Margariti: Restaurimi i filmit “Mësonjëtorja, ogur i mirë në ditën e parë të shkollës

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit restauroi filmin “Mësonjëtorja”, që mban firmën e regjisorit Muharrem Fejzo, skenarin e Natasha Lakos, dorën e piktorëve Shyqyri Sako e Ilia Xhokaxhi; lojën e shkëlqyer të Roza Anagnostit, Gulielm Radojës, Robert Ndrenikës, Ardian Cergës etj.

“Një përkim i bukur dhe një ogur i mirë restaurimi i filmit “Mësonjëtorja” me ditën e parë të shkollës”, shkroi ministrja e Kulturës, Elva Margariti, në rrjetet sociale.

Margariti i uroi suksese çdo nxënësi dhe mësuesi për fillimin e një kapitulli të ri, duke ndarë lajmin se puna e bërë nga AQSHF në bashkëpunim me Harabel Contemporary Art Platform do të mund të shihet nesër pasdite, në Pallatin e Brigadave.

“Mësonjëtorja, një film-simbol i përpjekjes për dije dhe një homazh për të gjithë dëshmorët e gjuhës shqipe, që sakrifikuan gjithçka për të mbajtur ndezur këtë flake”, është shprehur ministrja Margariti./ atsh/ KultPlus.com

Kryeministri Kurti kujton 11 Shtatorin: Demokracia dhe drejtësia, thajnë çdo kënetë ku mbin terrorizmi

Shtetet e Bashkuara por edhe mbarë bota përkujtojnë sot 21-vjetorin e sulmeve të përgjakshme të 11 shtatorit 2001.

Sulmi ndaj kullave binjake ishte kryer me 11 shtator 2001 nga një grup prej 19 vetash rrëmbyese islamistë radikalë, 15 prej të cilëve ishin nga Arabia Saudite, dy nga Emiratet e Bashkuara Arabe, një nga Egjipti dhe një nga Libani.

Këtë ngjarje sot e ka kujtuar edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti i cili është shprehur se demokracia dhe drejtësia, barazia dhe pluralizmi, liritë dhe të drejtat, thajnë çdo kënetë ku mbin terrorizmi.

Ky është postimi i plotë i kryeministrit:

Në 22-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit në Nju Jork

Si rrallë herë ndonjë epokë gjatë historisë, mijëvjeçari i tretë i erës sonë mori mbiemër duke fituar epitet qysh në fillim të tij. Cilësori “terrorizëm” u bë një nga fjalët kyçe të fillimshekullit XXI, këtu e 22 vite më parë, kur avionë civilë të marrë peng nga terroristë, u drejtuan mbi Kullat Binjake në Nju Jork, duke i shembur ato gjatë kryerjes së sulmit terrorist që shkaktoi tronditje globale dhe pati ndikimin më të shumëanshëm të kohës sonë.

Të martën e 11 shtatorit 2001, në orët e hershme të mëngjesit, 19 persona të trajnuar dhe të lidhur me grupin terrorist Al-Kaida i rrëmbyen katër avionë me pasagjerë civilë. Në sulme vetëvrasëse terroriste, dy nga avionët më pas i përplasën mbi Qendrën Botërore të Tregtisë në Nju Jork, një në godinën e Pentagonit në Uashington D.C., teksa i katërti u rrëzua pa goditur ndonjë cak të paracaktuar. Gjithsej 2977 persona vdiqën, mes të cilëve edhe tre shqiptarë: Mon Gjonbalaj, Simon Dedvukaj dhe Rrok Camaj. Sot kujtojmë viktimat e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 dhe mësimin e mësuar nga kjo ngjarje me jehonë pikëprerëse në histori.

Në vitet në vijim, shumë organizata dhe grupe të ndryshme terroriste nëpër botë, u trimëruan dhe u frymëzuan nga sulmet e 11 shtatorit, duke shkaktuar mijëra viktima në sulme terroriste nëpër shumë vende të botës. Atë kohë, administrata amerikane e Presidentit George W. Bush, u zotua që terrorizmi kurrë nuk do të ngadhënjejë. Më shumë se dy dekada nga atëherë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë t’i prijnë luftës globale kundër terrorizmit, kurse shumë vende mes të cilave edhe Republika e Kosovës, është rreshtuar në këtë luftë të përbashkët. Sikurse ShBA-të ashtu edhe Kosova besojnë në të njëjtat vlera demokratike dhe qytetëruese si dhe ndajnë të njëjtat pozicione gjeopolotike dhe qëndrime gjeostrategjike si shtete aleate e mike.

22 vite pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit, Al-Kaida është më e dobët se kurrë më parë, ndërkohë që i është vrarë lideri i dikurshëm Osama bin Laden si dhe i janë kufizuar shumëfish mundësitë dhe hapësirat e veprimit. Terrorizmi në nivel global ka marrë shumë goditje, por ai vazhdon të mbetet një nga kërcënimet më të paparashikueshme për sigurinë botërore, një kërcënim i atillë që nuk duhet të injorohet dhe që duhet konsideruar në çdo përllogaritje të vigjilencës së institucioneve shtetërore të sigurisë.

Në javët e para që pasuan sulmet e 11 shtatorit 2001, në kontekst të sulmeve terroriste dhe pikërisht në Nju Jork, filozofja italiane Giovanna Borradori, realizoi një sërë intervistash me dy nga filozofët më të rëndësishëm të kohës sonë: gjermanin Jürgen Habermas dhe francezin Jacques Derrida. Ato u botuan në një libër me titull: “Filozofi në një kohë terrori: dialogje me Jürgen Habermasin dhe Jacques Derridan”.

Aty, në një nga përgjigjet e tij, Jürgen Habermas ka thënë: “Edhe nëse Evropa nuk zgjohet për ta luajtur rolin e vet qytetërues siç duhet, fuqia në ngritje e Kinës dhe fuqia në rënie e Rusisë, nuk përshtaten brenda modelit të paqes amerikane (Pax Americana) aq thjesht. Në vend të llojit të veprimit të policit ndërkombëtar të cilin kishim shpresuar ta shohim gjatë luftës në Kosovë, ende ka përsëri luftëra – të zhvilluara me teknologjinë më të fundit, por ende në stilin e vjetër.”

Kjo vërejtje kaq vizionare e mendjes së ndritur të “teorisë kritike”, filozofit gjerman Jürgen Habermasit, sot ka një forcë edhe më të madhe vërtetësie, si për shembullin e dhënë nga roli i ShBA-ve gjatë luftës në Kosovë, ashtu edhe për nevojën e bashkëpunimit të Evropës dhe ShBA-ve, në kontekstin e “fuqisë në ngritje të Kinës dhe fuqisë në rënie të Rusisë”.

Demokracia dhe drejtësia, barazia dhe pluralizmi, liritë dhe të drejtat, thajnë çdo kënetë ku mbin terrorizmi. / KultPlus.com

Historia e profetit Elia, në sallën e TKOB

Oratorio “Elias”, nga veprat më të shquara të Mandelssohn-it, erdhi përmes rrëfimit muzikor të Orkestrës Simfonike dhe Korit të TKOB-së, nën dirigjimin e mjeshtrit zvicerano-argjentinas, Facundo Agudin dhe maestros Dritan Lumshi.

TKOB solli rrëfenjën e një figure kaq të rëndësishme biblike, rreth përpjekjeve për të rikthyer besimin në Perëndinë e Izraelit, në përballje me 450 profetët e rremë.

Rolet kryesore u debutuan nga baritoni Artur Vera, sopranoja Renisa Laçka, mezzo-sopranoja Vikena Kamenica dhe tenori Francesco Napoleoni.

Kjo vepër madhështore u interpretua edhe nga 30 orkestrantë të rinj, falë bashkëpunimit me Konservatorin “Umberto Giordano” të Foggia-s dhe “Giuseppe Martucci” të Salerno-s, si dhe Orkestrën Simfonike të Forcave të Armatosura.

Për herë të parë profesionistëve iu bashkua edhe 10-vjeçarja nga Kori i Zërave të Bardhë, Aislin Shyti, që rrëmbeu zemrën e publikut. / atsh / KultPlus.com

11 shtatori, ngjarja që ndryshoi dhe tronditi botën (FOTO)

Shtetet e Bashkuara por edhe mbarë bota përkujtojnë sot 22-vjetorin e sulmeve të përgjakshme të 11 shtatorit 2001.

Sulmi ndaj kullave binjake ishte kryer me 11 shtator 2001 nga një grup prej 19 vetash rrëmbyese islamistë radikalë, 15 prej të cilëve ishin nga Arabia Saudite, dy nga Emiratet e Bashkuara Arabe, një nga Egjipti dhe një nga Libani.

Fillimisht njëri aeroplan i rrëmbyer ishte përplasur mbi kullën veriore të Qendrës Botërore të Tregtisë në Nju Jork, duke krijuar një çarje të thellë në faqen e ndërtesës dhe duke shkaktuar zjarr kurse 17 minuta më vonë, një aeroplan tjetër pasagjerësh përplaset mbi kullën jugore.

Në sulmin e 11 shtatorit 2001 humbën jetën rreth 3 mijë persona.

Në mesin e viktimave në kullat binjake ishin 2.752 persona prej tyre 343 zjarrfikës dhe 60 policë. Pjesa më e madhe e viktimave ishin civil të 70 kombësive të ndryshme. / KultPlus.com

18 vjet pa Rifat Kukaj, ndër shkrimtarët më të suksesshëm në letërsinë shqipe për të rritur dhe fëmijë

Rifat Kukaj është një ndër shkrimtarët më të suksesshëm në letërsinë shqipe për të rritur dhe fëmijë.

Kukaj ka lindur në Tërstenik Drenas të Republikës së Kosovës. U shkollua në Drenicë dhe Prishtinë. Ai ka punuar tre vjet në Drenicë si mësues para se të kalojë në Radio Prishtinë si redaktor për kulturë, më konkretisht redaktor i programeve për fëmijë. Nga viti 1975 punoi në redaksinë e Shtëpisë Botuese “Rilindja” si redaktor për letërsinë për fëmijë.

Ai vdiq në moshën 67 vjeçare më 11 shtator 2005, në qytetin shqiptar të Ulqinit, Mali i Zi.

Rifat Kukaj ka botuar mbi dyzet libra. Romanet e tij më të mira janë “Bardhi i Mirushja”, “Rrasa e zogut”, “Shkrepi i diellit”, “Lepuri me pesë këmbë”, “Vjollca magjike”, “Zogu i bardhë”, “Kokërrmeli e pilivesë”, “Gjeli në kuvertë”. “Xhuxhi nga xhuxhishta”.

Rifat Kukaj njihet më së shumti për poezitë e tij për fëmijë. Ka botuar këto vëllime me poezi për fëmijë: “Gjerdani i blertë”, “Lejlekët në luhaja”, “Vallja e kallinjve”, “Deti u bëftë kos”, “Çka fshin dhelpra me bisht”, “Pshurrani i gjyshit”, “Shtegu i laureshave”, “Trimëritë e karkalecit”, “Zogu i Lasgushit”.

Ai ka botuar edhe shumë vëllime me tregime, ndër të tjera: “Harmonika”, “Përqafimet e njoma”, “Rrëfenjëza”, “Ujku me kamera”, “Djaloshi i zjarreve”, “Elefanti që fluturonte”.

Ai ishte shumë i njohur për humorin e tij unik dhe u perceptua gjerësisht si pionieri i kulturës së humorit urban.

Ndër vëllimet e tij më të mira me poezi të të rriturve janë: “Nusja”, “Qafa e Ujkonjës”, “Njeriu që nuk mund të vdiste”.

Rifat Kukaj ka shkruar mbi tridhjetë vepra të dramatizuara si radiodramë, dramë, akte teatrale etj. Ai shkroi skenarin për filmat e mëposhtëm: Lepuri me pesë këmbë (1982), Qesh e ngjesh (1982) (TV), 2 plus (1981) (mini) Seriale TV, Gëzuar viti i ri (1976) (TV), Bujku (1973) (TV).

Rifak Kukaj ka përkthyer gjithashtu një sërë librash nga sllovenia dhe serbo-kroatishtja në shqip.

