Dua Lipa në top pesë këngëtaret e botës për vitin 2018

Këngëtarja kosovare me famë botërore, Dua Lipa, ka shijuar vitin më të suksesshëm në karrierë deri tash.

Pas hiteve të shumta e rekordeve me projektet e sjella më 2018, Dua Lipa është zgjedhur në top pesëshen e këngëtareve në botë, sipas top-listës prestigjioze amerikane “Billboard”.

Taylor Swift, Cardi B, Camila Cabello e Ariana Grande janë këngëtaret e vetme para Dua Lipës në këtë listë, shkruan koha.net

Dua Lipa po ashtu është zgjedhur në mesin e 20 këngëtarëve më të mirë në të gjitha kategoritë. Ajo në listën e top 100 artistëve është në pozitën e 19-të. Në këtë listë është edhe këngëtarja tjetër me prejardhje shqiptare, Bebe Rexha që është në pozitën e 34-të./KultPlus.com

Presidentja e Kroacisë: Kosovë, urime Ushtrinë!

Presidentja e Kroacisë, Kolinda Kitarovic, po del të jetë ndër përkrahëset me të mëdha të Kosovës.

Ajo ka urdhëruar shtetin e saj në NATO, Kroacinë që të jetë PRO formimit të Ushtrisë së Kosovës.

Kitaroviç, madje po i gëzohet shumë formimit të Kosovës.

Në një intervistë të bërë në një media kroate, ajo ka folur edhe për Ushtrinë e Kosovës, ku ka thënë se e mbështetë formimin e saj ”Kroacia dhe Kosova janë shtete mike, kanë raporte të shkëlqyera mes vete. Me Kosovën kemi histori të njejtë përgjatë historisë. Andaj ajo meriton ta ketë Ushtrinë e saj. Ne si anëtare e NATO-s kemi mbështetur atë. Vetëm ia uroj Kosovës, Ushtrinë”, shkruajnë mediat kroate të ketë thënë Kitarovic. / KultPlus.com

Ty, që e don deri në koc!

Arjola Zadrima

Ti që e don deri në koc,
shihe,
asht e re ,
e bukur,
ndërsa pemët plaken,
lulet vyshken,
diejt perëndojnë,
veç sytë e saj shkreptijnë.
Ti që e prangos,
e muros,
ja merr shpirtin.
Ti që e vret pa vdekje,
ia fik zemrën,
a ja ndjen vitet kur i bien si gjethe?
Ti Zot i atij barku që s’t’ka lind,
a e ndin si gërsasin lot pa za?
Ti që e dashke deri në koc,
e kapërthehesh mbas mitrës amë,
ndija qelizat tue jehue,
ajo që s’mundesh me e poshtnue,
asht femën,
grue,
Shejtneshë
NANË.

Majlinda Bregasi, për librat, seksin, leximin dhe At Zef Pllumin

Arbër Selmani

Librin e parë ajo e ka botuar kur ishte vetëm 17 vjeçe. Poezi për Nënën Terezë, diku edhe për demokracinë. Më vonë, do të niste të shkruante në tema të tjera, gjithmonë pak e ndikuar nga komentet e lexuesve të librave të saj. Një profesoreshë, një shkrimtare, një gazetare, një nënë që nuk përton të blejë libra për historinë e këpucëve – dhuratë fëmijut të saj, Majlinda Bregasi tregon se të shkruarit e ka tërhequr gjithmonë dhe se kur fillon të shkruajë ajo kujdeset që ta ketë kohën e saj, rahatinë e saj, dhe mendjen me vete.

Bregasi sonte u përgjigj në pyetjet e audiencës në një ngjarje me shkrimtarë organizuar nga OJQ Etea, në Qendrën Informative dhe Kulturore të BE-së në Prishtinë.
“Të jesh shkrimtare ma kushtëzon jeten. Sidomos kur shkruan prozë, nuk dëshiron të të dalin shumë njerëz përpara. Por edhe për poezi është njëjtë, sepse ke nevoje për përqendrim maksimal derisa e zbërthen mendimin në fjalë. Në prozë të duhet një hapësirë e vogël për veten dhe ku je veç ti e bota jote, dhe kjo nuk është e mundur gjithmonë sidomos në ditën e sotme kur jemi duke bërë 100 punë” tregon Majlinda Bregasi.

Dy romane i ka të botuara, ndërsa të tretin po e bën gati. Tregon se në këtë të fundit do të ketë skena seksi, ndërsa në dy të parët i është larguar idesë së seksit dhe idesë së një grua a një vajzë është me zemër të thyer pasi e ka lënë i dashuri apo burri.

