‘Po vdes nanë, sot po vdes, më kanë futur në një thes’

Nuk janë të paktë ata shqiptarë që guxuan dhe ngritën kokë kundër diktaturës dhe komunizmit në Shqipëri. Shumë intelektualë dhe fetarë dolën kundër sistemit të egër, por fati i tyre dihej.

Një prej emrave që ngriti kokën kundër komunizmit ishte Marie Tuçi.

Marija ishte vajza e re nga Mirdita që sfidoi xhelatët e diktaturës komuniste, në emër të Zotit, përmes besimit katolik. Pas përmbysjes së komunizmit, hitoria e saj e trishtë u njoh në të gjithë vendin dhe më gjërë.

Maria, vdiq masakruar nga torturat e xhelatëve të diktaturës duke dhënë shpirt mes mundimeve të jashtëzakonshme.

Marie Tuçi lindi më 12 mars 1928, në fshatin Ndërfushaz Mirditë, si e bija e Nikollë Mark Tuçit dhe e Dilë Fushës.

Vdiq në spitalin e Shkodrës pas torturave çnjerëzore, më 20 shtator të vitit 1950.

Historia e saj u bë edhe më shumë e njohur përmes poezisë së Meti Fidanit.

Nan’ e dashtun, sot po vdes
më kanë futur, në një thes
lakuriq, tok me një mace
më kanë mbyll, në thes linace

N’burg të Shkodrës, po m’del shpirti
po ma merr nan’, shef Seiti
jashtë thesit, shqip po flasin
më shqelmojn’, e më godasin
ligësia, nuk ka ngjyrë
shqelm në bark, shqelm në fytyrë

Po vdes nanë, sot po vdes
një lëmsh gjaku, brenda n’ thes
nuk ka vend imagjinata
kriminel, shpirtzinj si nata
më kanë ça, bark e zorrë
hajde nan, e ver’ një dorë

Mbaju nan’, mbaju burrneshë
më sill teshat, e m’vish murgeshë
mos qaj nan, jam bij Mirdite
s’na kanë mposht, tash ndër vite
as dhe shkau, as dhe turku
as Enveri, as dhe burgu
as bollshik, e as titista
as hetues, as komunista
Po vdes nanë, moj un’ e zeza
shko më sill, një palë ndresa
njëzet e dy, sapo kam mbush
nuk du’ nan’, me m’qa kurkush
as n’ Orrosh, e as Ndërfush
as në bjeshkë, atje thellë
as në Fan, e as në Kthellë
as n’Kurbnesh, e as n’ Selitë
as kurkund, nëpër Mirditë

Zoti nan, ka pat’ mëshirë
më ka dërgu, të vdes e lirë
më sill ndresat, po të pres
po vdes nanë, sot po vdes.

Në Prishtinë do të shfaqen filma rreth komunitetit LGBTI

Në kuadër të Javës së Krenarisë së komunitetit LBGTI në Kosovë, në Qendrën Informative dhe Kulturore të Bashkimit Evropian do të shfaqen disa filma që kanë për tematikë këtë komunitet.

Me datë 5 tetor në ora 18:00 do të shfaqet në EUICC filmi “Women who Kill”.

Me datë 8 tetor në ora 18:00 do të shfaqet filmi “Political Animals”.

Me datë 9 tetor në ora 18:00 do të shfaqet filmi “Man Made”.

Të tre filmat janë të tematikës LGBT ndërsa tregojnë për problemet që komuniteti gej, lezbik, transgjinor e biseksual has kudo nëpër botë.

Shfaqjet e filmave po organizohen në mes të PriFilmFest dhe CEL – Center for Equality and Liberty.
Java e Krenarisë së komunitetit LGBT në Kosovë do të kulmojë me datë 10 tetor me Paradën e Krenarisë në Prishtinë. / KultPlus.com

Driant Zeneli, përfaqësimi i Shqipërisë në Bienalen e Venecias 2019

Driant Zeneli do të përfaqësojë Shqipërinë në edicionin e 58-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Artit në Venecia, e cilësuar një prej ngjarjeve më të rëndësishme të artit bashkëkohor botëror, në të cilën Shqipëria është pjesëmarrëse nga viti 2014 e në vazhdim në Arsenale.

Ministria e Kulturës, në cilësinë e Komisionerit për Shqipërinë, ftohet të marrë pjesë në Edicionin e 58-të Ndërkombëtar të Artit, i cili do të mbahet në periudhën 11 maj- 24 nëntor 2019, në Giardini -Arsenale të Venecias, Itali. Fondacioni i Bienales, nëpërmjet presidentit të saj z. Paolo Baratta, ka paraqitur z. Ralph Rugoff si kuratorin e Ekspozitës së 58-të Ndërkombëtare të Artit, me titull “May You Live in Interesting Times”, një shprehje e gjuhës angleze që për një kohë të gjatë risjell një mallkim të lashtë kinez, i cili ngjall epoka pasigurie, krize dhe çrregullimi; “Kohë interesante”, pikërisht si kohët që po përjetojmë.

Në këtë kuadër, Ministria e Kulturës njofton se Driant Zeneli, do të jetë artisti që do të përfaqësojë posaçërisht pavijonin e Shqipërisë në Ekspozitën e 58- të Ndërkombëtare të Artit – La Biennale di Venezia – me projektin me titull “Maybethe cosmos is not so extraordinary”- “Ndoshta kozmosi nuk është aq i jashtëzakonshëm”, nën kurimin e Alicia Knock, kuratore në Qendrën “Pompidou” në Departamentin e Artit Bashkëkohor, në Paris. Titulli merr shkas nga romani fantastiko-shkencor i autorit shqiptar Arion Hysenbegas, “Drejt Epsilonit të Eridanit”, i botuar në vitin 1983 (ribotuar i plotë në vitin 2018). Driant Zeneli (lindur në Shkodër, 1983), jeton dhe punon mes Tiranës dhe Milanos. “Vepra e Driant Zenelit sfidon limitet intelektuale dhe fizike, duke vendosur në skenë dhe duke performuar situata sureale dhe ironike, ndonjëherë dhe absurde. Shpesh puna e Zenelit identifikohet me ëndrrat, luan me arsyen, ndërkohë qëndërvepron me publikun.

Në qendër të veprimit performativ, si dhe në punët e tjera të artistit ku përdoret gjuha e narrativës filmike, ndodhet ripërkufizimi i dështimit- si çasti themelor për të krijuar një alternativë të re”, thuhet njoftimin e ministrisë. Në vitin 2008 Zeneli fitoi çmimin ndërkombëtar “Onufri” në Tiranë dhe në vitin 2009 çmimin “The Young European Artist Award”, Trieste Contemporanea. Në vitin 2017 ai fitoi çmimin “Moroso”, Itali. Driant Zeneli ishte drejtor artistik i “Mediterranea 18”, “Bienalja e Artistëve të Rinj nga Evropa dhe Mesdheu”, që u zhvillua për herë të parë në vitin 2017 midis Tiranës dhe Durrësit. Ai është gjithashtu bashkëthemelues i Platformës së Artit Bashkëkohor Harabel në Tiranë. / KultPlus.com

Baleti i Kosovës dhe Israel Rodriguez të enjten sjellin ‘Le Corsaire’

Alberina Haxhijaj

Koreografi Israel Rodriguez është rikthyer për herë të katërt në Prishtinë, për të sjellë nesër mbrëma së bashku me Trupën e Baletit premierën e shfaqjes “Le Corsaire”.

