Publikohet posteri i filmit dokumentar ‘Lorik’

Sapo është publikuar posteri zyrtar i filmit dokumentar “LORIK” film i realizuar nga Andi Decka duke sjellë jetën dhe rrugëtimin ne botën e futbollit të “Kapitenit Legjendar” të Kombëtares Shqiptare.

Fëmijëria, familja, futbolli, talenti, atdhetarizmi dhe dashuria e madhe për një komb, të gjitha nën një emër “LORIK”.

Loriku është djali i futbollistit të pensionuar Agim Cana. Më 24 korrik 2009, Cana u bashkua me Sunderland duke firmosur një kontratë katër vjeçare. Më 8 korrik 2010, Cana u bashkua me klubin turk Galatasaray për një shumë prej 4.5 milion €.

Cana kishte të drejtë të luante me tre kombëtare (Zvicra, Shqipëria & Franca), pasi i kishte të tre pasaportat. Cana ka qenë pjestar i kombëtares shqiptare që nga viti 2003, pasi u thirr nga Federata Shqiptare e Futbollit. Ai e pranoi thirrjen dhe bëri debutimin e tij me kombëtaren më 11 qershor, që në moshën 19 vjeçare. / KultPlus.com

Mos e len hanёn jashtё sonte!

Entela Tabaku

hana mёrdhet sonte
unё dal nё ballkon me mbledhё teshat
e ajo mё futet shpejt nёn flokё
mё rrёshqet nё shpinё
dhe ma rrokullis mishin
kokrra kokrra
ik moj i them
se unё mezi ngrohu vedin
por ajo s’flet
veҫ mёrdhet
mё struket nёn flokё
teposhtё nё shpinё
kokrriza hane
nёpёr trup
Mos e len hanёn jashtё sonte!

‘Besa besë, besën ta kam dhanë, për Kosovë jetën dojmë me dhanë’, befasia që emocionoi lojtarët e përfaqësueses së Kosovës

Teksa ende jemi në emocionet e fitores që Kosova shënoi me rezultat të thellë 4-0 ndaj Azerbajxhanit duke siguruar kështu pozitën e parë në Grupin 3 të Ligës D të Ligës së Kombeve, ne po ju sjellim një video plot emocione nga viti i kaluar.

Banka TEB Sh.A. dhe Federata e Futbollit e Kosovës vitin e kaluar kanë incizuar për herë të parë një video befasi për futbollistët e përfaqësueses me një angazhim prej më se 300 personave.

Ideja ishte që futbollistëve të grumbulluar për ndeshjen me Islandën të ju përgatisin një befasi e mahnitshme.

Organizimet kishin marrë rreth një muaj kohë, ndërsa në të ishin angazhuar tifozë të vërtetë, muzicientë e këngëtarë profesionist, njerëz të profileve të ndryshme dhe stafi i Bankës.
Futbollistët në ditën e tyre të parë të grumbullimit janë urdhëruar nga trajneri, Albert Bunjaki të përcjellin një koncert të muzikës klasike në Prishtinë.

Gjatë koncertit ata janë befasuar, pasi që e gjithë salla kanë ndryshuar rrjedhën e koncertit duke shfaqur përkrahjen për futbollistët dhe shndërruar atë në një pjesë të stadiumit.

Fillohet me këngën “Besa Besë”, ku artistët një e nga një zgjohen në këmbë duke kënduar e kështu bëjnë që të gjithë lojtarët të kthejnë kokën pas për të shikuar se çfarë po ndodhë e duke mos e pasur idenë se gjithçka ishte një befasi për ta. Tutje në këmbë zgjohen tifozët e gjithë të pranishmit për të ju bashkuar këngës duke emocionuar pafund lojtarët.

Ndryshe, Kosova dhe Islanda e patën zhvilluar ndeshjen në stadiumin e Shkodrës, ‘Loro Boriçi’. / KultPlus.com

Mbi drejtësinë e korruptuar, brezin e PISA-s dhe fëmijët e luftës

Lirik Veselaj

Në vitin 2016 pasi përfundova Gjimnazin, ndjehesha i entuziazmuar për ta filluar jetën studentore. Me kokën plot ëndrralla atëherë mendoja se të qenit student është një pozitë prej së cilës kërkohet gjenerim vlerash dhe kritikë aktive ndaj dukurive shoqërore. Kjo ndjenjë personale dhe ky status social, padyshim se të bënë fisnik. Kjo mbase për shkak se edukimi im ishte mbrujtur midis mendësisë së propagandës së Lëvizjes Kombëtare, se “shpirti” studentor duhet të qëndrojë çdo herë në ballë të ndërrimeve të mëdha politike dhe shoqërore. Dhe, natyrisht, kjo ndjesi, më bënte lakmitar për statusin që do merrja, për përgjegjësitë që do të më takonin etj.

Tetori i 2016-ës ishte fillimi i studimeve të mia në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës. Brenda “sagës” së saj për ta rrumbullakuar shtetësinë Kosova kishte para vetës, veç tjerash, edhe një detyrë shumë të vështirë: reformimin e tërësishëm të sistemit të Drejtësisë. Universiteti i Prishtinës nuk i kishte korresponduar pothuajse asnjëherë nevojave të sistemit shtetëror, përfshirë edhe gjyqësorin, andaj, me sa dukej, zgjedhja ime për të qenë student i Drejtësisë nuk paraqiste ndonjë relevancë ndaj proceseve nëpër të cilat do të kalonte Kosova.
Drejtësia në Kosovë, që nga viti 1999, herë me gjykata protektorësh, e herë me gjykata vendorësh, asnjëherë nuk e kishte fituar besimin e qytetarëve. Përkundrazi, kishte qenë sistemi i Drejtësisë ai të cilit i referoheshin dështimet më të mëdha në vendin tonë. Jo vetëm që nuk mjaftonin “presionet” nga jashtë që pushteti gjyqësor të ndahej nga ai politik, por kësaj farse të ligë duket se ia mbanin ison edhe vet “misionarët” evropianë.

Tani që kam hyrë në vitin e dytë të studimeve në Drejtësi shpesh më shkon mendja të besojë se Kosova do të ketë mjaftueshëm njerëz të mirë të cilët do ta kenë dijen, fuqinë dhe kurajën për të vënë drejtësi. Por, sakaq seç zhgënjehem keq kur më bie ndërmend se brezi im shkollor është “derivat” i PISA-s – një sistem ndërkombëtar i vlerësimit të dijes që e nxori shkollën e Kosovës në nivel me atë të Libisë – vendit të humbur në “Shkretëtirën e tartarëve”, që përpëlitet mes luftërash e diktaturash.

