Frederik Rreshpja, poeti lirik që vuajti burgun e diktaturës

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe” kujtoi sot në ditën e tij të ndarjes nga jeta, poetin lirik, eseistin, publicistin dhe botuesin Frederik Rreshpja (19 korrik 1940-17 shkurt 2006). Pena e tij është ndër më përfaqësueset e vargut shqip.

Frederik Rreshpja u lind në Shkodër më 1940-ën në një familje me origjinë nga Dukagjini. Kreu në vendlindje shkollimin fillor dhe të mesëm pranë gjimnazit “29 Nëntori”. Studimet universitare i ndoqi pranë Pedagogjikut në Tiranë me korrespondencë.

Më 1967 iu botua vepra e parë letrare, përmbledhja me poezi “Rapsodi shqiptare”. Më 1975 vepra e tij u hoq nga qarkullimi me urdhrin e një qarkoreje të Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës. U arrestua dhe u dënua “…si një person që paraqet rrezikshmëri shoqërore që synon në minimin, dobësimin dhe përmbysjen e pushtetit popullor…”.

Frederik Rreshpja vuajti 17 vjet burg. Pasi doli nga burgu, botoi vëllimet “Erdhi ora të vdes përsëri” – 1994, “Lirika të zgjedhura” – 1996, përmbledhje kjo që u shpall më e mira për vitin përkatës, si dhe vëllimin me poezi “Në vetmi” që u botua në vitin 2004, i cili i solli titullin “Poet i vitit 2004”. U përfshi në vëllimin “Historia e Letërsisë Shqiptare” e Robert Elsie-t të 2003. Frederik Rreshpja përfaqësohet me disa poezi në “Antologjinë e poezisë shqiptare” të Aleksandër Zotos (1998) dhe në “Antologjinë e poezisë shqipe”.

Frederik Rreshpja jetonte në Tiranë, i vetëm. Vdiq më 17 shkurt 2006 në Shkodër, nga një sëmundje e zemrës, i rrethuar nga vëllezërit dhe familja e gjerë dhe u varros më 18 shkurt, në varrezat katolike “Rrëmaj” të Shkodrës./ atsh / KultPlus.com

Seanca festive e Kuvendit të Kosovës sot është hapur me performancën e Filharmonisë së Kosovës

Seanca festive e Kuvendit të Kosovës sot është hapur ndryshe nga herët tjera. Filharmonia e Kosovës sollën një mini koncert tejet të veçantë çka e bëri edhe më madhështore këtë ditë.

Koncerti filloi me fragment nga baleti “Shotë e Azem Galica” nga Nikolla Zoraqi, për të vazhduar me “Bareshën” e Rexho Mulliqit.

Në mbyllje Orkestra interpretoi “Odën e Gëzimit” nga Beethoven me dirigjent Gridi Kraja. / KultPlus.com

Fjalimi i Presidentes Osmani në seancën solemne të Kuvendit të Republikës së Kosovës me rastin e 15 vjetorit të Pavarësisë

Më lejoni që fillimisht të falënderoj Filarmoninë e Kosovës për këtë minikoncert të mrekullueshëm në fillim të kësaj Seance, dhe po ashtu të falënderoj Presidentin e Republikës së Shqipërisë, z. Bajram Begaj që na ka nderuar me prezencën e tij.

Z. President,

Z. Kryetar i Kuvendit z. Konjufca,

Z. Kryeministër Kurti,

Të nderuar zëvendëskryeministra, ministra të kabinetit qeveritar,

Shumë të nderuar deputetë, përfaqësues të qytetarëve të Republikës së Kosovës,

Të nderuar shkëlqësi ambasadorë,

Të nderuar përfaqësues të familjeve të dëshmorëve, veteranë të luftës,

Përfaqësues të institucioneve të sigurisë,

Shumë të dashur qytetarë të Republikës!

          Jam e nderuar që sot, në ditëlindjen e pesëmbëdhjetë të Republikës sonë, të mund t’ju drejtohem nga foltorja e Kuvendit të Republikës, institucionit që bart peshën e jetës plurale dhe demokratike në vendin tonë.

Prandaj, duke bartur në kujtesë këtë akt sublim të shpalljes së shtetit të pavarur të Kosovës, më lejoni ta përgëzoj secilin qytetar të vendit tonë për kontributin në ndërtimin e shtetit tonë të përbashkët; ta kujtojmë sakrificën  e pashembullt dhe qëndresën e pareshtur të brezave, e cila i parapriu jetësimit të ëndrrës për liri e demokraci; ta kujtojmë prijatarin e shtetësisë sonë, presidentin historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovën, i cili e siguroi respektin e gjithë botës demokratike; t’i kujtojmë bijtë e bijat tona, të cilët, të rreshtuar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, sakrifikuan jetën e tyre në mbrojtje të vendit, komandantin historik të kësaj ushtrie, Adem Jasharin, i cili i priu rezistencës për liri; t’i kujtojmë përfaqësuesit e institucioneve të pavarura të Kosovës, të cilët përgjatë këtyre 15 vjetëve kontribuuan në ndërtimin e jetës demokratike në vend, por edhe në paqen e përgjithshme, të kujtojmë po ashtu kontributin e ushtarëve e policisë sonë, përfshirë ushtarët e FSK-së, të cilët, përderisa ne sot po festojmë 15 vjetorin e shtetit tonë, ata po luftojnë për shpëtimin e jetëve nën rrënojat e ndërtesave të shembura nga tërmeti tragjik i cili e goditi Turqinë dhe Sirinë, ditë më parë.

          Por, sot i rikujtojmë e u falënderohemi edhe miqve tanë, aleatëve tanë, të cilët i kemi quajtur me të drejtë shpëtimtarë e miq të lirisë, të cilët kanë qenë së bashku me ne përherë, kur ne ishim të shtypur e luftonim për lirinë, kur u çliruam dhe filluam jetën demokratike në tokën e lirë, në vendin e lirë e të dashur tonin. Ata janë këtu edhe sot, partnerë të besueshëm e të qëndrueshëm, me të cilët bashkërisht ne po e ndërtojmë të ardhmen tonë, si partnerë të besueshëm e ndërveprues.

Të nderuar deputetë,

Të dashur qytetarë të vendit tonë!

          Në këto 15 vjet Kosova është zhvilluar e forcuar si shtet i ri; ajo ka dëshmuar kulturë demokratike në organizimin e jetës politike dhe funksionimin e institucioneve, i ka ndërtuar e zhvilluar kapacitetet e saj shtetërore dhe ka krijuar bazë solide për funksionim të mëtejshëm. Institucionet tona po forcohen dita-ditës. Kjo është e arritur e madhe e qytetarëve tanë.

