Natyra shqiptare, në penelin e 12 piktorëve

Ekspozita “Plein Air”, ka bërë bashkë 12 piktorë të njohur që kanë ekspozuar veprat e tyre në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë.

Ekspozita këtë vit vjen në edicionin e tretë dhe është hapur për publikun më 15 nëntor në mjediset e MHK ku i ka shtuar gjallërinë jetës artistike në Tiranë.

Këtë herë janë veprat e pikturës që janë realizuar nga artistë të njohur si : Agron Dine, Agron Polovina, Arsen Kurti, Buron Kaceli, Kujtim Buza, Nikolin Ivanaj, Pashk Përvathi, Qamil Prizreni, Sadik kasa, Sefedin Stafa, Vangjo Vasili dhe Xhaneta Kadillari .

Në këtë ekspozitë artistët kanë prezantuar nga pesë vepra secili dhe janë të realizuara në vitin e fundit, si dhe nuk janë ekspozuar më parë. Piktori Pashk Përvathi pohon se në tablotë e pikturës janë peizazhe nga vende të ndryshme të Shqipërisë, por dhe nga Kalabria, ku artistët kanë piktura.

Pashk Përvathi pjesëmarrës në këtë ekspozitë thotë se, ”jemi një grupim prej 12 piktorësh peizazhistë ku kemi pikturuar në vende të ndryshme të Shqipërisë, por kryesisht është veriu i vendit. Punët tona janë të realizuara në teknikën e vajit dhe ne nuk prezantohemi me një punë, por me disa piktura” tregon Vathi.

Ai gjithashtu shtoi se “secili nga ne 12 piktorët peizazhistë prezanton në ekspozitë pesë punime, të cilat janë të realizuara përgjatë këtij viti dhe ekspozohen për publikun në muze”, vijoj më tej ai.

Ngjyra, emocione, ndjenja, energji dhe penelata që dalin nga shpirti, duke modeluar e përjetësuar peizazhe nga Shqipëria. Kjo është ajo që prezanton ekspozita “Plein Air” edhe këtë vit.

Artistë që kanë krijuar grupimin “Artistët e Plenerit” ndryshe nga grupimet e tjera deri më tani në art, kanë si qëllim që në ekspozitat që çelin të prezantojnë vetëm tablonë me peizazhin shqiptar ku artëdashësit do ti shohin deri më datë 22 nëntor në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar.

Grabitje në Teatrin ‘Skampa’ në Elbasan

Persona të maskuar kanë grabitur gjatë natës së djeshme kasafortën e teatrit ‘Skampa” në Elbasan. Sipas burimeve policore, të paktën dy persona ende të pa identifikuar kanë hyrë nga dera e pasme e godinës, duke marrë prej andej shumën e parave të mbledhura nga biletat e shfaqjes “Babai”.

Veç parave të gjendura në kasafortë grabitësit marrin edhe 400 mijë lekë që i përkisnin financieres.

Policia ndodhet në vendngjarje, ku ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve. / KultPlus.com

Në zbulim të Shqipërisë, vendit më të fshehtë në Mesdhe! (FOTO)

Zbulo trashëgiminë kulturore më pak të njohur, bukurinë natyrore dhe zonat historike të vendit më të fshehtë të Mesdheut, shkruan në reportazhin e saj për Shqipërinë revista e njohur britanike “SAGA”.

Joanne Johnstone, ekspertja e kësaj reviste për shtetet si Sllovenia, Kroacia, Mali i Zi dhe së fundmi Shqipëria bën një përshkrim të përgjithshëm të udhëtimit të saj në vendin tonë duke vlerësuar trashëgiminë historike, bukuritë natyrore dhe kulturën gastronomike.

Për shkak të peridhës komuniste, që e mbajti vendin të izoluar nga pjesa tjetër e botës, Shqipëria njihet shumë pak dhe pas rënies së këtij sistemi vendit i’u deshën rreth 20 vite që të arrinte nivelin e Evrops Lindore.

“Megjithatë, aspektet pozitive të kësaj situate izoluese janë krijimi i zonave ku duket se koha ka ndaluar, zona arkeologjike të harruara, fshatëra, plazhe dhe male që mund të rivalizojnë pjesën tjetër të Ballkanit”, thotë Johnstone.

“Për shkak të mungesës së kapaciteteve për të përballur fluksin e lartë të turistëve që vjen në periudhat kulmore të vitit, Ministria e Turizmit ka ndërmarrë masa të cilat do të mbështesin turizmin në të ardhmen, megjithatë edhe aktualisht gjërat janë duke ndryshuar dhe ju mund ta ndiheni këtë”, shkruhet në këtë reportazh.

“Gjatë përgatitjes së këtij udhëtimi, kontakti im në Shqipëri më pyeti se çfarë doja të shikoja. Une thashë të gjithë. Kështu që ne planifikuam të vizitonim Tiranën, Durrësin, Fierin, Vlorën, Himarën, Sarandën, Butrintin, Gjirokastrën, Beratin, Pgradecin dhe Ohrin (Maqedoni) dhe të gjitha këto në vetëm pesë ditë”, tregon Joanne Johnstone e habitur se si një vend kaq i vogël kishte kaq shumë për të vizituar.

