Petrit Çeku sjell madhështinë e kryeveprave të Bach dhe Barrios në përmbylljen e ‘Prishtina Guitar Week’

Flonja Haxhaj

Në një atmosferë të ngrohtë dhe të mbushur me pasion për muzikën klasike, Kisha Shën Ndou në Prishtinë u bë dëshmitare e një performance të  jashtëzakonshme të kitaristit të shquar Petrit Çeku. Në koncertin i cili edhe përmbylli festivalin ‘Prishtina Guitar Week’, Çeku mbushi shpirtin e publikut të Prishtinës me një interpretim të rrallë të përcjellur me virtuozitetin dhe mjeshtërinë e tij, shkruan KultPlus.

Edicioni i parë i ‘Prishtina Guitar Week’ u përmbyll me këtë koncert në të cilin, Çeku me kitarën e tij, dërgoi publikun në një udhëtim magjepsës nëpër literaturën e kryeveprave të kompozitorëve të shquar botërorë si Johann Sebastian Bach dhe Agustin Barrios.

Me një teknikë të përsosur, Çeku shpalosi një larmi emocionesh nga vargjet e mahnitshme të Bach teksa interpretoi sonatën No.2 në A Minor. E gjithçka mori një pamje më romantike e melankolike kur solli valsat e Barrios, të përshtatur për kitarë.

Kjo natë, e cila solli një koncert të mrekullueshëm të përcjellur me tingujt e bukur të kitarës së Petrit Çekut, u shoqërua me duartrokitje disa minutëshe nga publiku, si një mirënjohje për momentet që artisti dhuroi për më shumë se një orë performancë.

I pranishëm në këtë koncert ishte edhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku i cili përveç që vlerësoi lart koncertin e Petrit Çekut, tha se festivalet e tilla krijojnë mundësi shtesë për kitaristët e rinj dhe për talentët e Kosovës.

“Fillimisht, si gjithmonë është kënaqësi e veçantë me e dëgju dhe me u mrekullu me tingullin e intepretimit të Petrit Çekut, së dyti, në kuadër të një festivali që ka nisë dhe ka nisë mirë, sipas gjykimit tim, sepse është konceptu mirë, nuk është vetëm koncerte të kitaristëve të njohur në nivel botëror, por edhe mundësi për kitaristët e rinj që të punojnë me këta emra të mëdhenj, me këta mjeshtra të kitarës dhe të njëjtën kohë të ketë mundësi të zhvillojnë një lloj gare ndërmjet tyre”,  tha ministri Çeku për KultPlus.

Një ndër organizatorët e këtij festivali, Florin Fanaj, pas përmbylljes së ‘Prishtina Guitar Ëeek’, u shpreh se ndonëse ky ishte vetëm edicioni i parë, çdo gjë ka shkuar ashtu siç edhe e kanë planifikuar.

“Jemi shumë të lumtur për këtë festival sepse ka shkuar ashtu siç edhe  e kemi pritur. Festivali është hapur me garat e nxënësve dhe studentëve. Dita e parë po ashtu ka përfshirë edhe një koncert që ka qenë i rezeruar për të gjithë ata fitues, pastaj të cilët fituan në gara, ata më pas morën pjesë në masterkurse me kitaristët, të cilët edhe kanë koncertu të mërkurën, të enjten edhe të premten. Koncerti i sotëm, nëse flas më shumë për natën e përmbylljes, Petriti ia dhuroi Prishtinës dhe gjithë publikut këtu një koncert fantastik, ashtu siç ai di dhe na mahniti me programin me pjesën e parë të Bachut dhe pjesën e dytë të kompozitorit paraguajan, Agustin Barrios, edhe siç po shihet edhe prej publikut të gjithë janë të kënaqur edhe jemi të lumtur për këtë”, deklaroi Fanaj për KultPlus.

Pas koncertit të mbrëmshëm, për KultPlus foli edhe profesoresha e pianos në Universitetin e Prishtinës, Lejla Pula, e cila tha se Petrit Çeku dhuroi momente madhështore teksa ka interpretuar kryevepra të literaturës botërore për kitarë.

“Jemi pasuruar sonte me përshtypje e impresione të jashtëzakonshme artistike  sepse Petriti ka sjellur një imazh tingullor engjëllor, mund të shprehem lirisht ashtu sepse vërtet edhe me këtë ambient është përshtatur edhe tingulli  i kitarës dhe çdo gjë ishte në përshtatje. Edhe vërtet kemi shijuar momente madhështore të muzikës artistike klasike, të muzikës së Bachut dhe të Barrios dhe ka sjellur perlat nga literatura e kitarës. të muzikës së bahut edhe.Varjosë, edhe vërtet perlat nga literatura e gitarës”, u shpreh Pula, e cila më tutje tha se ndjehet e lumtur që skena e Prishtinës po pasurohet me festivale të tilla.

Ndërkaq, ‘Prishtina Guitar Week’, shënoi këtë vit edicionin e tij të parë, ku për një javë rresht, i dhuroi publikut koncerte, gara dhe punëtori për artistët e rinj./KultPlus.com

Timo Flloko drithëron skenën me Himnin e Flamurit (VIDEO)

Aktori i famshëm shqiptar, Timo Flloko, ka shkëlqyer në skenën gjigand të Festivalit të Këngës në RTK. Nga aty ai ka kujtuar vendin e tij të lindjes, Pejën, ndaj së cilës ka recituar poezinë të cilën e ka shkruar vite më parë. Përveç kësaj, Flloko ka interpretuar mjeshtërisht dhe me emocione kulmore Himnin e Flamurit.

“Shtëpia ime ka qenë buzë Bistricës, në qendër midis dy urave, përballë kishte kinemanë. Frymëzimet e mia të para i kam marrë aty sepse çdo natë shikoja filma, kryesisht amerikanë. Besoj se aty ka qenë embrioni i frymëzineve të mia për t’u bërë aktor”, ka thënë Flloko për Pejën.

Ai ka shprehur përgëzimet e tij ndaj organizatorëve të Festivalit, duke thënë se asnjëherë nuk është vonë për ngjarje të tilla. Flloko ka ndarë nga skena e Pallatit të Rinisë nga përvoja e tij e gjatë si aktor

“Suksesi është shumëçka, është shumë për artistin, sportistin dhe gjithë krijuesit. Por më e rëndësishme se suksesi është investimi për ta arrirë atë. Fama ndonjëherë mund edhe të blihet e manipulohet por arti jo. Të mbërrish në art nuk është lehtë”, ka thënë Timo Flloko.

“Burrat e tillë trima monumentalizohen, si Çerçiz Topulli, Adem Jashari janë figura që i kapërcejnë dimensionet kohore, mbetën të përjetshëm në kujtesën e kombit. Është nder i madh të kesh fatin të luash, ndjej veten me fat që kam luajtur Çerçiz Topullin”, ka thënë aktori i njohur.

Flloko është i njohur për rolet  e tij në filmat “Lulëkuqet mbi mure”, “Njeriu me top” e “Angel’s Dance”./rtk/KultPlus.com

Këndojnë 10 artistët, mbyllet pjesa garuese në Festivalin e Këngës

Zyrtarisht ka mbaruar pjesa garuese në Festivalin e Këngës në RTK. Në natën finale kanë kënduar 10 artistët garues.

Tani do të ketë punë për jurinë profesionale në përbërje: Alma Bektashi, kryetare, Ulja Sjostrom, anëtare që vjen nga Suedia dhe ka përfaqësuar shtetin e saj në “Eurovision” si dhe anëtarët e tjerë si kompozitori nga Tirana, Adi Hila, këngëtari Alban Nimani dhe artistja e arteve pamore, Zake Prelvukaj.

Ata kanë punën më të vështirë, ngase do të marrin vendimin për përzgjedhjen e fituesit/fitueses së edicionit të parë.

Ndërkaq organizatorët e Festivalit deri në kumtim të artistit ose artistes fituese, kanë përgatitur program të larmishëm me mysafirë të shumtë./RTK/KultPlus.com

Kryeministri Kurti: Festivali i Këngës ngjarje e madhe për shtetin dhe mbarë kombin

Kryeministri Albin Kurti nga tapeti i kuq i Festivalit të Këngës në RTK, ka thënë se kjo ngjarje është e madhe për kulturën, Qeverinë dhe gjithë kombin.

“Është një ngjarje shumë e madhe kulturore, edhe për RTK-në edhe për MKRS-në, edhe për shtetin e Qeverinë tonë dhe për mbarëkombin. Është punuar shumë që të vihet në këtë ditë, kjo ngjarje e madhe e ka për ngjarje në vete edhe vendin, meqenëse siç kam marrë vesh nga Adi Krasta, i kanë nxjerrë 130 kamionë mbeturina nga këtu”, ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se kultura gjithnjë e më shumë po bëhet artistike.

“Është shumë e rëndësishme që po bëhen bashkë artistët për kulturën e qytetarëve dhe kultura jonë po bëhet gjithnjë e më shumë artistike sepse kultura është ajo zakonshmëria, njëtrajtshmëria e një populli e shoqërie, e që gjithnjë e më shumë po bëhet më artistike. Do të vazhdojmë në këtë rrugë ku arti e kultura do të mbështeten, sepse janë të domosdoshme edhe për edukimin e rinisë por edhe për mirëqenien shpirtërore e intelektuale të popullit tonë”, ka thënë kryeministri i vendit./rtk/KultPlus.com

Edona Reshitaj e hap natën finale me interpretim të shkëlqyeshëm

Prezantuesja e mbrëmjes finale, Edona Reshitaj është ngjitur në skenën magjike të edicionit të parë të Festivalit të Këngës në RTK.

Pas dy skenografeve Kamberi dhe Xhaferri, Reshitaj i ka ofruar publikut të transmetuesit publik plot energji nëpërmjet interpretimit të saj me shumë gjallëri./rtk/KultPlus.com

Kryeministri Kurti në diskutimin e organizuar nga Mbretëria e Bashkuar: Ballafaqimi me të kaluarën, i domosdoshëm

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ishte i pranishëm në diskutimin e organizuar nga një organizatë nga Mbretëria e Bashkuar, diskutim ky i titulluar “Kapërcimi i ndarjes: një bisedë e guximshme”.

Para të pranishmëve, folësve dhe mysafirëve të pranishëm, në mesin e të cilëve ishte edhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbot, Kurti foli mbi rëndësinë e ballafaqimit me të kaluarën.

