Shpaloset programi garues i dokumentarëve PriDocs në PriFest

Sikur në edicionet e kaluara edhe edicioni i sivjetëm i PriFest sjell të gjitha ngjyrat e filmit dokumentar, përmes një programi filmash që kalon nga Anglia, Gjermania, Spanja, Turqia, Belgjika, Tunizia e deri tek Ekuadori dhe SHBA. 1 Premiere Ndërkombëtare,1 Europiane dhe 3 Regjionale,ndër tjerash, përbën programin e PriDocs edicionin e 10-të të PriFest-it, që mbahet nga 17-22 Korrik në Prishtinë.

Filmat dokumentarë në këtë program premtojnë të zgjerojnë horizontet e audiencës së festivalit me tematika sociale që nisin nga lufta, politika dhe armët e deri tek mbrojtja e ambientit e dashuria, si nocione që thyejnë kufijtë dhe barrierat e shteteve. Me këtë shumëllojshmëri temash, ky program pritet të sjell me të vërtetë shumë filma të veçantë, në mesin e tyre edhe dokumentarin “Mr.Gay Syria” nga Turqia, i cili shënoi suksese si fitues i çmimit kryesor për film dokumetar në Chicago International Film Festival si dhe në Sarajevo Film
Festival.

Një dokumentar i jashtëzakonshëm i regjisores Ayşe Toprak, “Mr.Gay Syria”,trajton një kritikë delikate ndaj autoriteteve dhe burokracive të mëdha që kontribojnë në margjinalizimin e mëtejshëm të qytetarëve të saj. Për më shumtë, filmi transmeton gëzimet dhe betejat e një komuniteti shumë të keqinterpretuar dhe e bën këtë me humor, zemër dhe dhembshuri.

Po aq i rëndësishëm sa dokumentari i lartpërmendur është edhe filmi “Man Made” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që në këtë edicion të PriFest do të ketë premierën e tij ndërkombëtare.

Lista e plotë e dokumentarëve që do të shfaqen në këtë program:
1. Arcadia (Britani e Madhe), Premierë Kosovare,
2. The last tape (Gjermani), Premierë Kosovare,
3. The unity of Birds (Spanjë, Argjentinë), Premierë Regjionale,
4. Mr. Gay Syria (Turqi), Premierë Kosovare,
5. Upon the Shadow (Tunizi), Premierë Kosovare,
6. Burkinabè Rising: The Art of Resistance in Burkina Faso (SHBA, Bullgari,
Burkina Faso), Premierë Regjionale,
7. Nothing is Forgiven (Belgjikë), Premierë Regjionale,
8. The Kitman (Ekuador), Premierë Evropiane,
9. Man Made (SHBA), Premierë Ndërkombëtare.

Audienca e PriFestkëtë vit nga data 17-22 Korrik, do të mund të përcjellë filma në hapësirat e Teatrit Kombëtar (dy salla), Kinemanë nën qiellin e hapur te Sheshi “Zahir Pajaziti” si dhe në hapësirën tonë më të re, “Kino Armata”.

Më shumë të dhëna sa i përket shitjes së biletave do të bëhen të ditura më vonë. Gjithashtu, sikur në edicionet e kaluara, edhe sivjet PriFest ofron mundësinë e blerjes së kartelave “All in One”, të cilat kushtojnë 10 euro dhe mundësojnë përcjelljen e të gjitha filmave të festivalit. Për të marrë këtë kartelë mund të na shkruani në [email protected] apo të thirrni në zyrën e festivalit ( +38343714944)

Në javët në vazhdim, festivali më i madh në vend do t’i bëjë të ditura edhe befasitë tjera, andaj ju ftojmë që të rezervoni datat dhe të përgatiteni për një javë plot filma, debate dhe aktivitete tjera që do t’i japin kryeqytetit, Prishtinës, një freski tërësisht unike në mes të verës.

Gucci risjellë në modë sandalet tuaja të fëmijërisë me një çmim marramendës

Shtëpitë e mëdha të modës rikthejnë herë pas here modën e viteve të kaluara. Të njëjtën gjë ka bërë Gucci dhe firmat e tjera me sandalet e dikurshme, të cilat po i shikojmë gjithmonë e më shumë të veshura nga blogeret.

A ju kujtohen sandalet plastike të fëmijërisë, që shumë prej nesh i kanë pasur të pandara në përditshmëri? Dikur i blenim me nje çmim modest, por tani jo më.

Gucci i ka risjellë në modë këto sandale, të cilat mund t`i bëni tuajat për një vlerë prej 500 dollarësh. E pabesueshme, apo jo? Epo janë Gucci!

Këngëtarja e vrarë në Turqi, me prejardhje nga Ballkani

Këngëtarja e njohur, Hacer Tulu, 40- vjeçare që u qëllua për vdekje në një klub nate në Turqi kishte prejardhje nga Bosnja. Hacer ishte modele, aktore, si dhe këngëtare.

Ajo kishte lindur më 10 prill 1978 në Izmir të Turqisë. Prindërit e saj kishin prejardhje nga Bosnja, imigrantë në Turqi.

Këngëtarja kishte edhe një vëlla dhe besohet se ka edhe një vajzë pesëmbëdhjetë vjeçare.

Ajo kishte studiuar në drejtimin -Marrëdhënie me Publikun, ndërsa ishte artiste e njohur në Turqi me më shumë se 50,000 ndjekës në Instagram.

