Tre libra të Dilaver Kurtit autor studimesh në histori, arkeologji dhe etnologji janë promovuar këtë të shtunë në Tiranë. Pas shfaqjes së një materiali në video për Kurtin, të pranishmit folën për tre titujt “Trashëgime iliro-arbërore”, Shënime etnografike nëpër Mat” dhe “Folklor nga Mati” dhe veçantitë e Kurtit duke kujtuar me këtë rast jetën dhe veprën e tij 26 vite pasi është ndarë nga jeta.
Mbledhës i folklorit të Matit dhe i objekteve etnografike, ai punoi për ngritjen e bibliotekës së parë në Mat më 1967, dhe më pas për hapjen e një muzeu të qytetit.
Në vijim ai ndoqi gërmimet arkeologjike në kodërvarreza tumulare dhe varreza shpellore. Materialet e tij kërkimore janë botuar në organet e Institutit të Arkeologjisë dhe të atij të Monumenteve.
Emra të njohur si Selim Islami, Frano Prendi apo Muzafer Korkuti kanë vlerësuar kërkimet e Dilaver Kurtit dhe kontributin e tij për zbulimin e kulturës ilire të Matit./ Balkanweb/KultPlus.com
Orkestra Filharmonike e Kosovës organizon koncert me ‘Rapsodi Shqiptare’ nga Fan S. Noli, duke shënuar kështu intepretimin e parë të një prej kompozimeve të Nolit, shkruan KultPlus.
Këtë mbrëmje do të interpretohet edhe premiera e “Koncert për Piano” nga kompozitorja Dafina Zeqiri – Nushi, me pjesëmarrjen e pianistit të shquar kosovar Misbah Kaçamaku.
Koncerti do të përmbyllet me Simfoninë e 3-të të Jean Sibelius-it, kjo pas interpretimit të Simfonisë së 1-rë dhe të 2-të vitin e shkuar.
Koncert i cili do të dirigjohet nga amerikani Gregory Charette, mbahet më 10 shkurt 2024, prej orës 20:00 në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë./ KultPlus.com
Fjodor Dostojevski është një prej shkrimtarëve më të famshëm në letërsinë botërore. Veprat e tij madhështore ngrenë mjeshtërisht pikëpyetje mbi tema të rëndësishme të jetës dhe vdekjes.
Më poshtë janë disa thënie të këtij shkrimtari.
1. Duhet ta duash jetën, më shumë se sa vetë kuptimin e jetës. 2. Hedhja e një hapi të ri, nxjerrja nga goja e një fjale të re. Këto janë gjërat të cilave njerëzit u druhen më shumë. 3. Në mendjen e gjithsecilit prej nesh ka një kufi, përtej të cilit është e rrezikshme të shkosh. Pasi e ke kaluar atë kufi, është e pamundur të kthehesh mbrapa. 4. Lumturia nuk qëndron në vetë lumturinë, por në arritjen e saj. 5. Kur ndaloni së lexuari libra, ju pushoni së menduari. 6. Liria nuk gjendet në kufizimin, por në kontrollin e vetvetes. 7. Lumturia nuk vjen nga rahatitë tokësore, por fitohet përmes vuajtjes. 8. Në një zemër që dashuron vërtetë, ose xhelozia vret dashurinë, ose dashuria vret xhelozinë. 9. Nuk duhet shumë për të shkatërruar një person. Gjithë sa do ju duhet të bëni është ta bindni se puna që ai bën është krejt e padobishme dhe e pakuptimtë. 10. Heshtja është gjithmonë e bukur dhe një person i heshtur është gjithmonë më i bukur se një që flet. 11. Një person mund të jetë i mençur, por që të veprojë mençurish, vetëm inteligjenca nuk mjafton. 12. Kurrë nuk do të mbërrini në destinacionin tuaj, në qoftë se ndaleni dhe qëlloni me gur çdo qen që leh. 13. Unë dua të flas për çdo gjë me të paktën një person, ashtu si unë flas për gjërat, me veten time. 14. Është e pabesueshme se çfarë mund të bëjë vetëm një rreze dielli, për shpirtin tënd. 15. Njeriu duhet të flasë hapur me të tjerët, në një mënyrë që zbulon mendimet e veta të brendshme përmes fytyrës së tij, që zbulon hallet e tij, direkt përmes fjalëve. Një fjalë e thënë me bindje, me sinqeritet të plotë dhe pa hezitim, ndërkohë që e sheh tjetrin në sy, ka më shumë kuptim se dhjetëra faqe nga një libër. 16. Pa një objektiv në jetë, njeriu ndihet i mbytur. 17. Shpirti shërohet duke ndenjur me fëmijë. 18. Edhe një njeri që i ka duart e lidhura mund të bëjë shumë mirë, nëse do. 19. Bukuria do ta shpëtojë botën. 20. Njerëzit flasin ndonjëherë me një mizori kafshërore, por kjo është një padrejtësi e madhe dhe fyerje për kafshët; një kafshë nuk mund të jetë aq mizore sa një njeri, kaq artistikisht mizore. 21. Të rriturit nuk e dinë që një fëmijë mund të japë këshilla jashtëzakonisht të mira, edhe në rastet më të vështira. 22. Mos e mbushni kujtesën tuaj me të gjitha herët që jeni ndjerë të fyer; mund të përfundoni duke mos lënë asnjë hapësirë për momentet e mrekullueshme që keni përjetuar. 23. Një njeri, i cili e di se si të përqafojë një tjetër, është një njeri i mirë. / KultPlus.com
KultPlus ju sjellë këngën e vjetër “Margjelo” e cila i ka rezistuar kohës dhe vazhdon të këndohet nga këngëtarë të ndryshëm.
