Dibra jo vetëm destinacion turistik por edhe parajsë e aeronautikës

Nëse do zgjedhësh Dibrën për të bërë turizëm është zgjedhja ideale për turistë vendas dhe të huaj, pasi natyra ka përsosur peizazhin më atraktiv që haset jo vetëm në Shqipëri por më gjerë.

Një luginë e shtrirë mes kodrave që përshkruhet nga lumi Drin, ku mund të zhvillosh aktivitete sportivë për gjithë gjatësinë e tij.

Mali i Korabit që rrok qiellin, është një vend ideal jo vetëm për shqiponja, por edhe për të pasionuarit e aeronautikës. Një grup të rinjsh aventurier kanë fluturuar me parashuta përtej maleve, përtej harresës.

Dibra ka turizmin e bukur që meriton. Nga qielli me parashuta, nga lumenjtë me kanoe, nga malet dhe lëndinat me biçikleta, me kampingje, eksplorime, sporte dhe aventura, turizmi në Dibër është fantastik.

Lura, Korabi, Sapanika, mikpritja dibrane, tradita, kultura, gatimi, rinia energjike, janë bërë bashkë ti japin Dibrës zhvillimin e bukur njerëzor, natyror të ekoturizmit. Nëse nuk e ke vizituar ende Dibrën, nuk e ke parë ende Shqipërinë. /A.T.SH/ KultPlus.com

Kujtimet për të pagjeturit shtrihen në korridorin e Kuvendit të Kosovës

Gili Hoxhaj

1653 çelësa rrinë të varur në korridorin që çon tek holli i Kuvendit të Kosovës. Kjo vjen  si portretizim i asaj që çështja e të pagjeturve në Kosovë akoma rri pezull. Pamjet e ngjitura në murin e gjatë dëshmojnë se tash e dy dekada, familjarët e të pagjeturve nuk kanë gjetur as edhe një çelës për të mbyllur plagët  për ata që nuk u kthyen më kurrë. Çdo trokitje në derën e tyre ngjallë pak shpresë, po kur dita mbyllet pa as edhe një lajm, nata mbulohet veç nën ankth.

Fotografitë e Atdhe Mullës të dërgojnë në përditshmerinë e këtyre familjeve, shikimi i të cilëve është gjithnjë përtej shtëpisë. Duket sikur më nuk dijnë as kah t’i orientojnë pritjet. Familjarëve, krejt çka u ka mbetur prej të zhdukurve nga lufta, janë fotografitë, por Fatime Çerkini ka të vështirë ta kujtoj fëmijërinë e të birit, Reshatit pasi që flaka e luftës ia ka djegur edhe fotografitë. Në të gjitha fotografitë e ekspozitës, sytë e saj qëndrojnë gati se të mbyllur, ndërsa duart i ka të shtrënguara pranë gjoksit. Trishtimi saj, i cili është lehtë i lexueshëm në fotografi, nuk i është shkoqur as sot teksa ecën përgjatë korridorit ku qëndron ekspozita. Në këtë hapësirë, fjalët  e fundit që ia ka thënë i biri, tashmë janë të vendosura me shkronja të mëdha me ngjyrë të bardhë, që bëhen fort të theksueshme në murin e errët.

“Do të shkoj atje ku po shkojnë të gjithë të rinjtë, edhe nëse duhet të vdes, siç po vdesin të tjerët”, janë fjalët e fundit që Fatime Çerkini kujton nga ai, e që sonte erdhën pranë syve të shumë vizitorëve që erdhën për të parë ekspozitën. “Sikur ta dija që ai nuk do të kthehet më, do ta kisha përcjell bile deri në fund të shkallëve”, kishte thënë Çerkini, ndërsa thotë se i duket që ende çdo ditë e dëgjon zërin e tij se si e thërriste.

Fatime Çerkini

Fotografitë e Atdhe Mullës vijnë në dy ngjyra, bardh dhe zi. Përmes tyre vizitorët e ekspozitës mund të futen brenda mureve të çdo shtëpie, brenda emocioneve të familjarëve të të pagjeturve. Shpesh ata janë të vendosur pranë derës e duken sikur janë shtangur në pragun e pritjes.

“Që t’i japim një jetë e simbolikë numrat që përmendet, kam pasur qejf që në mënyrë metaforike të vendosim nga një qelës për secilin emër apo person që është i zhdukur, pasi në shumë rrëfime e gjen fjalinë që sa herë që trokite në derë nënat shqetësohen duke thënë mos u kthye. Qelësi në kuptim metaforik është edhe për çdo zemër që është në pritje me emocion peng që ta mbyll këtë çështje duke marrë përgjigje”, shpjegoi kuratorja e ekspozitës Eliza Hoxha.

Me qëllimin parësor që t’u jepet zë familjarëve të personave të pagjetur dhe ky zë të dëgjohet fuqishëm tek palët relevante, Integra dhe forum ZFD, në bashkëpunim me Qendrën Burimore për Persona të Zhdukur dhe me Kuvendin e Kosovës, sollën sonte ekspozitën “Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve”. Dy dekada pas luftës, çështja e 1653 të pagjeturve nga lufta në Kosovë ende nuk ka marrë përgjigje. Kjo ekspozitë e cila erdhi në shënimin e përvjetorit të 11-të të shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës është vendosur në hapësirat e Kuvendit të Kosovës me qëllim që të dërgoj një mesazh nëpërmjet gërshetimit të punës hulumtuese, fotografisë dhe një koncepti kuratorial kreativ tek institucionet publike, politik-bërësit dhe tek akterët tjerë të fushës së Drejtësisë Tranzicionale drejtë zbardhjes së fatit të personave të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë.

Kryeparlamentari Kadri Veseli në fjalimin e tij tha se falë kësaj ekspozite, përmes artit vëmendja kthehet në një prej plagëve më të rënda të luftës, siç është çështja e të pagjeturve.

 “Në shumë raste arti e shpreh brengën dhe dhimbjen më mirë sesa format tjera të shprehjes njerëzore. Ky instalacion na e dëshmon këtë”,  u shpreh në fjalën e tij Veseli, ndërsa tha se Serbia është ajo që duhet të jap llogari për arsye se përgjegjësinë e mbanë të plotë për veprimet e veta ushtarake e joushtarake, që në tërësinë e vet kanë qenë të kontrolluara nga një mekanizëm i centralizuar dhe ai ka qenë shteti serb.

Kryeparlamentari Kadri Veseli

Korridori i Kuvendit të Kosovës ka qenë cak i ekspozitës, pasi që ai për kuratoren e ekspozitës Eliza Hoxhën e përshkruan më së miri rrugëtimin e gjatë dhe të zymtë të familjeve të të pagjeturve, të cilët janë në një rrugë që akoma s’ka një cak të qartë.

