Nuk dihet sa arsimtarë punuan gjatë viteve të 90-ta në Kosovë

Ahmet Pllana, i cili për 35 vjet punon si mësimdhënës, mezi pret që të miratohet Projektligji për Statutin e Mësimdhënësve për vitet e 90-a.

Ky Projektligj, që ende nuk ka shkuar në Komisionin për arsim, parasheh që t’i shpërblejë mësimdhënësit që kanë punuar në atë periudhë, raporton KTV.

Pllana thotë se atë kohë kanë punuar pa kurrfarë interesi, por është mirë që mësimdhënësit të shpërblehen.

Në periudhën e viteve të 90-a, qytetarët e Kosovës jepnin vazhdimisht kontributin e njohur atëherë si “Fondi i 3-përqindëshit”, por Pllana thotë se mësimdhënësit nuk i kanë marrë as nga 10 marka gjermane në muaj.

Ka kohë që është kërkuar miratimi i këtij Projektligji, i cili edhe në mandatin e kaluar qeverisës ka qenë gati, por nuk është proceduar tutje.

E, kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Rrahman Jasharaj, thotë ta ketë marrë pëlqimin e të gjitha partive në vend, se do ta mbështesin këtë Projektligj.

Jasharaj ka thënë se në Projektligjin për njohjen e statusit të mësimdhënësve të viteve të 90-a, nuk do të anashkalohet kontributi i mësimdhënësve, të cilët kanë vdekur dhe atë pagë do ta gëzojë bashkëshorti ose bashkëshortja.

Sipas Jasharajt, premtimi nga Ministria e Arsimit është që në 3-mujorin e parë të vitit të ardhshëm, ky Projektligj do të miratohet.

Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit kanë bërë të ditur se Projektligji tashmë është rishikuar dhe e kanë dërguar në Qeveri.

Por, në Komisionin për Arsim Projektligji nuk është dërguar ende.

Sipas kryetarit të Komisionit për Arsim, Ismajl Kurteshi, në parim do ta mbështesin Projektligjin, pasi t’i japin vërejtjet e nevojshme.

Sipas zyrtarëve të SBASHK-ut, ende nuk dihet saktë numri i mësimdhënësve që kanë punuar në atë periudhë, por që për të marrë atë pension do të duhet t’i marrin dokumentet e nevojshme nga shkollat ku kanë punuar, e më pastaj MASHT-i pritet t’i vërtetojë ato. / KultPlus.com

Miss Iraku merr kërcënime për jetë për shkak të një fotografie

Sarah Idan nuk e ka paramenduar se një fotografi do të jetë kaq problematike. Miss Iraku ishte krenare që e përfaqësoi shtetin e saj në konkursin e Miss Universe ndërsa dëshironte ti tregonte botës që irakianët janë njerëz të mirë dhe jo terroristë siç konsiderohen nga një pjesë e botës.

Kur doli në foto me vajzën më të bukur të Izraelit, për ta fuqizuar mesazhin e saj, nisën edhe fjalë të urrejtjes në Instagramin e saj.

27 vjeçarja nisi të pranonte kërcënime për vdekje, sepse e postoi një fotografi me vajzën nga Izraeli. Izraeli, në botën arabe mbetet një pikë problematike.

Bukuroshja tregon se nuk ka menduar që diçka e tillë do të zgjonte sentimentin e urrejtjes tek njerëzit në Irak, shkruan KultPlus.

“Fotografinë e realizuam sepse të dyja dëshiruam të tregonim se duam paqe dhe se përqafojmë realitetin pa luftë dhe pa gjenocid e pa vrasje” tregon Idan për CNN. Ajo është dashur ta sigurojë edhe familjen e saj, për shkak të kërcënimeve që ka marrë.

Fotografitë e saj në të brendshme poashtu kanë shkaktuar debat në Irak, ndërsa njëjtë ka ndodhur edhe para dy vitesh me Miss Irakun në Miss Universe.

Vajza ka frikë të kthehet në Irak por thotë se atje ka familjen dhe se do të ballafaqohet me këtë zhvillim. Iraku dhe Izraeli nuk kanë ndonjë marrëdhënie diplomatike mes vete. / KultPlus.com

Zbulohen detaje tjera nga Festivali i Radio Televizionit Shqiptar

Organizatorët e edicionit të 56-të zbulojnë të tjera detaje nga mbrëmjet e Festivalit. Autori dhe drejtuesi i këtij Festivali, Adi Krasta, nuk do të jetë i vetëm në skenën e rrallë të ndërtuar për festën më të madhe të muzikës në vend.

Natën e parë, përveç kumbarit të kësaj feste, kantautorit Riccardo Cocciante, i cili pas performancës së tij, ka kërkuar ta ndjekë shfaqen si spektator, e rrallë kjo për artistin e madh,do t’u jepet mundësia të bashkëprezantojnë me Krastën, disa personazhë, të cilët na kanë treguar nëpërmjet punës së tyre një Shqipëri tjetër; jo atë që shumë njerëz duan ta lënë me çdo kusht, por Shqipërinë e atyre që kanë vendosur të jetojnë këtu, jo vetëm për veten, por edhe të krijojnë modele të suksesshme.

