Hillary Clinton do t’u adresohet pjesëmarrësve në forumin WPS organizuar nga presidentja Osmani

Hillary Clinton do t’u adresohet pjesëmarrësve në forumin Women Peace Security, organizuar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë presidentja Osmani në përmjet një postimi në platformën X.

Në vijim, KultPlus ua sjell postimin e presidentes Osmani:

Nisin punimet për rinovimin e teatrit të Mitrovicës

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit Hajrulla Çeku, ka njoftuar se kanë nisur punimet për rinovimin e teatrit të qytetit të Mitrovicës, “Muharrem Qena”.

Çeku thekson se do të vazhdojnë me investime për përmirësimin e kushteve të punës për artistët dhe publikun.

“Teatri i qytetit të Mitrovicës kishte kushtet më të dobëta nga të gjithë teatrot e qyteteve të Kosovës. Kështu nuk do të jetë më. Punimet për rinovimin e Teatrit të qytetit “Muharrem Qena” kanë filluar”, shkroi Çeku.

“Vazhdojmë me investime anekënd për përmirësimin e kushteve të punës për artistët dhe publikun artdashës”./KultPlus.com

Macron: Kultura dhe arsimi, në zemër të shkëmbimeve Francë-Shqipëri

Kultura dhe arsimi janë në zemër të shkëmbimeve tona qoftë në Pallatin e Brigadave rreth figurës së Kadaresë apo Kubi, kjo hapësirë që dëshiruat t’i rezervoni Francës në Piramidë.

Kështu deklaroi sot Presidenti i Francës, Emmanuel Macron në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama.

“Gjithashtu gëzohem për shkëmbimet kulturore intelektuale, humanitare ndërmjet dy vendeve. Të gjitha këto përbëjnë një premtim të bukur për marrëdhëniet tona dypalëshe.
Këto vitet e fundit kanë shkuar përtej vizitave tona dhe revolucioneve të thella”, theksoi Macron.

Në përfundim të fjalës së tij Macron u shpreh se “e admiroj rrugën që ka bërë vendi juaj për miqësinë dhe ndjenjat shumë të thella europiane. Marrëdhëniet  tona janë të veçanta dhe kjo falë punës sonë të përbashkët”./KultPlus.com

Mendjemadhi

Roque Dalton, përktheu Manjola Brahaj.

Unë do isha një i vdekur i madh.
Veset e mia atëherë do shëndrisnin si stoli antike
me ngjyrat e ëmbla të helmit.
Do kishte lule të gjitha ngjyrave në varrin tim
dhe adoleshentët do imitonin gjestet e mia gazmore,
të errtat fjalët e mia të ankthshme.
Ndoshta dikush do të thoshte që isha besnik e i mirë.
Por vetëm ti do të mbash mend
mënyrën time të parit në sy. /KultPlus.com

Studentët e Universitetit të Prishtinës shfaqin vizionin e tyre për të ardhmen e medias në Kosovë

Me një diskutim rreth gjuhës së urrejtjes ndaj gazetarëve, ka filluar sot fushata e studentëve të Departamentit të Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, për shfaqjen e vizionit për të ardhmen e medias në vitin 2040. 

Beneta Buja, studente e vitit të dytë në këtë departament, tregoi për përvojën e saj dhe të pesë studenteve të tjera, pjesëmarrëse në këtë projekt, si dhe për punën e bërë në projektin “Media2040: Fuqizimi i avokuesve të rinj për lirinë e medias në Ballkanin Perëndimor” që nga muaji tetor i vitit të kaluar. Ajo ka thënë që përvoja me këtë projekt ka ndihmuar në përmirësimin e njohurive të saj dhe kolegëve të tjerë për aspekte të ndryshme të medias, përfshirë; institucionet, ligjin, teknologjinë, gazetarët dhe tregun e medias. Sipas saj, projekte të tilla janë dobiprurëse për studentët.

Në anën tjetër, koordinatori akademik për Kosovë i këtij projekti, Alban Zeneli, ka thënë që ky projekt ka ndihmuar studentët që të kuptojnë dhe bashkëpunojnë me bashkëmoshatarë të tyre nga fusha e njëjtë e studimit, me qëllim të ndikimit në përmirësimin e sferës mediale në secilën prej shoqërive. 

Më tutje në tryezën e organizuar në hapjen e fushatës së studentëve për shfaqjen e vizionit për media 2040, profesoresha Remzie Shahini-Hoxhaj në duke bërë prezantimin kryesor të tryezës për gjuhën e urrejtës ndaj gazetarëve ka ofruar të dhëna nga hulumtimet e këtij fenomeni në Kosovë. Sipas saj, gjuha e urrejtjes ndaj gazetarëve në rastin e Kosovës ndikon në rritjen e autocenzurës së gazetarëve dhe në demotivimin e tyre në punë. Njëherësh, ajo informoi që nga hulumtimi ka rezultuar që 91% e gazetarëve kanë përjetuar gjuhë të urrejtjes gjatë karrierës së tyre.

Pjesëmarrës në këtë ngjarje ishin edhe profesorë dhe studentë nga Departamenti i Gazetarisë në UP, të cilët kontribuuan aktivisht në debat dhe sollën perspektiva dhe ide të reja.

Në projektin “Media2040: Fuqizimi i avokuesve e të rinj për lirinë e medias në Ballkanin Perëndimor”, po marin pjesë studentet e Departamentit të Gazetarisë: Era Rrmoku, Zana Pllana, Beneta Buja, Rijona Vojvoda, Erona Baliu dhe Learta Beqiri të cilat janë duke u mentoruar për t’i realizuar objektivat e projektit nga profesorët: Alban Zeneli, Remzie Shahini-Hoxhaj, Muhamet Jahiri dhe Gëzim Qerimi.

Në kuadër të këtij projekti do të mbahen edhe disa aktivitete në javët në vazhdim.

Pjesë e “Media2040” janë mbi 50 profesorë dhe studentë nga fushat e gazetarisë dhe komunikimit nga Universiteti i Prishtinës, Universiteti i Sarajevës, Universiteti “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, Universiteti i Novi Sadit, Universiteti i Malit të Zi dhe Universiteti “St. Cyril and Methodius” nga Shkupi. 

Ky projekt mbështetet nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës ne Prishtinë, Fondit Holandez për Bashkëpunim Rajonal, programi MATRA. /Kosova.info/KultPlus.com

Piktura të reja mahnitëse gjenden në qytetin e lashtë të Pompeit

Vepra mahnitëse të artit janë zbuluar në një gërmim të ri në qytetin romak, Pompei. Arkeologët thonë se afresket janë ndër më të bukurat që gjenden në rrënojat e vendit antik. Figura mitike greke si Helena e Trojës përshkruhet në muret e larta të zeza të një salle të madhe banketesh.

Dyshemeja e mozaikut pothuajse e kompletuar e dhomës përfshin më shumë se një milion pllaka të bardha. E ashtuquajtura “dhoma e zezë” është shfaqur vetëm në javët e fundit. Dyshemeja e saj me mozaik të bardhë është pothuajse e përfunduar.

Një e treta e qytetit të humbur ende duhet të pastrohet nga mbeturinat vullkanike. Gërmimi aktual, më i madhi në një brez, po nënvizon pozicionin e Pompeit si dritarja kryesore në botë për njerëzit dhe kulturën e perandorisë romake.

