Lansohet kënga e re e Dua Lipës dhe BLACKPINK

Është lansuar sot kënga më e re nga Dua Lipa.

Lipa kësaj radhe sjellë një tjetër bashkëpunim me Blackpink Team për këngën “Kiss and Make up”

Blackpink është grup muzikor i përbërë nga Jisoo, Rosé, Lisa dhe Jennie, në stilin K-Pop.

Kënga nuk ka ende videoklip por është publikuar në Youtube dhe tanimë ka 1 milion klikime në shumë pak orë. “Kiss and Make up” do të jetë pjesë e albumit të Dua Lipës. / KultPlus.com

Histori e kujtime të 19 artistëve shpalosen në ekspozitën Çmimi Muslim Mulliqi 2018

Gili Hoxhaj

Rreth 65 artistë i janë përgjigjur pyetjes së kuratores Iara Boubnova se “A janë histori kujtimet tona”, e më pas 19 prej tyre kanë arritur të jenë pjesë e ekspozitës Çmimi Muslim Mulliqi që shënoi sonte hapjen e edicionit të 12-të.

Punimet e këtyre 19 artistëve kishin mbushur muret e të dy kateve në Galerinë Kombëtare të Kosovës.
Mes punimeve të formateve e materialeve të ndryshme që lidheshin me pyetjen se “A janë histori kujtimet tona”, triumfuan punimet e Artan Hajrullahut dhe Valdrin Thaqit.
Juria e këtij edicioni të çmimit “Muslim Mullqiqi” ishte në përbërje të Visar Mulliqit, profesor i pikturës në Fakultetin e Arteve në UP, Dita Starova-Qerimi, drejtoreshë e Galerisë Kombëtare të Maqedonisë dhee Valentina Bonizzi, artiste vizuale.

Valentina Bonizzi para se të ndante çmimet tha se kanë pasur një detyrë mjaft të vështirë pasi që punimet e kësaj ekspozite kanë qenë shumë të arrira artistikisht.
“Kam kënaqësinë që jam në mesin tuaj. Ne si juri me të vërtetë kemi pasur një detyrë të vështirë pasi që ekspozita që do të shihni është shumë e mirë dhe me këtë rast dua t’i përgëzoj të gjithë artistët që janë pjesë e saj dhe drejtoreshën Arta Agani. Përkundër kësaj puna jonë ishte që të selektojmë fituesit”, u shpreh tutje ajo.
Bonizzi e cila foli në emër të jurisë tha edhe disa fjalë për punët fituese të Artan Hajrullahut dhe Valdrin Thaqit, ndërsa theksoi veçanërisht punën e Blerta Hoxhës për instalimin e saj fotografik që përfaqëson tek shikuesit një histori kolektive dhe individuale.

“Dua të shtoj një fjalë për artistët fitues, pra juria erdhi tek ky vendim pasi që vizatimet e Artan Hajrullahut janë një narracion që shprehin një storie unike, që janë një kombinim i kujtimit personal të artistit me përkushtimin e tij për transformimin e realitetit që na rrethon. Ndërsa instalimi metafizik i Valdrin Thaqit fuqizon shpirtëroren kundrejt marrëdhënies eksperimentale të memories”, u shpreh Bonizi.

Puna e Artan Hajrullahut që kishte zënë vend në hapësirën e katit të parë Galerisë përfaqësonte preukopimin e temave të jetës së përditshme dhe nostalgjisë. Vizatimet e tij përshkruajnë skena të përditshme dhe kujtime të fëmijërisë së artistit, ku marrëdhëniet midis qenieve njerëzore dhe objekteve shtëpiake tregojnë histori poetike.

Hajrullahu tregoi për KultPlus se këto punime janë një autobiografi e tij, ku janë të përfshira disa detaje të përditshmërisë, fëmijërisë së tij e që e kanë përcjellë gjatë gjithë kohës.
“Janë detaje ku përmblodha moment të caktuara të jetës e që në çdo punim timin dikush mund ta gjejë veten. Kjo është një kohë e kaluar që sjellë, kujton një të kaluar, qoftë e mirë a e keqe, një e kaluar e imja dhe gjithsecilit tjetër”, u shpreh Hajrullahu.
Ai tha se ndihet shumë mirë që ka fituar këtë çmim, veçmas edhe për fituesin tjetër pasi që është më i ri dhe ky çmim u shërben mjaft mirë për stimulim në artin e tyre.

Në katin e dytë në një skaj një dhomë është e rezervuar për konceptin e Thaqit i cili e ka vendosur atë në një hapësirë të bardhë ku dëgjohet zëri i tij që shpalos atë që ai ka shkruar në formë poetike që është mes metafizikës dhe shpirtërores.
Sipas konceptit të Valdrin Thaqit, kujtesa është një gjë shumë e brishtë, konstruktive dhe rikonstruktive, ku mund të hysh dhe të dalësh dhe mund ta ndryshosh. Sipas tij të gjithë vuajnë nga kujtesa e shtypur dhe pikërisht kjo është sfiduese sepse brengosemi për ato kujtime vetëm kur fillojmë t’i risjellim kujtimet që e sfidojnë realitetin momental.

Thaqi u shpreh për KultPlus se pjesëmarrja në një ekspozitë me këta artistë, ka qenë nder i madh për të, ndërsa zbërtheu edhe më tutje konceptin e hapësirës.

“Koncepti kanë qenë kujtimet, a janë histori kujtimet tona. Unë jam munduar ta bëj një përmbledhje mes kujtimeve të ndrydhura që i kemi brenda vetes. Ideja e instalacionit ka qenë të inkuadrojë publikun bashkë me punën, në mënyrë që publiku dhe vepra të bashkëveprojnë. Ideja e dhomës, ndriçimi që ka qenë më intenziv ka qenë të shkëpus prej botës, të vë në një dimension tjetër menjëherë sapo hyn në dhomë. Të të vë në një ambient tjetër. Dhe tepihu, ideja që të ulesh të shkelësh të ndihesh rehat brenda asaj dhome dhe të dëgjosh zërin tim”, u shpreh Thaqi.
Iniciuar në vitin 2003 nga Ministria e Kulturës e Kosovës për të promovuar artistët vizual në Kosovë, ekspozita e Çmimit Muslim Mulliqi është ekspozita më e rëndësishme për artet bashkëkohore vizuale në Kosovë./ KultPlus.com

Shpallen dy fituesit e Çmimit Muslim Mulliqi 2018

Artan Hajrullahu dhe Valdrin Thaqi janë shpallur sonte fituesit e Çmimit Muslim Mulliqi.

Ekspozita u hap para pak minutash në Galerinë Kombëtare të Kosovës.

Këtë vit ekspozita mban titullin ‘A janë histori kujtimet tona?’.

Historia, kujtesa dhe përkujtimi janë objekt studimi i historianëve, antropologëve, sociologëve, filozofëve, historianëve të artit dhe letërsisë, po aq sa janë edhe shënjestër dhe material për manipulim politik.

