Punëtorët e metrosë befasojnë me këngë pasagjerët në Londër

Punëtorë të metrosë në Londër janë bërë bashkë për të befasuar pasagjerët me këngë në London Bridge Station.

Në befasinë e organizuar nga Railyway Children, punëtorët e metrosë kanë kënduar këngën “Lean On Me” të Bill Withers.

Në videon e publikuar shihen kalimtarët derisa i bashkohen punëtorëve për të kënduar këngën klasike./koha.net/KultPlus.com

Muajt e vitit

Poezi nga Anatole Bisk, i quajtur Alain Bosquet. Përktheu Faslli Haliti

Janari për t’i thënë vitit «tungjatjeta»
Shkurti për t’i thenë dëborës «duhet të shkrish»
Marsi për t’i thënë zogut shtegtar «mirardhsh»
Prilli për t’i thënë lules « çil »
Maji për t’i thënë «punëtorëve, miqtë tanë»
Qershori për t’i thënë detit «çona shumë larg»
Korriku për t’i thënë diellit «ky është sezoni yt»
Gushti për të thënë : «njeriu është i lumtur të jetë njeri»
Shtatori për t’i thënë grurit për të thënë «kthehu – në ar»
Tetori për të thënë «shokë, liria»
Nëntori për të thënë pemëve «zhvishuni»
Dhjetori për t’i thënë vitit «lamtumirë, paç fat»
Dhe dymbëdhjetë muaj plus një
Djali im
Për të të thënë se unë të dua./KultPlus.com

Kosovë, udhëtimi në zemrën e Ballkanit

“Ju ka ndodhur ndonjëherë të ktheheni në një vend dhe të keni një kujtim edhe më të bukur sesa hera e parë që e keni vizituar? Mua më ndodhi me Kosovën. Pas udhëtimit pranverën e kaluar, rreth dy javë më parë kisha kënaqësinë të kthehesha dhe të zbuloja destinacione të reja”.

Kështu shkruan gazetarja italiane, Francesca Masotti në artikullin e publikuar në blogun e saj “Letters from the Balcans”.

Për fat të keq, Kosova vështirë se shfaqet në listën e destinacioneve të udhëtimit, a e keni vënë re? Shumë as që e dinë se ku është, të tjerë mendojnë se lufta ende nuk ka përfunduar. Kosova, pavarësisht se është gjeografikisht në Europë, në imagjinatën e përbashkët të europianëve është një vend “joeuropian”. Më bën të nënqesh (me hidhërim) injoranca e këtyre njerëzve. Nuk e dinë se në atë vend ka thesare të vërteta për t’u zbuluar, të tilla si qytetet e lashta në stilin osman, pazare historike, xhami të dekoruara që datojnë në vitet ‘400-‘500 dhe manastire orthodhokse të fshehura në pyje.

Të vizitosh pa nxitim dhe mbi të gjitha, pa ikur me turmat e turistëve. Në vend që të shkoni në Paris, Londër apo Romë, a do të vendosni, për një herë, të eksploroni destinacione të reja të panjohura?

A keni menduar ndonjëherë për këtë? Natyrisht, atje nuk ka monumente gjigante, kullë Eifel apo Koloseum, por Kosova ofron diçka shumë më të çmuar dhe të rrallë, të cilës, për fat të keq, ne ja kemi harruar rëndësinë, domethënë qytetërimin.

Pas udhëtimit të fundit, u ktheva në shtëpi me besimin se ky vend meriton më shumë se vëmendja që merr dhe se unë, në mënyrën time të vogël, do të bëj gjithçka që kam nevojë për t’i lejuar njerëzit të zbulojnë atë që ata kanë për të ofruar.

Dhe unë nuk jam vetëm duke iu referuar monumenteve historike, arkitekturave apo vendeve arkeologjike, të cilat janë atje, por i referohem para së gjithash një aspekti për të cilin Kosova është unike në peizazhin europian, pra në aspektin njerëzor. Po, sepse ndryshe nga ajo që ju mund të mendoni dhe pavarësisht asaj që thonë mediet, Kosova nuk është aspak një vend i rrezikshëm dhe banorët e saj janë njerëz që, të thuash të mrekullueshëm, është pak për të thënë. Njerëz mikpritës, të sjellshëm dhe të gatshëm për t’ju ndihmuar me çdo kusht.