Moj margjel mori malsore ku po shkon me at kosore ku po shkon moj tuj vrapue a po me pret o vash dhe mue bashkë të shkojmë me punue bashkë të korrim tuj këndue
Margjelo mori Margjel çilma synin që më ke mshel O Margjela e malësisë thuja kangve të çobanisë
Margjelo mori Margjel çilma syrin që m`ke mshel O Margjela e malësisë thuja kangve të çobanisë
Moj margjel mori fisnike bija e malësisë kreshnike mos t`lshoj zemra ble sonjike trim i mirë që shkon si erë mendjen kthyer ka gjithherë e tash kthen sot bëhet verë
Margjelo mori Margjel çilma syrin që m`ke mshel O Margjela e malësisë thuja kangve që mban ise./ KultPlus.com
Franz Kafka në “Letra Felices”, në një qasje për të arsyetuar insistimin e njerëzve për të shndërruar dike në atë çfarë ata duan, dhe nga ana tjetër të vetë individëve për të treguar mbi pamundësinë për t’iu bindur kësaj dhune që kërkon atyre të jenë çfarë nuk mund të jenë, shkruan se “Duhet t’i marrësh njerëzit ashtu siç janë ose t’i lesh ashtu siç janë. Nuk është e mundur t’i ndryshosh, vetëm mund të prishësh ekuilibrin e tyre”, tha Kafka, çka lë të nënkuptohet se kjo prirje është me pasoja kërcënuese për integritetin fizik dhe psikologjik të individit.
Duke vijuar Kafka shkruan se “Një qenie njerëzore, në fund të fundit, nuk përbëhet nga pjesë unike, nga të cilat një e vetme copë mund të hiqet dhe të zëvendësohet me diçka tjetër. Përkundrazi ajo është një e tërë dhe nëse e tërheq njërin skaj të saj, tjetrën, ju pëlqen apo jo, fillon të tkurret… jo tamam në një përpjekje për të bërë qëndresë në mbrojtje të vetvetes, se sa në dëshmimin e të vërtetës, se ata nuk mund edhe nëse duan të jenë sipas një domosdoshmërie për të qenë çfarë dikush priret të kërkojë te dikush që ai të jetë./ KultPlus.com
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka përgëzuar Talat Xhaferin pas votimit si kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut.
“Dëshiroj t’i uroj suksese për detyrën e tij të re, atë të kryeministrit në qeverinë teknike e cila pas tre muajsh do ta çojë në zgjedhje vendin tonë fqinj e partner. Miqësia dhe bashkërendimi për projekte të përbashkëta uroj të jenë shenjues të dy qeverive tona gjatë qeverisjes Xhaferi”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Kurti ka thënë se Kosova dëshiron një Maqedoni Veriore me orientim të fuqishëm euroatlantik, partnere e Prishtinës dhe e perëndimit dhe sa më larg Moskës, duke promovuar kështu vlerat e bashkëjetesës dhe luftimin e diskriminimit etnik.
“Për këto synime e për plot bashkëpunime të tjera, jam i sigurt se do të vazhdojmë rrugën e bashkëpunimit ndërqeveritar edhe me homologun Xhaferi, ashtu siç ka ndodhur edhe me paraardhësin e tij, Kovaçevski, të cilin e përgëzoj për vlerat që reflektoi gjatë drejtimit të tij”, ka përfunduar Kurti./rtv21/KultPlus.com
Në prezencën e një publiku jashtëzakonisht të madh në numër Filharmonia e Kosovës mbrëmë ka nisur vitin e ri artistik 2024, me solistët Pranvera Hoxha-pianiste dhe Shkodran Osmanaj-kontrabasist nën dirigjimin e Lena-LisaWüstendörfer, shkruan KultPlus.
Siç ndodh rrallë edhe në botë, Filharmonia e Kosovës ishte kujdesur që para publikut në këtë vit të ri artistik të sillte si solist- kontrabasistin dikur pjesëtar të saj, Shkodran Osmanajn, i cili aktualisht është pjesë e Orkestrës së Zvicrës. Dhe, si pasjojë e këtij bashkëpunimi solli edhe dirigjenten Wüstendörfer- drejtoreshën muzikore të Orkestrës Zvicerane, e cila ka interpretuar në skena prestigjioze botërore.
Mbrëmja artistike filloi rreth orës 20:00 në Atelienë e Pallatit të Rinisë, në prezencën e një publiku entuziast dhe të shumtë të madh në numër.Përveç solistëve të zgjedhur, ishte edhe repertori i zgjedhur me Simfoninë e 7 të Bethovenit, shkak për një interesim aq të madh të publikut.
Pianistja Pranvera Hoxha ishte e para që e hapi mbrëmjen me Variacione Simfonike të Cesar Franck, me tinguj kryesisht të qetë dhe të rrallë, melodia e të cilëve ndryshonte me lëvizjen më të shpejtë të gishtërinjëve të pianistes tejet elegante dhe ndërhyrjes me takt të instrumenteve të tjera të orkestrës, që udhëhiqeshin nga dirigjentja Wüstendörfer.
Ndërsa i dyti në radhë dhe risia e koncertit ishte interpretimi i kontrabasistit Shkodran Osmanaj, i cili mbrëmë solli profesionalizmin e ndërtuar në institucione të ndryshme muzikore në Zvicër, bazën e të cilit e kishte marrë po në vendin të cilin po interpretonte. ‘Koncert për kontrabas’ me Allegro, Andante dhe Allegro të Serge Koussevitzky ishin pikat me tinguj mjaft të ndjerë që publiku i shijoi pa masë, nga një solist kontrabasist i cili rrallë ndodh të paraqitet para audiencës.