 Dr Alessandro Russo ka qenë një ndër arkeologët që kanë punuar për këtë zbulim. Ai ka treguar për BBC News afresk tavani të nxjerrë nga një dhomë. Të copëtuara gjatë shpërthimit, pjesët e tij të gjetura janë hedhur në një tavolinë të madhe. Aty mund të shihen peizazhe me karaktere egjiptiane, ushqime dhe lule, dhe disa maska ​​teatrale imponuese.

“Ky është zbulimi im i preferuar në këtë gërmim, sepse është kompleks dhe i rrallë. Është me cilësi të lartë për një individ me status të lartë,” shpjegoi Russo.

Disa fotografi të katedrales Notre Dame që tregojnë historinë e saj të rëndësishme

The Saint-Michel bridge, the Hôtel-Dieu, and the Notre-Dame cathedral before 1857.
Ura Saint Michel dhe katedralja Notre Dame para vitit 1857/ Roger Viollet/ Getty Images
Interior of the Cathedral of Notre-Dame as drawn by Thomas Allom from France Illustrated, 1845.
Interieri i Notre Dame sipas vizatimeve të Thomas Allom, 1845
Notre-Dame Cathedral, France, late 19th or early 20th century. The Gothic Cathedral of Notre Dame de Paris was begun in the 12th century. The western facade was built between c1200 and 1225.
Notre Dame në fund të shek. XIX/ Getty Images
The Rose window at the Cathedral.
Dritarja, Notre Dame, Phas/ Getty Images
The exterior of the cathedral is adorned with sculptures illustrating biblical stories, known as the "poor people's book," as, historically, the majority of parishioners could not read. Left: Christian martyr Saint Denis holding his head; Right: Statue of Saint Veronique holding the shroud of Christ
Statujat e katedrales të cilat tregojnë histori të ndryshme biblike.
Joséphine kneels before Napoléon I during his coronation at Notre Dame.
Kurorëzimi i Napoleonit 1807 Jacques-Louis David
The emperor arriving at Notre-Dame from "Book of the Coronation" by Percier and Fontaine.
Nga libri i Percier and Fontaine
American Anti-Aircraft gun positioned close to the Cathedral of Notre-Dame during the Liberation of Paris, 1945.
Gjatë çlirimit të Parisit 1945
U.S. soldiers fill the pews of Notre Dame Cathedral during the GI memorial service for US President Roosevelt on April 16, 1945.
Ushtarë amerikan gjatë shërbimeve memoriale për presidentin Roosvelt, 1945
A photo taken circa Aug. 23, 1944 during World War II shows a flaming vehicle close to the Pont Saint-Michel and Notre Dame Cathedral Notre-Dame as part of the "Battle of Paris" opposing the French Forces of the Interior and remaining Nazi forces, a few days before the Liberation of Paris on Aug. 25, 1944.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore
Philippe Petit, a 21-year-old professional tightrope walker, perches 225 feet above the ground, between the two towers of Notre Dame cathedral, Paris, on June 26, 1971, during a stunt which lasted several hours, with police unable to bring him down.
Akrobatiku, Philippe Petit, 1971
A gargoyle on top of the Notre Dame Cathedral in July 1980.
Barbara Alper, Getty Images
Notre-Dame de Paris Cathedral with a general view of the Seine river and its surroundings, June 26, 2018.
2018, Ludovic Marin
A photo taken on June 28, 2017 shows the roof of Notre Dame Cathedral, as the monument needs a huge restoration.
Katedralja Notre Dame kërkon fonde për restaurim, Martin Bureau, AFP, Getty Images, 2017
Snow blankets the bank of the River Seine and Notre-Dame Cathedral.
Andia/ Getty Images
Tourists take in the view from the Notre-Dame Cathedral in October 2018.
Frederic Soltan/ Getty Images, 2018
A statue of Saint John is removed from the spire of Notre Dame Cathedral by a crane before restoration work on April 11, 2019.
Zhvendosja e statujes “Saint John” gjatë renovimit, prill 2019, Philippe Wojazer, Reuters
A man watches the landmark Notre-Dame Cathedral, engulfed in flames, in central Paris on April 15, 2019.
Një njeri duke shikuar katedralen në zjarr, 15 prill, 2019, Geoffroy Van Der Hasselt, Getty Images
Smoke and flames rise during a fire at the landmark Notre-Dame Cathedral on the evening of April 15, 2019.
Flakë dhe tym, 15 prill 2019, Ludovic Marin, Getty Images

‘I vetmi limit për arritjet e së nesërmes, janë dyshimet e së tashmes’

50 shprehje frymëzuese që do ta motivojnë secilin

“Suksesi nuk është përfundimtar, dështimi nuk është fatal, guximi për të vazhduar përpara ka rëndësi.” – Winston Churchill

“Më mirë të dështosh me origjinalitet, se sa të kesh sukses me imitim.” – Herman Melville

“Rruga te suksesi dhe rruga drejt dështimit janë pothuajse gjithnjë e njëjta.” – Colin Davis

“Suksesi zakonisht u shkon atyre që janë duke e kërkuar.” – Henry Thoreau

“Mundësitë nuk ndodhin, ne i krijojmë.” – Chris Grosser

“Mos ki frikë të heqësh dorë nga e mira për të shkuar drejt një të mire më të madhe.” – John Rockefeller

“Kam zbuluar se sa më shumë punoj, aq më shumë fat kam.” – Thomas Jefferson

“Ka dy tipe njerëzish që do të thonë se nuk mund të bësh diferencën në botë: ata që kanë frikë të provojnë dhe ata që kanë frikë nga suksesi jot.” – Ray Goforth

“Njerëzit e suksesshëm bëjnë atë që njerëzit e pasuksesshëm nuk bëjnë. Mos uro që të ishte më e lehtë, uro që ti të ishe më i mirë.” – Jim Rohn

“Mos u bëj një njeri suksesi, bëhu një njeri vlerash.” – Albert Einstein

“Kurrë mos iu ndaj bindjeve të nderit dhe qëllimit të mirë.” – Wiston Churchill

“Boll ndoqe paratë, ndiq pasionin.” – Tony Hsieh

“Sukses do të thotë të kalosh nga dështimi në dështim pa e humbur entuziazmin.” – Winston Churchill

“Kreditet e suksesit tim ia jap këshillës më të mirë.” – GK Chesterton

“Do të të jap një formulë për suksesin? Është e thjeshtë. Dyfisho normën e dështimit. Po mendon për dështimin si armik të suksesit. Por nuk është e gjitha. Mund të dekurajohesh nga dështimi ose të mësosh nga ai, kështu që vazhdo dhe bëj gabimet e tua. Bëj ç’të jetë e mundur. Kështu e gjen suksesin.” – Thomas Uatson

“Nëse nuk do të rrezikosh të zakonshmen, duhet të përshtatesh me të.” – Jim Rohn

“Ata që janë aq të çmendur sa mendojnë se do ndryshojnë botën, ata e bëjnë.” –Anonim

“Bëj çdo ditë një gjë që të frikëson.” – Anonim

“Progresi i vetëm është të dalësh nga zona e rehatisë.” – Muchael Bobak

“Njerëzit që kanë sukses kanë vrull. Sa më shumë arrijnë, aq më shumë duan të arrijnë, dhe aq më shumë e gjejnë mënyrën për të arritur suksesin.” –Tony Robbins

“Mos lër frikën e humbjes të jetë më e madhe se dëshira për të fituar.” – Robert Kuyoaski

“Sukseset më të mëdha nuk ndodhin brenda natës, kërkojnë kohë.” – Steve Jobs

“Testi i vërtetë nuk është si të shmangësh dështimin, sepse s’do mundesh, por si ta përballosh atë.” – Barack Obama

