Tetë arsye përse duhet dëgjuar Radio

Ne jemi bërë për të dëgjuar. Nëse është e vërtetë se “dëgjimi dhe muzika përfaqësojnë një pjesë të pandashme të përvojës njerëzore”, siç thotë psikologu Daniel Müllensiefen nga Universiteti i Londrës, atëherë radio është një aleat i mirëqenies sonë. Bota e telekomunikacionit ka pësuar transformime të thella, por radioja nuk e ka humbur kurrë tërheqjen e saj, aq sa mbetet mjeti më i përhapur i komunikimit në botë.

  1. Është demokratike

Radioja është e kudogjendur, me kosto të ulët, e aksesueshme, edhe kur lidhja me energjinë elektrike ose internetin nuk është e qëndrueshme. “Është një mjet i fuqishëm për të lartësuar njerëzimin në të gjithë diversitetin e tij dhe përbën një platformë për diskursin demokratik,” shpjegon Mario Manieëicz, drejtor i Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit (ITU). “Kjo aftësi unike për të arritur audiencën më të gjerë do të thotë që radio mund të formësojë përvojën e diversitetit të një shoqërie, duke vepruar si një arenë në të cilën të gjithë zërat mund të përfaqësohen dhe dëgjohen.” Papa Françesku e kujtoi këtë në një postim në Tëitter të vitit 2021: “Radio e çon fjalën edhe në vendet më të largëta”.

  1. Të jep kënaqësi

Ka shumë sondazhe të porositura nga kompanitë prodhuese për përfitimet e radios, siç është Anketa Brilliant Sound që përfshiu 12 mijë dëgjues në 12 vende: del se ajo ndihmon në uljen e stresit.

Duke kaluar në studimet shkencore, është parë se dëgjimi i muzikës, siç ndodh me radion ndezur, mund të aktivizojë të njëjtat zona të trurit të përfshira në të gjitha përvojat e kënaqësisë, si aktiviteti seksual dhe të ushqyerit. Kjo u demonstrua për herë të parë në vitin 2011 nga një studim që u shfaq në revistën Nature Neuroscience: kur melodia arrin kulmin e saj emocional, në kokë prodhohet dopamina, e cila është neurotransmetuesi që jep një ndjenjë kënaqësie.

  1. Relakson

Konfirmimi i efekteve të radios në humor vjen edhe nga një studim australian i botuar në Frontiers in Psychology, sipas të cilit përdorimi i radios sjell një sërë përfitimesh tek popullata e moshuar, si relaksimi, ndryshimi i humorit, ndjenjat e mbështetjes dhe komunitetit, një ndjenjë kënaqësie.

  1. Jep siguri

“Disa efekte të radios janë të lidhura me muzikën dhe fjalët e folësve, ndërsa të tjerat me ndjenjën e familjaritetit dhe qetësisë që krijohet duke ndjekur gjithmonë të njëjtat programe, të cilat me kalimin e kohës bëhen një prani e qëndrueshme dhe e besueshme”, shpjegon psikologu Davide Carlotta, profesor në Shkollën e Specializimit në Psikologjinë Klinike të Universitetit Vita-Salute San Raffaele. “Këtyre i shtohet komoditeti social dhe emocional që mund të krijohet kur radio bëhet një sfond që shoqëron aktivitetet e ditës”.

  1. Eksiton

Radioja nuk lë askënd indiferent, në një mënyrë apo tjetër ndikon në gjendjet emocionale. Mund të gëzoheni, të pajtoheni me opinionet ose mund të zemëroheni. “Studimet na tregojnë se muzika, në veçanti, mund të gjenerojë një reagim emocional tek dëgjuesit, i cili, nga ana tjetër, përmes një mekanizmi kaskadë, shkakton pasoja në humor dhe në nivelin e aktivizimit psikofizik, të ndryshme në varësi të rastit”, vijon Carlotta.

  1. Përmirëson kujtesën

Studime të tjera kanë nxjerrë në pah efektet e dëgjimit të muzikës në sfond, për performancën njohëse.

Për shembull, një studim i vitit 2014 i kryer nga një ekip ndërkombëtar me studiues italianë (botuar në Frontiers in Aging Neuroscience) theksoi se si rrjedha e notave muzikore, ndërsa bën aktivitete të tjera, përmirëson kujtesën dhe shpejtësinë e përpunimit te të moshuarit. “Mekanizmi është gjithmonë i njëjtë”, shpjegon Carlotta. “Stimulohen emocionet të cilat kanë një efekt përforcues në aftësitë mnemonike, duke nxjerrë në sipërfaqe kujtimet”.

  1. Ju mban shoqëri

Radioja është një antidot ndaj vetmisë.

Në makinë, kur pastroni, kur gatuani: është shoqëri. Studimi australian (i cili u shfaq në 2011 në Journal of Radio & Audio Media) u fokusua në programe që përfshijnë pjesëmarrje aktive të audiencës: njerëzit deklaruan se jep një kontribut të rëndësishëm në ndjesinë e tyre të mirëqenies, si dhe atë të lidhjes me komunitetin.

“Radioja ka fuqinë të krijojë një ndjenjë të fortë përkatësie tek dëgjuesit, aq sa të lejojë lindjen e komuniteteve reale”, konfirmon Carlotta. “Dëgjimi i zërit njerëzor na përfshin dhe është në gjendje të stimulojë pjesëmarrjen, na ndihmon të ndihemi pjesë e një komuniteti dhe ta perceptojmë veten si më pak të vetmuar”.

  1. Stërvit imagjinatën tuaj

Radio stimulon imagjinatën. Kush nuk ka provuar kurrë të imagjinojë fytyrat e drejtuesve të radios, flokët e tyre apo veshjet e tyre? Megjithëse përdorimi i mediumit vjen ekskluzivisht nga dëgjimi, ne shpesh përfundojmë duke fantazuar për skenarë të caktuar, gjë që na nxit teërësisht krijimtarinë. / bota.al/ KultPlus.com

Djaloshi nga Kosova që mahniti publikun, konfirmon largimin nga “American Idol”

Me emrin artistik Kim, (Freskim Rama) djali nga Kosova ka mahnitë me zërin e tij jurinë e sivjetshme të American Idol, i cili përpos me zërin, ata i mahniti edhe me rrëfimin e tij. Por, ai tashmë është tërhequr nga gara e “American Idol”.

Lajmin për largimin nga ky spektakël i madh i talenteve, e ka bërë të ditur përmes rrjeteve sociale, vetë artisti.