Ai ishte fitues i një numri të madh çmimesh dhe çmimesh për letërsinë, ndër të cilat: “Ismajl Qemajl Vlora” – Vlorë, Shqipëri, “Oton Zhupaniçiç” – Lubjanë, Slloveni, “Ivan Goran Kovaçiq” – Zagreb, Kroaci, “Neven” – Beograd, Serbi, “Zmaj” – Novi Sad, Serbi, “Shpërblimi i dhjetorit”, – Prishtinë, Kosovë, “Shpërblimi i nëntorit” – Prishtinë, Kosovë, “Ganimete Tërbeshi” – Prishtinë, Kosovë. / KultPlus.com

“The Travel”: Shqipëria mes 10 destinacioneve fantastike edhe për pushimet në çift

Ndërsa udhëtimet po bëhen gjithnjë e më të shtrenjta në shumë vende të botës, adhuruesit e udhëtimeve janë gjithmonë në kërkim të opsioneve më fantastike por të përballueshme. Për fat të mirë, ekziston një botë e madhe mundësish për çiftet që kërkojnë të përjetojnë një aventurë të paharrueshme së bashku, pa sforcuar llogaritë e tyre bankare, sipas një artikulli të gazetarit Brian Oseko, të botuar në “The Travel”.

Shqipëria ofron një “arratisje” të përballueshme, por magjepsëse me fshatra piktoreske dhe peizazhe surreale.

Riviera Shqiptare shtrihet në një vijë bregdetare të mrekullueshme, e cila ofron diellin, detin dhe relaksin, si dhe një zhytje në historinë dhe kulturën e vendit.

Gjithashtu, eksplorimi i parqeve kombëtare ofron aventura të paharrueshme mes bukurisë natyrore që të lë pa frymë!

Shqipëria është renditur mes 10 destinacioneve më fantastike për pushime në çift me një buxhet të ulët

Ksamil, Shqipëri

Ksamili, një perlë e fshehur përgjatë rivierës shqiptare, është një destinacion i shkëlqyer për pushime me një buxhet të ulët për çiftet që kërkojnë diellin, detin dhe relaksin.

Kjo parajsë bregdetare mburret me plazhet e saj të paeksploruara, ujërat e pastër kristal dhe atmosferën e qetë që tërheq adhuruesit e udhëtimeve që duan detin.

Atraksionet kryesore këtu janë Ishujt mahnitës të Ksamilit, një koleksion ishujsh të vegjël pranë bregut, Parku Kombëtar i Butrintit, Kalaja e Lëkurësit dhe Syri i Kaltër.

Ksamili është i njohur edhe për restorantet e tij, që ofrojnë pjata të shijshme të ushqimeve të detit.

Çiftet mund të shijojnë ushqimet e freskëta të ditës me çmime të përballueshme.

Me ambientin e tij të rehatshëm, plazhet e bukura dhe çmimet e përballueshme, Ksamili u ofron çifteve një mjedis idilik për një arratisje romantike të lirë.

Hotelet më të lira kushtojnë 22 dollarë nata. /atsh / KultPlus.com

Konferenca më e madhe e muzikës korale po vjen në Pejë

Konferenca më e madhe e muzikës korale po vjen në Pejë. Kështu ka bërë të ditur dirigjenti Memli Kelmendi i cili ka njoftuar se “Quo Vadis Choral Music Conference” do të jenë në Pejë më datë 14-17 Shtator për të mbushur këtë qytet me tingujt mahnitës të muzikës korale.

Organizuar nga ChoralSpace dhe Korin Siparantum, kjo konferencë do të sjellë nën çatinë e vet personalitete të shquara të muzikës korale në nivel botëror.

Memli Kelmendi gjithashtu ka brë me dije që hyrja është e lire.

“Hyrja është e lirë, kështu që nuk ka asnjë arsye për të mos u bashkuar me ne për këto tre ditë të jashtëzakonshme të muzikës”.

Programi i koncerteve është si vijon:

14.09.2023 | 20:00
KORI I FILHARMONISË SË KOSOVËS
Dirigjent: Memli Kelmendi
Lokacioni: Kisha Katolike “Shën Katerina”, Pejë

16.09.2023 | 20:00
KORI SIPARANTUM
Lokacioni: Kisha Katolike “Shën Katerina”, Pejë

17.09.2023 | 10:30
KORI I SHKOLLËS SË MUZIKËS “HALIT KASAPOLLI”
KORI I SHKOLLËS SË MUZIKËS GJILAN”
KORI I FËMIJËVE “OKARINA”
KORI I FËMIJËVE “SIPARANTUM KIDS”
Lokacioni: Shkolla e Muzikës “Halit Kasapolli”, Pejë. / KultPlus.com

“Po ku ka si ti o Shqipëria ime, o fisnikja përmbi gur” (VIDEO)

sharethis sharing button

Vaçe Zela është një nga emrat më të pavdekshëm në rrafshin artistik në gjithë hapësirën shqiptare, shkruan KultPlus.

Shumica e këngëve të saj, janë ripërpunuar dhe vazhdojnë të këndohen e dëgjohen edhe sot e kësaj dite. Ato qëndrojnë si ‘monumente artistike’, që koha vetëm sa i forcon.

“Rrjedh në kënge e ligjërime”, është pa asnjë dyshim, kryevepra e të madhes Zela, e cila bart emocione të pafundme nacionale dhe artistike.

KultPlus, ju sjell tekstin dhe videon e kësaj kënge:

“Eh i fortë po shndrit ai diell
dhe burimi këngës lugjeve
i përcjell.

Eh i fortë po ngroh ky diell
edhe trimat nëpër mend mi sjell,
mi përkëdhel.

Nga ky diell i kohës sime
shndrisin shekujt në agime
dhe naganti i shqiptarit zjarr
flakëron!

Po ku ka si ti, o Shqipëria ime,
O fisnikja përmbi gur.
Rrjedh në këngë e ligjërime,
ballëlarta me flamur!

(x2)

Eh i fortë po bien ai tel
dhe lahuta tingujt mi çon larg,
m’i përcjell.

Eh i forte po bjen ai tel,
partizanët nëpër mend mi sjell,
po m’i sjell.

Nga ky zë i tokës sime
flasin shekujt me gjëmime,
edhe krisma e shqiptarit rrjedh
brez më brez.

Po ku ka si ti, moj Shqipëria ime,
Oh fisnikja përmbi gur.
Rrjedh në këngë e ligjërime,
ballëlarta me flamur!
(x2). / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=v-iTE1bz0Yo

Regjisori grek, Jorgos Lanthimos fiton Luanin e Artë

Edicioni i 80-të i Festivalit të Filmit të Venecias ka arritur epilogun. Regjisori grek Jorgos Lanthimos ka triumfuar pasi ka marrë Luanin e Artë për filmin “Gjërat e Thjeshta”, një melodramë e epokës viktoriane, me Ema Ston dhe Uilliam Dafo.

“Jam shumë i lumtur. Të fitosh këtë çmim me këtë film është diçka fantastike sepse doja ta bëja prej shumë kohësh. Është rezultati më i mirë që mund të prisnim”, tha Yorgos Lanthimos, regjisor.

Lanthimos shprehu keqardhjen që aktorja Ston nuk mund ta mbante Luanin e Artë, pasi sipas tij, aktrimi i saj ishte një nga arsyet e suksesit të filmit. Ston nuk mundi ta ndiqte eventin për shkak të grevës së aktorëve në Hollivud.

Fitues të tjerë ishin “E keqja nuk ekziston”, i regjisorit Rjusuke Hamaguçi, që mori Luanin e Argjendtë, si dhe Mateo Garrone për “Unë, kapiteni”, që mori të njëjtin çmim. / KultPlus.com

“Zoti t’i jep arrat, por nuk t’i thyen ato”

facebook sharing button

Franz Kafka (3 korrik 1883 – 3 qershor 1924) ishte shkrimtar hebre nga Bohemia. Shkruante në gjuhën gjermane, ndërsa njihet më shumë për tregimet e shkurta. Kafka vlerësohet si një nga figurat kryesore të letërsisë së shekullit XX.

• Shenja e parë e fillimit të kuptimit është dëshira për të vdekur.

• Njeriu i veprimit i detyruar të mendojë, është i palumtur deri në çastin që ia arrin të dalë nga kjo situatë.

• Një shkallë që nuk konsumohet nga hapat e njerëzve, nisur nga pikëpamja e saj, është vetëm diçka e rëndomtë prej druri.

• Gjithmonë fillimisht merrte frymë thellë pasi çlirohej nga kotësia dhe vetëkënaqësia.

• Kushdo që nuk arrin të gjejë kuptimin e jetës së tij, ndërkohë që ai është gjallë, ka nevojë që një dorë ta ruajë paksa nga dëshpërimi ndaj fatit të tij… por, me dorën tjetër ai nuk mund të zhdavaritë çfarë shikon në mes të rrënojave.

• Kushdo që ruan aftësinë për ta parë bukurinë, nuk ka për t’u plakur kurrë.

• Shoqërimi me qenie njerëzore çon në vetëvëzhgim.

• Atlasit i ishte lejuar opinioni se ai ishte i lirë, nëse donte, ta kapte Tokën dhe ta hidhte tutje; por ky opinion ishte e vetmja gjë që i ishte lejuar.

• Të besosh në progresin nuk do të thotë të besosh se është bërë ndonjë progres.

• Duke besuar me pasion në diçka që ende nuk ekziston, ne e krijojmë atë. Joekzistuesja është çfarëdo gjëje që ne nuk e kemi dëshiruar mjaftueshëm.

• Duke ia imponuar një përgjegjësi tepër të madhe, për më tepër, të gjithë përgjegjësinë, vetvetes, ti e rrënon vetveten.

• Fatkeqësia e Don Kishotit nuk është përfytyrimi i tij, por Sanço Pançoja.

• Mos u dëshpëro, madje as nga fakti se ti nuk dëshpërohesh.

• Çdo revolucion avullon dhe lë prapa vetëm lëmashkun e një burokracie të re.

• E ligë është çdo gjë dëfryese.

• Nga një pikë e caktuar e lëvizjes përpara nuk ka më kthim prapa. Kjo është pika e cila duhet arritur.

• Zoti t’i jep arrat, por nuk t’i thyen ato.

• Ai që kërkon nuk gjen, por ai që nuk kërkon do të gjendet.

• Qielli është memec, ai i bën jehonë vetëm memecërisë.

• Si mund të gjesh kënaqësi në botë nëse nuk e ke atë për strehë?

• Unë nuk i lexoj reklamat. Sepse do ta harxhoja gjithë kohën duke kërkuar gjëra.

• Unë kam ndjesinë e vërtetë të vetes sime vetëm kur jam tej mase i palumtur.

• Dembelia është fillimi i të gjitha veseve, kurora e të gjitha virtyteve.

• Nëse unë do të jetoj përjetësisht, si do të ekzistoj nesër?

• Në njëfarë kuptimi e mira është e parehatshme.

• Në luftën midis teje dhe botës, përkrahe botën.

• Në teori ka një mundësi të lumturisë së përkryer: Të besosh në elementin e pashkatërrueshëm brenda dikujt dhe të mos përplasesh me të.

• Është e rehatshme të mendosh se shpërpjesëtimi i gjërave në botë duket se është vetëm aritmetik.

• Është shpesh më e sigurt të jesh në zinxhirë se të jesh i lirë.

• Sa tmerrshëm e pakët është njohja e vetes sime, krahasuar me njohjen e dhomës sime.

• Lejomë ta kujtoj fjalën e moçme: njerëzit e dyshuar janë më normalë se të tjerët, gjersa ata rrinë në baraspeshë pa e ditur këtë gjë, duke qenë të peshuar bashkë me mëkatet e tyre.

• “Frika” ime është thelbi im, dhe ndoshta pjesa ime më e mirë.

• Parimi im prijës është ky: Faji nuk duhet dyshuar kurrë.

• Ende pa i thënë gjërat, i bën – kështu vepron njeriu me vlera.

• Askush nuk mund ta shohë të vërtetën, por mund të jetë e vërteta.

• Një përparësi në mbajtjen e ditarit është se ju nuk i vini re ndryshimet nga të cilat vuani pa pushim.

• Frytshmëri është të bësh gjëra që nuk ishe i aftë t’i bëje më parë.

• Vetëkontroll do të thotë të dëshirosh të jesh i frytshëm në një pikë në rrezatim të pafund me ekzistencën time shpirtërore.

• Sa kohë që e ke kafshatën në bojë, atëherë i ke zgjidhur të gjitha problemet e momentit.

• Fillo me çka është e drejtë sesa të fillosh me çka është e pranueshme.