Ndërsa pika e tretë interpretuese u dha nga Orekstra e Filhamonisë së Kosovës me dirigjimin e profesionistes Lena-Lisa Wüstendörfer, me një repertor mjaft të zgjedhur, ajka e së cilit ishte Simfonia Nr. 7 e Ludwig Van Bethoven. Pikat tjera interpretuese ishin Poco sostenuto- Vivance, Allegretto, Presto-Assai mëno presto (trio), Allegro con brio të cilat shpërfaqnin shpirtin artistik të dirigjentes zvicerane, ku varësisht tingujve, lëvizte edhe trupi i saj, në pozicione dhe forma të ndryshme, prej nga shprehej në ekspresioni i saj me njohuri intelektuale të rralla.
Këtë prurje dhe kombinim të Filharmonisë së Kosovës publiku e priti mjaft mirë, gjë të cilën e treguan ovacionet e shumta në fund të koncertit.
Pas koncertit, në një prononcim për media dirigjentja Wüstendörfer u shpreh e mahnitur me profesionalizmin e treguar nga Filharmonia e Kosovës, ku bashkëpunimi i anëtarëve të institucionit mes vete, ishte një element që i kishte lënë shumë mbresa.
“Ishte mirëseardhje e ngrohtë nga Filharmonia e Kosovës. Mendoj se janë ekip i mrekullueshëm dhe anëtarët bashkëpunojnë ngushtë mes vete. Kjo është shumë e rëndësishme kjo për një orkestër, sepse të luash në orkestër është sikur një ekip futbolli, duhet të jesh grup shumë i mirë. Dy koncertet që janë interpretuar, luhen shumë rrallë, u befasova për të mirë kur pashë se janë pjesë e programit. Veçanërisht kur janë luajtur dy koncerte. Mendoj se janë pjesë të mrekullueshme, veçanërisht ajo me piano, sikurse edhe Simfonia e 7-të e Beethoven që është shumë e famshme, shumë e gjatë dhe që kërkon ta përjetosh për ta luajtur si duhet”, është shprehur dirigjentja.
Ndërsa solisti Shkodran Osmanaj me një entuziazëm dhe emocion të paparë interpretimin para publikut të vendit të tij e quante të jashtëzakonshëm.
“Nuk kam fjalë për të përshkruar ndjenjën e interpretimit para publikut shqiptar. Të pranishëm ishin edhe prindërit e mi, profesorët të cilët më kanë mësuar që nga vegjëlia e deri te formimi im si muzikant profesional. Në fillim ishte goxha zor emocionalisht të përshtatem me audiencën e publikut të vendit tim, por pastaj shkoi gjithçka mirë. Nuk gjej fjalë që ta përshkruaj këtë performancë”, ka thënë kontrabasisti Osmanaj.
Ai më tutje falënderoi Filharmoninë e Kosovës për mundësinë e dhënë për tu shfaqur në një koncert të tillë, si dhe kolegët e tij për bashkëpunimin maksimal në saje të së cilit publikut iu dha një koncert i tillë.
“Koncerti ka qenë shumë i suksesshëm. Jam shumë falënderues për bashkëpunimin dhe ftesën nga drejtori Baki Jashari dhe menaxheri Dardan Selimaj. Ka qenë më mirë se që e kemi pritur dhe më mirë se që e kemi përgatitur. I falënderoj shumë edhe kolegët që kanë kontribuar për këtë mbrëmje të cilët e kanë dhënë maksimumin që koncerti të del sa më mirë”, ka thënë solisti Osmanaj.
Ndërsa solistja tjetër e mbrëmjes, Pranvera Hoxha, tha se ndihej e privilegjuar që Filharmonia e Kosovës e kishte përzgjedhur që të ishte pjesë e koncertit të parë artistik për vitin 2024, në të cilin ajo interpretoi një vepër premierë të cilën publiku e priti shumë mirë.
“Sonte me të vërtetë u kënaqa shumë, e shijova shumë veprën të cilën e luajta, duke pasur parasysh që kjo vepër te ne, u soll në njëfarë mënyre për herë të parë në skenë, e cila në botë luhet goxha shpesh. Më ka gëzuar shumë fakti që bashkë me të gjithë kolegët e Filharmonisë dhe dirigjenten jemi munduar të japin më të mirën. Përveç që e shijova vet shumë, e pash edhe nga reagimi i publikut të cilët pata fat t’i takoj pas koncertit. Edhe ata i ndanë përshtypjet e njëjta, dhe kjo mandej akoma më shumë e rrit gëzimin duke pasur parasysh që ajo punë që e kemi bërë bashkë me kolegë është transmetuar të publiku, dhe në njëfarë mënyre ata e kanë shijuar me ne. Në njëfarë forme kjo është edhe ideja e muzikës, të përjetosh kënaqësi dhe të përqosh një mesazh te të rinjtë. Kjo më ka gëzuar jashtë mase”, është shprehur solistja Hoxha duke treguar që për këtë koncert ka filluar të përgatitet qysh në muajin shtator ngase bashkë me privilegjin vinte edhe përgjegjësia që ajo kishte para publikut.
Ndërsa drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari koncertin e mbrëmshëm e ka quajtur të veçantë në disa dimensione.