Po, do të donte që librat e saj një ditë të ktheheshin në filma. Në librin “Ikje” flet për Vjosën, Gurin, për UÇK-në, për hakmarrjen, për një fëmijë në karrocë, për plumbat dhe luftën në Kosovë.
A lexojnë shqiptarët, sipas Majlinda Bregasit?

“Shumica e njerëzve thonë shqiptarët s’lexojnë, shqiptarët s’lexojnë, shqiptarët s’lexojnë, dhe unë nuk mendoj fare ashtu, që nuk lexojmë. Kemi një dinamizëm të jetës më ndryshe se evropianët. Unë në Firence jam 1 orë në tren, dhe jam e detyruar të lexoj. Në Ferizaj nëse dëshiroj të shkoj nuk ka tren. Megjithatë jam e habitur shumë me nivelin shumë të mirë të një grupi studentësh me të cilët kam punuar” tregon Bregasi në këtë bashkëbisedim me publikun në kryeqytet.

Majlinda është linguiste, shkrimtare e regjisore. Pos “Ikje” ajo ka shkruar edhe “Fillimi i një fundi” ndërsa ka fituar çmimin për romanin më të mirë në vitin 2016, ndarë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Bregasi është edhe përkthyese e studimeve gjenerative të shqipes të Savoias e Manzinit, botuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. Gazetare dhe autore e disa filmave dokumentarë. Ajo është edhe autore e librit “Përtej Debatit Politik- Analizë e Bisedës”, që është edhe studimi i parë i këtij lloji në gjuhësinë shqiptare.

Në këtë bashkëbisedim mes tjerash kujton edhe intervistën e famshme me At Zef Pllumbin, një pasuri që i ka mbetur popullit shqiptar me At Zef Pllumbin dhe fjalët e tij të ëmbla.

“Më vjen keq sepse gazetarët tanë shpesh janë të matufepsur pas figurave politike dhe pak kohë u kushtojnë ngjarjeve që mund të jenë të rëndësishmë dhe nesër mund të kenë vlerë të jashtëzakonshme. Kur At Zef Pllumbi botoi “Rrno për me tregue” unë e lexova librin, dhe ishte nje proces jo i lehtë, traumatic për mua. Atyre ditëve telefonova dhe kërkova të bëja intervistë me At Zefin. Motrat më thanë se ishte i sëmurë, dhe u thashë se në këtë rast do të shkoja vetëm për ta parë si është. Pas tre minutave, At Zef Pllumbi vetë më telefonoi dhe më kërkoi të shkoja ta intervistoja me kamerë, në Shkodër. Kur e kam lexuar librin e tij jam tronditur sepse aty lexova për gjëra që ndryshe nuk do të dija e nuk do ta besoja se kanë ndodhur” tregoi tutje Majlinda Bregasi. / KultPlus.com

Përkrahja e madhe e Amerikës, ushtarët e tyre i këndojnë ushtrisë së Kosovës (VIDEO)

Superfuqia më e madhe botërore Amerika përkrahë transforiminin e FSK-së në Ushtri.

Themelimin e ushtrisë sonë me entuziasëm po e presin edhe ushtarët amerikanë. Në një video që po qarkullon në rrjetet sociale ata po i këndojnë ushtrisë së Kosovës.

Ndërkohë, transformimi i FSK-së në Ushtri do të hedhet në votim në Kuvendin e Kosovës, të premten më 14 dhjetor.

‘Zoti nuk shikon medaljet apo arritjet tua, Zoti i sheh dhimbjet tua’

Disa zgjedhin të jenë ateistë, disa zgjedhin të jenë besimtarë.

Por nëse i shkon disi më thellë gjithë dukurive të natyrës, të jetës, e kupton se një perfeksion i tillë nuk ka ndodhur në mënyrë të kotë. Nuk ka ndodhur rastësisht që çdo qelizë e trupit tonë të funksionojë në mënyrë aq perfekte, që natyra të falë aq shumë bukuri, saqë gjithçka të jetë krijuar prej teorisë së shpërthimit të Big Bang. Fakti që për një perfeksion të tillë nuk ka një shpjegim shkencor, i bën besimtarët të thonë se gjithçka e tillë është krijuar prej Zotit, ndaj në këtë material ne ju sjellim disa thënie për Zotin.

“Besimtarët nuk besojnë se Zoti na do për faktin se jemi të mirë, por që Zoti do të na bëjë të mirë, sepse na do”. C. S. Leuis.

