Kur fotografi kosovar Afrim Spahiu kishte fotografuar ikonën e kinematografisë Lolobrigida

Afrim Spahiu fotograf dhe kineast ka ndarë me ndjekësit e tij një përvojë interesante gjatë kohës sa ishte student, shkruan KultPlus.

Ai ka treguar se në kohën sa ishte student i vitit të parë në Akademinë e Arteve, atij i ishte dhënë rasti të merrte pjesë në Festivalin e Filmit Ndërkombëtar në Beograd, ku ishte e ftuar edhe ylli i kinematografisë botërore Gina Lolobrigida.

Rrëfimin e plotë të Spahiut, KultPlus e sjell më poshtë.

Përshëndetje miq,

GINA LOLOBRIGIDA, aktore, fotografe dhe skulptore, në vitet e ‘50-ta njihej si gruaja më e bukur në botë, apo Monalisa e shekullit të 20-të, dhe në mesin e shumë të ftuarve nga Hollivudi, ishte mysafire eksklusive e Festivalit Ndërkombëtar të parë të filmit në Beograd, Serbi, FEST ‘71.

E unë, si student i vitit të parë në Akademi, falë shortit mes kolegëve, e fitova ftesën për akreditim në Festival, për të shiquar filmat e prodhimit më të rinj, si dhe mundësi kontakti me krijues nga mbarë bota e filmit.

LA LOLO, siç e thërisnin fansat anembanë botës, mbajti një takim me mediat e shumta duke reflektuar bukuri të yllit me sharm natyror…,

dhe si fotografe e pasionuar, na mundësoi të shkrepim portretin e zonjës që shëndriste plot jetë !!

Ju uroj një javë të qetë …!./ KultPlus.com

Nga një lagje e vogël të Pejës tri Kampione Olimpike, libër për Driton Kuken, trajnerin e famshëm të xhudos

Arsim Maxhera do të promvojë librin “Kryemjeshtri”, libër ky që i është dedikuar rrugëtimit të Driton Kukes, trajnerit të xhudos që i solli aq shumë suksese Kosovës, shkruan KultPlus.

Ky libër do të promovohet të mërkurën, në Institutin e Historisë “Ali Hadri”, në Prishtinë në ora 12:00 në Prishtinë.

Pë rkëtë libër ka njoftuar edhe Driton Kuke, ku KultPlus ju sjellë të plotë njoftimin e tij pa asnjë ndërhyrje.

Pas një pune të përkushtuar të Arsim Maxhera për karrieren time si garues e trener drejt sukseseve pasnesër në Institutin e Historisë “ Ali Hadri “ në Prishtinë me fillim në ora 12.00 do promovohet libri “ Kryemjeshtri”.

Libër që besoj fuqishëm do jetë udhërrëfyes për gjenerata të reja sidomos të sportit por jo vetëm!

Rrugëtimi se si prej një lagje të vogël të Pejës u ndërtuan tri Kampione Olimpike,që u rritën në flakën e luftës por i treguam Botës se sa shumë e kemi merituar lirinë!

I jam mirënjohës autorit dhe mikut tim për punën disa vjeçare duke gjetur e hulumtuar informata në çdo kënd e skutë të veprimtarisë time./ KultPlus.com

800 nxënës do të marrin pjesë në aktivitetet e skijimit, MKRS kërkon vullnetarë

Ministria për Kulturë, Rini dhe Sporte është në vlug të organizimit të edicionit të dytë të programit shtetëror “Drejt Malit”, ku këtë vit do të marrin pjesë 800, nxënës. KultPlus ju sjell të plotë njoftimin e MKRS për këtë aktivitet.

A të pëlqen vullnetarizmi dhe përvojat e reja?

Atëherë bëhu pjesë e edicionit të dytë të programit shtetëror “Drejt Malit”.🏔

Federata e Sportit Shkollor të Republikës së Kosovës është në kërkim të 40 vullnetarëve entuziastë të cilët do të asistojnë mbarëvajtjen e procesit në aktivitetet e skijimit ku do të marrin pjesë rreth 800 nxënës.🎿⛷

Konkursi do të jetë i hapur deri më 24 shkurt. Aplikuesit duhet të dërgojnë CV-në e tyre në emailin: [email protected]/ KultPlus.com

“Java e filmit të Kosovës”shfaq dy filmat e suksesshëm shqiptarë

Në kuadër të aktiviteteve për nderim të 15-të vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Parku Kulturor “Ali Podrimja” në Gjakovë, në bashkëpunim dhe Qendrën Kinematografikë të Kosovës organizon “Javën e filmit të Kosovës”.

Në lokacionin e Shkollës së Muzikës “Prenk Jakova”, sonte, datë 20 shkurt, do të shfaqen dy filma, fitues të shumë çmimeve në festivale botërore: “Në Mes” i autorit Samir Karahoda dhe “Zana” nga Antoneta Kastrati.

Filmi “Në Mes” do të shfaet në ora 18:00, ndera “Zana” në 18:30. /KultPlus.com

Hapet thirrja për Fondin e Krijimtarisë Letrare për të rinj

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ka hapur thirrjen për aplikime në Fondin e Krijimtarisë Letrare për të rinj.

Thirrja u drejtohet lëvruesve të poezisë dhe prozës nga mosha 18 deri 35 vjeç, të cilët duan të botojnë dorëshkrimet e tyre të para.

Aplikimi kryhet nga një botues i pajisur me licencë përkatëse, nëpërmjet përfaqësuesit ligjor.

Shuma e financimit për mbështetjen e procesit krijues të veprës do t’i paguhet drejtpërdrejt shtëpisë botuese. Aplikimi fillon sot dhe përfundon në datën 10 mars 2023.

QKLL thotë se për rastet kur dokumentacioni nuk do të jetë i plotë, aplikimi nuk do të merret në shqyrtim për fazën përzgjedhëse.

Aplikimet do të dorëzohen në formë të printuar, dorazi ose në rrugë postare, në zyrën e Protokollit të Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit brenda datës 10 mars./ atsh / KultPlus.com

34 vjetori i grevës së minatorëve të Trepçës

Para 34 viteve minatorët e Trepçës kishin filluar grevën e urisë për të mbrojtur Kosovën nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit, duke shënuar kështu zhbërjen e Jugosllavisë.

Ishin rreth 1,300 minatorë që kishin hyrë në këtë grevë për të mbrojtur ekzistencën e Kosovës dhe autonominë e saj.

Greva historike e minatorëve të “Trepçës” e vitit 1989 qe shndërruar në rezistencë gjithë popullore demokratike e paqësore kundër presioneve të Serbisë për ta ripushtuar Kosovën.

