Qentë e Sodomës

Poezi nga Agim Vinca

Së pari kafshojnë,
pastaj lehin.
Qentë e Sodomës,
racë e çuditshme!
Dhe ec e dije
kur luajnë bishtin në shenjë miqësie;
kur skërmitin dhëmbët
në shenjë kërcënimi.
Së pari kafshojnë, pastaj lehin
(Kafshojnë natën, lehin ditën) –
Shprehi e lashtë e pedigresë së tyre.
Njësoj i trajtojnë
të gjallët dhe të vdekurit:
gërmojnë eshtrat,
gërryejnë zorrët.
Gjithmonë kështu.
Gjithmonë kështu.
Qentë e Sodomës,
racë fisnike!

1985/KultPlus.com

Reagon ETEA: Rezultatet e testit PISA- Këmbana e fundit për institucionet e Kosovës

Kosova sërish rangohet në fund të listës së shteteve pjesëmarrëse në testin PISA (Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Studentëve), duke shënuar rënie të dukshme dhe shqetësuese krahasuar me rezultatet, po ashtu të dobëta, të vitit 2018. Në shkencë, Kosova ka rënie prej 8 pikëve, ndërsa në matematikë dhe lexim, Kosova ka shënuar rënie prej 11 pikëve!

Arsimi i zhvilluar përbën faktorin kyç për mirëqenien dhe progresin e shoqërisë, por Kosova vazhdon të ketë një sistem arsimor tejet të dobët, ndër më të dobëtit nga 80 shtetet pjesëmarrëse në testin PISA. Konkretisht, Kosova listohet krahas shteteve si Republika Domenikane, Kamboxhia, Uzbekistani dhe të ngjajshme, duke qenë kështu me sistemin arsimor më të pazhvilluarin nga të gjitha shtetet e rajonit ballkanik.

Ndër shkaqet kryesore që e kategorizojnë sistemin arsimor të Kosovës në këtë nivel është mësimdhënia memorizuese dhe të mësuarit mekanik që prodhon në masë fenomenin e analfabetizmit funksional. Kjo e dhënë u faktua që nga viti 2015 kur Kosova u përfshi për herë të parë në testin PISA. Por, që atëherë institucionet relevante i neglizhuan rezultatet në fjalë duke mos analizuar objektivisht situaten dhe duke mos hartuar politika përmbajtësore që adresojnë shkaktarët e rezultateve të dobëta. Hapi i vetëm konkret në raport me testin PISA nga institucionet relevante të Kosovës u ndërmorr para dhe gjatë vitit 2018 duke organizuar fushata të dëmshme të “përgatitjes së nxënësve/eve për testin PISA 2018”. Për më tej, Plani Strategjik i Arsimit 2022-2026 vë fokusin tek arsimi profesional dhe digjitalizimi i arsimit, duke trajtuar krejtësisht në suaza sipërfaqësore mungesën e aftësive dhe shkathtësive bazike të nxënësve/eve.

Digjitalizimi i arsimit dhe fuqizimi i arsimit profesional janë jashtëzakonisht me rëndësi, por vështirësitë në të lexuar e bëjnë të pamundur rezultatin e dëshiruar të nxënësve/eve në çfardo fushe apo drejtimi. Referuar rezultateve të testit PISA, në PSAK 2022-2026 theksohet vetëm në hyrje të dokumentit se “brengë e veçantë është arritshmëria e ulët në lexim, pasi aftësia e leximit, të kuptuarit dhe interpretimi i drejtë i asaj që lexon janë baza për arritje në fusha të tjera”. Por, ky problem madhor në këtë dokument të rëndësishëm – mbyllet me kaq.

Krahas institucioneve neglizhente dhe të papërgjegjshme, 80% e mësimdhënësve/eve kosovarë/e nuk e konsiderojnë vetën me përgjegjësi për rezultatet e dobëta të Kosovës në testin PISA. Në kuadër të raportit hulumtues të organizatës ETEA, “Fakulteti i Edukimit – Parakusht për cilësinë e arsimit parauniversitar në Kosovë”, botuar në vitin 2021, mësimdhënësit/et u pyetën nëse ndiejnë përgjegjësi për gjendjen e arsimit në Kosovë bazuar në rezultatet e testit PISA dhe vetëm 20% e tyre konsideruan se edhe ata/o kanë përgjegjësi për gjendjen e arsimit në Kosovë bazuar në rezultatet e testit PISA.

ETEA i bën thirrje institucioneve qeverisëse të arsimit në Kosovë që në mënyrë urgjente të krijojnë grupe punuese me ekspertë/e dhe njohës/e të fushës për të bërë analiza të thella mbi rezultatet e testit PISA në vitin 2018 dhe 2022 dhe mbi bazën e këtyre analizave të nxjerr rekomandimet bazuar edhe në modelet e shteteve me arsim të zhvilluar që kanë reflektuar mbi rezultatet e testit PISA në të kaluarën.

Përfshirja në testin PISA është me rëndësi, jo vetëm për të parë se ku qëndrojmë krahas shteteve të tjera, por për të siguruar të dhëna shkencore mbi problemet dhe mangësitë e arsimit dhe si rrjedhojë për të punuar në adresimin e tyre. Një gjë e tillë nuk është bërë në vitin 2015 dhe as në vitin 2018. Prandaj, ETEA i bën thirrje Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), si institucion me përgjegjësi kryesore për arsimin në Kosovë, që të mobilizojë të gjitha kapacitetet përkatëse dhe t’i trajtojë me seriozitet kulminant të dhënat dhe rezultatet e dala nga testi PISA duke i shndërruar zgjidhjet e propozuara në politika me prioritet në nivel vendi.

Në këtë kuadër, ETEA i bën thirrje të gjithë prindërve dhe kujdestarëve/eve ligjorë/e që të mos mjaftohen dhe/apo mashtrohen me suksesin, notat dhe diplomat me të cilat pajisen fëmijët e tyre. Është shumë me rëndësi që, përveç edukimit formal, të punohet në baza ditore në arsimimin e fëmijëve, duke përfshirë dërgimin dhe angazhimin e tyre në aktivitete dhe programe të edukimit jo-formal. Kjo duhet të jetë masa mbrojtëse për të ardhmën e fëmijëve derisa institucionet ta trajtojnë sistemin arsimor me seriozitetin e duhur./KultPlus.com


GKK do të prezantojë ekspozitën kolektive të Asociacionit të Artistëve Vizual të Kosovës e titulluar “Kujtimet e së Nesërmes”

Galeria Kombëtare e Kosovës do të prezantojë ekspozitën kolektive të Asociacionit të Artistëve Vizual të Kosovës e titulluar “Kujtimet e së Nesërmes”, e kuruar nga James Walmsley.

