76 vjet nga dita që ndryshoi fatin e njerëzimit

Pushtimi Aleat i Normandisë në 6 qershorin e vitit 1944, shënoi fillimin e fundit të Gjermanisë naziste të Adolf Hitlerit. Në një nga orët më të errëta të njerëzimit, një aleancë e madhe e kombeve perëndimore, arriti të realizojë me sukses zbarkimin më të madh ushtarak në histori, që ndryshoi jo vetëm fatin e qindra miliona njerëzve, por të mbarë botës. Për shkak të pandemisë së Covid-19, kremtimet për këtë vit do jenë të kufizuara, por kjo nuk e zbeh kurrësesi sublimitetin e kësaj dite. Ja cilat janë disa nga faktet më interesante mbi atë ditë.

Edhe pse njihet gjerësisht si D-Day, çlirimi i Evropës së pushtuar nga nazistët u kodua me emrin “Operation Overlord”.

Në tetorin e vitit 1941, kryeministri britanik Uinston Çërçill i kërkoi Lordit Luis Mauntbaten të niste të mendonte për një pushtim të Evropës: “Në rast se ne nuk mund të zbarkojmë atje, ta luftojmë Hitlerin dhe mposhtim forcat e tij në tokë, nuk do ta fitojmë dot kurrë këtë luftë!”.

Më 7 dhjetor 1943, presidenti amerikan Frenklin D.Ruzvelt u takua në Tunizi me gjeneralin amerikan Duajt D.Ajzenhauer, dhe i dha atij komandën e operacionit për çlirimin e Evropës së pushtuar nga nazistët.

D-Day ishte planifikuar në fillim për në datën 5 qershor, por u shty me 24 orë për shkak të motit të keq.

Ajzenhauer piu deri në 4 paketa cigare në ditë gjatë 3 muajve që zgjati D-Day. Nga ana tjetër gjenerali britanik Bernard Montgomeri, ishte shumë i qetë. Ai nuk pinte as duhan dhe as alkool.

Gjatë përgatitjes dhe vënies në zbatim të D-Day, u prodhuan rreth 17 milionë harta.

Inxhinierët britanikë, u dërguan fshehurazi me nëndetëse të bënin vlerësime të plazheve franceze ku do të zbarkohej, përfshirë mbledhjen e mostrave të rërës.

Komandanti i përgjithshëm i ushtrisë gjermane në Frontin e Perëndimit ishte Feldmarshalli Gerd von Rundshted, që kishte në dispozicion 850.000 trupa.

Operacioni D-Day synonte çarjen e “Murit të Atlantikut”, një seri linjash mbrojtëse bregdetare të ndërtuara nga Gjermania naziste midis viteve 1942-1944, nga Norvegjia deri në kufirin Francë-Spanjë.

Nazistët e dinin se një pushtim aleat i Evropës, ishte gjithnjë e më shumë i mundshëm. Ndaj në fillim të vitit 1944, feldmarrshalli nazist Ervin Romel, u ngarkua personalisht nga Hitleri me detyrën e forcimit të linjave mbrojtëse.

Mbi 1.2 milionë ton çelik dhe 17 milionë metra kub beton u përdorën për këtë qëllim, teksa u ngritën 92 baza radarësh. Më shumë se 260.000 punëtorë ndihmuan në ndërtimin e Murit të Atlantikut, dhe vetëm 10 për qind e tyre ishin gjermanë.

Në kohën e pushtimit të Aleatëve, në Francën Veriore ishin vendosur më shumë se 5 milionë mina.

Hitleri donte 15.000 pika të forta mbrojtëse, me angazhimin e 300.000 trupave. Në fund, kjo gjë do të ishte e pamundur të arrihej.

Pagesa bazë për një ushtar britanik të këmbësorisë ishte vetëm 3 paund dhe 15 shilinga në muaj. Ndërkohë ushtarët amerikanë merrnin 12 paund në muaj. Për pasojë, 70.000 gra britanike u martuan me ushtarët amerikanë gjatë luftës.

Në Kent të Britanisë së Madhe u krijua një ushtri e rreme, e përbërë nga tanke dhe kamionë prej gome, për të mashtruar gjermanët që ata të mendonin se pushtimi do të ndodhte në Pa Dë Kale. Fushata ishte aq e suksesshme, sa që edhe pas D-Day, Hitleri vazhdoi të besonte se zbarkimet në Normandi, ishin një truk për të mbuluar sulmin e madh në Pa Dë Kale.

Në prag të D-Day, Aleatët kishin në dispozicion 15.766 avionë, ndërsa gjermanët kishin 30 herë avionë më pak, ose më pak se 600.

Gjatë stërvitjeve përgatitore në Devon, 946 ushtarë aleatë u vranë në një sulm nga një nëndetëse gjermane.

73.000 trupa amerikane dhe 83.000 trupa britanike dhe kanadeze kaluan Kanalin e La Manshit gjatë D-Day.

I gjithë personeli ushtarak amerikan, ishte i detyruar të nënshkruante paraprakisht një police të sigurimi të jetës në vlerë 10.000 dollarë.

Vetëm 1 në 6 nga parashutistët aleatë zbarkuan në vendin e përcaktuar.

Avionët aleatë hodhën mbi 3.600 tonë bomba gjatë D-Day.

Aleatët nuk e humbën asnjë avion nga sulmet e Luftwaffe, ndonëse forcat kundër-ajrore gjermane në tokë rrëzuan 113 avionë të tillë.

Ndërtesa e parë në Francë që u çlirua gjatë “Operation Overlord”, ishte një kafene ngjitur me Urën Pegasus.

Burrat që morën pjesë në valën e parë të sulmit në plazhin e Utah, patën një shans 50/50 për të mbijetuar.

Vetëm 21 për qind e forcave aleate të plagosur në D-Day, u operuan brenda një ore.

Brenda 100 ditëve nga D-Day, 2.5 milionë burra, 500.000 automjete dhe 4 milion tonë pajisje dhe racione ushqimore ishin shkarkuar në Francë.

Vetëm Hitleri mund të urdhëronte angazhimin e tankeve të famshëm gjermanë, Panzer, kundër zbarkimit aleat. Por ai fjeti deri në mesditën e datës 6 qershor, pasi askush nuk guxoi t’i prishte gjumin.

Edhe pse forcat aleate që morën pjesë në operacionin D-Dita ishin kryesisht nga Britania, SHBA-ja dhe Kanadaja, në përbërje te tyre kishte edhe australianë, belgë, çekë, holandezë, francezë, grekë, norvegjezë, polakë etj. / KultPlus.com

Sot, Dita Ndërkombëtare e Oqeaneve

Dita Ndërkombëtare e Oqeaneve zyrtarisht është 8 qershori. Kombet e Bashkuara kanë vendosur, se që prej vitit 2009, 8 qershori të jetë Dita Ndërkombëtare e Oqeaneve.

Dita Botërore e Oqeaneve është një rast për të nderuar oqeanet botërore, për të kremtuar produktet që ofron oqeani, për ta çmuar vlerën e brendshme të oqeanit. Oqeani ofron rrugët detare botërore të rëndësishme për tregtinë botërore. Ndotja e ujërave dhe shfrytëzimi i tepërt i peshqve ka rezultuar me rënien drastike të numrit të specieve në oqean.