Shfaqja e baletit “Le Corsaire” e cila është një ndër shfaqjet pjesë e repertorëve nëpër teatro të ndryshme prestigjioze të botës, nesër mbrëma do t’i shtohet edhe repertorit të Teatrit Kombëtar të Kosovës.
Koreografi Rodriguez dhe balerinët e Trupës së Baletit kanë punuar së bashku për të sjellë historinë e piratit Conrad i cili vjen përmes lojës së balerinit Sinan Kajtazi. Historia e piratit i cili udhëton nëpër det të hapur në kërkim të vajzës së bukur të haremit, Medorës (Teuta Krasniqi), do vijë në një version plotësisht ndryshe në Prishtinë.

Sipas koreografit ndryshimi do të vërehet sidomos në pjesën e fundit të cilën ai e ka ndryshuar pothuajse tërësisht.
“Është një pjesë shumë e fuqishme dhe një shfaqje të cilën shumë balerinë kanë dëshirë që ta kenë në CV-në e tyre. E di me siguri që të gjithë kemi punuar shumë për të sjellë më të mirën në Kosovë, për publikun në Prishtinë”, u shpreh koreografi duke theksuar se idetë dhe planet për këtë shfaqje i kishte menduar gjatë kohës sa ka qëndruar në Amerikë në mënyrë që posa të kthehej të fillonte punën me balerinët.

“Kur erdha këtu këtë herë u përballa me problemet ekonomike nëpër të cilat arti po kalon dhe duke ardhur nga një vend tjetër mundem vetëm ta imagjinoj se sa e vështirë është për baletin por edhe për valltarët që të sjellin çdo gjë në mënyrën më të mirë të mundshme. Ka qenë e mahnitshme sesi Ahmeti si drejtor më ka mbështetur mua por edhe të gjithë balerinët duke marrë parasysh rrethanat. Besoj që do jeni të kënaqur me rezultatin e punës që do të shihni nesër”, theksoi ai.

Rodriguez u shpreh i lumtur me faktin se balerinët kanë dhënë maksimumin e tyre dhe kanë lënë prapa tyre çdo problem në momentin që kanë filluar ushtrimet. Sipas tij kjo ka shumë rëndësi pasi që e ka provuar edhe vet ndjenjën kur punon shumë në studio por përsëri mendimet janë diku tjetër.

Balerina Teuta Krasniqi tregon se realizimi i shfaqjes “Le Corsaire” brenda një muaji ka qenë një sfidë duke marrë parasysh se shfaqja me formë të tillë kërkon së paku tre muaj punë.
“Nuk ka qenë e lehë që një shfaqje e cila normalisht zgjatë deri në 2 orë e gjysmë ta sjellim brenda 45 minutave në mënyrë që të mos humbë lidhshmëria e shfaqjes. Siç e theksoi edhe koreografi historia e shfaqjes është mjaft e komplikuar. Po ashtu nuk ka qenë e lehtë as të sjellim një shfaqje të tillë kaq të madhe brenda një muaji kur edhe nëpër trupat botërore e që kanë numër të madh të balerinëve kërkohen së paku 2-3 muaj”, u shpreh ajo.

Pikërisht vizionit të koreografit i beson shumë drejtori i Baletit të Kosovës, Ahmet Brahimaj, prandaj ai ja ka besuar realizimin e kësaj shfaqje koreografit kohë më parë.
“Puna e koreografit në të kaluarën ka qenë e mirë dhe ka sjellë rezultate të mira edhe në kualitetin e shfaqjes por edhe energji pozitive në mes të balerinëve prandaj kemi vendosur që këtë shfaqje kaq të madhe të ia besojmë atij”, tregon Brahimaj.

Tutje ai u shpreh se sa i përket punës së balerinëve duhet që të potencohet se ata kanë sakrifikuar dhe vazhdojnë që të sakrifikojnë përderisa punojnë në kushte të vështira.

“Jo vetëm ne por të gjitha institucionet e kulturës jemi në njëfarë kollapsi dhe shpeshherë krijohet përshtypja sikur shteti dëshiron me na largu apo dëshiron ti shuaja institucionet e kulturës. Që katër muaj na i kanë larguar financimet që i kemi pasur dhe kemi shumë problem. Mirëpo përkundër kësaj jam i kënaqur që kemi arritur që për këtë shfaqje së paku të kryejmë obligimet që kemi ndaj koreografit”, është shprehur Brahimaj.
Premiera e shfaqjes ‘Le Corsaire” vjen nesër, më 4 tetor, duke filluar nga ora 20:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës./ KultPlus.com

KultPlus feston me Flaka Gorancin dhe me ciklin ‘Ta zbardhi ftyrën’

KultPlus – gazeta e parë online shqiptare që i kushtohet në tërësi raportimit mbi artin dhe kulturën, këtë vit do të festojë në mënyrë të veçantë.

Pesë-vjetori i themelimit të KultPlus vjen me një koncert dhe me një diskutim simpatik nën titullin “Ta zbardhi ftyrën”.

Do të jetë Flaka Goranci ajo e cila do ta begatojë këtë natë muzikore e cila do të mbahet me datë 8 tetor, në ora 18:00 në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në Prishtinë.

Flaka Goranci e nisi karrierën e saj muzikore në piano, për të kaluar më pas në këndim. Studimet e saj bachelor i përfundoi në Akademinë e Muzikës në Tiranë.

Në moshën 22 vjeçare ajo debutoi me rolin e Rosina në ‘Il Barbiere di Siviglia’ në Operën Shtetërore në Tiranë. Në Izrael, në Shqipëri e Austri ajo është paraqitur në role të ndryshme, përfshirë ‘Le nozze di Figaro’ të Mozartit, rolin e Dorabella në ‘Cosi fan tutte’, Ida në ‘Gemma di Vergy’, Dido në ‘Dido and Aeneas’ dhe Die Mutter në ‘Der Jasager’. Në mesin e dirigjentëve me të cilët ajo ka punuar numërojmë Nicolaus Harnoncourt, Erwin Ortner, Ulrich Windfuhr, Paëel Poplawski, Enrico Delamboye, Manfred Mayrhofer, Vittorio Parisi, Yishai Steckler, Gion Gieri Tuor, Zhani Ciko dhe shumë dirigjentë tjerë, njëjtë edhe me drejtorët e ndryshëm të operave, duke përmendur këtu Uwe Eric Laufenberg, Stephen Lawless, Carlos Wagner, Niv Hoffman, Andrea Zogg, Ulrich Schulz, Dani Ehrlich, Nikolin Gurakuqi dhe Michal Grover Friedlander.

Ajo është fituese e Bursës Hilde Zadek Scholarship Foundation ndërsa ka performuar në skena të mëdha botërore.

Këtë natë Flaka do të jetë edhe pjesë e “Ta zbardhi ftyrën” – një cikël ku sjellim personalitete të cilat krijojnë dhe kanë sukses jashtë Kosovës, për të na treguar për sfidat, vështirësitë dhe rrugëtimin e tyre. Titulli i debatit nuk asocon me asgjë tjetër, pos idesë se artistët kosovarë e shqiptarë mund dhe arrijnë të kenë suksese edhe në shtetet tjera evropiane ku ndoshta është i vështirë depërtimi. A ekziston ende shprehja “na e zbardhe ftyrën” dhe a veprojnë artistët bazuar në këtë thënie, do ta zbulojmë edhe me Flakën.

