Nesër do të bëhet hapja e edicionit të gjashtë e festivalit ndërkombëtarë të muzikës kamertale “Skupi Kamefest”, shkruan KultPlus.
Nata e titulluar si “Balkan Art Stage” tashmë tradicionalisht bën bashkimin e artistëve e të gjitha trojeve të ballkanit, ku do të interpretohen veprat J.Brahms -piano kuartet Op. 60 no.3 c-mol (1855-75) dhe C.Franck – piano kuintet në f-mol . (1879)
Në program do të luhen vepra nga repertori i hekurt i muzikës së dhomës, Kuarteti i pianos në c-mol ishte ndoshta vepra më emotive autobiografike e opusit instrumental të Brahms.
Edhe pse përfundoi në vitin 1875, rrënjët e saj i kishte 20 vjet para, në periudhën më emotive të jetës së tij – marrëdhënien e dashurisë së dështuar me Clara Schumann.
Brahms vuri në dukje ndikimin e përvojës traumatike në këtë kuartet me dramacitetin e shfaqur me shumë mjeshtri.
Ndërsa piano kuinteti emocional i César Franck qëndron fort pranë veprave më të njohura të kompozitorit francez.
E shfaqur në vitin 1880 për herë të parë nga Kuarteti Marsick dhe Camille Saint-Saëns në piano, kuinteti iu kushtua Saint-Saëns. Konsiderohet si një nga arritjet më të mira muzikore të Franck.
Koncerti do të mbahet më 18 shtator në ora 19:00
Më poshtë gjeni programin e plotë:
Piano – Elena Atanasovska (North Macedonia)
Violin – Tamara Arsovski (Bosnia and Herzegovina)
Viola – Blerim Grubi (Kosova – North Macedonia)
Cello – Mario Guralumi (Albania)
II. Cesar Frank – Piano Quintet in f-minor
Piano – Phoevos Philkas (Greece)
Violin I – Dusan Panajotovic (Serbia)
Violin II – Ron Bakalli (Kosova)
Viola – Stefania Yankova (Bulgaria)
Cello – Dorina Laro (Albania)
Mbremja “Balkan Art Stage” ben bashkimin e artisteve nga gjithe vendet e ballkanit/KultPlus.com
Kalaja e Bashtovës mikpriti këtë fundjavë një festë të organizuar nga projekti EU4Culture i financuar nga Misioni i Bashkimit Europian në Shqipëri.
Festivali i Bashtovës eksploroi kulturën e pasur të Kavajës dhe Rrogozhinës përmes performancave të artistëve shqiptarë dhe ndërkombëtarë, aventurave në natyrë dhe një panairi artizanësh e prodhimesh vendase.
Festivali ishte mjaft i larmishëm, filloi me një ecje përgjatë Shtegut të Liqeneve, më pas, mbrëmja u gjallërua me një panair artizanal, me pikturat e Stefanaq Sotjës dhe fotot e Sulejman Qolit.
“Krenarë që mbështetëm Festivalin e Bashtovës përmes programit EU4Culture. Artistët krijuan një atmosferë fantastike me meloditë tradicionale, ato ndërkombëtare dhe kërcimet”, tha Misioni i BE-së në Shqipëri në një postim në rrjetet sociale ku ndau edhe pamje nga aktivitetet e organizuara.
Kalaja e Bashtovës ndodhet rreth 2 km larg fshatit Vilë-Bashtovë në afërsi të lumit Shkumbin. Kalaja u ndërtua në shekullin XV dhe shërbeu si një objekt tregtimi për tregtarët venecianë dhe si një fortesë për të larguar pushtuesit osmanë. Pozicioni i saj strategjik i lejoi luftëtarët mesjetarë të kontrollonin një zonë shumë të madhe të Adriatikut në perëndim dhe njëkohësisht, fushën në lindje./atsh/KultPlus.com
Policet e Republikës së Kosovës sot kanë parakaluar në Paradën e Kombeve në Auckland të Zelandës së Re.
Lajmin e ka bërë të ditur e ditur Ambasada e Kosovës në Australi, nga ku edhe kanë shprehur krenari për përparimin e Policisë së Kosovës.
“Pesëmbëdhjetë police të Kosovës nga e gjithë Kosova marrin pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të Grave në Policinë #IËPC2023. Parada e Kombeve të mëngjesit të sotëm na bëri krenarë për përparimin e Policisë së Kosovës”, thuhet në njoftim./KultPlus.com
O moj Shqypni, e mjera Shqypni, Kush te ka qitë me krye n’hi? Ti ke pas kenë një zojë e randë, Burrat e dheut të thirrshin nanë. Ke pasë shumë t’mira e begati, Me varza t’bukura e me djelm t’ri, Gja e vend shumë, ara e bashtina, Me armë të bardha, me pushkë ltina, Me burra trima, me gra të dlira; Ti ndër gjith shoqet ke kenë ma e mira. Kur kriste pushka si me shkrep moti, Zogu i shqyptarit gjithmonë i zoti Ka kenë për luftë e n’luftë ka dekun E dhunë mbrapa kurr s’i mbetun. Kur ka lidhë besën burri i Shqypnisë, I ka shti dridhën gjithë Rumelisë; Ndër lufta t’rrebta gjithëkund ka ra, Me faqe t’bardhë gjithmonë asht da.
Por sot, Shqypni, pa m’thuej si je? Po sikur lisi i rrxuem përdhe, Shkon bota sipri, me kambë, të shklet E nji fjalë t’ambël askush s’ta flet. Si mal me borë, si fushë me lule Ke pas qenë veshun, sot je me crule, E s’të ka mbetun as em’n as besë; Vet e ke prishun për faqe t’zezë.
Shqyptar’, me vllazën jeni tuj u vra, Ndër nji qind ceta jeni shpërnda; Ca thone kam fè ca thonë kam din; Njeni:”jam turk”, tjetri:”latin” Do thonë: “Jam grek”, “shkje”-disa tjerë, Por jemi vllazën t’gjith more t’mjerë! Priftnit e hoxhët ju kanë hutue, Për me ju damun me ju vorfnue! Vjen njeri i huej e ju rri n’votër, Me ju turpnue me grue e motër, E për sa pare qi do t’fitoni, Besën e t’parëve t’gjith e harroni, Baheni robt e njerit t’huej, Qi nuk ka gjuhën dhe gjakun tuej. Qani ju shpata e ju dyfeqe, Shqiptari u zu si zog ndër leqe! Qani ju trima bashkë me ne, Se ra Shqypnia me faqe n’dhe! E s’i ka mbetun as bukë as mish, As zjarm në votër, as dritë, as pishë; As gjak në faqe, as nder ndër shokë, Por asht rrëxue e bamun trokë! Mblidhniu ju varza, mblidhniu ju gra, M’ata sy t’bukur q’dini me qa, Eni t’vajtojmë Shqypninë e mjerë, Qi mbet’ e shkretë pa em’n, pa nder; Ka mbet e vejë si grue pa burrë, Ka mbet si nanë, qi s’pat djalë kurrë! Kujt i ban zemra m’e e lan’ me dekë Kët farë trimneshe, qi sot asht mekë? Këtë nanë të dashtun a do ta lamë, Qi njeri i huej ta shklasë me kambë? Nuk, nuk! Këtë marrè askush s’e do Këtë faqe t’zezë gjithkush e dro! Para se t’hupet kështu Shqypnia, Me pushkë n’dorë le t’desë trimnia! Coniu, shqyptarë, prej gjumit çoniu, Të gjithë si vllazën n’nji besë shtërngoniu, E mos shikoni kisha e xhamia: Feja e shqyptarit asht shqyptaria! Qysh prej Tivarit deri n’Prevezë, Gjithkund lshon dielli vap’edhe rrezë, Asht tok’ e jona, prind na e kanë lanë Kush mos na e preki, se desim t’tanë Të desim si burrat që vdiqnë motit Edhe mos marrohna përpara zotit./KultPlus.com
Presidentja e vendit Vjosa Osmani ka udhëtuar për në NewYork, ku pritet të zhvillojë takime me liderë botërorë në kuadër të sesionit të 78-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, shkruan KultPlus.
