Çmimi Ramiz Kelmendi këtë vit i shkon përkthyesit Peter Constantine

Festivali i Letërsisë në Orllan (FLO) ka kënaqësinë të njoftojë se laureat i Çmimit Ramiz Kelmendi këtë vit është përkthyesi me renome botërore dhe redaktori Peter Constantine. Constantine nderohet me këtë çmim për kontributin e tij të veçantë për njohje më të gjërë të letërsisë shqipe dhe arbërishte në botë.

Constantine e quajti çmimin “një nder të mrekullueshëm dhe prekës” dhe tha se “ky është çmimi i parë letrar që ndahet ndonjëherë në lidhje me arbërishten, e cila nga arvanitasit njihet si glukha trimerishte, e që nga UNESCO konsiderohet si gjuhë shumë e rrezikuar.” Për këtë arsye, tha Constantine, ai është dyfish mirënjohës për Çmimin.

Constantine ka përkthyer në anglisht prozë nga Ismail Kadare, përfshirë Three Elegies For Kosovo (Tri këngë zie për Kosovën), si dhe vepra të poetëve që shkruajnë në dialektin korintian dhe boeotian të arbërishtes, gjuhë që flitet nga arvanitët në Greqi.

Është shpërblyer për një numër përkthimesh, përfshirë ato të veprave të Tomas Manit, Anton Çehovit, Isaac Babel-it, Nikolo Makiavelit. Përkthimet e tij më të fundit përfshijnë The Confessions by Augustin (Rrëfimet, nga Augustini), The Essential Writings of Rousseau (Shkrime të zgjedhura të Rusosë), dhe veprat e Sofokliut, Volterit, Tolstoit dhe Gogolit. Është drejtor i Programit të Përkthimeve Letrare në Universitetin e Connecticut-it. Po ashtu është botues i World Poetry Books dhe kryeredaktor i New Poetry in Translation.

Alketa Xhafa Mripa, në emër të babës në ‘Onufri’

Është hapur para pak ditësh në Shqipëri, ekspozita e njohur “Onufri”, një prej ekspozitave që zgjon interesim të madh tek artdashësit shqiptarë.

Përpara shkallëve të katit të tretë, të pret një thes i artë. Është një nga punët e artistes Alketa Xhafa Mripa, e cila paraqitet në këtë edicion të “Onufrit” me dy vepra, një instalacion dhe një video. Siç shpjegon vetë ajo, e para është personifikim i memories kolektive.

“Është një këndvështrim se si një 5-vjeçare nga Kosova e shihte Shqipërinë, e bashkë me mua edhe gjithë gjenerata ime. Për ne ishte si një thesar, si thesi i babagjyshit të Vitit të Ri. Por, në fakt brenda janë dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit. Ne nuk e dinim gjendjen e rëndë që po kalonin shqiptarët, e kemi mësuar më vonë”, tregon ajo.

Ndërsa puna e dytë, një video e shoqëruar nga dy fotografi, i përket kujtesës personale. Titullohet “N’emër të babës”.

Në të shfaqet autorja teksa lan në vaskë babanë e saj 85-vjeçar, artistin e njohur Xhevdet Xhafa. “Më kujtohet koha kur im atë më pastronte mua, por vjen një moment dhe vendet ndërrojnë dhe jam unë ajo që e pastroj tashmë atë. Kur prindi ikën nga kjo jetë, kryhet riti i fundit, ai i larjes, i pastrimit dhe ideja ime është që duhet të gëzojmë me ta sa janë ende në jetë”, tregon artistja. / KultPlus.com

Eugent Bushpepa: Nuk jam gati për Eurovizion

Ai është padyshim një nga zërat më të mirë shqiptar. Me një këngë që ndjell një atmosferë të ngrohtë për “Eurosong 2018”, Eugent Bushpepa deri më tani renditet, si këngëtari më i klikuar në garën e Festivalit të Këngës. “Mall” është një projekt muzikor që mban firmën e tij në të gjitha elementët dhe që mbart një histori të veçantë mungese e dashurie. Entuziast për faktin se kënga e tij është ndër më të pëlqyerat dhe me shpresën e mirë për fitore, Genti nënvizon dëshirën e tij “shpresoj që të rikthehen dhe të dëgjojnë muzikën e mirë shqiptare”.

Genti, përse “Mall”?
Kjo këngë ka një histori të veçantë. Kam qenë larg familjes kur e kompozova dhe kur u ktheva këtu, atë ndjenjë që kisha kur isha larg familjes, u mundova ta hedh në 4 rreshta.

I keni realizuar vetë të gjitha..
Kjo këngë ishte shumë afër meje dhe doja që të gjitha elementët t’i realizoja vetë, edhe pse çunat kanë ndihmuar shumë.

Kënga jote është më e klikuara në internet…
Jam i kënaqur që kënga ime është pëlqyer.

I keni dëgjuar këngët e tjera?
I kam dëgjuar dhe mund të them se ka materiale shumë të mira, siç ka edhe talente të rinj shumë të mirë, si Inis Neziri, e cila është një superkëngëtare, Redon Makashi ka një këngë shumë të ndjerë, Elton Deda ka një këngë rrok etj. Janë shumë!

https://www.youtube.com/watch?v=bvYJ6EwuwXg

Nuk është hera juaj e parë në festival…
Kjo është hera e tretë që marr pjesë në festival. Herën e parë ka qenë viti 2000, ku kam konkurruar me një grup nga Mirdita, Sunrise. Tani rikthehem me shpresën që gjërat të kenë ndryshuar për mirë. Shpresoj të vlerësohet ai që duhet.

Kur këngëtarët që nuk fitojnë zhgënjehen dhe thonë që nuk do të marrin më pjesë në festival…
Kjo ka qenë arsyeja pse nuk kam marrë pjesë për shumë kohë. Nuk jam kthyer, sepse e di që do fitoj, apo se kështu janë hapur thashethemet, por sepse mendoja që materiali që kisha, ishte i përshtatshëm. Nga të gjitha materialet që kam për album, këtë e pashë si më të përshtatshëm për t’ua dhënë njerëzve.

Konsiderohet si festivali i rikthimit të big-ëve. I trembesh konkurrencës?
Më së shumti e shoh si qejf, si atmosferë, më shumë si show, se sa si konkurrencë mes njerëzve. Mbase këngët rrok nuk vlerësohen aq sa duhet në Shqipëri, komerçialiteti bën të vetën dhe 80 % e shqiptarëve janë spostuar nga muzika rrok, por shpresoj që të rikthehen dhe të dëgjojnë muzikën e mirë shqiptare.

Për shumë vite ky festival i ka shërbyer vetëm një kënge, asaj që shkon në eurosong, a ia vlen gjithë ky investim, për një këngë?
Ajo këngë që do të dalë do të përfaqësojë Shqipërinë, qoftë një këngë që e vlerëson shumica, qoftë një këngë që e përkrah juria profesioniste e RTSH-së, është normale që t’i jepet vrull, por që të zgjidhet nga vetëm një kompeticion më duket pak e padrejtë.