Sfidat, sigurisht, kanë qenë të pranishme, por i kemi tejkaluar me urti, duke qenë të përkushtuar për shtet të mirëfilltë e partneritet të qëndrueshëm me aleatët tanë.

Këto sfida ndonjëherë na kanë bërë të përplasemi së brendshmi, ngaqë pikëpamjet tona kanë qenë të ndryshme, sikur është e nënkuptueshme për shoqëritë demokratike. Por, gjithsesi, na kanë bërë edhe më të fortë. Kanë dëshmuar aftësinë tonë për të qenë të qëndrueshëm karshi tyre e për ta zhvilluar më tej jetën tonë demokratike.

Këto sfida janë të pranishme edhe sot, kur Kosova, falë përcaktimit të saj të hershëm, po përpiqet që ta fuqizojë edhe më tej pozitën e saj ndërkombëtare drejt integrimit të vendit në strukturat euroatlantike. Sigurisht, Kosova nuk mund të jetë ishull i izoluar karshi sfidave e kërcënimeve që e kanë sfiduar gjithë kontinentin tonë dhe botën demokratike. Por, ajo nuk mund t’i injorojë edhe kërcënimet e sigurisë ndaj saj, të cilat vijnë si rrjedhojë e përpjekjeve për ta minuar shtetësinë tonë.

Sot e kësaj dite, forca destruktive provojnë ta cenojnë shtetësinë  tonë. Ato provojnë të ushtrojnë ndikimin e tyre, duke përdorur përpjekjen për ta thyer unitetin tonë historik karshi çështjeve madhore. Porne nuk duhet të lejojmë që shoqëria jonë të polarizohet karshi sfidave të tilla. Në përballje me Serbinë, duhet dhe do të jemi një. Si gjithnjë, ne duhet të reflektojmë maturi, të bashkëndiejmë e të bashkëveprojmë karshi këtyre sfidave.

Forcimi i mëtejmë i shtetit të Kosovës është mision i gjithsecilit: i institucioneve, i gjithë spektrit politik e i secilit qytetar, pa dallime, ashtu siç ishte edhe liria jonë e pavarësia e Kosovës ëndërr dhe mision i shumë brezave dhe gjeneratave para nesh.

Prandaj, pavarësisht dallimeve në pikëpamje, ide dhe platforma politike, spektri politik i vendit, do të jetë i bashkuar përballë të gjithë atyre që përpiqen të minojnë shtetin tonë, apo të pengojnë përparimin e tij. Ashtu siç kemi qenë të bashkuar gjithmonë dhe kurdoherë që e ka kërkuar interesi madhor i vendit tonë.

Beteja për fuqizim ndërkombëtar, për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, e rruga drejt integrimit euro-atlantik, kërkon bashkëveprim të plotë me shtetet mike e aleate, tepër të rëndësishme historikisht për secilin proces të rëndësishëm nëpër të cilin ka kaluar Kosova jonë.

Siç e kemi kurorëzuar lirinë me ndihmën e tyre, njësoj shpresojmë ta përmbyllim edhe procesin e integrimit në familjen evropiane dhe të anëtarësimit në NATO po me ndihmën e tyre. Ne jemi fuqishëm në anën e aleatëve tanë, ndaj është e domosdoshme që vendet e Ballkanit Perëndimor ato që janë demokratike sa më parë të anëtarësohen në NATO dhe BE, si masë parandaluese kundrejt cenimit politik, ushtarak e ekonomik të Rusisë dhe satelitëve të saj në rajon. Procesi i dialogut me Serbinë e ka një epilog, një epilog që e kemi thënë gjithsecili prej nesh, një epilog që e rikonfirmoi edhe Presidenti Biden në letrën e tij drejtuar mua si Presidente e vendit dje, e ajo është njohja reciproke. Tërësia territoriale, kushtetutshmëria, rendi juridik e sovraniteti jonë janë të panegociueshme.

Të nderuar deputetë!

Përvjetorët si ky janë mundësi e mirë për të reflektuar mbi rrugëtimin tonë të gjatë e të dhimbshëm por krenar si dhe mundësinë që, duke punuar çdo ditë, ta zhvillojmë më tej jetën tonë demokratike e ta forcojmë shtetin tonë për të cilin është sakrifikuar aq shumë. Prandaj, le të punojmë bashkë e pareshtur që shtetin tonë, Republikën e Kosovës, ta zhvillojmë e ta forcojmë. Sa më shumë që të tjerët punojnë për minimin e shtetit tonë, aq më i fortë do të jetë uniteti ynë për ta forcuar dhe për ta përparuar atë, sepse Republika jonë është e përjetshme.

Zoti e bekoftë Republikën e  Kosovës!

Zoti i bekoftë miqtë e saj!

Zoti i bekoftë qytetarët tanë!

Faleminderit! / KultPlus.com

‘Se këtu jam dem baba dem, për Kosovë jap shpirtin tem!’

“Marshi i UÇK” -së është një ndër këngët më të njohura dhe më të dashura të cilën e ka sjell me një interpretim rrëqethës artisti i njohur Arif Vladi.

Në këtë 15 vjetor të pavarësisë së Republikës së Kosovës, ku në radhë të parë kujtohet të gjithë ata që sakrifikuan jetën për lirinë e këtij vendi, KultPlus ju sjell në mendje këtë këngë të pavdekshme.

Oj Kosovë o djep lirie
Çdo kulm shpie nji bajarak
UÇK-ëja t’paska hije
Për atdhe po derdhet gjak

Po luftojnë djemtë e Kosovës
Prej Drenice n’mal t’Gjakovës (x2)
Për atdhe lokja m’ka le, për flamurin kuq e zi
Jam ushtar në UÇK do ti sjell vendit liri

ref:

Brez pas brezi në k’to votra
Jam i lashtë sa vet Evropa (x2)
Jo se l’shoj oo asni pllam toke
Dy gisht balle mke fale ti loke

Se k’tu jam dem-baba-dem
Për Kosovë jap shpirtin tim (x2)

Qofsh i pushkës je shqipëtarë
Ta mbrojmë vendin pllambe me pllambe

Se k’tu jam dem baba dem
Për Kosovë jap shpirtin tem (x2). / KultPlus.com

17 shkurti e sjell Bebe Rexhen me këngë të re (VIDEO)

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha ka sjell sot, pikërisht në ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, këngën e re të titulluar “Heart wants What It Wants”.

Kënga vjen e shoqëruar me një videoklip mjaft interesant, ndërsa Bebe duket atraktive si gjithmonë.