“Të dy solistët ishin kosovar, Shkodran Osmanaj që jeton dhe vepron në Zvicër dhe si rrjedhojë e kësaj ai ka propozuar edhe dirigjenten nga Zvicra, dhe në anën tjetër solistja Pranvera Hoxha është pianiste e jona shumë e njohur. Të dy kanë qenë të shkëlqyeshëm në pjesët e tyre solistike të literaturës artistike. Është interesant që koncerti për kontrabas është luajtur për herë të parë. Rrallë ndodh edhe në botë që kontrabasi të jetë edhe si instrument solistik, kështu që patëm rastin që edhe në Prishtinë ta përjetojmë këtë lloj muzike. Në anën tjetër, dirigjentja zvicerane Lena-Lisa Ëustendorfer, ka lënë një përshtypje të jashtëzakonshme në punën e saj pothuajse njëjavore me orkestrën e Filharmonisë. Besoj që profesionalizmi i saj, vizioni interpretativ i saj ka lënë përshtypje edhe te publiku dhe kjo na bën të mendojmë që ajo të ftohet sërish. Dihet që në botën e dirigjentëve, dirigjentet femra janë më të rralla në numër dhe janë më të veçanta” ka thënë drejtori Jashari.
Krejt në fund, drejtori i Filharmonisë ka bërë të ditur se institucioni më i lartë i muzikës në vend gjatë gjith vitit do të prezantohet nga një program mjaft dinamik me kapacitete të larta interpretative.
“Ishte me të vërtetë një koncert interesant për fillim të vitit dhe natyrisht që do të vazhdojmë me koncertet e radhës gjatë tërë këtij viti, i cili do të jetë shumë dinamik me shumë koncerte edhe orkestrale edhe vokale edhe vokal- instrumentale të Filharmonisë së Kosovës”, ka përfunduar drejtori Jashari/KultPlus.com
Radio Televizioni i Prishtinës, institucioni që u themelua me 5 shkurt 1945, mund të harrohet sot prej gjeneratave të reja.
Radio Televizioni i Prishtinës, shkurtuar si RTP ose TVP, ishte radio televizioni i parë shqiptar i Kosovës. Ndërprerja e programeve nga ky televizion u realizua me masa të dhunshme të ndërmarra nga qeveria serbe në vitin 1990. Radio Prishtina filloi punë menjëherë pas luftës së dytë botërore më 1945 në Prizren, pastaj u transferua në Prishtinë. Pas luftës në Kosovë materiali dhe ndërtesat e Radio Televizionit të Prishtinës janë nën administrimin e Radio Televizionit të Kosovës.
Disa fotografi poshtë, marrë nga grupi RTP në Facebook, tregojnë stafin punues në RTP. Fotografitë janë huazuar nga Sabri Vllahiu, Sahit Kokolli, Pren Gjidoda e të tjerë.
Do kalonin 29 vite deri kur Televizioni i Prishtinës filloi transmetimin në vitin 1974.
Në fillim të vitit 1974 TVP nuk ka pasur teknologji elektronike, por i gjithë materiali për program xhirohej me teknikë filmike e mandej dërgohej në TV Beograd ku filmi zhvillohej e më vonë montohej për transmetim. Transmetimi deri më 29 nëntor 1975 bëhej nga TV Beogradi. Në verën e vitit 1974 nga Anglia pati ardhur autoreportazhi (OB Van) i parë me 4 kamera bardhë-e-zi.
E rrethuar nga pllakat e gurta dhe rrëfimet e lashta, Shtëpia Kadare, është një pikë reference për lexuesit dhe dashamirësit e kulturës shqiptare.
Statistikat e fundit tregojnë një rritje të vazhdueshme të numrit të vizitorëve në Muzeun Kadare në Gjirokastër. Për turistët që vijnë në Gjirokastër, Muzeu Kadare ofron një eksperiencë të thellë kulturore dhe historike.
Ata mund të eksplorojnë ambientin ku shkrimtari i madh kaloi fëmijërinë dhe të zbulojnë kontekstin historik dhe kulturor të Gjirokastrës.
Me elemente nga “Kronike në Gur”, ky muze ofron një udhëtim emocionues dhe frymëzues në botën e një prej shkrimtarëve më të rëndësishëm të shekullit të kaluar.
Në këtë 88-vjetor të ditëlindjes së shkrimtarit ne ju ftojmë të ndiqni një speciale mbi shtëpinë Kadare në Gjirokastër.”/balkanweb/KultPlus.com
Presidentja e Kosovës, Vosa Osmani, ka uruar Talat Xhaferin i cili është zgjedhur sot kryeministër i Maqedonisë së Veriut.
Presidentja Osmani përmes një shkrimi në rrjetet sociale ka thënë se sot shënohet një moment historik i rëndësishëm për të gjithë komunitetin shqiptar në Maqedoninë e Veriut.
“Sot shënohet një moment historik të rëndësishëm për të gjithë komunitetin shqiptar në Maqedoninë e Veriut, duke reflektuar kontributin e tyre jetik në shtetësinë e vendit dhe rrugëtimin drejt integrimit euroatlantik. I uroj qeverisë dhe të gjitha institucioneve të Maqedonisë së Veriut suksese”, ka shkruar Presidentja Osmani./ KultPlus.com
Urime, Kryeministër Talat Xhaferi!
Today marks an important milestone for the entire Albanian community in 🇲🇰, reflecting their vital contribution to the country’s statehood & journey towards Euro-Atlantic integration.