Ai thotë se nuk do të performojë më, por që për të ka qenë një eksperiencë e jashtëzakonshme dhe në këtë rrugëtim takoi njerëz të mahnitshëm.

Postimi i plotë i Kimit:

“Dua t’ju njoftoj se nuk do të performoj në javën e Hollywood. Jam shumë mirënjohës ndaj American Idol që më dha mundësinë të ndaj historinë time dhe të lidhem me njerëz nga e gjithë bota.

Kam takuar disa njerëz të jashtëzakonshëm gjatë procesit dhe ju jam shumë mirënjohës të gjithëve për dashurinë dhe mbështetjen që më keni dhënë.

Kjo ishte një ëndërr e realizuar dhe nuk do të ishte e mundur pa ju. Ju lutemi vazhdoni të më mbështetni pasi që ky është vetëm fillimi. Ka shumë më tepër nga Kimi për të ardhur.

Ju dua të gjithëve”.  / KultPlus.com

‘Në mallin tënd ky karafil i egër, ti do të më dashurosh patjetër’

Poezi nga Fatos Arapi

Ti do të më dashurosh patjetër

Ky qiell i prillit pa ty është i vjetër.
shkon një trishtim e ja ku vjen një tjetër.
Në mallin tënd ky karafil i egër,-
Ti do të më dashurosh patjetër!

Në sytë e tu diej të vegjël
e ndezën natën dhe ditën e ndezën.
Mirë sot, po si durohet pa ty nesër?
Ti do t’më dashurosh patjetër.

Kapërcej ty e kapërceva veten,
dhe përtej vetes kapërceva jetën,
dhe përtej jetës kapërceva vdekjen,
I hapa krahët të pushtoj ty vetëm:

Ti do t’më dashurosh patjetër! / KultPlus.com

Brenda ishullit të Sazanit: Bunkerët dhe tunelet e Shqipërisë komuniste

Për shumëkënd ishulli i Sazanit në Vlorë ishte mister për dekada.

Aty dihej se ishte një bazë e rëndësishme ushtarake para dhe gjatë kohës së Shqipërisë komuniste.

Herë pas here ishulli përdoret edhe për stërvitje nga ushtria shqiptare dhe nga NATO-ja.

Por, në vitin 2017, qeveria e Shqipërisë, vendosi ta lejojë qasjen për vizitorë nga maji deri në muajin tetor.

Vëmendja në këtë ishull u rikthye para pak javësh kur dhëndri i ish-presidentit amerikan, Donald Trump, Jared Kushner, shprehu interesim për ndërtimin e një kompleksi turistik.

Kur dhe si mund të shkohet në ishull?

Nga maji deri në tetor, për të shkuar në Sazan është i nevojshëm udhëtimi me anije. Udhëtimi zgjat nga 20 deri në 45 minuta. Kohëzgjatja e udhëtimit varet shumë edhe nga moti. Distanca më e afërt e Vlorës me Sazanin është rreth 8 kilometra. Kur të nisë udhëtimi, sa më shumë që anija i afrohet ishullit, aq më shumë vërehen objektet e vjetra që dekada më parë shfrytëzoheshin nga ushtarakët. Aty ishte krijuar një miniqytet, ku oficerët jetonin me familjet e tyre. Kishte edhe shkollë për fëmijët.

Niko Leraj, një ish-ushtarak nga Vlora, jetoi 9 vjet në Sazan në vitet ‘80. Ushtrimet dhe përgatitjet ushtarake, thotë ai, ishin rutina e ushtarakëve në ishull.

“Përditshmëria do të thoshte stërvitje, përgatitje dhe vetëm përgatitje dhe gatishmëri për mbrojtjen e atdheut, ashtu siç ishte teoria”, tha Leraj për Radion Evropa e Lirë.

“Sazani, duke qenë i izoluar nga toka, nuk kishte dritë elektrike të pandërprerë, nuk kishte ujë të rrjedhshëm, as 24 orë e as me orë të ndërprera. Sazani, ujin e kishte me cisternë që vinte nga Vlora”, tha Leraj për Radion Evropa e Lirë.

Në ishull ende nuk ka ujë të pijshëm e as energji elektrike.

Ishulli i Sazanit ka sipërfaqe rreth 6 kilometra katrorë dhe vijë bregdetare me gjatësi rreth 15 kilometra katrorë.

Çfarë ka mbetur në Sazan?

Në Sazan ndodhet një port i vogël në afërsi të të cilit ditën që Radio Evropa e Lirë vizitoi ishullin, më 19 mars, dy ushtarë u panë teksa patrullonin.

Ishulli ka shumë bunkerë. Numri i saktë i tyre nuk dihet. Por, ata janë në çdo cep të ishullit. Ishulli ka shumë tunele, në të cilat nuk lejohet hyrja. Numri i tyre nuk dihet. Në ishull ka shumë magazina ushtarake boshe. Në shumë prej tyre kanë mbetur shishe të vjetra me dekada. Në shumë pjesë të ishullit shihen dhjetëra objekte të dëmtuara. Asnjë prej tyre nuk duket të jetë funksionale. Në disa vende shihen edhe automjete të vjetra e të shkatërruara.

Radios Evropa e Lirë iu desh leje e posaçme nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë për të hyrë në ishull dhe gjatë gjithë vizitës u përcoll nga një pjesëtar i ushtrisë shqiptare.

Çfarë planifikon të bëjë dhëndri i Trumpit?

Në mes të mendimeve për dhe kundër ndërtimit në Sazan, në Shqipëri u konfirmua se një kompani, në pronësi të Jared Kushner, ka dorëzuar një aplikim për investim në këtë ishull.

Aplikimi ende nuk është publik, por vetë Kushner ka publikuar fotografi të planit ideor.

Kompania amerikane Atlantic Incubator Partners LLC, ka dorëzuar këtë aplikim përmes të cilit shpreh interes për investim në Sazan më 27 dhjetor 2023.

Realizimi eventual i projektit ngriti shqetësime tek organizata ambientaliste në Shqipëri.

