“Festa e Roshnikut”, ushqime, muzikë, valle e lojëra për fëmijë

Për 2 ditë me radhë, në Roshnik, të Beratit, një zonë e njohur për zhvillimin e agroturizmit u organizua “Festa e Roshniku”, traditë e kahershme e zonës.

Tetë stenda prezantuan prodhimin vendas, kryesisht fiq, rrush, verën apo vajin e ullirit.

Bashkia e Beratit në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit ishte kujdesur për ta shndërruar në festë aktivitetin.

Në të dy netët pati muzikë, valle dhe alegri, lojëra për fëmijë falë edhe shpirtit festiv të banorëve të zonës.

Në natën e parë ishte e ftuar speciale këngëtarja Blerina Braka, që rikthehej në qytetin ku lindi e u rrit.

I pranishëm në aktivitet ishte edhe kryetari i bashkisë, Ervin Demo.

“Produktet  e jashtëzakonshme të zonës, muzika, valltarët e lojërat për fëmijë, e bënë këtë festë fantastike për turistët dhe të gjithë pjesëmarrësit”, u shpreh kryetari i bashkisë Berat, Ervin Demo, etksa tehksoi se “Festivali i Verës” dhe “Festa e ullirit”, janë dy aktivitetet e tjera që do të zhvillohen së shpejti./atsh/ KultPlus.com

Coco Chanel edhe agjente e dyfishtë franko-gjermane?

Një retrospektivë historike e Coco Chanel ka zbuluar prova se stilistja e famshme ishte anëtare e dokumentuar e Rezistencës Franceze, por dokumentet e papara deri tani, së bashku me provat kontradiktore, thonë se ajo vepronte edhe si agjente naziste, shkruan Jess Cartner-Moley pë ”The Guardian”.

Dokumentet në lidhje me aktivitetet e Chanel-it në Parisin e kohës së luftës janë shumë  serioze, brenda asaj që ka të ngjarë të jetë ekspozita më magjepsëse e vitit, së bashku me shumë veshje të stiluara nga Coco.

“Ne nuk mund të bënim një shfaqje për Chanel dhe të mos përmendnim faktet e tjera të saj të kohës së luftës”, tha kuratorja, Oriole Cullen.

Dokumentet e papara nxjerrin në pah emrin “Gabrielle AKA Coco Chanel” në një listë prej 400 000 personash, pjesa e të cilëve mbështetet nga të dhënat zyrtare.

”Ne kemi verifikimin nga qeveria franceze, përfshirë një dokument të vitit 1957, i cili konfirmon pjesëmarrjen e saj aktive në Rezistencë”, tha Cullen.

Muzeu do të shfaqë gjithashtu prova të forta se Chanel ka bashkëpunuar me gjermanët në Parisin e pushtuar, përfshirë transkriptet e marrjes në pyetje të pasluftës të tre zyrtarëve nazistë, të cilët të gjithë veçmas e konsiderojnë atë si një burim të besuar.

”Dëshmitë e reja nuk e shfajësojnë atë. Kjo vetëm e bën fotografinë e saj më të komplikuar. Gjithçka që mund të themi është se ajo ishte e përfshirë me të dyja palët”, tha Cullen.

Cullen tregon se një fëmijëri e kaluar në një manastir francez pas vdekjes së nënës së saj dhe zhdukjes së babait, ka prodhuar një personazh, prirja e të cilit për vetëmbrojtje e bëri atë instinktivisht të djathtë.

Ajo tha se stilistja ishte ”më shumë se çdo gjë një e mbijetuar, gjithmonë në kërkim të mundësive për të ecur përpara gjatë jetës”.

Gjatë fillimit të viteve 1940, Chanel pati një marrëdhënie me oficerin nazist Baron Hans Günther von Dincklage, të cilën ajo e përdori për të liruar nipin e saj, André Palasse, nga një kamp gjerman i të burgosurve të luftës.

Chanel ka pasur lidhje edhe me BM.

Një portret në vaj i Chanel-it, i pikturuar nga Winston Churchill, dëshmon për një marrëdhënie të ngushtë me shoqërinë britanike, të krijuar përmes romancës së saj me Dukën e Westminsterit.

Nazistët i kishin vënë stilistes emrin e koduar “Westminster”. / KultPlus.com

Fustanet e princeshës Diana shiten për 1.5 milionë dollarë

Tre fustane të princeshës së ndjerë Diana janë shitur për më shumë se 1 milion dollarë në ankandin e mbajtur në Los Angeles.

Fustani i kuq Bruce Oldfield, të cilin Diana e kishte veshur në Londër për premierën e filmit “Hot Shots” në vitin 1991, është shitur për 571 mijë dollarë.