Përmes këtyre takimeve me homologët e saj, Presidentja Osmani pritet të flasë për zhvillimet e fundit në Kosovë, për synimet e Kosovës për krijimin e raporteve me shtetet anëtare të OKB-së dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
Në një komunikatë nga presidenca thuhet se presidentja së bashku me Zotërinë e Parë është ftuar nga presidenti i SHBA-ve Joe Biden, përderisa një takim me këtë të fundit e ka organizuar edhe Zonja e Parë e SHBA-ve, Jill Biden.
“Presidentja është ftuar së bashku me Zotërinë e Parë, Prindon Sadriu, që të marrin pjesë në pritjen zyrtare të organizuar nga presidenti i SHBA-ve, Joe Biden.
Ndërkaq, Zotëria i Parë, gjithashtu është ftuar të marrë pjesë në një pritje të veçantë, të organizuar nga Zonja e Parë e SHBA-ve, Jill Biden”, thuhet në komunikatë.
Presidenta poashtu do të marrë pjesë edhe në aktivitete e diskutime të shumta të organizuara nga shtetet aleate, do të mbajë diskutime në disa nga universitetet dhe institucionet më prestigjioze në SHBA.
Në agjendën e Presidentes Osmani do të jenë edhe një sërë aktivitetesh të përbashkëta me mërgatën shqiptare në Amerikë si dhe disa nga shoqatat të cilat e zhvillojnë aktivitet në SHBA./KultPlus.com
Shifrat që erdhën në Shqipëri nga turizmi në gjashtëmujorin e parë sipas bankës së shqipërisë tejkaluan investimet e huaja dhe remitancat.
Ndikim kishte edhe në të ardhurat buxhetore. Financat konfirmojnë se në pesë muajt e parë të vitit tvsh apo taksa e konsumit u rrit me 1.2%, tatimi mbi fitimin e bizneseve në 40.9% dhe akciza 8.5%. Edhe pse shifrat tregojnë për një kontribut pozitiv, ekspertët mendojnë se Shqipëria duhet të ndjekë një strategji të re për të vjelur më shumë të ardhura
Shqipëria është zyrtarisht në hartën e destinacioneve globale, por ekspertët shprehen se sektori ka nevojë për formalizim të mëtejshëm.
Për shkak të turizmit ekonomia jonë pritet të pësojë një zgjerim më të fortë me 3.7%, ndryshe nga parashikimi fillestar prej 2.5%. Kjo do ndikohet në masën më të madhe nga ndërtimi, tregtia dhe shërbimet e lidhura me turizmin./topchanel/KultPlus.com
Voskopoja, një prej fshatrave ku kultura, tradita dhe peizazhi unifikohen në mënyrë harmonike është kthyer gjatë fundjavës në qendër të festimeve.
Bashkia e Korçës për dy ditë me radhë ka organizuar Festën e Voskopojës ku për rreth dy ditë do të mbahen panair punimesh artizanale, shëtitje në natyrë dhe shtigje, kulinari, argëtim dhe muzikë duke i dhënë kësaj zone vlera turistike të përhershme.
Pjesë e këtyre aktiviteteve është edhe edicioni i 5-të i vrapimit malor Trail Running Albania ku do i bashkohen rreth 200 vrapues nga Tirana, Kosova, Maqedonia, Greqia e më gjerë.
Qendra kryesore e kulturës në shek. XVIII, Voskopoja mblodhi mbrëmjen e djeshme vizitorë të shumtë nga të gjitha moshat, por edhe turistë të huaj nën një atmosferë të mrekullueshme dhe performanca muzikore nga këngëtarët.
Aktivitetet artistike dhe kulturore të organizuara nga Bashkia e Korçës kanë për qëllim promovimin e vlerave historike dhe turistike të Voskopojës, të kostumeve popullore, guidën e kishave, shëtitjet me kuaj dhe hiking për të apasionuarit pas sporteve të natyrës.
Panairi i ushqimit është një ndër aktivitetet më të veçanta ku ofrohen gatimet tradicionale të Voskopojës, duke dëshmuar edhe një herë që Voskopoja mbetet atraksioni më i preferuar dhe më tërheqës për turistët vendas e të huaj./ATSH/KultPlus.com
“Alfabetarja e gjuhës shqipe” u botua me nismën e Sami Frashërit, Jani Vretos e Pashko Vasës, në Stamboll më 27 shkurt 1879.
Për ta kuptuar rëndësinë e këtij botimi, duhet të kthehemi pas në kohë e në histori. Kujtojmë se shqipja, me sa dokumentohet deri tani, filloi të shkruhet që nga shekulli XV me alfabetin latin, të plotësuar me pesë shkronja të posaçme. U shkrua dhe me shkronja greke e, pas pushtimit turk, edhe me alfabetin turk-arab. Rruga tjetër që u ndoq, është ajo e krijimit të alfabeteve origjinale me përhapje të kufizuar.
Që në fillimet e lëvizjes për çlirim nga Turqia, çështja e alfabetit doli në plan të parë: pa të nuk mund të flitej për Rilindje të popullit shqiptar. Prandaj me nismën e Sami Frashërit, Jani Vretos e Pashko Vasës, më 27 shkurt 1879 u botua në Stamboll “Alfabetarja e gjuhës shqipe“. Ishte një nga veprimtaritë më të rëndësishme të patriotëve shqiptarë të Stambollit, të cilët më 12 tetor 1879 themeluan “Shoqërinë e të Shtypurit të Shkronjave Shqip”, shoqëri kulturore, që kishte për synim të nxiste zhvillimin e kulturës në gjuhën shqipe dhe ta vinte atë në shërbim të çështjes së çlirimit kombëtar nga Turqia. Me alfabetin, plotësonte një nga kërkesat bazë për përhapjen e propagandës atdhetare dhe i hapte rrugën botimeve të para serioze të Rilindjes sonë Kombëtare.
Libri “AΛFABETARE E GLÚHESE ΣQIP” është përgatitur,pra, nga Shemsudin Sami Frashëri, Jani Vreto, Pashko Vasa etj., dhe është botuar në Stamboll më 1879. Një kopje e librit, me kapakë kadife të kuqe të shkruar me shkronja ari, i është dhuruar Sulltan Abdyl Hamitit II, i cili ka ditur të flasë shqip.
“Alfabetarja e gluhësë shqip”, botuar vetëm pak muaj pas miratimit të alfabetit të Stambollit, është një vepër kolektive. Në të janë përfshirë shkrimet e Sami Frashërit: “Gjuha Shqip” dhe “Dheshkronjë”; të Jani Vretos: “Udhë e të shkruarit të gjuhësë Shqip”, “Për Gjithëçishtënë dhe për Zon’e jetësë edhe për Njerinë, botën’ e vogëlë”, “Numerëmësonjë”; të Pashko Vasës: “Shqypnija e Shqyptârt”, të Koto Hoxhit: “Porosit’ e Tovitit mbë të birë”. Siç shihet nga përmbajtja, “Alfabetares së gjuhës shqipe” nuk është thjesht një tekst abetareje. Përveç abetares në të përfshihen edhe lëndë të tjera si: gramatikë, histori, aritmetikë, edukatë shoqërore dhe morale.