“Ai tha se ballafaqimi me të kaluarën është i domosdoshëm për një paqe të qëndrueshme dhe të ardhme të suksesshme, duke qenë proces i shërimit dhe mekanizëm i shëndetshëm për përparim shoqëror dhe njerëzor. Ajo është e drejtë individuale e viktimës dhe familjes dhe e drejtë kolektive, por obligim i shtetit dhe qeverisë që të sigurojë që kjo e drejtë të mundësohet dhe realizohet”.

“Kjo do të thotë që institucionet kanë obligim të dokumentojnë krimet përmes instituteve e muzeve të cilat shërbejnë si instrumente të kujtesës kolektive për gjeneratat e ardhshme dhe që ndihmojnë në ngushëllimin e viktimave duke u siguruar atyre që dhimbjet e tyre nuk do të harrohen, shtoi kryeministri”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Orkestra Filharmonike sjell koncertin e radhës me violonçelistin Konstantin Manaev

Orkestra Filharmonike e Kosovës nesër mbrëma do të mbaj koncert nën dirigjimin e dirigjentit amerikan Gregory Charette, që për solist ka violonçelistin, Konstantin Manaev, shkruan KultPlus.

Koncerti do të mbahet më 29 tetor në ora 20:00 në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, dhe hyrja do të jetë falas për të gjithë adhuruesit e muzikës klasike./KultPlus.com

Pas pak nis nata finale e Festivalit të Këngës, sonte zgjedhet fituesi/ja

Pak kohë na ndanë nga nata finale e edicionit të parë të Festivalit të Këngës në Radio Televizionin e Kosovës. Sonte përmbyllet gara pas këndimit të dhjetë konkurrentëve të përzgjedhur për finale, teksa njëri ose njëra nga ta ka fatin që të merr trofeun e Festivalit.

Biletën për finale nga juria e siguruan:  Albin Nikprelaj me këngën “Ajo”, Auron Deva me “Çmimi i dashnisë”, Angus Dei me “Një zemër për dy”, La Fazani me “Oj Kosovë”, Urban Band me “Ëndrrat s’kanë faj”, Nita Latifi me “Marrëzi”, Neki Emra me “Heroi im”, Hilmi Obertinca me “Pa ty s’më rrihet”, Saranda Alija me “Mendoj ku je” dhe Klea Dina me “Trenat”.

Ndërkaq juria profesionale në përbërje prej kryetares, Alma Bektashi, anëtares që vjen nga Suedia dhe ka përfaqësuar shtetin e saj në “Eurovision”, Ulja Sjostrom si dhe anëtarët e tjerë si kompozitori nga Tirana, Adi Hila, këngëtari Alban Nimani dhe artistja e arteve pamore, Zake Prelvukaj, sonte do të vendos për emrin e fituesit apo fitueses së edicionit të parë.

Çmimi kryesor është një kupë që quhet ‘diamanti blu’, e që ka simbolikën e Kosovës që shkëlqen dhe medaljoni me shqiponjë të flamurit, me 500 diamante. Mirëpo organizatorët e Festivalit të Këngës kanë përgatitur edhe surpriza tjera.

Transmetimi televiziv do të nis, tashmë siç është bërë traditë, nga tapeti i kuq mbi platonë e Pallatit të Rinisë duke filluar nga ora 20:00. Ndërkaq në ora 21:00 hapet skena gjigante e Festivalit të Këngës për të sjellë mbrëmjen finale të spektaklit që shënoi histori për industrinë kulturore të vendit./rtk/KultPlus.com

‘Gjithë njerztë faje kanë, për ne si pasqyrë janë’

Poezi nga Andon Zako Çajupi

Një njeri pa mënd në kokë,
mburrej e lëvdohej vetë,
pandehte me të vërtetë
q’ish i bukur e s’kish shokë,
ndaj ishte shum’ i gëzuar.
Vërtet pasqyra s’kishte mëshirë
ta tregonte të shëmtuar.
Po thosh: pasqyra nuk’ është e mirë.
Nga kjo lajthitje që ta kërrejnë
dhe të duket e vërteta,
gjithë pasqyrat e shkreta
kur i shikon, e rrëfejnë
me një fytyrë
shumë të ndyrë.
Që të mos shohë kurrë pasqyrë,
ç’punoi miku?
U ngre dhe iku
lark, ndëpër ara
Për fat të keq, sheh përpara
një liqen të pashënuar,
me ujë fort të kulluar.
Ndë këta ujë kur u shikua
u zemërua,
se prap ju duk fytyra
si te pasqyra,
Domethënë, me një fjalë,
kjo përrallë
Eshtë bërë
për të tërë:
për veten tonë, të gjithë ç’jemi
këtë mendje kemi.
Gjithë njerztë faje kanë,
për ne si pasqyrë janë:
ky njeriu
faqeziu
që qesh o mburr vetëhenë,
është shpirti yne vetë,
Sa për liqenë
ndë vënd të shkrete,
me ujëkulluar,
tregon librat qe ke shkruar./ KultPlus.com

Hapet muzeu më i jashtëzakonshëm i artit të censuruar

Muzeu i Artit të Ndaluar, u hap për publikun në Barcelonë të enjten dhe përmban 42 vepra nga e gjithë bota që janë denoncuar, sulmuar ose hequr nga ekspozita të ndryshme, raporton AFP.

Veprat e artistëve si mjeshtri spanjoll Francisco de Goya, ikona e kulturës amerikane Andy Warhol dhe artisti dhe aktivisti kinez Ai Weiwei janë të ekspozuara në dy kate.

Objektet janë pjesë e një koleksioni prej 200 veprash të tilla që i përkasin Tatxo Benet, një biznesmen katalanas.

“Ne nuk mbledhim ose shfaqim vepra skandaloze ose të diskutueshme në muze. Ne shfaqim vepra në muze që janë censuruar, sulmuar, dhunuar dhe ndaluar të ekspozohen”, tha Benet për AFP.

“Janë vepra që kanë një histori pas tyre, pa atë histori nuk do të ishin këtu”, shtoi ai.

Shumë vepra trajtojnë fenë, si p.sh. “McJesus” i artistit finlandez Jani Leinone, me Ronald McDonald-in e kryqëzuar në një kryq druri, i cili u tërhoq nga një muze në Izrael. Kjo vepër hapi shumë polemika aq sa ndezi protesta të dhunshme në Izrael.

Foto: AFP

Muzeu gjithashtu shfaq një fotografi të një kryqi të zhytur në urinën e artistit të Nju Jorkut Andres Serrano, i cili u vandalizua gjatë një ekspozite në Francë dhe shkaktoi një zhurmë kur u shfaq për herë të parë në Shtetet e Bashkuara në 1989.

Një tjetër pikë kryesore është një vepër e artistit francezo-algjerian Zoulikha Bouabdellah që paraqet 30 dyshekë lutjesh myslimane, secila e stolisur me një palë stileto me tegela, të cilat u nxorën nga një ekspozitë në Francë në vitin 2015 pas ankesave nga një grup mysliman.

Foto: AFP

Benet, një nga themeluesit e grupit multimedial spanjoll Mediapro, tha se filloi ndërtimin e koleksionit të tij në vitin 2018 kur bleu një instalacion të quajtur “Të burgosurit politikë në Spanjën bashkëkohore”. Koleksioni përbëhej nga foto bardh e zi me fytyra në piksel të njerëzve që kishin shkelur ligjin, mes tyre liderë separatistë katalanas që u përballën me veprime ligjore në vitin 2017. Vepra, e artistit spanjoll Santiago Sierra, u tërhoq nga një panair arti në Madrid vetëm dy orë pasi Benet e bleu atë. Tani është ekspozuar në një muze tjetër në qytetin katalan të Lleida-s.

Muzeu gjithashtu shfaq piktura dhe skica nga ish të burgosurit në bazën detare të SHBA në Gjirin e Guantanamos në Kubë, duke përfshirë një me Statujën e Lirisë të zhytur në ujë dhe në sipërfaqe jashtë duket vetëm dorën që mban një pishtar dhe maja e kurorës. Qeveria amerikane urdhëroi që arti i bërë nga të burgosurit në qendrën e paraburgimit do të duhej të shkatërrohej kur ata të liroheshin pasi një ekspozitë me vepra në Nju Jork në vitin 2017 ndezi polemika.

Foto: AFP

“Çdo artist që nuk mund të shfaqë punën e tij sepse dikush e pengon ta bëjë këtë është një artist që censurohet dhe për këtë arsye do të ketë gjithmonë një vend në këtë muze” tha Benet.

Benet po fliste pak metra larg një autoportreti të artistit të ndjerë amerikan Chuck Close, i njohur për portretet e tij masive foto realiste.
Galeria Kombëtare e Arteve në Uashington hoqi dorë nga kushtimi i një ekspozite për veprat e Close pasi disa gra e akuzuan atë se i ngacmonte seksualisht disa vite më parë, kur erdhën në studion e tij për të pozuar.

Benet tha se duke pasur kaq shumë vepra të diskutueshme së bashku, “nivelet e tolerancës së vizitorëve zgjerohen dhe niveli i skandalit të punës ulet“./TopChanel/KultPlus.com

Shkrimtari Ag Apolloni nga panairi i librit në Frankfurt: Stenda e Kosovës dukej si një shpajz i panairit, e mjerueshme

Shkrimtari Ag Apolloni, së fundmi ka vizituar panairin më të madh të librit në botë, i cili po mbahet në Frankfurt, nga ku ka mbetur i zhgënjyer me formën e përfaqësimit të shtetit të Kosovës në atë panair, në të cilin nuk pati as edhe një libër të shkrimtarit në fjalë, shkruan KultPlus.

Përmes një postimi në facebook, shkrimtari Apolloni pjesëmarrjen e shtetit të Kosovës në këtë panair e ka cilësuar të mjerueshme, ngaqë Ministria e Kulturës nuk kishte ndarë mjete të mjaftueshme për një përfaqësim më dinjitoz.

Postimi i plotë i Ag Apollonit në facebook:

“Falë mbështetjes së Ministrisë së Kulturës, erdha në Panairin e Librit në Frankfurt, ku stenda e Kosovës ishte më e pasura. Të gjithë librat e mi ishin aty. Asnjë nga të pranishmit nuk mbeti pa marrë një kopje me nënshkrim. Pastaj, më akomoduan në një hotel me pesë yje”. Kjo ishte ajo çfarë do të donte një gazetar i RTK-së t’i thosha në Frankfurt. Nuk e kuptoj pse atë ditë nuk isha në disponim për të gënjyer, dhe ia prisha disponimin edhe gazetarit.