Kujtojmë që kënga e fundit e Bebes në bashkëpunim me David Guetta “I’m Good” ka qenë për kohë në krye të listës së këngëve më të dëgjuara. / KultPlus.com

17 shkurti i vitit 2008 i barasvlershëm me 28 nëntorin 1912

Shqipëria, 17 shkurtin duhet ta shpallë festë zyrtare.

Nga Jusuf Buxhovi

Shteti i Kosovës paraqet të arriturën më të madhe të shqiptarizmit në këtë shekull. Si i tillë, thuajse përmbush kornizën e konceptit politik të Rilindasve që etnia shqiptare në përmasat e katër vilajeteve sa kishte në prag të shembjes së Perandorisë Osmane, t’i kthehet botës perëndimore.

Kjo e arritur historike ishte pjesë e një kundërvënie thuajse një shekullore mospranimit të pushtimit serb nga viti 1912 e deri në vitin 1999. Ky proces i pandalshëm kaloi nëpër disa binarë: atë të rezistencës së armatosur (nëpërmes luftës kaçake në vitet 1912-1924); të përpjekjeve për bashkim kombëtar në përputhje me rrethanat (ato nga viti 1941-1944) ; të iredentizmit ideologjik – nga viti 1945-1968 në përputhje me të drejtën e vetëvendosjes, si dhe atë për barazi e manifestuar me kërkesën për Republikën e Kosovës që u shfaq në vitin 1968 dhe në vitin 1981. Përgjegjësia që këtij rrugëtimi t’i jepej akti i fundit, i ra Lëvizjes Kombëtare në vitet 1989-1999, e udhëhequr nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe faktorëve të tjerë të përfshirë në të, që drejtoi rezistencën institucionale dhe atë të armatosur, që mori epilogun përfundimtar me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1990, shpallja e Repblikës së Kosovës, më 7 shtator në Kuvendin e Kaçanikut, Referendumi për Pavarësi i 24 shkurtit 1991, zgjedhjet e para parlamentare dhe presidenciale të vitit 1992, formimi i Qeverisë së Kosovës ia krijuan platformën kushtetuese dhe institucionale shtetit të pavarur të Kosovës, që më 17 shkurt 2008 u pranua edhe ndërkombëtarisht.

Andaj, nga kjo pikëpamje, 17 shkurti i vitit 2008, është i barasvlefshëm me 28 nëntorin 1912.

Bota shqiptare ka arsye që këtë ditë ta kremtojë me dinjitet, ndërsa shteti shqiptar duhet 17 shkurtin ta shpallë festë zyrtare.

Ky veprim, formulën e bashkimit kombëtar e konverton në atë të unionit të të dy shteteve shqiptare, si të drejtë të bashkimit në përputhje me vullnetin demokratik, që duhet ta ketë edhe miratimin e faktorit perëndimor. / KultPlus.com

Blinken uron Kosovën: E përkrahim fuiqshëm planin franko-gjerman, ai iu çon drejt integrimeve dhe stabilitetit

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka uruar Kosovën me rastin e 15 vjetorit të pavarësisë.

Blinken ka shkruar se këtë vit Kosova dhe SHBA kanë riafirmuar partneritetin e fortë dhe përkushtimin e përbashkët për demokraci, sovranitet dhe integritet territorial të Kosovës derisa janë shfaqur sfida të reja në mjedisin e sigurisë evropiane.

“Përparimi i Kosovës gjatë pesëmbëdhjetë viteve të pavarësisë është i jashtëzakonshëm për hapat e saj të mëdhenj në zhvillimin e një demokracie të qëndrueshme, multietnike dhe gjithëpërfshirëse”, ka shkruar Blinken në letrën e tij.

Sekretari amerikan ka thënë se SHBA është mirënjohëse për pritjen bujare që Kosova kishte bërë për refugjatët afganë dhe për përgjigjen e prerë të Kosovës për agresionin rus në Ukrainë.

“Kosova është një nga vendet më të reja në botë; qytetarët e saj me të drejtë janë krenarë për progresin që ka bërë Kosova në promovimin dhe avancimin e vlerave demokratike dhe forcimin e institucioneve për të ofruar qeverisje të mirë, sundim të ligjit dhe mundësi ekonomike për të gjithë kosovarët. Ne jemi thellësisht mirënjohës për pritjen bujare të Kosovës të afganëve të zhvendosur, përgjigjen e prerë të Kosovës ndaj luftës brutale dhe të paprovokuar të Rusisë kundër Ukrainës dhe për ndihmën ndaj gazetarëve dhe të tjerëve që kërkuan strehim në vendin tuaj”, ka shtuar Sekretari.

Në fund Blinkena ka thënë se normalizimi i raporteve me Serbinë me synim final njohjen reciproke mbetet çështje thelbësore në forcimin e paqes dhe sigurisë në rajon. Ai ka thënë se SHBA e përkrah fuqishëm propozimin frnako-gjerman dhe thotë se ajo do të çojë Kosovën drejt stabilitetit dhe integrimit evropian dhe euro-atlantik.

“Partneriteti i qëndrueshëm ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës i ka rrënjët në mirëkuptimin reciprok, vlerat dhe miqësinë mes popullit tonë. Mezi pres të vazhdojmë bashkëpunimin për prioritetet tona të përbashkëta për të forcuar sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor. Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, në qendër të njohjes eventuale reciproke, mbetet thelbësor për këtë. Marrëveshja e propozuar së fundmi në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja ka mbështetjen tonë të fortë dhe do ta çojë në masë të madhe vendin tuaj drejt stabilitetit më të madh rajonal dhe integrimit evropian dhe euroatlantik. Përsëri urime të gjithë popullit të Kosovës – mikut, partnerit dhe aleatit tonë – në këtë ditë të rëndësishme. Ju uroj një vit të qetë dhe të begatë në vazhdim.” , përfundon letra e Blinken për pavarësi./Express/ KultPlus.com

Dardania

Poezi nga Sabri Hamiti

Dardania vend i dardhave dardhishtë
Mbas tërmeteve nji Rrafsh i Naltë
Me mbetë e gjallë u ba gjelbishtë
Kur u la vetëm me kambë në baltë

Uji i tërbuem u mërgue ndër dete
Mali i djegun u kthye në therrishtë
Uku e ukia u kafshuen ndër vete
Në mjegullën e muzgut të trishtë

Prej rrajësh nga mënia buthtoi jeta
Me lëkurën të regjun nga veriu
Me dy sy të hapun me bimë të veta
Si pamje e dheut u ngjall njeriu

Zemrën mërdhezun zemër mërdhime
Gjuha e egër tue latue lirinë
Mbi faqen e njomë kokën e thime
Si renë mbi diell shprishi tiraninë / KultPlus.com

Puthi kafkën e Adem Jasharit, rrëfimi i Arsim Gërxhaliu: Serbët m’i vranë 33 familjarë

Mjek dhe drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu ka kaluar nëpër duar mijëra kocka nga varrezat masive në Kosovë.