“Këtë material unë kam dashur ta formësoj e t’i jap jetë për ta sjellë për të tjerët në hapësirë publike. Jemi munduar që të gjitha dyert e zyrave t’i stimulojmë si të jenë dyert e shtëpive, ku kemi një familje e një rrëfim, dhe kanë ardhë si të tilla. Këto rrëfime nga brenda për herë të parë dalin jashtë në një rrugëtim publik”, tha Eliza Hoxha për KultPlus.

Eliza Hoxha

Drejtori i  Integra-s Kushtrim Koliqi, tha se ekspozita duhet të jetë britmë që duhet të shkojë në veshët e atyre që marrin vendime brenda Kuvendit të Kosovës. Koliqi  theksoi se për familjarët e të pagjeturve, lufta ende s’ka përfunduar.

“Kur kemi qenë duke e organizuar këtë ngjarje, kemi pasur komente të ndryshme, njëra prej tyre ka qenë: “Shumë mirë që po bëni zhurmë dhe shumë mirë që po bëni zhurmë në vendin ku duhet të bëhet zhurmë”. Ne po bëjmë zhurmë. Besoj që ekspozita nuk është vetëm zhurmë në këtë objekt të rendësishëm për vendimmarrje, por është bërtimë me shpresën që ehoja e kësaj bërtime do të shkoj në vesh e në zemrat e njerëzve që marrin vendime këtu. Nëse ne me datën 17 festojmë Pavarësinë, për ata lufta ende nuk ka përfunduar”, theksoi Kushtrim Koliqi.

Kushtrim Koliqi

Kurse Korab Krasniqi nga forum ZFD tha se në prag të festimit të 11-vjetorit të Pavarësisë e vlerëson faktin që Kuvendi i Kosovës i hapi dyert, duke u dhënë shpresë familjarëve të të pagjeturve.

“Duke u nisur nga principi dhe parimet e vendeve në drejtësi tranzicionale e të së drejtës ndërkombëtare, familjarët e të pagjeturve kanë të drejtë të dinë për fatin e më të dashurve të tyre”, tha Krasniqi.

Kryetari i Qendrës Burimore për Persona të Zhdukur, Bajram Çerkini, sot pranë të pranishmëve theksoi në të ardhmen do të jetë edhe më e vështirë të zbardhet fati i personave të të pagjeturve.

“Dhimta e atyre që na therrasin, hajde merrem babë, hajde merrem nanë… s’po shkon në vend ku duhet, vetëm te familjarët.. Po flas në emër të të gjithë atyre që vazhdimisht mendojnë se tash u   vjen fëmija. Dëshira ime për hatër të të rinjve, për hatër të këtij vendi që nuk ka send që e paguan, duhet të them urime 11-vjetori i Pavarësisë së Kosovës”, u shpreh Çerkini në fjalën e tij.

Kjo ekspozitë do të qëndroj e hapur në hapësirat e Kuvendit të Republikës së Kosovës deri me datë 30 prill. Kjo iniciativë fuqizohet nga Integra, forumZFD në Kosovë, Qendra Burimore për Personat e Zhdukur, Kuvendi i Republikës së Kosovës, SwissCooperation Office Kosovo, RockefellerBrothersFund, dhe Ministria Federale për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik e Qeverisë Gjermane. / KultPlus.com

‘Jeni në këtë botë vetëm për një vizitë të shkurtër…’

Disa thënie për jetën.

“Mendoj se të biesh në dashuri me jetën është çelësi i rinisë së përjetshme” – Doug Hutchison

“Jeni në këtë botë vetëm për një vizitë të shkurtër. Mos u ngutni, mos u shqetësoni. Dhe sigurohuni që t’u merrni erë luleve rrugës” – Walter Hagen

“Njeriu që guxon të humbasë një orë kohë, nuk e ka zbuluar vlerën e jetës” – Charles Darwin

“Nëse jeta do të ishte e parashikueshme, ajo do të pushonte së qeni jetë dhe do të ishte pa aromë” – Eleanor Roosevelt

“E gjithë jeta është një eksperiment. Sa më shumë eksperimente të bëni, aq më mirë” – Ralph Waldo Emerson

“E gjithë jeta është maja malesh dhe lugina. Mos lejoni që majat të jenë shumë të larta dhe luginat shumë të ulëta: – John Wooden

“Misioni im në jetë nuk është thjesht të mbijetoj, por të lulëzoj; dhe ta bëj këtë me pak pasion, pak dhembshuri, pak humor, dhe pak stil” – Maya Angelou

“Jeta është si të ngasësh një biçikletë. Për të mbajtur ekuilibrin, duhet të vazhdosh të lëvizësh” –Albert Ajnshtajn

“Gjëja më e rëndësishme është të kënaqeni me jetën tuaj – të jeni të lumtur – kjo është gjithçka që ka rëndësi – Audrey Hepburn

“Jeta është e shkurtër. E ke ti në dorë që ta bësh të ëmbël” – Sarah Louise Delany

“Gjithmonë më pëlqen të shikoj anën optimiste të jetës, por jam mjaftueshëm realist për të ditur se jeta është një çështje komplekse” – Walt Disney / bota.al/ KultPlus.com

Sonte, ‘Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve’ në Kuvendin e Kosovës

Adresimi i çështjes së të pagjeturve në opinionin publik mbetet proces kompleks diskursiv dhe politik i cili i redukton të pagjeturit në numra dhe i tjetërson ata dhe familjarët e tyre në objekte. Debatet e ngritura rreth kësaj çështjeje shtrihen kryesisht në rrafshin dhe nomenklaturën e mjekësisë ligjore, drejtësisë, të drejtave njerëzore, marrëdhënieve ndërkombëtare, dhe aspekteve që lidhen me kompetencat, gjersa në anën tjetër kemi të bëjmë me një proces dehumanizimi të tërësishëm, ku subjektiviteti, përjetimi dhe narrativi personal zhvishet dhe reduktohet në njësi apo vlerë numerike.

Me qëllimin parësor që t’u jepet zë familjarëve të personave të pagjetur dhe ky zë të degjohet fuqishëm tek palët relevante, Integra dhe forumZFD, në bashkëpunim me Qendrën Burimore për Persona të Zhdukut dhe me Kuvendin e Kosovës, do të instalojnë një ekspozitë unike të titulluar “Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve”.

Hapja e  kësaj ekspozite do të bëhet sot, me datë 15 Shkurt 2019 duke filluar prej ora 18.00h në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Kjo ekspozitë e realizuar me foto të fotografit Atdhe Mulla, të kuruar nga Eliza Hoxha, ndërtohet në baza të një hulumtimi të thukët, historive gojore dhe fotografive të realizuara me familjarë të personave të pagjetur. Ekspozita është e vendosur në hapësirat e  Kuvendit të Republikës së Kosovës kështu duke rezonuar mesazhe thelbësore simbolike rreth asaj se në cilin drejtim graviton përgjegjësia më e madhe në raport me punën drejt zbardhjes së fatit të të pagjeturve.

