Shkurte Fejza shënon 50 vjet karrierë dhe kontribut në muzikën popullore

Një nga emrat më të njohur të skenës muzikore shqiptare, Shkurte Fejza, shënoi sot gjysmë shekulli karrierë e kontribut në muzikën popullore, shkruan KultPlus.

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, e ka mirëpritur në takim në zyrën e tij, me ç ‘rast u diskutua edhe pjesa e bashkëpunimit të mëtutjeshëm.

“E madhja e skenës muzikore shqiptare, Shkurte Fejza, vitin që vjen mbush 50 vjet karrierë e kontribut në muzikën popullore. Pata nderin e veçantë ta takoj në zyrën time ku diskutuam për bashkëpunimin që na pret për ta shënuar sa më dinjitetshëm gjysmë shekulli veprimtari muzikore dhe atdhetare. I urova shëndet, jetë të gjatë dhe vazhdimësi të punës artistike”, shkruan Çeku.

Së shpejti pritet që të ketë ndonjë koncert nga Shkurte Fejza për të shënuar 50 vjet krijmtari. /KultPlus.com

“Dheu pas shiut”, ekspozitë solo nga Luljeta Rama në Muzen Kombëtar të Kosovës

Në Muzen Kombëtar të Kosovës, një ngjarje kulturore emocionuese po përgatitet të shqyrtohet me emocion dhe pasion nga të gjithë dashamirësit e artit, shkruan KultPlus.

Do të organizohet një ekspozitë e veçantë, e titulluar “Dheu pas shiut”, të cilën do ta prezantojë artistja Luljeta Rama Muçaj.

Ekspozita “Dheu pas shiut” është një ekspozitë solo nga Luljeta Rama Muçaj.

Data zyrtare për hapjen e kësaj ekspozite është 20 dhjetor, dhe ngjarja do të nisë në ora 19:00.

Kuratori i kësaj ekspozite është Fatmir Juka./KultPlus.com

Kori Siparantum ftohet në koncertet e fundvitit në Wiener Konzerthaus

Kori “Siparantum” është ftuar të marrë pjesë në festën e fundvitit me Wiener Singakademie në koncertet e Wiener Konzherthaus, shkruan KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur dirigjenti Memli Kelmendi, i cili ka thënë se kjo është një ëndërr që po bëhet realitet.

Postimi i plotë:

“Të dashur miq,
Po e ndajmë një lajm të rëndësishëm për kulturën e muzikës korale, një ngjarje e madhe historike për ne dhe jo vetëm.
Kori Siparantum është ftuar të marrë pjesë në festën e fundvitit me Wiener Singakademie në koncertet e Wiener Konzerthaus. Koristët do të ngjiten në skenë së bashku me Orkestren Simfonike të Vienës dhe Korin Wiener Singakademie.
Performanca tradicionale e Simfonisë së 9-të të Beethoven-it (në d-mol, e kompozuar në mes 1822-1824) është pjesë e festave të Vitit të Ri në Wiener Konzerthaus për 26 vjet. Këtë vit, kënaqësia jonë është e dyfishtë, pasi Kori Siparantum do të jetë pjesë e këtyre koncerteve. Koncertet do të drejtohen nga Omer Meir Wellber dhe janë planifikuar për datat 30 dhe 31 dhjetor 2023, si dhe 1 janar 2024, në orën 19:00.
Përveç kësaj, me datë 29 Dhjetor në ora 20:00 Kori Siparantum do të këtë koncertin në Votivkirche, Wien, që ndryshe nga ky vend kanë dalur shumë vepra të kompozitorit të madh Anton Bruckner; Locus iste dhe shumë të tjera. Organo historike në Kishën Votive u ndërtua në 1878 nga kompania e njohur e ndërtimit të organeve E. F. Walcker dhe u inspektua nga Anton Bruckner. Hyrja në koncertin tonë është pa pagesë.
Një ëndërr që po bëhet realitet!”, shkruan Kelmendi. /KultPlus.com

Sarajeva, qyteti me ajrin më të ndotur në botë, Prishtina në vendin e 20-të

Kryeqyteti i Bosnje – Hercegovinës, Sarajeva, është në krye të listës së qyteteve me ajrin më të ndotur në botë, sipas të dhënave të platformës AirVisual, e cila mbledh informacione nga stacionet matëse në gjithë botën.

Pas Sarajevës renditet qyteti Lahore në Pakistan, Kolkota në Indi dhe Beogradi i Serbisë.

Prishtina renditet në vendin e 20-të, ndonëse në orët e paradites ka qenë në vendin e 12-të.

Shkupi është në vendin e tetë dhe Zagrebi në vendin e 13-të./rtv 21/KultPlus.com

105-vjetori i Kongresit të Tiranës

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujton se më 19 dhjetor 1918 u mbajt Kongresi i Tiranës.

Ky Kongres u mbajt në vazhdën e veprimeve për organizimin e një kongresi mbarëkombëtar, për të arritur konsolidimin e shtetit të ri shqiptar. Të gjitha zhvillimet çuan në organizimin e Kongresit të Lushnjes, më 28-31 janar 1920.

Në organizimin e Kongresit të Tiranës, një rol të rëndësishëm luajti ish-nënprefekti Rauf Fico. Në mbledhjen e mbajtur në zyrën e Rauf Ficos, më 7 dhjetor 1918, ku mernin pjesë Sotir Peçi, Abdyl Ypi, Ismail Ndroqi, Mytesim Këlliçi, Sinan Hoxha, Myslim Beshiri dhe Rauf Fico, u vendos që të thirreshin qarqet Elbasan, Peqin, Kavajë, Durrës, Mat, Dibër, për të biseduar për bashkimin e këtyre viseve.

DPA publikon edhe ftesën e hartuar për t’iu dërguar delegatëve që do të ftoheshin në Kongres, si edhe përgjigjen e delegatëve të Divjakës./atsh/KultPlus.com

Fshati turistik i Rehovës kthehet në shesh xhirimi nga regjisorja italiane

Bashkia Kolonjë njofton se, fshati i njohur turistik Rehova, është kthyer gjatë këtyre ditëve të ftohta në shesh xhirimi. Regjisorja italiane Guilia Grandinetti është duke xhiruar një film i cili trajton historinë e dashurisë mes një vajze shqiptare dhe një djali serb, marrëdhënie që has vështirësi por përfundon në altar.

Rehova u zgjodh krejt rastësisht prej regjisores italiane. Ajo kishte ardhur në Shqipëri për të zgjedhur vendin e duhur për të xhiruar këtë film.

Ka mjaftuar një defekt në mjetin e saj në Ersekë, për të zgjedhur këtë qytet por shumë më tepër Rehovën e njohur si sheshin ideal të xhirimit të filmit të saj.

Regjisorja ka zgjedhur një vajzë italiane që do të luajë personazhin shqiptar, edhe per faktin se karakteret janë pothuajse të njëjta, gjë që e pranon dhe aktorja kryesore e filmit, Caterina Bagnulo kur tha se, pikërisht për këtë ngjasim karakteresh e ka pranuar me dëshirë këtë rol.

Ndërsa në rolin e babait të vajzës është zgjedhur kolonjari Julian Jashari, me profesion arkitekt por që i ka bindur kineastet se karakteri i tij rri mirë si një baba shqiptar patriarkal.

Rehova është 2 km larg Ersekës dhe është i rrethuar nga kurora e 23 kishave. Rehova është shpallur Qendër e mbrojtur Historike me vendim të Këshillit të Ministrave, i miratuar më 25 janar 2017. Fshati i Rehovës është i njohur në të gjithë vendin për artizanatin, mikpritjen, gatimet e veçanta, bukuritë dhe trashëgiminë e pasur, të ruajtur deri në ditët e sotme./ atsh / KultPlus.com

Dua Lipa rekomandon listën e preferuar të librave, në mesin e tyre edhe Lea Ypin

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa së fundmi ka rekomanduar një listë të librave që duhen lexuar për fundvit, shkruan KultPlus.