“Presioni më i madh është me ndotjen, në radhë të parë me ujërat e zeza… në ujërat e zeza përfshihen edhe të gjitha kimikatet, detergjentet”, i tha REL-it, Simo Ribaj nga organizata Rrjeti “Vizioni i Gjelbër”. / KultPlus.com

“Unë sjell një vazo, ti më jep një lule”, nisma plot ngjyra pranverore e bashkisë Gjirokastër

“Unë sjell një vazo, ti më jep një lule” është nisma plot ngjyra pranverore e bashkisë Gjirokastër dhe bizneseve të Pazarit për të lulëzuar bashkë me fëmijët sokaket e Qafës së Pazarit në Gjirokastër.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro shkruan se nismës iu bashkua edhe ambasadori i Delegacionit Europian, Silvio Gonzato që tanimë është admirues i Qytetit të Gurtë, por edhe shumë turistë e vizitorë që kanë nisur të gëlojnë në Gjirokastër. / KultPlus.com

Tri motrat Brontë

Me sa duket, familja Brontë i detyrohet shumë Jorkshirit dhe Hauorthit. Veçanërisht tri motrat Brontë: Sharlotë (Charlotte), Emili (Emily) dhe Anë (Anne), emrat e të cilave lidhen menjëherë me peizazhin e lagësht e të vrazhdë të lëndinave angleze.

A ju thonë gjë malet dhe gëmushat e shqopishtave?

A nuk thërresin titujt e romaneve më të famshëm të epokës viktoriane?

Po, sigurisht që po, por edhe jeta e përditshme dhe mbresat e tri vajzave të reja, tri motrave të bashkuara nga pasioni i përbashkët. Në të vërtetë, fshati që i mikpriti që fëmijë, Hauorthi, me kalimin e viteve u shndërrua në vend pelegrinazhi, po kështu edhe shtëpia e familjes dhe kisha ku punonte i ati, një reverend. Se ç’ndikim ka pasur peizazhi që shoqëroi rrugëtimin e jetës së tyre të shkurtër dhe natyra e vendit në krijimtarinë e tyre, është një pyetje që mund të marrë lehtësisht përgjigje. Ndikimi ka qenë i madh dhe, pavarësisht disa udhëtimeve dhe periudhave jashtë vendit, ato i kanë qëndruar gjithmonë besnike. nga ana tjetër, një fakt edhe më magjepsës ka të bëjë me artin që i bashkon. Secila prej tyre shprehet vetëm me fjalë dhe njëkohësisht njëra me tjetrën. Në fakt, në 1847, ato kanë gati 3 romanet e tyre kryesore: “Xhejn Er”, “Maja të stuhishme” dhe “Anjezë Grej” – njëherazi. Botimi, në harmoni të përsosur, ishte një fakt që i kishte ndodhur tashmë treshes, vetëm dy vjet më parë. Kishin vendosur të botonin poezitë e tyre, të cilat i kishin shkruar në fshehtësi të plotë dhe tejet personale. Përballë heshtjes së Emilisë, Sharlotë pranon një kompromis. Koleksioni mund të shohë dritën, por vetëm me një pseudonim.

Shkrimi me pseudonim: e përbashkëta artistike e motrave Brontë

Zgjedhja e emrit, nuk është e rastësishme. Secila supozon një emër, që nuk lë të nënkuptojë aspak atë realen, përveç shkronjës së parë: Sharlotë zgjedh “Currer” , Emili dhe Anë, bëhen “Ellis” dhe “Acton”. Të gjitha me mbiemrin Bell – “këmbanë” në anglisht, për të na sjellë ndërmend një poetikë të caktuar. Me pseudonimi qëllimisht bishtnuese për sa i përket gjinisë, pasi nuk specifikojnë nëse janë autorë apo autore dhe pikërisht për këtë pasiguri funksionojnë aq mirë. Botimi bëhet në një vëllim të vetëm, edhe për shkak të temave të përbashkëta: marrëdhëniet e njeriut me natyrën ose me hyjninë, trazimet e dashurisë dhe lavdërimi i lirisë. Marrëveshja mes tre Brontëve është evidente në disa përshkrime të peizazhit dhe në mbresat më shpirtërore. Shpesh dashuria bëhet vuajtje, nuk u kthehet në këmbim ose tradhtohet. Sa herë kërkojnë ngushëllim, tashmë në shtëpi – si Anjeza te poezia “Ngushëllim” –  në agimin e parë të ditës – si Sharlotë te “Mëngjesi”. Edhe Emili i bashkohet korit melankolik, duke gjetur strehë në livadhet e njohura.

“Do të shkoj atje ku do të më çojë natyra: / Nuk dua të zgjedh tjetër udhërrëfyes: / ku kopetë gri kullosin midis grigjave; / ku era fryn e tërbuar mbi mal”. (E. Brontë).

Natyra është e gjallë dhe manifestohet në praninë e tyre, por evokimi i hapësirave të shqopishtës dhe shkëlqimit të hënës, nuk ngjallin gjithmonë ndjenja mirëqenieje ose përkatësie. Ndonjëherë tek Emilia, vargjet e së cilës janë më komplekset, shpirti i njeriut është i stuhishëm dhe po ashtu edhe natyra, e cila lidhet me të në harmonizim. Pamjet e stuhisë dhe erës, që trondit lumenjtë dhe pyjet përsëriten shpeshherë. Përkundrazi, Zoti mund të shfaqet indiferent ndaj kërkesave, të cilat bëhen të kota dhe të pashprehshme.

Marrëdhënia midis motrave dhe natyra e Jorkshirit

Emili Brontë përqafon kontrastet: dashurinë dhe urrejtjen, jetën dhe vdekjen, realen dhe imagjinare, i deshifron dhe e pohon praninë e tyre në çdo formë jetike. Në vend të kësaj, poezia e Sharlotë dhe Anë Brontë, ka luhatje të dobëta. E lëshojnë veten në keqardhje dashurie dhe lutje melankolike, herë-herë shtrijnë dorën drejt lirisë dhe refuzojnë hallkat e burgosjes, të gjitha me një dozë më të vogël tensioni.

“Do të doja të bredhërija lirshëm,/ një dehje po ma pushton mendjen/ me mendimin për të shkuar larg/ në botët fantastike-gëzim i çuditshëm /që nuk duron dot të jetë i burgosur/erë më të lehtë perëndimore”. (Sh. Brontë) .

Karriera e tyre si poetesha është mjaft e shkurtër, ashtu si ekzistenca e tyre. Na lënë pak rreshta dhe preferojnë të shprehen me prozë. Megjithatë, në paraqitjet e përshtypjeve të tyre romantike, ato sjellin elemente dhe tema që do të kthehen edhe në romane, shumë më të famshme se poezitë. Si pasojë, njohja e këtij aspekti të letërsisë së motrave Brontë mund të jetë e dobishme si në fushën artistike, ashtu edhe në atë njerëzore, për një qasje në njohjen e gjendjes së tyre shpirtërore.