Nata muzikore është pa ftesa, prandaj të gjithë lexuesit e KultPlus dhe ata që e duan artin e kulturën janë të mirëseardhur në këtë natë me muzikë, me diskutim por edhe me plot art e kulturë.

Në shoqërim në piano vjen Pranvera Hoxha. Për më shumë detaje rreth koncertit na shkruani në [email protected] ose në Facebook dhe KultPlus.

Kushtrim Hoxha në rolin e agjentit turk në ‘Madame Secretary’

Në rolin e një agjenti turk të quajtur Orhan, aktori kosovar Kushtrim Hoxha, i cili po bën karrierë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është bërë pjesë e një prej serialeve më të njohura televizive amerikane.

Hoxha së fundi ka realizuar xhirimet përkrah yjeve amerikane të dramës politike “Madame Secretary”, prodhim i “CBS”-it, shkruan Koha.

Episodi në të cilin ai paraqitet në rol episodik, do të transmetohet muajin që vjen, por gjasat janë që ai të rikthehet në serial me të njëjtin rol në fund të sezonit të pestë. “Madam Secretary” është serial amerikan, i krijuar nga Barbara Hall dhe me producentë ekzekutivë Lori McCreary e Morgan Freeman. Drama politike televizive ka protagonist aktoren Tea Leoni (si Elizabeth McCord), një ish-analiste e CIA-s dhe profesoreshë e shkencave politike, që bëhet sekretare e shtetit. Seriali e ka pasur premierën më 21 shtator të vitit 2014. Më 24 tetor të atij viti, “CBS” e lansoi si sezon të plotë me 22 episode. Në mars të vitit 2017 u dha sezoni i katërt. Që nga prilli i këtij viti, ka nisur transmetimi i sezonit të pestë. / KultPlus.com

Nga sot, Nexhmije Pagarusha e ka statusin e qytetares me merita të veçanta

Pas propozimit të Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që nga sot Nexhmije Pagarusha do të ketë statusin e qytetares me merita të veçanta për shkak të kontributit të saj në promovimin e muzikës së mirëfilltë shqipe.

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë ministri Gashi dha propozimin që bilbilit të këngës shqipe, Nexhmije Pagarushës, t’i njihet statusi i qytetares me merita te veçanta për kontributin e saj në promovimin e muzikës së mirëfilltë shqipe duke përfshirë edhe mbështetjen financiare të saj siç është përcaktuar në propozim-vendim në vlerë prej 500 euro në muaj.

Në fjalën e tij, ministri Gashi tha: “Nexhmije Pagarusha siç njihet në popull bilbili i muzikës shqipe, me paraqitjet e saj në shumë vende të botës bëri që karriera e saj të jetë e bujshme, duke përfaqësuar kësisoj Kosovën dhe përçuar vlerat dhe traditat e vendit tonë. Ajo interpretoi në festivale dhe skena të njohura ndërkombëtare, duke interpretuar edhe vepra të përkthyera në gjuhën shqipe, si ato të Bethovenit etj.”.

Po ashtu, ministri Gashi foli edhe rreth “Bareshës” duke theksuar se “Nexhmije Pagarusha në krijimtarinë e vet muzikore mendohet t’i ketë interpretuar mbi 150 këngë ku shumicën nga këto ia kushtoi vendit dhe dashurisë duke filluar nga Kryevepra ‘Baresha’ që me interpretimin e saj i paraqiti vlerat e Artit dhe Kulturës, edhe në atë kohë kur muzika shqipe dëgjohej dhe kultivohej shumë pak”.

Gjithashtu, ai foli edhe rreth çmimeve të saj në skena të njohura vendore dhe ndërkombëtare. “Nexhmije Pagarusha gëzon respekt edhe sot nga personalitetet të shumta vendore dhe ndërkombëtare, Veprat e mira nuk kanë çmim, por kultivuesit meritojnë mbështetje”.

‘Në Shqipëri ka dy javë që një vajzë maltretohet portaleve e gazetave’

Nezir Kraki

Shqipëria që s’po bëhet

Në Francë para disa ditëve një burrë u dënua me 300 euro gjobë për sjellje seksiste në metro ndaj një vajze të panjohur (i kishte thënë kurvë publikisht pa ndonjë arsye).

Në Shqipëri ka dy javë që një vajzë maltretohet portaleve e gazetave, studiove televizive e selive të partive veç se ajo denoncoi dhunën dhe shtërengimin që ushtrohej ndaj saj nga të paprekshmit e Rilindjes.

Për dy javë rresht, me dhjetra artikuj e me dhjetra gazetarë e analistë organizuan procese gjyqësore dhe linçime publike në një paskrupullsi të gërditshme duke e dehumanizuar edhe vajzën edhe përjetimin e saj.

E shkreta vajzë, kur e kuptoi se përpjekja e saj për të ikur nga goja e ujkut e kishte vendosur në mes të arenës vdekjeprurëse të gladitorëve politko-mafijozë shqiptarë, u tërhoq dhe tha “vetëm shuplakë me ka rënë”.

Kjo e dëshmon faktin se edhe në Shqipëri sikurse në Kosovë populli jeton përballë shtetit, nuk është as pjesë e tij as nën mbrojtjen e tij.

Prandaj shohim spektakle të tilla të turpshme ku dhuna ndaj grave ekslipsohet totalisht nga lufta e bandave politike për ruajten e monopoleve të paprekshme mbi kurrizin e një populli tashmë të asfiksuar.

Prandaj sa herë të ndodhë ndonjë vaki në Shqipëri, ajo që del në shesh nuk është dora e drejtë e shtetit por i gjithë skeleti i tij i kriminalizuar dhe institucionet e tij inekzistente.

Shqipëria kështu siç është nuk meriton as integrim e madje as staus kandidati për BE. Thjesht s’e meriton…
– me këtë parlament
– me këto parti politike
– me këtë polici
– me këtë shëndetësi
– me këtë edukim
– me këto media
– me këto rrugë
– me këtë ndotje
– me këtë masakër urbanistike
– me këto tonelata drogë që e pushtojnë Evropën çdo javë
– me këto vrasje si në El Salvador
– me këtë mjerim social

– me shtetin që kurrë s’u bë.

Vera Ora, Ambasadore e organizatës që ndihmon në luftën kundër kancerit të gjirit

Vera Ora është përzgjedhur Ambasadore nderi në organizatën e bamirësisë “Future Dreams” në Londër.

Ajo kishte mposhtur luftën kundër kancerit para disa vitesh, e tashmë është një shembull për gratë se si duhet luftuar përballë sfidave të jetës.

Vera është shumë e lumtur që do t’i ndihmojë grave të cilat janë të prekura nga kanceri i gjirit.

“Jam e nderuar të zgjidhem ambasadore e #futuredreamcharity organizatës bamirëse në Londër që së bashku t’i ndihmojmë grave të prekura nga kanceri i gjirit, shkruan Ora, nëna e këngëtares shqiptare Rita Ora. / KultPlus.com

Gipsy Groove dhe The Bloody Foreigners, në emisionin e Iggy Pop në BBC

Legjenda Iggy Pop, këngëtari i njohur amerikan, në një intervsitë relaksuese për BBC Radio 6 mes tjerash ka përmendur edhe Shqipërinë dhe muzikën shqipe.