Nuk ekziston vetëm një Histori dhe ne po jetojmë në një entropi të Historisë, por a mund ta ruajmë energjinë që mblidhet në “historitë” individuale dhe të vetme? Si është e mundur që historitë tonë të ndara individuale ta formojnë një lloj të historisë së shumëfishtë por njëkohësisht të përbashkët? A është e mundur që në disa vende mund të ketë thjesht shumë “Histori” që funksionojnë në të njëjtën kohë?

Çmimi mban emrin e Muslim Mulliqit, piktorit të njohur ekspresionit nga Gjakova, i cili vdiq në vitin 1998. / KultPlus.com

Feride Rushiti tregon se ende ka rrëfime tronditëse nga të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës

Feride Rushiti nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), ka folur për fushatën “Bëhu Zëri Im”, dhe të gjitha punët që bëhen aty me të mbijetuarat nga dhuna seksuale nga forcat serbe të vitit 1999.

Rushiti në Express Intervistën në KTV, tha se rrëfimi i Vasfije Krasniqit-Goodman, është pjesë e kampanjës “Bëhu zëri im” që shpejt u kthye në “Heshtja bëhet zë”.

Ajo ka folur për rrëfimin e Vasfijes, e ka quajtur heroinë e ka thënë se e ka thyer heshtjen.

“Nganjëherë krijohet përshtypja se kjo kategori nuk vlerësohet fare nga shoqëria, në organizatën tonë, po them se kemi rrëfime edhe më tronditëse se kjo që u dëgjua. Megjithatë, mirë që të gjithë i dhanë epitetin Heroinë, përmes saj të gjitha gratë tjera të mbijetuara morën këtë epitet. Njëra e mbijetuar tha se rrëfimin e Vasfijes “’mund ta quaj “Liberalizim të shpirtit tim’”, tha ajo.

Rushiti, tha se pas këtij rrëfimi, që konsiderohet i pari të jetë publik, kanë pasur kontakte të shumta me persona që kanë dashur të takohen me Vasfijen të cilën tani e quajnë forcë të tyre.

Ajo tha se presin që si Vasfija të marrin guximin edhe gratë tjera.

“Për të ndryshuar qëndrimin në shoqëri duhet kohë, por është mirë që u thye heshtja. Duhet të krijojmë solidaritet ndaj tyre, t’i pranojmë me të kaluarën e tyre. Kemi raste si Vasfija që ishte 16 vjeçare, por ato kanë qenë fëmijë, ka pasur fëmijë që atë kohë ishin 9 vjeçare”, tha ajo.

Rushiti tha se të mbijetuarat e dhunës seksuale nga lufta, kanë ndihma mjekësore, sociale, e të tjera, pasi ka prej tyre që kanë mbetur edhe pa familje.

“Që nga 99-ta, me programe të ndryshme jemi munduar t’i trajtojmë plagët e tyre. Shuma apo kompensimi që filloi këtë vit, nuk është aspak se një mirënjohje. Janë vetëm 230 euro. Është më shumë mirënjohje shpirtërore, që të tregohet se edhe ato kanë vuajtur si kategoritë tjera të dala nga lufta”, tha ajo.

Rushiti, gjithashtu tha se tentojnë t’i adresojnë kërkesat e grave të mbijetuara nga dhuna seksuale.

Për deputetët që kanë votuar kundër ligjit që këtyre kategorive t’i njihet e drejta, tha s’e s’ka qenë vendim i duhur.

“Moment i dhimbshëm momenti kur është dashur të votohet për këtë ligj. Ka qenë dëshira e tyre që t’u njihet e drejta, ato janë produkt i luftës”, tha ajo.

Rushiti, në fund tha se sfida e pika më e dobët tek ato është që nuk po punohet në drejtësi e të zbardhen këto raste. Tha se është keq që nuk u gjykua ende asnjë kriminel.

“S’kemi asnjë kriminel që u ndëshkua për krime gjatë luftës. Vasfija, përveç që i shfaqi dhimbjet e saj, foli edhe për kriminelët dhe për drejtësinë në Kosovë. Ne në bazë të dhënave e dimë që ka shumë nga gratë që janë intervistuar në UNMIK dhe ende s’është zbardhur drejtësia. Janë me të vërtetë shumë të zhgënjyera, kemi një rast që është intervistuar 28 herë. Përmes Vasfijes jemi munduar të zbardhim rastet që janë tek ne”, tha ajo.

Në fund tha se po punojnë shumë që këto gra të kenë qasje në drejtësi.

Historia e Marte Tunaj, gruaja tjetër e cila u dhunua nga forcat serbe

( Botuar me 5 Gusht, 2013 )

Gjilan – Marte Tunaj është gruaja e vetme në Kosovë që ka dëshmuar për dhunimin e kryer gjatë kohës së luftës. Ajo tani ka 65 vite dhe merr një ndihmë prej 96 eurove. Është e befasuar se si tani pas 15 vitesh ende Qeveria, Parlamenti dhe deputetet kanë hamendje se a duhet apo jo të ndihmohet kjo kategori. Po më vije turp kur po i shoh tek shtyhen se a ka apo jo buxhet për të kompensuar gratë e dhunuara shprehet ajo për rajonipress.

Marte Tunaj me prejardhje nga Gjakova është e martuar në Verban të Vitisë dhe ka një histori interesante. Ajo më 30 maj të vitit 1999 ishte maltretuar, keqtrajtuar dhe përdhunuar nga paramilitari Millosh Jokiq ndaj të cilit më 25 shkurt të vitit 2000 ishte ngritur aktakuza për krime lufte kundër popullatës civile në Viti. Në veçanti deklarata e Marte Tunajt se ishte dhunuar nga Jokiqi ishte aq e guximshme dhe trimëruese saqë Jokiq urgjentisht nga forcat e KFOR-it ishte arrestuar.

Por nuk përfundon këtu historia e Marte Tunajt. Ajo e kishte shumë të vështirë që pas luftës t`i rrëfente familjes dhe burrit për tërë atë që i kishte ndodhur me Jokiqin. “E mora guximin dhe i dhashë vetës detyrë që ta denoncoja në polici Jokiqin. E bëra këtë për hir të shumë nënave e grave shtatzëna që ishin keqtrajtuar nga Jokiqi. Burri im e mori vesh tek pasi u bë gjyqi dhe i jam shumë mirënjohës që më përkrahu deri në fund” rrëfen ajo për rajonipress.

Tunaj thotë se guximin për të dëshmuar si grua shqiptare ia fala Kosovës, djalit tim Sherifit i cili ishte pjesëtar i UÇK-së dhe ishte i vetmi i mitur në tërë rajonin e Vitisë.

Ajo së bashku me burrin e saj Vebih Selmanin dhe djemtë ishte pjesëmarrëse e luftës së fundit. Lufta me të mirat e me të këqijat asaj i solli një ngjarje tronditëse. Për shkak të aktivitetit në UÇK të burrit të saj dhe djemve ajo dhunohet nga paramilitarët serb.