Me rastin e këtij përvjetori Ndërmarrja Trepça organizon manifestimin tashmë tradicional “Java e Minatorëve”. / KultPlus.com

‘Me Zotin i ndreqi punët vetë…’

Át Anton Harapi

DIFTOJSI

Me Zotin i ndreqi punët vetë…
Fenat i ka dá Zoti!
Fenat i ka dá Zoti.
Kush lén me hýll…
Kush âsht nafakprém e kush nafakmadh…
Zoti i a ka dá rriskun setcillit…
Nevoja nuk ká gjýgj!
Erz e shpírt!
Po t’ishte Zot… s’pat m’e lânë bâkeqin.
Nuk ká ardhë kush prej asajë jetë…
Goja llap, e shpina dap…
Ne e paç t’a presin… në mos e paç t’a njesin.
Edhe besimi do mârrë si të vijë….
Nuk jemi mâ në kohë të mjesme….
Fé e ré
…per bashkimin kombtár!
…në perparim e siper!
N’ emen të lirís…
Shka don me thanë gjith aj kundershtim kundra besimit në botë?… more dán se dishka â në thes, se nierzt as nuk janë të gjith të marrë, as të gjith të kqí!…
Kúr më permendë kush punë feje më bân me qeshë!…
… besojn pá e diejtë as vetë pse besojn!
Kush flet per besim, nuk m’idhnon, por më terbon. Nji nieri i kohës s’ká si e bán ket dhûnë!
S’ká Zot!
Nuk ká Zot…
Nuk ká Zot…
Nuk ká Zot!
Nierí s’ká shpírt!
Shpirti i nierit… fjalë n’erë.
Me dekë maron gjithshka…
Si të desim na, maron gjithshka…
Zoti s’merret me punë t’ona.
Shka nuk shoh vetë, nuk e xâ të vertetë…
Shka nuk shoh vetë, nuk e xâ besë…
Pá pá vetë me sŷ, nuk besoj…
Shka nuk e marr vesht vetë, nuk e besoj të vertetë…!
Shka nuk kuptoj, nuk kam si t’a besoj…
Thue pernjimend âsht shka besojm?… Un, a dij gjâ me sugurí a jo?…
Un… jam liberal. Nuk besoj.
Un… jam liberal.
Un nuk besoj…. Pse nuk m’a thotë mendja!
Un nuk besoj… due të m’a thotë mendja, e jo të m’a thonë tjerët.
Para se të besoj… due të pves vetin.
Fenat i ka dá Zoti. Të gjitha besimet janë të mira barabar.
Fenat i ka dá Zoti. Mjafton të mahet nji besim, çëfaredo…
Shka na duhet besimi?…
S’na duhet gjâ besimi…
Sod s’na duhet gjâ besimi…
Së na duhet gjâ besimi…
Mund të bâjmë edhe pá besim…
Së na duhet gjâ besim…
Per kohë të sodit… besimi s’ká shka i duhet kuj.
Un nuk besoj… me gjithkta e çoj mâ së miri.
Besim, punë per priftet…
Besim, punë fmísh!
Besimi… punë per grá…
Besimin… t’u a lamë grave
Besimi âsht per popullin e ultë…
Besimin t’a mbajë kush ká ngae…
Un besoj… n’at mdnyren t’ême.
Un besoj… si m’a thotë mendja… jam i lirë!
Un… e lus Zotin vetë!
Besimit, tashmâ i ká kalue koha… â vjetrue e dekë!
Un nuk besoj… e prá së jam as nieri as i keq as i pandershem.
Un nuk besoj… as gjenë kush shka me thanë të keq per mue.
Edhe pá besim, mund të jemi sikush!
Edhe pá besim, mund të jemi të mirë e të ndershem.
Besimi i êm âsht m’u bâ mirë tjerve.
Sá per besim… un ndjeki religionin e natyrshem.
Nuk âsht nevoja të besojm… mjafton arsyja!
Un nuk besoj… Dro po jânë mâ të mirë ata qi besojn?…
Un nuk besoj… Dro po jânë mâ të mirë ata qi besojn?
Teper randsí i ep besimi asajë jete…
Besimi nuk don me dijtë gjâ per punë e nevojë të kësajë jete
Kurse fetarët bâjnë njimí të zeza… pse të besoj un? / KultPus.com

Shënohet Dita e Presidentit, Osmani: Festuam lidhjen e fortë e të pathyeshme në mes të Kosovës dhe ShBA-së

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, bashkë me Ambasadorin Hovenier dhe fëmijët e shkollës “Xhemail Mustafa”, sot ka shënuar Ditën e Presidentit dhe njëherit ka festuar lidhjen e fortë de të pathyeshme në mes të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ceremonia u mbajt para bustit të presidentit Clinton në Prishtinë, ku pas fjalës së presidentes dhe ambasadorit, fëmijët vazhduan me performancë.

Osmani, ermes një postimi është shprehur se presidenti Clinton u bë zëri i popullit të Kosovës në ditët tona më të vështira.

“Me iniciativën e Shoqatës Historike të Shtëpisë së Bardhë e së bashku me Ambasadorin Hovenier dhe fëmijët e shkollës ‘Xhemajl Mustafa’ shënuam Ditën e Presidentit, si dhe festuam lidhjen e fortë e të pathyeshme në mes të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Presidenti Clinton u bë zëri i popullit të Kosovës në ditët tona më të vështira. Sakrifica e popullit tonë si dhe mbështetja e Shteteve të Bashkuara ishin përcaktuese për lirinë dhe pavarësinë e Republikës sonë”, shkruan Osmani. / KultPlus.com

“Java e filmit të Kosovës” sonte shfaq dy filmat e suksesshëm shqiptarë


Në kuadër të aktiviteteve për nderim të 15-të vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Parku Kulturor “Ali Podrimja” në Gjakovë, në bashkëpunim dhe Qendrën Kinematografikë të Kosovës organizon “Javën e filmit të Kosovës”.

Në lokacionin e Shkollës së Muzikës “Prenk Jakova”, sonte, datë 20 shkurt, do të shfaqen dy filma, fitues të shumë çmimeve në festivale botërore: “Në Mes” i autorit Samir Karahoda dhe “Zana” nga Antoneta Kastrati.

Filmi “Në Mes” do të shfaet në ora 18:00, ndera “Zana” në 18:30. / KultPlus.com

135 vjet nga vdekja e At Anton Harapit, i pushkatuar nga diktatura

At Anton Harapi, i pushkatuar nga regjimi komunist, lindi më 5 janar 1888 në Shkodër. Studioi për teologji dhe filozofi në Hungari e më pas filloi punë si meshtar në Grudë. Më 1910 jep mësim në Kolegjin e Fretënve, Shkodër. Më 1918-1919, shërben si famullitar në Malësinë e madhe. Gjatë viteve 1922-1924 ishte bashkëthemelues e drejtues i grupit atdhetar “Ora e Maleve”.

Punoi si mësues filozofie në gjimnazin “Illyricum” dhe më pas në vitin 1924 bëhet drejtor i tij. Në vitet 1930-1936 drejtoi revistën “Hylli i Dritës” dhe gjatë kësaj periudhe shkroi rreth 70 artikuj në revista të ndryshme, si dhe botoi disa libra.

Më 1940, u zgjodh anëtar i Institutit të Studimeve Shqiptare. Më 1943 u emërua anëtar i Këshillit të Lartë të Regjencës, ku qëndroi deri në fund të vitit 1944. U arrestua më 5 qershor 1945 e më pas më 20 shkurt 1946 u pushkatua nga diktatura. / KultPlus.com

Letra e lamtumirës që Kurt Cobain i la gruas dhe vajzës


Ish-solisti i grupit Nirvana i dha fund jetës së tij, në gjendje të rënduar psikologjike dhe emocionale, në vitin 1994. Përpara aktit final, la një letër për bashkëshorten dhe vajzën.