Dy orë program e sjellim artistin në bisedë mbi tema të ndryshme. Dikur ai fillon të flasë për Shqipërinë – këtë vend ku nuk ka pasur qasje për shumë kohë dhe ku ka mbizotëruar diktatura, thotë Iggy.

“Në Kosovë të gjithë janë shqiptarë dhe kjo pjesë e botës ka muzicientë shumë të mirë e të rafinuar” thotë Iggy.
Në këtë emision ai përmendë grupin The Bloody Foreigners. Në minutën 1:04 vjen kënga “Katunar” nga grupi me anëtarët Fatos Bejta, Fatos Derguti, Ardi Kelmendi dhe Josef Cook, shkruan KultPlus.

Për më tepër, Iggy duket se e njeh mirë edhe një pjesë tjetër të muzikës shqipe, grupin Gipsy Groove – ndoshta grupin që krijon atmosferën më të zjarrtë kudo.

Në minutën 59:00 të programit luhet një prej këngëve të grupit të njohur nga Kosova. Këtu Iggy edhe e nisë tregimin e tij që lidhet me Ballkanin, Jugosllavinë dhe me Maqedoninë.

Pop e vazhdon programin me një këngë ekskluzive të David Boëie ndërsa rrëfimi i tij i gjatë kalon nëpër frekuenca të ndryshme, lokacione e kultura të ndryshme dhe me muzikë të ndryshme që është përzgjedhur nga vetë ai. / KultPlus.com

(Fotografia e The Bloody Foreigners: Majlinda Hoxha)

‘Mallkimet’ e prindërve për fëmijët, inspirimi i HAVEIT në performancën e radhës në Tiranë

Bazament ka kënaqësinë të paraqesë, Haveit / “Kafsha e Keqe”.
4 tetor, 19:30, Bazament Art Space Tiranë
(Fotografia: Boubkar Benzabat)

Në performancën dhe instalimin e tyre të ri, kolektivi Haveit ka marrë si subjekt të tyre fenomenin e “mallkimeve”. Është tipike për familjet shqiptare, që Prindërit të përdorin mallkimin ndaj fëmijëve, për ti “mësuar” atyre sjelljen e drejtë. Kjo gjuhë e dhunshme e mallkimit, justifikohet si mjet normal disiplinor i mësimit të etikës së sjelljes. Haveit duke ekspozuar keto “mallkime’’ duke bërë publike atë që konsiderohet private, përpiqet të reflektojë se si kjo gjuhë shumë problematike, agresive, ndikon dhe manifestohet më vonë në ndërtimin e një shoqërie të dhunshme patriarkale dhe si kjo gjuhë është ende e pranishme dhe riprodhohet në të gjitha marrëdhëniet e tjera shoqërore.

*
HAVEIT (Alketa Sylaj, Hana Qena, Vesa Qena, Arbërore Sylaj) është një kolektiv arti themeluar në Prishtinë, Kosovë në vitin 2011. Duke përdorur performancën, protestën dhe video-instalacionin si shtyllë kurrizore të punës së tyre të angazhuar, ato shpesh perceptohen si ‘rreziqe’ në atë që ende është një shoqëri kryesisht patriarkale. Praktika e tyre përfshin performancat dhe ndërhyrjet në hapësirën publike, si dhe ekspozitat.
2017 “Been through a lot “, Mala Stanica, Shkup, Maqedoni. “Pilule du lendemain”, Prishtinë, Kosovë. 2016, Galeria Kombëtare e Arteve, Prishtinë, Kosovë, “Jepi me gojë” dhe “Kur babai qau, nëna më la sytë”, Muzeu Ludwig, Budapest, Hungari “Melting lead under the moon, for the spring blooming soon” Lambdalambdalambda, Prishtinë, Kosovë ” Shaving Patriarchy ” , Kosovë. “Pushimi i gjatë”, Prishtinë, Kosovë, 2015 “Tager”, Bienalja e Artistëve të Rinj, Milano, Itali . ” Jepi me gojë “, Ljubljana, Slloveni. “Shoeining”, Prishtinë, Kosovë. Shkodër, Shqipëri. “L dhe Sh”, Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor, Prishtinë, Kosovë. “Tager”, Prishtinë, Kosovë, 2014 ” Jepi me gojë “, Stokholm, Suedi. Jepi me gojë “, Tiranë, Shqipëri. ” What color is your flag when it burns? Prishtinë, Kosovë.” Nonsense, lame “, Prishtinë, Kosovë. “Kur babai qau, nëna më la sytë”, Piramida, Tiranë, Shqipëri. “Varur mbi një perde”, Tiranë, Shqipëri.

Performanca dhe instalacioni do të ndodhin me 4 tetor, në ora 19:30 në Bazament Art Space. / KultPlus.com

Plagjiatura e profesoreshës Drita Konxheli

Nga Admovere.

PLAGJIATURA 3
RASTI: DRITA KONXHELI

Në vitin 2015 Drita Konxheli, profesoreshë e asocuar në Fakultetin e Ekonomisë të UP-së, si autore e parë publikon në anglisht, në revistën akademike «Reforma» (2/2015), punimin me titull «Privatization Process in Kosovo». Shumë pjesë në dy nga kapitujt dhe konkluzionet e punimit të Konxhelit janë të kopjuara nga punimi me të njëjtin titull, i publikuar më 2014 në revistën akademike «Iliria International Review» me autor Florin Aliun, ish-student i Konxhelit, aktualisht kandidat për doktoraturë në Çeki. Kjo plagjiaturë zbulohet në shtator të vitit 2016 nga «Gazeta Jeta në Kosovë». Drita Konxheli nuk deklarohet për këtë rast. Ajo vazhdon me qenë profesoreshë në Fakultetin e Ekonomisë.