Një udhëtim në Kosovë është një udhëtim në zemër të Ballkanit, në një vend që ende mban plagët e thella të një lufte të fundit dhe të spastrimit etnik tragjik, por që duket me shpresë për të ardhmen. Në këtë artikull do t’ju çoj në zbulimin e Prizrenit, Gjakovës dhe Deçanit, tri bizhuteritë që secili duhet t’i përfshijë në itinerarin e tyre të udhëtimit në Gadishullin Ballkanik. (Një falënderim i veçantë për miken time Blerina që më udhëzoi në qytetin e Gjakovës, një xhevahir i panjohur për shumicën e njerëzve, ku do të doja të kthehesha së shpejti, ndoshta në sezonin e bukur)./ A.T.SH./ KultPlus.com

http://www.lettersfromthebalkans.com/about-me-2/

Gruaja nga Skenderaj hyn në librin Guinness

Emri i Kosovës edhe një herë u përmend në librin e famshëm të rekordeve Guinness. Është Arbnora Fejza Idrizi nga komuna e Skenderajit, e cila ka shënuar një rekord të ri në librin botëror Guinness, me lulen më të madhe në botë të punuar nga letra origami.

Lulja origami që e vendosi emrin e Arbnorës në librin e famshëm botëror ka një madhësi prej 8.7 metrash. E lajmi është bërë publik edhe në faqen zyrtare të Librit të Guinness-it.

Pas marrjes së lajmit nga stafi i Guinness-it, Arbnora e ka shpërndarë në facebook, ndërkaq për KosovaPress ka përcjellë edhe një mesazh për të rinjtë.

“Ndjehem shumë krenare që arrita ta përfaqësoj fillimisht Skenderajin dhe Kosoven. Jam shumë e lumtur që në mesin e qindra mijerave kandidatëve për rekord, u zgjodha unë fituese. Për të rinjët kam një mesazh që mos të ndalen nga ëndrrat e tyre, sepse nëse ti e do punën tënde pa dyshim, do të arrish sukses”, ka thënë Fejza-Idrizi për KosovaPress.

Por, Arbnora se nuk do të ndalet me kaq. Ajo ka njoftuar se po përgatitet ta shënojë një rekord të ri.

“Bëhet fjalë për vazon me lule edhe flamujt e shteteve të botës që e kanë njohur Kosovën. Unë e kam titulluar “Lulet e lirisë”. Po ashtu, ky rekord do të jetë në shenjë falënderimi për ata që ranë dëshmorë për Kosovën”, ka thënë ajo./KultPlus.com

Zbulohet në Egjipt një varr mbi 4 400 vjeçar

Varri i një prifti që është më i vjetër se sa 4 400 vite u zbulua në zonën e Sakara, pranë Kajros, nga një mision arkeologjik egjiptian, njoftuan sot autoritetet.

“Varri i priftit të quajtur Wahtye” daton në periudhën e dinastisë së V (mes 2 500 dhe 2 300 vite para. e.s.), gjatë sundimit të Neferirkare”, sipas Ministrisë së Antikitetit.

“Ky varr është i ruajtur shumë mirë, mbushur me skulptura në pjesën e brendshme. Ajo i përket një prifti të rangut të lartë”, u shpreh sot me kënaqësi ministri i Antikitetit, Khaled El Enany para medias.

“Varri mban kryesisht skena që tregojnë pronarin e varrit me mamanë, bashkëshorten dhe familjen e tij, si dhe disa gropa në mur ku ndodhen statuja të mëdha të ngjyrosura të të vdekurit dhe bashkëshortes së tij”, theksoi ministri në një komunikatë.