Ky është një pretendim i ngritur prej kohësh…
Do të ishte mirë që të zgjidhej me bashkëpunim. Të zgjidhej më e mira për Shqipërinë, materiali i duhur ta përfaqësonte sa më mirë Shqipërinë në Eurovizion.

Dhe së fundmi, a gati për në Eurovizion?
Të them të drejtën, jo! “Shpresoj” të mos e fitoj (qesh). / SHEKULLI

Elia Zaharia dhe Princ Leka, me lot në sy shpërndajnë dhurata për fundvit (FOTO)

Fondacioni Mbretëresha Geraldine çdo fundvit angazhohet për të shpërndarë dhurata për fëmijët e shkollave të ndryshme në Shqipëri.

Njëjtë ka ndodhur edhe këtë fundvit, ku Princ Leka dhe Princesha Elia Zaharia Zogu kanë udhëtuar për në fshatin Bruç dhe në Mat, duke dhuruar dashuri dhe duke iu bashkuar festës së organizuar nga nxënësit në këtë vend.

Po e sjellim poshtë postimin e Elia Zaharias të plotë, dhe disa fotografi nga ky angazhim i radhës bamirës në prag të festave të fundvitit.

Një ditë në Mat

Tashmë është kthyer në traditë që Fondacioni Mbretëresha Geraldine çdo fundvit të shpërndajë dhurata për fëmijët e shkollave të ndryshme! Këtë herë bashkë me Princ Lekën ndaluam në fshatin Bruç dhe iu bashkuam festës së organizuar nga nxënësit e talentuar të shkollës, që na pritën me këngë, vjersha dhe valle tradicionale! Është një bekim i vërtetë të festosh me ta, ti shohësh aq të dashur, energjikë dhe të lumtur…Më pas ndaluam në shkollën e Burgajetit, ku pastor Ylli Doci na bëri pjesë të iniciativës së tij për të shpërndarë dhurata për femijët e shkollës.

Por këte vit nuk ishim vetëm! Ftuam në Mat edhe Fondacionin Fundjavë Ndryshe, të cilët me përkushtim ju bashkuan festimeve tona. Më pas së bashku ndaluam në disa familje të fshatrave perreth, ku skamja dhe realiteti migjenian nuk përshkruhen me fjalë…Arbri dhe aktivistët iu gjendën këtyre familjeve duke shpërndarë ndihma, për ti mundësuar një Vit të Ri me ushqime mbi tryezat e improvizuara, me batanije për tu ngrohur sa munden në “shtepizat” e tyre pa çati e pa dritare…Nderkohë që më kishte pushtuar trishtimi duke parë lotët në sytë e Lumes, e cila me 2000 L te reja (20 të vjetra) duhet te përballonte muajin vet i pestë, me bashkëshort dhe dy djem me aftësi të kufizuara, dhe një vocërrak që vraponte këmbëzbathur në të ftohtë, mendoja me vehte të gjithë ata fëmijë që i gëzoheshin dhuratave dhe lodrave të Vitit të Ri, çfarë dite i pret të nesërmen! Kjo familje nuk është e vetmja…A mundemi ta ndryshojmë realitetin e tyre? Te vetëm jo! Por nëse të gjithë bashkë do kemi pak më shumë dashuri, atëherë mund ta përmirësojmë këtë dhimbje të madhe!

Adelina Ismaili këndon ‘Zemrën nuk ta fal’ pas dy dekadash në Festival (VIDEO)

Ka qenë mbrëmë ndër të ftuarat kryesore të nderit në Festivalin ku ajo vetë ka kënduar para disa vitesh.

Këngëtarja Adelina Ismaili mbrëmë është ngjitur në skenën glamuroze të Festivalit të Fundvitit në Radio Televizionin Shqiptar për të treguar emocione të ndryshme dhe të reja nga jeta e saj.

“Të jem pjesë e kësaj madhështie është një rilindje për mua. Unë jam fëmijë i festivaleve, kam filluar qysh gjashtë vjeçare në festivale” ka treguar mes tjerash Adelina gjatë bisedës me moderatorin Adi Krasta.

Ajo provoi të risillte pjesë nga performanca e saj në TVSH para disa vitesh ndërsa falënderoi publikun i cili e duartrokiti për disa minuta me radhë. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=QdtQ1UBZ3M8

https://www.youtube.com/watch?v=_S9jaoeMpe4

Këta janë finalistët që sonte këndojnë në Festivalin e Këngës në TVSH

Pasi ka përfunduar nata e parë dhe nata e dytë e Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar, janë zbuluar edhe këngët finaliste të cilët do të ngjiten sonte në skenë.

Dikujt ka mundur ti mbetet hatri se këngëtarët e tyre të preferuar mbeten jashtë finales së madhe.

Vetëm tetë këngë kanë mbetur jashtë finales, derisa katërmbëdhjetë tjera futen në finale.
Xhesika Polo, Lynx, Lorela Sejdiu, Endri dhe Stefi dhe Evans Rama janë në mesin e artistëve që kanë mbetur jashtë finales së madhe sonte, në Pallatin e Kongreseve, shkruan KultPlus.

Në anën tjetër, këta janë finalistët që do të këndojnë sonte, në tentimin për të triumfuar në festival dhe kësisoj për të përfaqësuar Shqipërinë në Eurovizionin e vitit 2018-të në Portugali. / KultPlus.com

Artemisa Mithi — “E dua botën”
Bojken Lako — “Sytë e shpirtit”
Denisa Gjezo — “Zemër ku je”
Elton Deda — “Fjalët”
Eugent Bushpepa — “Mall”
Inis Neziri — “Piedestal”
Manjola Nallbani — “I njëjti qiell”
Mariza Ikonomi — “Unë”
NA & Festina Mezini — “Tjetër jetë”
Orgesa Zaimi — “Ngrije zërin”
Redon Makashi — “Ekziston”
Rezarta Smaja & Luiz Ejlli — “Ra një yll”
Tiri Gjoci — “Orë e ndalur”
Voltan Prodani — “E pamundur”

“Është Krishtlindje kur ti e lejon Zotin të rilindë…”

Poezi e shkruar nga Nënë Tereza.

Është Krishtlindje çdo herë
Që i buzëqesh një vëllai
Dhe i zgjatë dorën.

Është Krishtlindje çdo herë
Që qëndron në heshtje
Për të dëgjuar tjetrin.

Është Krishtlindje çdo herë
Që nuk pranon parimet
Që i syrgjynos të nënshtruarit.

Është Krishtlindje çdo herë
Që shpreson me ata që dëshpërohen
Në varfërinë fizike e shpirtërore.

Është Krishtlindje çdo herë
Kur njeh me përulje
Kufijtë e tu e dobësitë

Është Krishtlindje çdo herë
Që lejon Zotin të rilind
Që t`jua dhurosh të tjerëve

Përktheu: Brizida Gjikondi

Ana Ahmatova, rusja të cilën e dashuruan përkthyesit shqiptarë

Të ruaj diku në një sonatë / Me aq kujdes e nuk të heq / Oh, si thërret, rënkon çdo natë / Për fajin tënd që dot se ndreq …” Ana Ahmatova i shkruante këto vargje në korrik të vitit 1963. Në moshë të vonë kujtimi për orët që kishin lënë gjurmë në jetën e saj bëhej më drithërues.

