Dy ngjarje tronditëse të cilat kanë ndodhur së fundi një në Shqipëri dhe tjetra në Kosovë, sipas Rudina Xhungës janë dëshmi se si shoqëri jemi larg Evropës.
Në Shqipëri
shtatë të mitur kishin dhunuar një vajzë po ashtu të mitur e cila ishte 13 vjeçare
ndërsa në Kosovë një 16-të vjeçare është dhunuar nga mësuesi, pastaj nga polici
ku kishte paraqitur rastin si dhe ishte detyruar te abortonte në një klinike në
Prishtinë pa dëshirën e saj.
“Shikoni si reagon Prishtina. Te gjithë me parrulla në duar, kanë dalë në rrugë për t’i thënë jo përdhunimit, pasi një e mitur u abuzua nga profesori i saj dhe polici ku shkoi ta denoncojë. Prishtina e mori ne mbrojtje vajzën, as e gjykoi, as donte ta përzinte nga vendi, sic donin gratë e Kavajës, të përzënë vajzën e vogël që e përdhunuan ca përbindësha, të mitur edhe ata. Në Kosove, nuk plasi debati Thaci- Haradinaj, kush e fshehu ngjarjen, as iu sul kush medias, pse merreni me dramën e vajzës. Ne jemi frikshmërisht larg Evropës që kërkuam. E meqë s’po dimë te afrohemi, le të themi: E duam Shqipërinë si Kosova!”, ka shkruar gazetarja Xhunga./ KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, mori pjesë në konferencën e Zyrës Rajonale për Bashkëpunim të Rinisë (RYCO), “Fuqizimi i rrugës për pajtim dhe bashkëpunim rajonal. Debati për të ardhmen evropiane të të rinjve kosovarë”. Në konferencën e cila u mbajt në Prishtinë, Ministri foli për bashkëpunimin e deritashëm dhe i falënderoi drejtuesit e RYCO-s dhe të pranishmit për organizimin e konferencës si dhe për vazhdimin e realizimit të objektivave në të mirë të rinisë.
Këtë vit, kryesimin e Bordit Drejtues të RYCO-s do ta ketë Kosova dhe ministri e konsideroi këtë si një privilegj dhe një nxitje për të punuar edhe më shumë për rininë.
“Në momentin që po flasim RYCO ndodhet në një pozicion shumë më të favorshëm krahasuar me vitin e kaluar; me një strukturë të konsoliduar dhe me objektiva të qarta strategjike se ku e sheh veten në të ardhmen”, vlerësoi ministri, duke shtuar se themelimi i RYCO-s është një mundësi e mirë e shkëmbimeve rinore rajonale e cila duhet të shfrytëzohet nga të rinjtë.
“Në asnjë rrethanë, përpjekjet e deritanishme kryesisht të bëra nga organizata jo qeveritare apo iniciativa të tjera për të mbështetur bashkëpunimin rajonal nuk janë më pak të rëndësishme. Përkundrazi, janë pikërisht ato iniciativa te cilat kanë vënë gur themelet e RYCO-s. Por natyra unike e përbërjes së RYCO-s në gjitha strukturat e saj e bën atë një institucion gjithëpërfshirës dhe me vizion të qartë për fuqizimin e bashkëpunimit të të rinjve në Ballkanin Perëndimor” u shpreh ministri Gashi.
Ministri Gashi po ashtu e cilësoi se RYCO bashkëvepron në një mjedis kompleks dhe për këtë duhet më shumë punë për të bërë. Duke e parë të kaluarën si një sfidë vështirë të tejkalueshme, por jo të pamundur, ministri dhe se si Kryesues i Bordit të RYCO-s por edhe si përfaqësues i Qeverisë së Kosovës në drejtimin e këtij institucioni rajonal, tha se është e nevojshme në mbështetja e RYCO-s në mënyrë të veçantë nga ana e gjashtë qeverive të Ballkanit Perëndimor.
“Të gjitha qeveritë e rajonit, duke përfshire edhe atë të Kosovës duhet ta mbështesin sa me shumë këtë institucion i cili mundëson rritjen e lëvizjes dhe bashkëpunimit rajonal të të rinjve dhe jo vetëm RYCO-n por edhe institucionet tjera komplementare me RYCO-n, dhe assesi të bëjnë veprime kontradiktore. RYCO nuk mund t’i përmbush synimet e saj e vetme andaj duhet t’i bashkojmë forcat të gjithë në mënyrë që bashkëpunimi i të rinjve në rajon të rritet sa më shumë”, ka thënë ministri në konferencën e sotme.
“Aq sa ju keni nevojë për vendimmarrës mbështetës, po aq edhe ne kemi nevojë për të rinj aktiv, të motivuar dhe të vendosur për të ndryshuar gjendjen aktuale dhe imazhin e këtij rajoni”, ka porositur ministri Gashi, duke bërë thirrje që të mësohen gabimet nga e kaluara dhe që ato të mos përsëriten duke e parë të ardhmen e tërë rajonit plotësisht të integruar në Bashkimin Evropian.
RYCO është mekanizëm i pavarur institucional i gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, Kosovës, Shqipërisë, Bosnjës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë për bashkëpunim rajonal në fushën e rinisë.
REAGIM i Këshillit të Nxënësve të Kosovës-KNK karshi dhunës seksuale, ushtruar në nxënësen nga Drenasi.
Këshilli i Nxënësve të Kosovës (KNK)1 përmes këtij reagimi dënon ashpër rastin e shfrytëzimit dhe keqtrajtimit të bashkëmoshatares së tyre 16 vjeçare nga ata që është dashur ta edukojnë e mbrojnë.
Ne si Këshill i Nxënësve të Kosovës – strukturë përfaqësuese e nxënësve të gjitha shkollave të mesme në Kosovë në bashkëpunim me Këshillin Rinor Kosovar (KYC), organizatën nën ombrellën e së cilës funksionojmë konsiderojmë që ngacmimi dhe shfrytëzimi seksual nga ana e mësimdhënësit dhe policit hetues duhet të dënohet, dhe drejtësia të vihet në vend.
Jo rrallë herë nxënësit/et, janë viktima të dhunës qoftë fizike, psikike/emocionale dhe seksuale ushtruar kundrejt nesh nga hisedarë të ndryshëm në institucione ku presim të edukohemi dhe mbrohemi.
Nxënësit janë të shqetësuar dhe të tmerruar nga ky rast dhe jo vetëm. Ky rast ka tejkaluar çdo konsideratë dhe ndjejmë nevojë të ju rikujtojmë që përjetimet e tilla nuk tolerohen.
Andaj ju lutemi dhe ju ftojmë duke pasur gjithmonë në konsideratë ndjeshmërinë e moshës dhe pamundësinë për të u mbrojtur, të ndërmerreni masa dënuese për secilin që cenon sigurinë tonë.