Në nëntor, në të njëjtën zonë të Sakara, autoritetet egjiptiane kishin njoftuar për zbulimin e shtatë varreve, katër nga të cilat ishin më të vjetra se sa 6 000 vite, nga i njëjti mision arkeologjik egjiptian./A.T.SH/ KultPlus.com

Po të kisha lindur djalë

Majlinda Bregasi

Po të kisha lindur djalë
Po të kisha lindur
unë djalë
Ashtu si lutej ime ëmë
Do kisha qenë ndryshe.
Më i fortë
Më racional
Më kursimtar
Më autoritar
Tamam burrë
Po të kisha lindur djalë
Ashtu si lutej im atë
Do kisha qenë ndryshe.
Më pak i fortë
Më pak racional
Më pak kursimtar
Më pak autoritar
Më pak se tamam burrë
Po të kisha lindur djalë
Ashtu si lutesha dhe vetë
Sa herë të fortët më shkelnin
Racionalët më gjykonin
Kopracët nuk më paguanin
Autoritarët më trishtonin
Tamam burrat më frikësonin
Nuk do kisha ndërruar asgjë
Përveç se do kisha dashuruar
burrërisht një vajzë si unë.

Me flamuj, shqiptarët në Londër mbështesin protestën e studentëve

Studentët shqiptarë në mbarë botën kanë treguar solidaritet me moshatarët e tyre në Shqipëri që po vijojnë protestën para kryeministrisë.

Me flamuj të Shqipërisë në duar dhe qeleshe në kokë, vajza e djem të rinj synojnë të motivojnë protestuesit.

Ata mbajnë në duar pankarta ku shkruajnë: “Arsim falas”, “Prishtina, Shkupi, Tirana”, “Kam një dëshirë, qëndro, hey vëlla tash, ndëgjo, qëndro”.

Sonte në Kino Armata, filmat nga Fisnik Maxhuni, Daniel Mulloy e Stefan Kruse

Sot për herë të parë në Prishtinë do të organizohet shfaqja e filmave në kuadër të Festivalit Global të Filmit mbi Migracionin, ku janë përzgjedhur filma vendorë, si dhe filma dhe dokumentarë nga përzgjedhja ndërkombëtare.

Në këtë edicion Festivali do të shfaqë filma të shkurtër dhe të gjatë si dokumentari “Zvicra” nga një regjisor i ri kosovar – Fisnik Maxhuni, filmin “Kiem Holijanda”, vetëm për ti përmendur disa prej tyre.

Një fokus i veçantë do të jetë shfaqja e filmit të shkurtër “Home” nga Daniel Mulloy, fitues i çmimit BAFTA për vitin 2017 për filmin më të mirë të shkurtë.

Filmat e përzgjedhur mbulojnë aspekte të ndryshme të migrimit, nga kthimi i detyruar me forcë, migrantët në lëvizje, deri tek çështjet e integrimit dhe identitetit kur jetojnë në diasporë. Nëpërmjet tyre, tregimet personale do të tregojnë një aspekt njerëzor të migrimit, përtej vellos të paragjykimit, dhe numrave të depersonalizuar.

Që nga viti 2016, Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) organizon Festivalin Global të Filmit mbi Migracionin (GMFF – Global Migration Film Festival) në mbarë botën, duke shfaqur filma dhe dokumentarë që shfaqin sfidat e migrimit dhe kontributet unike që emigrantët i dhurojnë komuniteteve të tyre të reja. Festivali i këtij viti do të shfaqet në më shumë se 100 vende, duke përfshirë shfaqjen e IOM-ut në Kosovë. Qëllimi i GMFF është që të përdorin filmin si mjet edukativ me të cilët ndikojnë në pikëpamjet dhe qëndrimet ndaj migrantëve, si dhe mjet kreativ për normalizimin e diskutimeve mbi migrimin nëpërmjet tregimit. / KultPlus.com

Krasniqi e Gjakova bëjnë që flamuri i Kosovës të lartësohet te kundërshtari i madh i pavarësisë

Flamuri i Kosovës është lartësuar dy herë sot në Guangzhau të Kinës, njërin prej vendeve që kundërshton ashpër pavarësinë e Kosovës.

Përveç flamurit, në palestrën ku është mbajtur mastersi botëror i xhudos është intonuar edhe himni i Kosovës. Kjo falë xhudistes Distria Krasniqi, që arriti medaljen e artë në garën e rëndësishme sportive.

Xhudistja tjetër, Nora Gjakova, u ndal me të argjendtën në Kinë.

Megjithatë është ky edhe një tjetër sukses individual i sportisteve të Kosovës, që po ndihmojnë edhe shtetit të krijojë një imazh në favor të vetin.

Kina, bashkë me Rusinë, mbesin kundërshtarët e mëdhenj të Pavarësisë së Kosovës.