Martja tani ka 65 vite dhe merr nga shteti një ndihmë prej 96 eurove. Përcjellë me vëmendje tërë debatin rreth femrave të dhunuara gjatë luftës dhe nuk i vije mirë që dikush flet me paragjykim për këtë kategori. “Jam e befasuar dhe shumë e shqetësuar me ato diskutime në Parlament e Qeveri rreth asaj se a duhet apo nuk duhet të paguhen këto femra të dhunuara. Vërtet është turp për këtë Qeveri e këto institucione që ende pas 15 vitesh diskutohet se a duhet apo jo të kenë ndihma financiare femrat e dhunuara” shprehet Martja.

Ajo thotë se gjatë luftës së fundit e ka fituar diabetin dhe vetëm për një muaj shpenzon mbi 80 euro vetëm për barna.”Nuk jam pishman që u kam dhënë bukë pjesëtarëve të UÇK-së dhe u kam qepur edhe rrobat. E kam bërë me vullnet e dëshirë , por nuk mund të pajtohem me faktin se Qeveria e përkohshme më përzuri nga vendi i punës dhe askush kurrë nuk është përkujdesur për mua” thotë ajo e revoltuar.

Martja thotë se e ka guximin të flas në emër të të gjitha grave të dhunuara që shteti të mendoj dhe të bëjë të pamundurën që tua mundësojë një pagesë dinjitoze. “Është gjynah që femrat e dhunuara të mbesin nën mëshirën e lëmoshës. Ato kanë nevojë për përkujdesje e tretmane të ndryshme mjekësore” shprehet ajo.

Ndryshe Marte Tunaj është femra e vetme në Kosovë që ka dëshmuar publikisht për dhunimin e kryer nga ana e Millosh Jokiqit. Tunaj ka dëshmuar në prezencë të burrit dhe publikut në sallë dhe si rezultat i rrëfimit të saj rrëqethës Jokiq ishte dënuar me 20 vite burgim.

Në gjykimin kundër Millosh Jokiqit patën dëshmuar 40 dëshmitarë në mesin e tyre edhe Marte Tunaj nga Verbani i Vitisë. Tunaj me dëshmi rrëqethëse pati prezantuar para trupit gjykues që udhëhiqej nga Patrice de Charette, shumë fakte dhe prova bindëse.

Millosh Jokiq sipas Marte Tunajt më 30 maj 1999 nën kërcënimin e thikës ka kryer marrëdhënie seksuale. Jokiqi ishte i armatosur deri në dhëmbë.

“Ai së pari i mori të gjitha të hollat nga banorët dhe mua më qoi në kuzhinë ku më urdhëroi të zhvishem. Refuzova me tërë forcën time , por ai nxori thikën dhe nën kërcënimin e thikës , kreu marrëdhënie seksuale “ kishte rrëfyer Tunaj.

Piktori Rron Qena sjellë Prishtinën e venitur në ekspozitën e radhës

Qielli dhe ngjyrat piktoreske të Prishtinës bashkë me mjegullën dhe me venitjen e qytetit janë kryefjala e ekspozitës ‘Fading under the sky’ nga piktori Rron Qena, e cila u hap me 15 tetor në Qendrën Informative dhe Kulturore të Bashkimit Evropian në Prishtinë.

Ekspozita artistike përbëhet prej shtatë pikturave, duke nisur me “Fading City”, e duke vazhduar me “Space Illusion” për të përfunduar me “Not all trees.. we lost the city too”.

Vjosa Berisha, kryesuese e ekipit në Qendrën Informative dhe Kulturore të Bashkimit Evropian EUICC, mirëpriti të pranishmit duke potencuar prapë rëndësinë që artistë të tillë të ekspozojnë në hapëirat e EUICC në Prishtinë dhe në Mitrovicë të Veriut.

“Jam e lumtur të prezantoj ekspozitën e Rronit sonte. Sa e kuptova, ka kohë që Rroni nuk ka ekspozuar në Prishtinë prandaj më vjen mirë që sonte e kemi këtu mes nesh. Kjo është një ngjarje tjetër ku po promovojmë artistët dhe kulturën” tregoi Vjosa Berisha në hapjen e ekspozitës.

Pikturat sjellin Prishtinën, kryeqytetin e Kosovës në disa ngjyra e në atsmoferë të ndryshme, duke e humbur veten në ndotje. Një grua e bukur nga prapa dhe një burrë hijerëndë – janë dy piktura tjera shumë personale për piktorin.

“Ekspozita sonte fokusohet në qytetin tonë, Prishtinën, një qytet që po zhduket dhe së fundmi po e shoh se nuk i përngjan Prishtinës që ka qenë dikur. Kjo ekspozitë është sinjal që këtu asgjë nuk po shkon mirë” tregon piktori Rron Qena në hapjen e ekspozitës së tij personale.

Në perspektivën artistike të Qenës, shteti, qyteti dhe njerëzit zhduken ngadalë derisa qielli vazhdon të bëjë dritë.

Rron Qena është një prej piktorëve më të mirë të gjeneratës së tij, i cili ka diplomuar në Akademinë e Arteve në Prishtinë ndërsa ka ekspozuar edhe në Paris, Berlin e në Amsterdam. Ekspozita për më tepër konsiston edhe me Fushatën për Mjedis e cila ka nisur në shtator dhe po vazhdon deri në dhjetor, me ajrin, ujrin, mbeturinat dhe energjinë si katër fushat kryesore të koncentrimit, për mbrotjen e mjedisit në mbarë Kosovën.

Ekspozita “Fading Under the Sky” do të jetë e hapur në EUICC deri me 8 nëntor ndërsa të gjithë të interesuarit mund të vijnë ta shohin ekspozitën. Të gjitha piktura janë në shitje ndërsa për më tepër duhet të kontaktoni piktorin Rron Qena. / KultPlus.com

Ansambli ‘Shota’ në Ditët e Kulturës Shqiptare në Kroaci

Me datë 27 tetor, Ansambli “Shota” do të performojë në Kroaci.

Në kuadër të manifestimit ‘Ditët e Kulturës Shqiptare në Republikën e Kroacisë’ do të mbahet aktivitet me traditën e kuzhinës shqipe dhe me Ansamblin “Shota”, në ora 17:00 në mjediset e Teatrit të Qytetit ‘Zorin dom’.

Koncertin e organizon Bashkësia Shqiptare e Prefekturës së Karlovcit, ndërsa gjithçka do të ndodhë nën patronatin e Kryebashkiakut të Qytetit të Karlovcit, Damir Mandic./ KultPlus.com

Tregimi për Vjollca Salihun, vajzën e dhunuar dhe të paralizuar nga serbët

Derisa në Kosovë po rikthehet debati i grave të dhunuara gjatë luftës së fundit, çdo eksperiencë e treguar apo e njohur është tmerruese për secilin që e dëgjon dhe e lexon atë.

Rasti i Vasfije Krasniqit së fundmi bëri që populli të këndellet e ta kuptojë edhe njëherë vuajtjen e grave të dhunuara.