Ajo që është mahnitëse, është se si qytetarët e Shqipërisë kanë hedhur një dritë të re në historinë e errët duke kthyer bunkeret në simbole të artit dhe muzeume me synimin për të krijuar një kujtesë të asaj që kanë vuajtur dhe mbijetuar.

“Ne shpresojmë të ndihmojmë shqiptarët që të pajtohen me historinë e tyre dhe të kaluarën. Nuk mund të ketë vetëdije për të tashmen dhe vetëbesim për të ardhmen pa njohur terrenin se ku janë mbjellur rrënjët e tua”, thotë Carlo Bollino, kuratori i “Bunk’Art”.

Por a është Shqipëria një vend i sigurt për t’u vizituar?

Sipas faqes së internetit “www.gov.uk”, “siguria publike është në përgjithësi e mirë, veçanërisht në Tiranë dhe shqiptarët janë shumë mikpritës ndaj vizitorëve”.

“Krim dhe dhunë ka në disa zona, por raportimet për krime specifike me shënjestër të huajt janë të rralla (…) Tensionet mes grupimeve fetare dhe shprehja ekstremizmave janë shumë të rralla, ndërsa mendimi për vendet perëndimore është jashtëzakonisht pozitiv”, thuhet në këtë faqe sipas citimeve të bëra nga gazetarja.

“Këtë e ndjeva edhe unë. Nuk u ndjeva e pasigurt dhe nuk isha aq e kujdesshme sa jam në Britani të Madhe. Ajo që më habiti më shumë ishte faktori fetar”, thekson Johnstone.

“Zonat arkeologjike të mbrojtura nga UNESKO ishin shumë mirë të mbajtura dhe të mrekullueshme si Butrinit, kalaja e Gjirokastrës dhe qyteti i dritareve, Berati”, vazhdon ajo.

Por nuk janë vetëm bukuritë natyrore dhe historike që mrekullojnë eksperten e udhëtimeve në Ballkan.

“Ushqimi shqiptar ishte i mirë. Dua të them, me të vërtetë shumë i mir!”, thotë gazetarja.

Kjo është shqipëria, vendi më i fshehtë mesdhetar, që tani ka ardhur koha t’i zbulohet të gjithve./

Nga Joanne Johnstone (Përgatiti Gent Sinani)

Adi Krasta dhe këngëtarët e mëdhenj rikthehen në Festivalin e Këngës

Festivali i Këngës në RTSH në datat 21-22 dhe 23 dhjetor. Këtë vit në garë për në “Eurosong” janë 22 këngë. Pas një mungese të gjatë Manjolla Nallbani, Elton Deda dhe Redon Makashi i bashkohen festivalit.

Festivali i 56-të i Këngës në Radio Televizionin Publik Shqiptar në tre net. Organizatorët prezantuan dje formulën e konkurrimit. Publiku do të njihet me 22 këngët pjesëmarrëse fillimisht, nëpërmjet radios dhe televizionit. Në natën e parë do të prezantohen 11 këngë. Nata e dytë do të jetë po kështu, ndërsa nata e tretë spektakël. Gjithashtu do të ketë edhe një post-festival, ku panelistët do të trajtojnë tema të ndryshme, që kanë të bëjnë me festivalin, por jo vetëm. Gjatë ditës së djeshme, moderatori dhe gazetari i njohur Adi Krasta, regjisori Pali Kuke dhe drejtori muzikor Sokol Marsi argumentuan, se përse ky festival do të jetë i suksesshëm. Skenografia i është besuar Albi Çiflikut, ndërsa drejtues i Orkestrës do të jetë kantautori Elton Deda.

Prezantuesi Adi Krasta merr përsipër (për të gjashtën herë), që të drejtojë Festivalin e Këngës në RTSH. Këtë vendim, shpjegon ai, e mori përsipër, bashkë me stafin, sepse dëshirojnë të shkojnë kundër rrymës, duke kërkuar ringritjen e festivalit. “Këtë vit duam që të ndiejmë çdo sekondë në këtë aktivitet. Duam që të bëjmë një festival ndryshe nga festivalet që kanë qenë, por edhe që do të vinë. Mbase nuk do ta bëjmë tërë jetën, sepse të paktën për mua mund të jetë festivali i fundit. Nuk pretendojmë ‘Sanremo’-n, por do të jetë një festival me gjëra të patepruara”.

Vëmendja kryesore do të jenë këngët, prandaj Krasta mendon se këngëtarët duhet të shkojnë në këtë skenë, si artistë të mëdhenj, sikur po shkojnë në skenën ‘Asiston’, që nga veshja artistike, deri tek sjellja artistike. “Nuk jemi fare të shqetësuar këtë vit se kush fiton çmimin e parë. Për mua ekzistenca e ‘Eruosong’-ut nuk më inkuriozon gjëkundi. Dëshiroj që të bëhet një shfaqje edhe për publikun, që na ndjekë nga shtëpia”. Krasta shprehet se është i emocionuar në këtë rikthim të tijin, prandaj nuk ka dëshirë, që të përjetojë asnjë skualifikim, pasi festivali zhvillohet çdo vit. Në qendër të festivalit është një ansambël; orkestra, dirigjenti dhe instrumentistët. Gjithashtu do të ketë edhe një post festival, ku do të diskutohet pas natës së parë dhe natës së dytë të festivalit.

