Letra e magjishme e dashurisë, nga Nazim Hikmeti për Pirajen

LETRA PËR PIRAJEN NGA NAZIM HIKMET

Poezi të orës 21-22 (20 Shtator 1945)
Përktheu Rozana Belli

Ç’gjë e bukur të të kujtosh ty:
mes lajmeve të fitores dhe të vdekjes,
në burg
kur mosha ime ka kaluar të dyzetat…
Ç’gjë e bukur të të kujtosh ty:
mbi një copë të kaltër harruar dora jote
dhe në flokët e tu
butësi e qëndrueshme e shpirtit tim
toka e Stambollit…
Si një njeri i dytë brenda meje
lumturia kur të dua ty…
Aroma e gjetheve të barbarozës
mbetur mbi majat e gishtërinjve të tu,
rehati e dielltë
dhe ftesa e mishit:
errësirë e ndarë me vijëza flakë të kuqe
e thellë
e nxehtë…
Ç’gjë e bukur të të kujtosh ty,
për ty të shkruash,
në burg të shtrihesh mbi shpinë të mendosh për ty:
filan ditë, filan fjalë që the në filan vend,
bota s’është më vetvetja…
Ç’gjë e bukur të të kujtosh ty.
Për ty duhet të gdhend sērish objekte druri:
një sirtar
një unazë,
dhe duhet të thur një mëndafsh të hollë tre metra,
dhe duke kërcyer menjëherë nga vendi
duke u ngjitur pas hekurave të dritares sime
kaltërsive qumështore të lirisë
duhet të lexoj me ulërimë çka kam shkruar për ty…
Ç’gjë e bukur të të kujtosh ty:
mes lajmeve të fitores dhe të vdekjes
në burg
kur mosha ime ka kaluar të dyzetat…

“Realizmi socialist” risjellë imazhet e Enver Hoxhës (FOTO)

Për herë të parë prezantohet një katalog, “Realizmi socialist shqiptar”, që përfshin dhe analizon vepra të realizuara në periudhën 1945-1990. Autor i këtij botimi me 256 faqe dhe 315 imazhe, në të cilin përfshihen 151 artistë, është studiuesi Ermir Hoxha. Gjatë promovimit të katalogut në ambientet e Galerisë Kombëtare të Arteve, studiuesi Hoxha rrëfeu se qysh në fillim kishte menduar, që botimi të shoqërohej me një tekst të gjatë studimor, që të shpjegonte formatin shqiptar të realizmit socialist, si një fenomen ndërkombëtar.

Ndërsa, pjesa tjetër ndahet sipas periudhave historike. “Arti i realizmit socialist në Bashkimin Sovjetik lindi, që në vitet ’30. Ndërsa, në Shqipëri në fillim të viteve ’60, duke u importuar nga BS. Shqipëria kishte një format ndryshe, pasi teksa në frontet e Lindjes nisi që të braktisej realizmi socialist, në Shqipëri nisi që të merrte formën e tij standarde. Edhe iu përshtat terrorit që gjeti”. Temat që trajtohen në këtë katalog janë: “Historia nëpërmjet imazheve”, “Kulti i mitit, imazhi i Enver Hoxhës”, “Njeriu i ri shqiptar”, “Ushtri dhe popull”, “Steriotipe dhe standarde”, “Krahasimet tematike dhe strukturore”.

Pas tekstit studimor katalogu është i ndarë pesë periudha retrospektive, si periudha e Luftës deri në vitet ’60-të, ku artistët kishin studiuar në vendet perëndimore. Në vitet ’60-të “stafetën” e marrin ata studentë, që studiuan në vendet e Lindjes dhe realizuan realizimin socialist shqiptar. Periudha 1968-‘73 është shumë e rëndësishme, sepse konsiderohet, si periudha e liberalizimit. Faza e katërt 1974-‘85, është pothuajse periudha e fundme e realizmit socialist, ku shteti shtoi investimet. Periudha e fundit është periudha e një rigjetje liberalizimi të ri, një lloj dashurie e rishfaqur tek artistët shqiptarë për modernizmin, që është periudha e 1985-’90. Në katalog nuk janë përdorur vetëm piktura edhe skulptura, por edhe grafika dhe postera etj. “Shekulli” sjell tekstin studimor të studiuesit Ermir Hoxha për temën “Kulti i individit – Imazhi i Enver Hoxhës në artin pamor shqiptar”. Kjo temë, sipas studiuesit ka rëndësi shumë të madhe, sepse si të gjithë imazhet e diktatorëve të tjerë të materializuar në shekullin XX dhe në formatin shqiptar njohu dukuritë e veta.

Roli i Hoxhës në luftë, edhe pse mbeti kryesisht politik, në këto tablo ngrihet në piedestal, duke mohuar kontributin e figurave elitare ushtarake si ajo e Mehmet Shehut, që “rivalizoi” për pak kohë atë të Hoxhës, por për t’u mbyllur përfundimisht në fond, në vitin 1981, pas eliminimit të tij. Rruga e shkurtër drejt pushtetit, kurorëzohet me çlirimin e vendit, marrjen e detyrës së kryeministrit dhe gradën më të lartë ushtarake. Si lideri suprem i Shqipërisë së re, ai do të shfaqet para flamujve, si zëri i pushtetit dhe pse për pjesën më të madhe të popullsisë, ai rezultonte një figurë e panjohur. Por, edhe kjo pak rëndësi kishte.

Në rend kronologjik, çasteve vendimtare të pasluftës iu mbivendosën ato të Shpalljes së Republikës, (1946) moment kur luftëtarët kthehen nga pushtetmbajtës në shtetformues. Në këtë riformatim, figura e tij shfaqet edhe më dinjitoze, teksa çan turmën në krye të bashkëluftëtarëve. Ata vendosen në majë të kompozimit piramidal me uniforma të larta, ndërsa turma hapet në të dy krahët nga përfaqësueset e gjithë shtresave të shoqërisë. Momenti tjetër pasardhës, ishte ai i mbajtjes së premtimit të reformës agrare (toka, atij që e punon). Edhe këtu ai përfaqëson popullin e tij, si përfaqësues i vetëm i pushtetit, pasi në optikën vizionare të mitizimit figurativ, ai shpesh prezantohet i vetëm mes popullit.

Mes tij dhe tyre nuk duket të kishte ndërlidhës, sepse kjo nuk bënte gjë tjetër veçse errësonte sadopak rolin e tij. Ai i vetëm zëvendëson njëherazi partinë dhe shtetin, duke marrë përsipër të ndërtojë mbi vet pozicionin e babait shpirtëror të popullit të vet. Në tentativë për të plotësuar mozaikun e figurës së tij në kontekstin vendas, imazhi i tij do të shtohej me qindra versione të tjera. Ai shfaqet në Veri dhe Jug, i kudondodhur pranë punëtorëve, nxënësve, fëmijëve, të moshuarve e intelektualëve, në mal, fushë, kongres apo zyrë…

Pas këtyre imazheve themeluese të rendit të ri, ku ai njësohet si “arkitekti” i Shqipërisë së re, pozicioni i tij ideologjik ishte në kërkim të sfidave të reja ndërkombëtare. Imazhe, si ai i “Mbledhjes së Moskës”, apo takimet me liderët socialistë botërorë, si Mao apo Stalini, në foto apo pikturë, theksonin rolin e tij ndërkombëtar në çështje shumë përtej dimensioneve Shqipërisë.