Përmes një insta story Lipa ka paraqitur një listë me 12 libra, me mbishkrimin “Dua’s 12 books of Christmas”.

Në mesin e këtyre titujve ajo ka vendosur edhe shkrimtaren shqiptare Lea Ypi, çka është mirëpritur jashtëzakonisht mirë nga fansat e saj shqiptarë. Disa nga titujt tjerë që ajo ka rekomanduar janë: “Trust” nga Hernan Diaz, “Crying in H Mart” nga Michelle Zauner dhe “Beautiful star” nga Yukio Mishima./ KultPlus.com


Ag Apolloni reagon ndaj Draft-Statutit të UP-së, e quan Kanuni i UP-së

Shkruan Ag Apolloni

Të martën (12. 12. 2023), nga ora 13:00, në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Komisioni Parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, na e mundësoi një dëgjim publik për Draft-Statutin e UP-së që është dërguar për miratim në Kuvendin e Kosovës. Sigurisht, një pjesë e personelit akademik, e mësuar të shpërfillet nga udhëheqësit prepotentë të universitetit tonë, ishte e befasuar që iu dha kjo mundësi. Në mesin e të befasuarve isha edhe unë, që kam reaguar disa herë për qasjen e çuditshme të Rektoratit dhe Ministrisë së Arsimit ndaj arsimit universitar (të pranishëm nuk ishin: rektori, prorektorët, dekanja, shefat dhe disa profesorë. Sipas fjalëve që qarkulluan aty, disa s’kishin ardhur, sepse rektori u kishte thënë mos të merrnin pjesë në atë dëgjim publik, se, siç e merrni me mend, kanuni i tij nuk diskutohet, por vetëm zbatohet; ndërsa disa të tjerë s’kishin ardhur, sepse ishin “idhnu” që u janë ulur rrogat). Arsyet e shpërfilljes së reagimeve të mia nga rektori dhe zonja ministre mund të kenë qenë dy: 1. të adresuarit janë plot vetëbesim, rrjedhimisht e shohin veten të pagabueshëm; 2. të adresuarve u duhet një formim tjetër për ta kuptuar informimin tim.  

Meqë për pyetjet që u kam bërë (publike dhe interne) rektorit dhe ministres, s’kam marrë përgjigje, s’e kam ndërmend t’u drejtohem prapë. Me këtë po u drejtohem atyre që nesër do ta kenë këtë Draft-Statut në rend dite për ta votuar në Kuvend. Ky Draft-Statut ka aq shumë gabime (jo vetëm gjuhësore) dhe kontradikta, enigma dhe surpriza, saqë gjëja e parë që duhet të bëjnë deputetët është ta rikthejnë për rishikim, nëse jo për rishkrim nga fillimi. E, në fakt, qysh në fillim, lëshimet janë të dukshme. Në nenin 1 nuk bëhet një distancim nga universiteti homonim që gjendet në Mitrovicë të Veriut (wikipedia thotë se të dy universitetet janë themeluar më 1969, dhe të dy quhen Universiteti i Prishtinës, të dy janë në Kosovë, vetëm se universiteti serb ka dy data themelimi: 1999, de facto, dhe 1969, de jure, sipas serbëve. Një mosdistancim i tillë pati shkaktuar atë gafën e njohur të rektorit aktual që qe mburrur me ngritjen e UP-së në një ranglistë spanjolle, e cila universitetin tonë e njihte si universitet të Republikës së Serbisë. Kjo i bie si të dalësh për të brohoritur për “Hasan Prishtinën”, ndërkohë që në duar mban flamurin e Serbisë). Në nenin 2, nuk tregohet pse Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, nuk do të quhet kështu në dokumentet zyrtare. E kam thënë edhe më parë: s’kam qenë dakord kur ia vunë emrin, s’jam dakord as tani që po ia heqin. S’isha dhe s’jam dakord, sepse ashtu siç nuk dhanë arsye për vënie, s’japin arsye as për heqje. Nëse kanë arsye, le t’ia heqin emrin Hasan, e le t’ia vënë Qerim, nuk më prish punë. Vetëm le të veprojnë me arsye.  

Në nenin 6, ku flitet për barazinë, thuhet “Universiteti respekton parimet kushtetuese të mosdiskriminimit dhe të ofrimit të mundësive të barabarta” dhe “Universiteti obligohet të krijojë mundësi të barabarta për të gjithë”, ndërsa, siç e potencuan profesoreshat që morën pjesë në dëgjim publik, neni pasues e rrëzon këtë nen. Në nenin 7, te pika 1, thuhet: “Universiteti siguron dhe mbështet barazinë gjinore”, ndërsa te pika 2, paralajmërohet: “Në rastet kur kandidatët burra dhe gra i kanë kualifikimet dhe të arriturat profesionale të barabarta, përparësi do t’i jepet kandidates grua”. Reagime për këtë pati vetëm nga gratë. Unë, natyrisht, jam dakord që t’u jepet përparësi grave (për shumë arsye), por vetëm duhet riformuluar, ose duhet thirrur dikë që di të shkruajë. E di që hartuesit kanë dashur të thonë diçka tjetër, por në statut lexohet teksti, jo ajo çka ka dashur të thotë “autori”. S’ka asgjë jashtë tekstit, thotë Derrida. Po në këtë nen, thuhet se për gratë dhe personat me nevoja të veçanta do të ketë politika afirmative. Prapë kam frikë se futja e dy kategorive të ndryshme në një, nuk është menduar mirë, dhe çdo grua mund ta kuptojë se, siç thuhet, duke ia ndrequr vetullat, ia kanë nxjerrë sytë.

Megjithatë, reagimi është për diçka tjetër, që lidhet jo vetëm me dy departamentet nacionale (albanologjike), Gjuhën Shqipe dhe Letërsinë Shqipe, por edhe me politikën servile që promovon Draft-Statuti, sipas të cilit vetëm profesorët, punimet e të cilëve dalin në platforma të huaja, janë të denjë të japin mësim në Universitetin e Prishtinës. Punë e madhe nëse profesorët kanë libra, punime shkencore, përkthime, pjesëmarrje në konferenca, shpërblime, mirënjohje, njohje (famë) kombëtare e ndërkombëtare. Edhe po të kenë ndonjë Nobel, prapë s’janë të denjë për UP. Nëse nuk publikojnë në dy platformat që i imponon “Statuti”, asnjë pikë s’e marrin. Dhe, jo vetëm që s’e marrin asnjë pikë, por, sipas neneve 155, 156, 157, rrezikojnë t’u merren edhe thirrjet që i kanë marrë (pra, nuk u lejohet as rizgjedhja në thirrjen e fituar, nëse s’kanë asnjë publikim aty ku këmbëngulin ata që e bëjnë kanunin).

Të gjithë e dimë se, në emër të arritjes së standardeve evropiane, Kosova qe futur nën protektorat. Si ka mundësi që askush s’e kupton që, po në emër të arritjes së standardeve evropiane, Universiteti i Prishtinës po futet nën protektorat? Kanë thënë se duhet të na mbikëqyrin të huajt, se ne s’dimë të mbajmë shtet; po thonë se punimet tona duhet t’u nënshtrohen vlerësimeve të të huajve, se ne s’dimë të shkruajmë, as të botojmë. Çka është ky servilizëm? Disa që bëjnë shkrime kolektivisht, ndoshta vërtet s’dinë të shkruajnë, mirëpo ka plot të tjerë që dinë dhe s’e pranojnë as konceptin “autor i parë”, apo “autor i dytë”, sepse puna intelektuale, sidomos në fushat ku tregohet kulturë shkrimi dhe leximi, dhe ku kërkohet identitet intelektual, njeh vetëm konceptin “autor”, që do të thotë “autor i vetëm”.