Kjo vërtetë më bënë të zhgënjyer! Ky fakt sikur i “delegjitimon” të gjitha përpjekjet tona të dëshpëruara për të nxënë dije nga bota e civilizimit Perëndimor, për të arritur standarde të Bashkimit Evropian etj. Zhgënjimi është po aq i madh kur të tjerët na përkujtojnë me një farë “krenarie të shpifur”, se ne jemi brezi që kemi lindur në flakët e luftës për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Athua s’i mjaftuan kësaj shoqërie dy dekada që brezi i fëmijëve të luftës të mos i kushtëzojë shpresat e veta mbi hipotekat e së kaluarës? Pra, brezi ynë nuk do të ketë asnjë arsye për t’u mburrur me faktin se dikur qemë studentë … “fryma e gjallë e kombit”, “shpirti dhe pararoja e shoqërisë”…

Përtej dëmit ne po vazhdojmë të studiojmë, duke qenë të damkosur me etiketën se asnjë dije s’e kemi nxënë. Për të mirë ose për të keq, megjithatë, kohërat do të ndryshojnë … dhe breza të tjerë do të vijnë … e mbase gjërat për të cilat po shkruaj tani do të duken absurde. Por këtu qëndron ironia, sepse pa fajin tonë ne rrezikojmë të jemi brez i humbur, brez iluzionesh, me shpresa të thyera … brez që rron këtu e sytë i ka në ikje.
Njeriu i Kosovës sot e ka të vështirë të jep ide dhe premisa se si të dilet nga kjo gjendje e pashpresë, por ajo që më së pari më vije ndërmend tani është aktivizimi i një organi si në Athinën e lashtë – Këshilli i të Urtëve. Besoj se akademikëve kosovarë u ka mbetur aq dinjitet dhe nderë sa për ta aktivizuar një autoritet të tillë moral dhe shkencor mbi Drejtësinë e korruptuar, i cili, përveç rolit këshillues do të duhej ta kishte edhe të drejtën e ndërhyrjes në sistem, atëherë dhe aty ky Drejtësia shkelet dhe përdhoset.

E, midis krejt këtij dëshpërimi, vërtetë a ka shpresë për ne?
Mendoj se kurrë nuk është vonë për një fillim të ri. Për një prerje nga e kaluara. Ne duhet t’i flakim tej të gjitha hipotekat dhe paragjykimet e së kaluarës. Nëse deri më tani kemi provuar sa e sa herë ta ndryshojmë sistemin Arsimor, dhe rrjedhimisht, edhe sistemin e Drejtësisë, dhe këtë s’e kemi arritur dot, mendoj se duhet provuar sërish e sërish.

Ylli i fatit tonë të mirë ekziston edhe për ne në këtë univers.

Të dua më fort se natyrën

Yevgeny Yevtushenko

Ty të dua më fort se natyrën,
Se natyra e gjallë je vetë,
E lirisë ti je shëmbëlltyrë,
Por pa ty dhe liria më vret.

Ty të dua aq fort i shkujdesur,
Sa rrëpira më duket si shteg.
Të pamundurën askush s’e ka prekur,
Dashuria ime e prek.

Ty të dua, të dal’ku të dalë,
Dhe kur pi dhe kur bëhem brutal,
Ty të dua dhe as bëhet fjalë,
Përmbi egon e shenjtë do dal.

Ty të dua më fort se Shekspirin,
Se të dheut këtë bukuri,
Se muzikën pa fund të efirit,
Se muzikë e libër je ti.

Ty të dua më fort se lavdinë
Që kaloi e atë që po vjen,
Se të ndryshkurën perandorinë,
Mëmëdhe s’ësht’ajo,por ti je.

Je fatkeqe? S’pranon ti mëshirë?
Lodhe Zotin me lutjet e tua.
Ty të dua përmbi lumturinë,
Më fort se dashurinë të dua.

‘Plazma keksat nuk janë emblemë e statusit social, pra nuk janë Iphone, Timberland, Nike’

Rrahman Paçarizi

Keksat “Plazma, prodhim i kompanisë “Bambi” (hopa qysh po e ditkam) nga Pozharevci janë tashmë sinonim I produkteve nga Serbia. Plazma keksat kanë një histori në Kosovë – ishin ushqim për foshnjat dhe fëmijët, por jo për të gjithë.

Plazma keksat ishin koxha elitarë në mesin e keksave që shiteshin në ish-Jugosllavi, shumë më të shtrenjtë se për shembull keksat e Kestlinit nga Maqedonia, të Minexit të Ferizajt apo të llojeve të tjera të keksave pa firmë, ku shkruante vetëm “Petit beurre” e që shiteshin me kilogramë, ndryshe nga paketimi ekskluziv i Plazma keksit. Pra, Plazma keksat përcaktonin edhe statusin social të blerësve. Një skeç i Cimës në ish-RTP i bëri edhe më të famshëm Plazma keksat (Pllazma keksat, siç shqiptohen në Kosovë).

Siç duket, jo vetëm paketimi që luan rol të rëndësishëm pr shitjen e një produkti të ngulitur në mendjen e konsumatorit dhe as cilësia (pasi receta e “Sempre”-s që e prodhon “Liri” i Prizrenit është e njëjtë me atë të “Plazma”-s), por statusi social që kishte Plazma keksi ka bërë që shqiptarët e Kosovës le që të mos mund të jetojnë pa plazma, por të ndiejnë keqardhjen për pjesën tjetër të globit që jeton dhe rrit fëmijët pa plazma.

Unë ende tmerrohem kur e kujtoj qershorin e vitit 1999, kur forcat serbe të kapitulluara tashmë ende endeshin nëpër rrugët e Kosovës dhe unë me Miniren e Laurin njëvjeçar teksa po shkonim për të parë nëse kishin shpëtuar anëtarët e familjes së gruas sime u ndalëm për të blerë qumësht për djalin dhe i vetmi qumësht që gjendej ishte qumështi i Beogradit. Po e përsëris, askund tjetër por në zemër të Drenicës, vetëm pak ditë pasi kishte mbaruar lufta kishte qumësht taze të sjellë nga Beogradi dy ditë më parë, domethënë pas përfundimit të luftës dhe jo qumësht që kishte mbetur në rafte.

Kjo kujtesë më bën t’i shoh gati absurde vendimet e fundit tëe qeverisë së Kosovës – jo se më dhimbset Serbia që e dëmtuakemi me taksat tona, por sepse tash e njëzt vjet Serbia është dashur ta kishte tashmë të vënë taksën jo 100 por 1000 për qind, jo nga qeveria, por nga qytetarët e Kosovës. Në një situatë të tillë nuk do të ishim ne ngucakeqët, pasi qeveria do të mund të shpallte politikë të taksave zero për prduktet nga Serbia, të cilat qytetarët e vetëdijesuar e patriotë nuk do t’i blinin.