Ndërmarrësi dhe shefi i restorantit unik “Mrrizi i Zanave”, Altin Prenga, është vendosur në mesin e kuzhinierëve më të mirë botërorë nga instituti i shkencave gastronomike në Pollenzo të Italisë, shkruan KultPlus.
Përmes një postimi në rrjetin social facebook, Prenga ka bërë të ditur se instituti i shkencave gastronomike në Pollenzo tashmë e ka vendosur portretin e tij pranë figurave më të njohura të kuzhinës në botë, këtu duke përfshirë edhe Ferran Adria, Michell Bras dhe Carlo Cracco.
“Privilegj te jem aty mes gjiganteve te guzhines boterore sikur Ferran Adria, Michell Bras, Carlo Cracco etj tek instituti i shkencave gastronomike ne Pollenzo It”, ka shkruar Prenga në facebook/KultPlus.com
Ekspozitat e punimeve të artistëve shqiptarë në Zvicer, padyshim kanë për qëllim promovimin e kulturës dhe identitetit, por dhe artit në përgjithësi, duke sjellë përpara publikut zviceran historinë, traditën dhe vlerat kulturore të vendeve të origjinës.
Ky përfaqësim i artit në një vend tjetër, si Zvicra shërben edhe si një formë e diplomacisë kulturore.
Ekspozimi i veprave të 17 artistëve shqiptarë nga Shqipëria, Kosova e Lugina e Preshevës në Galerin e qytetit të Spreitenbach, ku hapi siparin dje (26 janar 2024) dhe do të qëndroj e hapur deri më 1 mars, mund të kontribuojë edhe në ndërtimin e kontakteve dhe marrëdhënieve pozitive ndërmjet Shqipërisë, Kosovës dhe Zvicrës.
Në hapje mori pjesë dhe Ambasadori i Shqipërisë në Bernë, Mustafa Nano, i shoqëruar nga Sekretari i Pare, Valon Gashi, diplomatë nga Ambasada e Republikës së Kosovës, Konsullata Përgjithshme e RKS-ë në Zyrih e Gjenevë, artistë e shumë qyetar.
Këto ekspozita ndërkombëtare japin mundësinë për piktore shqiptarë të ndajnë talentin e tyre me një audiencë më të gjerë.
Kjo mund të çojë në njohjen e tyre ndërkombëtare dhe rritjen e vlerës së tyre në skenën artistike globale./atsh/KultPlus.com
Protestuesit kanë hedhur supë në pikturën e mbrojtur me xham të Mona Lizës në Paris.
Piktura e shekullit të XVI-të nga Leonardo da Vinçi është një nga veprat më të famshme të artit në botë dhe mbahet në Luvër të Parisit.
Piktura mbrohet me antiplumb, kështu që nuk ka gjasa të jetë dëmtuar.
Një video shihen dy protestuese femra të veshura me bluza që thuhet “përgjigje ushqimore” duke hedhur supë mbi pikturën.
Më pas ata qëndrojnë përballë, duke kërkuar të drejtën për “ushqim të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm”, duke thënë se “sistemi ynë bujqësor është i sëmurë”.
Sigurimi i muzeut më pas shihet duke vendosur ekrane të zeza përpara tyre përpara se dhoma të evakuohet, shkruan BBC.
Kryeqyteti francez ka parë protesta nga fermerët ditët e fundit, duke bërë thirrje për t’i dhënë fund rritjes së kostove të karburantit dhe për thjeshtimin e rregulloreve – të premten ata bllokuan rrugët kryesore brenda dhe jashtë Parisit.
Mona Lisa ka qenë pas xhamit të sigurisë që nga fillimi i viteve 1950, kur u dëmtua nga një vizitor që hodhi acid mbi të.
Në vitin 2019, muzeu tha se kishte instaluar një formë më transparente xhami antiplumb për ta mbrojtur atë.
Në vitin 2022, një aktivist hodhi tortë në pikturë, duke u kërkuar njerëzve të “mendojnë për Tokën”./Klan Kosova/ KultPlus.com
Ismail Kadare, kolosi i letërsisë shqipe, feston sot 88-vjetorin e tij të lindjes.
Autoritetet publike në vend përcollën mesazhe urimi.
Begaj: Kadare, urë e fortë dhe e bukur e jona me perëndimin
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj përcolli urimet për shkrimtarin, teksa e quajti atë edhe një urë të fortë dhe të bukur tonën me perëndimin.
“Jetë të gjatë dhe shëndet shkrimtarit tonë të madh, Ismail Kadare! Universi i tij i mrekullueshëm letrar i përcolli Shqipërinë perëndimit, nëpërmjet Ilirisë, legjendave ballkanike, Homerit në epopetë shqipe dhe Eskilit në dramat e kohëve moderne. Kadare është një urë e fortë dhe e bukur e jona me perëndimin”, shkruan Presidentin Begaj.
Nikolla: Kadare, emblemë e letërsisë, kulturës dhe qytetërimit shqiptar
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla përcolli mesazhin e saj të urimit për Ismail Kadarenë. Nikolla e cilësoi atë si emblemë e letërsisë, kulturës dhe qytetërimit shqiptar.
“Sot është ditëlindja e shkrimtarit Ismail Kadare, emblemë e letërsisë, kulturës dhe qytetërimit shqiptar. Përgjatë më shumë se shtatë dekadave, Kadare ka krijuuar një thesar letrar, kulturor e kombëtar, që e ngjiti letërsinë shqiptare në Olimpin e letërsisë botërore. Rrallë gjendet në letërsi një shembull tjetër kur në veprën e një shkrimtari gjenden të gjitha epokat, nga kohërat e mjegullta të mitologjisë, në stinën më të fundit të kombit të vet dhe planetit. Jetë të gjatë shkrimtarit tonë të shquar!”, thuhet në mesazhin e saj të urimit.