Ne jemi nën përgjegjësinë tuaj, dhe nën këtë përgjegjësi presim të na keni prioritet dhe të mos lejoni ushtrim dhune (seksuale, fizike, psikike). Ju e keni për detyrim të na ofroni fuqi për të reaguar ndaj çdo padrejtësie, e jo frikë për të njohur dhe mbrojtur mirëqenien tonë.
Për faktin se në Kosovë pothuajse çdo gjë po shkon keq, dhe sidomos muajve të fundit kur është e pamundur të mos i përjetosh ndodhitë e realitetit, dikujt i është kujtuar diçka më kreative.
E meqë ende kreativiteti jeton në këtë vend me probleme, Hyjnesha në Fron tanimë ka ndërruar pamje. Është e tëra në lot, e goditur në sy dhe e mavijosur, e dhunuar, e mbytur, me fytyrën plot plagë.
The Republic of Kosovo – blogu i artistes Diego e ka sjellë kësisoj Hyjneshën në Fron, marrë shkas edhe prej ngjarjes së fundit me 16 vjeçaren nga Drenasi, një turp kolektiv që duhet të na bëjë ta ulim kokën e të dalim të protestojmë kundër këtij frustrimi.
Hyjnesha në fron është një statujë e vogël, figurinë terrakote e gjetur në vendin e mullirit e njohur si Tjerrtorja pranë Prishtinës, në vitin 1956.
Për më tepër, pasi ajo është një nga artefaktet më të çmuara arkeologjike të Kosovës, është adoptuar edhe si simbol i Prishtinës. / KultPlus.com
Ne nji vend ku djali rritet si
mret/ princ/ pasha do a s’do, gruaja ka më qenë veç nji ‘copëzë mishi’ ose nji
sherbetore qe i ploteson krejt nevojat e tij …
Ne nji vend ku asht marre më
fol e më i msu fmijtë se Dashnija s’ka kufi n’gjini e Ditunia asht e shenjtë;
ka meë qenë gjithë e hidhun jeta …
Ne nji vend ku Nanat i msojnë
Djemtë e tyne më Fluturue; e pastaj më i shkelun çikat e huaja; s’asht çudi kur
këto t’fundit dhunohen sistematikisht …
Ne nji vend ku arritja ma e
madhe asht paraja, telefoni ose kerri/ makina e shtrenjtë; aty ku Instagrami ta
dikton jetën dhe ku duhesh më u ly – ngjy për më ra n’sy: nuk ka fortë shpresë
për nesër!
Aty ku gratë e ulin kryet dhe e
lshojnë dijen; ka me pasë vend per krejt t’kqijat … aty ku gratë detyrohen me
u fut n’doren e t’forteve s’kanë me
çelun pranverat …
Atje ku burrat shesin mend se
‘pika ma e nalte me moral e nder asht motra’ e ka perthekue e zeza oxhakun e
konakut!
Skena e Teatrit Kombëtar të Kosovës, skenë e cila përdoret edhe nga Baleti Kombëtar i Kosovës jo gjithmonë plotëson nevojat për prezantimin e performancave të balerinëve, pasi që të njëjtit, punën e tyre artistike e paraqesin edhe me kujdesin për balerinët e tjerë, që mos të pengojnë njëri tjetrin përgjatë shfaqjeve, si pasojë e hapësirës së ngushtë që ka skena e TKK-së.
Po
shumë më keq është vendi në të cilën i bëjnë provat, vendi ku djersijnë deri te
finalizimi i shfaqjes, të cilët, për më shumë se një muaj detyrohen të zbresin
në bodrum, ku aty bëjnë provat drejt një glamuri, të cilët përballen me hapësirë,
ndriçim dhe ajër të pamjaftueshëm. Krejt kjo sfidë është shumë e panjohur për audiencën,
e cila dhuron duartrokitjet dhe lulet për mundin dhe shkëlqimin e balerinëve.
Pikërisht këtë prapaskenë, koreografi Kreshnik Musolli do ta zhvendosë në skenë. “Karantinë” është njëra nga pikët e shfaqjes “Andërr” dhe flet për mundësitë minimale për të arritur synimet e mëdha. Koha është një element tjetër që Musolli e mishëron në tërë shfaqjen dhe mundohet të prek elemente psikologjike në jetën çdokujt.
Kreshnik Musolli tash e sa vite është pjesë e Trupës së Baletit Kombëtar të Kosovës, kurse këtë vit për herë të parë sfidohet edhe me rolin e koreografit. “Andërr” mban titullin shfaqja e tij e parë që javën tjetër vjen premierë për publikun e Prishtinës.
Kur kthehet dhe shikon në fëmijërinë e tij, Musolli kujton se ka qenë më pasiv në familje dhe nuk është që kishte hetuar as ai e as familja kishin ndonjë dëshirë të madhe për muzikë e balet. Ndryshe kishte ndodhur me motrën e tij, Jeta Musolli e cila ishte vazhdimisht pjesë e shfaqjeve të trupës së Baletit Kombëtar të Kosovës. Kështu ai kishte vendosur t’i ndiqte provat dhe shfaqjet e tyre, duke i përcjellë vazhdimisht edhe me fotografi. Nëna e saj duke e parë interesimin e tij, pas përfundimit të shkollës fillore e shtyn që të regjistrohet në shkollën e baletit. Më pas shumë shpejtë i ishte shtuar dëshira për këtë profesion dhe për një kohë të shkurtër kishte arritur të jetë edhe pjesë e shfaqjeve të trupës së Baletit Kombëtar të Kosovës.
“Duke u thelluar më shumë në balet ka filluar të më pëlqejë edhe më shumë, dhe shumë herët jam angazhuar në shfaqje, dhe kam qenë në vitin e katërt ku kam hyrë tamam në punë. Çdo herë kam shkuar duke e kuptuar rëndësinë e këtij profesioni dhe duke e kuptuar se çfarë kënaqësie është kur ia jep atë energji publikut dhe ta kthen prapa. Baleti është një profesion shumë i veçantë që pak e kuptojnë në thelb”, shprehet Musolli për KultPlus.
Kreshnik
Musolli i cili ka përfunduar studimet në regji teatri në Fakultetin e Arteve në
Prishtinë, thotë se puna e koreografit veçse po ia thellon këtë lidhje, duke
qenë se ai gjatë studimeve veçse e kishte provuar rolin e regjisorit. Musolli
pohon se këtë ndërlidhje e ka bërë për arsye se nuk ka shumë jetëgjatësi në
balet, por kjo është një mënyrë për të mbetur i lidhur me skenën. Këtë moshë,
ai thotë se do t’ia dedikojë veç baletit.