Draft-Statuti përpiqet të aplikojë të njëjtin standard te të gjithë. Kjo është çmenduri. Mandati menaxherial i një personi mund të mos jetë i plotë, por personi që harton Draft-Statutin s’duhet të jetë i mangët. Prandaj, mangësitë e këtij drafti duhet të plotësohen, të rregullohen, në mënyrë që të ndihen të plotë dhe të përmbushur edhe hartuesit e tij.

E dimë që gjuha juridike është e thatë, jo vetëm në gjuhën shqipe. Mirëpo gjuha e këtij Draft-Statuti është kërcënuese, zhvlerësuese dhe penalizuese. Asnjëherë inkurajuese, apo motivuese. Diskursin kërcënues, zhvlerësues dhe penalizues e gjeni vazhdimisht, e sidomos në nenet që lidhen me avancimin dhe publikimet. Një gjuhë e tillë nuk mund të tolerohet edhe sikur selia e Scopus-it të ishte te ëmbëltorja “Missini”, në oborr të fakultetit, e jo më në Amsterdam. (E, kush e ka menduar që do të vijë dita që ai vend, i njohur për drita të kuqe, do t’ua ndezë profesorëve dritën jeshile për avancim?!)

Neni 161 flet për rregullore të veçantë për Fakultetin e Arteve. Kam kryer studimet në Fakultet të Arteve dhe në Fakultet të Filologjisë, dhe e di që shumë më specifike (dhe më të pamundura për t’iu nënshtruar vlerësimit ndërkombëtar), duke qenë nacionale, janë departamentet albanologjike (Departamenti i Letërsisë Shqipe dhe Departamenti i Gjuhës Shqipe) të Fakultetit të Filologjisë sesa Fakulteti i Arteve. Kjo është aq e kuptueshme saqë kam frikë se vetë sqarimi mund të merret si një lloj ofendimi.

Pra, s’ka rregullore të veçantë për departamentet albanologjike, por ka për Fakultetin e Arteve. Mendoni pak për këtë! Profesorit të Fakultetit të Arteve i merren parasysh veprat artistike, ndërsa profesorit të letërsisë – jo. A nuk e kuptojnë që edhe një roman është vepër artistike, dhe që Departamenti i Letërsisë Shqipe ka edhe shkrimtarë, të cilët, natyrisht, janë artistë? Apo nuk e dinë që letërsia është art?

Në tekstin “Kambana e Universitetit” (të publikuar në muajin shkurt), kam folur për fiksimin e Rektoratit dhe Ministrisë me platformat Scopus dhe Web of Science, dhe s’dua të humb kohë prapë duke folur për to, por disa fjalë duhet t’i shtoj këtu patjetër. Besoj se të gjithë e dinë se ato platforma janë vetëm databaza. Nëse shkenca paska mbetur në databaza, mjerë ne e mjerë shkenca. Për më shumë, ato janë databaza me buxhet prej miliardash (Scopus është databazë e Elsevier-it, që ka një buxhet rreth tre miliardë dollarë në vit, kurse kompania e Web of Science të hyrat brenda vitit i ka rreth katër miliardë në vit, ndërsa totali i aseteve kap shifrën 13 miliardë në vit). Si mundet shteti ynë të ndjekë një politikë që të detyron të bëhesh shërbyes idiot i një kapitalizmi që bie erë korrupsioni akademik? Para disa vitesh, këto platforma kritikoheshin edhe në wikipedia dhe në artikuj të tjerë që qarkullonin në google, mirëpo, parja që e kthen ujin përpjetë, tash kontrollon gjithçka, pra edhe ata artikuj. Megjithatë, është fakt i pamohueshëm që disa revista që kanë qenë pjesë e këtyre platformave, janë hequr (kinse për arsye cilësie, por, me gjasë, për arsye mospagese). (Parantezë: Para pak ditësh isha në një konferencë në Selanik, ku fola për dy tekste filozofike të dy shkrimtarëve të mëdhenj, Kazantzakis dhe Unamuno. Kur dolëm për kafe, e pyeta një profesoreshë të njohur të Universitetit Aristotel, nëse profesorët atje janë të obliguar të botojnë në Scopus dhe Web of Science. Ajo qeshi, pastaj tha “nuk e kanë të ndaluar, por, natyrisht, nuk e kanë të detyruar”. Dhe shtoi se janë të detyruar të botojnë në revista të profilizuara greke).

Insistimi i disave, tashmë nëpërmjet një “statuti”, për të botuar në këto dy platforma, duhet t’i aktivizojë organet e drejtësisë t’i shikojnë qarkullimet bankare të insistuesve dhe të miqve të tyre. Më falni që dyshoj, por një hulumtim i tillë nëpër llogaritë e atyre që s’u intereson shkenca, por platformat miliardëshe, nuk më duket i panevojshëm. Në Angli kundër këtyre platformave, para shumë vitesh, ka reaguar edhe profesori i mirënjohur, Terry Eagleton. Ai mund të botonte në cilëndo platformë, por i refuzonte të gjitha.  

Scopus dhe Web of Science janë vetëm databaza. Një fëmijë do ta kuptonte “rëndësinë” e tyre, kurse hartuesit e Draft-Statutit s’e kuptojnë. Vërtet t’u ketë ikur truri? Në nenin 152, thuhet se punimet në këto dy platforma do të jenë komponente vendimtare për avancim. Njerëzit me mend në kokë nuk mund ta bëjnë këtë kërcënim.

Hajt po e zëmë se dyshimet e mia janë të pabaza dhe po botoj në ato databaza. Pasi të botoj, revista mund të vlerësohet si zhvatëse dhe të hiqet nga platforma (një praktikë e shpeshtë kjo në këto platforma), atëherë i bie që unë, që kam paguar një mijë euro (apo edhe më shumë) për t’u botuar aty, kam botuar në një revistë mashtruese, apo zhvatëse, dhe, sapo të kuptohet kjo, organizohet një protestë në oborr të fakultetit, ose të rektoratit (ku, çuditërisht, nuk po protestohet për heqjen e emrit të atdhetarit Hasan Prishtina), me megafon: vareni, se ka publikuar në revista mashtruese!

Prandaj, kryeministri, kryekuvendari dhe të gjithë deputetët, që janë ulur në Kuvend falë besimit tonë, duhet të mendojnë para se ta miratojnë këtë Kanun të UP-së, apo këtë Skandal-Statut, që persekuton dijen dhe krijon kushte për linçime publike të profesorëve. Ky “Statut” ka edhe shumë gabime të tjera: s’e ka menduar mirë karakterin multietnik të shtetit (komunitetet e tjera, kur ta lexojnë, do të ndihen të indinjuar); s’i njeh termat teknikë; të çon te rregulloret e veçanta, që janë (p. sh., rregullorja e studimeve doktorale) edhe më pus se statuti; i detyron albanologët shqiptarë të vlerësohen nga të huajt (ky është kulmi); për stafin akademik të Fakultetit të Arteve, thotë se për t’u avancuar në profesor asistent, kandidati duhet “të ketë krijuar punime artistike” (neni 155), ndërsa për t’u avancuar në profesor të asocuar, duhet “të ketë krijuar punime të vërteta artistike” (neni 156), pra, njërit i lejohet punimi dosido (i dobët, plagjiat), kurse tjetrit i kërkohet “punim i vërtetë artistik”.