“Dhe tani mbeten vetëm tri gjëra : besimi, shpresa dhe dashuria, por më e madhja nga këto, është dashuria”. Varg nga Bibla.

“Të jesh besimtar do të thotë të falësh të pafalshmen, sepse Zoti ka falur edhe gjërat që ti i mendoje të pafalshme tek ty”. C. S. Leuis.

“Zoti nuk ka fe”. Mahatma Gandhi.

“Zoti nuk do të shikojë tek ty medaljet, arritjet, apo diplomat, por dhimbjet e tua”. – Elbert Hubbard.

“Nëse do të kuptosh se çfarë mendon Zoti për paratë, thjesht shiko njerëzit, të cilëve ua ka dhënë”. – Dorothy Parker.

“Unë i besoj Zotit jo sikur të ishte diçka, apo sikur të ishte një burrë i moshuar në qiell. Unë besoj se Ai që të gjithë e quajnë Zot, është dikush që gjendet në të gjithë ne. Unë besoj se Jezusi, Muhamedi, Buda apo kushdo tjetër janë i njëjti Zot, thjesht me emra të ndryshëm për shkak të përkthimeve të ndryshme”. – John Lennon.

“Ndonjëherë Zoti të jep gjërat që ti urren, në mënyrë që ti të arrish gjërat që dëshiron”. – Joni Eareckson Tada.

“Kur në fund të jetës do qëndroj përpara Zotit, dua të mos kem talent të mbetur dhe të mund të them “Unë e shfrytëzova gjithçka që më dhe””. – Erma Bombeck.

“Ndihem i lumtur me gjërat e thjeshta, duke qenë mirënjohës për bekimet që Zoti më ka dhënë”. – DMX.

“Mënyra më e mirë për të gjetur dashurinë, është të gjesh Zotin”

“Kur ti ke nevojë për diçka, Zoti e di. Kur ti pyet për diçka, Zoti dëgjon. Kur ti beson tek Ai, Ai punon për të t’i plotësuar gjërat që ti ke nevojë të kesh”.

Orgesa Zaimi, me ‘Hije’ pretendon fitoren në Festivalin e TVSH-së

Festivali i TVSH-së këtë vit ka ‘nisur’ më ndryshe.

Këngët konkurruese tanimë janë publikuar në Youtube, që publiku të mund ti dëgjojë dhe të vlerësojë ato.

Një prej emrave që këtë vit vjen në Festivalin prestigjioz të fundvitit në TVSH është Orgesa Zaimi.
Një zë i veçantë, Orgesa ka zgjedhur melodinë “Hije” për këtë edicion të këtij viti. Nuk është hera e parë që Orgesa provon për këtë festival.

Me 20,21 dhe 22 dhjetor Festivali i TVSH-së do të mbahet në Shqipëri, ndërsa fituesi automatikisht e përfaqëson Shqipërinë në Eurosong 2019, në Izrael. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=9k9ISaXKDy8

Ylli shqiptar Erza Muqolli vjen në Shqipëri

Erza Muçolli, 13 vjeçarja e talentuar që befasoi jurinë e “France’s got talent”, do të jetë e ftuar speciale në finalen e Festivalit të Këngës në RTSH.

Siç mësohet nga drejtorja artistike e festivalit, Inva Mula, Erza do të ngjitet në skenë për të përshëndetur publikun shqiptar me zërin e saj, shoqëruar nga një kor i madh fëmijësh.

Në vitin 2014, atëherë 8 vjeç, talenti shqiptar me origjinë nga Kosova ngriti në këmbë publikun francez.

Me interpretimin e këngës “Papaoutai” të Stromae, vogëlushja bëri për vete jurinë e spektaklit “France’s got talent” duke arritur deri në finale.

Përpjekja e Jonida Maliqit për të marrë pjesë në Eurovizion

Ka nisur prezantimi i këngëve të këtij edicioni të Festivalit të Televizionit Shqiptar.

Duke premtuar kësisoj një spektakël në të trija netët, festivali më i vjetër shqiptar edhe këtë vit ka emra të rinj e emra të njohur të muzikës shqipe.

Me datë 20,21 dhe 22 dhjetor, këngët do të ngjiten në skenë.

Ndër pjesëmarrësit është Jonida Maliqi, me këngën “Ktheju tokës”. Jonida ka fituar disa festivale, ndërsa tani po provon për fitore dhe më pas automatikisht për përfaqësimin e Shqipërisë në Eurovizionin e vitit 2019 në Izrael.

