977, por pa emër përkthyesi. Ndërkaq, tashmë vjen i botuar nga ‘BardBooks’ për herë të parë me emrin e përkthyesit, dyzet vjet pas vrasjes së tij nga Shërbimi Sekret Jugosllav, i njohur si UDB, përcjell KultPlus.
Lajmin e ka bërë të ditur shkrimtari i njohur Ag Apolloni i cili në këtë ditë ka përkujtuar Gërvallën. Ndërkaq, libri do të dalë nëpër librari nga fundi i muajit.
Kujtojmë se 17 janari i vitit 1982, dita kur u vranë mizorisht vëllezërit Gërvalla është një datë e dhimbshme në historinë e shqiptarëve. Sot, shënohen 41 vjet nga vrasja e tyre.
Më poshtë gjeni postimin e plotë të Apollonit:
Një roman i përkthyer nga Jusuf Gërvalla, i cili u vra më 17 janar 1982 Romani “Klepsidra” i Danillo Kishit, i përkthyer nga shkrimtari, muzikanti, aktivisti dhe atdhetari Jusuf Gërvalla (1943-1982), është botuar për herë të parë në Kosovë më 1977, por pa emër përkthyesi. Kjo është hera e parë që botohet me emrin e përkthyesit, dyzet vjet pas vrasjes së tij nga Shërbimi Sekret Jugosllav, i njohur si UDB. Për arsye teknike, libri do të dalë nëpër librari nga fundi i muajit. Falënderoj tre anëtarët e Bard Books për punën e zellshme në përgatitjen e këtij libri: Mirjetë Sadikun, që e ka transkriptuar e korrektuar, Eronita Kqikun që e ka redaktuar, dhe Liridon Zekajn që e ka konceptuar dhe dizajnuar. Shtëpia botuese Bard Books, gjithashtu ka botuar librin “Mansarda” të Danillo Kishit, dhe do të vazhdojë t’i botojë edhe veprat e tjera të këtij autori jugosllav me prejardhje hebreje, vepra e të cilit është vlerësuar lart nga Milan Kundera, Philip Roth, Susan Sontag etj. Gjithashtu, për disa sqarime mbi përkthyesin, falënderoj zonjën Suzana Gërvalla./ KultPlus.com
Sot bëhen 555 vjet nga vdekja e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.
Në këtë datë të veçantë për historinë shqiptare, ka reaguar edhe shkrimtarja e njohur Flutura Açka e cila është shprehur të jetë e lumtur për numrin e lartë të gajtanëve të zi në veshjet shqiptare, që sipas saj, janë shtuar në shenjë zie të përjetshme pas vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, përcjell KultPlus.
“Rrallë ka ndodhur, a ndoshta kurrë, në të botës histori, t’mbash për njeriun si për hyjni, 555 vjet zi…
Ja dëshmia, gajtanët e zinj në veshjet shqiptare, që u shtuan në shenjë zie të përjetshme pas vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skënderberbeut”, ka shkruar ajo në rrjetet sociale. / KultPlus.com
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, përmes një njoftimi ka bërë të ditur se ka mirëpritur mësuesen Rukie Rama në Prishtinë. Sipas tij, mësuesja është frymëzimi i librit të Ismail Kadaresë, “Natë me Hënë”, i cili bazohet në ditarët e saj të vjedhur, të shkruar gjatë kohës kur ishte e burgosur politike, përcjell KultPlus.
“Ajo është fotografuar këtu me Meriman Brahën përballë Shoqatës së të Burgosurve Politik në Prishtinë, e cila mban arkivin më të madh të historisë gojore dhe koleksionin e njohur të të dhënave në letër të të burgosurve politikë në Kosovë”, shkruan ai.
Më poshtë gjeni postimin e tij të plotë:
Ishte një nder të mirëpresim në Prishtinë mësuesen Rukie Rama.
Mësuesja Rukie është frymëzimi i librit të Ismail Kadaresë, “Natë me Hënë”, i cili bazohet në ditarët e saj të vjedhur, të shkruar gjatë kohës kur ishte e burgosur politike.
Sot ajo është mësuese e gjuhës shqipe në Bruksel.
Na tregoi se si i merrte nxënësit e saj në Tropojë në skaj të kodrës për të parë Kosovën, e cila në vitin 1975 ishte e paarritshme për të udhëtuar nga Shqipëria, për shkak të kufijve të mbyllur të vendit.
Ajo është fotografuar këtu me Meriman Brahën përballë Shoqatës së të Burgosurve Politik në Prishtinë, e cila mban arkivin më të madh të historisë gojore dhe koleksionin e njohur të të dhënave në letër të të burgosurve politikë në Kosovë.
Kjo ishte një surprizë e papritur për ta, të dy ish të burgosur politikë nga regjime të ndryshme dhe që u takuan për herë të parë në Bruksel, më shumë se tridhjetë vjet më parë.
Ne nderojmë sakrificat e Mësueses Rukije dhe z. Braha dhe ngremë lart historitë e tyre e shumë histori të tjera drejtësie, guximi dhe lidershipi
Qëndrojmë në solidaritet me komunitetin e përndjekur politik duke besuar në universalitetin e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore të individëve.
Në shenjë vlerësimi dhe respekti të thellë, Kristalja i dhuroi Mësueses Rukie një karficë filigrani të punuar me dorë, me figurën e
ngre kokën për t’u përballur me diellin, simbolikë kjo për shpresën dhe rezistencën me të cilën na frymëzon Mësuesja Rukije. / KultPlus.com
Miss Kosova, Roksana Ibrahimi, është paraqitur në Miss Universe e mbuluar me shaminë e kuqe, e kësaj ia ka baskëngjitur edhe veprimin e ‘marrjes së dorës’, një traditë kjo e kohërave më të vjetra dhe me origjinë turke. Për këtë paraqitje ka reaguar edhe profesori Nezir Kraki, i cili thotë se duhet të alarmohemi si opinion e si popull karshi kulturës së hiçit, përcjell KultPlus.
Më poshtë gjeni reagimin e tij të plotë:
Kultura bën edhe pa art por arti pa kulturë assesi…
Paraqitja e fundit e miss Kosovës e ilustron shumë mirë këtë të dyten, dmth artin pa kulturë. Kur them kulturë nënkuptoj kultivim intelektual të pergjithshëm, jo mënyrë sjelljeje moralizuese.
Kultivim intelektual thash apo? Eh! Fiks aty është defekti i shumë krijimeve artistike që trevat shqiptare prodhojnë në media, rrjete sociale, teatër apo film. Ndoshta kjo është edhe arsyeja pse krijimet e tilla nuk i rezistojnë dot kohës e cila është e pamëshirshme ndaj artificiales, sipërfaqësores. Sepse një regjisor i pa kultivuar kurrë film të duhur s’mund të realizojë. Sikurse një aktor i palexuar që kurrë s’mishërohet sa e si duhet me personazhin që luan, sepse përmes leximit guxohet imagjinata e pakufishme. Edhe këngët janë të kota kur shkruhen nga autorë pa kulturë, po aq të kota sa emisionet televizive që për art kanë ose injorancën ose silikonin.
Leximi pra. Leximi do t’ia kishte evituar artin pa kulturë edhe personit që ideon paraqitjen e miss Kosovës. Leximi, kultivimi i përgjithshëm intelektual ta mundëson t’i respektosh të gjitha kulturat duke i njohur ato por sidomos duke e njohur tënden. Si shqiptarë nuk është se kemi mbiprodhuar kulturë e art këto dy mijë vitet e fundit por edhe pa to nuk jemi. Ato trashëgimi etnokulturore që kemi janë krenarisht të prezenentueshme jo vetëm në konkurse bukurie. Shipja p.sh. si gjuhë, bashkë me greqishten dhe armenishten, janë tri ‘izolatet’ e vetme gjuhësore të familjes indo-evropiane, dmth janë gjuhë pa familje dhe pa degëzime. Vijnë nga thellësite e kohës. Mu sikur veshjet dhe traditat tona, pjesë e madhe e tyre tradita parafetare.
Nuk është qëllimi t’i biem në qafë miss-it për artin patetik të cilin ajo e kompenson me dukjen e saj, sepse aty s’ishte për art. Ideja është të alarmohemi si opinion e si popull karshi kulturës së hiçit, artit të kot dhe krijuesve fiktivë që vepër të vetme kanë botën e tyre paralele brenda së cilës krijojnë « art ».
Kultura është ajo që mbetet kur t’i kemi harruar të gjitha, thoshte André Malraux. Atëherë, edukues e krijues të të gjitha fushave, kulturohuni, kultivohuni para se të krijoni. / KultPlus.com
Përgjatë 15 vjetëve që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, Qeveria në Beograd pretendon se 27 vende e kanë tërhequr njohjen e kësaj pavarësie.
Çnjohjet janë “akte të çrregullta ndërkombëtare”, të cilat kanë pasoja të shumëfishta për Kosovën, thotë eksperti i së drejtës ndërkombëtare, Gëzim Visoka.
Më 16 janar, kryediplomati i Togos, Robert Dussey, bëri të ditur tërheqjen e njohjes së Kosovës, gjatë një takimi me ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq.
Sipas pretendimeve të Beogradit zyrtar, Togoja – shtet në Afrikën Perëndimore – nuk qëndron e vetme në këtë aspekt.