Çështja e 1653 të pagjeturve nga lufta në Kosovë ende nuk ka marrë përgjigje. Kjo ekspozitë është planifikuar të hapet për shënimin e përvjetorit të 11-të të shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe e vendosur në hapësirat e Kuvendit të Kosovës me qëllim që të dërgoj një mesazh nëpërmjet gërshetimit të punës hulumtuese, fotografisë dhe një koncepti kuratorial kreativ tek institucionet publike, politik-bërësit dhe tek akterët tjerë të fushës së Drejtësisë Tranzicionale drejtë zbardhjes së fatit të personave të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë. Ekspozita gjithashtu ka për qëllim që t’i mbështesë familjarët e personave të pagjetur në një proces që iu garanton të drejtën për të ditur dhe statusin e dëshmitarëve historik, si dhe pjesëmarrjen në formësimin e kujtesës kolektive.

Në hapjen e ekspozitës do të marrin pjesë akterë të shumtë lokal dhe ndërkombëtar duke pëfshirë udhëheqësit politik, përfaqësuesit e familjarëve të personave të pagjetur, përfaqësues të shoqërisë civile dhe komunitetit artistik, përfaqësues të institucioneve nderkombëtare, etj.

Kjo ekspozitë do të qëndroj e hapur në hapësirat e Kuvendit të Republikës së Kosovës deri me datë 30.04.2019.

Kjo iniciativë fuqizohet nga Integra, forumZFD në Kosovë, Qendra Burimore për Personat e Zhdukur, Kuvendi i Republikës së Kosovës, Swiss Cooperation Office Kosovo, Rockefeller Brothers Fund, dhe Ministria Federale për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik e qeverisë Gjermane. 

“Andërr” e Kreshnik Musollit vjen nën mjegullën e kohës


Gili Hoxhaj

Gjithçka fillon mes shiut. Tri dritare e tregojnë qiellin e vranët, zymtësia e të cilit plotësohet prej degëve të dendura. Brenda kësaj errësire trupat shfaqen veç si hije që shpërndahen shpejtë, e krejt ngjarja kapërcen në një ambient shumëngjyrësh.

Për herë të parë balerinët kosovarë vijnë ndryshe para publikut prishtinas.

Balerini Kreshnik Musolli kësisoj që në hapin e parë si koreograf dëshmoi aspektin e tij filozofik e veçantinë për t’i sjellë skenës së baletit një rrugëtim ndryshe, me ‘Andërr’.

Balerinët me veshje më të gjera e lëvizje krejt të zakonshme fillimisht tregojnë se shfaqja nis me një grup të rinjsh që pjesën më të madhe të ditës e kalojnë rrugëve të mahallës. Ndërtesa në lagje është e ndërtuar me tulla të kuqe, po që shihen pak pasi që gjithë hapësira është e mbuluar me grafite shumëngjyrëshe.

E tillë është edhe jeta e banorëve aty, plot harmoni e ngjyra. Pranë një blloku banesor, koreografi ka vendosur ta fokusojë orën, praninë e kohës e ka matur në çdo hap që balerinët e hodhën në skenë. Ndryshe nga çdo vallëzim tjetër që balerinët kanë sjellë ndër vite në skenë, në këtë shfaqje lëvizjet e tyre diktohen nga muzika hip-hop. Asnjëri se pengon tjetrin në vallëzim e ndërveprimi mes tyre flet se secili po e shijon ritmin në mënyrën e vet. Pati edhe momente kur ata vet krijuan ‘rap’, me tekst të shkruar nga Kreshnik Musolli.  Aulonë Nuhiu dhe Sead Vuniqi përfaqësojnë çiftin i cili duket që vallëzon në qiellin e dashurisë. Në lagjen ku ata jetojnë, duket se asnjë re nuk mund ta prishë mënyrën se si ata natyrshëm ecin nën ritmin e dashurisë. Gjithçka rrokulliset shpejt, kur skenës i shtohen tre burra që dëshmojnë për një mënyrë tjetër të jetesës.

Sinan Kajtazi mbanë një qëndrim të drejtë në çdo lëvizje, reflekton krenarinë e një burri që nuk i mungon asgjë. E veçonte sakoja e kuqe, pranë dy burrave në kostum të errët. Shumë shpejtë do të ndërhyjnë në jetën e të rinjve që jetojnë në lagjen e tyre. Kur ata nisin të ecin në skenë, të gjithë të mbështetur pas murit drejtojnë krejt vëmendjen tek ta.

Koreografi Musolli thotë për KultPlus se është përpjekur që në shfaqje ta inkorporojë një botëkuptim shumë të thellë.

“Çdo gjë çka i përket pallatit dhe atyre njerëzve në atë botë është krejt aspekt psikologjik që është në trurin e Sead Vuniqit. Në një moment, ai e kupton se jeta nuk shkon vetëm duke kcy, aty hyn në tunelin e trurit të tij. E gjithë shfaqja tregon se kohën nuk mundesh më e ndalë”, shprehet koreografi.

Kreshnik Musolli arrin që shumë shpejtë gjithë ngjarjen ta zhvendosë në ambientet e këtyre tre burrave që gjatë gjithë kohës synojnë joshjen e rolit kryesor (Sead Vuniqit), për t’iu bashkuar jetës që ata bëjnë, pa pasur nevojë që të brengosesh se si të fitosh diçka që ta mbyllësh ditën. Këto personazhe, koreografi Musolli i ka futur si zëra të nënvetëdijes, ndërsa bëjnë që shumë shpejtë ai (Sead Vuniqi) t’iu dorëzohet lakmive, për t’u futur në grupin e tyre. Gjithçka e lë pas vetes në emër të gjërave materiale. Pas kësaj, e dashura e tij (Aulonë Nuhiu) në më shumë se dhjetë herë përjeton nënçmimin, e përplasje pas tokës, ndërsa ai (Sead Vuniqi) veçse e kishte arritur majën e pushtetit që ëndërronte. Shumë shpejtë e kupton, orvatet në zbrazëtinë e kohës që e kërcënon në çdo hap. Jeta e Aulonës veçse ishte shterur, ajo po numëronte ditët e fundit të jetës, e Seadi këtë e kupton atëherë kur asgjë s’mund të ndryshonte. Koka pa flokë e Aulonës tregon se sëmundja gati se e kishte rrëzuar e veç atëherë Seadi shton përpjekjet për t’i qëndruar sa më pranë. Në trekëndësh të lojës teatrore futen Aulona, Sinani e Seadi, dhe të tjerët.