Rama uron Kadarenë: Edhe 100
Kryeministri Edi Rama uroi shkrimtarin Ismail Kadare në 88-të vjetorin e lindjes.
Rama ndau në rrjetet sociale pamje të momenteve të jetës së tij në kohë të ndryshme shoqërua me një këngë, me vargjet e poezisë së tij ‘Në parkun që mbuluan fletët’.
Nikolla: Kadare, e ngjiti letërsinë shqiptare në Olimpin e letërsisë botërore
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, uron shkrimtarin tonë të shquar, Ismail Kadare, me rastin e ditëlindjes.
“Sot është ditëlindja e shkrimtarit Ismail Kadare, emblemë e letërsisë, kulturës dhe qytetërimit shqiptar. Përgjatë më shumë se shtatë dekadave, Kadare ka krijuar një thesar letrar, kulturor e kombëtar, që e ngjiti letërsinë shqiptare në Olimpin e letërsisë botërore”, shprehet Nikolla.
“Rrallë gjendet në letërsi një shembull tjetër kur në veprën e një shkrimtari gjenden të gjitha epokat, nga kohërat e mjegullta të mitologjisë, në stinën më të fundit të kombit të vet dhe planetit. Jetë të gjatë shkrimtarit tonë të shquar!”, thekson Nikolla.
Gonxhja: Kadare, një nga shkrimtarët më gjenialë bashkëkohorë
Edhe ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja uroi sot Kadarenë, duke e cilësuar atë sin jë nga shkrimtarët më gjenialë bashkëkohorë.
“Kadare është një nga shkrimtarët më gjenialë bashkëkohorë, disa herë i nominuar për çmimin “Nobel” në letërsi. Kontributi i tij është një pasqyrë e thellësisë së kulturës dhe historisë shqiptare, duke krijuar vepra që sfidojnë kohën dhe duke ofruar një perspektivë mbresëlënëse. Gëzuar ditëlindjen mjeshtër!”, u shpreh ministry.
Veliaj uron 88-vjetorin e lindjes së Ismail Kadaresë: Kolos i letërsisë shqiptare
Shkrimtari ynë i njohur Ismail Kadare feston sot 88-vjetorin e lindjes. Përmes një postimi në rrjete sociale, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka uruar gjeniun e letrave shqipe.
“Gëzuar ditëlindjen kolosi i letërsisë shqiptare Ismail Kadare”, shkruan Veliaj.
Kumbaro: Jetë të gjatë shkrimtarit që lindi… në Qytetin e Kronikës në gur
Edhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro uroi shkrimtarin e madh.
“Jetë të gjatë shkrimtarit që lindi si sot, ç’rëndësi ka sa vite më parë… në Qytetin e Kronikës në gur!”, uroi Kumbaro.
Kumbaro postoi dhe foto të shtëpisë muze të kadaresë në Gjirokastër.
Manastirliu: E ngriti letërsinë shqiptare në majën e letërsisë botërore
Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu uroi Kadarenë në 88-vjetorin e lindjen. Manastirliu theksoi se Kadare e ngriti letërsinë shqiptare në majën e letërsisë botërore.
“Gëzuar datëlindjen Ismail Kadare, shkrimtari ynë i madh që pasuroi dhe lartësoi gjuhën tonë shqipe dhe e ngriti letërsinë shqiptare në majën e letërsisë botërore”, u shpreh ministrja Manastirliu.
Shtëpia ku jetoi dhe punoi për shumë vite për të shkruar disa nga veprat e tija më të njohura letrare, Ismail Kadare është kthyer nga Bashkia Tiranë në muze. Banesa ndodhet në një prej pallateve me më tepër histori në kryeqytet në qendër të Tiranës, ku shkrimtari ka jetuar për rreth 15 vite dhe ka shkruar disa nga kryeveprat e tij.
Presidenti i Francës Emmanuel Macron, në një ceremoni të posaçme në Pallatin e Brigadave, i dorëzoi shkrimtarit tonë të shquar, Ismail Kadare, në tetor të vitit 2023, Dekoratën e “Oficerit të Madh të Legjionit të Nderit”.
“Për këtë rol si poet i Ballkanit, si rapsod i Europës, si lajmëtar i lirisë, për këtë lidhje drithëruese që ju mishëroni kaq çmueshëm mes Shqipërisë dhe Francës, kam nderin sot t’ju ngre në gradën e oficerit të lartë, në urdhërin e Legjionit të Nderit”, u shpreh presidenti francez Macron, teksa i dorëzoi shkrimtarit Ismail Kadare dekoratën e nderit.
Ismail Kadare lindi në vitin 1936 në Gjirokastër, ku kreu arsimin e mesëm. Në vitin 1958 u diplomua në degën e gjuhës e të letërsisë në Universitetin e Tiranës e më pas vazhdoi studimet për dy vjet në Institutin “Gorki” në Moskë. Fillimet e tij letrare janë kryesisht në poezi (“Frymëzime Djaloshare”, “Përse mendohen këto male” etj).
Në fushën e prozës, Ismail Kadare ka lëvruar tregimin, novelën dhe romanin. “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1963) përbën veprën e konfirmimit të talentit të tij. “Kronikë në gur”, “Prilli i thyer”, “Kamarja e turpit”, “Pashallëqet e mëdha”, “Kush e solli Doruntinën” etj., janë disa nga veprat e tij më të rëndësishme që përbëjnë krijimtarinë e tij letrare.