• Vuajtja është elementi pozitiv i kësaj bote, në të vërtetë është e vetmja lidhje midis kësaj botes dhe pozitives.

• Dashuria sensuale është mashtruese si dhe dashuria hyjnore; ajo nuk mund të bëhet vetë, por gjersa e ka pavetëdijshëm elementin e dashurisë hyjnore brenda vetes, mund të bëhet edhe kështu.

• Historia e njerëzimit është çasti midis dy hapave të udhëtarit.

• Fakti që synimi ynë është i matur saktësisht me jetën tonë, na e jep ne përshtypjen se jemi të përjetshëm.

• Shpirti bëhet i lirë vetëm kur ai të pushojë së qeni një mbështetje.

• Ka vetëm dy gjëra. E vërteta dhe gënjeshtrat. E vërteta është e pandashme, gjersa ajo nuk e njeh veten; të gjithë ata që duan ta njohin, vetëm sa gënjejnë.

• Ne të gjithë kemi flatra, por ato nuk na duhen ne për asgjë dhe nëse do të mundnim, do t’i shqyenim.

• Rinia është e lumtur, sepse ajo e ka mundësinë ta shohë të bukurën. Të gjithë ata që janë të aftë ta shohin të bukurën, nuk plaken kurrë.

• Ne jemi mëkatarë jo vetëm se kemi ngrënë Pemën e Dijes, pore edhe sepse nuk e kemi ngrënë Pemën e Jetës. Gjendja në të cilën ndodhemi është mëkatare, pavarësisht nga faji. / KultPlus.com

‘Ti Shqipëri, më ep nderë, më ep emrin shqipëtar’

Poezi nga Naim Frashëri

O malet’ e Shqipërisë e ju o lisat’ e gjatë!
Fushat e gjëra me lule, q’u kam ndër mënt dit’ e natë!
Ju bregore bukuroshe e ju lumenjt’ e kulluar!
Çuka, kodra, brinja, gërxhe dhe pylle të gjelbëruar!
Do të këndonj bagëtinë që mbani ju e ushqeni,
O vendëthit e bekuar, ju mëndjen ma dëfreni.

Ti Shqipëri, më ep nderë, më ep emrin shqipëtar,
Zëmrën ti ma gatove plot me dëshirë dhe me zjarr.

Shqipëri, o mëma ime, ndonëse jam i mërguar,
Dashurinë tënde kurrë zemëra s’e ka harruar.

Kur dëgjon zëthin e s’ëmës qysh e le qengji kopenë,
Blegërin dy a tri herë edhe ikën e merr dhenë,
Edhe në i prefshin udhën njëzet a tridhjetë vetë,
E ta trëmbin, ajy s’kthehet, po shkon në mes si shigjetë,
Ashtu dhe zëmëra ime më le këtu tek jam mua,
Vjen me vrap e me dëshirë aty nër viset e tua.
Tek buron ujët e ftohtë edhe fryn veriu në verë,
Tek mbin lulja me gas shumë dhe me bukuri e m’erë,
Ku i fryn bariu xhurasë, tek kullosin bagëtija,
Ku mërzen cjapi me zile, atje i kam ment e mija.
Atje lint diell’ i qeshur edhe hëna e gëzuar,
Fat’ i bardh’ e mirësija në atë vënt janë mbluar;
Nat’atje’shtë tjatrë natë edhe dita tjatër ditë,
Në pyjet’ e gjelbëruar, atje rrinë perënditë.

Mendje! merr fushat e malet, jashtë, jashtë nga qyteti,
Nga brengat, nga thashethemet, nga rrëmuja, nga rrëmeti.

Tek këndon thëllëza me gas edhe zogu me dëshirë,
E qyqja duke qeshur, bilbili me ëmbëlsirë,
Tek hapetë trëndafili, atje ma ka ënda të jem,
Bashkë me shpest edhe unë t’ia thërres këngës e t’ia them;
Të shoh kedhërit’ e shqerrat, deshtë, cjeptë, dhëntë, dhitë,
Qiellin’ e sbukuruar, dhenë me lul’e me dritë.

Vashë bukurosh’e bariut! që vjen me llërë përveshur,
Me zemërë të dëfryer e me buzëzë të qeshur,
Me dy shqerëza ndër duar, të bukura si dhe vetë,
Në sythit tënt e shoh gazë, që s’e kam gjetur ndë jetë.
Dashi sysk e me këmborë, q’e ke manar, po të vjen pas,
Dhe qeni me bes’ i larmë të ndjek me dëshir’ e me gas.
Dashç Perëndinë, pa më thua, a mos na pe bagëtinë?
– Pash’ atje pas më të gdhirë,… ja atje përtej tek vinë!

O! sa bukuri ka tufa! Sa gas bije bagëtija!
Vinë posi mblet’ e plotë! I bekoftë Perëndija!
Nëpër shesh’ e nër bregore janë përhapurë shqerrat,
E kecërit nëpër rripat dhe në gjethet e në ferrat;
Sa me vrap e me gas bredhin edhe lozin shok me shok,
Aty përhapenë me nxit aty mblidhenë prapë tok,
Edhe prapë tufë-tufë përhapenë duke bredhur,
Duke ikur me vrap shumë, duke lojtur, duke hedhur.
Nxitojn’ e s’lodhenë kurrë edhe, kur i merr urija,
Secili futet në tufë, suletë ne mëm’ e tija,
Posa gjen mëmën e dashur edhe me vrap i hyn në gji,
Rri më gjunjë dhe zë sisën e qumështin e ëmbël pi;
Pa e ëma me mall shumë, ndo dhi qoftë a ndo dele,
Bir’ e vetëm e merr në gji me gas e me përkëdhele.

Sa të mirazë ke dhënë, Zot i math e i vërtetë!
E ç’nom të bekuar vure për çdo gjë q’është në jetë!

Sa më pëlqen blegërima, zër’i ëmbël’ i bagëtisë,
Qëngji edhe kec’i bukur, që rri më gjunj’ e pi sisë!
Përhapurë bagëtija nëpër sheshe, nëpër brinja,
Nër lajthi e nëpër dushnja, ndër murriza, në dëllinja;
Bijen zilet’ e këmborët e fyelli e xhuraja,
Dheu bleron e gjelbërojnë fusha, male, brigje, maja,
Edhe gjithë gjë e gjallë ndjen në zemër një dëshirë,
Një gas t’ëmbël’ e të shumë, o! sa bukur e sa mirë!
Pelën e ndjek mëz’i bukur, lopës i vete viçi pas,
Dellëndyshja punëtore bën folenë me të math gas,
Ogiçi ikën përpara, i bije tufës në ballë,
Me zemër të çelur shumë vete si trimi me pallë,
Zoqtë zënë këng’ e valle dhe po kërcejn’ e këndojnë,
E nëpër dega me lule si ëngjëllit fluturojnë,
Larashi ngrihet përpjetë, thua q’i shpie Perëndisë
Një lëvdatë të bekuar për gëzimt të gjithësisë,

Qielli sa ësht’ i kthiellt e sa është sbukuruar!
E dielli sa ndrin bukur mbi lulet të lulëzuar!
Gjithë këto lule ç’janë, që u ngjallë menjëherë?
Ngaha qielli ke xbritur? Ver’, o e bukura verë!
Çdo lulezë ka me vehte një emër e një fytyrë,
Një bukuri, një mirësi, një shtat, nj’erë e një ngjyrë,
Si dhe çdo dru e çdo pemë, edhe çdo bar e çdo fletë;
Sa është e bukur faq’ e dheut! S’të zë syri gjë të metë.

Gjithë kjo bukuri vallë nga dheu të ketë mbleruar,
A me të matht të ti’ Zoti pej parajs’e ka dërguar?

Veç një njeri shoh pa punë dhe të mjer’ e të brengosur,
Të këputur, të mjeruar, të grisur e të rreckosur;
Lipën i gjori pa shpresë, se atje e pru përtimi,
S’i ka mbetur gas në zemrë, se s’i la vënt idhërimi.
Eshtë njeri, si dhe neve, po epini, o të pasur,
E mos e lini të urët dhe të mjer’ e buzëplasur,
Se përtimn’ e zi, q’e pruri të gjorën më këtë ditë,
Nuk’ e dimë vet’ e zgjodhi, apo ia dhanë Perënditë.
Edhe për një mizë, kur heq, i vjen keq njeriut të mirë,
Zëmëra s’thuhetë zëmrë me mos pasurë mëshirë.

Ah! edh’ atje tej mbi udhë i duket i shkreti varri,
Rrethuar me lul’e me bar, një të gjori udhëtari,
Që ka vdekur i ri shumë e ka rarë lark shtëpisë,
Mërguar nga mëm’ e motrë dhe pej gjithë njerëzisë;
Një zok i helmuar mi varrt i rri si mëmëzë dh’e qan,
Ndarë nga të gjithë shokët edhe zi për të mjerë mban.

Tomor! o mal i bekuar, fron i lartë, që rrij Zoti,
Pas fesë vjetrë që kishinë shqipëtarëtë qëmoti,
Dhe ti Mali-Plak i lartë, që me syt’ e tu ke parë
Luftëra të mëdha shumë e punë që kanë ngjarë.
O malet’ e Shqipërisë, që mbani kryet përpjetë,
Tëmerr e frikë përhapni, përpini qiejt e retë!
Të patundurë përjetë jini, pa, kur oshëtini,
Udhëtarit në zemër frikë të madhe i vini;
Keni shkëmbënj, gërxhe, lisa, lumënj dhe dëborë ndë gji,
Përsiprë lulez’ e gjethe dhe brënda ergjënt e flori,
E ju fusha bukuroshe edhe të majm’e pëllore,
Ju sheshet e lulëzuar, ju bregore gjelbërore,
Q’u fali Zoti të mira, u mba me shumë pekule,
U dha bar e gjeth e veri, zoq e flutura e lule,
Zemërn’ e varfërë time aty ndër ju e kam mbluar,
Tek buron nga gjithi juaj uj’i ftoht’ e i kulluar;
Jam lark jush i dëshëruar edhe s’e duronj dot mallë,
Po s’e di si dua unë do t’u shoh një herë vallë?

Të paskësha vrapn’ e veriut, të kisha krahë pëllumbi,
Nxitimn’ e lumit me valë, q’ikën me vërtik si plumbi,
E të vija në gjit tuaj, nj’ ujë të ftohtë të pinja,
Edhe nëpër ato hije një copë herë të rrinja,
Syt’ e ballit t’i xbavitnja, zëmërënë ta dëfrenja,
Gazë, që paçë njëherë, prap’ aty ndër ju ta gjenja.
Opopo! Kshu pse më vini përpara syve pa pushim,
O ditët’ e djalërisë, o moj kohëz’ e të rit tim?

O flutura krahëshkruar, që fluturon nëpër erë,
As merr dhe zëmrënë time me vehtezë dhe ma shpjerë
Nër malet të Shqipërisë, tek kullosën bagëtija,
Tek i fryn bariu xhurasë, tek më rrinë mënt’ e mija,
Ku shkon me zile të madhe ogiçi përmes lajthisë,
Pa zjen e oshëtin mali ngaha zër’i bagëtisë;
Marrënë vrapn’ e nxitojnë, derdhen në gjollë për kripë,
Dhëntë ndër shesh’e ndër brigje, dhitë në shkëmb e në rripë.

Bariu plak krabën në dorë edhe urdhëron të rinjtë,
E ata gjithë punojnë, ngriturë më bres përqinjtë;
Ca bëjnë vathën e shtrungën, ca ngrehin tëndën e stanë,
Kush sjell gjeth e karthj’ e shkarpa, sicilido ndih më nj’anë;
Kush përvjel, kush qeth sheleknë, kush mjel dhitë, kush mjel dhëntë,
Njëri merr ushqen këlyshnë, jatëri përgëzon qëntë.
Stopani, bër’i zi sterrë, shikon bulmetn’ e bekuar,
Tunt, bën gjalpë, djathë, gjizë edhe punon pa përtuar;
Udhëtar’ e gjahëtorë, q’u bije udha ndër male,
U ep mish, qumësht, kos, dhallë, ajkë, djathë, bukëvale…
Kec’i mbeturë pa mëmë dhe i varfër’ e i shkretë
Mënt mëmënë, që ka mbetur pa bir e pa gas në jetë.
Dëgjohet nga mez’i pyllit krism’ e sëpatës s’druvarit,
E sharrësë që bën lëndë, edhe fyell’i shterparit.