Ky fustan pritej të kapte shifrën nga 200 mijë në 400 mijë dollarë.

Fustani tjetër bardhezi i Catherine Walker të cilin Diana e kishte veshur në një gala mbrëmje në Toronto në vitin 1991 është shitur për 571 mijë dollarë, ndërkaq fustani i tjetër në të zi dhe gjelbër është shitur për 508 mijë dollarë.

Sipas organizatorëve të ankandit, tre fustanet e Dianës nuk janë parë në publik për më shumë se 30 vjet. / KultPlus.com

Vdiq aktori i mirënjohur Lutfi Hoxha

Ndahet nga jeta në moshën 89 vjeçare ‘Mjeshtri i Madh’, Lutfi Hoxha, aktor i dhjetëra roleve në teatër dhe kinematografi. 

Lajmin e ka bërë të ditur Teatri “Aleksandër Moisiu” ditën e sotme nëpërmjet një njoftimi:

“Qofsh i dritës engjëll i mirë e i bardhë. Me hidhërim të thellë njoftojmë ndarjen nga gjiri ynë artistik i xhevahirit të fundit të plejadës së Artë të Teatrit “Aleksandër Moisiu”. Lutfi Hoxha e jetoi këtë jetë në skenë, aty ku dha gjithçka”.

Për shumë dashamirës të filmit shqiptar, Hoxha është babai i Tilit në filmin “Shoku ynë Tili’.

Homazhet për Mjeshtrin Hoxha do të mbahen nesër në Teatrin “A.Moisiu”. / KultPlus.com

Nesër në Pejë përkujtohet 22 vjetori i sulmeve të 11 Shtatorit

Nesër në Pejë, nën organizimin e Rotary Club Peja, përkujtohet 22 vjetori i sulmeve të 11 Shtatorit pranë memorialit “Kujtim dhe Miqësi,” i cili përmban një copë metalike nga rrënojat e Kullave Binjake.

Udhëheqësi i këtij organizimi, Nehat Devolli, ka bërë të ditur se ceremonia do të fillojë saktësisht në orën 14:46, që korrespondon me orën 08:46 të mëngjesit në New York, kur para 22 viteve aeroplani i parë goditi Kullat Binjake.

Përveç të ftuarve lokalë dhe ndërkombëtarë, në këtë ngjarje do të marrë pjesë edhe një delegacion i lartë i ushtrisë amerikane.

Në mëngjesin e 11 Shtatorit të vitit 2001, rreth 3,000 persona humbën jetën gjatë sulmeve në New York, Pentagon dhe në Pensilvani.

Kjo datë përkujtohet çdo vit në të mbarë botën si një nga tragjeditë më të mëdha të kohës moderne./ KultPlus.com

Poeti Shpëtim Selmani fiton çmimin prestigjioz ‘Kristal Vilenica’ në Slloveni

Të shtunën në kuadër të Festivalit të 38-të Ndërkombëtar Letrar Vilenica u nda çmimi tradicional Kristali Vilenica për vitin 2023. Festivali është një nga festivalet më të njohur të Evropës Qendrore, që e organizon Shoqata e Shkrimtarëve te Sllovenisë, përcjell KultPlus.

Fituesi i Kristalit të Vilenicës 2023 është përzgjedhur nga juria mes autorëve të ftuar të festivalit. Juria e sivjetshme e përbërë nga Alesh Muster, Gregor Podlogar dhe Julija Potrç Shavli ka vendosur që çmimin tradicional ‘Kristalin Vilenica 2023’ t’ia dhurojë poetit Shpëtim Selmani nga Kosova.

Vlerësimi i jurisë

Shkrimtari, poeti dhe aktori Shpëtim Selmani me poezitë e tij shkund realitetin socio-politik me ndershmëri dhe humor brutal. Me një përdorim të kthjellët të ironisë dhe auto-ironisë, ai pasqyron ngjarjet historike dhe trajton me lehtësi temat që në dukje janë të vështira, duke mos rrëshqitur asnjëherë në sentimentalizëm. Me një lloj sekuencimi të ngjarjeve historike, Selmani tregon se në realitet asgjë nuk ndryshon dhe se historia përsëritet si një farsë. Kjo është gjithashtu poezi e drejtpërdrejt që fillimisht lidhet me traditën Bitnike me mënyrën e të shkruarit dhe formulimin kritik të problemeve socio-politike. Poezitë e Selmanit flasin drejtpërdrejt dhe prandaj na bëjnë që ti reflektojmë shoqëritë në të cilat jetojmë. Poezia e Selmanit nuk është predikuese por kritikë shoqërorë e në një mënyrë që çmonton realitetin. Shkurtimisht, bëhet fjalë për poezi që, pavarësisht referencave dalluese, lundron nëpër peizazhet e poezisë moderne dhe që pas leximit lë mbresa dhe kujtohet gjatë.