Nata e dytë do të jetë një rikthim në skenë i disa prej drejtuesve ndër vite të këtij institucioni muzikor në vend, ndërsa e treta një paradë sirenash që do të ndriçojnë edhe më shkëlqimin e skenografisë së artë të Albi Çifligut.

Mbetet surprizë bashkëpunimi në duet me Elhaida Danin dhe trajnerin e saj që e shpuri në fund të rrugës së “Voice of Italy”. Flaka Krelani e Kejsi Tola do të jenë të ftuara në Festival për të sjellë një nga këngët më të fuqishme të fondit të muzikës botërore, por nuk do të mungojë edhe tradicionalja, me qasje bashkëkohore e Kelly Guga Band, një përzierje e motiveve të jugut me motive të muzikës jazz.

Adelina Ismaili “thyen heshtjen” e disa viteve në skenë, duke ngjallur kuriozitet, sidomos në këtë fazë të jetës, ku si për çdo grua-nënë artiste, prioritetet ndryshojnë. Aurela Gaçe, “shpërthimi” i skenës sonë, aq e dashur për publikun, për energjinë dhe interpretimin e saj brilant, është një tjetër “gur” që erdhi nga Festivalet, për t’u kthyer sërish aty, për t’i dhënë Festivalit dashurinë që meriton, ashtu siç bënë edhe shumë emra të njohur të muzikës që “janë vënë në rresht” për garën, të cilën të gjithë duan ta fitojnë, por që për ta, Festivalit mbetet ende më i madh se një çmim i vetëm.

Ndërsa po përgatitet për koncertin e tij të shkurtit të vitit të ardhshëm, në Festival vjen një nga kantautorët më të dashur, Alban Skënderaj, i cili di të fitojë zemrat e spektatorëve me refrenet e papërsëritshme. Produkt festivalesh, fituese e tyre, drejtuese festivali, pjesëmarrëse në Sanremo, interpreuese në “Musical”, por më e konsoliduar se kurrë, vjen në skenën e Festivalit, Elsa Lila me bandën e saj, me një performancë të panjohur më parë nga publiku shqiptar.

Numrat koreografikë janë shfaqje të rralla artistike, të mbështetura në tematika sociale, siç është për shembull koncepti i protestës. Në Festival do luhet edhe futboll, por për të njohur shënuesin në portë, na duhet të presim gongun për çeljen e Festivalit. / KultPlus.com

Normalja “Sami Frashëri” në Prishtinë, momenti historik për gjuhën shqipe (FOTO)

– Çdokush i ka kujtimet e veta për vendlindjen e vet – kujtohen fjalët e Prof.Dr Izedin Osmanit, pediatër, njeri me autoritet, has prishtinas, i cili po kështu ndalet te një moment shumë i rëndësishëm për Kosovën:

Kujtimet e mia më së shumti janë të lidhura me hapjen e Normales “Sami Frashëri” më 1941. Ky moment historik nuk harrohet, se për herë të parë u hapën shkollat në gjuhën shqipe, filloi përdorimi i shqipes në administratë! Në shkollën “Sami Frashëri” nuk kishte vetëm nxënës kosovarë, por erdhën nga të gjitha vendet ku jetonin shqiptarët, pra kishim nxënës nga Tuzi, Podgorica, Ulqini, Tivari, Shkupi, Ohri, Tetova, Gostivari, Mastiri, Kumanova… Për herë të parë u zhvilluan mësimet në gjuhën time amtare, në shqip. Arsimtarët gati të gjithë ishin nga Shqipëria, shumë profesionistë, ekspertë të vërtetë. Kjo shkollë ka qenë bërthamë kulturore, ku u shkolluan shumë nxënës, që më vonë u shpërndane nëpër qytetet e veta, vazhduan shkollimin nëpër fakultete të ndryshme të ish-Jugosllavisë si dhe në vende të ndryshme të Evropës e Amerikës. Kështu, për një kohë të shkurtër u aftësua kuadri për formimin e Universitetit të Kosovës. Nxënësit e merituar, që arrinin të kryenin këtë shkollë, paraqitnin forcën motorike të inteligjencës.

Burimi: Sanije Gashi – Prishtina e fëmijërisë sime

Turqia largon 140 mijë libra nga bibliotekat shtetërore

Me tentimin për grushtet vitin e kaluar, Turqia ka marrë teposhtën edhe në fushën e librit.

Rreth 140 mijë libra së fundmi janë larguar nga rreth 2 mijë biblioteka në mbarë Turqinë, kjo me urdhër të shtetit dhe zyrtarëve shtetërorë, me motivin që ata promovojnë idetë e Fetullah Gylenit, armikut kryesor të Erdoganit, shkruan KultPlus.

Në anën tjetër, ka libra për të cilët po negociohet që duhet të largohen nga libraritë dhe bibliotekat, mes tyre edhe libra të Albert Camus, Althusser dhe Baruch Spinoza, për shkak të “përhapjes së terrorizmit”, shpjegon Ministria e Kulturës në Turqi.

