99 vjet më parë Ahmet Zogu u zgjodh president i Shqipërisë

Më 31 janar 1925, Ahmet Zogu u zgjodh president.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave kujton se, më 21 janar të atij viti, datë që ka hyrë në analet e historisë, u vendos për formën e republikës së parë shqiptare. Pas shtypjes së Revolucionit të Qershorit, Asambleja Kushtetuese u mblodh për ta shpallur Shqipërinë, Republikë Parlamentare. Për detyrën e kreut të shtetit u zgjodh Ahmet Zogu.

Forma e re e qeverisjes së vendit u përligj përmes miratimit të Statutit të Republikës Shqiptare nga Asambleja Kushtetuese, në mars të vitit 1925. Statuti sanksionoi konsolidimin e pavarësisë dhe jetësimin e parimeve demokratike kushtetuese.

Po ashtu, në Statut ligjëroheshin parimet dhe liritë demokratike, sikurse janë ndarja e pushteteve dhe liritë e të drejtat e njeriut. Një arritje e madhe e kohës ishte miratimi i Kodit Penal. Mandati i presidentit të Republikës ishte 7-vjeçar. Kjo formë republikane e qeverisjes zgjati deri në shtator të vitit 1928./KultPlus.com

Vendosen tabelat informuese për rëndësinë e Ujëvarave të Mirushës

Organizata për mbrojtjen e mjedisit Ecopana, përfaqësuese e WWF Adria në Kosovë, në bashkëpunim me Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës kanë bërë sot vendosjen e tabelave informuese për rëndësinë e Ujëvarave të Mirushës si monument i natyrës me rëndësi të veçantë.

Vendosja e këtyre tabelave ka për qëllim të ndërgjegjësojë vizitorët për rëndësinë ekologjike, shkencore, estetike, kulturo-historike dhe atë turistike të Ujëvarave të Mirushës.

Territori i Ujëvarave të Mirushës ka një biodiversitet të pasur, me rreth 330 lloje të bimëve vaskulare, 44 lloje të kërpudhave të larta, lloje të shumta të shtazëve, e dhjetëra lloje të rralla insektesh të ujërave.

Tabelat informuese të sapovendosura do të kontribuojnë në ndërgjegjësim mjedisor dhe në zhvillimin e qëndrueshëm të kësaj zone.

“Ne jemi të përkushtuar të punojmë në ruajtjen e trashëgimisë unike natyrore të Ujëvarave të Mirushës. Me vendosjen e këtyre tabelave, ne shpresojmë të nxisim turizëm të përgjegjshëm dhe të kontribuojmë në shfrytëzimin e qëndrueshëm të resurseve natyrore”, tha Krenare Salihu, drejtoreshë ekzekutive e organizatës Ecopana/WWF Adria në Kosovë, raporton KP, transmeton Klankosova.tv.

Ajo sqaroi se aktiviteti për vendosjen e tabelave informuese është bërë në kuadër të projektit për pendën (digën) e Mirushës, që mbështet nga organizatat The Nature Conservatory (TNC), Open Rivers Programme (ORP), zbatuar nga Ecopana/WWF Adria në bashkëpunim me Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës, Komunën e Malishevës, Universitetin e Prishtinës si dhe institucionet tjera relevante.

Penda në Mirushë ishte ndërtuar ilegalisht midis viteve 2011 dhe 2013 fillimisht për prodhim hidroenergjetik, por tani nuk shërben për asnjë qëllim. Studimet e bëra në kuadër të këtij projektit të Ecopana/WWF Adriana në Kosovë për pendën e Mirushës tregojnë se ndikimi i saj ka qenë i dëmshëm për florën e faunën.

Ndërsa Sami Behrami nga Instituti i Kosovës për Mbrojtje të Natyrës falënderoi Ecopana/WWF Adria për mbështetje në vendosjen e tabelave informuese.

“Këto tabela kanë rëndësi të veçantë meqë ata që e vizitojnë Mirushën do të njoftohen më mirë për vlerat e ujëvarave dhe potencialin natyror që posedon kjo zonë. Për shkak të këtyre vlerave kjo zonë në vitin 2012 me një vendim të qeverisë është e mbrojtur si monument i natyrës me rëndësi të veçantë me sipërfaqe prej rreth 600 hektarësh”, theksoi ai.

Drejtori për Urbanizëm në komunën e Malishevës, Avdi Morina gjatë vendosjes së tabelave informuese theksoi rëndësinë e kujdesit më të madh të institucionale lokale dhe qendrore për mbrojtjen e Ujëvarave të Mirushës.

Atëherë

Poezi e shkruar nga Jacques Brel

Në se të duhen trena për t’ia mbathur botës
E anije me vela që udhëtimesh të shpien larg
Për të kërkuar diell që t’a mbash në sy
E kengë që ti lehte mund t’i kendosh
atëhere …

Në se të duhet agimi për të besuar të nesërmen
Dhe të nesërmen që të mundësh të shpresosh
Për të gjetur shpresën që të kap për dore
Për të gjetur dorën që ti ke braktisur
Atëhere …

Në se do të dëgjosh rrëfime e fjalë të moçme pleqsh
Për t’u ngushëlluar për ato që s’ke bërë dot
Në se poezia për ty humbet vlerë e bëhet lojë
E në se jeta jote nuk është veç një pleqëri
Atëhere …

Në se do të duhet pak mërzitje për t’u dukur i thellë
A rrëmujë qytetesh për të harruar çdo zhgënjim
E pastaj delikatesë për t’a ndjerë vehten të denjë
E pastaj zjarr e nevrik per t’u dukur i fortë trim
Atëhere…

Atëhere ti s’ke kuptuar asgjë …/KultPlus.com

‘Muret e Portës’ përfshihet në mesin e 11 monumenteve më të rrezikuara në Evropë

Monumenti arkeologjik “Muret e Portës” në Durrës, është përzgjedhur mes 11 monumenteve më të rrezikuara në Europë. Kjo është lista paraprake e programit “7 më të Rrezikuarit”, që u shpall nga organizata “Europa Nostra” dhe Instituti i Bankës Europiane të Investimeve.

Monumenti “Muret e Portës” është përfshirë në listën paraprake të edicionit të këtij viti të programit “7 më të Rrezikuarit”, që u shpall nga “Zëri Europian i Shoqërisë Civile të Përkushtuar ndaj Trashëgimisë Kulturore dhe Natyrore”, e njohur si Europa Nostra, në bashkëpunim me Institutin e Bankës Europiane të Investimeve (EIB).