Në festival morën pjesë shkrimtarë nga Zvicra, Sllovenia, Polonia, Kosova, Gjermania dhe Austria.

‘Kristalin e Vilenicës’ më herët e kanë fituar edhe dy poete shqiptare, Luljeta Leshanaku më 2009 dhe Blerina Gaxha Rogova më 2015. / KultPlus.com

Fotografia e saj në “Fadil Vokrri”, reagon Rita Ora: Të dua Kosovë, vendi im më i preferuar në të gjithë botën

Në stadiumin “Fadil Vokrri” të shtunën u zhvillua ndeshja në mes Kosovës dhe Zvicrës e vlefshme për kualifikim në “Euro 2024”, e cila përfundoi në rezultat 2-2.

Në tribunë, tifozët Dardanë kishin përgatitur një koreografi për të nderuar lojtarët e Kosovës, policët, ushtarët dhe mjekët.

Ndërsa në krye të banerit gjigant ishte vendosur ylli shqiptar me famë botërore, Rita Ora, me shallin me flamurin e Kosovës – nga sekuencat e klipit të famshëm “Shine Ya Light”.

E mesa duket një nderim i tillë i ka rënë në sy edhe vetë këngëtares së hiteve ndërkombëtare, e cila i rishpërndau pamjet për 16 milionë ndjekësit e saj në Instagram.

Fillimisht ajo rishpërndau një fotografi të një faqeje fansash të Përfaqësueses së Kosovës, ku shkruhej: “Prezenca e saj na solli neve fat”. / KultPlus.com

Kryeministri Kurti uron delegacionin shqiptar për suksesin në Festivalin e Filmit në Venecia

Këto ditë në Venedik të Italisë është mbajtur Festivali i 80-të Ndërkombëtar i Filmit në Venecia.

Ndonëse festivali këtë vit ka qenë shumë më i zbehtë për shkak të bojkotit nga yjet e filmit për shkak të grevës në Hollywood, organizimi arriti që përsëri të shkaktonte mjaft bujë.

Pjesëmarrës në edicionin e sivjetmë kanë qenë edhe dy prodhime filmike kosovare, përkatësisht filmat “A Short Trip” i regjisorit Erenik Beqiri dhe “Bota Jonë” e Luana Bajramit.

E në mbështetje të shqiptarëve pjesëmarrës në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit, ka qenë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ai ka publikuar në llogarinë e tij zyrtare në platformën X (ish-Twitter), një fotografi bashkë me kastin shqiptar në Venedik.

“Një vit i shkëlqyer për kinematografinë tonë në Festivalin e Filmit në Venecia! Urime Erenik Beqirit për fitoren e çmimit ‘filmi më i mirë Orizzonti’ me filmin ‘A Short Trip’ me Luana Bajramin dhe Tristan Halilajn dhe vetë Luanës për premierën e filmit të saj të dytë ‘Bota Jonë’ në Bienale”, ka shkruar Kurti.

E ftuar speciale për të marrë pjesë këtë vit në Festivalin e Filmit në Venecia ka qenë edhe këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, e cila ka performuar në gala-mbrëmjen e amFAR, e cila organizohet në ndihmë të mbledhjes së fondeve për kërkimet e HIV/AIDS. / KultPlus.com

“Narcity”: Shqipëria me plazhe bruz dhe mot të mrekullueshëm

Kur ëndërroni për pushime evropiane me ujëra bruz, plazhe të paeksploruara, ushqim të shijshëm dhe mot të mrekullueshëm, shumë prej jush mund të mendojnë për vende si Italia apo Greqia. Megjithatë, një alternativë më e lirë ekziston në Evropë, një perlë e fshehur ku ofrohet e njëjta cilësi pushimesh!

Shqipëria, vendi i fundit i pashkelur i Evropës, po fiton vëmendjen si një prej destinacioneve kryesore turistike, për ata që kërkojnë të gjitha hijeshitë e një pushimi klasik, çmime të perballueshme dhe mot të ngrohtë, shkruan në një artikull gazetarja Katherine Caspersz, të botuar në të përditshmen kanadeze “Narcity”.

E gjendur përgjatë deteve Adriatik dhe Jon, Shqipëria ka nje bregdet që të lë pa frymë dhe peizazhe të mrekullueshme.

Klima mesdhetare e vendit e bën atë një vend të mrekullueshëm për t’u vizituar në verë, por edhe gjatë sezonit të vjeshtës, kur temperaturat janë më të uleta.