Që nga vera e vitit 2016-të, rreth tridhjetë shtëpi botuese në mbarë Turqinë është dashur të mbyllen, ndërsa emrat si Orhan Pamuk dhe Elif Shafak – dy prej shkrimtarëve më të mirë në Turqi janë sulmuar dhe atakuar disa herë nga regjimi turk. / KultPlus.com

Rrënohet shtëpia e familjes Myftiu, monument që mbrohej me ligj

Shtëpia e familjes Myftiu, monument i mbrojtur me ligj, që ndodhet në zonën e Qendrës Historike të Prizrenit është rrënuar. Në këtë mënyrë Prizreni ka humbur edhe një ndërtesë të trashëgimisë kulturore me vlera arkitektonike dhe artistike.

Në bazë të informatave të marra nga zyrtarët e Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prizren rrënimi është bërë pa lejen e duhur të autoriteteve, ndërkohë që nuk ka pasur as ndonjë kërkesë për intervenim.

Sipas të dhënave të publikuara në Databazën e Trashëgimisë Kulturore të Kosovës të MKRS-së, shtëpia në fjalë është inventarizuar në vitin 2003, derisa nën mbrojtje të përkohshme është nga viti 2015-2016. Është klasifikuar si monument. Kjo shtëpi është e listuar edhe në shtojcën II të Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit përkatësisht Monumentet Kulturore në Qendrën Historike të Prizrenit.

Në Databazë thuhet se shtëpia e familjes Myftiu gjendet në zonën e qendrës historike të Prizrenit, në afërsi të Xhamisë së Emin Pashës. Ajo është ndërtuar në shekullin XIX, gjegjësisht më 1859, dhe tërë kohën ka shërbyer për banim. Autoritetet e trashëgimisë kulturore kanë bërë të ditur se në enterier shtëpia ruante elemente dhe ndërtesa origjinale të kohës dhe kishte vlera arkitektonike-artistike si në eksterier, ashtu edhe në enterier.

EC Ma Ndryshe deri më tani shumë herë ka reaguar në lidhje me shkatërrimin e monumenteve të trashëgimisë kulturore në Prizren, e sidomos në Qendrën Historike të qytetit dhe e përsërit qëndrimin se është çasti i fundit që organet shtetërore të veprojnë në mënyrë serioze për zbatimin e plotë të legjislacionit në raport me këtë zonë të mbrojtur. / KultPlus.com

“Folmë kur jam pranë teje, dashuromë gjithmonë…”, Victor Hugo i shkruan letër Xhulietës

VICTOR HUGO Letër Xhulietës – (1834)

Përktheu Nezir Kraki

Kur ta lexosh këtë letër, engjëlli im, nuk do jem pranë teje. Nuk do jem pranë teje për të të thënë: mendo per mua ! Dua që kjo letër të ta thotë. Do doja që në këto gërma të shkruara për ty të mund ta gjesh krejt ç’kam në sy, krejt ç’kam në buzë, krejt ç’kam në zemër, krejt çfarë ndiej kur të them të dua. Do doja që kjo letër të hyjë në mendimet e tua ashtu si shikimi im, fryma ime, tingulli i zërit tim, për t’i thënë atij mendimi të bukur që e dashuroj : Mos harro!

Shkruamë kur s’jam pranë teje, folmë kur jam pranë teje, dashuromë gjithmonë.

Është ora dy e mëngjesit dhe jam duke punuar por kisha nevojë të të flas, të të shkruaj, të të drejtohem, të t’i puth permes mendimit ata sy të bukur të fjetur… (…). Kisha nevojë që shpirti të më pushonte mbi imazhin tënd dhe sytë (të më pushonin) mbi këtë letër që do ta shohësh.

Gjumë të ëmbël! Shpresoj të shihemi pas disa orëve, me të mbaruar. Më duken tejet të gjata (këto) disa orë! Shumë të shkurta do jenë kur të gjendem pranë teje…
(…)

Kosova Brass Festival sonte sjellë mbrëmjen e fundit koncertale

Orkestra e Festivalit “Kosova Brass”, do të përmbyll sonte edhe edicionin e dytë të tij me orkestrën e këtij festivali të dirigjuar nga dirigjenti amerikan, Gregory Jones, shkruan KultPlus.

Në këtë koncert po ashtu do të interpretojë edhe organizatori dhe trumpetisti i njohur kosovar, Avni Krasniqi kurse në korno do të interpretojë Bledar Bujupi.

Ky festival i cili ka filluar më 30 nëntor, ka arritur të sjellë instrumentistë të njohur nga Kosova, Shqipëria, Gjermania, Republika Çeke dhe Amerika, në mesin e tyre është dhe trumpetistin me renome botërore, gjermanin Otto Sauter i cili javën e kaluar interpretoi me Piccolo Trumpetë, i shoqëruar nga kuarteti i harqeve i udhëhequr nga violinisti kosovar Visar Kuçi.

Po ashtu edhe këtë vit, festivali u ka kushtuar rëndësi të veçantë studentëve dhe nxënësve të tunxhit në vend, pasi që gjatë gjithë kohës janë mbajtur masterklase për studentët me pjesëmarrës e festivalit.
Mbrëmja e fundit vjen sonte më 18 Dhjetor, me fillim në ora 19:00 në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare. / KultPlus.com

Sarajeva dikur në luftë dhe sot, vendet e njëjta në dy fotografi (FOTO)

Qyteti i Sarajevës, pjesë të historisë së tij e ka edhe tmerrin e përjetuar nga viti 1992 e deri në vitin 1996.