“Përzgjedhja u krye në bazë të rëndësisë së shquar për trashëgiminë dhe vlerës kulturore të secilit monument, si edhe rrezikut serioz me të cilin ata përballen sot”, shkruhej në komunikatën e shpëndarë për mediat.

Monumenti i Kulturës i Kategorisë së Parë “Muret e Portës” në Porto-Romano Durrës, u përfshi në listën e ngushtë me monumentet më të rrezikuara në Europë, e cila do të rishikohet dhe në muajin prill parashikohet të njoftohen 7 përzgjedhjet finale.

Propozimi u dorëzua nga Qendra Amfora, e përfaqësuar nga aktivisti i ri tek “Europa Nostra”, Heldi Kodra, që prej 30 shtatorit 2023. Programi përzgjedh 7 objekte të trashëgimisë kulturore në Europë që përballen me rreziqe nga dëmtimi si pasojë e neglizhencës apo faktorëve të tjerë.

“Propozimi synon nxitjen për të vepruar të strukturave shtetërore dhe të institucioneve europiane në fushën e kulturës, për monumentin antik që u shkatërrua pjesërisht dhe rrezikon të zhduket”, tregoi drejtori ekzekutiv i Qendrës Amfora, Geri Emiri.

“Pjesa simbolike ku dikur ngrihej porta është rrafshuar gjatë punimeve për ndërtimin e portit të ri të hidrokarbureve, por mund të shpëtohet një kullë e mbetur, një linjë muri fortifikimi dhe të vlerësohet rikuperimi i monumentit”, përfundoi Emiri.

Sipas komunikatës për shtyp të “Europa Nostra”, në takimin e zhvilluar më 30 janar është prezantuar lista me 11 objektet në rrezik, ndër të cilat rezulton dhe monumenti “Muret e Portës”, i vetmi monument nga Shqipëria.

“Përzgjedhja përbën një lajm të mirëpritur dhe shënon një hap kyç dhe të rëndësishëm në fushatën për mbrojtjen e monumentit. Mund të konsiderohet si vlerësim i punës dhe angazhimit të aktivistëve dhe shoqërisë civile për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore”, rrëfeu aktivisti i ri i “Europa Nostra”, Heldi Kodra.

“Nominimi do t’i japi monumentit një rëndësi jo vetëm në nivel lokal, por edhe në rrafshin europian. Shpresojmë që të rritet ndërgjegjësimi qytetar dhe njëkohësisht mekanizmat ligjore dhe shtetërore të vihen në lëvizje për zbatimin e ligjit dhe pse jo, restaurimit të pjesës së dëmtuar të monumentit”, përfundoi ai.

Monumenti arkeologjik “Muret e Portës” u shkatërrua pjesërisht dhe u rrethua nga kompania “Porti MBM”, e cila përmes një koncensioni të vitit 2015 nga Kuvendi i Shqipërisë, realizoi punimet për ndërtimin e portit të hidrokarbureve.

Presidenti ekzekutiv i Europa Nostra, Prof. Dr. Hermann Parzinger, deklaroi gjatë takimit se monumentet e përzgjedhura të trashëgimisë janë të kërcënuara nga shembja, zhvillimi i papërshtatshëm, ndikimi shkatërrues i fatkeqësive natyrore, neglizhenca dhe mungesa e financimit.

“Trashëgimia e Europës duhet të mbrohet jo vetëm si dëshmi e të shkuarës sonë të përbashkët, por dhe si një katalizator për një të ardhme të qëndrueshme, kohezive dhe të paqtë”, shtoi ai.

Niveli i angazhimit të komuniteteve lokale, përkushtimi i publikut dhe palëve private të interesuara për të mbrojtur këto monumente u konsideruan si vlera thelbësore të shtuara. Një tjetër kriter përzgjedhje ishte dhe potenciali i këtyre monumenteve për të shërbyer si katalizatorë të një zhvillimi të qëndrueshëm socio-ekonomik.

Për dekanen e Institutit të Bankës Europiane të Investimeve, Shiva Dustdar, trashëgimia kulturore është një burim kyç i identitetit europian, atraktivitetit dhe rritjes ekonomike.

“Ne shpresojmë t’i shohim monumentet të restauruara dhe të mbrojtura për brezat e ardhshëm”, u shpreh ajo.

Programi “7 Më të Rrezikuarit” është pjesë e fushatës së shoqërisë civile për mbrojtjen e trashëgimisë së rrezikuar të Europës. Ai rrit ndërgjegjësimin, përgatit vlerësime të pavarura dhe rekomandime për veprim.

Aplikimi mori edhe mbështetjen e Qendrës Art Kontakt, Grupimit Informal “Skena e Pavarur Kulturore” dhe organizatës “GO2 Albania”, si një rast që cenon identitetin kombëtar, me shkatërrimin e fortifikimit të vetëm në veri të Durrësit.

Media Amfora zbuloi në muajin dhjetor të vitit që lamë pas, se një zinxhir institucionesh të drejtësisë, kulturës dhe të territorit, dështuan të ndalonin punimet e paligjshme për ndërtimin e portit të hidrokarbureve në Porto-Romano. Teksa Prokuroria e Durrësit hetonte për dëmtimin e mundshëm të monumentit antik, ai u shkatërrua nga kompania koncesionare.

“Europa Nostra”, është zëri europian i shoqërisë civile i përkushtuar në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore dhe natyrore. Së fundmi në programin “7 Më të Rrezikuarit” ishte përfshirë ura monument kulture në Milot, e njohur si “Ura e Zogut”./Amfora/KultPlus.com

Universal Music kërcënon të tërheqë këngët nga TikToku për shkak të negociatave rreth pagesës

Universal Music ka akuzuar TikTok-un për ofendim dhe kërcënoi se do të tërheqë miliona këngë nga platforma pas një dështimi në negociatat e pagesave – gjë që do të hiqte qasjen në muzikë nga artistë, përfshirë Taylor Swiftin dhe Drake.

Në një letër të hapur të shpërndarë në internet, të titulluar “Pse duhet të largohemi nga TikTok-u”, Universal tha se kishte bërë presion mbi “tre çështje kritike” – pagesën për artistët dhe kompozitorët, mbrojtjen nga “efektet e dëmshme” të AI dhe sigurinë në internet – përpara kontratës së saj aktuale që skadon sot.