Vendimet euforike janë me rrezik dhe nëse ky është vendim i tillë atëherë është i gabueshëm. Nëse është vendim me të cilin Kosova një herë në historinë e saj ia kallxon dhëmbët Serbisë, taktikisht mund të prodhojë ndonjë efekt pozitiv (duke mos qenë njohës i ekonomisë, nuk besoj më shumë sesa një mobilizim të brendshëm). Varianti i tretë është pengimi i vazhdimit të dialogut me Serbinë, që i bie të jetë një veprim stretgjik në luftën e pashpallur ende ndërmjet presidentit dhe qeverisë.

Çka ka ndodhur deri më tash? Thaçi nuk është deklaruar fare, por ia kanë zënë derën ambasadorët e Quintit. Nuk janë deklaruar amerikanët, britanikët dhe gjermanët. Mogerini ndërkaq është shqetësuar për dështimin e vazhdimit të dialogut, pasi Vuçiqi ka thënë se dialogu nuk vazhdon pa heqjen e taksës prej 10 për qind madje. A ka instrumente Kosova për ta ndaluar Thaçin në punë të dialogut dhe çka ndodh nëse ndërpritet dialogu? Këto janë pyetje të rënda për t’iu dhënë përgjigje vogëlsitë tona, pasi i gjithë procesi është aq jotransparent saqë, vështirë se mund t’i japin përgjigje kryeministri e zëvendësminstrat e tij, e madje as ministri i jashtëm. A duhet të qajnë liderët institucionalë të Kosovë për dështimet e njëpasnjëshme apo të ndërmarrin veprime? Sigurisht që të ndërmarrin veprime, por veprime të menduara mirë. Zyrtarë të qeverisë po thonë se vendimi i fundit nuk ishte i atypëratyshëm, por i menduar dhe i studiuar në detaje. Pasi ua kemi besuar votën, po u besojmë edhe këtu.

Mirëpo, Vuçiqio sërish u dhodh në ofensivë – e ndërroi diskursin triumfalist të një dite më parë dhe me lutjet që i bën për fqinjësi të mirë e mirëkuptim, duke derdhur madje edhe lot e duke u bërë sikur Serbia do të gjunëzohet nga goditja që i bëhet 3 për qindëshit të eksportit të saj, po fiton poena politikë me diskursin që mbështetet në fqinjësi të mirë.

Megjithatë, vendimi i qeverisë për vënien e taksave 100 për qind ndaj produkteve serbe është një sallto mortale. Salltot mortale kanë dy rezultate: janë akrobacione me të cilat gjimnasti e fiton zemrën e publikut dhe medaljen e artë ose nëse shkojnë keq gjimnasti e thyen qafën, pandaj janë sallto mortale. Krejt çka du me shpresu në këtë mes është që të lutem si të gjithë shqiptarët konspirativë “ishalla janë marrë vesh me Amerikën, Anglinë e Gjermaninë!”

Morali i rrëfimit:

Plazma keksat nuk janë emblemë e statusit social, pra nuk janë Iphone, Timberland, Nike etj. Nga 7.53 miliardë njerëz sa llogaritet që jetojnë në Tokë, nja 7 miliardë e 522 milionë syresh nuk e kanë provuar kurrë plazma keksin dhe jetojnë të lumtur ose të palumtur, por jo për shkak të mungesës së plazma keksit;
Me papërgjegjësinë tonë (paaftësinë për t’u marrë vesh mes vete dhe rezultatet e dobëta në planin ndërkombëtar) Serbisë po ia blejmë një veshje prej qengji të pafajshëm. Serbia është ujku që në ia turbullojmë ujin poshtë rrjedhës, por kush na beson se. / KultPlus.com

‘S’kam ditë se e dini guhën e magarit’

Sokrati niherë kish dalë e po i thrret popullin për me i tubue e me u thanë diçka e po do me i msue [me i ndalë mallnat e Serbisë]. Askush nuk avytej te ai dhe as qi ja vnojshin veshin se shka po flet. Kur e pa punën kshtu Sokrati, ja nisi e po pllet si magar.

Tânë populli (politikanët) u tubue rreth tij.

— M’falni, bre burra, — ua bani Sokrati, — unë nuk e kam ditë se e kuptoni ket guhë, se moti u kisha folë kshtu.

(Marrë nga Agim Morina / Facebook )

Përjetim artistik i Skënderbeut në kulturën italiane, franceze dhe shqiptare

Gjergj Kastrioti Skënderbeu, ka qenë një figurë frymëzuese e shumë krijuesve letrarëve, skulptorëve të ndryshëm si dhe kompozitorëve në periudha të ndryshme, në veçanti të periudhës se Barokut. Poetë dhe shkrimtarë të ndryshëm, kompozitorë të asaj periudhe kanë shkruar poezi, drama muzikore, komedi dhe tragjedi për Skënderbeun. Lista e veprave të luajtura rrallë të Antonio Vivaldit përfshin operën “Skënderbeu”, që u luajt fillimisht në “Teatro della Pergola” në Firence të Italisë më 22 qershor 1718. Autori i libretit ishte Antonio Salvi da Lucignano. Opera u luajt me rastin e rihapjes së teatrit, “Teatro della Pergola”, i cili është në një institucion artistik me shumë emër i teatrove fiorentine.

Vetëm disa nga ariet e Vivaldit nga opera mbetën në Torino, Itali, së bashku me libretin që është arkivuar në një bibliotekë në Bolonjë. Një opera tjetër për Skënderbeun kanë shkruar dy kompozitorët François Rebel dhe François Francouer. Opera “Skënderbeu” e François Rebel dhe François Francouer është shfaqur në Francë në 1735, 1763.

Në vitin 1735 kjo opera është shfaqur në Paris. Libretist ishte Antoine Houdar de la Motte. Opera “Skënderbeu” e Rebel dhe Francouer është luajtur edhe më 22 tetor në vitin 1763 në Francë, në Fontainebleau. Opera e tretë për “Skënderbeun”, e ka kompozuar Bernard Germain Comte de Lacepede (1765-1805).