Në kanalin YouTube ka më shumë se 4 milionë shikime. / KultPlus.com

Shkolla ‘Ismail Qemali’ kaplohet nga uji

Prishtina është vërshuar sot nga reshjet e shiut. Kjo gjendje ka krijuar edhe kaos në Shkollën Fillore ‘Ismail Qemali’ në Prishtinë e cila gjendet në lagjen Bregu i Diellit.

Ky objekt për shkak të problemeve me kanalizim edhe është mbushur me ujë pas reshjeve të shiut.

Gazeta Express ka siguruar pamjet se si është bërë korridori i shkollës në të cilin ka depërtuar edhe uji brenda.

Kjo nuk është hera e parë që shkolla ‘Ismail Qemali’ bëhet në këtë gjendje. / KultPlus.com

Atdheu

FATOS ARAPI

Atdheu është dhembje, është dhembje,
Një prill i pikëlluar në shpirt.
Atdheu është kryqi, është kryqi.
E mban – edhe të mban ty – në shpirt.

Atdheu është toka e premtuar.
Ti shkel si një zot dhe s’e ke ndën këmbë.
Atdheu s’ka fjalë, ka sy të trishtuar.
Vdes dashuria në dashuri që të çmend.

Atdheu është buka e uritur:
Të ikën nga duart e dot nuk e ngop.
Ëndërr dhe ankth dhe shpresë e sfilitur.
Me sytë n’errësirë vetveten kërkon.

Atdheu është varr i hapur, është varr.
Një jetë drejt tij shkon me besë që bind.
Në një pikë loti mbyt lotin fatvrarë.
Në një pikë loti lirinë e lind.

Atdheu yt i vogli, i vogli,
ai hyjnori, i pavdekshmi – loti.

‘Së shpejti do të futemi në grevë urie’, dramë rreth Teatrit Kombëtar

Ka vijuar e sot pasdite protesta e artistëve në mbrojtje të godinës së Teatrit Kombëtar. Aktori Arben Derhemi e nisi fjalën e tij me një interpretim, për ti ftuar më pas të gjithë qytetarët, që ti bashkohen jo vetëm me zemër kauzës së teatrit, por edhe fizikisht. Sipas tij, nëse do ketë qëndresë nga ana e qeverisë, artistët do të futen në grevë urie në këtë teatër .

“Mos guxoni të prekni këtë vend të fusni shkrepsen. Mos guxoni ti afroheni Teatrit Kombëtar. Harroheni flakën ky nuk merr flakë”, tha Derhemi. Bashkë me artistët e shoqërinë civile është bashkuar dhe Partia Demokratike. Arbër Cepani aktivist u fokusua në aspektin e trashëgimisë kulturore që ky teatër ka.

“Më pëlqen ky forum njerëzish të lirë që e thonë mendimin e tyre në mënyrë të lirë. Tirana është një qytet që po ndryshon me ritme të shpejta nga dita në ditë. Të gjithë ata që jetojnë jashtë e shohin këtë . Kjo nëse nuk mirëstudiohet mund të kthehet në një bumerang për qytetin. Ajo çfarë bëjmë ne si qytetarë është të shohim esencën e një qyteti. Nëse ne shkojmë në një qytet pa identitet nuk na ngelet asgjë në mëndje. E njëjta gjë është me Tiranën. Ky është teatri që ne kemi, kjo është tradita jonë ndaj duhet ta ruajmë për faktin që ka historinë e artit tonë” tha ai.

Sipas tij ka mijëra mënyra për ta rikonstruktuar e për ta ribërë nga e para, por duke ruajtur fasadën aktuale. Ndërsa producentja Sabina Kodra u shpreh se “është sfilitëse kjo histori, pasi këta njerëz punojnë e përpiqen të përcjellin një mesazh që është :kjo godinë nuk është thjesht godina e Teatrit Kombëtar por kështjella e rezistencës shqiptare. Unë besoj që ne shqiptarët të kthejmë një kauzë ta kthejmë këtë godinë në kështjellën e rezistencës”. Brisejda Gjikondi u shpreh se ndjehej e trishtuar duke parë arrogancën e kryeministrit kundrejt gjithë historisë së vendit.

Sheshi “Skënderbej” i Tiranës shpallet hapësira më e mirë publike në Evropë

Në Barcelonë ditën e sotme u nda çmimi Evropian për Hapësirën më të Mirë publike, i cili u fitua nga sheshi “Skënderbej” i Tiranës.

I pranishëm në Barcelonë ishte edhe kryetari i Tiranës, Erion Veliaj. Çmimi për sheshin “Skënderbej” u dha nga një juri ndërkombëtare, transmeton tch.

Ishin 280 projekte në konkurrim nga 32 shtete evropianedhe vendi i parë u fitua pikërisht nga sheshi “Skënderbej”.

Juria Ndërkombëtare e Çmimit Urban të Hapësirës Evropiane përzgjodhi 25 punime si finaliste në mesin e 279 projekteve nga 32 vende evropiane. Çmimi Evropian për Hapësirën Publike Urbane organizohet nga Qendra për Kulturë Bashkëkohore të Barcelonës (ÇCB) dhe me partnerët: Muzeu Gjerman i Arkitekturës (Frankfurt); Muzeu i Arkitekturës Finlandeze (Helsinki); Muzeu i Arkitekturës dhe Dizajnit (Lubjanë); Fondacioni i Arkitekturës (Londër); Qyteti i Arkitekturës dhe Trashëgimisë (Paris) dhe Qendra e Vjenës e Arkitekturës (Vjenë)

Vjeshtë 1990

FREDERIK RRESHPJA

Qan dreri në korije dhe lotët bëhen shi
Trishtohet era mbi shkëmb
Nuk ka më gjethe të gjelbra. Po bien
Ëndrrat e pyjeve një nga një

Ikin zogjtë nga shkretimi i drurëve:
Lamtumirë, o pyje të Ballkanit!
Veç nën një ferrë kaltëron ende
Vjollca e fundit e këngës së bilbilit

Ardhtë një vjeshtë pa shtegtim zogjsh!
Ardhtë një Zot, vëntë orë mbi stinët!