Kujtojmë se ka qenë xhudstja tjetër me nam, Majlinda Kelmendi, ajo që me të artë në botëror, kishte ngritur flamurin e Kosovës në Sochi të Rusisë. / KultPlus.com

Kemi dy javë që kemi hyrë në Evropë!

Rezart Palluqi
Holandë, dhjetor 2018

Nuk i harroj fjalët e një plaku holandez para 12 viteve. Nëpërmjet jo më shumë se njëzet fjalësh ai demonstroi forcën e një filozofie të tërë. “Im atë më thoshte shpesh: mos iu shmang përballjes me të keqen. Ikja nuk është zgjidhje por një shpëtim i përkohshëm”
Dhe plaku këtu nënkuptonte dramën që shkakton emigracioni kronik tek një vend. Si ilustrim më përmendi emigrimin e mijëra holandezëve gjatë viteve 50-60 të shekullit të kaluar.
E pikërisht ne shqiptarët i jemi shmangur përballjes me të keqen për shekuj të tërë. Nëse do t’i referohesha cerekshekullit të fundit kryefjala e tij është : “ARRATIA”.

E vetmja meritë e ajkës shqiptare është arratia. E që andej ajo ka ditur të ruajë ndërgjegjen të pastër dhe pavarësinë intelektuale. Ndërsa shtresat e tjera kanë mbajtur frymën gjallë dhe kanë jetuar më mirë se në Shqipëri. Mirëpo kjo nuk mjafton. Arratia kronike degradon për një popull në shfarosje fizike dhe intelektuale.
Mesa duket studentët shqiptarë më në fund e kuptuan këtë. Ata u derdhën nëpër rrugë sepse nuk duan tia mbathin si miliona bashkëkombasit e tyre paraardhës.

Dhe ky zhvillim më bën që të lotoj nga gëzimi. Qëndrimi i studentëve më bën të vjel një lumturi qindra herë më të madhe se c’më japin romanet që shkruaj dhe cdo lloj proteste imja që vjen prej jasht Shqipërisë.
Është hera e parë që i them vehtes: c’fati i madh që po e përjetoj këtë zgjim të vërtetë shpirtëror dhe qytetërues tek shqiptari. Kjo ka qenë ëndrra e kahershme e mijëra shqiptarëve të mëdhenj ndër shekuj. Dhe ja tek agoi kjo ditë e madhe. Bëhet fjalë për një protestë mjaft të qytetëruar. Pa dhunë. Pa mllefe të politikës dinake. Kemi të bëjmë me mijëra studentë që i thonë maskaradës së politikës shqiptare se Shqipëria nuk mund të jetë përjetësisht cifligu i juaj personal. Stuentet shqiptarë sot nuk dallojnë asnjë grimë prej studentëve evropianë. Ata po demonstrojnë një pjekuri, durim dhe qytetërim të mahnitshëm. Ndaj dhe e them me plot gojën se kemi dy javë që kemi hyrë në Evropë.

C’është Evropa moderne? S’është gjë tjetër vecse një fushë e lirë ku qytetari nëpërmjet besimit sjell në pushtet qeverinë e re dhe nëpërmjet ndërgjegjësimit dhe lirisë proteston kur ky besim banalizohet në një gradë të tillë që degradon në një mashtrim/plackitje kronike. Dhe studentët shqiptarë arritën që të zgjohen edhe pse pak me vonesë për t’i treguar dhëmbët të gjithë bordit drejtues të Universiteteve dhe partive politike shqiptare që edhe i kanë përkrahur ata për ta shndërruar sistemin arsimor në një treg të zi.

Studentët themeluan traditën e protestës së vërtetë. Shqipëria do të bëhet Evropë vetëm nëse shqiptari mëson që të sjellë në pushtet në rrugë demokratike udhëheqësit e tij por që edhe t’i rrëzojë ata, fillimisht nëpërmjet protestës paqësore e më vonë deri diku dhuna justifikohet. Protesta është paradhoma që e ndan Demokracinë prej Diktaturës. Kur vdes protesta atëherë lind Diktatura.