Ai ka qenë natyralist dhe politikan. Lacepede ishte gjithashtu kompozitori i pesë operave. Një nga këto është opera “Skënderbeu”. Opera nuk u luajt asnjëherë, pasi që Lacepede për disa arsye e ka prishur atë. Opera “Gjergj Kastrioti, Skënderbeu” e Prenkë Jakovës, u shfaq më 17 Janar 1968. Opera e Prenkë Jakovës qe një nga kulmet e veprimtarive përfshirë në festimet e jubileut 500 -vjetorit të vdekjes të Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti, Skënderbeu, të zhvilluara në atë rast. Me rastin e 550- vjetorit të vdekjes Gjegj Kastriotit, Skënderbeu-Hero Kombëtar, ditën e shtunë më datën 24 nëntor në bibliotekën “Marin Barleti” në Shkodër do të zhvillohet aktiviteti me titull “Përjetim artistik i Gjegj Kastriotit, Skënderbeu në kulturën italiane, franceze dhe shqiptare”. Në aktivitet do të referojnë dr. Edmond Buharaja, Universiteti i Arteve Tiranë dhe Qamil Gjyrezi, studiues i muzikologjisë.

Efi Gjika realizon provën e parë në Eurovizion (VIDEO)

Vogëlushja Efi Gjika ka realizuar kësisoj provën e parë në Junior Eurovision 2018 – konkursin e Eurovizionit për fëmijë.

Gjika do të përfaqësojë Shqipërinë në këtë garë, në spektaklin që zhvillohet këtë vikend.

Prova e saj e parë me këngën Barbie në skenën e Junior Eurovizion është komentuar pozitivisht. Ajo po qëndron në Minsk, atje ku edhe po mbahet gara.

Efi do të këndojë e katërta në festival, me 25 nëntor. Efi është vetëm 10 vjeçare ndërsa mbetet një talent i fuqishëm dhe zë i fuqishëm në këtë garë simpatike për fëmijë. / KultPlus.com

Dehu

Charles Baudelaire

Njëri duhet gjithmonë të jetë i dehur
Kjo është gjithçka që vlen
Kjo është nevoja jonë e parë e ngutshme
Që të mos ndjesh barrën e tmerrshme të kohës
E cila të thyhen supet dhe të përkulë ty përdhe
Ti duhet të dehesh pa pushim
Por me çka
Me verë, poezi, apo dëlirësi
Si të zgjedhësh ti
Por dehu
Dhe nëse ndonjëherë
Në shkallët e një pallati
Në barin e gjelbër të ndonjë hendeku
Në vetminë shkretane të dhomës tënde
Ti përmendesh dhe dehja me kohë është larguar
Pyet erën, dallgën, yjet, orën
Këdo që vrapon
Këdo që kuis
Këdo që vërtitet
Këdo që këndon
Këdo që flet
Pyeti ata
Sa është ora
Dhe era, dallga, yjet, zogjtë, dhe ora
Të gjithë ata do përgjigjen
Është ora të dehesh
Që ti të mos bëhesh skllavi martir i kohës
Dehu, dehu
Dhe kurrë mos ndalo për pushim
Me verë, poezi, a dëlirësi
Si të zgjedhësh ti

‘Fshati i Fëmijëve’ fiton çmimin ndërkombëtar RIBA 2018

Projekti për shkollën Canuana, i njohur si Fshati i Fëmijëve (Children Village) nga arkitektët brazilian Aleph Zero dhe Rosenbaum ka fituar çmimin ndërkombëtar RIBA për vitin 2018.

I vendosur buzë një pylli, në pjesën veriore të Brazilit, ky kompleks i ri shkollor ofron strehim për 540 fëmijë që ndjekin shkollën Canuanã. Fshati i Fëmijëve u bë i njohur për vizionin dhe imagjinatën artikitekturore të cilën e përdori si një mjet për transformimin e shoqërisë, transmeton Ndëritmi.info.

Duke kombinuar një estetikë bashkëkohore me teknikat tradicionale, Fshati i Fëmijëve është përshkruar nga juria si ‘objekt folklorik brazilian’. Objekti është ndërtuar me kosto efektive dhe është rezistent ndaj ndryshimeve klimatike.

“Jemi të lumtur që kemi marrë çmimin ndërkombëtarë RIBA për vitin 2018. Është gëzim të shohim fëmijët që e përvetësojnë ndërtesën dhe e përshtatin hapësirën në bazë të nevojave të tyre”, janë shprehur drejtorët e Aleph Zero, Gustavo Utrabo dhe Pedro Duschenes në një prononcim per Arch Daily.

E për çmimin folën edhe drejtorët e kompanisë së njohur Rosenbaum, Marcelo Rosenbaum dhe Adriana Benguela, njëherish bashkëpunëtorë të “Fshatit të Fëmijëve”, duke thënë se ky çmim e forcon kuptimin e arkitekturës për transformim shoqeror.

“Jemi të nderuar që kemi pranuar çmimin ndërkombëtar të RIBA-s. Ky çmim e forcon kuptimin mbi arkitekturën si një mjet për transformimin shoqëror, si një mjet që tejkalon ndërtimin dhe krijon një lidhje të thellë mes të rinjëe dhe paraardhësëe”, u shprehën drejtorët e “Rosenbaum” Marcelo Rosenbaum dhe Adriana Benguela.

Çmimi Ndërkombëtar RIBA ndahet çdo dy vjet për një ndërtesë që ilustron përsosmërinë e projektimit dhe ambicies arkitektonike dhe që ka ndikim në shoqëri.

Muaj më parë Instituti Mbretëror i Arkitektëve Britanikë (RIBA) pati shpallur listën e ngushtë të katër projekteve finale, që garonin për çmimin ndërkombëtar “RIBA 2018”.

Ato ishin Universiteti Qendror i Evropës nga O’Donnell + Tuomey, Fshati i fëmijëve nga Aleph Zero + Rosenbaum, Shkolla e Muzikës Toho Gakuen nga Nikken Sekkei dhe Il Bosco Verticale (Pylli vertikal) nga Boeri Studio./ Ndërtimi.info / KultPlus.com

Vjollca Robelli, me bebe në krah bën provat për koncert

Këngëtarja Vjollca Robelli nuk e harron lehtë këngën “Ajo”.

Njëjtë, këtë këngë nuk e harrojmë as ne aq lehtë. Po këtë këngë Vjollca e ka përzgjedhur ta ushtrojë derisa po bën provat për koncertin e radhës.

Ajo do të jetë pjesë e një paraqitjeje në Londër, me 25 nëntor.
Në një video në Instagram, Vjollca ushtron me pianisten e saj derisa në krah mbanë fëmiun e saj, diçka që nuk ndodhë shpesh te këngëtarët shqiptarë.