Shterpari s’i qaset stanit, po nër pyje bij’e ngrihet,
Nëpër maja, nër bregore, rri, këndon a gdhënt, a shtrihet;
S’i trembetë syri kurrë, vetëm ajy dit’ e natë,
Nga ujku e nga kusari s’ka frik’, as nga lis’i gjatë,
As nga shkëmbënjt’ e nga pylli, as gogolëtë s’e hanë,
Armëtë ka shok e vëlla, mëm’ e motërë xhuranë;
Miqt’ e ti shqeratë janë, kecërit, dhitë, dhëntë,
Cjeptë, ziletë, këmborët, deshtë e më tepër qëntë,
Që s’flenë, po rrin’ e ruajn bagëtinë dhe barinë,
Kur e shohin, tundin bishtin dhe me gas të math i vinë;
S’e hanë njerin’ e mirë edhe mikun’ e udhëtarë,
Se i njohën; po të liknë, egërsirënë, kusarë.
Vjen nata, e lë në t’errët, del hëna, i përhap dritën,
Vjen mëngjesi, sbardhëllehet, lint’ dielli, i bije ditën.
Yjtë, hëna, dielli, shënja, lindin e prapë perëndojnë,
Gjithë ç’lëvrijnë nër qiej, përpara syvet i shkojnë.
Mblidhen ret’ e hapësira bënetë e zezë sterrë,
Vetëtimat e gjëmimet nisin e shiu zë të bjerë;
Bariu vë gunën në kokë, z’eshkën me herët të parë,
Ndes shkarpat sakaqëherë, e lisnë fyl, dhe bën zjarrë;
Fishëllen e thërret qentë sicilin me emër veçan,
Pa, kur derdhetë Baliku, ujkun’ e zë edh’e përlan,
Se bisha, që bije dëmnë, errësir’ e mjergull kërkon,
Papo bariu shum’ ahere vë re dhe mba vesh e dëgjon,
Dhe sokëllin me zë të madh, tunden malet e shkëmbenjtë,
Gumzhitin pyjet’ e veshur e oshëtijnë përrenjtë!

Esht’ e lehtë dhi e stanit, që kullot gjethen e malit,
Dhe bij’e fle majë shkëmbit e pi ujëthit e zallit;
Dhi e shtëpis’ ësht’ e plokshtë, fle në vath’ e nënë strehë
E pi ujët e rrëkesë edhe shtrihetë në plehë;
Esht’ e butëz’ edh’e qetë dhe e urtë si manare,
Nuk’ është si malësorja, andaj i thonë bravare.

Në pshat, posa sbardhëllehet, sheh një plakëzë të gjorë,
Ngrihet, hap derën ngadale, e del me kusi në dorë,
Rri në derëzët të shtrungës, dhe djali duke dremitur
I nget bagëtin’ e delen, i mjel plakëz’ e drobitur.
Plaku lë shkopnë mënjanë e bën gardhin a zë shteknë,
Bariu vë tufën përpara, vasha përkëdhel sheleknë,
Nusja pshi e ndreq shtëpinë edhe bën bukën e gjellën,
I shoqi sheh kanë, lopën, viçnë, demnë, kalën, pelën,
Mushkën, që ësht’ e harbuar edhe bashkë me gomarë
Rrahënë të hedhin murë, të hanë bimën a barë.
Një grua vete në krua, e jatëra zë të tuntnjë,
Një sheh pulat, miskat, rosat, dhe tjatëra bën çtë muntnjë.

Na hyjnë shumë në punë kafshëtë dhe bagëtija,
Na i dha në këtë jetë shok’ e ndihmës Perëndija.
Të mos ishte gjë e gjallë, njeriu s’rronte dot në jetë,
Do të vdiste nga uria, do t’ish lakuriq e shkretë;
Gjë e gjallë na vesh, na mbath dhe na ushqen e na xbavit,
Kur shtohet e vete mbarë; jetënë tën’ e përsërit.
Edhe dheu, që na ep drithë, sido ta kemi punuar,
Nukë pjell mirë si duam, po s’e patmë plehëruar.
O shokëtë e njeriut, Zoti u shtoftë e u bekoftë!
Dhe shpirti im mik përjetë, sindëkur ka qën’ u qoftë.
Kafshët, edhe bagëtinë, që u ka kaqë nevojë,
Njeriu duhetë t’i shohë, t’i ketë kujdes, t’i dojë.
Të mos t’i mundojmë kurrë, po si fëmijë t’i kemi,
Eshtë mëkat edhe fjalë të ligë për to të themi.

Dellëndyshe bukuroshe, që thua mijëra fjalë,
Dhe të k’ënda vahn’ e lumën, që vjen me vrap e me valë,
A mos vjen nga Shqipëria? Eni vjen pej Çamërie
Me këto milëra fjalë e me gluhë perëndie?
Apo vjen nga Labëria, pra më duke kaqë trime,
Edhe fjalëtë që thua më gëzojnë zëmrën time,
Q’është thier, bërë posi një pasqirë,
Duke këputur nga cmagu, që s’e kanë vartur mirë,
Apo vjen nga fush’e Korçës, nga vënd’i mir’ e i gjerë,
Pej zembrësë Shqipërisë, që del gjithë bot’ e ndjerë?
A më vjen pej Malësie, pej Skrapari, pej Dobreje,
Nga Vijosa, nga Devolli, pej Vlor’ e pej Myzeqeje?

Të munjam të fluturonja e të kishnjam krahë si ti,
Me gas të math do t’i vinjam Shqipërisë brënda në gji!
Për me marrë drejt Shkumbinë edh’ Elbasan’ e Tiranën,
E me ardh ke ti, o Shkodrë, të shof Drinin e Bujanën,
Kostur, Përlep, Fëllërinë, Dibrë, Ipek e Jakovën,
Mat’ e Ysqyp e Prështinë dhe Mirëdit’ e Tetovën;
Krojënë e Skënderbegut, q’i ka pas dhan ner Shqypnisë,
Tue bam me trimni luftë, e m’e munt mren e Tyrqisë.

Durres, o qytet i bukur, që je kërthiz’ e mëmëdheut!
Edhe ti Leshi me emrë, që ke eshtrat e Skënderbeut!
Burrat tuaj aqë trima do ta lenë vall’ Ylqinë
Edhe gjithë shqipëtarët ta mbanjë armiku ynë?
Nukë më ngjan e s’e besonj, kam te zoti shumë shpresë,
Shqipëria këtej-tutje kshu po nukë do të mbesë.

Dua të dal majë malit, të shoh gjithë Arbërinë,
Vëllezërit shqipëtarë, që venë në pun’ e vinë,
Burrat trima me besë dhe shpirtmir’ e punëtorë,
Dhe fushatë gjithë lule e malet me dëborë.

O fushazëtë pëllore, që m’ushqeni Shqipërinë,
Do të këndoj bukurinë tuaj edhe bujqësinë.

Ti perndi e ligjërisë, që rri në malt të Tomorit,
Unju posht’ e më ndih pakë, o motra im’e të gjorit!
Më ke leshrat të florinjta e të ergjëndtë krahrorë,
Ball’ e gush’ e faq’e llërë dhe këmb’ e duar dëborë;
Sikundër do malësorët dhe pyjet e bagëtinë,
Duaj edhe fusharakët dhe arat’ e bujqësinë,

Edhe ti, o mëmëz’ e dheut, q’i fale dheut aq’ uratë,
Sa pjell mijëra të mira e kurrë s’mbetetë thatë,
I dhe lul’e bar e gjethe, bim’ e drith’ e pem’ e drurë,
Mlodhe gjithë bukuritë edhe kanisk ia ke prurë.

Të keqen, o symëshqerë, shikomë një herë në syt!
Si lulet’ e si bilbili edhe unë jam djali yt.

Gjithë këto farë lulesh e këtë të bukur erë,
Këtë mblerim, këto gjyrë vallë nga ç’vent’i kesh nxjerrë!
O sa e madhe bukuri! As më thua ku e more!
O bukuroshe, t’u bëfsha, ngaha gjiri yt e nxore?
Apo me dorët të bukur e more nga gjir’i Zotit,
Nga qielli, nga parajsa, nga prehër’ e plotë i motit?
Kudo shkel këmbëza jote, gëzohet vendi e mbleron,
Tekdo heth sythit e qeshur, bukuri’ atje lulëzon!

Ti zbukuron faqen’ e dheut, ti do e ushqen njerinë,
Më të gjallë, dhe pas vdekjes e pret duke hapur gjinë!
Vjen dimëri, t’i than lulet, ti me një frym’ i ngjall prapë,
Napënë q’u heth përsiprë, ua heq me ver’ e me vapë.

Bujkun e xgjuan me natë edhe vë përpara qetë,
Nisetë pa zbardhëllyer për punëzët të vërtetë;
Mer pluarin e parmëndën, zgjedhën, tevliknë, hostenë,
Kafshën, farën, shoknë, bukën, trajstënë, lakrorë, qenë…
Shërbëtor’i mëmës’ së dheut, q’e ka zëmrënë plot shpresë,
Del kur hapet trëndafili dhe bari ‘shtë gjithë vesë;
I falet Zotit t’vërtetë dhe zihet nga pun’ e mbarë,
Zëmërzën e ka të bardhë dhe të qruar e të larë.

Pa lodhur e pa këputur, pa djersë e pa mundime,
Njeriu i gjorë në jetë nukë gjen dot as thërrime,
Si të punosh dit’ e natë e të bësh ç’duhenë gjithë,
Ahere kërko nga Zoti të t’apë bukëz’ e drithë.

Njeri, puno, mos psho kurrë dhe lark nga makutërija,
Zëmërnë kije të gjerë, mos ki keq, pa t’ep Perndija.

Puna ka duk e uratë, Zot’i math e ka bekuar,
Njerinë mi faqet të dheut e dërgoi për të punuar.

Ver’ o e bukura verë, që na vjen nga i madhi Zot
Me mirësi, me bukuri, me gas të math, me duar plot,
Sindëkur çel trëndafilë, e i fal bilbilit zënë,
Ashtu na bije nga qielli një gas në zëmërt tënë.

Zot’i e i vërtetë për të ushqyer njerinë,
Për të zbukuruar dhenë, për të shtuar mirësinë,
I dha zjarr e flakë diellit, i fali dhe shinë resë,
Bëri dimërin e verën dhe zemrës san’ i dha shpresë.

Për të arriturë rrushnë ç’ka punuar Perëndija,
Qielli, dheu, dielli, shiu, njeriu, tërë gjithësija!
S’është çudi pse na dëfren ver’ e bukur zemrën tënë;
Ç’ka punuar Perëndija edhe njeriu, sa e bënë!
Ju shokë, kur pini verën, mos dehi, mos zëmërohi,
Mos u zihni, mos u shani, mos lëvdohi, mos qërtohi,
Se përçmoni Perëndinë, q’i ka falur hardhisë rrush,
Edhe kërkon dashurinë e ndodhet pshetazi ndaj jush;
Po gëzohi, prehi, qeshni, duhi, xbaviti, dëfreni,
Flisni fjalë të pëlqyer, loni, këndoni, kërceni,
Bëjeni zëmrën të gjerë edhe shtoni dashurinë,
Mirësinë, njerëzinë dhe besën e miqësinë,
Se në breng’ e në të keqe, në punë e në të pirë,
Mirretë vesh njeriu i lik, njihetë njeriu i mirë.

A e shihni gjithësinë, yjtë, Diellinë, Hënën,
Dhenë, erën, retë, kohën, Kashtën’ e Kumtërit, Shënjën,
Si janë përveshur gjithë edhe lëçijn’ e punojnë,
Njëri-tjatërit i ndihin, ashtu punën e mbarojnë.
Në mest të këti rrëmeti, të punëtorëve shumë,
Njeriu duhet të lëçinjë, apo të bjerë në gjumë?

Mundohetë punëtori, po në zemërzët të qetë
Sa gas të math ndjen, kur njëra që hoth, i pjell dymbëdhjetë!
Kur e sheh kallin’ e plotë të kërrusurë nga barra,
Dhe parajsën e vërtetë të tfaqurë nëpër ara,
Kur heth lëmën e mbleth toknë, ndan bykn’ e kashtën mënjanë,
U heth kuajve e qevet, që janë lodhur, të hanë,
Kur e përmbush plot shtëpinë me drith’ e me gjë të gjallë,
Shtrohet me uri në bukë e ha me djersë në ballë.