Pas etapës së vetizolimit…, Enver Hoxha ndez luftën e klasave në emër të diktaturës, së proletariatit, heq pronën private, lirinë e fjalës dhe atë të ushtrimit të fesë… Ndërkaq në art, portretizimi i tij iu besua vetëm një grupi të vogël artistësh, gjithnjë nën supervizimin maksimal të superstrukturës shtetërore. Edhe objekte si shtëpia ku ai jetoi, dyqani ku punoi, u përjetësuan si vendet e reja të kultit, duke zëvendësuar kështu ato që ishin nxjerrë jashtë ligjit në vitin ’67, aq sa në fund edhe vet vdekja e tij la më shumë boshllëk se edhe kur ishte gjallë.

Nga Valeria Dedaj / Shekulli

Reflektim elektoral

Shkruan: VJOSA BERISHA

Ky muaj na kaloi komplet të përfshirë në debate pa fund, intervista dhe promovime të kandidatëve për Kryetarë komunash e asambleistë, që patëm mundësinë t’i ndjekim në media e rrjete sociale me qëllim për të na bindur se kush mund të jetë opcioni më i përshtatshëm për ne që t’i japim besimin të menaxhojë me qytetin dhe të na rregullojë kushtet e jetesës në 4 vitet e ardhshme.

Kanë mbetur edhe 48 orë para se të votojmë, e në fakt unë personalisht jam ende pak konfuze, pak e dëshpëruar dhe fatkeqësisht, shumë pak e motivuar, se gjërat mund të lëvizin për më mirë në qytetin tim, vendin ku kam lindur dhe jetoj tash e 45 vite, në Prishtinë.
Kur i pashë kandidatët e Prishtinës, u ndjeva shumë entuziaste, sepse më në fund kishim para vetes kandidatë të gjithë të rinjë në moshë, plot energji, entuziazëm për të ndryshuar dicka, për të bërë Prishtinën një qytet më të mirë, një kryeqytet si i ka hije, një vend që besoj e ëndërrojmë të gjithë ne që kemi lindur këtu, jetojmë dhe e duam.

Pas një muaj debatesh e grindjesh mediale, në shikim të parë mund të thuhet se dëshprimi im është personal, por nëse shikohet pak më mirë, në fakt ka të bëj me shkurtpamësinë dhe mungesën e një vizioni në programet e kandidatëve për të udhëhequr Prishtinën. sidomos për sferën e kulturës dhe artit. Unë nuk do t’i elaboroj komplet programet e tyre në këtë shkrim, por do të më brejë ndërgjegjia gjatë, nëse nuk e them atë që mendoj lidhur me atë se cfarë thanë, e cka premtuan, e sa kishin dijeni kandidatët për Kryetar të Prishtinës lidhur me kulturën dhe artin në kryeqytet.

Pothuajse në cdo debat dhe në cdo mundësi që kishin për të hapur gojën e për të thënë dicka, cdonjëri prej tyre dështuan për të na dhënë një mendim korrekt dhe një vizion se cfarë mund të bëjnë ata për jetën kulturore dhe artin në kryeqytet. Imagjinoni sa e varfër dhe trishtuese tingëllon kjo, kur së paku disa nga ne që kemi një jetë më të gjatë në Prishtinë e mbajmë mend se sa shumë ka dhënë ky qytet talente, sa shumë është njohur për organizime avangardë të kulturës e artit, duke përfshirë edhe një jetë shumë unike të natës, me një skenë të vecantë muzikore të të gjitha zhanreve, ate të teatrit, filmit e shumë organizimeve tjera që i mbajmë mend nga e kaluara. Të gjitha këto që me hap të shpejt e me ritëm galopant po i zhvillon Tirana fqinje, duke na e marrë dalëngadalë atë për të cilën Prishtina ka qenë e njohur gjithmonë dhe për cfarë shumë kanë gjetur arsye ta vizitojnë.
Nga pothuajse të gjithë kandidatët këto ditë dëgjuam që Prishtina nuk ka evente kulturore, Prishtina nuk është vend i festivaleve, në Prishtinë thanë thjeshtë nuk ndodh asgjë, nuk ka asgjë, Prishtina nuk josh vizitorë e turistë…
Kjo do të ishte shumë e vërtetë nëse e shikojmë prej këndit se sa kanë dhënë e kanë ofruar mundësi dhe përkrahje pushteti lokal dhe ai qendror i udhëhequr nga parti të ndryshme në pushtet, në 10-15 vitet e fundit. Sepse ajo që është bërë më së shumti ka qenë mospërkrahja e kulturës dhe artit, lënja pasdore dhe vendosja në prioritetin më të ulët të mundshëm. Thënë troc, bira e fundit e kavallit.

Por, kjo nuk qëndron aspak nëse e analizojmë gjithë mundin e institucioneve të pavarura të kulturës që edhe pse të përkrahura minimalisht kanë vazhduar ta mbajnë jetën kulturore të gjallë, me të njejtin entuziazëm të organizojnë koncerte, festivale, ekspozita, shfaqje e shumë organizime tjera kulturore që, po e përsëris, janë bërë me shumë mund e djersë e me shumë pak përkrahje nga shteti dhe qyteti.

Në shumë debate e biseda në media, pothuajse secili nga kandidatët e mori si shembull Prizrenin dhe organizimet kulturore atje si shembull të mirë dhe se si do të duhej të ishte edhe Prishtina. Në shumë nga këto raste u përmend festivali i filmit të shkurtë dhe dokumentar Dokufest si “një nga organizimet më të mëdha në Kosovë, që e ka vënë Kosovën në hartën e botës”. Jam shumë dakord me këtë, është e vërtetë që Dokufest është një festival eventesh që për një javë rresht e sjell fokusin medial në Prizren, dhe kjo na bënë të jemi shumë krenarë të gjithë ne.
Por, unë si njëra nga themelueset e festivalit Prishtina International Film Festival – PriFest dhe drejtoreshë e këtij festivali tani e 9-të vite nuk mundem, tani vetëm 48 orë para se të japim votën, të heshtë dhe të mos them asgjë para një neglizhence të tmerrshme që e pashë gjatë këtij muaji fushate, andaj vendosa dhe t’a shkruaj këtë shkrim.

Më duhet të bëj një përmbledhje historike të vogël lidhur me festivalin sepse, parë nga ajo cka u fol në ditët e fushatës, edhe pse ky festival ndodh mu pranë derës së qeverisë dhe presidencës, e hiq më larg ndërtesës së komunës, del se politikanët tonë që pretendojnë votën nuk e kanë parë apo vrejtur si një ngjarje që për një javë cdo vit i ofron jo vetëm Prishtinës por edhe filmbërësve të rajonit mundësinë që të jetë pjesë aktive e kulturës dhe industrisë së filmit në botë.