“Ju
kam thënë edhe balerinëve edhe nëse ne e lajmë baletin, nuk kemi me e lëshu
shfaqjen, sepse do t’i bëjmë shfaqjet e mija”, thotë Musolli.
Drejtori
i Baletit Kombëtar të Kosovës Ahmet Brahimaj është ai që e kishte nxitur drejt
koreografisë, duke e pyetur për guximin për t’i hyrë kësaj rruge. Musolli i
cili vazhdimisht mbledhë shënime për gjithçka që e rrethon, thotë se ky muhabet
veçse e kishte gjetur me mjaft brumë për tu futur në shfaqje
“Në atë pikë kur veç më ka pyetur drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës se nëse jam i gatshëm ti hyjë punës së koreografit, unë veç kisha shumë gjëra të shkruara”, ka thënë Musolli për KultPlus, i cili poashtu ka thënë se për ti hyrë punës së koreografit ka qenë i përgatitur edhe për kohën e saktë se kur mund të nisë me shfaqjen. “Pas kthimit nga Festivali në Bullgari e kam mbledhur atë material që e kam pasur dhe kam filluar t’i japë formë”, tregon Musolli, i cili tash e një muaj po punon në këtë shfaqje dhe dëshmon se e gjithë puna ka rrjedhur shumë natyrshëm, bashkë me gjithë balerinët. \
Ai
thotë se në shfaqje ka një ngjarje e cila shtjellon brenda vetës edhe shumë
tema që lidhen me përditshmërinë dhe që tejkalon edhe kufijtë e Kosovës. Ai
thotë se kjo shfaqje mund ta prek një njeri në gjitha anët e botës. Tutje
Musolli për KultPlus zbërtheu edhe kuptimin e shfaqjes që flet për lakmitë e një
grupi të rinjve që shfaqen brenda ambientit ku jetojnë, një grup i madh i tyre
e të cilëve nuk iu mungon harmonia, në mes të shfaqjes ata përballen me një
kategori tjetër dhe aty gjithçka ndryshon. Për gjithë këtë, Musolli thotë se interaktivitetin më të madh
tek publiku, mundohet ta arrijë përmes kohës, si dëshmi që ajo nuk e kursen
askënd dhe asgjë që parakalon para dyerve të jetës tënde. Sipas tij, shfaqja tregon se si nga momenti në moment
mund të fitosh apo të humbasësh gjithçka dhe çdokënd.
“Njerëzit
shpesh kanë lami të mëdha për gjëra që nuk iu nevojiten hiç, andërr që e sheh
një njeri që i ka të gjitha gjërat materiale, dhe ti synon të bëhesh si ai. Në
shfaqje paraqitet një njeri që shihet si një njeri ideal dhe rreth vetes i
ka edhe dy njerëz si ta ngjashëm që më shumë rrinë si hije”, shpjegon tutje
Musolli, që thotë se ka futur shumë aspekte psikologjike që në mes shfaqjes
paraqiten figurativisht.
Njëri
nga personazhet synon të dalë përtej botës ku jeton e t’i përmbushë lakmitë
e tij. Gjatë këtyre përpjekjeve, ai duket se humbet gjatë rrugës.
“Ndonjëherë
duke synuar më shumë e sheh që e ke lumturinë shumë afër por nuk je duke e
vërejtur. Pra personazhi kryesor derisa
jeton në mahallën e tij e ka këtë lumturi dhe kur është me të dashurën shpesh
duket sikur koha ndalet”, thekson ai.
Kreshnik
Musolli për të prekur jetën e tyre thotë se balerinët do të shfaqen me veshje
ndryshe nga herët e tjera e më muzikë krejt tjetër, për ta paraqitur gjithçka sa
më reale. Balerinët do të sjellin interaktivitet me një muzikë tjetër, që është
ajo “hip-hop”.
Premiera e shfaqjes “Andërr” vjen javën tjetër më 14 shkurt (e enjte) dhe është premiera e parë e baletit për këtë vit. Shfaqja fillon në ora 20:00./ KultPlus.com
Kronikë mbi trupin e sajë u shkrua, Nga gjeneralët e një ushtrie të vdekur tashme, Prilli i thyer, erdhi mu në shkurt këtë vit. Pallati i endrrave u shemb, në dyert e drejtësisë që dhunon. Në këtë qytet/shtet më nuk vjen nëntori. Urat me harqe po rrenohen nga klithjet e një foshnje t’palindur dje. Kjo ishte nje Ftesë në studio, për të filluar nje krim të ri. Se ra ky mort e u pamë tha ai. Dhe vazhdoi të vras atë cdo dite pak e nga pak… Kto jane Çeshtje të marrëzisë. Se dimer i vetmisë së madhe ka mbuluar gjininë tonë… Princeshat Argjiro do zgjohen një ditë… Të çthurrin të gjitha përrallat e thurrura për një grua.
Gjumin ma bâni t’qetë, Se DORUNTINEN DO E SJELLIM NE, si ferr mbi shpirtat tuaj./ KultPlus.com
E dhunuara gjatë luftës, Vasfije Krasniqi, ka komentuar dhunimin e 16 vjeçares nga Drenasi.
Krasniqi ka thënë se ky rast është një tmerr, duke shtuar se nuk po mund të gjejë fjalë për ta përshkruar ngjarjen.
‘Unë e kam ndarë rrëfimin tim të hidhur por edhe juve vajza dhe gra të Kosoves ju inkurajoj të ngritni zërin dhe të kërkoni drejtësi, Dhunuesi ngelet dhunues dhe ai duhet marr dënimim e merituar!’ – Vasfije Krasniqi.
Nesër është paralajmëruar protestë para stacionit policor, në rrugën “Luan Haradinaj”, në Prishtinë. Protesta do të mbahet nga ora 12:00.
Nga Frederik Ndoci / Çelsi nalt n’parajse apo ne ferrin ton’
Ah Ibrahim Rugova Hallallin s’ta jap Ike na le shùk, e çelsin me vedi e more, N’Parajs, Zotit n’dor ia çove Çelsin aq sekret T’Kosovës K’saj nuse t’hijshme, Qe kaq koh’ nën duvak, e ke lán
Nuk po mujn burrat e vet, Qysh prej hikjes tânde Me ja ngrejt pak duvakun Me ja zblue ftyren e Saj t’pa plakun, E me ia tregue botes at fytyren engjellore E shpirtin e vertet Nga rrjedh e fshehun Legjenda e krijimit t’rràjve t’Europës
Çilësi i t’vërtetës Gropos’ me dhunë e me qëllim M’duket n’prehèn t’Zotit rrín Kodin e kopjes djajt tan’ Fshehun mbi tok’ e mbàjn’ Greqia, Vatikani e Turqia T’përbetumit anmiq shekullor Që kurr’ me dishir’ s’kan me na e dhán Që jo mâ shum’ se tash 2700 vjet
Jam shpia e grave të egra jam britma e tyne hakmarrëse asgja të mëndafshtë s’kam përveç përtypjes.