“I vetmi limit për arritjet e së nesërmes, janë dyshimet e së tashmes.” – Franklin Roosvelt

“Karakteri nuk zhvillohet me thjeshtësi, por nëpërmjet përvojës së vuajtjeve dhe gjykimit. Forcohet shpirti, rritet ambicia dhe arrihet suksesi.” – Helen Keller

“E vetmja mënyrë për të filluar është të heqësh dorë nga të folurit dhe të fillosh ta bësh.” – Walt Disney

“Luftëtari i suksesshëm është një njeri mesatar por i fokusuar.” – Bruce Lee

“Nuk ka sekrete për suksesin. Është rezultat i përgatitje, punës së shumtë dhe mësimit nga dështimi.” – Colin Powell

“Suksesi duhet të jetë i lidhur me veprimin. Njerëzit e suksesshëm vazhdojnë të lëvizin. Ata bëjnë gabime por nuk heqin dorë.” – Conrad Hilton

“Nëse me të vërtetë do të bësh diçka do ta gjesh mënyrën. Nëse jo do të gjesh justifikim.” – Jim Rohn

“Nuk mund të të jap formulën e suksesit, por të jap formulën e dështimit që është t’i kënaqësh të gjithë.” – Herbert Suope

“Suksesi nuk është çelësi i lumturisë. Lumturia është çelësi i suksesit. Nëse e do atë që  bën atëherë do jesh i suksesshëm.” – Albert Schveitzer

“Suksesi nuk është thjeshtë të arrish në jetën tënde. Por edhe të inspirosh të tjerët t’ia arrijnë”– I panjohur

“Rrëzohu 7 herë e ngrihu 8 herë.” – Proverb japoneze

“Disa njerëz ëndërrojnë për suksesin, ndërsa të tjerët zgjohen dhe punojnë për të.” – I panjohur

“Nëse e ëndërron mund ta arrish.” – Walt Disney

“Ndryshimi mes asaj që je dhe asaj që do është ajo çfarë bën.” – I panjohur

“Një njeri i suksesshëm është ai që ngre një ndërtesë me tullat që hodhën në drejtim të tij.” – David Brinkley

“Për të patur sukses, dëshira për sukses duhet të jetë më e madhe se frika nga humbja.” – Bill Cobsy

“Për të pasur sukses, në fillim duhet të kemi besim se ne mundemi.” – Niko Kazanzaqis

“Shumë nga dështimet në jetë ndodhin nga njerëz që u dorëzuan duke mos ditur se sa pranë suksesit ishin.” – Thomas Edison

“Mos u huto nga kritikat. Kujto që shumë njerëz kanë ecur vetëm për shkak të atyre që e kafshuan.” – Zig Ziglar

“Sekreti i suksesit është ta bësh gjënë e zakonshme në mënyrën më të mirë të mundshme” – Jon Rockefeller

“E di që je në rrugën e suksesit nëse bën punën tënde, dhe nuk pret të paguhesh për të.” – Oprah Winfrey

“Ekziston një forcë e madhe brenda çdo njeriu, që kur lëshohet, mund të bëjë çdo dëshirë, çdo ëndërr realitet.” – Anthony Robbins

“Sekreti i suksesit është të dish atë që askush nuk e di.” – Aristotel Onasssis

“Dështova në mënyrën time për të pasur sukses.” – Thomas Edison

“Asgjë të vlefshme që bëra nuk ishte aksidentalisht, as shpikjet e mia nuk erdhën aksidentalisht. Jo, kur kam vendosur se çfarë rezultati dua, punoj për të deri kur të vijë.” – Thomas Edison

“I vetmi vend ku suksesi vjen përpara punës është vetëm në fjalor.” – Vidal Sassoon

“Vazhdo të ecësh, shanset janë të pengohesh, ndoshta kur nuk e pret. Por nuk kam dëgjuar për një njeri të suksesshëm që të rrëzohet dhe të qëndrojë ulur.” – Charles Kettering/filozofia.al / KultPlus.com

Princi Harry dhe Meghan Markle do të prodhojnë dy seriale në Netflix

Princi Harry dhe gruaja e tij Meghan do të prodhojnë dy seriale në Netflix rreth stilit të jetesës personale dhe profesionale, shkruan Guardian.

Shfaqja e stilit të jetesës do të eksplorojë  gatimin, kopshtarinë, argëtimin dhe miqësinë”, ndërsa një tjetër do të ofrojë “qasje të re në botën e polos” dhe American Open të sportit në Florida, sipas Netflix. Shfaqjet do të filmohen nga kompania e tyre Archwell Productions, me dukeshën që do të jetë të dy serialet dhe dukën në serialin për sportin e polos.

Të dy serialet janë në prodhim të hershëm, me titujt dhe datat e publikimit që do të shpallen në muajt e ardhshëm. Sussexes kanë publikuar më parë tre dokumentarë me Netflix si pjesë e një marrëveshjeje shumëmilionëshe. Kompania Archvel Production është themeluar në vitin 2020.

Harry dhe Meghan u transferuan në Amerikë në vitin 2020, pasi u tërhoqën nga detyrat mbretërore./KultPlus.com

“Dallimet që na bashkojnë”, projekt i Kinotekës së Maqedonisë së Veriut dhe AQSHF-së

“Dallimet që na bashkojnë” është një program i organizuar nga Kinoteka e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Arkivi Qendror Shtetëror të Filmit, kuruar nga studiuesi Arsim Leskovica me shfaqje dhe diskutim mbi 3 filma.

Për t’u shfaqur në Kinotekën e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në Shkup, janë përzgjedhur filmat: “Lulëkuqet mbi mure” (Anagnosti, 1976), “Uji i madh” (Ivo Trajkov, 2004) si dhe “400 goditje” (Francois Truffaut, 1959).

AQSHF shkruan se, përveç arsyeve tjera, këta filma janë zgjedhur kryesisht edhe për “ngjashmëritë dhe paralelet” e tyre në tematikë, si dhe në realizimin dhe qasjen e tyre filmike. Por, gjithashtu është e rëndësishme të theksohet se filmi “Lulëkuqet mbi mure” së fundmi është digjitalizuar dhe restauruar nga AQSHF në rezolucionin 4K, kurse filmi “Uji i madh” këtë vit feston njëzet vjetorin e premierës së tij. Dhe sigurisht, filmi “400 goditje” i Trufosë, sipas revistës franceze të filmit “Cahiers du cinema”, është më shumë se një kryevepër dhe është një nga filmat më emblematikë të periudhës së pasluftës të prodhimit të filmit francez.

Shfaqjet e filmave do të realizohen më 25, 26 dhe 27 prill 2024. / atsh / KultPlus.com

“Ukraina: Një krim lufte”, ekspozita që do të shpalos punën e 93 fotoreporterëve nga e gjithë bota

 

“Ukraina: Një krim lufte” është ekspozita që merr jetë këto ditë si një mundësi ku mund të zbuloni realitetin tronditës të konfliktit në Ukrainë.

Përmes kësaj ekspozite do të shpaloset puna e fuqishme e 93 fotoreporterëve nga e gjithë bota, që ofron një testament prekës për luftën e vazhdueshme.

Ekspozita hapet më datë 29 Prill 2024, ora 19:00 në Barabar Center, Grand Hotel Prishtina.