Deri më sot pothuajse besuam se protesta jonë vdiq përfundimisht. Për fat të mirë jo. Ajo po vlon me një bukuri të rrallë. Uroj që protesta e studentëve të shndërrohet në një virus të fuqishëm tek të gjithë shqiptarët e tjerë. Evropa nuk është valixhe me miliarda euro . Evropa është mundësia për të sjellë në fron udhëheqësin më të mirë të castit dhe përzënë atë atëherë kur duhet. Nëse e kuptojmë këtë , Shqipëria do t’i afrohet gjithnjë e më shumë Demokracisë evropiane duke ruajtur dinjitetin e saj të plotë. Përndryshe arratia e mallkuar do të na ndjekë si një hije vdekjeje në cdo skutë dhe cast të jetës!

Zoti i bekoftë studentët dhe dhëntë kurajë qytetare përgjithnjë…

‘Djali shtatzënë’, Astrit Ismaili dhe fokusi i tij në gjininë dhe seksualitetin

Artisti Astrit Ismaili ka kohë që nuk është parë në skenën kulturore në Kosovë.

Megjithatë kjo nuk e ka penguar Astritin që ta vazhdojë karrierën e tij jashtë Kosovës, me artin e tij të veçantë.
Në një shkrim të VICE për Astritin, tregohet fakti se si ai ka qenë një prej të angazhuarve në projektin “Prishtinë- mon amour” në vitin 2012-të, një projekt që e rizgjoi nga gjumi Pallatin e Rinisë dhe rreth 2500 persona e vizituan këtë organizim artistik.

Astriti jeton në Amsterdam. Së fundmi, ai në Instragramin e tij ka hapur zemrën më shumë edhe mbi faktin se si arti e ka ndihmuar atë të mbijetojë në një shoqëri konzervative.

“Seksualiteti nuk ka qenë prioritet në Kosovën e cila ende po gjakoste prej luftës. Por unë po rritesha, duhet të zgjedhja drejtimin. Se kam ditur si ta mbroj veten por trupi po më tregonte se duhet të largohesha nga pritjet. Duke pasur trup të mashkullit, por pa dashur të marr rolin e burrit, protestova” tregon Astriti.

VICE shkruan se ai është ndër të parët prej artistëve në Kosovë që ka folur për seksualitetin dhe për gjininë në kontekstin e hapësirës publike.

“Nëna ime beson se muzika mund t’I ndihmojë njerëzit nga trumat e luftës” tregon Astriti në këtë intervistë.

Ai me kohën e ka zbërthyer “The Pregnant Boy” – Djalin shtatzënë, i cili nuk ka Gjini, emër, punë apo racë, por është një alterego, shkruan KultPlus.

“The New Body” e Astritit vjen me 21 dhjetor në Amsterdam. / KultPlus.com

Emina Çunmulaj nderohet me mirënjohje në Pallatin Presidencial në Tiranë

Modelja e njohur shqiptare Emina Çunmulaj, ka rrëmbyer vëmendjen e të gjitha mediave këtë vit.

Muaj më parë, ajo iu bashkua disa aksioneve humanitare për tu dalë në ndihmë familjeve skamnore në Shqipëri.

Për gjithë këtë bamirësi dhe promovim të Shqipërisë, Çunmulaj është nderuar me mirënjohje në Pallatin Presidencial, në Tiranë.

Ajo ka publikuar disa fotografi në rrjetin social Instagram, ku ka shfaqur ndër të tjerash momentin, kur asaj i dorëzohet çmimi nga Ministri i Turizmit, Blendi Klosi.

“Çfarë nderi të nderohesh nga shteti i bukur i Shqipërisë. Faleminderit Ministrit të turizmit, Blendi Klosit dhe Pallatit Presidencial për këtë nder”, ka shkruar Emina në Instagram, shkruan Telegrafi.

Marrja e kësaj mirënjohjeje është një shtysë për bukuroshen që të vazhdojë aksionet humanitare, por edhe promovimin e turizmit.

E veshur në një kostum të zi, modelja Çunmulaj dukej mjaft atraktive natën e mbrëmshme në Pallatin Presidencial, duke rrëmbyer vëmendjen e të gjithëve me paraqitjen e saj. / KultPlus.com

Adelina Ismaili rrëfen rrezikun pas këngës ‘Ushtrinë time do ta bëj’

Adelina Ismaili vite më parë këndoi këngën “Ushtrinë time”, kurse formimi i saj ndodhi pikërisht në ditën kur festoi ditëlindjen.