Në Shqipëri ka rreth 300 ditë me diell në vit.

Dhe nuk është vetëm peizazhi që tërheq vizitorët, vendi është përshkruar si një destinacion i përballueshëm në krahasim me vendet e tjera.

Kostoja mesatare e shërbimeve hoteliere për një ditë qëndrimi varion nga 30 deri në 300 euro.

Adhuruesit e detit duhet të vizitojnë Rivierën Shqiptare, ku plazhet e bardha dhe ujërat bruz janë të krahasueshme me ato në Maldive.

Ksamili, një fshat në rivierën jugore, i krahasuar me Maldivet, ofron një numër resortesh që ngjajnë me ato që gjenden në vendin e Azisë Jugore, me vila prej druri të ndërtuara mbi dallgët e kaltra.

Plazhe të tjera të njohura përfshijnë Dhërmiun, i konsideruar si plazhi më i mirë në Shqipëri.

Gjipe, një plazh i rrethuar nga shkëmbinj të lartë, të jep ndjesinë e të qenit në një ishull të fshehtë.

Plazhi i Karaburunit ndodhet brenda Parkut Kombëtar Karaburun-Sazan, një park detar ku do të zbuloni rrënojat romake dhe ato të Luftës së Dytë Botërore.

Gjithashtu, mund të kryeni shumë aktivitete të tjera në natyrë, si kalërimi, ecja, lundrimi dhe astroturizmi.

Vendi është quajtur një “destinacion ushqimor nën radar”, pasi ndan pjatat dhe përbërësit me fqinjët e tij bregdetarë, si Mali i Zi në veri dhe Greqia në jug.

Bakllavaja, ullinjtë dhe qoftet janë disa nga ushqimet klasike që mund t’i shijoni.  / KultPlus.com

‘Një poemë është një qytet ku Zoti kalëron lakuriq’

Poezi nga Charles Bukowski


Një poemë është një qytet i mbushur me rrugë dhe kanale
me shenjtorë, heronj, lypës, të çmendur,
me banalitet dhe dehje sarhoshësh,
me shi dhe bubullima dhe periudha
thatësire, një poemë është një qytet në luftë,
… një poemë është një qytet që i kërkon përsenë një ore,
një poemë është një qytet në flakë,
një poemë është një qytet në armë
berberhanet e saj për burra të mbushura me pijanecë cinikë,
një poemë është një qytet ku Zoti kalëron lakuriq
nëpër rrugë si Lady Godiva,
ku qentë lehin natën, dhe përndjekin
flamurin ; një poemë është një qytet poetësh,
shumica mjaft të ngjashëm
dhe ziliqarë e idhnakë…
një poemë është ky qytet tani,
50 milje larg nga askund,
në 9.09 të mëngjesit,
shija e alkoolit dhe cigareve,
pa polici, pa të dashuruar, duke ecur nëpër rrugë,
kjo poemë, ky qytet, që i mbyll dyert,
i barrikaduar, pothuaj bosh,
funebër pa lot, që mplaket pa mëshirë,
malet prej shkëmbi të ashpër,
oqeani si një flakë lavande,
një hënë pa madhështi,
një muzikë e vogël e ardhur nga dritare të thyera…
një poemë është një qytet, një poemë është një komb,
një poemë është bota…
dhe tani po e fus këtë nën gotë
për shqyrtimin e hollësishëm të botuesit të çmendur,
dhe nata është gjithandej
dhe ca zonja të zbehta të thinjura mbajnë radhën,
një qen ndjek një qen deri në gji,
trompetat thërrasin trekëmbëshin,
ndërkohë që ca njerëz të vegjël dërdëllisin mbi gjëra
që s’mund t’i bëjnë. / KultPlus.com

Tërmeti me mbi 2 mijë viktima, Kosova solidarizohet me Marokun

Të paktën 2,012 njerëz humbën jetën dhe 2,059 pësuan lëndime si rrjedhojë e tërmetit që goditi Marokun të premten mbrëma, sipas shifrave të fundit të publikuara nga ministria e brendshme e vendit.

Të paktën 1,404 nga të lënduarit nga tërmeti janë në gjendje kritike.

Pas këtij tërmeti, disa politikanë përfshirë edhe presidenten Vjosa Osmani janë solidarizuar me popullin maroken. 

Osmani iu ka uruar forcë e shërim të gjithë të prekurve nga tërmeti shkatërrues në Marok.

“Populli i Kosovës solidarizohet me popullin e Marokut në këtë kohë tragjike”, shkroi Osmani.

Tërmeti i së premtes kishte një shkallë prej 6.8 derisa u përcoll edhe me një pas goditje me shkallë 4.9 rreth 19 minuta më vonë.