Festivali lindi në vitin që Kosova e shpalli pavarësinë, dhe doli si një iniciativë që të ofrojë një dritare dhe një mundësi për filmbërësit Kosovarë dhe kinematografinë tonë që të takohet me botën filmike nga katër anët e globit. Kjo sidomos duke qenë se si shtet i ri dhe tejet i izoluar, mundësitë e filmbërësve tanë për të komunikuar me industrinë ndërkombëtare të filmit janë shumë të pakta. Sigurisht, ambicjet tona si organizatorë qysh në fillim ishin që të mos duplifikojmë dicka që ekziston, por të organizojmë një festival filmi të formatit tjetër, festival të filmit të metrazhit të gjatë, duke sjell atë që i mungon shtetit të ri të Kosovës, komunikimin me industrinë e filmit në Ballkan, Europë dhe botë si dhe zhvillimin e industrisë vendore.
Ishim të vetëdijshëm në atë kohë që në Kosovë ekziston një festival filmi dokumentar që zhvillohej me sukses, me gjithë vështirësitë e veta, dhe gjithsesi që në planin e programit tonë e parapamë që PriFest të ishte një vlerë e shtuar që do të ofronte një horizont tjetër që sigurisht festivali ekzistues nuk e kishte. Ishim ambicioz që të bënim një festival i cili në aspekt financiar nuk mund të krahasohej me festivalin prestigjioz të Sarajevës, por sa i përket impaktit dhe vlerës, kjo nuk do t’i mungonte, dhe e morëm shembullin e tyre që t’i sillnim Kosovës (thënë në zhargonin e boksit) kategorinë më të rëndë të filmbërësve botëror. E bëmë atë, që festivali me zhvillimin e vet ndër vite, arriti të ishte një lajm i mirë nga vendi ynë për vendin tonë. Kjo gjë është goxha vështirë, besoj këtu pajtohemi të gjithë. Ju do të pajtoheni me mua besoj me faktin se një foto e vetme e Prishtinës apo Kosovës e postuar nga yjet botërore në rrjetet e tyre sociale vlen më shumë se qindar artikuj në portale të vogla ndërkombëtare të cilave mund mos ua dijmë as madhësinë as kredibilitetin.
E përmenda Sarajevën sepse festivali atje është një sukses shumë i madh, por duhet thënë edhe faktin se ai festival ka një përkrahje shumë të madhe nga shteti, qyteti dhe kantoni, andaj edhe suksesi nuk i mungon. Edhe festivali i Sarajevës është një iniciativë e sferës së pavarur, por kjo nuk e demotivon shtetin për ta përkrahur maksimalisht tani e 23 vite.

Ndërkohë PriFest përkrahjen nga institucionet publike (lokale dhe nacionale) e ka pasur shumë jostabile. Për shembull, përkrahjen nga qyteti I Prishtinës emrin e të cilës e mban në titull, e ka pas pothuajse të pavrejtur, dikund 2% të buxhetit. Mirëpo, kjo nuk na ka ndalur që të bëjmë të pamundurën që ky festival të mbahet, të sjell shumë mundësi për industrinë e filmit, shumë yje botëror të filmit për t’u takuar me kineastët dhe filmdashësit tanë, shumë filma premierë që publiku kosovarë mund t’i shoh vetëm përmes festivalit dhe shumë ngjarje tjera që e kanë përcjellur duke sjell një javë dinamike në qytet, mu te hundët e qeverisë dhe komunës, në qendër të Prishtinës.

Misioni I këtij festivali ishte dhe është, që të përkrah zhvillimin e industrisë së filmit në vend, të përkrah artistët dhe t’i promovojë ata jashtë kufinjëve të shtetit si dhe projektet e tyre filmike duke sjell në Prishtinë shumë kompani distribuimi të filmit, ekspertë të industrisë, media, fonde ndërkombëtare filmash, artistë, producentë, regjisorë dhe disa nga emrat e njohur të industrisë së filmit që po mos ftoheshin nga festivali nuk do t’u shkonte në mend të vizitonin Prishtinën tash e 100 vjet.

Dhe deshët ju apo s’deshët ta pranoni, deshët apo s’deshët ta përmendni, unë këtu deshta ta them që ta kuptoni se PriFest me gjithë vështirësitë e mospërkrahjen e institucioneve publike, ka arritur të fitojë dashurinë, simpatinë dhe respektin nga komuniteti artistic dhe filmbërësit nga Kosova, rajoni e mëtej, ka arritur të bëj për Kosovën dhe kinematografinë tonë një punë të madhe, dhe ka arritur t’a vendos Prishtinën dhe Kosovën në hartën e festivaleve në botë.
Ju pëlqeu ju apo jo, ky festival është arsyeja e vetme përse cdo vit shkruhet për Kosovën dhe industrinë e filmit në Kosovë në një nga mediat më të rëndësishme të industrisë së filmit në botë Screen International (bëni google search Pristina në www.screendaily.com dhe do të keni mundësi të shikoni pak më shumë se cfarë po ndodh në qytetin që dëshironi të menaxhoni) dhe jo vetëm.
Sigurisht, që ky festival është festival filmi dhe do të mbetet i tillë, nëse vazhdon të ekzistojë, dhe nuk do të jetë asnjëherë festival eventesh, panair, festë apo dicka tjeter… por, sa i përket impaktit, suksesit dhe të arriturave ajo nuk mund të mohohet nga askush dhe për këtë kam shumë dëshmi, por megjithatë këtu po e ndaj vetëm një sosh sa për të dëshmuar suksesin dhe impaktin ndërkombëtar që ka. Ishte kjo në kohën e vështirë, para 2 vitesh kur edhe ish-ministri i kulturës u mundua ta shuaj. Më poshtë po e bashkangjes emailin, që në mes qindra emailave nga mbarë bota ka arritur te ne para dy vitesh, kur festivali, si shumë ngjarje tjera kulturore të kryeqytetit u goditën rëndë nga MKRS. Emaili më poshtë është nga drejtori i festivalit më të rëndësishëm në Europë, Berlinale, – Dieter Kosslick (adresat e emailit janë fshehur për ceshtje privatësie), që personalisht na ka shkruar për të na dhënë përkrahje në momentin kur PriFest rrezikohej të shuhej, ashtu sic u shuan tanimë Festivali Skena Up, Festivali Nine Eleven, Jazz Festival e disa ngjarje tjera të rëndësishme të skenës së pavarur kulturore të Prishtinës. Në email ceket rëndësia e PriFest për zhvillimin e industrisë së filmit në vend si dhe aspektet tjera që një festival i sjell një shteti të vogël si Kosova. Në atë kohë, për rifreskim të memorjes, në shenjë proteste festivali PriFest u bart në Tiranë për edicionin e shtatë të vet si edicion në ekzil.

Nëse në një mënyrë apo tjetrën ky shkrim i imi mund t’i pengojë kryetarit të ardhshëm të Prishtinës, unë them se një ngjarje dhe entuziazmi i shumë prej nesh është shumë lehtë të shuhet, dhe do të shuhet dalëngadalë, ndërkohë që ne si profesionistë mund të vazhdojmë punën edhe jashtë këtij qyteti e shteti. Por, cështja që do të mbetet për diskutim është se cfarë ndodh në një kryeqytet ku kultura dhe arti janë bira e fundit e kavallit?