Projekti i oqeanit, në bashkëpunim me Rrjetin Ndërkombëtar të Oqeaneve, janë duke punuar në ngritjen e vetëdijes njerëzore për rolin e oqeanit në jetën tonë, si dhe mënyrat të cilat njeriu mund të ndihmojë. Dita Ndërkombëtare e Oqeaneve ofron mundësi që të kyçemi drejtpërdrejtë në mbrojtjen e të ardhmes sonë, përmes iniciativave qytetare – pastrimi i plazheve, programet edukuese, gara, festivale, si dhe ngjarjet e aktivitetet e ndryshme, ndihmojnë në ngritjen e vetëdijes se sa i rëndësishëm është oqeani për jetën tonë.

Motoja zyrtare e Kombeve të Bashkuara për Ditën Ndërkombëtare të Oqeaneve është : “Oqeanet tona, Përgjegjësi e jona”. / KultPus.com

Kufijë n’zemra

Shkruan: Çun Lajçi

Kufijë n’zemra

Mos e kaloni Ibrin po s’patet zemër
me i kërkua falje tue derdhë lotë
për fajin e bastardëve
që vunë kufijë për mua ty e Sanxhakun
shpresën e fundit m’u lidhë
me rrajën e vet
O mos e kaloni Ibrin se druaj s’keni zemër
me i mallkua farat tueja t’zeza
që binë n’mua n’ty n’ata
e përgjithmonë me Ibër e ndanë
zemrën e Sanxhakun
që i rrjedhë gjak e lot Kosovë
ti dradhë e kalbun.

Fragmente nga Ukshin Hoti

“Edhe nëse ky qe fati im, unë pajtohem me të, pavarësisht nga çmimi që mund ta paguaj, sepse fëmijët e mi dhe jo unë vetë, janë kuptimi i jetës sime. Atdheu e fiton kuptimin me ta dhe jo pa ta, pasi që për atdheun mund të luftohet vetëm në emër të njerëzores dhe kurrsesi ndryshe.”

“Historia e shqiptarëve nuk duhet të bëhet nga të tjerët, por duhet njohur nga të tjerët.”

“Populli duhet të jetë i kujdesshëm, të mos zgjedh për udhëheqje persona që sillen para të tjerëve në mënyrë inferiore, inferioriteti i liderëve i jep imazh inferior edhe vendit, shtetit e shoqërisë. Shtetet e liderët e fortë nuk i duan afër vetes lider e shtete që sillen në mënyrë inferiore.”

“Një Serbi që e mban të pushtuar Kosovën nuk është as vetë e lirë. Liria e vërtetë e Kosovës është një premisë themelore edhe për lirinë e vërtetë të Serbisë. Kosova për Serbinë është kulti i robërisë së vetvetes, nëse nuk bëhet shans i lirisë dhe i evropianizimit të saj të ardhshëm.”

– Ukshin Hoti

Shqipëria me paketë të re turistike gjatë këtij sezoni, ulje e çmimit të biletave në sitet e trashëgimisë kulturore

Të gjithë turistët, vendas apo të huaj do mund të vizitojnë sitet e trashëgimisë kulturore gjatë këtij sezoni turistik me një çmim tejet simbolik.

Në mbledhjen e Komitetit të Turizmit mbajtur në Apoloni me tour operatorë dhe hotelierë, ministrja e Kulturës, Elva Margariti dhe ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi prezantuan paketën e re turistike sikurse është edhe ulja e çmimit të biletave në sitet kulturore.

Në fjalën e saj, ministrja Margariti theksoi rëndësinë e bashkëpunimit për rimëkëmbjen e turizmit pas pandemisë me të cilën u përball e gjithë bota.

“Kemi dalë me një paketë të re ofertash që vihen në vijim edhe të bisedave të bëra me të gjithë tur operatorët edhe për t’ju gjendur më afër ju sepse mendojmë se ky është momenti kyç  që t’ju gjendemi pranë, pasi mendojmë fort që ky vit të kemi gjithmonë e më tepër një turizëm lokal e ndoshta do të kemi më pak turistë të huaj, megjithatë dhe në momentin që do të kemi turistë të tjerë të huaj, ne do t’i përgjigjemi me shërbime të reja në sitet tona”, u shpreh Margariti.

Ministrja tha se edhe në Berat kanë filluar tashmë paketat e kombinuara të biletave me audio grilën. Sipas saj, ulja e çmimit të biletave për të vizituar muzetë dhe parqet arkeologjike është një ndihmë e madhe ekonomike, duke iu përgjigjur kështu kërkesave të agjencive.

“Kemi arritur që vitin e shkuar të kemi mbi 1 milionë vizitorë dhe mendojmë që me këtë politikë të re dhe ato site që nuk kanë qenë të vizituara të bëhen sa më shumë pjesë e paketave tuaja. Kemi biseduar së bashku për disa muze, sikur dhe për Muzeun e Gjetheve që ka qenë një nga pikat ku dhe vetë tour operatorët kanë thënë që ju duket pak jo i aksesueshëm për paketat e tyre. E kemi arritur tashmë në një çmim thuajse simbolik dhe këtë e kemi bërë dhe për shumë site dhe mendojmë që kjo është zgjidhja e duhur për t’ju gjendur pranë në këto momente”, u shpreh Margariti.

Më tej, ministrja tha se pas shtatorit do të ketë paketat e reja që janë paketat e kombinuara me çmime të reduktuara vetëm për agjencitë.

“Kemi shtuar dhe kategori të reja që janë kategori 50 plus që janë për t’ju ardhur në ndihmë agjencive dhe ajo çfarë kemi bërë është promovimi i biletarisë online. Besoj se jemi të gjithë dakord që e ardhmja është e gjithë drejt dixhitalizimit besoj se dhe këto kohë e kemi treguar se aksesi dixhital ka qenë ai që na ka krijuar ura të reja bashkëpunimi dhe ne do të vazhdojmë të promovojmë akoma më shumë çmimin e biletës online”, deklaroi ministrja, duke shtuar se aty do të jetë aksesueshmëria më e madhe e tarifave të ulëta.

“Pra ndryshe do të jetë çmimi në sportele, ndryshe do të jetë çmimi online. Po punojmë që të kemi një kanal të dedikuar sidomos nga shtatori dhe më pas për të patur paketa kombo që i quajmë, që janë paketat e disa siteve bashkarisht”, tha ministrja Margariti.

“Pamdemia nuk na gjunjëzoi po na gjeti më pranë me njëri- tjetrin në këto muaj të kemi mundësinë akoma dhe më tepër të sjellim sa më shumë turistë dhe në ato site në të cilat ju nuk i keni sjellë më parë që të kemi pastaj dhe më tepër promovim nga shtatori dhe më pas dhe më shumë paketa kombo”, u shpreh Margariti. atsh / KultPlus.com

Grupi i Artistëve, Hulumtuesve dhe Kuratorëve të Pavarur në Kosovë kritikojnë menaxhimin e fondit emergjent për kulturën

Grupi i Artistëve, Hulumtuesve dhe Kuratorëve të Pavarur në Kosovë ka mbajtur sot një konferencë për media rreth sabotimit të fondit emergjent për kulturën, shkruan KultPlus.