Faqja e postimit të videove iu përgjigj kërkesave të kompanisë, e cila është grupi më i madh muzikor në botë, “së pari me indiferencë dhe më pas me frikësim”, thuhej në letrën e hapur dhe “u përpoq të na ofendonte për të pranuar një marrëveshje me vlerë më pak se marrëveshja e mëparshme” duke hequr muzikën e artistëve në zhvillim duke mbajtur punën e yjeve globalë “të shtyrë nga audienca”.

Universal akuzoi TikTok-un për “përpjekje për të ndërtuar një biznes të bazuar në muzikë, pa paguar vlerën e drejtë për muzikën” dhe në mënyrë efektive “sponsorizoi zëvendësimin e artistit me AI” duke lejuar që faqja të “përmbytet” me regjistrime të krijuara nga AI.

Ai propozoi që artistët dhe kompozitorët të paguhen “një fraksion” të tarifës që platformat e tjera të ngjashme të mediave sociale paguajnë për qasje në katalogun e saj, thuhej në letër./KultPlus.com

“Time Out”: Kjo është lista e qyteteve më të mira në botë për vitin 2024

Në fillim të vitit, revista “Time Out” publikon listën e përditësuar të 50 qyteteve më të mira në botë, të cilat ia vlen të vizitohen çdo vit. Për vitin 2024, sapo është publikuar renditja e qyteteve më të mira, ku një pjesë e mirë janë në Europë.

Përpara se të rezervoni fluturimet për udhëtimin tuaj të ardhshëm, kontrolloni listën e mëposhtme.

Nju Jorku doli i pari dhe më i miri për vitin 2024, ndërsa në vendin e dytë është Cape Town. Treshja mbyllet me një kryeqytet europian, që është edhe qyteti më i mirë i kontinentit të vjetër. Bëhet fjalë për Berlinin, i cili është “plot me gjëra të mahnitshme për të bërë dhe parë: restorante, mëngjes i vonë dhe disa muze që duhen vizituar“, sipas Time Out.

Lista e qyteteve më të mira të vitit 2024 u krijua në bashkëpunim me “Potentia Insight”, i cili anketoi mijëra banorë të qyteteve nga e gjithë bota për gjithçka, nga çmimet e shtrenjta dhe cilësia e ushqimit, kultura dhe jeta e natës deri tek sa të lumtur janë ndihen vizitorët, gjithashtu se sa e lehtë është të bësh miq.

10 qytetet më të mira në botë për vitin 2024 sipas Time Out:

1. New York City, SHBA

2. Cape Town, Afrika e Jugut

3. Berlin, Gjermani

4. Londër, MB

5. Madrid, Spanjë

6. Mexico City, Mexico

7. Liverpool, MB

8. Tokio, Japoni

9. Romë, Itali

10. Porto, Portugali./KultPlus.com

Osmani bisedon me të parin e shtetit të Katarit, diskutojnë për forcimin e raporteve dhe heqjen e ndërsjellë të vizave

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka biseduar sot me kreun e shtetit të katarit, Tamim Bin Hamad Al Thani, përcjell KultPlus.

Nëpërmjet një postimi në platformën X, presidenjta Osmani njoftoi se gjatë kësaj bisede, ata diskutuan për marrëdhëniet e shkëlqyera mes Kosovës dhe Katarit si dhe për heqjen e ndërsjellë të vizave.

Në vijim, KultPlus ua sjell postimin e presidentes Osmani:

E kënaqur të flas me H.H. Sheikh Tamim Bin Hamad Al Thani sot, mik dhe aleat i madh i Kosovës.

Diskutuam për marrëdhëniet e shkëlqyera Kosovë – Katar, përpjekjet për forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës, zgjerimin e mundësive për investime dhe marrëveshjen e ardhshme për heqjen e ndërsjellë të vizave./KultPlus.com

Naime Beqiraj me poezinë “Si nanë e bi’ rreth qafe”,fituese e Çmimit ‘Pena e Flakës 2024’

 Poetja Naime Beqiraj me poezinë “Si nanë e bi’ rreth qafe”, është fituese e Çmimit “Pena e Flakës”, aktivitet letrar që organizohet në kuadër të Manifestimi kulturor kombëtar “Flaka e Janarit 2024”, që flakëron përgjatë tërë muajit janar, në Gjilan.

Nën organizimin e Asociacionit Alternativ të Shkrimtarëve të Kosovës, Ars Club “Beqir Musliu”, në bashkëpunim me organizatën CCNO dhe me mbështetje të Drejtorisë Për Kulturë, Rini e Sport, sot në Bibliotekën e Qytetit “Fan S. Noli”, u mbajt Ora e Madhe Letrare, ku 20 poetë të përzgjedhur paraprakisht në bazë të thirrjes publike, i kanë lexuar poezitë e tyre në garë për çmimin “Pena e Flakës”.

Në hapje të Orës Letrare, nënkryetarja e Komunës së Gjilanit, Leonora Morina Bunjaku, në emër të kryetarin të komunës, Alban Hyseni, i ka përshëndetur të pranishmit të cilët i ka falënderuar për pjesëmarrje dhe begatim të kësaj ngjarje kulturore.

Ajo ka thënë se kështu po përmbushet synimi i këtij manifestimi që të ofrojë para publikut gjilanas të arriturat origjinale të vitit të fundit, në shtyllat kryesore të krijimtarisë artistike, duke nderuar e përkujtuar “Janarët” tanë të flakët, si kujtim për 17 Janarin e krye-heroit tonë, Gjergj Kastriot Skënderbeut, për 17 janarin e Kadri Zekës, Jusuf e Bardhosh Gërvallës,, për Janarin e Rexhep Malës e Nuhi Berishës, si kujtim dhe kushtrim i vazhdimit ë luftës për liri, dëshmorët e Kosovës të rënë në janarët e përgjakshëm, e deri në luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pra figurave emblematike të përpjekjeve tona për liri.

Nënkryetarja Morina Bunjaku tha tutje se tashmë jemi në ditë ne fundit të manifestimit të “Flakës…”, për vitin 2024, teksa kemi përmbyllur suksesshëm aktivitetet në shtyllat tjera, sot me “Penën e Flakës”, po e përmbylli me shumë sukses edhe këtë pjesë. derisa edhe i tërë ky organizim i jashtëzakonshëm i Manifestimit, në këtë mënyrë do të përmbyllet suksesshëm, duke e bërë Gjilanin, jo vetëm qendër, por kryeqendër të kulturës dhe artit shqiptar, për gati një muaj.

Ajo ripërsëriti për të pranishmit, se sot, në ditën e fundit të këtij manifestimi, në Gala Mbrëmje (ora 18:00), do të kemi mysafirë, shkrimtarin Ismajl Kadare me bashkëshorten e tij, në këtë ngjarje që mbahet te Vali Ranch Resort.