Flokët e gjatë të drejtë dhe vështrimi gjithnjë në kërkim të hollësive, e bënin Anën të ishte më shumë se një poete. Për shumë kritikë sot ajo ishte zëri i Rusisë së shekullit XX, gruaja që mbajti gjatë frymën për të dashur dhe falur të një populli që gjithnjë ka besuar te kultura.

Nëse poezia është një shndërrim në rreshta i dhembjes ashtu ishte dhe jeta e Anës. Vargjet e saj të ardhura në shqip nën disa shqipërime e tregojnë këtë. Aurel Plasari ka qenë i joshur herët ndaj vargjeve të Ahmatovës, duke sjellë me një shqipe të bukur një kolazh të poezive të saj. Qazim Shemaj është një tjetër shqipërues i Anës, i cili ka bërë bashkë vargje dhe kujtime që ajo i shkroi në fund të jetës. “vargjet e tua mund t’i largosh nga truri vetëm me rrugë kirurgjikale”, do të shprehej Osip Mandelshtan për poezitë e Anës.

Por cila është jeta e gruas që vazhdon të na grishë dhembjen me vargjet e saj edhe sot? Ana u lind më 23 qershor 1889 pranë Odesës (Balshoi Fontan). Kur mbushi 1 vjeç, familja e saj do të zhvendosej në Veri në Carskoe Sjello. Aty do të jetonte deri sa u bë 16 vjeç. Kujtimet e para gjithnjë e çonin në Carskoe Sjello, në parqet e gjelbra dhe madhështore, hipodromi ku vraponin kuajt e vegjël. Çdo verë e kalonte pranë Sevastropolit, në breg të kënetës, ku do të miqësohej me detin.

Përshtypja më e fuqishme e atyre viteve do të ishte Hersoni i lashtë, afër të cilit banonte. Poezinë e parë do ta shkruante kur ishte 11 vjeçe. “Vargjet për mua nuk nisën nga Pushkini dhe Lermentovi, por nga Derzhavini dhe Nekrasovi. Këto vargje nëna ime i dinte përmendësh”, kujtonte ajo më vonë. Në vitin 1905, prindërit e saj do të divorcoheshin dhe ajo do të jetonte me nënën. Një vit do të jetonin në Evpatproa, ku do të bënte dhe gjimnazin dhe do të niste të shkruante më shumë vjersha. Studimet e larta do t’i niste në Fakultetin Juridik. Më 25 prill 1910, ajo u martua me N.S. Gumiljovin dhe do të kalonin një muaj në Paris. “Shtrimi i bulevardeve të reja në trupin e gjallë të Parisit, siç e përshkruan Zola, ende nuk kishte përfunduar. Verneri, miku i Edisonit, më tregoi në tavernën De Pantheon dy stola dhe më tha: ‘Këtu rrinë socialdemokratët tuaj, atje bolshevikët, ndërsa atje menshevikët’.

Gratë me sukses të pasigurt mundoheshin të mbanin herë fund pantallona, herë pothuajse mbulonin edhe këmbët. Vjershat ishin krejt të harruara dhe bliheshin vetëm prej artistëve pak a shumë të dëgjuar. Që atëherë e pata kuptuar se piktura franceze e mbuloi poezinë franceze”, kujton Ana. Parisi do të ishte një qytet ku do i pëlqente të kthehej shpesh.

Me t’u kthyer në Peterburg, ajo nis mësimet në kurset e larta historiko-letrare të Rajevit. Këto kohë do të shkruante dhe poezitë që do përbëjnë librin e saj të parë. Në vitin 1910 u shfaq qartë kriza e simbolizimit dhe poetët fillestarë nuk nguteshin drejt kësaj rryme. Disa shkuan drejt futurizmit të tjerë pas akmeizimit. Një vit më pas, Ana do të kthehej sërish në Paris, ku do të shijonte triumfin e baletit rus.

*******

Jam e lumtur që jetova në këto vite dhe pashë ngjarje të jashtëzakonshme”, kujton Ahmatova. Interesante janë dhe kujtimet e saj për poetë të njohur rusë, bashkëkohës të saj. Ja çfarë shkruan për Mandelshtan: “15 shkurt 1960. Në prani të Osipit nuk duhej të mburrje asnjërin, ai zemërohej, grindej ose diskutonte, ishte sa si bëhet shoku i padrejtë, arrogant, therës. Por nëse ju tekej të qortonit dikë, Mandelshtam do të bënte të kundërtën, do ta mburrte njeriun e qortuar në të gjitha format”. Ajo kujton Pushkinin, i cili në prag të vdekjes ishte i shqetësuar se “i duhej të rregullonte shtëpinë”.

a.b

Kur kishte kënaqësi e lahej në Hamamin e Madh të Prishtinës (FOTO)

Kur para pak vjetësh u tha se do të bëhej restaurimi dhe konservimi i Hamamit të Madh të Prishtinës, sikur, më në fund, u ngjallën kujtimet e prishtinasve. Pas mbylljes së tij për rreth 47 vjet, u mbyll edhe e kaluara e qytetarëve të vjetër. Ngaqë, ky hamam dikur ishte bërthamë e qytetit të vjetër, pjesë themelore e kompleksit të Xhamisë së Madhe që veç dedikimit, shërbente edhe si vendtakim shoqëror për meshkujt dhe femra. Këto ditë shtatori (2012), përsëri po aktualizohet çështja e restaurimit të këtij objekti mesjetar që është nën mbrojtje të shtetit, i cili thuhet do të shndërrohet në muze dhe në galeri të kryeqytetit.

Domethënë, ndër pjesët më atraktive dhe të nevojshme për qytetarët e Prishtinës, ishte Hamami i Madh. Ky kompleks qyteti, kujtohet me shumë nostalgji si qendër sanitare-higjienike. Përbëhej nga kubetë, 15 sosh, që ishin burim I dritës, pastaj nga pishinat, nga shatërvani dhe holet e tjera, dhe ishte një vend për hare! Në këtë hamam zhvilloheshin shumë ceremoni, madje më atraktivja ishte ajo e përgatitjet së vajzave për nusëri! Aty bëheshin edhe gosti për personat e ftuar, shoqëruar me muzikë.

Rikthim kujtese: “Dita më e lumtur e javës për ne vajzat ishte e shtuna” zgjohen kujtimet e “fjetura” të arsimtares së dikurshme, Aktere Gjikolli.

“Sepse, ne vajzat shkonim grupe-grupe në Hamamin e qytetit për t`u larë. Në hamam kishte, pra, kube, ndërsa nën to hapësira ose dhoma me hyrje të ndara, me 5-6 kurne (sivaska) në formë guaskash me tasa të lidhur me zinxhirë! I tërë hamami ishte I sajuar nga gurët e mermerit, që jehonte nga zhurma e tasave e kënga e grave”
Mbaj mend, nga avulli që krijohej, vështirë e kishe ta identifikoje personin që e kërkoje, kur me Lemanen (Alibegu), shoqe e fëmijërisë, shkonim ndonjëherë t`ua çonim familjareve sepetet me ushqime, sipas porosisë, ngase në “pauzë” të larjes, gratë uleshin e bënin qejf, hanin e pinin! Ndoshta sepse qëndrimi në hamam zgjaste tërë pasditen, deri në mbrëmje (kohë kjo e rezervuar për gra).