Departamentet albanologjike (Gjuha dhe Letërsia) sivjet kanë qenë në krizë, për të cilën nuk janë shqetësuar fare as zonja ministre, as rektori, as senati, as këshilli drejtues, as dekanja, as shefat e departamenteve. Por, besoj që ky “statut” do ta zgjidhë statusin e këtyre departamenteve. Si? Duke i mbyllur.

Askund nuk flitet për themelimin e revistave universitare. Domethënë, sipas “Statutit”, ne nuk do të bëjmë revista, por do të botojmë në revista të huaja. Pra, ne vlejmë veç nëse thonë të huajt se vlejmë. Ec e mos qesh! Te neni 126 thuhet se njësia akademike nxjerr revista profesionale. Pse po rrejnë? Revistat e njësive akademike dalin një vjet po, dy vjet jo. Edhe po të botosh aty, nuk fiton pikë. Pra, pse të botosh? Rektori dhe dekanët (aktualët dhe të mëparshmit) nuk besojnë në profesionalizmin e njësive tona akademike. Kush është ai që mund ta kuptojë paradoksin e tyre?

Si mund të kërkojë standarde dikush që s’i vë vetes standarde për t’i krijuar stafit akademik kushte për avancim? Nuk është e rastit që dikund (neni 119) thuhet se “Universiteti bën punë artistike”. Më pëlqen kur në gjuhë juridike përdoren figura letrare si personifikimi. Universiteti ynë, nuk do, se po të dojë, mund edhe të shkruajë poezi, mund të këndojë, edhe t’i bjerë fyellit.

Ky “Statut” nganjëherë të duket si tekst fetaro-politik, që flet për “besim politik” (pra, partitë nuk i sheh si grupe interesi, por si grup besimtarësh), herë si kod etik, ku fjala “nder” (moral, etikë) përmendet 34 herë, saqë të mbushet mendja se po lexon Kanunin e Lekë Dukagjinit, jo Statutin e Universitetit të Prishtinës. E di që Kanuni na e ndalon t’i themi tjetrit “po rren”, po s’i të përmbahesh pa ia thënë kur “Statuti” është plot gënjeshtra? 

Gënjeshtra, gabime e lëshime ka gjithandej në këtë Draft-Statut, ku hartuesit e tij nuk dinë t’i përdorin shenjat e pikësimit, përdorin inversion dhe figura letrare në tekst juridik, dhe s’e zgjedhojnë dot as foljen “zgjedh” (shih nenin 127, pika 3, dhe nenin 153, pika 3). (Për këtë u sugjeroj ta marrin për konsultime, së paku, ndonjë student nga Departamenti i Gjuhës Shqipe). Këto gabime janë rezultat i vetëbesimit të tepruar të hartuesve. Po ashtu, emërtimet e disa fakulteteve në këtë “Statut” (shih nenin 47) dhe në objektet e tyre, si dhe në dokumente përkatëse, vijnë si kalke nga gjuha serbe (p. sh., Fakulteti Filozofik, serbisht: Filozofski fakultet), në vend se të shkruhet shqip: Fakulteti i Filozofisë (madje edhe z-ja te “filozofia” duhet të nxirret në diskutim). Edhe Fakulteti Juridik (e njëjta logjikë!) mund të quhej Fakulteti i Drejtësisë (siç e ka Tirana, për shembull). As Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore, nuk ka kuptim të quhet ashtu, sepse gjuha shqipe ka rregulla të tjera. Mund të quhej, p. sh., Fakulteti i Shkencave Matematiko-Natyrore, ose Fakulteti i Shkencave Matematikore-Natyrore, apo, më mirë si në Shqipëri, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, brenda të cilit futet Departamenti i Matematikës. Por, këto janë detaje që nuk ua kanë vrarë syrin hartuesve të ligjeve.

Në nenin 151, thuhet se universiteti ynë ka program për kthimin e trurit (“brain gain”). A mund të flasin për kthimin e trurit, këta që kanë hartuar një statut që ta heq trurin? / KultPlus.com

“Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës”, një instalacion skulpturor që do të përfaqësoj Kosovën në Bienalen e Venedikut

Doruntina Kastrati është përzgjedhur për të përfaqësuar Republikën e Kosovës në edicionin e 60-të të Bienalës së Venedikut.

Nëpëmjet praktikës së saj hulumtuese dhe artistike, Kastrati ka shqyrtuar trupin dhe marrëdhënien e tij me pushtetin biopolitik, shpesh duke u fokusuar në çështje sociale dhe politike të punës në kontekstin global. Në vitin 2024 ajo do të prezantojë projektin “Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës”, një instalacion skulpturor që trajton punën e feminizuar dhe pabarazitë në vendin e punës. Pavijoni i Kosovës do të kurohet nga Erëmirë Krasniqi dhe do të prezantohet në Museo Storico Navale, lokacion ky në mes të Arsenales dhe Giardinit.

Deindustrializimi i ekonomisë dhe derregullimi i tregut të punës pas Luftës së vitit 1999 në Kosovë, krijoi mundësi mundësi të mëdha të zhvillimit të industrive të lehta (p.sh. prodhimi i ushqimit, letrës, plastikës etj.). Ky mjedis i ri ekonomik targetoi gratë dhe krijoi kërkesë për punë fleksibile dhe me pagesë të ulët. Angazhimi në punë me pagesë u ka dhënë grave një masë pavarësie financiare dhe pjesëmarrje në shoqëri. Larg nga të qenurit emancipues, feminizimi i fuqisë punëtore në industritë e lehta i ka mbajtur të paprekura rolet tradicionale gjinore, dhe duke mundësuar pak ose hiç promovim në pozita pune, i ka bërë gratë ekonomikisht të cenueshme dhe politikisht margjinale.

Projekti i Kastratit, “Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës” sjell në publik rrëfimet e grave, të cilat punojnë në margjinë të shoqërisë. Puna në fabrika është repetitive dhe dhe mund të bëhet vetëm në këmbë. Në këtë linjë pune, afër një e treta e grave i nënshtrohen operacionit të zëvendësimit të gjurit; objektet metalike të implantuara në gjunjë në mënyrë kirurgjikale janë gjurmë materiale të punës së tyre për orë të gjata me pagesë të ulët. Me synimin për të nxitur reflektim se pse dhe si këto praktika shfrytëzuese në vendin e punës kanë mbetur të pashqyrtuara, Kastrati do ta bëjë këtë në mënyrë abstrakte, duke theksuar karakteristikat e mishëruara të materialeve, veçanërisht atë të metalit.

Komisinere e Pavijonit të Kosovës në Bienalen e Artit 2024 është Hana Halilaj, Kuratore në Galerinë Kombëtare të Kosovës

Doruntina Kastrati është artiste pamore me bazë në Prishtinë, Kosovë. Praktika e saj artistike përqëndrohet në skulpturë, instalacion dhe imazhe lëvizëse. Në vitin 2014 është shpërblyer me çmimin Artistët e Rinjë Vizuel nga Galeria Kombëtare e Kosovës dhe ka fituar çmimin Hajdex6 nga Fondacioni Hajde! në vitin 2017. Ajo ishte artiste në rezidencë në International Studio and Curatorial Program (ISCP) në Nju Jork në vitin 2015; në Art House në Shkodër në vitin 2018, dhe në Initiators në Athinë në vitin 2018. Puna e saj së fundmi është shfaqur në Eugster Belgrade (2023); Ring The Bells My Land në Manifesta 14, Prishtinë (2022); Temel në Muzeun Hessel, Nju Jork, (2022); Life without buildings në ETH Cyrih, (2022); Here (Air Carries Poison But Yet We Breathe) në ChertLüdde, Berlin (2021), What if a Journey në Autostrada Biennale, Prizren (2021); Bigger than Myself–Heroic Voices from ex Yugoslavia, Muzeun MAXXI, Romë (2021); Not Fully Human, Not Human at All në Fondacionin Kadist, Paris, dhe Kunstverein Hamburg, Hamburg (2021-2022); Tirana Patience, Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë (2020); Public Heroes and Secrets, Muzeu Kombëtar i Kosovës, Prishtinë (2020), ndër të tjera.


