Kryeministri Kurti: Shqiptarët e Luginës nuk po lihen në harresë e të pambrojtur, kanë përkrahjen tonë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur se shqiptarët e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës nuk po lihen në harresë e as të pambrojtur.

Kështu u shpreh Kurti në llogarinë e tij në Facebook.

“Shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit nuk po lihen më në harresë e të pambrojtur. Ata tash gëzojnë kujdesin e përkrahjen tonë gjithnjë e më të madhe, çdo vit e më shumë”, shkroi Kurti.

Shefi i qeverisë, përpos që tha se shqiptarët e Luginës kanë përkrahjen e Kosovës, ai përmblodhi punën në tri vitet e fundit në Luginë.

“Me qeverinë tonë Presheva, Medvegja dhe Bujanoci kanë një linjë të veçantë dhe të rregullt buxhetore në Buxhetin Vjetor të Kosovës. Për vitin 2022 ndamë 2 milionë euro. Këtë vit të buxhetuar kemi 3 milionë euro. Vëmendja jonë dhe ndihma nuk ka munguar as para kësaj. Në qeverisjen tonë të parë, në vitin 2020, patëm ndarë gjysmë milioni euro në përballjen e tre komunave me shumicë shqiptare me pandeminë Covid-19. Vitin pasues, kur Komuna e Preshevës u godit nga vërshimet, ndamë 100 mijë euro mbështetje për tejkalim dhe rikuperim të dëmeve”.

“Ruajtja e identitetit, mozaikut kulturor e traditave, është e qenësishme për ekzistencën e shqiptarëve atje, duke patur parasysh përmasat e diskriminimit të skajshëm me të cilin ata përballen. Për këtë arsye në vitin 2022 nënshkruam një memorandum bashkëpunimi me Këshillin Kombëtar Shqiptar. Përmes këtij bashkëpunimi deri më tani janë mbështetur 75 projekte e nisma të ndryshme”.

“Në të njëjtën kohë arsimi është kyç për edukimin e brezave dhe mësimin e historisë, andaj siguruam libra shkollorë dhe parashkollorë në gjuhën shqipe për nxënësit shqiptarë për vitet 2022 dhe 2023. Ndërsa për 107 studentë, siguruam 107 bursa studimore”.

“Mbështetëm përfaqësuesit e shqiptarëve në zhvillimin e vizitave në institucionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, me qëllim të ndërgjegjësimit ndërkombëtar në lidhje me diskriminimin shtetëror ndaj shqiptarëve, shkeljen e të drejtave të pakicave kombëtare dhe pasivizimin e adresave. Si rezultat këto çështje për herë të parë u ngritën si temë diskutimi në Senatin Amerikan”.

“Juristëve shqiptarë nga Lugina e Preshevës që kanë leje qëndrimi në Kosovë ua mundësuam aplikimin për dhënien e provimit të jurisprudencës. Profesionistëve shëndetësorë mundësinë e licensimit 5-vjeçar të punës në institucione shëndetësore këtu në vend. Studentëve të diplomuar të mjekësisë kuota për shkollim specialistik dhe mbështetje financiare në nivel të barabartë me specializantët nga Kosova”.

“Gjithashtu, është punuar në rregullimin përfundimtar të statusit juridik të personave pa dokumente. Ministria e Punëve të Brendshme ka përpiluar dhe publikuar formularin e aplikimit për qëndrim të përhershëm në rrethana të jashtëzakonshme për qytetarët e pa dokumentuar nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci në Republikën e Kosovës. Ndërkohë që Projektligji për Shtetësinë e Kosovës është në shqyrtim në Kuvend. Ai do të shënojë një hap të rëndësishëm drejt lehtësimit të përfitimit të shtetësisë së Republikës sonë edhe nga shqiptarët e Luginës”.

“Me drejtësi, zell e shpërndarje të barabartë, dhe me trajtim vëllazëror sa edhe kombëtar, do të jemi gjithmonë adresë, shtëpi dhe krah për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc”./klankosova.tv/KultPlus.com

Presidenti Begaj për Pashkët: Të festojmë së bashku me besim dhe shpresë për një të nesërme më të mirë

Presidenti shqipar, Bajram Begaj, ka uruar të gjithë besimtarët katolikë për festën e Pashkëve.

Përmes një shkrimi në facebook, Presidenti Begaj ka thënë që kjo festë të festohet, me shpresën që e nesërmja të jetë më e mirë.

“Për shumë mot Pashkën, të dashur besimtarë katolikë e ungjillorë!
Në këtë ditë të bekuar, le të gëzojmë e të festojmë të gjithë së bashku me besim dhe shpresë te Zoti për një të nesërme më të mirë.
Gëzuar, dhe qoftë për të gjithë Pashkë e Shenjtë!”, ka shkruar Presidenti Begaj./KultPlus.com

Presidenjtja Osmani uron Pashkët: Personifikojnë dashurinë dhe sakrificën për njerëzimin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar festën e Pashkëve Katolike.

Presidentja Osmani është shprehur se kjo festë shpërfaqë dashurinë, tolerancën dhe zemërgjerësinë e popullit shqiptar.

“Pashkët ringjallin shpresën për ditë më të mira, drejt një të ardhmeje me besim e shpresë, ndaj uroj që secila familje të rrethohet nga dashuria, paqja dhe gëzimi! Festa e Pashkëve shpërfaqë dashurinë, tolerancën dhe zemërgjerësinë, të cilat populli ynë i kultivon në vazhdimësi. Le të na sjellin Pashkët shpresë, mirësi e begati për mbarë kombin shqiptar! Gëzuar për shumë mot Pashkët!”, ka thënë

25 vjet nga mobilizimi i UÇK-së

Ushtria Çlirimtare e Kosovës më 31 mars 1999 vendosi për një mobilizim të përgjithshëm për përballimin e ofensivës serbe dhe çlirimin përfundimtar të Kosovës.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës, 25 vjet më parë nëpërmjet urdhrit për mobilizim, pati ftuar qytetarët për t’iu përgjigjur më mirë zhvillimeve, si rezultat i veprimtarisë ofensive të forcave serbe.

UÇK-ja ftoi qytetarët për mobilizim të përgjithshëm në Kosovë e jashtë saj për të gjithë popullin e Kosovës për kompletimin e radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili filloi më datën 01.04.1999 dhe vazhdojë si proces.

“Të detyruar për t’u lajmëruar për në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë moshat nga 18-50 vjeç. Lajmërimi për regjistrim prej datës 01.04.1999 deri më 30.04.1999.

Të gjithë kuadrot ushtarake të lajmërohen për të marrë detyrat në strukturat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që nga data 01 deri më 25 prill 1999. Çdo kuadër i inkuadruar i ri, në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të marrë urdhrin përkatës të emërimit në detyrën funksional nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe komandantët e njësiteve ushtarake, të marrin në dorë evidentimin e të gjithë të detyruarve për t’u rreshtuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Të mbahen evidenca të sakta e të plota.