Ia vlen ta dëgjojmë këngën e Jonidës. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=zTItDns7O4Q

‘Ku je ti, ku je ti që s’njohe kurrë gëzim’, mrekullia e Ema Bytyqit (VIDEO)

Kujtojmë një këngë të veçantë e cila edhe sot zgjon emocione të një kohe të kaluar.

Ema Bytyqi me këngën “Ku je ti”, një vajzë e re dhe e brishtë por me një mishërim fantastk të këngës, arriti që të fitojë festivalin “Kënga Magjike”.

Kënga fitoi në vitin 2003, me tekst e kompozim nga Adrian Hila.
Emën ka vite që nuk e kemi parë në muzikë, por kënga “Ku je ti” është gjithmonë aty për të na e sjellë magjinë e Emës.

Po këtë vit Ema fitoi edhe Çmimin ‘Melodia më e mirë’ në festival. / KultPlus.com

Unë jam studenti. Unë jam Liria

Flutura Açka

Kur çast i mbramë thërret e lëshon za,
Se lëngon e kërrusur, shqyer Shqipëria,
Zgjohem nga mpirja, ec botën n’këmbë.
Unë jam studenti. Unë jam Liria.

N’sarkazëm më tallin pushtë e langonj,
Dhe Atdheun ku ku, në kurth pabesia,
Rininë kam armë, frymën mburojë.
Unë jam studenti. Unë jam Liria.

Është orë e zgjimit, shpresës së madhe,
I vetes dalëzot unë, në kryq tirania,
Kush më nënçmoi, s’më njohu kush isha,
Unë jam studenti. Unë jam Liria.

E në mos qofsha gjallë, aty jam unë,
Me ty në shesh janë ëndrrat e mia,
Unë fryma e zëri, unë fjala e shenjtë.
Unë jam studenti. Unë jam Liria.

Tiranë, 11 dhjetor 2018

Publikohet kënga e Soni Malajt, a mund të jetë ajo kënga fituese për Eurovizion?

Edhe shumë pak ditë na ndajnë nga fillimi i Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar.

Këngët tanimë janë lansuar që publikut t’i dëgjojë e të shohë kualitetin e secilës prej tyre.

Ne do ta sjellim një e nga një bagazhin artistik të këtij edicioni.

Soni Malaj, një këngëtare e njohur shqiptare dhe fituese e disa festivaleve, këtë edicion vjen me këngën “Më e fortë”. Marrë për bazë që në Eurovizion shpesh ka feminizëm dhe tekste për fuqinë e femrës, duket se Soni ka ditur ta luajë mirë lojën.

“Më e fortë se ti unë do jem” janë disa prej vargjeve të kësaj kënge.

Në ndërkohë do t’i dëgjojmë edhe këngët tjera që konkurrojnë në këtë festival, i cili fituesiin e dërgon për përfaqësim në Eurovizion, në Izrael. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=OEFIv07reWk

Të dua baltë shqiptare

Mitrush Kuteli.

Të dua baltë shqiptare
Të dua egërsisht!
dëshpërimisht!
si ujku pyllin,
si vala valën,
si balta balten.
Se gjer mbi gju
jam brenda teje,
se lerë kam këtu,
si baba, si gjyshi.
Të dua baltë shqiptare!
se gjer mbi bel,
e përmbi bel
jam brenda teje
s’dal dot
se s’dua!
Se ti më lidh
e më mban
me mjaltë
e me pelin.

Se këtu vdekur ka,
këtu,
nëna dhe baba e gjyshër-stërgjyshi.
Të dua baltë shqiptare
Magjistare
e ëmbël
si vetë vdekja.
se thellë jam këtu
brenda teje
gjer mbi gju
gjer mbi bel
e gjer mbi krye.
Dhe dua fort të dehem
të prehem
(ah që tani!)
Brenda teje.

‘I ngiti t’untit s’ja beson’, fjalët e urta popullore nga Medvegja

Një lloj i veçantë i krijimtarisë gojore janë edhe fjalët e urta popullore, të cilat me pak fjalë shprehin domethënie të madhe.

Të tilla hasen edhe në trevën e Medvegjës, përmes së cilave janë shprehur të gjitha aspektet jetësore, si: puna e mospuna, shkathtësia e dembelia, besa e pabesia, miqësia e armiqësia, e drejta dhe padrejtësia dhe shumë e shumë aspekte jetësore që janë dëshmi e mendjehollësisë dhe vigjilencës së popullatës së kësaj treve.