Veprat e tij janë përkthyer e botuar në mbi 45 gjuhë të huaja dhe është shkrimtari shqiptar më i njohur në botë. Që nga vitin 1994 I. Kadare është anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës. Ai është laureat i shumë çmimeve. Në 2005, Ismail Kadare fitoi çmimin “The Booker Prize Man”. Ismail Kadare është dekoruar me Urdhrin “Nderi i Kombit” dhe nga shteti francez me urdhrin “Kryqi i Legjionit të Nderit”, si dhe me mirënjohje të tjera. / KultPlus.com
Xhaferi, lindi më 15 prill 1962 në fshatin Forinë afër Gostivarit, Maqedoni. Ai ndoqi shkollën fillore në fshatin e afërt Çegranin dhe vazhdoi shkollimin e mesëm në Shkollën e Lartë Ushtarake të Beogradit. Ai studioi në Akademinë Ushtarake të Tokës Këmbësorike të Ushtrisë Popullore Jugosllave në Beograd dhe Sarajeve dhe u specializua në detyra komanduese dhe të stafit në Akademinë Ushtarake “Gjenerali Mihailo Apostolski” në Shkup.
Nga viti 1985 deri në vitin 1991 ishte një oficer i APJ-së dhe prej vitit 1992 deri në 2001 ishte oficer i Armatës së Republikës së Maqedonisë (ARM).
Gjatë kryengritjes së vitit 2001, në të cilën shqiptarëtne krye me Ali Ahmetin sulmuan forcat e sigurisë, Xhaferi ishte në fillim një oficer i lartë në ARM, duke komanduar trupa në kazermat e Tetovës. Më 28 prill, ditën sic njihet masakra e Vicës, ai ishte në detyrë si komandant në kazermë. Disa ditë më vonë ai u largua dhe u bashkua me Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare (UÇK), dhe u bë komandanti i saj i Brigadës 116 me nofkën e “komandant Forina”, nga vendlindja e tij. Ai u amnistua më vonë, pas marrëveshjes së Ohrit. / KultPlus.com
Talat Xhaferi, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoninë e Veriut, pas pak do të bëhet kryeministri i parë shqiptar në shtetin fqinj.
Para shtatë vjetësh Xhaferi u bë kryeparlamentari i parë shqiptar në Kuvendin maqedonas dhe pak para momentit tjetër historik, ai ia atribuon këtë sukses të shqiptarëve Ali Ahmetit, ish kreut të UÇK-së dhe kreytarit të partisë më të madhe të shqiptarëve atje, Bashkimit Demokratik për Integrim.
“Njeriu mbahet mend për veprat që i lë në trashëgimi për gjeneratat e ardhshme dhe rrugët që i trason në histori. Nuk ekzistojnë fjalë mjaftueshëm të fuqishme që e përshkruajnë kontributin dhe vizionarizmin e Ali Ahmeti në ndërtimin e historisë bashkëkohore të shtetit tonë. Sot jemi dëshmitarë të edhe një dite historike për ne!”, shkroi Xhaferi. / KultPlus.com
E shkruar në vitin 1946 nga poeti shkodran Zef Pali dhe e kompozuar nga Simon Gjoni, kënga “Eja, eja lule borë” mbetet ndër këngët më të bukura shqiptare, shkruan KultPlus.
Një këngë që i ka rezistuar kohës, shtatë dekadave jetë, edhe sot këndohet e dëgjohet me ëndje.
Po e sjellim sonte një performancë të këngës e cila nuk është vetëm shkodrane, por një vlerë e të gjithë shqiptarëve.
Zemrën askujt mos ia fal krejt se grave pasionante dashnia u duket e lehtë, e padenjë për kujdes, kur për të siguri kanë dhe ato s’andrrojn’, n’mend s’e mbajn’ se prej puthjes n’puthje atë e kap nji dobësi; çdo gja e bukur asht veç nji knaqësi andrruese, e kandshme, që kalon përherë. Oh, zemrën kurrë mos e jep përnjiherë se, pavarsisht çka buza e ambël nxjerr, zemrat si zaret n’lojë i kanë hedhë. Dhe si mundet vallë n’lojë me fitu’ ndonja që shurdh, memec e qorr dashnia e ka ba? Kush e ka provu’ e di cili asht çmimi dhe mundi sepse e fali gjithë zemrën dhe humbi.
Arritjet e Astrid Lindgren janë unike dhe të rëndësishme. Ajo ishte një humaniste e përkushtuar që luftoi për të drejtat e fëmijëve, për barazi, ekologji dhe mirëqenie të kafshëve, si dhe kundër dhunës dhe shtypjes. Ajo i mbajti besimet e saj me guxim dhe seriozitet, si dhe me humor dhe dashuri, transmeton KultPlus.
Astrid Anna Emilia Lindgren lindi më 14 nëntor 1907 në fermën Näs jashtë Vimmerby, në qarkun e Småland, dhe vdiq më 28 janar 2002 në shtëpinë e saj në Dalagatan 46 në Stokholm.
Ajo shkroi 34 libra kapitujsh dhe 41 libra me figura, që të gjithë së bashku kanë shitur 170 milionë kopje dhe janë përkthyer në më shumë se 100 gjuhë.
Ndikimi global i Astrid Lindgren është i paprecedentë. Asnjë autore suedeze nuk është përkthyer në aq gjuhë sa Astrid Lindgren dhe shitja totale e librave të saj llogaritet aktualisht në rreth 170 milionë kopje.