Në fillim të këtij muaji, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, përmendi edhe nëntë shtete të tjera, për të cilat tha se e kanë tërhequr njohjen e Kosovës.
Radio Evropa e Lirë kontaktoi Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë lidhur me këtë çështje, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.
Në çfarë rastesh mund të ketë çnjohje?
Gëzim Visoka, profesor i Studimeve për Paqe dhe Konflikt në Universitetin e Dublinit në Irlandë, i cilëson çnjohjet e pavarësisë si “akte të çrregullta ndërkombëtare”, që, siç thotë, nuk janë të rregulluara mirë në të drejtën ndërkombëtare, “prandaj lënë hapësirë edhe për dyshime, keqkuptime, por edhe manipulime”.
Sipas tij, tërheqja e njohjes së pavarësisë së një vendi ka kuptim vetëm në rastet kur kanë ndryshuar rrethanat që nga njohja e pavarësisë – për shembull kur një shtet bashkohet me një tjetër ose e humb territorin.
Por, në rastin e Togos, Visoka thotë se arsyet që janë përmendur në deklaratën e njohjes – si konstatimi i vitit 2010 i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk bie ndesh me ligjin ndërkombëtar – nuk kanë ndryshuar.
Për këtë arsye, ai beson se çnjohjet e tilla janë pasojë e fushatës së palës serbe.
“Në esencë, çnjohja nuk vjen si vullnet i vendit çnjohës, por vjen si produkt i presionit nga ish-shteti amë ose bazë, i cili e përdor çnjohjen si instrument për ta shantazhuar, nënvlerësuar dhe dëmtuar shtetin e ri ose shtetin që përballet me çnjohje”, thotë Visoka për REL-in.
Togoja e ka njohur pavarësinë e Kosovës në vitin 2014, gjatë kohës sa ministër i Punëve të Jashtme i Kosovës ka qenë Enver Hoxhaj, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.
Kryediplomati aktual i Togos, Robert Dussey, ka ofruar mbështetje për kandidaturën e Hoxhajt në zgjedhjet e vitit 2021 për kryeministër të Kosovës.
Hoxhaj thotë se nuk ka pasur kontakte me Dusseyn pas vitit 2021, ndërsa fajëson Qeverinë e Kosovës për, siç thotë, tërheqjet e njohjeve.
“Në dy vjetët e fundit, Kosova nuk po zhvillon fare komunikim diplomatik, as vizita bilaterale, në një kohë kur Serbia po bën një fushatë të ndyrë kundër Kosovës. Prandaj, edhe tërheqja e njohjeve po ndodh”, thotë Hoxhaj për REL-in.
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, tha të hënën se çnjohja e Kosovës nga Togoja “ka ndodhur në vitin 2019”, ndërsa diplomatët kosovarë i kanë intensifikuar takimet me homologët e tyre që vijnë nga shtetet që Serbia pretendon se kanë tërhequr njohjen e Kosovës.
Serbia, me vite, ka qenë e angazhuar në fushatë për t’i bindur shtetet që e kanë njohur Kosovën, që ta tërheqin atë.
Një moratorium njëvjeçar mbi këtë fushatë ka qenë pjesë e një marrëveshjeje që Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar në Uashington në shtator të vitit 2020.
Më herët, ministri i Jashtëm serb, Daçiq, ka thënë se qëllimi i Beogradit është që numri i vendeve që e njohin Kosovën, të bjerë nën gjysmën e anëtarëve të OKB-së, përkatësisht nën 193.
MPJD e Kosovës ka të publikuar në ueb-faqen e saj një listë prej 117 shtetesh, për të cilat thotë se e kanë njohur Kosovën – në mesin e tyre figuron edhe Togoja.
Visoka thotë se vendet me demokraci të zhvilluar dhe me traditë në diplomaci, nuk e përdorin praktikën e çnjohjeve, dhe përmend si shembull qasjen e shteteve perëndimore në raport me Iranin, të cilit nuk ia kanë tërhequr njohjen, përkundër mosmarrëveshjeve.
“Në shumicën e rasteve, çnjohjet ndodhin prej rreth 15-20 shteteve që janë kryesisht vende post-koloniale, të cilat nuk kanë traditë të gjatë diplomatike dhe njihen për politikë të ndryshueshme të jashtme, të cilën e ndërrojnë varësisht prej ndihmës financiare, ekonomike, bile edhe ushtarake, që marrin prej fuqive rajonale ose ndërkombëtare”, thotë Visoka.
Sipas tij, kjo është pikërisht arsyeja përse Egjipti nuk e ka zyrtarizuar çnjohjen për Kosovën, por vetëm “e ka ngrirë atë”. Megjithatë, edhe ngrirja e marrëdhënieve mund të sjellë pasoja, sipas Visokës.
“Ngrirja e njohjes është si akt që dërgon sinjale, aty bën pazare pastaj, sepse procesi mund të kthehet ose të devijojë tutje”, thotë ai, duke shtuar se këto çnjohje, pastaj, përdoren për ta shantazhuar palën kosovare për të bërë kompromise në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Çfarë pasojash ka çnjohja?
Eksperti i së drejtës ndërkombëtare, Visoka, beson se Serbia nisi fushatën për çnjohje në vitin 2017, për t’i bërë presion Kosovës në një kohë kur refuzohej zbatimi i Marrëveshjes për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
“Ajo ka qenë, në njëfarë forme, agresion diplomatik dhe presion i Serbisë, që po e kthen prapë si vegël diplomatike për t’i treguar Kosovës që nëse nuk bën lëshime ose kompromis, ne jemi në gjendje t’ju tërheqim njohje, t’ju zvogëlojmë hapësirën ndërkombëtare dhe t’jua bëjmë të pamundur ekzistimin si shtet i pavarur”, thotë Visoka.
Deputeti nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj, thotë se Kosova rrezikon anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, pasi që, siç thotë, njohjet përkthehen në vota pro anëtarësimit të Kosovës.
“Kjo është një goditje e madhe ndaj sovranitetit të Kosovës, është një fushatë e egër e Serbisë, e cila po ndodh në nivele të ndryshme dhe është koha e fundit që Qeveria [e kryeministrit Albin] Kurti ta mbledhë veten, ta hartojë një plan veprimi, një strategji, dhe të lëvizë kudo që Serbia pretendon se mund të ketë çnjohje të reja dhe t’i parandalojë këto çnjohje të reja”, thotë Hoxhaj.
Visoka thotë se çnjohjet mund të kenë edhe efekt të masës.
“Sa më shumë çnjohje që ndodhin, aq më shumë do të vijnë. Kjo është e keqja, e kanë njëfarë efekti të topthit të borës – kur fillon ky proces, mund të devijojë edhe në drejtime të padëshirueshme”, përfundon Visoka.
Pavarësia e Kosovës
Kosova ka shpallur pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008, gati një dekadë pas përfundmit të luftës dhe tërheqjes së forcave serbe.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konstatuar në vitin 2010 se pavarësia e Kosovës “nuk bie ndesh me ligjin ndërkombëtar”.
Gati gjysma e mbi 100 shteteve që e kanë njohur Kosovën, e kanë marrë këtë vendim në vitin e shpalljes së pavarësisë, më 2008.
Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosovën nuk e njeh ende Serbia, e cila me Kushtetutë vazhdon ta konsiderojë si pjesë të veten, e as Bosnje dhe Hercegovina.
Nga vendet e Bashkimit Evropian nuk e ka njohjen e Greqisë, Rumanisë, Spanjës, Sllovakisë dhe Qipros.
Njohja e fundit që ka marrë Kosova ka qenë nga shteti i Izraelit, në shkurt të vitit 2021.
Kjo njohje ka qenë pjesë e një marrëveshjeje me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike, e nënshkruar në Uashington, më 4 shtator, 2020, në praninë e presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump.
Kosova, qysh në vitin 2011, është e angazhuar në një dialog për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian dhe mbështetet nga Shtetet e Bashkuara.
Autoritetet në Kosovë thonë se procesi duhet të përfundojë me njohje reciproke, ndërsa Serbia, tash për tash, kundërshton. /REL/ KultPlus.com
I lindur në Pejë, Gërvalla ndërroi jetë në Gjermani në vitin 1982.
Ai njihet si këngëtar dhe bashkë me Bardhosh Gërvallën na lanë disa melodi e këngë të cilat e bëjnë të pavdekshëm talentin dhe zërin e këtij njeriu.
Jeta e Jusuf Gërvallës ka qenë e vështirë, vdekja e tij ka qenë tragjike. Për këtë është thënë e shkruar shumë dhe do të thuhet e do të shkruhet shumë. Por, edhe shkrimtari J. Gërvalla pësoi vështirësira të mëdha. Për poetin, prozatorin dhe dramaturgun Gërvalla është thënë e shkruar relativisht pak. Vepra e tij letrare nuk është tepër e njohur, me gjithë botimin shembëllor që ia bëri J. Gërvallës më 1992 Sabri Hamiti (Jusuf Gërvalla: Vepra letrare. “Ora”, Prishtinë, 1992). Opinioni e respekton dhe adhuron dëshmorin e kombit, simbolin e luftës për liri, shembullin e kurajës prej qytetari dhe intelektuali, ndërsa duket se e harron shkrimtarin e rëndësishëm që ishte dhe mbetet. Roli i tij prej simboli të qëndresës e hijesuaka faktin se ishte poet i dorës së parë.