Por mos harroni një gjë se përkundër të gjitha pengesave, Prishtina është dhe do të mbetet gjithmonë qytet I festivaleve, më shumë se cdo qytet tjetër në shqiptari.

Postscriptum: Për nëntë vite falë PriFest, Prishtinën dhe Kosovën e kanë vizituar: Vanessa Redgrave, aktore (fituese e cmimit Oscar dhe Golden Globe), Danis Tanovic regjisor (fitues I cmimit Oscar), Stephen Frears regjisor (I nominuar për Oscar), Samuel Maoz regjisor (fitues i Golden Lion – Venice), Joshua Marston regjisor, Eva Orner producente (fituese e cmimit Oscar), Franco Nero aktor, Gedeon Burkhard aktor, Jasmila Zbanic regjisore (fituese e cmimit te Berlinales), Cedomir Kolar producent (fitues I cmimit Oscar), Paul Haggis skenarist dhe regjisor (fitues I dyfisht i cmimit Oscar) dhe qindra aktorë, regjisorë, producentë e distributorë nga rajoni, Europa dhe bota.

Vjosa Berisha, bashkëthemeluese dhe drejtoreshë e PriFest

Hapet në Milano ekspozita për 100 vjetorin e lindjes së Ibrahim Kodrës

Ibrahim Kodra në një ekspozitë bashkë me shokët e tij, Chagall, Kuniyoshi, Cassinari Ajmone, Peverelli.

Gjatë fundjavës është çelur në “Museo della Permanente” në Milano ekspozita e parë në kuadër aktiviteteve të 100-vjetorit të lindjes së piktorit shqiptar. Në këtë ekspozitë marrin pjesë 19 vepra të Maestro Kodrës, të cilat datojnë nga 1944 –‘64. “Pjesa më e madhe e tyre janë vepra të panjohura e të paekspozuara më parë dhe i përkasin muzeut “Ibrahim Kodra” në Milano apo koleksioneve të ndryshme private në Breshia, Palermo a Torino” shprehet kuratori i veprës Fatos Faslliu. Ekspozita, e cila përmban përveç veprave të Kodrës edhe disa nga punët e artistëve të viteve 1950’-60’ është një homazh për artistin shqiptar.

“Kjo është ekspozita e parë, që çel siparin e aktiviteteve të planifikuara në kuadër të 100- vjetorit të piktorit Ibrahim Kodra. Për mua është një emocion i papërshkueshëm, të shohësh maestro Kodrën midis dy artistëve botërorë si Shagall e Kuniyoshi, gjë e cila nuk ndodh shpesh. Aq më shumë kur artist të mëdhenj të pikturës, si Cassinari, Ajmone, Peverelli etj., ekspozojnë në homazh të Maestro Kodrës. Çdo artist që merr pjesë në ekspozitë përfaqësohet me nga një vepër”, shpjegon Faslliu.

Sipas kuratores së ekspozitës Elena Pontiggia, ekspozita ka për qëllim të risjellë në vëmendje një periudhë artistike të harruar të Ibrahim Kodrës, atë të viteve ’50 e ’60. “Flasim për periudhën kur Kodra, i cili ishte zhvendosur në Milano më 1938, i afrohet informales ( lëvizje artistike që lindi menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore), pasi kishte provuar gjininë asbstrakte-gjeometrike, e afërt me neokubizmin dhe konkretizmin e M.A.C. Piktura e tij e mbushur me ngjyra dhe lëvizje, pasurohet me motive erotike dhe kujtime, për të mbërritur në një figuralitet surreal dhe fantastik. Ekspozita që çel aktivitetet për 100-vjetorin e lindjes së artistit, përfshin të gjitha veprat më përfaqësuese të kësaj periudhe dhe një nga më të rëndësishmet e krijimtarisë së tij”, shprehet Pontiggia.

Pjesa më e madhe e aktivisteve është e përqendruar në Milano kryesisht me rastin e 100-vjetorit, por edhe Galeria Kombëtare e Tiranës ka konfirmuar një ekspozitë retrospektive për Ibrahim Kodrën gjatë vitit të ardhshëm. Gjithashtu edhe Galeria Kombëtare e Shkupit ka konfirmuar realizimin e një ekspozitë gjatë muajit qershor 2018. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në datën 5 nëntor në Muze, nga ora 9:30 – 19:00.

Ibrahim Kodra lindi në Ishëm më 22 prill të vitit 1918. / KultPlus.com

Sopranoja Blerta Zhegu dhe pianisti Frederic Isoletta, yjet që ndriçojnë skenën e Universitetit të Arteve në Tiranë

Erjola Azizolli

Salla e Universitetit të Arteve në kryeqytet ka qenë ndalesa e radhës e organizimit “Takimet muzikore të Dy Botëve”, rrugëtim i cili këtë vit nisi në Dropullin e traditave, për të vijuar në Shkodrën e vlerave, në këtë edicion të XI që do të përmbyllet në fund të këtij muaji në Tiranë.

Pakëz aromë parisiene mes aries dhe pianos është bashkuar mbrëmjen e djeshme në një natë emocionuese që ka mbajtur të mbërthyer publikun kryeqytetas në mjediset e Universitetit të Arteve. Nata e tretë e Festivalit Ndërkombëtar “Takimet Muzikore të Dy Botëve” nuk kishte si mos ti kushtohej operës dhe pianos, që erdhi natyrshëm mes një emri të njohur si soprano Blerta Zhegu dhe pianistit francez Frederic Isoletta, të cilët sollën për publikun koncertin e titulluar “Aromë Parisi”.

Gjithçka e realizuar mes Aleancës Franceze në Tiranë dhe Organizatës “Argjiro” mundësuan interpretimin e sopranos Zhegu, një yll në ngjitje në skenat franceze dhe Frederic Isoletta, pianist e organist francez, me një karriere të dendur po në skenat franceze e evropiane, pjesëmarrës në shumë festivale si ai i Aix en Proncence etj.
Repertori i tyre ka përmbajtur ariet më të famshme të kompozitorëve francezë si: Air de Marie, “La fille du régiment “, Gaetano Donizetti, Air de Anne Trulove “The rake’s progress” Igor Stravinsky, Prelude and Nocturne for the Left Hand, Op.9, Aleksandr Scriabin, Je veux vivre, « Romeo et Juliette”, Charles Gounod, Air de Manon “Manon” Jules Massenet, “Jardins sur la pluie” Claude Debussy “Nuit d’étoilés”, Claude Debussy “Clair de lune”, Gabriel Fauré” 5 Mélodies grecques”, Maurice Ravel.