Jam pyll që pret me lind kafsha e parë e dimnit Për orën në zemër, jam një kafshatë jetë e vdekje bashkë
vritem nga ata që s’më vrasin vras ata që s’vriten Deri n’gju më mbërrin qielli zogjtë e tij në sqep më sjellin uri të largët, uri që më josh, uri që më banon.
sytë më rrinë në vend por jo shikimi teshat më veshin prapë prapë si një kukull të mitun m’mësojnë me kja.
Por inç për inç dhimbje për dhimbje lëndinë për lëndinë trupi jem hup copa të vjetra kile të shterrshme andrrash.
ky trup që s’ma xen ma shpirtin as kjo dhomë as ky qytet që natën e tij nuk përzin me temen.
Jam goja e grave të egra jam korja e bukës në ujë nuk mbytem nuk zbutem nuk hahem shpërbahem. Më duhet me e zgjanu mishin me i tjerr eshtnat me e zbraz gjakun në një enë të bardhë me u liru dursh kambsh me u lanë me m’tretë mandej me u shtri mbi lumin që qesh nga malli për të palëvizshmen e gjallë.
Jam shpia e grave të marra jam dielli i prishun në pjatë jam cehre e frikshme jam mur pa micën mbi bark pa këmishën e forcës pa vetminë që zien mbi zjerm, pa flokët e mi të përjetshëm
Kush ka thënë se mundësitë për të rinj janë të limituara? Madje, edhe për të rinjtë nga Kosova ka plot mundësi.
Një e tillë lidhet me UNESCO.
Organizata e Kombeve të Bashkuara për Kulturë, Shkencë dhe Trashëgimi fton të rinjtë nga e mbarë bota, kësisoj edhe nga Kosova si shtet në listë, për të aplikuar për pjesëmarrje në Forum e Tretë Ndërkombëtar të të Rinjve për Kreativitet dhe Trashëgimi.
Forumi do të mbahet nga 31 mars deri me 6 prill në Changsha dhe Nanjing.
Deri me datë 15 shkurt, do të mund të aplikoni për këtë udhëtim i cili synon të sjellë të rinjtë që kanë njohuri në trashëgiminë kulturore dhe ruajtjen e saj, dhe mënyrën se si të rinjtë duhet të përfshihen në industritë kulturore dhe kreative që promovojnë trashëgiminë kulturore në çdo shtet të botës.
Njerëzit e moshuar, sidomos kur jetojnë vetëm, mund të ndihen të lënë pas dore, sepse të gjithë janë shumë të zënë me jetën e tyre dhe mund të përfundojnë duke neglizhuar marrëdhënien e tyre me ta. Ata nuk flasin për vetminë e tyre, sepse nuk duan të “ngarkojnë” fëmijët dhe nipërit e mbesat e tyre, por thellë në zemrat e tyre ata duan më shumë shoqëri, dikë me të cilin mund të bisedojnë, të tregojnë historitë e tyre, të flasin për jetën. Të qenit i vetëm është mirë, por nëse vetmia është konstante, ajo mund të çojë në probleme emocionale.
Vetmia në moshën e vjetër ka ekzistuar gjithmonë, por sot është akoma më shumë e theksuar, për shkak të mënyrës së jetës që ne udhëheqim, gjë që na afron me teknologjinë dhe na distancon nga njerëzit. Është e nevojshme t’i bëjmë njerëzit të vetëdijshëm për këtë problem, të tregojnë se edhe të moshuarit ndihen të vetmuar, të braktisur dhe, edhe nëse nuk flasin, kanë nevojë për shoqëri, dashuri, kujdes dhe interes. Këta njerëz që kanë kaluar pjesën më të madhe të jetës së tyre, duke bërë gjithçka për ne, meritojnë gjithashtu të marrin më të mirën prej nesh.
Më poshtë jepet një film i shkurtër nga profesionistja e filmave të animuar Laura Stewart, e cila tregoi me shumë hollësi se si ndihen njerëzit e moshuar./ revistapsikologji/ KultPlus.com
Gratë kosovare janë si ‘mish për top’, si shtëpi e vjedhur dhe e okupume prej disa fytyrave të dyshimta që vazhdmisht ndrrohen njona me tjetrën. Si rolet e viktimave në do krimi-filma amerikan, ku naj psikopat e mban viktimën për 20 vjet rreshtë në naj podrum e e përdhunon mentalisht e fizikisht.
Gratë kosovare janë të dhunume. Në çdo kohë e prej çdo kujt. Te dhunume prej familjes qysh të vogla Që me i përmbush standardet e ni shoqërie shizofrene E mos me ja marr ftyrën familjes. Se familja ftyrën e ka në himen të vaginës.
I dhunoi okupatori në luftë, e nuk i la as me qajtë. Shoqëria i margjinalizoj E fajin ua la tyne, sikur ato të ishin fajtore që okupatori trupin e tyre e përdori si postë për me i dërgu mesazhe të barbarizmit gjithë botës.
Sot në liri i dhunon mësuesi. I dhunon polici nëse e raportojnë dhunimin. I dhunon mjeku. I dhunon kujt ti bjere n’mend me i dhunu Veç pse organi mes komve ju osht qu, e aj osht i paaftë me e kontrollu. Po mas shumti i dhunon shteti.
Grave kosovare në vesh ju fol ni zo e ju thotë: ‘ikni prej ktu, nuk e di as une se ku, po kudo osht vend ma i sigurtë se ky’.
Viti 2001 isha 19 vjece, sapo kisha nise punen si gazetare ne gazeten “Koha Ditore”, kryeredaktori Baton Haxhiu me caktoi ne mbledhje te mengjesit te merresha me mungesen e ngrohjes ne shkollat e Prishtines. Rreth pasdites dikur, u nisa per ne shkollen “Xhevdet Doda” per te biseduar me drejtorin. Sapo u afrova te dera kryesore, nje djale rreth te 30-tave i cili dukej se ishte roje ma hapi deren. E pyeta nese ishte drejtori apo zevendesi ne zyre. “Po larte eshte, hajde ta tregoj zyren”, me tha ai, tek sa ecte para meje shkalleve per ne katin e dyte. Bente ftoht, kishte rene bore dhe veshur e kisha nje xhakete me kapele ngjitur me kapese. Sapo hipa ne katin e dyte, kur u afrova tek zyra e drejtorit pash qe nuk ishte askush. “Pse me rrejte?” ju drejtova me ze te larte tek sa nisa te frikohesha sepse pash qe shkolla ishte pa asnjeri. Ai me terhoqi per kapele te xhaketes per te me mbeshtetur per muri, e shtyva me sa fuqi kisha, e per fatin tim te mire, kapela u shkeput nga xhaketa i mbeti ne dore…Mbaj mend sikur sot, vrapin qe bera shkalleve te vjetra te drurit te poshte dhe friken qe me kaploj. Derisa afrohesha tek dera kryesore me kapi panike, kisha frike nese dera ishte e mbyllur… po e kishte mbyllur, por me grep. Arrita te dale. Shkova ne redaksi, redaktori Virtyt Gacaferi me tha qe rasti duhet te lajmerohet ne organet e sigurise…erdhi me mua ne polici ku dhash deklaraten ne detaje. Disa jave me vone me thirren nga gjykata. “Personi i cili ju ka ngacmuar eshte me te meta psiqike, eshte mire me a fale, do ta largojme nga shkolla”…me tha gjykatesja. Kushedi se cka ka ndodhe me vajza te tjera ne ate shkolle. Njerez me probleme psiqike, manjak…ka kudo por jane organet e sigurise dhe institucione te tjera qe duhet te trajtojne keto raste. Ne Kosove po merremi me policin e mesuesin kriminel, te presim a kane me e marre denimin e merituar!