Kjo ekspozitë trajton tranzicionin nga lufta dhe konflikti në Kosovë drejt një shoqërie më të qëndrueshme, më optimiste dhe më të sigurt. Artistët pjesëmarrës trajtojnë tema të thella si humbja, rrënimi dhe rilindja, si dhe bukuria dhe cenueshmëria e botës natyrore, së bashku me ndikimin e teknologjive të reja në strukturën tonë delikate shoqërore.

Arti në Kosovë ka hyrë në një fazë të re, duke dalë guximshëm dhe me besim nga hijet e luftës. Përpjekjet e rëndësishme të ngjarjeve dhe zhvillimet kulturore viteve të fundit kanë forcuar dhe vërtetuar komunitetin dinamik dhe të rëndësishëm të artit të Kosovës, si dhe ndikimin dhe rëndësinë e tij globale. Deri sa Kosova po largohet nga lufta, fatkeqësisht luftërat aktuale dhe të tmerrshme në botë po shkaktojnë destabilitet të ri global. Këto konflikte na kujtojnë se sa e brishtë është jeta jonë e përditshme. Kërcënimi dhe realiteti i luftës dhe padrejtësisë është ende gjithandej rreth nesh. Punimet e paraqitura i referohen natyrës ciklike të gjendjes njerëzore dhe se si historia, nëse nuk jemi të kujdesshëm dhe vigjilentë, mund të përsëritet.

Pjesëmarrës në këtë ekspozitë janë artistët: Adem Rusinovci, Agim Salihu, Arton Behrami, Burim Myftiu, Eshref Qahili, Faton Mazreku, Ismet Jonuzi, Kamuran Goranci, Mehmet Behluli dhe Zake Prelvukaj.

Hapja e ekspozitës do të bëhet ditën e premte, 8 dhjetor, 2023, prej orës 18:00 deri 20:00. / KultPlus.com

Ekspozitë në 110-vjetorin e lindjes së nobelistit francez Albert Camus

Në 110-vjetorin e nobelistit francez Albert Camus, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë çeli një ekspozitë, e cila risjell në vëmendje krijimtarinë e shkrimtarit dhe të filozofit të mirënjohur francez, botuar në gjuhën shqipe.

Romani i mirënjohur “I huaji”, është libri i parë i botuar nga bota e lirë në Shqipërinë postkomuniste, rreth 32 vite më parë, më pas do të vijonin të përktheheshin veprat e tij më të rëndësishme, si: “Miti i Sizifit”, “Murtaja”, “Para gijotinës”, “Rënia”, “Kaligula”, “Gruaja kurorëshkelëse”, “Zhonai ose artisti në punë”, “Mërgimi dhe mbretëria”, “Vera në Algjer”, “E prapmja dhe e përparmja”, “Martesa pasuar nga vera” etj. Krahas botimeve në Shqipërinë postkomuniste vijnë edhe botimet e Prishtinës.

Një vend të veçantë në këtë ekspozitë zënë botimet në gjuhën franceze të Camus, të cilat janë pjesë e fondit të BKSH-së.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun në Sallën Shkencore të BKSH-së. / KultPlus.com

Më 10 dhjetor, ceremonia e konkursit mbarëkombëtar të poezisë ‘KultStrofa’

Festa për poetët shqiptarë po afron. Konkursi mbarëkombëtar i poezisë “KultStrofa” po bën përgatitjet e fundit për të sjell mbrëmjen finale ku edhe do të shpërblehen fituesit e këtij edicioni.

Në mbrëmjen e 10 dhjetorit, hijeshia e fjalës dhe ngrohtësia e poezisë do të bashkohen në një valë emocionesh në KultPlus Caffe Gallery.

Kuruar me kujdes dhe pasion nga gazeta online për art dhe kulturë “KultPlus”, në këtë mbrëmje finale, drita e fjalës do të ndezët në orën 19:00, kur poetët do të nderohen me çmime të veçanta për poezitë e tyre.

Edhe këtë vit, premtohet një edicion i veçantë, i mbushur me emocione të larmishme.

Organizatorja e këtij konkursi, Ardianë Pajaziti, ka bërë të ditur se mbrëmja finale e konkursit “KultStrofa” do të mbahet më datë 10 dhjetor, në ora 19:00 në KultPlus Caffe Gallery.

Juria profesionale e këtij edicioni e përbërë nga Agim Vinca, kryetar jurie, Beti Njuma dhe Shpat Deda do të jenë prezentë në mbrëmjen finale dhe do t’i ndajnë çmimet për fituesit. Juria tashmë ka përzgjedhur dhjetë poezi- finalistë dhe më pas juria profesionale do të shpall edhe tre çmimet kryesore të konkursit, çmimin e parë, të dytë dhe të tretë.

Të gjithë ju konkurrentë dhe dashamirë të artit të fjalës, jeni të ftuar në këtë mbrëmje finale ku do të ndajmë momente të mrekullueshme bashkë dhe do të përqafojmë poezitë e këtij edicioni të konkursit “KultStrofa”.

Historia e këtij konkursi ka ngjyra të veçanta, me emra të njohur si fitues ndër vite: Ragip Sylaj, Arjola Zadrima, Merita Berdica, Gentiana Bajrami Atashi dhe Zhaneta Barxhaj, të cilët kanë shtuar një kapitull të ri në pasurinë e poezisë shqiptare.

Konkursi mbarëkombëtar i poezisë “KultStrofa”, këtë vit mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Frutomania, Ujë Rugove dhe Veraria Labi . / KultPlus.com

Botohet vepra “Letërsitë përtej mureve” nga Osman Gashi

Libri “Letërsitë përtej mureve” (Studime në fushë të letërsisë së krahasuar) është një koleksion studimesh letrare të përkthyera nga Osman Gashi e të zgjedhura prej autorësh eminentë botërorë të shekullit XX. Vepra është botuar nga Pen Qendra e Kosovës, përcjell KultPlus.

Pjesa më e madhe e studimeve në thelbin e tyre janë të fokusuara në këndvështrimin krahasimtar përballë veprave, autorëve apo dukurive letrare dhe trajtojnë probleme që nga ato konceptuale, fundamentale e deri tek dukuritë përcjellëse, gjithnjë të lidhura me dijet, shkollat e konceptet bashkëkohore për letërsinë e artet përgjithësisht. Të tilla janë konceptet e çështjet si: letërsia nacionale, letërsia botërore, interliterariteti, intertekstualiteti, intermedialiteti, autoreferencialiteti, receptimi, imagologjia, çështjet e përkthimit etj.