“Po ju flas nga këndvështrimi i një njeriu të thjeshtë disi me përvojë, i cili do të preferonte të ishte një fëmijë. Kjo letër duhet të jetë mjaft e thjeshtë për t’u kuptuar. Të gjitha paralajmërimet bazë të shkollës që më janë bërë ndër vite, që në fillimet e mia, si etika e pavarësisë dhe komunitetit, kanë rezultuar të sakta. Nuk ndjej më emocione në dëgjimin e muzikës apo edhe në krijimin e saj.

Kjo më bën të ndihem tmerrësisht fajtor. Për shembull, kur jam në prapaskenë dhe dritat fiken dhe dëgjoj të bërtiturën e publikut që ngrihet me zë të lartë, nuk e ndjej atë që ndjeu Freddie Mercury, i cili u ndje i dehur nga turma, ai merrte energji prej saj. E kam admiruar gjithmonë dhe e kisha zili për këtë. Fakti është se nuk mund ta gënjej asnjërin prej jush. Thjesht nuk do të ishte e drejtë. Krimi më i madh që mund të bëj është që të pretendoj dhe të besoj se po argëtohem 100%. Ndonjëherë më duket se e bëj këtë krim sa herë që ngjitem në skenë. Unë kam provuar gjithçka që kam në dorë, kam Zotin dëshmitar, por kaq mundem.

Unë jam shumë i ndjeshëm. Më duhet të trullos veten për të rifituar entuziazmin që kisha kur isha fëmijë. Gjatë tre turneve tona të fundit kam qenë në gjendje të vlerësoj shumë më tepër njerëzit që kam njohur personalisht dhe fansat e muzikës sonë, por ende nuk mund ta kapërcej zhgënjimin, fajin dhe ndjeshmërinë që kam për të gjithë. Pse nuk argëtohem? Nuk e di. Unë kam një grua hyjnore me ambicie dhe ndjeshmëri, dhe një vajzë që më kujton kohën kur isha si ajo, plot dashuri dhe gëzim…

Të puth të gjithë njerëzit që takoj, sepse të gjithë janë të mirë dhe askush nuk mund të bëjë keq, kjo më tmerron deri në atë pikë sa humbas funksionet e mia jetësore. Nuk e duroj dot idenë që Frances të bëhet një rokere e mjerë, vetëshkatërruese si unë. Më ka shkuar mirë, shumë mirë gjatë këtyre viteve dhe jam mirënjohës, por jam rritur me urrejtje për njerëzimin që në moshën shtatë vjeçare. Faleminderit të gjithëve nga fundi i stomakut tim të djegur e të sëmurë, për letrat dhe mbështetjen që më keni dhënë ndër vite. Unë jam një fëmijë i paqëndrueshëm! Dhe nuk kam më asnjë emocion, dhe më besoni është më mirë të digjem shpejt sesa të zbehem ngadalë!

Paqe, dashuri, ndjeshmëri. Kurt Cobain!

Frances dhe Courtney, unë do ju mbroj nga lart!.

Të lutem Courtney, ji e fortë, për Frances.

Do të jeni më të lumtura pa mua.

Ju dua! Ju dua!”./ KultPlus.com

New York Times artikull për Tiranën dhe transformimin e Piramidës: Qyteti që aspiron të jetë Tel Avivi i Ballkanit në teknologji

Një nga gazetat më të mëdha në botë, prestigjiozja New York Times, i ka kushtuar këtë fundjavë një artikull të posaçëm Tiranës, duke u fokusuar te transformimi i Piramidës, nga mazoleumi i ish diktatorit komunist në një qendër për teknologjinë dhe inovacionin për të rinjtë dhe fëmijët.

Rindërtimin e saj, New York Times e cilëson si një tempull që shkëlqen për shpresat ambicioze për të ardhmen e Shqipërisë. Gazeta kujton braktisjen e Piramidës gjatë viteve të para të demokracisë, rrënimin e saj, dhe vendimin e rëndësishëm të Bashkisë së Tiranës për ta transformuar.

“Për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, investimi për transformimin e Piramidës tregon si e përfytyron ai kryeqytetin: si “Tel-Avivi i Ballkanit”, një qendër e teknologjisë së inovacionit, që ofron vende pune, në një vend i cili nën udhëheqjen e Hoxhës ishte kaq i varfër dhe i izoluar nga bota moderne, saqë ndaloheshin edhe makinat e shkrimit dhe televizorët me ngjyra”, shkruan New York Times.

“Në vend që të jetë një relike e së kaluarës, do të transformohet në një ndërtesë drejt së ardhmes,” tha kryebashkiaku për Piramidën, e cila po rivjen si një hapësira e re me klasa dhe zyra për kompani të teknologjisë, që pritet të hapet së shpejti. “Hoxha duhet të jetë duke u rrotulluar në varr, po ta shihte se memoriali është shndërruar në një ndërtesë kapitaliste, që ofron punë dhe të ardhme”, tha Veliaj.

Gazeta ka intervistuar edhe arkitektin e trasnformimit të Piramidës, Winy Maas, të studios holandeze MVRDV, i cili është shprehur se trajtimi i strukturave të ndërtuara enkas për të manifestuar tiraninë, ka përfshirë gjithmonë “vendime të vështira”, por shtoi se pavarësisht se sa të vështira janë fillimet e një ndërtese, shembja është “rrallë një opsion i mirë.”

“Shqipëria ishte kombi i fundit në Evropë që hoqi dorë nga komunizmi, duke e bërë këtë në vitin 1991, me një furi sulmesh ndaj statujave të Hoxhës, sallës së tij përkujtimore dhe gjithçkaje që ai përfaqësonte. Por, shpresat për një epokë të re të prosperitetit demokratik, u kthyen shpejt në një trazirë akoma më të madhe, kur një rrjet i skemave financiare u shemb në 1997-ën, duke shkaktuar protesta të dhunshme mbarëkombëtare, që e shtynë vendin drejt luftës civile. Ujërat u qetësuan dhe i hapën rrugën Shqipërisë për të aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian në 2009-ën dhe për të fituar statusin e kandidatit në 2014-ën. Gjatë gjithë këtij udhëtimi të turbullt, Piramida e Hoxhës shquhej turbullt mbi Tiranë, duke “u kalbur” ngadalë. Me kalimin e viteve, Piramida nisi të shpërbëhej, u pushtua nga banorë zaptues dhe u mbush me të rinj që përdornin muret e saj të jashtme, të pjerrëta, prej betoni, si rrëshqitëse. Planet e guximshme për t’i dhënë strukturës një qëllim të ri erdhën dhe shkuan, duke përfshirë një projekt të dështuar të promovuar nga një ish-kryeministër shqiptar, Sali Berisha, për ta kthyer piramidën në një teatër të ri kombëtar. Në vitin 2010, Piramida ishte bërë një simbol kaq i turpshëm dështimi, saqë ligjvënësit kërkuan që ajo të shembet dhe u kërkuan arkitektëve austriakë të krijonin një plan për të ndërtuar një ndërtesë të re Parlamenti në tokën e saj. Edhe kjo përpjekje dështoi. Rinovimi aktual, më në fund theu vargun e dështimeve. Drejtuesi i kësaj është kryebashkiaku i Tiranës, Veliaj, një aleat i ngushtë politik i Kryeministrit të Shqipërisë në dekadën e fundit, Edi Rama, një ish-artist që ka marrë lëvdata, madje edhe nga disa rivalë politikë, për ndryshimin e reputacionit kaotik të vendit. Kryebashkiaku 43-vjeçar, kujtoi se e kishte vizituar Piramidën si nxënës shkolle menjëherë pasi ajo u hap në 1988-ën, si një memorial i zymtë për Hoxhën. “Ishte si të shkoje në një funeral të frikshëm,” tha ai, duke përshkruar se si një yll i kuq i ndezur në çati “na shikonte të gjithëve ne poshtë, si syri i Big Brother”, shkruan gazetari i New York Times. / atsh / KultPlus.com

Fjalimi i fuqishëm i Joe Biden në Ukrainë: Putinit i dolën llogaritë gabimisht, jemi të bashkuar dhe do të fitojmë

Presidenti amerikan Joe Biden ka mbërritur në Ukrainë për një vizitë të papritur. Nga Kievi, presidenti amerikan ka dhënë një deklaratë të fuqishme duke konfirmuar përkrahjen e madhe ndaj Ukrainës.