“Së pari ata erdhën për socialistët, dhe unë nuk thash asgjë – Sepse unë nuk isha socialist. Pastaj ata erdhën për sindikalistët dhe unë nuk thash asgjë – Sepse unë nuk isha sindikalist. Pastaj ata erdhën për çifutët, dhe unë përsëri nuk thash asgjë – Sepse unë nuk isha çifut. Pastaj ata erdhën për mua, dhe nuk kishte mbetur njeri për të folur për mua.” – Martin Niemöller
Leonora Laçi
Nuk dua ata të vijnë për mua dhe prandaj fola. E do vazhdoj të flas, të shkruaj, të pakten të ndergjegjësoj ata që lexojnë, ata që qendrojnë, të arsyetoj veten pse nuk do të heshti asnjëherë Ky artikull është rezultati i nxjerrë nga protesta e studentëve e mos protesta e të tjerëve. Ky artikull është për ata që ngrohën karriget e kafeneve gjatë protestës së studentëve. Ky artikull është për ata që nuk folen kur erdh dita. Ky artikull është për ata studentë që nuk e meritojnë të quhen të tillë, pasi janë thjesht ca numra që mbushin auditoret dhe do ikin ashtu siç erdhen. Do ngelin gjithë jetën numra pa vlerë. Ky artikull është për ata që në sy të profesorëve hiqen si në krah të tyre dhe s’kanë guxim t’i dalin kundër. Por sapo dalin korridorëve ngjajnë të tjetërsuar. Ky artikull është për ata që ankojnë për gjendjen e Shqipërisë por janë të njëjtit që i kanë dhënë të shtyrën. Ky artikull është për studentët servilë, që për një notë kaluese shesin nder e fytyrë. Ky artikull është për ata që flasin për parime që nuk i njohin. Ky artikull është për ata që marrin formën që ti dëshiron t’i japësh. Fatkeqësi! Edhe një brez i shkuar dëm i postkomunizmit. Edhe një brez që nuk e kuptoi forcën e vetë, ku të bashkuar ishin në gjendje të lekundnin pushtete, të shkatërrojnë pushtete. Arsimimi i dobët po e shkatërron këtë shoqëri, por nuk ka gjë më shkatrrimtare se të formosh një brez pa shtyllë kurrizore. Në një shoqëri që ikja është bërë buka jonë e përditshme, vetem per ikjen diskutohet në çdo vend, diskutohen mënyrat e ikjes, mënyrat e qendrimit as që parashtrohen. Pse nuk menduan këta njerëz se ajo diplomë që po marrin do kalbet sirtareve ?!
A nuk e dinë këta studentë se të jesh një e diplomuar në Shqipëri nuk je aspak e favorizuar, përkundrazi je e përqeshur dhe shembull për të të marrë të tjerët.
Je një dëshmi e gjallë treguese e dështimit të sistemit arsimor dhe mungesës së tregut të punës. Biles je shembull për të mos u ndjekur nga të tjerët.
Të jesh student në Shqipëri është si të thuash një barktharë që mjerë ai që diti si hyri por s’diti si të dal nga ajo “valle”.
Të jesh një e diplomuar në Shqipëri i ke humbur vetës shanset për të mësuar një zanat në kohë. Ke humbur edhe kohë!!
Të jesh e diplomuar në Shqipëri është njëlloj sikur të dështosh në një biznes dhe të jesh e mbytur në borxhe.
Të jesh e diplomuar në Shqipëri do të thotë të mos presesh asgjë nga e tashmja, përveç biletës njëdrejtimshe.
Të jesh e diplomuar në Shqipëri, e biles dhe të kesh dhe dy mastera konsiderohesh sërisht një njeri pa përvojë, një njeri që s’ke pasur se me se të merresh.
Diploma në Shqipëri nuk të çon askund, as në vendin tënd e lërë pastaj të dalësh jashtë vendi.
Diploma në Shqipëri është një bono thesari që nuk i hy kujt më në punë, ashtu siç intelekti nuk po hy më në punë për të hyrë në punë.
Është zbehur rëndësia e studentit dhe rëndësia e diplomës që ai zotëron.
A nuk iu duk e mjaftueshme kjo për të protestuar?!
A nuk është e mjaftueshme që shpesh herë intelektualin në Shqipëri e bënë ai që s’ka asnjë meritë, por ka dhe përjashtime, dhe këtu nuk po flas për ata që duheshin vlerësuar por për ata që vlerësohen çdo ditë e janë antivlera?!
Në Shqipëri të hynë në punë gjithçka tjetër përveç intelektit.
Askush s’do t’ja dijë për ndershmërinë tënde, për besnikërinë, për dijet që zotëron, për dëshiren e vullnetin për të punuar edhe kur askush s’ta ka kërkuar. Ngelesh një i diplomuar pa përvojë që askush s’ta jep mundësinë i pari.
Shqipëria nuk i do intelektualet, ata i largon çdo ditë nga vetja, i degdis nëpër botë, por ama krenohet me sukseset e tyre edhe pse ata tek e fundit ishin të përbuzur, e madje dhe sukseset e tyre nuk i erdhen nga Shqipëria por i vlerësuan të tjerët. Ne as nuk lobojmë për të mirët, as nuk i mbajmë të mirët. Tek e fundit ne as nuk protestojmë për atë çka na takon me të drejtë.
Të gjitha mekanizmat shtetërorë punojnë kundër të aftit. Të riun premtues e hedhin tutje që në gjenezë.
Prandaj përfundimisht intelekti në Shqipëri nuk të hy në punë as për të hyrë në punë… A nuk është arsyeje madhore kjo për të protestuar ?!
Atëherë hesht kur ta provosh mbi kurriz, sepse nuk fole kur të erdh dita.