Për aftësinë e trupave dhe kuadrove të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të ngrihen edhe qendra të reja stërvitore, ku me programe intensive të bëhet aftësimi i trupave para futjes në front. Stërvitja do të zgjasë nga 10-15 ditë.

Për zbatimin e këtij urdhri kur nuk arrihet të gjejë zbatim detyrimi ligjor, Policia Ushtarake të veprojë brenda e jashtë Kosovës, për të detyruar paraqitjen e të gjithë atyre moshave që detyron vendimi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ngarkohen me zbatimin e këtij urdhri Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, komandantët e zonave të drejtimeve të njësive dhe Policia Ushtarake.

Ndjek zbatimin e këtij urdhri Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë”, thuhej në Urdhërin e për mobilizimin e përgjithshëm për përballimin e ofensivës serbe për çlirimin e Kosovës./rtk/KultPlus.com

Më 31 mars të vitit 1889 është hapur Kulla Eiffel

Kulla Eifel ose siç e quajnë ndryshe francezët “La Tour Eiffel” është një nga monumentet më të njohura në botë.

Kjo kullë është projektuar si pjesa më e mirë e koleksionit të panairit botëror në Paris më 1889 dhe kishte për qëllim të përkujtonte 100 vjetorin e Revolucionit Francez.

Kulla është hapur më 31 mars të vitit 1889, dhe sot janë bërë 135 vite nga përurimi i saj.

Tashmë është monumenti më i njohur dhe më i fotografuar në botë.

Kulla mori emrin e projektuesit dhe arkitektit të saj, Alexandre Gustave Eiffel, i cili e ndërtoi strukturën për ekspozitën ndërkombëtare të Parisit, 1889.

Këtu do të gjeni 10 fakte që nuk i keni ditur më parë për të.

1- Në majë të saj gjendet një apartament sekret. Në majë të kullës gjendet një bar ku mund të pini shampanjë.

2- Kulla Eiffel ka një lartësi 324 metra, pra, sa një pallat 81-katësh. Në kohën e përfundimit, ka qenë struktura më e lartë në botë. Ajo ka qenë struktura më e lartë deri në vitin 1930, kur ia kaloi ndërtesa e Chrysler në Nju Jork. Sot, Kulla Eiffel është struktura e dytë më e lartë në Francë.

3- Vizitorët kanë mundësi të ngjiten me shkallë ose me ashensor. Ka tre ashensorë, megjithëse vetëm dy janë të hapur në të njëjtën kohë. Ashensori i tretë ngjitet nga kati i dytë në të tretin. Duhet të dini se këta ashensorë mund të jenë shumë të ngarkuar, sidomos gjatë sezoneve turistike dhe radha e pritjes për t’u ngjitur në ashensor mund të jetë shumë e gjatë

4- Ju rekomandojmë gjithsesi të keni durimin për t’i vizituar të tria katet. Në katin e parë do të mësoni rreth historisë së Kullës, së kaluarës e së tashmes së saj. Këtu do të mësoni për rolin që luan kulla në teknologjinë moderne, si dhe do të mund të shikoni pajisje që kanë qenë pjesë e kullës origjinale. Këtu përfshihet një pjesë e shkallëve spirale origjinale (që nuk përdoren më), një nga pompat hidraulike të përdorura në sistemin e ashensorit, si dhe “FerOScope”, pajisja që përdoret për të krijuar shfaqje drite nga kulla.

Në katin e dytë mund të shijoni një pamje 360 gradë të qytetit.

Fotot që do bëni këtu, mbeten kujtime të paharrueshme. Gjithashtu do të gjeni një restorant dhe një bar të vogël.

Kati i tretë është i jashtëzakonshëm. Do t’ju duket vetja si në majë të botës. Do t’ju pëlqejë si platforma e brendshme ashtu edhe e jashtme, si dhe do t’ju duket shumë interesante një model i zyrës origjinale të inxhinierit Gustave Eiffel.

5- Në këtë kullë ka një zyrë postare.

6- Mahnitëse dhe e bukur, Kulla Eiffel është kthyer në një klishe filmash kinematografikë. Pjesa më e madhe e filmave të xhiruar në Paris tregojnë pamje të Kullës Eiffel dhe shikuesit mund të besojnë se ajo është e dukshme nga të gjitha këndet e qytetit. Në të vërtetë, pjesa më e madhe e ndërtesave në Paris nuk janë më të larta se 7 kate, kështu përveç ndërtesave pranë saj, shumë pak të tjera mund ta shohin kullën nga dritaret.

7- Kulla Eiffel është e mbushur me emra shkencëtarësh.

8- Bëhet një punë shumë e madhe që kulla Eiffel të duket bukur.

9- Poshtë kësaj kulle gjendet një bunker ushtarak.

10- Kulla Eiffel është e hapur për vizitorët çdo ditë, nga ora 9:30 deri më 23:30. Nga mesi i qershorit, deri në fund të gushtit, Kulla hapet në orën 9:00. Ka tri kate për t’u vizituar dhe kostoja e biletës varet nëse doni të shkoni në katin e tretë apo të dytë dhe nëse doni të shkoni me ashensor apo në këmbë nga shkallët. Çmimet variojnë nga 3 deri në 13 euro, në varësi të moshës së vizitorëve dhe dëshirës për të eksploruar. /KultPlus.com

Sot mbahet mesha e Pashkëve në Katedralen ‘Shën Nënë Tereza’

Në vigjilje të Pashkëve sot mbahet mesha në Katedralen “Shën Nënë Tereza”.

Kësaj meshe do t’i prijë ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji, përcjell Klankosova.tv.

Mesha e Pashkëve pritet të fillojë nga ora 11:00.

Ndërkaq, mbrëmë ipeshkvi foli edhe për rëndësinë e festës së Pashkëve dhe rolin e Shën Nënë Terezës që shërbeu për të mirën e njerëzimit në mbarë botën.

“Drita e Krishtit mbi ne dhe zjarri i dashurisë që ndizet brenda nesh e ka bërë botën më të mirë, nëpërmes të shenjtëve të kishës dhe një nga ato ka qenë Shën Nënë Tereza, bija e kishës sonë që ia kemi kushtuar këtë katedrale”, është shprehur ai.

Soren Kierkegaard: Lutja nuk ndikon tek Zoti, por ndikon te ai që lutet

1.Kur fëmijës , pasi është rritur ca, i duhet ndërprerë qumështi i nënës, ajo virgjërisht e fsheh gjirin, dhe atëherë fëmija s’ka më nënë. Lum ai fëmijë që nuk e ka humbur nënë tjetërsoj!