Në një rrëfim për ABC News, ai ka treguar punën që ka bërë gjatë këtyre 24 viteve, duke theksuar momentet më të vështira kur i jepte lajmin familjarëve që një person i afërm i tyre i janë gjetur eshtrat.

“Menjëherë pas forcave të NATO-s, më 12 qershor të vitit ‘99, Prishtina u çlirua dhe unë fillova të ecja pas trupave të NATO-s dhe menjherë të nesërmen ishte ai kontakti i parë në afërsi të Prishtinës, ku shikoja kufoma në sipërfaqje të dheut, disa gjysmë të mbuluara. Edhe thjesht, njerëzit kishin humbur të afërmit e tyre gjatë luftës dhe sapo u ktheva nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, filloi një vërshim i popullatës.”

“Duke e ditur se aty kishte edhe shumë mbetje mortore që aty ishin mbledhur apo nuk kishin arritur t’i çonin në ndonjë vend për t’i fshehur, sikur gjetëm më pas në këto 23 vitet. Është fakt se ka mbi 2 mijë pika të zhvarrimeve që kanë marrë pjesë dhe rreth 5 mijë persona të identifikuar. Rreth 400 herë kam shkuar në Serbi dhe thjesht i kam sjellë 1870 qeska me mbetje mortore, diku rreth 750 kanë qenë vetëm trupat e Drenicës dhe së fundmi kemi punuar në vitn 2014 në Rubnicë, ku i kemi marrë 54 trupa dhe para 2 vitesh, por numri i tyre është edhe më tutje. Do të thotë 1617 kuti mungojnë dhe thjesht kjo ishte një punë 23-vjeçare, që nuk ishte shumë e lehtë se ballafaqohesim me gjëra të rënda. Në këtë kohë kohë pas 23 vitesh, mund të them që puna në varreza dhe rihapja e tyre mu bë aq e lehtë, sa më rëndonte ajo koha kur duhet të jepnin lajmin familjarëve që është gjetur i afërm i tyre. Ato ishin momentet më të vështira”, u shpreh Gërxhaliu.

Më tej, mjeku tregoi momentin emocionues kur kishte pastruar trupin e Adem Jasharit, prej të cilit kishte marrë një dhëmbë dhe disa qime floku. Sakaq ai bëri të ditur se humbur 33 pjesëtar të familjes, që janë kushërinjtë e mi dhe djemtë e axhallarëve.

“Të gjitha një nga një i kemi pastruar, i kemi larë, ato pjesët kockore me kujdesin më të madh, si të themi me një emocion të thellë. Me komandantin kam punuar rreth 7 orë dhe kur erdhi fundi që ta kompletojë, njëriu ka 206 pjesë kockore dhe e ktheva në pozitën anatomike, për ta futur në arkivol. Edhe kafka mbi ajo e fundit, edhe ishte një emocion që t’ju them të drejtën që nuk e di as vetë se si ka ardhur prej thellësisë së shpirtit tim me siguri. Thjesht kam qenë i emocionuar aq shumë sa që ndoshta nuk isha vetja. Pas 18 vitesh unë i shikova ato video-kasetat se kemi diku 15 mijë fotografi që kemi bërë dhe 13 ditët e punës kanë qenë të xhiruara dhe i kam këto filmimet e punës. Edhe kur e bëm një dokumentar, me thënë të drejtën dhe unë e pash për herë të parë pas 18 vitesh”, tha Gërxhaliu. / KultPlus.com

Unë, biri yt Kosovë

Poezi nga Ali Podrimja

Unë, biri yt, Kosovë t’i njoh dëshirat e heshtura,
t’i njoh ëndrrat, erërat e fjetura me shekuj,
t’i njoh vuatjet, gëzimet, vdekjet,
t’i njoh lindjet e bardha, caqet e tuka të kulluara;
ta di gjakun që të vlon në gji,
dallgën kur të rrahë netëve t’pagjumta
e të shpërthej do si vullkan:-
më mirë se kushdo tjetër të njoh, Kosovë.
Unë biri yt./ KultPlus.com

Kjo është deklarata e Pavarësisë së Kosovës e shpallur para 15 vitesh

Deklarata e Pavarësisë së Kosovës

Të mbledhur në mbledhje të jashtëzakonshme më 17 shkurt 2008, në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë,

Duke iu përgjigjur thirrjes së popullit për të ndërtuar një shoqëri që respekton dinjitetin njerëzor dhe afirmon krenarinë dhe synimet e qytetarëve të saj,

Të zotuar për t’u përballur më trashëgiminë e dhembshme të së kaluarës së afërt në frymë të pajtimit dhe faljes,

Të përkushtuar ndaj mbrojtjes, promovimit dhe respektimit të diversitetit të popullit tonë,

Duke riafirmuar dëshirën tonë për t’u integruar plotësisht në familjen euroatlantike të demokracive,

Duke vërejtur se Kosova është një rast special që del nga shpërbërja jokonsensuale e Jugosllavisë dhe nuk është presedan për cilëndo situatë tjetër,

Duke rikujtuar vitet e konfliktit dhe dhunës në Kosovë që shqetësuan ndërgjegjen e të gjithë popujve të civilizuar,

Mirënjohës që bota intervenoi më 1999 duke hequr në këtë mënyrë qeverisjen e Beogradit mbi Kosovën, dhe vendosur Kosovën nën administrimin e përkohshëm të Kombeve të Bashkuara,

Krenarë që Kosova që atëherë ka zhvilluar institucione funksionale, multietnike të demokracisë që shprehin lirisht vullnetin e qytetarëve tanë,

Duke rikujtuar vitet e negociatave të sponsorizuara ndërkombëtarisht ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës mbi çështjen e statusit tonë të ardhshëm politik,

Duke shprehur keqardhje që nuk u arrit asnjë rezultat i pranueshëm për të dyja palët përkundër angazhimit të mirëfilltë të udhëheqësve tanë,

Duke konfirmuar se rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, i ofrojnë Kosovës një kornizë gjithëpërfshirëse për zhvillimin e saj të ardhshëm, dhe janë në vijë me standardet më të larta europiane për të drejtat të njeriut dhe qeverisjen e mirë,

Të vendosur që ta shohim statusin tonë të zgjidhur në mënyrë që t’i jipet popullit tonë qartësi mbi të ardhmen e vet, të shkohet përtej konflikteve të së kaluarës dhe të realizohet potenciali i plotë demokratik i shoqërisë sonë,

Duke nderuar të gjithë burrat dhe gratë që bënë sakrifica të mëdha për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për Kosovën,

Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe sovran. Kjo shpallje pasqyron vullnetin e popullit tonë dhe është në pajtueshmëri të plotë me rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, dhe Propozimin e tij Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës.