Burimi: Sanije Gashi – Prishtina e fëmijërisë sime

Qendra ‘Sami Frashëri’, vatër e identitetit dhe kulturës shqiptare në Turqi (FOTO)

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, në kuadër të vizitës në Republikën e Turqisë, ka realizuar takime në Qendrën e Kulturës Shqiptare “Sami Frashëri” në Ankara, Institutin Yunus Emre, në Drejtorinë për Turqit jashtë Shtetit dhe Komunitetet Farefisnore (YTB) e cila është në kuadër të Zyrës së Kryeministrit të Turqisë dhe vizitë në redaksinë e gjuhës shqipe në Radio Televizionin e Turqisë (TRT).

Përmes një komunikate për media thuhet se gjatë vizitës në Qendrën “Sami Frashëri”, e cila administrohet nga Ambasada e Republikës së Kosovës dhe ajo e Republikës së Shqipërisë, Ministri Gashi takoi studentët shqiptarë që studiojnë në Turqi dhe pjesëtarë të komuniteti shqiptar që jetojnë në Turqi. Ai e cilësoi këtë qendër si një vatër që e ruan dhe kultivon trashëgiminë e kulturën shqiptare në Turqi.

Thuhet gjithashtu se ministri i inkurajoi që të kultivojnë dhe mbajnë gjallë identitetin, gjuhën, kulturën dhe zakonet shqiptare edhe në Turqi.

“Tashmë pas nënshkrimit të Marrëveshjes për bashkëpunim në fushën e kulturës mes Kosovës e Turqisë është hapur rruga për më shumë aktivitete dhe ngjarje në fushën e kulturës, dhe ato do të gjejnë edhe përkrahjen e ministrisë”, u shpreh Gashi.

Ndërkaq, Gashi u takua edhe me dy zëvendësdrejtorët e Drejtorisë për Turqit jashtë Shtetit dhe Komunitetet Farefisnore (YTB), Huseyin Gundogar dhe Sayit Yusuf, me të cilët ministri diskutoi për bashkëpunimin mes Kosovës e Turqisë në kuadër të përkrahjes profesionale për studentë të Kosovës që ata të arsimohen në fushën e Trashëgimisë Kulturore në universitetet turke, pasi kjo drejtori ndan bursa të plota studimi për studentët e interesuar të studiojnë në Turqi.

Kurse gjatë vizitës së Gashit në Institutin Yunus Emre, në diskutimin e zhvilluar me kryetarin e institutit Seref Ates u bisedua për thellimin e bashkëpunimit dhe rritjen e aktiviteteve si në Kosovë ashtu edhe në Turqi duke mundësuar kësisoj njohjen më të madhe mes kulturave tona si dhe shkëmbimin e përvojave mes artistëve e performuesve të kulturës.

Gashi ka vizituar gjithashtu edhe Radio Televizionin e Turqisë (TRT) ku u takua me drejtorin e televizionit Ibrahim Eren, me të cilin diskutuan për mbulim më të madh nga ana e TRT-së të ngjarjeve që kanë të bëjnë me kulturën, trashëgiminë e gjuhën shqipe pasi që komuniteti shqiptar në Turqi është në një numër shumë të madh. / KultPlus.com

Dy dizajnere shqiptare në Balkan Art Fashion Event në Beograd (FOTO)

Ato janë dy vajza të reja që premtojnë shumë dhe që i ka bashkuar pasioni për modën, në misionin e tyre për të sjellë të bukurën para publikut.

Leonora Basha dhe Fjolla Qela kësisoj kanë prezantuar para pak ditësh në Beograd koleksionin e tyre “The Balance”.

Koleksioni i të vetmeve shqiptare në këtë ngjarje në Serbi erdhi para publikut të Balkan Art Fashion – një ngjarje e njohur e modës në kryeqytetin serb.

“Koleksioni paraqet balancimin e karakterit të fuqishëm të femrës dhe ndërlidhjen e saj me pamjen e jashtme, që shprehë karakter të fortë, fuqi dhe në të njëjtën kohë brishtësinë femërore” tregon Leonora Basha për KultPlus.

Në Dom Omladine, vajzat nga Serbia kanë parakaluar edhe me veshjet e dy shqiptareve. Ngjyrat e koleksionit nisin me ngjyrën krem e deri tek ngjyra e zezë, ndërsa gjithsej janë paraqitur dhjetë veshje nga ky koleksion.

Janë rreth 30 dizajnerë e kreatorë që pranohen në këtë organizim, nga i tërë Ballkani. / KultPlus.com

Bekim Fehmiu dhe ‘pushkatimi’ i dy vëllezërve të tij, Arsimit e Bashkimit

“E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme” është titulli i librit të Bekim Fehmiut, gjigantit të kinematografisë botërore, aktorit holivudian me pesëdhjetë filma, me rrole kryesore. Më 1987, për të demonstruar protestën e tij të thellë shpirtërore për shkak të përhapjes së urrejtjes dhe propagandave monstrume serbe ndaj shqiptarëve, definitivisht braktisi aktrimin në Beograd.

Po shkëpusim fragment të shkurtë nga një rrëfim fëmijëror i pa harruar i Bekim Fehmiut, gjatë okupimit fashist më 1944.

*****************
“Pushkatimi i vëllezërve”

“Të gjithë janë si të çmendur. Nëna Dija, gjyshja Hili dhe motra Besa kanë kërkuar te të gjithë fqinjët, kurse babai tërë Prizrenin duke i kërkuar Bashkimin e Arsimin. “As oni, as nishoni” i tyre, ndërsa tashmë ora është nëntë e mbrëmjes. Mendojmë më të keqen. Rrimë ashtu, të grumbulluar me plot brengosje. Ora dhjetë e gjysmë, papritur dëgjohet një trokitje e lehtë, paksa e turpshme në derë. Babai nervoz ngrihet por nëna e gjyshja nuk e lënë dhe i dalin para. U kthyen të dyja me Bashkimin, i cili dukej sikur të ishte fëlliqur në brekë. Babai (ishte mësues) kërcet dhëmbët nga zemërimi:
-“Ku asht aj tjetri?”
Bashkimi bëlbëzon : “Në dud (man)!”
-Qysh more në dud, shka lyp n’dud n’ket koh t’natës”-pëlcet!
Të gjithë ngrihemi dhe vrapojmë kah dhoma e madhe. E kallim dritën. Kur çka të shohim! N’dollap Arsimi është i varur si majmun. Dorën e djathtë e ka të lidhur me fashë. Ishte bllokuar, nuk mundet me lëvizë as para as mbrapa, dega nëpër të cilën ka hypur është shumë e hollë, përfundi përrocka dhe kalldërmi! Nëna dhe gjyshja ngjiten shpejt n’katin e dytë, e çelin dritaren dhe e tërheqin Arsim “majmunin” dhe e fshehin pas shpinës për ta mbrojtur nga babai. Që të dy babai i fut në një dhomë dhe i urdhëron të qëndrojnë kah muri, sikur babai e daja Mazllum para gjermanëve.
-“Si keni hy n’shpi, kur derës i është vu rezja?”
-“E kemi kcy zidin”, pikëllueshëm përgjigjet Bashkimi!
-“E ti shka lyp n’kët kohë n’dud”, e pyet Arsimin!
-“Kujtova se është penxherja hapun për me hy mrena me ia çel derën Bashkimit e me hi n’dyshek me flejtë, çe kamt i kemi la, kshyre, përgjigjet Arsimi!
Babai vështron herë njërin e herë tjetrin. Gjyshja me kujdes e me butësi e pyet Arsimin : “Shka ki bir ashtu n’dorë?”