Ekspozita rrjedh nga libri me të njëjtin titull botuar nga FotoEvidence, i cili përfshin mbi 360 fotografi dhe rrëfime të dëshmitarëve që hedhin dritë mbi pushtimin rus. Këta fotoreporterë të guximshëm rrezikojnë jetën e tyre për të kapur të vërtetat e tmerrshme të luftës, duke na ofruar një vështrim të rrallë në koston njerëzore të konfliktit. (linku i librit: https://tinyurl.com/5adc9sej)

Si pjesë e hapjes, ju mund të merrni pjesë në panel diskutimin me kuratoren Svetlana Bachevanova dhe fotografin e njohur Brendan Hoffman, më 30 prill, nga ora 18:00 në Kino Armata.

Pas diskutimit, mund të zhytuni në narrativen mbërthyese të “20 ditë në Mariupol”, film dokumentar fitues i çmimit Oskar, i cili vë në pah betejat e gazetarëve ukrainas në mes të rrethimit.

Kjo ekspozitë, e prezantuar nga FotoEvidence dhe e mbështetur nga Fondacionet e Shoqërisë së Hapur të Ballkanit Perëndimor, nuk është vetëm një pasqyrim i ngjarjeve të kaluara, por edhe një fener shprese për dialog, ndjeshmëri dhe mbështetje për ndjekjen e drejtësisë dhe shërimit të Ukrainës. / KultPlus.com

NASA zbulon shpërthimin kozmik më të ndritshëm të regjistruar ndonjëherë

Studiuesit kanë zbuluar shkakun e shpërthimit më të ndritshëm të dritës të regjistruar ndonjëherë, sipas BBC.

Por, duke e bërë këtë ata janë përballur me dy mistere të mëdha, duke përfshirë një që hedh dyshime se nga vijnë elementët tanë të rëndë – si ari.

“Shpërthimi i dritës, i studiuar në vitin 2022, tani dihet se kishte një yll shpërthyes në zemrën e tij”, thanë studiuesit.

Por ai shpërthim, në vetvete, nuk do të kishte qenë i mjaftueshëm për të ndriçuar kaq shumë.

“Teoria jonë aktuale thotë se yje të tillë shpërthyes, të njohur si supernova, prodhojnë gjithashtu të gjithë elementët e rëndë në univers si ari dhe platini”, sipas studiuesve.

Por ekipi nuk gjeti asnjë nga këta elementë, duke ngritur pyetje të reja se si prodhohen metalet e çmuara.

Profesoresha, Catherine Heymans e Universitetit të Edinburgut dhe Astronomi Royal i Skocisë, i cili është i pavarur nga ekipi hulumtues, tha se rezultatet si këto ndihmojnë për të çuar shkencën përpara.

Shpërthimi u zbulua nga teleskopët në tetor 2022. Ai erdhi nga një galaktikë e largët 2,4 miliardë vite dritë larg, duke lëshuar dritë në të gjitha frekuencat. Por ishte veçanërisht intensiv në rrezet e tij gama, të cilat janë një formë më depërtuese e rrezeve X.

Shpërthimi i rrezeve gama zgjati shtatë minuta dhe ishte aq i fuqishëm saqë ishte jashtë shkallës, duke mposhtur instrumentet që mundësuan zbulimin e tyre.

Të dhënat treguan se shpërthimi ishte 100 herë më i ndritshëm se çdo gjë që ishte regjistruar ndonjëherë më parë, duke u quajtur në mesin e astronomëve si “Brightest Of All Time” ose B.O.A.T.

Shpërthimet e rrezeve gama lidhen me shpërthimin e supernovave, por kjo ishte aq e ndritshme sa nuk mund të shpjegohej lehtë.

“Nëse do të ishte një supernova, do të duhej të kishte qenë absolutisht e madhe”, sipas teorisë aktuale.

Shpërthimi ishte aq i ndritshëm sa fillimisht i mahniti instrumentet në teleskopin hapësinor James Webb të NASA-s (JWST).

Shpërthime të tilla të fuqishme llogariten të ndodhin një herë në 10,000 vjet./atsh / KultPlus.com

Dilema hamletiane e Gjergj Fishtës

Poezia “Metamorphosis” gjendet te vëllimi poetik “Arnzat e Parnasit”, njërit prej librave nga më cilësorët të Fishtës qoftë për frymën e përcjellë, qoftë për shkathtësinë e mjeteve shprehëse.

Ajo poezi ka gjithsej 268 vargje, pra duke e kapërcyer pragun e një poezie të shkurtër, ku pulsojnë ndjesitë zemërake të kundërshtimit të realitetit mjeran, jo vetëm të vitit 1907 që i përket kohës shkrimore. Më tepër të rrudhjes dhe ndrydhjes së karakterit, të përshtatjes nënshtruese, të mbytjes së identitetit, deri në shndërrim total, të prishjes së natyrës së shqiptarit, ku shpalohet mllefi dhe zhgënjimi, toni dhe gjuha sarkastike, për t’i vënë barriera frenuese këtij mjedisi, që rrëshqet drejt rrokopujës. Duke u skeletuar kështu si një poemth sarkazëm, që ta ndërmend kohën, por që ndërkomunikon edhe me këndej kohën …

GJURMË TË UNIT POETIK

Frymëmarrja e vargjeve të kësaj poezie, ashtu si edhe ato të “Lahutës” apo te “Gomari i Babatasit” etj., ruan dhe shpërfaq tiparet e poetikës fishtiane: komunikimin e drejtpërdrejtë, bisedën e hapur, kur prek nër plagët tjetërsuese të botës shqiptare, si dhe gërshetimi i poezisë me retorikën. Pra, poezia “Metamorphosis” edhe njëherë formaton artin ku poeti shkrihet me bariun shpirtëror, çka në këtë rast ravizon një përmasë specifike të unit poetik:

– të lirikës së kulmeve dëshpërimore;
– të lirikës së zemëratës së fundme;
– të lirikës së shpresave të fikuna, që djegin dhe përvëlojnë.

Tonaliteti mbizotërues sarkastik i një mallkimi sipranie, kur është mbushur kupa e durimit, i përthyerjeve të trefishuara të unit poetik, por megjithatë asgjëkundi doravet padre Gjergj Fishta, ndikojnë për të shpërndarë mjegullën rozë, endur me pe të zi mbi poetikën e bardhë fishtiane…

HERO LIRIK I SHUMËFISHUAR

Pavarësisht ndërkomunikimit konkret dhe disaplanor, që e bartin vargjet e kësaj poezie, përthyerja e heroit lirik, madje paraqitja e tij si shumësi, i japin lirikës zemërake temporitëm dhe shprehësi të mirëfilltë artistike.

Së pari: Hero i kundërvënies ndaj realitetit rretheqarkues, që dita ditës zhbëhet, shpërfytyrohet dhe rrudhet si ndërgjegje, që na prezanton poetin e njohur, me ndjenja të përndezura, që, vazhdueshëm rezbitet nër plagët e pyllishtës, ku noton përditshmërinë shqiptari.

Së dyti: Hero lirik që grish në ndihmë të vetë historinë, faktet e njohura dhe të pranuara si të tilla, si ndër vargjet:

Por n’dashtë: le të thohet
Se dredhoi Leka,,
Veç kurr mos t’thohet,
Se ka mbet Leka (1990:27), 
si një deklamim i hapur i cilësisë që mbart.