Përndryshe në Orën e Madhe Letrare “Pena e Flakës”, i lexuan poezitë e tyre këta poetë konkurrues: Alketë Spahiu – Dialog me fustanat, Arsim Halili (jashtë konkurrencës) – Stinëve të trembura në mjegull, Diella Çitaku – Zhveshja e ditës, Dhimitër Pojanaku – Dëbora e burgosur, Elesa Halimi – Kosovë, toka ime e bukur, Emrah Bilalli – Gjysma e asaj që nuk jemi, Erdonitë Hebibi – Adi me më dasht, Farida Ramadani – Botë me dhimbje, Ibush Vishi – I ngritur me yje, (Kasam Shaqirvela – Plagëve të atdheut – mungoi), Melos Selmani – Për ty Gjilan, Mirjetë Berisha – Eja si serenadë, Naime Beqiraj – Si nanë e bi’ rreth qafe, Nurie Baduni – Duet i heshtur, Preng Maca – Zogjtë, Ramë Oraca – Arka e drunjtë, Selvete Abdullahu – Paqja e vonuar, Shqipe Hasani – E bekuar grua, Shyrete Demaj – Ku flenë perënditë, Zanë Mali – Derisa t’jetosh në mua.

Të gjitha poezitë e lexuara u përcollën nën tingujt magjik të violonçelit, falë duarve të arta të profesoreshës Arzije Jusufi.

Juria vlerësuese e Orës së Madhe Letrare, në përbërje: Sarë Gjergji, Albina Idrizi dhe Arsim Halili. përzgjodhën poezinë fituese të Orës, që doli të jetë poezia “Si nanë e bi’ rreth qafe” e poetes Naime Beqiraj, të cilës çmimi “Pena e Flakë”, do t’i dorëzohet në “Gala Mbrëmje”.

Përndryshe, pjesë e aktivitetit të sotëm ishte edhe bërja publike e rezultateve të konkursit anonim letrat të “Flakës së Janarit 2024”.

Emin Azemi nga juria e konkursit. vlerësoi se janë vënë në spikamë vlerat dhe prurjet e mirëfillta në poezi e prozë. Pra, Juria profesionale e konkursit anonim letrar, në përbërje, Emin Azemi, Zyrafete Shala dhe Nexhat Rexha ka bërë këtë vlerësim:

Në poezi:
Shpërblimi i parë i jepet poezisë: Etyd për violonçel, shifra Arbereshja
Shpërblimi i dytë poezisë: Në emër të atit, shifra Tenebris Hospes
Shpërblimi i tretë poezisë: Ti nuk e di, prandaj flet, shifra Ezra

Në prozë:
Shpërblimi i parë i jepet tregimit “Në autobus”, pa shifër
Shpërblimi i dytë: Maria Rosseti, Gjon – Luigji
Shpërblimi i tretë: Hija, shifra “Kënga e shiut”

Përndryshe, manifestimi i sivjetmë i “Flakës së Janarit 2024”, përmbyllet sonte me “Gala Mbrëmjen” e cila mbahet në “Vali Ranch” Resort/Rajonipress/KultPlus.com

Publikohen çmimet për ‘Talian e Flakës 2024’, shfaqja më e mirë shpallet ‘Shtëpia e Zotit’ nga Ilir Bokshi

Festivali i Dramës Origjinale Shqipe “Talia e Flakës”, në kuadër të “Flakës së Janarit” në Gjilan, ka veçorinë garuese, ku sivjet, në kuadër të reformave të shumta nga Varg e Vi si organizatore e “Talias së Flakës 2024”, shfaqja nikoqire e Teatrit të qytetit të Gjilanit ku zhvillohet vetë festivali, ka qenë jashtë garës, pasi në parim, organizatorja ka vlerësuar që nikoqiri i festivalit nuk mund të hyjë në garë me mysafirët, për të rritur motivimin për një karakter sa më të fortë garues.

Juria në përbërje prej Doruntina Bashës, Gani Rrahmanit dhe Qëndrim Rijanit, më 28 janar 2024, ka marrë këtë vendim, të cilin e ka bërë publik në “Gala Mbrëmjen” e 31 janarit 2024 në kuadër të “Flakës së Janarit”, sipas të cilit vendim, shpallen këta/këto fitues/e të “Talias së Flakës 2024”:

  1. Çmimi për inovacionin teatror më të mirë: Bekim Korça – skenograf i shfaqjes “Shtëpia e Zotit”;
  2. Çmimi për aktoren më të mirë: Daniela Markaj – aktore në shfaqjen “Abri”;
  3. Çmimi për aktorin më të mirë: Armond Morina – aktor në shfaqjen “Club Albania”;
  4. Çmimi për tekstin më të mirë: Shpetim Selmani – dramaturg në shfaqjen “Club Albania”;
  5. Çmimi për regjinë më të mirë: Ilir Bokshi – regjisor i shfaqjes “Shtëpia e Zotit”;
  6. Çmimi për shfaqjen më të mirë: “Shtëpia e Zotit”, bashkëprodhim teatror nga Teatri Kombëtar i Shqipërisë, i Kosovës dhe ai shqiptar nga Maqedonia e Veriut.

Varg e Vi falënderon të gjithë pjesëmarrësit në festival, jurinë për vlerësimin e shfaqjeve dhe ia uron çmimet të gjithë/a të vlerësuarve/arave në “Talian e Flakës 2024”.

“Talia e Flakës 2024” është organizuar nga Varg e Vi dhe është mbështetur financiarisht nga Komuna e Gjilanit, përkatësisht Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport./KultPlus.com

Ismail Kadare, mysafir nderi në Gala mbrëmjen në përmbylljen e ‘Flakës së Janarit’

Shkrimtari i mirënjohur shqiptar, Ismail Kadare, do të jetë mysafir nderi në Gala Mbrëmjen që do të përmbyllë edicionin e sivjetmë të ‘Flakës së Janarit’

Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, nëpërmjet një njoftimi në Facebook.

Në vijim KultPlus ua sjell postimin e plotë të Hysenit:

Ismail Kadare mysafir nderi në Gala Mbrëmje me rastin e përmbylljes së Flakës së Janarit 2024.

Në nderim të dëshmorëve, përmes artit e kulturës, duke kujtuar të kaluarën që të ndërtojmë të ardhmen./KultPlus.com

Një burrë nga Çekia fiton rekordin Guinness, krijon koleksionin më të madh në botë të “Lego-ve”

Një burrë nga Republika Çeke, i cili fitoi një rekord botëror Guinness për koleksionin më të madh të kompleteve Lego, e ktheu dashurinë e tij në një muze me katër vendndodhje.