Autori Osman Gashi ka bërë me dije se kjo vepër vjen si përthekim i një punë të gjatë ndër vite dhe gjithashte ka treguar qëllimin primar të kësaj vepre.

“Studimet janë përkthyer përgjatë më shumë se një decenieje deri sa kam mbajtur ligjërata në kurset e Letërsisë botërore e të Letërsisë së Krahasuar në nivelet BA, MA dhe PhD në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës dhe janë përkthyer me qëllimin primar që t’u ofrohen studentëve, studiuesve e krijuesve letrarë shkrime relevante që do t’u ndihmonin në zgjerimin e njohurive të tyre mbi zhvillimet aktuale në studimet teorike, metodologjike e historike të letërsisë sot”, tregon profesori Gashi, teksa ka bërë me dije se ky libër në veçanti u kushtohet të gjithë atyre studentëve që në mënyra të ndryshme e në kohë të ndryshme kanë vendosur të merren me këtë fushë studimi në punimet e tyre shkollore apo në disertacionet e doktoratës si dhe të gjithë të tjerëve, hulumtues në fushë të letërsisë, të cilët në fokus i kanë letërsitë përballë njëra tjetrës, letërsinë shqipe në kontekstin evropian e më gjerë si dhe njohuritë mbi shkollat moderne të shkencës së letërsisë.

Edhe vetë titulli i librit “Letërsitë përtej mureve” konoton me definicionin themelor të Letërsisë së krahasuar të njërit nga prominentët e kësaj discipline, themeluesit të shkollës amerikane të komparatistikës Henry H. H. Remak (“literature without walls.”).

Autori Gashi beson shumë se libri do të plotësojë një zbrazëti në domenin e fondit të literaturës kritike bazë te ne dhe pa dyshim është në sfondin e kontekstit të asaj që kishte pohuar para më se dy shekujsh, zbuluesi i konceptit Weltliteratur Johan Wolfgang fon Goethe: “NJIH VETVETEN PËRMES TJETRIT”. / KultPlus.com

mde

Galeria e Artit Tiranë, rezidencë artistike në mbështetje të artistëve të rinj


Pas artistes gjermane Doris Graf me projektin e saj “CITY X -Tirana”, tashmë Galeria e Artit Tiranë, ka ftuar në rezidencë 4-mujore artisten e re Arnilda Kycyku. Artistja rishtas zhvendosur nga Elbasani për të jetuar në Tiranë, do nisë hulumtimin dhe zhvillimin e një projekti mbi kryeqytetin sipas këndvështrimit të saj i cili do të rezultojë me një ekspozitë personale në fund të rezidencës.

Drejtorja e GAT, Edit Pula, i ka uruar mirëseardhjen Arnilda Kycykut, në studion e saj të re.

GAT synon të kthehet në Galerinë e Qytetit e cila krijon ekspozitat dhe eventet e saj, në kohezion me realitetin bashkëkohor të Tiranës. Kjo galeri mbështet ide që lindin nga hulumtimi i njerëzve dhe fenomeneve të vetë qytetit dhe që bazohen në çështje apo interpretime që nga karakteristikat urbane e deri tek transformimi psiko-social i tij, bashkërenduar me rivizitimin e trashëgimisë në përgjithësi, duke përfshirë zanatet krijuese e deri tek koleksionet.

Një nga prioritetet e misionit të Galerisë së Artit Tiranë është që nëpërmjet programit të Rezidencës në GAT, të zhvillohet në një atelie kërkimi, prodhimi dhe edukimi për teoritë dhe praktikat kulturore të cilat lidhen dhe kanë për referencë Tiranën./ atsh / KultPlus.com

Festat e Fundvitit, Tirana pret producentët dhe distributorët filmikë më të rëndësishëm nga e gjithë Europa

Marketet e filmit janë shndërruar prej vitesh në boshtin kryesor të industrisë kinematografike në Europë, Amerikë, Azi, duke tërhequr profesionistë nga e gjithë bota, e duke u kthyer në vlerë të shtuar në sektorin artistik dhe kulturor të çdo vendi.

Për këtë arsye, Tiranës nuk mund t’i mungonte një market filmi, që këtë herë ka shumë arsye për të marrë gjithë vëmendjen e duhur.

Agjencia e Industrisë Kreative, bashkia Tiranë, sjell “BALKAN FILM MARKET” në këtë fundvit, duke u fokusuar njëherësh tek profesionistët vendas, kineastët e rinj të Ballkanit, ekspertë të fushës nga mbarë Europa, dhe mbi të gjitha institucionet dhe kompanitë e prodhimit më të njohura në Europë.

Në datat 13-17 dhjetor, në kryeqytet do të vijnë producentët dhe distributorët më të rëndësishëm nga e gjithë Europa, për të nisur një etape të re bashkëpunimesh në territorin e ballkanit.

Aktiviteti do të zhvillohet në ambientet e Piramidës, ku aspirantët për të nisur punën për filmin e tyre të parë, të përzgjedhur paraprakisht në bazë të aplikimeve të realizuara përgjatë dy muajve të fundit, do të punojnë individualisht me mentorë të huaj për të zhvilluar skenarin me të cilin përfaqësohen.

Paralelisht, kineastë nga rajoni do të prezantojnë projektet e tyre para producentëve dhe distributorëve të ftuar në BFM, duke pasur mundësinë të sigurojnë mbështetjen që u nevojitet në fazën e para ose pas prodhimit.

Në rrethin e mbi 300 të ftuarve, të cilët kthejnë sytë nga projektet Ballkanike, regjisorët e rajonit do të kenë mundësinë përgjatë pesë ditëve të promovohen, të zgjerojnë rrethin e njohjeve me emra të cilët kanë një historik të gjatë dhe të suksesshëm në industrinë filmike botërore, ku disa prej tyre te nominuar me çmime OSCAR. Përpos oportunitetit për ekspertët e fushës, nëpërmjet “Balkan Film Market”, Tirana do të shndërrohet në një pikë strategjike takimi për prodhuesit e filmit, që do ta njohin më nga afër kryeqytetin, duke e parë edhe nga këndvështrimi i një lokacioni të mundshëm për xhirime.