Në gjirin e saj, siç u përmend, bashkëpunuan ngushtësisht myslimanë të mëdhenj si vëllezërit Frashëri, katolikë të shquar, si Pashko Vasë Shkodrani e ortodoksë të mësuar e atdhetarë si Jani Vreto: ishte pra model i bashkëpunimit ndërmjet feve në shërbim të Atdheut. Vlerat e kësaj abetareje, që me të drejtë është quajtur “një vepër themelvënëse”, janë të gjera dhe të shumanshme. Kjo vepër përbën një prej gurëve themeltarë në proçesin ripërtëritës dhe ripërcaktues të gjuhësisë shqiptare.
Në “Alfabetare…” trajtohen disa nga problemet më themelore të kohës, në plane të ndryshme: politik, idelogjik, kulturor dhe arsimor që kishte shtruar për zgjidhje Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Ky tekst, si rrallë ndonjë tjetër, shkon në unison me ato ngjarje, duke u bërë jehonë, duke zbatuar pjesë të veçanta të programit për çlirimin kombëtar dhe shoqëror.
Gjithsesi çështja e alfabetit të shqipes do të zgjidhej përfundimisht vetëm me Kongresin e Manastirit, që u mblodh më 14 nëntor 1908, ku u hartua një alfabet i ri me shkronja latine. Është alfabeti që përdorin edhe sot e kësaj dite gjithë ata, të cilët shkruajnë shqip. / KultPlus.com
“Përrallë nga e kaluara” një nga filmat më të bukur shqiptar do të shfaqet muajin që vjen në Francë.
Filmi me regji nga Dhimitër Anagnosti prodhim i vitit 1987 është përzgjedhur të jetë pjesë e seksionit Treasures & Curiosities i festivalit të filmit klasik, “Festival Lumiere”, në Lion, Francë.
Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit ( AQSHF) ka theksuar se një tjetër thesar i trashëgimisë filmike shqiptare prek audiencat europiane falë restaurimit.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ka theksuar se pas filmit “Tana”, që u shfaq në të njëjtin festival në vitin 2022, edhe filmi “Përrallë nga e kaluara” do të mbajë tashmë logon Lumiere Classics, që promovon restaurimet më të mira të kohëve të fundit dhe mundëson rizbulimin e tyre nga një audiencë gjithnjë e më e gjerë.
Festivali i Filmit Lumiere mbahet çdo tetor në Metropolis të Lyonit, Francë, që nga viti 2009.
“Përrallë nga e kaluara” është ekranizim i komedisë “14 vjeç dhëndër” nga Andon Zako Çajupi. Dhimitër Anagnosti rrëfen historinë e martesës së Gjinos 14-vjeçar me Marigonë 28-vjeçare. Me ndihmën e të dashurit të saj, Trimit, Marigoja hakmerret me të gjithë ata që sajuan këtë martesë të pazakontë dhe në fund “mori atë që deshi”.
Një kast i mrekullueshëm aktorësh, garantoi suksesin e filmit. Në rolet kryesore kanë interpretuar Elvira Diamanti, Robert Ndrenika, Xhevdet Feri, Admir Sorra, Hajrie Rondo e Xhemil Tagani.
Ky film është fitues i çmimit “Aleksandër Moisiu” në vitin 1988 për skenarin, në 1990 mori çmimin e dytë në Festivalin e 8 të Filmit Artistik Shqiptar si dhe çmimin e dytë në Festivalin Ndërkombëtar të filmit të Europës Lindore në Bondy, Francë 1990./atsh/KultPlus.com
“Bonbon” është kënga e cila këngëtares shqiptare, Era Istrefit, e cila i dha jehonë ndërkombëtare. Sot pas shtatë vitesh të krijimit, kjo këngë ka arritur në shifrën e 900 milionë klikimeve në YouTube.
Lajmin për këtë arritje e ka bërë vetë këngëtarja, përmes një postimi në instagram.
“Bonbon” deri sot është kënga shqipe më e dëgjuar në YouTube.
Përveq që është dëgjuar shumë kjo këngë edhe ndëkombëtarisht, arriti që të jetë pjesë e ceremonisë në Kupën e Botës të vitit 2018/KultPlus.com
Sot janë bërë 198 vite nga lindja e shkrimtarit, poetit, poliglotit dhe publicistit të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Pashko Vasës, shkruan KultPlus.
Pashko Vasa u lind në Shkodër më 17 shtator 1825 dhe ishte i biri Mhill (Hilë) Gjokë Vasës dhe Drande Gjergjes.
Mësimet e para i kreu në vendlindje. Më pas shërbeu si sekretar i konsulatës britanike nga 1842 deri më 1847, ku pati mundësinë të përmirësojë dijet e tij dhe të zhvillohej si poliglot (njohës i shumë gjuhëve të huaja) në italisht, frëngjisht, turqisht dhe greqisht. Ai poashtu kishte njohuri në anglisht e serbisht dhe më vonë mësoi edhe arabishten.
Së bashku me figura të tjera kombëtare në Stamboll, si Hoxhë Hasan Tahsini, Jani Vreto dhe Sami Frashëri, ai luajti rol në krijimin e një alfabeti të shqipes dhe, lidhur me këtë, botoi një broshurë 16 faqesh me titull «L’alphabet latin appliqué à la langue albanaise». Ishte anëtar i Shoqërisë së të shtypurit shkronja shqip.
Ai qe pjesë e parisë së bashkësisë shqiptare në Stamboll në mbështetje të Lidhjes së Prizrenit, më 20 qershor 1878 qe firma e parë në një memorandum dërguar ministrit të Punëve të Jashtme të Perandorisë Austro-Hungareze, kontit Andrassy. Në memorandum i luteshin që të kishin parasysh të drejtat shqiptare. Pjesë nga memorandumi ku kërkohej përparimi i synimeve kombëtare:
«[…] Populli shqiptar i frymzuem prej traditave dhe interesave të tij do dhe dëshiron, të jetojë në gjinin e perandorís nën skeptrin e Madhnis së Ti Sulltanit dhe nuk pranon në asnji mënyrë që të jetë i damë prej saj. Mbas vendimeve të Shin Stefanit, mënyra e administrimit të mbrendshëm do të ndryshojë e në kët rasë populli shqiptar pa i cënue të drejtat e përjetshme të sovranitetit të Madhnis së Tij Sulltanit kërkon që të formohet për kët qëllim nji komision i përbâmë prej Shqiptarësh, i cili nën mbrojtje e Ti të naltë dhe me pëlqimin e Portës së Naltë të studiojë formën e përshtatshme dhe të ndalojë institucionet e reja lokale duke u a përshtat karakterit, zakoneve dhe nevojave të vendit. […]»
Pashko Vasa vdiq në Bejrut, më 29 qershor 1892.
Më 1978, me rastin e një qind vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, eshtrat e tij u atdhesuan dhe tani prehen në varrezat e dëshmorëve të Shkodrës./KultPlus.com
Poezi nga Nazim Hikmet Ran Shqipëroi: Alban Tartari
Sot është e diel Sot për herë të parë më nxorën në diell, Dhe për të parën herë në jetën time U çudita sa kaq larg prej meje qenkësh ky qiell. Kaq i gjerë Kaq i blujtë Qëndrova palëvizur Pastaj me respekt u ula në tokë, Dhe mbështeta shpinën në mur. Tani s`mendoj më as ahengjet Tani as lirinë, as gruan time të bukur, Toka, unë dhe dielli, jam i lumtur.