Hulumtuesja Donjetë Murati, artisti Dardan Zhegrova, sociologia Blerta Ismaili, artisti Nol Sahatçiu si dhe artisti Genc Kadriu, morrë pjesë në këtë konferencë përballë Teatrit Kombëtar ku shprehën pakënaqësinë e tyre rreth sabotimit të fondit emergjent për kulturën.

Artisti Nol Sahatçiu foli në emër të këtij grupi, ku fillimisht tregoi se përse është ftuar kjo konferencë

“Ju kemi ftuar këtu për të kërkuar llogaridhënie nga institucionet dhe drejtuesit e tyre, në lidhje me dështimin e implementimit të fondit emergjent për kulturë në shumë prej 5 milion eurove”

Tutje, Sahatçiu, ka thënë se kultura ka mbetur e bllokuar teksa ka kritikuar Kuvendin e Kosovës për papërgjegjshmërinë e treguar.

“Që nga fillimi i pandemisë deri më sot skena e artit dhe kulturës është bllokuar plotësisht. Institucionet e shteti kanë deklaruar se kanë alokuar 5 milion euro të cilat më pas nuk janë miratuar dhe shpërndarë. Kuvendi i Kosovës ka treguar papërgjegjshmëri duke refuzuar me paramendim ratifikimin e Pakos Emergjente. Pushteti është i drejtuesve të institucioneve, por institucionet nuk janë pronë e drejtuesve të tyre”.

Në fund, Sahatçiu, i ka kërkuar llogari Ministres së Kulturës, Vlora Dumoshit dhe ish- Ministrit Besnik Bislimit.

“Zonja Dumoshi dhe zotri Bislimi duhet secili për vete duhet të japin përgjigjje se pse është sabotuar dhe bllokuar fondi emergjent për kulturën. Politizimi i parasë publike është keqpërdorim i parasë publike” / KultPlus.com



Immanuel Kant: Kush është mizor ndaj kafshëve është po aq i pandjeshëm edhe ndaj njerëzve

“Ai që e bën veten krimb, nuk mund të ankohet pastaj kur të tjerët shkelin mbi të me këpucë.”

“Çdo gjë që është shkruar nga meshkujt në lidhje me femrat duhet të mbesë e dyshimtë, duke qenë se ata janë në të njëjtën kohë edhe gjykatës edhe pjesë e çështjes.”

“Më është dashur ta refuzoj njohjen, për të t’i bërë vend besimit.”

“Njeriu duhet të jetë i disiplinuar, sepse për nga natyra ai është i papërpunuar dhe i egër.”

“Kush është mizor ndaj kafshëve është po aq i pandjeshëm edhe ndaj njerëzve.”

“Një veprim, për të qenë moralisht i denjë, duhet të bëhet nga përgjegjësia.”

“Rregullat e lumturisë: diçka për të bërë, dikë për ta dashuruar dhe diçka për të shpresuar.”

“Vepro duke e konsideruar njerëzimin, si tek vetja si tek të tjerët, gjithmonë si qëllim, kurrë thjesht si mjet.”

Nuk ka virtyt aq të madh, sa të jetë i sigurt prej tundimit.

“Ata që thonë se bota do të shkojë gjithnjë siç ka shkuar deri sot, kontribuojnë që parashikimi i tyre të dalë i vërtetë.”

“Yjet e qiellit përmbi mua, ligji moral në mua.”

“Miq të njerëzimit, mos ia mohoni arsyes privilegjin e të qenët guri i fundit i krahasimit me të vërtetën.”

“Vepro në atë mënyrë që, parimi juaj i veprimit të bëhet vetvetiu një ligj për të gjithë botën.”

“E gjithë dija jonë fillon me shqisat, vazhdon pastaj tek kuptimi dhe mbaron me arsyen. Nuk ka asgjë më të lartë se arsyen.”

“Të gjitha interesat e arsyes sime, spekulative si dhe praktike, ndërthuren në tri pyetjet e mëposhtme: 1. Çfarë duhet të di? 2. Çfarë duhet të bëj? 3. Çfarë mund të shpresoj?”

“Përvoja pa teorinë është e verbër, por teoria pa përvojë është një lojë intelektuale e mirëfilltë.”

“Nga një dru i shtrembër si ky nga është bërë njeriu, asgjë e drejtë nuk mund të krijohet.”

“Lumturia nuk është një ideal i arsyes, por e përfytyrimit.”

“Papjekuria është paaftësia që dikush të përdorë inteligjencën e vet, pa u udhëhequr nga dikush tjetër.”

“Para ligjit njeriu është fajtor kur dhunon të drejtat e tjerëve. Para moralit ai është fajtor, nëse vetëm mendon ta bëjë këtë gjë.”

“Mosmirënjohja është thelbi i poshtërsisë.”

“Përtej çdo dyshimi, çdo dije fillon me përvojën.”

“Nuk është vetëm vullneti i Zotit që na bën të lumtur, por ne duhet ta bëjmë veten tonë të lumtur.”

“Është e domosdoshme që unë të jetoj i lumtur, por është e domosdoshme që sa të jetoj, të jetoj me nder.”

“Shkenca është dije e organizuar; mençuria është jetë e organizuar.”

Koha kur mori fund tregtia e skllevërve nga Afrika

Më 7 qershor të vitit 1862, Shtetet e Bashkuara dhe Anglia nënshkruan një traktat për t’i dhënë fund tregtisë së skllevërve.

Marrëveshja i jepte secilit vend të drejtën për të kontrolluar anijet tregtare të vendit tjetër për transportimin kontrabandë të skllevërve, ndërsa lundronin nëpër një zonë të caktuar të Oqeanit Paqësor.

Në bazë të traktatit krijoheshin gjithashtu gjykata ndërkombëtare në Sierra Leone, Kepin e Shpresës së Mirë dhe në New York për të gjykuar kontrabandistët.

Deri në vitin 1864, tregtia e skllevërve nga Afrika kishte marrë fund si rezultat i traktatit anglo-amerikan dhe bllokadës së porteve jugore gjatë luftës civile amerikane.

Dita Botërore e sigurisë së ushqimit

Siguria e ushqimit dhe të ushqyerit e drejtë janë parakushte themelore për shëndet dhe mirëqeni të popullatës së një vendi dhe duhet të integrohen në të gjitha politikat, jo vetëm në ato shëndetësore, por edhe në ekonominë, bujqësinë, turizmin dhe tregtinë e një vendi.

Në 20 dhjetor të vitit 2018 sekretari i përgjithshëm i Kombeve të bashkuara miratoi rezolutën 73/250 për caktimin e Ditës Botërore të sigurisë së ushqimit. Kështu, duke filluar nga viti 2019, 7 qershori do jetë ditë e cila do shënohet me aktivitete të cilat i theksojnë përfitimet nga ushqimi i sigurt, por edhe lëshimet dhe mangësitë eventuale në zinxhirin e ushqimit të sigurt.

Ushqimi i sigurt ka një rëndësi qenësore për promovimin e shëndetit dhe eliminimin e urisë – dy qëllimet kryesore të Agjendës për vitin 2030. Pa siguri të ushqimit nuk mund të ketë mjaftueshëm ushqim të sigurt. Në këtë botë ku zinxhiri ushqimor bëhet gjithnjë e më i ndërlikuar, çdo incident negativ në sigurinë e ushqimit mund të ketë efekte negative globale ndaj shëndetit të njeriut, tregtisë dhe ekonomisë, transmeton kp.