“Seadi është vet Sinani. Pasi që ka vdekur Aulona, ajo ia ka marrë tërë lumturinë dhe ai është shndërruar në atë personin e ftohtë që ka pasur gjithçka sa i përket anës materiale por nuk e ka pasur dashurinë”, shprehet Musolli.

Në një intervistë për KultPlus, Kreshnik Musolli tregon se gjithë shfaqjen e ka përcjellur me plot emocion. Musolli tha se edhe pse aspektet psikologjike të shfaqjes mund të jenë të rënda, kur bën art me to atëherë kalojnë në një dimension tjetër.

“Çdo provë e kam përcjellë me shumë lot, po ashtu edhe sot shfaqjen pasi që kjo shfaqje ka rrjedhur prej mendimeve të mia më të thella, për krejt çka mua më proukupon si njeri pasi që unë mendoj se një njeri edhe nëse e don më së shumti në botë, nuk ki me e pas gjithmonë”, theksoi Musolli.

Ahmet Brahimaj kishte qenë ai që fillimisht kishte parë potencialin e Musollit për koreografi, ndërsa dje pas shfaqjes për KultPlus tha se nuk ka gabuar aspak që ia ka besuar këtë detyrë Musollit.

“E ka bërë një temë të ndjeshme e cila jashtëzakonisht mirë u lexu. Niku ka punuar në mënyrë shumë të përpiktë dhe që nga fillimi deri në fund e ka ditur se çfarë ka bërë. Ai e ka krijuar një shfaqje shumë të pastër koreografikisht por edhe temën e ka zbërthyer në mënyrë shumë të mirë”, tha Brahimaj për KultPlus.

Aulona Nuhiu ishte balerina që transmetoi shumë mesazhe duke përfaqësuar rolin kryesor të shfaqjes. Ajo thotë se kërkesat e Musollit kanë qenë shumë të qarta ndaj secilit.

“E falenderoj Nikun i cili ka besuar shumë në mua dhe jam e lumtur që publiku e priti shumë mirë. Për mua nuk ka qenë edhe shumë i vështirë jetësimi i rolit pasi që prej momentit kur Niku ma ka shpjeguar rolin, jam dashuruar në atë rol dhe e kam bërë me shumë kënaqësi. Meqë Niku na njeh të gjithëve është munduar që secilit t’ia përshtatë rolin dhe ka qenë një bashkëpunim shumë i lehtë që nga fillimi i provave e deri sot tek premiera”, tha balerina Nuhiu për KultPlus.

Kualifikimet dhe performanca e Kreshnik Musllit nisi me shkollën e muzikës “Prenk Jakova”, në degën e baletit, ndërsa studimet universitare i vazhdoi në Regji Teatri në Fakultetin e Arteve. Ai është pjesë e Baletit Kombëtar të Kosovës qysh prej vitit 2008 dhe është pjesë e çdo shfaqje të BKK-së. Ai ka qenë i angazhuar edhe në projekte teatrore si regjisor, si balerin por edhe si asistent koreografie në pjesë të caktuara brenda dhe jashtë vendit.

Të gjitha ata që duan ta shohin shfaqjen “Andërr”, repriza e parë vjen sonte duke filluar nga ora 20:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës./ KultPlus.com

Bebe Rexha publikon këngën e re ‘Last Hurrah’

“Last Hurrah”, është kënga më e re që e ka publikuar këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha.

“Last Hurrah” vjen pas këngës “I’m a Mess”, e cila ishte renditur në vendin e 35 në toplistën e Billboard “Hot 100” më 2018.

Njoftimin e publikimit të këngës së re, Rexha e ka bërë të ditur edhe përmes Instagramit të saj.

Kjo stinë e ftohur si unë mbeti

Nga Sabit Rrustemi

Trotuarit
për rreth dritareve të Vendtakimit tonë kalove
me flokët ngjyrë argjendi mbi supe
e një mbulesë jeshile
duarsh luaje me një kuti magjike
e as kokën me pa kush pret i vetëm brenda
nuk e ktheve

Në një kohë kaq të afërt
tërë ato kujtime që shprushen
e përftojnë dhe tash kujtesës sime
i hodhe diku pas shpine 
si letra të përdorura

Pastaj ato pëshpëritje të ëmbla në ikje 
kah të nesërmet e dëshirta
aty nën bli
tek i trazonim pa dashje zogjtë fshehur gjetheve
e fluturat thellë dejve të ndezur 
në ecje e sipër i ndrydhe

As të njëqindtën e një sekondeje s’ma fale
përmes një shikimi
n’atë ikje vetëtimthi

Porta e pa çelur u var nën çati
ulësja ngjitas meje që priste
në çast u nxi

Rrëmbimthi ike
si një mëllenjë Çepuri
më trembe 
frymën ma ndale

Për ku nxitoje
kësaj dite të shenjtë që iku
në cilin kënd a udhëkryq
ai shën valentini misterioz të priste

Kjo stinë e ftohur 
pa vallëzuar syve të tu mbeti
si unë

Themelohet çmimi për studime shqiptare, “Idriz Ajeti”

Instituti Albanologjik i Prishtinës ka themeluar çmimin “Idriz Ajeti”. Ky çmim do të ndahet çdo vit nga ky institucion për veprën më të mirë në fushën e studimeve shqiptare. Çmimi është themeluar me vendim të Këshillit Drejtues të Institutit, një ditë pas vdekjes së akademik Idriz Ajetit.

Lajmi është bërë i ditur në mbledhjen komemorative të Institutit të enjten, përcjell sot Koha Ditore. Në këtë mbledhje, Ajeti i cili ka vdekur në moshën 102-vjeçare, është vlerësuar si njëri prej intelektualëve më të mëdhenj. Është kujtuar kontributi i tij në shkencë e si udhëheqës institucionesh.

Drejtori i Institutit Albanologjik të Prishtinës, Hysen Matoshi, ka thënë se jeta, veprimtaria intelektuale dhe vepra e tij shkencore janë të lidhura ngushtë me rrugëtimin e vështirë historik të kombit të tij, me ecjen e shqiptarëve drejt caqeve të lirisë, të dijes e të përparimit.

Sipas tij, për akademik Idriz Ajetin më shumë se e djeshmja dhe e sotmja do të flasë e ardhmja. / KultPlus.com

‘Shpirti im nuk ndihet mirë, se e humbi atë’

Pablo Neruda
| Sonte mund të shkruaj vargjet më të trishta |

Sonte mund të shkruaj vargjet më të trishta,
Të shkruaj, për shembull: ”Nata është yjëzuar,
Dhe drithërues, të kaltër yjet atje lart”.

Era e natës sillet nëpër qiell dhe këndon.