Ministrja e Kulturës së Shqipërisë, Elva Margariti, ka propozuar Beratin, qytetin e një mbi një dritareve si destinacionin e duhur për këtë ditë vikendi, shkruan KultPlus.
Sipas saj kalldrëmet e zbukuruara me të qëndisma, Onufri e kulinaria e bëjnë Beratin një vend shumë atraktiv, në të cilin mund ta kalosh të dielën./KultPlus.com
Komuna e Prishtinës ka organizuar dhe sponsorizuar Garën e Robotikës për Fëmijë.
Kjo është bërë me qëllimin e mbështetjes së talenteve të reja në teknologji e inxhinieri.
Kështu u shpreh i pari i Kryeqytetit, Përparim Rama, i cili theksoi se “Gara e Robotikës është një rrugë emocionuese për fëmijët për të mësuar në mënyrë kreative dhe argëtuese”.
Fëmijët, tha ai, “zhvillojnë aftësitë e tyre në programim, ndërtim, dhe bashkëpunim në mënyrë të vërtetë krijuese”.
Rama u shpreh i gëzuar që po kanë mundësi të ndihmojnë “të rriten gjeni të ardhshëm të inxhinierisë dhe teknologjisë”./Klankosova/KultPlus.com
Shqipëria po merr pjesë në sesionin e 45-të të Komitetit të Trashëgimisë Botërore, që po zhvillohet në Riad të Arabisë Saudite.
Ambasadorja e Shqipërisë në UNESCO, Besiana Kadare e pranishme në këtë aktivitet vlerësoi ekspetizën dhe asistencën e dhënë për ruajtjen e objekteve shqiptare të trashëgimisë kulturore, tashmë nën mbrojtjen e UNESCO-s.
“Në ndërhyrjen time, pasi Komiteti i Trashëgimisë Botërore miratoi vendimet për Raportet e Konservimit të rajonit të Ohrit dhe qendrave kulturore të Beratit dhe Gjirokastrës, shpreha vlerësimin për dialogun konstruktiv e të vazhdueshëm me Qendrën e TB dhe gjithashtu falënderova organet këshillimore për ekspertizën dhe asistencën”, u shpreh Kadare.
Ajo siguroi për angazhimin e Shqipërisë për të vazhduar përmirësimin e ruajtjes dhe menaxhimit të këtyre dy pronave të regjistruara në Listën e Trashëgimisë Botërore.
“Theksova angazhimin e Shqipërisë për të siguruar zbatimin e rekomandimeve të përfshira në vendimet e miratuara dhe për të marrë masat e nevojshme, në koordinim të ngushtë me të gjithë aktorët përkatës, për të vazhduar përmirësimin e ruajtjes dhe menaxhimit të këtyre dy pronave të regjistruara në Listën e Trashëgimisë Botërore, në funksion të objektivit tonë të përbashkët: mbrojtjen e vlerës së tyre të jashtëzakonshme universal”, deklaroi Kadare./atsh/KultPlus.com
Pse e bleve makinën tënde? Pse u dashurove me partnerin tënd? Kur fillojmë që të analizojmë bazën e zgjedhjeve tona të jetës, qofshin të rëndësishme apo jo, mund të arrijmë të kuptojmë se nuk kemi shumë të dhëna. Ne madje mund të pyesim veten nëse e njohim vërtet mendjen tonë dhe çfarë ndodh me të jashtë pjesës sonë të vetëdijshme.
Fatmirësisht, shkenca psikologjike na ofron njohuri të rëndësishme dhe mbase të habitshme. Një nga zbulimet më të rëndësishme vjen nga psikologu Benchamin Libet në vitet 1980. Ai kreu një eksperiment që është shumë i thjeshtë, pori cili prej asaj kohe ka shkaktuar një debat të madh.
Pjesëmarrësve iu kërkua të ulen të relaksuar përpara një ore të improvizuar. Në faqen e orës ishte një dritë e vogël që rrotullohej rreth saj. Të gjithë ata që merrnin pjesë në eksperiment duhej të afronin gishtin sa herë që ndjenin dëshirën ta bënin këtë, dhe të mbanin mend pozicionin e dritës në faqen e orës kur ata e përjetuan dëshirën fillestare për të lëvizur gishtin.
Në të njëjtën kohë kur ndodhte gjithçka, pjesëmarrësve iu regjistrua aktiviteti i tyre i trurit përmes një elektroencefalogrami (EEG), që zbulon nivelet e aktivitetit elektrik në tru. Ajo që arriti të tregojë Libet ishte se orët kanë vërtet rëndësi, dhe ato ofrojnë një të dhënë të rëndësishme nëse e pavetëdijshmja luan apo jo një rol të rëndësishëm në atë që bëjmë.
Liber tregoi se aktiviteti elektrik në tru ishte projektuar që përpara se njerëzit të kishin ndërmend të lëviznin gishtin e tyre. Pra,mekanizmat e pavetëdijshëm përmes përgatitjes së aktivitetit nervor, janë ato që vendosin për çdo veprim që vendosim të bëjmë. Por e gjitha kjo ndodh përpara se sa të provojmë me vetëdije të bëjmë diçka.
Ndonjëherë, e pandërgjegjshmja jonë duket se dikton të gjitha veprimet që bëjmë. Por, ndërsa shkenca përparon, ne jemi në gjendje të rishikojmë dhe përmirësojmë atë që dimë. Tani e dimë se ekzistojnë disa probleme themelore me strukturën eksperimentale, të cilat sugjerojnë se pretendimi se pavetëdija dikton sjelljen tonë, është i ekzagjeruar.
Për shembull, kur korrigjoni paragjykimet në vlerësimet subjektive të qëllimit të vetëdijshëm, reduktohet hendeku midis qëllimeve të vetëdijshme dhe aktivitetit të trurit. Gjithsesi,zbulimet origjinale janë ende bindëse edhe nëse shumë prej tyre nuk mund të përdoren për të pretenduar se pavetëdija jonë e dikton plotësisht sjelljen tonë.
Një mënyrë tjetër për t’iu qasur idesë se në fund të fundit ne drejtohemi nga pavetëdija jonë, është të shohim raste kur mund të presim të ndodhë manipulimi i pavetëdijshëm. Në fakt, gjatë studimit unë i pyeta njerëzit se çfarë kuptonin me këtë.
Shembulli më i zakonshëm ishte marketingu dhe reklamimi. Dhe kjo mund të mos jetë e habitshme, duke pasur parasysh sa shpesh hasim terma të tillë si “reklamim ndaj tëpavetëdijshmes”, që nënkupton që kompanitë i drejtohen diktimit të zgjedhjeve të konsumatorit, duke stimuluar aspektet të cilat ne nuk kemi ndonjë kontroll mbi vetëdijen.
Xhejms Vikari, që ka qenë tregtar por edhe psikolog në vitet 1950, e bëri të famshëm atëkoncept. Ai bindi një pronar kinemaje që të përdorte pajisjen e tij për të dhënë mesazhe gjatë shfaqjes së filmave. Mesazhe të tilla si “Pini Coca–Cola”shfaqeshin një fraksion sekonde. Vikari pretendoi se shitjet e pijeve u shtuan pas përfundimit të filmit.
Pas debatit të madh rreth etikës së këtij zbulimi, Vikari pranoi se e gjitha ishte një mashtrim.
Aspekti më interesant rreth këtij debati është se njerëzit besojnë ende se metoda të tilla si reklamimi i pavetëdijshëm është ende në përdorim, kur në fakt ka ligje që na mbrojnë prej tij.