Sheh pjergullnë, manë, fiknë, thanënë, arrën, ullinë,
Mollën, dardhën, pjeshkën, shegën, vadhënë, ftuan, qershinë,
Kumbullatë, zerdelinë, ngarkuar me pemë gjithë,
Oborrë plot gjë të gjallë, shtëpinë mbushur me drithë,
Dhe zëmëra i gëzohet, pa i faletë Perëndisë,
Q’e çpërblen punën e djersën e mundimn’ e njerëzisë.

Qysh rroit mblet’ e uruar dhe ven’ e vin e lëçijnë,
Ca huallinë ndërtojnë, ca nëpër lule shëndijnë.
O ç’punë me mënt punojnë, sa bukur e bëjn’ e mirë!
N’apin dyllëtë, q’ep dritë, dhe mjaltë fjesht’ ëmbëlsirë.
Dhe punëtorët’ e mirë m’atë mëndyrë punojnë,
Edhe gjithë njerëzija me mundimt t’atyre shkojnë;
Njëri mih, jatëri lëron, njëri mbjell, jatëri prashit,
Kush t’harr, kush korr, kush mbledh duaj, kush shin, kush sharton, kush krasit,
Një bën pluar’ e sëpatën, një parmendën, një shtëpinë,
Një pret e qep, një merr e ep, një mbath, një shikon mullinë,
Çdo njeri një farë pune bën në mest të shoqërisë,
Kjo ësht’ udh’ e Perëndisë, ky ë nom i gjithësisë.
Edh’ ajo miza përdhese, ç’i duhetë për të ngrënë,
Eshtë rrahur e përpjekur e me kohëz’ e ka vënë.
Ka një punë të punonjë si çdo gjë q’është në jetë,
Kshu e ka thënë me kohë Zot’i math e i vërtetë.

Bujku mundohet në verë, po në dimër rri e prëhet,
Sheh shtëpizënë më kamje, edhe zëmëra i bëhet,
Gratë të gjitha punojnë n’avlëmënt e në të tjera,
Edhe jashtë fryn e bije, por kur na trokëllin dera:
Eshtë nj’udhëtar i gjorë, që ka mbetur në dëborë,
I kanë ngrirë të mjerit vesh’ e goj, e këmb’ e dorë;
Ngrihet i zot’i shtëpisë edhe të huajthin e merr,
E vë në kryet të vatrës me njerëzi, me të math nder,
Posa e shohënë që vjen, i ngrihen gjithë fëmija,
Se të huajnë më derë na e dërgon Perëndia,
Pa i bëjnë zjarr e ngrohet edh’e mbajnë me të mirë,
I sjellin shtresë të flerë edhe të ngrën’ e të pirë.

Kështu të huajt’ e miqtë njeriu q’është i uruar
I pret me krahëror hapur e i përcjell të gëzuar.

Në verë që çelen lulet, qielli ndrin si pasqyrë,
Sbukurohetë faq’e dheut e merr mijëra fytyrë;
Pa ngjallenë më çdo lule, më çdo bar e më çdo fletë
Gjëra të gjalla me mijë, rroitin nga dheu si mbletë.

Shpest’ e mizatë këndojnë e kuajtë hingëllijnë,
Lulet’ e bukura m’erë si ar e si flori ndrijnë,
Bujku nget pëndën e lëron, mbjell a bën gati ugarë,
Kalorësi i shkon njatë dhe i thotë — puna mbarë —
Papo merr anën e lumit me zëmërë të gëzuar,
Këndon, fishëllen e vete ngadalë, duke mejtuar;
Vë re lumën e kulluar, që ikën me ligjërime,
E ndër ment të ti i bije ca t’ëmbla shumë mejtime.
Vashazëtë bukuroshe, posi shqerratë manare,
Si kapërollet e malit, si thëllëzatë mitare,
Venë të lajnë në lumë gjithë tok duke kënduar,
Me gas në sy e në buzë e me lulezë nër duar;
Përveshin llërët’ e bardha dhe të majm’e të perndijta,
Pulpazëtë bukuroshe e këmbëzët’ e kërthijta.
Dellëndyshja që fluturon e ndehetë përmi lumë,
U afrohetë si mike e u thotë fjalë shumë,
Dhe mëshqer’ e përkëdhelur vjen në lumë të pij’ ujë,
A të prëhetë në hije, a të bënjë gjë rrëmujë.

Bari, bima vatur më bres e bujku shum’ i gëzuar,
Si bariu kur merr kërthinë edh’e përkëdhel ndër duar.

Bilbili ia thotë bukur, lumi vete gjithë valë,
Ep erën e Perëndisë trëndafili palë-palë.

Veç një vashëz’ e mjerë qan të motrënë, q’e ka lënë,
O! është mbuluar në dhe vashëza fytyrëhënë!
Mëma dhe motëra mbetur në zi e në vaj të shumë,
Dhe shqerra manarez’ e saj, e përzieshmez’ e për lumë!
Të këput shpirtinë plaka, kur zë dhe nëmëron e qan,
Ah, i ziu njeri në jetë sa heq e sa duron e mban!

Vashën vërtet e mbuluan, po shpirt’i saj në qiej shkoi,
Hapi krahëthit e lehtë, në hapësirat fluturoi;
Bukuri e saj u përzje me bukurizët të prillit,
Me fjalëzët të bilbilit, me erët të trëndafilit,
Gjësendi s’humbetë kurrë e gjë s’vdes me të vërtetë,
Mase ndryshohenë pakë, po janë në këtë jetë;
As shtohet, as pakësohet, as prishetë gjithësija,
Vdesën e ngjallenë prapë si gjith’ edhe njerëzija.
Këtu janë gjithë ç’janë e gjithë ç’gjë munt të jetë,
Engjëllitë, Perënditë dhe ajy Zot’i vërtetë!
Se një trup e një shpirt është gjithësia, që s’ka anë,
Të gjallë edhe të vdekur gjithë brënda në të janë.

Perëndija njerin’ e parë e mori prej dore vetë,
E zbriti mi faqet e dheut, q’ish me lulez’ e fletë,
Më të drejtënë të themi, mbi faqet të dheut e ngriti,
E bëri të zotthin’ e dheut edhe kështu e porsiti:

Nga kjo baltë të kam bërë, rri këtu, më paç uratë,
Mos u loth e mos psho kurrë, po përpiqu dit’ e natë,
Sheh si punon gjithësija? Ashtu të punosh edhe ti,
Të mos rrish kurrë pa punë e të vësh duartë në gji.
Mos u bëj i lik e i keq, i paudh’ e i pabesë,
I rrem, i ndyrë, i dëmshim, i rënduar e pa shpresë,
Mërgohu nga të këqijat, pej çdo farë ligësije,
Pej nakari, pej lakmimi, pej vjedhjeje, pej marrëzije,
Mos vra, mos merr tek s’ke vënë, edhe ki nom dashurinë,
Bes’ e fe ki urtësinë, të drejtënë, mirësinë.
Në bëfsh mirë, liksht s’gjen kurrë, po, në bëfsh liksht, mos prit mirë,
Ki dëshirë për të mirë dhe në zemërë mëshirë,
Ji i but’, i urt’, i vyer e mos u bëj kurrë makut,
I egër e i mërzitur dh’i mahnitur si madut,
Mos ju afro dhelpërisë, po së drejtësë iu nis pas;
Në dëgjofsh fjalët’ e mija, do të jesh gjithënjë në gas.

Nga gjithë ç’pat gjithësia, të kam dhënë dhe ty pjesë,
Në u bëfsh si them, i mirë, emr’i math do të të mbesë.
Të kam dhënë mënt të mësosh, të vërtetën me të ta shohç,
Dhe zëmër’ e vetëdijë, të mir’ e të drejtën ta njohç,
Do të të lë dhe nevojën, udhën të të tregonjë,
Të të ndihnjë më çdo punë, të të psonj’ e të të zgjonjë.
Gjithë të mirat që janë, këtu në dhet i kam mbuluar,
Po gjësendi në shesh s’nxjerr dot pa dirsur e pa munduar;
I gjen të gjitha me kohë, po rrëmo thell’ e më thellë,
C’do gjë që të duhet, kërkoje, barku i ti do ta pjellë.
Sa gjërërazë të vlera do të gjesh ti këtu brenda,
Edhe përsipërë soje, e sa do të t’i ket ënda!

Me fuqit që të kam dhënë, them që të vinjë një ditë
Të marrç udhën e së mirës e të gjesh të madhe dritë,
Të marrç vesh dalengadalë sa punëra që kam bërë,
Diell, hënë, yj, dhe, qiej e gjithësinë të tërë!

Po që u bëre i urtë, mua më ke afër teje,
Ndryshe, qofsh i mallëkuar edhe mërguar prej meje!

Të parit tënë perndia këto fjalë vetëm i tha,
I fali gjithë të mirat, i dha uratën dhe e la.
Det i p’an’i mirësisë, q’emrin tënd s’e zë dot ngoje,
Qysh e ngrehe gjithësinë pa lënë farë nevoje!
Fali njeriut urtësinë, mirësinë, njerëzinë,
Butësinë, miqësinë, dashuri, vëllazërinë;
Epu sheshevet lul’ e bar dhe pyjevet gjeth e fletë,
Resë shi, aravet bimë e mos lerë gjë të metë,
Fali erë trëndelinës, manushaqes, trëndafilit,
Kalliut bukë, mizës pjesë, zogut ngrënie, zë bilbilit,
E drurëvet epu pemë dhe uratë bagëtisë,
Dërgo dhëmbj’ e kujdes për to në zëmërt të njerëzisë;
Epi pjergulls’ e vështit rrush dhe vozësë fali verë,
Mos e lerë pa të kurrë, kurrë thatë mos e lerë;
Fali diellit flak e zjarr dhe hënës e yjet dritë,
Edhe detit uj’ e kripë, gjithësisë jet e ditë.
Yjtë le të vinë rrotull dhe njerëzit të punojnë,
Të dëfrejn’ e të gëzohen dhe si vëllezër të shkojnë.

Tregomu dhe shqipëtaret udhën e punës së mbarë,
Bashkomi, bëmi vëllezër edhe fjeshtë shqipëtarë,
Falmi, falmi Shqipërisë ditën e bardh’ e lirisë,
Udhën e vëllazërisë, vahn’ e gjithë mirësisë.

Nxirr të vërtetën në shesht, paskëtaj të mbretëronjë,
Errësira të përndahet, gënjeshtëra të pushonjë./KultPlus.com

“Jam arvanit dhe flas arvanitika”, kjo ishte fjalia e përsëritur me krenari, nga çdo banor i Salaminës dikur

“Jam arvanit dhe flas arvanitika”, – kjo ishte fjalia e përsëritur me krenari, nga çdo banor i Salaminës, si dëshmi për historianin grek, Tasos Karantis.

Janë dy studime të botuara në revistën greke, “Rrezet e grekëve”, për historinë e arvanitasve në Greqi.

Në këto studime evidentohet se, në shumicën e krahinave të Greqisë, duke përfshirë edhe Athinën, gjuha mbizotëruese ishte ajo e arvanitasve ose siç e quanin ata, arbërisht.

Në një faqe të kësaj reviste, artikulli në fjalë paraqet atë çka sot vetë grekët e mohojnë ose mundohen ta baltosin.

Të dhënat vijnë nga vepra e Dhimitriu Bizantiut, shkruar në vitin 1836.

Ja çfarë shkruan ai, konkretisht: “Vizitorët vinin re me habi, se banorët e fshatrave përreth Atikës, por deri dhe brenda saj, në qendër të kryeqytetit të shtetit të sapoformuar, flisnin një gjuhë që arvanitët e moshuar e quanin: ‘arbërisht’, gjuhë që ishte e njohur gjerësisht si arvanitëshe”

Në vijim, ai krahason fshatrat greke dhe ato arvanitas/arbëreshe, ku sipas tij, nuk ekzistonte asnjë dallim. Madje, deri në shekullin XX gjuha që mbizotëronte në këto fshatra dhe brenda në Athinë, ishte arbërishtja.

Ndërkohë, vjen dhe studimi i një historiani me emrin Tasos Karantis, për arvanitët e Salaminës, i cili tregon sesi me krenari, banorët e saj thoshin se:

“Eimai arbanitis kai milao arbanitika (Jam arvanit dhe flas arvanitika)”.