Një rast tjetër i tmerrshëm, që rrënqethë trupin sa herë përmendet, është ai i Vjollca Salihut. Ajo u dhunua dhe mbeti e paralizuar në luftën e vitit 1999, por jetoi deri në vitin 2006 kur ndërroi jetë.

Fotografia: Valerie Plesch
Fotografia: Valerie Plesch

Në një fotografi botuar në prill të këtij viti nga NPR, nëna e saj Sanije Salihu tregon më shumë.

“Ajo u dhunua dhe u rrah gjatë vitit 1998-1999 dhe u la e paralizuar. Po të kishte vdekur në luftë, Kosova do ta vajtonte. Më dhem zemra që shkoi vajza sikur asgjë” tregonte nëna e Vjollcës, Sanija.

“Ajo ishte realiste, i zgjidhte problemet me logjikë e jo me emocione” tregon nëna e saj. Vjollcës iu dëmtua pjesa e shpinës dhe gjenitalet ndërsa trupi i saj ishte i mbuluar në cigare. Ajo doli nga shtëpia në vitin 1998, për të blerë ushqim, por nuk u kthye kurrë.

“Mjeku më tha se vajza ka shpëtuar, por ndoshta më mirë të mos kishte shpëtuar në gjendje të tillë” tregon Sanije Salihu.

Sanija, heroinë prej nëne, u kujdes për Vjollcën deri në moshën 28 vjeçare kur ajo ndërroi jetë pas një infeksioni dhe në gjendje të tillë. / KultPlus.com

Një nga këta këngëtarë do ta përfaqësojë Shqipërinë në Eurovizion

Konkursi për këngët pjesëmarrëse në Festivalin e fundvitit në Radio Televizionin Shqiptar kësaj radhe është hapur më herët se zakonisht.

Pasi u mbyll konkurrimi, tashmë janë bërë të ditur emrat kualifikues për Fest 57.
Artistët kualifikues për këtë vit janë: Aurela Thëllimi, Bojken Lako, Bruno Pollogati, Dilan Reka, Eliza Hoxha, Elona Islamaj, Elton Deda, Eranda Libohova, Gjergj Leka, Gr.Alar Band, Jonida Maliqi, Kelly, Klint Collaku, Klodiana Vata, Kujtim Prodani, Lidia Lufi, Lorela Sejdini, Marko Strazimiri ^ Imbro, Mirud, Orgesa Zajmi, Soni Malaj, Vikena Kamenica.

Vërehet një rikthim i disa emrave të mëdhenj dhe pjesëmarrja e të tjerëve në konkursin më të respektuar muzikor në Shqipëri.

Kënga triumfuese e këtij festivali shkon më pas në Eurovizion për Shqipërinë në vitin 2019-të.
Shqipëria ka debutuar në Eurovizion në vitin 2004 ndërsa dy rezultatet më të mira i kanë marrë Rona Nishliu dhe Anjeza Shahini, shkruan KultPlus.

Festivali i TVSH-së këtë vit mbanë edicionin e 57-të të tij./ KultPlus.com

‘Shumë të kam dashur, por s’është gjithçka…’ (VIDEO)

Një poezi e Teodor Kekos vite më parë ka gjetur prehje në zërin e mrekullueshëm të Ardit Gjebresë.

Keko, një prej shkrimtarëve që nuk harrohet kurrë, poezinë e tij “Shumë të kam dashur por…” e mishëroi me tërë shpirtin, në secilin varg.

Gjebrea më pas i dha notat për ta krijuar një këngë melankolike.

Po e sjellim sot këngën e Arditit, që nisë me Selanikun por mbetet e mirë dhe e përjetuar deri në sekondin e fundit. Kjo është mrekullia e një poezie dhe melodie kur puthen. / KultPlus.com

TEODOR KEKO – SHUMË TË KAM DASHUR POR….

Në Selanik anijet mbërrijnë,
në port unë mbeta far i gjallë.
Pashë mijëra njerëz, ndoshta miliona,
veç ty ama, kërrkund s’të pashë.

Në Selanik avionët mbërrijnë,
në pistë unë pija lotin tim.
Pashë mijëra njerëz, ndoshta miliona,
veç ty s’të gjeta n’udhëkalim.

Atëherë u mbylla në vetvete
me shumë whisky e n’akull pak.
Në darkë i dehur po mendoja:
Shumë të kam dashur, por s’është gjithçka…

Selanik, 1992

‘Jam ai lypës s’jam ai mbret’ (VIDEO)

Me pak këngë, Ardian Rrusta ka arritur të lërë gjurmë në muzikën shqipe.

Një zë i veçantë në formimin e tij, Rrusta ka sjellë disa hite vite më parë.

Muzikës pop shqip ai mes tjerash i ka lënë edhe hitin “Jam ai lypës s’jam ai mbret” një këngë e njohur dhe e dashur për shumë.

Do të sjellim sonte këtë këngë me shpresën të kujtojmë Ardianin dhe muzikën e tij. / KultPlus.com

Një prej dhunuesve të Vasfije Krasniqit, tash polic i Kosovës

Personi në foto – Jovica Dejanovic ish polic i Serbisë tash polic i Kosovës bashkë me Gjorgje Bojkovic janë dhunuesit e Vasfije Krasniqi Goodman gjatë luftës në Kosovë.

“Gjykata Supreme e Kosovës, me panelin me përbërje të përzier me të cilin ka kryesuar gjyqtarja Nesrin Lushta,[156] në datën 30 shtator të vitit 2014, ka sjellë aktgjykimin[157] në lëndën Prokurori kundër Dejanoviqit dhe Bojkoviqit, me të cilën të akuzuarit Jovica Dejanoviq dhe Gjorgje Bojkoviq prapë janë liruar nga akuzat për kryerje të veprës penale të dhunimit si krim i luftës kundër popullatës civile[158].
Ata kanë qenë të akuzuar për dhunim të shqiptares gjashtëmbëdhjetë vjeçare nga Kosova në datën 14 prill të vitit 1999 gjatë kohës së konfliktit të armatosur në Kosovë.”

Mbetet të vërtetohet nëse kjo është fytyra dhe identiteti i vërtetë i inicialeve J.D.

Emrat e këtyre dhunuesve i gjeni në raportin e Fondit për të Drejtën Humanitare në faqen 87 si të akuzuar dhe të liruar. / KultPlus.com

Art Net propozon të vizitohet ekspozita e shqiptarit Pajtim Osmanaj

Artisti shqiptar Pajtim Osmanaj ka marrë vëmendjen e mediave botërore që raportojnë për artin e kulturën.

Ekspozita e tij e hapur në muajin maj të këtij viti dhe e cila do të qëndrojë e hapur deri në fund të tetorit, është cilësuar si një prej ekspozitave që duhet të përcillen në Amerikë, sipas Art Net News.

Ekspozita “Pajtim Osmanaj: Nostalgia” po qëndron e hapur në 4 Times Square.

Dy punët artistike sjellin nostalgjinë e Pajtimit, dy piktura gjigante. Titulli ‘nostalgia’ për topografinë e Evropës Lindore është ndërtuar me shtresa letre të grisura, duke qëndruar në kontrast me pjesën ku janë vendosur.