Në letërsi, ai nuk i takonte qarkut të “lapidaristëve” të poezisë fjalëpakë që e shoshiste të tashmen me shkrimin simbolplotë alegorik në petkun e arkaikes mbikohore e në frymën e visarit të traditave të lashta gojore.
Sa fort më mundon Vetmia, o nanë E votrën braktisa një ditë N’vendlindje ështe vjeshtë Tani është vonë Më presin të korrat e brengat
N’mendime më ke tretur Tani, o nanë Për birin që të la në vetmi Shikimi përhera kah dera përgjon Trokitje të lehta dëshiron.
Kthehu shpejt më ke pas thënë Se brengat më kanë molisur Të presin shokët një varr nën bli Porositë e babit tënd
Kaluan pranvera e vjeshta o nanë Që kur ti e ndjell veç një kthim Nëse vetë nuk do të mundem Do i them birit tim Në vendlindje le të shtrojë çdo gëzim
Të lutem jeto me shpresa o nanë Se dikush një ditë do të trokllojë Në atë vatër ku së pari zëri im jehoi Andej nipat do të ngrejnë shtëpinë. / KultPlus.com
Gjykata Evropiane e Drejtësisë anuloi vendimin për lejimin e pjesëmarrjes së Kosovës në Organin e Rregullatorëve Evropianë të Komunikimeve elektronik.
Pas ankesës së Spanjës, Kosovës i është mohuar pjesëmarrja në Trupin e Rregullatorëve Evropianë për Komunikimet Elektronike (BEREC).
“Nga viti 2018, Komisioni ka ndërmarrë veprime për zhvillimin e shoqërisë dixhitale dhe përafrimin e legjislacionit të këtyre vendeve me legjislacionin e BE-së. Një nga këto veprime ishte integrimi i Ballkanit Perëndimor në organet rregullatore ekzistuese ose grupet e ekspertëve, si BEREC”, thuhet në njoftimin për vendimin e Gjykatës.
Përpjekjet e Spanjës për mos ta lejuar pjesëmarrjen e Kosovës datojnë prej vitit 2019, menjëherë pas miratimit të vendimeve, të cilat përfshinin edhe Kosovën.
Në mars 2019, Komisioni Evropian miratoi gjashtë vendime në lidhje me pjesëmarrjen e autoriteteve rregullatore kombëtare (NRA) nga këto vende në BEREC. Në veçanti, ai pranoi NRA-në e Kosovës të marrë pjesë në bordin e rregullatorëve dhe grupet punuese të BEREC-it si dhe në bordin e drejtorëve të Zyrës së BEREC-it raporton gazeta Express.
“Në qershor 2019, Spanja ngriti para Gjykatës së Përgjithshme të Bashkimit Evropian një padi për anulimin e këtij vendimi. Ky padi u rrëzua me vendimin e 23 shtatorit 2020”.
Më pas, Spanja e çoi edhe në shkallën e dytë ankesën e saj për pranimin e Kosovës.
“Spanja apeloi kundër këtij aktgjykimi në nëntor 2020. Spanja kishte argumentuar para Gjykatës së Përgjithshme se vendimi i Komisionit shkel dispozitën e Rregullores aktuale të BEREC-it në lidhje me bashkëpunimin e këtij të fundit me organet e Bashkimit, vendet e treta dhe organizatat ndërkombëtare, pasi Kosova nuk ishte një “vend i tretë” sipas kuptimit të kësaj dispozite. Gjykata e Përgjithshme u shpreh se koncepti “vend i tretë” në kuptimin e kësaj dispozite nuk është i barabartë me atë të “shtetit të tretë”.
Trupi i Rregullatorëve Evropianë për Komunikimet Elektronike (BEREC), i përbërë nga Këshilli i Rregullatorëve dhe Zyra e tij u krijuan në vitin 2009.
Zhvillimi i tregut të brendshëm për rrjetet dhe shërbimet e komunikimeve elektronike dhe përmirësimi i funksionimit të tij janë detyrat kryesore të BEREC. Kjo e fundit duhet të sigurojë gjithashtu zbatim të qëndrueshëm të kuadrit rregullator të BE-së në këtë fushë. BEREC vepron gjithashtu si një forum për bashkëpunim ndërmjet autoriteteve rregullatore kombëtare (NRA) dhe ndërmjet NRA-ve dhe Komisionit./ KultPlus.com
Një numër fotosh, të paekspozuara më parë, që pasqyrojnë shkatërrimin brutal të getos së Varshavës nga nazistët, 80 vjet më parë, në vitin 1943, u shfaqën në Muzeun e Historisë së Hebrenjve Polakë “Polin”.
Rreth 21 foto, janë marrë në fshehtësi nga zjarrfikësi polak, Zbigniew Leszek Grzywaczewski, ndërsa nazistët i vunë zjarrin getos.
Kryengritja e getos së Varshavës, nga 19 prilli deri më 16 maj 1943, konsiderohet akti më i madh i rezistencës hebreje ndaj regjimit nazist gjatë Holokaustit.
Të udhëhequr nga Mordechaj Anielewicz, luftëtarët heroikë hebrenj, ndërsa popullsia u strehua në bodrume dhe kanalet e ujërave të zeza, kundërshtuan nazistët me të gjitha mjetet në një përpjekje për të parandaluar likuidimin përfundimtar të getos.
Gjë që nuk ndodhi, pas nazistët i vunë zjarrin të gjithë zonës dhe i dëbuan të mbijetuarit në kampet e vdekjes.
Fotot e marra nga zjarrfikësi dëshmojnë atë që ndodhi.
Grzywaczewski ishte në atë kohë një anëtar i rezistencës polake, dhe pas luftës një aktivist i njohur i “Solidarnosc”-it./ atsh / KultPlus.com
Stroop Report 2/4
Record Group 038
United States Counsel for the Prosecution of Axis Criminality; United States Exhibits, 1933-46
HMS Asset Id: HF1-88454435
ReDiscovery Number: 06315
Sot bëhen 555 vjet nga vdekja e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.
Në këtë datë të veçantë për historinë shqiptare, ka reaguar edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti i cili e quan Skënderbeun strateg të madh që për një çerekshekull i priu rezistencës kundër pushtimit osman në Arbëri, nga viti 1443 deri në vdekje më 1468.
Tutje Kurti, në postimin e tij në rrjetet sociale, shprehet se edhe sot, pas gati gjashtë shekuj nga koha kur jetoi, Skënderbeu vazhdon të frymëzoj me historinë e tij.
Ky është postimi i plotë i Kurtit:
555 vite më parë, vdiq Gjergj Kastrioti Skënderbeu, strategu i madh që për një çerekshekull i priu rezistencës kundër pushtimit osman në Arbëri, nga viti 1443 deri në vdekje më 1468. Historiani gjerman Jakob Philipp Fallmeryer, ishte ai i cili duke u mbështetur në një tekst të kronografit bizantin Georgios Sfranzis, e saktësoi datën e vdekjes së Skënderbeut, duke e fiksuar në 17 janar 1468.
Edhe gati gjashtë shekuj nga koha kur jetoi, Skënderbeu vazhdon të frymëzoj me historinë e tij. Skënderbeu ishte strategu ushtarak gjenial i cili me trupa ushtarake numerikisht të kufizuara, arriti t’u bënte ballë ushtrive të mëdha të forcës politike më të fuqishme të kohës, Perandorisë Osmane. Skënderbeu ishte politikani që arriti t’i bashkonte në Lezhë (1444) në një aleancë politike dhe ushtarake, dinastët e shumicës së fisnikërisë arbërore, pasi kishin rënë me radhë nën vasalitetin ose dominimin e osmanëve.
Diplomatët e tij si Pal Engjëlli, Gjergj Pelini dhe Gjon Gazulli por edhe vetë Skënderbeu, mbanin marrëdhënie diplomatike me Raguzën, me Republikën e Venedikut, me Janosh Huniadin e Hungarisë, me Papët e Selisë së Shenjtë në Romë si dhe me Alfonsin e Napolit dhe Aragonës, me të cilin lidhi Traktatin e Gaetës (1451). Siç është deklaruar edhe vetë si “mik i virtytit dhe jo i fatit”, Skënderbeu tregohej besnik ndaj aleatëve, aq sa për Ferdinandin I të Napolit, hyri në luftë me princat italianë (1461/’62) duke iu përgjigjur aleancës që kishte patur me të atin e tij, Alfonsin.
Me vulën e madhe dhe vulën e vogël në korrespodencat që lëshonte kancelaria e tij si dhe me stemën heraldike dhe ushtrinë e tij, Skënderbeu krijoi praktika të mirëfillta të një formacioni politik shtetëror sipas traditive mesjetare të kohës. Ai vazhdoi të besonte se mund ta përballonte depërtimin osman në Europë madje edhe kur Kostandinopoja ra në duart e osmanëve (1453), edhe kur disa nga fisnikët arbërorë i bënin oponencë apo edhe kur nuk i vinin ndihmat e premtuara nga perëndimi.