E vërteta është se në Panairin e Frankfurtit nuk shkova me mbështetje të Ministrisë së Kulturës, as me ftesë të ndonjë botuesi a shoqate kosovare. Stenda e Kosovës dukej më shumë si një shpajz i panairit, e pajisur me karrige, pjata, gota, mjete teknike të zërimit, por jo edhe me libra. Ishte mjerim i vërtetë, dhe, siç më thanë, krejt kjo për shkak se Ministria s’kishte ndarë mjete mjaftueshëm. Asnjë libër imi nuk ishte aty, përveç atyre që i kisha në xhepa të setrës (se Isa pa kobure, dhe unë pa libër, s’dimë të ecim, s’jemi vetvetja). Pra, të pranishmit kot kërkuan librat e mi. Nënshkrimet mund t’ua jepja vetëm nëpër peceta.

Pavarësisht se s’kisha asnjë mbështetje nga Ministria e Kulturës, pranova të merrja pjesë në një, meqë ai që drejtonte stendën kishte qenë student imi, ndërsa ato që prezantoheshin atë ditë ishin kolege dhe mikesha të mia. Pas mbarimit të prezantimit, një gazetar me kamerë m’ua frua dhe m’u lut t’ia thosha nja dy-tri fjalë për RTK-në. Pranova. Ndërkohë që flisja, e ndërpreu xhirimin, duke më thënë të prononcohesha edhe njëherë, por duke më mësuar që s’duhej ta përmendja se aty më kishte sjellë dikush tjetër dhe jo ministria jonë. Pranova të prononcohem prapë, por pa ndryshuar qëndrimin. Nuk u ankova për veten, por për kulturën tonë.

Gazetarit i mbeti hatri. Derisa po e mbyllte kamerën, më tha që Kosova kurrë s’ka pasë ministër më të mirë. Ministri mund të ishte më i miri, por stenda jonë e (mos)përkrahur nga ministri ishte më e keqja.

Tash, duke e shikuar linkun që ma dërguan, shoh se prononcimi im për RTK-në është cenzuruar. Pra, hiqet pikërisht pjesa, të cilën gazetari më tha ta hiqja.

(Linku në koment)

Unë e kuptoj që një gazetar mund të ketë simpati për një parti, ose për një person. Mirëpo, etika profesionale nuk do të duhej t’ia lejonte të ma cënonte lirinë e shprehjes.

Unë nuk kritikoj për t’i hyrë në qejf një partie, apo një klani, as për të marrë poste, por për t’i përmirësuar njerëzit që i kanë marrë ato poste. Madje, po ta shohësh mirë e mirë, më shumë se kritikues, isha këshillues, por, natyrisht, jo lavdërues. Më duken hipokritë ata që ia lavdërojnë kostumin mbretit, kur ai është lakuriq.

Ministri duhet këshilluar e kritikuar, sepse është në një post për një afat të caktuar, gjatë të cilit e ka për detyrë t’i përmirësojë kushtet tona, ndërsa mua më kanë gjetur në kulturë edhe shumë ministra para tij dhe, nëse jam shëndosh, do të më gjejnë edhe të tjerë pas tij. Nuk jam shkrimtar me mandat katërvjeçar.

Prandaj, i dashur gazetar, e kuptoj që ti mund ta duash ministrin, por jo sa unë kulturën. Mos e mbroj ministrin e kulturës nga njeriu i kulturës! Ministrat nuk punojnë për kulturë pa u paguar (nganjëherë as kur paguhen). Ndërsa unë, me ose pa pagesë, s’mund të rri pa punuar.

Një dekadë kam qenë “idhnueshëm” me RTK-në, për shkak të qasjes censuruese e mosduruese që kishin disa “miq” dhe kolegë (që e drejtonin televizionin ose emisionet e librit) ndaj meje. Nga fundi i vitit të kaluar, pranova të jepja intervistën e parë me rastin e promovimit të romanit tim të fundit. E, tash, ja ku del një rast si ky që më bën ta rimendoj ‘pajtimin’ tim./KultPlus.com

Media rumune, ‘Agora’: Shqipëria mes destinacioneve më të përballueshme për t’u vizituar në vjeshtë

Vendet në Evropë konsiderohen mjaft të shtrenjta kur bëhet fjalë për udhëtime.

Akomodimi, ushqimi, shëtitjet, gjithçka ofrohet me një kosto të lartë dhe shpesh çmimet nuk janë të përballueshme për xhepin e kujtdo, shkruan në një artikull gazetarja Mardari Irina, të botuar në të përditshmen rumune “Agora.md”

Megjithatë, disa destinacione sidomos në vjeshtë, ofrojnë jo vetem peizazhe befasuese por edhe tarifa të përballueshme.

“Agora” e ka renditur Shqipërinë mes katër destinacioneve më të mira për t’u vizituar në vjeshtë me një buxhet të përballueshëm.

Shqipëria

Shqipëria është një nga destinacionet e udhëtimit që premton çmimet më të ulëta për turistët.

Ashtu si Greqia dhe Italia, Shqipëria ka plazhe të bukura, të cilat turistët mund t’i aksesojnë për shumë më pak para.

Çmimi mesatar i një dhome hoteli në Shqipëri është 49 dollarë.

Për një dhomë në një hotel me pesë yje, shpenzohet vetëm 81 dollarë për natë.

Një litër birrë kushton 2 dollarë dhe një kapuçino ose latte rreth 1,5 dollarë.

Në një restorant të thjeshtë mund të hani mirë me rreth 7 dollarë./atsh/KultPlus.com

‘Vizita e mrekullueshme’ kryevepra e Wells shfaqet në teatrin “Migjeni”

Për herë të parë, “Vizita e mrekullueshme”, kryevepra e shkrimtarit anglez Herbert George Wells, u vu në skenë si një vepër teatrale dhe për këtë premierë botërore, regjisori italian Davide Iodice, zgjodhi teatrin “Migjeni”.

E gjithë historia zhvillohet në një fshat ku shfaqet një engjëll dhe njerëzit e bëjnë të vuajë duke na treguar mënyren se si mirëpritet “ai që vjen nga jashtë”, qoftë emigrant, apo qoftë engjëll.

Davide Iodice, një ndër regjisorët më të suksesshëm në Europë në teatrin kontemporan, thotë se ky takim i tij me artin në Shkodër ishte ndryshe.

“Jam shumë i kënaqur me këtë takim me publikun e Shkodrës. Teatri këtë gjë duhet të bëjë, duhet të krijojë një komunitet bashkëkohor. Është si një spital, si një objekt kulti, është një vend takimi, i cili duhet të jetë i hapur çdo ditë dhe i gjallë. Kjo vepër flet për pranimin dhe lidhje me çdokënd. E parë nga afër, askush prej nesh nuk është normal. Bashkëpunim në të ardhmen? Do të shohim. Ky qytet më ka mbetur në zemër”.

Për aktorët, kjo ishte një shfaqje me shumë mesazhe për jetën tonë të përditshme.

“Është një rol, i cili do të thotë shumë për mua, por ka disa mesazhe të jashtëzakonshme, sikurse ka edhe vepra në tërësi”, u shpreh aktori Fritz Selmani.

“Kështu është bota. Pak më pak, pak më shumë kështu është bota, jo vetëm Shqipëria dhe jo vetëm Shkodra. Me dit me dashtë sepse ne nuk e pranojmë. Ne nuk e pranojmë tjetrin, nuk e pranojmë të ndryshmin, nuk e pranojmë të huajin, nuk e pranojmë atë që nuk është si ne”, tha aktorja Rita Gjeka.

Falë bashkëpunimit me Institutin Italian të Kulturës “Vepra” pas teatrit “Migjeni” do të shfaqet edhe në Teatrin Kombëtar në Tiranë./TopChannel/KultPlus.com

Inteligjenca Artificiale në shkolla/ Gjimnazi “Sami Frashëri” në Tiranë e bën pjesë mësimore

Zhvillimet teknologjike janë duke ndryshuar botën dhe mënyrën sesi ne punojmë. Vitet e fundit kryefjalë e teknkologjisë është bërë inteligjenca artificiale, që konsiderohet si e ardhmja e teknologjisë. Në Tiranë, gjimnazi Sami Frashëri është një ndër shkollat që ka futur si project inteligjencën artificiale. 20 nxënës të kësaj shkolle marrin njohuri mbi këtë disiplinë.

Nxënës nga viti i parë dhe i dytë qe kane interes pçr inteligjencën artificial e zhvillojnë këtë projekt pas përfundimit të mësimit. Teknkologjia për ta është pasion, ndërsa të ardhmen e lidhin me këtë fushë.

Pasioni për inteligjencën artificiale më lindi vitin e kaluar, duke parë se çfarë bëjnë kompani të mëdha me këtë. Fillova dhe unë të mendoj për projekte të mia, tha Gerti.

Kam filluar me kodimin, pas futjes në këtë program të shkollës inteligjenca artificiale është bërë e rëndësishme. Ky projekt më ka ndihmuar të mësoj më shumë mbi këtë fushë. Të ardhmen e shoh duke u marrë me inteligjencën artificiale, u shpreh Klea.

Nxënësit kanë realizuar disa projekte.

“Kjo është paraqitja vizuale e Journey Buddy. Turisti vendos destinacionin, sa ditë do qëndroj, buxhetin. Në bazë të detajeve na është gjeneruar intenetari i udhëtimit”.

Inteligjenca artificiale dhe zhvillimi i saj ka shkaktuar diskutime të shumta, nëse është nevojë apo rrezik.

 “Ne duhet ta bëjmë inteligjencën artificiale që ta përdorim për të mirën tonë dhe mos ta lëmë që inteligjenca artificiale të na zëvendësojë ne”.

“Inteligjenca Artificiale nëse shkon në duart e njerëzve të duhur, mendoj se është gjëja më e mirë që mund t’i ndodhë njerëzimit në të ardhmen, por do të ketë disavantazhe që janë ato punë që zëvendësohen me një kompjuter”.

Projekti i inteligjencës artificiale, i sjellë nga fondacioni shqiptaro-amerikan për zhvillimin aplikohet në disa shkolla të kryeqytetit, Shkodrës, Elbasanit dhe Vlorës./abcnews.al

Intervistë me shkrimtarin Raymond Carver

Raymond Clevie Carver Jr. ishte një poet, shkrimtar dhe eseist amerikan, i cili konsiderohet gjerësisht si një nga shkrimtarët më të rëndësishëm të fundit të shekullit të 20-të. I lindur në Clatskanie, Oregon në vitin 1938, stili i të shkruarit i Carver karakterizohej nga proza e tij e lirë, minimaliste dhe fokusi i tij në jetën e njerëzve të klasës punëtore.