Por a marrim vendime pa menduar me vetëdije? Për ta zbuluar këtë gjë, studiuesit kanë hulumtuar në 3 fusha:shkallën në të cilën zgjedhjet tona bazohen në procese të pavetëdijshme, nëse këto procese të pavetëdijshme janë në thelb të njëanshme (për shembull, seksiste ose raciste) dhe çfarë mund të bëhet për të përmirësuar vendimmarrjen e njëanshme ose të pavetëdijshme.
Gjetja befasuese ishin se njerëzit bënin zgjedhje më të mira kur nuk mendonin fare, sidomos në mjediset komplekse të konsumatorëve. Studiuesit argumentuan se kjo ndodh për shkak se proceset tona të pavetëdijshme, janë më pak të kufizuara sesa proceset e ndërgjegjshme. Proceset e pavetëdijshme si intuita, funksionojnë në mënyra që sintetizojnë automatikisht dhe shpejt një sërë informacionesh komplekse, dhe kjo i jep njeriut avantazh, krahasuar me të menduarit qëllimisht.
Por kjo nuk do të thotë që ne drejtohemi nga e pavetëdijshmja jonë. Ka pasur gjithashtu përpjekje për të përmirësuar mënyrën e marrjes së vendimeve në jetën tonë të përditshme,në rastet kur proceset tona të paanshme të paragjykimit, mund të kufizojnë aftësinë tonë për ta bërë këtë.
Këtu ka qenë një risi e madhe vepra e fituesve të Çmimit Nobel Riçard Taler dhe Kas Sanshtein. Ideja themelore pas punës së tyre vjen nga shkencëtari konjitiv DanielKahneman, një tjetër fitues i çmimit Nobel, që argumentoi se vendimet e nxituara motivohen kryesisht nga e pavetëdijshmja jonë.
Për të ndihmuar në përmirësimin e mënyrës se si marrim vendime, Taler dhe Sanshtein, rekomandojnë që të ridrejtojmë proceset e njëanshme në mënyrë të pandërgjegjshme drejt një vendimi më të mirë.
Dhe mënyra për ta bërë këtë, është përmes joshjes së lehtë të njerëzve në mënyrë që ata të mund të zbulojnë automatikisht se cili opsion është më i miri për ta. Studimet e fundit nga ekipi im tregojnë se teknikat e ngacmimit dështojnë shumë shpesh, duke shkaktuar rezultate më të këqija sesa nëse nuk do të përdoreshin fare.
Eric Clapton, emri origjinal Eric Patrick Clapp, (i lindur më 30 mars 1945, Ripley, Surrey, Angli), ishte një rocker britanik dhe një nga kitaristët më të rëndësishëm të fund-viteve 1960 dhe në fillim të viteve ’70. Më vonë, Clapton u bë një këngëtar i dashur për të gjithë, por edhe kantautor i zoti.
Clapton u rrit nga gjyshërit e tij, pasi e wma e braktisi kur ishte i vogël. Ai filloi të luajë në kitarë gjatë adoleshencës dhe studioi në Kolegjin e Artit në Kingston. Pasi kishte qenë pjesw e dy grupeve të vogla si kitarist kryesor, në vitin 1963 u bashkua me Yardbirds, grup në të cilin kitara e artistit tërhoqi vëmendje të madhe në Britani me tingujt e ngrohtë të blues-it. Clapton la Yardbirds në 1965, kur ata kaluan nga blues-i në pop.
Po atë vit, ai u bashkua me Bluesbreakers të John Mayall.
Ai u bë shumë shpejt figura kryesore e grupit dhe tërhoqi dëgjues fanatikë të blues-it në klubet e Londrës ku grupi luante live.
Në vitin 1966 Clapton la Bluesbreakers për të formuar një grup të ri me dy muzikantë të tjerë, basisti Jack Bruce dhe bateristi Ginger Baker. Ky grup, Cream, krijoi famë ndërkombëtare me shkrirjen e sofistikuar, të rockut dhe blues-it në solot e mrekullueshme të kitarës. Clapton dhe teknikat e tij në kitarë u përhapën me shpejtësi dhe ai u bë pikë referimi për të gjithë.
Energjia dhe intensiteti emocional i solove të Clapton vihen re lehtësisht në këngë të tilla si “Crossroads” dhe “White Room”. Eric Clapton kishte vendosur një standart të ri në muzikën britanike, por edhe atë botërore. Cream u nda në fund të vitit 1968, pas albumeve: Disraeli Gears (1967), Wheels of Fire (1968) dhe Goodbye (1969).
Clapton solli krijimet e tij të para në solo në vitin 1970. Ai shpejti afroi një treshe muzikantësh të zotë (basisti Carl Radle, bateristi Jim Gordon dhe tastieristi Bobby Whitlock) në një grup të ri të quajtur Derek&Dominos , me Clapton si kitarist, vokalist dhe kompozitor. Më vonë me grupin u bashkua dhe kitaristi Duane Allman. Ata publikuan dy albume që kanë hyrë në listën e albumeve më të mira të muzikës britanike:
“Layla” dhe “Other Assorted Love Songs” (1970). I zhgënjyer nga shitjet e pakta të “Layla” dhe varësia ndaj heroinës e shkëputën Clapton për dy vjet nga muzika. Rikthimi me “461 Ocean Boulevard” (1974), ishte sukses i madh për Clapton. Ky ishte albumi i parë ku artisti nuk i dha vëmendjen kryesore kitarës, por cilësisë së kompozimit dhe teksteve të këngëve.
Gjatë 20 viteve të ardhshme, Clapton prodhoi shumë albume: “Slowhand” (1977), “Backless” (1978), “Money and Cigarettes” (1983), “August” (1986), “Unplugged” (1992) dhe From the Cradle (1994). Në ceremoninë e Çmimeve Grammy të vitit 1993, “Tears in Heaven”, këngë e cila u shkrua si kujtim për vdekjen e të birit nga Clapton, fitoi cmimin si kënga e vitit dhe Unplugged u vlerësua si albumi i vitit.
Clapton gjithashtu pati bashkëpunime të suksesshme të cilat u vlerësuan me çmime Grammy: Riding with the King (2000) me legjendën e blues-it B.B. King dhe The Road to Escondido (2006) me kitaristin J.J. Cale.
Clapton publikoi librin e tij autobiografik në vitin 2007 e 10 vjet më vonë, filmi dokumentar “Clapton Life in 12 Bars” u shfaq në kinematë botërore. Clapton u bë pjesë e “Rock and Roll Hall of Fame” si anëtar i Yardbirds në 1992, si anëtar i Cream në vitin 1993, dhe solo në vitin 2000./ KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama uroi sot ish-kryeministrin Fatos Nano dhe ish liderin e Partisë Socialiste në 71-vjetorin e lindjes.
Rama ndau një mesazh të vitit 2020, ku e cilësonte atë si të rrallë, teksa uronte që një ditë të shkruanin në një libër, së bashku, raportin e turneve të tyre, për t’ua lënë në bibliotekën e zyrës së kryetarit, atyre që do të marrin turnin pas tyre.
Fatos Nano u gjend në krye kur armata e shpartalluar komuniste kryente funeralin e Partisë së Punës në mes të shkretëtirës, me flamurin e rreckosur të diktaturës së proletariatit në gjysëm shtizë, moralin nën shuajt e këpucëve të rraskapitura nga marshimi 45 vjeçar drejt horizontit që vetëm largohej derisa u zhduk dhe gurmazin e konsumuar të komunizmit që nxirrte thirrjet e fundit për luftë me tërë botën, teksa era e papërmbajtshme e ndryshimit e kthente vajtimin e egër të dëshpërimit, në një fishkëllimë sa çjerrëse aq edhe qesharake. Mes fytyrave verdhacuke të udhëheqësve gjemimbytur nga ardhmja e qametit dhe sekretarëve lëkurërreshkur nga dielli i arafabrikakantiereve, “Qorri” ishte aty fytyra e dykuptimtë e kuadrit të ri të partisë, që punonte në Institutin e Marksizëm-Leninizmit dhe e presorit garip të Ekonomikut, që tregonte barcaleta tallëse për regjimin e luante Bitëllsat me kitarën e tij.