Shumë artistë dhe shkrimtarë nga Gentile Bellini te Spiro Xega, nga Antonio Vivaldi te Odhise Paskali dhe nga Henry Longfellow te Naim Frashëri, krijuan vepra artistike për Skënderbeun, kurse rilindasit shqiptarë e vendosën figurën e Skënderbeut në qendër të rrugës për kombformim. Përveç Tiranës, Prishtinës dhe Shkupit, sheshet e shumë qyteteve në botë mbajnë buste dhe shtatore të Skënderbeut, ashtu siç emrin e tij e mbajnë shumë rrugë, sheshe dhe shkolla.
Autorë e studiues të shumtë shkruan biografi dhe libra për Skënderbeun, përmes të cilave mund të njihet jeta dhe historia e tij, qysh nga nga niveli i regjistrimeve të bashkëkohësve si Marin Barleti dhe Dhimitër Frangu, deri te studimet bashkëkohore historiografike nga Aurel Plasari dhe Oliver Jens Schmitt në kohën tonë.
Lavdi heroit të shqiptarëve Gjergj Kastriotit Skënderbeut për jetë e mot! / KultPlus.com
I lindur në Pejë, Gërvalla ndërroi jetë në Gjermani në vitin 1982.
Ai njihet si këngëtar dhe bashkë me Bardhosh Gërvallën na lanë disa melodi e këngë të cilat e bëjnë të pavdekshëm talentin dhe zërin e këtij njeriu.
Jeta e Jusuf Gërvallës ka qenë e vështirë, vdekja e tij ka qenë tragjike. Për këtë është thënë e shkruar shumë dhe do të thuhet e do të shkruhet shumë. Por, edhe shkrimtari J. Gërvalla pësoi vështirësira të mëdha. Për poetin, prozatorin dhe dramaturgun Gërvalla është thënë e shkruar relativisht pak. Vepra e tij letrare nuk është tepër e njohur, me gjithë botimin shembëllor që ia bëri J. Gërvallës më 1992 Sabri Hamiti (Jusuf Gërvalla: Vepra letrare. “Ora”, Prishtinë, 1992). Opinioni e respekton dhe adhuron dëshmorin e kombit, simbolin e luftës për liri, shembullin e kurajës prej qytetari dhe intelektuali, ndërsa duket se e harron shkrimtarin e rëndësishëm që ishte dhe mbetet. Roli i tij prej simboli të qëndresës e hijesuaka faktin se ishte poet i dorës së parë.
Në letërsi, ai nuk i takonte qarkut të “lapidaristëve” të poezisë fjalëpakë që e shoshiste të tashmen me shkrimin simbolplotë alegorik në petkun e arkaikes mbikohore e në frymën e visarit të traditave të lashta gojore.
Këtu sot i zgjodhëm disa këngë të artistit. / KultPlus.com
Me rastin e 555-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastrioti Skënderbeut, kompozitori i mirënjohur Aleksandër Peçi, ka publikuar në faqen e tij online 6 vepra muzikore, dedikuar heroit tonë kombëtar.
Simfonia nr.5 me 10 kohë, muzika e filmit dokumentar “Skënderbeu” të regjisorit Vladimir Prifti, Vajtimi i Donikës, 2 vepra për piano, Sonata nr 3 për piano “Skënderbeu”.
“Disa prej këtyre veprave janë të reja për publikun”, shkruan Aleksandër Peçi dhe njëra prej tyre është “Vaji i Donikës”.
Ndërkohë ditën e djeshme Radio Qendrore e Bukureshtit ka transmetuar një emision special kushtuar heroit tonë kombëtar dhe mes të tjerash ka transmetuar edhe Simfoninë n5 Skënderbeu të Aleksandër Peçit./ atsh / KultPlus.com
Ka vdekur sot Edi Shukriu, shkrimtarja, arkeologia dhe historiania e shquar kosovare.
Humbja e saj është jashtëzakonisht e madhe për vendin tonë dhe një dhimbje e pashërueshme për të gjithë ata që e njohën.
Në kujtim të saj, ne po ju sjellim një fotografi të rrallë të Edi Shukriut pranë Ukshin Hotit, ish-bashkëshortit.
Ukshin Hoti, ishte profesor, shkrimtar, filozof, atdhetar dhe veprimtar i shquar i çështjes kombëtare në Kosovë, gjatë viteve 80’ dhe 90’. Ndërsa Edi Shukriu, është arkeologia e parë dhe shkrimtarja e parë shqiptare në Kosovë që botoi përmbledhjen me poezi “Sonte zemra ime feston” 1972. / KultPlus.com
17 janari i vitit 1982, dita kur u vranë mizorisht vëllezërit Gërvalla e Kadri Zeka, është një datë e dhimbshme në historinë e shqiptarëve.
Edhe pse kanë kaluar 41 vjet, ajo ditë mbetet përgjithnjë e freskët me zinë e saj jo vetëm për familjet, por edhe për një numër njerëzish që kanë qenë të lidhur shpirtërisht me ta.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, i ka përkujtuar në këtë përvjetor të vdekjes, vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zekën duke u shprehur se ata ishin mes dëshmorëve që vepruan deri në vdekje për lirinë e Kosovës.
Ky është postimi i plotë i kryeministrit:
”Deklaroj se mua J.G., vëllanë tim B.G. dhe shokun i vrau policia e fshehtë jugosllave… për të vetmen arsye se ne luftojmë për të drejtat e shqiptarëve të Kosovës… dhe që Kosova të jetë Republikë… Kaq kisha.” – Me këto fjalë i ka përshkruar çastet e fundit të jetës së Jusuf Gërvallës, shkrimtari Ismail Kadare, në tregimin e tij “Baladë për Jusuf Gërvallën”.
Por ky nuk është vetëm një dialog letrar, sepse ky tregim rrëfen një ngjarje të vërtetë historike.
Si sot, plot 41 vite më parë, më 17 janar 1982, shërbimi sekret i Jugosllavisë vrau në Untergrupenbach pranë Heilbronnit në Gjermani, Jusuf Gërvallën, Kadri Zekën dhe Bardhosh Gërvallën. Arsyeja e këtij atentati kriminal të autoriteteve të Serbisë, ishte aktiviteti i tyre për më shumë liri, për liri të plotë për shqiptarët, për çlirimin e Kosovës, për Republikën e Kosovës!
Profili i Jusuf Gërvallës është ai i një personaliteti kompleks, i një gazetari dhe aktivisti, i një poeti dhe këngëtari, si dhe i një patrioti që formimin e tij intelektual e përktheu në aktivitet politik, thellësisht politik. Ashtu siç edhe ai i Kadri Zekës, gazetarit dhe poetit, që artikuloi edhe në teza politike aktivitetin e tij dhe të shokëve të tjerë, në organizatat politike ilegale të kohës.
Jusufi na ka lënë shumë këngë bashkë me vëllain e tij Bardhoshin që ende dëgjohen dhe këndohen, siç na ka lënë dhe një trashëgimi letrare origjinale që vazhdon të lexohet dhe studiohet. Por mbi të gjitha, ai i ka lënë trashëgimi historisë moderne të Kosovës dosjen e tij, që nuk është vetëm dosja e vetë Jusufit, Bardhoshit dhe Kadriut, por është edhe dosja e një kohe kur Serbia shtypte dhe diskriminonte shqiptarët mbi baza etnike, burgoste, përndiqte dhe vriste ata që kishin guxim qytetar dhe vullnet politik për të kundërshtuar politikat e saj dhe për t’u ngritur kundër gjendjes së shqiptarëve në Jugosllavi.
Lavdi Kadri Zekës, Jusuf e Bardhosh Gërvallës, mes dëshmorëve që vepruan deri në vdekje për lirinë e Kosovës! / KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani e shoqëruar edhe nga kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca kanë qëndruar në Dubovik, në shtëpinë e vëllerzërve Gërvalla, ku u pritën nga zv, kryeministrja Donika Gërvalla, shkruan KultPlus.
KultPlus ju sjell të plotë njoftimin e presidentes Osmani.
Së bashku me Kryetarin Konjufca, u pritëm sot nga e bija e heroit Jusuf Gërvalla, Zv.kryeministrja Donika Gërvalla, në votrën e tyre, në Dubovik, ku nderuam kujtimin për shenjat e shenjta, të cilët përbëjnë fillet e luftës sonë për çlirim kombëtar.
Liria mbanë edhe emrat e Jusufit, Bardhoshit e Kadriut, kurse ne mbajmë të skalitur emrat e tyre jo vetëm në kujtesë, por edhe si referencë se si një jetë e tërë vihet në shërbim të atdheut!
Jusufi ishte jo vetëm një zë i veçantë në letërsi, gazetari e muzikë, por mbi të gjitha zëri i të vërtetës dhe lirisë sonë! Ai lindi artist, veproi si patriot e vdiq si hero. Gërshetimi i këtyre tri tipareve e shndërroi Jusufin në një personalitet poliedrik, një ikonë të kohës, një patriot që ëndrrën për liri e projektoi herët.
I përjetshëm qoftë kujtimi për Jusuf e Bardhosh Gërvallën dhe Kadri Zekën!/ KultPlus.com
Njerëzit do të kenë gjithmonë nevojë për mjekësinë, për doktorët e sidomos ata të fizioterapisë, viteve të fundit rëndësia e madhe e fizioterapisë vetëm sa ka dalë në pah edhe më shumë.
Përderisa ka dhimbje të mëdha e ç’rregullime të shumta të cilat mund të shërohen vetëm me fizioterapi, pa ndërhyrë me barëra të ndryshme, vërehet mirë rëndësia e këtij profesioni.