Kësaj here, gara nuk do të jetë edhe aq e lehtë! Këngëtarët që do të marrin pjesë janë: 1) Artemisa Mithi; 2)Boiken Lako; 3) David dhe Genc Tukiçi; 4)Denisa Gjezo; 5)Elton Deda; 6) Ergi Bregu; 7) Evans Rama; 8)Eugent Bushpepa; 9) Grupi “Akullthyesit”; 10)Grupi “Lynx” ; 11) Grupi “Na”; 12) Inest Neziri; 13)Lorela Sejdini;14) Manjola Nallbani; 15) Mariza Ikonomi; 16) Orgesa Zaimi; 17) Redon Makashi; 18 Rezarta Smaja e Luis Ejlli; 19) Stefi dhe Endri Prifti; 20) Tahir Gjoci; 21) Voltan Prodani dhe 22) Xhesika Polo.

Mes 70 këngëve, që kanë aplikuar për t’u ngjitur në skenën e Festivalit të 56-të të Këngës në RTSH, komisioni ka përzgjedhur vetëm 22 këngë finaliste. Komisioni është përbërë nga 5 anëtarë, të cilit janë: Markelian Kapidani, Luan Zhegu, Ben Andoni, Sokol Marsi dhe Edmond Rapi. / KultPlus.com

Pse kjan Hana

Poezi e shkruar nga Donart Rexhbogaj.

Nji natë Hana ish zemnue
zemën plasun, po vajton
shikjon Zanat që po ikin
thellë ndër male me mrizue!

Pret errësinën, me ba dritë
fatëzeza ma s’po duron
Yjet, shpejt po i t’vetë:
Bijt e mi, pse ikën zanat!?

Nuk i shohë tek vallëzojnë,
as te gurra mu freskue,
Veq heshtas e kokë ulun
vazhdojnë rrugën të trishtueme…

Ç’faj kam ba? Unë e mjera!
a mos ndofta me janë idhnue
që spo shndris ma si dukur
Mos Drita eme, me asht rrallue!!

Jo, moj Hanë, t’i kjofsh bekue!
zanat ty, s’tu kan idhnue
I kem pa do t’pa besë
me plumb pushke
na i kanë plague!!

Kushtuar femrave të dhunuara nga barbarët gjatë kohës së luftës

Shkruan: Dritë Ademi

(monolog)

Kushtuar femrave të dhunuara nga barbarët gjatë kohës së luftës

Kush asht atje?
Kush asht atje?
Kush asht atjeeeeeeeee?

Prapë nuk përgjigjet
Prapë hesht
Ashti jem
Barku jem
Zoti jem
Gjarpni jem…

Ata po vijnë, ata po vijnë, ata po vijnë…
Në këtë zhurme të çuditshme
Në këtë heshtje të trillt
Në këtë trup pa trup e me turp
Turp, oh unë , unë, unë,
mes t´ vdekunve varr s ´kam
mes t´gjallve gjallë s´jam
kit bark nekrotik do ta vdes
para se të vijnë

oh Zot
oh Zot
oh Zooooooooot !
Vazhdon…

….

Shqiptarja Ermonela Jaho, në koncertin e karrierës së Placido Domingos (FOTO)

Sopranoja e njohur botërisht, Ermonela Jaho, ka qenë mbrëmë e pranishme krahas Placido Domingos në përvjetorin e këtij të fundit, për të festuar 50 vjetorin e karrierës së tenorit Placido Domingo.

Në këtë koncert nuk kishte si të mungonte sopranopja shqiptare Ermonela Jaho e cila e ka shprehur emocionin e mbrëmjes përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

“Jam shumë e lumtur dhe e nderuar të jem në festimin e 50 vjetorit të karrierës së të Madhit Maestro Placido Domingo në Los Angeles dhe të ndaj skenën me kolegët e mi të mrekullueshëm të dirizhuar nga Dirigjenti James Conlon”, ka shkruar ajo.

Hera e parë e Placido Domingos në Los Angeles ishte në nëntor të vitit 1967, ndërsa tenori ka thënë se asokohe nuk ka pritur se sot do të festonte me kaq lumturi e sukses jetën dhe suksesin e tij në skenë.
Arturo Chacón-Cruz, Ana María Martínez, Nino Machaidze, Nancy Fabiola Herrera, Janai Brugger, Michael Fabiano dhe Mario Chang i janë bashkuar poashtu tenorit, ndërsa ai njihet për bashkëpunimin me artistët shqiptarë, përfshirë këtu Ermonela Jahon dhe Ramë Lahajn.

Aktorja e “Orange is the Neë Black”, Uzo Aduba, ishte poashtu e pranishme në këtë koncert, duke performuar “I could have danced all night”, shkruan KultPlus.

Aktorja Helen Mirren poashtu ishte e pranishme në këtë festim të karrierës së Placido Domingos, i cili është edhe drejtor i Operës së Los Angelosit që nga viti 2003. / KultPlus.com

Të rinjtë performojnë vallet tradicionale në Muzeun e Krujës (VIDEO)

Kruja nuk është vetëm qyteti i historisë, traditës, identitetit por edhe gjurmëve shqiptare që sot ndiqen nga të rinjtë e vendit.