Më poshtë po sjellim një intervistë të veçantë të realizuar nga Claude Grimal me shkrimtarin Raymond Carver.

Claude Grimal: Pse zgjodhët të shkruanit tregime kur mund shkruanit, le të themi, romane?

Raymond Carver: Rrethanat e jetës. Isha shumë i ri. U martova tetëmbëdhjetë vjeç. Ime shoqe qe shtatëmbëdhjetë; ishte shtatzënë. Nuk kisha asnjë kacidhe dhe na duhej të punonim gjatë gjithë kohës që të rrisnim dy fëmijët tanë. Ishte e nevojshme gjithashtu që të shkoja në kolegj që të mësoja si të shkruaja, dhe thjesht ishte e pamundur që të merresha me diçka që do të më merrte dy ose tre vjet. Kështu që nisa të shkruaj poezi dhe tregime. Mund të ulesha në tavolinë, të filloja dhe të mbaroja atë që nisja duke u marrë me të vetëm një herë.

A mendoni se jeni poet apo tregimtar i mirë? Cila është marrëdhënia që shihni mes poezisë dhe prozës tuaj?

Tregimet e mia janë shumë më të njohura, por unë vetë pëlqej poezinë time. Marrëdhënia? Si tregimet, si poezitë të dyja janë të shkurtra (Qesh). I shkruaj në të njëjtën mënyrë, dhe do të thosha se efektet janë të ngjashme. Ka një ngjeshje të gjuhës, emocionit, gjë që nuk e gjen në roman. Sikurse e kam thënë shpesh, tregimi dhe poezia, janë më afër njëra-tjetrës se tregimi dhe romani.

Keni të njëjtën qasje ndaj çështjes së imazhit?

Oh, imazhi. E dini, nuk kam ndjesinë, sikur më kanë thënë, që unë i përqendroj poezitë apo tregimet mia në një imazh. Imazhi lind nga historia dhe nuk ndodh e kundërta. Nuk mendoj për imazhet kur shkruaj.

Në cilën traditë poetike e vendosni veten?

Le ta shohim këtë… Nuk para e vras mendjen për Wallace Stevens-in. Më pëlqen William Carlos Williams-i. Më pëlqen Robert Frost, sikurse shumë bashkëkohës të tjerë si: Galway Kinnell, W.S. Merwin, Ted Hughes, C.K. Williams, Robert Hass, shumë poetë bashkëkohorë. Ka një rilindje të vërtetë në poezi bash këto kohë në SHBA. Dhe kjo po ndodh edhe në prozë, sidomos tek tregimtarët.

Për shembull?

Shumë vepra të mira po shkruhen në Amerikë tani. Është kohë e volitshme për shkrimtarët. Tregimet kanë shitje të mira. Ka një numër të madh talentesh të reja. Unë redaktova një antologji, ‘Tregimet më të mira amerikane’, dhe zbulova shkrimtarë për të cilët nuk kisha dëgjuar më parë, të gjithë të mirë. Ndër bashkëkohorët admiroj Richard Ford-in, Tobias Wolff-in, i cili është shkrimtar i klasit të parë, Jayne Anne Phillips-in për disa nga tregimet e saj, Ann Beattie, Barry Hannah, Grace Paley, Harold Brodkey, disa tregime të John Updike dhe Joyce Carol Oates. Britanikun Ian McEwan. Është gjithashtu një shkrimtar i ri, disa prej tregimeve të të cilit më pëlqejnë, Amy Hempel. Si dhe Richard Yates, i cili jetonte në Francë në vitet pesëdhjetë.

Jeni duke menduar për shkrimin e një romani?

Epo, në kohët e sotme mund të shkruaj çfarë të dua, jo vetëm tregime, kështu që ndofta do ta bëj këtë. Kam lidhur kontratën për një përmbledhje tjetër me tregime. Pjesa më e madhe e tyre janë shkruar. Mandej, të shohim. Pas botimit të përmbledhjes së parë, të gjithë donin që të shkruaja një roman. Kishte shumë trysni për këtë. Arrita deri atje sa të pranoja paraprakisht të shkruaja një roman… dhe në vend të tij shkrova tregime. Oh nuk e di, por sidoqoftë unë mendoj për një histori më të gjatë…. e cila mund të shndërrohet në roman. Por nuk ndiej ndonjë detyrim për të shkruar një roman. Do të shkruaj çfarë dua të shkruaj. Më pëlqen liria që kam tani. Kam shkruar poezi dhe ese, ese autobiografike gjithashtu, për John Gardner-in, i cili ishte mësuesi im, për tim at, për problemet e mia me alkoolin që i tejkalova në 1977-ën. Për momentin botuesi im është shumë i kënaqur; tregimet po shiten mirë. Gjërat ecin mbarë.

Çfarë mund të thoni për faktin se në Francë përmbledhja juaj më e fundit me tregime është përkthyer para të parës?

Epo, përparësia ka të bëjë me faktin që tregimet e ‘Katedralja’ janë më të përpunuara, prandaj dhe ky libër i ri do të tërheqë lexues që nuk do të grisheshin prej ‘Çfarë themi kur flasim për dashurinë’. Së fundi, nuk e di… Po, mendoj që botuesi ka bërë një zgjedhje të mirë.

Pra mendoni që mes kohës së botimit të librit të parë dhe të fundit keni ndryshuar mënyrën tuaj të të shkruarit?

Po, shumë. Stili im është më i plotë, më bujar. Në librin tim të dytë, ‘Çfarë themi kur flasim për dashurinë’, tregimet ishin të ngjeshura, shumë të shkurtra, shumë të thukëta, pa shumë emocion. Në librin tim të fundit, ‘Katedralja’, tregimet kanë më shumë hapësirë. Janë më të plotë, më të fortë, më të përpunuar, dhe më me shpresë.

A është kjo diçka e bërë qëllimisht?

Jo, jo qëllimisht. Nuk kam ndonjë program, por rrethanat e jetës time kanë ndryshuar. Kam hequr dorë prej pijes dhe ndofta tani që jam më i moshuar, kam më shumë shpresë. Nuk e di, por mendoj se është e rëndësishme që një shkrimtar të ndryshojë, që duhet të ketë një zhvillim të natyrshëm, dhe jo një vendim. Kësisoj kur e mbaroj një libër, nuk shkruaj gjë për gjashtë muaj, me përjashtim të pak poezive dhe ndonjë eseje.

Kur i shkruani tregimet, a shkruani me idenë e së tërës, një e tërë që do të përbëjë një përmbledhje tregimesh? Apo merreni me secilin prej tyre në mënyrë të pavarur?

Mendoj për to si një e tërë. I shkruaj dhe pak nga pak ideja e së tërës merr formë.

Si i zgjidhni titujt e përmbledhjeve tuaja?

Zakonisht është titulli i tregimit më të mirë. Por është gjithashtu titulli më emocionues. “Çfarë themi kur flasim për dashurinë” është një titull të cilit nuk i reziston dot.

Cilat janë tregimet e tua të parapëlqyera? 

“Katedralja.” “Diç e vogël, e mirë.” Ka shumë tregime që nuk më pëlqejnë më, porse nuk do t’ju tregoj se cilat janë. Do të doja të botoja “Tregime të zgjedhura,” por sigurisht jo një përmbledhje të plotë të tregimeve të mia.

“Diç e vogël, e mirë” është fryt i rishkrimit të një tregimi më të hershëm, “Vaska,” i cili nuk është përfshirë në “Çfarë themi kur flasim për dashurinë”.

Po. “Vaska” u botua në një revistë. Nuk e di se çfarë çmimi fitoi, por tregimi më bezdiste. Nuk më dukej se ishte i përfunduar. Kishte ende gjëra për t’u thënë, kështu ndërsa po shkruaja “Katedralja (kurrë nuk kam shkruar një libër më shpejt se atë, le të themi që nuk më mori më shumë se tetëmbëdhjetë muaj), gjërat më ndodhën. “Katedralja” më dukej krejtësisht e ndryshme nga gjithçka kisha shkruar më parë. Po jetoja një periudhë bujarie. Pashë “Vaska” dhe kuptova që tregimi ishte si një pikturë e papërfunduar. Kësisoj iu ktheva dhe e rishkrova. Është shumë më i mirë tani. Dikush madje ka bërë një film mbështetur në të, një djalosh nga Hollywood-i. Australianët, gjithashtu, kanë realizuar një film mbështetur në “Pendët”. E kam parë filmin e parë dhe dukej i mirë, sikurse i dyti. Ata shtuan edhe praninë e një palloi, dhe të një kompleti dhëmbësh. Është shumë për të qeshur.

A mund të na flisni për fundin e tregimeve tuaja? Për fundin e “Katedralja,” për shembull?

Epo, personazhi është plot me paragjykime ndaj të verbërve. Ai ndryshon, rritet. Nuk kisha shkruar kurrë një tregim si ai. Është tregimi i parë që shkrova pasi kisha shkruar “Çfarë themi kur flasim për dashurinë”, dhe këtë e bëra pasi kishin kaluar gjashtë muaj. Pastaj, kur shkrova atë tregim, ndjeva që isha me të vërtetë i ndryshëm. Ndjeva një shtysë të vërtetë, dhe kjo nuk ndodh me cilindo tregim. Por kisha ndjesinë që po merresha me diçka të veçantë. Kisha ndjesinë se kjo ishte shumë emocionuese. I verbëri në tregim ndryshon. Ai e vendos veten ku i takon një të verbëri. Tregimi afirmon diçka. Është një histori pozitive dhe mua më pëlqen shumë për këtë arsye. Njerëzit thonë se është metaforë e diçkaje tjetër, e artit, e bërjes… Por jo, mendova për kontaktin fizik të dorës së të verbrit. Gjithçka është imagjinare. Asgjë si ajo përvojë nuk më ka ndodhur ndonjëherë. Epo, pati një zbulim të jashtëzakonshëm. E njëjta gjë ndodhi tek “Diç e vogël, e mirë”. Prindërit janë me furrtarin. Nuk do të doja të thosha që kjo histori e ngre shpirtin peshë, por, sidoqoftë, ka një fund pozitiv. Çifti është në gjendje të pranojë vdekjen e fëmijës së tyre. Kjo është pozitive. Ka një lidhje shpirtërore mes natyrave të ndryshme njerëzore. Të dyja tregimet kanë një fund pozitiv, dhe mua më pëlqen shumë kjo gjë. Do të isha shumë i lumtur nëse këto dy tregime i qëndrojnë kohës.