‘Sukseset e shqiptarëve në vende të tjera të botës, janë suksese individuale’

Milazim Krasniqi

Sukseset e shqiptarëve në vende të tjera të botës, janë suksese individuale të tyre dhe të shoqërive që kanë investuar në ta. Pra, jo të shoqërisë sonë e as të kombit tonë. Prejardhja në këtë rast nuk ka ndonjë rol për suksesin e tyre. A nuk mund të përdoren ata si fymëzim? Mbase edhe munden. Por kam frikë se funksionojnë edhe në drejtimin e kundërt, pra, frymëzojnë edhe të tjerë që të ikin si ata, nëse ëndërrojnë që të bëhen të suksesshëm. Prandaj, vetëm sukseset e atyre që jetojnë dhe kanë arritje këtu, mund të jenë frymëzuese tamam. Fjala vjen, Majlinda Kelmendi është frymëzuese më shumë se të gjithë të suksesshmit jashtë vendit. Pa e shikuar cështjen kështu, nuk do të kemi projekte për të rritur numrin e të suksessshme këtu. Do të vazhdojmë të llogarisim sukseset e të tjerëve si gjoja tona, e do të hidhërohemi si fëmijë tekanjozë, kur nuk na plotësohen tekat nga “tanët” që realisht nuk janë tanët.

Arta Dobroshi në shkollën e bombarduar, një mesazh për Ditën Botërore të Refugjatëve (VIDEO)

Aktorja Arta Dobroshi ka ndarë me ata që e pëlqejnë karrierën e saj, një video në të cilën ajo kujton kohën kur shkolla e mesme ku ajo mësonte u bombardua.

Dobroshi mesazhin e ka dhënë me anë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, në Ditën Botërore të Refugjatëve.

Në vitin 1999, ajo u nis për në Maqedoni ku edhe u shndërrua në një refugjate që largohej nga lufta në Kosovë.

Në video ajo tregon më shumë se sa të ngjashëm jemi të gjithë, se çdo njeri në këtë botë ka të drejtën e arsimimit dhe lirisë.

Ajo thotë se gjithmonë duhet ndihmuar ata që largohen nga lufta, nga vendet ku ka konflikt dhe ku nuk mbretëron paqja, ndërsa ndan tregimin e saj personal si refugjate në kohën kur ndodhi lufta në Kosovë. / KultPlus.com

Burbuqe Berisha jep dorëheqje nga pozita në Teatrin Kombëtar të Kosovës

Burbuqe Berisha e ka parashtruar dorëheqjen e saj nga pozita që zë në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Për shkak të presionit nga Agjensioni Antikorrupsion, Burbuqe Berisha i ka shkruar Ministrit Kujtim Gashi duke treguar arsyet pse po largohet nga kjo pozitë, si kryetare e Bordit në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

“Nuk po e shoh aspak të arsyeshme ku si një qytetare e ndërgjegjshme e Republikës së Kosovës dhe e ndershme njëkohësisht në veprimtarinë time duke i ikur çdo konflikti interesi, të më kërkohet një gjë e tillë. Unë asnjëherë nuk kam qenë përfituese e të mirave që ofron ky shtet” ka shkruar mes tjerash Burbuqe Berisha.

Ajo thotë se është kushtëzuar ta marrë një vendim të tillë, shkruan KultPlus.

“Çdoherë punën time artistike e kam punuar pothuajse vullnetarisht, por mund edhe ti ketë penguar dikujt fuqia ime artistike dhe profesionale. Gjithsesi dua ta respektoj deri në momentin e fundit ligjin dhe shtetin. Për momentin gjendja ime shëndetësore është e rëndë, prandaj nuk kam mundësi që këtë letër ta dorëzoj personalisht” shkruhet në letrën që i ka shkuar Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve nga Burbuqe Berisha.

Berisha ka qenë e angazhuar edhe si regjisore brenda Teatrit “Faruk Begolli” në Kolegjin AAB ndërsa më herët ka mbajtur poste të ndryshme vendimmarrëse në skenën kulturore dhe artistike në Kosovë, krahas punës si regjisore. / KultPlus.com

Visar Kuçi Trio, të shtunën performojnë në Lumbardhi

Visar Kuçi Trio do të performojë në Lumbardhi të shtunën me 23 qershor.

Visar Kuçi Trio u formua në 2013 dhe është i përbërë nga Visar Kuçi (Kitarë), Enver Muhamedi (Doublebass), Enes Bajramliqi (Bubnje). Ata morën pjesë në shumë evente të ndryshme dhe në festivale si Prishtina Jazz Fest në Prishtinë, Mirëdita/Dobardan në Beograd.

Pas koncertit promovues të albumit të tyre të parë “Modern Waves” në dhjetor të vitit 2017 Visar Kuçi Trio vjen për herë të parë në Prizren për një koncert autorial.

“Koncerti i parë në Prizren do të jetë njëherësh edhe i pari i një numri të koncerteve që do të organizohen gjatë muajve në vijim e që do të mbahen në Kosovë, Maqedoni, Turqi dhe Gjermani. Ky koncert promovon muzikën autoriale të trios nga studio albumi i tyre i parë

Modern Waves” i cili u publikua në dhjetor të vitit të kaluar.” U shpreh Visar Kuçi.