Ne shpallim Kosovën një republikë demokratike, laike dhe multietnike, të udhëhequr nga parimet e jodiskriminimit dhe mbrojtes së barabartë sipas ligjit. Ne do të mbrojmë dhe promovojmë të drejtat e të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe krijojmë kushtet e nevojshme për pjesëmarrjen e tyre efektive në proceset politike dhe vendimmarrëse.

Ne pranojmë plotësisht obligimet për Kosovën të përmbajtura në Planin e Ahtisarit, dhe mirëpresim kornizën që ai propozon për të udhëhequr Kosovën në vitet në vijim. Ne do të zbatojmë plotësisht ato obligime, përfshirë miratimin prioritar të legjislacionit të përfshirë në Aneksin XII të tij, veçanërisht atë që mbron dhe promovon të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre.

Ne do të miratojmë sa më shpejt që të jetë e mundshme një kushtetutë që mishëron zotimin tonë për të respektuar të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve tanë, posaçërisht ashtu siç definohen me Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut. Kushtetuta do të inkorporojë të gjitha parimet relevante të Planit të Ahtisaarit dhe do të miratohet nëpërmjet një procesi demokratik dhe të kujdesshëm.

Ne mirëpresim mbështetjen e vazhdueshme të bashkësisë ndërkombëtare për zhvillimin tonë demokratik nëpërmjet të pranive ndërkombëtare të themeluara në Kosovë në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (1999). Ne ftojmë dhe mirëpresim një prani ndërkombëtare civile për të mbikëqyrur zbatimin e Planit të Ahtisaarit dhe një mision të sundimit të ligjit të udhëhequr nga Bashkimi Europian. Ne, po ashtu, ftojmë dhe mirëpresim NATO-n që të mbajë rolin udhëheqës në praninë ndërkombëtare ushtarake dhe të zbatojë përgjegjësitë që i janë dhënë sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (1999) dhe Planit të Ahtisaarit, deri në atë kohë kur institucionet e Kosovës do të jenë në gjendje të marrin këto përgjegjësi. Ne do të bashkëpunojmë plotësisht më këto prani në Kosovë për të siguruar paqen, prosperitetin dhe stabilitetin në të ardhmen në Kosovë.

Për arsye të kulturës, gjeografisë dhe historisë, ne besojmë se e ardhmja jonë është në familjen europiane. Për këtë arsye, ne shpallim synimin tonë për të marrë të gjitha hapat e nevojshëm për të siguruar anëtarësim të plotë në Bashkimin Europian sapo që të jetë e mundshme dhe për të zbatuar reformat e kërkuara për integrim europian dhe euroatlantik.

Ne i shprehim mirënjohje Organizatës së Kombeve të Bashkuara për punën që ka bërë për të na ndihmuar në rimëkëmbjen dhe rindërtimin pas lufte dhe ndërtimin e institucioneve të demokracisë. Ne jemi të përkushtuar të punojmë në mënyrë konstruktive me Organizatën e Kombeve të Bashkuara gjersa ajo vazhdon punën e saj në periudhën në vijim.

Me pavarësinë vie detyra e anëtarësisë së përgjegjshme në bashkësinë ndërkombëtare. Ne e pranojmë plotësisht këtë detyrë dhe do t’i përmbahemi parimeve të Kartës së Kombeve të Bashkuara, Aktin Final të Helsinkit, akteve tjera të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, obligimeve ligjore ndërkombëtare dhe parimeve të marrëdhënieve të mira ndërkombëtare që shënojnë marrëdhëniet ndërmjet shteteve. Kosova do të ketë kufijtë e saj ndërkombëtarë ashtu siç janë paraparë në Aneksin VIII të Planit të Ahtisaarit, dhe do të respektojë plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të të gjithë fqinjve tanë. Kosova, po ashtu, do të përmbahet nga kërcënimi apo përdorimi i forcës në cilëndo mënyrë që është jokonsistente me qëllimet e Kombeve të Bashkuara.

Ne, nëpërmjet kësaj Deklarate, marrim obligimet ndërkombëtare të Kosovës, përfshirë ato të arritura në emrin tonë nga Misioni i Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), si dhe obligimet e traktateve dhe obligimet tjera të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ndaj të cilave obligohemi si ish-pjesë konstituive, përfshirë konventat e Vjenës për marrëdhëniet diplomatike dhe konsullore. Ne do të bashkëpunojmë plotësisht me Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë. Ne synojmë të kërkojmë anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, në të cilat Kosova do të synojë të kontribuojë për qëllime të paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar.

Kosova shpall zotimin e saj ndaj paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë të Europës Juglindore. Pavarësia jonë e sjell në fund procesin e shpërbërjes së dhunshme të Jugosllavisë. Gjersa ky proces ka qenë i dhembshëm, ne do të punojmë pa pushim për t’i kontribuar një pajtimi që do të lejonte Europën Juglindore të shkojë përtej konflikteve të së kaluarës dhe të farkojë lidhje të reja rajonale të bashkëpunimit. Për këtë arsye, do të punojmë së bashku me fqinjtë tanë për të avansuar të ardhmen tonë të përbashkët europiane.

Ne shprehim, në veçanti, dëshirën tonë për të vendosur marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjtë tanë, përfshirë Republikën e Serbisë, me të cilën kemi marrëdhënie historike, tregtare dhe shoqërore, të cilat synojmë t’i zhvillojmë më tej në të ardhmen e afërt. Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për t’i kontribuar marrëdhënieve të fqinjësisë dhe bashkëpunimit me Republikën e Serbisë duke promovuar pajtimin ndërmjet popujve tanë.

Ne, nëpërmjet kësaj, afirmojmë në mënyrë të qartë, specifike dhe të parevokueshme se Kosova do të jetë ligjërisht e obliguar të plotësojë dispozitatat e përmbajtura në këtë Deklaratë, përshirë këtu veçanërisht obligimet e saj nga Plani i Ahtisaarit. Në të gjitha këto çështje, ne do të veprojmë në pajtueshmëri në parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, përfshirë Rezolutën 1244 (1999). Ne shpallim publikisht se të gjitha shtetet kanë të drejtën të mbështeten në këtë Deklaratë, dhe i bëjmë apel të na ofrojnë përkrahjen dhe mbështetjen e tyre. / KultPlus.com

Kurti zgjedhë të jap mesazhe përmes tri grave shqiptare, Shotë Galicës, Tringë Smajlit e Nënë Terezës

Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen solemne të Qeverisë për nder të 15 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës dha mesazhe për kabinetin e tij dhe qytetarët edhe përmes figurave të mëdha të vendit.