Plaku vejan e rejat e pakujdesshme

Ni babë i kish pase tre djem. Të tret i martoi e jau muer tri nuse për t’pamë t’synit kush mos me i pasë. Nuk vanoi hiç shum e plakut i diq e shoqja. Met vejan. U munue me u martue po s’mujti. Tanë i thojshin: „I kie rejat, t’bajnë hyzmet e t’kqyrin”, e u munojshin me ja hjekë mërzinë. Edhe djemt i thojshin qashtu.
Rejat kurr s’e kthejshin kryet për plakun. Bile as me ja la kmishat s’ja lajshin. Djemt u habitshin n’punë e kujtojshin qi gratë p’e kqyrin babën, si âsht zakoni.
Baba ja nisi m’u ankue pak te djemt. Thojke:
— Bir bre, s’po m’kqyrin rejat hiç.
Djemve u vike ranë kjo punë, por, kur i vetshin gratë e tyne, ato u thojshin:
— Valla veç âsht rrokatë baba se na nryshe s’dimë qysh m’e kqyrë se boll po munohmi përditë me tâ.
E pa baba qi djemt nuk po donë me marrë vesh qi s’p’e kqyrin gratë. Mendoi me qitë ni tërtip qysh me jau mushë mênen t’bijve. Dit pej ditsh e qiti fjalën se ja kishin vjedhë kuletën me pare rejat e veta. U kallxoi djemve:
— Ftyra jonë na u muer se gratë e juve ma vodhen kuletën me pare.
— Shka po thue, babë, i thanë djemt. A perimë e kie?
— Po, bre bir, vallahi, bash ktu n’odë ma kanë vjedhë.
— Kur?
— Sot.
Djemt u mërziten edhe t’tret ngajten te shpija e me brimë po donë m’i nxjerrë kuletën e babës prej grave.
— Qysh, bre, zoti u marroftë! — u thanë djemt grave t’veta. — Shpejt me kallxue cilla ja keni vjedhë paret babës n’odë, se na kishi marrë ftyrën.
Reja ma e madhe tha:
— Vallahi nashta i kanë hupë, po une që dy javë s’jam kanë n’odë pej punve t’mija e s’e kam pa babën.
E dyta ja nisi e po ban be:
— Vallahi bilahi qe ni muej dit s’jam kanë n’odë e s’e kam pa babën!
Reja e tretë ja nisi e po ban be edhe ajo:
— Pasha t’ritë tem e m’u qorrofshin sytë n’kofsha kanë n’odë e n’e paça pá babën që dy muej dit.
Djemt i muerën gratë për krahi e të gjith shkuen n’odë e i thanë babës:
— Babë, që t’i prumë gratë e ngoi shka po thonë.
Gratë ja nisën e po bajnë be e i thanë qato fjalë qi jau kishin thanë burrave t’tyne.
Plaku ja nisi e po keshë.
— Ungjuni djemt edhe rejat e mija.
E nxor kuletën me pare e jau kallxoi.
— Që ku e kam kuletën. Kërkush s’ma ka vjedhë, po dashta me jau mushë mênen, more djem, qi s’janë kah m’kqyrin rejat. E që tash, kto vetë e banë ispat me gojë t’vet qi s’kan ardhë as me m’pa me sy n’odë, njana që dy javë, tjetra që ni muej edhe e vogla që dy muej. E baba nuk kqyret kshtu. Për qetà deshta me jau mushë mênen.
Mas asaj dite rejat filluen me e kqyrë plakun si duhet.

(marrë nga Anton Çetta, “Prozë popullore nga Drenica”
tregu nga: Beqir Bajraktari, lindur më 1921 në Kishnarekë. Mësues, ka kryer shkollën normale. )

Në ëndërr

Poezi nga Egzon Krasniqi.

Ka kohë që jemi nda
Kemi uru njani-tjetrin
S’kam rresht së menduari për ty
E shpesh n’takimet me hanen
Ti ke qenë personazhi kryesor
Kështu si në shkrimet e mia
Hanen e kam pyt shpesh
Por përgjigje s’kam marr
A m’kujton edhe ti si unë
A ndoshta tash m’ke harru
E shpesh kam pyet veten
A thu a ka ndryshu
A është bërë më e bukur
A mos ndoshta ndarja e ka shkatërru
E sytë e mi kane dashttë me t’pa
Por më kot
U bë kohë që s’jemi pa
Të huaj ishim dikur
Të huaj mbetëm edhe sot
Por jo të harruar
Sonte në ëndërr më je shfaqur
E bukur si përherë
Më puthe
Më ringjalle ndjenjat
Dhe ike
Në fakt nuk di nëse ike ti apo ika unë
Ne u ndamë n’momentin kur hapa sytë
Më iku gjumi
Më iku ëndërra
Më ike edhe ti
Qe e kot të mbyllja syte më
E po të riktheshe sa herë mbylli sytë
Do i lutesha Zotit të bëhem i verbër
Së paku kështu do ishim bashkë
Në ëndërra..

‘Shpresa e vetme e Kosovës është populli i saj i pashpresë’

Nezir Kraki

Shpresa e vetme e Kosovës është populli i saj i pashpresë

Krejt sistemet politiko-kriminale, nga diktaturat deri te oligarkitë, program e kanë lodhjen e popullit deri në pikën e pashpresës. Se një popull i kërrusur manipulohet lehte nga varësia dhe nevoja për mbijetesë.

Por është pikërisht kjo qasje që gjithmonë i ka dënuar ato sisteme. Se në fakt, shtrëngimi për kontrollim dhe lodhja për manipulim janë katalizatorët kryesorë të revoltes së brendshme të individit. Dhe, revolta e brendshme individuale, lufta e brendshme për liri dhe dinjitet njerëzor, kthehen pashmangshëm në bazën më solide e revoltës kolektive që synim ka interesin e përgjithshëm.

Populli i Kosovës gjendet sot fiks në këtë pikë: në stacionin e fundit të ciklit të shtrëngimit dhe të lodhjes nga një sistem që s’buron prej tij.

Prandaj nga sot populli ynë duhet të vendosë t’i bashkojë revoltat e brendshme individuale në një revoltë të shprehur bashkerisht.

Sepse veç popujt mund të hapin dhe mbyllin cikle historike.

Para 20 viteve populli ynë e hapte ciklin e lirisë. Sot ai duhet ta mbyllë ciklin e shkaterrimit të ëndrrave, duhet ta mbylle ciklin e pashpresës.

Prandaj nga sot, shpresa duhet të burojë nga pashpresa.

‘Doktorja e shkencave nuk e ka lexuar kurrë poezinë e Kadaresë’

Artan Gjyzel Hasani

DHE “YJET” RRINE E VESHTROJNE…- nje shenim vertikal mbi plagjiaturen dhe integritetin e munguar.

Deri dje nuk dija asgjë për ekzistencën e saj. Nga facebook-u mësoj se ajo qënka një person shumë i njohur për publikun shqiptar. Emri i saj shfaqet në mediat shqiptare, fytyra e saj shfaqet në studio televizive, zëri i saj kumboka në auditore universitetesh, forume ndërkombëtare, konferenca shtypi, promovime e ceremonira politikanësh. Shfaqet në foto jo rrallë në shoqëri gazetarësh, botuesish, njerëzish me pushtet administrativ. CV e saj më zgjeron edhe më shumë horizontet: diku shfaqet si mjeke veterinere, diku si biologe, pastaj gazetare, analiste, psikologe, politologe, natyrisht edhe poete, lektore, pedagoge universiteti, doktore shkencash dhe madje, edhe drejtoreshe e Burgut te Grave te Tiranës. Nje person publik me steke te larte. Duket qartë që zgjuarsia dhe aftësitë PR të saj janë të niveleve më të larta akademike, administrative dhe sociale, duke e kthyer atë vetë në celebrity të standardeve shqiptare. Mund të thuhet pra, një njeri me integritet të lartë që buron nga vetë kjo karrierë e bollshme. Quhet Zoje Jakaj, e njohur më shumë si Xhoi Jakaj.

Por para pak ditësh zonja në fjalë i bëri një sfidë të re vetes, publikut të vet dhe memories sonë: publikoi një poezi nën emrin e saj, nje poezi që në fakt është poezia e famshme e më të madhit shkrimtar shqiptar, Kadaresë dora vetë. Me ndonjë modifikim qesharak mikroskopik. Një vjedhje skandaloze ditën me diell. Dhe jo vjedhje të ndonjë anonimi, por vetë Kadaresë. Dhe jo një poezi të panjohur, por bash poezinë më të bukur lirike të shkruar ndonjëherë nga Kadareja! E akuzuar për plagjiaturë në facebook, fillimisht nga nje mike e veta, e me pas edhe nga shkrimtarja dhe studiesja Ana Kove, personazhja interesante e këtij statusi e çon paturpesine e vet në një stad më të lartë: në atë të gënjeshtares gjakftohtë. Dhe gjithçka zhvillohet në publik. Doktorja e shkencave bën një vetëmbrojtje duke thënë që nuk e ka lexuar kurrë poezinë e Kadaresë, madje nuk kishte idenë që ekzistonte ajo poezi dhe se mund të jetë një koinçidencë që ajo sot dhe Kadareja 30 vjet më parë kanë shkruar të njejtën ide, mendim, vargje! Në këtë pikë fllucka e madhe e celebrity-s sonë është shfryrë. Momenti kur ajo guxon të vjedhë publikisht pronën intelektuale të dikujt tjetër dëshmon që ajo nuk ka asnjë integritet si person. Momenti kur ajo e mbron paturpësisht vjedhjen e saj dëshmon se ajo nuk ka pasur kurrë integritet. Dhe të mendosh që paska qenë edhe drejtore e një institucioni shtetëror që akomodon e rehabiliton hajdute e vjedhëse.