Repertori i tyre përfshinë komponime prej Jazz-it klasik deri te ai eksperimental dhe natyrisht komponimet e tyre origjinale.

Koncerti do të filloj në orën 21:00 dhe biletat do të shiten në Lumbardh me çmim prej 2 Euro. / KultPlus.com

Kuvendi i Maqedonisë miratoi Marrëveshjen për emrin

Me 69 vota për asnjë kundër asnjë e përmbajtur dhe pa prezencën e opozitën Kuvendi ratifikon marrëveshjen mes Maqedonisë dhe Greqisë për çështjen e emrit.

“Marrëveshja”, Zaev: Vendimi përfundimtar në duart e qytetarëve

Kryeministri Zoran Zaev në fjalimin e tij në seancën kuvendore për ratifikimin e marrëveshjes me Greqinë tha se qytetarët do ta sjellin vendimin përfundimtar për çështjen e emrit, raporton Alsat-M.

“Para tre ditëve nënshkruam dokument për t’i dhënë fund çështjes tre dekadëshe. Kemi nënshkruar fillimin e fundit të paqartësive. Zgjidhje e dinjitetshme për të dyja palët. Gjuha dhe identiteti nuk do të shkelen nga marrëveshja”, deklaroi Zoran Zaev, kryeministër.

Zaev kërkoi mbështetje nga deputetët duke thënë se kjo është një ditë e madhe për Maqedoninë.

“Kjo ditë e bën të qartë se do të marrim datë për fillimin e bisedimeve me BE-në”, deklaroi Zaevi.

Grubi: “Marrëveshja” hap rrugën euro-atlantike të vendit

Deputeti i BDI-së, Artan Grubi, para deputetëve ka folur se pse duhet të ratifikohet marrëveshja me Greqinë.

“Jeta të mëson se vendimet duhet t’i sjellësh në kohë të duhur, jo vonë, por në kohë të saktë. Sot është koha e vendimit më të vlefshëm për të ardhmen tonë të përbashkët. Vendimi i sotëm na sjell datë për negociata me BE-në dhe ftesë për anëtarësim në NATO”, deklaroi Grubi.

Sopranoja shqiptare Blerta Zhegu do të performojë në arenën e Choregie d’ORANGE

Sopranoja shqiptare Blerta Zhegu do të interpretojë krahas yjeve të muzikës lirike në takimin vjetor më të rëndësishëm të muzikës lirike në Francë, në Teatrin Orange.

Krahas Blerta Zhegut, me 20 qershor do të jenë edhe artistët e njohur si: Kévin Amiel, Fabien Barcelo, Sara Blanch Freixes, Jean-François Borras, Ambroisine Bré, Hélène Carpentier, Nicolas Cavallier, Chloé Chaume, Fabienne Conrad, Karine Deshayes, Aude Extremo, Christian Helmer, Irakli Kakhidze, Armelle Khourdoïan, Florian Laconi, Moises Order, Amélie Robins, Erwin Schrott, Florian Sempey, Philippe Talbot, Jean Teitgen, Valentin Thill, Beatrice Uria Monzon e të tjerë.

https://www.youtube.com/watch?v=f3sacuRT0o8

Këta artistë dhe shumë të tjerë do të jenë të pranishëm dhe do të mahnisin të pranishmit me zërin e tyre duke iu ofruar edhe një natë të paharruar nën qiellin e hapur. Kënga franceze do të ketë vendin e saj në këtë natë të jashtëzakonshme me këngë të Salvatore Adamo si dhe duke kujtuar këngëtaren Maurane, e cila vdiq vitin e kaluar.

Të gjithë të interesuarit këtë koncert mund ta ndiqni edhe live në linkun më poshtë ditën kur do të mbahet koncerti duke filluar nga ora 20:40. / KultPlus.com

Dua Lipa dhe Action Bronson ‘i kanë 1000 kushërinj që do të vijnë në festival’

Dua Lipa dhe Action Bronson, dy shqiptarë të njohur në botë, do të jenë disa prej performuesve në Sunnyhill Festival, këtë gusht në Prishtinë.

Dua ka postuar një fotografi me Bronson në Instagram dhe ka treguar se të dytë do të vijnë në Prishtinë për koncertin e radhës.

“Siç thotë Bronson – I kam 1000 kushërinj që do të vijnë në festival, dhe sjelli edhe ti kushërinjtë tu” ka shkruar Dua në fotografi.

Të dytë janë në mesin e të tjerëve që do të performojnë në Sunnyhill Festival në muajin gusht në Prishtinë. / KultPlus.com

Bebe flet për problemet që ka me ankthin

Këngëtarja me prejardhje shqiptare, Bebe Rexha ka pozuar për revistën “Teen Vogue”.Përveç fotografive, 28-vjeçarja ka folur për problemin e kamotshëm me ankthin.

Në këtë intervistë, ajo ka thënë se që nga fëmijëria është e shqetësuar, derisa ka shtuar se me ankthin përballet çdo ditë të jetës së saj.

“Qaj shumë. Është e vështirë. Kam mjekun tim dhe kam njerëz me të cilët bisedoj. Është betejë e përditshme, e ndjej”, ka thënë Bebe Rexha. “Nuk dua të ushqehem me të, por stili im i jetës është i çmendur”.

Si shtesë në terapinë ndaj ankthit, Bebe angazhohet në punë dhe nuk përdor shumë rrjetet sociale, si pjesë të betejës ndaj anktheve, por kujton se ankthet i përballonte me vështirësi kur ishte adoleshente.