Ai zgjodhi tri gra shqiptare për t’i cituar: Shotë Galicën, Tringë Smajlin dhe Nënë Terezën.

 “Nuk dëshiroj ta zgjas shumë sot, sepse na pret një ditë e gjatë, plot ceremoni e festa, patjetër edhe fjalime. Dëshiroj ta përmbyll këtë fjalë timen me tre citime nga tre personalitete të historisë sonë:

Shotë Galica thoshte “Një jetë pa dije është si një luftë pa armë”. Detyra juaj është që Kosovën të mos e lini pa njërën e as pa tjetrën.

Tringë Smajli thoshte “Mos ia drejtoni armët njëri-tjetrit, por vetëm armikut të përbashkët”. Mbajeni parasysh këtë përditë, që të mos e ngatërrojmë debatin tonë të brendshëm e demokratik, me polarizimet e përçarjet armiqësore me njëri-tjetrin.

E së fundmi, mos e harroni që Nëna Terezë thoshte “Paqja fillon me një buzëqeshje”. Le të jemi ne ata që buzëqeshim, e që mbajmë të hapur derën e bashkëbisedimit. Kosova është projekt i paqes, kontribuese në paqe dhe garanci për paqe. Në këtë kohë kur lufta e preku kontinentin tonë, Kosova e cila sot feston pesëmbëdhjetë vjetorin e pavarësisë, e ka treguar se pa asnjë interes vetjak, i mbështet vendet që dëshirojnë paqe e liri përkundër pushtuesve. Kjo gjithashtu duhet të na bëjë krenarë të gjithëve e secilit.

Edhe një herë të nderuar kolegë: Gëzuar festën e Pavarësisë së Kosovës! I falënderohemi të gjithë atyre që kanë kontribuar për çlirimin e vendit e për shpalljen e pavarësisë”, tha Kurti në Qeveri. / KultPlus.com

“Jo një Republikë e coptume”, mesazhi i “New Born” në këtë 15 vjetor të pavarësisë

“New Born” është këtë vit mori pamje të re për të përçuar një mesazh të ri për shtetin tonë. Në këtë 15 vjetor të pavarësisë së Kosovës, ideatori i këtij obilesku, Fisnik Ismaili, ka treguar se në monument janë ndërruar vendet edhe shkronjave, ku përmes lëvizjes së shkronjave ‘N’ dhe ‘O’, është dhënë një mesazh i fuqishëm politik ku thuhet “No New Broken Republic”.

“#NEWBORN mori një pamje të re. Shumë dashuri, përkushtim dhe kreativitet gjatë këtyre ditëve për pamjen e re të NEWBORN.

Çdo vit, pa përjashtim, NEWBORN ka dhënë një mesazh të fortë, duke shënuar çdo vit zhvillimin e Kosovës në rrugën e saj drejt shndërrimit në një vend që çdo kosovar e ëndërron.

Tema e këtij viti nuk është ndryshe. Në fakt, është provokuese, ndoshta më shumë se herët e tjera, por si gjithmonë është aktuale me gjendjen në të cilën ndodhet populli ynë dhe vendi ynë dhe është një udhëkryq i rëndësishëm drejt shtetësisë së Kosovës”, thuhet në njoftim. / KultPlus.com

Kurti në mbledhjen solemne: Kosova është një shembull demokratik në një rajon problematik

Qeveria e Kosovës ka mbajtur seancë solemne për nder të shpalljes së pavarësisë së shtetit të Kosovës.

Para kabinetit qeveritar, kryeministri Albin Kurti, tha se meritat për këtë 15-vjetor u takon qytetarëve. Ai tha se Kosova është shembull demokratik në Ballkan.

“Simbolikisht kemi zgjedhur ta hapim këtë ditë më mbledhje sepse kemi dashur të shprehim mesazhin se puna dhe festa do të shkojnë gjithmonë bashkë. Në këtë festë duhet të ja përkujtojmë njëri-tjetrin që kur të vijë 20 vjetori. Kosova është një shembull demokratik në një rajon problematik si Ballkani, kjo falë jush. Pavarësia jonë është rezoluta i historisë shekullore, kemi histori të gjatë bashkëjetese”./ Express / KultPlus.com

Adem Jashari dhe UÇK mbulon sheshin më të madh në botë Times Square (VIDEO)

Kompania shqiptaro-amerikane Tafingo që vepron në SHBA dhe Kosovë, tashmë tradicionalisht është bërë e njohur për vendosjen e billboardeve anë e mbanë Amerikës për ditën e pavarësisë së Kosovës.

Për nder të 15 Vjetorit të Ditës së Pavarësisë së Kosovës ka vendosur billboard në një nga ekranet gjigande në Times Square NY. Mesazhi i billboardit në ekranin gjigant në Times Square, falënderon SHBA për ndihmën e saj për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës! Billboardi në vijim vazhdon me disa fotografi të komandantit legjendar Adem Jashari dhe emblemës së UÇK-së.

Në një prononcim për media, pronarët e kompanisë Tafingo, Atdhe dhe Dren Deva theksuan se është tashmë traditë e kompanisë së tyre që 3 vite me radhë promovimi i shtetit të Republikës së Kosovës pikërisht në ditën e pavarësisë në billboarde të ndryshme nëpër Amerikë, dhe këtë gjë e bëjnë me kënaqësinë më të madhe.

Vlen të theksohet që mesazhi kryesor është falënderimi për Amerikën që ndihmoi Kosovën për të arritur ditën e pavarësisë. “Me këtë duam ti tregojmë Amerikës që ne jemi falënderues gjithmonë për ndihmën tuaj dhe nuk ua harrojmë kurrë” thonë vëllezërit Deva. / KultPlus.com

Presidentja Osmani: Republika e Kosovës është e përjetshme

Kosova sot feston 15 vjetorin e pavarësisë e cila u shpall më 17 shkurt 2008.

Presidentja Vjosa Osmani ka publikuar mëngjesin e sotëm një fotografi nga ceremonia e ngritjes solemne të flamurit të Republikës së Kosovës për 15 vjetorin e pavarësisë.

Sipër fotografisë, Osmani ka shkruar “Republika e Kosovës është e përjetshme”.