Saga që nisi në vitin 1992 dhe përfundoi në shkurt të vitit 1996 ka lënë trauma në popullatën e Bosnjës, por edhe në politikën e këtij shteti.

Nga 435 mijë qytetarë në Sarajevë para se të niste lufta, pas saj mbetën vetëm rreth 300-380 mijë qytetarë në këtë qytet, shkruan KultPlus.

Lufta në Sarajevë zgjati për 3 vite, 10 muaj, 3 javë dhe 3 ditë, e dirigjuar nga Milutin Kukanjac, Radovan Karaxhiq, Ratko Mladiq, Dragomir Milloshevic, Tomisllav Sipcic dhe komandantë tjerë nga Serbia.


Po sjellim këtu disa fotografi të vendeve të njëjta, në dy periudha të ndryshme kohore, gjatë Sagës së Sarajevës dhe më pas edhe në ditët e sotme. / KultPlus.com

“Ethet e së premtes” nxorën në skenë disa këngëtarë të njohur

“Ethet e së premtes” dikur kanë qenë një prej emisioneve më të shikuara në Kosovë e në Shqipëri.

Emocionet e programit përcilleshin tek publiku me anë të këngëve, talenteve të reja por edhe atyre që me vetëbesim mendonin se kishin një vokal që premtonte.

Për herë të parë “Ethet e së premtes” nisën të transmetoheshin në nëntor të vitit 2002, në drejtimin e Adi Krastës.
Juria ishte e përbërë nga profesionalistë të muzikës si: Shpëtim Saraçi, Alfred Kaçinari, Zhani Ciko dhe Zerina Kuke. Disa nga emrat që morën pjesë në edicionin e parë kanë qenë: Elvana Gjata, Rosela Gjylbegu, Klajdi Musabelliu apo Anjeza Shahini.

https://www.youtube.com/watch?v=72FMqx2VxAE

Pas kësaj fitoreje, Anjeza Shahini konkurroi në Festivalin e RTSH-së, në vitin 2003 ku u shpall fituese dhe përfaqësoi Shqipërinë në “Eurovizion 2004”, duke u radhitur e 7-ta, që herën e parë kur Shqipëria mori pjesë në Festivalin Evropian.

Edicioni pasardhës i “Ethet e së premtes mbrëma” u mbajt sërish në vitin 2004, ku fitues u shpall Luis Ejlli, – i cili më pas përfaqësoi edhe Shqipërinë në Eurovision. Atë vit pjesëmarrës ishin edhe Samanta Karavella, Teuta Kurti, Vesa Luma, Rona Nishliu dhe Kamela Islamaj.
Edicioni i tretë solli në skenë emra si: Greta Koçi, Linda Halimi, Hersi Matmuja, Besart Halimi, Mateus Frroku apo Flaka Krelani. Në vitin 2005, u shpall fitues, Erti Hizmo.

Në vitin 2008, u mbajt dhe edicioni i fundit i “Ethet e së premtes mbrëma”. Listën e kryesuan Xhensila Myrtezaj, e cila arriti të futej në Top 10-in e më të mirëve të edicionit të katërt. Dorina Garuci, Fatlum Zeka, Rezarta Smaja, Dorina Xërxa apo Kejsi Tola, ishin disa nga emrat tjerë që morën pjesë atë vit.7
Nga ky konkurs ka edhe artistë që nuk u futën në Top 10-in e finalistëve, por që sot janë të pëlqyer nga publiku, si Elhaida Dani, Hana Cakuli, Ronela Hajati apo Olta Boka. / KultPlus.com

Të martën, ‘Dogs Decoded’ vjen në Prishtinë

Të Bashkuar për Kafshët në bashkëpunim me American School of Kosova (ASK), organizon shfaqjen e dokumentarit “Dogs Decoded” që flet për qentë dhe veçantinë e tyre.

Dokumentari do të pasohet nga diskutimi me aktivistët dhe pjesëmarrësit e ngjarjes. Shfaqja e dokumentarit do të bëhet në amfiteatrin e ASK-së, me datën 19 Dhjetor, me fillim në ora 17:30.

Pjesëmarrësit që vijnë të parët do të marrin nga një maicë (numri është i limituar). / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=6j7oQletFbc

Divjaka, një mbretëri natyrore që mund të vizitohet çdo ditë të vitit

Divjaka është një qytet i ri por që ka një histori të lashtë që lidhet me Qytetin e Humbur Arnisa dhe me “Via Egnatian” e Romës së Vjetër.

Vetë emri i saj rrjedhë pikërisht nga kjo rrugë që lidhte Apoloninë me pjesën e saj që vinte nga Durrësi e bashkoheshin në Klodiana ose Peqini i sotëm.

Divjaka ose Due Vie, Dy Vijat, shtrihej në kodrat ku bashkoheshin këto dy rrugë nga ku i ngeli dhe emri.