Në Theatre of Brent Civic Centre në Londër, me 25 nëntor koncerti fillon në ora 17:00 në kuadër të Albanian Culture Week UK, në Wembley.
Vitin tjetër Vjollca do të promovojë albumin e saj të radhës, në Londër. / KultPlus.com

Dashuria, sufizmi dhe dy vepra letrare do të jetësohen nga regjisorja Zana Hoxha Krasniqi

Gili Hoxhaj

Veprën “Destur” e Musa Ramadanit me veprën “Dyzet rregullat e dashurisë” të Elif Shafak i takon një histori e njëjtë. Regjisorja Zana Hoxha- Krasniqi ka përplasur filozofinë e të dyjave veprave në dramaturgjinë e shfaqjes “Destur- Blasfemi e ëmbël”, që do të vijë në mes të dhjetorit në Prishtinë.

Veprat si të tilla gjurmojnë për dashurinë e inspirimin.

Aty tempulli kryesor është zemra, flitet veç me gjuhën e dashurisë e mesazhi si universal mbetet i përjetshëm. Historia ka në fokus dy personazhe që përmes ndikimit tek njëri-tjetri kanë lënë gjurmë në jetën e shumëkujt që i ka rrethuar, e këtë ndikim e kanë shtrirë fuqishëm tek secili që e ka lexuar historinë e tyre. Shamsi i Tabrizit është në kërkim të Rumiut dhe tregon rolin e dervishit në shndërrimin e klerikut të famshëm, por aspak të lumtur, në një poet pasionant dhe mbrojtës të dashurisë.

Përmes këtij komunikimi e ndërveprimi me anëtarët e tjerë të familjes e rrethit shoqëror, teksti flet për një filozofi të lashtë mbështetur në bashkëjetesën mes njerëzve e kulturave si dhe për praninë e dashurisë në brendësinë e secilit.

Rumi, deri atëherë një predikues i respektuar që ka pasur gjithçka përveç dashurisë, me takimin e Shamsit bën që ai të rigjejë vetën në botën që e përmbushë. Ani pse ai e humb kredibilitetin e pozitën e tij, ajo çfarë gjen në brendësi të shpirtit bën që të braktisë gjithçka tjetër.
Regjisorja e shfaqjes, Zana Hoxha- Krasniqi, tregoi se në gërshetimin e këtyre dy veprave ka ndjekur strukturën e veprës “Destur” të Musa Ramadanit kurse në përmbajtje dhe në personazhe kontributi kryesor vjen nga vepra “Dyzet rregullat e dashurisë” të autores turke Elif Shafak. Ajo thotë se këtë e ka bërë pikërisht për faktin se këto personazhe komunikojnë bindshëm edhe me audiencën e sotme.

Në një intervistë për KultPlus, Zana Hoxha- Krasniqi tregon se qëllimi i inskenimit të kësaj historie që lidhet dhe me sufizmin, është që ta kthejë magjiken në teatër duke bartur mesazhet për paqen e dashurinë e duke larguar paragjykimet për sufizmin. Duke qenë se ajo vetë vjen nga një familje sufiste, ka vendosur që të bëjë dramaturgjinë e shfaqjes, pasi duke e vendosur këtë temë më tepër në rrafsh personal ajo e përjeton me thellë atë. Lidhur me këtë, Hoxha- Krasniqi thotë se shfaqjet më të mëdha kanë dalë kur regjisorët i kanë pasur duart e lira që të ndërhyjnë në tekst por duke mos abuzuar e duke mos shkelur asnjëherë mbi tekstin.
“Duke qenë se nëna e nënës sime vjen nga një familje sufiste, e kam kuptuar si një filozofi që ta ndriçon mendjen dhe zemrën. E kam konsideruar se është shumë e rëndësishme ta bart një ndjenjë të tillë në kohën të cilën jetojmë. Kur e morra të punoj në veprën “Destur”, i thashë Agon Myftarit se me shumë dëshirë do të punoja me kushtin që ta bëj një kombinim të dy veprave pasi që e plotësojnë njëra-tjetrën. E pashë që është e pamundur të gjesh një dramaturg pasi që unë e përjetojsha si diçka përtej fesë dhe kam dashur që ky mesazh të arrijë i tillë tek secili”, tregoi Zana Hoxha- Krasniqi.

Zana Hoxha Krasniqi synon të sjellë në TKK një botë ku sundohet me rregullat e dashurisë

Aktorët që do të luajnë në këtë shfaqje janë Çun Lajçi, Shkelzen Veseli, Anisa Ismajli, May-Linda Kosumovic, Semira Latifi, Armend Smajli, Edlir Gashi, Basri Lushtaku, Kushtrim Qerimi, Selman Jusufi, Flamur Ahmeti, Mikel Markaj dhe Armend Balazhi.

Aktorët të cilët po punojnë me Zana Hoxha-Krasniqin nuk kanë pasur mundësi që të njoftohen tërësisht me veprën nga dita e parë. Çdo ditë të punës, ajo u ka ndarë vetëm nga një copë të tekstit duke krijuar një proces ndryshe të punës.
“Procesi ka qenë interesant pasi që çdo ditë janë ushqyer me nga një copë të tekstit, e cila mandej ka sjellë diçka të re. I falënderoj për besimin që ma kanë dhënë sepse nuk është gjithmonë e lehtë t’i besosh regjisores pa e ditur në tërësi se çfarë do të sjellë”, u shpreh Zana Hoxha- Krasniqi.

Ajo thotë se për këtë shfaqje e ka pasur tejet të nevojshme të bashkëpunojë me aktorë të cilët përmes roleve duan të inspirojnë publikun të bëhen njerëz më të mirë.
“Në këtë proces për mua ka qenë e rëndësishme të punoj me aktorë që i besojnë kësaj qasje, për të krijuar diçka të bukur bashkë, pa paragjykime dhe pa frikë por me u zhytë bashkë në këtë proces kështu që jam e lumtur që për dy javë kemi arritur këtë proces”, tha mes të tjerash regjisorja.
“Vallja e dervishëve fluturues” vjen me një shfaqje kontemporane me koreografi të Robert Nuhës.
Po ashtu, në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës do të vijnë edhe rituale të tjera të sufizmit. Për t’i përjetuar në skenë e për t’i transmetuar të tilla, ekipi i shfaqjes kanë qenë të pranishëm në një “ziqër” te Teqja e Sheh Eminit në Gjakovë.
“Në shfaqje kemi vallëzimin e dervishëve fluturues dhe shumë “ziqrave” të cilat janë shumë aktual dhe janë pjesë e sufizmit pasi fjala “ziqër” do të thotë përmendje dhe bëhet me qëllim që të përmendet Zoti, për t’i inspiruar njerëzit”, pohoi Zana Hoxha- Krasniqi.