Në këtë ceremoni, përveç krerëve shtetëror, mori pjesë edhe Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj. / KultPlus.com

Kosova sot feston 15 vjetorin e pavarësisë

Si sot, më 17 shkurt 2008 është Shpallur Pavarësia e Kosovës. Ky ishte kurorëzimi i një rrugëtimi të dhimbshëm lotësh e gjaku për popullin kosovar.

Për vite me radhë, deri në qershor të vitit 1999, shqiptarët vuajtën pasojat e spastrimit etnik nga ushtria e Millosheviçit. Pas përfundimit të luftës dhe vendosjes së trupave ndërkombëtare në Kosovë, në nëntor 2005 nisi zyrtarisht procesi për statusin përfundimtar.

Prej 13 qershorit të vitit 1999, kur forcat serbe u detyruan të largoheshin nga Kosova, ky vend administrohej nga misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara UNMIK dhe institucionet demokratike të Kosovës: Kuvendi, Presidenti dhe qeveria. Edhe pse Serbia nuk kishte kontroll mbi Kosovën, në rezolutën 12 44 të Këshillit të Sigurimit, disa herë përmendej se Kosova është protektorat i OKB-së, por juridikisht pjesë e Republikës Federale të Jugosllavisë.

Më 2 shkurt 2007 i dërguari special për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari, dorëzoi propozimin e tij në Prishtinë dhe Beograd, për pavarësinë e kushtëzuar të Kosovës, hap që çoi drejt krijimit të shtetit të pavarur. Pasi u mbajtën disa raunde bisedimesh, Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008.

Sfida më e afërt për shtetin e ri është heqja e vizave, por kryesorja mbetet aspirata për hyrjen në NATO dhe integrimin në BE. / KultPlus.com

‘Sofra e Varrit’ nga Mentor Zymberaj do të shfaqet në Egjipt

Filmi kosovar me regji të Mirak Zymberaj e skenar të Mentor Zymberaj, “Sofra e Varrit” është përzgjedhur të marrë pjesë në festivalin Alexandria në Egjipt, shkruan KultPlus.

Këtë e ka bërë të ditur vetë skenaristi i filmit Mentor Zymberaj.

“Sofra e Varrit në një konkurrencë të madhe përzgjidhet në mesin e 20 filmave ndërkombëtar të merrë pjesë në Festivalin Alexandria Short Film Festival, Egjipt”, ka shkruar ai./ KultPlus.com

‘Shqipëria ime’, recitali i korit të Ansamblit Popullor

Të bashkuar harmonikisht, Recitali i Korit të Ansamblit Popullor sjell krijimet më të bukura muzikore të trevave shqiptare, në një koncert koral të quajtur “ Shqipëria ime”, sonte në mbrëmje.

Me një repertor të pasur e të larmishëm, me këngë burimore dhe koralet e përpunuara, si dhe me interpretime mahnitëse në instrumente të solistëve, koncerti i kushtohet identitetit tone kulturor.

Nën dirigjentimin e Vladimir Hasimi, Grupi Koral dhe solistët e vokalit të Ansamblit Popullor premtojnë emocion./ KultPlus.com

NASA shpik teknologjinë për gjetjen e të mbijetuarve nën rrënojat e tërmeteve

Një teknologji e projektuar nga NASA u aplikua pas tërmeteve shkatërruese në Turqi dhe Siri për të ndihmuar lokalizimin e të bllokuarve nën rrënoja.

Agjencia hapësinore tha se grupeve të shpëtimit në Turqi iu dërgua një teknologji e ashtuquajtur ”spinoff” e NASA-s që mund të zbulojë njerëzit e bllokuar nën rrënoja nga SpecOps Group i Floridës.

Prototipat e njësive, të quajtura Finding Individuals for Disaster Emergency Response (FINDER), u ndërtuan fillimisht nga Laboratori Jet Propulsion i NASA-s në bashkëpunim me Departamentin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së përpara se t’i licensonin ato në SpecOps.

“Në kohë katastrofash, teknologjia mund të jetë një rrugë shpëtimi. FINDER, një
teknologjia spinoff e NASA-s, po u siguron ekipeve të shpëtimit një mjet thelbësor për të gjetur dhe ndihmuar ata që kanë nevojë pas tërmetit të fundit në Turqi dhe Siri”, tha administratori i NASA-s, Bill Nelson në një postim në Twitter.

Njësitë punojnë duke përdorur një radar me mikrovalë për të zbuluar lëvizjet e vogla të trupit të shkaktuara nga procese të tilla si rrahjet e zemrës ose frymëmarrja.

“Trupi juaj lëviz një milimetër kur zemra juaj rreh. Për shkak se vetë rrënojat nuk lëvizin, ne mund t’i ndajmë ato lëvizje nga njëra-tjetra”, tha Jim Lux, i cili ishte menaxher i detyrave në prototipat FINDER.

“Pastaj, ne shikojmë të shohim nëse lëvizja tregon rrahje zemre dhe frymëmarrje”, theksoi ai.

NASA tha se po punonte gjithashtu për të ndarë pamjet e saj ajrore dhe të dhënat nga hapësira për të mbështetur punonjësit e ndihmës.

Kërkimi për të mbijetuar vazhdoi pas dy tërmeteve të fuqishëm që goditën rajonin kufitar turko-sirian me disa orë larg një jave më parë, pavarësisht shpresave në pakësim e sipër.

Tërmetet vranë më shumë se 40 000 persona dhe kanë lënë miliona në nevojë për ndihmë urgjente.

Tërmeti i parë regjistroi një magnitudë prej 7,7 ballë më 6 shkurt dhe i dyti, më vonë po atë ditë, regjistroi një magnitudë prej 7,6 ballë Rihter./ KultPlus.com

Rescue workers from Hong Kong search for survivors of the earthquake, in Antakya, Turkey, Saturday, Feb. 11, 2023. Emergency crews made a series of dramatic rescues in Turkey on Friday and Saturday, pulling several people from the rubble days after a catastrophic 7.8-magnitude earthquake killed thousands in Turkey and Syria. (AP Photo/Hussein Malla)

Thëniet më të bukura nga romancieri Orhan Pamuk

Ferit Orhan Pamuk është një romancier, skenarist, akademik dhe fitues i Çmimit Nobel në Letërsi në vitin 2006.

Një nga romancierët më të shquar të Turqisë, ka shitur mbi 13 milionë libra në 63 gjuhë, duke e bërë atë shkrimtarin më të shitur të vendit.

Për kënaqësinë e lexuesve tanë ne kemi sjellë një koleksion të thënieve më të bukura të nobelistit Pamuk:

“Gjëja e parë që mësova në shkollë ishte se disa njerëz janë idiotë; gjëja e dytë që mësova ishte se disa janë edhe më keq.”