Këtu mund të lexoni më shumë rreth artistit Pajtim Osmanaj.

Vasfije Krasniqi: ‘Dojsha veç me m’vra, me një plumb’

Vasfije Krasniqi, një prej grave të dhunuara në lufën e fundit në Kosovë, e tregoi sonte rrëfimin e saj para botës.

Me lot në sy, Krasniqi ka rrëfyer se si u dhunua nga serbët.

“I lutsha mem vra, dojsha me një plumb mem vra” tregon ajo, derisa e larguan prej nënës së saj dhe e morrën kinse për të dhënë një deklaratë se ku janë vëllezërit dhe babai i saj.

Me 14 prill 1999 ka ndodhur ngjarja e tmerrshme ndaj një vajze 16 vjeçare.
“Erdhën në shtëpi, morrën letërnjoftimet e familjarëve dhe unë aty e kuptova që diçka ka me ndodhë me mu. Dojsha mem vra po polici thoshte se kshtu hjek ma shumë, nëse më dhunon e më torturon” tregon mes tjerash Vasfije Krasniqi.

Asaj më pas i kanë dhënë barna sepse është alivanosur kur është kthyer në shtëpi, pas ngjarjes së tmerrshme.
Tregimi i saj po vazhdon të rrëfehet në televizionin publik. / KultPlus.com

Armiku im

Nga Mimoza Ahmeti

Armiku im,
shpeshherë më fyeve në mënyrën më të dobët,
shpeshherë të fyeva në mënyrën më të cekët,
armiku im.
E ç’do të ish jeta ime pa ty
dhe e jotja pa mua?
Askush s’mund ta dijë.
(kur kushtëzimi mbaron qenia zhduket)
Armik. Armiku im!
Prej teje rashë në gjurmë dhe përfitim
të asaj që kërkoja,
prej teje gjallëroi lënda ime, u zgjua,
u përbetua,
dhe ngashëreu,
kur vrasja shpirtat mbërtheu.
Oh, në të vërtetë ti je dashuria
dhe jo urrejtja ime,
armiku im.
Pikërisht ato,
që ne zhvleftësuam
ndërsa rrugës ecëm,
që asnjëherë s’i ditëm,
s’i llogaritëm,
Turmat,
që inerte derdhen
dhe frymë marrin
me injorim,
lanë pasojë
mbi shpirtin tënd
mbi shpirtin tim.

‘Ishte e lumtur gruaja me flokët e rëna, nuk e di në kishte bërë seancën e fundit të kimioterapisë’

Ilir Kurtishi / Facebook

Sot, në mëngjes, teksa po prisja urbanin e rradhës, pashë një grua që kishte lidhur një shami në kokë. Dukej qartë që i kishin rënë flokët. Nuk më bëri përshtypje kjo gjë. Njerëz të tillë më ndodh të shoh çdo ditë.
Më tërhoqi buzëqeshja e saj dhe entuziazmi që kishte. Nuk di në kishte bërë seancën e fundit të kimioterapisë apo çfarë. Di vetëm se ishte e lumtur.

Mua, me thënë të drejtën, më erdhi turp! Mërzitemi pothuajse çdo ditë me gjëra të vogla dhe kapemi pas detajeve e fjalëve. Kemi frikë të na cënohet krenaria! Ndërsa ajo, ishte në fushëbetejë me jetën. Ishte krenare, e pajisur me buzëqeshjen brilante dhe duke gëzuar ditën në vijim.
E falenderova nën vete dhe vazhdova pritjen time për udhëtimin e rradhës. E falenderova sepse ajo më kujtoi se jeta vlen më shumë se një fjalë e ligë.

Shpërndajeni këtë postim në shenjë të solidaritetit për të gjithë të sëmurët me kancer.

Ndërron jetë Milena Dravic, disa role filmike me Bekim Fehmiun

Ka ndërruar sot jetë në Beograd një prej aktoreve më të mira serbe, Milena Dravic.

Një zonjë e rëndë e ekranit filmik, Dravid ka performuar bashkë me shqiptarin Bekim Fehmiu në filmin “Deps”.

Antun Vrdoljak ka bërë regjinë e filmit që u realizua në vitin 1974, ku dyshja luajnë rolet kryesore.

Historia e filmit tregon për Depsin, kriminelin 36 vjeçar që shihet të hyjë në Zagreb. Policia e përcjellë këtë burrë që është akuzuar për 12-të krime. Të njëjtin ditë në një bankë ndodhë një vjedhje, shkruan KultPlus.
Me lojën e saj në këtë film, Milena morri çmim në Pula të Kroacisë.

Dyshja kanë luajtur bashkë edhe në një film tjetër. Bëhet fjalë për “Pavle Pavlovic” i vitit 1975.

Milena ndërroi jetë në moshën 78 vjeçare pasi lëngonte nga një sëmundje. Ajo ka marrë dy herë në Serbi çmimin për aktoren më të mirë dhe pesë herë çmimin për aktoren më të mirë në rol dytësor. / KultPlus.com

‘Notojnë xhamiat dhe kishat nëpër kujtime tona’

Migjeni

BLASFEMI

Notojnë xhamiat dhe kishat nëpër kujtime tona,
e lutjet pa kuptim e shije përplasen për muret e tyne
dhe nga këto lutje zemra zotit ende s’iu thye,
por vazhdoi të rrahi ndër lodra dhe kumbona.

Xhamiat dhe kishat madhshtore ndër vende të mjerueme…
Kumbonaret dhe minaret e nalta mbi shtëpia tona përdhecke…
Zani i hoxhës dhe i priftit në një kangë të degjenerueme…
O pikturë ideale, e vjetër një mijë vjeçe!

Notojnë xhamiat dhe kishat nëpër kujtime të fetarve.
Tingujt e kumbonës ngatrrohen me zanin e kasnecit,
Shkëlqen shejtnia mbi zhguna dhe ndër mjekra të hoxhallarve
O, sa engjuj të bukur përpara derës së ferrit!

Mbi kështjellat mijvjeçare qëndrojnë sorrat e smueme,
krahët i kanë varë pa shpresë simbojt e shpresave të humbune
me klithma të dëshprueme bajnë fjalë mbi jetë të perëndueme,
kur kështjellat mijvjeçare si xhixha shkëlqejshin të lumtuna.

Fjalët që gjyshja kurrë s’i tha

Nga Donjeta Elshani

Une nuk kam emën. Ma kan ngjitë nja sa me m’thirrë e me m’urdhnue, ama emën temin nuk m’lanë kurrë me ba. Historia jeme asht e trishtë, asht e dhimbshme: zor që don kush me ngue, zor që don kush me dijtë.

Asht veç nja prej historive pa za e t’zakonshme. Asht ni histori jete që sot nuk e kam ma. Nuk muj me e qitë as me e hekë asni shkronjë, se koha jeme ka shku, bashkë me andrrat e mija t’vajznisë.