“Kur fillova vitin e parë të kolegjit, isha nervoze. Nuk dija si të përballesha me problemet dhe si të jem rreth njerëzve. Isha nervoze gjatë tërë kohës”, ka thënë Bebe Rexha.

Këngëtarja me prejardhje shqiptare, përkundër suksesit të këngëve “Girls”, “Monster”, ka ndjenja të përziera për albumin e saj të parë “Expectations” që do të publikohet më 22 qershor. / KultPlus.com

Sandalet

Poezi nga Alda Merini, përktheu nga italishtja Ben Meçe.

Ke harruar sandalet e dashur,
sandalet e tua të preferuara,
i gjeti poshtë krevatit tim
pastruesi
duke fshirë në mbrëmje
gjeti sandalet e tua;
hajde merri sandalet e tua e dashur
sandalet prej druri
sandalet prej druri biblik
hidhja në fytyrë Atit
që na ndau nga zemrat.

Festa e Muzikës do të shënohet edhe në Prishtinë

Ambasada e Francës në Kosovë dhe Aleanca Franceze në Prishtinë në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, të enjten me 21 qershor do të organizojnë koncerte të ndryshme për të shënuar Festën e Muzikës, shkruan KultPlus.

Të gjitha koncertet do të mbahen në Amfiteatrin e Sheshit “Zahir Pajaziti” në Prishtinë dhe do të jenë gratis.

Festa e Muzikës është mbajtur për herë të parë në vitin 1982 duke pasur si synim promovimin e muzikës dhe krijimin e një hapësire për instrumentistë të ndryshëm. Vitin e kaluar kjo festë u shënua me koncert dhe muzikë falas në më shumë se 120 shtete.

Më poshtë mund të shihni programin për këtë ditë:
17:00 Koncerte të organizuara nga Qendra Kulturore e Fëmijëve Prishtinë
18:30 Get up Dance (performanc hip hop)
20:00 Koncert – Elsa Hyseni
21:00 Koncert – Dren Abazi & Zig Zag Orchestra./KultPlus.com

PriFest prezanton programin garues të filmave të metrazhit të mesëm

Festivali më i madh Ndërkombëtar i Filmit në vend, PriFest, i cili do të ketë edicionin e 10-të në Korrik, ka publikuar programin Garues të filmave të Metrazhit të Mesëm, i cili përfshin gjithsejt 10 filma.

Programi Garues i filmave të Metrazhit të Mesëm do të ketë 10 filma që vijnë nga pjesë të ndryshme të botës, ku 3 prej tyre janë Premiera Botërore ndërsa 2 Premiera Regjionale.

Në këtë kategori të hapur ndërkombëtare në kinemanë botërore, audienca jonë do të ketë mundësi të shikojë filma nga Kroacia, Franca, Rusia, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Republika e Maqedonisë. Në theks i vecantë në këtë kategori është premiera botërore e filmit kosovar “Klithma” me regji të Korab Lecaj, dhe producent e ne rolin kryesor Hazir Haziri.

Një dramë familjare shumë e fuqishme e cila pasqyrohet në traumën e përdhunimit seksual që u zhvillua gjatë luftës së fundit në Kosovë. “Florian’s Last Climb” dhe “Legend of the rice grain” – të dy produksione Gjermane – gjithashtu do të kenë premierën e tyre botërore në programin Garues të filmave të Metrazhit të Mesëm të PriFest-it.

Filmat në këtë program garojnë për cmimin “Hyjnesha e Argjendtë”.

Më poshtë gjeni përmbledhjen e plotë të programit Garues të Metrazhit të Mesëm për edicionin e 10-të të PriFest:

1. “KLITHMA” – Kosovë, Premierë Botërore
2. “MARY” – Kroaci, Premierë
3. “THE APP” – Francë, Premierë Regjionale
4. “THE SERVANTS” – Francë, Premierë
5. “CHOCOLATE WIND” – Rusi, Premierë Regjionale
6. “FALLOU” – Britani-Senegal, Premierë Regjionale
7. “LEGEND OF THE RICE GRAIN” – Gjermani, Premierë Botërore
8. “A DISCRETION” – Francë, Kosovo Premiere
9. “FLORIAN’S LAST CLIMB” – Germani, Premierë Botërore
10. “ECLAIR” – Maqedoni, Premierë

Këtë vit, nga 17-22 korrik, audienca PriFest do të ketë mundësi të shikojë filma në Teatrin Kombëtar (dy salla), Open Air Cinema në Sheshin Zahir Pajaziti dhe gjithashtu në hapësirën tonë më të re, Kino Armata. Së shpejti do të njoftojmë për cmimet e biletave dhe pakot për të gjithë javën e festivalit.
Në ditët në vijim PriFest do të publikojë emrat e filmave që do të përbëjnë kategoritë e tjera të edicionit të këtij viti, andaj ju ftojmë që të rezervoni datat, dhe të përgatiteni për një javë me shumë filma, debate dhe aktivitete tjera që do t’i japin kryeqytetit tonë, Prishtinës, një freski tërësisht unike në mes të verës.

Flet dizajnuesi i logos: I kam ikur patriotizmit

Dizajnuesi i logos së Federatës së futbollit të Kosovës, Sali Musliu, ka folur për KALLXO.com duke shpjeguar domethënien e logos, për të cilën u diskutua dhe po vazhdon të diskutohet në publik.

Ai thotë se ka lexuar shumë interpretime për logon e tij, mirëpo asnjëra nuk qëndron.