1931, Sarajevë, familja e Bekim Fehmiut (dy gjyshet dhe daja).

Arsimi me kokë të ulur e me ata sy si të kitrrës, përgjigjet:
-“Kurxha, u rrzova dhe e preva pak dorën”!
-“E tashti hajde ju të dy më tregoni ku ishit gjithë ditën? E du të vërtetën”, vazhdoi babai.
Meqë Bashkimi ishte më i madh, filloi ai.
-“Qysh herët e vendosëm me Haxhi Kabashin, vllavin e tij Ruxhën, Xhavitin, Veselin e tanë shoqninë, me shku me u la në Drin të Bardhë te Nasheci. Jemi çue herët, kemi marrë me qira biçikletat dhe jemi nisë. Mbasi u lamë në Drinin e Bardhë, thamë hajde ta provojmë edhe Drinin e Zi te Kukësi…..”!
Babai zgurdulloi sytë dhe s’mund t’u besonte veshëve. Në dorë mbante një brushë të vogël druri për flokë.
-“Edhe”!
-“Edhe u nisëm….dhe mbrrim atje…..Masanej jemi la, kemi kcy prej shkambinjve, jemi rrezitë, kemi kap njala, kemi hangër dhe jemi kthy. Dyqani i biçikletave ku i morëm me qira ishte mshelë, i kemi lanë te Ruxha…e ai nesër…..”!
Bashkimi ende nuk e mbaroi fjalën dhe babai ia hedh brushën e drurit drejt tyre. Si njëri edhe tjetri me shpejtësi, si pantera, kërcejnë anash, nga muri ra një copë mallter.
Babai nxjerr rripin prej pantallonave, me një dorë mbante pantallonat që mos t’i bien e me tjetrën u bie vëllezërve. Nëna dhe gjyshja ndërhyjnë mes babait dhe vëllezërve, të cilët bërtasin sikur po qajnë, për të bërë zhurmë që të shpëtojnë.

-“Zotni Ibrahim, pash nji zot…zotni Ibrahim eja n’vete, nuk bohet ashtu…..ndërhynte gjyshja!
-“A fmijt e mi t’bahen rrugaça a? A fmijt e mij t’bahen hajna e vagabonda a? Se sjellja e tyne veç atje i çon. E unë si mësues tanë jetën mundohem t’i mësoj e edukoj fëmijt e të hujve kurse të mijt……!? Dhe përderisa flet tanë kohën u sjellë me rrip pas shpinës së nënës dhe gjyshes, ku fshihen Bashkimi e Arsimi.
-“Sonte për ju nuk ka darkë….Kurse nesër, masnesër s’ka dalje në rrugë. E tashti hupni n’sobën tjetër e mos t’ju shoh ma”.
Aty për aty pushoi kukama e vëllezërve të mi. Ecnin kujdesshëm prapa shpinës së nënës e gjyshes. Babai i mbylli në dhomë dhe e vari çelësin mbi derë, në gozhdë.
-“Mos gaboni e me hy mrenda ju të dyjat”, u tha babai!
Të gjithë kemi ra në dhomën ku zhvillohej “hetimi” i vëllezërve. Dyshekët janë të zbrazët ndërmjet babait e Fatmirit. Duket gjoja se….të gjithë flejmë. Nëna i pëshpëritë diçka gjyshes, ajo çohet duke u mbështjellë me dimi dhe paksa kërrusur, në majë të gishtave del jashtë. E dëgjoj çelësin në bravë. Gjyshja u dërgon ushqimin vëllezërve të mi shejtan”.

Krishtlindje në New York

Poezi e shkruar nga Ismail Kadare.

Stuhi dëbore në New York, avionët gjithë vonojnë.
Në qiejt lart diçka nuk shkon, dikush po mbyt dikë.
Janë ernat ndoshta që s’meren vesh, radarët janë nervozë.
Një puç qiellor ka ndodhur ndoshta e ne nuk dimë asgjë.

Ne si përherë asgjë nuk dimë, ndërkaq në aeroporte
Në salla pritjesh gratë nxjerrin pasqyrëzat me ngut.
Parfumi i vënë qysh në mëngjes në trup të tyre shqetësohet,
Errësimi i ëmbël mbi pubis besimin prore humb.

Shtjellë dëbore. Rrokaqiejt ngjasojnë si të dehur.
Do të besosh se e humbën peshën, si retë do ngrihen lart.
Ne si përherë asgjë s’kuptojmë, ne prapë drejt krimit rendim.
“Ah, ç’kohë e keqe!” përsërisim si papagaj të ngratë.

Avioni lejohet të zbresë më në fund.
Duke shkërbyer engjëjt flatron sërish.
Mbi rrokaqiejt shenjat e kryqit
Të zotin e presin të zbresë lartësisht.

Kurrkund në botë bujtësin e largët
S’e presin kaq dehshëm e me kaq bujë.
I varur humnershëm midis tokës e qiellit
Midisësi i madh dëgjon “alelujan”.

Vallë kujt i përket, ka plot dy mijë vite
Që enigmën e hershme s’e gjejmë ne dot.
“Ndorë të qiejve”, tha toka kur lart e ngriti,
“Ndorë të tokës” tha qielli kur e zbriti poshtë.

Ai mbeti në mes: shestimi ynë i thyer,
Ndërgjegja e vrarë, fluturimi që vdiq.
Është vonë që qielli prapë ta tërheqë,
Është vonë që toka ta tretë në gji.

Është vonë për të gjithë… Ndaj na sheh pikëllueshëm.
Vdekjejetshëm tek mërzitet njeriu – hyjni,
Dëshmitar i një pakti, i një bese të thyer,
I ëndrrës sonë tragjike për qiellsi.

Qielli ngryset më shumë. Dyer makinash përplasen.
Ndriçimi që dita me ngut e tret
Shpejton të strehohet në gurë unazash,
E në qafa grashë në, Avenunë e Pestë.

Është ora e diamanteve. Në Blumengdale
Ngadhnjimi i tyre vezullon që larg.
Krenarë pa dyshim që vdekjen s’e njohin,
Ndonëse jetën gjithashtu s’e njohin aspak.