Virxhinia Ulf, në një shkrim publikuar në “The Guardian” më 1904, nuk e ka të vështirë t’i përcaktojë “sentimentale” udhëtimet në Jorkshir dhe shtëpinë-muze të tri shkrimtareve. Në rrëfim, ajo përmend vendet që ka vizituar dhe për secilin përjeton një emocion të ndryshëm, thuajse kaq të fortë. Edhe tek ajo, Hauorth provokon njëherazi ëmbëlsi dhe zymtësi, drithërimë dhe frikë. Edhe Ulf rijeton stuhitë e jetës së shkurtër, të motrave Brontë në Jorkshir./Konica.al/ KultPlus.com

Pluhuri nga Saharaja edhe në Kosovë, fotografitë nga droni në Gërmi tregojnë se është zvogëluar dukshmëria

Mendimi mbi motin” njofton se gjatë ditës së sotme pluhuri saharian ka filluar të shtrihet mbi vend e rajon.

“Në këto pamje me dron nga Parku i Gërmisë dallohet dukshmëria më e reduktuar, por dhe qiell më i zbehtë mbi Prishtinë. Pas depërtimit gjatë ditës së mërkurë kjo është hera e dytë që pluhuri saharian depërton mbi vend”, thuhet në njoftimin e publikuar në Facebook krahas fotografive. / KultPlus.com

Vdiq profesoresha Shqipe Bajçinca – Brestovci

Ka vdekur të dielën profesoresha e Fakultetit të Edukatës Fizike, Shqipe Bajçinca – Brestovci. Ajo ishte e angazhuar në pozita të shumta në sport, ndërsa ka vuajtur nga një sëmundje e rëndë për shumë vjet.

Ndër të tjera, profesoresha Bajçinca – Brestovci ishte anëtare e Bordit Ekzekutiv të Komitetit Olimpik të Kosovës.

Ka mbajtur pozita shumë të rëndësishme në Federatën e Hendbollit të Kosovës. Së fundi ishte kryetare e Shoqatës së Gjyqtarëve të Hendbollit dhe anëtare e Bordit të FHK-së. Ishte edhe delegate e Federatës Evropiane të Hendbollit, ish komesare e garave të FHK-së.

Në mënyrë aktive ishte marrë me karate, atletikë e hendboll. Në Fakultetin e Kulturës Fizike të Universitetit të Prishtinës ka ligjëruar për dy dekada e gjysmë.

Familjen e së ndjerës e kanë ngushëlluar Komiteti Olimpik i Kosovës, Federata e Hendbollit e Kosovës dhe institucione të tjera./ KultPlus.com

‘Imja je prej qindra motesh’

Poezi nga Pedro Salinas


“[XII]
S’më duhet kohë
të di sesi je:
të njihesh me dikë është xixëllimë.
E kush mund të t’njohë
aty ku ti hesht, a në
fjalë me të cilat hesht?
Ai që ti mëton në at’jetë
që rron, s’di gjë rreth teje
veç nënkuptimeve, shkaqeve
të rreme pas të cilave fshihesh.
Dhe të t’ndjeki së prapthi
në bëmat e tua, të kaluara,
të mbledhë veprim a gëzim,
mote dhe emra, do të qe
si të t’humbiste. Une jo.
Të njoha në shtrëngatë.
Të njoha, të beftë,
n’atë çarje mizore
mugëtire dhe drite,
atje ku përshfaqet thelli
q’ikën ditës dhe natës.
Të pashë, më pe, dhe tash,
zhveshur nga keqkuptimi,
nga rrjedha, nga e shkuara,
ti, amazonë mbi shkrepëtimë,
regëtin nga e fundmja
e papritura mbërrimë,
imja je prej qindra motesh,
prej kaq kohësh që të njoh,
sa në dashurinë tënde sytë i mbyll,
dhe bëj përpara pa e humbur,
krejt qorrazi, pa kërkuar gjëkafshë
tek ajo dritë e ngadaltë dhe e bindur
me të cilën shfaqen shkronja
e trajta dhe mbyllen hesape
me besimin se kthjellohet
cila je ti, e padukshmja ime.

Përktheu: Edon QesariKultPlus.com

Nis pastrimi i vijës liqenore në Pogradec

Në Pogradec kanë nisur përgatitjet për mbarëvajtjen e sezonit të ri turistik.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, ndau në rrjete sociale pamje nga aksioni i pastrimit, teksa shkroi se, “në Pogradecin që po mirëpret turistët e bëhet gati për sezonin veror nis pastrimi i vijës liqenore nga urat, shtesat e shkallët e betonit në hyrje të qytetit”.

Sipas saj, puna do të vijojë me rehabilitimin e plazhit për ta bashkuar me plazhin e vjetër të “Uçkave”, duke shtuar edhe më tepër plazhin publik për qytetarët dhe turistët e Pogradecit, në një pjesë e cila nuk aksesohej prej shumë vitesh.

Falë një strategjie të mirëkonceptuar në orientimin e investimeve apo shërbimeve në këto 4 vitet e fundit, Pogradeci arriti të ngjitet me shpejtësi dhe të rreshtohet krah qyteteve me turizëm të zhvilluar. Kjo faktohet edhe nga shifrat në rritje nga viti në vit të numrit të pushuesve dhe vizitorëve.

Sipas bashkisë Pogradec, vetëm gjatë sezonit veror 2023, në këtë qytet qëndruan rreth gjysmë milioni turistë, vendas dhe të huaj. Kjo rritje kaq e madhe sigurisht që bazohet në shërbimet dhe investimet e bashkisë, bashkë me shërbimin në rritje të operatorëve turistikë./ KultPlus.com

Muzeu Mesjetar i Korçës, destinacion për të mos u humbur

Kryeministri Edi Rama ka ndarë pamje nga Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë. Kreu i qeverisë në postimin e tij në rrjetet sociale, nënvizon se ky është një destinacion për të mos u humbur.

Rama kujton se të dielën e fundit e çdo muaji hyrja në çdo muze të vendit është falas.

“Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë është një nga ato destinacione të trashëgimisë kulturore, që nuk duhen humbur. Mos harroni! E diela e fundit e çdo muaji, është e Diela e Muzeve, ndaj hyrja është FALAS”, nënvizon Rama. / KultPlus.com

Kurti: Marrëdhëniet ekonomike me Shqipërinë u forcuan më shumë se kurrë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se marrëdhëniet ekonomike me Shqipërinë janë forcuar më shumë se asnjëherë më parë, ndërsa ka vazhduar publikimin e të dhënave të punës së tij për tri vjet qeverisje.

