Hapet thirrja për Fondin e Krijimtarisë Letrare për të rinj

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ka hapur thirrjen për aplikime në Fondin e Krijimtarisë Letrare për të rinj.

Thirrja u drejtohet lëvruesve të poezisë dhe prozës nga mosha 18 deri 35 vjeç, të cilët duan të botojnë dorëshkrimet e tyre të para.

Aplikimi kryhet nga një botues i pajisur me licencë përkatëse, nëpërmjet përfaqësuesit ligjor.

Shuma e financimit për mbështetjen e procesit krijues të veprës do t’i paguhet drejtpërdrejt shtëpisë botuese. Aplikimi fillon sot dhe përfundon në datën 10 mars 2023.

QKLL thotë se për rastet kur dokumentacioni nuk do të jetë i plotë, aplikimi nuk do të merret në shqyrtim për fazën përzgjedhëse.

Aplikimet do të dorëzohen në formë të printuar, dorazi ose në rrugë postare, në zyrën e Protokollit të Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit brenda datës 10 mars./ atsh / KultPlus.com

QKLL shpalli sot fituesit e Fondit të Krijimtarisë Letrare për të Rinj

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit shpalli sot fituesit e Fondit të Krijimtarisë Letrare për të Rinj, një fond ky i përvitshëm dhënë nga QKLL-ja, në mbështetje të shkrimtarëve të rinj.

Juria, e kryesuar nga studiuesja Lili Sula dhe me anëtarë shkrimtarët Virion Graçi dhe Alfred Peza, nga 17 aplikime vlerësuan tri dorëshkrime në prozë nga shkrimtarët e rinj Flogerta Krypi, Xhoana Jaku dhe Behar Jacaj me motivacionet:

1.Behar Jacajt, për librin me tregime “Hoteli përbri kishës dhe disa tregime të errëta”, duke dalluar mes prozatorëve të rinj bashkëkohorë, për befasinë e situatave rrëfimtare të shprehura me ligjërim artistik mbresëlënës.

2. Flogerta Krypit, për romanin “28 rrahje zemre matematikore”, për konceptim strukturor modern të rrëfimit, të shprehur me ndjeshmëri të lartë artistike dhe ligjërim të pasur figurativ.

3. Xhoana Jakut, për romanin e zhanrit fantashkencë “Dritëhijet, fatet”, me një fantazi të çlirët dhe rrëfim shumështresor, të shprehura përmes një zhanri pak të lëvruar në letërsinë tonë. / KultPlus.com