Sonte mund të shkruaj vargjet më të trishta.
E doja dhe nganjëherë edhe ajo më donte.

Në net si kjo e mbaja ndër krahë,
E puthja aq shumë nën qiellin e pafund.

Ajo më donte dhe ndonjëherë edhe unë e doja.
E si të mos i doje sytë e saj të mëdhenj!

Sonte mund të shkruaj vargjet më të trishta,
Duke menduar që nuk e kam. Duke ndjerë që e humba.

Të dëgjoj natën e pamat, më e pamat pa të.
Vargjet bien mbi shpirtin si mbi barin vesa.

Po ç’rëndësi ka kur dashuria ime nuk mund ta ruante atë!
Nata është yjëzuar dhe ajo nuk është me mua.
Kjo është e gjitha. Së largu dikush këndon. Atje larg…
Shpirti im nuk ndihet mirë se e humbi atë.

Si të jenë duke kërkuar, sytë e mi vështrojnë për të,
Zemra ime vështron, por ajo nuk është me mua.

E njëjta natë që zbardhëllon të njëjtat pemë
Ne vetë, ata të atëhershmit, nuk jemi të njëjtët.

Më nuk e dua, është e qartë, por sa shumë e doja!
Zëri im vështron për erën që të takojë veshin e saj.

E tjetrit. Do jetë e tjetrit, si më parë e puthjeve të mia.
Zëri i saj, trupi i saj i tejdukshëm, sytë e saj të mëdhenj…

Unë nuk e dua, është e qartë, por mbase e dua akoma.
Është kaq e shkurtër dashuria dhe kaq i madh harrimi!

Sepse në net si kjo e mbaja në krahë,
Shpirti im ndihet keq që e ka humbur.

Megjithëse kjo është dhimbja e fundit që ajo me shkaktoi,
Dhe këto janë vargjet e fundit që unë i shkruaj.

‘Tërë jetën u mundova me ba Shqipni, por zor qenka, bre…’

Shqiptarët e Kosovës e kanë meritën e tyre të pamohueshme në pavarësinë e Shtetit shqiptar. Në këtë rrugëtim të Shtetit shqiptar, gjurmë të pashlyeshme ka lënë edhe atdhetari ynë i madh, Idriz Seferi.

Gjilani me rrethinë zë vend të rëndësishëm në Lëvizjen Kombëtare. Ky territor verilindor i viseve shqiptare ka qenë pjesë e pandashme, rrugëkalim i përpjekjeve e lëvizjeve për të drejta dhe pavarësi kombëtare dhe në çdo kohë ka qëndruar në ballë të kësaj detyre, duke i dhënë atdheut bijtë e tij më të mirë.

Njëri ndër udhëheqësit kryesor, që organizoi luftën e popullit për çlirim e bashkim kombëtar dhe për mbrojtjen e viseve shqiptare nga pushtuesit e huaj, ishte kryetrimi dhe tribuni popullor i kësaj ane, Idriz Seferi.

“Kalorësi i Karadakut” është figura më emblematike e luftës për liri e për Shqipëri, njeri i epokës 100-vjeçare, bashkë me Isa Boletinin, Hasan Prishtinën dhe shumë të tjerë, epokë kjo që kulmoi me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Pa Shqipërinë e pavarur zor se sot të kishim Kosovën shtet.

Historiani Aliriza Selmani thotë se Idriz Seferi ishte organizator i zoti, që frymëzoi, mobilizoi dhe udhëhoqi shumë kryengritje në Anamoravë, Kosovën Juglindore dhe trojet e tjera shqiptare.

Ai deri në vdekje luftoi për liri dhe pavarësi. Nuk ishte vetëm prijës popullor e luftëtar i lirë, por ishte edhe strateg ushtarak që me sukses e udhëhoqi popullin e tij në luftëra e beteja për çlirim. Kushtrimit të Idrizit populli i kësaj ane iu përgjigj gjithmonë. Ai fliste me gjuhën e popullit dhe e njihte mirë shpirtin e tij.

Seferi vdiq duke i thënë të birit se tërë jetën është munduar që ta bëjë këtë tokë Shqipëri, por zor qenka. Historiani Rasim Rexhepi thotë se Idriz Seferi nuk luftoi për pasuri, por për komb e për atdhe. Pesë djemve të tij u la vetëm një shtëpi të vogël. Ofertës së mbretit të Serbisë për t`ia shkolluar djemtë Qazimin dhe Ramadanin në Akademinë Ushtarake, ai i përgjigjet duke i thënë se lufta mes shqiptarëve dhe mbretërisë serbe nuk ka përfunduar ende.

“S’PO MUJ ME IA KTHY SHPINËN MILETIT…”

Shkrimtari Sabit Rrustemi thotë se e ka pyetur njëherë bacën Lush pse Idriz Seferi nuk shkoi në Vlorë, si Isa Boletini. E ai i kish pas thënë: Kur kishin fol me Hasan Prishtinën, ai u kish pas thanë cili po shkoni me ruajt Ismajl Qemalin, edhe Qeverinë? “I pari kish kcy Isë Boletini. Qe, le t’ fol Idriz Seferi. Edhe ky i joni i kish dredh mustaqet njëherë, kish kesh pak ndër buzë se e kish pa qefin e Isës për me shkua… – Mirë pra, po foli mbasi po kërkon prej meje Isa Boletini… Unë po rri me këta trima se nuk muj m’i lanë vetëm. Le t’ shkojë Isa se asht edhe pak ma i ri. S’po muj me ia kthye shpinën këtij mileti…” / Kosova Sot / KultPlus.com

Urime Shën Valentinin për Fatmir Limajn dhe Kadri Veselin!

ORCA – Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim ka vendos që për ditën e të dashuruarve t’i uroj kryetarin e PDK-së Kadri Veselin, Kryetarin e NISMA-s Fatmir Limajn dhe Konferencën e Rektorëve të cilët në kohën kur u tërhoqën akreditimet në mënyrë profesionale nga Agjencia e Kosovës për Akreditim, patën takime flirtuese elektorale me mes vete ku shefat e partive ju premtonin rektorëve se do të jenë të paprekshëm pavarësisht cilësisë së munguar në këto universitete.

ORCA uron që ky flirtim të kurorëzohet me dashuri të sinqertë e të njëmendtë, mbase me ndonjë bashkim të ri të ndonjë rektori me partitë në fjalë ose edhe me rikthim të dashurive të vjetra të tyre pra rikthim të disa rektorëve në partitë ku dikur kanë qenë.

Urime pra Shën Valentini!

Ky grant është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).

Arrestohet zyrtari i Ministrisë që kërkonte heqjen e kokave të anëtarëve të LGBT-së

Pas kërkesës skandaloze të zyrtarit të Ministrisë së Drejtësisë, Xheladin Krasniqiti i cii kërkonte që komunitetit LGBTI t’iu hiqet koka, është arrestuar sot nga Policia e Kosovës.