Dhe “yjet” rrinë e vështrojnë. “Yjet” e establishmentit të rremë shqiptar të medias, showbiz, botës akademike e kulturore, të gjithë njësoj të ngjajshëm.
Jo vetëm heshtin para vjedhjes, por i falin me qindra like-s dhe superlative, duke u deshmuar njesoj pa integritet personal dhe profesional. Njesoj te ngjajshem.
Dhe jo popullatë e thjeshtë, por gazetarë me emër, aktorë, pedagoge, politikane, edukatore, dhe për faqen e tyre të zezë heshtin, edhe pse një krim, një vjedhje është shpalosur publikisht para syve të tyre.

Vjedhja e nje poezie në vendin ku vidhet, shitet, blihet çdo gjë, pyjet e kullotat, malet, fushat, liqenet e detet, votat dhe postet, diplomat dhe titujt, partite e institucionet, njerezit dhe e ardhmja, nuk eshte ndonje gjeme sigurisht. Vec nderi nuk shitet më në “elitën” bashkëkohore shqiptare, sepse prej kohësh nderi është produkt i munguar në atë “elitë”.

Problemi shtrohet deri kur mund të lejojmë të na fyejnë inteligjencën karagjozët.

Vërtet, ku e gjen kurajon ky kallëp njerzish të bëjë këto gjëra kaq të padenja? Këta njerëz vanitozë që nuk dinë se çfarë do të thotë të fitosh e krijosh staturën tënde profesionale, kulturore e artistike, integritetin e dinjitetin njerzor me vlerat reale që kanë, këta njerëz që kanë mbështetur tërë karrierën dhe titujt akademikë e profesionalë, imazhin e tyre publik dhe mediatik veç në vjedhjen e tjetrit, veç në gënjeshtra e mashtrime, veç në fallsitet dhe imoralitet.

Kurajoja e tyre buron pikërisht nga Heshtja e Madhe, heshtja e atyre shqiptareve të ndershëm që akoma vuajnë dënimin e tyre nga Zoti për Moskallzim Krimi.

Dikush shkruan një poezi e cila ka shumë ngjashmëri me ‘Kristal’ të Ismail Kadaresë

Ato janë dy poezi, por duket se ka njerëz që kanë gjetur ngjashmëri mes tyre

Poezia e njohur e Ismail Kadaresë, “Kristal”, e kthyer edhe në këngë, është një prej poezive më të përjetuara nga shkrimtari i cili më shumë shkëlqen në zhanrin e romanit.

Dikush e morri këtë poezi dhe e krahasoi atë me një poezi të dikujt tjetër.

Xhoi Jakaj, pedagoge në Universitetin e Tiranës, pretendon se nuk e ka lexuar asnjëherë këtë poezi të Kadaresë, por një poezi e saj përngjan shumë me atë të Kadaresë, shkruan KultPlus.

Kur më vonë dikush komentoi në rrjetin social Facebook, ajo tha se nuk e ka lexuar poezinë dhe se e ka shkruar në origjinal vetë poezinë e saj, pa u inspiruar diku.

E akuzuar për plagjiaturë në facebook, fillimisht nga nje mike e veta, e me pas edhe nga shkrimtarja dhe studiesja Ana Kove, personazhja interesante e këtij statusi insiston se poezia është e saj.
Ka pasur komente të ndryshme rreth këtij skandali, por ka pasur edhe njerëz të cilët kanë heshtur para këtij veprimi. Jakaj ose e ka fshirë deri tash postimin e poezisë, ose e ka bërë këtë gjë në mënyrën private, që poezinë ta lexojnë vetëm miqtë e saj virtualë. / KultPlus.com

Po të dhuroj këtë poezi

JIMMY SANTIAGO BACA / Përktheu Beti Njuma

Po të dhuroj këtë poezi
meqenëse s’kam ç’të të jap më shumë.
Mbaje si një pallto të ngrohtë
që të mbështillesh kur t’ia behë dimri,
a si një palë çorape të trasha
që të ftohtët s’mund t’i depërtojë.

Të dua,

S’kam ç’të të jap më shumë
veç këtij misërniku
që barkun në dimër të ta ngrohë,
një shall për kryet, që flokët të
mbulosh, fytyrën të mbështjellësh.

Të dua,

Mbaje fort, vlerësoje
siç shtegun do kërkoje, në ke humbur,
në këtë xhungël që bëhet jeta kur rritemi;
dhe në skutën e sirtarit
fshihe, si një kolibe a një kasolle
në një pyll të dendur, eja trokit,
e unë do t’përgjigjem, rrugën do të t’prij,
pranë zjarrit do të t’ngroh,
ndanë tij të pushosh, e sigurt të ndihesh.

Të dua.

Është gjithë ç’mund të të jap,
dhe gjithë ç’lypset për të jetuar,
për të vazhduar jetën brenda,
kur botës jashtë
s’i bëhet vonë në gjallë je apo ke vdekur;
mos harro,

Të dua.

Drogë dhe rrahje mes nxënësve në Gjimnazin ‘Sami Frashëri’

Policia e shqetësuar për një lojë të rrezikshme mes nxënësve dhe me narkotikët në “Sami Frashër”

99 nxënës janë në listë të pritjes për gjimnazin “Sami Frashëri”.

Shkolla e mesme është ndër më të mirat në Prishtinë edhe me sukses të nxënësve.

Por, në të njëjtën kohë, ka hyrë edhe në mesin e shkollave problematike.

Një lojë ku nxënësit rrahin njëri-tjetrin me shumë forcë, e ka shqetësuar policinë pasi që nga “Sami Frashëri” është shpërndarë edhe në shkolla tjera.

Dukuria jo e mirë është ngritur në Këshillin për Siguri në Bashkësi.

Në shkollë thonë se për lojën u njoftuan nga policia.

Por, policisë telashe në “Sami Frashër” i kanë dalë edhe me nxënës që janë përdorues të narkotikëve.

Për t’i luftuar këto dukuri, policë me rroba civile janë angazhuar në afërsi të shkollave ashtu siç është duke u punuar në rritjen e numrit të kamerave nëpër objekte shkollore. / KultPlus.com

Sonte në Tirana Art Lab, Jora Vaso dhe Theo Napoloni

Sonte me fillim prej orës 19:00 në Tirana Art Lab do të hapet ekspozita ‘Double Feature # 10 – Jora Vaso & Theo Napoloni’.