Duke e parë rëndësinë që kanë fjalët tona të urta, por edhe krijimtaria jonë gojore në tërësi, kohë pas kohe kam vjelë diçka nga e gjithë ajo pasuri, që na e kanë lënë trashëgimi të parët tanë:

Kamlamja, gojëthamja
Ma mier laknuer per veti, se pite ngjeti
Dy t’game sa ni e pame
Qeni i keq ta bjen ukin n’shpi
Fjala e njerkes si dielli i vjeshtes
Miku mikut i get 40 vjet perpara
Kanari nuk ka vlla
Hajduk aga s’i kan thanë kurkuj
Mishi i fukaras asht batha
S’ka mish pa asht, as fjalë pa bisht
Si t’martohesh t’zihet bishti me derë

Nusja ni ditë kshyret per dokë

Gjarpni s’ kapet per bishti
Sa t’ken ujë n’deti s’nalet ryshfeti
Grat e fisit si degt e lisit
I meçmi sheh edhe mas kodre

Me pas ba burr dika leshi, e kish ba dashin
Me fmi s’un e ka shty as mreti
Pasqyrja e burrit asht grueja
Puna e mier flet vet
Buka asht veç per t’untin

Bukë t’lig e nuse t’keqe s’ka
Bane kmish per veti, toni qite ngjeti
Grues t’krehne e udhes t’rrehne mos ju daj
Pej hajni rueje kuleten, pej shtiesit jeten
I keshni t’kesh
Njerit mos ja kshyr gunën, po punën
Njerit si kshyret doka, po baroka
N’darzum pa thirr nuk shkohet
Sivjet merr n’thue e n’mot rrxohesh
Tuxhari as anrrat s’t’i kallxon
Çka ban nata, kallxon dita
Peni kputet ku asht mas holli

Kur martohet fukaraja, edhe tupani çkyhet
Harrna jemi, harrna s’kemi
Pa e dhanë t’pakten, s’e merr t’shumten
Ha bukë, po le ven per ujë
Me mik ha e pi, po pazar mos ba
Ma mier me t’lyp veni ty, se ti venin

Çka e bjen vera, e han dimni
Pazari e dimni han gjithçka
Syni asht i vllai detit
Hirra e kosi ni nanë e kanë, po njajt s’janë
Musteqe ka edhe maqorri
Nana e tokes asht puntori
Pika, pika mushet pusi
Gjumi asht gjysë deke
Shit e ble, dekë e le s’nalen kurr
Sahati i fukarasë asht knuesi

Ftyra nuk asht ni ekter ven
I ngiti t’untit s’ja beson
Hajduki ta vjedh dhevn ner kam
Kur t’djeg tamli, i fryn edhe kosit
Edhe rrena don kryp
Fjala ner sy asht hallall
Kur tutesh se po fikesh, koritesh
Grueja sunin e ka pej babes
Musafiri nuk t’fik
I forti t’rreh e s’t’len me kajt
Miku ta thot ner sy, armiku pas shpine
Me zjerm e ujë lojë nuk ka
Lakna për laknuer, burrnia për burr
Qeizi i nuses asht qiknia
Teshat s’t’bajn nuse, ori puse
Skamja asht derë hekri

E shënoi Bafti Krasniqi gjatë viteve 1956-1965

BAFTI I KRASNIQI
DHE
GJENEALOGJIA FAMILJARE
(MONOGRAFI)

Publikohet traileri i ‘Uspeh’, në rol kryesor Uliks Fehmiu (VIDEO)

“Suksesi” e ka emrin seriali i parë që do të jetë produksion i HBO dhe vjen nga Ballkani.

Denis Tanovic, regjisori i njohur që fitoi Oscarin para disa vitesh, është regjisori i serialit i cili përcjellë jetën e tre të huajve që lidhen mes vete në bazë të ndodhive fatkeqe.

Treshja do të ballafaqohet duke dashur të ndihmojnë viktimat e dhunës gjatë serialit.
Iva Mihalić, shqiptari Uliks Fehmiu, Tara Taler, Toni Gojanović dhe Marija Škaričić janë protagonistët e këtij seriali.

“Jam i lumtur për këtë nismë, për një serial që do të xhirohet në gjashtë pjesë. Në episodin e parë nuk dihet saktë çka do të ndodhë, por më pas do të zbulohet më shumë për këtë njerëz, aspak të jashtëzakonshëm në dukje të parë” thotë regjisori Tanovic, shkruan KultPlus.

https://www.youtube.com/watch?v=kJp3s66JYec

Seriali do të dalë për publikun me 6 janar 2019 me anë të HBO kanaleve në Serbi, Kroaci, Slloveni, Maqedoni, Bosnje dhe Mal të Zi, e më pas edhe në Spanjë, Skandinavi dhe në pjesët tjera të Evropës.