2.Poeti është gjeniu i të rikujtuarit.

3.Të marrësh besimin do të thotë të lësh arsyen.

4.Ankthi është marramendja e lirisë.

5.Është kaq e vështirë të besojmë, sepse është kaq e vështirë të bindemi.

6.Është krejt joproduktive të grindem me botën, po ashtu të grindem me veten nganjëherë është joproduktive.

7.E çfarë është poeti? Një njeri i palumtur që e fsheh ankthin e pafund në zemrën e tij, por buzët e të cilit janë formuar në atë mënyrë që psherëtimat dhe qarjet të tingëllojnë si një muzikë e bukur.

8.Tirani vdes dhe sundimi i tij mbaron. Martiri vdes dhe sundimi i tij fillon.

9.Ka, siç dihet, disa insekte të cilat vdesin në momentin që pjellin. Kështu është me të gjitha gëzimet: çasti më i hatashëm e më i lartë i gëzimit është i shoqëruar nga vdekja.

10.Të guxosh do të thotë të harrosh për momentin drejtpeshimin. Të mos guxosh do të thotë të humbësh vetveten.

11.Filozofia shkon më larg. Teologjia, e lyer dhe e pudrosur, rri në dritare duke lypur favoret e filosofisë, tek i ofron hiret e veta.

12.Absurdi përshenjon themelin e besimit, fillesën e kërcimit të besimit, meqë njëherazi përshenjon mospërputhjen midis rendit të Krijuesit dhe redit të krijesës.

13.Hiqjani paradoksin një mendimtari dhe do të fitoni një profesor.

14.Lutja nuk ndikon tek Zoti, por ndikon te ai që lutet.

15.Lum kush mund të vdesë në një mënyrë të atillë që shtrati i tij i vdekjes, në çastin që trupi hiqet s’andejmi, të duket edhe më i këndshëm se djepi i një fëmije. / KultPlus.com

‘Që biri të flinte i qetë gjer n’agim, mesnata për nënën s’do ketë mbarim’

Poezi nga Ismail Kadare

Në mbrëmje u kthye ai në shtëpi 
i lodhur, i ngrysur, me traktet në gji.

Mesnatës së shurdhër, së errët, së shkret’ 
do ngjisë ai traktet kudo në qytet. 

-Mesnatës ti sonte, o nënëë, me zgjo! 
-Mir’, biri nënës, fli, bir! – tha ajo. 

Ai si i vdekur në gjumë ra pastaj 
dhe nëna mbi të nuk i ndan sytë e saj.

Shikon ajo traktet dhe lutet për të 
“Fli, biri i nënës, se ora s’është një”. 

Akrepi lëviz, me ngadale lëviz 
pas perdesh, pas xhamash: e zezë nata pis. 

Në ëndërr ai buzëqesh e po sheh, 
një fushë të bukur, një qiell pa re. 

Dhe nëna e tij me të bardha vallëzon, 
në fushë të sahatit me dorë tregon. 

Akoma akrepi s’ka shkuar në një, 
ndaj nëna s’e zgjon, ndaj akoma po fle. 

Por befas në fushë u dëgjua që larg 
një krismë përreth: trak a trak, trak a trak! 

Dhe nëna u zhduk si ne mjegull atje, 
sahati i thyer seç ra përmbi dhe. 

I mbytur në djersë u zgjua ai 
“O nënë”, dhe dorën e vuri në gji. 

Atje trakte s’ka. “O nënë ku je?” 
Pas perdesh, pas xhamash po gdhin ditë e re. 

“O nënë!”, por nëna nuk është më përqark 
diku mitralozi troket: trak a trak! 

Diçka nëpër mendtë atij shpejt i erdh’ 
u hodh drejt nga porta: kuptoi e u zverdh. 

Në dor’ revolverin, në rrugën e shkret’ 
vrapoi n’errësirë, kudo në qytet. 

“O nënë, o nënë, o nënë, ku je?!”
Ja, zbardhin mbi mure ca trakte atje. 

Vrapon, po nuk duket gjëkundi ajo, 
“Ndal!” ndihet tek-tuk. Vrapo shpejt! Vrapo! 

N’agim afër pyllit, ëe an’ të një përroi 
pas drurëve ai u mbështet e vajtoi. 

…Që biri të flinte i qetë gjer n’agim, 
mesnata për nënën s’do ketë mbarim. /KultPlus.com

Terence Hill feston ditëlindjen e 85-të

85 pranvera për Terence Hill, aktori legjendar me buzëqeshjen dinake që fitoi zemrat e shumë brezave, shkruan il messaggero.it.

Ishte viti 1970 kur fytyra e Mario Girotti, emri i vërtetë i Terence Hill u shndërrua në një personazh në historinë e kinemasë, duke ofruar skena të paharrueshme dhe ‘’përplasje ikonike’’ me grushte përkrah partnerit të tij të pandashëm Bud Spencer.

Çifti Hill-Spencer bëri që miliona fëmijë që tani janë pak më të rritur të qeshin dhe të ëndërrojnë, duke u bërë një nga simbolet e kinemasë italiane.

Pas suksesit të jashtëzakonshëm të Don Matteo dhe ‘’Un passo dal cielo’’, Hill nuk ka ndërmend të tërhiqet.

Në të vërtetë këtë vit, 54 vjet pas filmit që e bëri të famshëm, pritet të dalë në kinema ‘’ The Nun and the Gun’’. / KultPlus.com

Vendimi historik i FIGC, futbollistët shqiptarë do të konsiderohen si vendas në Itali duke nisur nga sezoni i ri

Federata Italiane e Futbollit ka mbajtur të enjten mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv, i cili ka marrë disa vendime të rëndësishme. Një nga pikat e diskutuara në rendin e ditës ishte edhe ndryshimi i rregullave që lidhen me regjistrimin e futbollistëve ekstra komunitar për sezonin 2024-2025 në vendin fqinj.

Në lidhje me këtë çështje Federata Italiane e Futbollit ka vendosur që duke filluar nga sezoni i ardhshëm t’i konsiderojë lojtarët shqiptarë si vendas dhe jo të huaj.

Në lidhje me këtë ndryshim shumë të rëndësishëm për komunitetin shqiptar në Itali dhe jo vetëm, FSHF dhe në veçanti Presidenti Armand Duka ka insistuar gjithmonë edhe në takimet me Presidentin e Federatës Italiane, Gabriele Gravina për të arritur një marrëveshje në lidhje me këtë çështje.

Ky vendimi do të ndikojë drejtpërdrejt në aktivizimin e talenteve shqiptarë për të konkurruar në mënyrë të barabartë në një nga kampionatet më të rëndësishme në botë./ KultPlus.com

“Shqipëria e bukur”, pamje nga parku i rehabilituar i liqenit të Mbreshtanit në Berat

Parku i liqenit të Mbreshtanit, 15 minuta larg qendrës së Beratit do të jetë një ndër atraksionet më të reja turistike, në liqenin e Mbreshtanit.