Erëmirë Krasniqi është kritike e artit, kuratore dhe hulumtuese me bazë në Prishtinë, Kosovë. Krasniqi magjistroi në Kolegjin Dartmouth dhe studimet bazë i mori nga Kolegji Bard në Berlin. Si kuratore e pavarur, ajo ka drejtuar dhe kuruar projekte për Galerinë Kombëtare të Kosovës, Galerinë Kombëtare të Arteve në Shqipëri, Edicionin e 39-të të EVA International, Irlandë dhe Manifesta 14, Kosovë. Praktika e saj kuratoriale dhe hulumtuese ndërthuret me arkivat, historinë gojore dhe fabulimet kritike për të krijuar prani dhe korrigjuar mungesat në rrëfimet historike. Interesimet e saja kërkimore variojnë nga historitë e artit modern socialist deri tek njohuritë që vijnë nga poshtë dhe që kontribuojnë në sfidimin e narrativave historike zyrtare. Nga viti 2017, Krasniqi është drejtore ekzekutive e Iniciativës për Histori Gojore, një burim dixhital me qasje të hapur që angazhon forma të reja të prodhimit kulturor, duke mbështetur dhe avokuar për punën thelbësore të arkivave mediatike.

Republika e Kosovës është përfaqësuar në Ekspozitën Ndërkombëtare të Artit në Bienalen e Venedikut me pavijone shtetërore që nga viti 2013. Prezantimet e mëhershme përfshijnë ekspozita vetanake nga Petrit Halilaj (2013), Flaka Haliti (2015), Sislej Xhafa (2017), Alban Muja (2019) dhe Jakup Ferri (2022). / KultPlus.com

‘Charles III’ me regji të Agon Miftarit sonte premierë në Teatrin Oda

Sonte në Teatrin Oda do të jepet premiera e Komedisë ‘CHARLES III’, nga autori Jeton Neziraj, me regji të Agon Miftarit, shkruan KultPlus.

Aktorët që do të luajnë në këtë komedi janë: Dukagjin Podrimaj, Blend Sadiku, Vjosë Tasholli, Albina Krasniqi dhe Dardan Gashi.

RRETH KOMEDISË “CHARLES III”

Edith, një kushërirë e largët e Charles III — mbretit të Mbretërisë së Bashkuar — vjen diku thellë në Bjeshkët e Namuna të Kosovës, në një ekspeditë studimore mbi zërat dhe zhurmat. Këtu, ajo përhumbet në misteret e maleve shqiptare, në të cilat gjen një botë përplot aventura, këngë e legjenda të moçme, por edhe takon personazhe mistike të Eposit të Kreshnikëve!

Mbreti Charles III vjen në Kosovë dhe bashkë me KFOR-in anglez, nisen në një aksion kërkim-shpëtimi, për Edithin e zhdukur pa gjurmë.

Shfaqja do të jepet në ora 20:00/KultPlus.com

“Krahët e punëtorëve” nga Ilir Hasanaj me premierë botërore në Festivalin Ndërkombëtar të filmit në Roterdam

Filmi “Krahët e punëtorëve” nga regjisori Ilir Hasanaj do ta ketë premierën botërore në edicionin e sivjetmë të festivalit ndërkombëtar të filmit në Roterdam.

Me producent Arvan Berishën dhe Ilir Hasanaj, filmi sjell përvojat e punëtorëve Milazimit, Fatmirit dhe Liridonit, të cilët janë viktima të aksidenteve në vendin e tyre të punës. Në këtë homazh poetik dhe eksperimental, regjisori u jep zë përvojave dhe rrëfimeve të harruara të cilat janë pre e makinerisë dhe politikës primitive të Ballkanit.

Frymëzimi për filmin i kishte ardhur regjisorit gjatë procesit të realizimit të filmit të tij debutues me dasht’, me dasht’, me dasht’, kur ai kishte qenë dëshmitar i rënies së një punëtori nga skelat e ndërtimit të improvizuara dhe kishte mbetur i shtrirë në tokë, i lënduar. Pikërisht pasiguritë në vendin e punës, e kishin frymëzuar regjisorin të përfshihej në një kërkim të gjerë, i cili është realizuar nga hulumtuesit Dafina Halili, Korab Mala dhe Mentor Mahmuti. 

“Jam shumë i lumtur dhe i nderuar që film do të shfaqet në festivalin e Roterdamit. Tregimit e Milazimit, Liridonit dhe Fatmirit janë tregime të shumë punëtorëve të krahut në Kosovë e gjithandej në botë, prandaj duhet të dëgjohen nga më shumë njerëz. Jam tejet falenderues dhe mirënjohës edhe ndaj ekipit të filmit për bashkëpunimin dhe përkushtimin e pashoq për realizimin e këtij filmi.” është shprehur regjisori Ilir Hasanaj.

Filmi, i cili garon në kategorinë TIGER SHORT COMPETITION, xhiruar nga Vigan Nimani, me montazhë të Enis Saraçit, është prodhuar nga shtëpia filmike Unseen Films dhe është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës. / KultPlus.com

“Si e verdhë e sëmurë” i Norika Sefës, me premierë botërore në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Rotterdam

Filmi “Si e verdhë e sëmurë” / “Like a sick yellow” (2024) i regjisores Norika Sefa, me producent Mentor Shala, bashkëproducent Besnik Krapi dhe Norika Sefa, do ta ketë premierën në festivalin ndërkombëtar të filmit në Rotterdam, si pjesë e garës së kategorisë TIGER SHORT COMPETITION—ku sivjet garojnë gjithsej 21 filma.

Norika Sefa, fituesja e Çmimit Special të Jurisë për filmin “Në Kërkim të Venerës” (IFFR 2021), rikthehet në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Rotterdam për edicionin e 53-të me një histori magjepsëse të nxjerrë nga materialet arkivore të video kasetave të tregimeve familjare që nuk janë më. 

Filmi zhytet në kujtesën e Norës, ku realitetet shkrihen, e keqja dhe e bukura ndërthuren derisa gjithcka përzihet për t’u formuar diçka tjetër. 

“Jam tejet e lumtur që po shkojmë në festivalin e Rotterdamit, një festival që gjithmonë e ka çmuar dhe festuar kinemanë e guximshme! Po ndihem tepër me fat dhe e përmbushur që edhe një herë kam pasur mundësinë të punoj me njerëzit që u besoj dhe me të cilët ndajmë vizionin e poashtu edhe dashurinë e njëjtë për filmin” është shprehur regjisorja.

Filmi është realizuar me mbështetjen e QKK dhe është prodhuar nga shtëpia filmike CMB. Festivali IFFR do të nisë me datën 25 janar dhe do të vazhdojë deri me datën 4 shkurt. / KultPlus.com

Botimet REA promovon 5 vepra të reja në KultPlus Caffe Gallery

Botimet REA e cila është themeluar këtë vit, si një nga botuesit më të rinj në Kosovë, ka botuar 5 vepra të reja, të cilat do të promovohen më 21 dhjetor 2023, në orën 19:00, në KultPlus Caffe Gallery.

Me këtë rast, do të promovohen veprat e para të kësaj shtëpie botuese: “Mahnitja e parë” (poezi) të Demë Topallit, “Lexuesit e kartëmortaleve” (tregime) të Binak Kelmendit, “Mëkati i buzëqeshjes” (prozë poetike) të Sali Bashotës, “Misioni i Shkrimtarit” (ese) të nobelistit Elias Canetti, përkthyer nga Naim Kryeziu dhe “Sytë flasin në heshtje” (poezi) të Afërdita Bashota-Podvoricës.