Divjaka sot është një nga parqet natyrore më të vizituara për turizmin detar,natyrorë, atë të vëzhgimit të shpendëve ujorë dhe kulinarinë me bazë prodhimet e detit dhe perimet bio të fushave të saj.

Turizmi i vëzhgimit të shpendëve apo kafshëve të egra, tashmë po kthehet në një lëvizje të vërtetë turistike edhe për vendin tonë.

Shembulli më domethënës për këtë është Parku Kombëtar i Divjakës, ku çdo fundjavë me dhjetra vizitorë vendas e të huaj, vijnë të vëzhgojnë nga afër shpendët e shumtë që kanë zbritur kohët e fundit dhe vazhdojnë të zbresin në këtë park të mbrojtur më së miri nga moratorium i gjuetisë dhe pylli i dendur.

Objektivi kryesor është Pelikani Kaçurrel, por jo vetëm, janë edhe shpendë të tjerë si flamingot që gjallojnë në strugat e ëmbla, rosat e egra, çafkat, karabullakët etj. që kanë pushtuar lagunën dhe grykëderdhjen e Shkumbinit.

Vetëm këtë vit, nga Janari e deri më tani, në këtë park janë futur rreth 400 mijë vizitor vendas dhe të huaj.

Turistë të ardhur nga vendet evropiane apo edhe më larg, numërohen rreth 30 mijë që janë shoqëruar nga punonjësit e parkut. Vendet më të preferuara kanë qenë “Ishulli i Pelikanit”, Këneta e Madhe ku mbretërojnë Flamingot dhe shumë lloj të tjera shpendësh, dhe Këneta e Vogël, ku kryesisht strehohen flamingot dhe rosat e egra.

Divjaka është një mbretëri natyrore që mund të vizitohet në çdo ditë të vitit… / KultPlus.com

Kush është vajza që këndon me Dua Lipën, kur ishin të vogla? (VIDEO)

Para pak ditësh e publikuam një video të moçme të Dua Lipës në Sallën e Kuqe në Prishtinë.

Para se të bëhej e famshme, Dua dikur në kryeqytet këndonte në Sallën e Kuqe disa këngë të njohura. Një Dua e vogël, simpatike dhe dukshëm e talentuar që prej asaj kohe.

E vajza afër saj, nuk është sot një emër krejt i panjohur. Diellza Dobroshi dikur ka qenë këngëtare e disa hiteve, përfshirë “Dejzi” dhe “Natë adoleshente”.

Diellza është shoqja e Dua Lipës në këtë incizim ku i këndohet mësueses. Diellza është kthyer sot në një bllogere, jeton jashtë Kosovës ndërsa ka në bagazhin e saj muzikor edhe këngë të tjera, shkruan KultPlus.

Diellza ka marrë pjesë në Festivalin TOP Fest në Shqipëri disa herë, ndërsa shpesh në Youtube sjellë edhe versione cover të këngëve të njohura. Po përmendim dy: “Chanelier” të Sia-s dhe “One and Only” të Adele-s. / KultPlus.com

Vdek para se me ‘dekë

Ironike kjo, ama – nji prej akteve ma intime
Të trupit tonë, asht
Vdekja.

Aq bukur m’u shpërfaq ‘deka jem, sa –
tuj e ditë se kan kam me e puthë,
Kam ‘dekë para se me ‘dekë, nja ku-me-dijtë sa herë.

“Vdek para se me ‘dekë”, ka thanë Pejgamberi,
Zotnia.

Ata krahë të strukun frike, a thu
A e kanë prekë Dillin najhere?

Eh, ngo: unë kam lindë atëherë kur,
Asej që dikur ju frigojsha –
E deshta!

Rabia el Basra
Shqipëroi: Pupëza

“Le t’më dënojë qielli, nëse jam i çmendur…”

Kënga “Qielli” është vetëm njëra prej këngëve të grupit 7me7.

Grupi ka qenë i famshëm para disa vitesh në Kosovë e në Shqipëri, sidomos me këtë këngë dhe me refrenin “Le t`më dënojë qielli / nëse jam i çmendur / nëse bëj mëkat që të dua”.

7me7 janë me origjinë nga qyteti i Ferizajt ndërsa ka kohë që nuk janë të aktivizuar në muzikë.

Sidomos kënga “Qielli” radhitet në mesin e atyre këngëve të pavdekshme shqipe, e cila me kalimin e kohës veç sa bëhet më e dashur për dëgjuesin shqiptar.

“Eksperimental” apo “Njeriu me ombrellë” janë të tjera këngë të këtij grupi muzikor. E këtu vjen pyetja: Ku është grupi 7me7 ? / KultPlus.com

Lasgush Poradeci vajton Klarën, macen e tij të vdekur

Tiranë, e Djelë 30/III/75:

Më vdiq “Klara”, macja ime e dashur. E gjeti të vdekur Maria jashtë shtëpisë së Jani Janaqit, në rrëzën e avullisë së tij perëndimore. Vajta shpejt t’a marr, ish e ngrirë e vdekur, duhet të kish vdekur natën (29 dyke gëdhirë 30/III/75). Kish disa ditë që as hante as pinte (as qumësht). Me dhembje të madhe e mora e solla në shtëpi, sapo ardha në shtëpi, në kuzinë, zura të qaj me psherëtimë, edhe Maria qau. Dje, pardje, “Klara” nuk më ardhi në kuzinë, po as hante, as pinte. I-a bëra varrkën rrëzë manit të shtëpisë (në kopësht), ngjitur me murin perëndimor të shtëpisë. Më ndihmonte Maria. Maria më ndihmoj edhe dyke i-a bërë varrkën.