E përveç kësaj, një fizioterapeut/e është i domosdoshëm tashmë në secilin ekip të çfarëdo sporti.
Të studiosh fizioterapinë do të thotë hapësirë në tregun e punës dhe pagë të volitshme, fizioterapia mund të ndryshojë dhe të ndihmojë në kualitetin e jetës së njerëzve, andaj bëhu personi që sjell këtë ndryshim.
Paga e një fizioterapeuti/e në Europë është diku rreth 7,000€ në muaj dhe 82,200€ në vit, gjithmonë duke pasë parasysh që Universum është Kolegji me mundësitë më të mira për studim jashtë vendit.
Studio fizioterapinë në Kolegjin më kualitativ në vend, në Universum fizioterapia ligjërohet duke u kombinuar me praktikë nga ekspertë të fushës.
Për më shumë informata rreth programit kontakto +383 44 144 062, [email protected] ose ndiqni Kolegjin Universum në facebook & instagram.
Ka vdekur sot Edi Shukriu, shkrimtarja, arkeologia dhe historiania e shquar kosovare. Lajmin e ka bërë të ditur Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Dhimbjen për ikjen e Edit e kanë shprehur shumë personalitete nga arti e kultura e krerë të shtetit.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Harjulla Çeku, gjithashtu përmes një telegram ngushëllimi ka shprehur dhimbjen e tij për vdekjen e Edi Shukriut.
Çeku shprehet se kontributi i saj si akademike, profesoreshë universiteti dhe shkrimtare ishte i jashtëzakonshëm dhe do të mbetet një trashëgimi e pavdekshme.
Ky është Telegram ngushëllimi i ministrit me rastin e ndarjes nga jeta të akademikes Edi Shukriu:
E nderuara familje Shukriu,
Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të akademikes Edi Shukriu.
Si një profesioniste e pashoqe e arkeologjisë, arritjet e saja do të mbesin shembull për t’u ndjekur nga brezat e rinjë. Kontributi i saj si akademike, profesoreshë universiteti dhe shkrimtare ishte i jashtëzakonshëm dhe do të mbetet një trashëgimi e pavdekshme, duke frymëzuar edhe më tej kultivimin e vlerave krijuese.
Familjes, miqve dhe dashamirëve, ju shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta.
Me respekt, Hajrulla Çeku Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit. / KultPlus.com
Qamil Batalli lindi në Prishtinë. Në vendlindje mbaroi shkollën e mesme, për të vazhduar më pas universitetin në Beograd.
Njihet kryesisht si poet dhe prozator për fëmijë, por herë pas here është marrë edhe me tregime humoristike për të rritur dhe dramë. Ka botuar 14 përmbledhje me poezi, duke filluar nga mesi i viteve ’60, deri nga fundi i viteve ’80.
Drama e tij “Ejona” 1987, mishëron një sinteze të fuqishme të mitit të pushtetit të dhunës në formën e fantazmave të vjetra, në petkun e ri që pasqyrohet si parabolë e stigmatizimit të hipokrizisë dhe nënshtrimit.
Qamil Batalli vdiq më 17 janar të vitit 2009 në Prishtinë ku edhe u varros. / KultPlus.com
KultPlus e risjell intervistën me Edi Shukriu që është realizuar me rastin e fundvitit 2021 nga kryeredaktorja e KultPlus, Ardianë Pajaziti.
Gjithçka është e pazakontë te kjo grua, emri i saj përfundon me prapashtesën i, që nuk është i zakonshëm te emrat e vajzave shqiptare, si vajzë e re është sfiduar edhe në boks, dhe në vitet e 60-ta, kur shumica e vajzave ëndërronin të bëheshin mësuese, ajo guxoi të ëndërronte për arkeologjinë. Është gruaja që kaloi rreth dhjetë vjet me Ukshin Hotin, dhe gruaja që qëndroi politikisht afër Ibrahim Rugovës. Edhe sot vazhdon të jetojë në të njëjtën banesë ku kishte jetuar me Ukshin Hotin, në lagjen Ulpiana, dhe pikë të dobët ka Parkun Arkeologjik “Ulpiana”. Edi Shukriu, në një intervistë për KultPlus ka dhënë detaje për krejt këto zhvillime, për studimet në Beograd, për jetën me Ukshin Hotin, divorcin, angazhimin politik përkrah Ibrahim Rugovës. Në këtë intervistë, ajo shpalosë edhe karakteristikat për këto dy figura të popullit shqiptarë.
Ardianë Pajaziti
Hapat e saj të vegjël nëpër kalldrëmin e Prizrenit, kureshtja e saj për ata gurë që shtronin rrugicat ku shëtitej me prindërit dhe vëllain e saj, ngjitja e shpeshtë deri të Kalaja e këtij qyteti, në shpirtin e saj kishin zgjuar një dëshirë të pazakontë për kohën në të cilën jetonte. Përderisa, shumë prej moshatareve të saj dëshironin të bëheshin mësuese, infermiere, e ndonjë edhe mjeke, Edi Shukriu ishte mes dilemës së arkitekturës dhe arkeologjisë. Dy profesione jo të shpeshta, as për djemtë e asaj kohe, e lëre më për vajzat.
Edi Shukriu si fëmijë.
“Dëshira për të studiuar arkeologjinë, mendoj se lindi nga ngjitjet e mia të shpeshta deri të Kalaja e Prizrenit. E mendoja si qendrën e botës, dhe njësoj e vlerësova deri në kohën kur udhëtova në shumë anë të botës, dhe pashë shumë e shumë kala, dhe atëherë e kuptova se Kalaja e Prizrenit, që e mendoja aq madhështore, në fakt nuk ishte kala, por një rrënojë, por një rrënojë që zgjoi te unë shumë dashuri për arkeologjinë”, kujton fillimet e saj Edi Shukriu, e cila për KultPlus tregon se po mos të ishte kjo pikë e Prizrenit, dhe vizitat e saj nëpër vende të ndryshme, nuk do të lindte dëshira për krahasime, pikë vendimtare e arkeologëve për gjetjet nëpër periudha të ndryshme kohore.
Po aq sa e inspiroi Prizreni për arkeologji, një pjesë të ‘fajit’ e ka edhe Shkupi, vend në të cilën Edi e kalonte një pjesë të madhe të kohës, pasi që në atë qytet i jetonte gjyshja.
Kurse guximi për të ëndërruar drejt një profesioni kaq të rrallë në Kosovë, ishte guxim që ishte ndërtuar në familjen ku edhe rritej Edi Shukriu. Ajo kujton për lexuesit e KultPlus, se edhe babai i saj kishte punuar shumë për trashëgiminë kulturore, se mamaja kishte një shkollë shumë të veçantë, atë të jetës, dhe këto dy elemente kishin bërë që në këtë familje guxonin të ëndërronin. Njëri mysliman, e tjetra katolike po mundoheshin të hapnin portat për dy fëmijët e tyre, e që Edi kujton se mamaja, babit të saj ia mësoi gjuhën shqipe, pasi që, Edi kujton se familjet e Prizrenit flisnin një gjuhë shqipe të çaluar, por se nëna Margaritë ia mësoi gjuhën e rrjedhshme shqipe.
Edi Shukri, studente në Beograd.
Në Beograd nisa studimet në vitin 1968, vit kur në Kosovë kishin nisur shkundjet e para shqiptare nëpërmjet protestave
Dhe përderisa ëndrra e saj për një arkeologe të ardhshme po merrte formë, tashmë kishte dilemën tjetër, se nëse do të duhej të studionte në Zagreb, që aq shumë e dëshironte, apo në Beograd, ku për shkak të rrethanave, u detyrua të zgjedhë këtë të dytën.
“Udhëtimi për Zagreb ishte shumë i gjatë, kurse në Beograd ishte më afër. Udhëtoja tërë natën, dhe në mëngjes isha në Beograd, kurse në Zagreb, më duheshin edhe 12 orë shtesë”, kujton Edi Shukriu, e cila studimet e arkeologjisë i nisi në vitin 1968, vit kur në Kosovë kishin nisur shkundjet e para shqiptare nëpërmjet protestave, e shkundje që e vështirësonin stabilitetin e studentëve shqiptarë në Beograd, të cilët nuk ishin të paktë dhe studionin në drejtime të ndryshme.
Edi Shukriu kujton edhe dallimet që kishte nuhatë edhe nga ana e profesorëve, kur shpesh herë ishin shumë më kërkues ndaj saj si studente shqiptare, se sa te studentët vendës, padrejtësi në nota dhe në shumë ngufatje të tjera, por që Edi Shukriu i vlerëson edhe si pozitive.
“Kisha një profesoreshë të frëngjishtes, që ishte serbe por që vinte nga Kroacia, aq kërkuese ishte ndaj meje, sa detyrohesha të mësoja aq shumë, vetëm që të mos më zinte ngushtë. Por si rezultat i kërkesave të saj, unë më vonë isha falënderuese, sepse, gjuha frënge është gjuha që e zotëroj më së miri, pas gjuhës shqipe”, kujton Edi Shukriu.
Viti i parë dhe i dytë i studimeve, në kryeqytetin e Serbisë nuk ishte i lehtë për Edi Shukriun edhe sa i përket anës së financave. Nuk i ishte siguruar ndonjë bursë, dhe studimet kishin rënë mbi barrën e familjes së saj.