Zana Hoxha-Krasniqi përmes kësaj shfaqje synon që kur të hapen e mbyllen perdet, historia të mbetet në teatër.
Tash për tash, e shkëputur nga angazhimet e tjera, ajo këtë shfaqje e cilëson si më të rëndësishmen në karrierën e saj prej regjisoreje, ndërsa thotë se ndihet e lumtur që ka arritur t’ia dhurojë gjithë kohën e nevojshme për të arritur qëllimin që synon.
“Për mua shfaqja tani është prioritet, kjo nuk është një shfaqje më tepër, një proces paralel, një honorar por është një proces të cilin jam duke e shijuar shumë”, tha krejt në fund Zana.
Shfaqja do të përcillet me muzikë të kompozitorit Memli Kelmendi dhe skenografi e kostumografi të bullgares Youliana Voykova Najman. Asistente e regjisë është Flutura Çelaj.

Publiku i Prishtinë, këtë shfaqje të finalizuar mund ta shohë me 17 dhjetor në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Pas premierës në këtë datë, reprizat e para vijnë më 18 dhe 19 dhjetor 2018./ KultPlus.com

Kosovarët e kanë befasuar disa herë Azerbajxhanin

Meqë ende jemi në euforinë e festës se Kosova fitoi mbrëmë në lojën e saj futbollistike me Azerbajxhanin, ia vlen të kujtohet një tjetër ‘dyluftim’ mes shqipeve dhe vendit të zjarrit.

Pikërisht në Azerbajxhan, në vitin 2012-të, për herë të parë një kosovare përfaqësoi Shqipërinë në Eurovizion, dhe u pozicionua gati sa golat e Kosovës kundër Azerbajxhanit.

Katër gola nga Kosova, ndërsa Rona Nishliu me “Suus” morri vendin e pestë në Azerbajxhan, shumë afër vendit të katërt deri në momentet e fundit.

Mbrëmë Kosova e mundi Azerbajxhanin për të vazhduar kësisoj rrugëtimin në Ligën e Kombeve UEFA.

Ia vlen të përmendet kjo paralele mes Kosovës e Azerbajxhanit, kur Rona dha emocionet e saj në skenën e njohur në Baku të Azerbajxhanit.

Në anën tjetër, presim ballafaqimin e radhës të ekipit nga Kosova në këtë rrugëtim, njëjtë sikur presim edhe debutimin e Kosovës në Eurovizion, shumë shpejtë. / KultPlus.com

Kapiten, u kry!

Kosova sapo ka përfunduar me rezultat 4:0 lojën e saj me Azerbajxhanin, duke vazhduar kësisoj rrugëtimin në UEFA NATIONS LEAGUE.

Ekipi kosovar ka shkëlqyer, në stadiumin që mban emrin e legjendës Fadil Vokrri.

Në këtë formë, aktualizohet thënia KAPITEN, U KRY!, në nderim të Fadil Vokrrit, njeriut që i dha sportit shqiptar gjithçka nga vetja. / KultPlus.com

‘Peizazhet’ e Sejdi Kapllanajt shpalosin vuajtjen dhe fortësinë e popullit shqiptar

Arbër Selmani

Muret e galerisë janë të mbushura me peizazhe. Ato janë të bukura, por ti cilësosh vetëm si të tilla tingëllon ofenduese ndoshta, për artistin që i krijoi. Dy herë nga 365 ditë iu deshën Sejdi Kapllanajt që peizazhet, mbi 40 të tilla, ti përthekojë në një ekspozitë e cila sonte u hap në Prishtinë.

Në motin me shi të pasdites, në temperaturën 10 gradë jashtë, brenda në Galerinë e Ministrisë së Kulturës erdhën jo larg njëra tjetrës peizazhet e Kapllanajt, pjellë e imagjinatës së artistit dhe peizazhe që pos bukurisë, kanë brenda tyre vuajtje dhe histori shqiptare, getoizim shqiptar që ka nisur moti e që po vazhdon edhe sot.

“Të gjitha këto peizazhe janë vuajtja e popullit shqiptar ndër vite. Ka shumë vuajtje dhe mundim brenda tyre, por janë të gjitha të imagjinuara dhe më kanë ardhur si inspirim sidomos me stinën e vjeshtës. Ka dy vite që po punoj për këtë ekspozitë dhe sot jam i lumtur që këto ‘shkarravitjet’ e mia vijnë para publikut” tregon artisti Sejdi Kapllanaj për KultPlus.

Kapllanaj, me një bagazh prej rreth 25 ekspozitave personale, kësaj radhe ‘ateroi’ në Prishtinë, me peizazhet e tij ngjyra ngjyra, e shpesh edhe lineare, piktura në një vijë të drejtë që herë të japin përshtypjen se kanë një histori e skenar prapa tyre, e herë të duket se thjeshtë kanë humbur rrugën e janë parkuar në këtë galeri simpatike.

Siç thotë edhe kuratori i ekspozitës, subjekti i artistit në këtë ekspozitë është natyra, ashtu siç e ka krijuar Zoti.

“Kjo është ditë e madhe për artistin, pasi ai sjellë peizazhet e Dukagjinit dhe jo vetëm. Pjesa dërrmuese e këtyre pikturave variojnë nga stili ekspresionist abstrakt e deri te arti modern, ku gërshetohen këto forma” tregon Jeton Rexhepi, kurator i ekspozitës, i cili e ka bashkangjitur edhe një tekst kuratorial mbi këtë ekspozitë.
Në një formë, ekspozita është një stinë vjeshte që ka histori përmbajtësore të popullit shqiptar. Lisi është kryefjala, me fortësinë e tij edhe përkundër erërave dhe fortunave natyrore. Ai qëndron palëkundshëm.

Ekspozitën e ka përshëndetur edhe piktori Esat Valla, duke uruar që inspirimi i artistit Kapllanaj të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Kapllanaj ka lindur në Gllarevë të Klinës. Ekspozita e tij po vazhdon të qëndrojë e hapur në Galerinë e Ministrisë së Kulturës në Prishtinë. / KultPlus.com

Dashunija ndaj prindëve

Ndre Mjeda

Me sy çilun afër djepit,
Me kujdes e me dashtni,
Për vaj tem tue hjekun zi,
Tue shëndue kur m’shifshi n’shend.

Babë e nanë sa keni derdhë
Mbi shteg tem e hirë e dritë;
Ah, sa mirë m’keni gatitë
Për çdo kohë e për çdo vend.