“Qëllimi i Festivalit në 10 vjet të ekzistencës ka qenë promovimi i trashëgimisë materiale dhe jomateriale shqiptare dhe asaj të evropiane, po edhe ndërtimi i urave të dialogut kulturor mes popujve, ndërgjegjësimi i opinionit publik për mbrojtjen dhe transmetimin e kulturave të ndryshme si pjesë e trashëgimisë kulturore, rivitalizimi i qendrave historike nëpërmjet eventeve periodike muzikore” bëri me dije për KultPlus, Ilda Marra.
“Të ndërthurësh të dy botët në një, të gërshetosh traditën dhe identitetin me klasiken dhe modernen, ndërsa mbetesh besnik ndaj identitetit tënd, do të thotë të kthehesh nga e ardhmja dhe jo nga e kaluara” vazhdoi drejtuesja e organizatës “Argjiro”- Ilda Mara.

“Takimet Muzikore të Dy Botëve” këtë vit nisi me koncertin “Ngjyra Muzikore nga Greqia” që u zhvillua pranë Qendrës Kulturore të Dervicianit në Dropull. Tingujt dhe tradita muzikore greke u përcoll nga dy artistë të njohur greke Nantia Patera dhe Dimitris Llapas. Një ndërthurje e jazzit klasik me traditën e buzukut mbushi me emocioni mbrëmjen në Dropull. Nantia dhe Dimitri për më shumë se një orë bënë një udhëtim në universin muzikor të kompozitorëve të famshëm grekë.

Nata e dytë e festivalit bashkoi traditën me klasiken dhe u mbajt në Shkodër në Teatrin “Migjeni”. Këtë radhë përballja e muzikës tradicionale shkodrane dhe muzikës klasike sollën një atmosferë të veçantë në skenën mitike të Shkodrës. Artistë të trupës të teatrit “Migjeni” interpretuan për publikun këngë qytetare shkodrane, ndërsa më pas orkestra e Klubit të Artit të “Sigalit” në drejtimin e Ermir Dizdarit sollën traditën operistike shqiptare e më pas atë evropiane.

Por, surprizat e këtij edicioni duket se nuk kanë fund. Nata e katërt e këtij festivali do të takojë tradita me klasiken. Një duo piano dhe violinë, do të bashkojë në natën finale të festivalit pianisten shqiptare Silva Skenderi dhe violinistin Miran Begiç në Tiranë në fund të muajit. / KultPlus.com

Përgjërim nënës sime

Poezi e shkruar nga Pier Paolo Pasolini.

Eshtë e vështirë të thuash me fjalët e një biri,
atij të cilit në zemër fare pak i ngjasoj.
Ti je e vetmja në botë që din, për zemrën time,
atë që ish ngahera, përpara secilës tjetër dashuri.

Prandaj duhet të t’them çfarë është e tmerrshme të njohësh:
është brënda hirësisë tënde që lind pikëllimi im.
Je e pa-ndërrueshme, prandaj është e dënuar
me vetmi jeta që më ke dhuruar.
Dhe s’dua të jem vetëm. Kam një uri të pasosur
dashurie, të dashurive prej trupave të pashpirt.
Ngaqë shpirti është në ty, je ti, por ti
je nëna ime dhe dashuria jote është skllavëria ime:
kam kaluar një fëmijëri skllav i kësaj ndjenje të madhe
e pa-shpëtueshme, të një detyrimi të pasosur.
Ishte e vetmja mënyrë për të ndjerë jetën,
e vetmja ngjyrë, e vetmja formë: tani ka mbaruar.

Mbijetojmë: dhe është çrregullsia
e një jete të rilindur jashtë arsyes.

Nik Xhelilaj nominohet për çmimet prestigjioze të filmit në Gjermani

Aktori shqiptar Nik Xhelilaj ka marrë një nominim të rëndësishëm për lojën e tij prej aktori.

Televizioni gjerman WELT dhe faqja Welt.de e kanë nominuar Xhelilajn në kategorinë e aktorit më të mirë të ri.

Xhelilaj, bashkë me nëntë aktorë e aktore tjera të reja në moshë janë nominuar për ICONIST – në kërkim të ikonave të reja të aktrimit, shkruan KultPlus.

http://welt.de/icon/interaktiv/voting2017/10-young-icons-abstimmung-gewinnspiel.html#page3

Në mesin e të nominuarve është edhe Edin Hasanoviq – aktor gjermano-boshnjak i lindur në Bosnje.

Xhelilaj është nominuar në këto çmime për rolin e tij në filmin gjerman televiziv Winnetou ku Xhelilaj vjen në rolin kryesor. Filmi është i bazuar në tri novela të Karl May.

Xhelilaj ka kërkuar votën për tu zgjedhur ikona dhe për të fituar në këtë kategori, ndërsa në çmimet e ICONIST dhe WELT janë edhe kategori të tjera. / KultPlus.com

Rezeta Veliu paraqitet në serialin amerikan ‘The Blacklist’ (VIDEO)

Një shqiptare është e pranishme në një prej episodeve të serialit të famshëm “The Blacklist”.

Mbrëmë, në episodin e katërt të sezonit të pestë të “The Blacklist” ka performuar edhe shqiptarja Rezeta Veliu.

Veliu ka kohë që jeton dhe punon në Amerikë ndërsa një sukses i madh është paraqitja e saj në serialin krahas Megan Boone, Ryan Egoold, James Spader, Amir Arison e aktorë të tjerë.

Vetë Rezeta ka treguar për paraqitjen e saj në këtë episod e cila u dha mbrëmë në rrjetin televiziv NBC. Ajo është paraqitur si aktore mysafire në rolin e Princess Sonya, shkruan KultPlus.

“The Blacklist” është serial televiziv ku përfshihet FBI dhe oficerët e forcave amerikane. Episodi i parë i serialit është lansuar në vitin 2013-të. / KultPlus.com

http://www.wootly.ch/?v=3C1EEEE4

Faruk Begolli, dikur një hendbollist aktiv (FOTO)

Në vitin 1979, një pjesë e mirë e aktorëve e regjisorëve të ftuar në Festivalin e Filmit në Pula të Kroacisë u pyetën mbi lidhjen e tyre me sportin.

Këta filmbërës, këta aktorë, secili të inkuadruar mirë e mirë në botën e filmit, megjithatë kanë pasionet e tyre në fushën e sportit.

Pos Bekim Fehmiut, për të cilin shkruam disa ditë më parë, dhe për preferencat e tij sportive, mbi sportin u pyet edhe Faruk Begolli.

“Unë kam qenë aktiv në hendboll. Kam qenë pjesë e ekipeve në Kosovë dhe në Beograd, ndërsa tash më shumë luaj vetëm me fëmijët e lagjes. Më duket se gjeneratat po lidhen çdoherë e më shumë me basketbollin” tregon aktori Begolli në vitin 1979.

Yugopapir tregon se si Begolli u çmua lartë në këtë edicion të festivalit, pasi pati disa paraqitje të forta në filmat e shfaqur. Mes tyre, ishte “Era dhe Lisi” krahas Xhevat Qorrajt, Istref Begollit e Abdurrahman Shalës.
Begolli ka qenë edhe pjesë e Bordit të Festivalit të Filmit në Pula, në disa edicione.