“Më ka ndodhë që ndonjë ditë të mos ha ushqim, shumë shpesh më duheshin paratë edhe për blerje të librave, dhe detyrohesha që të rrija pa ushqim. Por këtë gjë nuk ia kam thënë asnjëherë prindërve, tash po e them, sepse të dy më nuk janë në mesin e të gjallëve”, rrëfen Edi Shukriu, e cila më pas detajon se pas vitit të dytë, bursa i ishte siguruar nga Universiteti i Prishtinës, dhe studimet ishin pak më të lehta. Dhe pas përfundimit të fakultetit, Edi Shukriu vazhdoi edhe magjistraturën, dhe paralelisht punonte edhe në Muzeun e Kosovës, për të vazhduar më pas edhe doktoraturën në Universitetin e Prishtinës, ku edhe mbrojti tezën mbi qeramikën e helenizuar të epokës së Hekurit në Kosovë (shek. VI-IV p.K) “Dardanët janë ilirë”, tezë që u mbrojt edhe para mentorëve serb, në vitin 1990.
Në Gradinën e Gadimes së Epërme po bëja kërkime arkeologjike, aty erdhi të më takojë Ukshin Hoti
Përderisa jeta e saj prej arkeologe po pasurohej edhe me hulumtime të herë pas hershme brenda lokacioneve arkeologjike të Kosovës, Edi po synonte edhe mësimin e gjuhës angleze, e që po shikonte ndonjë alternativë që të shkonte në Angli, për të mësuar gjuhën angleze.
Ishte viti 1972, koha edhe kur kishte përfunduar studimet në Beograd, dhe bashkë me mamin e saj ishin drejtuar në një zyrë, që të bënin kërkesën që ta mbështesnin për udhëtimin në Angli.
“Në atë takim na priti Ukshin Hoti, atëherë ishte në një pozitë që nuk e kishte titullin e ministrit të punëve të jashtme, por që në ato kompetenca ishte. Nuk u mbështeta për këtë udhëtim, por ky udhëtim ishte shkas që të njihem me Ukshin Hotin”, tregon Edi Shukriu.
Dhe, përderisa i kishte dështuar udhëtimi në Angli, Edi bashkë me një grup të arkeologëve po bënin hulumtime në Gadime të Epërme. Dhe në kodrën e Gadimës, Ukshin Hoti ishte ngjitur për ta takuar Edin, ku sipas saj, pas disa takimeve të shpeshta, ata edhe u lidhën, lidhje që solli edhe vendimin për martesë, në vitin 1974, ku nga ajo martesë kanë vajzën Erletën.
E kujton si njeriun që ka njohur më së miri marrëdhëniet ndërkombëtare, si një njeri që ka ditur shumë gjuhë të huaja, e që shumicën prej tyre, sipas Edit, i ka mësuar vet, si një njeri me një dashuri të paparë për kombin, e që sipas saj, nuk sheh aq shumë të tillë me këto karakteristika.
Edi Shukriu dhe Ukshin Hoti
Edi me fjalë të pakta kujton jetën me Ukshin Hotin, jetë që e kishin bërë në banesën e vogël në Ulpianë, ardhjen në jetë të Erletës, rënien e tij në burg në vitin 1981, por edhe lirimin e tij nga burgu në vitin 1985, e që nuk doli të jetë me fat për familjen tre anëtarëshe, pasi që, ashtu sikur edhe kujton Edi Shukriu, Ukshini kërkoi divorcin, dhe familjes së re i iku fija e lumturisë.
Kur e pyes se çfarë dokumenti, letër apo ndonjë gjë personale të Ukshin Hotit e posedon edhe sot, Edi refuzon të flas. Ajo thotë se ka gjësende të Ukshin Hotit, por nuk dëshiron ti bëj publike, për faktin se, shumë të tjerë e kanë keqpërdorë emrin e tij.
Erleta Hoti
“Unë dhe vajza ime jemi kujdesur shumë që ta ruajmë imazhin e tij, e kanë keqpërdorë shumë emrin e tij. Kanë shkruar shumë për Ukshinin, kanë bërë filma dokumentarë, kurrë askush nuk erdhi të më pyes rreth Ukshinit. Asnjë film nuk vlen, sepse mungon shumëçka në ato realizime. Kam qenë kundër edhe për Muzeun e Ukshin Hotit në Krushë të Madhe, ky kundërshtim erdhi si rezultat i asaj, sepse me atë muze ata e grimcuan Ukshinin, e ulën në nivele lokale, e Ukshin Hoti ishte i krejt Kosovës, nuk ishte vetëm i Krushës së Madhe”, shprehet Edi Shukriu, e cila vazhdon të jetojë edhe më tutje në banesën ku kishte jetuar me Ukshin Hotin, e që së fundi, kishte gjetur edhe një fletë dërgesë të burgut, kur i kishte dërguar ushqim e cigare. “Ishte data dhe përshkrimi, i dërgoja ushqim e cigare, në atë kohë pinte “Kent”, tregon Edi, për ato kujtime, e që vajzës i thoshte atëherë se babi po punonte, e asnjëherë si kishte treguar se ai ishte në burg.
Se kanë humbur shumë dokumente, materiale të rëndësishme, Edi Shukriu kujton edhe hyrjet e shpeshta të policisë serbe, e që sipas saj, sa herë që kanë hyrë në banesën e tyre, ata kanë marrë gjësende të ndryshme.
Edi Shukriu me nënën dhe vajzën.
Jam arkeologia e parë që kam iniciuar hulumtime të nivelit ndërkombëtar në Ulpianë, bashkë me një koleg timin futëm edhe para tona, sepse nuk patëm mbështetje
Profesoreshë e UP-së, akademike, publiciste, poete dhe një grua aktiviste, Edi Shukriu konsiderohet si arkeologia e parë që ka iniciuar hulumtime të nivelit ndërkombëtar në lokacionin e Ulpianës, e që sipas saj, para luftës ishin bërë nga arkeologë serb dhe ekipe prej Beogradit.
“Hulumtimin në nivel ndërkombëtar e realizova me një profesor francez, e që ishte prej vitit 2006 e deri në vitin 2010, po sikurse në çdo fushë tjetër, edhe në këtë pikë patëm probleme financiare. Më vinte keq që ti tregoja profesorit francez se kemi probleme me financa, unë dhe një ish student i imi futëm mjetet vetanake, kolegu im që i dha paratë për hulumtim, ato mjete i kishte të ndara për blerjen e një banese, por i futi bashkë me mua në hulumtim”, tregon Edi, e cila shprehet të jetë e lumtur se hulumtimet po ecin edhe sot, por, sipas saj jo në tempo të duhur.
Edi Shukriu, e cila në rininë e saj u sfidua edhe në skijim, boks, pingpong e hendboll, duket se nuk mjaftohej me angazhimet. Duke anashkaluar krejt titujt shkencor, angazhimin institucional dhe atij prindëror, bashkë me shumë gra të tjera, shumë shpesh dolën rrugëve të Prishtinës, për të kundërshtuar terrorin serb, e që shumë shpesh ishin të rrethuara nga forcat serbe.
Edi Shukriu dhe Ibrahim Rugova
“Nuk mendonim për vete në atë kohë, ishte një proces i përgjithshëm. U pata propozuar që të jem edhe në kryesi të LDK-së, po nuk pata pranuar. Vajza më rritej pa baba, kisha frikë se mund të më burgosnin edhe mua, edhe nuk ishte e lehtë ta lija vajzën pa asnjërin prind”, tregon Edi, e cila, pos që kishte fatin të kishte për bashkëshort njërin prej figurave më të rëndësishme të historisë shqiptare, ajo në të njëjtën kohë punonte afër një njeriu shumë të rëndësishëm për popullin shqiptar, Ibrahim Rugovës.
Rugovën e kujton si një njeri që e ka njohur më së miri mentalitetin shqiptar, një njeri që ka pas shumë guxim për rrethanat më të vështira të shqiptarëve.
“Por unë mendoj që një njeri duhet të shihet në krejt kompleksitetin e tij, shumë herë më është kërkuar që të shkruaj rreth Rugovës, por kam refuzuar. Refuzoj të shkruaj në superlativ për njerëzit, sepse kështu po krijojmë mite, e duke krijuar mite, jemi aty ku edhe jemi”, ka thënë Edi.
Vazhdon të jetojë edhe më tej në banesën e njëjtë ku edhe e kurorëzoi martesën e saj me Ukshin Hotin. “Shumica e interierit është e njëjtë, sikurse ai i viteve të 70-ta. Edhe muret janë kujtesë”
Kjo grua që në lëkurën e saj ka përjetuar rëniet dhe ngritjet, momentet kur njerëzit bëheshin se nuk po e shihnin në rrugë, vetëm për faktin se Ukshini ishte në burg, momentet kur duhej të ishte vetë nënë e vetë baba, kohën kur dilte me një bukë në dorë, për të kundërshtuar regjimin e Millosheviqit, kurrë asnjëherë nuk e kishte menduar që të ikte e ta linte Kosovën.