Miloš Křeček, i cili mori setin e tij të parë Lego si dhuratë për Krishtlindje kur ishte 5 vjeç, u verifikua nga Rekordet Botërore Guinness se zotëronte 6005 komplete të ndryshme Lego.

Ai zbuloi se koleksioni i tij u bë shumë i madh për t’u ruajtur në shtëpinë e tij, duke e dhënë me qira që të hapte vendndodhjen e parë të Muzeut të Tullave në Pragë.

Muzeu tani ka tre degë të tjera në Kutná Hora, Poděbrady dhe Špindlerův Mlýn.

Koleksionisti tha se grupi i tij i preferuar është Statuja e Lirisë, të cilën e mori në një turne me varkë për në Statujën e vërtetë të Lirisë në Nju Jork.

“Kam blerë më shumë se 90% të të gjitha kompleteve Lego vetë,” tha Křeček për Guinness Ëorld Records, “por ndonjëherë do të marr një set për koleksionin tim nga klientët ose të njohurit e mi, gjë që më bën shumë të lumtur”./KultPlus.com

Një grua e pjekur

Poezi nga Reancer Humano

Përktheu Klodeta Dibra

Nuk shtyp, prek lehtazi.
Nuk ngallmon, është ngasëse.
Nuk është e zgjuar, është e mençur.
Nuk miklon, dëften mprehtësisht udhën.
Nuk ka ngut, pret dekikën e duhur.
Nuk vepron, rrëshqet ngadalë.
Nuk fluturon, lëviz dallgë-dallgë.
Nuk merakoset për sasinë, pëlqen cilësinë.
Nuk shikon, vrojton.
Nuk çapitet, shkon e vjen.
Nuk mëton, thjesht pëlqen të shijojë.
Nuk gjykon, zbërthen.
Nuk ngushëllon, ndez zemrën.
Nuk kërkon, zgjon ndjesi.
Nuk robëron, jep lirì.
Nuk josh, magjeps.
Nuk është ngulmuese, është përzgjedhëse.
Nuk lëshon dritë, është e dritësuar.
Nuk pëlqen ta shohin, pëlqen të dëgjohet.
Nuk parashikon, rrok me mendje.
Nuk flet për seksin, ajo është një mjeshtre në artin e dashurisë.
Nuk është e butë, është e epshme.
Nuk urdhëron, udhërrëfen.
Nuk rilind, është në lulzim të pandërprerë.
E s’fundmi një Grua e pjekur është një e tërë e të gjitha bukurive të gjasshme
sepse është një Grua./KultPlus.com

99 vjetori i shpalljes së Tiranës si kryeqytet i Shqipërisë

Më 31 Janar 1925, Tirana u bë kryeqytet i Shqipërisë, pasi Asambleja Kushtetuese votoi nenin 6 të kushtetutës: “Tirana është kryeqyteti i Shqipërisë.”

Që nga kjo datë kushtetutat janë ndërruar shumë herë, por ky nen ka mbetur i pa ndryshuar.

Delegatët e parlamentit të cilët më 21 janar 1925 e shpallën republikën e parë shqiptare, morën vendimin e radhës edhe për Tiranën.

Pra, 10 ditë më vonë shpallën Tiranën si kryeqytet të Shqipërisë. /KultPlus.com

*Në foto: Anëtarët e Asamblesë Kushtetuese që votuan më 31 janar 1925, Tiranën kryeqytet dhe Ahmet Zogun president

Shqipëria në edicionin e 60-të të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia, përfaqësohet nga artistja Iva Lulashi

Artistja Iva Lulashi do të përfaqësojë Shqipërinë në edicionin e 60-të të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecia.

Mundësuar nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, me projektidenë “Love as a Glass of Water”, Lulashi do të marrë pjesë në një prej ngjarjeve më të mëdha artistike në arenën ndërkombëtare.

Makrotema e këtij edicioni është “Të huaj kudo” dhe vjen nën drejtimin artistik të kuratorit brazilian Adriano Pedrosa. Me një karrierë mes Shqipërisë dhe Italisë, Iva Lulashi është një artiste që eksploron në terrene të guximshme. E tillë do të jetë edhe prekja e saj në pavijonin shqiptar, që do të kurohet nga kritiku italian Antonio Grulli.

Tema që ajo trajton merr shkas nga teoria e “gotës së ujit”, që i përket periudhës para revolucionit rus dhe lidhet me mendimtaren revolucionare feministe Alexandra Kollontai (1872 –1952). Bëhet fjalë për një teori që lidhet me idenë e revolucionit seksual, ku impulset shihen si një nevojë e thjeshtë njerëzore që duhet përmbushur me lehtësinë e pirjes së një gote uji. Me një influencë shumë të madhe në qarqet artistike dhe letrare ruse, këto ide nisën të pengohen dhe përndiqen nga aparati politik revolucionar. “Ndonëse metafora e gotës me ujë lidhet me lehtësinë e të pirit, nuk duhet harruar se uji është ai element jetësor, krejt si dashura. Dhe, është absurde që tema si dashuria dhe dëshira seksuale zënë një pjesë shumë të vogël në artin që prodhohet sot dhe ato asnjëherë nuk janë në qendër të aktiviteteve të mëdha apo të vogla, sikur të flitej për tabu për të cilat nuk flitet, apo si çështje të lehta, jo të denja për vëmendje”,shprehet kuratori Antonio Grulli.

Pyetja që ngre artistja përmes veprës së saj është: Përse ndjenja kaq thelbësore, që i japin kuptim apo rrënojnë ekzistencën tonë, madje edhe më shumë se çështjet politike, trajtohen kaq pak nga artistët?

Pikërisht, vepra e Iva Lulashit vendoset në këtë boshllëk artistik. Dashuria, dëshira, sidomos ajo femërore, instinkti janë në qendër të veprës së saj. “Dashuria dhe instinkti si një gjuhë universale, në gjendje për të tejkaluar të ndryshmen, kufijtë, jo vetëm gjeografikë, por edhe ata që ekzistojnë mes nesh; dashuria si forca primare e njeriut dhe botës “që lëviz diellin dhe yjet””, shton Grulli.