Ishte pikërisht profili joskematik i Fatos Nanos që i dha atij skeptrin e të majtës së porsalindur pas varrimit të Partisë së Punës dhe natyra e tij jodogmatike, e kombinuar me burgosjen absurde që e pagëzoi si lider të pakonkurueshëm të socialistëve, i dha Partisë Socialiste një frymëmarrje të re e një perspektivë si forcë e parë në rrugën e përpjetë të politikës shqiptare. Mbase pa sakrificën e tij të imponuar, socialistët do të kishin pasur një fat më pak bujar, por edhe Fatosi pa atë sakrificë të imponuar, mbase nuk do ishte bërë lideri i tyre aq jetëgjatë. Fotoja që kam përzgjedhur për këtë ditë urimi ka qenë për mua pamja më domethënëse e Fatos Nanos fill pas daljes së tij nga burgu dhe ende sot befasohem nga ndryshimi i hatashëm mes saj e pamjes së tij në gjyq. Fatosi i prangosur para gjykatësve me vështrimin enigmatik, është presori i Ekonomikut i marrë peng që mbahet fort për sytë e popullit. Ndërsa Fatosi me duart e lira dhe sytë që shkëlqejnë fort është një kafshë e rrallë politike, të cilën pata fatin ta njoh nga afër.
Ai e mbajti timonin e PS në të përpjeta e të tatëpjeta dhe padiskutim është e tija në radhën më të parë, merita që Partia Socialiste nuk lëvizi asnjë moment, nga graviteti i interesit kombëtar, çka përbën sot e gjithë ditën një vijë sjelljeje të palëkundur të PS e unikale mes partive politike në Shqipëri. Në krye të PS ai i nxorri socialistët nga shkretëtira pas varrosjes së Partisë së Punës, duke i futur në Internacionalen Socialiste si një familje idesh progresiste të kohës së re dhe duke e bërë shpirtin e ndryshimit motor të lëvizjes përpara. Në krye të qeverisë atij iu desh të drejtonte daljen e popullit nga shkretëtira e piramidave dhe rifillimin e shtetndërtimit nga zeroja pas katrahurës rrafshuese të vitit ’97.
Historia e marrëdhënies sonë të zhvilluar mes ekstremesh, nga “birësimi” im në familjen socialiste me bekimin e Fatosit, deri tek “vrasja e babait” për marrjen e skeptrit të tij, dihet përgjithësisht. Po në ndërkohën që flasim marrëdhënia mes nesh ushqehet shëndetshëm, me një komunikim miqësor ku e kuptojmë njëri-tjetrin në ajër, sepse prej kohësh tanimë flasim si shoferi i turnit të parë me shoferin e turnit të dytë, për të njëjtën makinë. Ose jo në fakt, se kur mendoj çfarë katërrrotaku sovjetik mori Fatosi në turnin e parë, çfarë mjeti shumë më të mirë mora unë prej tij dhe çfarë brandi shpejtësie është sot Partia Socialiste, flasim në fakt si dy pilotë të një makine që duhet të vijojë vetëzhvillimin dhe lëvizë ende më shpejt, duke e mundur përditë rrezikun e ngadalësimit nga konkurenca e dobët.
Duke i uruar ditëlindjen liderit historik të socialistëve, uroj gjithashtu që një ditë ta shkruajmë në një libër, së bashku, raportin e turneve tonave, për t’ua lënë në bibliotekën e zyrës së kryetarit, atyre që do të marrin turnin pas nesh. Po ka kohë plot deri atëherë dhe në ndërkohë, uroj për Fatosin shëndet, gëzime e çdo të mirë familjarisht.
Tenori Saimir Pirgu është rikthyer në një nga skenat më prestigjioze dhe monumentale në Europë, në teatrin “San Carlo” të Napolit, në një bashkëpunim me regjisorin Ferzan Ozpetek.
Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e kulturës në Shqipëri, Elva Margariti.
KultPlus ju sjell postimin e saj të plotë:
Kënaqësi e madhe kur sheh se si yjet shqiptarë shkëlqejnë në skenat botërore.
Tenori Saimir Pirgu është rikthyer në një nga skenat më prestigjioze dhe monumentale në Europë, në teatrin “San Carlo” të Napolit, në një bashkëpunim me regjisorin Ferzan Ozpetek.
Një Pinkerton i duartrokitur gjatë, në operën e Giacomo Puccinit, “Madama Butterfly”.
Urimet më të përzemërta Saimir Pirgut, një shembull pune këmbëngulëse e sakrificash për gjithë brezin e ri! / KultPlus.com
Drejtuesit lokalë të Tiranës përkujtuan sot 81-vjetorin e Konferencës së Pezës.
Veteranë dhe qytetarë të shumtë u mblodhën në ceremoninë e organizuar nga Bashkia në nder të kësaj ngjarjeje të rëndësishme historike për shqiptarët.
“Data emblemë, 16 Shtator, ka një rëndësi të veçantë për të gjithë ne shqiptarët, se shënon ditën kur Peza u kthye në qendrën e unifikimit, të bashkimit të të gjithë forcave dhe faktorëe politikë të asaj kohe në Shqipëri,” u shpreh nënkryetari i bashkisë, Andi Seferi.
Deputeti Toni Gogu theksoi se vajza dhe djem vendosën të luftonin të gjithë së bashku të keqen më të madhe të kohës, nazifashizmin dhe forcat e errëta që qytetërimi kishte provuar ndonjëherë.
“Sa më shumë largohen ditët nga 16 Shtatori i ’42, aq më shumë zmadhohet vepra vetëmohuese, largpamëse, vizionare e atyre vajzave dhe djemve shqiptarë që i kuptuan kohët si askush tjetër dhe së bashku u mblodhën pa parë dallimet e tyre, agjendën politike të ditës e vendosën të luftonin të gjithë së bashku të keqen më të madhe të kohës, nazifashizmin dhe forcat e errëta që qytetërimi ynë kishte provuar ndonjëherë,” tha mes të tjerash deputeti Toni Gogu.
Me rastin e kësaj ngjarjeje, sic është kthyer tashmë në traditë, bashkia organizoi edhe “Peza N’Fest23”, ku u zhvilluan lojra sportive për fëmijë, aktivitete si dhe një koncert festiv për të rinjtë. /atsh/ KultPlus.com
iPhone 15 i prezantuar së fundmi dhe modelet e tij të ndryshme kushtojnë midis 849 dhe 1299 franga.
Sipas një analize të Picodi.com, indeksi i iPhone 2023 zbulon se sa ditë duhet të punojnë njerëzit në vende të ndryshme që të mund të përballojnë iPhone 15 Pro të ri për 1079 franga.
Modeli i krahasimit përdor pagat mesatare përkatëse dhe çmimin lokal të iPhone. Është e rëndësishme të theksohet: Studimi përdor pagat mesatare mujore neto, që do të thotë se numrat nuk marrin parasysh koston e jetesës, shkruan swissinfo, përcjell albinfo.ch.