“Edhe si fëmijë patëm pas një krizë, kur babi ngeli pa punë për një vit, dhe menduam të shkonim në Zarë të Kroacisë, falë të afërmeve të mamit. Babi na përgatiste për këtë udhëtim, duke na treguar rrëfime për detin, lundrat e shumëçka rreth jetës në bregdet. Ishim në pikën e fundit për udhëtim, nëna ime refuzoi. ‘Nuk mund të lë kalldrëmin e Prizrenit’, pati thënë nëna, fjali që vendosi përfundimisht jetesën tonë në Kosovë. Si duket edhe unë kam trashëguar këtë element nga nëna ime. Kam pas mundësi të udhëtoj në shumë vende të botës, por asnjëherë se kam menduar të lë Kosovën”, shprehet Edi.
Edi Shukriu me familjen e saj.
Me titullin akademike, me një emër të çuditshëm për emrat e vajzave shqiptare, pasi merr prapashtesën i, Edi Shukriu që ka publikuar shumë punime shkencore, ka shkuar deri në Harvard dhe ka publikuar edhe poezi. Krejt këtë angazhim shkencor, human e letrar e vlerëson si një punë që e ka bërë pse është dashur ta bëj, pa i menduar asnjëherë pasojat.
Me gratë e Forumit të Gruas
Deputete, themeluese e Forumit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, themeluese e partisë Alternativa Demokratike e Kosovës, anëtare e Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve në Salzburg, 71 vjeçja, vazhdon të jetë edhe sot aktive, e që vazhdon të jetojë edhe më tej në banesën e njëjtë ku edhe e kurorëzoi martesën e saj me Ukshin Hotin. “Shumica e interierit është e njëjtë, sikurse ai i viteve të 70-ta. Edhe muret janë kujtesë”, tregon Edi, e cila përkundër shumë peripecive, ka një humor shumë të theksuar.
Dhe në momentin kur po mendoja se po mbyllej kjo intervistë, Edi Shukriu më zbuloi diçka nga thesari i përbashkët me Ukshin Hotin. “Kam një shigjetë nga Ukshini, e solli prej Afrikës”, ishte pjesa që zbuloi, pa dhënë më shumë detaje se edhe çfarë gjësende apo dokumente zotëron kjo grua, që hulumton në lokacionin Ulpiana, dhe vazhdon të jetojë në lagjen Ulpiana./ KultPlus.com
Politikania e njohur Edita Tahiri është shprehur e tronditur nga vdekja e Edi Shukriut, anëtares së Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
“U trondita thelle nga humbja jote mikja ime e madhe e jetes dhe luftes per liri dhe pavaresi, Edi Shukriu ishe dhe mbetesh ikonë e kombit shqiptar, shkelqeve në gjithë veprat kombëtare, akademike, politike, diplomatike, letrare”, shkroi Tahiri në një postim në Facebook.
“Ngushellime te thella bijes se dashur Erletes dhe mbeses Nia dhe familjes Shukriu dhe miqeve!”, shtoi ajo. / KultPlus.com
Ndrekë Luca, malësori që dashuronte librat po me të njëjtën forcë pasioni dhe përkushtimi sa dhe skenën, ishte ndoshta prej atyre potencialeve njerëzore që dha me mish e me shpirt energji krijuese, me të cilën ai ngriti në Panteon emrin e tij dhe në pavdeksi role dhe personazhe, tipa dhe karaktere të cilët mbetën gjurmë inkandeshente në historinë e kinematografisë shqiptare. Zemrën ai e blatoi në themelet e artit të bukur të aktrimit, duke besuar se jeta që ai u dha personazheve që luajti, ishte të gjallët që lartësoi ai në eterin e lavdisë.
Përgjatë gjithë rrugëtimit të stuhishëm, nga jeta në skenë, nga shprehia e natyrshme e një bashkëshorti të dashur dhe prindi të përkushtuar, ai e mbrujtin atë emër dhe dinjitet që përfaqësoi me një krenari malsori dhe përkushtim të talentit. Nga skenta e Teatrit “Migjeni” në sheshxhirimet e filmave, ai ofroi përgjegjësi të lartë dhe një pasion që i shndërroi gjithë ato personazhe dhe karaktere në një identitet të ri, me të cilat jetoi sa ishte gjallë, dhe do të kujtohet përgjithmonë.
Në kujtesën e kolëgëve, regjisorëve dhe operatorëve, ai ka mbetur shpirtërisht ai, malësori me karakter të fortë dhe artisti me një zjarr të pashuar pasioni dhe përkushtimi. Loja e tij në teatër dhe në kinematografi, morën njëjtë prej tij, energji dhe forcë, shpirt shpërthyes dhe ndjenjë delikate.
Vitet ikin, por emri dhe vepra e të madhit Ndrek Luca mbetet emblematike e traditës së artit skenik shqiptar. Tipat dhe karakteret që ai solli me një mjeshtëri të admirueshme, e kanë shndërruar Ndrek Lucën në një prej korifejve të artit skenik. Rolet e tij, pavarësisht se shumican prej tyre e përbëjnë personazhet negativ, mbeten të papërsëritshëm dhe konkurues përnga niveli interpretativ, plastika dhe origjinaliteti i jetësimit.
Ndrekë Luca, malësori që dashuronte librat po me të njëjtën forcë sa dhe pasionin për skenën. Shpirtin e tij e blatoi në themelet artit të bukur të aktrimit, duke besuar se jeta që ai u dha personazheve që luajti, ishte të gjallët që lartësoi në eterin e lavdisë.
Përgjatë gjithë rrugëtimit të tij të stuhishëm, nga jeta në skenë, nga e zakonta e një bashkëshorti të dashur dhe prindi të përkushtuar, ai e mbrujtin atë emër dhe dinjitet që përfaqësoi me një krenari malsori dhe përkushtim të talentit. Nga skenta e Teatrit “Migjeni” në sheshxhirimet e filmave, ai ofroi përgjegjësi të lartë dhe një pasion që i shndërroi gjithë ato personazhe dhe karaktere në një identitet të ri, me të cilat ai jetoi sa ishte gjallë, dhe kujtohet ende.
Në kujtesën e kolegëve, regjisorëve dhe operatorëve, familjarëve gjithashtu, ai, Ndrek Luca ka mbetur shpirtërisht ai, malsori me karakter të fortë dhe artisti me një zjarr të pashuar pasioni. Loja e tij në teatër dhe në kinematografi, morën njëjtë prej tij, energji dhe forcë, shpirt shpërthyes dhe ndjenjë delikate.
Rikard Ljarja pas vdekjes së tij është shprehur:
‘’Atij i plasi shpirti.
Vdekja e tij ishte një protestë kundër gjithë helmit e handrakut që gufoi e rridhte gjithandej e gjithkund, grykësisë, pseudokulturës, pseudodemokracisë, pseudoatdhetarisë e pseudofetarisë.
Edhe këtë radhë ai nuk kishte kohë, nuk kishte kohë dhe mundësi të merrej një i vetëm kundër gjithë asaj hipokrizie dhe shtiracakësh që e rrethonin, dhe iku. I la të gjithë. I përbuzi. Nuk i duronte, sepse i vetëm nuk mund t’i përballonte.
Por Ndreka është gjallë, është gjallë në gjithë veprën e tij aktoriale, edhe atë të shkruar, është gjallë edhe në të gjithë vdekjet e panumerta që ka interpretuar.
Fenomeni Ndrek Luca ishte madhështia e thjeshtësisë.
Duhet studiuar dhe duhet marrë shembull’’.
Dhe ashtu është! Ndrek Luca mbetet gjallë. I pavdekshëm në gjithçka krijoi, në çdo vlerë që portretizoi duke e lënë pikërisht ikjen për në fund…
Ndrek Luca u lind më 3 Shtator të vitit 1927 në Dukagjin. Familja e tij shpërngulet në Shkodër qysh kur ai ishte në moshë të vogël. Që në fëmijëri ai ka pasur pasion për aktrimin. Ky pasion do ta shtyjë atë që në vitin 1950 të kërkojë nga organet e kohës të aktivizohet më Teatrin e Ushtrisë pas mbërritjes së tij në atdhe në përfundim të Shkollës e Aviacionit kryer në Jugosllavi . Falë talentit të jashtëzakonshëm dhe përkrahjes së regjisores ruse të këtij teatri Zina Andro, kalon në Teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar) në vitin 1950 si aktor profesionist. Roli i tij i parë në këtë Teatër do të ishte po atë vit në 11 Nëntor roli i Shpend Gjeto Plakut në dramën “Halili dhe Hajria” të Kolë Jakovës. Më tej do të vazhdonin një galeri e tërë personazhesh, mbi 100, që do ta bënin Ndrek Lucën një nga aktorët më të dashur të publikut shqiptar. Këtu mund të përmendim rolin e Xhirit në dramën “Arturo Ui” të Bertold Brehtit, rolin e Jagos në tragjedinë “Otello” i Shekspirit, rolin e Bacës së Gjetajve në dramën “Baca i Gjetajve” të Fadil Krajës, rolin e Lekës në dramën “Toka jonë” të Kolë Jakovës, rolin e Brung Trolit në dramën “Përmbytja e madhe” e Kolë Jakovës e shumë të tjera. Përveç interpretimit ai ka shkruar edhe pjesë teatrale ku më e njohura është “Shtatë Shaljanët” si dhe “Votra e huaj”, të interpretuara në skenën e Teatrit “Migjeni” si dhe pjesët “Andra në diell”, “Bardha”, “Histori Irkutase” etj. Del në pension në vitin 1987.