Jam le n’nandorin e 1938-s. Ditën s’e kam dijtë kurrë. Kurrkun s’a shkrue, as në kujtesën e nanës tem.

Ditën që unë jam le, ish kanë ditë e zezë për te tanë në shpi. Bile i tanë katuni ia kish rrehë krahët me keqardhje babës e i kishin pas thanë, herën tjetër djalë ishalla.

Qëkaq. Asni fjalë me e urue për ni jetë t’re që ka ardhë në tokë. Te tanë ulë kryet tuj dalë prej odës, e baba i turpnuem që s’mujti me gju pushkë për me i kallxue te tanëve që i asht shtu ni pushkë n’shpi.

Nana e shkretë m’ka dashtë gjithë, po as ajo kurrë çikë s’ka dashtë me pasë, ki me hekë çika jeme kish pas thanë nën vajin e dhimtve që e kishin dërrmu.

Historia e nanës asht e njejtë si e jemja, veç se nana ish pajtu, e une kurrë s’kam mujtë.

Çka m’kan thanë po ju tham. Nuk jam kanë kurrë n’shkollë e as knim e lexim nuk m’kan msu, e gjithë kam dashtë me dijtë çka kan ato librat e vllaut t’vogël, qysh me dijtë me knue si ai, kurrë s’kam msue, e gjithë kam dashtë.

Kam pasë ba be, që çika jem ka me pasë fatin tjetër prej temit.

Jam rritë tuj m’thanë je dera e huej, m’kanë msu mirë me shujtë, mos me qitë za, me e ngue çdokan e veten me e mytë. Ni ditë m’a vnunë kanën, m’thanë që m’kan dhanë për dikan, m’kan dhanë si ni teshë që ma s’iu vynë e i jepet dikujt tjetër.

Mu kurrkush s’më veti, çka du une, çka du me thanë une, a due me shku a jo.

Jau dhanë ni plum si dhuratë t’funit. Nëse kisha refuzue me shku te ai që shpija ma ka zgjedhë, me t’njejtin plum ai ka mujt mem vra, e gjaku jem ish kanë i hupt. Jeta jeme e pavleftë.

S’e kam njoftë kurrë, s’e kam dijtë kush asht.E friksueme, kam dashtë me kanë n’dhomën tem t’vorfën e t’ftoftë, po jeta jeme kish marrë tjetër kahje, e unë s’kisha ma fuqi me luftue kundër, veç me e pranue ni fat t’mallkuem e t’njetë si t’shoqeve t’mia.Jam derrmu shumë here, po kush zanin s’ma ka ni, kush s’më ka vetë najhere a jam lodhë? A kam nevojë për najçka?

Kam pasë shpesh nevojë me nejtë vetë, me pushue shpirtin e molisun, me flejt ma shumë, e m’i dhanë pak jetë vetit. Nuk e maj men ni ditë veç temen. Gjithçka a kanë për tjertë. Unë jam kanë për tjertë.

Kam dashtë shpeshhere me ngajtë e lirë ledinave t’blerta, me u shtri veç pak e me lujtë sikur ditët e fminisë. Gjithë kam jetue me mallin e qatyne ditëve kur s’kam ditë gja për jetën — hera e vetme kur kam rrnue qysh kam dashtë.

Kam dashtë shum here me folë, me britë, me kajtë, me iu thanë atyne që jam njeri, po kush s’më kish ngu, m’kishin thirrë emna, m’kishin keshë ditë e natë, se qashtu kan ba me ato t’rrallat që kan guxue me britë, që s’kan mujtë me rrnue qashtu.

Jam kanë gjithë dera e huej, pa emën, pa t’drejta, pa za.

S’kam gjetë kurrë dikush me m’kuptue, me m’i fshi lotë e syve, e me m’i shnoshë plagtë e shpirtit. Rrallë kam keshë. M’patën msu se asht mëkat edhe kjo.

Kam pas ba be e rrfe që fati i çikës tem ka me kanë ndryshe. Që çika jem ka me pasë emën, andrra, e t’drejta, njejt si djemt e mi.

Une gati shkova, qatje ku ma nuk ka kthim. Nuk dij shum për atje. A thu a kam me pasë atje emën? A kam me kanë edhe atje ni derë e huej?

Xhamia mbi 350 vjeçare, e mbuluar nga ferrat

E ndërtuar mbi 350 vite më parë, xhamia në fshatin Vokopolë të Bashkisë së Poliçanit është një tjetër monument kulture i trashëguar që shkon drejt shkatërrimit.

Xhamia është ndërtuar në qendër të fshatit piktoresk, por rruga është e mbuluar me ferra. Edhe pse e lënë pas dore, kur e sheh nga larg, xhamia dallon për karakteristikat e një ndërtese qindravjeçare, me mure të fortë, ndërtuar me gurë të bardhë e të latuar.

Çatia, që u ka rezistuar kohërave, ka formë të veçantë në krahasim me xhamitë e tjera. Muret brenda saj kanë harqe e qemere dhe në vendin ku kryheshin ritet, ende ka gjurmë të shkrimeve apo ornamente të pikturuara gjatë kohës kur u ndërtua, raporton Tch.

Xhamia shërbeu si objekt kulti deri në vitet e para të sistemit komunist dhe në vitin 1949 u kthye në shkollë, por pas viteve ‘90 nisi degradimi i shpejtë i saj. Fillimisht iu vodhën dritaret, u shkatërruan pikturat dhe gjithçka e gdhendur brenda saj.

Kryeplaku i fshatit Vokopolë pohon se kjo ka qenë një vepër muzeale shumë e bukur, që nuk u shkatërrua gjatë viteve të diktaturës e që u kthye në këto vite thuajse në gërmadhë.

Restaurimi i këtij objekti do të shtonte një atraksion më shumë në këtë fshat me bukuri natyrore, por që fatkeqësisht u kujtohet pushtetarëve vetëm atëherë kur u duhet vota.

Krahas filmit ‘Martesa’, edhe 86 filma të tjerë në garë për Oscars

Janë gjithsej 87 filma që do të konkurrojnë për filmin më të mirë në gjuhë të huaj në ceremoninë Oscars të vitit 2019-të.

Edhepse nominimet do të bëhen të ditura tek në 22 janar të vitit 2019-të, kanë nisur fjalët dhe favoritët kryesorë për filmat më të mirë që vijnë nga 87 shtete.

Në këtë listë është edhe filmi “Martesa” me regji nga Blerta Zeqiri, dhe është përfaqësimi kosovar që këtë vit tenton të hyjë në listën e ngushtë, e pse jo edhe të triumfojë në fund.

Bosnja në këtë garë do të konkurrojë me “Never Leave Me” – me historinë e tre refugjatëve sirianë që jetojnë në qytetin turk Sanliurfa. Mali i Zi konkurron me filmin “Iskra” ndërsa Serbia me filmin “Offenders”.

Nominimet do të bëhen të ditura në janar, për ceremoninë e 91-të të Çmimeve Akademike Oscars.