Muharrem Mici mbetet një prej atyre njerëzve që muzikën e pati për vite të mbjellur thellë në zemrën e tij.
Ai ishte i njohur dikur sidomos për mandolinën dhe për mishërimin
me këtë instrument, në grupin Skofiarët, si themelues dhe solist i grupit.
E sjellim sot një video, në këtë mëngjes, të grupit Skofiarët në një lokacion diku në Strugë, si mysafirë të TV Shkupit, redaksia e programit në gjuhën shqipe.
Pos Muharrem Micit në këtë video shihen edhe të tjerë pjesëtarë, duke kënduar “Dashurija jonë”.
Këngë të tjera të njohura nga Skofiarët ishin edhe ‘Të kam dashtë dhe të dua’, ‘A të kujtohet’, ‘Falmi sytë e shkruar’ e këngë tjera që e përbëjnë bagazhin e grupit ndër vite. / KultPlus.com
Nesër, me datë 6 Shkurt, ditë e mërkurë, kolektivi “Haveit” do të jenë të pranishme për ju në takimin e radhës “Kafe me artisten”, në kuadër të ekspozitës Perceptime\Burrneshat.
Artistet ju ftojnë të pini kafenë bashkë me to dhe të dëgjoni rrëfimin e tyre për rrugëtimin në botën e artit, sukseset dhe sfidat gjatë karierës së tyre artistike.
Takimi mbahet në orën 10:30 -11:30 në Galerinë Kombëtare të Kosovës
HAVEIT (Alketë Sylaj, Hana Qena, Vesa Qena, Arbërore Sylaj) është një grup që përbëhet prej katër grave të cilat kanë tendencë të shkojnë përtej kënaqësive ditore, rregullave të moralit si dhe refuzojnë të pajtohen me çështjet që iu shërbehen të gatshme. E themeluar në vitin 2011, ato nuk bëjnë asgjë tjetër përveç se tregojnë historinë e tyre dhe tuajën!
Ato kanë mbajtur performansa të shumta rrugore si “Ekzaminimi”, “Je Suis Glamour”, “Pa ujë e me fontanë”, “Dita e Shën Valentinit”, “Përdorni gojën tuaj”, “Shoeining”, “Pushimi i gjatë”, “Rruajtja e Patriarkalitetit “, “Edhe sa thirrje të humbura “, e të tjera. Të njohura për video instalimet siç janë: “Kur babai qau, nëna mi lau sytë”, “Tager”, “Baby Blues”, “Pushimi i gjatë”, dhe shumë tjera.
HAVEIT gjithashtu kanë mbajtur ekspozita personale në “Stacion” – Qendra për Art Bashkëkohor në Prishtinë, në Galerinë “Motrat”- Prishtinë, si dhe Galerinë “Bazement” në Tiranë.
Puna e fundit e HAVEIT ishte “Edhe sa thirrje të humbura?” Instalacion në billboard me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas.
HAVEIT janë fituese të çmimit për Demokraci të KCSF për vitin 2018.
Në një ngjarje shumë të rëndësishme në New York, në Konferencën për “Shpëtimin e Hebrenjve”, gjatë luftës së dytë botërore, Ju si udhëheqese e Konferences ia paskeni suspenduar të drejtën në fjalë Ambasadores së Republikës së Kosovës. Keni vepruar konform stilit të Beogradit. Me siguri do ju elozhojnë për këtë akt. Pra, po të kishte qenë ambasadori i Beogradit, aspak nuk do të habiteshim me këtë refuzim të ulët. Por si ta komentojmë këtë sjellje aversive pasiqë e keni bërë ju. Dhe nuk është i pari; kur kemi parasysh votimet që i bëni në asamblenë e OKB-së e që shpesh na tërbojnë edhe flokët. Po provojmë ta gjejm motivin se pse nuk e lejuat Ambasadorën e Kosovës të flas në këtë ngjarje përmasash kombëtare e ndërnacionale. Ngjarje që ka shumë rëndësi për gjithë shqiptarët, kudo që janë. Ishim ndër të vetmit që shpëtuam Hebrenjtë gjatë Luftës së II-të Boterore. Që drama të bëhet edhe më e padurueshme dhe reagimi ynë i kufizuar: keni qëlluar edhe bija e njërit prej figurave kolosale, më të rëndësishme të kësaj epoke shqiptare, pra jeni bija e Ismail Kadaresë. Këtij gjeniu, i cili me penë, frymë e çdo fuqi provon ta bindë botën se kush janë shqiptarët. E ju? Ç’bëni ju? Mos keni ndonjë problem me identitetin që veproni të kundërtën? A do ishe aty mos ishe e bija e kujt je? Jo, besoj, me këtë frymë që shpreh. Qeveria Shqiptare duhet ta kuptoj se kjo zonjë nuk e ka vendin aty, ky nuk është rasti i parë dhe i vetëm, por është kulmi.
Në Kosovë paska qytetar që po u mohojka e drejta me u preh me dinjitet në aktin final t’jetës së tyre.
Trishtim i ránd është mos me mujtë me e përcjellë me dinjitet nanen e cila t’ka rritë, la e shpërla, t’ka dhanë me hanger e me pi, e për shkak të një rituali, një refreni në gjuhen arabe rrezion me t’mbetë prindi pa u varrosë.
Nëse nana e këtij zotniut është si shumica e nanave t’vujtuna t’Kosovës, ajo e ka garantua xhenetin qysh kur është lindë vajzë. Pa dua, sure e lutje,mjafton pesha e ‘fajit’ pse u lindë gru, me hanger idhnimin e krejt farefisit veç pse n’vend penisit ka vaginë; ky është destinimi se ajo i ka la krejt gjynahet e kësaj bote, sepse Zoti i do njerëzit të barabartë!
Me dashtë e adhuru Zotin s’ke nevojë për ndërmjetësimin e kërkujt, fundja as hoxha as prifti e as shehu s’kanë kanar që e matë devotshmërinë e besimit n’Zot te një individ.
Dashuria ndaj Zotit s’matet me ‘lejla’, as me sure, as me dua, as me psalme; thjesht është e pamatshme!
Albumi i ri i Gimës “Zbardhi dita” vjen nesër mbrëmë në Hamamin e ngrohtë së bashku me Leonard Canhasin, shkruan KultPlus.
Albumi “Zbardhi
dita” përmban disa këngë duke përfshirë edhe një këngë me të njëjtin titull e që
është një këngë që ka fillu në mesin e viteve të 90ta. Dashnia ndaj
vendlindjes, nënës … dëshira që një ditë të zgjohet në gjirin familjarë. Pastaj
kalimi i kohës, ngjarjet e luftës, paslufta, humbja e më te dashurës (nënës),
koha e pavarësisë, ëndërrat më të mira që thurrnim për vendin tonë dhe
zhgënjimi që dhemb e dhemb e nuk ndalet përderisa i shef njerëzit përreth që
janë zhytë në agoni prej të cilës nuk dalin dot.