Epiqendra e tërmetit vdekjeprurës në Marok ishte zona e Ighilit, një qark rural malor, shtëpi e fshatrave të vogla bujqësore në provincën al-Haouz pranë vendpushimit të skive të Oukaimeden në Malet Atlas.

Tërmeti i fundit i madh në vend kishte ndodhur në qytetin verilindor të Al Hoceima-s në vitin 2004, duke vrarë të paktën 628 njerëz.

Dhe më vdekjeprurësi ishte në Agadir në bregun jugor të Atlantikut, në vitin 1960. Tërmeti me magnitudë 6.7 mbyti rreth 12,000./ KultPlus.com

Rreth 50 mijë prindër ende në pritje të mjeteve për subvencionimin e librave

Ministria e Arsimit ka njoftuar dje se është kryer pagesa për grupin e dytë të prindërve që kanë aplikuar për subvencionimin e librave për fëmijët e tyre.

Kështu në total numri pagesa të kryera ka shkuar në 130 mijë, nga 178.580 aplikime.

“Nga MAShTI janë procesuar për pagesë pas verifikimit 130,000 aplikantë dhe në fillim të javës së ardhshme do të procedohet pjesa tjetër. Kjo procedurë po vazhdon dhe të gjithë aplikantëve do të ju transferohen mjetet. Jemi në koordinim edhe me institucionet relevante që transferimi të bëhet në intervale sa më të shpejta kohore”, njofton MASHT-i.

Javën tjetër pritet që të kryhen pagesat edhe për 48.580 aplikues. / KultPlus.com

Ndeshja Kosovë – Zvicër, Kurti: Ju faleminderit për emocionet

Sot, në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë është zhvilluar ndeshja Kosovë – Zvicër e cila është përmbyllur me rezultat 2-2, përcjell KultPlus.

Kryeministri i Kosovës nëpërmjet një postimi në Facebook ka thënë se ndërmjet Zvicrës së Xhakës, Shaqirit, Bislimit e Jasharit dhe Kosovës së Dardanëve, nuk mund të ketë humbës sepse ka festë, ka krenari.

“Ndërmjet Zvicrës së Xhakës, Shaqirit, Bislimit e Jasharit dhe Kosovës së Dardanëve, nuk mund të ketë humbës sepse ka festë, ka krenari. Besuam deri në fund, siç besojmë ende në kualifikim. Ju lumtë lojtarëve për rezultatin. Ju faleminderit për emocionet”, ka shkruar Kurti./KultPlus.com

‘Një udhëtim i shkurtër’ nga Erenik Beqiri, filmi më i mirë i shkurtër në Festivalin e Filmit në Venecia

Filmi “Një Udhëtim i Shkurtër” i regjisorit Erenik Beqiri është shpallur filmi më i mirë i metrazhit të shkurtër në edicionin e 80-të të Festivalit të Filmit në Venecia në seksionin Orizzonti, përcjell KultPlus.

Në këtë film një prej roleve kryesore është aktorja dhe regjisorja kosovare, Luana Bajrami e cila poashtu ishte pjesë e Festivalit të Filmit në Venecia me filmin e saj “Bota jonë”. Luana pati një paraqitje të dyfishtë në këtë festival, si aktore dhe regjisore.

Në qendër të filmit “Një Udhëtim i Shkurtër” është Klodi dhe Mira. Një çift i ri shqiptar, vendosin të martojnë Mirën me një francez për pesë vjet në këmbim të parave, për të marrë nënshtetësinë franceze. Më pas ata duhet të zgjedhin burrin e duhur për të dhe të mësojnë të heqin dorë nga njëri-tjetri.

Në këtë film luajnë aktorët: Luana Bajrami, Tristan Halilaj, Arben Bajraktaraj dhe Walid Afkir. / KultPlus.com

Mbyllet me rezultat 2-2 ndeshja Kosovë – Zvicër

Kosova ka barazuar me Zvicrën, me rezultat 2-2, në kuadër të ndeshjes së pestë kualifikuese të Kampionatit Evropian.

Golin e parë në ndeshje e shënoi Remo Freuler, në minutën e 14’. Me këtë rezultat u krye pjesa e parë.

Në pjesën e dytë, Kosova e barazoi rezultatin me anë të Vedat Muriqit, i cili realizoi një gol të bukur me kokë, pas asistimit nga Milot Rashica.

Por “Helvetikët” kaluan sërish në epërsi, pasi Amir Rrahmani shënoi autogol në minutën e 79’.

Megjithatë, në skenë doli edhe njëherë Vedat Muriqi, duke e barazuar rezultatin 2-2, në frymën e fundit.