Çdo vit botohen botime të reja të huaja të librave të saj, pavarësisht se janë bërë më shumë se 20 vjet që kur ajo u nda nga jeta dhe mbi 40 vjet që nga botimi i historisë së saj të fundit madhështore, Ronja, vajza e grabitësit.
Çmimi Përkujtimor Astrid Lindgren është një çmim ndërkombëtar letrar për fëmijë i krijuar nga qeveria suedeze në vitin 2002 për të nderuar autoren suedeze për fëmijë Astrid Lindgren. /KultPlus.com
Më 28 janar të vitit 1936, 88 vite më parë, lindi poeti dhe shkrimtari i shquar shqiptar, Ismail Kadare.
Kadare lindi në Gjirokastër, ku përfundoi edhe arsimin e mesëm. Kadare është një nga shkrimtarët më gjenialë bashkëkohorë, disa herë i nominuar për çmimin “Nobel” në letërsi. Ai shquhet për novela, romane, por ka botuar edhe vëllime me poezi dhe sprova.
Në vitin 1958 mbaroi degën e Gjuhës e të Letërsisë në Universitetin e Tiranës, për të vazhduar më pas në Moskë me studime për dy vjet në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki” (1958-1960). Kadare është një nga shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë shqipe dhe gjithashtu një nga shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë botërore bashkëkohore.
Me veprën e tij, që ka shënuar një numër rekord të përkthimeve (në mbi 45 gjuhë të huaja) ai e ka bërë të njohur Shqipërinë në botë, me historinë dhe me kulturën e saj shekullore. Rrugën e krijimtarisë letrare e nisi si poet që në vitet e gjimnazit Frymëzimet djaloshare, 1954, “Ëndërrimet”, (1957), por u bë i njohur sidomos me vëllimin Shekulli im (1961), që u pasua nga vëllimet e tjera poetike, si: Përse mendohen këto male (1964), Motive me diell (1968) dhe Koha (1976). Vepra poetike e Ismail Kadaresë shquhet për idetë e thella dhe për figuracionin e pasur e origjinal; rol me rëndësi për pasurimin e poezisë shqiptare.
Në fushën e prozës, Ismail Kadare ka lëvruar tregimin, novelën dhe romanin. Vepra e parë e rëndësishme e Ismail Kadaresë në prozë është romani “Qyteti pa reklama”, që nuk u lejua të botohej i plotë deri në vitin 2003. Prozën e tij e karakterizojnë përgjithësimet e gjëra historiko-filozofike, subjekti i ngjeshur dhe mendimi i thellë i shprehur shpesh me anë të parabolës, mbi bazën e asociacionit apo të analogjive historike. Ideja e romanit Gjenerali i ushtrisë së vdekur (1964) është shpirti liridashës i popullit shqiptar. Temën e shpirtit të pamposhtur të shqiptarëve nëpër shekuj autori e trajtoi edhe në romanin Kështjella (1975). Në romanin Kronikë në gur (1970) Kadare kritikoi psikologjinë provinciale dhe traditat prapanike, transmeton kp.
Probleme të rëndësishme të historisë janë trajtuar edhe në përmbledhjet me tregime e novela Emblema e dikurshme (1977), Ura me tri harqe (1978) dhe Gjakftohtësia (1980). E veçanta e talentit të Ismail Kadaresë shfaqet sidomos në trajtimin, nga një këndvështrim i ri, i temës historike dhe në tingëllimin e mprehtë aktual që është i aftë t’i japë asaj. Një nga krijimet më të shquara të Ismail Kadaresë dhe të të gjithë letërsisë së re shqiptare është romani Pallati i ëndrrave (1981). Shumica e veprave të Ismail Kadaresë janë përkthyer e botuar në mbi 45 gjuhë të botës dhe janë pritur shumë mirë nga publiku lexues. Ai është shkrimtari shqiptar më i njohur në botë.
Në vjeshtën e viti 1990 Ismail Kadare vendosi të largohet nga Shqipëria dhe të qëndrojë në Paris. Shkrimtari në atë kohë e përligji këtë largim me “mungesën e ndryshimeve demokratike”. Autoritetet e kohës e dënuan largimin e Ismail Kadaresë, por krijimtaria e tij nuk u ndalua. Në vitin 1990 e më pas vepra e tij bëhet shprehja më e fuqishme e vlerave gjuhësore dhe artistike të shqipes letrare. Letërsia e Ismail Kadaresë pas vitit 1990 bart të njëjtat tipare thelbësore të asaj të mëparshme: frymën etnografike dhe shpërfaqjen e identitetit shqiptar.
Ismail Kadare është laureat i shumë çmimeve letrare kombëtare dhe ndërkombëtare. Që nga v. 1994 I.K. është anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës dhe anëtar i jashtëm i ASHAK.
Ka qenë delegat në Kongresin e Drejtshkrimit (1972).Në vitin 2005 fitoi çmimin “The Booker Prize Man”.Ismail Kadare është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit” dhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”.Ismail Kadare më 23.06.2012 u nderua me Çmimin e madh spanjoll, “Princi i Asturias për Letërsi”, një nga çmimet me prestigjioze letrare në botë. Ai doli fitues mes 31 kandidateve nga 25 vende të ndryshme të botës ku dallohet emri i Milan Kunderas apo italiani Antonio Cabucchi. Ismail Kadare shkroi edhe veprën e njohur “Gënjeshtër nga dashuria e Galdimi ndaj Arife-s” 2013./ KultPlus.com