Në këtë aktivitet promovues do të flitet për projektet e Botimeve REA, si dhe do të bëhet promovimi i librave të lartcekura.

Botimet REA përveç aktivitetit të saj botues në fushën e Letërsisë, të Psikologjisë dhe përkthimit, po kështu do të kontribuojë në projekte të ndryshme që ndërlidhen me arsimin kulturor. / KultPlus.com

Ansambli Kombëtar ‘Shota’ feston fundvitin me këngë e valle të bukura tradicionale

Mbrëmë Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota, zgjodhi repertorin më të bukur për të festuar festat e fundvitit, duke vënë në pah vlerat tona kombëtare.

Me muzikë të bukur qytetare e shumë valle, duke filluar nga “Vallja Çame” për të kaluar në “Vallen e Peshkatarit” me korografi të Prof. Haki Mulliqit të cilën e rikthyen në skenë pas 20 vitesh, AKKV Shota dhuroi armosferë festive në sallën plot me publik.

Të pranishëm ishin Kryeministri Albin Kurti, ministri Hajrulla Çeku, përfaqësues nga MKRS, drejtues të institucioneve e artdashës./KultPlus.com

Digjitalizohet arkiva fotografike e Ristanëve

Për herë të parë digjitalizohet dhe publikohet arkiva fotografike e Ristanëve. Ministria e Kulturës dhe “Fototeka” publikuan arkivat e fotografëve Vasil e Petrit Ristani, babë e bir, që ia kanë dedikuar jetën e tyre fotografisë, duke fiksuar në celuloid 60 vjet të historisë shqiptare. Tashmë arkiva e tyre do të ruhet në formatin digjital. Janë gjithsej 1200 negativë nga vitet 1930 deri në 1990. Në to shfaqen pamje të rralla të ngjarjeve, njerëzve e personazheve historike, të cilat u bënë të mundura falë bashkëpunimit të Ministrisë së Kulturës dhe Fototekës.

Siç shkruan “Fototeka”, Vasil Ristani, i lindur me 1908, në Lliar të Zagorisë, krahas punës si fotograf në studio ka punuar edhe si fotoreporter i gazetës “Drita”. Deri në mbylljen e gazetës për shkak të pushtimit Italian, Ristani ishte një ndër fotoreporterët më të rëndësishëm të kohës dhe dokumentoi thuajse të gjitha ngjarjet kryesore në vend.

Këtë pasion të tijin, Vasili ia transmetoi edhe të birit, Petritit, lindur më 1942.  Petriti u diplomua në Tiranë për Matematikë-Fizikë, por punoi si fotoreporter në Laboratorin Fotografik të Ushtrisë./atsh/KultPlus.com

Simboli kombëtar shqiptar kthehet në trend, sportisti amerikan shfaqet në stadium me shqiponjën dykrenare

Jemi koshientë që flamuri kombëtar është një nga më të bukurit dhe të këtij mendimi duket se janë edhe shumë të tjerë.

Reperi më famë botërore, Drake ishte rasti i fundit që ngriti në këmbë shqiptarët pasi ai jo vetëm që i dedikoi një këngë një vajze shqiptare, por edhe e ndërtoi videoklipin tërësisht me motive shqiptare, por edhe shprehu dëshirën për të vizituar vendin tonë.

Tani një sportist i njohur në SHBA duket se është dashuruar me simbolin e shqiponjës dykrenare.

Bëhet fjalë për yllin e futbollit amerikan, Joshua Keith Palmer, i cili është shfaqur në stadium me bluzën e kuqe me shqiponjën dykrenare.

Palmer është një futbollist i suksesshëm i ‘Los Angeles Chargers’ në NFL (Liga Kombëtare e Futbollit) në SHBA. Nuk dihet nëse Joshua Palmer ka bërë një “fashion statement” apo e lidhë diçka më shumë me Shqipërinë, ashtu si bashkatdhetari i tij kanadez Drake. Por ajo që dihet, është që kjo pamje kënaq sytë dhe zemrat e shqiptarëve. / KultPlus.com

Rama publikon video nga festimet e fundvitit në Shkodër

Kryeministri Edi Rama ndau mëngjesin e sotëm pamje nga festimet në qytetin e Shkodrës.

Rama uroi ditë të mbarë “me zemrën e hapur dritash për festa të Shkodrës, ku hapen para njerëzisë edhe lidhjet e dashnisë”, siç shkroi ai në rrjetet sociale.

Edhe kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci ndau pamje nga festa ku të pranishmit shijuan muzikën e këngëtarëve Kamela Islamaj dhe Keli Band.

Në këtë festë nuk mungoi edhe një propozim për martesë, ku Egzoni dhe Elesa kurorëzuan dashurinë e tyre në Shkodër. Ajo i tha po, në mes të festës./atsh/KultPlus.com

171 vite nga lindja e fizikantit amerikan Albert Abraham Michelson

Sot janë bërë 171 vite nga lindja e fizikantit të njohur amerikan Albert Abraham Michelson.

Albert Abraham Michelson u lind më 19 dhjetor 1852 dhe vdiq më 9 maj 1931. Ai ishte një fizikant Amerikan i njohur për punën e tij në matjen e shpejtësisë së dritës, sidomos për eksperimentin Michelson-Morley.

Ai fitoi Çmimin Nobel në Fizike në vitin 1907, përderisa ishte amerikani i parë që fitonte një çmim Nobel./KultPlus.com

‘Arti dhe Moda’ vjen si bashkëdyzim artistik i piktores Diella Valla në ekspozitën e saj të dytë personale

Vjollca Duraku

Me 29 punime, është hapur mbrëmë ekspozita e dytë personale e piktores Diella Valla. “Arti dhe Moda” zuri vend në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, ku 23 skica me ilustrime të modës dhe 6 piktura me dimensione të vogla, të hënën mbrëma kishin zënë muret në tre anët e Galerisë, ku secila prej tyre shpalosnin histori, detaje dhe mbi të gjitha botën e brendshme të piktores Valla.

Akrelike ishte teknika e punës me të cilat Valla kishte punuar ilustrimet e veshjeve, të cilat erdhën edhe si ndërthurje me vepra të piktorëve të ndryshëm, e që disa të tjera mundësuan udhëtim në kohë, deri te arti i lashtë egjiptas dhe hieroglifet. Ndërsa akuarel ishte teknika e pikturave të cilat ishin realizuar edhe me motive të natyrës dhe luleve.

Hapja e ekspozitës u shënua rreth orës 19:30, nën prezencën e artdashësve, familjarëve dhe kolegëve të piktores Valla, të cilët paraprakisht patën rastin që pikturat t’i shihnin nga afër, duke e përjetuar artin e saj në forma individuale.

Kuratori i ekspozitës, Esat Valla në hapje të kësaj ekspozite për të pranishmit tregoi se veprat e Dielles përveç artit të saj, përmbanin edhe elemente të pikturave të artistëve të mëdhenj, duke e potencuar si një element dallues të kësaj ekspozite.

“Diella qysh nga fëmijëria ka filluar t’i hedh ngjyrat në ilustrimet e saj, kështu ajo edhe në këtë ekspozitë, ka bërë një komponim të pikturës në dimensione të figurave. Në këtë ekspozitë, Diella ka marrë pjesë të artistëve të njohur siç është Muslim Mulliqi, si dhe piktura të piktorëve të mëdhenj siç janë Ibrahim Kodra, Nysret Salihamixhiq, nga ku ka bërë një bashkëdyzim të dy zhanreve me një shprehje artistike”, ka thënë kuratori Esat Valla, i cili gjithashtu u shpreh shumë optimist, sa i përket prurjeve artistike të Diellës edhe në të ardhmen.