“Balkan Film Market” realizohet këtë herë në partneritet me bashkinë Tiranë, ambasadën Franceze, ambasadën Austriake, Institutin Italian të Kulturës, Filmmakers Europe, Qendrën e Artit “AGIMI”, nën organizimin e Agjencisë së Industrisë Kreative./ atsh / KultPlus.com

Kryeministri Kurti: Mirush Kabashi ishte “Sokrati” i vërtetë, te “Apologjia e vërtetë e Sokratit”

Mëngjesin e sotëm, në moshën 75 vjeçare, është ndarë nga jeta aktori i njohur, Mirush Kabashi.

Vdekja e tij ka pikëlluar të gjithë, duke përfshirë edhe krerët e vendeve, komunitetin artistik e gjithë popullin shqiptar.

Kryeministri i Kosvës, Albin Kurti, përmes një postimi në rrjetet sociale, është shprehur se brezat që e panë duke luajtur në skenë, Mirush Kabashi do të kujtohet gjatë për interpretimet e tij aq të fuqishme dhe mjeshtërore të poezisë shqipe.

Tutje, Kurti është shprehur se Mirush Kabashi ishte “Sokrati” i vërtetë, te “Apologjia e vërtetë e Sokratit” e autorit grek Kostas Varnalis.

Ky është postimi i plotë i kryeministrit Kurti:

Me pikëllim nisi kjo e martë, nga lajmi i mëngjesit të sotëm që në orët e hershme të këtij 5 dhjetori, ka vdekur Mirush Kabashi, aktori i madh shqiptar i teatrit dhe i kinemasë.

Mbi një qind role të luajtura në skena teatrore dhe në sheshxhirime filmash, gjatë një karriere më shumë se gjysmëshekullore të gjatë, tregojnë për aftësitë e larta profesionale të Mirush Kabashit si edhe për shpirtin e fuqishëm artistik të tij prej aktori.

Për brezat që e panë duke luajtur në skenë, Mirush Kabashi do të kujtohet gjatë për interpretimet e tij aq të fuqishme dhe mjeshtërore të poezisë shqipe. Pasi ta keni parë një herë Mirush Kabashin duke e interpretuar poezinë e Fan Nolit “Hymni i flamurit”, sa herë që t’i lexoni vargjet “O flamur gjak, o flamur shkabë…”, do t’iu rikthehet zëri i tij aq i fortë duke e recituar këtë poezi në shumë skena dhe evente.

Mirush Kabashi ishte “Sokrati” i vërtetë, te “Apologjia e vërtetë e Sokratit” e autorit grek Kostas Varnalis. Mirush Kabashi e solli aq të gjallë Sokratin, madje duke i përngjarë pamjeve të skulpturave antike greke për Sokratin me mjekrrën dhe flokët e shpupurisura si dhe duke i folur me zërin e tij fjalët e atij që foli aq shumë pa shkruar ndonjëherë asnjë fjalë, Sokratit!

I lindur më 17 prill 1948 në Shkodër por me origjinë nga Gjakova, ky shpirt artisti nga fisi i Kabashit, iu falë gjithë kulturës e popullit shqiptar nëpërmjet artit të tij dramatik.

Ngushëllime familjes Kabashi, kolegëve të tij të lojës dhe të skenës, mes nderimesh e kujtimesh për mjeshtrin e aktrimit, Mirush Kabashin! / KultPlus.com

Qendra “Barabar” – një hapësirë e sigurt me parimin e cilësisë dhe vlerave sociale

E themeluar nga bashkëpunimi i dy organizatave, Integra dhe CASA, dhe e frymëzuar nga fjala “barabar”, që do të thotë barazi dhe drejtësi në gjuhën serbe dhe atë shqipe, Qendra Barabar synon të krijojë një hapësirë të sigurt në radhë të parë, ku komunitetet e ndryshme në Kosovë mund të bashkohen. E si parim kryesor për këtë qendër të jetë cilësia që u ofrohet publikut të pranishëm atje, shkruan KultPlus.

Kushtrim Koliqi një nga vizionarët pas qendrës “Barabar” tregon se ideja erdhi natyrshëm dhe që nga fillimi është diskutuar që të krijohet një hapësirë e veçantë për njerëzit e të gjithave përkatësive.

“Barabar Center u krijua me idenë për të ofruar një platformë të sigurt dhe miqësore për të gjitha grupet, veçanërisht ata, zërat e të cilëve mund të mos kenë qenë të përfaqësuar siç duhet diku tjetër.”

Koliqi thekson se hapësira fizike e Qendrës luan një rol kryesor.

“Hapësira fizike e Qendrës është thelbësore, pasi ofron një mjedis të përshtatshëm për aktivitete të ndryshme. Ajo nuk është vetëm një qendër kulturore, është një hapësirë për ngjarje dhe bashkëpunime të ndryshme.”

Ai nënvizon se vlerat e përbashkëta midis Integra dhe CASA janë forca shtytëse pas bashkëpunimit të tyre.

“Vlerat si demokracia dhe të drejtat e njeriut përbëjnë themelin mbi të cilin u ndërtua Qendra Barabar. Ajo shërben si një hapësirë ku njerëzit nga të gjitha prejardhjet mund të bashkohen, duke u fokusuar në cilësinë dhe meritën e diskutimeve, librave, shfaqjeve dhe filmave.”

Koliqi thekson qasjen e tyre ndaj unitetit.

“Ne synojmë të promovojmë një formë organike uniteti, duke inkurajuar popullatën kryesore që të marrë pjesë me dëshirë e për shkak të cilësisë së pranishme, dhe jo përmes detyrimit.”

Lokacioni i qasshëm, më shumë njerëz të pranishëm

“Grandi na ka ra ndërmend për arsye që kemi qenë të frymëzuar nga Manifesta. Dhe kur kemi shkuar në Manifesta kemi thënë që kjo pjesë duhet të shfrytëzohet edhe më tej. Grandi është edhe me një simbol kontravers duke qenë një herë e një kohë një hotel me 5 yje, e në një anë gjatë okupimit e ka pas një simbolikë tjetër. Pas luftës Grandi e ka pas një fat të çuditshëm që nuk është kthjellur kurrë, njësoj siç është komplekse edhe shoqëria jonë, këtë e paraqet edhe Grandi.”

Hoteli Grand, me rëndësinë e tij historike dhe të kaluarën komplekse, shërben si një sfond prekës për misionin e Qendrës Barabar për të nxitur dialogun, pajtimin dhe bashkëpunimin ndërmjet komuniteteve të ndryshme në Kosovë. Kjo zgjedhje e vendndodhjes përforcon angazhimin e Qendrës për të ofruar një hapësirë të sigurt dhe gjithëpërfshirëse ku njerëzit nga të gjitha prejardhjet mund të bashkohen në Kryeqytetin e Kosovës.