“Me ju thonë të drejtën, nëpër media e gazeta të ndryshme kam dëgjuar variacione e interpretacione nga më të ndryshme dhe shumë nga to s’kanë lidhje hiç me logon të cilën e kam punuar për Federatën e Futbollit të Kosovës”, ka thënë Musliu për KALLXO.com

Musliu thotë se qëllimi i tij ka qenë që “me pak të tregoj shumë”, e që në gjuhën e artistëve të kësaj fushe njihet si parim i lëvizjes “Bauhaus”.

“Për me formësue qëllimin… vendosa që t’i ndjek parimet e lëvizjes ”BAUHAUS ” – funksionalitet, racionalitet, përmbajte… pra, të gjitha këto është dashtë me i ndrydhë me një shprehje minimaliste, e që shqip i bie – ‘sa më pak aq ma shumë!’”, thotë tutje Musliu për KALLXO.com.

Tutje, ai thotë se kjo ka qenë finesa e parë e zhvillimit të idesë së krijimit të logos, që sipas tij s’ka të bëjë asgjë me patriotizëm e folklorizëm.

“Këto kanë qenë pra finesat e para se në ç’drejtim duhet me u zhvillue ideja, çka po du me thonë është se bash fillova me udhëtue n’drejtim t‘kundërt prej folklorizmit, patriotizmit, federativni e do qesi sene”, tha ai tutje në intervistën për KALLXO.com.

Ai e vlerëson logon si të pastër, pedante e pa ngarkesa, ndërsa estetikisht thotë se posedon refleksion të bukur.

“Estetikisht posedon refleksion t’kojshëm dhe është kompakte për nga vizualiteti estetik”, tha tutje ai.

Duke folur për topin që shihet në logo, Musliu jep këtë sqarim.

“Topi është i punuar me dorë të lirë me qëllimin që të shfaqet dinamika ekspresive në logo”, tha tutje Musliu.

Ai thotë se logoja është unike për shkak se vizatimi i lirë është i ndërthurur me programet aplikative.

Ai ka komentuar edhe disa prej logove tjera që thotë se i ka parë në media. Musliu thotë se i vjen mirë që ka qenë pjesë e kësaj gare, ndërsa për dizajnet tjera shprehet kështu:

“Unë mendoj se duhet kompjuteri me mendu me kokën tonë dhe jo koka jonë me mendu si kompjuteri”.

Musliu e ka pranuar se ka lidhje familjare me drejtoreshën e marketingut në FFK, mirëpo thotë se me aq sa ka njohuri, ajo s’ka ndikuar sepse s’ka qenë në komision.

“Në bazë të njohurive të mija që kam zonjusha në fjalë nuk ka pasur ndikim sepse mesa di unë ajo nuk ka qenë pjesë e komisionit. Ndërsa sa i përket afërsisë familjare, po, zonjusha në fjalë është familjare me bashkëshorten”, tha për KALLXO.com Musliu.

Ai thotë se për anëtarët e komisionit përzgjedhës të logos ka kuptuar vetëm pas publikimit në media derisa thotë se kanë bërë një punë shumë të mirë.

“Mendoj se ka qenë një përzgjedhje shumë e mirë dhe me kredibilitet profesional për të bërë përzgjedhjen e logos së Federatës”, tha tutje Musliu.

Për fund, Musliu ka thënë se logoja e re është ma e bukur se ajo e Serbisë, ndërsa ka propozuar që ta çojnë nga një gotë dhe të shikojnë futboll.

“Po e shfrytëzoj kompetencën time prej artisti duke iu drejtuar të gjithë shqiptarëve dhe pakicave në Kosovë se, nga data 16.06.2018, kosovarët e kanë një logo shumë ma të bukur se të Serbisë… çojeni nga nji gotë dosta dhe kshyrni Futboll”, tha për fund dizajneri Musliu që jeton dhe vepron në Gjermani.

Sot gjatë ditës një grup shumë i vogël i qytetarëve kanë protestuar para zyrës së FFK-së për logon e përzgjedhur. / KultPlus.com

Tito në letërsinë shqipe në Jugosllavi

Nga Ibrahim Rugova
Prishtinë, Dhjetor 1977

Duke punuar në këtë temë, vetvetiu m‘u imponua problemi i një vështrimi teorik të çështjes, apo ndoshta, po ashtu, vetvetiu m‘u imponua edhe nga interesimi im teorik, që po e formuloj në formë pyetëse – tezë: përse shkrimtarët dhe artistët, për objekt të veprave të veta i marrin shëmbëlltyrat e kohës së vet, dhe madje përse në mënyrë të vazhdueshme! Në vijim do të përgjigjem me shembullin e Titos dhe me praktikën krijuese të letërsisë sonë.

Që në fillim mund të thuhet se shëmbëlltyra e Titos është mjaft e pranishme në letërsinë shqipe në Jugosllavi, do të thotë në të gjitha format e krijimit letërar. Me këtë rast çështjen e pranisë duhet ta vështrojmë dhe ta pranojmë në kuadër të procesit të difirencimit që ekziston midis formave letrare, e cila gjë i tregon dhe i vërteton mundësitë dhe validitetin e formave të veçanta ndaj objektit. Ky shpjegim teknik letrar na sjell në përfundimin se prania e objektit realizohet përmes shkallëve të ndryshme, po me funksion e me qëllim të njëjtë e të përbashkët. Po i theksojmë këto ndryshime të formave në prosede, në metodat e krijimit. Në prozë, vërtetë në roman dhe në tregim, fytyra e Titos dhe prania e tij identifikohen plotësisht dhe nënkuptohet me të drejtë me ngjarjen e madhe të revolucionit të armatosur, të cilën ai e vuri në lëvizje dhe çka është e arsyeshme artistikisht dhe jetësorisht. Nuk del fare si personazh i drejtpërdrejtë në mënyrë deklarative, po përmes frymës së veprës – aksionit – veprimit të tij, të njerëzve që bëhen realizues të ideve dhe të ndërmarrjeve të veprës së tij. Kjo ka të bëjë me faktin se shkrimtarët duan që fytyrën e tij ta realizojnë artistikisht, natyrshëm, ashtu çfarë është e madhe në realitetin historik dhe në realitetin bashkëkohës.