‘Poor Things’ fiton Luanin e Artë 2023 në Festivalin e Filmit në Venecia

Siç parashikuan shumë, Festivali i 80-të vjetor i Filmit në Venecia i dha çmimin e tij kryesor, Luanin e Artë, filmit “Poor Things” të marrë ngazëllyer nga Yorgos Lanthimos. Fitorja çon më tej zhurmën në rritje të filmit për Oscar, e mundësuar nga një performancë e yllit Emma Stone që mund t’i sjellë asaj një Oscar të dytë për aktoren më të mire, transmeton KultPlus.

Filmi do të hapet në një lëshim të kufizuar nga Searchlight më 8 dhjetor, më pas do të dalë ngadalë në mbarë vendin.

Megjithatë, çmimi i aktores kryesore shkoi për Cailee Spaeny për punën e saj në “Priscilla” të Sofia Coppola, një vështrim intim në lidhjen e hershme të Priscilla Presley me Elvis Presley. (Filmi hapet në kinema më 3 nëntor.) Peter Sarsgaard fitoi çmimet e aktorit kryesor për radhën e tij si një i ve i prekur nga çmenduria në “Memory” të Michel Franco, përballë Jessica Chastain.

Drama emigrante e Matteo Garrone “Me Captain” kapi dy çmime kryesore, duke përfshirë çmimin e regjisë më të mirë dhe çmimin Marcello Mastroianni për aktorin/aktoren e re për yllin e ri Seydou Sarr./KultPlus.com

Duke vdekur ngadalë

Poezi nga Xhevdet Bajraj

Isha i shtrirë si trevjeçar
në livadhin pranë shtëpisë në Banjë
(herë të Malishevës e herë të Therandës)
kur i pashë për herë të parë
retë e stërmëdha
të bardha
që po lëviznin në qiell
dhe na kërcënonin të na përpijnë
e të vazhdojnë me ne tutje
apo së paku të bien mbi ne
mbi shtëpinë tonë që e kishim me qira
dhe të na rrafshojnë me tokë
Ishte frika ime e parë
e madhe
që ma fshive me buzëqeshje
duke më shpjeguar që ato sjellin paqe
ato ua shuajnë etjen luleve e grunajave
zogjve dhe kafshëve
tokës

Frikën e dytë të madhe e përjetova
derisa isha katër vjeç
po ashtu në fshatin Banjë
kur një ushtar gjerman
nën qiellin e hapur
nga ekrani i autokinemasë
nga të gjithë të pranishmit aty
më kishte zgjedhur mua
për të ma drejtuar automatikun

Filmi është si ëndërr e keqe më the
mos e lejo zogun e zi të zhgjëndrrës
të ndërtojë çerdhe
brenda kafazit tënd të gjoksit
as mbi sup
se do të ushqehej me ëndrrat tua
që do të duhej të të hapnin shtigje
kah e ardhmja
Mos lejo të vdesin ëndrrat e bukura
se kur ato vdesin
nuk shkojnë në parajsë
dhe pa ëndrrat tua
ti nuk do të jesh ti
por hija jote e dënuar të jetoj
pa shpirt
në shkallët e pendimit që nuk do ta çojnë lart
por do ta zbresin në honin e përroit të vdekur
që i vdekur ngutet
drejt detit
po ashtu të vdekur

Kur i bëra gjashtë vjet
iu gëzova çarshisë së Rahovecit
kinemasë
bibliotekës
librarisë
rrushit të Rahovecit iu gëzova
dhe derisa më merreshin mendtë nga bukuria
në prehrin tënd mbolla ëndrra
pastaj e blejtë një vresht me babanë
dhe e ndërtuat një shtëpi
unë nuk munda të kontribuoja në atë moshë
përveç që e stolisa shtëpinë nga brenda me libra
e nga jashtë
e mbulova me pëllumba të butë
që shkonin aq bukur me lulet e tua

Kur i mbusha të shtatëmbëdhjetat
një bajloz i zi doli nga balta e Rahovecit
më kafshoi në shpirt
dhe dita e nesërme me kësulë të vdekjes mbi kokë
e me kosë në duar
më priste
në shtegun ku kalonte dielli para se të lindte
Ishte natë e gjatë
e gjatë sa lufta

Mos lejo që të tjerët të jetojnë
të ushqehen
të majmen
nga frika jote
se të nxjerrin nga shtëpia
nga lëkura jote të nxjerrin
dili errësirës përpara
dhe kafshoje
ashtu si e kafshon kafsha e lidhur
litarin
se zemra kur të zvogëlohet nga frika
mërdhin
Mëso se poezia është mënyra më e mirë
për t’u përballur me jetën
dhe nëse dikush duhet të të vras
le të jetë kjo metafora jote
e dalë nga një imazh i gjallë i yti
i realizuar në mënyrë të përsosur