Qielli nxin. Ora jonë po bie. Nën panikun
E kambanave të saj dyndemi gjithkund.
Te Rruga Dyzetedy, te kishë e Shën Patrikut
Ne apostujt, gjykatësit, judët e pafund.

Ecim nën ca shenja e shigjeta ndonëse e dimë
Se një rrugë veç njohim: atë që çon në mort.
Të vetmin në botë që të dy kahjet i kishte
E mbytëm, e tani i themi: kthehu, Zot.

Kthehu, bir i Zotit, na trego drejtimin.
Zbërthena shenjat që s’i marrim vesh.
Humnershëm ai hesht e në vend të përgjigjes
Si drita semaforësh katër plagët i ndez.

Pushoi stuhia në New York, avionët me kohë mbërrijnë.
Në salla pritjesh s’ka më frikë, parfumet s’vuajnë më.
Atë që ndodhi sipër nesh, ne natyrshëm s’e dimë,
Çfarë u përmbys e çfarë u ngrit, ne prapë s’dimë asgjë.

Ne shohim veç emblema bankash nën qiellin e hirtë,
Ca “Dow Jones”, ca “Dax”, ca shifra që shfaqen si në makth.
E në kartat tona të kreditit kërkojmë plagët e Krishtit,
E shenjat tona, që mes shifrash e zerosh rrjedhin gjak.

Ne s’dimë ku i morëm plagët, ku ramë e ku u thyem.
Afatet tona ne s’i dimë, verdiktin aq më pak.
Ndaj n’aeroporte rendim prapë, me shpresë të gjejmë prapë qiellin,
Por tokë e rëndë nuk na lë, s’na lë e zeza në baltë.
Ne pjellë e saj, robër të saj, mbretër të saj të rremë,
Gjer kur i themi do na mbash në kurthin tënd të zi.
Ajo s’përgjigjet, veç në heshtje, ashtu siç gatit barin,
Për pabesinë tonë gatit ndëshkimi tonë të ri.

Zyrtari për Kulturë në Suharekë fyen gazetarin për shkak të gabimeve drejtshkrimore

Drejtoria për Kulturë, Rini, Sport dhe Mërgatë në komunën e Suharekës së fundi ndau mirënjohje për sportistët e kësaj komune, por si pasojë e kësaj kishte ndodhur një incident.

Gazetari i Theranda Post, Brahim Thaqi, kishte bërë një postim në Facebook ku kishte përmendur gabimet drejtshkrimore në këto Mirënjohje për këta sportistë.

Këtë nuk e priti mirë Refki Gollopeni, Zyrtari i Departamentit të Kulturës në komunën e Suharekës, i cili fyu gazetarin në komentin e tij në atë postim.

“Mi rr*** topat brahim”, kishte shkruar Gollopeni, e më pas të njëjtën fyerje ia kishte adresuar edhe artistit Burhan Sejdiu.

Gollopeni është edhe artist dhe kurator i disa ekspozitave në Prizren dhe në qytete tjera të Kosovës. / KultPlus.com

Cila ishte performanca më e mirë e natës së parë në Festivalin e Këngës? (VIDEO)

Mbrëmë u mbajt nata e parë e edicionit të radhës të Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar.

Gjithçka nisi me emrin e madh italian Riccardo Cocciante, ndërsa edhe u kënduan këngët e natës së parë dhe të parat konkurrente për triumf në këtë festival, shkruan KultPlus.

Elton Deda e nisi këtë natë, për të vazhduar Mariza Ikonomi e deri në fund të natës kur këndoi Redon Makashi. Tekste të fuqishme, melodi të bukura, emocione vëllazërore por edhe ankthe të jetës erdhën me anë të këngëve.

https://www.youtube.com/watch?v=iGGiQ7sjakc

https://www.youtube.com/watch?v=0yc3Uymxeew

Lexuesit tanë do ti pyesim sot se cila prej këngëve ishte më e pëlqyer mbrëmë, nga të gjitha këngët që erdhën të performuara në një skenë gjigante. Performancat, për ata që nuk i kanë parë, po i sjellim poshtë nga Radio Televizioni Shqiptar, ndërsa ju mbetet juve të vlerësoni cila prej performancave erdhi më e kompletuar.

https://www.youtube.com/watch?v=Po8ToAqQ1T4

Sonte, në anën tjetër, vazhdon nata e dytë e këtij festivali, ndërsa të shtunën e 23 dhjetorit është nata finale. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=6ROinvyFPV0

https://www.youtube.com/watch?v=z3bDj2weJ6k

https://www.youtube.com/watch?v=zE6wnANT2w8

https://www.youtube.com/watch?v=ZZmys6mhXkM

https://www.youtube.com/watch?v=DbZYFKHHqM8

https://www.youtube.com/watch?v=WndR_XwkWfg

https://www.youtube.com/watch?v=qkHbvsix4rk

https://www.youtube.com/watch?v=fTn2LSlSHX0

Arsim Fehmiut i ndahet Mirënjohje për vepër jetësore

Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Rexhai Surroi” është ndarë mirënjohje për vepër jetësore për Arsim Fehmiun.

Fehmiu u lind në Sarajevë më 3 qershor 1932, ku jetonin me prindërit e tij asokohe të internuar për shkaqe politike.

Ai është pinjoll i një familje të njohur intelektuale e arsimdashëse, e afirmuar si bartëse e traditave kombëtare, liridashëse dhe kontribut dhënëse e zhvillimit të kulturës në përgjithësi, e në veçanti të arsimit shqip në Kosovë dhe më gjerë. / KultPlus.com


Fotografia: Besnik Krasniqi / Facebook

Bashkëshortja e Blerim Pecit, fjalë të dhimbshme e emocionuese për artistin e ndjerë

Afërdita Peci, bashkëshortja e aktorit dhe komedianit Blerim Peci, i cili ndërroi jetë pak ditë më parë, ka shkruar sot në rrjetin e saj social një kujtim për bashkëshortin e saj tanimë të ndjerë.

Me këtë rast, emisioni VIKENDI ku Peci luante prej kohësh, ka shënuar sot pesë vjetorin e transmetimit. Sot u mbushën plot 5 vite prej kur me 22 Dhjetor 2012 nisi transmetimi i emisionit.

Po e sjellim këtu dedikimin e dhimbshëm por tejet emocionues të Afërditës ndaj bashkëshortit të saj, Blerim Peci, një prej emrave që bëri popullatën e Kosovës të qeshte në momente të ndryshme.