“Lexova një libër një ditë dhe e gjithë jeta ime ndryshoi.”

“Lumturia është të mbash dikë në krahë dhe të dish që mban gjithë botën.”

“Unë nuk dua të jem pemë; Unë dua të jem kuptimi i saj.”

“Qentë flasin, por vetëm me ata që dinë të dëgjojnë.”

“Më thuaj atëherë, dashuria e bën njeriun budalla apo vetëm budallenjtë dashurohen?”

“Piktura është heshtja e mendimit dhe muzika e shikimit.”

“Librat, të cilët i ngatërrojmë si ngushëllim, vetëm sa e thellojnë pikëllimin tonë.”

“Muzetë e vërtetë janë vende ku koha shndërrohet në hapësirë.”

“Në fund të fundit, një grua që nuk i do macet nuk do ta bëjë kurrë një burrë të lumtur.”

“Pakënaqësia ime më mbron nga jeta.”

“Njerëzit thonë gënjeshtra vetëm kur ka diçka që ata janë tmerrësisht të frikësuar se mos e humbasin.”

“Për aq sa jetoj, nuk do t’i imitoj dhe nuk do ta urrej veten se jam ndryshe nga ata.”

“Sepse nëse fytyra e një të dashuruari mbijeton e zbukuruar në zemrën tuaj, bota është ende shtëpia juaj.”

“Çfarëdo që të thotë dikush, gjëja më e rëndësishme në jetë është të jesh i lumtur.”

“Mundohuni të zbuloni se kush jam unë nga zgjedhja ime e fjalëve dhe ngjyrave, pasi njerëz të vëmendshëm si ju mund të ekzaminojnë gjurmët e këmbëve për të kapur një hajdut.”

“Asgjë nuk është aq befasuese sa jeta. Përveç shkrimit. Përveç shkrimit. Po, sigurisht, përveç shkrimit, i vetmi ngushëllim.”

“Ne nuk jemi budallenj! Ne jemi thjesht të varfër! Dhe ne kemi të drejtë të insistojmë në këtë dallim.”

“Jeta është e bukur nëse jeni në rrugë për diku.”

“Gjëja që na lidh së bashku është se ne të dy kemi ulur pritshmëritë tona për jetën.”

“Papritur e kuptoi se ishte i dashuruar me İpek. Dhe duke kuptuar se kjo dashuri do të përcaktonte pjesën tjetër të jetës së tij, ai u mbush me frikë.”

“Unë nuk jam gjë tjetër veçse një kufomë tani, një trup në fund të një pusi.”

“Parajsa ishte vendi ku mbanit gjallë ëndrrat e kujtimeve tuaja.”

“Lumturi do të thotë të jesh pranë atij që do, kjo është e tëra. (Arritja e posedimit të menjëhershëm nuk është e nevojshme).”

“Kuptova se malli për art, si malli për dashuri, është një sëmundje që na verbon dhe na bën të harrojmë gjërat që tashmë i dimë, duke errësuar realitetin.”

“Në një qytet, ju mund të jeni vetëm në një turmë, dhe në fakt ajo që e bën qytetin një qytet është se ju lejon të fshihni çuditshmërinë në mendjen tuaj brenda turmave të tij të mbushura plot.”

“Orët dhe kalendarët nuk ekzistojnë për të na kujtuar kohën që kemi harruar, por për të rregulluar marrëdhëniet tona me të tjerët dhe në të vërtetë me gjithë shoqërinë, dhe kështu i përdorim ne.”

“Le ta dinë të gjithë, kam jetuar një jetë shumë të lumtur.”

“Unë kam nevojë për dhimbjen e vetmisë për të funksionuar në imagjinatën time.”

“Por unë mendoj se duhet të jetë më e lehtë për një vajzë të martohet me dikë që nuk e njeh, sepse sa më shumë të njohësh burrat, aq më e vështirë është t’i duash ata.”

“Zhytja në problemet e një libri është një mënyrë e mirë për të mos menduar për dashurinë.”

“…përsëritja e pafund e një mrekullie të zakonshme.”

“Piktura mësoi letërsinë të përshkruajë.”

“Më lejoni së pari të them drejtpërdrejt se ndryshe nga çfarë kemi lexuar shpesh në libra dhe kemi dëgjuar nga predikuesit, kur je grua, nuk ndihesh si Djalli.”/KultPlus.com

Q

Iluzion

Poezi nga Artur Rembo

Vitet thyhen, n’iluzionin kohë
Jeta,trup i gjallë ajo
Shpirti Ai, hynjori pa kufijë

Lindja se di,fillim
Vdekja ndoshta,mbarim

Sot,dje,atje,Ne
Ishim,Jemi,kohen burg kemi
Bime e gjelber jemi
Vazo, botën kemi
Nese,ndoshta kujtim jemi

Jeten me endrra ushqeni
Enderrat ushqim mos i pandehni

Neser!Neser për ju sdo ketë
Sot ti je i gjithi ky moment./ KultPlus.com

Kartëmonedha e rrallë në ankand, prerja 500 pound pritet të shitet 22 mijë të tilla

Një kartëmonedhë e rrallë 500 £ nga një degë e Bankës së Anglisë në Leeds pritet të arrijë deri në 22,000 £ kur të shitet në ankand.

Kartëmonedha, e datës 1936, është vetëm e dyta e llojit të saj që dihet se ekziston dhe e para që është vënë në shitje.

Shtëpia e ankandeve Noonans tha se kartëmonedhat 500 £ ishin lëshuar ndonjëherë vetëm në tre degë të Bankës së Anglisë – Londër, Liverpool dhe Leeds.

Ajo do të shitet në një shitje të kartëmonedhave të rralla më 1 dhe 2 mars.

Andrew Pattison, kreu i departamentit të kartëmonedhave në Noonans, tha: “Është me të vërtetë një kartëmonedhë fantastike. Këto kartëmonedha janë shumë të rralla dhe, në fakt, disponohen vetëm nga tre degë të Bankës së Anglisë – Londër, Liverpool dhe Leeds. Edhe pse disa janë lëshuar në Birmingham dhe Mançester, asnjë nuk është zbuluar ndonjëherë. Nga ato të disponueshme, dega e Leeds, si kjo, janë më të rrallat. Kjo kartmonedhë vjen nga një koleksionist afatgjatë dhe është vetëm shembulli i dytë që del ndonjëherë në tregun e hapur”.

Kartëmonedha është nënshkruar nga Kenneth O Peppiatt, i cili ishte shefi i arkëtimit në Bankën e Anglisë dhe pritet të arrijë nga 18,000 deri në 22,000 £./ KultPlus.com