Në anën tjetër, Boyd McKechnie, i cili mbërriti në Kosovë në vitin 2013 për të punuar për Bashkimi Evropian, ofron një perspektivë rreth përfshirjes së tij në Qendrën Barabar.

“Pas qëndrimit tim me zyrën e jashtme të Mbretërisë së Bashkuar dhe projekteve të financuara nga MB, unë bashkova forcat me Koliqin dhe Miodrag Marinkovic (Miki) nga CASA për të eksploruar idenë e krijimit të diçkaje ndryshe”.

Ai parashikon që Qendra Barabar të bëhet një vend i përshtatshëm për diskutime cilësore.

“Unë e shoh që qendra shihet si një vend ku dikush “shkon” për diskutime cilësore, duke ofruar një zë për të gjitha grupet e nënpërfaqësuara dhe duke e formësuar Prishtinën si një qytet tolerant i hapur ndaj një larmie mendimesh dhe idesh”.

McKechnie pranon se ndërtimi i besimit dhe pajtimi është një proces gradual.

“Për të arritur një pamje paqeje kërkon kompromis, pjekuri dhe mençuri midis udhëheqësve, në mënyrë që ata të mund të hartojnë një vend ku e gjithë popullsia mund të lulëzojë”.

Roli i Partneriteteve Ndërkombëtare

Suksesi i Qendrës Barabar mbështetet në partneritetet dhe bashkëpunimet ndërkombëtare.

“Qendra Barabar operon në një qasje shumë-donatore, shumë-partneriteti dhe shumë bashkëpunuese. UNMIK-u, Swiss Development Cooperation dhe organizata të tjera kanë treguar tashmë përkushtimin e tyre.”

Ndikimi Afatgjatë në Komunitetet e Kosovës

Duke parë përpara, themeluesit dhe mbështetësit e Qendrës Barabar parashikojnë një ndikim të rëndësishëm afatgjatë në komunitetet të cilave u shërben kjo qendër.

“Në planin afatgjatë, qëllimi është që Qendra të njihet si vend i dialogut ndëretnik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës dhe një kontribues i rëndësishëm në kohezionin social të Kosovës”.

Ata besojnë se Qendra do të shërbejë si një hapësirë ku individët dhe grupet mund të krijojnë bashkëpunim dhe rrjete.

“Barabari duhet të shërbejë si një hapësirë ku grupet nga komunitete të ndryshme, duke përfshirë artistë, studentë, akademi, gazetarë dhe profesionistë të biznesit, mund të krijojnë bashkëpunim, rrjete dhe kontakte për të çuar përpara punën e tyre”, thotë tutje Koliqi.

Histori suksesi dhe ndikim pozitiv

Qendra Barabar është ende në fazat e para, por tashmë ka shenja të ndikimit pozitiv dhe nismave të suksesshme.

“Një arritje e dukshme është bashkëpunimi midis studentëve nga Universiteti i Prishtinës dhe kolegëve të tyre nga universitetet e Mitrovicës dhe Beogradit. Qendra bashkoi me sukses studentët e artit për një ekspozitë të përbashkët, duke prezantuar punën e artistëve të rinj para një publiku më të gjerë në Prishtinë. Për më tepër, Barabari lehtësoi bashkëpunimin midis studentëve nga Studimet Ballkanologe të Prishtinës dhe Departamentit Albanologjik të Universitetit të Beogradit, duke rezultuar në një produkt unik për mësimin e gjuhës, ‘Fjalori i fjalëve që nuk kanë nevojë për përkthim”, shpjegon Miki.

Si përfundim, Qendra Barabar qëndron si një dëshmi e fuqisë së bashkëpunimit, dialogut dhe një vizioni të përbashkët të barazisë dhe drejtësisë.

Përmes aktiviteteve, parimeve dhe përkushtimit të saj, ajo përpiqet të kapërcejë ndarjet, të nxisë besimin dhe të promovojë mirëkuptimin ndërmjet komuniteteve të ndryshme të Kosovës.

Me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë dhe me përkushtimin ndaj synimit kryesor, që mbetet ofrimi i cilësisë, “Barabar” synon të lë një ndikim të qëndrueshëm në kohezionin social dhe stabilitetin e Kosovës, duke punuar përfundimisht drejt një të ardhmeje të bashkëjetesës paqësore.

Qendra Barabar ka për synim të bëhet një simbol i qëndrueshëm i unitetit dhe dialogut në një rajon që përpiqet për pajtim vit pas viti. /KultPlus.com

Rezultatet e testit “PISA”: Kosova në katër vendet e fundit

Kosova është renditur pothuajse në vendet e fundit në rezultatet e testit të PISA-s për vitin 2022. Kosova ka zënë vendin e 76 nga 80 shtete pjesëmarrëse për lexim, ndërsa është në vendin e 77-të nga 80 për shkencë.

Rezultatet e testit “PISA 2022” u publikuan të martën.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka theksuar se këto kanë qenë rezultate të pritshme duke pasur parasysh problemet me mësimin gjatë pandemisë.

“Rezultatet të cilat janë bërë publike kanë qenë të pritshme, duke marrë parasysh që e kemi pasur një situatë pas pandemisë, ku mësimi është zhvilluar me probleme. Kjo ka qenë e pritshme. Këtu e shtojmë që pandemia ka sjell sfida të tjera të mësimdhënësit e nxënësit për shkak të mungesës së kushteve. Këtu e shtojmë edhe ndërrimin e qeverisjeve. Por ne e kemi pasur fokus në zhvillimin e politikave për përmirësimin e cilësisë në arsim”, ka thënë Nagavci në një konferencë për shtyp.

Lamtumirë “Sokrati shqiptar”, mesazhe për ndarjen nga jeta të Mirush Kabashit

Personalitete të jetës publike shprehën ngushëllimet për ndarjen nga jeta të aktorit Mirush Kabashi, duke përcjellë edhe mesazhe vlerësimi.

Nikolla: Mirushi u dha jetë veprave të mëdha artistike

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla shprehu trishtimin për ndarjen nga jeta të aktorit. “Artisti i Merituar Mirush Kabashi nuk është më. Por shqiptarët do ta kujtojnë për veprën dhe trashëgiminë e tij. Mirushi ishte një artist i madh. Me krijimtarinë e tij u dha jetë veprave të mëdha artistike, nga vendi dhe arti botëror”, u shpreh Nikolla në rrjetet sociale.