Këta vendas, thoshin se “gjuha është e ‘tatërve (etërve) tanë, pasi kjo gjuhë është e pasur me ndjenjë në shprehje, duke u quajtur me një mënyrë edhe më poetike – gjuha e zogjve, gjuha e dallëndysheve. / Trungu / KultPlus.com

Rama: Shqipëria mikpriti mbi 2 milionë vizitorë të huaj vetëm gjatë gushtit

Shqipëria u kthye në një destinacion të kërkuar turistik këtë sezon veror.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot të dhëna mbi numrin e turistëve që vizituan vendin, duke konfirmuar një vit spektakolar në sektorin turistik.

Sipas Ramës, Shqipëria u vizitua vetëm përgjatë muajit gusht nga më shumë se 2 milionë të huaj. Në gusht të vitit 2022, vendi ynë u vizitua nga 1 710 041 të huaj.

“Shifrat zyrtare tregojnë se Shqipëria mikpriti mbi 2 milionë vizitorë të huaj vetëm gjatë muajit gusht, teksa sezoni veror po vazhdon me flukse të larta edhe në shtator duke premtuar për një vit me rezultate spektakolare në turizëm”, u shpreh kryeministri Rama në rrjetet sociale.

Nga 5 667 121 të huaj që vizituan vendin përgjatë 8-mujorit të vitit 2022, gjatë periudhës janar-gusht të këtrij viti vendi u vizitua nga 7 190 410 vizitorë të huaj, duke shënuar ëshut një rritje prej 27%.

Për shkak të vijës së gjatë bregdetare Shqipëria ofron disa plazhe, nga veriu deri në jug, si në Velipojë të Shkodrës, në Shëngjin, në Durrës, Vlorë, Himarë dhe Sarandë, plazhe këto që frekuentohen nga maji deri në tetor./ atsh / KultPlus.com

Kthimi në muze i ish-kampit të internimit në Tepelenë, studiuesit vlerësojnë se mungon një reflektim për të shkuarën komuniste

Ministria e Kulturës shpalli 5 vite më parë marrjen në mbrojtje të ish kampit të internimit të Tepelenës në kuadër të përpjekjeve për ta kthyer atë në një muze kombëtar.

Në këto vite janë bërë përpjekje të vogla për ti kthyer ish kazermat ushtarake në dëshmi të kujtesës ndërsa rrënojat vijojnë të gjejnë interes nga qindra vizitorë vendas dhe të huaj.

Studiuesit vlerësojnë se Shqipërisë i mungon një reflektim i thellë për të shkuarën komuniste dhe megjithë iniciativat ligjore ende nuk ka muze për viktimat e komunizmit dhe për ata që vuajtën internimet dhe punën e detyruar.

Dëshmitarët që vijnë në ish kampin e internimit në Tepelenë ku vuajtën qëndrimin nën mbijetesë nga vitit 1949 deri në vitin 1954 janë gjithnjë e më të paktë.

Gjoka Paloka nga Kaçinari i Mirditës u tha të afërmve se donte të vinte sërish këtë vit pasi mosha ndoshta nuk do ta lejojë ta vizitojë sërish vendin ku kaloi periudhën më të errët të jetës.

Shumë bashkëvuajtës të tij sot nuk jetojnë më ose e kanë të pamundur të vijnë në këtë vend kujtese.

Rreth 3000 persona vuajtën interrnimin në këtë kamp, rreth 500 prej tyre humbën jetën, mes të cilëve rreth 300 fëmijë.

Gjoka erdhi kur ishte vetëm gjashtë muajsh me nënë e tij pasi regjimi komunist i egzekutoi me varje babanë dhe dhe kaloi katër vjet e gjysëm në këtë kamp mes vuajtjesh të mëdha.

“Pasi vranë babën më 7 gusht më 12 gusht na sollën ne këtu në Tepelenë. Isha vetëm gjashtë muajsh dhe kalova katër vjet e gjysëm me nënën.”

Ndërsa Mark Nikolla 86 vjeç është një tjetër dëshmitar që mbart peshën e një dhimbje të madhe pasi humbi nënën dhe vëllanë vetëm një vjeç e gjysëm në internime dhe babanë ia vranë forcat e ndjekjes në malësitë e Mirditës.

Marku ishte 11 vjeç kur e sollën në këtë kamp. Ai e mban mend mirë kazermën ku strehoheshin dhe ikjen e vëllati që vdiq prej të ftohtit. Vëllai u varros me gjithë djep dhe eshtrat edhe sot nuk i janë gjetur pasi varrin ia ndërruan tre herë thotë Marku.

“Erdha 11 vjeç, vetë i nënti, 2 vdiqën në interrnime, nëna në kampin e Beratit dhe vëllai i vogël këtu në kampin e Tepelenës. Të tjerëve na liruan kur u mbyll kampi dhe na dërguan në shtëpi.”

Pavarësisht se kanë kaluar afro 32 vite nga rënia e komunizmit në Shqipëri, ende sa është gërvishtuar e shkuara komuniste , thotë pedagogia e historisë në Universitetin e Tiranës, Enriketa Pandalejmoni.

“Sidomos rinia, brezi i ri për sa i përket teksteve shkollore, programeve edukative në shkolla nuk dinë dhe komunzmi trajtohet shumë pak . Kjo për shkak të orëve të kufizuara që janë lënë në dispozicion në tesktet shkollore.”

Zonja Pandalejmoni thotë se ndonëse ka disa inisiativa ligjore ende nuk ka hapa konkretë sidomos për sa i përket muzealizimit.

Kemi disa inisiativa ligjore si krijimi i Autoritetit të Dosjeve , krijimi i Institutit për studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit por gjithësesi pavarësisht se egzistojnë këto ligje , qoftë ai i 2010-tës, qoftë ai i 2015-tës ne ende nuk kemi një memorial për viktimat ,ne ende nuk kemi një muze, që janë taksative të shkruara në ligj. Gjithashtu diskursi publik për të shkuarën e komunizmit ka këto dilemat për sa i përket relativizimit të së shkuarës, nostalgjisë, amnezisë”.

Një nga projektet e ristrukturimi të rrënojave që ende nuk po materialohet është ai i ish kampit të internimit në Tepelnë, i propozuar për t`u kthyer në një muze që simbolizon dhimjen e njerëzve që kaluan jetën në kampet e internimit , dëbimeve dhe punës së detyruar.

Ministria e Kulturës shpalli 5 vite më parë marrjen në mbrojtje të ish kampit të internimit të Tepelenës në kuadër të përpjekjeve për ta kthyer atë në një muze kombëtar dhe miratoi edhe ngritjen e një memoriali për rreth 330 fëmijët që humbën jetën në këtë kamp.

Ndësra 300 qiparizat simbolikë por rriten krijimi i muzeut nuk po bëhet realitet.

Bashkia e Tepelenës e ka përfshirë ish kampin në turet virtuale dhe në itineraret kryesore të vizitorëve . Ish kampi është një nga zonat e vizituara sidomos nga turistët nga vendet e Europës Lindore dhe Perëndimore, por edhe nga vizitorët vendas thotë Aleksandër Toti, kordinator i projekteve në bashkinë e Tepelenës.

Proçesi ka nsiur pesë vite më parë kur ka filluar të njihet apo të paraqitet historia e kampit muzeal të Tepelenës dhe e ngjarjeve që i përkasin periudhës së viteve 1949-1954 mbi viktimat e regjimit totalitar të komunizmit në Shqipëri. Bashkia e Tepelenës e ka përkrahur dhe ka qenë një proces jo i lehtë për shkak edhe të opinionit dhe ndikimit të historisë së njohur më parë në raport me publikun dhe qyetarët. Është pranuar dhe zona është kthyer në një destinacion “të vogë”’, do ta quaja, pasi është ende shumë herët për të folur për një destinacion vizitueshmërie të qëndrueshme turistike.

Autoriteti i Dosjeve të ish Sigurimit të Shtetit dhe bashkia kanë vendosur në territorin e ish kampit disa panele informimi, por rrënojat ndërkohë po shkojnë drejt degradimit.

Një grup deputetësh të opozitës i kanë propozuar këtë vit parlamentit kthimin në muze të burgut të Spaçit dhe të ish kampit të Tepelenës dhe kërkesa pritet të shqyrtohet.

Ish kampi i interrnimit në Tepelenë, një vend që ruan dhimbje e vuajtje të mëdha të një periudhe të errët të Shqipërisë, sot e ndriçon ende shumë më pak qëndresën njerëzore./VOA / KultPlus.com

Florent Charpentier dhe Pranvera Hoxha sjellin kryeveprat e muzikës klasike franceze në natën e katërt të DAM Festival

Flonja Haxhaj

Esenca e kryeveprave klasike franceze jehoi mbrëmjen e së premtës në Prishtinë teksa u sollën veprat e Saint-Saëns, Debussy, Stravinsky e Poulenc në një repertor për klarinetë dhe piano, të interpretuara mjeshtërisht nga Florent Charpentier dhe Pranvera Hoxha, shkruan KultPlus.

Koncerti ‘Clarinet Podium’ i cili shënoi edhe mbrëmjen e katërt të festivalit ‘Dam Festival’, përcolli emocione të jashtëzakonshme tek adhuruesit e muzikës klasike që kishin mbushur plot Amfiteatrin e ri të Bibliotekës Universitare.

‘Clarinet Podium’ nisi me sonatat për klarinet dhe piano të Saint Saëns duke  e zhytur publikun në atmosferën melankolike e klasike të shekullit XX duke e paralajmëruar me këtë edhe fillimin e një koncerti të paharrueshëm.

E për më shumë se një orë, dyshja Charpentier e Hoxha morën audiencën në një udhëtim të mahnitshëm të tingujsh, duke lënë të ndihet emocioni dhe pasionet e kompozitorëve francezë të shekullit të 20-të.

Pas koncertit, Florent Charpentier u shpreh për KultPlus se ndjehet shumë i lumtur që luajti para një publiku që e vlerëson një muzikë të tillë.

“Ishte kënaqësi të luaja në këtë sallë dhe me këtë publik, gjithashtu ishte shumë e veçantë për mua si muzikant francez të luaja disa pjesë të kompozitorëve francezë.Bashkëpunimi me Pranverën ishte i  mrekullueshëm, ne kishim vetëm dy ditë kohë për të bërë prova, por ishte shume e lehtë për ne sepse i njohim shumë mirë këto vepra. Për mua si klarenitist këto janë shumica e kryeveprave të repertorit tonë, pra ishte ishte e lehtë t’i interpretojmë”, u shpreh Charpentier i cili më tutje tha se është shumë mirë kur një muzikë klasike ngjall në publik një atmosferë të tillë.

Sigurisht, kjo mbrëmje nuk do të ishte e kompletuar pa piantisten Pranvera Hoxha. Ajo për KultPlus tha se ky koncert  ishte shumë i bukur pasi i gjithë repertori ishte francez.

“Është shumë bukur kur bashkëpunon me artistë nga jashtë sepse marrim eksperienca si nga ana e shkollës, ashtu edhe kulturore e aq më tepër kur vetë klarinetisti është francez dhe i njeh nga afër të gjitha veprat”, u shpreh Hoxha.

Hoxha më tutje shtoi se pavarësisht kohës së shkurtër të provave, gjithçka erdhi natyrshëm në këtë koncert.

“Natyrisht, sfida ka qenë tek aspekti teknik sa i përket provave pasi kemi pasur vetëm dy ditë rast të takohemi, mirëpo fatmirësisht e kemi pasur një energji sa që të gjitha gjërat erdhën natyrshëm”, përfundoi Hoxha për KultPlus.

Ndërkaq, ‘Dam Festival’ u mbajt nga 4 deri më 9 shtator ku për pesë net të gjithë dashamirët e muzikës klasike patën mundësi të shijojnë tingujt e mrekullueshëm të kryeveprave botërore të kësaj muzike./KultPlus.com

Inaugurohet statuja e Nënë Terezës në Kishën “Notre Dame de Laeken” në Bruksel

Nënë Tereza është simbol i dashurisë dhe humanizmit të saj të pashoq. Sot është bërë inaugurimi i statujës së saj në Kishën “Notre Dame de Laeken” në Bruksel dhe ky është është një moment i rëndësishëm për besimtarët dhe ndjekësit e veprës së saj.