Së treti: Hero lirik i ngashënjyer për të rrëmuar dhe kërkuar edhe përtejhistorie, kur i thërret Orfeut, “poetit më të shquar që jetoi para Homerit” (1987: 182), formulim që e hasim tek “Fjalori Mitologjik”, që vjen si i tillë, posaçërisht:

E ka me e gjetun
Ndo’i farë Orfeut
Qi lavdet-t’ua
T’i a kndojë dheut
 (1990:31), që ta sjell ndërmend piskamën, që ia drejton vetë Homerit, në poezinë “Ditën e të Shuemvet”, tek libri “Mrizi i Zanave”, vëllimit poetik që gdhend portretin e lirikut të vibracioneve këndellëse poetike dhe të një vokabulari farfuritës, sidomos kur thoshte:

Qi për liri t’Shqypnis’ u bane flie:
Namin e tyre për m’e kndue si duhet,
Omiri lypet, lypet Iliada! 
(1999: 24), si dhe pasthirrmat buçimtare, që Fishta ua përthekon, hera-herës, orëve dhe zanave tek “Lahuta”. Materia e përthyer në këto forma, përveç se dëshmon tipin e poezisë klasike, madje që ngandonjëherë të përkujton Ovidin dhe metamorfozat e tij, veçse këtu me një funksion dhe semantikë të përmbysur, shpërfaqin dimensionin moral dhe artistik të poetit moskokëçarës si shprehësi, veçmas si kod i përplotësimit, kundërshtues i realitetit të atëhershëm, por edhe më gjerë se kaq …

KONTRASTI NDJENJOR

Poezia “Metamorphosis” duke qenë një dëshmi e dhimbcave sipërore, për atë farë shkërbimi që ka ndodhur dhe do të ngjante pa shkëputje me bashkëkombasit, faktikisht shënon një staturë të re poetike, në sendërtimin me nota sarkastike, të realitetit belban dhe shurdhmemec. Në njëfarë kuptimi, më së shumti ajo është poezi e kontrastit ndjenjor. Vargjet nistore:

Qe besa, or burra,
Nuk dij kah t’çajë,
Mbasi do t’thirret
Sod derri dajë …
Me armiq t’Shqypnis
Un’pa u frigue
Mjaft jam i mjeri
Kacagjelue.
Po e kam pasë thanun
Deri sivjet:
Lum aj qi shkrihet
Për atme t’vetë”
 (1990:24), të cilat vetëm sa parashtrojnë vorbullën ndjesore, përhumbjen shpirtërore ku ka ra tashmë poeti. Më së fundi, kjo moçalishte përthithëse e jetës dhe oksigjenit, mund të përballet, nëse është e mundur, me ballëvëniet totale. Ndërkohë që antivlerat gëzojnë qytetari dhe nderim, vesi shpërblehet për virtyt, amoraliteti shpërndan mandate morali, hapësira e dinjitetit njerëzor ngushtohet çmendurisht dhe zhytet, pa përvuajtje nëpër zgafellat e pluhurosura dhe gjithë të gënies. Pozicioni sfidant, aspak lakmues dhe famësjellës, përkundrazi si shkak për ta keqkuptuar dhe lançuar, i Fishtës, shpaluar gjithkund në krijimtarinë e tij letrare, tek poezia “Metamorphosis” ka më tepër gjasë, të posedojë tepri qytetarie dhe sakrifice autoriale, në emër të përndritjes dhe shpëtimit të shqiptarit prej dangave dhe përllomjes. Poeti rreket të shpëtojë sa të mundet nga llumhania, ndonëse, për hir të së vërtetës filtrit të zemërimit nuk i shpëton gjësend, për të mbërritur tek përmbyllja fundore:

Njata qi zhaben
N’këtë jetë t’a rrasën
Kështu kanë me t’shkrue
Mbi vorr ty rrasën:
Ktu njaj fatbardhi
Asht t’ue pushue
Për Fe e për Atme
Qi pat jetue 
(1990: 32), ku poeti raporton logjikën e ftohtë, bash si akulli, si dhe vlimin zemrak kundërvënës, ka gjetur shesh prehjeje në përvojën e lashtë, si gjurmë e qytetërimit që aderojmë ta përqafim sa më parë …

RITMIKA E PESËRROKËSHIT

Ajo çfarë e veçon poezinë, mbase me të gjithë veprën autoriale, që përbën vatra ku gjëmon tetërrokëshi tradicional i poetikës së shqipes, është kadenca ritmike e përshpejtuar e vargjeve, që përftohet nga lëvrimi i vargut me pesë rrokje. Ky lloj vargu, promovuar nga N. Frashëri me “Fjalët e qiririt’, si dhe nga A. Z. Çajupi në poezinë “Shqipëtar”, natyrisht, tek ky i fundit, duke përthyer tetërrokëshin karakteristik në dy formante, përkatësisht, në një njësi me pesë rrokje dhe në një njësi tjetër me trerrokësh, çka u ka dhënë vargjeve ritmin e trumbetës së alarmit luftarak.

Kurse Fishta, ashtu si Naimi mbart vetëm vargun me pesë rrokje, sepse aspiron të japë shumëfishin e ndjesive. Natyra specifike e vargjeve:

– të ritmit të kulmimeve trazimsjellëse;
– të dendurisë dhe densitetit ndjenjor;
– të përplasjes kozmogonike të antitezave kundërshtuese, ka bërë që ky krijim të funksionalizohet edhe si artthënie, madje nga më të fuqishmit e këtij poeti.

Ritmika e ndërrimit të kahjeve, e përmbysjes së ndjesive të zemëratës, e kontrapunkteve të unit poetik, përpos përftesës autoriale në vjeshërimin me pesërrokësh, gjithsesi vatër e poetikës së shqipes, si dhe e bashkëngjitur kjo cilësi edhe me aktin e përzgjedhjes së fjalës që tenton qenien njerëzore shqiptare, të qarkëzuar prej theqafjeve të pafundme, e bëjnë të fuqishme artistikisht. Pra, “mëkati” pa një grimë mëkatimi, i vargjeve të poemthit “Metamorphosis”, një satirë e mprehtë dhe përplot polemika, një klithmë e mëdyshjes hamletiane të shkrimtarit, në fakt realisht shenjon gjurmë shprehësie letrare e jo “njolla” biografike të sajuara për ta përzënë nga panteoni i letrave shqipe.

____________

Fishta, Gjergj: “Arnzat e Parnasit”, Sh. B. “Rilindja”, Prishtinë 1990. / KultPlus.com

Navalny shkroi autobiografi sekrete, botohet më 22 tetor

Gjatë qëndrimit në burg ish-lideri i opozitës Alexei Navalny shkruajti një autobiografi para se të vdiste, e cila do të publikohet këtë vit.

E veja e tij Yulia Navalnaya, ka zbuluar ekzistencën e një teksti që rrethi i tij i ngushtë e kishte mbajtur të fshehtë për vite me radhë. Në një postim në ‘X’ ajo shprehet se autobiografia mban titullin “Patriot” dhe është shkruar në vitin 2020 pasi ai ishte helmuar nga ajo që mjekët perëndimorë thanë se ishte një agjent nervor.

“Kjo nuk është aspak ashtu si e imagjinoja se Alexei do të shkruante diçka të tillë. Mendova se do të ishim në të 80-at dhe se ai do të ishte ulur në kompjuterin e tij pranë dritares dhe do të shkruante për jetën. Por gjërat dolën ashtu siç dolën. Në mënyrë të tmerrshme dhe shumë, shumë të padrejtë”, tha Navalnaya.