“Me talentin e tij, me mbi njëqind personazhet që krijoi në skenë dhe në ekran, Mirush Kabashi na bëri të mendojmë, të reflektojmë, shpesh edhe të qeshim, për problemet e mëdha të shoqërisë. U prehsh në paqe, Mjeshtri ynë i madh dhe i paharruar!”, tha Nikolla.

Margariti: Ngriti peshë zemrat e miliona shqiptarëve

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, në një reagim në rrjetet sociale kujtoi takimin e fundit me aktorin Mirush Kabashi, të cilin e quan “Sokrati shqiptar”.

“Duket si një çast nga takimi i fundit, nga ai shtrëngim duarsh dhe ajo buzëqeshje rrezëllitëse plot urtësi dhe mirësi… aq sa duket e pabesueshme kjo ikje…”, u shpreh Margariti, duke e vlerësuar aktorin si “artistin që me zërin dhe fjalën e tij, ka ngritur peshë zemrat e miliona shqiptarëve”.

“U prehsh në paqe Mirush Kabashi, artistë si ty janë të përjetshëm në zemrat e publikut, që e deshe dhe të deshi pa fund!”, mbyll homazhin e saj, ministrja e Kulturës.

Basha: Dhuroi emocione përmes qindra roleve në teatër dhe në kinematografi

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u shpreh në rrjetet sociale i hidhëruar nga lajmi i përcjellë nga familja Kabashi për largimin nga jeta i një prej yjeve më të shndritshëm të artit tonë, Mirushit.

“Një ikonë që me pasion, talent dhe dashuri për artin dhuroi emocione përmes qindra roleve në teatër dhe në kinematografinë shqiptare. Virtuozizmi i tij do të mbetet i paharruar, si një trashëgimi artistike e lënë ndër breza”, u shpreh Basha.

“Ngushëllimet e mia më të ndjera. Lutjet e mendimet e mia janë me familjen Kabashi, të afërmit, miqtë, kolegët dhe dashamirësit e shumtë të mjeshtrit të madh.

U prehtë në paqe!”, përfundoi ai.

Veliaj: Aktor i madh i skenës, interpretues i rrallë i poezisë

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shpreh ngushëllimet për ndarjen e parakohshme nga jeta të aktorit Mirush Kabashi.

Në një postim në rrjete sociale Veliaj shkruan: “I trishtë lajmi për ndarjen nga jeta të aktorit të madh të skenës, interpretuesit të rrallë të poezisë, të artistit Mirush Kabashi”.

“Lamtumirë, i madhi Mirush!”, u shpreh Veliaj. / atsh / KultPlus.com

Përkujtohet Emin Duraku, luftëtari antifashist nga Gjakova

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave përkujtoi sot, në ditën e ndarjes nga jeta, Emin Durakun (5 dhjetor 1942).

Emin Duraku u lind në vitin 1917, në Gjakovë, ku edhe mori mësimet e para. Në vitin 1932, kaloi kufirin në mënyrë të paligjshme së bashku me disa shokë, duke patur si qëllim ndjekjen e mësimeve në gjuhën amtare.

Me të mbërritur në Tiranë, u regjistrua në shkollën e mesme të qytetit. Në vitin 1939 kthehet në Gjakovë. Do të kalonte sërish kufirin për të shkuar në Shkodër, ku mori pjesë në demonstratat antifashiste kundër pushtimit Italian, të mbajtura më 28 nëntor të vitit 1939. Bie në prangat e forcave fashiste dhe internohet në ishullin Ventotene.

Në vjeshtë të vitit 1942, Duraku kontaktoi me grupet komuniste në rrethin e Lypjanit, në një rreth aktivistësh serbë. Përcjellësi i tij serb, ishte kapur nga karabinieria dhe për të shpëtuar, kishte diktuar vendin ku ndodhej i fshehur Duraku. Humbi jetën si pasojë e plagëve të rënda nga aksioni i Kuesturës. / KultPlus.com

Gërsheti i mërzitur

Sali Bashota

Dikur më pëlqente shikimi i syve
Dhe fishkëllima e erës në mesnatë
Hëna që buzëqeshte midis yjeve
Më pëlqente edhe fjala uratë

Tani malli ka emrin e vet
Kur e marrim me vete çdo mbrëmje
Fjala e ëmbël nga durimi pëlcet
Sa herë e ndiejmë të njëjtën dhembje  

Dikur edhe nata kishte frikë
Si ndonjë çast i zemëruar 
Ndoshta vetmia më nuk ik
Ndoshta nostalgjia na ka harruar 

Tani përse e fshehim zjarrminë
Sikur ëndrrën e dremitur
Prapë e ndiejmë të njëjtën drithërimë
Kur ti thur gërshetin e mërzitur. / KultPlus.com

Kjo është fjala e vitit për 2023 sipas “Oxford University Press”

Fjala e vitit për 2023 është “rizz”, sipas botuesve të fjalorit anglez të Oksfordit. Rizz i mori stafetën “Swiftie”, siç quhen fansat e Taylor Swift dhe frazave të tjera si “situationship” dhe “de-influencing” që janë përdorur gjerë në mediat sociale.

Në “garë” për fjalën e vitit ishin tetë të tilla, të gjitha të zgjedhura për të pasqyruar gjendjen shpirtërore, moralin ose preokupimet e vitit 2023.

Një listë më e shkurtër u fjalësh u hodh në votim publik përpara se leksikografët e Oksfordit të merrnin vendimin përfundimtar.

Por çfarë është rizz-i?

Kjo fjalë mund të mos ketë asnjë kuptim për ju nëse nuk bëni pjesë në Brezin Z, (Generation Z). Megjithatë, kjo fjalë është përdorur në mënyrë masive online, ndërsa miliarda përdorues kanë përdorur hashtag-un “rizz” në TikTok.

Sipas Oxford University Press, i cili publikon Fjalorin anglisht të Oxford-it, rizz do të thotë stil, sharm, ose mund të quhet dikush që ka aftësinë që të tërheqë/joshë një partner.

Termi besohet të jetë një formë e shkurtër për “karizmën”./A2CNN / KultPlus.com

Artpolis organizon marshin “Stop Femicidit! #BollMa” dhe performancën artistike “Hope Bubble”

Vrasja e grave e dhuna sistematike e patriarkatit duhet të marrë fund! Femicidi, mizogjenia e maskuliniteti toksik vazhdojnë të na terrorizojnë përditshëm. Jeta e grave cenohet çdo ditë, në shtëpi, në rrugë, në punë, në hapësira publike e private.