Kurti shkroi se në vitin 2023 “Shqipëria u bë partneri ynë kryesor tregtar”.

“Sot, marrëdhëniet tona ekonomike janë forcuar më shumë se ndonjëherë më parë. Me hapjen e dy zyrave doganore të Republikës së Kosovës në Durrës dhe Porto Romano, fituam qasje në det nga e cila përfitojnë bizneset dhe ekonomia jonë. Investimet nga Shqipëria dhe shkëmbimet tregtare janë rritur e po rriten. Në 2023, Shqipëria u bë partneri ynë kryesor tregtar. E këtë vit, shënuam një moment historik në bashkëpunimit tonë në sektorin energjetik. Funksionalizuam dhe përuruam bursën shqiptare të energjisë elektrike ALPEX, e cila na mundëson të rrisim shumëfish shkëmbimet përmes kësaj burse të përbashkët. Po aq historike ishte edhe kandidatura e suksesshme e Kosovës për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030. Ajo u bë e mundshme pikërisht me ndihmën dhe bashkëpunimin me Shqipërinë. Bregdeti shqiptar do të mirëpresë sportin e lundrimit në kuadër të këtyre lojërave”, shkroi Kurti.

Prej marrëveshjeve bilaterale që ekzistojnë mes dy vendeve, Kurti tha se “58 u nënshkruan gjatë këtyre tri viteve, e në kuadër të së cilave i kemi mbajtur edhe dy mbledhje fizike të përbashkëta të qeverive tona”.

“Thjeshtësimi i procedurave burokratike, lehtëson qasjen e qytetarëve tanë në shërbime por edhe jetën e tyre të përditshme. Pajisja me leje qëndrim tashmë merret më shpejt e me më pak procedura. Kurse sa i përket legalizimit të dokumenteve, kemi hequr mes nesh kërkesat për vulë apostile. Gjithashtu kemi nënshkruar marrëveshje me Republikën e Shqipërisë për njohjen e së drejtës së ushtrimit të profesioneve të avokatit dhe ndërmjetësuesit në të dy vendet. Për mbi 200 mijë banorët e brezit tonë të përbashkët kufitar lëvizin më lirë me funksionalizimin e 26 vendkalimeve të veçanta. E ndërmjet fshatrave ndërkufitare kemi filluar të ndërtojmë rrugë që na lidhin edhe më shumë, edhe më lehtë, për më shumë shkëmbime e më shumë turizëm malor”, shkroi Kurti.

Ndër projektet më të rëndësishme mbarëkombëtare, Kurti tha se është marrëveshja për ndërtimin e hekurudhës Prishtinë-Durrës.

“Ajo do të jetë infrastruktura e radhës fizike që i përgjigjet vullnetit, dëshirës dhe nevojës për të qenë me afër. Ndërkohë që hapja e korridoreve ajrore me Republikën e Shqipërisë, e afron Kosovën me vendet tjera. Shkurtohet koha e udhëtimit dhe ruhet mjedisi sepse zvogëlohet trajektorja e fluturimeve për dhe nga Kosova”, shkroi kryeministri.

“Kosova dhe Shqipëria janë gjuhë dhe kulturë, arte dhe tradita, të mishëruara në brendi të kombit tonë. Abetarja e unifikuar dhe fillimi i punës për Enciklopedinë Shqiptare, i vulosin vlerat e historinë tonë të përbashkët”, shtoi ai. / KultPlus.com

Hovenier uron për Pashkë sa më të lumtura

Ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Jeff Hovenier, i ka uruar të gjithë besimtarët katolikë me rastin e Pashkëve.

Hovenier i uroi të gjithë ata që festojnë Pashkët në Kosovë dhe në botë.

“Për të gjithë ata që festojnë Pashkët në Kosovë dhe në botë, ju uroj Pashkë sa më të lumtur!”. / KultPlus.com

“Zgjidh përherë dijen”, historia e trishtë e Isak Njutonit dhe mesazhi që marrim prej jetës së tij

Isak Njuton mezi i mbijetoi ditës së parë të jetës së tij. I lindur përpara kohe, Isak Njuton ishte tepër i dobët dhe i vogël. Ndërkohë, i ati i tij kishte ndërruar jetë disa ditë përpara se ai të vinte në jetë.

Kur Isak Njutoni ishte tre vjeç, e ëma e tij u martua me një burrë, i cili nuk donte t’ia dinte për të. Gjërat në familje u acaruan aq shumë, saqë e ëma e la Isakun në duart e gjyshes së tij, në mënyrë që ajo ta rriste, sepse përndryshe në familjen e tyre do të kishte përherë debate. Isaku u ndje i braktisur dhe i refuzuar nga familja e tij përgjatë gjithë jetës. Ai nisi ta urrente aq shumë njerkun, saqë u përpoq edhe t’i vinte flakën shtëpisë së tij…

Rehatia e vetme e tij ishin librat mbi mekanikën dhe teknologjinë. Kalonte orë të tëra duke lexuar mbi to dhe kurrë nuk mërzitej. Edhe pse e ëma i thoshte të bëhej fermer, ai gjithsesi nuk e pëlqente atë zanat. “Duhet të jesh ti që i vendos rregullat, jo të jesh ti që t’i ndjekësh ato”, mendonte Isak Njuton.

Ai ia doli mjaft mirë me shkollën, aq sa fitoi mundësinë të studionte në Kembrixh. Mirëpo kjo do të thoshte për të edhe një përpjekje më shumë për t’ia dalë mbanë me shpenzimet. Bëri punë nga më të ndryshmet, edhe nga ato të konsideruara si “jo tepër burrërore”, si larja e rrobave të të tjerëve, vetëm e vetëm që të përballonte studimet e tij.

Për fatin e tij të mirë, mësuesi i matematikës u bë si një baba për të dhe e ndihmoi jashtëzakonisht shumë me studimet. Mirëpo menjëherë pasi mbylli studimet, ai u izolua si pasojë e një virusi vdekjeprurës, të njohur si Vdekja e Zezë, që kishte marrë jetën e miliona njerëzve në Europë. Këto vite ai i kaloi duke studiuar matematikë dhe fizikë dhe ishte pikërisht kjo periudhë, në të cilën ai formuloi teoritë më të mëdha. Duke qenë një natyrë e qetë dhe e rezervuar, shumë nga teoritë ai i mbajti për vete.