Përmes artit të dhimbjes për artin e Blerimit,Belit tonë

Të të kujtoj si artist është e vështirë, por me ty bashkëjetuam dhe mbijetuam edhe sfidat artistike, profesionale.
Sot u mbushën plot 5 vite prej kur me 22 Dhjetor 2012, filove me Emisionin “Vikendi”. Ky Emision nga Beli im të shndërrojë në Belin e Shqiptarisë. Nuk të mori nga Ne, por ishe i më shumë njerëzve, shpesh më shumë i publikut se i yni, më shumë i publikut se i familjes, në kontekstin e kohës që ndaje për projektin.
Publiku korrnin vetëm anën e suksesshme, e unë edhe anën e sfidave që përballoje për realizimin e Emisionit.
Tashmë jam pa ty, e vetme po udhëtoj në Kohë, si rubrika jote e Udhëtimit në Kohë, po mbledh kujtimet e fillimit të angazhimit tënd me Vikendin, po mbledh dromca idesh që diskutonim, madje edhe kujtimet e shfaqjes së parë të Emisionit në Radio Televizionin e Kosovës, RTK-së.

Të kërkoj tek storjet, të gjej aty, por zymtësia pllakosë buzëqeshjen duke e prerë në mes.
Edhe Humori yt, tashmë është shndërruar në dhimbje për mua.
Skenat teatrale nuk janë më të njëjta, teatri i jetës hap dyert, shfaqja tragjike e ikjes tënde ngrit përdet e pikëllimit.

Kinemaja e dikurshme, tashmë kinema e përballjes me realitetin për humbjen tënde është bosh, njëjtë si zemra ime pa ty, njejtë si boshlleku që lë në mua, në artin shqiptar.

Një gjë na ngushëllon, vepra jote artistike dhe vepra jote jetësore Bel do të jetojë ndër breza.
Ku frymon arti, do të jesh edhe ti.
Ku flitet shqip do të jesh monument, i skalitur në themelet e artit që aq shumë e doje.

Meqë nuk arrij ta besoj dhe as ta pranoj humbjen tënde dhe të ndjej ende të gjallë mes nesh po të uroj nga zemra “Urime 5 Vjetori i Emisionit Vikendi, Beli im”. / KultPlus.com

“Ora e Zooparkut” e Zija Çelës, fitues i “Rexhai Surroit” për letërsi

Romani “Ora e Zooparkut” e Zija Çela ka fituar çmimin “Rexhai Surroi” për letërsi.

“Ky roman do i rezistojë kohës dhe do të mbetet në arkën e pasurisë tonë kulturore”, ka thënë Kim Mehmeti gjatë ndarjes së çmimeve.

Çela gjatë pranimit të çmimit ka thënë se ndihet i nderuar për çmimin dhe se ndjen tërheqje të veçantë nga figura e Rexhai Surroit.

“Meqë u mbushën dhjetë vjet të ceremonisë, mund të them që prania ime kapërcen çmimin tim. Ndjeva një tërheqje të veçantë nga figura e Rexhait, nga ato kalimet nga një moshë në moshën tjetër, ato fjalët që u than”, ka thënë Çela.

“Më ka gëzuar ky çmim. I tillë është njeriu. Më ka gëzuar për përmbajtjen që ka”, ka shtuar ai.

Fitues të edicionit të kaluar të “Rexhai Surroi” ishte Ibrahim Kadriu me romanin e tij “Misioni rus”. / KultPlus.com

Sonte fillon Festivali i TVSH-së, zbulohen detajet e votimit

Mbrëmja e sotme në ekranin e RTSH do të sjelli për të gjithë shikuesit, edicionin e 56 të Festivalit të Këngës, i cili këtë vit pritet me një interes mjaft të lartë nga publiku.

Duke kujtuar eksperiencën e edicionit të kaluar, ku votimi i publikut dështoi, lajm të cilin IMA e denoncoi që në fillim të tij, ishim tepër kuriozë se si do të funksiononte këtë edicion përzgjedhja e fituesit.

Kozeta Kurti zëdhënësja e Fest 56, e pyetur nga IMAlbania.com ka bërë të ditur detajet: “Nuk do të ketë votim natën e parë. Në fund të natës së dytë do të tregohen për publikun këngët që do të shkojnë në natën finale. Këtë edicion publiku nuk do të votojë. Transmetimi nëpër radio dhe internet ka pasur si qëllim vetëm që publiku t’i njohë këngët dhe ti mbështesë artistët që do të performojnë në skenë. U mendua që gjithçka të ishte e hapur për publikun, jo vetëm këngët por edhe të ftuarit, skenografia etj. Çmimin e parë juria do t’a japë në skenë duke mbajtur përgjegjësi deri në fund për vendimarrjen e secilit prej tyre.”

E pyetur për emrat e jurisë së këtij edicioni të Festivalit të Këngës, Kozeta mendon të na lëri në suspansë për të na e bërë suprizë mbrëmjen e sotme dhe të parën të eventit tradicional të RadioTelevizionit, i cili do të vijojë edhe në datat 22 dhe 23 Dhjetor me finalen e madhe. / KultPlus.com

Nexhat Daci zgjidhet kryetar i Akademisë së Shkencave

Kuvendi i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, sot ka mbajtur zgjedhjet e rregullta të udhëheqjes së Akademisë dhe zgjodhi Kryesinë e re të Akademisë:

Kryetar i ASHAK është zgjedhur akademik Nexhat Daci, nënkryetar Jusuf Bajraktari ndërsa sekretare shkencor anëtarja korrespodente Myzafere Limani, raporton KP.

Kuvendi i Akademisë gjithashtu miratoi zgjedhjen e sekretarëve të seksioneve: Akademik Eqrem Basha, sekretar i Seksionit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë; anëtare korrespondente Justina Pula, sekretare e Seksionit të Shkencave Shoqërore , anëtar korrespondent Fetah Podvorica, sekretar i Seksionit të Shkencave të Natyrës dhe anëtar korrespondent Luan Mulliqi, sekretar i Seksionit të Arteve. / KultPlus.com

Hapet në kryeqytet ekspozita ‘Kujtesa në lëvizje’ (FOTO)

Në ekspozitën e hapur të mërkurën mbrëma, në Klubin e Boksit u prezantua trashëgimia kulturore e komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian, e cila u shpalos nëpërmjet kujtesës kolektive e cila përçohej përmes materialeve e mediumeve të ndryshme.

Artefakte të ndryshme si ora të vjetra, vegla pune, veshje nusërie e dekorime shtëpish, të huazuara nga komuniteti ishin vendosur aty për të treguar momente të veçanta të së kaluarës dhe për të shfaqur një mënyrë jetese të përbashkët. Përditshmëria dhe estetika rome vihej në pah më së miri nga pikturat shumëngjyrëshe të Farije dhe Mehmet Bajramit. Përditshmëria e bazuar në situata reale në pikturat e Bajramit ndërlidhej me gratë imagjinare të Farijes në të cilat shpaloset bukur veshja apo çarama shumëngjyrëshe e grave rome.

Në murin e një dhome tjetër ishin vendosur fotografi personale qe flisnin për momente të veçanta, ceremoni të ndryshme dhe ngjarje të rëndësishme për familjen dhe komunitetin.

Përgjatë një muri shtrihej poezia “Si bëhet kënga rome” nga Kujtim Pacaku i cili ishte i pranishëm dhe mbajti fjalim hyrës para publikut ku u shpreh falënderues për kontributin e dhënë ndaj komuniteteve përmes kësaj ekspozite dhe se kjo duhet të vazhdojë tutje sepse siç tha ai “me një lule nuk qel pranvera”. Ekspozita përfundoi me një performancë live nga grupi Gipsy Groove të cilët kënduan këngë të vjetra rome të ndërthurura me forma të reja muzikore.