Nuk është hera e parë që aktori shqiptar Uliks Fehmiu, djali i Bekim Fehmiut, merr role të mëdha në seriale dhe projekte në Ballkan dhe në vendet ku flitet gjuha serbo-kroate. / KultPlus.com

Grua dhe bletë

Poezi nga: Anabell Manjares / Përktheu: Lulzim Tafa

Unë jam këtu sepse
unë kam paguar.
Valle të tjera meritoj tani
një cikël i hënave të reja.

Unë kam ardhur për qeljen e fundit të tamarindes,
për ndriqimin vezullues që ulë profilin e yjeve.

Kam ringjall këto valle,
jam lutur.
Unë u përkas farave të një luledielli dimri,
familjes së orizit, klanit të mangos,
fisit që u ngjit në degët e mamonit.

Kam paguar Saturnin
për të gjitha krimet e mia naive
dhe kam mësuar nga fiset,
heshtjen e ngrohtë në kasollat gjashtëkëndore.

Unë e kam hedhur në lumë
gabimin e imazhit tim të vjetër
dhe të trishtimit të ngjizur
në barkun e nënës.

Unë meritoj të tjera fruta,
fëmijë nga toka më pak mosmirënjohëse.
Malet kishin të drejtë
ngjitja
do sakrificë.

Gruaja bletë sakrifikoi helmin e saj
në vende të rrezikshme, delikate
Ajo i dha të gjitha.
Helmoi ajrin
ku ndiheshin aromat.

Marin Mema në protestën e studentëve

Gazetari Marin Mema ka marrë pjesë në protestën e studentëve.

Ai u bën thirrje të rinjve që simbolet e tyre të vetme tv kenë shqiponjën dhe flamurin Kuq e Zi.

“Shqiponja dhe flamuri Kuq e Zi duhet të jenë simbolet tuaja te vetme! Ju keni freskinë, forcën, krenarinë, mundësinë për të ndryshuar realitetin. Studentët janë e ardhmja dhe ajo në këtë vend mund të jetë me e bukur nëse merr ngjyrat e tyre, ngjyrat e njerëzve qe e duan Shqipërinë përtej politikës e flamurëve partiake! Ne duhet t’i mbështesim e t’i përkrahim të arrijnë më të mirën, t’u krijojmë kushtet për të ndërtuar të ardhmen e jo t’i largojmë prej saj!! Në fund të ditës e nesërmja na përket të gjithëve dhe po të gjithë do ta jetojmë. Nëse kemi një rini më të fortë, më reaguese, më të drejtë, kërkuese e të ndarë nga politika, e ardhmja do të jetë më e mirë! Largoni të gjithë ata që mund të kërkojnë politizimin e saj, sepse forca juaj është e pandalshme nëse ka ngjyrat e Shqipërisë e askujt tjetër!”, shprehet Marin Mema.

Uh! Evropë, ti kurva e motit!

Gjergj Fishta

Uh! Europë, ti kurva e motit,
Qi i rae mohit besës e Zotit,
Po a ky â shêji i gjytetnís:
Me dá tokën e Shqypnís

Për me mbajtë klysht e Rusís?
Po ti a kshtû sod na i perligje
Njata burra qi m’ kto brigje
Për tý vehten bâne flije
Kur ti heshtshe prej ligshtije?

Át Gjergj Fishta, Lahuta e Malcís, Kanga XIII, vargjet 40–49 (Shkoder, 1933).

As 200 persona s’mblidhen për koncertin e Cecës në Mitrovicë

As 200 persona nuk janë mbledhur në hapësirën ku koncerti i Cecës pritet të fillojë për 15 minuta.

Koncertin e saj, ajo pritet ta mbajë afër konvikteve të studentëve në veri të Mitrovicës, ani pse kjo u kundërshtua në Kosovë.

Koncertin, siç është raportuar, pritet ta mbajë në mbështetje të protestave të serbëve kundër taksës 100 për qind ndaj mallrave të tyre, që ia ka vënë Qeveria e Kosovës.

Është raportuar po ashtu se Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, ka kërkuar që asaj t’i ndalohet hyrja pasi s’ka kërkuar për leje paraprakisht.

Mediat serbe raportojnë se Ceca ka hyrë në Kosovë

Mediat serbe raportojnë se këngëtarja nga Serbia, Svetlana Ražnatoviç, e njohur si Ceca, ka kaluar pa asnjë problem pikën kufitare të Jarinjës.