I shtrova një shtresë në fund të varrkës, 1 faqe jastëku si të kuqe, të paqme, të larë. Mi atë faqe jastëku e vura dje dhe pardje të rrijë, të flerë. E futa në varrkën me kujdes të math, e putha me mallëngjim, e mbulova me 1 copkë të butë të trashë stofi të zezë, e mbulova bashkë më Marien me dhe, përmi dherin e sipërfaqes së varrkës vura copat me bar të njomë të vëndit ku i-a bëra varrkën (që të mbijë bari përmi varrkën).

Kokën e “Klarës” e vura ngjitur me murin e shtëpisë. Qava prapë (passi e putha trupin e “Klarës”) dhe u këtheva në shtëpi në kuzinë, ku prapë qava. Shumë m’u trondit shpirti për humbjen e “Klarës” (Klara ishte shumë suave, e butë, e qetë, e dashur, e ëmbël). Shënim: Kam, si kujtim për “Klarën”, të bijën e saj që quhet “Laert”. Laertin e lindi “Klara” në Tiranë në muajin Maj 1973. Edhe Laert-i është i urtë, i butë, i dashur, është suav si “Klara”.

L. Poradeci.

Marin Mema nderohet me çmim në Itali

Pas Prishtinës, gazetari i Top Channel, Marin Mema është nderuar me një çmim të veçantë edhe në Itali.

Ky vlerësim u bë gjatë një aktiviteti që organizohet në mënyrë të përvitshme nga organizata nderkombetare “Rinia” dhe komuna e Riva del Gardës. Çmimi i është dorëzuar realizuesit të ciklit “Gjurmë Shqiptare” me motivacionin si gazetari më i mirë në fushën e kërkimit dhe shpluhurosjes së të vërtetave historike.

Mëse 700 emigrantë shqiptarë nga qytete të ndryshme të veriut të Italisë kanë marrë pjesë në këtë organizim, që konsiderohet si një ndër më të mëdhenjtë në vendin fqinj.

“Ajo që mua më mbush sot me krenari është që pavarësisht largësisë, pavarësisht distancës, viteve, jetës së ndryshme që ka gjithësecili prej jush, jeni këtu, jeni krenarë që jeni shqiptarë dhe unë jam krenar që jam mes jush“, tha Marin Mema.

Aktivitete të tilla kanë për synim jo thjesht përafrimin e shqiptarëve në emigracion, por edhe realizimin e mjaft projekteve me karakter social në Shqipëri. Me këtë rast, në periudha të ndryshme janë bërë takime dhe realizuar projekte të ndryshme në Lezhë, Kavajë, Elbasan, Shkup e më tej.

Ky është vlerësimi i dytë në pak ditë për gazetarin e Top Channel, Marin Mema, pas çmimit “Hasan Prishtina“, dhënë në Prishtinë. / KultPlus.com

Vellusha dhe Prishtevka, pasuria që e bënte Prishtinën adalet qyteti (FOTO)

Asokohe, Prishtina ishte adalet qyteti për mua, sepse kishte jo më pak së dy lumenj: Vellushën e Prishtevkën, – do ti kem dëgjuar kujtimet e shkrimtarit prishtinas Qamil Batallo, sa herë që po bisedohej për qytetin e fëmijërisë sonë.

– Do të më thonë, e pamundshme, vazhdonte shkrimtari, sepse Prishtina gjithmonë është zënë pisk për ujë! T`ju them, pra, atë që di mosha ime dhe atë që e kanë dëgjuar veshët e mi: Vellusha që rridhte për midis qytetit, kalonte te hapësira ndërmjet Teatrit Popullor (Kombëtar sot), dhe objektit të Unionit, nuk a qenë përrua, sepse në ujët e saj kanë notuar plot rosa e rosakë, pata e patokë. Këta shpendë, siç thuhet, kishin mundësi të zhyteshin e të mbyteshin në thellësitë e ujit, duke kërkuar ushqimin e tyre. Dimrit, ndërkaq, ndodhte të ngrinte i tëri dhe mbi akullin më se 25 centimetra të trashë, rrëshqisnin djelmoshat e qytetit me saja e me syngji. Vellusha, pra, gjallëronte gjatë tërë vitit.