Ndërsa vetë piktorja, fillimisht falënderoi KultPlus Caffe Gallery, për mundësinë e dhënë për hapjen e ekspozitës, dhe të gjithë ata që kontribuuan në realizimin e kësaj ekspozite, e cila këtë herë erdhi si ndërthurje e pikturës dhe modës.

“Kjo ekspozitë vjen e financuar nga Komuna e Prishtinës, njëkohësisht këtu gjej rastin të falënderoj edhe Galerinë KultPlus, që na e ka mundësuar edhe hapjen e ekspozitës. Falënderoj edhe gjyshin tim që ka pranuar të jetë kurator i ekspozitës. Bashkë me të i kemi zgjedhë, i kemi selektuar ato punime të cilat na janë dukur më të përshtatshme, duke e marrë parasysh që prej ilustrimeve varion një numër pak më i madh. Është një ekspozitë e korrelacionit të pikturës dhe të ilustrimit të modës, po shpresoj që keni me shiju edhe ju”, ka thënë Valla.

Ajo më tutje tregoi që kjo ekspozitë vjen si zbërthim i një talenti për të ilustruar krijimet të modës qysh nga fëmijëria, përderisa tash si studente e vitit të tretë në Degën e Pikturës këto ilustrime përveç modës, i kishte pajisur edhe me art inteligjent.

“Duke e marrë parasysh që përpos pikturës, një element tjetër, me një qasje tjetër, e cila më ka interesuar shumë është moda. Qysh nga fëmijëria kam filluar të merrem me ilustrime të ndryshme të modës, që janë vizualizuar në ato që sot edhe patëm rastin t’i shohim. Titulli “Arti dhe Moda” vjen si korrelacion i ndërthurjes së pikturës me modën, ku në këtë rast ilustrimet e mija nuk janë thjeshtë ide të modës, ose thjeshtë krijime të fustaneve, të veshjeve mirëpo përbrenda tyre kemi një qasje të pikturës të mozaikut, në të njëjtën kohë të freskave e kështu me radhë”, tha më tej Valla, duke treguar që pjesë e krijimtarisë së saj ishin mozaiqet e lashta antike egjptase, veshje tradicionale shqiptare, dhe një veshje koleksion i Vanesa Gjinit, kreatore kjo e re nga Londra që ndërthur veshjen tradicionale me atë moderne.

“Prej skicave që mundem t’i veçoj janë ato të cilat e ndërthurin artin e lashtë egjiptas, që për mua është një madhështi e veçantë kur vjen puna te studimi i artit dhe vështrimi i historisë, ku në këtë rast jam inspiruar prej Sfinksit që është një figurë hibride, pastaj prej piramidave që janë pjesë madhështore e këtij arti, si dhe prej hieroglifeve të cilat janë pjesë e ndërthurjes së fustaneve”, ka thënë po ashtu Valla.

Artistja Valla në një prononcim për KultPlus, tha se vizitorët e kësaj ekspozite do të kenë mundësi të shijojnë histori, antikitet, traditë, artefakte dhe mbi të gjitha edhe energjinë dhe pasionin e saj të përkthyer në art.

“Unë e shijoj gjithmonë punën, sidomos këtë me ilustrime të modës, për shkak se jam në studime të pikturës. Piktura e ka një veçanti më të madhe te unë, duke e marrë parasysh që eksperimentoj me teknika të ndryshme në pikturë. Sa i përket ilustrimit të modës që e realizoj me teknikën akuarel, e shijoj në maksimum, krijoj detaje të ndryshme, elemente të cilat ndërlidhen dhe kufizohen të tilla në një ilustrim. Ajo çka pres prej vizitorëve është që ta shijojnë, duke iu kthyer pak a shumë edhe historisë e artefakte të ndryshme”, ka përfunduar piktorja Diella Valla.

Ekspozita “Arti dhe Moda” është e hapur për vizitorë çdo ditë të javës dhe gjithashtu punimet janë në shitje. / KultPlus.com

Gruaja 90-vjeçare diplomon në master


Mijëra të diplomuar do të kalojnë skenën në Universitetin e Teksasit të Veriut për të marrë diplomat e tyre këtë fundjavë.

Mes tyre do të jetë Minnie Payne, e cila ka përfunduar një program master në studimet ndërdisiplinore në moshën 90-vjeçare.

Payne po bën historinë e UNT-së me arritjen 73 vjet pas diplomimit nga shkolla e mesme.

“Nipi im do të më shoqërojë përgjatë skenës,” tha ajo.

Është një moment që ajo as nuk mund ta kishte ëndërruar.

“Nëna dhe babai im ishin punëtorë tekstili të pashkolluar,” tha Payne.

Ajo ishte në gjendje të kalonte një vit në kolegj para se të fillonte të punonte.

Së shpejti pasuan martesa dhe fëmijët.

“Gjithmonë kam dashur të përmirësoj veten. Kur dola në pension në moshën 68-vjeçare, nuk po bëja asgjë konstruktive. Dhe është filozofia ime të jem vazhdimisht duke bërë diçka konstruktive”, tha Payne.

90-vjeçarja thotë se kryerja e detyrave të klasës së bashku me studentët që ishin dekada më të rinj se ajo nuk e shqetësoi aspak, shkruan CNN Newsource.

“Isha 73 vjeç kur fitova diplomën time,” tha ajo.

Ajo tani është personi më i vjetër që ka fituar ndonjëherë një diplomë master në UNT. Dhe ajo ka në plan të vërë në praktikë atë që ka mësuar.

Payne së fundmi mori një punë të re duke punuar në një revistë në Hjuston.

“Nuk është qëllimi im të ndaloj punën”, tha ajo.

Payne thotë se filozofia e saj udhëzuese është të vazhdojë të bëjë diçka konstruktive. / KultPlus.com

Rama i dorëzon pasaportat diplomatike futbollistëve të Kombëtares: Ambasadorë të denjë të shtetit shqiptar

Kryeministri Edi Rama i dorëzoi sot futbollistëve të Kombëtares shqiptare të futbollit pasaporta diplomatike.

I pranishëm në mbrëmjen Gala “Më të mirët 2023”, Rama ia dorëzoi pasaportat kapitenit të Kombëtares, Elseid Hysaj.

Kryeministri Rama tha se “kur skuadra jonë u kualifikua në europianin e 8 viteve më parë ne iu dhamë të gjithë sportistëve, trajnerëve, pasaportën diplomatike, Mirëpo nuk u kualifikuan pas 4 vitesh dhe pasaportës diplomatike iu dogj afati. Tani është koha për ta vënë pasaportën në afat. Nga kjo do të përfitojnë ndër lojtarët që e kanë për herë të parë pasaportën diplomatike si ambasadorë të shtetit shqiptar, ambasadorë të denjë për të cilët jemi shumë krenarë”.

“Thirra kapitenin, sepse ishte mosbesues deri në fund që do merrte pasaportën sot. Normal, kujton se jam si të tjerët, kur them fjalën edhe mund mos ta bëj. Tani do e mësojë edhe Hysaj, që atë që unë them, e mbaj”, tha Rama.

Kapiteni Hysaj u shpreh: “Shumë faleminderit! Dua të falënderoj Presidentin për ftesën në këtë mbrëmje, Kryeministrin për mbajtjen e fjalës. Për mua është një emocion i dytë pas kualifikimit në Euro 2024. Është kënaqësi akoma më e bukur me këtë grupin “e lehtë” që na ra këtë herë”.