Në kuadër të rubrikës “Shqipëria e bukur”, Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga ky park, i cili është drejt përfundimit.

Aktualisht ka përfunduar vendosja e ndriçimit rreth pedonales. Për punë ditësh Berati do të ketë një atraksion të ri turistik. Qytetarët dhe turistët mund të zgjedhin të kalojnë mëngjeset apo mbrëmjet përreth liqenit.

Për realizimin e këtij projekti bashkia Berat bashkëpunoi me kompaninë SHELL Albania.

Ky projekt përfshin shtimin e gjelbërimit dhe pedonalen e re rreth e përqark, për t’i bërë shëtitjet e qytetarëve edhe më të këndshme.

Qyteti i një mbi një dritareve  vijon të mbetet ndër qytetet më të preferuara të turistëve. / KultPlus.com

Piktori Gjergji Marko: Tavani i Kishës së madhe në Shkodër nuk u prek në kohën e komunizmit

“Dy botët” e Gjergji Markos, piktor, arredues dhe kostumograf i njohur u puthitën në një pikë vlefshmërie në rrëfimin “Mes dy botëve”, duke konfirmuar talentin dhe pragmatizmin e një artisti që lë gjurmë të bukura në çdo prezantim, përfaqësues i denjë i një brezi të artë në artin figurativ shqiptar.

Gjergji Marko ishte i ftuar në një rrëfim si mes miqsh përballë piktorit Helidon Haliti në RTSH.

Piktori gjatë rrëfimit të tij kujtoi se për Tavanin e Kishës së Madhe në Shkodër gjatë regjimit komunist kur po zhvilloheshin restaurimet nuk ishte lejuar ta preknin apo ridrejtonin.

“Arredimin e parë e kam bërë në Shkodër në vitin 1973. Unë sa isha emëruar në Teatrin e Operas dhe na thirri Vito Kapo, do të bëhej Kongresi i Gruas. Na tha: Ju kam thirrur se deri tani janë nja dy emra që i bëjnë këto aktivitetet e mëdha, festat. Por kjo duhet të lëvizë pak se dhe ata i bëjnë si ato modelet sovjetike”, tregoi Marko.

“U ulëm bëmë projektin e sallës së Kongreseve në Shkodër, pasi ata e kishin kthyer nga kisha e madhe në pallat sporti. Një tavan fantastik, dhe ne na thanë kur vajtëm të projektonim, tavanin mos t’ju vejë mendja ta prekni. Ishte urdhër i prerë, trashëgimi kulturore. Ishte monument kulture. Unë bëra një skicë fillestare që u pëlqye dhe nga shokët dhe atë zhvilluam, dhe më thanë ndiqe ti këtë punë, mua s’më pëlqeu kjo”, vijoi Marko.

Gjergji Marko është arkitekt dhe restaurator i disa muzeve. Piktor me profesion, ai njihet si një nga artistët më të mirë të Tiranës ku dhe aktualisht jeton.

Marko nënvizon se pavarësisht kohës se kur ndërtesat realizohen, ato mbartin vlera të jashtëzakonshme që duhen ruajtur. “Produkti intelektual, produkti artistik që mishërohet është gjithmonë në favor të njerëzimit. Dhe vendet e zhvilluara kanë shumë muzeume dhe arkiva. Mua më ka mahnitur Gjermania. Ka muzeum për çdo gjë, për kopshte, për shtypshkronja, për zanate”, u shpreh Marko. / KultPlus.com

‘Në mes të urrejtjes zbulova brenda vetes një dashuri të pathyeshme’

Poezi nga Albert Kamy

E dashura ime,
në mes të urrejtjes
zbulova brenda vetes një
dashuri të pathyeshme.

Mes lotëve zbulova brenda vetes një buzëqeshje të pathyeshme.
Mes kaosit zbulova brenda vetes një qetësi të pathyeshme.
Në mes të dimrit kam kuptuar, më në fund, se brenda vetes kam një behar të pathyeshëm.

Dhe kjo më bën të lumtur.
Sepse kjo vërteton se s’ka rëndësi se sa ashpër
më kundërvihet bota
ngase brenda vetes
kam diç më të fortë,
diç më të mirë që sakaq
më shtyn të shkoj përpara. /KultPlus.com

Kurti i bën thirrje Prokurorisë së Shtetit: Trajtoni me seriozitetin rastet e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë

Albin Kurti, kryeministri i Kosovës, sërish i është drejtuar me thirrje Prokurorisë së Shtetit, që t’i trajtojë, siç ka thënë ai, me seriozitet maksimal rastet e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Kështu ka thënë i pari i qeverisë përmes një postimi në Facebook, ku ka njoftuar edhe se, në 25 vjetorin e masakrës së dytë në Abri të Epërme të Drenicës, ka përkujtuar të vrarët e familjes Muliqi.

Postimi i plotë:

Në 25 vjetorin e masakrës së dytë në Abri të Epërme të Drenicës, përkujtuam të vrarët e familjes Muliqi.

Pas masakrës së 26 shtatorit, ku u vranë 23 anëtarë të familjes Deliu, forcat e armatosura serbe më 30 mars 1999, vranë tetë djem e burra të familjes Muliqi. Katër nga ta ishin nxënës të moshave nga 13 deri 17 vjeҫ.

Sejfulla Muliqi është dëshmor i kësaj familje, i cili pa i mbushur 17 vjet, kishte shitur lopën në Qirez për të blerë armën e për t’iu bashkëngjitur UÇK-së, për të luftuar forcat okupatore serbe. Ai ka rënë në betejë më 19 gusht 1998.

Me Bacën Asllan Muliqi, Ministrin Ejup Maqedonci, zëvendësministrin Blerim Gashani dhe deputetët Enver Dugolli e Gani Krasniqi, sot vendosëm lule të bardha në vendin e prehjes së dëshmorëve e martirëve të Abrisë së Epërme.

Për këto dy masakra nuk ka asnjë të akuzuar e as të dënuar deri më sot. Kodi i Procedurës Penale, me ndryshimet në 2019 dhe 2022, u jep mundësinë prokurorëve tanë për gjykim në mungesë të kriminelëve serbë të luftës. Që të gjithë ata që kanë kryer krime gjatë luftës në Kosovë të ballafaqohen me drejtësinë dhe ta marrin dënimin e merituar.

Andaj sërish i bëjmë thirrje Prokurorisë së Shtetit t’i trajtojnë me seriozitetin maksimal rastet e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.

Për drejtësi, që shëron e mbyll plagët e hapura e të njoma të familjeve të cilat i dhanë kaq shumë Kosovës për çlirim. / KultPlus.com

Prishtina me 366 kontejnerë të rinj, priten edhe mbi një mijë të tjerë

366 kontejnerë të rinj do të vendosen së shpejti në zona të ndryshme të kryeqytetit.