– Ajo shpesh vërshonte pjesën më të madhe të qytetit, bile ku kalonte nën dyqanet e zejtarëve, që ndodheshin karshi teatrit, ndodhte ti “tundte” ato. Pëshpëritej, madje, një gojëdhënë e trishtueshme, se Vellusha ishte një lum i mallkuar, që për çdo 32 vjet përmbyste dhe rrëmbente çdo gjë që gjente para vetes. Mu për këtë, prishtinasit janë kujdesur që në të dy anët e Vellushës të ketë plepa. Gojëdhëna thotë se mbi ata trupa plepash të lartë kanë shpëtuar jetën shumë qytetarë, kur Vellusha kishte gufuar e ishte çmendur fare. Dirsa në anën tjetër të qytetit (prapa Tregut të Gjelbër, sot) ka rrjedha prajshëm lumi Prishtevka. Me këta dy lumenj janë ujitur kopshtet e qytetit, që kanë paraqitur pasurinë më të madhe ekonomike të këtij vendi” rrëfente me mall për të kaluarën shkrimtari Qamil Batalli.

Burimi: Sanije Gashi – Prishtina e fëmijërisë sime

Poezia e Eqrem Çabej për djalin e tij të vdekur

ARTANIT

Ti vazë e derdhur mjeshtërishte dore
Ti formë e hequr baltëje bujare:
Te mes’ i ditës sate re në fare
E shove gjurmën vet’ e vet’ u bore.
Të mblonte ditën ujët tat rrafshore
E derdhej natën detesh harrimtare.
Po ky i jetës qark t’u err: krenare
Ti theve shtatin në thermi mizore.
Kush pati et iu bëre ujë e krua
Kush pati gaz i dhe të bardhë verë
E vaj të butë plagash kush i pat.
Tani na re si ra një yll q’ u shua.
Krip-artat vasha derdhin vaj të gjerë
Me sy të lagur përmbi kurmit tat.

Mbi ty ku dergje te banesa jote
Të motit gjurmë ndjekin varg e varg.
Fryn er’ e malit, ndihet vera larg
E vesa shtrohet si një shtrojë e lote.
Mbi ty kalojnë muaj edhe mote
Me dit të rënda e me net të shkreta.
Mimoza frorit, pika shiu të qeta,
Nata e vitit pa një krismë gote.
Ti rri si rri një shenjt edhe një mbret.
Nuk ngrin prej dimri as nuk pret prëndverë;
Nuk pyet për shokë që ke tash përherë,
Për ç’le këndej, për vjet që po kalojnë,
Për sytë e errur, gjeth të mbulojnë,
Për qelq që pive, gjëmën që të gjet.

Fryn er’ e malit, bie bora larg
Fryn er’ e malit, hëna ndrit nga larg

15 dhjetor 1970…

Urime datëlindja, Tinka Kurti!

Sot feston datëlindjen një prej këngëtareve ikonike shqiptare, Tinka Kurti.

Tinka Kurti ka lindur më 17 dhjetor 1932 në Sarajevë të Bosnjës, nga një baba shqiptar me origjinë nga Dukagjini i Shkodrës dhe nga një nënë hungareze.

Që nga viti 1949 e deri sa doli në pension ishte aktore e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës, ku interpretoi rreth 120 role. Veçanërisht e suksesshme në rolet e forta dramatike të nënave, por po kaq e suksesshme në komedi. Shkëlqen me role protagoniste në “Gjaku i Arbrit”, “Histori Irkutase”, “Toka Jonë” – ku luan në fillim Filen e pastaj Loken, “Fisheku në pajë” apo “Fejesa e Çehovit”.

Kurti ka interpretuar edhe në kinema, në rreth 35 filma artistikë, duke filluar me filmin e parë shqiptar të metrazhit të gjatë, “Tana”, më 1958.

Emrin e Tinka Kurtit mban edhe një shkollë në fshatin Lekbibaj në Shqipëri. / KultPlus.com

“Miqtë do të jenë aty për ju më shpejt se familja juaj…”

“Kur e keni një mik që vërtetë kujdeset për ju dhe tenton të rri me ju, ju e trajtoni atë si asgjë. Mësoni të bëheni mik i mirë sepse një ditë ju do të filloni të kërkoni e pastaj do të thoni se e keni humbur një mik të mirë.

Mësoni të jeni të jeni të respektueshëm për miqtë tuaj; mos filloni vetëm të argumentoni me ta pa ua treguar arsyen. Kurrë mos harroni se miqtë do të jenë aty më shpejt se sa familja juaj.

Mëso ta kujtosh se ke miq të mëdhenj – mos e harroni këtë dhe ata gjithmonë do të kujdesen për ju, pavarësisht të gjithave. Gjithmonë kujtohuni të buzëqeshni dhe të shikoni përreth gjërave që i keni në jetë.”
– Marilyn Monroe

Valdete Idrizi: In memoriam – Blerim Peci

Aktivistja Valdete Idrizi, edhe kandidate për të parën e qytetit të Mitrovicës, gjithmonë ka fjalë aq emocionuese kur flet kolegun Blerim Peci.

Aktori dhe komediani vdiq para disa ditësh ndërsa këtyre ditëve janë mbajtur edhe ceremoni përkujtimore por edhe transmetime emisionesh ku ai ka qenë protagonist.

Idrizi dje ka shkruar një tjetër kujtim për Pecin, In memoriam: BLERIM PECI, ku shprehë emocionet e saj dhe dhimbjen për humbjen e një njeriu të dashur e punëtor si Peci.