Sëmundjet lidhur me ushqimin jo të sigurt zakonisht shkaktohen nga baktere, viruse, parazitë ose substanca kimike të cilat i fusim në organizëm përmes ushqimit ose ujit të kontaminuar. 600 milionë njerëz ose 1 në 10 njerëz në botë sëmuren si pasojë e konsumimit të ushqimit të kontaminuar dhe në vit vdesin rreth 420 000. Në këtë grup, fëmijët deri në moshën 5 vjeçare marrin pjesë me 40 % në ngarkesën me sëmundjet që burojnë nga ushqimi jo i sigurt, ose 125 000 raste të vdekjes në vit.

Në vitin 2010 shkak kryesor i mortalitetit sa i përket sëmundjeve që burojnë nga ushqimi jo i sigurt në rajonin evropian është Salmonella enterica me 1854 raste të vdekjes, Campylobacter spp me 459, Norovirises 435, Listeria monocytogenes 399, Echinocoocus multilocularis 239, Hepatitis A 195, Brucella spp 191 (Тhe burden of foodborne diseases in the WHO European Region. Copenhagen 2017).

Erich Fromm: “Mërzia është vuajtja e vërtetë”

“Njerëzit nuk e kuptojnë aq sa duhet ose, thënë ndryshe, nuk janë të vetëdijshëm në masën e duhur që mërzia është vuajtje. Ai që gjëndet i mbyllur në një qeli izolimi, ose edhe ai që për një arsye të çfarëdoshme nuk di çfarë të bëjë me veten e tij, në rast se e ka në vetvete mundësinë të bëjë diçka të gjallë, të prodhojë diçka, të priret kah përsiatja, do ta ndjejë mërzinë si një peshë të rëndë, si një barrë, si një paralizë së cilës nuk ia gjen shkakun.

Mërzia është një nga torturat më të rënda: shumë moderne e që përhapet përherë e më tepër. Individi që i është dorëzuar kësaj torture pa mundur të mbrohet, ndjehet thellësisht i depresuar. Me gjasë, në këtë pikë do të pyesni veten: po përse vallë pjesa më e madhe e njerëzve si ne nuk e kuptojnë se mërzia është një fatkeqësi, një ndëshkim?

Mendoj se përgjigja e kësaj pyetjeje është e thjeshtë: ne sot prodhojmë shumë gjëra që na mundësojnë t’i shmangemi mërzisë. Mund ta shmangim duke gëlltitur qetësues, duke pirë, duke kaluar nga një cocktail te tjetri, duke u grindur me bashkëshorten, duke e lënë veten të zhdaravitet nga mediat, duke u përkushtuar ndaj aktivitetit të dendur seksual, aktivitet i cili shpeshherë lindet si orvatje për të penguar që mërzia të na shfaqet në vetëdije.

Por nuk duhet harruar ndjesia e pakëndshme që përjetojmë shumë herë kur shikojmë një film koti ose kur e dëbojmë mërzinë me një mënyrë të çfarëdoshme: një farë dehjeje e dyfishtë që ndjehet atëherë kur kuptojmë se e gjithë ajo ishte një gjë e mërzitshme, se nuk kemi përdorur kohën, por thjesht e kemi vrarë.

Ky është përnjëmend një tipar i veçantë i kulturës sonë: ne bëjmë gjithçka për të shpëtuar, për të kursyer kohë dhe, kur e kemi shpëtuar apo kursyer këtë kohë, e vrasim sepse nuk dimë çfarë të bëjmë me të.”

– Erich Fromm

Macja dhe nusja

Macja dhe nusja

Nga Nerimane Kamberi

Vetura u ndal, nga dritarja gjysmë e hapur dëgjonte zërat e vajzave të reja që i këndonin asaj, duart filluan t’i dridheshin, shtrëngonte më fort buqetën e vogël me gjyla të kuq, e rrinte drejtë, qysh duhet. Ca pika djersë filluan t’i rrëshqasin në ballë, dikush, nuk e diti kush, ia çoi pak duvakun dhe ia fshiu. Ishte tepër nxehtë, vera përvëlluese, mezi e kishin lyer shoqet. Buzët i ishin tharë, i kuqi kishte një shije të keqe.

Vapa ka ardhur nga Sahara, sa ironi, askush nuk mund të lëvizë më, as brenda, as jashtë, por ajri po, i lirë të vijë e të shkojë. Sonte edhe jashtë mund të rri, deri vonë. Është gati mesnatë, jam shtrirë në shezlon, “in my garden”, dhe po ha çokollatë. “Ariu i madh, ylli polar, të gjitha mund t’i shihni sonte pa teleskop”, po më kthehet në mendje zëri i vajzës që ka pasion yjet. Edhe dita ishte e bukur, shikova gjatë një macë që e fuste një këmbë në ujë dhe e nxirrte, disa herë kështu, mendohej, nga çka frikohej? A kanë frikë macet? Shumë gjatë e përcolla lojën e saj, jo këmbën e majtë, veç të djathtën e fuste, e në fund u kthye te vendi i vet, nuk e pati guximin të dalë andej përrockës.

“Dil nga kerri, me këmbën e djathtë, edhe në shpi të re kur të hysh, hyn me këmbë të djathtë, të të shkoj jeta mbarë.” Sa këshilla i kishin dhënë natën e “kanës” kur ajo qante nën shaminë e hollë derisa vajzat, motrat vallëzonin dhe qeshin duke treguar ndonjë muhabet për burrin, për martesën, që e bënin të skuqej por edhe të qante më shumë, sa llafe vinin nga të katër anët e dhomës ku ishin mbledhur. “Sonte bajrak nër bija, nesër bajrak nër nuse,….”. Po ajo nuk donte të shkojë nuse, kishte frikë të dalë nga kjo shtëpi ku kishte kaq shumë dashuri. Gjithë këto ditë, gjithë këto vite, si në një strofull, ku asgjë e keqe nuk mund t’i ndodhte…Shoqja e ngushtë i thoshte në vesh: “Hajt se atje më mirë është, këtu veç ke punu, veç t’kanë urdhnu. Shko, mos u tut.” Fjalët e saj nuk e bindnin, “këtu babë, atje burrë”. Ajo vazhdonte të nusërojë e të qajë për fatin e saj.

Macja është fshehur nën tavolinën e terrasës verore. Po ia shoh sytë që po i xixëllojnë. Po striqem si ajo e po vazhdoj t’i sodis yjet. Nata ka filluar të ftohet, shtrëngoj rreth vetes batanijen, dua ta shtyej edhe pak këtë kënaqësi që ma jep pafundësia e qiellit dhe qetësia e natës. Një hut diku na shqetësoi, mua dhe macen. Ajo futi këmbën e djathtë nën kokë, mbylli sytë dhe e vazhdoi gjumin. Edhe unë desha të kthehem në një krah e të flej, por u ngrita, e mbylla derën e oborrit, pasi nxorra veç pak kokën jashtë saj, m’u duk që dëgjova do zëra, këngë dasmash? fjalë grash? apo shushurima zanash? Qesha me vete dhe hyra në shpi. Mbylla telefonin për sonte, thirrjen e fundit e paskam pasur me nanën, shumë gjatë kemi folur për atë vakt.