“Miljan Miljaniq është heroi im në sport, dhe një trajner fantastik i cili ka bërë që sportistët të japin maksimumin e tyre” tregon mes tjerash Begolli në këtë intervistë të vjetër. / KultPlus.com

Në kohë zgjedhjesh, Alketa Xhafa Mripa vjen me VOTO, kundër varfërisë

Nesër mbrëma, me 20 tetor dhe me fillim prej orës 18:00, në Termokiss në kryeqytet artistja Alketa Xhafa Mripa do të sjellë instalacionin e saj më të ri artistik.

Në një kohë kur në Kosovë po bëhet fushatë për zgjedhjet që vijnë në fundjavë, Alketa ka vendosur që punën e saj më të re ta quajë “VOTO #PërTiDhënëFundVarfërisë”.

Alketa tregon se instalacionin nënkupton votën si proces që mund të ndërrojë rrjedhat në një shoqëri, shkruan KultPlus.

“Votë për ti dhënë fund varfërisë. Unë besoj se të gjithë mund të bëjmë ndryshimin dhe të ndihmojmë drejt ndryshimit pozitiv – sidomos kur i qasemi çështjeve madhore si varfëria. Siç thotë thënia – “Mund të jemi e para gjeneratë që i jep fund varfërisë” – le të jemi ne ajo gjeneratë” tregon artistja e njohur. / KultPlus.com

Filmi shqip ‘Bloodlands’ nominohet në disa kategori në çmimet australiane ASSG

Filmi horror “Bloolands”, ku luan aktorja shqiptare Ilire Vinca, ka marrë disa nominime në çmimet prestigjioze ASSG Awards 2017.

“Bloodlands” ka marrë nominime në kategoritë miksimi më i mirë muzikor, Andrew Plain Award for Best Film Sound Design, Member’s Choice dhe Soundtrack of the Year.

“Bloodlands” është lansuar në shkurt të këtij viti. Filmi me regji e skenar nga Steven Kastrissios tregon historinë e një familjeje shqiptare e cila ballafaqohet me gjakmarrje – një fenomen ky i njohur në Ballkan, shkruan KultPlus.

Në film luajnë edhe Suela Bako, Alesia Xhemalaj, Gëzim Rudi, Emiljano Palali, Florist Bajgora, Andi Begolli, Fioralba Kryemadhi e aktorë tjerë.

Çmimet ASSG (Australian Screen Sound Guild) ndahen në Australi. / KultPlus.com

Burrat nga Moska të cilët pëlqejnë të grimohen (FOTO)

Është vështirë të mbijetosh në Rusi nëse nuk je mashkull dhe burrë i mentalitetit rus.

Pra një burrë duhet të jetë “burrë në kuptimin e fjalës”, dhe mendimi se një djalë i ri a mashkull vë grim është e pabesueshme. Është e vështirë për tre të rinj të cilët tregojnë se si njerëzit në Moskë reagojnë kur shohin se ata pëlqejnë të grimohen.

Të rinjtë janë të guximshëm dhe këtë e tregojnë çdo ditë, duke jetuar në këtë mënyrë jetese në Moskën ku Putini ka angazhuar njerëz dhe politika kundër atyre që nuk i përshtaten ideve të tij.

Andrey, 20 vjeçar nga Moska, tregon se pëlqen të grimohet edhe kur del në rrugë.

“Gjithmonë e kam shikuar Party Monster dhe Drag Race nga Rupaul. Gjithmonë kam dashur që në fytyrën time të ketë ngjyra të ndryshme, dhe me ato ngjyra ashtu kam dashur të vallëzoj. Unë di më shumë për kozmetikën sesa plot njerëz rreth meje” tregon Andrey për Dazed.

Ai është në mesin e atyre meshkujve që sfidojnë ndërtimin shoqëror në Rusi.

Ai thotë se Rusia do të ndryshojë me kohën dhe njerëzit do ta kuptojnë se gjithkush ka të drejta ta jetojnë jetën e vet në mënyrën e tij a saj.

Gevorg është një djalë tjetër i cili tregoi se e dashuron Rusinë, shtetin e tij, me të metat dhe të mirat, por situata duhet të ndryshojë.

“Nëse ka më shumë njerëz si ne, që duan të jetojnë në këtë mënyrë dhe të bëjnë ç’të duan, do të ndodhë që Rusia të ndryshojë. Unë grimin e pëlqej dhe nuk dal nga shtëpia pa grim, pak ose shumë. Në çantën time e mbaj edhe një sprej me të cilin mund ta targetoj dikë nëse më sulmon ose provon të më bëjë diçka” tregon Gevorg, shkruan KultPlus.

Rusia është vend homofob, para së gjithash, ndërsa aktivistët e kanë çdo ditë e më të vështirë të mbijetojnë në një shtet ku politikat janë të tmerrshme. Në fillim të vitit, Çeçenia u akuzua se po i arreston dhe po i pushkaton pa arsye disa të rinj homoseksualë në këtë vend. / KultPlus.com

Alban Muja, me disa vepra artistike në ekspozitën në Slloveni

Artisti Alban Muja, që nga data 12-të tetor është pjesë e një ekspozite të përbashkët në Slloveni.

Bëhet fjalë për dy punë të artistit, videot “Palestina” dhe “Tibeti” dhe projektin më të ri me kufijtë.
Ekspozita “In-On the May”, bashkim i dy ekspozitave “Migrations of Fear” dhe “Story Time” është hapur me 12 tetor në Koroška galerija likovnih umetnosti në Slloveni.

Videoja “Palestina” tregon për vajzën prishtinas e që ka këtë emër dhe e cila e ka marrë emrin nga tragjeditë që po ndodhnin në Palestinë kur ajo lindi. Videoja është punë e vitit 2005.
Katër vite më vonë, Muja realizoi videon “Tibet”, për djalin shqiptar i cili e ka këtë emër dhe i cili jeton në Zvicër, me një histori prapa këtij emri.

Pjesë e ekspozitës është edhe puna “Borders Without Borders”. Në fakt, kjo është puna kryesore e Mujës brenda kësaj ekspozite. Muja ka zgjedhur të fotografojë ndërtesat e braktisura të kufirit, në shtetet anëtare të BE –së dhe të nxisë pyetje rreth vërtetësisë së ekzistencës ose mos ekzistimit të kufijve midis këtyre shteteve – shumica e të cilave ndajnë një të kaluar, shpesh një konflikt, por gëzojnë sot lirinë e lëvizjes me njëri-tjetrin, shkruan KultPlus.

“Migrations of Fear” vjen si reagim ndaj situatës aktuale politike por edhe realitetit social në Europë. Vala e refugjatëve, sulmet terroriste, siguri minimale, krizë e skajshme humanitare, lëvizje djathtiste që po e dëmtojnë mirëqenien e qytetarit, po e bëjnë Evropën një vend të tmerrshëm për jetë.