“Sa veshtire me shkru per Belin tone, tash qe nuk eshte ne mesin tone….. une qe nuk e kisha veq familjar po edhe shok te mire!
E keni njofte te gjithe si nje artist te mrekullueshem, nje aktor te madh, nje koleg e bashkepuntor te mire…. po Beli ishte edhe nje shok shume i mire, jo shume i mire po ishte me i miri nder ne, me i miri…. te gjithe do te kishin dashte me pase nje mik si ai. Beli ishte njeriu qe e kishte zemren aq te bardhe e aq te madhe saqe te gjithe ia kishim lakmi…. ai na ofroi miqesine e tij, dashurine e tij pa rezerve, perkujdesjen qe e kishte per ne, perkrahjen qe na e dha pa kerku asnjehere asgje…… Beli ishte i tille….. Beli ishte mire e rehat vetem kur njerezit rreth tij ishin mire e rehat, Beli dinte qe kafshaten e tij te fundit te ndante me te tjeret, edhe kur nuk i njihte por qe kishin nevoje…. ishte i ndijshem ndaj personave nevojtare…Beli ishte i tille….. Beli ishte gjithehere para neve te gjitheve, me idete e tija, me kreativitetin e tij, me guximin e tij, ishim shume perpara ne kohe…..
Idete e tij briliante e shume te guximshme arrinte t’i realizonte gjithehere me pune, edhe atehere kur ne nuk besonim qe ishin te realizueshme, ai na bindte qe kishte te drejte. Me kembengulje, me pune, perkushtim e seriozitet arrinte t’ia dilte…..Ani pse me meritori per te gjitha sukseset ne teater, Beli nuk donte ta merrte lavdin per sukseset por na i linte te gjitheve…….i tille ishte……Beli aq shume trashegimi na la, aq shume miresi, aq shume humanizem, e nuk e di a e merituam nje shok kaq te mire, nje bashkeqytetar kaq te mire….. edhe kur ishim te trishtuar, te merzitur ai me humorin e tij, me afersine e tij, na bente te ndihemi mire… gati secili ne qytet, dhe jo vetem, ka kujtime me Belin, kujtime te mira, sepse me Belin te tilla ishin kujtimet sepse i tille ishte ai…..me i miri..
Une e di qe une e kam borgj e besoj te gjithe miqte e tij e familjaret e ndjenje njejte, te gjithe ata qe arriten ta njohin qofte personalisht apo permes ekranit apo skenes se teatrit… e kemi borgj te punojme cdo sekond te jetes te jemi njerez me te mire, cdo dite e me te mire, te ofrojme dashuri, perkrahje e solidaritet te tjereve….. duhet te deshmojme se e kemi meritu nje shok te tille, nje bashkeqytetar te tille, nje familjar e nje koleg e bashkepunetor te tille..,.. une Beli jone te premtoj se do te punoj cdo dite, te jetesoj misionin tend, te bejme nje bote te mire.
E dashur Dita, Beli nuk ishte veq i juaji, veq i familjes, po ishte i te gjitheve.
Do te na mungosh Beli, do te me mungojne thirrjet e tua, keshillat e tua, kritikat e tua, nofkat me te cilat mu drejtojshe, sepse jeta nuk do te jete e njejte pa ty, as qyteti nuk do te jete i njejte pa ty, por do te jetojme me aq shume kujtime te mira qe na le…. do te te kujtojme me krenari e falemnderit shume Beli qe ishe pjese e jetes time, jetes tone…. isha e bekuar qe te njoha, qe nga femijeria, qe me lejove me qene mike e jotja…falemnderit e pusho ne paqe o njeri i mire e ti, veprat e tua e trashegimia qe na i le kombit tone, do te jetojne perhere. Ne do te te kujtojme perhere Beli se njerezit si ti jane te rralle”.

Peci ndërroi jetë para disa ditësh, në një mënyrë krejt të papritur, dukë lënë në gjysmë disa projekte artistike në të cilat po punonte. / KultPlus.com

Kleofina Pnishi, në mesin e 12-të vajzave më të bukura në Francë (VIDEO)

Modelja shqiptare Kleofina Pnishi mbrëmë është radhitur në mesin e 12-të vajzave më të mira të Francës.

Në një spektakël madhështor, Miss Franca mbrëmë është zgjedhur Maeva Coucke – Miss Nord Pas Calais.

https://www.youtube.com/watch?v=JAx2yZEd9ps

Nga gjithsej 30-të kandidate, secila Miss i një krahine apo qyteti, Kleofina Pnishi është radhitur në dymbëdhjetëshen më të mirë. Kleofina, disa muaj më parë është zgjedhur Miss Provence.

Eva Colas është përzgjedhur si përcjellësja e parë e Missit ndërsa Lison di Martino përcjellja e dytë.

Në jurinë e spektaklit të madh ka qenë edhe dizajneri i njohur Jean Paul Gaultier dhe këngëtarja Nolwenn Leroy, shkruan KultPlus.

Gjatë natës vajzat me një pikë interesante e kanë kujtuar këngëtarin e madh francez Johnny Hallyday i cili ndërroi jetë me datë 6 dhjetor, dhe mbetet ndër legjendat e muzikës në Francë. / KultPlus.com