Aristoteli: Miku i të gjithëve nuk është miku i askujt

Aristoteli ishte student i Platonit dhe ishte i pari që e kritikoi atë. 47 nga punët e tij kanë mbijetuar.

Aristoteli është i fundit nga filozofët e mëdhenj të antikitetit dhe konsiderohet si biologu i parë.

Ai themeloi shkencën e logjikës, shtroi terrenin për metodën shkencore dhe shkroi rreth shumë subjekteve.

Aristoteli ishte gjithashtu mentori i Aleksandrit të Madh për disa kohë. Ai ka pasur influencë të madhe në mendimin e Tomas Akuinit dhe për rrjedhojë mbetet një ndër influencat kryesore në edukimin dhe teologjinë katolike.

Aristoteli, një nga mendjet më të ndritura dhe më të thella të të gjitha kohëve, shkroi mbi shumë probleme dhe nga më të ndryshmet.

Me përjashtim të matematikës, lëroi të gjitha fushat e dijes, si politika, shkencat e natyrës, artin etj.

Rreth 120 veprat e tij formojnë një lloj enciklopedie, ku përfshihen njohuri nga të gjitha fushat e diturisë. Në të gjitha veprat e Aristotelit të bie në sy dashuria për të mirën dhe të vërtetën. Megjithëse e adhuronte dhe e nderonte shumë mësuesin e tij, filozofin Platon, në mjaft pikëpamje filozofike dhe estetike nuk ishte në një mendje me të. Në një nga veprat e tij thotë se midis miqve dhe së vërtetës është gjë e shenjë të duash më shumë të vërtetën.

Aristoteli, besonte se gjithçka ndodh për një arsye, gjithmonë. Dhe se çdo eksperiencë në jetën tënde, vjen për të të formuar dhe për të të sjellë në versionin tënd më të mirë. E vetmja gjë që e pengon këtë, është të kesh zgjuarsinë për ta parë.

2- Fillimisht ki një objektiv të qartë. Së dyti, gjej mjetet për ta arritur. Së treti përshtat mjetet.

3- Demokraci është atëherë kur sundues janë të varfërit dhe jo të pasurit.

4- Shtresat e ulëta ngrenë krye për të qenë të barabartë, dhe të barabartët ngrenë krye sepse duan të jenë shtresë sunduese. Kjo është gjendja mendore që i krijon revolucionet.

5- Njerëzit i krijojnë zotat sipas vetes, jo vetëm për nga pamja, por edhe për nga mënyra e jetesës.

6- Edukimi i mendjes pa edukimin e zemrës nuk është aspak edukim.

7-Miku i të gjithëve nuk është miku i askujt.

8- Një qytet i madh nuk duhet ngatërruar me një qytet të populluar.

9-Miku i vërtetë është një shpirt në dy trupa.

10- Të gjitha veprimet njerëzore kanë një ose më shumë prej këtyre shkaqeve: fati, natyra, detyrimi, zakoni, arsyeja, pasioni, dëshira.

11- Në më të mirën e tij, njeriu është më fisniku i të gjitha kafshëve; po të mos ishin ligji dhe drejtësia ai do të ishte kafsha më e keqe.

12- Ka vetëm një mënyrë për të shmangur kriticizmin: mos bëj asgjë, mos thuaj asgjë dhe ji thjesht asgjë.

13- Gabimi vjen në shumë mënyra, ndërsa për të bërë gjërat siç duhet ka vetëm një rrugë.

14- Familja është shoqata e krijuar nga natyra për të siguruar nevojat e njeriut.

15- Dinjiteti nuk matet me titujt që zotëron, por me vetëdijen që i meriton.

16- Mirë është që në jetë ashtu si në gosti, të mos dalësh as i etur as i dehur.

17- Të këqijtë binden prej frikës, të mirët prej dashurisë

18- Droja është një stoli për të rinjtë, por një turp për të moçmit.

19- Trimëria është cilësia e parë njerëzore, sepse ajo është cilësia që i garanton të gjitha cilësitë e tjera.

20 -Demokraci është atëherë kur sundues janë të varfërit dhe jo të pasurit.

21- Shkollimi është parapërgatitja më e mirë për pleqërinë.

22-  Ashtu si sytë e lakuriqëve janë të verbuar nga drita, për të njëjtën arsye edhe shpirtrat tanë janë të verbër përballë gjërave të cilat shihen më qartë se gjithçka.

23- Sikurse një dallëndyshe e vetme nuk sjell pranverë, sikurse si një ditë e vetme nuk sjell pranverë; ashtu një ditë, një kohë e shkurtër nuk e bën njeriun të bekuar e të lumtur.

24- Sikurse ne i duam sa të vërtetën aq edhe miqtë tanë, nderi na thotë që të parën ta respektojmë të vërtetën.

25- Lumturia varet nga ne.

26- Ai që ka shumë miq, nuk ka asnjë.

27- Ai që do të ishte një sundimtar i mirë, duhet së pari të ketë qenë i sunduar.

28- Ai që është i paaftë të jetojë në shoqëri, ose ai që nuk ka nevojë ngaqë i mjafton vetvetja, duhet të jetë ose një bishë, ose një perëndi.

29- Homeri i ka mësuar të gjithë poetët e tjerë artin e të treguarit të gënjeshtrave me zotësi.

30- Shpresa është një ëndërr që nuk fle.

31- E quaj më të zotin atë që i tejkalon dëshirat e tij se atë që i pushton armiqtë e tij; sepse fitorja më e vështirë është ndaj vetvetes.

32- Për të hartuar një fjalim njeriu duhet t’i studiojë tri pika: së pari, mjetet e arritjes së bindjes; së dyti, gjuha; së treti, organizimi i përshtatshëm i pjesëve të ndryshme të fjalimit.

33- Nga nëntë raste në dhjetë, gruaja shfaq më shumë dashuri sesa ndjen.

34- Shtresat e ulëta ngrenë krye për të qenë të barabartë, dhe të barabartët ngrenë krye sepse duan të jenë shtresë sunduese. Kjo është gjendja mendore që i krijon revolucionet.

35- Është shenja e një mendje të ditur të jetë e aftë që ta mirëpresë një mendim pa u pajtuar me të.

36- Njeriu nga natyra është një kafshë politike.

37- Njerëzit veprojnë më shumë për shkak të frikës se për shkak të respektit.

38- Fatkeqësia i tregon ata që nuk janë miq të vërtetë.

39- Shumë njerëz parapëlqejnë të japin më shumë dashuri se të marrin.

40- Nënat janë më të dashura se etërit për fëmijët e tyre, sepse ato janë më të sigurta se ata janë të tyret.

41- Natyra nuk bën asgjë kot.

42- Asnjë shpirt i shkëlqyer nuk është i përjashtuar nga përzierja me çmendurinë. Nuk ka ekzistuar kurrë një gjeni i madh pa njëfarë çmendurie.

43- Bukuria vetjake është rekomandimi më i madh se çdo letër reference.

44- Qëllimi i të mençurve është jo për të sjellë kënaqësi, por për të shmangur dhimbjen.

45- I ditur ndryshon nga i padituri sa i gjalli nga i vdekuri.

46 – Rrënjët e shkollimit janë të hidhura, por frutet janë të ëmbla.