Valltarë të rinj kanë zgjedhur të performojnë në Muzeun e Krujës duke bashkuar të kaluarën me të sotmen.

Të rinjtë e sotëm të apasionuar pas muzikës folklorike dhe valleve tradicionale, kanë sjellë për vizitorët e pranishëm emocionet e atdhedashurisë.

Një moment i bukur i provave të tyre në ambientet e Muzeut. / KultPlus.com

Këta janë këngëtarët e Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar

Ashtu sikundër pritej, pas përfundimit të afatit për pranimin e këngëve deri më datë 10 nëntor, sot është bërë edhe përzgjedhja e tyre.

Në një garë me gjashtëdhjetë këngë, njëzet e dy janë ato që do të interpretohen në netët live të festivalit.

Qëllimi i organizatorëve ka qenë të gjejnë një formulë të ekulibruar midis kthimit të këngëtareve me përvojë në skenën e festivalit, por pa harruar edhe freskinë e të rinjve të talentuar dhe adrenalinës së grupeve në skenë. Tre grupe të gjeneratave të ndryshme do të jenë pjesë e një gare të përbashkët për këngën më të mirë të këtij festivali, i cili e ka ngritur me kohë siparin.

Renditja e mëposhtme është bërë në bazë të rendit alfabetik dhe përjashton çdo mundësi hamendësimi për renditje sipas numrit të pikëve.

Artemisa Mithi
Boiken Lako
David dhe Genc Tukiçi
Denisa Gjezo
Elton Deda
Ergi Bregu
Evans Rama
Eugent Bushpepa
Grupi “Akullthyesit”
Grupi “Lynx”
Grupi “Na”
Inest Neziri
Lorela Sejdini
Manjola Nallbani
Mariza Ikonomi
Orgesa Zaimi
Redon Makashi
Rezarta Smaja e Luis Ejlli
Stefi dhe Endri Prifti
Tahir Gjoci
Voltan Prodani
Xhesika Polo

Të gjithë ish të dashurit e Rita Orës, në albumin e saj të ri

Në albumin e radhës i cili nuk do të vonojë, Rita Ora do t`iu flasë të gjithë ish dashnorëve të saj.

Rita Ora, shqiptarja e njohur për muzikën e saj pop, gjatë jetës ka takuar emrat si Rob Kardashian, Calvin Harris e James Arthur – dhe lista e të dashurve të saj nuk është e zakonshme, shkruan KultPlus.

Për The Sun, 26 vjeçarja ka treguar se në mesin e inspirimeve për albumin e saj janë edhe ndodhitë me ish të dashurit e saj.

“Meshkujt me të cilët jam takuar më parë, dashuritë e mia, secila është një inspirim i vogël për këngët e mia. Edhepse, muzika për mua gjithmonë ka qenë më domethënëse sesa çdo i dashur” ka treguar Rita për The Sun.

Kur Rita u nda nga Rob Kardashian, ai e akuzoi atë se e ka tradhtuar me rreth 20-të meshkuj. Përvojat e Ritës në dashuri janë të ndryshme dhe një pjesë e tyre janë të njohura për publikun.

Mes emrave tjerë me të cilët Rita ka qenë e shoqëruar ndër vite janë edhe Travis Barker e Lewis Hamilton. Rita ka deklaruar se vitin tjetër do të realizojë një turne në pjesë të ndryshme të botës. / KultPlus.com

Macja

Poezi e shkruar nga Bodleri.

Hajde, macja ime e hijshme,
Ulu mbi zemrën time të dashuruar
Vuri putrat e buta mbi gjoksin tim
E lërmë të zhytem në sytë e tu të bukur
Plot ngjyra metal e gurë zefiri…
E teksa duart e mia dehen në përkëdheli
Mbi kokën dhe shpinën tende elastike
E dora ime dridhet nga volupteti
Mbi pelushin tënd të butë e elektrik
Tek ty ndjej trupin e së dashurës sime
Shikimin e saj si yti o kafshë e bekuar,
I thellë e i ftohtë çpues e i mprehtë si kamë
Ndjej përreth meje nga këmbët gjer tek koka
Të lehte e kërcënues një parfumi trullosës
Që si opium pështjell trupin e saj brun.

Shqipëroi Vasil Qesari

( Në kohën kur jetonte Bodleri, mbajtja e maceve ishte bërë diçka e modës. Edhe në rrethin shoqëror të poetit, shumë artistë si Delakrua, Mane, Gotje, Banvil, Shamfleri e të tjerë, ndër të tjera, adhuronin në mënyrë të veçantë edhe macet. Autori i ‘Lulet e së Keqes’ ushqente ndaj tyre një pasion të vërtetë. Ai gjente tek ‘felinët’ ( siç quhen ndryshe, macet e racave të ndryshme ) vlerat poetike të femrës si edhe cilësitë misterioze të poetit. Sharl Bodler u ka kushtuar maceve tri poezi ).