Lajmi është bërë i ditur nga Drejtoria e Shërbimeve Publike e Komunës së Prishtinës përmes një postimi sot në Facebook.

Drejtoria e Shërbimeve Publike po ashtu ka bërë të ditur se brenda muajit prill do të shtohen edhe mbi 1.000 kontejnerë të tjerë.

Komuna e Prishtinës në nëntor 2022 kishte marrë vendim për vendosjen e 1.400 kontejnerëve të rinj në kryeqytet për t’i zëvendësuar ata aktualë me një tjetër model të ri. / KultPlus.com

Kur Van Gogh i shkruante vëllaut: Për të vepruar në këtë botë, duhet të vdesësh brenda vetes

Disa nga mendimet mbi artin dhe jetën që Van Gogh i ndante përmes letrave me vëllaun e tij, Theo.

Për të vepruar në këtë botë, duhet të vdesësh brenda vetes…Njeriu nuk gjendet përmbi tokë vetëm për të qenë i lumtur, as dhe për të qenë thjesht i ndershëm. Gjendet për të realizuar gjëra të mëdha për shoqërinë, për të arritur fisnikërinë e shpirtit e për t’u hedhur përtej vulgaritetit në të cilin hiqet zvarrë ekzistenca e pothuaj të gjithë individëve.

Për çfarë mund të jem i dobishëm, për çfarë duhem? Ka diçka brenda meje, por çfarë është?

Njeriu është i huaj përmbi tokë dhe jeta e tij është një udhëtim i shkundulluar nga stuhitë.

Ç’është të pikturuarit? Si arrihet? Është akti i shpalosjes së një peizazhi, nëpërmjet një muri të padukshëm prej hekuri, që me gjasë gjendet mes asaj që ndjen e asaj që mundesh.

Më pëlqen më shumë të pikturoj sytë e njerëzve se sa katedralet, sepse në sytë e njerëzve egziston diçka që nuk gjendet në katedralet, sado madhështore e hijerënda që të jenë.

Do të doja të pikturoja burra e gra me nuk di se ç’gjë të përjetshme, për të cilën, dikur, simboli ishte aureola që ne e kërkojmë në rrezatimin e brendshëm e në regëtimën e koloritit tonë.

Gjithçka është në të njëjtën kohë, simbol dhe realitet.

Të vuajturit pa u ankuar, është i vetmi mësim që mund të marrësh në këtë jetë.

Ngandonjëherë, ashtu si dallgët e dëshpëruara që thërrmohen ndër shkëmbinj, unë ndjej dëshirën turbulluese për të përqafuar diçka…

Në ethen time trunore apo në çmendurinë, nuk di si ta çuaj, mendimet e mia kanë lundruar në shumë dete.

Është e vështirë të largohesh nga një vend, përpara se të kesh treguar në një farë mënyre se e ke ndjerë dhe e ke dashur.

A e di ti, Theo, këtë shprehje të një poeti holandez: “jam lidhur me tokën me fije më shumë se tokësore”?

Nuk jetoj për veten, po për brezin që do të vijë.

Natyra është mënyra më e mirë për të kuptuar artin; piktorët na mësojnë që të shikojmë.

Nëse do të vlej diçka në të ardhmen, vlej edhe tashti, sepse gruri është grurë, edhe pse qytetarët në fillim e pandehnin bar.

E kështu, për punën time rrezikoj jetën dhe kam humbur gjysmën e arsyes.

Njeriu është i huaj përmbi tokë, dhe jeta e tij është një udhëtim I tronditur nga stuhitë.

Jeta jonë është si çapitja e një pelegrini. Një herë pashë një pikturë të shkëlqyer, paraqiste një peisazh mbrëmësor. Në të djathtë, në largësi, një rresht kodrinash që dukeshin si blu në lagështirën e mbrëmjes. Përmbi këto kodrina, vezullimën e perendimit, retë gri të përvijuara me argjend, me ar e me purpur. Peisazhi është një rrafshinë e mbuluar me bar e me shkurre dhe aty- këtu me lëvoret e bardha të mështeknave, gjethet e së cilave janë të verdha, sepse është vjeshtë. Mespërmes peisazhit gjarpëron një rrugë që të çon kah një mal i lartë, shumë, shumë të largët, e mbi majën e malit, një qytet mbi të cilin dielli që perendon lëshon një dritë lavdie.

Mbi rrugë ecën një pelegrin që në dorë ka një bastun. Ai tashmë është duke ecur që prej shumë kohe dhe është i lodhur. Takon një grua, një figurë krejt në të zeza që të sjell ndërmend fjalët e Shën Palit: “Edhe pse e trishtë, prapëseprapë gjithnjë e hareshme. Ky engjëll i Zotit është vënë aty për t’i dhënë zemër pelegrinit e për t’iu përgjigjur pyetjeve të tij; dhe pelegrini e pyet: “A shkon gjithnjë përpjetë kjo rrugë?”. Dhe përgjigja është: “Po, deri në fund”. E pelegrini pyet sërish: “A do të vazhdojë gjithë ditën udhëtimi?” Dhe përgjigja: “Nga agimi deri në mbrëmje, miku im”. Dhe pelegrini vijon rrugën e tij, i trishtë e prapëseprapë gjithë hare.


Në pranverë, një zog në kafaz e di mirë se ka diçka së cilës mund t’i shërbejë, e ndjen shumë mirë se ka diçka që do mund ta bënte, por nuk mund të bëjë asgjë, e çështë kjo? Nuk i kujtohet mirë, ka ide të vagullta dhe thotë: “Të tjerët bëjnë foletë e tyre, nxjerrin jashtë të vegjëlit e tyre dhe i ushqejnë”, e mandej përplas kokën e tij të vockël në telat e kafazit. Por kafazi nuk tundet dhe zogu çmendet prej dhimbjes. “Shiko çfarë bjerraditësi”, thotë një tjetër zog që kalon aty pranë, “ai është një tip që jeton me të falur”. E megjithatë, i burgosuri vazhdon të mbahet, nuk vdes. Jashtë nuk duket asgjë prej asaj që ai ka brënda. Ka shëndet të mirë e kohë më kohë, ndjehet i gëzuar nën rrezet e diellit. Po mandej vjen koha e dashurive. Dallgë depresioni. “Por, a ka me të vërtetë gjithçka që i nevojitet?”- thonë fëmijët që kujdesen për të e për kafazin e tij. E ai, rri i palëvizur me vështrimin e ndehur kah qielli,  ku vërehet kërcënimi i një shtërngate, e brenda vetes ndjen rebelim ndaj fatit  të tij. “Rri në kafaz, rri në kafaz, e nuk më mungon asgjë, budallenj! Kam gjithçka që më nevojitet! Por ju lutem, liri, lermëni të jem një zog si të tjerët!”. Kështu, ndonjëherë, një njeri që nuk bën asgjë, i ngjan një zogu që nuk bën asgjë. /albertvataj/ KultPlus.com

Kalaja e Menglit, po shtrohet rruga për ta bërë të aksesueshme për turistët

Në Elbasan, ka nisur puna për të bërë të aksesueshme Kalanë e Menglit, për ti shtuar kështu zonës një tjetër atraksion turistik dhe kulturor.