47- Sekreti i humorit është befasia.

48- Shpirti nuk mendon kurrë pa një përfytyrim.

49- Ato që i di, bëji. Ato që nuk e kupton, mësoji.

50- Ne bëjmë luftë që të jetojmë në paqe.

Kush osht Preshevari?

Shkruan: Latif Mustafa

Kush osht Preshevari?

Mu kon Preshevar do me thon mu kon shqiptar i ni vendi pa vend, pa vatër e pa shtet. Ni vend qi osht i rrethum me kufij shqiptar por nuk osht në shqiptari. Ni vend që me dekada i jep gjithçka shqiptaris por nuk e lyp asni mangër prej tij, si dashnia e nanës për fminë. Mu kon Preshevar osht t’jesh refugjat n’shqiptari. Shqiptar pa qendër, pa kryeqytet, pa atdhe e pa shtet. Mu kon Preshevar osht, mu kon ma i miri, më i vyshmi, ma i sjellshmi. Perfeksioni është arma e mbijetesës së tij. Në saje t’zotësisë së tij, ato e duan t’gjithë, e përvetësojnë deri në një pikë, kur ai e kupton se osht jetim, osht ndryshe, osht Preshevar. Mu kon Preshevar në Shqipëri është qesëndi se si shqiptari i Serbisë flet shqip si në Shqipëri, në Kosovë të shohin sa me ironi po aq edhe me dhembshuri, e në Maqedoni krejt me habi. Andaj kur po flitet për shkëmbim territoresh e drejtim kufijsh, të gjithë bojn me gisht kah preshevari, thua ti ai po e nxit një gjë të tillë. Po s’e vet kush Preshevarin! Por ama, Preshevari s’mund ta durojë dhembshurinë, syfaqësinë aq më pak tradhtinë; dhe kështu siç është, i vetmuar e i ngujuar veç në krenarinë e tij, me gjoks e me djersë do ta çajë Historinë.

Vdekja e George Floyd, protesta masive në mbarë Amerikën

Protesta të mëdha paqësore janë duke u zhvilluar në mbarë Shtetet e Bashkuara të Amerikës kundër racizmit dhe brutalitetit policor.

Kjo është dita 12-të e protestave të nxitura nga vdekja e George Floyd, shkruan BBC, transmeton Klan Kosova.

Dhjetëra mijëra njerëz kanë marshuar në Uashington DC, protestë kjo që po konsiderohet si më e madhja e qytetit deri më tani. Forcat e sigurisë kanë bllokuar çdo qasje në Shtëpinë e Bardhë.

Numër i madh njerëzish kanë protestuar edhe në New York, Chicago, LA dhe San Francisko.

Floyd, një njeri me ngjyrë dhe i paarmatosur ka ndërruar jetë më 25 maj në Minneapolis, pasi u torturua nga policia amerikane gjatë arrestimit.

Oficeri Derek Chauvin është pushuar nga puna dhe tani po akuzohet për vrasje.

Depp dyshon për donacionet e Heardit

Aktori Johnny Deep ka bërë kërkesë në gjykatë për të parë komunikimet e ish-bashkëshortes Amber Heard që mund t’i ketë pasur me një numër të organizatave bamirëse.

Ylli i trilogjisë “Piratët e Karaibeve” ka kërkuar të gjitha dokumentet që ish-bashkëshortja mund t’i ketë pasur me organizatat “American Civil Liberties Union” dhe “Children’s Hospital” në Long Angeles, në lidhje me donacionet që ka bërë ajo pas shkurorëzimit nga aktori në vitin 2017, raporton KOHA.

Përfaqësuesit ligjorë të yllit të Hollywoodit kanë bërë kërkesë për secilin dokument për të vërtetuar nëse aktorja njëmend i ka bërë donacionet.

Në marrëveshjen e shkurorëzimit, Depp ishte pajtuar që si kompensim t’ia ofronte aktores 9 milionë dollarë, me kusht që këto para të dhuroheshin për bamirësi.

Marrëveshja e shkurorëzimit u arrit pas disa javësh bisedime.

Aktorja kishte bërë kërkesë për shkurorëzim, duke e akuzuar Deppin se e ka sulmuar duke ia përplasur telefonin në fytyrë.

Heard më vonë tërhoqi akuzat se ishte abuzuar fizikisht nga aktori.

Alexander Dumas: Gratë kurrë nuk janë më forta se sa pas mposhtjes

“Unë nuk jam krenar por jam i lumtur, dhe lumturia mendoj që vërbon më shumë se krenaria.”

“Të gjitha përgjithësimet janë të rrezikshme, madje edhe ky.”

“Gratë kurrë nuk janë më forta se sa pas mposhtjes.”

“Dashuria e vërtetë, një burrë gjithmonë e bënë më të mirë, pavarësisht se cila grua e inspiron atë.”

“Dashuria është më vetiakja nga të gjitha pasionet.”

“Unë jam i fortë ndaj çdo gjëje, përveç ndaj vdekjes së atyre që i dua. Ai që vdes fiton; ai që i sheh të tjerët duke vdekur humbet.”

“Dashuria e pastër dhe dyshimi nuk mund të rrojnë bashkë; përmes derës që e dyta hyn, e para del.”

“Zoti është plotë mëshirë për të gjithë. Ai fillimisht është një baba para se të bëhet një gjykatës.”

“Zinxhirët e martesës janë aq të rëndë sa që nevojiten dy persona për ti bartuar ata. Ndonjëherë edhe tre.”

“Kurrë mos i besoni një armiku që ju bënë dhurata.”

– Alexandre Dumas

Unë, Biri Yt, Kosovë

Poezi nga Ali Podrimja

Unë, biri yt, Kosovë t’i njoh dëshirat e heshtura,
t’i njoh ëndrrat, erërat e fjetura me shekuj,
t’i njoh vuatjet, gëzimet, vdekjet,
t’i njoh lindjet e bardha, caqet e tuka të kulluara;
ta di gjakun që të vlon në gji,
dallgën kur të rrahë netëve t’pagjumta
e të shpërthej do si vullkan:-
më mirë se kushdo tjetër të njoh, Kosovë.
Unë biri yt./ KultPlus.com

Letër dashurie nga Gustave Flaubert

“Ty të dua si kurrë nuk kam dashur e si nuk do të dua më. Ti je dhe do të mbetesh e vetmja, e pakrahasueshme me asgjë tjetër. Eshtë diçka e pleksur dhe e thellë, diçka që më mban nga të gjitha anët, që kënaq të gjitha orekset e mia dhe përkëdhel sedrën time.

Realiteti yt gati zhduket. Përse sa herë mendoj për ty, të shoh me kostume të tjera, të ndryshme nga të tuat? Mendimi se ti je dashnorja ime më vjen rrallë, apo ti nuk formulohesh tek unë nga kjo. Kundroj fytyrën tënde të ndriçuar nga gëzimi, teksa lexoj vargjet e tua duke të admiruar.

Atëherë ajo ka një shprehje të shkëlqyer ideali, krenarie dhe mallëngjimi. Nëse mendoj për ty kur jam në shtrat, një krah i mbledhur, lakuriq, një kaçurrel i ngritur pak më lart se tjetri, duke parë tavanin. – Më duket se ti mund të plakesh duke u shëmtuar, por asgjë nuk do të dyve dhe të pavarur nga ne.