Në këtë kategori, e cila sjellë shtete nga e tërë bota, është Italia ajo që ka rekord me 14 filma fitues në Oscars. Pas saj vijnë Franca, Spanja, Japonia, Suedia dhe Danimarka.

Nga Kosova në këtë kategori deri sot kanë përfaqësuar “Tri dritare dhe një varje” në vitin 2014, “Babai” në vitin 2015, “Home sweet home” në vitin 2016, “Unwanted” në vitin 2017 dhe tani filmi “Martesa”. Asnjë nga filmat nuk është nominuar në listën e ngushtë. / KultPlus.com

‘Pesëdhjetë vjet tjera t’i hangtë dreqi’

PESËDHETË VJET’ TJERA T’I HANGTË DREQI!

Sulltan Mehmeti ish kanë ardhë n’Rrafsh t’Kosovës, te Tyrbja e Sulltan Muratit. Aty bâhet ni tubim i madh. Ni plak s’e lâke as fjalimin me u majtë, tuj bërtitë: “Rrnoftë mreti!” „Rrnoftë baba mret!” “Çelja zo’ sytë mretít!”

Aty, krah për krah me sulltanin, qillon edhe Hasan beg Prishtina. E thrret plakun e p’i vét kadale n’vesh:

— Sa vjet i kije, bre plak?

— Përmi shtatëdhetë po.

— Nja nizetë vjet t’kofshin falë për axhamillak, e pesëdhetë vjet’ tjera t’i hangtë dreqi!

(E marrë nga Agim Morina. Anekdotë e vjetër e mbledhur prej folkloristëve, mes tyre edhe Rama, baba i Agim Morinës)

“KOSOVA” në tetë vëllime – certifikatë historike e shtetit të Kosovës

Nga Nazmi Rrahmani

Tri vëllimet më të reja të librit “Kosova” VI,VII dhe VIII të Jusuf Buxhovit, përmbyllin projektin historiografik të autorit prej tetë vëllimesh me rreth pesëmijë faqe tekst të formatit B-5. Pas pesë vëllimeve të para që përfshijnë Antikën, Mesjetën, periudhën e Perandorisë Osmane, periudhën e viteve 1912-1945 dhe atë 1945-1999, vijnë këto tri vëllime të reja që përfshijnë (në librin e gjashtë) ngjarjet e ndodhura në Luginën e Preshevës dhe në Maqedoni gjatë viteve 1999-2001 dhe në librin e shtatë vështrohen të gjitha ngjarjet më kryesore në Kosovë dhe për Kosovën në periudhën 2002-2008. Në vëllimin e tetë janë përfshirë dokumentet më të rëndësishme historike që kanë të bëjnë me shqiptarët në përgjithësi, siç janë Vendimet e Shën Stefanit, Protokollet e Kongresit të Berlinit (1878), si dhe ato të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të cilat kanë qenë përcaktuese të fatit të shqiptarëve në përgjithësi.
Pas përfundimit të luftës në Kosovë më 1999 dhe pas hyrjes së NATO-s çështja e shqiptarëve në Ballkan, megjithatë, nuk kishte perspektivë të një zgjidhjeje përfundimtare, sepse trojet shqiptare ishin të copëtuara nëpër shtete të ndryshme të cilat kishin edhe qëndrime tepër të ndryshme lidhur me pozitën e tyre. Autori niset nga fakti historik se Rezoluta 1244 në Kosovë anuloi dy gjendje: Republikën e Kosovës të shpallur në Kaçanik si dhe pushtimin policor ushtarak serb. Mirëpo ky zhvillim nuk mundi të anashkalojë proceset historike nëpër të cilat ka kaluar Kosova që nga okupimi serb më 1912 i përcjellë nga dy ripushtime: ai i vitit 1918 dhe 1944, e as realitetet shoqërore politike që i kanë përcjellë shqiptarët e Kosovës dhe të viseve të tjera që kishin mbetur nën Jugosllavinë e dikurshme e mandej nën shtetet që kishin shpallur pavarësinë: si Serbia e Maqedonia. Autori në këtë vëllim analizon në hollësi formulën e nxjerrjes së Serbisë nga Kosova duke hyrë NATO në Kosovë me të gjitha problemet që ishin shkaktuar, sidomos me hyrjen e trupave ruse në Kosovë, ndarjen e sektorëve, çmilitarizimin e UÇK-së dhe fillimin e krijimit të TMK-së.

Fillimi i vendosjes së protektoratit ndërkombëtar në Kosovë dhe faza e emergjencës humanitare, vakuumi institucional dhe qeveria e përkohshme dhe problemet e mëdha që rrjedhin në shoqërinë kosovare gjatë asaj periudhe, roli i ndërkombëtarëve në to sidomos në fazën e pare, të gjitha gjejnë vend në këtë që autori i vë në spikamë duke u mbështetur në fakte dhe dokumente. Periudha tjetër e analizës është ajo e rimëkëmbjes dhe përpjekjeve për një normalitet, siç ishin aktivitetet e para ekonomike dhe rindërtimi i vendit mbas shkatërrimeve që kishte lënë lufta, zgjedhjet e para lokale dhe vendosja e vështirësuar e legjitimitetit demokratik, korniza kushtetuese dhe formimi i institucioneve vetëqeverisëse. Faktet e paraqitura lidhur me këtë periudhë nëpër të cilën kalonte Kosova janë dëshmuar dhe analizuar hollësisht duke u ndalur edhe në shkaqet dhe pasojat e tyre.
Kapitull i veçantë në këtë vëllim është raporti midis gjendjes në Kosovë dhe Lugina e Preshevës, UÇPBM-ja dhe lufta për autonomi territoriale e politike si dhe lufta që ndodhi në këtë kohë në Maqedoni. Referendumi për Autonomi Territoriale dhe Politike i vitit 1992 në Luginën e Preshevës qe pikënisje e luftës në këtë rajon. Autori u bën një analizë të hollësishme, mbështetur në fakte e dokumenteve ngjarjeve që rrodhën në atë periudhë, të cilat e shtynë faktorin ndërkombëtar që të ndërhynte në parandalimin e konfliktit. Lidhur me këtë autori jep tekstin integral të Marrëveshjes së Konçulit.