Kalaja e Menglit është një fortifikim i hapur i periudhës ilire, të cilën më pas romakët e kthyen në një fortifikim të mirëfilltë ushtarak. Ajo ndodhet në një kodër me lartësi dominuese, 4 kilometër në lindje të Elbasanit.

Do të jenë historianët dhe arkeologët, ata që do të punojnë për vënien në dispozicion të turistëve, informacionin e nevojshëm në lidhje me këtë kala, ndërkohë, veç vlerave historike, pozicioni i kalasë së Menglit ofron një pamje fantastike të Elbasanit dhe Luginës së lumit Shkumbin. /TCh/ KultPlus.com

Sipas Bankës Botërore, inflacioni në Kosovë do të ngadalësohet në 3 përqind

Këtë vit, inflacioni në Kosovë, sipas pritjeve të Bankës Botërore, do të ngadalësohet në 3 përqind dhe gradualisht do të bie në 2 përqind në periudhën afatmesme.

Si rrjedhojë edhe normat e interesit pritet të bien deri në gjysmën e dytë të viti 2024.

Zyra e Bankës Botërore në Prishtinë i ka thënë Radio Kosovës se parashikojnë ngadalësim të inflacionit deri në fund të viti 2024.

Megjithatë, sipas Bankës Botërore, ka rreziqe që mund të çojnë në devijime nga ky projeksion, duke përfshirë mundësinë e një rikthimi të inflacionit të nxitur nga intensifikimi i tensioneve gjeopolitike si dhe nga presionet e brendshme për paga më të larta.

“Banka Botërore aktualisht parashikon që inflacioni, i matur me Indeksin e Çmimeve të Konsumit, do të ngadalësohet në 3 për qind këtë vit dhe gradualisht të bie në 2 për qind, në periudhën afatmesme”, thuhet në përgjigjen e Bankës Botërore.

Sipas Bankës Botërore, projeksioni bazohet në pritjet për presione më të ulëta nga çmimet ndërkombëtare të energjisë, ushqimit dhe lëndëve të para, për të cilat Kosova është kryesisht importuese.

Vitin e kaluar normat e interesit u rritën sërish, në përpjekje për të frenuar inflacionin, përderisa një anketë e Bankës Qendrore, e kryer në janar, tregon se në gjysmën e dytë të këtij viti Banka Botërore parasheh një rënie të lehtë të tyre.

Edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, thotë se duhet të zvogëlohen normat e interesit.

“Jemi duke parë që ka rënie të inflacionit. Nuk është më në atë pikun që ka qenë vitin e kaluar dhe nuk ka arsye që normat e interesit të ngritën”, ka thënë Rafuna.

Kreu i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, tha se normat e interesit në Kosovë janë më të lartat në rajon dhe ato po ndikojnë në investime.

“Ekonomia nuk mund të zhvillohet pa mbështetje të bankave. Bankat kanë dalë sektori më profitabil në kurriz të qytetarëve”, ka thënë Shahini.

Në korrik të vitit 2023, normat e interesit për kreditë e reja në Kosovë arritën kulmin në 6.7 për qind, ndërsa në janar të këtij viti ato ranë në  6.3%. / KultPlus.com

Në 25 vjetorin e masakrës të Krushës së Madhe, një kujtesë për ëndrrat e prera në mes

Një çantë që dikur i takonte Valon Hotit, një 16 vjeçar nga fshati Krushë e Madhe në perëndim të Kosovës, është sot pjesë e muzeut kushtuar masakrës në këtë fshat. Valoni ëndërronte të bëhej mjek, po ëndrra e tij mbeti e papërmbushur meqë me 25 mars të vitit 1999, ai bashkë me rreth 250 persona të tjerë u vranë nga forcat serbe. Muzeu është plot me artefakte e rrëfime që kujtojnë ngjarjet e asaj dite.

“Këtu kemi diku mbi 60 artefakte, janë grumbulluar edhe disa më shumë por të ekspozuara nuk janë të gjitha sepse ka material të ndjeshëm shumë. Janë edhe ekranet të cilat i paraqesin intervistat, 202 intervista të marra prej fshatarëve nga profesorët. Intervistat janë të përkthyera edhe në gjuhën angleze dhe serbe dhe çdokush ka mundësi t’i dëgjojë, tre televizorë të mëdhenj pandërprerë transmetojnë këto dëshmi”, thotë Irfon Ramadani, i cili punon si ciceron në këtë muze.

Njëzet e pesë vjet më parë, ndërsa NATO-ja po zhvillonte një fushatë bombardimesh ajrore kundër forcave serbe, ajo në tokë u shfrytëzua nga forcat serbe për sulme hakmarrëse kundër shqiptarëve.

Masakra e Krushës së Madhe është ndër më të rëndat sipas veprimtarëve humanitarë. I mbijetuari i masakrës, Milazim Duraku, rrëfen për Zërin e Amerikës kujtimet e saj.

“Ato dy ditë pamë vrasje, përdhunime, vrapime, ikje, kallje, gjithçka pamë e ato janë kujtime që nuk harrohen kurrë, kurrë nuk harrohen..”, thotë Milazimi.

Ai thotë se forcat serbe hynë në shtëpinë e tij dhe i vranë vëllanë Nuhiun dhe i morën vëllanë tjetër, Aliun.

Milazimi kishte arritur të fshihej në çatinë gjysmë të djegur të shtëpisë duke i marrë me vete edhe shtatë djemtë e vëllezërve.

“Nuk guxonim të dilnim prej tavanit së fëmijët mu lodhën kur u bënë dy ditë pa pi ujë e pa ngrënë. U bënë tri ditë njësoj, e katërta ditë – ata veç nisën edhe sytë ti mbyllnin. Më i vogli ka qenë 14 vjeç, ai vetëm mi shikonte mua sytë se kur po i them të dalim, më shikonte në sy.. dhe vendosa e ju thash ‘qohuni dalim, ja gjallë ja vdekë dalim”, rrëfen Milazimi.

Qëllimi parësor i tij ishte t’i ushqente fëmijët.