Kuratori Antonio Grulli shpjegon se tema e bienales “Të huaj kudo” ka një kuptim të dyfishtë. “Së pari, do të thotë se kudo ku shkon apo gjendesh do të ndeshësh të huaj: janë/jemi kudo. Së dyti, pavarësisht vendndodhjes, në thelb mbetemi gjithnjë të huaj. Dhe, në Bienalen e Artit 2024 do të flitet për artistë që janë vetë të huaj, emigrantë, pjesë e diasporës, azilantë, refugjatë…”.

Iva Lulashi është një prej tyre. E lindur në Shqipëri, por e shkolluar në Venecia, në këtë qytet që bën bashkë të rinj dhe artistë nga e gjithë bota, ku ndërthuren kultura. Edhe piktura e Lulashit është një shtresëzim i shkollës shqiptare me rrugëtimin e saj artistik në Venecia.

Biografi

Iva Lulashi (Tiranë, 1988) është një artiste që jeton dhe punon në Milano. Në vitin 2016 diplomohet në Akademinë e Arteve të Bukura në Venezia.

Ka organizuar ekspozita personale: “Prey To Some Beast”, me Christine Rebhuhn, Sëivel Gallery (Neë York, 2023); “Alchemies of bodies & other entities”, NAAN Gallery (Tiranë, 2023); “Ëhere I end and you begin”, Prometeo Gallery (Milano, 2023); “Passione Cola Passione Scorre”, Prometeo Gallery (Milano, 2021); “Libere e Desideranti”, Oratorio dei Disciplinati di Santa Caterina (Corniglia, 2021); “Vicino Altrove”, me Regina José Galindo, Prometeo Gallery (Milano, 2020); “Love as a glass of ëater”, Salzburger Kunstverein (Salisburgo, 2018); “Eroticommunism”, Prometeo Gallery (Milano, 2018); “Frames”, Villa Rondinelli (Fiesole, 2017); “Ëhere I feel there I am”, Trart (Trieste, 2016).

Veprat e saj janë bërë pjesë e një numri të madh ekspozitash kolektive, si; “Hot Summer”, Sëivel Gallery (Paris, Neë York, 2023); “Pittura italiana oggi”, Triennale (Milano, 2023); “Così mi vedi?”, Club dei Mille (Milano, 2023); “Progetto Genesi. Arte e Diritti Umani”, Triennale (Milano, 2023); “Eccentric Spaces”, The Artist Room (Londra, 2023); “Pleasures”, Bazament (Tiranë, 2022); “Giardino all’Italiana”, Match Gallery (Lubiana, 2022); “Segni di me: il corpo, un palcoscenico”, Casa Testori (Milano, 2022); “La Collezione Impermanente 3.0”, GAMeC (Bergamo, 2022); “Interaction”, Made in Cloister (Napoli, 2022); “Danae Revisited”, Villa Brandolini (Treviso, 2021); “Italian Tëist”, Gallerie delle Prigioni (Treviso, 2021); “Our Other Us”, Art Encounters Biennial (Timisoara, 2021); “Synime”, Galeria Kombëtare e Arteve (Tiranë, 2021), Galeria Kombëtare e Arteve (Prishtinë, 2021); “Ti Bergamo”, GAMeC (Bergamo, 2020); “Ciò che vedo. Nuova figurazione in Italia”, Galleria Civica Trento (Trento, 2020); “Libere tutte”, Casa Testori (Milano, 2019); “Passing”, Prometeo Gallery (Miami, 2019); “BienNoLo” (Milano, 2019); “Collezione San Patrignano”, Palazzo Vecchio (Firenze, 2019); “La rivoluzione siamo noi”, Autostrada Biennale (Prizren, 2018); “Ex Gratia”, Collezione Giuseppe Iannaccone (Milano, 2018); “Mediterranean Biennial”, Galeria Kombëtare e Arteve (Tiranë, 2017); “Combat Prize”, Giovanni Fattori (Livorno, 2016); “Premio Francesco Fabbri per le Arti Contemporanee”, Villa Brandolini (Treviso, 2016). Ha inoltre partecipato a ëorkshop a Venezia (Forte Marghera), Bruges (Het Entrepot), Salisburgo (Nata Ëien), Shkodër (Arthouse) e Milano (Viafarini in residence). /TopChannel /KultPlus.com

Celine Dion thyen heshtjen, bën një dokumentar për betejën e saj me sëmundjen e rëndë

Celine Dion vendosi të ndajë luftën e saj me Sindromën e “Personit të ngurtë” me miliona fansat e saj në mbarë botën.

Përmes dokumentarit të titulluar “ I Am: Celine Dion ” nga Irene Taylor Brodsky, do të shfaqet në ekran beteja e këngëtares së njohur me çrregullimin e rrallë neurologjik, me të cilin është diagnostikuar dhe prek trurin dhe palcën kurrizore.Kujtohet se në një video në rrjetet sociale në dhjetor 2022, ajo njoftoi fansat e saj se po e shtynte turneun e saj botëror për shkak të spazmave që ndikuan në mënyrën e të ecurit dhe të kënduarit.

Si krijuesit e projektit, ashtu edhe ylli, shpresojnë se dokumentari do të rrisë ndërgjegjësimin e publikut për këtë gjendje pak të njohur në botë.

Në dhjetor 2022, Dion iu drejtua fansave të saj me lot në sy, duke thënë se sëmundja që ka është e pashërueshme dhe e ka detyruar të anulojë turneun evropian. Më konkretisht bëhet fjalë për  Courage World Tour,  ku anulohen tetë koncerte të planifikuara për verën e vitit 2023./KultPlus.com

Fillojnë punimet në dy asete të trashëgimisë kulturore në Prizren

Kanë filluar punimet restauruese në dy asete të trashëgimisë kulturore në Prizren. Në shtëpinë e familjes Gashi, apo siç njihet ndryshe Sava Toska dhe në shtëpinë e familjes Koçbashliu.

Të dy shtëpitë gjenden brenda Qendrës Historike të Prizrenit dhe kanë stil arkitektonik shumë të veçantë.

MKRS ka njoftuar se po punohet intensivisht që të sigurohet gjendja fizike dhe të rikthehen karakteristikat historike të tyre./KultPlus.com

‘The Washington Post’: Shqipëria ndër 12 destinacionet për të udhëtuar në 2024, ‘pa turma’

Ne ia dolëm deri në janar, që do të thotë se është koha për të vendosur objektiva kuptimplotë dhe për të ushqyer zakonin: “Më shumë udhëtime”!, sipas një artikulli të Andrea Sachs dhe Natalie B. Compton të botuar në të përditshmen amerikane “The Washington Post”.