Dua Lipa sonte nuk merr pjesë në MTV EMA 2017

Dua Lipa sonte nuk do të jetë e pranishme në ndarjen e çmimeve MTV EMA 2017 në Londër.

Ajo ka lajmëruar vetë në Twitter se gjendet në Amerikë për shkak të turneut por po e shikon spektaklin nga televizioni.

Dua tanimë nuk është shpërblyer në disa kategori ku ka qenë e nominuar, diçka që ka shkaktuar një debat të madh në rrjetet sociale, pasi ajo humbi në kategorinë Artisti më i mirë i Ri dhe në Best Look – Dukja më e mirë, shkruan KultPlus.

Rita Ora po e moderon spektaklin i cili po ndiqet nga miliona njerëz në mbarë botën. MTV EMA këtë vit po mbahet në Londër. Demi Lovato do të ngjitet më vonë në skenë derisa Camilla Cabello sapo përfundoi performancën e këngësn “Havana”.

Rita Ora e nisi spektaklin duke u ngjitur në skenë me veshjen e bardhë, por më pas e ndërroi veshjen. Më vonë, ajo pritet edhe të performojë përpos që është edhe e nominuar në disa kategori. / KultPlus.com

Këngëtarët me më shumë nominime dhe fitore në MTV EMA ndër vite (VIDEO)

Eminem, këngëtari më i nominuar ndonjëherë në MTV EMA

Eminem ka gjithsej 36 nominime në ceremoninë MTV EMA – një prej ceremonive më të ndjekura në botë të muzikës aktuale në botë.

Nga këto nominime, ai ka fituar 15-të çmime MTV EMA, në vendin e dytë pas Justin Bieber i cili ka gjithsej 20-të çmime MTV EMA.

https://www.youtube.com/watch?v=DH2EJ8XThLA

Beyonce është këngëtarja më e nominuar ndonjëherë në MTV EMA, me 32 nominime gjithsej, ndërsa 30-të nominime i ka Katy Perry dhe Rihanna.

Lady Gaga është këngëtarja femër që ka më së shumti MTV EMA, gjithsej dhjetë të tilla. Shakira ka gjithsej 13-të nominime, Adele i ka 10-të nominime, Taylor Swift 27-të nominime, ndërsa nga 22 nominime për çmimet MTV EMA i kanë Linkin Park dhe Coldplay. / KultPlus.com

Shqiptarja Rita Ora parakalon në tepihun e kuq të MTV EMA 2017 (FOTO)

Këngëtarja Rita Ora ka lënë të gjithë me gojën hapur derisa po pozon në tepihun e kuq të MTV EMA.

Veshja e saj edhe sonte është e veçantë, derisa ajo do të jetë edhe moderatorja e natës së ndarjes së çmimeve sonte.

Rita po duket e veçantë, dhe ndoshta nga më të përfolurat momentalisht derisa në tepihun e kuq po parakalojnë emra të ndryshëm të industrisë së muzikës.

Lana del Rey dhe Camilla kanë befasuar me ardhjen e tyre derisa pritet parakalimi i yjeve tjera. / KultPlus.com

Publikohen emrat e disa prej këngëtarëve pjesëmarrës në Festivalin e Këngës në TVSH

Kanë nisur të dalin në pah edhe emrat e parë pjesëmarrës në Festivalin e Fundvitit në Radio Televizionin Shqiptar.

Dhjetori i këtij viti do të na sjellë një edicion tjetër të festivalit serioz të muzikës shqiptare.

Emrat e parë të këtij festivali këtë vit tanimë kanë dalë. Klajdi Musabelliu, një këngëtar i dalë nga “Ethet e së premtes”, vjen këtë vit në festival si kantautor.

Redon Makashi, Elton Deda e Aleksandër Gjoka, një treshe e fuqishme e muzikës shqipe, këtë vit do të konkurrojnë në këtë festival, në Pallatin e Kongreseve. Artemista Mithi, këngëtare e re dhe më pak e njohur, këtë vit do të provojë fatin në Festivalin ku fituesi automatikisht fiton të drejtën e përfaqësimit shqiptar në Eurovizion.

Eurovision Albania mëson se këngëtarja Denisa Gjezo është një nga artistet që garon për të qenë pjesë e Festivalit të Këngës në RTSH. Denisa, të cilën e njohim përmes klipeve, muzikës live në disa nga ambientet e kryeqytetit dhe si backvocaliste të këngës “World” në Eurovision 2017, konkurron në Fest 56 me një këngë (“Zemër ku je”) të kompozuar nga Mario Deda, me tekst të Aurel Thëllimit, orkestruar nga Klodian Qafoku.

Këta janë vetëm disa prej emrave që janë zbuluar deri tani, e që do të ngjiten në skenën e festivalit këtë edicion. Edicioni i 56-të i Festivalit të Këngës do të mbahet me 21, 22 dhe 23 dhjetor, shkruan KultPlus.

https://www.youtube.com/watch?v=yDTYkGlLPsQ

Vitin e kaluar, festivalin e fitoi Lindita Halimi e cila më pas edhe e përfaqësoi Shqipërinë në Eurovision Song Contest, por nuk ia doli kualifikimit për në finale. / KultPlus.com

Redi Shtylla, një shqiptar në trupën e famshme të baletit në Francë (VIDEO)

Në trupën e famshme të baletit që drejton Angjelin Preljocaj është edhe një shqiptar. 23-vjeçari Redi Shtylla rrëfen rrugëtimin e tij nga Shqipëria në Francë. Prej 2 vitesh ai është bërë pjesë e akademisë më të njohur të dansit kontenporan, me të cilën interpreton në skenat më të njohura të botës.