Ekspozita në fjalë sjellë edhe artistët Azra Akšamija, Nika Autor, Lana Čmajčanin, Plamen Dejanoff, Petja Dimitrova, Juliane Ebner, Dejan Kaludjerović, Luiza Margan, Emil Mirazchiev, Oliver Ressler, Ute Richter, Kamen Stoyanov, Škart, Borjana Ventzislavova & Mladen Penev, Clara Wildberger, Kim Albrecht, Nika Autor, Vesna Bukovec, Lana Čmajčanin, Nadine Kaadan, Jure Markota, Jalal Maghout dhe Škart, dhe do të qëndrojë e hapur deri me 3 dhjetor. / KultPlus.com

Dashurisë…

Poezi e shkruar nga Ndoc Gjetja

O perëndeshë e gjithëpushtetshme
e universit mashkull-femër!
Bëj ç’të duash me veten time
jam instrumenti yt i verbër.
Në jetë më solle kaq shumë dhimbje
dhe shqetësime pa mbarim
po s’jam ankuar kundër teje
as me gojë e as me shkrim.

Të jam nënshtruar e të nënshtrohem
gjersa në botë të jem i gjallë
ndën pushtetin tënd të përbotshëm
më pëlqen të jem skllav.

Ma ktheve gjuhën në përçartje
më bëre plak me shpirt fëmijë
herë më hodhe qefinin krahëve
herë më ngrite gjer në yje.

Më hidh në zjarr, në det, në ferr!
Më hidh në baltë, më hidh në hon!
Veç të lutem mos më lër…
në atë vend ku ti mungon.

Artisti Pavlensky i vë flakën Bankës së Francës (VIDEO)

Artisti rus i cili është radikal në shumë prej performancave e ndërhyrjeve të tij, i ka vënë flakën një banke në Paris.

Petr Pavlensky, i njohur edhe si Pyotr, është arrestuar për zjarrvënie të qëllimshme, pasi ka vënë zjarr në Bankën e Francës, shkruan KultPlus.

Ngjarja ka ndodhur në orët e para të 16-të tetorit. Artisti rus bashkë me partnerin e tij megjithatë kanë marrë aprovim për azil nga Franca, sipas Washington Post.
Vitin 2015-të, Pyotr u arrestua në Rusi pasi i vëri flakën ndërtesës së Shërbimit të Sigurisë Federale.

Ai thotë se e shkaktoi zjarrin, në emër të artit. / KultPlus.com

Ambasadori çek prezanton ‘Imagine’ në Ditën Kombëtare të Çekisë (FOTO)

Arbër Selmani

Ivo Šilhavý, Ambasadori i Çekisë në Kosovë, ka një aparat fotografik me të cilin është i gatshëm të dokumentojë momente të ndryshme.

Një diplomat më ndryshe se homologët e tij, Šilhavý ka fotografuar sopranon Besa Llugiqi, ish Presidenten e vendit – Atifete Jahjagën, Ilir Dedën, Ramush Haradinajn, Mimoza Kusari Lilën, Anita Haradinajn, Isa Mustafën dhe personazhe të tjera, një pjesë e mirë duke i buzëqeshur momentit politik të cilin ne nuk e njohim.
Të gjitha këto fotografi, Šilhavý sonte ka zgjedhur ti sjellë para audiencës në Prishtinë, pikërisht në Ditën Kombëtare të Çekisë, në një organizim në kryeqytet ku vetë Ambasadori tregoi sa e rëndësishme është ta ndryshojmë të ardhmen pasi e kaluara nuk mund të ndryshohet, shkruan KultPlus.

“Vaclav Havel ka thënë se dashuria duhet të triumfojë mbi urrejtjen. Unë besoj në këtë thënie dhe sonte po e prezantoj rrugëtimin tim me anë të fotografive, që edhe ju të mund të besoni më pas në këtë udhëtim” ka treguar mes tjerash Ambasadori Šilhavý sonte në Sheshin 21, në një aheng me të ftuar të ndryshëm, një pjesë e mirë edhe personazhe të fotografive të tij.

Ekspozita “Imagjino” tregon rrugëtimin e Šilhavý në Kosovë në tri vite të këtij pozicioni. “Imagjino…” është një mozaik i 31 fotografive të kryetarëve të Kosovës, kryeministrave, politikanëve të tjerë, artistëve, të gazetarëve, të fëmijëve, të pjesëtarëve të pakicave, etj. Të gjithë e kanë një çështje të përbashkët dhe shumë të rëndësishme: LUMTURINË.

Kjo nuk është hera e parë që Šilhavý sjellë fotografinë si medium artistik në organizimet e Ambasadës së Çekisë në Kosovë.

Ekspozitat e mëparme filluan në tetorin e vitit 2014 me videospotin “Havelli përgjithmonë” dhe u pasuan nga fotoekspozitat “1984”, në qershor 2015, dhe “Një ditë si kjo…”, në tetor 2015, “Kohërat po ndryshojnë”, në maj 2016, “Praga Panoramike”, në qershor 2016 dhe “Në Kosovë me dashuri”, në qershor 2016.

“Për mua fotografia është mënyrë e mirë ta mbaj në mend secilën ngjarje dhe secilën pjesë të rrugës sime si diplomat, edhe në Kosovë. Sonte po e sjellë një pjesë të kësaj eksperience këtu në Kosovë dhe një pjesë të artit tim personal” tregon Ambasadori. / KultPlus.com

Dhe Zoti më bëri femër

Poezi e shkruar nga Gioconda Belli.

Dhe Zoti me bëri femër,
me floke të gjata,
sy,
hundë dhe gojë femre.
Me linja
dhe kurba
dhe valëzime të buta
dhe me gërmoi brenda,
më bëri një prerje të qenieve njerëzore.
Endi me delikatesë nervat e mia
dhe i balancoi me kujdes
numrin e hormoneve të mia.
Kompozoi gjakun tim
dhe më injektoi me të
që të vadiste
të gjithë trupin tim ;
lindën kështu idetë,
ëndrrat
instiktet.
Të gjitha që krijoi butësisht
gdhendur me frymë
dhe zhbiruar me dashuri,
janë mijëra gjërat që më bëjnë femër çdo ditë
për të cilat zgjohem krenare
çdo mëngjes
dhe bekoj seksin tim.

Washington Post: Shqipëria i jep lamtumirën e fundit Robert Elsie

Gazeta prestigjioze Washington Post sot ka shkruar për respektin e fundit që Shqipëria ia bëri albanologut dhe mbledhësit të folklorit shqiptar, Robert Elsie.

Elsie ndërroi jetë në fillim të këtij muaji. Trupi i tij u soll në hollin e Bibliotekës Kombëtare në Shqipëri, ndërsa varrimi do të bëhet në Theth, disa kilometra larg Tiranës.

Washington Post mes tjera tregon edhe për punën e Elsie si përkthyes i “Lahutës së Malësisë”, dhe një punëtor i pashoq në Tribunalin e Hagës por edhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Ai ka shkruar rreth 60-të libra mbi studimet shqipe ndërsa ka botuar edhe kritikë, përkthime të letërsisë por edhe mbledhje nga ekspeditat e tij të ndryshme.

Në vitin 2013-të Elsie morri Medalje shtetërore për promovimin e kulturës, gjuhës, letërsisë dhe historisë shqipe nëpër botë. / KultPlus.com

‘hashtagu #metoo për ne gratë shqiptare duhet ba #cilajo’

Shkrimtarja Entela Tabaku Sorman, në rrjetin social Facebook, sot ka shkruar rreth hashtagut të njohur #metoo, i cili po përdoret nga gratë në mbarë botën për të treguar se ato janë ngacmuar seksualisht gjatë jetës së tyre.