Biden ka thënë se llogaritë e Putinit kanë dalur të gabuara dhe se Rusia do të humbë luftën.

“Ndërsa bota përgatitet për të shënuar një vjetorin e pushtimit brutal të Ukrainës nga Rusia, unë jam sot në Kiev për t’u takuar me Presidentin Zelensky dhe për të rikonfirmuar angazhimin tonë të palëkundur dhe të palodhur ndaj demokracisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës. Kur Putin filloi pushtimin e tij, ai mendoi se Ukraina ishte e dobët dhe Perëndimi ishte i ndarë. Por ai ka gabuar rëndë. Rusia donte të fshinte Ukrainën nga harta. Putin do ta humbas këtë luftë. Rusia deri më tani ka humbur gjysmën e territoreve të pushtuara në Ukrainë Ne do të dërgojmë armë shtesë, duke përfshirë municione artilerie, sisteme antitanke dhe radarë vëzhgimi për të mbrojtur popullsinë ukrainase kundër sulmeve ajrore”, ka thënë Biden. / KultPlus.com

Vizita historike e Biden në Ukrainë, Zelensky: Faleminderit, ju jemi mirënjohës

Në një deklaratë të përbashkët televizive, të shoqëruar nga Biden, Zelensky tha se bota demokratike duhet të fitojë këtë luftë historike.

“Është vizita më e rëndësishme në të gjithë historinë e marrëdhënieve SHBA-Ukrainë,” tha Zelensky, duke shtuar se nënvizon rezultatet që kemi arritur tashmë. “Sot negociatat tona ishin shumë të frytshme,” tha Zelensky.

Ai tha se rezultatet e kësaj vizite me siguri do të shihen dhe do të ketë një ndryshim në fushën e betejës.

Vendimi i SHBA-së për t’i dhënë tanke Abrams Ukrainës në fillim të janarit ka kontribuar tashmë në forcimin e mbrojtjes së Ukrainës, theksoi Zelensky, duke shtuar se ai dhe Biden folën gjithashtu për dërgimin e amrëve me rreze të gjatë.

“Unë e di se do të miratohet një paketë shumë e rëndësishme mbështetjeje për Ukrainën duke shërbyer një sinjal i qartë se agresioni i Rusisë nuk ka asnjë shans,” tha Zelensky.

“Ukraina ju është mirënjohëse, President”, th ai duke iu drejtuar Biden.

Gjatë vizitës së tij, Joe Biden tregoi arsyetimin e tij për të vizituar kryeqytetin ukrainas ndërsa lufta hyn në vitin e dytë.

“Mendova se ishte kritike që të mos kishte asnjë dyshim, asnjë lloj dyshimi, për mbështetjen e SHBA për Ukrainën në luftë,” tha presidenti amerikan.

Biden theksoi se kishte mbështetje të gjerë dypartiake në Uashington për kauzën ukrainase, edhe pse disa republikanë refuzojnë të ofrojnë ndihmë të mëtejshme.

“Për të gjitha mosmarrëveshjet që kemi në Kongresin tonë për disa çështje, ka një marrëveshje të rëndësishme për mbështetjen për Ukrainën,” tha ai.

“Nuk ka të bëjë vetëm me lirinë në Ukrainë. Ka të bëjë me lirinë e demokracisë në përgjithësi,” tha ai.

Sipas gazetarëve që udhëtonin me të brenda Ukrainës, Biden mbërriti në Kiev në orën 08:00 me orën lokale.

“Është mirë të jem sërish në Kiev,” tha Biden kur mbërriti. Ai u përshëndet nga ambasadorja e SHBA-së në Ukrainë Bridget Brink.

Autokolona e Biden mbërriti në Pallatin Mariinsky vetëm pas orës 8:30 të mëngjesit. Ai u prit nga Zelensky dhe gruaja e tij, Olena Zelenska.

“Faleminderit që erdhët,” tha Zelensky, duke i shtrënguar dorën Biden. “Më e rëndësishmja, si janë fëmijët? E pyeti Biden, ndërsa shtoi: “Jam i lumtur që po të shoh ty”.

I pyetur për rëndësinë e të qenit në Kiev, Biden vuri në dukje se ishte vizita e tij e tetë në qytet.

“Çdo herë më e rëndësishme,” tha Biden.

Ai shtoi se qëllimi i vizitës së tij ishte t’i përcillte Zelenskit se SHBA është do të vazhdojë të mbështsë gjithmonë Ukrainën.

“Ne nuk do të largohemi,” tha Biden. /abcnews.al / KultPlus.com

Punishtja artizanale e maskave veneciane në Shkodër

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ka prezantuar në rrjetet sociale punën e mrekullueshme që bëhet në punishten artizanale të maskave veneciane në Shkodër.

Ministrja ka marrë shkas nga kjo periudhë karnavalesh për të kujtuar edhe një herë afatin e aplikimeve për Fondin e Artizanëve, i cili mbyllet pas pak ditësh.

Ishte DRTK Shkodër, e cila risolli me herët, në vëmendje, një nga punishtet më të rëndësishme të prodhimit në mënyrë artizanale të maskave veneciane. Punishtja e cila gjendet në Shkodër, po trashëgon këtë dijebërje me një shumëllojshmëri maskash të stileve të ndryshme, shumëllojshmëri, dekoresh, temash personazhesh si Arlekino i famshëm, Kolombina, Doktori i Murtajës, e plot modele të tjera të njohura të komedisë së artit.

Karnavalet shijohen me kostume të bukura, por edhe me maska që mund të jenë me tema klasike dhe historike, por edhe krijime moderne, origjinale, duke shënjuar një aspekt të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore jomateriale.

Ato janë një homazh për origjinën e karnavaleve që datojnë prej njëmijë vjetësh. Maska ndihmon fshehjen e identitetit të një njeriu, duke e bërë misterioz.

Në shekujt e kaluar, maska i lejonte njerëzit e klasave të ndryshme shoqërore të përziheshin me njëri-tjetrin./ atsh / KultPlus.com

Historia do të flasë për të gjithmonë, 144 vjet nga lindja e Luigj Gurakuqit

Luigj Gurakuqi lindi më 20 shkurt 1879 dhe u vra më 2 mars 1925 në Bari të Italisë. Ai ishte veprimtar i çështjes kombëtare, hartues dhe nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, poet, arsimtar, tekstolog, gjuhëtar, diplomat, deputet dhe Hero i Popullit shqiptar. Ai shkroi deklaratën e Pavarësisë së Shqipërisë. Dora e tij shkroi alfabetin e miratuar nga Kongresi i Manastirit.