“Në fillim nuk dija shumë për Angjelinin. Në Francë është një nga figurat më të mëdha, një nga koreografët më të mëdhenj të Francës dhe më bëri përshtypje mbiemri i tij. Mu duk shqiptar dhe fillova të kërkoja në Google dhe kur kërkova më shumë për historinë e tij pash që ishte me origjinë shqiptare. Aty fillova të interesohesha më shumë për të”, tregon Redi Shtylla.

Së bashku me trupën e baletiti të kompansië Preljocaj, tani ai shkel në skenat në mbarë botën. Fillimi i muajit tetor e solli atë në Tiranë për nisjen e turit të ri të Preljocaj, kohë kur Redi rrëfeu edhe rrugëtimin e tij drejt baletit dhe njohjen me koreografin e madh francez me origjinë shqiptare.

“Isha gjatë një audicioni për t’u bërë pjesë e kompanisë Preljocaj, kur në një moment, kur po bëja ushtrimet ktheva kokën pas dhe pash Angjelinin. Aty shtanga, por vazhdova koreografinë time. Ishte një surprizë. Kisha dëgjuar shumë për të, por kontakt live nuk kisha pasur asnjëherë”, thotë 23-vjeçari.

Por ndonëse shokët e tij kishin në mendje figura të njohura të baletit botëror, Redi e dinte mirë se ai donte të ishte gjithnjë Redi.

“Me atë kulturë që jemi rritur, me atë teknikë baleti rus na vinin nëpër mend balerinët më të famshëm rusë, si Parishnikov, Nurejev dhe të gjithë thoshin ‘unë dua të bëhem si Parishnikov, unë dua të bëhem si Nurejev’. Mua, kur më pyesinin thosha se dua të bëhem si Redi pas 10 vjetësh”, thotë Shtylla.

Për Redin, familja ka qenë forca e tij më e madhe që kur ka nisur e deri në momentin që ka dalë jashtë Shqipërisë, që ishte dhe gjëja më e vështirë për të. “Falë tyre jam këtu ku jam e ky që jam, prej njerëzve që më kanë besuar”, thotë 23-vjeçari. Për momentin Redi po shijon suksesin e tij në skenat anembanë botës e ndërsa është vetëm 23 vjeç, skena të reja e presin. / KultPlus.com

Sibela Alimovska, vajza shqiptare që po lufton për Manastirin (VIDEO)

Të diskriminuar nga maqedonasit dhe nga pushtetarët shqiptarë në Maqedoni, të injoruar nga Tirana dhe Prishtina, që nuk e shohin të arsyeshme të hapin një konsullatë nderi siç kanë hapur shumë vende tjera, intelektualët e Manastirit kanë vendosur të marrin fatin në duart e tyre.

Pak shpresë dhe optimizëm lidhur me fatin e shqiptarisë në Manastir ka kthyer shoqata joqeveritare me emrin simbolik “22 nëntori”. Kjo shoqatë, që tubon intelektualët shqiptarë, udhëhiqet nga aktivistja e sektorit civil në këtë qytet, Sibela Alimovska.

Për dallim prej shumë bashkëmoshatarëve të saj nga Manastiri, që vendosin të migrojnë në Amerikë dhe Australi, Sibela ka vendosur të qëndrojë në qytetin e të parëve. E jo vetëm kaq. Duke formuar shoqatën “22 nëntori”, ajo synon të krijojë një vatër rezistence ndaj tendencave për zhdukjen e gjurmëve shqiptare në qytetin e konsujve. / KultPlus.com

Protestë në Gjilan, qytetarët kundër largimit të përmendores “Ushtari i panjohur”

Disa organizata joqeveritare në Gjilan kanë protestuar për të kundërshtuar largimin e përmendores e cila njihet si “Ushtari i panjohur”, pasi siç u tha kjo po bëhet pa diskutimin me qytetarët.

Sipas organizatorëve, deri më tani janë mbledhur më shumë se 380 nënshkrime të qytetarëve që kërkojnë të mos ndryshohet lokacioni i skulpturës, pasi lëvizja e skulpturës disa metra më lartë është e paarsyeshme dhe denigron këtë monument kulturor.

Albesa Aliu përfaqësuese e organizatës “Change”, ka thënë se komuna e Gjilanit fare nuk është konsultuar me qytetarët por gjithashtu ka dështuar të dëshmojë se Kuvendi Komunal ka marrë vendim për zhvendosjen e monumenteve.