“Kam besim tek skuadra që do ia dalim mbanë e ndoshta mund të bëjmë realitet një ëndërr tjetër në Gjermani”, tha Hysaj./ atsh / KultPlus.com

‘Kujdes me shpenzimet e vogla, pasi një peshë e vogël mund të fundosë një anije të madhe’

I vogli i familjes Franklin nuk i lexonte librat, ai i përpinte ato. Ai ngrihej në 5:00 të mëngjesit çdo ditë dhe lexonte një libër, përmbajtjen e të cilit ia rrëfente të atit ndërsa ai merrte kafenë.

Benjamin Franklin ishte më i vjetri nga burrat e shquar që themeluan shtetin amerikan dhe i pari amerikan i nderuar në Evropë si shkencëtar dhe burrë shteti, si mbrojtës i të drejtave të kolonive amerikane para mbretit të Anglisë.

Benjamin Franklin përfaqëson suksesin amerikan: nga djali i një sapunbërësi, me punë të madhe, e të pavarur ai e ngriti veten në lartësinë e madhështisë.

Biografi i tij Alfred Tamarin e përmbledh kështu rritjen e personalitetit të Benxhamin Frenklinit.

“Benjamin Franklin ishte amerikani i parë që u bë figurë botërore. Nga një djalë i ri me prirje për shkollë ai u bë shkencëtar, shpikës, legjislator, diplomat dhe burrë shteti me famë botërore”.

Emri i Benxhamin Franklinit është i vetmi emër të cilin e shohim në katër dokumentet kryesore të themelimit të Shteteve të Bashkuara: Deklaratës së Pavarësisë, Kushtetutës, Traktatit të Aleancës me Francën dhe Traktatin e paqes me Anglinë. Derisa sot shënohet përvjetori i vdekjes së tij, plot 232 vite që kur ai vdiq.

40 thënie nga Franklin

1. Fshatari mes dy avokatëve është sikur peshku mes dy macesh.

2. Zemra e një të çmenduri është në majën e gjuhës së tij, por gjuha e një të mençuri është në zemrën e tij.

3. Mësoji tët biri/vajzës të heshtë, të flasë mëson vetë.

4. Të rebelohesh ndaj tiranëve është t’i bindesh Zotit.

5. Nëse macja mban doreza, zor se do të zërë minj.

6. Tragjedia e jetës është se plakemi shumë herët dhe mësojmë shumë vonë.

7. Çdo gjë që nis me tërbim, mbaron me turp.

8. Një varkë me vela dhe një femër shtatzënë, janë gjërat më të bukura që mund të shihen.

9. Nëse e dashuron jetën, mos e shpërdoro kohën, pasi koha është substanca nga e cila përbëhet jeta.

10. Kujdes me shpenzimet e vogla, pasi një peshë e vogël mund të fundosë një anije të madhe.

11. Tre persona mund ta mbajnë një sekret, nëse dy prej tyre janë… të vdekur.

12. Ata që mund të heqin dorë nga liria thelbësore për të fituar pak siguri të përkohshme, nuk e meritojnë as lirinë e as sigurinë.”

13. Kurrë s’ka ekzistuar paqe e keqe ose luftë e mirë.

14. Nëse dështon të planifikosh, ti je duke planifikuar të dështosh.

15. Investimi në dituri paguan interesin më të mirë.

16. Luftoji gjithnjë veset e tua, jeto në paqe me fqinjët e tu dhe bëj që çdo vit i ri të të gjejë më të mirë.

17. Shtëpia nuk është vendbanim, përveç nëse ka ushqim dhe ngrohtësi për mendjen edhe për trupin.

18. Një lek i kursyer është një lek i fituar.

19. Të jesh i ngadalshëm në përzgjedhjen e shokëve, edhe më i ngadalshëm në ndërrimin e tyre.

20. Bukuria dhe marrëzia janë miq të vjetër.

21. Të jesh injorant nuk është turp aq i madh, sa të mos duash të mësosh.

22. Zoti u ndihmon atyre që ndihmojnë veten.

23. Mysafirët, si peshqit, fillon t’u vijë era pas tri ditësh.

24. Gjysmë e vërteta shpesh është një gënjeshtër e madhe.

25. Të jesh i varfër nuk është turp, por të turpërohesh për atë, është.

26. Ai i cili i ekspozon shumë shpesh gruan dhe kuletën është në rrezik t’i huazohen që të dyja.

27. Ai i cili është i mirë për arsyetime, rrallë është i mirë për ndonjë gjë tjetër.

28. Kush jeton veç nga shpresa do të vdesë nga uria.

29. Ai i cili ngrihet vonë, duhet të ecë shpejt gjithë ditën.

30. Kush dashurohet me veten e tij nuk do të ketë asnjë rival.

31. Nëse njeriu zbraz kuletën në kokë, askush nuk mund t’ia marrë.

32. Nëse nuk rrimë bashkë, patjetër duhet të rrimë të ndarë.

33. Nëse dëshiron shumë gjëra, shumë gjëra do të duken pak.

34. Nëse dëshiron të jesh i dashur, duaj dhe bëhu i dashur.

35. Mosha e humbur nuk është gjetur asnjëherë përsëri.

36. Shumë njerëz mendojnë se po blejnë kënaqësinë, kur ata në të vërtetë i shesin veten asaj.

37. Asnjë komb nuk është shkatërruar ndonjëherë nga tregtia.

38. Vrojto të gjithë njerëzit, veten më së shumti.

39. Mos fol keq për asnjë njeri, por i thuaj të gjitha të mirat që i di, për të gjithë. / KultPlus.com

Meta po heq mundësinë e korrespondencës me miqtë e Facebook në Instagram

Në ditët në vijim Meta do të heqë funksionin që deri më tani lejonte përdoruesit të korrespondonin me miqtë e tyre nga rrjeti social Facebook në Instagram.

Kompania e prezantoi këtë veçori në vitin 2020, dhe tani do të “fikë” integrimin ndër-platformë pa asnjë arsye. Ky vendim mund të jetë një lëvizje për të shmangur pasojat rregullatore në Bashkimin Evropian.

Integrimi ndër-platformë u njoftua në vitin 2019 dhe erdhi në jetë në vitin 2020, duke mjegulluar linjat midis dy shërbimeve më të njohura të Metës. Por Messenger dhe Instagram tani po ndahen sërish, që do të thotë se nuk do të mund të filloni një bisedë të re apo të telefononi miqtë tuaj në Facebook përmes Instagramit.

Ata që kanë biseda ekzistuese me profilet e Facebook në Instagram do të mund t’i mbajnë ato, por vetëm në një version vetëm për lexim.

Përveç kësaj, përdoruesit e Facebook nuk do të mund të shohin më statusin e aktivitetit tuaj, si dhe raportin e leximit të mesazhit.

Së fundi, të gjitha bisedat ekzistuese me profilet e Facebook nuk do të zhvendosen në inbox në asnjë platformë./alsatm/KultPlus.com

‘Nderi i Kombit në Futboll’, çmimi për kombëtaren ‘Kuq e Zi’

Kombëtarja e Shqipërisë në futboll, arriti një sukses historik në vitin 2023.

Kualifikimi për herën e dytë në Kampionatin Evropian, solli gëzim të madh tek shqiptarët anekënd botës.

Për këtë shkak, Federata Shqiptare e futbollit, i ka ndarë skuadrës së drejtuar nga Sylvinho, një çmim goxha të veçantë.

“Nderi i Kombit në Futboll”, ishte çmimi që u nda për kombëtaren “Kuq e Zi”.

Sonte FSHF-ja në një mbrëmje gala, zgjodhi më të mirë për vitin 2023.

Vitin e ardhshëm në Gjermani, Shqipëria do të jetë në grupin B, bashkë me Italinë, Spanjën e Kroacinë.

Ky grup është quajtur si “Grupi i vdekjes”.