Atij i është caktuar masa e ndalimit prej 48-orëve. Ai punon në Zyrën e Arkivit të Ministrisë së Drejtësisë që kishte kërcënuar komunitetin LGTB.

Lajmin e ka bërë të ditur Policia e Kosovës.

“Lidhur me rastin e kërcënimit ndaj LGBT, pas veprimeve policore me aktvendim te prokurorit kompetent, një personi të dyshuar, iu është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. PK vazhdon me hetimet policore”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Krasniqi kishte sugjeruar heqje koke në një koment në faqen e Qendrës Multimedia për shfaqjen teatrale “55 Shades of Gay”./ insajderi.com

Të dashurosh një herë në vit dhe të vrasësh çdo ditë

Nga Pranvera Berati

14 Shkurt! Aromë dashurie gjithandej. Vajza, djem, gra, burra, lule, poezi, duar të kapura fort me njëra-tjetrën përkthejnë 14 Shkurtin, ditën e të dashuruarve.

Axhenda e sotme përfshin shëtitje përgjatë bulevardit, një tufë me trëndafila të kuq, parfume dhe qershia mbi tortë arushin gjigant. Vajzat kanë gdhirë në parukeri duke zgjedhur look-un perfekt për këtë ditë, kanë shfletuar poezitë për të përzgjedhur vargun më domethënës për sot.

Nga ana tjetër djemtë; lulet, bizhutë dhe këngët romantike që kanë shoqëruar rrugëtimin e dashurisë. 14 Shkurti! Dita ku dashurohet vetëm një herë në vit, dita ku burrave u vjen turp të blejnë lule, e nëse blejnë një të tillë mundohen t’i fshehin kudo pa u rënë në sy shokëve që e kanë harruar këtë ditë dhe përfundojnë duke tallur njëri-tjetrin.

Dita ku djemtë dhurojnë një trëndafil për të shlyer shuplakën e djeshme, kapin duart në bulevard thjesht për të ndjekur masivitetin apo thjesht për të bërë “qokën” e përvitshme.

14 Shkurti dita ku dashuria manifestohet në Instagram, Facabook, por nuk festohet në partneritet.

364 ditë të dhunuara, në më pak se 2 muaj 6 gra e vajza kanë humbur jetën, ndersa sot në ditën e dashurisë u shënua një tjetër viktimë. Sot dashurojnë të gjithë. Por çfarë do të ndodhë nesër?

Do të dashurohet vetëm një herë në vit dhe do të vrasësh çdo ditë? Thuaje të dua me një buzëqeshje sot e 364 ditët në vazhdim, thuaje me një më fal sot e 364 ditët në vazhdim , thuaje me një stop marrjes së jetës së grave dhe vajzave sot e 364 ditët në vazhdim.Vazhdimësia është çelësi i dashurisë dhe përkthimi i kësaj dite.

‘Kur nana vritet e fmija mbet jetim, mos paç Shën Valentin oh Shqipnia etnike’

Frederik Ndoci

Kam do’ vite, qe shen Valentini
Me shfaqet ne gjum,
Me buzqeshje cinike
Me do vargje poemash te ftohta,
me dokumente e sorollatje,
Me biseda telefonash më video,
me foto zemrash ne media,
larg puthjeve te sinqerta bashk me shterngime duersh.
Me duket anti shen Valentin
Avokati e oficieri emigracionit
ne zyrat e tyne
mbush ne dosje,
pa parfum!
Trendafila mbetun pa u ble prej meje,
Por zambake lilak vorresh per stoli kronikash te zeza grave
te ndeshkueme me plumb.
Jo Shen Valentini nuk asht per trojet e mia,
ku má vler ka krimi se dashnia,
Ku dashni asht vrasja e lot nder sy te fmija!
Ndergjegje 0 e minus 0 burrnia!
Mu ngrive në buz shen Valentin
Kur nana vritet e fmija mbet jetim!
Ku feja e vrasjes asht unike,
Per nanen qe femijet ia fike
A ka shen Lucifer kund për ne?
Se te madh e kisha ble qirin,
Ose me plot goj:-
Mos paç shen Valentin oh shqipnia etnike.



Dardan Zhegrova sonte performon në Paris në ‘Owner of a lonely heart’

Sonte ai do të performojë në Paris, ndërsa edhe një pjesë e krijimtarisë së tij artistike do të dalë para syve të parizienëve.

Artisti Dardan Zhegrova sonte prej orës 20:00 do të performojë në hapjen e ekspozitës ‘Owner of a lonely heart’ në kryeqytetin francez, kuruar nga Anastasia Krizvanovska dhe organizuar nga Mathilde Expose.

Zhegrova ka treguar për KultPlus se sonte ekspozitën do ta hapë ai me serinë e poezive ‘Lucky Pierre: Nothing gonna save us now’ të cilat i ka prezantuar edhe në Prishtinë dhe në lokacione të tjera.

Brenda në ekspozitë, Zhegrova do ta shfaqë një prej kukullave voodoo dolls – atë me ngjyrë të argjendtë ndërsa vjen edhe videoja e serisë Automatic – në të cilën ai punon që nga viti 2014-të, me titullin ‘I wish a dream and dream a wish’.

Pos Zhegrovës, në ekspozitë do të marrin pjesë edhe artistët Julian Farade, Richard Sides, Alicia Tsigarides, Manuel Vieillot. Pas performancës së Zhegrovës do të ketë edhe lexim të poezive, gjatë hapjes.

Zhegrova është ndër artistët e rinj më premtues në Kosovë. Zhegrova ka qenë pjesëmarrës i disa ekspozitave në vend dhe jashtë vendit. Bashkë me Lola Sylajn, Dardani është fitues i Çmimit ‘Artistët e së Nesërmes’.

Një ndër mediumet më të përdorura nga artisti është videoja. Krijimtaria artistike e Dardanit ka në fokus mishërimin, përkthimin dhe transformimin e gjuhës në përmbajtjen vizuale, me elementin e emocionit të përdorur si medium artistik që potencialisht vepron si mjet për të eksploruar sferën e intimes dhe të të shprehurit. / KultPlus.com

Bëhuni pjesë e ‘EU Insta Sfida – kush është gruaja model për ty?’

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë në bashkëpunim me Qendrën Informative dhe Kulturore të BE-së ka bërë sot një thirrje për një sfidë interesante në Instagram.

“EU Insta sfida – kush është gruaja rol model për ty?” – fton secilin prej nesh që të përzgjedhim një person të gjinisë femërore të cilën e shohim si inspirim, një grua e cila na motivon cdo ditë me punën dhe mençurinë e saj, dhe këtë ta bëjmë publike duke u kyqur në këtë sfidë.