Duke punuar në laborator, Isak Njuton arriti të zbulonte se në fakt, ngjyra e bardhë ishte e përbërë nga një spektër i tërë ngjyrash. Teoritë e tij mbi dritën dhe ngjyrat e nxitën të ndërtonte teleskopin e parë në atë kohë, i cili i siguroi edhe famën e merituar. Por sërish puna e tij vazhdonte të ishte e kritikuar, gjë që e shtyu sërish në izolim.

I gjendur sërish në të njëjtën situatë, ai studioi gravitetin dhe alkiminë në vitet në vazhdim. Duke iu trembur kritikave, ai ishte i frikësuar t’i publikonte përfundimet e tij. Pas dy vitesh pune të lodhshme, ai publikoi librin e tij të parë “Principia” në vitin 1687. Edhe në ditët e sotme, ky libër konsiderohet si më i miri ndër librat e fizikës. Isak Njuton ishte një nga figurat më të rëndësishme të Revolucionit Shkencor. Shpikjet e tij hodhën bazat e një sërë arritjeve të mëvonshme, si eksplorimi i hapësirës edhe në ditët e sotme.

Historia e Isak Njuton është prova se një natyrë kurioze e shtyrë dhe nga një pasion i madh, janë dy cilësitë që e përkufizojnë një gjeni. “Nëse kam arritur të zbuloj diçka me vlerë, ajo ka qenë ta kalis më shumë vëmendjen e vullnetin tim, më tepër se çdo talent që mund të kisha”, ka thënë ai. / KultPlus.com

137 vjet më parë nisi publikimin në Palermo revista e përmuajshme shqiptare ‘Arbri i Ri’

 Më 31 mars të vitit 1887 nisi të publikohej në Palermo revista e përmuajshme shqiptare, “Arbri i Ri”.

Ky periodik, që pa dritën e botimit në sajë të orvatjeve të Zef Skiroit, shërbeu si një busull identitare për arbëreshët dhe si një tribunë e krijimtarisë së autorëve të këtij komuniteti. Në këtë mënyrë, në numrat e saj gjeneruan përmbajtje Serembe, Krispi, Variboba etj.

Për herë të parë, kjo revistë publikoi fragmente nga “Kënga e spasme e Balës”, kryevepër e të riut Gabriel Dara, përralla arbëreshe të grumbulluara nga Xhentile Mandala, si edhe një studim mbi shqiptarët të albanologut të famshëm, Gustav Meyer.

Në të vërtetë, në gjysmën e dytë të shekullit të XIX-të, u hodh gurthemeli i shtypit kombëtar, nën drejtimin e një prej figurave qendrore të periudhës së Rilindjes, shkrimtarit arbëresh Jeronim De Rada. Më 23 shkurt të vitit 1848, u botua në Napoli gazeta e parë në historinë e shtypit shqiptar, “L’albanese d’Italia”.

Gazeta qe shkruar kryesisht në gjuhën italiane dhe pjesërisht në arbërisht. Në përpjekje për të krijuar dhe informuar opinionin publik të komunitetit arbëresh, kjo e përditshme ka publikuar lajme të shumta mbi zhvillimet në Shqipëri dhe në rajonin e Ballkanit.

Në dokument paraqitet një letër, përmes të cilës themeluesi i “Arbri i Ri”, Zef Skiroi, i rrëfen një miku të tij përpjekjet për botimin e poemës “Te dheu i huaj”./atsh/ KultPlus.com

Papa Françesku në mesazhin e Pashkëve bën thirrje për armëpushim në Gaza dhe Ukrainë

Papa Françesku ka përdorur mesazhin e tij tradicional të Pashkëve për të bërë thirrje për një armëpushim në Rripin e Gazës dhe për kthimin e pengjeve izraelitë të mbajtur nga Hamasi.

Papa 87-vjeçar udhëhoqi meshën e Pashkëve në Vatikan përpara mijëra njerëzve, pavarësisht shqetësimeve për shëndetin e tij.

Duke iu referuar konflikteve në mbarë botën, Papa u lut që të mos “i nënshtrohen logjikës së armëve dhe riarmatimit”, transmeton Klankosova.tv.

“Paqja nuk bëhet kurrë me krahë, por me duar të shtrira dhe me zemër të hapur”, tha ai.

Dhjetëra mijëra besimtarë u mblodhën në sheshin e Shën Pjetrit për të dëgjuar Papën.

Ndërsa negociatat e reja të armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit do të fillonin, Papa Françesku tha: “Unë bëj thirrje edhe një herë që të sigurohet qasja në ndihmat humanitare në Gaza dhe bëj thirrje edhe një herë për lirimin e menjëhershëm të pengjeve të kapur më 7 tetor dhe për një armëpushim i menjëhershëm në Rripin e Gazës.

Duke iu referuar ndikimit të luftës tek civilët, duke filluar nga fëmijët, ai tha: “Sa vuajtje shohim në sytë e tyre! Me ata sy na pyesin: Pse? Pse gjithë këto vdekje? Pse gjithë ky shkatërrim? Lufta është gjithmonë një absurditet dhe një disfatë”.

Papa Françesku paralajmëroi gjithashtu vendet që të mos riarmatosen dhe foli për konfliktin e vazhdueshëm në Ukrainë pak më shumë se dy vjet që kur Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë të fqinjit të saj.

169 vjet nga vdekja e shkrimtares së shquar, Charlotte Brontë

Charlotte Brontë ka qenë noveliste dhe poete angleze, e njohur në mbarë botën, shkruan KultPlus.

Romani i saj më i njohur është “Xhejn Er”, të cilin ajo e botoi nën emrin artistik Currer Bell.

Një jetime e vuajtur ngrihet në rangun e një heroine, e cila, guximtare, e çiltër dhe krenare, na tregon se si integriteti i një shpirti të dëlirë nuk komprometohet përballë asnjë tundimi, as atij që premton lumturinë. Libri, i kritikuar nga bashkëkohësit si një roman që përmbante nxitje revolucionare, të pamoralshme dhe antifetare, “Xhejn Er”, është sot një nga veprat më të kremtuara të të gjitha kohërave. I ekranizuar më shumë se çdo klasik i shekullit XIX, “Xhejn Er” solli një revolucion në artin e rrëfimit.

Falë tij, autorja Charlotte Brontë konsiderohet si “një nga historianet e para të ndërgjegjes individuale” dhe pararendësja letrare e shkrimtarëve si Joyce-i dhe Proust-i.