Femicidi është urgjencë kombëtare. Është momenti i fundit që institucionet tona dhe shoqëria ta trajtojë me seriozitetin më të lartë vrasjen e grave e dhunën ndaj tyre, dhe të dënojë maksimalisht kriminelët përkitazi me ligjin.

Ndaj, më 7 dhjetor 2023 nga ora 12:00 marshohet nga sheshi “Zahir Pajaziti” për të kundërshtuar shtypjen e vrasjen e grave nën moton “Stop Femicidit! #BollMa”, së cilës i paraprin performanca artistike “Hope Bubble” udhëhequr nga Donikë Ahmeti. 

Vrasja e Liridona Ademajt ka shpërfaqur fytyrën e vërtetë të sistemit patriarkal. Nëse ndokush deri më tash ka pasur dyshime se femicidi nuk ekziston në Kosovë, vrasja e Liridona Ademajt është rast puro femicid: planifikim, organizim, ekzekutim.

Është momenti i fundit t’i japim fund femicidit.

Është momenti i fundit të sjellim drejtësi, e barazi gjinore.

Është momenti i fundit t’i japim fund patriarkatit, e bashkë me të edhe shtypjes.

Që të mos ketë Liridona të tjera, viktima të femicidit. / KultPlus.com

Sot protestë gjithëpopullore, nuk ka paqe pa sigurinë e grave

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, organizon sot protestë gjithëpopullore me moton ‘nuk ka paqe pa sigurinë e grave’.

“Ju njoftojmë se këtë të marte, 5 dhjetor, duke filluar nga ora 18:00, ne thërrasim protestë gjithëpopullore në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë. Thërrasim në organizim dhe veprim të gjitha/ë anembanë Kosovës që të mblidhemi dhe të themi njëzëri që nuk ka paqe pa sigurinë e grave dhe të kërkojmë që dhuna e gjinizuar dhe femicidi të trajtohen si urgjencë kombëtare!”, thuhet në njoftim.

“Këtë javë u njoftuam se një polic e përdhunoi një të mitur në Gjakovë, e një burrë pagoi vrasjen e bashkëshortes së vet në Prishtinë”, thuhet në njoftim.

Sipas, Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist, dhuna e gjinizuar ndaj vajzave dhe grave dhe femicidi nuk janë incidente të izoluara apo simptoma të problemeve psikologjike të kryerësve të këtyre krimeve.

“Ato janë simptoma të patriarkalizmit i cili vazhdon ta qeverisë familjen, shoqërinë dhe shtetin tonë. Ato janë pasojat e një dhune strukturore patriarkale që vazhdon t’i shtypë gratë e të prodhojë dhunues e vrasës në çdo celulë të organizimit shoqëror dhe politik. Ne, gratë dhe vajzat në Kosovë, jetojmë në frikë të vazhdueshme për sigurinë tonë dhe për sigurinë e njëra-tjetrës. Dhuna e gjinizuar po na ngulfatë në secilën hapsirë, e disa prej nesh po i vret. E kjo nuk bën të vazhdojë kështu. Ne nuk do të qëndrojmë të qeta/ë përderisa burrat vazhdojnë të dhunojnë e vrasin vajza e gra. Vendi jonë nuk mund të ketë paqe përderisa për gratë çdo ditë është gjendje lufte. Luftë për ekzistencë, luftë për t’u mos u dhunuar, luftë për të mos u vrarë”, thuhet në njoftim.

Sipas kësaj organizate, familja, shoqëria e shteti janë të tri hallkat në të cilat kërkojnë ndryshime rrënjësore dhe zhbërje të patriarkatit që po i dhunon e vret gratë.

‘Ne kthehemi drejt tyre sepse e dijmë se ky sistem vrasës nuk është jashtë nesh. Andaj, këtë të marte, duke filluar nga ora 18:00, ne thërrasim protestë gjithëpopullore në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë. Thërrasim në organizim dhe veprim të gjitha/ë anembanë Kosovës që të mblidhemi dhe të themi njëzëri që nuk ka paqe pa sigurinë e grave dhe të kërkojmë që dhuna e gjinizuar dhe femicidi të trajtohen si urgjencë kombëtare! Të martën, bëhemi bashkë të gjitha/ë në shesh, e çdo ditë tjetër luftojmë krahas vajza e grave. Për siguri dhe liri për gratë dhe vajzat në Kosovë!”, thuhet në njoftim. / KultPlus.com

Begaj dhe Rama mesazh ngushëllimi për Mirush Kabashin: Mbajti gjallë brenda nesh dashurinë për artin

Krerë të lartë të shtetit kanë shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta në moshën 75 vjeçare të aktorit të mirënjohur Mirush Kabashi.

Presidenti Bajram Begaj shprehet në mesazhin e tij të ngushëllimit se Mirush Kabashi mbajti gjallë brenda nesh dashurinë për artin.

“Lamtumirë Artistit që mbajti gjallë brenda nesh dashurinë për artin dhe ngriti peshë sallat kudo performoi! Lamtumirë “Nder i Kombit”, Mirush Kabashi”, shprehet Begaj.

“Lamtumirë Mirush”, shprehet Kryeministri Edi Rama në mesazhin e ngushëllimit postuar në rrjetet sociale.

Aktori i mirënjohur i teatrit dhe kinemasë shqiptare, Mirush Kabashi u shua pas mesnate, në orët e para të datës 5 Dhjetor, në moshën 75-vjeçare. / KultPlus.com

‘Jam shqiptar, kosovar’, recitimi madhështor i Mirush Kabashit kur Kosova po përjetonte luftën (VIDEO)


Aktori i mirënjohur i teatrit dhe kinemasë shqiptare, Mirush Kabashi u shua pas mesnate, në orët e para të datës 5 Dhjetor, në moshën 75-vjeçare.

Mirush Kabashi ishte një aktor shqiptar i cili numëron rreth 100 role në teatër dhe filma. Mirush Kabashi tek publiku mbahet mend veçmas për interpretimet artistike të poezive të ndryshme.

Me interpretimet e tij të disa poezive shqipe, ai ka dëshmuar potencialin e rrallë të një interpretuesi. Shumë poezi janë gjetur, rilexuar pikërisht si pasojë e interpretimit të aktorit Mirush Kabashi. Tonaliteti e përjetimi i tij në secilën strofë arrin të krijoi një komunikim tejet të afërt me publikun.