Kjo është bërë e ditur nga ambasadori i Kosovës atje, Agron Bajrami.

Ai ka shkruar se inaugurimi i statujës së shqiptares e vlerësuar me Çmimin Nobel për Paqe, e ka theksuar mesazhin e paqes që Nënë Tereza e ka bartur në jetë dhe amshim.

“Paqja dhe dashuria mes njerëzve, në një botë plot mirësi, me Nënën Terezën si simbolin e saj, u festua në Meshën e Shenjtë, në Kishën Notre Dame de Laeken, në Bruksel.

Inaugurimi i statujës së shenjtores shqiptare dhe laureates së Çmimit Nobel për Paqe vetëm sa e theksoi mesazhin e paqes që Nëna Tereze barti në jetë dhe amshim”, shkruan Bajami.

Ky ngjarje tregon se jeta dhe vepra e Nënë Terezës ende vazhdon të frymëzojë dhe të ndikojë në botë. Statuja e saj do të jetë një vend i frymëzimit dhe lutjes për të gjithë ata që e vizitojnë, duke ndihmuar në përhapjen e mesazhit të dashurisë dhe kujdesit për të tjerët, vlera të ndjeshme për të cilat Nënë Tereza u bë një ikonë ndërkombëtare. / KultPlus.com

Papa Françesku lumturon familjen polake për strehimin e hebrenjve gjatë LIIB

Papa Françesku lumturoi sot familjen polake Ulma, e cila u vra nga forcat pushtuese gjermane në Poloni për strehimin e hebrenjve në fermën e tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Çifti katolik Wiktoria dhe Jozef Ulma dhe gjashtë fëmijët e tyre morën një familje hebreje dhe dy motra hebreje, por u tradhtuan dhe u vranë nga nazistët në vitin 1944.

Hebrenjtë që fshiheshin në pronën e tyre u vranë gjithashtu nga nazistët.

Një fëmijë i palindur ishte gjithashtu në mesin e atyre që u lumturuan gjatë një shërbimi në famullinë Markowa, në juglindje të vendit.

Wiktoria Ulma ishte shtatzënë në muajin e shtatë kur u vra.

Papa lavdëroi Ulmat në lutjen e tij në sheshin e Shën Pjetrit, në Romë, si një “rreze shprese në Luftën e Dytë Botërore, një model i denjë për imitim për impulsin e së mirës”.

Një shërbesë fetare në Markowa u drejtua nga kardinali Marcello Semeraro, kreu i autoritetit të Vatikanit që merret me lumturimin, i cili lexoi një letër nga papa.

Në të, papa Françesku e përshkroi familjen Ulma si “laikë dhe martirë të vërtetë që pa frikë dhanë jetën e tyre si samaritanë të mirë nga dashuria për vëllezërit dhe motrat e tyre dhe pranuan ata që u persekutuan në shtëpinë e tyre”.

Pasoi një ceremoni në varrezat e fshatit, ku është varrosur familja.

Wiktoria dhe Jozef Ulma u dekoruan edhe me medaljen “Të Drejtat e Kombeve” nga Memoriali i Holokaustit Yad Vashem në Izrael.

Sipas informacionit nga Yad Vashem, një hebre, i cili fshihej pranë Markowa, aplikoi në vendin përkujtimor që Ulmas të renditeshin në mesin e të drejtëve.

Pakica e madhe hebreje e Polonisë prej më shumë se tre milionë u shkatërrua praktikisht gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Një total prej katër deri në gjashtë milionë polakë vdiqën në konflikt.

Marrëdhënia e Vatikanit me Gjermaninë naziste mbetet një temë e diskutueshme mes historianëve./ atsh / KultPlus.com

Cricket po sjell një ‘EP’, i paraprinë me këngën “Waves”, një eksperiment i jashtëzakonshëm muzikor

Cricket, producenti i njohur i cili qëndron pas shumë krijimeve muzikore, ka njoftuar zyrtarisht për EP të ri përmes të cilit sjell një frymë të re sa freskuese aq edhe emocionuese, shkruan KultPlus.

Këtë lajm ai e ka ndarë me publikun në përvjetorin e tij të 30-të të lindjes, pasi për të ky është një projekt shumë i veçantë.

Këtij projekti, Cricket i ka paraprirë me këngën “Waves” e cila do të jetë pjesë e EP-së, një eksperiment i jashtëzakonshëm muzikor i Cricket-it me të cilën dëshmon edhe njëherë aftësitë e tij për të krijuar muzikë që prek zemrat dhe shpërthen në energji.

Për të bërë këtë projekt edhe më të veçantë, Cricket ka bashkëpunuar me dy artiste të talentuara, Ada dhe Ya Nina. Kënga kryesore e EP-së, “Waves,” është një kompozim emocionues që shpalos ndjeshmërinë dhe talentin e tyre të jashtëzakonshëm.

Cricket ka ndarë emocionet e tij për këtë projekt të ri duke u shprehur se kjo është një pjesë e rrugëtimit të tij muzikor.

“Më në fund ka ardhur momenti dhe nuk mund të isha më i emocionuar ta ndaja atë me të gjithë ju. Kënga ime e fundit, “Waves, nga EP-ja ime më e re, (Tregime), është OUT TANI!

Kjo këngë është tepër e veçantë për mua, dhe kam derdhur zemrën dhe shpirtin tim në çdo aspekt të saj. Është një pjesë e rrugëtimit tim muzikor dhe jam shumë mirënjohës që ju kam të gjithëve pranë meje ndërsa e ndaj me botën.

Ju mund të dëgjoni “Waves” në të gjitha platformat kryesore të transmetimit si Youtube, Spotify, Apple Music dhe më shumë. Shpresoj që të rezonojë me ju po aq sa me mua. Faleminderit @yanina.official dhe @adamusic1 për punën e mrekullueshme!!”, shprehet Cricket. / KultPlus.com

Nga ‘Babai i Tilit’ te ‘Tingujt e luftës’, rolet që e ngritën në piedestal Mjeshtrin e Madh Lutfi Hoxha


Kinematografia shqiptare mban zi ditën e sotme, pasi aktori i mirënjohur i skenës dhe ekranit shqiptar, Lutfi Hoxha është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare.

Lajmin e ka bërë të ditur Teatri “Aleksandër Moisiu” ditën e sotme nëpërmjet një njoftimi.

Hoxha numëron shumë role në filmat shqiptar, mes tyre babai i Tilit, tek “Shoku ynë Tili”, “Dollia e dasmës sime”, “Tingujt e luftës”, etj.

Ai lindi më 1 Qershor 1934. Në janar 1953 ishte një nga themeluesit e teatrit “Aleksandër Moisiu”, ku ai luajti deri në fund të karrierës së tij artistike.

Filmat ku ka luajtur:

Ne dhe Lenini (2009)
Një ditë e mrekullueshme (2003)
Vetmi (1990) – Leko
Pranvera s’erdhi vetëm (1988)
Nata e parë e lirisë (1984) – Hamalli
Shoku ynë Tili (1981) – Qemali
Në prag të lirisë (1981) – Veliu
Intendenti (1980) – File
Dollia e dasmës sime (1978) – Krushku
Një udhëtim i vështirë (1977)
Tingujt e luftës (1976)
Thirrja (1976) – Ndue
Pylli i lirisë (1976) – Nauni
Ilegalet (1976)
Rrugicat që kërkonin diell (1975) – Përgjegjës i bojaxhinjve – anëtar i njësitit
Detyre e posaçme (1963). / KultPlus.com

Kjo është letra e rrallë e nënshkruar nga dora e Skënderbeut (FOTO)

Historiani i njohur shqiptar nga Peja, prof. Dr. Jahja Drançolli, ka publikuar një letër të rrallë dhe të vjetër saktësisht 568 vjet, e të firmosur nga vet dora e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Drançolli ka dhënë edhe shpjegimin e letrës autografe, të cilën Skënderbeu i dërgonte Bujarisë së Republikës së Sienës në Itali.

Postimi i plotë:

“568 vjet më parë (8 gusht 1451): Letër e rrallë autografe e Skënderbeut dërguar Bujarisë së Republikës së Sienës në Itali…!Letra autografe në fjalë është e njohur për njërën ndër 10 letra autografe (të nënshkruara) nga vetë dora e Skënderbeut, që ruhën në arkiva të njohura të botës (Romë, Venedik, Milano, Napoli, Paris, Dubrovnik, Zagreb dhe Beograd). Kjo letër autografe e shkruar sipas shkrimit humanistik të kohës në latinisht dhe italisht, është një fragment i shkurtër i shkëputur nga një histori madhore.

Ky dokument i çmueshëm i dërguar nga Lazri, abat i Arbrit, është shkruar në një kartë të rëndomtë bombagine të kohës, dhe siç shihet nga faksimili, në të dy anët e fletës (folio) ruhen shenjat e vulës (sigillum) të Skënderbeut, që mban datën, 8 gusht 1451, ndërsa Bujarisë së Republikës së Sienës u kishte ra në duar më 13 shtator 1451…! Burimi: Archivio di Stato di Siena”, shkruan Drançolli. / KultPlus.com

Presidentja Osmani merr pjesë në takimin e liderëve të rajonit në Procesin Brdo-Brione që mbahet në Shkup

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për në Republikën e Maqedonisë së Veriut për të marrë pjesë në takimin vjetor të krerëve të shteteve të rajonit në kuadër të Procesit të Brdo-Brione.

 Në sesionin e përbashkët me liderë të rajonit, Presidentja Osmani do ta mbajë fjalim, ndërkaq më pas do të zhvillojë takime bilaterale me krerët e disa shteteve pjesëmarrëse.

 Takimi i Brdo-Brione është ngjarje vjetore multilaterale në të cilën takohen presidentët e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor si dhe të Sllovenisë dhe Kroacisë, e ku fokusi kryesor është në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe anëtarësimin e rajonit në BE.

Temat qendrore të takimit të sivjetem janë përshpejtimi i procesit të anëtarësimit në BE, luftimi dhe zvogëlimi i pasojave nga ndryshimet klimatike në rajon, si dhe krijimi i kushteve për qëndrimin e të rinjve në Ballkanin Perëndimor.

Procesi i Brdo-Brione është një nismë rajonale e bashkëthemeluar nga presidentët slloven dhe kroat në vitin 2010.

Gjatë qëndrimit të Maqedoninë e Veriut, Presidentja Osmani, krahas presidentit Stevo Pendarovski dhe atij të Shqipërisë, Bajram Begaj do të marrë pjesë në ceremoninë e përurimit të bustit të Shën Terezës në hapësirën e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Shkup./ KultPlus.com

G20 – FMN: Të mos dorëzohemi në luftën kundër ndryshimeve klimatike dhe varfërisë

Shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Kristalina Georgieva, u ka bërë thirrje anëtarëve të G20-s që të udhëheqin me shembullin e tyre në luftën kundër krizës klimatike dhe varfërisë.

”Ata duhet të respektojnë 100 miliardë dollarët e premtuar në vit për financimin e klimës dhe të forcojnë bankat e zhvillimit shumëpalësh”, thuhet në një deklaratë të saj.

“Toka jonë e vetme është e kërcënuar nga ndryshimi ekzistencial i klimës”, tha Georgieva.

Ajo tha se ka nevojë për “investime të mëdha si nga komuniteti ndërkombëtar ashtu edhe nga sektori privat”.

Në të njëjtën kohë, vendet duhet të mbështesin tranzicionin e gjelbër, për shembull përmes reformave tatimore.

Si një organizëm global, FMN-ja supozohet të vëzhgojë që të mos krijohen turbulenca të mëdha monetare dhe të çojnë në pasiguri politike.

Përgjegjësitë e saj përfshijnë dhënien e kredive për vendet e mbiborxhuara dhe vendet me vështirësi pagese./ atsh / KultPlus.com

“Qytetet tona flasin, check in ti dëgjosh” jehon në Gjirokastër

Check in Fest ka sjellë 3 ditë feste dhe argëtimi masiv në Gjirokastër. 

Me pjesëmarrjen e disa bandave muzikore, artit të rrugës, poezisë, ekspozita, festë për fëmijë, aktivitete në natyrë, gjueti thesaresh, edhe kjo fundjavë është sërish e mbushur me vizitorë në Gjirokastër.

Ideja që lindi për të promovuar 5 qytete shqiptare në 5 fundjava shkon jo vetëm në funksion të festës por edhe të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore dhe vlerave autentike lokale.