Ju ma ndez’t nji flakë në zemër
Për punë t’nalta e për lumni
Për ju pra, o prind’t e mi,
Mend e zemra më lakmon.

Filmi ‘Martesa’ prezantohet para anëtarëve të Akademisë OSCAR

Filmi i metrazhit të gjatë “Martesa” u prezentua para votuesve të garës Oscar për filmin më të mirë në gjuhë të huaj të Akademisë Amerikane të Filmit

Filmi “Martesa”, i përkrahur nga Qendra Kinematografike e Kosovës u prezentua në 3 shfaqje para anëtarëve të Akademisë Amerikane të Filmit në tetor dhe nëntor të këtij viti, pas përzgjedhjes së filmit Blerta Zeqirit për ta përfaqësuar Kosovën në garën Oscar për filmin më të mirë në gjuhë të huaj.

Në shfaqjen e së shtunës së kaluar në Los Anxhelos, shikuesit, në mesin e të cilëve kishte edhe anëtare të Akademisë Oscar, patën mundësi të bisedojnë me regjisoren e filmit Blerta Zeqiri, producentin Keka Kreshnik Berisha dhe drejtoren e fotografisë Sevdije Kastrati në një seancë të pyetjeve dhe përgjigjeve.

Filmi “Martesa” është përzgjedhur nga komisioni kosovar ta prezentojë Kosovën në garën për filmin më të mirë të huaj, ku anëtarë të përzgjedhur të Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Filmit (AMPAS) do ta kenë mundësinë të votojnë në fazën e parë të votimit për filma të metrazhit të gjatë të propozuar nga 87 shtete. Faza e parë e votimit do të rezultojë në një listë të shkurtër prej 9 filmash që do të bëhet publike në mesin e muajit dhjetor, kurse faza e dytë e votimit do të përfundojë në janar, kur edhe prezentohen 5 filmat e nominuar për garën Oscar, që do të kurorëzohet me shpalljen e fituesit në ceremoninë e ndarjes së çmimeve më 24 shkurt të vitit të ardhshëm.

“Gara për filmin më të mirë të huaj është garë jashtëzakonisht e vështirë, pasi që jemi kundër regjisorëve me të mëdhenj botërorë dhe njeherit fituesve të festivaleve më të mëdhenj botërorë, si atij të Kanës, Berlinit dhe Venedikut. Megjithatë, sado të vogla t’i kemi gjasat kundër gjigantëve botërorë të kinematografisë, ne duhet ta promovojmë sa më shumë filmin tonë dhe Kosovën te anëtarët e Akademisë Oscar që ta rrisim mundësinë për ta kaluar fazën e parë të votimit”, tha Blerta Zeqiri, regjisorja e filmit Martesa.

Përveç “Martesës” dhe konkurrimit të këtij filmi të gjatë në garën e filmit më të mirë të huaj, në konkurrencën e sivjetme të çmimeve Oscar për filmin më të mirë të shkurtër kanë kualifikuar edhe filmi “Gardhi” i Lendita Zeqirajt dhe “Ajo” i More Raçajt. / KultPlus.com

Lorik Cana, Ermal Meta e Kledi Kadiu, së bashku në koncertin në Romë

Në mbrëmjen e veçantë e cila solli artistët shqiptarë në Romë, për të kujtuar heroin shqiptar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, ishte i pranishëm edhe Kledi Kadiu.

Një tjetër emër për të cilin shqiptarët janë krenarë, Kadiu është fotografuar në Romë në koncertin madhështor, krahas fytyrave tjera si Dua Lipa e Ermal Meta.

Koncerti madhështor erdhi në nderim të Skënderbeut ndërsa figura të rëndësishme të diplomacisë artistike e kulturore shqiptare në botë u bashkuan në këtë mision.

Erza Muqolli, Dua Lipa, Inva Mula dhe emra të tjerë u bashkuan në këtë koncert mbrëmë. / KultPlus.com

Dua Lipa këndon ‘Homesick’ në koncertin për Skënderbeun në Romë (VIDEO)

Në Romë po mbahet një koncert i veçantë në nderim të Skënderbeut.

Zërat e mëdhenj të muzikës shqipe janë bashkuar në një koncert madhështor.

Në mesin e emrave që po performojnë është edhe Dua Lipa, zëri më aktual në muzikën botërore momentalisht. Ajo ka sjellë mes këngëve tjera, edhe “Homesick”.

https://www.youtube.com/watch?v=8UZWU0dSbHM&feature=youtu.be

Ky manifestimi bëhet në kuadër të vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut, me kërkesë të kreut të Misionit Diplomatik të Shqipërisë në Selinë e Shenjtë, Majlinda Dodaj, Papa Françesku do të takojë përfaqësues të popullit shqiptar në Vatikan, të cilët do të shoqërohen nga autoritetet e larta të Qeverisë shqiptare dhe nga liderët e të gjitha besimeve fetare.

Në ndërkohë do t`ju sjellim momente tjera nga emrat që sonte do të performojnë në koncert.

Performanca e Elhaida Danit në koncertin për Skënderbeun në Romë (VIDEO)

Në Romë po mbahet një koncert i veçantë në nderim të Skënderbeut.

Zërat e mëdhenj të muzikës shqipe janë bashkuar në një koncert madhështor.

Poshtë po e sjellim një moment nga performanca e Elhaida Danit me këngën “Adagio” nga Lara Fabian, në këtë koncert.

Ky manifestimi bëhet në kuadër të vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut, me kërkesë të kreut të Misionit Diplomatik të Shqipërisë në Selinë e Shenjtë, Majlinda Dodaj, Papa Françesku do të takojë përfaqësues të popullit shqiptar në Vatikan, të cilët do të shoqërohen nga autoritetet e larta të Qeverisë shqiptare dhe nga liderët e të gjitha besimeve fetare.

Në ndërkoë do t`ju sjellim momente tjera nga emrat që sonte do të performojnë në koncert.

‘E pazakontë: Dëgjova gjuhën shqipe në Radio Televizionin e Serbisë 2’

Milenko Todorovic

Ka disa vite që nuk e ndjek televizionin; ta lodhë trurin, krijon imazh të rrejshëm, thjesht të ngarkon. Për të gjitha që kam nevojë i gjej në rrjet, kryesisht përdor një kompjuter. Disa ditë më parë, krejt rastësisht, derisa po kaloja kah televizori, vura re diçka interesante në transmetuesin publik, diçka që mjaft më tërhoqi vëmendjen. Më duhet të pranoj, ishte pak e pazakontë, dëgjova gjuhën shqipe.