Dallimet midis vendeve janë të mëdha. Edhe pse Zvicra renditet në fund, ajo është në krye të listës. Banorit të përmendur në statistika i duhet të punojë vetëm 4.2 ditë që të mund të përballojë iPhone-in e ri. Pas tyre vijnë amerikanët me rreth një ditë më shumë (5,3) dhe Australia me dy ditë më shumë (6,3) se zviceranët.
Njerëzit në vendet fqinje, si Gjermania, duhet të punojnë dyfish më shumë se njerëzit në Zvicër, në mënyrë që të mund të blejnë iPhone-in më të fundit. Italianët, në fakt, duhet të bëjnë rreth katër herë më shumë.
Vendet me të ardhura më të ulëta janë në Azi ose në Amerikën e Jugut. Turqve u duhet të punojnë më të gjatë, pasi atyre do t’u duhen rreth katër muaj për të kursyer mjaftueshëm para për një iPhone.
Njerëzit në Filipine kanë nevojë për pak më pak se tre muaj, brazilianët pak më shumë se dy muaj.
Sidoqoftë, zviceranët kanë një avantazh të habitshëm çmimi krahasuar me vendet e tjera këtë vit. Disa modele të iPhone 15 janë më të lira se paraardhësit e tyre. iPhone 15 Pro, për shembull, kushton 1079 franga, 100 franga më pak se iPhone 14 Pro. / KultPlus.com
Lufta është një ndër temat që ka tërhequr vëmendjen e shumë shkrimtarëve. Që nga koha e klasikëve deri te modernët, janë të shumtë ata që kanë shkruar për ndërveprime të rëndësishme, për operacione ushtarake, jetë në udhëkryq e në rrezik. Më poshtë është një listë me shkrimtarët që kanë shkruar për luftërat më të rëndësishme. Kjo është një mënyrë për të treguar se lufta është një e keqe që prej kohësh lë shenjë në historinë e njerëzimit dhe duhet evituar në mënyrë absolute.
Erodoti – Ky grek me origjinë nga Azia e Vogël, përkatësisht nga Alikarnazo, është babai i historisë së disiplinës. Erodoti është i njohur për përshkrimin e vendeve dhe njerëzve të njohur në udhëtimet e tij të shumta të kryera, për të cilat tregon në “Historitë”, pushtimi persian i Greqisë.
Jul Cezari – Kur flitet për luftën e përshkruar në libra, si mos të mendosh për veprimet e këtij romaku në fushatat e tij. Përveç “De bello Gallico”, ndoshta vepra e tij më e njohur, Cezari është edhe autor i një libri mbi Luftën Civile, “De bello civili”, dhe disa tregimeve sporadike, të përfshira në “Corpus Caesarianum”.
Nikolo Makiaveli – Historiani, shkrimtari, dramaturgu dhe politikani italian, që ka jetuar mes viteve 1400-1500, nuk ka folur për luftën vetëm në veprën e tij të famshme “Princi”. Makiaveli në fakt i ka dedikuar një reflektim të thellë këtij argumenti në “Mbi artin e luftës”, e shkruar në formën e dialogut me synim për “të vlerësuar nderin, për mos të përdhosur varfërinë, për të vlerësuar mënyrat dhe rregullat e disiplinës ushtarake, për të detyruar njerëzit për ta dashur njëri-tjetrin, për të jetuar pa etje, për të vlerësuar më shumë jetën private sesa atë publike”.
Sun Tzu – “Arti i Luftës”, padyshim një ndër manualet më antikë të strategjisë së historisë, ndër vite është transformuar në një tekst të vërtetë kulti për këdo që dëshiron të arrijë një objektiv në jetë. Filozofia e Sun Tzu është shumë e qartë: mënyra më e mirë për të fituar një luftë është se duhet ta sigurosh fitoren përpara se të nisësh të luftosh. Një objektiv i arritshëm, duke studiuar pikat e forta dhe dobësitë e kundërshtarit, duke ditur limitet e veta por dhe besimin në forcën e vet, duke befasuar në vazhdimësi armikun. Dhe mbi të gjitha, duke kontrolluar informacionet, sepse falë njohjes fati i betejës vërtet mund të shkruhet para nisjes së luftimit.
Emilio Lusu – Shkrimtarit italian (1890-1975) i shkon merita që ka treguar në mënyrë madhështore Luftën e Madhe, në romanin e tij “Një vit në pllajë”, e shkruar në vitin 1936, i shfaqur për herë të parë në Francë më ’38 dhe më pas në Itali në vitin 1945. Bëhet fjalë për një vit, qershor 1916-korrik 1917, kur sulmet e vazhdueshme, betejat absurde të iniciuara nga komandantë të mbushur me retorikë patriotike dhe vanitet, për episode shpesh tragjikë dhe ndonjëherë groteskë, përmes të cilave lufta tregohet në realitetin e tij me “përtaci e gjak”, me “baltë e konjak”. Me një stil të thatë dhe përshkrime historike, Lusu paraqet një rekuizitë të paepur kundër tmerrit të luftës pa tone polemike, duke i përshkruar me forcë dhe origjinalitet ndjenjat e ushtarëve, dramat e tyre, gabimet dhe veprimet çnjerëzore që do të çonin në disfatën e Kaporetos.
Ernest Heminguej – Shkrimtari dhe gazetari amerikan (1899-1961) ka treguar në librat e tij dramën e luftës dhe efektet e konfliktit mbi jetët e individëve të përfshirë. “Lamtumirë armë” është historia e dashurisë dhe e luftës që Heminguej kishte pasur gjithnjë dëshirë ta shkruante, i frymëzuar nga eksperiencat e tij në vitin 1918 në frontin italian, kryesisht për plagët e marra në Fosalta dhe pasionin për infermieren Agnes von Kurouski. Ndërsa në “Për kë bie kambana” është i riu intelektual amerikan Robert Jordan, vullnetar në ushtrinë antifashiste, i vënë në qendër të vëmendjes.
Italo Calvino – Shkrimtari italian (1923-‘85) ka qenë pjesë aktive e luftës partizane që e ka përmendur dhe në punët e tij. Në romanin e parë “Gjurmët e folesë së merimangës” konflikti tregohet përmes syve të Pin, një fëmijë i shkujdesur, që kaloi rastësisht nga lojërat e dhunshme të fëmijërisë në realitetin e egër të konfliktit. Bashkë me përmbledhjet e tregimeve bashkojnë elementet realistë me dellin e fantazisë, që më pas do të bëhet dhe karakteristika kryesore e të gjitha punët pasuese të Kalvinos. Botime Shqip – Elona Qose / KultPlus.com
Sabri Fejzullahu i takon gjeneratës së vjetër të këngëtarëve i cili ka arritur që edhe në kohën e re të zë vendin e vet në skenën e muzikës shqiptare.
Këngët e tij si: ‘Fshatarja ime’, ‘Konvikti nr 5’, ‘Merrma shiun e Prishtinës’, ‘Nuk i dua bardhësitë’, ‘Cika e Ulpianës’, ‘Plot rini plot dashuri’, ‘Shpirt magjie’, e shumë e shumë këngë të tjera do të mbeten përherë të freskëta në memorien e atyre që e duan këngën e Sabriut, i cili edhe sot mbetet ndër këngëtarët më të preferuara dhe që gjithmonë po arrin që me muzikën e tij t’i rezistojë kohës.
Ai ka fituar edhe 18 “Okarina të Arta” në “Akordet e Kosovës”, ka incizuar mëse 800 këngë, ka marrë pjesë në shumë festivale dhe ka fituar shpërblime, brenda dhe jashtë vendit. Ka bashkëpunuar gjithmonë me kompozitorët më të mirë të vendit.