A nuk kam bërë gjithçka për të të lënë? A nuk ke bërë gjithçka që të duash të tjerë? Jemi kthyer prapë te njëri-tjetri, pasi jemi bërë për njëri-tjetrin. Të dua me gjithë zemër. Do doja të të dashuroja më shumë derisa të të bëja të lumtur, sesa të bëj edhe të vuash!

Unë dua të të shoh në përmbushjen e të gjitha dëshirave të tua”.

– Gustave Flaubert

“Veni, vidi, vici”! Shtatë parime të lidershipit nga Jul Çezari

Në ditët tona, Jul Çezari konsiderohet ende një prej strategëve më të mëdhenj ushtarakë të historisë, dhe emri i tij është gjithashtu sinonim i kultit të personalitetit dhe njeriut të fortë. Si arriti të ketë kaq shumë pushtet në jetë? Më poshtë disa mësime prej tij.

1. Rëndësia e slloganeve

Udhëheqësit më të mirë jo vetëm bëjnë veprime sensacionale – ata dinë gjithashtu të ofrojnë një histori bindëse.

Pas një lufte të shpejtë kundër një farë Farnace, Mbret i Pontos, Çezari dërgoi në Romë një raport me detajet e pushtimit të tij. Biografi grek Plutarku dhe historiani romak Svetoni pajtohen se komandanti nuk hyri shumë në detaje, por thjesht shkroi: “Veni, vidi, vici” (“Erdha, Pashë, Fitova”).

Frazat ishte aq efikase, sa e kujtojmë edhe sot, pas shumë shekujsh.

Çezari mund të ishte zgjatur në aftësitë e tij ushtarake (ishte autor i shumë shënimeve të gjata ushtarake), por ai e kuptoi se një resht i vetëm do ta dërgonte mesazhin me shumë më tepër forcë.

2. Marrja e risqeve

Në Romën e lashtë, kalimi i Rubikonit me një ushtri përbënte një sfidë të vërtetë. Ishte e barazvlefshme me shpallje lufte, gjë që ishte e ndëshkueshme me vdekje.

Kur Jul Çezari kaloi lumin me legjionin e tij, luajti gjithçka për gjithçka. Tek “Jetët e Çezarëve”, Svetoni shkruan se Çezari, kur kaloi lumin, citoi një dramaturg të Athinës, duke shpallur “vdekja është tërhequr”.

Riskoi gjithçka dhe i shkoi mirë.

3. Nuk ka asgjë të keqe të fillosh me pak

Shpesh, për t’u bërë udhëheqës, duhet të fillosh si peshk i madh në një pellg të vogël.

Çezari e kishte kuptuar dhe ia doli të marrë një pozitë pushteti, edhe pasi kishte humbur trashëgiminë e tij në rini, në një grusht shteti.

Sipas Plutarkut në veprën e tij “Jetë Paralele”, gjenerali bëri një koment kurioz kur po kalonte një fshat të vogël alpin: “Unë ju siguroj se preferoj të jem më mirë i parë këtu, se sa i dytë në Romë”.

4. Asgjë nuk është definitive

Si gjeneral, Çezari e dinte se gjërat mund të ndryshonin në një moment. Sipas “Jul Çezari: Mësime lidershipi nga pushtuesi i madh” i Bill Yonne, Çezari shkroi se “në luftë, ngjarjet me rëndësi të madhe kanë origjinë të parëndësishme”.

Të flesh mbi dafina nuk është një ide e mirë – sepse gjërat gjithmonë mund të kthehen në më të keqen.

5. Kurrë mos gënje veten

Edhe nëse je një udhëheqës i suksesshëm, kurrë mos arri në pikën që të besosh marrëzitë e tua. Tek “Gali i bukur”, që përshkruan një gabim taktik nga galët, kundërshtarë të tij, Çezari përfundon: “Në shumicën e rasteve, burrat janë të gatshëm të besojnë atë që duan”.

Udhëheqësit më të mirë sillen në mënyrë racionale dhe nuk lejojnë që ndjenjat e tyre ose nocionet e paracaktuara, të dominojnë vendimet e tyre. Instinkti është shumë i rëndësishëm, por udhëheqësit më të mirë e përdorin atë së bashku me arsyen, jo si alternativë të saj.

6. Kurrë mos u relakso, që të ulësh vigjilencën

Nuk ka rëndësi se sa gjithçka duket në rregull, udhëheqësit më të mirë gjithmonë arrijnë të parashikojnë pasojat më të këqija. Gjithmonë tek “Gali i bukur”, Çezari shkruan: “Herë pas here, perënditë e pavdekshme kanë zakonin t’u japin begati më të madhe dhe pandëshkueshmëri më të gjatë, atyre që duan të ndëshkojnë për fajet e tyre, në mënyrë që ata të mund të vuajnë më keq, në rrethana negative”.

Në praktikë, nëse kaloni një fazë pozitive, jini të kujdesshëm. Çezari vetë do të kish bërë mirë që ta ndiqte këtë këshillë. Por, nën diktaturën e tij, ai lejoi që një konspiracion të çonte në vrasjen e tij të famshme.

7. Kurrë mos u nënvlerëso

Për të marrë komandën, duhet të keni besim në aftësitë tuaja. Një gjë që Çezarit nuk i mungonte, siç e tregon edhe një incident ku, mes shumë rreziqeve të tjerë, ishin përfshirë edhe piratët! Duke rrëfyer jetën e Çezarit, Plutarku shkruan që në moshë të re, Jul Çezari u rrëmbye nga piratë, që kontrollonin Detin Mesdhe.

“Piratët kërkuan 20 talente për lirimin e tij, dhe Çezari duke qeshur u tha se nuk dinin kë kishin kapur, dhe u ofrua të pagojë pesëdhjetë”. Më pas Çezari u premtoi që, pasi ta lironin, do i vriste personalisht. Me t’u kthyer në liri, organizoi një flotë për t’i ndjekur, dhe bëri atë që kishte premtuar.

Washingtoni bëhet gati për protesta masive

Një numër i madh i protestuesve pritet të mblidhen në Washington sot, ka thënë kreu i policisë së këtij qyteti, gjersa protestat anë e mbanë SHBA-së janë duke hyrë në ditën e 12-të.

Disa aktivistë nëpër platforma të mediave sociale kanë bërë thirrje që të mblidhen një milion njerëz për protesta në kryeqytet, raporton Reuters.

“Kemi shumë informata publike dhe nga burimet e hapura që tregojnë se ngjarja që do të ndodhë të shtunën mund të jetë më e madhja që kemi parë ndonjëherë në këtë qytet”, tha shefi i policisë së Washingtonit, Peter Newsham, për mediat lokale, duke shtuar se shumica e trafikut në qendër të qytetit do të mbyllet që nga fillimi i ditës.

Newsham nuk dha ndonjë vlerësim për numrin e protestuesve që pritet të dalin në rrugë. Mediat lokale parashohin me dhjetëra mijëra pjesëmarrës, transmeton KOHA.

Guvernatori i Karolinës së Veriut ka urdhëruar që të gjithë flamujt nëpër ndërtesat publike të vendosen në gjysmë shtizë nga agimi e deri në muzg të shtunën për nder të George Floydit, i cili kishte lindur në qytetin Fayetteville të këtij shteti.