Ekspertët e shëndetit dhe mirëqenies kanë përcaktuar se marrja e pushimeve të shumta gjatë vitit është e dobishme për mirëqenien tuaj të përgjithshme.

Për këtë rekomandohet të shkoni diku me hapësirë ​​për të marrë frymë.

Qytete si Parisi, Roma dhe Tokio janë të mbipopulluara nga turma të mëdha vizitorësh, veçanërisht në pikun e sezonit veror.

Për të planifikuar një udhëtim, ne kërkuam sugjerimet e ekspertëve të industrisë për destinacionet e tyre të preferuara nën radar.

Ne morëm në konsideratë gjithashtu udhëtimet tona kolektive, duke i dhënë përparësi mundësive për të vëzhguar kafshët e egra, për të provuar gatimet vendase, për t’u çlodhur pranë bregdetit dhe për të komunikuar me natyrën.

“The Washington Post” ka renditur Shqipërinë mes 12 destinacioneve më të bukura për të vizituar në vitin 2024.

Dhërmi, Shqipëri

Gjatë viteve të fundit, Shqipëria është kthyer në një atraksion të rëndësishëm me plazhet më të bukura në Europë.

Ujërat e pastër, bregdeti i thyer dhe akomodimet e përballueshme, të gjitha kanë tërhequr vëmendjen e turistëve.

Dhe ndryshe nga disa nga fqinjët e saj ballkanikë, Shqipëria është “e paprekur”, tha Ema, gazetarja anonime shqiptare e udhëtimeve që drejton revistën fituese të çmimeve “Ema’s Light”.

Merrni një makinë me qira dhe vizitoni Rivierën Shqiptare, ku do të gjeni një plejadë qytetesh të vogla me plazhe perfekte, si Dhërmiu.

Mos humbisni:

“Kryeqyteti i Tiranës është një vizitë e domosdoshme që ia vlen të eksplorohet të paktën dy deri në tre ditë, për të shijuar gatimet në restorante dhe dhe të njiheni me historinë e tij”, tha Ema./atsh/KultPlus.com

Tre libra për luftën në Ukrainë do të promovohen në KultPlus Caffe Gallery

Shtëpia botuese “3SD”, me seli në Prishtinë, së fundmi ka botuar 3 libra për një temë të veçantë, Ukrainën dhe konfliktin që po ndodh atje.

Konkretisht, bëhet fjalë për librat e autorit Lutfi Bilalli, me titujt: 1. Historia e Ukrainës dhe e Krimesë 2. Ukraina – Përplasja Perëndim – Rusi dhe 3. Roli i diplomacisë botërore në konfliktin Rusi-Ukrainë.

Promovimi i librave do të bëhet të shtunën më 3 shkurt në ora 14:00, në ambientet e KultPlus Caffe Gallery, në lagjen Ulpiana në Prishtinë (te Fontana).

Për librat do të flasin: Prof. dr. Enver Hoxhaj, Prof. dr. Nexhmedin Spahiu dhe Prof. dr. Gëzim Qerimi Të nderuara media, si shtëpi botuese “3SD”, ju ftojmë ta ndiqni këtë aktivitet promovues./ KultPlus.com

Pavijoni i Republikës së Kosovës merr vëmendje në shtypin ndërkombëtar

Mediume të njohura për art dhe kulturë si Le Quotidien de l’Art, Artnet, ArtReview, Kunstforum e Widewalls ndër të tjera kanë raportuar për pjesëmarrjen e Kosovës në edicionin e 60-të të Bienales së Venecias.

Në këtë edicionin, Republika e Kosovës prezantohet nga artistja Doruntina Kastrati me projektin “Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës” të kuruar nga Erëmirë Krasniqi dhe me komisionere Hana Halilaj.

Bienalja e Venecias do të mbahet nga 20 prilli deri më 24 nëntor 2024. / KultPlus.com

Hapet ekspozitë në 80-vjetorin e lindjes së shkrimtarit Fatos Kongoli

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, duke pasur gjithmonë në vëmendje promovimin e vlerave më të mira të trashëgimisë kulturore kombëtare dhe personaliteteve që i japin dinjitet asaj, hapi sot ekspozitën “Fatos Kongoli në 80-vjetorin e lindjes”.

Si një takim mes miqsh të vjetër, që ndanë me publikun kujtimet dhe vlerësimet për jetën dhe veprën e shkrimtarit të rëndësishëm të letrave shqipe, me pjesëmarrjen e akademikëve, shkrimtarëve, studiuesve, pedagogëve, botuesve, miqve dhe dashamirësve të kulturës, ekspozita shpalosi materiale e libra të ndryshëm të autorit.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun në Sallën Amerikane, në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë. /KultPlus.com

Kurti për dinarin: Euro është valutë e BE’së, askujt s’po i themi të marrë Dardanë të Kosovës apo Lekë të Shqipërisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar për çështjen e dinarit.

Ai ka thënë se Euro është valutë që vjen nga Bashkimi Evropian dhe se nuk po i thotë askujt që të marrë Dardanë të Kosovës ose Lekë të Shqipërisë.

Kurti ka shtuar se Euro, mjet i vetëm i pagesës dhe shitblerjes, nuk është çështje e negociueshme.

“Pra në katër komunat në veri janë katër degë të bankave dhe janë 15 institucione financiare jobankare ku do të mund të dërgohen dërgesat e pagesat dhe ku do të mund të merren të gjitha ato në euro. Euroja është valutë që na vjen nga BE-ja, ne nuk jemi duke i thënë askujt merre valutën lelë të Shqipërisë apo një valutë të re Dardan të Kosovës, por euron, euro si mjeti i vetëm i pagesës edhe i shitblerjes i përcaktuar në mënyrë të qartë në RKS nuk është një çështje e negociueshme”, ka thënë Kurti.

BQK ka miratuar një rregullore të re, e cila pritet të hyjë në fuqi prej nesër. Sipas kësaj rregulloreje Euro është valuta e vetme për kryerje të transaksioneve, kështu duke përjashtuar dinarin.

QUINT ka kërkuar pezullimin e zbatimit të këtij vendimi dhe që kjo çështje të diskutohet në kuadër të dialogut Kosovë- Serbi. / KultPlus.com

Konfirmohet: Ortopedi serb në BeH kishte fshehur eshtrat e viktimave të gjenocidit në Srebrenicë, mbi to kishte ndërtuar një shatërvan

Në shtator të vitit 2023, policia dhe ekspertët mjeko-ligjorë, prishën shatërvanin e betonit dhe gjetën mbetje njerëzore në themele. Përmes analizave, ata tani kanë konfirmuar se themelet përmbanin eshtrat e dy personave të vrarë në vitin 1995.