Në një intervistë për “Klan Kosova”, këngëtarja ka treguar detaje të këngës, ajo zbuloi se ishte vetëm 15 vjeçe kur e shkroi tekstin e kësaj kënge.

Madje, Adelina shtoi se nuk e dinte rrezikun që i kanosej deri në momentin kur e ëma i tregoi se çfarë kishte bërë.

“Isha vetëm 15-vjeçare kur e pata shkruar dhe as vet mirë s’i kam ditur pasojat derisa nëna ime më ka treguar”.

Ajo ndjehet krenare për atë këngë, kurse kontributin për këtë arritje ia dedikon Ibrahim Rugovës.

Kosova

ISMAIL KADARE

Sa herë kam kaluar mbi qiellin tënd, Kosovë,
Midis reve të tua të rënda, gjëmimeve të tua.
Ca pika shiu u rrokullisën nga dritarja e avionit, diç thanë.
(As ato s’mund t’i prek dot, janë përjashta.)
Një vetëtimë që kaloi përbri m’u duk se ma bëri me dorë.

E pra, ky është shiu yt, retë e tua, bubullimat e tua.
Ca sinjale të shpejta, xixëllima mendimi inkandeshente.
Kurse kurrizi i gjerë i tokës sate vrapon diku poshtë,
Duket e zhduket i zymtë midis zgavrave dhe humnerave të reve

Largohemi vazhdimisht. Tani ti mbete prapa.
Tani krahu i avionit në qindra copa të pret.

1966

Eliza Dushku merr dëmshpërblim për ngacmim seksual

Eliza Dushku, aktorja amerikane me prejardhje shqiptare, ka marrë dëmshpërblim prej 9.5 milionë dollarë nga CBS, pasi kur luajti në shfaqjen, “Buffy the Vampire Slayer” dhe “Bring It On”, e më pas nënshkroi me CBS, të luajë një rol në serialin “Bull”, ajo u ngacmua seksualisht nga një aktor.

Në fakt, ajo ka hequr dorë prej padisë për ngacmim seksual nga Michael Weatherly, i cili luan rolin kryesor në projektin e lartcekur filmik. Shuma është paguar pas marrëveshjes dhe se ajo është e barabartë me shumën që do të merrte një anëtare e serialit në katër sezone, transmeton Koha.net.

Dyshja u bashkua me ekuipazhin në mars të vitit 2017 në tri episode dhe ishte planifikuar që 37-vjeçarja të bëhet anëtare e rregullt e ekipit.

Supozohet se komentet e pakëndshme të Weatherlyt mbi pamjen, përdhunimin dhe historitë, bënë që ajo ta lë serialin e zemëruar me sjelljen e aktorit.

Ai kërkoi falje për sjelljen dhe tha se nuk e kishte seriozisht me fjalët që i kishte përdor gjatë komunikimit me aktorin shqiptar.

Kjo “marrëveshje” erdhi pasi drejtori i CBS-së, Les Munves, u largua pas disa akuzave për abuzim seksual. / KultPlus.com

Dilan Reka, me ‘Karma’ synon Eurovizionin

Festivali i Këngës në RTSH do të nisë javën tjetër.

Këngëtarët tanimë kanë bërë provat e tyre dhe do të sjellin më të mirën e mundshme.
Në një festival të tillë prestigjioz, dosido të gjithë kërkojnë fitoren.

Në mesin e pjesëmarrësve është edhe Dilan Reka. Reka, i cili kthehet në këtë festival prapë, do të paraqitet me këngën “Karma”.

https://www.youtube.com/watch?v=KvpLPIXH0as

Kënga është pritur mirë në Youtube, gjithmonë edhe me kritikat produktive që vijnë nga fansat.

Festivali i RTSH-së në Shqipëri do të mbahet me datë 20,21 dhe 22 dhjetor, ndërsa kënga që triumfon fiton të drejtën e përfaqësimit shqiptar në Eurosong 2019 në Izrael. / KultPlus.com

Vijon puna për rikualifikimin e Qendrës Historike të fshatit Dhërmi

Projekti i ndërmarrë nga Qeveria Shqiptare dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit synon shndërrimin e Dhërmiut në një qendër autentike dhe atraktive jo vetëm për turizmin bregdetar, por edhe për zhvillimin e turizmit kulturor të zonës.