Sot, në këtë pikëllimi për të gjithë shqiptarët, KultPlus ju sjell recitimin madheshtor të Mirush Kabashit, vargjet ‘Jam shqiptar, kosovar’ të cilat jehojnë përmes zërit të tij kumbues. Inçizim ky i vitit 1998, në periudhën më të vështirë për popullin e Kosovës. / KultPlus.com

Vdes aktori Mirush Kabashi


Aktori i mirënjohur i teatrit dhe kinemasë shqiptare, Mirush Kabashi ka ndërruar jetë në moshën 75-vjeçare.

Lajmi u konfirmua nga familjarë të tij. Ata shkruan në rrjetet sociale se Kabashi u shua pas mesnate, në orët e para të datës 5 Dhjetor.

“Të nderuar miq, kolegë dhe dashamirës, me pikëllim të thellë ju njoftojmë se Mirush Kabashi ndërroi jetë të Martën, në datë 5 Dhjetor pas mesnate. Përsa i përket detajeve të ditës, orës së varrimit dhe homazheve do ju komunikojmë në orët në vazhdim”, njoftuan ata./ KultPlus.com

Google do të prezantojë Gemini AI në 2024,

Google njoftoi Gemini në konferencën e tij I/O 2023 si një model të nivelit fillestar me “aftësi mbresëlënëse multimodale” dhe fillimisht ishte planifikuar të zbulohej para fundit të këtij viti në një kornizë kohore të pazakontë të nisjes së festave.

Kjo nuk është konfirmuar publikisht, por burimet tani pohojnë se Gemini po “lufton” me çështje jo-anglisht, kjo është arsyeja pse CEO Sundar Pichai vendosi të vonojë lançimin.

Binjakët do të jenë në gjendje të përdoren për qëllime të ndryshme dhe të kombinojnë lloje të ndryshme të dhënash si foto dhe tekst për nevojat e detyrave më të vështira.

Në maj, Google tha se “Gemini do të jetë i disponueshëm në madhësi të ndryshme dhe me aftësi të ndryshme pasi të rregullohet dhe testohet në mënyrë rigoroze”.

Gemini pritet të sjellë përmirësime në teknologjinë ekzistuese të inteligjencës artificiale (AI) të Google dhe produktet e aktivizuara me AI si Bard, Google Assistant dhe Search./alsatm/KultPlus.com

‘Shtëpia e zotit’ ngjitet në skenën e TKOB

“Shtëpia e Zotit” një pjesë e shkruar nga autori shqiptar Ledian Gjeçi me regji të Ilir Bokshit dhe me interpretimin e disa aktorëve nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia e Veriut u ngjit në skenën e Teatrit Kombëtar në Tiranë.

Duke marrë shkas nga aktualiteti shqiptar, që përforcohet nga tekste lajmesh, shfaqja ka në qendër një shtëpi bari ku një grup me në krye një polic, rrisin bimë hashashi ndërsa karrocat që herë u përngjajnë atyre të dyqaneve e herë atyre të fëmijëve vallëzojnë në një skenografi minimaliste.

Grupi që shumë shpejt merr tipare kriminale, bashkon brezni e mendësi të ndryshme nga glorifikuesit e diktatorit te “reaksionarët” siç quhen, nga pothuaj maniakët që bartin patriarkalitetin te besimtarët dhe përfshin mes personazheve edhe një prift si dhe dikë që hiqet si prift.

Dhuna ndaj gruas dhe korrupsioni janë nënlinja që nuk kalojnë pa vëmendje ndërsa shqiptarët në tri anët e kufirit i vuajnë në përditshmëri. Batutat, humori dhe mizanskenat që vishen nga trilli artistik, do ta çojnë shtëpinë e barit a të zotit në vendin më të paimagjinueshëm në qytet, por megjithëkëto elemente, shfaqja “Shtëpia e Zotit” mezi rri në këmbë.

Interpretimi në një anë, naivitetet e klishetë në tjetrën, krah skenave që zhbëjnë shenjtërinë, nuk arrijnë të krijojnë ansamblin teatral që tejkalon veten dhe pritshmëritë e spektatorit që tek-tuk qesh me termat banalë. Që teatrot të krijojnë hapësira për shfaqjet shqiptare është domosdoshmëri, sidomos për t’u përballur me veten në kërkim të përmirësimit, por të mbash mbi supe skenën e Teatrit Kombëtar, do më shumë se vetëm dëshirë. Ndryshe shtëpia e Zotit nuk rri dot në këmbë./BalkanWeb/KultPlus.com

Kryeministri Kurti e ripohon përkushtimin e Kosovës ndaj Këshillit të Evropës

Kryeministri Albin Kurti sot është takuar me delegacionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Ai ka thënë se ka ripohuar përkushtimin e Kosovës ndaj Këshillit të Evropës.

“Duke siguruar sundimin e ligjit dhe të drejta të fuqishme për komunitetet joshumicë. Duke e dëshmuar këtë, vitin e ardhshëm ministria përgjegjëse për komunitetet joshumicë do të ketë rritjen e dytë më të madhe buxhetore nga çdo ministri”, ka thënë Kurti./Klankosova.tv/KultPlus.com

Ekspozitë për historinë! Punimet e artistëve të rinj në ekspozitën ‘Identitet’

Një ekspozitë rinore, por aq edhe e lidhur me rrënjët e eposit dhe historisë sonë qëndron e çelur në galerinë e Liceut Artistik “Jordan Misja”, Tiranë.

Një grup artistësh të rinj të talentuar janë autorët e këtyre veprave, në ekspozitën “Identitet” e ideuar nga Elsaid Dabula, Arnold Broqi dhe Xhon Madhi. Këta të tre i bashkoi ideja se në kohët post-moderne ndjehet gjithmonë e më shumë nevoja e qasjes së identitetit kombëtar, i cili po humbet në vorbullat globaliste.

Që nga mitologjia dhe eposi shqiptar deri tek heroizmi i të rinjve partizanë gjatë LANÇ. Të gjitha këto momente historike pasqyrohen në këto vepra me punimet e Albina Nuraj, Alesia Podogrica, Arbri Zhabjaku, Arlind Boriçi, Armilda Kyçyku, Arnold Broqi, Enea Ziu, Elsaid Bandula, Euro Rrasa, Gjovani Marku, Izmir Bahja, Klevis Myrta, Leonard Prela, Marsild Kyçyku, Mateo Moshi, Ola Xhaferaj, Visar Piranaj dhe Xhon Madhi, ekspozita u ndoq nga një numër i madh artdashësish dhe trupi dimpomatik.

Ajo qëndron e hapur deri më 15 dhjetor për publikun./topchanel/KultPlus.com