Kjo ekspozitë, midis të qenurit dhe mos qenurit, midis të bërit dhe mos bërit, për shkak të pasigurisë karakterizuese të kontekstit ku ushtron veprimtarinë Tirana Art Lab, është përmbledhëse e dy ekspozitave që i nënshkruari kishte ndërmend të realizonte në muajt e parë të kësaj vjeshte 2018.

Koncepti fillestar, që do të përbashkonte njërën dhe tjetrën, ishte problematizimi i “mureve” brenda hapësirës ekspozitive, ose më mirë të thuhet, përqasja instalative e punëve artistike përkundër asaj standarte, varjes së tyre nëpër mure, ekspozimit dypërmasor. Ky koncept ishte rezultat i një sugjestioni prej veprës së Virginia Woolf-it dhe më saktësisht esesë “A Room of One’s Own” (Një dhomë mëvete) dhe tregimit të saj të parë “The Mark on the Wall” (Shenja në mur), ku përtej provokimeve gjinore për të pasur një dhomë më vete, shkrimtarja hap përfundimisht çështjen problematike të “mureve” si masë apo metër gjykimesh përcaktuese dhe përfundimtare.

Ekspozita e parë që mendoja të organizoja merrte shkas nga punët fotografike të disa artisteve. Njëra prej tyre, pjesë e kësaj ekspozite, është Jora Vaso. Në punët e saj vihet re një lojë sarkastike e cila luhatet midis përdorimit, në dukje, të çlirtë, të pavëmendshëm të mediumit (smartphone) – që i ngjason mendjelehtësisë sonë në përdorimin e përditshëm të këtij dispozitivi “pushtues” të jetëve tona – dhe kontradiktave të brendshme të imazheve, ku ngjyrat dhe format, të zgjedhura me shumë kujdes, përplasen dhunshëm.

Edhe në këtë ekspozitë, nga njëra anë, menjëhershmëria prej diletanteje e Jorës (rrënja etimologjike e kësaj fjale latine – dilettare, delectare, delicere, de+lacio – ka të bëj me tërheqjen e një filli), karakterizon imazhet, nëpërmjet ngjyrave, me një pasion sa të hovshëm aq edhe shpërthyes dhe argëtim sa të sinqertë aq edhe efemer; ndërsa, nga ana tjetër, gjetja e qëllimshme dhe e kuruar e formave të dhunshme apo dekadente, në këtë rast aspak diletanteske, menjëhershmërinë argëtuese na detyrojnë ta shohim në sfondin e saj tragjik, të kobshëm me të cilin është e lidhur pashmangshmërisht.

Dhe nuk mund të mos të të bëjnë të mendosh këto foto mbi efektin e alienues të dispozitivëve të komunikimit, të cilët, nëpërmjet filtrave estetizant, na abstragojnë realitetin e optimizojnë makinerinë që “çon përpara drejt progresit” shoqërinë, aty ku horizonti i eventeve të së përditshmes, edhe pse i dhunshëm, konsumohet si spektakël fishekzjarresh, duke fshirë kujtesën tonë historike.

E megjithatë, disa evente, nga ky horizont i së përditshmes tashmë më shumë se çerekshekullore të tranzicionit, mbeten, dhe këtu jemi te punët e Theo Napolonit. E mbeten duke insistuar me kokëfortësi në përshenjimin e atij horizonti të dhunës që ka koordinata të qarta e fikse në kujtesën e çdo shqiptari.

Por edhe në këtë rast, këto evente janë të rrezikuara e në bjerrje nga konsumi spektakolar i historisë, që i zbardh, u heq bojën e pasionin, duke i lënë, thuajse, gjysmake.
Edhe për Theo Napolonin, njësoj si për Jora Vason, nuk ka zgjidhje tjetër përveç sarkazmës, ironisë therëse ndaj kësaj dhune të përditshme 27-vjeçare, ku historia – e fshirë dhe e rifshirë – ka rreshtur së na mësuari e, madje, s’rresht së përsërituri vetveten në horizontin e përditshëm të eventeve të kobshme, deri në konsumimin e saj të plotë.
Por, ndryshe nga Jora, që nxjerr në pah dhunën e së përditshmes duke ekzagjeruar efektin mpirës, mbytës, topitës të fotografive të saj kontrastuese në formë dhe përmbajtje, Theoja i përkthen këto fotografi (mediatikisht të famshme), edhe një herë në piktura, në arkenë (ἀρχή) e tyre mediatike, pra edhe një herë në burim apo origjinë, ku, të mbetura pezull midis fshirjes dhe zhdukjes përfundimtare, përpiqen edhe një herë për të kapur atë ç’ka mbetur prej ndërgjegjies sonë kolektive e për ta përballur me atë ç’ka duhet të quajmë kujtesë kolektive. / KultPlus.com

Arsyet pse nanat që ‘rrijnë’ në shtëpi e ndjejnë se po çmenden

Duhet ta pranojmë, me qenë nanë në shtëpi nuk është aspak e lehtë. Duket se njerëzit mendojnë se ti veç rri me fëmijët gjithë ditën, apo? Pastaj nuk e kuptojnë pse e humb kontrollin ndonjëherë. Kështu që, herën tjetër kur tezja Hamdije nis me të tregu sa lehtë e ke, etiketoje në këtë postim.

Qe 18 arsye pse nanat që rrijnë në shtëpi e humbin kontrollin çdo ditë:

1 E humbim kontrollin sepse pastrojmë jashtëqitje gjithë ditën. Kur të pastrosh jashtëqitje në prapanicat e vogla, në mure, në gishta, gjithë ditën, atëherë mundemi me bisedu.

2 E humbim kontrollin sepse nuk mundemi me shku në toalet rehat. Seriozisht, jo vetëm që fëmijët të bombardojnë me piskama çdo herë që ulesh në toalet, por Zoti na ruajt, me mund burri me i rehatu për disa minuta deri sa ti ta kryesh nevojën në qetësi.

3 Asnjëherë nuk shpëtojmë prej piskamës së vazhdueshme të një fëmije që i është prishur qejfi. Sot, këtij fëmije i është prishur qejfi 1,678 herë. Kjo mjafton për ta çmendur këdo.

4 E humbim kontrollin sepse 90% e ditës na shkon duke i ruajtur fëmijët të mos e mbysin veten. E keni parasysh.. njëri fëmijë mendon se është supernjeri që mund me fluturu nga dollapi i rrobave, e tjetri mendon se është argëtuese ta fusësh pirunin në prizë.

5 E humbim kontrollin sepse kur i kërkojmë 5 minuta për me marrë frymë, na pyesin pse? Pse? A po tallesh me mua? A e pyet edukatoren në çerdhe pse ka nevojë për 5 minuta pushim, ose edhe për pauzën e saj 30-minutëshe për me hangër bukë rehat?

6 E humbim kontrollin sepse po vdesim për gjumë. Përderisa ti i bën 8 orët e gjumit, nanat në shtëpi çdohen çdo orë nga të qarat e fëmijës, i përzënë përbinëshat në ora 3 të mëngjesit, dhe luten që fëmijët me flejt pa kërku ujë 50 herë.

7 E humbim kontrollin sepse niveli i sheqerit në gjak na ka rënë përtokë. Ne nuk kemi as gjysëm ore për drekë, madje as 5 minuta për me hangër diçka. Kur fëmijët hanë bukë, ne vëmë rroba në lavatriçe, lajmë enë, ose endemi nëpër dhomë duke u mundu me e qetësu një foshnje që nuk ndalet tu qajt.