Dhermiu është një ndër fshatrat më të bukur të jugut. Në territorin e tij ruan mbi 40 objekte kulti, monumente historike si dhe natyrore. Gjurmët e gjetjeve arkeologjike dëshmojnë se jeta në këtë fshat i ka fillesat që në prehistori. Sot fshati Dhërmi dhe plazhet e mrekullueshme përreth tij presin turistë të shumtë, sidomos gjatë sezonit veror./KultPlus.com

Adelina Ismaili feston ditëlindjen së bashku me Ushtrinë e Kosovës

Këngëtarja Adelina Ismaili që në vitin 1995 e kishte ëndërruar krijimin e Ushtrisë së Kosovës.

Këngëtarja e cila shkroi hitin “Ushtrinë time do ta bëjë me Ibrahim Rugovën” sot e ka pasur një festë të dyfishtë. Në këtë ditë Adelina festoi ditëlindjen e saj por edhe krijim e Ushtrisë së Kosovës.

Këngëtarja shpesh herë ka shfaqur dashurinë për Kosovën dhe dëshirën e saj për liri edhe përmes këngëve në situata kur gjendja në Kosovë ishte mjaft e acaruar. Ismaili po ashtu njihet për mbështetjen që i ka dhënë Lidhjes Demokratike të Kosovës, në krye me Ibrahim Rugovën./ KultPlus.com

Shitet vepra origjinale e Prustit, rekord botëror për një vepër në frëngjisht

Botimi origjinal i veprës “Nga ana e Suanit” e Marsel Prustit u shit sot për 1,51 milionë euro, një rekord botëror për një vepër origjinale në frëngjisht, bëhet e ditur nga kompania e ankandeve ”Sotheby’s”.

Kjo kopje e rrallë, e cilësuar nr 1, ishte vlerësuar fillimisht midis 600.000 dhe 800.000 euro. Vepra vinte nga biblioteka e Pierre Berge e prezantuar për të dalë në ankand tek ”Drouot” në Paris.

Rekordi i mëparshëm për një vepër origjinale në frëngjisht ishte regjistruar në 2009 për nveprën origjinale “Lulet e së keqes” të Bodeler e shitur në atë periudhë në ankand me vlerën e 775000 euro./KosovaPress/ KultPlus.com

“EURODRAM” hap thirrjen për drama të përkthyera 2018/2019

Komiteti Shqiptar i EURODRAM, publikon këtë thirrje të hapur për drama të përkthyera në gjuhën shqipe.

Për sezonën 2018- 19, komiteteti i gjuhës shqipes është i ngarkuar që të përzgjedhë drama të përkthyera në shqip nga gjuhët tjera që janë pjesë e EURODRAM-it. Dramat duhet të jenë përkthyer në këto dy vitet e fundit. Ato mund të jenë të botuara apo të pabotuara, të inskenuara apo jo.

Në këtë vegëz mund gjendet lista e plotë e gjuhëve të reprezentuara në EURODRAM:

http://eurodram.org/committees-members/

Dramat e përkthyera mund të dorëzohen nga dramaturgët, përkthyesit, botuesit, agjentët etj në këtë e-mail adresë më poshtë, me subjektin: EURODRAM 2019:

[email protected]

Propozimet duhet të përfshijnë përkthimin të dramës, biografinë e autorit dhe të përkthyesit, një përmbledhje të shkurtër të dramës si dhe një faqe faktesh (gjuha prej nga është përkthyer drama, numri i karaktereve, referencat për ndonjë shpërblim apo produksionet e mëparshme) si dhe informata shtesë që mund të jenë të rëndësishme.

Përzgjedhja e dramës nga ana e komitetit shqiptar është ftesë për regjisorët, teatrot dhe botuesit vendorë për t’a vënë në skenë apo për t’a botuar dramën. Dramat e përzgjedhura poashtu do të promovohen në rrjetin Eurodram.

Afati i fundit për dorëzimin e dramave është 20 Janar 2019. Rezultatet e konkursit do të publikohen në muajin mars 2019.