Kjo mbrëmje e ngrohtë muzikore fillon në ora 21:00 në Hamam Bar Prishtina./ KultPlus.com
Tash e një javë, ekspozita “Perceptimet:
Burrneshat” e ka bërë Galerinë Kombëtare të Kosovës një vendtakim për artistet
e njohura kosovare, të cilat po ftohen të ndajnë kohën e tyre në kafe e bisedë
me qytetarët, duke rrëfyer kësisoj tregimet e tyre artistike dhe rrugën e tyre,
që nuk duket të jetë gjithmonë e lehtë.
Mbi të gjitha, ato po shërbejnë si një burim inspirimi.
Në këtë rrjedhë depërtoi sot rrëfimi i Rudina Xhaferit. Ajo e mbajti publikun krejt sy e vesh në rrugëtimin e saj që në secilën pikë dëshmonte për besnikërinë e saj ndaj individualitetit e origjinalitetit të saj krijues. S’kishte qenë e lehtë ta mbante gjallë, e të mos lejonte shtypjen e tij. Këtë besnikëri e ka ruajtur për më shumë se dy dekada, që kur ka nisur të hedhë hapat e saj të parë në fushën e artit. Gjithçka kishte nisur me thonjtë, mediumi prej nga Rudina e kishte mbeshtetur një pjesë të madhe të rrugëtimit të saj. Faktin që nuk ishte dorëzuar në ketë medium, ia dedikon edhe prindërve që kishin investuar fort në individualizmin e saj. Ndryshe nga familja, që është foleja e saj e harmonisë e cila ka ushqyer veçantinë e saj, në shkollë ajo kishte hetuar tendencën për mos ta zhveshur individualitetin e saj, madje nëse kjo ndodhte, Rudina frikësohej se edhe mund të shërbente për ta shtypur atë nga mësimdhënësit e asaj kohe.
Rudina gjatë bisedës së sotme theksoi se nuk ka lejuar që të bëjë kompromise me artin e saj në këmbim të anës materiale. Krijimin më së shumti e sheh si ushqim shpirtëror për vete. Bindshëm thotë se arti ditor e përmbush atë shpirtërisht dhe ka ndikuar në ruajtjen e origjinalitetin e saj. Kështu thotë se ka ruajtur rehatinë brenda vetes, duke i ikur shpesh ndikimeve të shoqërisë. Xhaferi, përkundër trendeve veten e mban larg teknologjisë, shpesh përdor lapsin, kompasin, vizoren për t’i dhënë formë inspirimit të saj. Thotë se qëndron e distancuar nga pjesa teknike e veprës dhe tërë përqëndrimin e ka fokusuar tek pjesa kreative.
Tregimin ajo e lidhi me një pikë tejet të rëndësishme të formimit të saj artistik. Fëmijëria e saj është zhvilluar në një mjedis ku ka pasur shumë harmoni dhe atmosferë brenda familjes, ku çdo veprim ka rrjedhur në përkushtim në detaje, ndryshe nga ky ambient, shkolla i kishte ngjarë në një vend ku mësimdhënësit kanë qenë të prirur t’ua diktojnë rrugën nxënësve, pa tentuar ta nxjerrin në pah individualizmin nga secili. Ajo thotë se pavarësisht që e ka kundërshtuar qasjen e mësimdhënësve dhe profesorëve, kjo i ka shërbyer për artin e saj. Mrrolat e profesorëve të saj kishin zënë faqet e fundit të fletores së saj. Në vete, këtë skicim e kishte cilësuar më të suksesshëm se sa ta dëgjojë një profesor i cili nuk ka ardhur me dashuri në shkollë.
“Në shkollë mësuesit, profesorët, disi kanë
kërkuar që ne të jemi të gjithë njëjtë, të gjithë me shkëlqy në secilën lëndë,
thjeshtë kanë dashur të na fusin në një shabllon, me apo pa vetëdije. Prindërit
e mi kanë punu me secilin prej neve dhe i kanë vërejtur ato shkëndizat çka neve
na pëlqen dhe çka neve na intereson dhe secilin janë munduar ta orientojnë në
gjërat që na pëlqejnë. Brenda vetes gjithnjë e kam ndjerë një dozë të veçantisë”,
u shpreh Xhaferi.
Ekspozita e parë si brucoshe në Galerinë “Dodona” dhe thonjtë si mediumi më i rëndësishëm në krijimtarinë e saj
Rudina shtoi se asnjëherë nuk i ishte kundërvyer sistemit arsimor. Dozën e veçantisë e kishte ruajtur duke qëndruar më e tërhequr, duke u munduar të qëndrojë e pavërejtur nga ata por në të njëjtën kohë duke pasur kujdes nga mundësia e shkatërrimit të individualitetit të saj. Thonjtë kishin qenë mediumi i parë ku ajo fillon ta përplasë artin e saj, goxha të zhgënjyer e kishte lënë njërin nga profesorët që kishte dashur t’ia humbasë një vit shkollor veç për shkak të dukjes së thonjve të saj. Megjithatë Rudina i kishte rezistuar këtij presioni. Sot thotë se thoni mbetet mediumi më i rëndësishëm i punës së saj, dhe gjithë metodën e punës që e ka punuar në thonj e ka bartur edhe në mediume tjera. Xhaferi thotë se kjo krijimtari do të shuhej po qe se do t’i bindej profesorit që i kishte kërkuar prerjen e thonjve, andaj përkrahja e prindërve dhe besimi i tyre tek fëmijët është shumë i rëndësishëm.
“Në shkollën e mesme, ajo shkëndijë ka filluar
të dalë sadopak në sipërfaqe, fillimisht në shkollën e mesme në vitin e dytë-tretë,
fillova me eksperimentu me veshje dhe doja t’i shihja reagimet e njerëzve se si
atyre iu duket një veshje e jashtëzakonshme brenda qytetit tonë por që njëkohësisht,
me çdo potezë që e kam bërë, jam ndier shumë mirë brenda vetes. Ajo që më ka bërë
të ndihem shumë mirë janë edhe shkallavitjet e para që fillova t’i bëj në thonjtë
e mi, që ka qenë një art ditor i i mi dhe që mua më ndihmuar të shprehem
artistikisht, në atë kohë pa vetëdije por më vonë e kam parë që ka qenë një
domosdoshmëri”, tregoi tutje artistja vizuale Rudina Xhaferi.