“Kur shkova në një shtëpi gjetëm bukë, gratë kishin gatuar një bukë dhe e kishin lënë mbështjellur. Por kur e mora bukën e ua dhashë fëmijëve nuk mund të hanin. E mora një kovë nuk shihja nëpër errësirë, ajo kishte qenë e djegur dhe e mbusha me ujë, në të kanë pi fëmijët ujë, ju erdhi shpirti pak”, thotë ai.

Milazimi thotë se mes shumë vështirësive arriti të bashkohej me pjesën tjetër të familjes, prindërit, gruan dhe gratë e vëllezërve dhe bashkë kishin ikur në Shqipëri.

Në fshatin e tij, ai u kthye pas hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë. Menjëherë kishte nisur t’i kërkonte trupat e vëllezërve dhe njërin prej tyre e gjeti në afërsi të shtëpisë.

“Po e shohim këtu te bregu menjëherë një peshqir dhe një orë dore varur, kjo është ora e vëllaut thashë. Ai që e kishte varrosur është i Piranës – ushtar i UÇK-së, e ka njohur vëllain sepse kanë punuar bashkë në kooperativë. E ka varrosur dhe orën e ka lënë për ta parë ne kur të kthehemi”, rrëfen ai.

Por, 25 vjet më pas, Milazimi ende nuk di asgjë për fatin e vëllait tjetër, Aliut, i cili është në mesin e mbi 60 personave ende të zhdukur nga kjo masakër.

“Kjo është më e vështira.. djemtë e tij ikën nëpër Francë e Gjermani e Austri, vajzat njësoj, shtëpia u boshatis. Kunata gjithmonë më pyet a ka diçka të re, ajo qëndron me vajzat, i them jo kunatë nuk ka asgjë, por gjithmonë mban shpresë. Deri para disa viteve, ka ardhur këtu në përvjetor të varri i vëllait tjetër, për ta shfryrë mllefin te kunati bashkë me vajzat..po u bëka njësoj njeriu, sikur kur merr ndonjë dozë të fortë janë bërë njësoj krejt pa prind.. mua më kanë munguar shumë”, thotë Milazimi.

Fotografitë e tyre janë pjesë e muzeut të masakrës në Krushë të Madhe, i cili në ditën e inaugurimit u vlerësua nga ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, si pjesë thelbësore e drejtësisë kalimtare e cila synon që të trajtojë të kaluarën dhe të ndërtojë themelet për një të ardhme të shërimit dhe pajtimit.

Ai tha se NATO-ja ndërhyri 25 vjet më parë për t’i dhënë fund luftës e spastrimit etnik në Kosovë pikërisht për shkak të ngjarjeve si ajo në Krushë të Madhe.

Kosova doli nga lufta me mbi 10 mijë të vrarë dhe mbi 5 mijë të zhdukur. 25 vjet pas saj ende nuk dihet asgjë për fatin e mbi 1 mijë e 600 personave./VOA/ KultPlus.com

‘Catalunya Press’: Shqipëria – plazhet ‘parajsë’ me kosto të ulët dhe trashëgimia historike

Evropa është një nga kontinentet më të shtrenjta në botë për të udhëtuar, por ekzistojnë ende vende ku mund të shijoni diellin dhe detin pa shpenzuar shumë, sipas revistës spanjolle “Catalunya Press”.

Eksplorimi i destinacioneve të lira evropiane për pushime në 2024 është bërë një strategji e shkëlqyer për udhëtarët që kërkojnë përvoja cilësore dhe të paharrueshme.

Vende të tilla si Shqipëria, Mali i Zi dhe Bullgaria, së bashku me rajonet në Gjeorgji dhe Portugali, ofrojnë opsione të përballueshme për të eksploruar brigjet e tyre mahnitëse dhe kulturën e pasur.

Këto destinacione premtojnë pushime të paharrueshme pa kompromentuar kënaqësinë apo cilësinë e përvojës.

Pse të zgjidhni destinacione të lira në Evropë?

Eksplorimi i destinacioneve të përballueshme në Evropë është bërë një zgjedhje e zgjuar për ata që kërkojnë diversitet dhe pasuri kulturore pa sakrifikuar bukurinë natyrore.

Këto vende ofrojnë një ndërthurje unike përvojash që kënaqin dëshirën për aventurë dhe nevojën për relaks, të gjitha me një buxhet të përballueshëm.

Shumëllojshmëria e peizazheve dhe përvojave kulturore

Mesdheu me diell: Destinacione si Shqipëria dhe Kroacia ofrojnë plazhe parajsore me ujëra të pastër kristal.

Përvoja unike kulturore: nga monumentet historike në Shqipëri, Bullgari , Mal të Zi, çdo destinacion premton kulturën e pasur.

Shqipëria: Plazhet ‘parajsë’ me kosto të ulët dhe trashëgimia historike

Shqipëria shquhet për ndërthurjen unike të plazheve parajsore me një trashëgimi të pasur historike, të gjitha me një kosto çuditërisht të ulët. Ky vend ofron një shumëllojshmëri destinacionesh që premtojnë një eksperiencë të paharrueshme për udhëtarët që kërkojnë relaksin bregdetar dhe aventura kulturore.

Vende historike dhe kulturore

Kalaja e Gjirokastrës: Një muze dhe kështjellë me pamje spektakolare.

Amfiteatri i Durrësit: Një amfiteatër i lashtë romak

Shtëpia e Zekatëve: Tregon jetën e klasës së pasur në Gjirokastër.

Kalaja e Himarës: Ofron pamje të bukur dhe një kafene për një ndalesë relaksuese.

Destinacionet e plazhit

Plazhi i Durrësit: Një plazh i madh me rërë të butë.

Plazhi i Golemit: Një plazh i qetë me rërë të bardhë dhe të butë.

Plazhi i Dhërmiut: Me ujëra të pastra kristal i konsoderuar si plazhet e Karaibeve.

Plazhi i Ksamilit: Një pamje mahnitëse e ujërave të tij të kristalta.

Për ata që janë të interesuar të eksplorojnë më shumë rreth këtyre destinacioneve, rekomandohet një vizitë në Shqipëri.

Kjo qasje i lejon vizitorët të shijojnë bukurinë natyrore të Shqipërisë dhe trashëgiminë e saj të thellë kulturore, duke siguruar një përvojë të pasur dhe të larmishme udhëtimi. /atsh/KultPlus.com

Komedia ‘Një shtrat plot me të huaj’ mirëpritet nga spektatorët durrsakë

 Komedia brilante “Një shtrat plot me të huaj” e autorit Dave Freeman dhe me regji të Adelina Muçës u shfaq me shumë sukses në teatrin “Aleksandër Moisiu” në Durrës.

Për dy mbrëmje me radhë artdashësit durrsakë që kanë mbushur plot sallën janë argëtuar me humorin që përcjell kjo shfaqje dhe kanë duartrokitur lojën e shkëlqyer të aktorëve.