Libri do të publikohet në të paktën 11 gjuhë të ndryshme më 22 Tetor. Sipas Yulia, Navalny-t i pëlqente të kujtonte ngjarjet e jetës së tij si dhe të përshkruante fëmijërinë. Penguin Books UK e përshkroi librin si historinë e plotë të jetës së Navalny dhe një thirrje nxitëse për të vazhduar punën e palodhur të tij për të cilën ai sakrifikoi jetën.

Libri nuk ka gjasa të jetë i disponueshëm në vendlindjen e Navalny-t, ku autoritetet e shpallën të jashtëligjshme lëvizjen e tij si ekstremiste dhe akuzuan përkrahësit e tij si bashkëpunëtorë të mbështetur nga SHBA-ja për të nxitur revolucion.

Putin muajin e kaluar e quajti vdekjen e Navalny-t “të trishtueshme” dhe tha se ai ishte gati t’ia dorëzonte politikanin e burgosur Perëndimit në një shkëmbim të burgosurish, me kusht që të mos kthehej më në Rusi. / KultPlus.com

Kosova bashkon kadetët nga disa vende

Forca e Sigurisë së Kosovë ka mirëpritur dje kadetët nga akademitë ushtarake të Kanadasë, Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Turqisë, për të filluar javën ndërkombëtare të kadetëve të organizuar për herë të parë nga Akademia e Mbrojtjes së FSK-së.

Sot në ditën e hapjes së javës ndërkombëtare, kadetët i përshëndeti komandanti i Qendrës për Studime Universitare major Mimoza Budeci, ku theksoi “ organizimi i kësaj jave është një e arritur e lartë e FSK-së, ku kadetët ndërkombëtarë do kenë mundësinë të njohin sistemin e edukimit ushtarak që Forca e Sigurisë ka ngritur ndër vite”

Gjatë kësaj jave kadetët do të kenë mundësinë të shkëmbejnë përvojat e tyre ushtarake përmes: aktivitete sportive, hiking dhe vizita kulturore në vende të ndryshme në Kosovë, që u mundësojnë kadetëve të njohin kulturat e njëri tjetrit, sistemin arsimorë në akademitë ushtarake, si dhe kulturën dhe traditën shqiptare.

Forca e Sigurisë së Kosovës është e përkushtuar të ngritë nivelin më të lartë të edukimit ushtarakë, përmes aktiviteteve të ndryshme që mundësojnë krijimin e ndërveprueshmërisë në mes vendeve. / KultPlus.com

Akil Dashevci dhuron pikturën “Cornwal” për princeshën Kate Middleton

Ambasadori i Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, Ilir Kapiti ka pritë artistin Akil Dashevcin, i cili ka dërguar një pikturë dhuratë për princeshën Kate Middleton, shkruan KultPlus.

“Vetë Akil Dashevci përballet me sfida, pasi i njëjti është i prekur nga disleksia dhe disgrafia, dhe pikturën “Cornwal” ka vendosë që ta bëjë dhuratë për princeshën Kate, pas deklaratës së saj se është prekur nga kanceri, dhe piktura e përzgjedhur nga Akili është e punuar pikërisht me kauzë për personat me nevoja të veçanta”, ka thënë për KultPlus, nëna e Akilit, Safa Boja Dashevci.

Piktura është dhuruar fillimisht në Ambasadën e Kosovës në Londër, ku ishte i pranishëm edhe Akili, me shpresë që kjo vepër artistike të shkojë deri në vendin për ku edhe është dedikuar.

Akil Dashevci është artist autodidakt dhe deri më tash është prezantuar me gjashtë ekspozita personale, duke përfshirë edhe atë të fundit që është mbajtë në KultPlus Caffe Gallery. Deri më tash ka realizuar mbi 40 vepra artistike./ KultPlus.com

Hapet thirrja për financim të studimeve master në SHBA në kuadër të programit Fulbright

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci ka njoftuar sot se është hapur thirrja për Fulbright Foreign Student Program (Programi Master) për vitin akademik 2025-2026, program që bashkëfinancohet nga MASHT dhe Ambasada Amerikane.

Nagavci ka bërë të ditur se pritshmëritë janë që të financohen 3-4 studentë kosovarë për studime master në SHBA.

“Ky program ofron mundësi për një përvojë unike për studentët, për të përparuar në fushën e tyre të studimit në një mjedis akademik të lartë.

Përveç aspektit financiar, pjesëmarrja në programin Fulbright Master siguron një platformë për zhvillimin personal dhe profesional të studentëve, duke i ndihmuar ata të ndërtojnë rrjetet e tyre akademike dhe profesionale ndërkombëtare.

Inkurajoj të gjithë studentët e këtij niveli të aplikojnë për këtë mundësi të rëndësishme”, ka shkruar Nagavci. / KultPlus.com

Teatri “Aleksandër Moisiu” dhe Bashkia Durrës krijojnë Klubin Teatror të të Rinjve

Teatri “Aleksandër Moisiu” me mbështetjen e kryetares së bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako dhe Zyrës Vendore Arsimore Durrës, ka ndërmarrë një nismë për krijimin e Klubit Teatror të të Rinjve. Kjo nismë e cila tashmë e ka bërë realitet Klubin Teatror të të Rinjve të Durrësit, ka për qëllim angazhimin e të rinjve në sipërmarrje që kanë lidhje me artin dhe teatrin në veçanti.

“Klubi nuk kishte sesi të kurorëzohej më bukur sesa gjatë shfaqjes teatrore “7 minuta”, shkroi Teatri “Moisiu” në faqen e tij online. Në këtë shfaqje shumë nga të rinjtë e shkollave të mesme të qytetit u takuan me disa nga emrat më të njohur të skenës shqiptare.

Njëkohësisht ata patën mundësi të shohin nga afër ambientet e teatrit “Aleksandër Moisiu”, ku regjisorja Driada Dervishi u dha adoleshentëve të apasionuar pas artit shumë informacione mbi historikun 71-vjeçar të këtij institucioni. / atsh / KultPlus.com

Rritet numri i turistëve të huaj në Kosovë

Unioni i Turizmit të Kosovës ka organizuar Panairin Ndërkombëtar të Turizmit Kosova 2024.

Në këtë panair  po marrin pjesë mbi 300 ekspozues nga 15 shtete të botës.

E për herë të parë po marrin pjesë edhe ekspozues nga Malta, shtetet Afrikane e Sllovenia.

Kryetari i Unionit të Turizmit të Kosovës, Baki Hoti tha se numri i turistëve të huaj është rritur gjatë vitit të kaluar dhe sivjet.

“Si union kemi rekomanduar te komunat që të bëjmë sa më shumë aktivitete që të tërheqim vizitorë ndërkombëtarë. Gjatë vitit 2023 kemi pasur mbi 28.4 për qind rritje të numrit të vizitorëve ndërkombëtarë që e vizituan Kosovën. Nëse e krahasojmë janarin e këtij viti me janarin e vitit të kaluar kemi mbi 50.8 për qind rritje të numrit të vizitorëve ndërkombëtarë. Tashmë Kosova nuk është vetëm një vend tranzit për Kosovën. Ta shfrytëzojmë këtë panair si një thirrje për institucionet që ta shohin si prioritet turizmin dhe ta mbështesin turizmin sepse është nja faktor i rëndësishëm edhe i punësimit”, tha ai.

Për rëndësinë e këtij panairi foli edhe i pari i kryeqytetit, Përparim Rama. “Panairi sivjet premton të jetë edhe më i suksesshëm se i kaluari. Kjo për arsye se kemi një mori të profesionistëve të turizmit nga mbi 15 vende të ndryshme. Kemi nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Turqia, Malta e pjesëtarë tjerë. Ky panair shërbim si një qëllim jetik për kryeqytetin”, shtoi ai.