Luigj Gurakuqi kreu Kolegjin e Shën Adrianit në fshatin arbëresh të Shën Mitrit në Itali dhe studioi për mjekësi e biologji në Universitetin e Napolit. Ai ka një veprimtari të pasur letrare, publicistike, kombëtare dhe politike.

Veprimtaria e tij filloi me poezi lirike dhe përkthime në gjuhën shqipe. Vijoi me botimin e teksteve të abetares në dy dialektet e shqipes. Shkroi artikuj në organet e shtypit shqiptar. Në vitin 1908 mori pjesë si nënkryetar i komisionit për njësimin e alfabetit në Kongresin e Manastirit. Është hartuesi i parë i veprës “Metrika Shqip”.

Më 1911 ishte një prej hartuesve të Memorandumit të Greçës gjatë kryengritjes së malësorëve të Mbishkodrës të vitit 1911. Në vitin 1912 mori pjesë në mbledhjen e Bukureshtit. Ishte në Kuvendin e Vlorës për Shpalljen e Pavarësisë dhe u caktua Ministër i Arsimit nga Ismail Qemali.

Në vitin 1916 u caktua Drejtor i Përgjithshëm i Arsimit dhe anëtar i Komsisë Letrare në Shkodër. Në vitin 1918 mori pjesë në Kongresin e Durrësit dhe u zgjodh Ministër i Arsimit dhe anëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Në vitet 1921-1924 ishte deputet në Këshillin Kombëtar.

L. Gurakuqi u përfshi në Lëvizjen e Qershorit të vitit 1924 dhe u zgjodh Ministër i Financave në qeverinë e Fan Nolit.

Gurakuqi ishte njohës i thellë i trashëgimisë kulturore të popullit të vet dhe i kulturës klasike romake e latine. Historia e vendit dhe ajo botërore ishin objekt i përhershëm i studimeve të tija. Njihte arkeologjinë e shkencat ekonomike e financiare, trashëgiminë arsimore pedagogjike kombëtare dhe europiane. Gurakuqi ishte poliglot. Përveç shqipes, zotëronte latinishten, italishten, turqishten dhe frëngjishten, njihte greqishten e gjermanishten, ka të ngjarë edhe anglishten dhe kishte një kujtesë të çuditshme.

Është ndër hartuesit kryesorë të programit arsimor e kulturor të levizjes kombëtare për autonomi, liri e pavarësi. Në këtë kuadër ai ishte njohësi dhe propaganduesi më i mirë i traditave të popullit tonë, i traditave kulturore e patriotike, i traditës gojore e shkrimore dhe i psikologjisë së popullit shqiptar.

Si krijues Gurakuqi pati marrëdhënie të shkëlqyera me elitën intelektuale të vendit. Disa nga veprat e krijimet e veta, L. Gurakuqi ia kushtoi Gjergj Fishtës, Prenk Doçit, Hilë Mosit e Mati Logorecit. Por edhe Gurakuqit i drejtohen mjaft dedikime e përkushtime nga Filip Shiroka, Hilë Mosi vazhdon ta quajë bylbyl në tingëllimin që i kushton, “S’kndôn bylbyli”. Gjergj Fishta i dedikon atij vepren “Pika e voeset”. / KultPlus.com

KultPlus shpall konkurs për gazetarë

Gazeta online për art dhe kulturë KultPlus, shpall konkurs për gazetarë.

Inkurajohen të aplikojnë të gjithë ata që kanë studiuar ose studiojnë gazetari, letërsi, dhe njohës të fushës së kulturës.

CV-të mund t’i dërgoni deri më datë 25 shkurt në [email protected]

Vetëm kandidatët e përzgjedhur në rrethin e ngushtë do të kontaktohen për intervistë. /KultPlus.com

56 vjet nga lindja e Kurt Cobain, artisti që akoma i reziston kohës

56 vjet nga lindja e Kurt Cobain, ndikimi dhe popullariteti i të cilit nuk ka humbur aspak, përkundër që kanë kaluar disa vite që ai edhe ka vdekur, shkruan KultPlus.

”Ai kishte një ndjeshmëri që i bënte njerëzit të ndiheshin më pak të çuditshëm, më pak të vetmuar”, shpjegon Danny Goldberg, i cili ka qenë në biznesin e muzikës që në vitet ’60, transmeton KultPlus.

Autor ose bashkautor i të gjitha sukseseve të Nirvanës, Kurt Cobain vrau veten më 5 prill 1994 në shtëpinë e tij në Seattle, në veriperëndim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, prej nga kishte origjinën, ndërkohë që grupi i muzikës rock ishte bërë një fenomen global në më pak se tre vite.

”Imazhi i tij në media u deformua disi dhe u lidh më shumë me vdekjen e tij se sa me jetën dhe veprën”, vë në dukje Sonic Youth, i cili ka pasur në drejtim një tjetër grup të pavarur rock-u.

Në librin e tij «Në shërbim të shërbëtorit: në kujtim të Kurt Cobain», të publikuar këtë javë, Danny Goldberg flet për një muzikant të avancuar për kohën e tij, një personazh melankolik dhe me një shpirt të gjallë dhe shumë human.

“Zëri i tij kishte një shpirt të pabesueshëm”, thotë ai duke shtuar se «ai reflektonte cënueshmëri dhe afrimitet si rrallë kush».

Për të, muzika e Kurt Cobain vazhdon të dëgjohet në të gjithë botën nga një brez që ka lindur pas vdekjes së tij.

«Ai është një artist vepra e të cilit është e përjetshme», thotë Danny Goldberg që e kishte njohur kitaristin dhe kompozitorin amerikan në vitin 1990, pak para daljes së albumit «Nevermind», që e ngriti në qiell popullaritetin e Nirvanës. / KultPlus.com

”Corriere della sera”: Tirana kryeqyteti i mbushur plot surpriza

Kryeqyteti i Shqipërisë, qendra kryesore ekonomike, financiare, tregtare dhe kulturore e vendit, Tirana është një qytet në evolucion të vazhdueshëm, e gjallë dhe ideale për një fundjavë ndryshe nga zakonisht, shkruan Francasca Masotti për gazetën më të madhe italiane ”Corriere della sera”.

Tirana është kryeqyteti dhe qyteti më i madh i Shqipërisë, si dhe qendra kryesore ekonomike, financiare, tregtare dhe kulturore e vendit ballkanik. Qyteti ndodhet në qendër të vendit, rreth 30 kilometra larg detit Adriatik.

Popullsia urbane llogaritet në 912 190 banorë. Anglishtja flitet pothuajse kudo dhe shumë njerëz flasin dhe kuptojnë italisht.

Klima e Tiranës është e butë, me verë të nxehtë dhe dimër të freskët dhe temperaturat rrallë bien nën zero. Falë pozicionit në fushë dhe afër detit Adriatik, qyteti ndikohet veçanërisht nga një klimë sezonale mesdhetare.

Shtatori është muaji më i mirë për të vizituar qytetin.

Sheshi ”Skenderbej”, i cili befason me përmasat e tij, është jo vetëm qendra gjeografike e kryeqytetit shqiptar, por edhe vendi simbolik i Tokës së Shqiponjave dhe i gjithë universit shqiptar.