A është elementi autobiografik i rëndësishëm në tregimet e tua?

Kjo është e vërtetë për shkrimtarët që pëlqej më shumë: Maupassant, Chekhov. Historitë duhet të lindin prej diçkaje. Sidoqoftë, tregimet që më pëlqejnë kanë elementë të tillë. Duhet të ketë rreshta që i referohen botës së vërtetë.

Kjo është e vërtetë për ju kur shkruani, po a mendoni që biografia juaj mund ta ndihmojë lexuesin?

Jo, jo aspak. Unë përdor vetëm disa elementë të caktuar autobiografikë, ndonjë imazh, një fjali që kam dëgjuar, diçka që kam bërë, dhe pastaj përpiqem ta shndërroj atë në diçka tjetër. Po ka pak autobiografi dhe, shpresoj, shumë imagjinatë. Por gjithmonë ka një element të tillë që ndezin një shkëndijë në rastin e shkrimtarëve si Philip Roth apo Tolstoy, për Maupassan-n, për shkrimtarë që mua më pëlqejnë. Historitë nuk lindin nga hiçi. Duhet të ketë një shkëndijë. Dhe kjo është lloji i historisë që më intereson më së shumti. Për shembull, për “Dhjami,” ime shoqe, gruaja ime e parë, punonte si kameriere, u kthye një natë në shtëpi dhe më tha se ishte një babaxhan si klient, i cili fliste për vete në vetën e parë shumës: “Do të donim pak më shumë bukë… Do të kemi ëmbëlsirën speciale”. Kjo m’u ngulit në mendje; m’u duk e jashtëzakonshme. Dhe kjo ishte shkëndija që krijoi historinë. E shkrova historinë vite më vonë, por kurrë nuk harrova çka më kishte thënë ime shoqe. Shumë më vonë, u ula të punoja dhe pyeta veten se cila do të ishte mënyra më e mirë për të shkruar këtë histori. Ishte vendim i ndërgjegjshëm. Vendosa të shkruaj nga këndvështrimi i kamerieres, jo i gruas time, por kamerieres.

Dhe fundi i historisë, ku gruaja thotë se jeta e saj do të ndryshojë, si e shpjegoni këtë?

Nuk e shpjegoj. Edhe këtu desha të vë diçka pozitive, ndoshta për këtë arsye.

Është histori e rrëfyer në kohën e tashme.

Po. Kjo ishte koha që mua m’u duk më e përshtatshmja. Katër – pesë historitë që botova një vit më parë në “The New Yorker” janë në kohën e tashme. Nuk e di se pse. Është një vendim që e marr pa e ditur pse. Vendimi merret vetë në njëfarë mënyre, por nuk dua t’ju bëj të besoni në diçka të mistershme. Thjesht ndodh kështu.

A përpiqeni të shkruani sipas idiomës amerikane?

Sigurisht. Shpeshherë thuhet se kam vesh të mirë për dialogun, dhe gjëra të tilla. Sigurisht që nuk mendoj se njerëzit flasin ashtu sikur shkruaj. Ndodh si tek Hemingway. Thuhet gjithashtu se ai kishte vesh të mirë, por ai e krijoi gjithë këtë. Njerëzit nuk flasin aspak ashtu. Është punë ritmi.

Cila është rëndësia që i jepni dialogut në tregimet tuaja?

Është e rëndësishme. Mendova që ta zhvilloj subjektin dhe iluminoj personazhet, dhe kështu me radhë. Nuk më pëlqejnë njerëzit që flasin pa asnjë arsye, por mua më pëlqen me të vërtetë dialogu kur njerëzit nuk dëgjojnë atë që thotë tjetri.

A mund të flisni për temat tuaj?

Shkrimtari duhet të flasë për gjëra që janë të rëndësishme për të. Sikur e dini, unë kam dhënë mësim në universitete, në fakt për pesëmbëdhjetë vjet. Atje kisha kohë për të bërë një punë tjetër, dhe kurrë nuk shkrova një histori të vetme për jetën universitare, sepse qe përvojë që nuk la gjurmë në jetën time emocionale. Kam prirjen që të kthehem pas në kohë tek njerëzit që njihja mirë kur isha më i ri, njerëz që më kanë bërë shumë përshtypje… Disa nga tregimet e mia të fundit merren me nëpunës. (Për shembull, atë te “The New Yorker”, “Kushdo që përdorte këtë shtrat”, ku njerëzit diskutojnë gjëra të cilat në tregimet e mia të mëhershme nuk do të diskutoheshin kurrë.) Ai është biznesmen, dhe kështu me radhë. Por pjesa më e madhe e personazheve në tregimet e mia janë të varfër, të hutuar, kjo është e vërtetë. Ekonomia, ajo është e rëndësishme…

Nuk mendoj se jam shkrimtar politik dhe prapëseprapë jam sulmuar nga kritikë të krahut të djathtë në SHBA që më fajësojnë për mos-portretizimin optimist të Amerikës, për mosqenien optimist sa duhet, për shkrimin e historive për njerëz që nuk janë të suksesshëm. Por, këto jetë janë po aq të vlefshme sa ato të njerëzve të suksesshëm. Unë merrem me papunësinë, çështjen e parave, problemet materiale të jetës. Njerëzit shqetësohen për qiratë që duhet të paguajnë, fëmijët e  tyre, jetën e tyre familjare. Kjo është themelore.

Kjo është mënyra se si jetojnë 80-90 për qind, apo një Zot e di se sa njerëz jetojnë kështu. Unë shkruaj për një popullsi që nuk bie në sy, njerëz që jo gjithmonë kanë dikë që të flasë për ta. Jam një lloj dëshmitari dhe, pos kësaj, kjo është jeta që unë vetë kam jetuar për një kohë të gjatë. Nuk e shoh veten si zëdhënës, por si dëshmitar i këtyre jetëve. Unë jam shkrimtar.

Si i shkruani tregimet tuaja dhe si i përfundoni ato?

Për sa i përket mbylljes, shkrimtari duhet të ketë një sens të dramës. Nuk arrini në fund me anë të ndonjë mrekullie. Ai gjendet gjatë rishikimit të historisë. Dhe unë e bëj këtë rishikim pesëmbëdhjetë, njëzet herë. I mbaj versionet e ndryshme… nuk e bëja këtë në të kaluarën, por e bëj tani për shkak të koleksionistëve të librave. Më pëlqen puna fizike e shkrimit. Nuk kam një “word processor”, por kam një daktilografist që më jep tekste të qarta të korrektuara… pastaj i rishikoj e rishikoj. Tolstoy e rishkroi “Lufta dhe paqja” shtatë herë dhe e rishikonte deri në momentin e fundit para se të shtypej. Kam parë fotografi që e vërtetojnë këtë! Më pëlqen ky shqetësim për një punë që duhet bërë mirë.

Atëherë ju sigurisht nuk e pëlqeni Kerouac, i cili është shprehur se e ka shkruar “Në rrugë” me t’u ulur para makinës së shkrimit, në një rrotull të gjatë letre?

Po, megjithëse më pëlqen shumë “Në rrugë”. Por jo pjesa tjetër e veprës së tij. Është e palexueshme. I ka kaluar koha shumë shpejt.

Dhe ndofta Kerouac gënjente.

Po, shkrimtarët janë gënjeshtarë të mëdhenj. (Qesh.)

Këtu bëni pjesë edhe ju?

(Qesh.) Zot I madh, jo unë. Unë jam përjashtimi i vetëm.

Cilët shkrimtarë ju interesojnë?

Kur jepja mësim, zgjodha shkrimtarë që më pëlqenin dhe që ishin të vlefshëm për mua si shkrimtar i ri. Flaubert, rrëfimet dhe letrat e tij, Maupassant (për të cilin kam shkruar një poemë, “Pyeteni atë”), Chekhov, Flannery O’Connor, një roman i William Gass-it dhe esetë e tij kritike, Eudora Welty…

Dhe Hemingway, me të cilin krahasoheni kaq shpesh?

Kam lexuar shumë për të. Kur isha 19 apo 20 vjeç lexoja shumë, dhe Hemingway ishte pjesë e atyre që lexoja. Hemingway më interesonte më shumë se sa, bie fjala, Faulkner-i, të cilin e lexoja në të njëjtën kohë. Jam i sigurt që mësova nga Hemingëay, kjo nuk vihet në dyshim, dhe kjo sidomos për sa i përket veprës së tij të hershme. Më pëlqen vepra e tij. Nëse krahasohem me të, jam unë që nderohem. Për mua, fjalitë e Hemingway-t janë poezi. Ka ritëm, kadencë. Unë mund të rilexoj historitë e tij të hershme dhe më duken të jashtëzakonshme si gjithmonë. Ato më këndellin gjithmonë njëlloj. Janë shkrime të mrekullueshme.

Ai ka thënë që proza është arkitekturë dhe se epoka e barokut ka perënduar. Kjo më përshtatet mua. Flauber-i ka thënë pak a shumë të njëjtën gjë, që fjalët janë si gurët me të cilët ndërtohet muri. Unë e besoj këtë plotësisht. Nuk më pëlqejnë shkrimtarë të pakujdesshëm që nuk kanë parime dhe që janë shumë të paqëndrueshëm.

Porse ju flisni shumë për sekretet dhe kurrë nuk thoni se cilat janë ato. Ka një lloj mllefi te lexuesi  për shkak të befasisë, le të themi ndërprerjes, në fund tek tregimet tuaja. Ju i mllefosni lexuesit tuaj.

Unë as që e di nëse e di se si i shkruaj historitë. Shkruaj. Nuk kam një program për këtë. Ka njerëz që mund të thonë që një histori zhvillohet, arrin një kulm, dhe kështu me radhë. Për sa më përket mua, unë nuk e di. Shkruaj historinë më të mirë të mundshme që mund të shkruaj… Historia duhet të shfaqë diçka, por jo gjithçka. Duhet të ketë një lloj misteri në të. Jo, nuk dua që lexuesi të mllefoset, por është e vërtete që krijoj një pritje e cila nuk përmbushet.

A mendoni që ka vuajarizëm në tregimet tuaja? Shfaqen shpesh njerëz që përgjojnë njerëz të tjerë, që mrekullohen nga jeta e fqinjëve të tyre, dhe kështu me radhë.