Pra, vetëm ajo që jepet artistikisht mirë e me vlerë, është ekuivalente e reales, vërtet vetë realja, e që merret si një nga çështjet – çelës, në të cilat sprovohet arti, e edhe letërsia, në rastin kur ka të bëjë me fytyra të njohura historikisht dhe bashkëkohësisht, siç është Tito me këtë rast.

Ndërsa po e shqyrtojmë këtë çështje duhet të përmendim një të vërtetë tashmë të njohur e të pranuar në historinë dhe filozofinë e artit se, shkrimtarët dhe artistët, si idhtarë të përhershëm të njeriut, të lirisë së tij, te fytyrat historike të jetës sociale – revolucionare, ndalen vetëm atëherë, kur në to, brenda tyre, pos tjerash gjejmë figurën- njeri të plotë, i cili punon dhe vepra e tij i kushtohet plotësisht njeriut, mirëqenies së ekzistencës së tij. Ky shpjegim teorik letrar, e njëkohësisht filozofik bashkëkohës e vërteton dhe e qartëson fortë mirë interesimin e shkrimtarëve tanë për Titon, sepse tek ai gjetën, zbuluan njeriun e vërtetë me të gjitha cilësitë që e karakterizojnë veprimin e madh njerëzor, veprimin e përjetshëm. Më shkurt, artistët ndalen tek ata që i zgjerojnë hapësirat e realizimit të njeriut në jetë dhe në vepër, ashtu siç bëri Tito. Pra, njerëzit e tillë, që shkenca i shpejgon si gjenialë, krijojnë vazhdimisht hapësira të reja për njeriun, pra janë krijues e jo dogmatë e statistë në skenën historike e shoqërore, sepse ata, me aftësi të rrallë i shtrojnë dhe i zgjidhin kërkesat dhe nevojat e kohës në të cilën jetojnë e veprojnë, do të thotë prekin në pikat neuralgjike vendimtare të shoqërisë njerëzor duke i vënë njerëzit në lëvizje të orientuar, të drejtë, në aksion.

Përveç kësaj, shkrimtarët tanë e përjetësojnë fytyrën e Titos, sepse në të që me kohë kanë gjetur me të vërtetë realizimin e vet nacional, social e intelektual, do të thotë tri elementet qenësore për ekzistencën individuale e kolektive. Nëse pranohet e vërteta e thënë metaforikisht se artistët-poetët janë antena të shoqërisë, atëherë mund të nxjerrim një konstatim se, shkrimtarët tanë, në vizionin dhe në praktikën revolucionale të Titos, gjetën një nga idealet e veta më të qëlluara dhe sinjalizuan në mënyrë arstitike vlerën e vërtetë të pamohueshme të tij.

Përderisa në prozë është i pranishëm, në radhë të parë, në kuadër të mundësive dhe të efekteve artistike të realizimit të zhanrit, pra në mënyrë të plotë që na e sinjalifikojnë “Ditari…” i F. Hoxhës një pjesë e prozës së H.Sylejmanit dhe të Sinan Hasanit, në poezi, e cila konsiderohet si zhanër dhe formë solemne më komunikative, fytyra e Titos ngritet vazhdimisht, duke u bërë objekt qëndror-poetik, në dritën e plotë të veprës së tij të madhe. Kështu, poezia e kuptuar si formë më komunikative, ka një aftësi dhe fuqi të jashtëzakonshme për identifikim apo për simbolizimin e veprave të mëdha në histori dhe në bashkëkohësi, të vizioneve të tyre të pandërprera e thelluese.

Thënë historikisht, fytyra e Tito në poezi bëhet objekt i rëndësishëm që në krijimet e para gjatë Revolucionit të armatosur dhe vazhdon deri në ditët më të vonshme. Ajo nuk qe vetëm inspirim, po edhe realizim i poezisë dhe i artit në përgjithësi.

Në një pjesë të mirë të poezisë ku poezitë kushtuar Titos nga Esad Mekuli, Mehmet Hoxha, Tahir Jaha, Latif Berisha, Enver Gjergjeku e të tjerë, shfaqet një komunikim i drejtpërdrejtë me të dhe merret me të drejtë në kuptim të gjerë të krijuesit të madh. Për shembull të gjithë këtë e shëmbëllen më së miri poezia e E.M, “Ty që je liria jonë”, ku Tito shfaqet si simbol i lirisë dhe i realizimit kombëtar e social të shqiptarëve, krahas me atë të kombeve dhe të kombësive të tjera.

Në disa poezi të tjera siç janë “Flamur shekujsh” (Ali Podrimja), “Dy ditëlindje” (Rrahman Dedaj) dhe “Flet Tito” (Mirko Gashi), kemi të bëjmë me një përpjekje tjetër të poetëve tanë, me atë që përmes prosedeut poetik të simbolizimit fytyra e Titos të marrë kuptim universal të gjithëkohshëm, si simbol i një kreatori për të mirën e përgjithshme, se vepra e tij është model real, që hyn në fondin e përgjithshëm të njerëzimit.