Kjo ekspozitë erdhi si një epilog i një pune një-vjeçare në mes CHwB Kosova dhe Balkan SunFlowers e cila ndër tjera, gjatë këtij viti arriti të fus trashëgiminë kulturore në kurrikulën ekzistuese të qendrës për mësim-nxënje në Fushë Kosovë, e cila menaxhohet nga BSFK.

E gjithë kjo e mbështetur nga Qeveria Suedeze. “Shoqëritë duhet të punojnë që zhvillimin e përgjithshëm ta vendosin në simbiozë me kulturën, qe kjo e fundit t’i çliroj ata nga tendenca e izolimit, ndarjes, diskriminimit dhe jotolerancës. Gjithëpërfshirja dhe mundësitë barabarta janë rruga e vetme për ta arritur këtë qëllim. Organizata jonë e vendos të drejtën në kulturë si e drejtë fundamentale e njeriut. Kjo e drejtë është pjesë e punës se përditshme, e secilit projekt, e secili anëtar.” u shpreh drejtori ekzekutiv i CHwB Kosova, Sali Shoshi. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më datën 22 dhjetor, nga ora 4 deri në ora 7. / KultPlus.com

Rita Ora dhe Liam Payne paralajmërojnë bashkëpunimin për “Fifty Shades Freed”

Pas duetit të Zayn Malik dhe Taylor Swift për kolonën zanore të filmit “Fifty Shades Darker”, do të jetë një tjetër anëtar i One Direction që do të këndojë për filmin e ardhshëm të sagës, “Fifty Shades Freed”.

Paralajmërimin e ka bërë edhe vetë Ora përmes postimit në rrjetin e saj social Twitter.

Liam Payne, do të jetë ylli i ri që do ta shihni vitin e ardhshëm në këtë film romantik, shkruan DailyMail.

Të dy yjet, Ora dhe Payne, do të jenë së bashku si dy akterët kryesorë.

Shfaqja “Portreti i pakryer” nxjerrë në pah tragjiken e individit karshi shoqërisë

Gili Hoxhaj

Monodrama “Portreti i Pakryer”, me autor Besim Rexhajn dhe me regji të regjisores Elmaze Nura, erdhi mbrëmë premierë për publikun e Teatrit “Dodona”.

Aurita Agushi vjen në skenë dhe brenda skenës e mban gjallë personazhin e Norës për gjithsej pesëdhjetë minuta.

Ajo e vetme, varion nga një pjesë në pjesën tjetër dhe ngërthen brenda lojës së saj edhe personazhe me të cilat
fati i saj ka qenë gjithnjë i lidhur. Në këtë pikë, ajo shfaqet e lodhur nga rrethanat në të cilat ndodhet nga imponimet nga jashtë, e që vijnë e shkelin brenda ndjenjave të saj. Megjithatë personazhi i kësaj shfaqje ecën me forcën e saj shpesh duke ngjallur vetës shpresën. Nora në krejt këtë situatë luftën më të fortë e zhvillon brenda zërave të vetes që e pushtojnë. Ajo për dhjetë vite përpiqet ta ruajë dashurinë për njeriun e jetës së saj i cili kishte qenë një disident dhe i burgosur politik. Është letra e lamtumirës ajo që e sjellë Norën në situata kritike, të skajshme psikologjike e jetësore, e që në fund ky personazh tretet brenda errësirës së skenës, derisa në sfond alarmi nxjerrë edhe tragjiken e kësaj shfaqje.

Publiku që ka shijuar dramën “Lojë e pafundme” veçse e di vazhdimin e fatit të këtij personazhi. Qëllimi i parë autorit Rexhaj ka qenë që ta artikulojë tragjiken e jetës në rrethana të caktuara shoqërore, politike, socio-ekonomike. Ai thotë se këtë tragjikë e ka futur në fatin e një gruaje, duke e lidhur me fatin e një familjeje.

Synimi ka qenë të identifikojë dhe pastaj të artikulojë paradokset, kundërshtitë e mentalitetit e të rrethanave shoqërore, të historive të formimit të individit, e të familjeve, të cilat me paradokset e veta dëmtojnë veten dhe anëtarët e vet të familjes. Autori Besim Rexhaj tregoi në detaje konceptet e kësaj trilogjie, veçmas të kësaj shfaqje.

“Tek dy monodramat fokusi është në Norën, në individin, tek një femër e cila është viktimë e viteve 90’ta, e kurtheve të jetës dhe e kurtheve të familjes së saj, pra të babait të saj, i cili në vitet e 90’ta bënte punën e djallit, në sistemin politik. Nora ia del të mbijetojë, përkundër që në vitet e 90’ta pëson ndarjen nga Bardhyli, ata që e kanë parë “Lojë e pafundme”, e kuptojnë se ajo edhe pse kalon në ferrin e luftës, aksidentalisht arrin të shpëtojë”, tregoi autori Rexhaj, i cili shpjegoi se edhe pse monodrama përfundon tragjikisht nëse shikohet tërësia e trilogjisë del se ajo ka mbijetuar në dramën “Lojë e pafundme”.

Regjisorja Elmaze Nura tregoi se me konceptin e saj regjisorial është përpjekur që ta sjellë dramën në një version modern, pavarësisht që ajo shtjellohet brenda një periudhe të fundit të shekullit të kaluar. Ajo tregon se edhe pse ky tekst nuk është i lehtë të përpunohet, kjo nuk ka qenë e vështirë të kapet nga ana e saj për shkak se vet shfaqja prek pothuajse çdo individ, i cili mund ta përkthejë këtë shfaqje në zbrazëtinë e vet shpirtërore.
“Kjo shfaqje mund të perceptohet jo vetëm në aspektin femëror, pasi që unë dhe aktorja kemi qenë femra, por unë mendoj që çdo qenie njerëzore që ka humbur dikë në jetë, e që nuk është realizuar në një pjesë të jetës mund ta gjejë vetën brenda kësaj shfaqje. Ky tekst nuk ka qenë i lehtë të përpunohet për shkak se ka brenda vetes shtresa dhe nënshtresa dhe duhet të lexohet me shumë kujdes sepse ka edhe psikologji, filozofi dhe politikë brenda vetës”, tregoi regjisorja Nura për KultPlus.

Muzika e kësaj shfaqje erdhi e realizuar nga kompozitori Memli Kelmendi, ndërsa koreografia nga Agnes Nokshiqi, me skenografi të Majlinda Kelmendit e kostume të Samka Ferrit, kurse ndriçimi nga Skënder Latifi. Kjo shfaqje është kooproduksion me Teatrin “Dodona ndërsa është pjesë trilogjisë që fillimisht është prezantuar në shfaqjen “Vorbulla”, por faktikisht shfaqja “Portreti i pakryer” edhe pse e fundit autori e ka vendosur fillimin e ngjarjes pikërisht tek kjo shfaqje. / KultPlus.com