Kjo është e vërtetë. Por mund të thuhet që e gjithë proza është e tillë. Të shkruarit nënkupton thënien e gjërave që normalisht nuk u thuhen njerëzve. (Qesh.) Tek “Fqinjët” ka vuajarizëm, dhe tek “Ideja,” gjithashtu, me çiftin e vjetër, fuqinë  seksuale. Po menjëmend. Dhe tek  “Fqinjët,” pasi sheh apartamentin e fqinjit, çifti eksitohet seksualisht.

Seksi në tregimet tuaja është i rëndomtë ose çështje që lind nga këqyrja e jetës private të tjerëve. Sikurse tek “Pendët” dhe “Fqinjët”…

Por nuk ka shumë seks në tregimet e mia. Historitë janë goxha të këndshme, sikur është edhe vetë seksi. Është i këndshëm, por jo i flaktë. Është e vërtetë që seksi në tregimet e mia, kur është, ndodh në prapaskenë ose në mënyrë mekanike… Por nuk e di.

Tek “Ideja” vendosni së bashku gjëra që nuk para duket se shkojnë të rrinë bashkë: çifti që përgjon fqinjin e derës ngjitur dhe milingonat nën lavaman. Vendosni bashkë gjëra që nuk duket se kanë ndonjë farë lidhjeje.

Po. Por lidhja duket jo vetëm e mundur, por e pashmangshme. Nuk di si ta shpjegoj. Sërish them që nuk kam një program kur i shkruaj këto tregime. E fillova tregimin pa e ditur se do të shfaqeshin milingonat. Kur nisem, nuk e di se kah do t’ia mbaj. Por unë kam paraardhës të shkëlqyer për sa i përket kësaj. Kur e pyetën një herë Hemingway-n nëse e dinte se di do të përfundonte një histori pasi e kishte filluar atë, ai tha, “Jo, as që e kam idenë.” Flannery O’Connor ka thënë gjithashtu se, të shkruarit përbën zbulim. Ajo nuk e dinte se çfarë do të ndodhte pas çdo fjalie. Por sikurse thashë nuk ndodh ndofarë mrekullie që të arrish në fundin e historisë. Duhet të kesh një sens të dramës. Dhe fundi zbulohet gjatë shkrimit, ose më mirë gjatë rishkrimit, ngaqë unë besoj jashtëzakonisht tek rishkrimi, tek rishkrimi i temës, meqenëse fjala temë bën të mos ndihem rehat, le të themi sensin e historisë, kur rishkruhet sensi i historisë, atëherë, ajo që shkruan ndryshon pak pas secilës herë që bëhet kjo.

A jeni ndopak në dijeni të asaj që po shkruhet aktualisht në Francë?

Hmm, jo… jo që prej “romanit të ri”. (Gjë e mirë, apo jo?). Por duket sikur tregimet nuk janë popullore në Francë. Më kanë thënë që vjet me zor u botuan dhjetë përmbledhje me tregime. Ç’po ndodh? Dhe kur ke një paraardhës si Maupassant!

Përktheu: Granit Zela/palimpset/KultPlus.com

“The Guardian”: Shfaqja kosovare i kthen bisedimet e paqes në farsë

Kur liderët politikë paraqesin luftën si zgjidhjen e vetme, u takon artistëve t’u kujtojnë njerëzve se gjetja e paqes është ende e mundur. Kjo është pika e fillimit për një kompani teatrore me bazë në Kosovë, Qendra Multimedia, shfaqja e re e së cilës kthehet në luftën e fundit në Evropë para pushtimit të Ukrainës nga Rusia dhe eksploron se si u ndalua.

Mësimi që nxjerr dhe zhanri që zgjedh për të paraqitur gjetjet e tij, është i papritur: shfaqja “Negotiating Peace” e dramaturgut kosovar Jeton Neziraj e tregon diplomacinë e paqes si një farsë, ndonëse të domosdoshme, raporton “The Guardian”, transmeton Klankosova.tv.

Duke dramatizuar bisedimet e tryezave të rrumbullakëta midis vendeve imagjinare ndërluftuese të Banovisë dhe Unmikistanit, shfaqja është një komedi e furishme në të cilën gjeneralët e kotë mund të joshen në tryezën e bisedimeve vetëm nga premtimet për filma të Hollivudit që festojnë veprimet e tyre. Palët kundërshtare dehen ndërsa negociojnë zonat e çmilitarizuara, përziejnë draftet e marrëveshjeve të armëpushimit dhe nënshkruajnë në hapësirat e gabuara. Hartat e territoreve të diskutueshme janë të ndara me gërshërë letre derisa tokat e shenjta të kthehen në dushe konfeti.

E megjithatë, në fund të performancës 90-minutëshe, ish-armiqtë kryqëzojnë krahët për të kënduar “Peace in the Valley” të Elvis Presleyt dhe një personazh i Ratko Mlladiqit bëhet qullë teksa kupton se do të përfundojë përpara një gjykate për krimet e luftës.

“Kur flisni për gjëra serioze, nuk duhet të flisni për këtë në mënyrë serioze”, tha Orest Pastukh, një aktor ukrainas i cili është një nga pesë anëtarët e kastit shumëkombësh të Qendrës, me përvojë direkte me luftën në vendet e tyre. “Nëse do të flisnim seriozisht për luftën dhe paqen, të gjithë do të çmendeshin”.

Shfaqja, e cila do të shkojë në një turne evropian në Gjermani, Republikën Çeke, Serbi dhe Bosnje-Hercegovinë muajin e ardhshëm, bazohet gjerësisht në marrëveshjet e Dejtonit që në vitin 1995 i dha fund luftës trevjeçare e gjysmë të Bosnjës, kapitulli më vdekjeprurës në shpërbërjen e Jugosllavisë.

Në premierën e tij në teatrin Oda të Prishtinës javën e kaluar, shfaqja gjithashtu përzjeu elementet e zgjidhjes së paqes që katër vjet më vonë i dha fund luftës në Kosovë, një konflikt që shpesh mbahet mend si “lufta e mirë” e fundit e perëndimit dhe një kundërflamacion i fatkeqësisë në Irak që pasoi menjëherë.

Për t’i dhënë fund atij konflikti mes serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës në provincën e shkëputur, NATO veproi më shpejt dhe më agresivisht se sa kishte vepruar në luftën e Bosnjës. Në qendër të Prishtinës, mirënjohja për udhëheqjen e fortë të ShBA-së në bisedimet e paqes është ende e dukshme. Aty ndodhet një statujë e Bill Clintonit duke përshëndetur me dorë, një bust i Madeleine Albright dhe një rrugë me emrin Richard Holbrooke, diplomati buldozer që drejtoi ekipin negociator përgjegjës për zgjidhjen e krizës ballkanike.

Prandaj, mund të duket e habitshme që në “Negotiatiing Peace”, siguritë morale vijnë të mbështjella me sarkazëm dhe jo me patos. Personazhi i tipit Holbrooke, Joe Robertson, i luajtur nga Harald Thompson Rosenstrom, një norvegjez, nuk është vetëm një “bishë paqeje”, por gjithashtu “Mazarin skizofrenik, brutal” që ndjen kënaqësi seksuale nga bisedimet e rënda të krizës. Në një skenë, ai përpëlitet në tryezën e rrumbullakët me pantallona të nxehta dhe një parzmore lëkure, duke u rrahur furishëm me një flamur të bardhë. Në fund, shfaqja shpërblen përpjekjet e tij jo me një statujë, por me “emojin e tij”.

“Kur lexova memoaret e Holbrooke ‘To End a War’, kuptova se tryeza e bisedimeve ishte gjithashtu një lloj skene”, tha Neziraj në prag të premierës së shfaqjes së tij. “Dhe një skenë dramatike në të cilën aktorët po vepronin në mënyrë mjaft të çuditshme”, ku përfshiheshin negociatorët që organizonin daljet dhe kufijtë e rinj politikë që vizatoheshin në peceta.

Ai tha se studimi i marrëveshjes së Dejtonit, si dhe i marrëveshjes së Oslos të nënshkruar midis Izraelit dhe Palestinës në vitin 1993, i kishte hequr atij iluzionin se bisedimet e paqes ishin biseda të strukturuara të udhëhequra nga ekspertë në fushat e tyre. “Ato janë fryt i vullneteve të individëve në një moment të caktuar”, tha Neziraj.

Në Kosovë, një shkallë cinizmi rreth diplomacisë së paqes ishte e pashmangshme, tha ai, veçanërisht pasi tensionet u ndezën përsëri muajin e kaluar pas një përplasjeje midis personave të armatosur dhe policisë kosovare në një manastir pranë kufirit me Serbinë. Gjatë provave, Thompson Rosenstrom pyeti nëse kishte plane evakuimi nëse Serbia do të pushtonte. Drejtoresha, Blerta Neziraj, partnerja e Jetonit, e siguroi atë se prania e trupave të NATO-s nënkupton se një pushtim rus i Norvegjisë është më i mundshëm.

“Lufta nuk mbaron kur ju ulni armët”, tha Neziraj. “Ne në Kosovë jetojmë në një shtet të përkohshëm, i cili nuk është në luftë por as në paqe të plotë. Është një atmosferë frike dhe pasigurie, sepse fatura e luftës e viteve ‘90 nuk është shlyer plotësisht”.

Neziraj është i vetëdijshëm për cinizmin e tij dhe “Negotiating Peace” përfundimisht arrin ta ekspozojë atë. Nga fundi i shfaqjes, samiti duket si një dështim: besimi në OKB është copëtuar, ka thirrje për një konferencë të dytë të organizuar nga BE. Kryenegociatori i bën thirrje audiencës për këshilla për të dalë nga ngërçi.

Ndërsa shfaqja bën turne nëpër Ballkan, kompania synon të ftojë dëshmitarë të ndryshëm të jetës reale në skenë. Në Prishtinë, kjo punë i ra Aida Cerkezit, një korrespondente veterane e Associated Press e cila mbuloi rrethimin e Sarajevës. Monologu i saj 10-minutësh ndryshon humorin e shfaqjes.

“I vetmi parakusht për paqen është që të gjithë të mblidhen rreth të njëjtës tryezë”, tha ajo. “Dhe për t’i mbledhur të gjithë në të njëjtën tryezë, duhet të dobësoni ushtarakisht anën dominuese. Për sa kohë që njëra palë mund të mendojë se mund të fitojë, nuk ka asnjë arsye për t’u ulur në tryezën e bisedimeve. Në Bosnje, ky kusht u plotësua nga bombardimet e NATO-s”.