Përveç identifikimit, si kusht i domosdoshëm i fuqisë poetike dhe i bindshmërisë së saj, në poezinë e përmendur të Ali Podrimjes, kemi simbolin flamur, i cili simbolizonte, emblemën e ekzistencës kombëtare dhe atë shoqërore, të vendosur në përjetësimin e flamurit që qëndron në hapësirat kohore të shekujve të historisë. Ndërsa me simbolet e tjera si Diell, Bukë, Qiell, poeti simbolizon tri kushte të rëndësishme e të domosdoshme të ekzistencës, të cilat me këtë rast, nuk po i përkthej në gjuhën teorike.

Në vjershëm e Mirko Gashi, “Flet Tito”, e cila përmes theksimit të aktivitetit të ligjërimit të Titos, që gjithmonë i ka në pajtim fjalën dhe aksionet, poeti simbolizon qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë e tij në të gjitha momentet e kohës. Kështu simboli i tij qëndror, Kepi i Shpresës së Mirë (Tito) del si një Parim i Shpresës dhe i realizimit real, siç do të mund ta shpejgonim me filozofinë e paraqitur në parimin e Shpresës të E.Blochut.

E këtillë, fytyra e Titos shfaqet edhe në letërsinë për fëmijë, e që do të mund të ishte objekt i një studimi të veçantë. Tito si simbol i së Mirës, i heroit, i mësuesit dhe i edukuesit trajtohet me sukses në veprat e Maksut Shehut, Rifat Kukajt, Agim Devës e të tjerëve.

Në fund, me qëllim që të përforcojë edhe me përgjigjen lidhur me pyetjen që shtrova në fillim të kësaj paraqitjeje po shtoj edhe këtë se, mesazhi simbolik i artistit, i poetëve dhe shkrimtarëve tanë në përgjithësi, është plotësisht adekuat me mesazhin e veprës së Titos, i cili sot gëzon një unanimitet të jashtëzakonshëm e të përgjithshëm, jo vetëm brenda, por edhe jashtë vendit, çfarë e gëzonte vetëm Lenini. Adekuatësia e këtij mesazhi, pos momenteve të tjera që i përmenda më sipër, ka të bëjë edhe me të njohurën teorike e historike se, poetët dhe revolucionarët e mëdhenj i lidhin vizionet dhe idealet më të thella për njeriun, pra bëhet bashkudhëtarë në rrugën e infinitumit për të mirën njerëzore. Këtë lidhje midis artistëve dhe revolucionarëve, në mënyrë më të natyrshme dhe të paimponuar, pra të dalë nga situata reale historike, e gjejmë në historinë më të re kur është fjalë për fytyrën e Leninit. Le t’i kujtojmë me këtë rast Majakovskin, Bllokun, Jeseninin e të tjerë. Të njëjtën lidhje, po ashtu të natyrshme dhe të fuqishme, e gjejmë kur e vështrojmë fytyrën e Titos në veprat artistike, e sidomos në ato poetike.

Në përfundim e sipër të theksojmë edhe një fakt tjetër mjaft të rëndësishëm se Tito, duke qenë vazhdimisht në krye të shoqërisë sonë, krijoi një liri të vërtetë arti e krijimi në kuptim të realizimit të plotë të lirisë, çfarë nuk gjendet në ndonjë vend tjetër socialist, e cila ishte e pranishme vetëm në kohën e Leninit, kurse te ne kjo u bë parim shoqëror e kulturor.

Përveç kësaj, shkrimtarët tanë e përjetësojnë fytyrën e Titos, sepse në të që me kohë kanë gjetur me të vërtetë realizimin e vet nacional, social e intelektual, do të thotë tri elementet qenësore për ekzistencën individuale e kolektive. Nëse pranohet e vërteta e thënë metaforikisht se artistët – poetët janë antena të shoqërisë, atëherë mund të nxjerrim një konstatim se, shkrimtarët tanë, në vizionin dhe në praktikën revolucionare të Titos, gjetën një nga idealet e veta më të qëlluara dhe sinjalizuan në mënyrë artistike vlerën e vërtetë të pamohueshme të tij.

Dua Lipa: Jam krenare që babai im po e bën realitet Festivalin Sunnyhill

Dua Lipa është krenare që babai i saj po e realizon ëndrrën për një festival në Kosovë.

Me anë të një statusi në Facebook ajo ka treguar se është e lumtur që SunnyHill Festival po vjen në Kosovë.

“Po ndihmojmë që Kosova të vendoset në hartën e vendeve kulturore. Unë do të jem në Kosovë disa ditë para festivalit për të ndihmuar në bamirësi dhe për të vizituar vendin tim tëlindjes” ka shkruar mes tjerash Dua Lipa në Facebook.

Në Ditën Botërore të Refugjatëve, ekspozitë në Prishtinë

Dita Botërore e Refugjatëve do të shënohet në Prishtinë më 20 qershor, e mërkurë, duke filluar nga ora 11:00 në Sheshin “Zahir Pajaziti”, shkruan KultPlus.

Për të shënuar këtë ditë do të ketë ekspozitë të fotografive dhe të gjithë mund të nënshkruajnë peticion në mbështetje të refugjatëve #WithRefugees.

Ngjarja me fëmijët dhe të rinjtë e organizuar nga UNHCR së bashku me “PLAY International” do të zhvillohet nga ora 14:30 deri në ora 16:00.

Aktiviteti do të vazhdojë me fjalim nga shefi i misionit të UNHCR-së, Zëvendësministri i Ministrisë për Punë të Brendshme dhe Drejtuesja e “PLAY International”. / KultPlus.com