“Ne vlerësojmë se debati i ngritur si shprehje e pakënaqësisë për veprimin e komunës rreth mënyrës së zhvendosjes së monumentit të njohur për publikun si ushtari i panjohur, pavarësisht historikut të saj dhe kërkesa që e njëjta të kthehet në vendin ku ka qenë është legjitime dhe si e tillë kërkojmë që të trajtohet seriozisht në institucionet komunale. Diskutimet duhet të mirëpritet nga komuna derisa komunikimi duhet të bazohet mbi argumente, rreth adresimit të nevojave të komuniteteve dhe kurrsesi mbi gjuhën e nxitjes së urrejtjes“, ka thënë ajo.

Vlora Shabiu nga organizata joqeveritare “KAN”, ka thënë se përkundër kërkesave që kanë bërë në komunë për të pas qasje në procedurën dhe vendimet lidhur me këtë monument, një gjë e tillë nuk është lejuar nga komuna.

“Andaj ne si organizata kërkojmë nga institucionet e lartpërmendura të shqyrtojnë situatën e krijuar”, tha ajo, derisa një person pastaj tentoi ta sulmonte për t’ia ndërprerë fjalimin e saj por që u mbrojt nga protestuesit tjerë, të cilët derisa kërkuan ndihmën e policëve që gjendeshin aty, por të njëjtin nuk ndërhynë, duke lejuar që i riu të largohet nga aty.

Kurse, i moshuari, Sabit Idrizi për KosovaPress ka treguar se për këtë përmendore ka pasur dy variant për emërtimin e saj, serb dhe shqiptar.

Sipas tij, kjo përmendore nuk duhet të largohet pasi që është simbol i masakrës së Gjilanit pas luftës së asaj kohe ku u masakruan rreth 8 mijë e 700 njerëz.

“Varianta e serbëve u kon gjojase një femer dikun u mbyt e me ngritë këtë përmendore në emër të asaj femre, varianta e shqiptarëve ka qenë masakra e Gjilanit në atë kohë pas luftës që janë pre 8 mijë 700 njerëz, që janë masakruar, edhe askund nuk shënohet. Përmendorja është ngritur, emër si kanë vu nuk është hero i panjoftur, është qytetar që e simbolizon masakrën e Gjilanit në luftë që e mban trupin ndër sqetull, hiq mos shko ma larg, kqyre ka një trup edhe një këmbë masakra që u pre Gjilani…kjo përmendore nuk është dashtë me u hjek”, tha ai.

Protesta u organizua nga Kartoni i Kuq dhe Organizata kulturore “Varg e vijë”.

Përndryshe, organizatorët kanë thënë se e respektojnë dhe i gëzohen vendimit për sjelljen e skulpturës së Idriz Seferit, por sugjeruan që kësaj skulpture t’i gjendet një vend meritorë, e jo të jetë zëvendësuese e skulpturës së vjetër. / KultPlus.com

Është mbajtur mbrëmë Festivali Ndërkombëtar i Koreve të Grave

Është mbajtur mbrëmë në Prishtinë Festivali i Parë Ndërkombëtar i Koreve të Grave, organizuar nga Kori “Lira”.

Një sallë e mbushur plot me mysafirë, në Swiss Diamond Hotel në kryeqytet, u njoftua me Kore të ndryshme.

Para audiencës u prezantuan Kori i Femrave të Shkollës së Mesme të Muzikës “Lorenc Antoni” nga Prizreni me dirigjent Fikrim Emra, Kori i Femrave “Siparantum” nga Peja me dirigjent Memli Kelmendin dhe Kori “Lira” me dirigjente Valire Buzën.

Të gjitha koret kanë kënduar nga katër këngë, ku dominuan këngët shqipe dhe kompozitorët shqiptarë. Kori “Lira” të gjitha këngët i ka të përgatitura nga kompozitori Tomor Berisha, bashkëpunëtor i ngushtë i këtij Kori.

Koncertin e moderoi Andi Belegu, i cili për fund këndoi “Margjelo”, përcjellur në piano.
Për KultPlus, nga Kori “Lira” tregojnë se një veçanti e kësaj nate ishte edhe binjakëzimi i Korit nga Prishtina dhe Korit “Lyra” nga Cyrihu.

Për edicionin e radhës së këtij festivali, në anën tjetër, interesim kanë shprehur edhe Koret e ndryshme nga Bosnja, Sllovenia, Greqia e Maqedonia. / KultPlus.com

“Baresha” e Gazmend Freitag ekspozohet në Ambasadën e Shqipërisë në Vjenë

Me rastin e ditës se Dyerve të Hapura të Ambasadave, ekspozoi piktori i njohur Gazmend Freitag për herë të tretë radhazi veprat e tij në Ambasadën e Shqipërisë në Vjenë.

Duke punuar me traditën e Impresionizmit Evropian, ky piktor shqiptar është i njohur për veprat e tij me motive shqiptare, të cilat ai me dashuri i paraqet në portrete dhe peisazhe.

Edhe këtë herë, piktori na siguroi një vështrim në shpirtin shqiptar, si për shembull përmes pikturave vaj në kanavace „Baresha“, „Der Adler“, “Nadege am Meer” dhe “Obstladen in Prizren”. Për herë të parë admirohen edhe portretet e Pjetër Bogdanit dhe Dr. Marianne Graf, si dhe grafikat „Die Braut von Mitrovica“, “Skanderbeg in Kruja”, “Albanische Gutenachtgeschichte”, “Albanerin mit Pferd”, “Tanz der Schwerten“, dhe “Flugzeug auf Festung”, të cilat si grafika te rëndësishme shumë herë kanë qenë të publikuara në media. / KultPlus.com

Kështu po shkatërrohet Valbona në Shqipëri (FOTO)

Disa fotografi në internet po e tregojnë masakrën që po ndodhë në Valbonën e bukur shqiptare.