Pas përfundimit të shkollës së mesme, Xhaferi vendos të regjistrohet në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti i Arteve/Dega Dizajn Grafik. Gjatë vitit të parë të studimeve, një shok i motrës, Skënder Boshtrakaj (ish-drejtor i Muzeut të Kosovës) me një grup studentësh e shohin veçantinë e saj artistike në thonj. Boshtrakaj pas një bisede me Rudinën, i jep një ide që asaj do t’i shërbente më pas për ta përmbledhur në ekspozitë, që do të zgjonte goxha interesim nga komuniteti dhe mediat.
“Skënderi e shihte se si unë i pikturoja thonjtë,
dhe pas dy orësh në ta pikturoja ndonjë imazh tjetër. Më pyeti se çfarë ndodhë
me këto ide. I thashë se kam aq shumë ide, sa qeë sa herë i kam llaqet përpara
unë krijoj në mënyrë të vazhdueshme. Ai ma dha një ide shumë të mirë në mënyrë
që punimet e mia të zgjasnin më shumë, që të pikturoja në thonj artificial”, tregoi
Xhaferi e cila pas kësaj bisede kishte vazhduar punën e vazhdueshme për gjashtë
muaj dhe në fund kishte pikturuar 60 vepra të thonjve me dashninë më të madhe
dhe me shumë netë të gjata pa gjumë. Ky vrull i saj është shfaqur në vitet e
90-a dhe ajo e kishte ndjerë dëshirën që t’i ekspozonte diku. Qëllimi i saj
ishte që punimet t’i prezantojë në Galerinë “Dodona”, si galeria e vetme
profesionale që funksiononte në atë kohë. Këtu i kishte shërbyer fort këmbëngulja
e saj, edhe pse disa nga profesorët e saj e kishin kundërshtuar këtë ide. Ajo
si brucoshe arriti t’i ekspozonte punimet e saj në këtë galeri për një javë,
ndërsa thekson se për të vetëm hapja e ekspozitës kishte rëndësinë e veçantë.
“E pamundura ishte se në atë kohë ekspozonin
vetëm profesorët tanë. Unë isha brucoshe kështuqë të tjerët thonin se ishte e
pamundur, por insistimi im ishte që nëse unë e hapi ekspozitën në Galerinë
“Dodona”, e gjithë karriera ka me m’ecë mirë.
Përmes prindërve arrita ta ftoj në shtëpi drejtoreshën Alisa Maliqi së bashku
me axhën Shkëlzen Maliqi të cilët u mrekulluan me punimet e mia dhe vendosën me
ma mundësu hapjen e ekspozitës, jo për një muaj por për një javë”, tha ajo.
Rudina gjatë kohës së luftës ishte shpërngulur
në Tetovë kurse me vete kishte marrë veç albumin e fotografive dhe një qese me
llaqe dhe thonj artificial.
“Në cfarëdo gjendje shpirtërore që isha, ishte i vetmi thoni që më ndihmonte më e shpreh veten”, tregon ajo.
Prishtina si burim inspirimi
Rudina Xhaferi thotë se inspirimin më të madh
e gjen në Prishtinë. Këtë më së miri e kishte kuptuar gjatë kohës sa kishte qenë
pjesë e Kultur Kontakt në Vjenë të Austrisë. Aty kishte pasur komoditetin që
vetëm të krijojë, përgjatë tre muajve të rezidencës.
“Gjithë këtë inspirim ma jep qyteti ma kaotik që
najherë më ka ra me vizitu, e që është kryeqyteti, Prishtina. Pse e përmenda këtë
është sepse më ka ra me udhëtu në vende të ndryshme dhe në vitin 2008 isha pjesë
e Artistët në Rezidencë 2008, Kultur Kontakt, Vjenë, Austri. Kaloi muaji i tretë
dhe besomni që kam arritur vetëm tri javë para ekspozitës që të krijoj diçka të
re e që për mua ka qenë shumë sfiduese dhe e lodhshme. Aty e kam kuptuar se
metropolet nuk më bëjnë mirë që të krijoj. Unë krijoj vetëm përmes kaosit që ma
jep Prishtina si vend”, tregoi Xhaferi.
“Përpos familjes, pjesa më e bukur që po më ndodhë në Prishtinë jane studentët e mi’’
Rudina Xhaferi e cila është paraqitur në shtatë ekspozita personale e 20 kolektive, ka punuar edhe si ligjëruese në Shkollën e Modës Design Factory, po ashtu dhe si ligjëruese, bashkëpuntore e jashtme në Fakultetin e Arteve, pranë Universitetit të Prishtinës. Ajo me publikun i ndau edhe disa fjalë për këtë pjesë të jetës së saj.
Xhaferi tha se përveçse ligjëron me shumë
dashuri, mundohet të krijojë shumë afërsi me studentët. Përpos familjes, ajo
thotë se studentët përbëjnë pjesën më të bukur që asaj po i ndodhë vitet e
fundit në Prishtinë.
“Për mua ligjërimi është dhunti, e ke ose nuk
e ke, e para. E dyta, ti mund të jesh profesionist por nëse qasja jote ndaj
studentëve nuk është e afërt, për mua është baraz me zero. Unë komunikoj
lirshëm me studentët e mi sepse nesër ata do të jenë kolegët e mi dhe unë i
adhuroj studentët e mi”, theksoi Xhaferi.
Në vitin 2001, Xhaferi prezantoi ekspozitën e parë me performancë. Performanca nënkuptonte qëndrim pa lëvizur në performancë për 15 minuta. Sikleti që ia kishte dhënë realizimi i performancës, kishte bërë që Rudina të dorëzohej shumë shpejtë. Këtë ia kishte kumtuar mamasë së saj, e cila kishte larguar pak syzet nga sytë dhe i ishte drejtuar se askush nuk mund ta përfaqësojë idenë e saj më mirë se vetë ajo që e kishte kristalizuar këtë performancë.
“Fokusin nuk e kam pasur tek vetja por si po më
sheh publiku dhe trupi fillojke të më dridhej. Mamaja më tha, “Shko në shtëpi
dhe fokusohu tek vetja dhe shkëlqe siç din ti”. Ashtu siç tha nana, me u fokusu
tek vetja është gjëja më e mirë që mund t’ia bësh vetes”, tregoi Rudina.
Rudina Xhaferi punon në Radio Televizionin e Kosovës – RTK, prej vitit 2003, mbikëqyrëse e sektorit të skenografisë. Ajo punon në mediume të ndryshme: Pikturim në Thonj, Fotografi, Video, Performancë, Skenografi (TV e Teatër), Kostumografi (Teatër) dhe së fundmi është orientuar në Fashion Design. Ajo ishte bashkëkuratore në Ekspozitën “Artistët e rinj 2017”. Nëntor 2004: Çmimi i parë, Ekspozita “Salloni i Nëntorit”, Galeria e Arteve të Kosovës, Prishtinë Kosovë, Korrik-Shtator 2018: Pjesëmarrëse në FashionFilm FestivalChicago2018.