Sorman ka reaguar në këtë mënyrë mbi #metoo dhe kampanjën e cila ka marrë një jehonë të madhe edhe tek shqiptarët.

– Ky hashtagu #metoo për ne gratë shqiptare duhet ba #cilajo?. Se ku ka grua në Shqipëri që nuk ka vuajtur ngacmimet në rrugë, më së paku, për të mos folur për të tjera. Pa dallim moshe. Kam qenë 6 vjeçe kur më ka ndodhur herën e parë. 46 vjeçe herën e fundit. Pa dallim prejardhjeje, arsimi, peshe, ngjyre flokësh a bukurie, e mbuluar fund e krye apo me minifund.
Ta pranojmë haptas se të GJITHA gratë shqiptare janë të detyruara ta përjetojnë kalvarin e neveritshëm të ngacmimeve në rrugë dhe ta normalizojnë si të ishte një pjesë e natyrshme e jetës. Turp! Turp! Turp! –

Jo si zakonisht, Bekim Fehmiu flet për sportet e preferuara

Në vitin 1979, një pjesë e mirë e aktorëve e regjisorëve të ftuar në Festivalin e Filmit në Pula të Kroacisë u pyetën mbi lidhjen e tyre me sportin.

Këta filmbërës, këta aktorë, secili të inkuadruar mirë e mirë në botën e filmit, megjithatë kanë pasionet e tyre në fushën e sportit.

U pyet edhe Bekim Fehmiu, mbi dashuritë e tij në sport dhe mbi kohën e lirë të cilën dosido do t`ia kushtonte sportit.

Ai në këtë intervistë të cilën e sjellë Yugopapir në kuadër të shkrimeve të moçme të kulturës e artit e sportit, ka treguar se gjatë jetës së tij, pos aktrimit fenomenal dhe njohjes që aktrimi i solli në mbarë botën, ai është marrë me boks, me not, me atletikë, me basketboll e me futboll, shkruan KultPlus.

“Sportet e mia më të preferuara janë basketbolli, boksi dhe noti. Për shkak të një lëndimi që pata, po merrem më shumë me gjimnastikë pasi kjo po më ndihmon ta marr veten. Nuk shkoj shumë në stadiume, por e përcjelli futbollin” ka treguar Fehmiu në këtë intervistë.

Në këtë edicion të Festivalit të Filmit në Pula, u shfaq filmi “Era dhe Lisi” me regji nga Besim Sahatçiu dhe me skenar nga Petrit Imami. Abdurrahman Shala mori çmimin për aktorin më të mirë të festivalit për rolin e tij në këtë film. / KultPlus.com

Melodi

Poezi e shkruar nga Ergisa Bebja.

Ti, tejçon sembim në shpirtin tim
më deh me fjalë me nota muzikore
nga do-ja të si-ja thurën
të thëna e të pathëna fjalë
Ti nën ritmin muzikor
pakuptimsisht të dërgon në të panjohurën mendim
mendim çmendurak apo i trisht
kjo per ty s’ka më rëndësi

Sa keq!
Doja të të takoja
Të të pyesja
24 orë me ty të flisja
Se egër më sillesh
Në Lucifer më dërgon
E me përdallosje në qiell të shtatë po prapë më çon

Të tillë sjellje bëjnë njerëzit
Ti pse kështu ?
Të gjithë të duam
Me hir apo pahir
Je ti balsam i shpirtit njeri

Në çdo gjuhë që ti flet
Ne po prapë të kuptojmë
E përkëdhelur nga të gjithë
Si aureole ngjason melodi
Por të lutem
Si tingujt e Carmina Buranes
Me trishtim mos m’u sill!

Ky është urimi i Elia Zaharias për nënën e saj, Yllka Mujon (FOTO)

Ato janë nënë e bijë por që ngjasojnë shumë me njëra – tjetrën. Aktorja Yllka Mujo festonte dje ditëlindjen dhe normalisht që nuk ka munguar edhe urimi i veçantë i vajzës së saj Elia.

Elia e quan nënën e saj një vajzë të bukur dhe ka shumë të drejtë sepse Yllka akoma gëzon freskinë dhe bukurinë e një vajze të re.

Më poshtë postimi i Elias me urimin e veçantë:

Rovena Stefa, një konkurrente e fortë në ‘Kënga Magjike 2017’ (VIDEO)

Ka kohë që Rovena Stefën nuk e kemi parë aktive në muzikë.

Ajo ka bërë rikthimin e saj në edicionin e këtij viti të Festivalit Kënga Magjike. Festivali i cili si zakonisht i prezanton këngët paraprakisht, ka nisur maratonën e prezantimit të këngëtarëve që konkurrojnë këtë vit.

Stefa vjen në këtë edicion me këngën “Veç një jetë”, teksti i Rovenës dhe Taulant Skënderajt ndërsa muzika e Gent Myftarajt. Rovena është prezantuar këtë javë në emisionin E Diela Shqiptare, me një veshje nga Joni Peci.

Rovena është ndër emrat më të njohur nga këngëtarët që janë prezantuar deri tash, e të tjerë do të prezantohen në emisionet e radhës deri në netët e mbajtjes së festivalit, në Sallën e Koncerteve në Tiranë, shkruan KultPlus.

Blerina Braka, Kelly, Stine, Pamela Kovaci janë disa prej emrave tjerë që kanë sjellë këngët e tyre në festivalin e njohur. / KultPlus.com

Orhan Pamuk: Është bërë e pamundur të jetosh në Turqi

Shkrimtari turk dhe nobelisti Orhan Pamuk deklaroi se për shkak të ndodhive politike që prej kohësh po ndodhin në Turqi, është bërë e pamundur të jetosh më në atë vend. Kështu deklaroi ai në një intervistë për gazetën italiane “La Stampa”

“E shkatërruan Stambollin tim”, thotë me keqardhje nobelisti. Pamuk flet gjithashtu për ndryshime negative në qytetin e Stambollit në këto 15 vite. “Tanimë është e gabueshme çdo gjë që thua në aspektin politik madje edhe të tregosh nostalgji është një gabim, censura ekziston kudo. “Politikisht nuk mund të jetoj më në Stamboll”, thekson Pamuk.

Sipas tij, Stambolli në këto 15 vite është bërë më i pasur, por ka humbur lirinë. Pamuk prej pak kohësh është larguar nga Stambolli dhe jeton dhe punon në Nju-Jork, ligjëron në Universitetin e Kolumbisë.

Ai shton se është shndërruar në shkrimtar politik, duke vërejtur se ka filluar t’ua ketë lakmi autorëve perëndimor. “Ardhmëria e Turqisë është Perëndimi”, Pamuk është kategorik për këtë, i cili thotë se është rritur me një bindje të tillë.“Fitova arsim perëndimor, liberal, sekular. Por sot në Stamboll nuk ka liri të shprehjes dhe kjo më shqetëson, më pikëllon dhe më pengon”, përfundon Pamuk në intervistën e dhënë për prestigjiozen italiane.