Zonat kryesore të Tiranës janë Pazari i Ri, i njohur për tregun e bukur të rinovuar së fundmi, Blloku, zona e jetës së natës, ”21 Dhjetori”, ”Don Bosko”, Stacioni i Trenit, ”Ali Demi” dhe Lapraka më periferike, ”Xhamliku”, Kinostudioja, Kombinati, Yzberishti dhe  Sauku.

Nga ana tjetër tragetet GNV lidhin portin e Durrësit vetëm me portin italian të Barit. Për të mbërritur në Tiranë nga Durrësi, nëse nuk keni makinën tuaj, zgjidhja më e përshtatshme është të merrni një taksi.

Mënyra më e përshtatshme për të lëvizur nëpër Tiranë është më këmbë ose me taksi, e cila, për turistët italianë, është një mjet transporti i lirë në krahasim me çmimet tona.

Kryeqyteti shqiptar është një qytet gjeografikisht i sheshtë dhe shumë i sigurt, krimi i vogël pothuajse mungon plotësisht, edhe nëse kjo nuk do të thotë se nuk duhen marrë masa paraprake të përbashkëta si gjatë çdo udhëtimi. Në Tiranë, Wi-Fi është i përhapur pothuajse në të gjitha objektet turistike dhe ofrohet pa pagesë.

Çfarë duhet të shihni në Tiranë? Muzetë dhe monumentet

Sheshi ”Skënderbej” është zemra e kryeqytetit shqiptar. I rinovuar tërësisht në vitin 2017, është një drejtkëndësh i madh prej 24 000 metrash katrorë me një mozaik gurësh natyrorë nga të gjitha trojet historikisht shqiptare, madje edhe ato që ndodhen përtej kufijve kombëtarë.

Plotësisht i pedonalizuar, alternon stolat me sipërfaqe të gjelbra. Në qendër është monumenti ekuestrian prej bronzi i Skënderbeut, i vendosur me rastin e 500-vjetorit të vdekjes.

Disa nga ndërtesat më të rëndësishme historike të qytetit kanë pamje nga sheshi, përkatësisht Xhamia e Et’Hem Beut, me dekorime të mrekullueshme me lule nga brenda, Opera, Pallati i Kulturës, Banka e Shqipërisë dhe Muzeu Historik Kombëtar. Për të admiruar sheshin në tërësi, idealja është të ngjiteni në majën e Kullës së Sahatit, që ndodhet pas xhamisë.

Muzetë

Në dhomat e Muzeut Historik Kombëtar, i cili shquhet për mozaikun plot ngjyra në fasadë, në tetë pavionë të mëdhenj rrëfehet historia e Shqipërisë nga Paleoliti deri në ditët e sotme.

Pak metra më tutje, Bunk’Art2 është vendi ideal për të mësuar më shumë për historinë e Shqipërisë komuniste gjatë viteve të diktaturës së Enver Hoxhës. I inauguruar në vitin 2016, muzeu i kushtohet viktimave të regjimit dhe është i ndërtuar brenda një bunkeri antiatomik, prapa Ministrisë së Brendshme, midis viteve 1981 dhe 1986 për të strehuar personelin e Ministrisë në rast të një sulmi të mundshëm bërthamor. Sot në dhomat e tij janë ekspozuar imazhe historike, aksesorë dhe objekte që rrëfejnë ngjarjet e ndodhura në Shqipëri deri në vitin 1991.

Një tjetër vend për t’u vizituar është Shtëpia e Gjetheve, një qendër ekspozite kushtuar veprimtarisë së policisë sekrete dhe spiunazhit gjatë viteve të diktaturës, e cila në vitin 2020 fitoi Çmimin Muzeor të Këshillit të Evropës.

Nga ana tjetër, Galeria Kombëtare e Arteve ka një koleksion të pasur me vepra të piktorëve shqiptarë nga fundi i shekullit XIX deri në vitet 2000. Përpara ndërtesës ndodhet ”Reja”, një strukturë e bardhë që i ngjan një reje për shkak të pamjes së saj, vepër e artistit japonez Sou Fujimoto.

I vendosur në periferi të qytetit, Bunk’Art1 është një muze i ndërtuar brenda bunkerit më të madh anti atomik në Shqipëri. Bunkeri ishte projektuar për të strehuar diktatorin Enver Hoxha dhe drejtuesit kryesorë të Partisë në rast të një sulmi bërthamor, megjithëse nuk u përdor kurrë për këtë qëllim. Sot, në mbi 100 dhoma rrëfehet historia e vendit të shqiponjave, nga pushtimi fashist e deri te komunizmi.

Së fundi, Muzeu Arkeologjik, i pari muze i hapur në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore, strehon mbi 2 000 zbulime arkeologjike të gjetura në territorin shqiptar.

Qendra Botërore Bektashiane.

Pavarësisht sundimit të gjatë osman dhe më pas shpalljes së ateizmit shtetëror gjatë diktaturës së atëhershme komuniste (me pasojë ndalimin e praktikimit të feve), Shqipëria është sot një shtet laik tolerant ndaj të gjitha besimeve.

Në territorin e saj jetojnë myslimanë, të krishterë ortodoksë, të krishterë katolikë, hebrenj dhe bektashinj dhe ndodh shpesh që përfaqësues të komuniteteve fetare të takohen në ngjarjet dhe festat e tyre përkatëse.

Tirana është shtëpia e Qendrës Botërore Bektashiane, një vend i arritshëm për këdo që dëshiron të zbulojë një vend jashtë radarit në kryeqytetin shqiptar. Teqeja, e përfunduar në shtator 2015, është e stolisur me mozaikë mermeri shumëngjyrësh hipnotik dhe në bodrum është vendosur një muze interesant, fatkeqësisht me informacion vetëm në gjuhën shqipe, në dhomat e të cilit rrëfehet historia e vëllazërisë islame me prejardhje sufi, e themeluar në shekullin XIII.

Monumentet

Në Tiranë ndodhet edhe Xhamia e Madhe, e cila do të inaugurohet së shpejti pas shumë vitesh punë, Katedralja e Ngjalljes së Krishtit, e ritit ortodoks, struktura e tretë më e madhe e këtij lloji në gadishullin ballkanik dhe Katedralja e Shën Palit e ritit katolik.

Ndër pikat e tjera me interes në qytet janë Ura e Tabakëve, Piramida, një ndërtesë e madhe prej betoni të përforcuar e ndërtuar si mauzoleumi i diktatorit Enver Hoxha, i përdorur më vonë si bazë e NATO-s gjatë luftës në Kosovë. Më pas u bë një klub nate, një qendër ekspozite dhe një pikë takimi për të rinjtë nga Tirana. Aktualisht është në fokus të një projekti rinovimi që do ta shndërrojë atë në një qendër të rëndësishme kulturore, shkencore dhe teknologjike në Ballkan.

Parqe dhe kopshte

”Tajvani” është një zonë rekreative me një bar, restorant, pistë bowling dhe një nga këndet më të mëdha të lojërave në qytet, i frekuentuar nga familje me fëmijë. Megjithatë, vendi i preferuar i banorëve të Tiranës për të shëtitur dhe marrë të vegjlit për të luajtur është Parku i Madh, mushkëria e gjelbër e kryeqytetit, ku ndodhet edhe një liqen i madh artificial.