Në filmografinë e tij gjenden mbi 20 filma, shumica të zhanrit komedi. / KultPlus.com
Një temë tejet interesante që ka një potencial universal të arrirë është zbërthyer artistikisht nëpërmjet një skenari që shpërfaq një dimension ndryshe të baladës së njohur të Gëtes, “Erlkönig”. I tillë është rasti me filmin e metrazhit të shkurtër, “Ninullë” me skenar dhe regji të Adrian Asllanit, që erdhi sot si debutim në kuadër të edicionit të 15-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinë, ‘PriFest‘.
I realizuar në përmasa të larta artistike, filmi i zhanrit horror/thriller trajton raportin e një babai (Avni Dalipi) dhe birit të tij (Lis Kamberi) i cili në film na shfaqet me një “sëmundje” të zjarrmishme që i vlon nga brenda. Ndonëse raporti trajtohet në disa dimensione, ato që vihen në pah më shumti janë jeta reale dhe ajo halucinante, shkruan KultPlus.
Gjithçka nis në një shtëpi dhe gjithçka përfundon aty. Babai ka një punëtori të tijën në të cilën punon e gdhend kukulla të ndryshme të bëra nga materiale të ndryshme. Karakteri i vetë ambientit që na shfaqet në film, të bën të mendosh se diçka e tmerrshme, potencialisht do të ndodhë.
Loja e bukur që na dhuron aktori Avni Dalipi, e ndërthurur me vizionin vizual të regjisorit Adrian Asllani, ka krijuar një pikturë nëpër të cilën lëvizin mjeshtërisht fuqitë që kanë në vetvete mendimet e personazheve brenda filmit. Kuadrot shpeshherë të xhiruara nën drita të errëta, të japin imazhe fotografike, aq sa dialogët e pakta, nuk janë fare pengesë për të kuptuar thelbin e skenarit.
Bota emocionale dhe psikologjike e babait si dhe ajo e djalit të tij, janë aq të ndryshme nga njëra-tjetra, sa janë edhe të njëjta. Ai zjarri që eventualisht kuptohet si frika që e posedon djali nga “Mbreti i Zi”, në fakt është e vërtetë dhe s’janë vetëm ca ethe ashtu siç i percepton babai i tij.
Sipas baladës poetike të Gëtes, një burrë me djalin e tij të sëmurë në krahë, në një natë të stuhishme, hipin mbi kalë nëpër një pyll moçal. Legjenda me të njëjtin titull tregon për qenie misterioze e keqdashëse që shfaqen në zona moçalore dhe i çojnë njerëzit drejt vdekjes. Filmi e bën të njëjtën gjë por në mënyrë interpretuese krejtësisht ndryshe.
Vizitat keqdashëse të “Mbretit të Zi” e çojnë djaloshin drejt vdekjes, dhe në vdekje i bashkëngjitet motrave të tij. Veçse, “Mbreti i Zi” në këtë rast është vetë babai që shfaqet nëpërmjet dy personazheve kontraste, duke injoruar kështu ethet e djaloshit, e duke e dërguar atë drejt vdekjes.
Në filmin “Ninullë”, përkundër baladës origjinale, errësira dhe ndriçimi i zdritshëm janë dy elemente që lëshohen bukur. Veprimet e zëshme dhe dramatike të ndërthurura me shumë pak tekst, të japin një ndjesi të hovshme për të parë fundin. Fokusi në marrëdhënien babë e djalë jepet në mënyrë aq brilante, saqë ndjenjat si dhimbja, tmerri e befasia lirshëm hyjnë në shpirtin e pranishëm të secilit prezent.
Regjisori Adrian Asllani debutoi me një film që ka një interpretim origjinal, ndonëse inspiruar nga një baladë. Fokusi i tij përfshin guxim të paparë për të sjell diçka të tillë para publikut kosovar.
Filmi brenda hapësirës së Kino Armatës nisi fiks në orën 17:20, por paraprakisht në skenë doli e gjithë ekipi. Fjalën i pari e mori, regjisori dhe skenaristi i filmit “Ninullë”, Adrian Asllani.
“Në emër të krejt ekipit, dua të ju falënderoj juve që keni ardhur me shiku filmin, një film të cilin e kemi krijuar me shumë përkushtim. Ka qenë filmi im i parë i xhiruar në Kosovë dhe për mua ishte një eksperiencë që më ka bërë shumë përshtypje. Jam jashtëzakonisht mirënjohës ndaj ekipit dhe falënderues ndaj PriFest-it që më mundësoi hapësirën për debutimin e filmit. Por më së shumti, dua të falënderoj Vjosa Berishën, pa të cilën nuk do të ishte e mundur formimi i një festivali kaq të madh. Falënderoj edhe Fatosin, për vazhdimin e kësaj trashëgimie.”
Ndërsa, për KultPlus regjisori Adrian Asllani specifikoi idenë e tij për të krijuar diçka të tillë, deri tek shpalosja e premierave të radhës nëpër vende të ndryshme të botës.
“Ideja ka ardhur prej leximit të baladës së Gëtes që moti, dhe mendova se si ta krijoj një skenar që e ri-interpreton këtë baladë, dhe jo të jetë e njëjta, por më origjinale në aspektin filmik, andaj edhe gati hiç nuk ka dialog. Jam munduar që më së shumti me veprime ta tregoj të gjithë këtë histori. Njëkohësisht, jam munduar që t’i mbaj pezull pikëpyetjet që i shtron vetë balada. Ndonëse është një baladë, kam dashur që filmin ta quaj ninullë për shkak se edhe filmi është njëfarë ninulle. Ninulla i është kënduar edhe fëmijëve të vdekur, andaj e kam përdoru në këtë kontekst”, thotë ai.
Sipas tij, përzgjedhja e aktorëve ka shkuar mjaft mirë. Ka menduar që aktori Avni Dalipi i është përshtatur këtij lloji të filmit mjaft mirë, për shkak të syve sepse për regjisorin, sytë gjithmonë tregojnë një botë të brendshme.
“Filmin e kam dërguar në disa festivale. Fillimisht do të shfaqet në një festival në Zug të Zvicrës në muajin nëntor, si dhe në Atlanta në një festival pikërisht të këtij zhanri, në muajin tetor”, përfundon Asllani.
Ndërsa, aktori në rolin kryesor Avni Dalipi për KultPlus ka thënë se i ka kapërcyer të gjitha sfidat që i janë shfaqur rrugës, dhe në fund filmi ka dalë shumë më mirë se që e kishte parashikuar.
“Ftesa për filmin ka qenë shumë interesante. Regjisori më ka shkruar në rrjetet sociale dhe unë si çdo herë, marr shumë ftesa nga regjisorë të rinj nga jashtë që dëshirojnë të krijojnë diçka, andaj pranova. Kur e lexova skenarin, atëherë veç fillova të bëhem shpirtërisht pjesë e filmit. Uroj të ia kem arritur qëllimit për rolin që kam luajtur. Zakonisht, preferoj filmin që flet më shumë përmes fotografisë. Është një thënie që thotë se në film flitet me fjalë ajo e cila nuk mund të thuhet me fotografi. Meqenëse Adriani është shumë detajist në punën e tij, jam mundu që t’i kapërcej të gjitha sfidat, duke i arritur të gjitha idetë e tij. Mendoj që e kam bërë atë se çfarë është kërkuar nga unë. Jam munduar që t’i jap përgjigje pyetjeve brenda personazhit. Mund të ketë ndonjë dozë të subjektivizmit por filmi i ka tejkaluar ato pritshmëritë e mia”, ka thënë Dalipi. / KultPlus.com