Që të jesh pjesë e kësaj iniciative në Instagram, është fare thjeshtë,

1. duhet që të bësh një selfie foto së bashku me këtë person,
2. atë foto ta postosh në Instagram në profilin tënd, dhe
3. Të vendosësh një përshkrim shumë të shkurtër se kush është gruaja pranë teje duke vendosur dhe hashtags #EUGenderTalks, #EUICCKosovo #MyRoleModelKosovo

Ajo mund të jetë shoqja, vajza, nëna, gjyshja, kolegia e punës, familjarja, e dashura, bashkëshortja apo edhe një person publik që e njeh dhe mund të bësh foto me të. Ajo duhet të jetë një person të cilin e sheh si shembull për jetën, suksesin dhe lumturinë.

Me këtë fotografi, do të kesh mundësi të bëhesh pjesë e ekspozitës së fotografisë e cila do të hapet në muajin mars në Prishtinë dhe në Mitrovicë të Veriut.

Gara ‘EU Insta Sfida – Kush është gruaja rol model për ty?’ është një metodë e mirë për të sjellë në vëmendje gratë dhe vajzat, personat e gjinisë femërore që tregojnë guxim, mençuri, maturi dhe sukses me punën që bëjnë çdo ditë.

Pas 1 marsit, ne do t’i përzgjedhim 25-30 fotografitë më të mira dhe do t’i kontaktojmë të përzgjedhurit përmes llogarisë në Instagram që të jenë prezent në aktivitetin që do të mbahet me datën 7 mars në Qendrën e Informimit dhe Kulturës së BE në Prishtinë dhe Mitrovicë të Veriut për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Gruas.

Ekspozita do të jetë e hapur për publikun.

Për informata tjera klikoni në www.euicc-ks.com  

Ministri Abelard Tahiri distancohet nga gjuha skandaloze e Xheladin Krasniqit mbi komunitetin LGBT

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri dënon fuqishëm gjuhën e përdorur në rrjete sociale nga punonjësi i Ministrisë së Drejtësisë dhe distancohet nga kjo gjuhë dhe frymë skandaloze.

Deklarata e plotë e Ministrit Tahiri:

Zyrtari në fjalë është punonjës i zyrës së arkivit pranë Ministrisë së Drejtësisë dhe i njëjti në rrjetin social Facebook ka përdorur një gjuhë që nuk përkon as me logjikën institucionale, as me vlerat kolektive të shoqërisë sonë dhe as me orientimin tonë drejt respektimit të plotë të dinjitetit, tolerancës dhe të drejtave të qytetarëve siç janë definuar nga Kushtetuta e vendit.

Unë dënoj fuqishëm përdorimin e një gjuhe të tillë, e cila është e papranueshme në institucionin që drejtoj dhe Ministria e Drejtësisë distancohet plotësisht nga kjo gjuhë dhe frymë skandaloze.

Ne si Ministri e Drejtësisë dhe si shoqëri e Republikës së Kosovës nuk mund të tolerojmë në asnjë rrethanë që mos toleranca, fyerja dhe nxitja e urrejtës mbi çfarëdo baze diskriminimi të bëhet pjesë e përditshmërisë sonë.

Në vullnetin tim si Ministër, pikërisht në Kodin e ri Penal që e kam sponsorizuar, kam paraparë masa të ashpra për të gjitha veprat që nxiten nga urrejtja dhe mos durimi. Shoqëria jonë është mishërim i ideve progresive dhe perëndimore. Askush nuk mund ta devijojë këtë perspektivë përmes gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit mbi çfarëdo baze.

Kartolina, dashuri dhe qirinj, nga personat me Sindromën Down për ju

Alberina Haxhijaj

Libraria “Dukagjini” në Prishtinë ka dy ditë që është mbushur plot me dashuri. Kësaj radhe, në hyrje të librarisë këtë përshtypje nuk e japin vetëm librat e radhitur në formë zemre, por edhe kartolinat dhe qirinjtë e krijuar nga personat me Sindromën Down.

Aldi Hoxha dhe Linda Dibra me ngrohtësi mirëpresin çdo vizitor në këtë librari, tash e dy ditë. Ata janë angazhuar për të shitur kartolina dhe qirinj të krijuar nga personat me Sindromën Down, si pjesë e shoqatës Down Syndrome Kosova. Madje, kur afër kioskës së tyre nuk ka ndonjë të interesuar për punimet e tyre ata gjejnë kohë edhe për të vallëzuar. Kur dikush afrohet pranë, asnjëri nga ta nuk ngurron që të bisedojë duke këshilluar se cila mund të jetë zgjedhja më e mirë si dhuratë për këtë ditë.

‘Sot kemi qirinj dhe kartolina të cilat janë me motive për Ditën e të Dashuruarve’ tregoi për KultPlus 22 vjeçari Aldi Hoxha.

“Jam anëtar i shoqatës dhe e falënderoj sot stafin e librarisë që na kanë mirëpritur. Sot kemi shitur më së shumti kartolina me lule dhe zemra por edhe qirinjtë dhe ka pasur shumë njerëz që kanë blerë”, tregon Hoxha.

Ky aktivitet i organizuar është në vazhdën e aktiviteteve që po zhvillohen nga kjo shoqatë për angazhimin e personave me Sindromën Down në bizneset vendore, tregoi për KultPlus menaxheri i Marketingut nga DSK – Alban Fejza.

“Kartolinat punëdore janë veprimtaria më e hershme e shoqatës Down Syndrome Kosova. Nën drejtimin e punonjësve social, kjo veprimtari ka për qëllim përfshirjen e personave me Sindromën Down dhe përveç punësimit, ka një rol të rëndësishëm në fuqizimin e aspekteve të socializimit dhe krijimtarisë tek personat me Sindromën Down. Përveç kartolinave sot janë edhe qirinjtë. Ideja e këtij bashkëpunimi ka rrjedhur si rezultat i bashkëpunimeve të mëhershme me librarinë Dukagjini por edhe zë pjesë në strategjinë e marketingut ku hyjnë bashkëpunimi me bizneset vendore, që ka për qëllim shtrirjen e shoqatës në treg si dhe angazhimin e personave me Sindromën Down”, thekson Fejza.

Sipas tij angazhimi i personave me Sindromën Down është një motiv shtesë që i bënë me të lumtur personat e angazhuar dhe që sjellë edhe të ardhura për shoqatën e që ndikon pastaj edhe në mirëqenien e atyre që janë pjesë e shoqatës.

Përveç të interesuarve për produktet që shisnin, Aldi Hoxha dhe Linda Dibra patën edhe mysafirë të shumtë të cilët kishin ardhur për t’i vizituar dhe për të parë punën që ata së bashku me miqtë e tyre e kanë krijuar.