Cerkez hodhi poshtë idenë e përfundimit të luftës në Bosnje si një plan për t’i dhënë fund konflikteve të tjera, por tha se megjithatë kishte mësime. “Paqja nuk është mungesa e konfliktit të armatosur”, tha ajo. “Në Bosnje po jetojmë mungesën e konfliktit të armatosur, jo paqes. Por kjo nuk është asgjë. Është shumë”.

Teksa kasti festoi natën e parë me raki në lokalin e teatrit, aktori ukrainas Pastukh reflektoi mbi situatën në vendin e tij. “Kjo shfaqje më bëri të kuptoj se çdo luftë duhet të ketë një finale, por nuk e di se si do të funksiononte kjo në Ukrainë”, tha ai. “Serbia shpëtoi lehtë, dhe si rezultat disa nga të njëjtat probleme tani po ngrenë kokën. Pas luftës sonë, a do të kemi një Kosovë tjetër, apo një Nuremberg?”

A e kishte bërë atë më pesimist apo më shpresëdhënës për vendin e tij, pjesëmarrja në shfaqje? “Kjo është një pyetje interesante”, tha Pastukh. “Mendoj se jam bërë më realist. Sa herë që ka një zgjidhje paqeje në Ukrainë, ajo do të jetë një zonë gri. Do të ketë disa gjëra pozitive. Por do të ketë edhe disa negative”.

“Negotiating Peace” është në festivalin e teatrit “Euro-scene” të Leipzigut më 8 dhe 9 nëntor dhe në teatrin e qytetit të Pragës më 13 dhe 14 nëntor. /KultPlus.com

Si sot 137 vite më parë, “Statuja e Lirisë” u vendos në New York

Statuja e Lirisë iu prezantua publikut në Amerikë më 28 tetor 1886. Të dhënat lidhur me këtë statujë janë mjaft interesante.

Praktisht, emri origjinal i saj është “Liberty Illuminates the World”, edhe pse statuja është e njohur në mbarë botën si Statuja e Lirisë dhe është simbol i Nju Jorkut dhe Shteteve të Bashkuara.

Statuja është një personifikimi i lirisë në formën e një gruaje. Ajo mban një pishtar në dorën e djathtë të ngritur. Figura femërore e veshur me rroba përfaqëson Libertas, perëndeshën romake të lirisë. Ndërsa, statuja është 93 metra dhe peshon 204 tonë metrikë.

Vizitorët duhet të ngjitin 354 shkallë për të arritur kurorën e statujës.

Kjo statujë kolosale është një kryevepër e shpirtit njerëzor. Bashkëpunimi midis skulptorit Frédéric Bartholdi dhe inxhinierit Gustave Eiffel rezultoi në prodhimin e një mrekullie teknologjike që bashkon artin dhe inxhinierinë në një mënyrë të re dhe të fuqishme./KultPlus.com

Shfaqja ‘Allo Allo’ fiton ‘Çmimin e Publikut’ në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit të Tetovës

Mbrëmë ka përfunduar edicioni i tetë i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit të Tetovës, shkruan KultPlus.

Në këtë edicion, çmimin ‘Çmimi i Publikut’ e fitoi shfaqja ‘Allo Allo’ nga Teatri i Gjakovës ‘Hadi Shehu’ me regji të Ilir Bokshit.

KultPlus ua sjell njoftimin e plotë të Teatrit të Tetovës:

I dashur publik!
Edicioni i 8-të i Festivalit Ndërkombëtar i Teatrit të Tetovës, përfundoi mbrëmë! Ne ju falenderojmë që çdo natë na keni vizituar dhe e keni mbushur sallën plot e përplot!
Pasi festivali nuk kishte karakter garues, fituesin e keni zgjedhur ju vetë, me votat që keni hedhur çdo natë në kuti!

“ÇMIMI I PUBLIKUT”, sipas votave të juaja, shkon për Teatrin e qytetit “Hadi Shehu-Gjakovë, me komedinë e shkëlqyer “Allo Allo”, me regji të Ilir Bokshit!

Urojmë fituesit e festivalit dhe ju dëshirojmë shumë suksese tjera!

Falënderojmë edhe të gjitha trupat pjesëmarrëse që na e zbukuruan festivalin!

Mirupafshim në edicionet e rradhës /KultPlus.com

‘Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit’, vepër emblematike e letërsisë shqipe

*Jusuf Buxhovi: “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, roman, botoi “Naim Frashëri”, Tiranë, 1985.

Nga Erget CENOLLI

Dy njerëz zbresin prej malit. Njëri mbart, si një muze shëtitës, të ndodhurat e së shkuarës; tjetri, prej së shkuarës, ravijëzon të ardhmen në synim dhe përfytyrim. Sipër, Shkëlzeni “shkëlqen e nxeh”; teposhtë Ereniku sjell shqetësime të moçme.
Kështu nis, thënë përmbledhtazi, romani “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” i Jusuf Buxhovit.
Kushdo që dëgjon emrin e Gjon Nikollë Kazazit, zbulues i “Mesharit të Gjon Buzukut”, përgatitet të lexojë një histori bibliotekash me libra të humbun e zbulime të befta pergamenash, por jo…

                             Dy kontekstet

Qysh në fillim të leximit në vepër dallohen qartë dy kontekste:
a)Konteksti i rrëfimit
b)Konteksti i rrëfimtarit

•E para shtrihet në kohën historike të Perandorisë Osmane, vendi i pushtar nga një pushtues që nuk njeh rregulla, për shkak të origjinës dhe synimeve. Origjina nga një vend me qytetërim më të prapambetur se qytetërimi ilir i truallit të pushtuar; synimet mëtojnë kah zhdukjes dhe zëvendësimit të racës së lashtë dhe vendase, me racën e të ardhurve të etur për të plotësuar mungesat e gjithanshme të prejardhjes.
Një pushtues është superior pasi zotëron forcën dhe egërsinë, ndërsa i pushtuari është superior në pozitën gjeografike, natyrën më të bukur e më pjellore, kulturë më të lashtë e më të zhvilluar. Inferiori është gjithmonë në mësymje për të plotësuar mungesën shpirtërore dhe materiale me cilësitë e të pushtuarit, por koha ka treguar që inferiori mbetet gjithmonë inferior.
Shpesh është shtruar pyetja: Pse ilirët nuk kanë pushtuar kënd, por vetëm kanë lëshuar territore? Sepse Iliria ka pasur natyrë të mrekullueshme e pozitë gjeografike të lakmueshme, burime natyrore të pashtershme, kulturë shpirtërore të zhvilluar qysh në shpërgejtë e njerëzimit, ndaj nuk kanë pasur kurrfarë nevojë t’ia rrëmbejnë ato tjetrit.
•E dyta, pra konteksti i rrëfimtarit, shtrihet në një periudhë po ashtu pushtimi, kur vendlindja dhe vendbanimi i shkrimtarit lëngonte nën Serbi. Edhe kjo periudhë historike karakterizohet nga dëbime masive, represion gjenocidist në fushën ekonomike dhe sidomos kulturore.
Ushqyer nga këto dy burime, romani të tërheq tronditshëm në një prozë brilante me karaktere të fytyrëzuara plot detaje, zëra dhe ngjyra, që lundrojnë në një mjedis gjithmonë në lëvizje, me ngjarje të mirë konfiguruara, me prapakthime të befta dhe histori njerëzore që depërtojnë deri në thellësitë e psikoanalizës.
Ngjarjet vendosen brenda qytetit të Gjakovës, në një hapësirë që vorbullohet nga kisha katolike ku përgatitet qëndresa shpirtërore e vendasve; tek sarajet e pushtuesit ku merren dhe zbatohen vendimet e tragjike për zhdukjen e popullsisë vendase dhe zëvendësimin me popullatë aziatike; duke u zhvendosur mandej tek Çarshia ku gëlon e rritet forca shpirtërore dhe qëndresa e vendasve dhe spitali i të sëmurëve, që qëndron si kërcënim permanent mbi jetën e banorëve.
Romani, që në përshtypjen e pare duket si një narrativë klasike, në të vërtetë është një vepër imazhiste. Sipas “shpikësit” të imazhizmit Ezra Pound: “Imazhi është ai që paraqet një kompleks intelektual dhe emocional në një moment të caktuar të kohës.” Në një prej poezive të tij imazhiste lexojmë:

“Ngjis bedenat një nga një
E vështroj tokën barbare:
Shkretëtira paanë, qielli, shkretë kështjella.
Këtij fshati s’i ka mbetur mur.
Kocka që zbardhin nga një mijë ngrica,
Pirgje të larta mbuluar nga pemët dhe bari;
Gjithë këto kush i solli?
Kush i ndolli rraqet luftarake, daullet?
Mbretërit barbarë…”
(Nga “Kanto të zgjedhura” shqipëroi Edion Petriti)

Ndërsa në veprën e Buxhovit lexojmë: “Mjeku Shefki aga rrinte pas me thika të gjata, të cilat i pehaste furishëm dhe nga ajo pehatje krijohej gjak i cili bëhej si lumë…” (Botim i “Naim Frashërit” faqe 42)
Më tej:
“Një dervish u shkëput nga korri i dervishëve dhe filloi të sillej me një flamur të gjelbër. Po e përqafonte dhe e sillte në ajër. Pas tij doli një tjetër me një flamur të kaltër… Një oficer pastaj filloi të çirrej dhe t’i përmendte me rradhë emrat e flamujve që mbanin dervishët…Ca kishin hajmali, rruaza dhe fjalë të shkruara në arabisht dhe persisht”. (Po aty faqe 133)
Këto rrëfime, të një narrative epike, krijojnë një vorbull imazhesh tek lexuesi dhe ai rrëmbehet duke përjetuar realisht në fantazinë e tij këto skena djallëzore prej mbretërish e pushtuesish barbarë.
Invazioni i së padukshmes
Boshti i ngjarjeve të romanit tirret tek sëmundja e murtajës. Bota e ka përjetuar shpesh këtë sëmundje me një agoni të tmerrshme, sidomos në Mesjetë. Letërsia e ka përshkruar me metafora të zymta e epitete të sëmurë në vepra të herëpashershme.
I pari shkrimtar që ka paraqitur një situatë murtaje është Homeri, “Iliada” hapet me një epidemi të tillë në kampin e Akejve. Kjo epidemi shpërndahet prej shigjetave të infektuara të hyut Apolon, i mërzitur prej veprimeve të ndyra të Agamemnonit:

“Po cili zot këtë armiqësi ua ngjalli?
Biri i Letosë e i Zeusit, pse, i zemëruar
me prijsin, çoi ndër rradhët e ushtrisë
murtajë shfaruese dhe polemic vdiste…” (Kënga e parë vargjet 10-13, shqipëroi Pashko Gjeçi)

Homerti shpjegon se sëmundja ngjitej prej kafshëve tek njerëzit:

“Më parë goditi
mushkat e qentë e shpejtë, pastaj mbi njerëz
t’rreptat shigjeta hodhi dhe i shfarosi.
Kudo grumbuj t’mëdhenj kufomash digjeshin…”

Në veprën “Shënime të Gjon Nikollë Kazazit” , murtaja vjen nga lindja prodhuar në kazanët diabolikë të perandorisë, prej dijetarësh djallëzorë , që projektojnë dhe eksperimentojnë shfarosjen e popujve rebelë. Të pakënaqur nga mbijetesa e popullit shqiptar, që nuk mposhtet nga hordhitë e çallmave me shpata, heshta e hanxharë të përgjakur, ata përgatisin invazionin e tmerrshëm të sa padukshmes.
Kjo murtajë futet tinëzisht në qytetin e Gjakovës, me qerre të maskuara nën një petk të zi, në errësirën e zezë të natës. Përhapet nga minjtë mbartës dhe shpërndahet në ajrin e qytetit duke u përgatitur të sulmojë me një invazion të llahtarshëm vdekjeprurës shpirtrat e pamposhtur të atij qyteti.
Beteja zhvillohet në dy kampe, në atë të padukshmes që përmendëm më sipër dhe në realen e së përditshmes, aty ku autorët e këtij makabriteti, përplasen sy më sy me qëndrestarët. Dy vështrime që përpiqen të demontojnë njëri-tjetrin:
Njëra palë forcën e pushtetit të pakufizuar;
Pala tjetër mençurinë mijëravjeçare të eksperimentuar dhe provuar suksesshëm në laboratorin e qëndresës së përjetshme.
Natyrshëm këto ndërthuren e më pas shkrihen në një. Dy brezat që përmendëm në fillim: muzeu shëtitës i së shkuarës, me njeriun e së ardhmes. Të dy këta personazhe, si në një bosht ku pështillen tradita, besa, shkrimi , gjithçka që vjen prej një qytetërimi të lashtë me një lidhje të pashkëputur me të tashmen historike dhe të ardhmen; bashkuar si tufa e thuprave të Kastriotit, mposhtin me turp të keqen.
Ndërthurur në linja subjekti mes së vërtetave historike dhe imazheve dramatike, romani i Buxhovit më shumë përjetohet sesa lexohet. Ai të rrëmben, të ngërthen, të cfilit duke të hedhur rresht më rresht, faqe më faqe e kapitull më kapitull. Në fund ke ndjesinë sikur ke dalë prej një ankthi dhe ke dëshirë të nisesh e të shëtisësh nëpër Gjakovë, të dalësh m’at anë Erenikut dhe të shohësh se sa shumë humbës kaluan këtej pari, duke lënë vraga të thella në trupin dhe shpirtin tonë.

                                 Pak komparativizë

Në vend të epilogut do të doja të ndalesha shkurt në disa konsiderata të mija rreth një shkrimi krahasimtar që është bërë ndërmjet “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” të Jusuf Buxhovit me “Kështjella” të Ismail Kadaresë nga A.Zoto. Autori krijonte përqasje të shumta midis dy veprave dhe kjo gjë m’u duk disi e pastudiuar, pasi:
Këto vepra mund të ngjajnë me njëra tjetrën vetëm nga fillesa e temës së “luftës të popullit shqiptar kundër perandorisë osmane”, ndërsa në shtjellim janë larg njëra- tjetrës, për disa arsye:
1.”Kështjella” shpalos tablo të gjera me ushtri qindramijëshe, ngarkuar me armatime të rënda, me çadra e logjistikë të paanë pushtuese.
“Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” përkundrazi fushën e betejës e vendos më së shumti në hapësirat e së padukshmes, me invazione infektuese mikrobesh armike.
2.”Kështjella” ka përplasje trupash me heshta dhe shpata të përgjakura
“Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, përkundrazi, zhvillohen më tepër në fushën e inteligjencës sesa në shesh-mejdan.

  1. Ajo që është më kryesorja: “Kështjella” e sheh izolimin si një mjet shpëtimtar për shqiptarët, i izoluari nuk pëson asnjë dëm , përkundrazi del më i fortë prej izolimit.
    Tek “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” nuk është kështu: Në faqet e tij izolimi përshkruhet si bartës i një të keqeje aq të madhe sa edhe vetë murtaja,madje atë që s’mund ta bëjë murtaja e plotëson izolimi.
    Thënë përmbledhtazi: “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” është një roman me fytyrën e vet të pangjarë në letërsinë shqipe, por edhe në atë të huaj.
    Korçë, tetor 2019./KultPlus.com

Sonte nata finale e Festivalit të Këngës në RTK, 10 këngë synojnë trofeun

Në natën e dytë të Festivalit të Këngës juria profesionale i ka përzgjedhur dhjetë këngët finaliste, të cilat sonte synojnë të fitojnë trofeun e këtij festivali.

Finalen nga juria e siguruan:  

Albin Nikprelaj me këngën “Ajo”

Auron Deva me “Çmimi i dashnisë”

Angus Dei me “Një zemër për dy”

La Fazani me “Oj Kosovë”

Urban Band me “Ëndrrat s’kanë faj”

Nita Latifi me “Marrëzi”

Neki Emra me “Heroi im”

Hilmi Obertinca me “Pa ty s’më rrihet”

Saranda Alija me “Mendoj ku je”

Klea Dina me “Trenat”

E njëra nga këto këngë do të jetë fituese e edicionit historik të Festivalit të Këngës në RTK, në natën finale, e cila do të mbahet sonte në orën 21:00.

Juria e edicionit të parë përbëhet nga kryetarja Alma Bektashi, anëtarja që vjen nga Suedia dhe ka përfaqësuar shtetin e saj në “Eurovision”, Ulja Sjostrom si dhe anëtarët e tjerë si kompozitori nga Tirana, Adi Hila, këngëtari Alban Nimani dhe artistja e arteve pamore, Zake Prelvukaj.

Shpërblimi për çmimin e parë do të jetë trofeu i punuar nga Arbenitë Shala e Zana Ramadani, e cila ka simbolikën e Kosovës që shkëlqen.

Gjithashtu fituesit apo fitueses do t’i jepet një dhuratë e rëndësishme, që është një medaljon me shqiponjën e flamurit shqiptar që ka 500 diamante.

Ndryshe nata e dytë e Festivalit të Këngës në RTK ka sjellë emocione të shumta për publikun e pranishëm dhe për teleshikuesit kudo në trojet shqiptare dhe në diasporë përmes transmetimit direkt në Radiotelevizionin e Kosovës, Radiotelevizionin Shqiptar dhe Radiotelevizionin e Maqedonisë së Veriut në kanalin e dytë, por edhe përmes platformave online të RTK-së. Ndërkohë, 18 garuesit e këtij festivali riperformuan përplot emocion këngë pas kënge./KultPlus.com

S’më kujtohet çfarë stine ishte…

Poezi e shkruar nga Ismail Kadare. 

S’më kujtohet çfarë stine ishte
Sdi përse qëlloi që u ndamë
Di se ditët e mia, pa ty ishin
Të turbullta si në gjendje nokdauni.

Pa ty ishin lajmet e mbrëmjes,
Evropa,
Dimri mbi Azi.
Pa ty,
Stolit vjeshtor diçka i mungonte
Dhe pishinës në periferi.

Diçka i mungonte të shtunës
Po bota kish mbetur po ajo
Po ata qenë të pushkatuarit e komunës
Dhe kufijtë shtetërorë po ato.

Ti atëherë atë vajzë lëre
Siç e leme cigaren me zor

Që të dëbosh nikotinën e verdhë
Nga shpirti dhe nga gishtat e tu,
Që peizazheve të jetës tënde
Hëna të bjerë si dikur./KultPlus.com

Publikohet traileri i plotë i sezonit të 6-të të ‘The Crown’

Është publikuar traileri i parë i plotë për sezonin 6 të serialit të njohur të Netflix, ‘The Crown’.

Sezoni i gjashtë dhe i fundit do të jetë i ndarë në dy pjesë. Sipas njoftimit zyrtar të platformës, pjesa e parë do të ketë premierë më 16 nëntor, ndërsa e dyta më 14 dhjetor.

Traileri tregon momentet e Princeshës Diana përpara përplasjes në Paris, ku ajo u vra, së bashku me Dodd al-Fayed, në gusht 1997.

Deri më tani, nuk janë publikuar detaje të tjera për sezonin e gjashtë të serialit.

Kasti përfshin: Imelda Staunton si Mbretëresha Elizabeth II, Elizabeth Debicki (Tenet) si Diana, Lesley Manville si Princesha Margaret, Jonathan Pryce si Princi Philip, Dominic West si Princi Charles, Olivia Williams si Camilla Parker, John Lee Miller si Kryeministri John Major dhe Bertie Carvel si kryeministër Tony Blair./KultPlus.com

80-vjetori i Roza Anagnostit, atmosferë festive mes kolegësh e artdashësish

Në sallën e Kinema Millennium është kremtuar 80-vjetori i lindjes së aktores Roza Anagnosti, Nderi i Kombit. Kanë qenë të pranishëm breza të ndryshme kineastësh, kolegë të artistes, familjarë, artdashës etj. Mes atyre që uruan ishte edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti. 

Me mbi 20 role në kinematografi e shumë të tjera në teatër, Roza Xhuxha Anagnosti, arriti të fitonte zemrën e publikut. Në event, ajo falenderoi familjen, veçanërisht bashkëshortin Dhimitrin e më pas edhe publikun, që e mirëpriti sinqeritetin me të cilin artistja punoi. Fjalën përshëndetëse, Roza Anagnosti e kishte përgatitur, duke e parashikuar që mbrëmja do të ishte tejet emocionuese.

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit shfaqi për të pranishmit filmin e saporestauruar “Mësonjëtorja”, ku Roza Anagnosti ka përjetësuar me rolin e Dafinës, figurën e Sevasti Qiriazit. 

Mbrëmja vijoi me fjalën e ministres Margariti dhe dhënien e një dhurate nga Ministria e Kulturës./KultPlus.com