Falë aktiviteteve të shumta në natyrë që mund të kryhen, është vendi i preferuar për t’u çlodhur gjatë fundjavave dhe madje edhe gjatë javës, duke u argëtuar dhe duke u larguar nga kaosi i qytetit. Zona e parkut përfshin gjithashtu Pallatin e Brigadave, ndërtimi i të cilit filloi në 1936 dhe u përfundua në 1941 nga arkitekti fiorentin Gherardo Bosio.

Për të shpëtuar përkohësisht nga kaosi i Tiranës, Parku Kombëtar i Malit të Dajtit, që ndodhet 25 kilometra në lindje të qendrës së Tiranës, mund të arrihet me makinë, taksi ose me teleferikun Dajti Ekspress, më i gjati në Ballkan, i cili zgjat rreth 20 minuta.

Zona natyrore është një parajsë e vërtetë për entuziastët e aktiviteteve në natyrë, e këndshme në çdo stinë të vitit, por sidomos në pranverë, kur livadhet mbushen me lule dhe në vjeshtë, kur gjithçka merr tone të ngrohta. Parku i Aventurave të Dajtit është një park aventure për të rritur dhe fëmijë (nga 5 vjeç) i ndërtuar në zemër të pyllit midis shtigjeve, zip-lines dhe shtigjeve prej druri.

Çfarë duhet të bëni në Tiranë: Blloku, zona e jetës së natës

Në afërsi të parkut ndodhet Blloku, zona e jetës së natës në Tiranë, e njohur për baret dhe klubet e shumta. Nëse sot Blloku është vendi ku takohen të rinjtë në diskotekat dhe klubet e zonës, në vitet e diktaturës komuniste lagja ishte e rezervuar ekskluzivisht për elitën politike dhe nuk lejohej hyrja e të tjerëve.

Radio Bar, Nouvelle Vague dhe Antigua janë ndër vendet më të frekuentuara nga banorët e Tiranos dhe janë të njohur për koktejet e tyre të shkëlqyera, stilin e rafinuar dhe atmosferën e këndshme.

Zona është shumë e gjallë edhe nga pikëpamja kulturore: në pallatet e disa ndërtesave janë krijuar vepra të shumta të artit të rrugës nga artistë shqiptarë dhe ndërkombëtarë dhe duke u endur nëpër rrugët e saj nuk është e rrallë të hasësh galeri të vogla arti, ku artistë bashkëkohorë shqiptarë ekspozojnë veprat e tyre (Galeria FAB është shumë aktive, në pronësi të Akademisë së Arteve në Tiranë).

Një tjetër vend i padiskutueshëm për të pasionuarit e jetës së natës është Kafe-Muzeumi i Komitetit, pranë Piramidës, një vend me objekte të epokës komuniste ku mund të provoni mbi 20 variacione të rakisë, një pije alkoolike e aromatizuar me origjinë otomane, tipike për të gjithë Ballkanin.

Pazari i Ri dhe Kalaja e Tiranës

Tregu i ri në Tiranë, Pazari i Ri, është rezultat i një rizhvillimi ambicioz që ka ripërtërirë pamjen e strukturës dhe të zonës përreth, e karakterizuar sot nga ndërtesa me fasada me ngjyra me motivet tradicionale gjeometrike të Ballkanit. Arkitektura moderne në qelq dhe çelik në tezgat e së cilës shiten fruta, perime, reçel, marmelatë dhe ushqime të ndryshme tipike shqiptare, është përuruar në vitin 2017.

Kalaja e Tiranës është vendi tjetër i preferuar për shopping. Brenda ka restorante, galeri arti, bare dhe dyqane artizanale ku shiten produkte lokale gastronomike dhe joushqimore.

Albastër në formë bunkeri, qilima tradicionale me modele gjeometrike, qeleshe, shalle mëndafshi, çanta të punuar me dorë, raki, vaj dhe verë, janë vetëm disa nga suveniret më të mira për t’u blerë si kujtim i një udhëtimi në Tiranë.

Ku të flemë në Tiranë?

Maritim Hotel Plaza: është hoteli më i famshëm dhe luksoz në Tiranë, pikërisht në qendër, me dhoma të mobiluara me elementë dizajni, shtretër të rehatshëm dhe të bollshëm, qendër Wellness, sauna, tre restorante të kuzhinës ndërkombëtare dhe pamje të bukur të sheshit ”Skënderbej”.

Hotel Mondial: dhoma me vëmendje ndaj detajeve, një përzierje e arredimit klasik dhe bashkëkohor. Pishinë të jashtme në çati dhe bar në çati me pamje nga çatitë e Tiranës. Hoteli ndodhet pak metra larg Mozaikut të Tiranës, e vetmja mbetje arkeologjike e pranishme sot në qytet, pjesë e një vile të lashtë romake të shekullit III.

Nga ana tjetër, Hotel Areela Boutique është një hotel i vogël në stilin neoklasik dhe industrial, shtatë minuta më këmbë nga sheshi, me dhoma të mëdha dhe shumëngjyrëshe, të mobiluara me qilima tradicionale dhe vepra arti bashkëkohor.

Ku të hamë në Tiranë?

Tirana po hyn plotësisht në listën e destinacioneve gastronomike më interesante në Evropën Jugore. Ndër pjatat tipike janë byreku, tavë kosi, patëllxhanë të mbushur dhe qofte, qofte pikante dhe speca të skuqur. Por, ka restorante të shumta që rishikojnë kuzhinën tradicionale me ndikime bashkëkohore.

Mes të shumtëve, për t’u theksuar në rendin e ditës ”Mullixhiu” në tryezat e të cilit mund të shijoni shijet tradicionale të gastronomisë shqiptare, ”Padam”, një ”institucion” lokal, në kuzhinat e të cilit shefi i kuzhinës Fundim Gjepali krijon një menu jashtëzakonisht të rafinuar; ”Gzona” nga shefi i kuzhinës Bleri Dervishi (me shumë eksperienca italiane dhe ndërkombëtare pas tij), i cili rrit përbërësit dhe shijet vendase duke i shndërruar në gatime që ngjajnë me vepra arti.

Çfarë të vizitoni pranë Tiranës?

Një orë larg Tiranës, Kruja, kryeqyteti i lashtë i mbretërisë shqiptare, është një qytet i bukur malor me një treg historik, ku artizanët vendas shesin tekstile, bizhuteri, qilima të endura në tezgjah dhe antika.

Në kalanë e saj, simbol i rezistencës kundër pushtimit osman, ku Skënderbeu luftoi kundër turqve për 25 vjet për të mbrojtur Shqipërinë, ndodhen dy muze të rëndësishëm.

Muzeu Etnografik i Krujës, i vendosur në sallat e një shtëpie të vjetër, që u ofron vizitorëve një pasqyrë interesante të jetës lokale gjatë viteve të pushtimit osman dhe Muzeu i Skënderbeut, sallat e të cilit ekspozojnë afreske, statuja, mozaikë dhe dokumente për ngjarjet historike të vendit.

Nga tarraca me xham e restorantit ”Panorama”, e cila shërben pjata të shkëlqyera të gastronomisë vendase, mund të admironi pamjen më të bukur të qytetit, tregut dhe kalasë.

Durrësi është një nga qytetet më të vjetra në Mesdhe, me mbetje të shumta arkeologjike, duke përfshirë amfiteatrin romak, i ndërtuar midis shekujve I-II pas Krishtit, nën mbretërimi i Trajanit, i cili mund të strehonte më shumë se 20 000 njerëz.