Besoni ose jo, lajme në gjuhën shqipe në Radio Televizionin e Serbisë 2 (RTS 2)! Ditari në gjuhën shqipe ka filluar që nga një tetori të emetohet në Radio Televizionin e Serbisë 2, vite të tëra pasi që ishte ndërprerë. Programi informativ mban emrin “Lajmet”, emetohet nga ora 19:00 dhe përveç nëntitullit të shpicës, i tëri është në gjuhën shqipe. Ironia, çfarë dhurate për shikuesit serbë. Hah, lajme serbe në gjuhën shqipe, por me një përmbajtje pak më të ndryshme në krahasim me lajmet në Serbi në gjuhën amtare. Transmetimi i këtyre lajmeve gjithsesi nuk shihet me sy të mirë nga shumë serbë, por është përgjithësisht e ditur që masa e hipnotizuar pranon atë që i servohet kështu që do ta pranojë edhe emetimin e këtyre lajmeve. A do t’i ndjekin ato pjesëtarët e nacionalitetit shqiptar dhe si do t’i përjetojnë lajmet nga këndvështrimi serb? Çfarë efekti po dëshirohet të arrihet me këto lajme, cili është qëllimi dhe cili është grupi i synuar? Zgjimi i “vetëdijes” dhe hapja e ca horizonteve të reja tek një pjesë e kombit shqiptar apo serb, apo ndoshta tek të dytë?

Lajmet filluan, natyrisht, me vizitën e kryetarit Vučić në Kinë para dy javësh, në të cilën, midis tjerash, falënderoi presidentin Shi Xhinping (Xi Jinping) për mbështetjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Serbisë. Lajmi pasues ishte Samiti i 100 liderëve të biznesit në Evropën Juglindore, të cilin e hapi Ana Brnabić, që më pas narratori të njoftonte për ndërhyrjen e forcave ROSU në Ujman. Mandej pason lajmi për Kadri Veselin e Thaçin dhe tentimet e tyre të pashpresë që të bëjnë çfarëdo të dobishme për shoqërinë kosovare. Çfarë lëvdata për sukseset dhe progresin e Serbisë, dhe se si të tjerët stagnojnë në ekonomi, politikë e në çdo segment tjetër! E pra, kjo ishte më shumë se qesharake, ky ishte një raportim i turpshëm subjektiv. Thjesht, gjërat në terren janë ndryshe.

Unë konsideroj se transmetimi i këtyre lajmeve është thjesht nxitje e një efekti të caktuar politik dhe shoqëror, veçanërisht tek pjesëtarët e nacionalitetit shqiptar. A do të paraqitet me këto lajme një tablo karikaturë e politikës që po zhvillohet në këtë rajon apo ndoshta një imazh i vërtetë, i cili, ja, ndoshta nuk po u transmetuaka në Kosovë? Përmbajtja e emisionit rrëzon supozimin se transmetimi i këtyre lajmeve do të mund të ishte dakorduar ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Përveç disa fjalëve lidhur me aktivitetet e politikanëve shqiptarë dhe serbë, të përmendur më lart, natyrisht, shikuar nga këndvështrimi i gazetarëve serbë, dhe versionit që më duket se është i përshtatshëm për politikën serbe, aq sa mund të vëreja, fokusi i lajmeve ishte kryesisht në forcimin e ushtrisë serbe, modernizimin e saj, ushtrimet që ushtria serbe i bën me partnerët e huaj, si dhe vizita e ministrit Vulin disa njësive ushtarake në Serbi. Pjesa më e madhe e kohës i ishte përkushtuar parakalimit të ushtarëve serbë me armë të reja. Kjo me të vërtetë dukej qesharake – çfarë dëshirohet të arrihet me këtë prezantim, fuqia psikologjike, dëshmimi i superioritetit ushtarak, krijimi i një imazhi të cilin populli shqiptar duhet ta dijë? Dhe po, sa është ky imazh real? Sikur duan të trembin dikë – e kush do të ketë më frikë nga Serbia!

Kontrolli dhe trullosja e popullit përmes medias është diçka legjitime, por krijimi i një imazhi të rrejshëm lë pasoja siç është një konflikt ndërkombëtar. Vetëm establishmenti politik, i cili është futur nëpër kolltuqe, nxjerr të mira nga kjo dhe me instrumente të ndryshme përpiqet që të manipulojë me masën, e mediat janë një nga instrumentet më të rëndësishme për këtë. Ju mbetet juve të vendosni se çka do të shikoni dhe sa do të besoni në tërë atë që do të shihni. / KultPlus.com

( Marrë nga New Perspektiva )

Në Beograd do të shfaqet filmi mbi bombardimet e NATO-s në Kosovë

Filmi që flet për bombardimet e NATO-s në Kosovë po shënon sukseset e tij gjithandej.

Vetëm në javën e kaluar, filmi “Teret” ka triumfuar në disa festivale, përfshirë këtu edhe Festivalin e Filmit në Zagreb.

‘Teret’, ose LOAD në anglisht, me regji nga Ognjen Glavonic, tregon historinë e një vozitësi të kamionit në kohën e luftës në Kosovë, i cili udhëton nga Kosova për në Beograd në një situatë alarmante, shkruan KultPlus.

Vlada, shoferi i kamionit nga Kosova në kohën e bombardimeve të NATO-s

Filmi në anën tjetër ka shkëlqyer edhe në Malatya Uluslararası Film Festivali në Turqi, ku ka marrë çmimin për Filmin më të mirë Ndërkombëtar.

Ndërkohë, në Beograd filmi për herë të parë do të shfaqet me 24 nëntor, duke sjellë para audiencës së Beogradit indirekt edhe historinë e viktimave të luftës në Kosovë.

Në film luajnë Leon Lucev, Pavle Čemerikić, Tamara Krcunović, Igor Benčina dhe Ivan Lučev. / KultPlus.com

U rrita rrugëve

Nga Alma Dema Tërshalla

U rrita
Ashtu unjshëm e pangishëm
Por u rrita!
I lashë flokët sa herë ndër ferra e driza
Kur fëmijërinë time ndër grushta e mblidhja
E nuk qava, as zë nuk nxora
Flokët e mi, aherë ishin me rrodha
Por, unë u rrita
Duke mbajtur me duar kuçedrën brenda meje
Që kullufiste e para thërrimet e skamjes
E unë u rrita
Kah krahut dhe ijeve të pamjes
Duke gërrvisht dregzat gju më gju
Që lëshoheshin kërcijve të guximit rrëke
Shojet e shputave, do më shpinin drejt një dite të re
Për të më rritur
Ende fëmijë..

Ende, rrugës jam
Këmbët po shpij!