Në kinematografi roli i tij i parë do të jetë ai i Tomorrit në filmin “Detyrë e posaçme” në vitin 1963. Më tej do të vazhdonin më se 30 role ndër më të spikaturat këtu mund të përmendim rolin e Dom Palit në filmin “Komisari i Dritës”, rolin e Kapter Rahmiut në filmin “Duel i heshtur” , rolin e Gjinit në filmin “Plagë të vjetra”, rolin e Pjetër Mustaqekuqit në filmin “Operazioni Zjarri”, rolin e Ndrios në filmin televiziv “ Udha e shkronjave” etj.
Të shumta kanë qenë Medaljet dhe Çmimet që ai ka marrë gjatë karrierës së tij. Kështu për rolin e Gani Herrit në filmin e “Rrugicat që kërkonin diell” ai do të vlerësohej me Çmimin e I-rë dhe me Medaljonin e Festivalit në Festivalin e I-rë të Filmit Shqiptar të mbajtur nga data 5 deri në 11 prill të vitit 1976 në Tiranë.
Për rolin e Mark Sokolit në filmin televiziv “Flaka e Maleve” ai do të vlerësohet me Medaljonin e Festivalit në Festivalin e V-të të Filmit Shqiptar të mbajtur nga data 19 deri në datën 23 prill të vitit 1983 në Tiranë.
Për rolin Vuhan Pashait në filmin “Balada e Kurbinit” ai do të vlerësohej me Medaljonin Festivalit në Festivalin e IX-të të Filmit Shqiptar të mbajtur nga data 12 deri në 17 nëntor të vitit 1991 në Tiranë.
Ndahet nga jeta dhe nga familja e tij e dashur në 13 Janar të vitit 1993.
Për nder të tij Bashkia e Tiranës në vitin 2005 ka titulluar me emrin e tij një nga rrugët e kryeqytetit.
Për meritat e tij artistike Ndrek Luca është vlerësuar me titullin e lartë “Artist i Popullit”.
Kinematografi
1996 — Viktimat e Tivarit (Film TV)
1989 — Balada e Kurbinit….Vuhan Pasha
1986 — Guri i besës….Gjini
1984 — Koha nuk pret (Film TV)…Cen Vrapi
1984 — Lundrimi i parë…Qazimi
1983 — Fundi i një gjakmarrjeje….Shpendi
1982 — Flaka e maleve….Bardh Sokoli,zejtari
1982 — Qortimet e vjeshtës…..Rasim Aga
1981 — Një natë pa dritë….Filipi
1980 — Nusja…Dem Mareci
1979 — Mysafiri…Gjergji
1978 — Nga mesi i errësirës….Meti
1978 — Udha e shkronjave (Film TV)….Ndrio
1976 — Pylli i lirisë…Lam Shllapi
1976 — Thirrja….Vat Marash Bregasi
1976 — Tinguj lufte….Selimi
1975 — Në fillim të verës….Gjeneral Piçioni
1975 — Rrugicat që kërkonin diell (Film TV)….Gani Herri
1974 — Shpërthimi….Hasani
1974 — Shtigje lufte….Ramadan Daci
1973 — Brazdat – Vellai i Ademit
1973 — Operacioni “Zjarri”….Pjetër Mustaqekuqi
1970 — Gjurma…..Kasemi
1969 — Njësiti Guerril…..Çekani,Komandanti i Njësitit Guerril
1969 — Plagë të vjetra….Gjini
1968 — Prita….Komandanti Partizan
1967 — Duel i Heshtur…Kapter Rahmiu
1966 — Oshëtimë në bregdet…..Jonuz Bruga
1966 — Komisari i Dritës….Dom Pali, prifti i fshatit
1963 — Detyrë e posaçme….Tomori
Teatër
“Baca i Gjetajve” e Fadil Krajës…..Baca i Gjetajve
“Makbeth” e Shekspirit
14/12/1980 — “Epoka para gjyqit” e Ekrem Kryeziut
26/05/1977 — “Përmbytja e madhe” e Kolë Jakovës… Brung Troli
07/03/1974 — “Toka jone” e Kolë Jakovës…..Leka
24/01/1973 — “Sinjali i kuq” e Bashkim Kozelit
27/11/1971 — “Trimi i mirë me shokë shumë” e Sulejman Pitarkës (Artist i Popullit)
04/03/1971 — “Arturo Ui” e Bertold Brehtit…..Xhiri
26/05/1968 — “Çatia e të gjithëve” e e Kiço Blushit
07/03/1967 — “Cuca e Maleve” e Kolë Jakovës
27/11/1960 — “Dragoi i Dragobisë” e Xhemal Brojës
13/11/1959 — “Në tufan” e Fadil Paçramit
21/03/1959 — “Në anën tjetër” e Bajramovit
30/03/1958 — “Shtatë shalianët” e Ndrek Lucës
03/11/1957 — “Orët e Kremlinit” e N. Pagodin
01/02/1956 — “Familja e peshkatarit” e Sulejman Pitarkës (Artist i Popullit)….Jonuz Bruga
25/05/1955 — “Përleshja” e Xhemal Brojës
18/09/1953 — “Përmbysja” e Llavranjev
21/03/1953 — “Otello” e Shekspirit……Jago
17/11/1950 — “Heronjtë e heshtur” e Kasem Trebeshinës
11/11/1950 — “Halili dhe Hajria” e Kolë Jakovës……Shpend Gjeto Plaku
Autor
Teatër
“Andra në diell”
“Bardha”
“Histori Irkutase”
“Shtatë shalianët”
“Votra e huaj”
Çmime e Tituj
Artist i Popullit
17 Nëntor 1991
Medaljoni i Festivalit për rolin Vuhan Pashait në filmin “Balada e Kurbinit” në Festivalin e IX-të të Filmit Shqiptar të zhvilluar në Tiranë nga data 12 deri në 17 Nëntor të vitit 1991.
23 Prill 1983
Medaljoni i Festivalit për rolin e Mark Sokolit në filmin televiziv “Flaka e Maleve” në Festivalin e V-të të Filmit Shqiptar të zhvilluar në Tiranë nga data 19 deri në 23 Prill të vitit 1983.
11 Prill 1976
Medaljoni i Festivalit
Çmimi i I-rë për rolin e Gani Herrit në filmin televiziv “Rrugicat që kërkonin diell” në Festivalin e I-rë të Filmit Shqiptar të zhvilluar në Tiranë.
Dukagjinasi që superonte dhe donte origjinën
Nuk ishte malësori i ashpër që ecte me mentalitetin e kohës, por megjithatë Dukagjinin e kishte të ngulitur thellë në mendje dhe zemër. “Ndreka ka lindur në thelb të varfërisë materiale. Ka lindur në Dukagjin, e më pas ka zbritur në Shkodër”, thotë gruaja e tij, Mimika, duke shtuar se Ndreka gjithmonë ka ndier një detyrim shpirtëror ndaj prejardhjes së tij. “Njerëzit e veriut e kanë pasur derën të hapur dhe rrinin me ditë në shtëpinë tonë, aq sa edhe sot djali, Gjergji, thotë se është dukagjinas”.
Miqtë e paktë të Ndrekës
Qëndronte shumë me njerëzit, por miqtë e ngushtë ishin të paktë. Kishte një shok të ngushtë në Shkodër, një punëtor në Tiranë. Me Petro Markon ishte shumë i lidhur, si dhe kompozitorët shkodranë Çesk Zadeja, Tish Daija, Tonin Harapi etj. Shumë mik kishte edhe Halim Gjakovën, me të cilin hanin çdo mëngjes bukë misri me djathë”, kujton bashkëshortja e aktorit të madh, Mimika, duke shtuar se Ndreka nuk ishte natyrë që pinte dhe ishte tepër familjar.
Kur Luca interpretonte Makbethin
Pavarësisht nga shkollimi si pilot, ai ishte autodidakt në drejtim të artit. Në bibliotekën e tij i gjen të gjithë veprat filozofike të të gjitha rrymave. “Duke lexuar jashtëzakonisht shumë, ishte ai që ishte. Kur u kthye nga studimet në Jugosllavi kishte vetëm valixhe me libra dhe asnjë gjë tjetër”, kujton duke shtuar se edhe më i madh ishte pasioni i tij për skenën. “Edhe kur ka qenë në reanimacion, pasi ka pësuar infarkt mbante “Makbethin” nën jastëk. Jam tmerruar kur e kam parë. Pas tri ditësh shkoi në Shkodër të luante”.
Vlerësimi i vonuar i shtetit
Shteti vendosi ta nderonte, atëherë kur të gjithë e quanin Artist i Popullit, edhe pse nuk ia kishin dhënë këtë titull. E ndjente këtë vlerësim ngado, te njerëzit që e përshëndesnin rrugës dhe tek ata qindra kartolina që i dërgonin, sidomos shqiptarët e Kosovës. “Vlerësimi shtetëror, megjithatë iu dha, edhe pse me vonesë. Por ka vuajtur shumë për të arritur deri atje. Ishte çdo moment i shqetësuar. Për një natyrë të drejtë, çdo padrejtësi ishte dhimbje. Këtu qe një popull i tërë që i qe bërë një padrejtësi e madhe, e llahtarshme”, thotë Mimika, duke shtuar se Ndreka ishte titanik në forcën e tij. / KultPlus.com