Durrësi ka plazhe të gjata me rërë të artë, me ujë të cekët dhe mjafton të shkoni disa kilometra larg qendrës për të gjetur ujë të pastër dhe gjire sekrete ku mund të pushoni.

Ai ka plazhe ideale për ata që udhëtojnë me fëmijë të vegjël falë ujit të cekët dhe të pastër.

Gjithashtu në veri të Durrësit, Kepi i Rodonit, një kep shkëmbor që del nga deti Adriatik, është në vend të kësaj një nga vendpushimet bregdetare më magjepsëse në Shqipëri, me shkëmbinj, plazhe të pacenuara dhe shkurre mesdhetare sa të sheh syri.

Disa kilometra larg qendrës historike, nga ana tjetër, duke u nisur nga jugu, plazhet e Golemit, Karpenit, Gjeneralit dhe Spillesë janë rizhvilluar kohët e fundit dhe tashmë janë perfekte veçanërisht për familjet.

Tirana, evente dhe festivale

Pasi ishte Kryeqyteti Evropian i Rinisë në 2022, Tirana është Kryeqyteti Evropian i Sportit 2023. Për të gjitha eventet që lidhen me nominimin, këshillohet të konsultoheni me faqen e internetit tirana.al/.

Në Shqipëri dhe në Tiranë, 14 marsi, dita e pranverës, shënon fillimin e verës.

Në maj, Festivali i Ditës së Ngjyrave është një ngjarje që feston ardhjen e verës. Nga pikëpamja e ngjarjeve, shtatori është muaji më i gjallë.

Në fillim të shtatorit Festivali Ndërkombëtar i Xhazit përfshin artistë të xhazit nga e gjithë Evropa; Mural Fest, kushtuar artit të rrugës, tërheq artistë nga e gjithë bota që krijojnë vepra në fasadat e ndërtesave të kryeqytetit; Festivali Ndërkombëtar i Filmit TIFF-Tirana (tiranafilmfest.com), në fund të muajit, është eventi më i rëndësishëm i filmit në vend.

Maratona e Tiranës është një takim fiks prej disa vitesh në fund të tetorit.

Panairi i Librit është eventi më i madh shqiptar kushtuar botës botuese dhe mbahet çdo vit në nëntor.

Më në fund, në dhjetor, sheshi shndërrohet në një fshat të madh Krishtlindjesh me stenda, shtëpi prej druri dhe lojëra për të rinj dhe të moshuar./ atsh / KultPlus.com

32 vite nga dita e rënies së monumentit të diktatorit komunist Enver Hoxha

Më 20 shkurt të vitit 1991 dhjetra, mijëra studentë e qytetarë u ngritën për të shembur simbolin e komunizmit, monumentin e diktatorit Enver Hoxha, i cili ishte i vendosur në qendër të Tiranës.

Më 18 shkurt 1991, studentë të Universitetit të Tiranës, që në atë kohë mbante emrin e diktatorit Enver Hoxha, hynë në grevë urie.

Në 20 shkurt të vitit 1991, pas protestave disa javore të studentëve të dhjetorit dhe ditët e fundit me grevë urie, qytetarët e Tiranës u bashkuan në një protestë madhështore, e cila u finalizua me rrëzimin e monumentit të diktatorit Enver Hoxha.

Data 20 shkurt e vitit1991 shënoi fundin e regjimit komunist në Shqipëri. Një nga kavot që u përdor për të tërhequr monumentin, gjendet i ekspozuar në Pavijonin e Terrorit Komunist, pranë Muzeut Historik Kombëtar. / KultPlus.com

“All Quiet on the Western Front” fiton çmimin BAFTA

“All Quiet on the Western Front” (”Asgjë e re nga fronti i Perëndimit”) fitoi çmimin prestigjioz britanik BAFTA, pasi ishte nominuar 14 herë.

Filmi luftarak i Edward Berger fitoi përfundimisht shtatë çmime, përfshirë filmin më të mirë dhe regjisorin më të mirë.

Cate Blanchett dhe Austin Butler fituan aktoren kryesore dhe aktorin kryesor për interpretimet e tyre në “TAR” dhe “Elvis”.

Më poshtë vijojnë çmimet kryesore të BAFTA-s:

Filmi më i mirë

“All Quiet on the Western Front”
“Banshees e Inisherin”
“Elvis”
“Gjithçka kudo në të njëjtën kohë”
“TAR”

Filmi më i mirë britanik

“Pas diellit”
“Banshees e Inisherin”
“Brian dhe Charles”
“Perandoria e Dritës”
“Fat i mirë për ty, Leo Grande”
“Të jetosh”
“Muzikali i Matilda i Roald Dahl”
“Shiko si vrapojnë”
“Notarët”
“Çudia”

Aktorja kryesore më e mirë

Cate Blanchett, “TAR”
Viola Davis, “The Woman King”
Danielle Deadwyler, “Deri”
Ana De Armas, “Bjonde”
Emma Thompson në “Good Luck to You, Leo Grande”

Aktori kryesor më i mirë

Austin Butler, “Elvis
Brendan Fraser, Balena
Colin Farrell, “The Banshees of Inisherin”
Paul Mescal, “Aftersun”
Bill Nighy, “Living”./ atsh / KultPlus.com

Osmani sot ndan medalje presidenciale të meritave

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani për nder të 15-vjetorit të pavarësisë së Kosovës ka vendosur të ndajë medalje për personalitete nga sfera e kulturës, sportit dhe sigurisë për personalitete që kanë dhënë kontribut dhe kanë sakrifikuar për lirinë e Kosovës.

Sipas njoftimit, ceremonia e ndarjes së medaljeve do të mbahet sot (e hënë).

Kujtojmë që më 17 shkurt të vitit 2008 në orën 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës është shpall pavarësia e Kosovës. Shpallja e pavarësisë ishte bërë nga kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi.

Kjo ditë u shënuar me një sërë aktivitetesh në Kosovë, ndërsa sot do të ndahen edhe medaljet presidenciale të meritave. / KultPlus.com

Rama: Traditë e re e të hënës shkollore, java nis me himnin kombëtar

Java në shkolla ka nisur me këndimin e himnit të flamurit nga nxënësit.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale nxënës të shkollave të cilët e nisin këtë të hënë me himnin kombëtar.

“Mirëmengjes! Dhe me me këtë video për traditën e re të së hënës shkollore, “rreth flamurit të përbashkuar me një dëshirë e një qëllim”, ju uroj një javë të mbarë”, shprehet Rama krahas videos.

Më 19 Janar të këtij viti, Ministria e Arsimit mori vendimin për këndimin e Himnit çdo fillim jave në shkolla, gjë e cila është pritur mirë nga nxënësit./ atsh / KultPlus.com

Lamtumirë

Poezi nga Lasgush Poradeci

Më del e zë pshon me të fshehtë,
Një brengë hije-rëndë mbi sy
Përbrenda në zemrën e shkretë
M’i shtje drejt-për-drejt që të dy.

E loti prej syve të tua
Rëngjethet valome perdhe:
M’ja ndjen vështrimin-bukur-pallua
Ti zemres greminen e re…

Po këngët qe sot më nuk janë,
Stolisen me mall në mërgim.
Përmbytur mjerimesh pa ana,
Ndrin Yll’ i të rriturit t’im./ KultPlus.com