Të premten u mbajtën tubime dhe demonstrata në qytetet Atlanta, Los Angeles, Minneapolis, Miami, New York and Denver dhe vende tjera, dhe protestuesit sërish u tubuan përpara Shtëpisë së Bardhë edhe pse po binte shi. Protestat gjatë natës ishin kryesisht paqësore por tensioni është i lartë edhe pse autoritetet në disa shtete janë duke marrë masa për të reformuar procedurat e policisë.

S’jemi t’barabart as me skjaun!

Shkruan: Çun Lajçi

S’jemi t’barabart as me skjaun!

E hoqën reprocitetin
Ju mos e nemni Dardaninë
Kan ndrrua kohnat duhet ndrrua fara
E druej se trolli s’e duron tjetrën
E për shartime tepër vonë
Mos e nemni Dardaninë bimën po
Kopilua qenka n’sytë e shterun
Prejeni sa s’asht rritë në nyjen e dytë
Se pastaj dy herë bahet kopile
E s’hahet prej idhtësimit
Koha s’ka ndryshua po Nik Dardani
Ai e paska ndrrua rasadin
S’qenka i barabart as me vetën
As me skjaun!

Dardani,06.06.2020

Zuckerberg planifikon t’i rishikojë përmbajtjet e postimeve pas protestës së punonjësve të Facebookut

Pas një jave turbulente, drejtori ekzekutiv i Facebookut, Mark Zuckerberg, tha se kjo kompani planifikon të rishikojë “produktet dhe politikat” e saj pasi që punonjësit në këtë kompani në mënyrë shumë publike kundërshtuan vendimin e tij që të lejojë një postim nga presidenti Donald Trump, ka shkruar revista Digital Trends.

Zuckerberg tha në një postim në Facebook se vendimi për të rishikuar politikat e kësaj kompanie, e cila lejoi postimin e Trumpit “kur plaçkitja fillon, nisen plumbat”, erdh pas “reagimit të punonjësve, ekspertet e të drejtave civile dhe eksperteve të brendshëm”.

Ai tha se Facebook do t’i rishikojë politikat e veta që shqyrtojnë “kërcënimet e përdorimit të dhunës nga ana e shtetit” si dhe si të menaxhohen postimet të cilat mund të nxisin shtypjen e votuesve, dy tema për të cilat kjo kompani është kritikuar pas skandalit të vitit 2016 me kompaninë Cambridge Analityca, transmeton KOHA.

Postimi i Zuckerbergut erdh vetëm pas një jave pasi që e kishte mbrojtur vendimin e Facebookut për të lejuar postimin ndezës të Trumpit, edhe pasi që Twitter e kishte etiketuar dhe bllokuar ngase “lavdëronte dhunën”. Pas kësaj, punonjësit në Facebook shprehën mllefin e tyre ndaj mosveprimit të Zuckerbergut për të hequr këtë postim, dhe rreth 5,000 persona virtualisht lëshuan vendet e punës.

Postimi i Zuckerbergut të premten përfshiu listën prej shtatë temave të politikave që kjo kompani ka plan t’i rishikojë, përfshirë “nismat për të përparuar të drejtën racore dhe pjesëmarrjen votuese”.

“Duhet të rishikojmë nëse kemi nevojë të ndërrojmë strukturën për t’u siguruar se dëgjohen zërat e grupeve të duhura”, shkroi ai. “Jo vetëm kur janë në fjalë vendime që ndikojnë në grupe të caktuara, por edhe kur janë në pyetje vendime të cilat do të jenë precedent për gabime në të ardhmen. Jam i përkushtuar në rregullimin e përfaqësimit të llojllojshmërisë, përfshirjes së të gjithëve dhe drejtave të njeriut në proceset dhe menaxhimet tona, dhe së shpejti do të nxjerrim specifika se si mund të bëjmë përmirësime në lidhje me këto tema”, ka shtuar ai.

Isac Newton kishte propozuar shërimin e murtajës me të vjellën e bretkosës

Sidoqoftë, nuk është më keq se ideja që të injektohet dezinfektuesi. Në shekullin 17, Isaac Newton kishte shkruar recetën për ilaçin kundër murtajës, i cili përbehej prej përzierjes së bretkosës dhe te vjellës së saj për të larguar këtë sëmundje, shkruan The Guardian.

Dy faqe të pa publikuara te shkrimeve të Newton për librin e Jan Baptist van Helmont të vitit 1667 për murtajën që quhej De Peste, do të shkojnë në ankand online këtë javë. Njewton kishte qenë student në Kolegjin Trinity të Cambridge, kur universiteti u mbyll për shkak të rrezikut të infektimit më murtajë, e cila vrau 100.000 njerëz në Londër mes viteve 1665 dhe 1666.

Kur shkencëtari u kthye në Cambridge në vitin 1667, nisi studimin e librit të Van Helmont. Analiza e tij e librit De Peste është shkrimi më i rëndësishëm që Newtoni ka bërë në lidhje me murtajën, transmeton KOHA.

Edhe pse këto shkrime janë interesante për shkak kohës së pandemisë nëpër të cilën po kalojmë, disa nga ilaçet e propozuara nga Newton vështirë se do të përdoren këto ditë. Ai shkruan se ilaçi më i mirë është “bretkosa e lidhur për këmbë në oxhak për tre ditë, dhe e cila pastaj vjellë insektet që i ka ngrënë. Kombinimi i bretkosës me te vjellat dhe serumin i cili vendoset ne fasha dhe mbahet në vendet e prekura, e ka hequr sëmundjen dhe ka tërhequr helmin”, ka shkruar ai.

Pavarësisht famës së Newtonit, këto shkrime nuk janë përfshirë në asnjë punë të tij të publikuar. Kur Newton vdiq në vitin 1727, arkiva e madhe e punës së tij iu la mbesës Catherinë Conduitt. Arkivi mbeti me familjen deri në vitin 1872, kur trashëgimtari i tij, Isaac Newton Wallop, i dhuroi këto shkrime kolegjit Trinity në Cambridge. Ky universitet mbajti vetëm shkrimet shkencore dhe matematikore dhe ia ktheu familjes shkrimet më kontroverse rreth alkimisë, teologjisë dhe filozofisë.

Këto shkrime do të dalin në ankand me vlerë prej 80,000 deri 120,000 dollarë.

Bertrand Russell: Jeta e mirë inspirohet nga dashuria dhe udhëhiqet nga dija

“Dashuria është shumë më tepër se sa dëshira për marrdhënie seksuale; ajo është mjeti kryesor për të ikur nga vetmia e cila i prek meshkujt dhe femrat përgjatë pjesës më të madhe të jetës së tyre.”

“Jeta e mirë inspirohet nga dashuria dhe udhëhiqet nga dija.”

“Shpresat ekstreme janë të lindura nga mjerimet ekstreme.”

“Njerëzit janë të lindur injorantë, jo budallenjë. Ata i bënë budallenjë edukimi.”

“Dehja është vetvrasje e përkoshme.”

“Martesa për gruan është mënyra më e zakonshme e jetesës dhe sasia e përgjithshme e seksit të padëshiruar, e duruar nga gruaja, me shumë gjasë është shumë më e madhe në martesë se sa në prostitucion.”