Një mysafire e veçantë ishte edhe 23 vjeçarja Medina Surdulli e cila i solli Kosovës medaljen e artë në kategorinë e notit në Lojërat Olimpike Speciale Botërore 2017, të mbajtura në Schladming të Austrisë.

“Sot kam ardhur për të vizituar disa shokë dhe shoqe të cilët kanë ardhur për të shitur kartolinat e tyre, dhe jam e lumtur që sot ka kaq shumë dashuri këtu”, theksoi ajo për KultPlus.

Të gjithë ata që do të zgjedhin për të uruar të dashurit e tyre me kartolina dhe qirinj punëdore do të kontribuojnë drejtpërdrejtë në qëndrueshmërinë e ofrimit të shërbimeve psiko-sociale brenda shoqatës Down Syndrome Kosova./ KultPlus.com

Shqiptarët e ofendojnë Rita Orën rreth postimit të fundit në Instagram

Këngëtaren shqiptare Rita Ora si duket plot kanë nisur ta sulmojnë në rrjetin social Instagram.

Ajo sot, në Ditën Ndërkombëtare të të Dashuruarve, ka postuar një fotografi ku në bluzën e saj shihen duke u puthur dy meshkuj.

Ajo ka shkruar “Duajeni kë të doni” ndërsa shqiptarët duket se janë irritur, ndërsa të huajt si zakonisht, më rrallë irritohen prej pamjeve të tilla.

Rita gjithmonë ka qenë përkrahëse e dashurisë mes personave të gjinisë së njëjtë dhe këtë e ka treguar në koncertet e saj por edhe me veshjet e saj, njëjtë sikur kjo bluzë.

https://www.instagram.com/p/Bt28R08Hszh/?utm_source=ig_web_copy_link

Presidenti Hashim Thaçi dekoron këngëtarin Ilir Shaqiri

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka dekoruar këngëtarin Ilir Shaqiri me titullin “Nderi i Republikës së Kosovës” .

Përmes llogarisë së tij në Facebook, presidenti Thaçi ka dhënë lajmin për dekorimin e këngëtarit.

“Shumë dëshmorë dhe heronj të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë përjetësuar në këngët e tij. Artistin e mirënjohur, Ilir Shaqiri, sot e dekorova me titullin “Nderi i Republikës së Kosovës”. Ai dha kontribut të madh në kultivimin e këngës me motive patriotike!”, ka shkruar Thaçi./ KultPlus.com

Del në shitje albumin “United State of Albania” nga MC Kresha dhe Lyrical Son

Albumi i shumëpritur, “United State of Albania” tashmë është në shitje.

Ndryshe nga shtetet perëndimore ku albumi do të jetë në shitje në platformat si iTunes dhe Spotify, në vendin tonë albumi mund të blihet në web faqe zyrtare, PINT.al Me t’u qasur në ueb faqen PINT.al, do të gjeni listën e këngëve dhe kopertinën e albumit.

Albumi ka një kosto prej 5 eurosh, i cili vjen si CD në kualitet shumë të lartë. Kjo është po ashtu një simbolikë e traditës dhe kultit të hip hopit, një retrospektivë e kohës së vjetër kur albumet kishin kuptim tjetër si CD./ KultPlus.com

https://www.facebook.com/PINT.KS/videos/1962595917170918/

Bëhen të ditur emrat e këngëtarëve që do të performojnë në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë më 17 shkurt

Më 17 shkurt, të gjithë qytetarët e Kosovës do të kremtojnë 11-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Për të shënuar këtë ditë tashmë janë organizuar aktivitete të shumta.

Në kryeqytet në koncertin e mbrëmjes i cili mbahet çdo vit do të performojnë emra të njohur të estradës kosovare. Dafina Zeqiri, Gjiko, Mc Kresha, Lumi B, Lluni, Dj Dagz, Fuego dhe Rina janë emrat që do të ngjiten në skenën e koncertit, më 17 shkurt.

Ky koncert do të fillojë nga ora 20:00./ KultPlus.com

https://www.facebook.com/pavaresiaekosovescom/videos/718050335261965/

Gashi: Një arritje e madhe për kinematografinë e Kosovës

Në një postim në Facebook-un zyrtar të Qendrës Kinematografike të Kosovës, thuhet se filmi me regji nga Samir Karahoda që e solli Kosovë në Berlinale u prit jashtëzakonisht mirë nga publiku i Berlinales, ku para të pranishmëve u paraqit e gjithë ekipa e filmit.

“Është një arritje e madhe për kinematografinë e Kosovës” u shpreh Ministri i Kulturës Kujtim Gashi i cili ishte i pranishëm në premierë bashkë me ambasadorin Beqë Cufaj dhe sekretarin e MKRS-së Veton Firzi.

Filmi trajton dy tema paralelisht: fenomenin e ndërtimit të shtëpive të njejta dhe migrimin e cila veçmas theksohet nëpër këto familje. Nëpërmjet personazheve, portretizon marrëdhënien dhe solidaritetin në mes vëllezërve; sakrificën dhe vendosmërinë e prindërve për të mbajtur harmoninë brenda familjes; kuptimin dhe rëndësinë e shtëpisë dhe shpresës në mes kthimit apo jo në vendlindje.

“NË MES” është filmi i parë në Kosovë që u bë pjesë e garës ndërkombëtare të filmave të shkurtër “Berlinale Shorts”. Mbrëmë u dha premiera e këtij filmi./21Media/ KultPlus.com

Erza Muqolli bën shqiponjën në sallën e madhe të Parisit (VIDEO)

Erza Muqolli po vazhdon ta dëshmoj veten në çdo interpretim dhe paraqitje në skenë. Ajo në dhjetor të vitit të kaluar solli një interpretim të mahnitshme të një prej këngëve më të njohura të Beyonce, shkruan KultPlus.

Erza Muqolli vjen nga Kosova dhe është vetëm 13 vjeçare por sukseset e saj në interpretim dhe skenë e tejkalojnë moshën e saj. Para një numri të madh të publikut, ajo është ngjitur në skenën AccorHotels Arena, ku ka sjellë këngën “Listen” të Beyonce. E veçanta e këtij interpretimi është se pasi që zëri i saj i fuqishëm arrin të prek çdo pjesë të sallës, ajo ngrit dy duart lart për të krijuar simbolin kombëtar, shqiponjën.
KultPlus ju sjellë videon e këtij interpretimi nga AccorHotels Arena, në Paris.

Po ashtu kujtojmë se në këtë skenë, ajo në fund të vitit të kaluar kishte performuar më këngëtaren e njohur franceze Zaz./KultPlus.com


https://www.youtube.com/watch?v=9q_E3hsiICo&feature=youtu.be