Kjo është historia e një jetimeje të zgjuar dhe plot temperament, megjithëse trupvogël e

shëmtaraqe. E abuzuar dhe e braktisur nga të afërmit e saj, heroina jonë lufton e patundur për një jetë të pavarur e dinjitoze. Xhejni do të kërkojë lumturinë me ngulmin e një shpirti rebel, por pa pranuar kurrë të bëjë kompromis me moralin e saj. Rrëfimi i apasionuar rrotullohet rreth historisë së dashurisë së Xhejn Erit me punëdhënësin e saj, zotin Roçester, një aristokrat arrogant dhe hijerëndë.

Romani përshëndeste një figurë heroike të panjohur më parë; një figurë e cila, falë integritetit virtuoz, intelektit të mprehtë dhe këmbënguljes së palodhur, arrinte të çante përmes barrierave të klasave sociale për të fituar një pozicion të barabartë me njeriun që dashuronte. Dhe pikërisht kjo është arsyeja pse kaq shumë njerëz e duan Xhejn Erin: ata mund të identifikohen me të. Ajo nuk është e bukur, shtatlartë apo e hijshme. Ajo është një vajzë fare e rëndomtë, nga ato që nuk bien në sy. E megjithatë, ajo gjen lumturinë romantike. Është një përrallë për të pasigurtët, për të gjithë njerëzit e zakontë. I lavdëruar nga William Makepeace Thackeray si “kryevepra e një gjeniu të madh”, romani “Xhejn Er” konsiderohet ende sot, më shumë se një shekull më vonë, një nga veprat më të hijshme të letërsisë angleze. /KultPlus.com

Çerdhja e re në lagjen Mati 1, Rama publikon pamje të projektit

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka publikuar projektin fitues për koncept-dizajnin e kopshtit të ri në Lagjen Mati 1.

Kryetari Rama ka thënë se kryeqyteti po fillon një epokë të re me ambiente edukative moderne, ku fëmijët do të përgatiten jo vetëm në rrafshin edukativ, por edhe në atë social dhe emocional.

“Në thelb të konceptit të “Folesë” është të kuptuarit se ambienti luan rol thelbësor në zhvillimin e fëmiut. Është tanimë e dokumentar rëndësia e krijimit të një ambienti të sigurt, të cilin fëmiu e njeh, në rrënjosjen e ndjenjave të sigurisë dhe përkatësisë. Duke dizajnuar hapësira që u përgjajnë atyre të shtëpisë, ne kemi synuar që ta mbështesim zhvillimin kognitiv dhe emocional të fëmiut, duke bërë që dalja e tyre e parë midis të tjerëve të jetë më miqësore”, ka shkruar Rama.

Kryetari Rama ka treguar edhe filozofinë që qëndron prapa këtij projekti.

“Filozofia prapa dizajnit të “Folesë” ka në thelb krijimin e një kapërcimi pothuaj të pavërejtshëm midis rehatisë së shtëpisë dhe hapësirave edukative në çerdhe-kopsht. Çdo aspekt i dizajnit, përfshirë atë të brendshëm, që prej materialeve, formave dhe ngjyrave, është krijuar me kujdes ashtu që të krijojë idenë e përkatësisë dhe ngrohtësisë.

Jemi posaqërisht krenar që në një konkurencë ndërkombëtare koncepti i dy arkitektëve vendor fiton garën dhe vë gurthemelin e një epoke të re për arsimin dhe arkitekturën në kryeqytet.

Urime kopështit shumëngjyrësh të Matit”, ka thënë Kryetari Rama./KultPlus.com

Kryeminstri Kurti: Nuk do të rreshtim së kërkuari drejtësi për krimet e luftës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar Albion Kumnovën, Artan Efendijën, Gëzim Deva, Lutfi Bunjakun, Bekim Bunjakun dhe Shkëlzen Binishin në 25-vjetoin e vrasjes së tyre.

Më 31 mars 1999, në shtëpinë e familjes Kumnova në Gjakovë, hynë dhunshëm forcat e armatosura serbe.

Nga aty rrëmbyen gjashtë burra e djem civilë: Albion Kumnova, Artan Efendija, Gëzim Deva, Lutfi Bunjaku, Bekim Bunjaku dhe Shkëlzen Binishi. Pasi i rrëmbyen, ata i vranë dhe i zhdukën.

“Serbia ua rrëmbeu edhe kufomat, në përpjekje për të fshehur gjurmët e krimit. Në vitin 2011, trupat e tyre u gjetën në Batajnicë në periferi të Beogradit. Mes tyre nuk ishte Albioni”, shkroi Kurtinë Facebook.

“Albioni ishte 21 vjeç. Sot bëhen 25 vjet nga zhdukja e tij. Ҫerek shekulli pritje e përpjekje për të vërtetën për të zhdukurit me dhunë nga Serbia”, vazhdon më tutje Kurti.

I pari i qeverisë thotë se ende mungon pranimi i së vërtetës nga Serbia dhe drejtësia për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

“Ende mungon pranimi i së vërtetës nga Serbia dhe drejtësia për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë. Mbi 950 shqiptarë janë eksumuar nga pesë varreza masive në Serbi e janë nxjerrë nga lumenjtë e liqenet ku Serbia u mundua ta fundoste të vërtetën e saj”.

Ai zotohet se si Qeveri e Kosovës nuk do të reshtin së kërkuari ndriçimin e së vërtetës dhe drejtësisë për krimet e luftës.

“Si Qeveri e Republikës së Kosovës, ritheksojmë zotimin tonë për të mos reshtur së kërkuari ndriçimin e së vërtetës dhe drejtësi për krimet e luftës”.

“Sot, në këtë përvjetor, duke përkujtuar të birin e vetëm të familjes Kumnova, kujtojmë më të dashurit e familjeve të shumta të popullit tonë të cilët u rrëmbyen e zhdukën me dhunë nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit. Nderojmë sakrificën për shtetin tonë të lirë. Qëndresa e Nënës Nesrete dhe Bacës Muharrem Kumnova na mbanë të fortë të gjithëve”.

Ministrja Gërvalla- Schwarz uron Pashkët nga Sicilia: Arbëreshët janë model i atdhedashurisë për të gjithë shqiptarët

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz, ka uruar festën e Pashkëve të gjithë besimtarëve katolik nga Hora e Arbëreshëve në Sicili, shkruan KultPlus.