Dikur më lindën fëmijët
Librat
lindi apartheidi
erdhi lufta që kurrë nuk mbaroi
Gjeneralët e rrejshëm
filluan të jetojnë në librat e historisë sonë
që i shkruajnë me jetët e të rënëve
dhe gjakun tonë të përgjumur
Pak para se të vdesësh më the
nëse do të mbijetosh biri im
atëherë duhet të luftosh me gjithçka ke
se tek e fundit
nuk ka më vend në varre
A po e sheh këtë burrë
duke vrapuar për në askund
me fëmijën e tij të vrarë në duar
një herë ishin të varrosur
por nuk i mbajti varri
tash po kërkon varr të ri
për veten dhe për fëmijën e tij
në Kosovë
Se edhe Kosovën e kanë qëlluar me granata
me bomba me plumba me thika
krimbat e bardhë të mishit
nxjerrin kokën nga plagët e saj
por ajo nuk ka forcë për të jetuar
e as për të vdekur nuk ka forcë
Të rënët në luftë
janë të fundit të llojit tonë
që vdiqën si njerëz
Këtyre që kanë mbetur
vetëm gjuha u është rritur
duke u stërvitur çdo ditë
për të lëpirë
çdo gjë që nuk lëpihet te tjetri
përveç nëse je mizë e kalit

Nënë
e kam parë një lis të vdekur
një ujk të vdekur
një zog të vdekur
një lumë të vdekur
një qiell të vdekur
përveç dy-tri dashurive të vdekura
që akoma më dhembin shumë
edhe ty e babanë të vdekur
veç vdekja ime është tmerrësisht e gjallë
dhe po më afrohet ngadalë

“Kafe me nënën”, Armagedoni. / KultPlus.com

Check-in Fest rikthehet në Gjirokastër

Check-In Fest rikthehet në edicionin e tij të tretë në Gjirokastër. Për tri ditë rresht do të ketë evente dedikuar kulturës, muzikës dhe aventurës.

Qafa e Pazarit do të kthehet në një vend të mahnitshëm nën tingujt e muzikës, që do të performohen nga banda dhe artistë të njohur.

Një panel me studiues dhe profesionistë të fushës do të diskutojnë mbi temën: “Qyteti inovativ” dhe ofrimi i zgjidhjeve të reja që e bëjnë qytetin akoma më shumë tërheqës.

Ndërkohë një tjetër eksperiencë do të ketë për aventurierët, të cilët do të kenë mundësinë të eksplorojnë qytetin nëpërmjet gjuetisë së thesareve.

Aktivitet të tilla janë një mundësi e mirë për jetën kulturore dhe artistike të qytetit dhe nuk do të jenë të përqendruara vetëm në zonën muzeale.

Aktivitetet e larmishme do të vazhdojnë përgjatë gjithë muajit shtator në Gjirokastër, duke i dhënë mundësinë të gjithë turistëve te huaj dhe atyre vendas të shijojnë fundjavat në qytet./KlanNews/KultPlus.com

Fragment nga libri ‘Anna Karenina’ nga Leo Tolstoy

Në 195 vjetorin e lindjes së shkrimtarit rus, Leo Tolstoy, KultPlus ua risjell një fragment nga kryevepra e tij ‘Anna Karenina’.

“Zemra e trembur dhe e ngazëllyer i tha se ishte ajo. Kishte qëndruar dhe po bisedonte me një zonjë në anën tjetër të sheshit. Si në të veshur, ashtu edhe në sjelljen e saj nuk kishte asgjë të veçantë, por Levini e njohu  menjëherë mes tollovisë si trëndafilin mes hithrave.

Sheshi shëndriste nga ajo, buqëshja e saj ledhatonte çdo gjë përreth. “Pse, a mundem t’i afrohem, ti qëndroj pranë në akull?” tha me vete. Ai vend i saj iu duk i shenjtë, aty s’mund të shkelte këmba e tij; qe një qast sa për pak iku, aq u frik.

Me sforcim të madh e përmbajti veten, arsyetoi: meqë rreth saj silleshin gjithfarë njerëzish, edhe ai mund të shkonte të bënte patinazh. U lëshua tatëpjetë kodrës, u përpoq të mos e shihte, siç bëjmë me diellin, por ja që e shihte, siç e shohim diellin edhe pa e vështruar.”/KultPlus.com

Java e modës në Nju Jork nis në bibliotekën publike të qytetit

Bibliotekat janë zakonisht vende të qeta ku njerëzit shkojnë për të studiuar, por marka luksoze amerikane Coach e thyeu protokollin duke nisur javën e modës në Nju Jork.