Koncertin e saj, ajo pritet ta mbajë afër konvikteve të studentëve në veri të Mitrovicës, ani pse kjo u kundërshtua në Kosovë.

Koncertin, siç është raportuar, pritet ta mbajë në mbështetje të protestave të serbëve kundër taksës 100 për qind ndaj mallrave të tyre, që ia ka vënë Qeveria e Kosovës.

Është raportuar po ashtu se Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, ka kërkuar që asaj t’i ndalohet hyrja pasi s’ka kërkuar për leje paraprakisht. KTV-ja ka tentuar të marrë një qëndrim të ministrit Gashi por ai nuk e ka hapur telefonin.

Edhe portali Koha.net ka provuar të marrë një qëndrim nga Policia në Mitrovicë, por s’ka mundur.

Kundërshtime të ashpra pati në Kosovë nga fytyra publike të ndryshme.

Së fundmi, dje, deputetja e PDK-së në Kuvendin e Kosovës, Ganimete Musliu, tha se ardhja e saj është për të promovuar urrejtje e për të goditur plagët e hapura të shqiptarëve.

Madje, ka apeluar te institucionet që të mos lejohet ardhja e saj në Kosovë.

“Në Kosovë nuk po vjen këngëtarja Ceca por bashkëshortja e Kriminelit më të tmerrshëm të historisë tonë të re! Po vjen bashkëshortja e Arkanit që ishte udhëheqës paramilitar dhe vrasës mizor i mijëra shqiptarëve në luftën e Kosovës. Ceca nuk po vjen të prezantoj art në Kosovë por për të promovuar urrejtje e për të goditur në plagët e hapura të shqiptarëve që i shkaktoj bashkëshorti i saj. Kjo është e pa pranueshme dhe e padrejtë andaj unë nuk mund të heshtë. Apeloj te institucionet tona, mos ja hapni plagët popullit, mos lejoni që bashkëshortja e Kriminelit të hyjë në Kosovë!”, ka shkruar Musliu, përcjell Koha.net

Sonte mbahet finalja e ‘Këngës Magjike 2018’

Sonte do të mbahet finalja e Këngës Magjike.

Festivali prestigjioz në këtë edicion të 20-të sonte do të përmbyllet me ndarjen e çmimeve dhe me parakalimin e këngëve më të mira e më të suksesshme.

Pas dy netëve gjysmëfinale dhe qindra thashethemeve mbi secilin këngëtar, sonte do të dihet kush do të jetë fituesi a fituesja e festivalit, dhe kush do ta pasojë Anxhela Peristerin në fitoren e saj të vitit të kaluar.

Edhe këtë vit, këngëtarë të rinj e këngëtarë të njohur kanë parakaluar në festivalin që ka renome në estradën shqiptare.

Flori Mumajesi, Rozana Radi, Krusita, Kanita, Erik Lloshi, Ronela Hajati, Fifi, Mc Kresha dhe emra të tjerë kanë sjellë projektet e tyre në këtë edicion.

Pritet të shihet sonte kush do të fitojë këtë edicion dhe natë magjike të Këngës Magjike 2018. / KultPlus.com

“M’ falni nëse njëherë ju harrova…”

Poezi nga Shukrije Gashi.

Miq kur t’mos jem më n’ mesin tuaj
m’ kërkoni n’ vargje poezishë
në sytë e çdo gruaje që
heshtjes gjinore ia preu
frikën n’ kërthizë
gjahun e sedrës së ligë burrnore
tek varri im mos vajtoni
shpirti im nuk banon në vdekje
që vodhi andrrën e Lirisë
shaluar me mamuza t’ huaj
hingëllimash kali t’ hazdisur
trokut bixhoz e pushtet
Thembrave t’ përgjakura
gjithë jetën ecur kam gjurmëve
t’ mia autentike një vurratë
djalli nuskë
Kurrë nuk do t’i mbyllë
sytë për t’i harruar klithmat
as dhimbjete e të vegjëlve
që dhunshëm pushojnë
n’ harrim dje
Jo as pas murit që ndanë
mishin nga shpirti tej pragut tjetër
do t’ju braktisë
n’ zërinë tuaj jam ëndrra që rri zgjuar
vargut që merr zjarr eshkë
ta djegim bashkë heshtjen mënxyrë
M’ falni nëse njëherë ju harrova…

“Gratë e politikanëve bëjnë bamirësi, se ndihen në faj për burrat hajdutë që kanë”

Roberto Benigni u lind më 1952, në Manciano La Misericordia të Firences.

Eshtë aktor i famshëm i humorit dhe skenës italiane dhe ne shqiptarët, jemi adhurues të hershëm të tij.