Ndërsa zëvendësministri i Industrisë, Mentor Arifaj tha se qeveria është duke punuar për zhvillimin e këtij sektori.

“Kosova gjatë tri viteve të fundit është bërë destinacion i preferuar turistik. Kur është fjala për leje qëndrimi në vitin 2023 kemi pasur një milionë e 500 mijë leje qëndrimi, ku shumica prej tyre kanë qenë vizitorë ndërkombëtarë. Kosova gjithnjë e më shumë po bëhet si vend i preferuar turistik edhe atë me vlerat turistike që i ofron si: Qytetet turistike, natyrën, kuzhinën tradicionale. Kemi edhe qendrat e skijimit po ashtu. Ne si qeveri synojmë që ta zhvillojmë edhe më tej turizmin duke ofruar digjitalizim të turizmit e përmirësim të infrastrukturës si dhe duke hartuar plane tjera për zhvillim të turizmit”, tha tutje ai. / KultPlus.com

“Gratë e Trojës” udhëtojnë në Prizren për të treguar fatin e tyre përmes thirrjeve për paqe

“Gratë e Trojës”, më 15 prill, 2024, do të prezantojnë para publikut një udhëtim të tragjedisë njerëzore, nga Troja në ditët e sotme, dhe fatin e grave përmes thirrjes për paqe, në Kino Lumbardhi në Prizren, duke filluar nga ora 20:00.

Me drejtimin e regjisoreve feministe Zana Hoxha dhe Maja Mitić, kjo shfaqje do të performohet nga Ansambli i Artpolis me aktorë/e nga Kosova dhe nga Serbia, duke përdorur dy gjuhë, shqip dhe serbisht.

Përmes kësaj shfaqjeje, do të shpalosen vuajtjet e heshtura të grave pas luftës, duke theksuar forcën dhe qëndrueshmërinë e tyre përballë shtypjeve sistematike. Personazhet si Hekuba, Kasandra e Andromaka janë simbole të fuqishme të rolit të grave në kohën e trazirave politike.

Prezantimi i kësaj shfaqjeje do të shërbejë si një kujtesë për nevojën urgjente për paqe dhe për të thyer ciklin e konfliktit dhe luftës.

Teksti bashkëkohor është përgatitur nga Shpëtim Selmani, ndërsa bashkëregjisore dhe dramaturge: Maja Mitić dhe Zana Hoxha.

Në këtë shfaje do të luajnë aktorët: Shpëtim Selmani, Maja Mitić, Donikë Ahmeti, Blerta Gubetini, Qendresa Kajtazi, Hristina Tošić, Branka Stojkoviq, Labinot Raci, Mikel Markaj, Edlir Gashi, Zhaneta Xhemajli.

Koreograf: Robert Nuha; Kompozitor: Liburn Jupolli; Kostumet: Yllka Brada; Teknik i zërit dhe dritës: Skender Latifi; Menagjerë produksioni: Venera Ismaili; Elira Lluka, Mërgim Memoviq; Ekipi i PR: Berat Bajrami dhe Elira Lluka.

“Gratë e Trojës” mbështetet nga UNFPA Kosovo (përmes projektit ‘Youth 4 Inclusion, Equality & Trust), European Union in Kosovo U.S. Embassy Pristina, Kosovo. Partnerë në këtë aktivitet janë Artpolis dhe Helsinski Odbor për të Drejtat e Njeriut (Serbi). / KultPlus.com

Këshilli i Etikës për rastin e ngacmimit seksual në UP: Nuk ka as vend dhe as arsye për dramatizim të situatës

Nga Universiteti i Prishtinës kanë njoftuar se rasti i denoncuar për ngacmim seksual nga profesori Xhevat Krasniqi, është duke u trajtuar me urgjencë dhe seriozitet.

Përmes një komunikate, nga UP-ja kanë njoftuar se rasti dyshohet të ketë ndodhur në tetor/nëntor 2022, dhe janar/shkurt 2023, ndërsa është adresuar në Këshillin e Etikës në mars të vitit 2024 por megjithatë është marrë për shqyrtim me urgjencë.

Këshilli i Etikës kërkon kohën e duhur për vendimin e duhur.

Ky është reagimi i plotë:

Bazuar në informatat e ofruara nga Këshilli i Etikës, në lidhje me denoncimin e paraqitur ndaj Prof.Xh.K., dhe procedurat dhe standardet që ky Këshill zbaton, Universiteti i Prishtinës sqaron si në vijim:

Si për çdo rast, edhe në rastin në fjalë, Këshilli i Etikës zhvillon procedurat e përcaktuara dhe të zbatueshme ligjore, përfshirë në mënyrë të posaçme procesin e përcaktuar në Rregulloren përkatëse të UP-së për procedurat dhe masat disiplinore.

Rasti në fjalë, nuk ka përbërë përjashtim nga ky rregull. Sqarojmë se rasti i adresuar, pretendohet të ketë ndodhur para një viti e gjysmë (tetor/nëntor 2022, dhe janar/shkurt 2023). Përkundër kësaj, rasti është adresuar në Këshill të Etikës vetëm në mes të marsit 2024. Kurdo që një rast paraqitet, ai merret dhe trajtohet me seriozitetin e duhur dhe procedurat e paracaktuara, por nëse është dashur kaq kohë e gjatë për ta paraqitur, Këshilli vlerëson se meriton një hapësirë kohore, që gjithsesi është shumë më e arsyeshme se kjo më sipër, për të punuar i lirë dhe, mbi të gjitha, për t’u siguruar që dëgjon dhe shqyrton deklarimin e secilës palë, të përfshirë në këtë çështje dhe që duhet dëgjuar. Në këtë drejtim, Këshilli vlerëson që nuk ka as vend dhe as arsye për dramatizim të situatës.

Përkundrejt konsideratave të mësipërme, duke pasur parasysh natyrën e pretendimit, Këshilli i Etikës megjithatë ka pranuar ta trajtojë këtë rast me urgjencë, gjë që është duke e bërë. Mbi këtë bazë, Këshilli deri më tani ka mbajtur tri seanca, të cilat janë janë zhvilluar me qëllim dëgjimin e dëshmitarëve të propozuar nga vetë pala denoncuese.

Dëgjimi i dëshmitarëve nga pala denoncuese është hap procedural i domosdoshëm, për të shmangur një rezultat të kontestueshëm dhe për të dhënë garancinë se për rastin është gjykuar e vendosur drejt. Në një rend demokratik dhe sistem që udhëhiqet nga sundimi i ligjit, Këshilli i Etikës kujdeset që të shamanget arbitrariteti, duke ju mundësuar palëve në procedurë të drejtën e tyre për t’u dëgjuar dhe për të paraqitur pretendimet e tyre në mënyrë të plotë e të barabartë. Kjo pasi parimi themelor për një proces të drejtë, të paanshëm dhe objektiv vlen edhe për rastet e shqyrtuara nga Këshilli i Etikës.

Pretendimet janë serioze dhe kjo gjithashtu nënkupton se edhe rasti duhet të trajtohet me seriozitet. Secili pretendim dhe secila provë duhet të shqyrtohet, brenda një kohe të arsyeshme, duke bërë përpjekje maksimale që ky rast të vendoset brenda një periudhe sa më të shpejtë të mundshme dhe objektivisht optimale, gjithmonë duke u siguruar se nuk dëmtohet drejtshmëria e vendimit.