Çështjen e Maqedonisë autori e trajton duke u nisur nga fakti se një përçasje sado e shkurtër e rrethanave politike të shfaqjes së Maqedonisë si koncept gjeografik nga Kriza Lindore e këndej, të Republikës së Maqedonisë në përbërje të ish Jugosllavisë dhe të shpalljes shtet i pavarur më 1991 tregon se shqiptarët i lidh si etnitet shtetformues në të në një hapësirë ku shfaqej edhe popullsia sllavo-maqedonase. Kjo mbështetet mbi argumentet historike, ato politike dhe argumentet etnike duke ndërlidhur Maqedoninë etnike si pjesë e etnisë dardane-ilire, periudhën e Vilajetit të Kosovës me Shkupin si qendër e shqiptarizmit politik, ngritjen e Maqedonisë në çështje ndërkombëtare në dëm të interesave shqiptare, realitetin demografik – vazhdimësinë nga antikiteti dhe lufta për rrënimin e tij, periudhën e Mbretërisë Jugosllave dhe shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi, Xhemijetin dhe përpjekjet për asimilimin e shqiptarëve, Lidhjen e Dytë të Prizrenit,NDSH-n e Shkupit e të tjera.
Me argumentet historike autori Jusuf Buxhovi Maqedoninë antike e ndërlidh si pjesë e etnisë dardane-ilire në kuadër të botës pellazge, që si e tillë do të pasqyrohet edhe gjatë kohës së Perandorisë Romake, asaj të Bizantit si dhe nën Perandorinë Osmane.
Në bazë të argumenteve politike Maqedonia del si Vilajet i Kosovës dhe si qendër e shqiptarizmit politik që doli nga Programi i Lidhjes së Prizrenit. Ndërkaq Shkupi ishte qendër e vilajetit prej nga do të drejtohej e tërë lëvizja kombëtare për shtetin shqiptar.

Argumentet etnike mbështeten në praninë e pandërprerë të shqiptarëve në trojet e veta që nga antikiteti. Prandaj autori me të drejtë konstaton se ky realitet nuk mund të rrënohet dhunshëm, siç u veprua më 1912 dhe më 1944, apo me shpërnguljet e vazhdueshme. Autori në këtë pjesë ndalet dhe analizon hollësisht zhvillimet në antikitet për të arritur mandej në zhvillimet aq të rëndësishme të kohës së Vilajetit të Kosovës që ishin ngjarjet më të rëndësishme dhe më domethënëse për formimin e shtetit shqiptar, edhe pse për këtë pjesë të tokave shqiptare të gjitha ngjarjet nuk rrodhën në interes së vetë shqiptarëve. Realitetin demografik autori e sheh si një faktor shumë të rëndësishëm të vazhdimësisë etnike që nga antikiteti pavarësisht se është bërë luftë e përhershme për rrënimin dhe ndryshimin e atij realiteti. Në kuadër të kësaj autori ndalet në pikat kryesore të atyre përpjekjeve dhe të zhvillimeve në këtë anë duke analizuar angazhimin e mbretërisë jugosllave dhe shpërnguljet e shqiptarëve në Turqi, përpjekjet e vazhdueshme për asimilim të shqiptarëve, rrënimin e Jugosllavisë së Versajës, Lidhjen II të Prizrenit dhe Shtetin e Pavarur Shqiptar,NDSH-n e Shkupit dhe opsionin e bashkimit kombëtar për të arritur deri te Ushtria Çlirimtare Kombëtare dhe lufta e saj.

Kapitull iu veçantë i kushtohet Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe rrugës së zhvillimit të saj, tri aspekteve të luftës së UÇK-së – atij ushtarak, diplomatik dhe politik duke arritur edhe në përfundime të caktuara për secilin aspekt të kësaj lufte.
Vëllimi i shtatë përfshin periudhën kohore 2002-2008 nëpër të cilën kaloi Kosova. Autori konstaton se Kosova në këtë periudhë kaloi nëpër dy faza të rëndësishme të zhvillimit politik dhe shoqëror që do ta çojnë te shpallja e pavarësisë. E para ka të bëjë me krijimin e institucioneve vetëqeverisëse nëpërmjet zgjedhjeve të lira parlamentare dhe e dyta lidhet me plotësimin e kritereve – “Standardet para statusit”. Në këtë mënyrë procesi i arritje dhe shpalljes së pavarësisë u vu në binar të pakthyeshëm. Autori duke kaluar nëpër këtë periudhë kohore gjashtëvjeçare dhe duke analizuar të gjitha ngjarjet më vendimtar të zhvillimit të Kosovës jep një pasqyrë të realitetit të dokumentuar me fakte relevante për Standardet para statusit, Trazirat e Marsit 2004, Tribunalin e Hagës, Hapjen ne statusit final, Vdekjen e Presidentit Rugova, Bisedimet e Vjenës, Propozimet e Ahtisarit, të gjitha këto faza të zhvillimeve drejt shpalljes së pavarësisë.

Në këtë vëllim autori ka vënë edhe një Shtojcë që është me interes të veçantë, në të cilën i bën një qasje historike identitetit kulturor dhe atij shtetëror të shqiptarëve nga antikitetit e deri në kohën tone të ndërlidhur me mbretërinë e Dardanisë si dhe e krishterimit nga shfaqja si trashëgimi shpirtërore e shqiptarëve e cila me Pakon e Ahtisarit sa nga kompromiset e dëmshme politike për të pranuar realitete të reja e sa nga një destruksioni një pjese të historianëve shqiptarë se krishterimi ortodoks ishte identitet pushtues dhe asimilues sllav, nga i cili duhej hequr dorë, iu dhurua thuaja se vullnetshëm Serbisë, ndonëse politika hegjemoniste e Beogradit nga shek. XIX e këndej duke përvetësuar ortodoksinë si dhe objektet kishtare në Kosovë me falsifikime e shpalli atë si pjesë e kishës ortodokse serbe e me këtë edhe të trashëgimisë së saj kulturore si pjesë e të drejtave historike.
Në vëllimin e tetë janë përmbledhur dokumentet më të rëndësishme të zhvillimeve historike dhe të ngjarjeve të mëdha që kanë përcaktuar edhe historinë shqiptare, Vendimet e Shën Stefanit, ato të Kongresit të Berlinit dhe një zgjedhje e dokumenteve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Një pjesë e këtyre dokumenteve shpeshherë janë komentuar edhe njëanshëm duke mos u mbështetur në origjinalet ose duke mos i njohur sa duhet apo edhe me qëllim të caktuar.

Ka vdekur fotografi që dokumentoi vuajtjet e luftës në Kosovë

Ka ndërruar jetë pas një sëmundjeje fotografi Willem Poelstra.

Fotografi dhe gazetari nga Holanda së fundmi ka sjellë në Prishtinë dhe në Beograd një ekspozitë me fotografi nga lufta e fundit në Kosovë.

Poelstra vuante nga kanceri, ndërsa në të kaluarën ishte një zhytës.

Vitin e kaluar ai hapi ekspozitën dhe një botim të titulluar ‘For Hanna, Future Stories from the Past’. Pikërisht para Parlamentit të Kosovës këto fotografi zunë vendin dhe emocionin e tyre.

Ai ka fotografuar shtëpi të shkatërruara, të shpëtuar nga lufta, monumente, objekte dhe është takuar me familjarë të viktimave të luftës së fundit në Kosovë, shkruan KultPlus.

Fotografi ka ende të zhdukur rreth 90 persona të familjes së tij që prej luftës së Dytë Botërore.
Poelstra ka kaluar vite duke bërë hartat e dhimbjeve në historitë e tij të së ardhmes për të shkuarën.
Miqtë e Willem Poelstra kanë ngushëlluar në rrjete sociale, për një humbje të madhe të fotografisë dhe artit jo vetëm në Holandë por në tërë Evropën. / KultPlus.com