Benigni ka sukses jo vetëm brenda kufijve italianë, por edhe më gjerë, në arenën ndërkombëtare, si aktor dhe regjisor.

Fitoi dy Oskar me filmin e tij të famshëm: “La vitta e bella” (“Jeta është e bukur”), ku iu dha Oskar si aktori më i mirë protagonist dhe si regjisori më i mirë i vitit.

Në vijim, supershendeti.com ka përzgjedhur disa Thënie të tij, që njihen për thjeshtësi e humor njëkohësisht, por edhe thellësi mendimi.

THËNIET
1. Gratë e politikanëve që bëjnë bamirësi, kanë të gjitha ndjenjën e fajit për atë çka vjedhin burrat e tyre.

2. Ka njerëz që jetojnë për buzëqeshjen tënde dhe ka nga ata që do të skuqen kur të kuptojnë që nuk ia kanë dalë dot ta shuajnë atë.

3. Nuk ka asgjë më shkencore, se sa fantazia.

4. Jeta sa më shumë zgjat, aq shumë shkurtohet.

5. Kur kthehesh në vendin e lindjes kupton se nuk të mungon shtëpia e vjetër, por fëmijëria…

6. Njerëzit shikojnë, dëgjojnë, dhe flasin.

Fatkeqesisht disa shikojnë keq, dëgjojnë pak, dhe flasin shumë!

7. Nuk ekziston aspak një gjë më poetike sesa një gjë tjetër.

Poezia nuk është jashtë, është brenda!

8. Duhet t’i zgjidhni fjalët… ndonjëherë të duhen 8 muaj për të gjetur një fjalë të vetme.

9. Filloni të zgjidhni, sepse bukuria ka filluar kur dikush mësoi sesi të zgjedhë.

Dashurohuni!

Dashurohuni, nëse nuk dashuroni është gjithçka e vdekur!

10. Kur dashuron gjithçka bëhet e gjallë, lëviz, ndizet lumturia, shpërthen kënaqësia.

11. Jini edhe të trishtuar dhe të heshtur me madhështi.

12. Fryjini në fytyrë njerëzve lumturinë!

Për të përcjellë lumturinë, duhet të jesh i lumtur.

Edhe për të përcjellë dhimbjen duhet të jesh… i lumtur!

13. Jini të lumtur!

Duhet të vuani, të ndjeheni keq, të lëndoheni.

Mos kini frikë të vuani, e gjithë bota vuan!

14. Edhe nëse nuk i keni mjetet e nevojshme për të krijuar një poezi, vetëm një gjë është e nevojshme “Gjithçka”.

Mos kërkoni “të renë”… E reja është gjëja më e vjetër që ekziston.

15. E nëse nuk gjen pozicionin e duhur për të të ardhur vargjet… shtrihuni në tokë…

Sepse, shtrirë vështrohet qielli.

Shikoje çfarë bukurie…!

Poetët nuk shikojnë… vërejnë, vështrojnë!

Filmi ‘Martesa’ tashmë në platformat digjitale dhe në kinema të zgjedhura në SHBA

Nga dita e sotme, shikuesit që jetojnë në SHBA mund ta shohin filmin “Martesa” në shumë platforma digjitale si iTunes, GooglePlay, Amazon, YouTube, Vudu, Fandango Now, Dish Network dhe përmes shërbimeve lokale kabllore, si dhe në kinema të zgjedhura të SHBA, duke filluar nga Laemmle të Glendale, Los Anxhelos.

Ky zhvillim me filmin e parë të metrazhit të gjatë të Blerta Zeqirit, me Alban Ukajn, Adriana Matoshin dhe Genc Salihun në rolet kryesore, vie si rezultat i kontratës së distribuimit të nënshkruar me Uncork’d Entertainment për të drejtat e shfaqjes në SHBA dhe Kanada.

Një numër recensionesh, artikujsh e intervistash në mediat më të njohura filmike amerikane, si Hollywood Reporter, The Wrap, LA Times dhe më herët Variety, i kanë paraprirë daljes së filmit në kinema dhe platforma digjitale në SHBA dhe shumica e tyre e kanë vlerësuar shumë lartë filmin “Martesa”, duke e quajtur “portretizim solid të ndikimit të kohës në atë që na mungon, dhe si na mungon” (LA Times) dhe “Dramë tërheqëse […] tërheqëse […] absorbuese” (Variety). Një gazetar i një portali (TheGeekiary.com) e quan “një ndër filmat më të mirë LGBT që është bërë ndonjëherë”.