Eurodram është rrjet Europian i përkthimit teatror, i cili përdorë gjuhët evropiane, mediterane dhe ato të Azisë Qendrore. Rrjeti numëron rreth 300 anëtarë që janë pjesë e rreth 30 komisioneve gjuhësore. Objektiva kryesore e këtij rrjeti është që tua bëjë të ditur profesionistëve të teatrit dhe publikut më të gjerë punën e dramaturgëve dhe të përkthyesve të teatrit, që në masë të madhe mbetet e pa-botuar, duke i kushtuar vëmendje posaçërisht diversitetit gjuhësor. Komiteti shqiptar i EURODRAM-it koordinohet nga Qendra Multimedia në Prishtinë (www.qendra.org)

http://eurodram.org/

Përbërja e komitetit të gjuhës shqipe:

Jeton Neziraj, shkrimtar, drejtor i Qendrës Multimedia në Prishtinë

Anne-Marie Bucquet, përkthyese (frëngjisht), Paris

Lirak Çelaj, aktor dhe drejtor i Teatrit Oda në Prishtinë

Zuzana Finger, përkthyese (gjermanisht)

Sébastien Gricourt, përkthyes (frangjisht), Paris

Dorota Horodyska, përkthyese (polonisht)

Arian Leka, shkrimtar dhe botues, Tiranë

Evelyne Noygues, përkthyese (frëngjisht), ish presidente e shoqates “Albania”, Paris

Simon Pitaqaj, aktor, regjisor dhe përkthyese (frëngjisht), Paris./KultPlus.com

Reperi Gashi uron Kosovën për ushtrinë

Reperi i famshëm me prejardhje shqiptare, Gashi, ka uruar formimin e Ushtrisë së Kosovës.

Ai e ka bërë këtë përmes një postimi në Instagram.
“Urime ushtria KOSOVË nga unë dhe nga miku ynë më i madh”, ka shkruar Gashi./KultPlus.com

Unë, ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, betohem…

Betimi i UÇK-së.

Unë, ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, betohem se do të luftoj për çlirimin e tokave shqiptare dhe bashkimin e tyre. Do të jem përherë ushtar besnik, luftëtar i denjë i lirisë, vigjilent, guximtar dhe i diciplinuar, i gatshëm që në çdo kohë pa kursyer as jetën time të luftoj për t`i mbrojtur interesat e shenjta të atdheut. Nëse shkel këtë betim, le të ndëshkohem me ligjet më të ashpra të luftës dhe nëse tradhëtoj, qoftë i humbur gjaku im.

Betohem, betohem, betohem./ KultPlus.com

Rita Ora dhe Lilly Singh publikojnë videon komike për festat

Lilly Singh është një komediane që krijon video qesharake dhe i publikon në Youtube. Ajo zgjodhi këngëtaren shqiptare me famë botërore, Rita Ora për të bërë albumin e Vitit të Ri.

Videon komike e ka shoqëruar me shkrimin, “Çdo artist publikon një album Krishtlindjesh dhe kështu do të ngjanin nëse do ishin të sinqertë! Po ju prezantoj “Pushimet e Sinqerta”, albumin më të ri seksi nga Rita Ora dhe Lilly Singh.”

Në video përfshihen disa prej këngëve më të famshme festive, por të përpunuara sipas Lilly./A.T.SH./ KultPlus.com

Filluan xhirimet për filmin “Shelgu” me regji të Milcho Mancevski

Sot filloi xhirimet në Shqipëri filmi artistik me titull “Shelgu” me regji nga regjisori i mirënjohur Milcho Mancevski.

Ky film u financua në Ballkan Film Market nga Qendra Kombëtarë e Kinematografisë, në kategorinë ‘Minority Co-Production’. Projekti është një bashkëprodhim midis shtëpisë kinematografisë shqiptare “Tirana Film Institute” me producent Agron Domin dhe kompanisë maqedonase “Banana film”. Në këtë film marrim pjesë aktorët maqedonas Sara Klimoska dhe Nikola Risteski si dhe aktori shqiptar Adem Karaga.
Stafi shqiptar: Agron Domi, Florenc Papas, Astrit Bica, Myzafer Rrapa, Bledin Stasa, Erjona Daka, Luan Shkodra, Plutor Toska, Blerta Hyskja, Orinda Lyto. Xhirimet po kryhen në Qafë Thanë në kodrat e fshatit Rajce Maraj./ KultPlus.com