Një mjek nga Brcko në Bosnjën veriore është quajtur ‘Mengele i Bosnjë dhe Hercegovinës’ pasi u konfirmua se ai mbi eshtrat e viktimave të gjenocidit në Srebrenicë, ndërtoi shatërvanin në kopshtin e shtëpisë së tij.

Në shtator 2023, bazuar në një informacion, policia dhe ekspertët e mjekësisë ligjore shkatërruan një shatërvan prej betoni që doktori Nebojsha Mraoviç kishte ndërtuar në kopshtin e tij në vendbanimin Srpska varosh afër Brckos dhe gjetën mbetje njerëzore në themele, të cilat më pas u dërguan për analizë të ADN-së.

Zëdhënësja e Institutit për Persona të Zhdukur të Bosnjës dhe Hercegovinës (INO) Emza Fazliq ka thënë tani për mediat lokale se analiza konfirmoi se eshtrat e dy personave të vrarë në vitin 1995 pas rënies së Srebrenicës ishin futur në themelet e shatërvanit.

Pjesët e skeletit përputheshin me analizën e eshtrave të viktimave të zhvarrosura në vitin 2000 në zonën e Cerska në Bosnjën lindore, ku forcat serbe likuiduan dhe varrosën boshnjakët e kapur të Srebrenicës.

Eshtrat dhe kafkat e gjetura pranë Brckos do t’i shtohen eshtrave të viktimave që më parë ishin varrosur në mjediset e qendrës përkujtimore në Srebrenicë.

Fakti që eshtrat e viktimave u gjetën në vende të ndryshme nuk është asgjë e re, sepse pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Dejtonit, autoritetet serbe të Bosnjës gërmuan varreza masive dhe rivarrosën eshtrat në vende të tjera në përpjekje për të mbuluar gjurmët e Krimi.

“Edhe pse në rastet e mëparshme gjetëm eshtrat e viktimave në parcela private, në oborre private, asnjëherë nuk u regjistrua që pronarët e atyre parcelave e dinin se ishin aty dhe sidomos jo se ata vetë i kishin fshehur në oborrin e tyre dhe më pas i instaluan. në shatërvan”, ka thënë Fazliq për agjencinë Fena.

Ortopedi Nebojsha Mraoviq, sipas pohimeve të dëshmitarëve, por edhe me pranimin e tij, në vitin 1997 solli pjesë të eshtrave të të vrarëve nga Srebrenica në Bërcko pasi dyshohet se i kishte gjetur gjatë gjuetisë.

Më pas i “studioi” dhe i përdori në praktikën e tij në mënyrë të pashpjegueshme, derisa në fund të vitit 2012 vendosi t’i fshihte duke i mbështjellë me beton nën shatërvan.

Kjo e vërtetë e errët doli në dritë pas një grindjeje familjare në të cilën Mraoviç i pranoi ish-gruas së tij tani se kishte varrosur eshtra njerëzore që i gjeti gjatë gjuetisë nën shatërvan.

“Kujdes çfarë thoni. Edhe ju do të përfundoni në shatërvan”, tha Neda ish-bashkëshortja se i kishte thënë Mraoviq.

Pas kësaj, ajo dhe dy djemtë e saj u mërzitën dhe vendosën të denoncojnë gjithçka në polici, e cila nisi hetimet dhe çoi në zbulimin e mbetjeve njerëzore.

Ortopedi mund të përballet me ndjekje penale, të paktën sepse kushdo që njeh vendndodhjet e varrezave masive dhe nuk i raporton ato mund të dënohet deri në tre vjet burg.

Shoqata “Nënat e Srebrenicës” reagoi ashpër pasi analiza e ADN-së konfirmoi se Mraoviç fshehu eshtrat e viktimave të gjenocidit në kopshtin e tij. / KultPlus.com

Kryeministri Kurti: Zahiri, Edmondi, Iliri e Hakifi e shtuan vetëbesimin e UÇK-së

Kryeministri Albin Kurti me kryeparlamentarin Glauk Konjufca kanë bërë homazhe te shtatoret e Zahir Pajazitit, Edmond Hoxhës, Hakif Zejnullahut dhe Ilir Konushevcit, në Podujevë.

Kurti tha se ata ishin lufta e paraluftës, aksionet para betejave, kushtrimi për lirin e popullit dhe çlirimin e vendit.

“Andaj sot i kujtojmë më shumë mall e krenari për punën, veprën, jetën dhe flijimin e tyre për Kosovën dhe mbarë kombin shqiptar”, tha Kurti.

Ai shtoi se Zahiri, Hakifi dhe Iliri i dhanë një hov të jashtëzakonshëm çlirimit të Kosovës dhe se ata e shtuan vetëbesimin brenda radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ndërsa kryeparlamentari Glauk Konjufca, tha se heronjtë tanë, kolosët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha, Hakif Zejnullahu dhe Ilir Konushevci, përmes aksioneve të suksesshme guerile bënë që çdo polic e ushtar i Serbisë okupatore në Kosovë të mos ndihej i sigurt, duke theksuar se kjo është arritje shumë e madhe sepse e ngriti moralin popullor.

“Ata dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm në themelimin e UÇK-së, lufta e lavdishme e të cilës çoj në çlirimin e Kosovës dhe në shporrjen e Serbisë okupatore nga trojet tona”, tha ai./RTK/KultPlus.com

Ylli britanik Adele nis turneun veror në Evropë

Këngëtarja britanike, Adele do të performojë në katër koncerte në gusht në Mynih, si pjesë e turneut të saj veror, koncertet e saj të para dhe të vetme në kontinentin e Evropës pas disa vitesh, njoftoi sot “Live Nation”.

“Ylli 35-vjeçar i Pop-it do të performojë në një arenë të krijuar posaçërisht në qendrën e ekspozitave të qytetit jugor gjerman”, tha Live Nation.

“Nuk kam kënduar në Evropë që nga viti 2016!”, shkroi Adele në Instagram.

“Nuk mund të mendoja një mënyrë më të mrekullueshme për të kaluar verën time dhe për ta mbyllur këtë fazë të bukur të jetës dhe karrierës sime me koncerte gjatë një vere kaq emocionuese”, tha ajo.

Sipas “Live Nation”, arena në terrenin e ekspozitës së Mynihut do të ofrojë hapësirë për rreth 80 000 fansa të muzikës në secilin nga koncertet, të planifikuara për 2, 3, 9 dhe 10 gusht. /atsh / KultPlus.com