Në kuadër të trajtimit të paanshëm dhe objektiv, është e domosdoshme që të gjitha palët të përmbahen nga çfarëdo mjeti e forme presioni. Këshilli i Etikës ka refuzuar dhe do ta refuzojë presionin si modalitet të funksionimit të tij, sepse një gjë e tillë është në interesin më të mirë të funksionimit institucional dhe të rendit juridik, në përputhje me standardet më të mira evropiane dhe ndërkombëtare.

Sigurisht, Këshilli i Etikës, sikurse vetë Universiteti i Prishtinës, e kupton dhe pranon të drejtën e protestës, por u bën thirrje të gjitha palëve të përfshira, si dhe palëve të treta, që protestat të zhvillohen në mënyrë demokratike, në një mënyrë që nuk ushtron presion dhe nuk pengon kryerjen e detyrave të Këshillit të Etikës.

UP iu rikujton të gjitha palëve që, ndonëse vendimet e Këshillit të Etikës janë të rëndësishme, ato nuk paraqesin vendime të formës së prerë. Prandaj, secila palë gëzon të drejtën për t’i adresuar pretendimet edhe në instanca të tjera, përfshirë ato gjyqësore. / KultPlus.com

Gjendet në Kroaci helmeta ilire 2500 vjeçare (VIDEO)

Një ekip arkeologësh në fshatin Zakotorac në gadishullin Pelješac të Kroacisë kanë bërë një zbulim të rëndësishëm.

Ata kanë zbuluar një përkrenare të lashtë ilire të ruajtur mirë, që daton më shumë se 2500 vjet, raportoi HRT.

Ky zbulim shënon kulmin e katër viteve të kërkimit në tumat e varreve, të cilat dhanë një sasi të madhe materiali të vlefshëm që potencialisht mund të riformësonte kuptimin tonë për kolonizimin grek në Mesdhe gjatë mijëvjeçarit të fundit para Krishtit.

Procesi i gërmimit për helmetën ishte i përpiktë, duke përfshirë fotografimin e kujdesshëm të ndjekur nga heqja e çdo pjese të vogël guri dhe dheu. Përfundimisht, helmeta sipas tyre, greko-ilire u zbulua me sukses.

Arkeologët nga Muzetë e Dubrovnikut po marrin pjesë në gërmimet në Zakotorac në Pelješac – të udhëhequr nga Dr. Domagoj Perkić, me ndihmës kuratorët Paula Knego dhe Vicenco Pijerov, së bashku me kolegët nga institucionet e tjera – Hrvoje Potrebica, Marko Dizdar, Borute Križ, Marta Miona Milisha, Miroslav Vuković dhe Mirna Šandrić, me ndihmën e Ivan Pamic.

Helmeta është të paktën 2500 vjet e vjetër

Datimi paraprak sugjeron se kjo përkrenare mund të ketë origjinën nga shekulli i gjashtë para Krishtit. Ajo që është veçanërisht intriguese është prania e dy llojeve të ndryshme të helmetave në të njëjtin vend, duke treguar një vazhdimësi të pushtetit brenda komunitetit. Këto helmeta kanë simbolizuar gjithmonë statusin dhe autoritetin, raportoi HRT.

Gërmimet në këtë vend filluan katër vjet më parë dhe arkeologët kanë qenë vazhdimisht me fat. Vetëm në vitin e parë, ata zbuluan një përkrenare greko-ilire, e cila ishte një surprizë e madhe në atë kohë. Zbulimi i një tjetre është vërtet i bujshëm.

Të gjitha kockat e zbuluara i nënshtrohen analizës bioarkeologjike për të përcaktuar numrin minimal të individëve, gjininë e tyre, moshën në momentin e vdekjes dhe detaje të tjera demografike.

Ekspertët që vijnë

Në total, ka 27 tuma varrimi në Zakotorac dhe puna në vazhdim ka zbuluar një pasuri të thesarit historik, duke përfshirë sende të ndryshme si kunja, kapëse, fibula, pjesë gjerdanesh të bëra nga qelibar ose rruaza qelqi, dhe këtë vit, për herë të parë kohë, një diademë—një brez bronzi i veshur me sa duket në kokë nga një femër.

Javën e ardhshme, një ekipi prej pesë anëtarësh do t’i bashkohen kolegë nga Italia, duke treguar një interes ndërkombëtar në rritje për projektin. Parashikohet që ky bashkëpunim mund të çojë në njohuri krejtësisht të reja mbi kolonizimin grek në Mesdhe. Zbulimet arkeologjike në Pelješac vazhdojnë të zbulojnë historinë e fshehur. / KultPlus.com

Lana Del Rey hap sezonin e ri te festivalit kalifornian “Coachella”

Lana Del Rey do të rikthehet në festivalin muzikor “Coachella”, i cili nis këtë fundjavë.

Festivali kalifornian zhvillohet gjatë dy fundjavave nga 12 deri më 14 prill dhe 19 deri më 21 prill dhe do të shfaqë performaca të tjera kryesore nga Tyler, The Creator; Doja Cat; dhe një ribashkim i “No Doubt” me Gwen Stefani.

Këngëtarja amerikane Del Rey, e cila u bë e famshme në vitin 2012 me “Born To Die”, do të hapë sezonin e së premtes në “Empire Polo Club” në Indio, Kaliforni, pas debutimit të saj të fundit në festival në 2014.

Ylli i “Summertime Sadness” ishte planifikuar të shfaqej në formacionin e vitit 2020, i cili u anulua për shkak të pandemisë së Covid-19.

“Coachella”, i njohur për pjesëmarrjen e artistëve të famshëm dhe influencuesve nga e gjithë bota, do të shfaqë këtë të premte performaca nga këngëtarja meksikane, Peso Pluma, DJ koreano-jugore dhe këngëtarja, Peggy Gou dhe ylli amerikan Sabrina Carpenter.

Yjet e muzikës britanike që do të zbresin gjithashtu në skenë do të jenë, dyshja britanike DJ Anti Up dhe Gorgon City, MC dhe reperi Skepta, dhe ylli indian i Pop-it “The Japanese House”, emri i vërtetë Amber Bain.

Ylli i “Daisy Jones And The Six”, Suki Waterhouse, e cila kohët e fundit lindi fëmijën e saj të parë me aktorin e “Twilight”, Robert Pattinson, gjithashtu pritet të performojë në festival të premten. /atsh / KultPlus.com

Sot, Dita Ndërkombëtare e Fluturimit të Njeriut në Hapësirë

Në vitin 2011, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së duke njohur 50-vjetorin e fluturimit të parë njerëzor në hapësirë, shpalli 12 prillin si Ditën Ndërkombëtare të Fluturimit të Njeriut në Hapësirë​​.

Rezoluta e datës 7 prill 2011, e quajti atë “një ditë për të festuar çdo vit, në nivel ndërkombëtar, fillimin e epokës së hapësirës për njerëzimin, duke riafirmuar kontributin e rëndësishëm të shkencës dhe teknologjisë hapësinore në arritjen e zhvillimit të qëndrueshëm, rritjen e mirëqenies së shteteve dhe popujve, si dhe sigurimin për të ruajtur hapësirën e jashtme për qëllime paqësore”.

Data 12 prill u vendos në nder të 12 prill të vitit 1961, kur Yuri Gagarin, shtetas sovjetik, kreu fluturimin e parë njerëzor në hapësirë, një ngjarje historike që hapi rrugën për eksplorimin e hapësirës për të mirën e mbarë njerëzimit. / atsh / KultPlus.com