U organizua koleksioni pranverë/verë 2024 në bibliotekën më të madhe publike në ShBA aty kishte stola prej pelushi të veshur me kadife.

Pjesë e këtij organizimi ishin disa të famshëm duke përfshirë aktoren Jennifer Lopez dhe reperin Lil Nas X, raporton The Guardian, transmeton Klankosova.

Megjithatë, ishte një paraqitje e papritur nga aktivistët e organizatës për të drejtat e kafshëve “Peta” që u përpoq të shkaktonte shqetësimin.

Dy protestuese femra, njëra me një pankartë e tjera të shkruar në trup “Lëkura vret”, u bashkuan shkurtimisht me modelet në pasarelë, kjo u bë pasi “Peta” deklaroi në korrik se synonte ta bënte të papranueshëm përdorimin e leshit dhe lëkurës si gëzofi.

Drejtori kreativ i “Coach”, Stuart Vevers, e përshkroi pasarelen si një vend për të eksperimentuar me koncepte të reja në qëndrueshmëri./KultPlus.com

ChatGPT po bëhet më pak i saktë me kalimin e kohës

Hulumtimi i ri nga Universiteti Stanford shqyrtoi performancën e ChatGPT në detyra të ndryshme gjatë disa muajve, duke përfshirë zgjidhjen e problemeve matematikore, përgjigjen e pyetjeve të ndjeshme, gjenerimin e kodit të softuerit dhe më shumë.

Prandaj, rezultatet treguan se aftësitë e ChatGPT nuk ishin të qëndrueshme. Në problemet e matematikës, për shembull, GPT-4 filloi me 97.6% njohje të saktë të numrave të thjeshtë në mars, por tre muaj më vonë kjo performancë ra me 2.4%.

“Kur akordojmë një model të madh gjuhësor (LLM) për të përmirësuar performancën e tij në detyra të caktuara, kjo mund të ketë pasoja të padëshiruara që mund të dëmtojnë performancën e modelit në detyra të tjera. Ka shumë lloje ndërvarësish në mënyrën se si modeli përgjigjet në mënyrë korrekte, disa prej të cilave mund të çojnë në përkeqësim të sjelljes që vëzhgojmë“, tha profesori i shkencave kompjuterike në Stanford, James Zou.

Në praktikë, rregullimet në një pjesë të ChatGPT mund të kenë efekte të padëshiruara në pjesë të tjera të tij për shkak të kompleksitetit të tij.

Fatkeqësisht, për shkak se ChatGPT funksionon si një kuti e zezë, studiuesit dhe publiku nuk mund të shohin se si funksionon. Refuzimi i OpenAI për ta bërë kodin e tij burim të hapur ka çuar në mungesë transparence në mënyrën se si funksionon AI.

Me kalimin e kohës, përgjigjet e ChatGPT jo vetëm që u bënë më pak të sakta, por gjithashtu pushuan së shpjeguari logjikën pas përgjigjeve. Është si t’i kërkosh një studenti të shpjegojë se si zgjidhi një problem matematikor hap pas hapi. Kjo i ndihmon studiuesit të kuptojnë se si AI arriti në këtë përfundim. Por ChatGPT ndaloi së zbuluari hapat./KultPlus.com

Ura e Mesit në Shkodër një nga perlat e arkitekturës dhe trashëgimisë sonë kulturore

Ura e Mesit, 8 km larg qytetit të Shkodrës mbi lumin Kir, është një monument kulture me vlera të mëdha dhe simbol i qytetërimit të lashtë.

E ndërtuar në vitin 1768 nga Mehmet pashë Bushati, ura me kurriz që ndodhet mbi lumin Kir shërbente për të lidhur Drishtin me Shkodrën.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti publikoi në rrjete sociale fotografi nga Ura e Mesit.

“Vizita në Shkodër nuk mund të kuptohet pa një fotografi në Urën e Mesit”, u shpreh Margariti.

“E ndërtuar në vitin 1768, ajo është një nga perlat e arkitekturës dhe trashëgimisë sonë kulturore, që pret çdo ditë qindra vizitorë”, tha ministrja.

Duke qenë një monument me vlera të mëdha arkitektonike e teknike, Ura e Mesit është një objekt që tërheq vizitorë të shumtë.

Me gjatësi 108 metra, gjerësi 3.40 metra dhe me 13 harqe josimetrike, për ndërtimin e saj janë përdorur gurë të latuar, ndërsa traseja është bërë me pllaka guri. Vlerat e kësaj ure shtohen dhe nga terreni piktoresk pranë saj me shkëmbinj dhe ujin e pastër./atsh/KultPlus.com