Komedia e përkthyer nga Kastriot Çipi dhe me regji të Adelina Muçës është një shfaqje me plot situata komike, të çuditshme e të furishme të cilat me kulmet e tyre sjellin humor dhe argëtim për publikun. Ajo vjen si një shfaqje argëtuese plot të papritura dhe njerëz të panjohur që përfundojnë në të njëjtën dhomë hoteli. Nuk mungon as muzika dhe kërcimi.

Në këtë komedi interpretuan aktorët e njohur Gentian Zenelaj, Alesia Xhemalaj, Romir Zalla, Amos Muji Zaharia, Mimoza Marianaku, Rudina Dembacaj, Selma Bakalli.

Komedia do të vijojë të shfaqet në teatrin e Durrësit edhe sot e nesër./atsh/KultPlus.com

Komshinjtë s’ia shohin më borxhin njëri-tjetrit, faturat në zarf

Mënyra e hapur e dorëzimit të faturave tek qytetarët, do të vazhdojë deri më 30 qershor të këtij viti. E nga 1 korriku, kjo do të realizohet përmes zarfit.

Kështu ka vendosur Agjencia për Informim dhe Privatësi, me qëllimin ruajtjen e privatësisë dhe pamundësinë e qasjes së personave të paautorizuar në faturë, raporton “Ju Flet Prishtina”.

Ndërmarrja Publike Banesore, është ajo e cila vendimin mbi faturat e zarfuara, po e sheh si sfidë për 13 mijë konsumatorët e saj, ngase sipas tyre kjo mënyrë e dorëzimit e ngadalëson procesin e shpërndarjes së faturave.

Ndërsa mendim të kundërt e edhe praktik, ka Kompania Regjionale “Pastrimi”, të cilët thonë se faturat me zarf, tek qytetarët i dërgojnë tash e gjashtë vite, dhe nuk e shohin si sfidë.

Vendimin e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, po e mirëpresin edhe qytetarët, të cilët në rast se faturën nuk e marrin në këtë lloj mënyre, kanë mundësi ankese dhe se, hapja e zarfit më pas kalon në stad të hetimit dhe cilësohet si vepër penale.

Ata të cilët nuk e respektojnë ligjin dhe e shkelin atë, do të pasojnë edhe gjobat nga 20 mijë deri në 30 mijë euro.

60-vjet nga vdekja e Eqerem Vlorës

Muzeu Historik Kombëtar ka përkujtuar Eqerem Vlorën në 60-vjetorin e vdekjes.

Eqrem Vlora (1885-1964), i njohur gjithashtu si Ekrem Vlora. Eqrem bej Vlora ishte politikan, diplomat, publicist, si dhe një prej delegatëve të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912.

Ai lindi në Vlorë në vitin 1885, i biri i Syrja bej Vlorës dhe Mihri Toptanit, anëtar i një prej familjeve më të pasura të jugut të Shqipërisë. Kreu liceun “Theresianum” në Vjenë dhe studioi për drejtësi në Stamboll. Shërbeu në poste me rëndësi në Perandorinë Osmane. Më vonë u bashkua me xhaxhanë e tij, Ismal Qemal Vlorën, në lëvizjen për pavarësinë e Shqipërisë.

Pas shpalljes së Pavarësisë u zgjodh nënkryetar i Pleqësisë. Ai ishte një mbështetës i njohur i Fuqive Qëndrore gjatë Luftës së Parë Botërore arsye për të cilën ai u arrestua nga italianët, por më pas u bë një promotor i marrëdhënieve të ngushta midis Italisë dhe Shqipërisë. Në vitin 1924 zgjidhet deputet i Vlorës në Asamblenë Kushtetuese dhe në 1925 u zgjodh senator. Ai ka shërbyer në misione të ndryshme diplomatike. Në vitin 1928 u emërua ambasador i Shqipërisë në Londër e në 1930 në Athinë. Sekretar i Përgjithshëm i ministrisë së Jashtme në 1933 dhe deputet i Vlorës në 1937.

Në vitin 1942, në qeverinë ë Mustafa Krujës, emërohet ministër i Tokave të Lirueme (territoret etnike shqiptare të ish-Mbretërisë Jugosllave, që iu bashkuan Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore). Në kabinetin e qeverisë së Fiqri Dines (1944) mbajti postin e ministrit të Punëve të Jashtme dhe të Drejtësisë. Eqerem Vlora dhe një seri nacionalistësh të tjerë ishin të mendimit se Shqipëria do të përfitonte më tepër politikisht duke zgjidhur problemin e vet kombëtar duke iu bashkëngjitur fuqive të Boshtit.

Pas Luftës së Dytë Botërore emigroi në Itali e më pas në Austri. Eqrem Vlora ka shkruar libra me kujtime, studime historike, kulturore e etnografike, si: “Aus Berat und vom Tomorr”, Sarajevë 1911 (“Nga Berati në Tomorr dhe kthim”, Tiranë 2003), “I dolori del popolo Albanese” (“Dhembjet e popullit shqiptar), “Lebenserinnerungen” I, II, Mynih 1968, (“Kujtime”, I, II, Tiranë 2001) etj. Ai vdiq më 30 mars 1964 në Austri. Me rastin e 50 vjetorit të vdekjes eshtrat e Eqrem Vlorës kthehen në Shqipëri duke përmbushur kështu amanetin e tij për t’u prehur në atdhe./KultPlus.com

Kryeministri Kurti bën homazhe në 25- vjetorin e masakrës mbi familjen Muliqi

Në 25- vjetorin e masakrës nga forcat e armatosura serbe mbi familjen Muliqi, në Abri të Epërme të Drenasit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bëri sot homazhe në nderim të jetës së tyre.

Kurti theksoi se ishin sot aty për të treguar solidaritetin institucional e kombëtar, qytetar e njerëzor me familjen Muliqi, me bacën Asllan edhe me familjen Deliu dhe të gjitha familjet e dëshmorëve dhe martirëve të kombit tonë, të cilët i dhanë kaq shumë Kosovës për liri e për pavarësi, për çlirim e për bashkim.

Teksa kujtoi edhe vrasjen e 23 të vrarëve nga forcat oserbe, në të njëjtin fshat, në masakrën më 26 shtator 1998, deklaroi se as për këtë masakër, e as për vrasjet në Abri të Epërme më 30 mars 1999, nuk ka asnjë të akuzuar e as të dënuar. Kryeministri ftoi Prokurorinë e Shtetit që me krejt çfarë kanë e dinë, të angazhohen maksimalisht ditë e natë në mënyrë që ata vrasës për të cilët ka edhe dëshmitarë të gjallë, të ndiqen të akuzohen e të dënohen.

Bashkë me kryeministrin Kurti në homazhe ishin edhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci si dhe zëvendësministri i MPB-së, Blerim Gashani, njofton ZKM./arbresh.info/KultPlus.com