Eventi është duke promovuar këtë vit edhe mundësitë e shumta të aktiviteteve në natyrë në rrethinat e Gjirokastrës si udhëtimet me mjete jashtë rruge dhe turizmin e aventurës. Check In Talks është këtë vit një tjetër kënd interesant ku diskutohet mbi inovacionin dhe të ardhmen e qyteteve që mbështeten tek turizmi.

Kuarteti Peter Pan, banda muzikore Gipsy Groove, Rody Jazz, Jericho, apo grupi muzikor Zwadaa performuan muzikë dhe sollën ritme të ndryshme në pazar që prej pasdites  e deri në mbrëmje.

Festa e Check In u shpërnda në pjesë të ndryshme të pazarit me workshope, ekspozita, party, DJ, muzikë elektronike e performanca live.

Nën sloganin “Qytetet tona flasin, check in ti dëgjosh” eventi që vjen në edicionin e tij të tretë po promovon këtë vit Gjirokastrën dhe Tiranën./Top Channel/ KultPlus.com

Oppenheimer: Historia e vërtetë e babait të Bombës Atomike

Prometeu i ri

Ai që njihej si “babai i bombës atomike”, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore u bë një shkencëtar i persekutuar, si Galileo (nuk është rastësi që Bertolt Brecht u frymëzua nga historia e tij për të rishkruar dramën “Jeta e Galileos”). Në të vërtetë, më saktë, sipas Kai Bird dhe Martin Sherwin, fitues të çmimit Pulitzer për esenë Prometeu Amerikan: Triumfi dhe Tragjedia e J. Robert Oppenheimer, mbi të cilin bazohet filmi i Christopher Nolan në kinema, Oppenheimer ishte një Promete i ri: domethënë dikush që, ashtu si heroi i mitologjisë greke, u dënua se u dha zjarr njerëzve, e pagoi se i dha njerëzimit një shpikje që do të ndryshonte rrjedhën e historisë.

I lindur në prill të vitit 1904 në Nju Jork në një familje gjermane me origjinë hebreje, Roberti që në moshë të re u shqua për inteligjencën dhe interesat e tij, nga shkenca te poezia, nga gjuhët e huaja (ai mësoi gjashtë, përfshirë sanskrinishten) te mineralogjia. U bë aq i aftë sa u pranua në Klubin Mineralogjik të Nju Jorkut në moshën 12-vjeçare. Në vitin 1925 ai mori një diplomë në fizikë nga Harvard, e ndjekur nga një doktoraturë në Göttingen (Gjermani) në 1927.

Oppenheimer u kthye në SHBA në vitin 1929, pasi ishte dëshmitar i rritjes së Hitlerit në Evropë – por edhe rrënimit që u solli amerikanëve nga Depresioni i Madh – ai u miqësua me disa anëtarë aktivë të Partisë Komuniste, si Katherine “Kitty” Puening, një studente radikale e Berkeley, e cila do të bëhej gruaja e tij në vitin 1940.

ARITMETIKE E TMERRSHME

Para dasmës, në laboratorin e fizikës në Berkeley, Oppenheimer bashkëpunoi me Ernest Lawrence, shpikësi i ciklotronit, fitues i çmimit Nobel në vitin 1939. Në të njëjtin vit, ditën kur Hitleri pushtoi Poloninë duke filluar Luftën e Dytë Botërore, Oppenheimer dhe kolegu Hartland Snyder botuan atë që fizikani dhe historiani i shkencës Jeremy Bernstein do ta quante “një nga punimet më të mëdha në fizikë të shekullit të njëzetë”.

Në të, dy autorët ngrinin pyetjen se çfarë do të ndodhte me një yll masiv që kishte filluar të konsumohej, pasi kishte shteruar karburanti: duke u bazuar në teorinë e relativitetit të përgjithshëm të Ajnshtajnit, ata argumentuan se ai do të shtypej nga një “singularitet” i tillë që as edhe valët e dritës nuk do të kishin mundur t’i shpëtonin tërheqjes së gravitetit të tij.

Studimi hodhi themelet për teorinë e vrimave të zeza, e cila, megjithatë, u formulua plotësisht vetëm tridhjetë vjet më vonë. Sidoqoftë, duhet thënë se artikujt e shkruar nga Oppenheimer ishin të vështira për t’u kuptuar edhe për ekspertët: ai përdorte formula komplekse matematikore për të demonstruar parimet fizike, por ndonjëherë bënte gabime, ndoshta për shkak të nxitimit. “Fizika e tij ishte e mirë,” komentoi një herë bashkëautori i tij Snyder, “por aritmetika e tij ishte e tmerrshme.”

PROJEKTI MANHATTAN

Pas pushtimit të Polonisë, Albert Einstein, Leó Szilárd dhe fizikantë të tjerë që emigruan në Shtetet e Bashkuara i shkruan një letër Presidentit Roosevelt duke e paralajmëruar atë se Gjermania mund të zhvillonte bomba atomike, si dhe duke sugjeruar që Shtetet e Bashkuara duhet t’i paraprinin. Oppenheimer u zgjodh nga gjenerali Leslie R. Groves për të udhëhequr përpjekjen për të fituar këtë garë. Ishte i ashtuquajturi Projekti Manhattan, që mori emrin e vendndodhjes së zyrave të Distriktit të Inxhinierëve të Manhatanit, i krijuar në vitin 1942.

EKIPI I ËNDRRAVE

Si drejtor shkencor i laboratorit, misioni i parë i “Oppie” ishte të rekrutonte mendjet më të shkëlqyera në vend: Frank Biondi, Arthur Compton, Harold Urey, Enrico Fermi, Ernest Lawrence, Glenn Seaborg, Edwin McMillan, Emilio Segrè, Owen Chamberlain, Eugene Wigner, Schwinger, Richard Feynman, Hans Bethe, Luis Álvarez, James Rainwater, John van Vleck, Val Fitsch, William Fowler dhe Norman Ramsey (për të përmendur vetëm laureatët e Nobelit). Qëllimi i dytë ishte krijimi i një bombe atomike. Bazuar në studimet e kryera deri atëherë, dukej se kishte dy mënyra të mundshme: përdorimi i uraniumit ose i plutoniumit.

TESTI BËRTHAMOR

Ekipi i Projektit Manhattan ndërtoi prototipe të dy llojeve të bombave, të cilat do të çonin në ndërtimin e “Little Boy”, një pajisje uraniumi e shpërthyer mbi Hiroshima dhe “Fat Man”, një bombë plutoniumi me metodën e shpërthimit, e cila u hodh mbi Nagasaki. Meqenëse kjo lloj arme ishte e paprecedentë, Oppenheimer e ndjeu të nevojshme të eksperimentonte me të. Prandaj, më 16 korrik 1945, në shkretëtirën Alamogordos, afër Los Alamos, Nju Meksiko, u krye i ashtuquajturi Testi i Trinitetit, me një bombë plutoniumi (“The Gadget”).

Shpërthimi lëshoi ​​energjinë prej 21,000 tonësh TNT dhe nxehtësia e tij ishte aq intensive sa shkriu rërën në zonën përreth, duke krijuar një lloj xhami jeshil pak radioaktiv të quajtur “trinitit”.

DILEMA ETIKE

Sipas dëshmive të ndryshme, pasi ishte dëshmitar i shpërthimit, Oppenheimeri citoi një tekst të shenjtë indian, me këto fjalë: “Tani jam bërë Vdekja, shkatërruesi i botëve”. Disa nga shkencëtarët që dëshmuan shpërthimin, duke përfshirë edhe atë vetë, argumentuan në favor të një shpërthimi që demonstronte fuqinë e bombës dhe që do të bënte që armiku të dorëzohej, pa e përdorur atë mbi civilët.

Ata nuk u dëgjuan, por pas bombardimeve atomike të Japonisë (rreth 200,000 të vdekur menjëherë, si dhe shumë të tjerë më vonë, për shkak të rrezatimit), ata punuan për të siguruar që armë të tilla shkatërruese të mos përdoreshin më. Në vitin 1945, në Saturday Review of Literature, Oppie shkroi se armët bërthamore ishin instrumente “agresioni, befasie dhe terrori” dhe shprehja atomike e “çnjerëzimit dhe ligësisë së luftës moderne”. Megjithatë, gara e armëve atomike sapo kishte filluar.

NË SHËNJESTËR TË FBI-së

Për disa kohë, në fakt, fizikani me origjinë hungareze Edward Teller kishte punuar për një armë edhe më shkatërruese: bombën me hidrogjen. Oppenheimer u ftua të bashkohej me projektin, por nuk pranoi. Nga viti 1947 deri në 1952, fizikani drejtoi Komitetin e Përgjithshëm Këshillues të Komisionit të Energjisë Atomike të Shteteve të Bashkuara, duke kaluar kohën për arritjen e një marrëveshje ndërkombëtare për mospërhapjen e armëve bërthamore: “Nëse armët atomike bëhen pjesë e arsenalit të kombeve, do të vijë koha kur njerëzimi do të mallkojë emrat e Los Alamos dhe Hiroshima. Popujt e botës duhet të bashkohen ose do të humbasin të gjithë”, tha ai.

GJUETI SHTRIGASH

Ky aktivitet “pacifist” e vendosi atë në shënjestrën e senatorit Joseph McCarthy, krijuesit të një gjuetie shtrigash që synonte spastrimin e Shteteve të Bashkuara nga spektri i komunizmit. Duke u bazuar në dokumentet e vjetra të FBI-së që dokumentonin simpatitë e fizikanit për qarqet antifashiste, në refuzimin e tij për të bashkëpunuar në krijimin e bombës me hidrogjen dhe në dëshminë e pafavorshme të Teller-it, komisioni hetimor e akuzoi shkencëtarin se ishte komunist dhe se kishte kaluar sekrete të bombës tek sovjetikët.

AKUZAT

Nga ana e tij, Oppenheimer nuk i priti mirë marrjet në pyetje: në tetor 1945 ai u soll aq keq në zyrën e Presidentit Harry Truman sa u quajt “shkencëtari qaraman”. Në realitet nuk kishte prova të vërteta. Siç shpjegon Kai Bird, “shumë nga provat në arkivat e FBI-së ishin kontradiktore. Ndërsa disa nga informatorët pohuan se Oppenheimer ishte komunist, të tjerët e mohuan atë”.

Në çdo rast, në vitin 1954 fizikanit iu mohua hyrja në Komisionin e Energjisë Atomike “për arsye të sigurisë kombëtare”. Më pas, komuniteti shkencor u ngrit, duke arritur, brenda pak muajsh, ta konfirmonte atë në postin e drejtorit të Institutit për Studime të Avancuara në Princeton, të cilin e mbajti deri kur vdiq, në vitin 1967 për shkak të kancerit në fyt.

REHABILITIMI I VONUAR

Disa vite më herët, në vitin 1963, Presidenti Lyndon Johnson i kishte dhënë atij çmimin Enrico Fermi për një “rehabilitim” zyrtar. Por vetëm 55 vjet pas vdekjes së Oppie, pra në dhjetor 2022, sekretarja e Departamentit të Energjisë të qeverisë së Bidenit, Jennifer Granholm, deklaroi se vendimi i vitit 1954 ishte rezultat i një procesi “që kishte të meta: me kalimin e viteve, janë shfaqur prova rreth “paragjykimit” dhe “pasaktësisë” së hetimit të Oppenheimerit, ndërsa në të njëjtën kohë “dëshmitë e besnikërisë dhe dashurisë së tij” për Shtetet e Bashkuara janë forcuar më tej.”

Sprova e Oppenheimer-it u dëshmoi shkencëtarëve, siç ka shkruar sociologu Daniel Bell, “se ata nuk mund të mos pajtoheshin më me politikën e qeverisë. Që atëherë ka mbizotëruar një pikëpamje se si shkencëtarët duhet t’i shërbejnë vendit të tyre.” Megjithatë, atyre që e pyetën Oppenheimerin në vitet e tij të fundit nëse donte të ndryshonte diçka nga e kaluara e tij, fizikani u përgjigj: “Unë bëra detyrën time, që ishte të bëja punën që duhej të bëja. Në Los Alamos nuk isha në një pozicion për të marrë vendime, do të kisha bërë gjithçka që do të më kërkonin, qoftë edhe një bombë në një formë tjetër, nëse do të mendoja se ishte teknikisht e mundur.” / Focus/ KultPlus.com