Masakra e Valbonës, ku po shkatërrohet me shpejtësi çdo orë.

“Krimi ka këtë fytyrë dhe t’qeverive shqiptare t’neveritshmen yndyrë
Këto njolla në Valbonë nuk janë nishane, por vraja të thella e të pariparueshme në një nga visoret më të bukura shqiptare. Dhe për habi, qytetarët i humbin gjyqet kur kërkojnë ta ruajnë atdheun, edhe në emër të fëmijëve të gjyqtarëve, edhe në emër të fëmijëve të qeveritarëve. Edhe të vetmen gjë që na ka mbetur për krenari, natyra, po e sosim përditë. Né cilin vend qeveritë janë kundër popullit, në cilin vend gjykatat janë kundër popullit, në cilin vend një pjesë e “popullit” është kundër popullit, përveç diktaturave.
Poshtë diktatura më e urryer, e parasë së oligarkëve mbi shpinë të Atdheut!” ka shkruar në rrjetin social Facebook shkrimtarja Flutura Açka.

https://www.youtube.com/watch?v=MrXXR6BnJlk

Friends of Valbona ka publikuar fotografitë ku shihen punimet në këtë zonë. Ndërtimi në këtë zonë të bukur shqipe ka sjellë rreth 40 protesta në të kaluarën, përfshirë edhe koncerte për të ndalur krimin që po i bëhet kësaj bukurie natyrore. / KultPlus.com

Pa Titull

Poezi e shkruar nga Kasëm Trebeshina.

Mes territ ngjitem kodrës fill i vetëm,
mundimin shtyj më kot dhe me përtim.
Po lehin rrotull qentë… U lehin yjeve.
Unë territ çaj e ngjitem me nxitim.
Pse të nxitohem kur do kthehem prapë?
Një yll u dogj diku në gjithësi…
E ftoht’ kjo mbrëmje vjeshte… Në të ngjitur
Unë po mendoj atë që s’di njeri.

Po kthehem… prush janë yjt’ te qiell i lartë,
si vatër e madhe Durrsi tej po ndrin.
Kam ftohtë… te qielli nuk i ngroh dot duartë.
Të ngrohtët e qytetit s’më arrin.
1964

Erenestina Gjergji Halili merr çmimin ‘Penda e Kristaltë’

Instituti për Mbrojtjen e Kulturës Shqiptare ka nderuar kësisoj sot shkrimtaren Erenestina Gjergji Halili.

Për ruajtjen e kulturës gege dhe toskë dhe për magjinë e shkrimeve të saj, Erenestina është nderuar me Pendën e Kristaltë, për vëllimin “Bibulz – Për ma t`parën lule t`kopshtit tem”.

“Drita sot paska çilë ndrysh! Me nderon ky çmim e vëmendja juej!
Ju falem nderës!” ka shkruar Erenestina Gjergji Halili në rrjetet sociale kur ka marrë vesh për nderimin që i është bërë.

Çmimi në fjalë për shkrimtaren vjen nga Vjena, nënshkruar nga Gjergj Jozef Kola dhe Hans-Joachim Lanksch, shkruan KultPlus.

“Bibulz”, është libri i një viti heshtje mediatike, por pune krijuese. Sa duket Erenestina, ka preferuar vetminë në laboratorin e vet krijues dhe ka shënuar objektin e saj në agjendë. Gjithë vëllimi i saj poetik është një intertekst, në kuptimin që i jep Bart, ajo e mbështet idenë e saj poetike, kumtin e fjalës dhe ligjërimin poetik, në paratekstin biblik.

Stuktura e librit është trinia, ajo e madhja dhe ajo e Erës e kontekstualizuar. Është Ati, Biri, Shpirti, të tretë Erës, po Era është Nânë, kështu i nis edhe libri, si nânë që takon Atin (poezia e parë e Ciklit të parë), si nânë që shkon te Biri e bashkëbëjnë Shpirtin. / KultPlus.com

Isra Abazi sjellë ‘New Rules’ nga Dua Lipa (VIDEO)

Kënga “New Rules” e Dua Lipës është shndërruar tanimë në një himn momental në muzikën pop.

Kënga më e dëgjuar e Duas momentalisht, me miliona klikime në rrjetet sociale, e ka bërë këngëtaren më aktuale se asnjëherë.

Isra Abazi, një vajzë e re dhe nxënëse e Shkollës së Muzikës ‘Misbah and Friends’ ka zgjedhur këtë këngë dhe e ka sjellë atë e shoqëruar nga Kreshnik Berisha.

Isra, vajza e solokëngëtares Sanije Matoshi, pos pianos, pasion e ka edhe këndimin.

Isra në këtë incizim e sjellë këngën e Dua Lipës në një version interesant dhe mjaft të arrirë për një vajzë të moshës së saj. / KultPlus.com