Ministrja Gërvalla-Schwarz përmes një shkrimi në Facebook ka treguar se është mahnitur me pritjen që i është bërë nga shqiptarët të cilët jetojnë në këtë rajon të Italisë.

Gërvalla më tej tha se trashëgimia që kjo etni shqiptare i lë gjeneratave të reja siç janë dashuria për identitetin, gjuhën, traditën dhe kulturën, i bën ata të jenë model jo vetëm për mërgatën por për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të Ministres Gërvalla- Schwarz:

Nga festa e madhe e Arbëreshëve në Sicili, të gjithë motrave dhe vëllezërve tanë të krishterë iu uroj Pashkët, festën e paqes, dashurisë dhe triumfit, ashtu siç triumfuan me shekuj arbëreshët me vendosmerinë e tyre për të ruajtur identitetin, traditën, gjuhën dhe kulturën.

Emocione të papërshkrueshme gjatë festës së sotme në Hora të Arbëreshëve, një vend me njerëz të mrekullueshëm, të dashur, e të vendosur për të ndërtuar ura bashkëpunimi me Kosovën dhe qytetarët e saj, një pjesë e të cilëve kishin ardhur nga Kosova dhe mërgata dhe sot mbushnin sheshin e Horës për të festuar Pashkët së bashku me Arbëreshët.

Të vetëdishëm për të kaluarën, trashëgimia që i lënë gjeneratave të reja dhe dashuria për identitetin, gjuhën, traditën dhe kulturën i bën ata të jenë model, jo vetëm për diasporën dhe mërgatën tonë, por për qytetarët tanë në Kosovë në përgjithësi se si duhet ruajtur gjithçka që është krijuar shekuj e shekuj më parë e që njëkohësisht përbën ekzistencën tonë kombëtare.

Pashkë të bardha e të gëzuara për

të gjithë ju!/ KultPlus.com

Mbreti Charles merr pjesë në shërbimin tradicional të Pashkëve

Mbreti Charles III ka bërë daljen e tij më të rëndësishme që nga diagnoza e tij me kancer muajin e kaluar, duke marrë pjesë në shërbimin tradicional të kishës Easter Mattins në Windsor të dielën.

Charles, 75 vjeç, dukej se ishte në gjendje të mirë shpirtërore ndërsa mbërriti me makinë në kapelën e St. Ai u shoqërua nga gruaja e tij, Mbretëresha Camilla, për këtë ngjarje – një element kryesor në kalendarin mbretëror,

Në mënyrë tipike, familja e zgjeruar mbretërore mblidhet për Pashkë në Kështjellën Windsor përpara se të shkojnë së bashku në kishë. Arritjet e tyre zakonisht shikohen nga stafi që jeton në Windsor, ose nga një bankë me bar aty pranë ose nga pragu i derës së tyre./cnn/KultPlus.com

297 vite nga vdekja e fizikanit Isak Njuton

Isak Njutoni ka qenë një fizikan, astronom, filozof, teolog dhe matematicien anglez i cili konsiderohet si një nga shkenctarët më me influencë i të gjitha kohërave dhe figura kyqe në revolucionin shkencor, shkruan KultPlus.

Njutoni ka formuluar tri ligjet kryesore të matematikës:

Ligjin e inercisë

Ligjin e veprimit dhe kundëveprimit

Ligji i forcës

Njutoni formuloi ligjet e lëvizjes dhe të gravitetit universal që dominoi pikëpamjen e shkencëtarëve të universit fizik.

Ai ka ndërtuar teleskopin e parë praktik reflektues dhe zhvilloi teorinë e ngjyrës në bazë të vëzhgimit se një prizëm zbërthen dritën e bardhë në shumë ngjyra të spektrit të dukshëm. Po ashtu ai ka zbuluar edhe një ligj empirik të ftohjes dhe ka studiuar shpejtësinë e zërit.

Ndërsa në fushën e matematikës, Njutoni në bashkëpunim me Gotfrid Lajbnicin kanë zbuluar njehsimin diferencial dhe integral. Ai gjithashtu e demonstroi  teoremën e binomit, dhe zhvilloi ‘metodën e Njutonit’ për gjetjen e zerove të një funksioni dhe kontribuoi në zbërthimin e funksioneve në seri potenciale të pafundme.

Së bashku me Gaussin dhe Arkimedin i takojnë ‘treshes së artë’ të matematikës.

Ai, ndër të tjera zbuloi se ndërmjet Tokës dhe Hënës vepron forca e gravitetit dhe se është njësoj me atë të Tokës. Forca e gravitetit vepron edhe ndërmjet Tokës dhe disa qindra satelitëve artificialë që sillen rreth saj.

Isak Njuton kishte lindur më  25 dhjetor 1642, në Woolsthorpe Manor, një fshat i vogël në qarkun e Lincolnshire./KultPlus.com

Ministria e Kulturës uron Pashkët me pamje nga festa e Horës së Arbëreshëve

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka uruar të gjithë besimtarët e fesë katolike për festën e Pashkëve.

Urimin për Pashkë, Ministria e Kulturës e ka shoqëruar edhe me disa pamje nga festa e Horës së Arbëreshëve.

“Me pamjet e bukura të festës në Horën e Arbëreshëve, ju urojmë të gjithë qytetarëve të besimit të krishterë Pashkët.

Gëzuar për shumë mot”, thuhet në shkrimin e Ministrisë së Kulturës./KultPlus.com

Presidentja Osmani: Përmes kujtesës, refuzojmë të zbehet historia e të rënëve

Presidentja e vendit,  Vjosa Osmani ka përkujtuar 25-vjetorin e Masakrës së Pastaselës së Rahovecit dhe atë të Burimit të Malishevës.

Sipas njoftimit të Presidencës, Osmani është shprehur se “përmes kujtesës, ne refuzojmë që me kalimin e kohës të zbehet historia e të rënëve”.

“Sot, nëpërmjet kujtesës, ne refuzojmë që me kalimin e kohës të zbehet historia e të rënëve. Përkundrazi, me vendosmëri dhe përkushtim do të punojmë çdo ditë për ta mbrojtur të vërtetën, për të kërkuar drejtësi dhe përgjegjësi për mizoritë e kryera kundër popullit tonë”, thuhet në njoftim.

“25-vjet më parë, forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë në Pastaselë të Rahovecit, vranë dhe masakruan 106 banorë të këtij fshati dhe fshatrave përreth. Në të njëjtën ditë, barbarinë e tij, regjimi kriminal e vazhdoi në Burim të Malishevës, ku u vranë dhe u masakruan 42 civil”.