8 E humbim kontrollin sepse vrapojmë gjithë ditën si pula pa krye. Edhe dikush mendon se kemi edhe kohë të lirë. Po qysh jo, meqë unë nuk bëj asgjë gjithë ditën, mundem me ardh edhe me ta pastru shtëpinë tënde për mysafirët, edhe me ardh në ndejat me nuse e bija që i bëni çdo javë.

9 E humbim kontrollin sepse nuk largohemi nga puna kurrë. Me qenë nanë në shtëpi është punë me orar të plotë e që nuk mbaron asnjëherë, gjithë ditën, edhe pjesën më të madhe të natës.

10 E humbim kontrollin sepse askush nuk na ofron ndihmë. E pse me i ndihmu dikujt që gjithë ditën rri në shtëpi? Ndoshta sepse nuk jemi supernjerëz që munden me jetu veç me ajër.

11 E humbim kontrollin sepse jetojmë në zonë lufte gjithë kohën. Asnjëherë nuk mundesh me parashiku kur ka me kris diçka, kur fëmijët kanë me u zanë mes vete, kur njëri ka me u lëndu për urgjencë, kur kanë me ikë në rrugë pa i vërejtur.

12 E humbim kontrollin sepse çdoherë kur i vëmë fëmijët në gjumë, dikush vendos me pre ndonjë pemë, a me rrënu ndonjë ndërtesë. Sikur e presin tamam kohën e gjumit dhe vendosin me e zgju çdo fëmijë të lagjes. Si duket, edhe sot mbeta pa drekë për ditën e tretë me radhë.

13 E humbim kontrollin kur burri vjen në shtëpi dhe thotë: “Çfarë ke bërë gjithë ditën?” Më mirë hesht se mundem me përfundu në burg për vrasje. I kam ruajt të gjallë fëmijët, ty si të ka kalu dita?

14 E humbim kontrollin kur dikush na thotë nuk është aq e vështirë, thjesht gjej pak kohë për veten. Seriozisht? E qysh ke qejf ta bëj këtë? A do të vish të kujdesesh për fëmijët e mi? A do të kujdesesh për ta përderisa ngjiten nëpër mure dhe bërtasin aq sa nuk mundesh me mendu prej zhurmës?

15 Shoqet pa fëmijë nuk e kuptojnë se tani nuk mundesh me qenë për çdo thua që e thejnë. Po, tani që kam fëmijë kam ndryshu. Nuk mundem me qenë shoqe shumë e mirë, sepse jam shumë e zënë duke u mundu me qenë nanë e mirë.

16 E humbim kontrollin sepse fëmijëve u ndryshojnë receptorët e shijes çdo ditë. Një ditë çmenden pas orizit, ditën tjetër e urrejnë. Kërkon supë, kur i bëj, i haet bukë e vezë. E kur i bëj bukë e vezë, do bukë me marmeladë. Kjo na çmend secilën ditë.

17 E humbim kontrollin sepse nuk mundemi të pijmë as një filxhan kafe. Është rutina e përditëshme. Kafeja ose na bjen prej dore duke vrapu pas fëmijëve, ose na e derdh ndonjë top, ose na përvëlon gjatë një përqafimi të papritur.. e nëse u shpëton këtyre, ftohet dhe sidoqoftë mbesim pa e pi.

18 Njerëzit mendojnë se jeta jonë është e lehtë. Besoni, me qenë nënë në shtëpi është si me punu për një shef që asnjëherë nuk e di çfarë do, edhe ju kritikon pastaj kur nuk e keni bërë si duhet.

Nëse je nënë në shtëpi, dhe e humb kontrollin shpesh, nuk je e vetme. Është punë me orar të plotë, dhe jashta orarit. Mos u brengos, do ta mbijetosh edhe sot, ashtu si çdo ditë.

Autore: Ashley Winters

Përshtatja: supergratë ©

‘Shtëpia e Shqipërisë’ hapet në Paris të Francës

Për herë të parë në kryeqytetin francez çelet “Shtëpia e Shqipërisë”, një institucion tërësisht në shërbim të njohjes dhe përhapjes së vlerave kombëtare.

Ceremonia e çeljes u mbajt në Paris në prani të dhjetëra personaliteteve të kulturës dhe komunitetit shqiptar që jeton në Francë.

Mes të pranishmëve nderonte pjesëmarrja e ambasadorit shqiptar Dritan Tola dhe punonjës të Agjencisë Kombëtare të Turizmit, raporton ATSH.

Kjo është një iniciativë e intelektualëve shqiptarë që jetojnë prej dekadash në Francë, Gjergji Themeli, Armanda Gegprifti, Zamir Mati, Agron Hasku. / KultPlus.com

Urrejtja

Wislava Szymborska

Shikoni, sa e aftë është përherë,
sa mirë mbahet
urrejtja në shekullin tonë.
Sa lehtë i merr pengesat e mëdha.
Sa lehtë është për të, të hidhet, të rrëzohet.

Nuk është si ndjenjat e tjera
më e vjetra dhe më e reja prej tyre njëkohësisht.
Ajo vetë i lind shkaqet,
që e nxisin të jetojë.
Nëse e zë gjumi, asnjëherë me gjumë të përjetshëm.
Pagjumësia nuk ia merr fuqinë, por ia shton.
Feja jo feja –
veç të ulesh në gjunjë për t’u nisur.
Atdheu jo atdheu –
veç të shkëputesh për të rendur.
Edhe drejtësia nuk është keq në fillim.
Mandej ajo rend vetëm.
Urrejtja. Urrejtja.
Fytyrën asaj ia shpërfytyron ngërdheshja
e ekstazës së dashurisë.

Ah, këto ndjenjat e tjera –
mjerane dhe të ngathëta.
Që kur kjo vëllazëri
mund t’i besojë turmës?
Vallë keqardhja
ka arritur ndonjëherë e para në pikëmbërritje?
Dyshimi sa të dëshiruar tërheq pas vetes?
Vetëm ajo tërheq që e di të vetën.

E aftë, e zgjuar, shumë punëtore.
A duhet thënë sa këngë ka kompozuar.
Sa faqe në librat e historisë ka numëruar.
Sa divane të njerëzve ka shtruar
në aq sheshe, stadiume.

Mos të mashtrohemi:
ajo është në gjendje të krijojë bukuri.
Të shkëlqyera janë vezullimet e saj natën e errët.
Për bukuri shtëllungat nga shpërthime në agim të trëndafiltë.
Vështirë t’u mohosh patosin rrënojave
dhe humorin e shpenguar
kolonës që ngrihet fuqishëm mbi to.

Ajo është mjeshtre e kontrastit
mes rropamës dhe qetësisë,
mes gjakut të kuq dhe dëborës së bardhë.
Veç para së gjithash atë kurrë nuk e mërzit
motivi i xhelatit të pastër
mbi viktimën e njollosur.

E gatshme në çdo çast për detyra të reja.
Nëse duhet të presë, ajo pret.
Thonë se është e verbër. E verbër?
Ajo ka sy të mprehtë snajperi
dhe me guxim sheh drejt të ardhmes
– vetëm ajo.

Veprimtaria e Dedë Gjo Lulit erdhi në Muzeun Historik Kombëtar

Me rastin e 103-vjetorit të vdekjes së Dedë Gjo Lulit, Muzeu Historik Kombëtar, organizoi veprimtarinë “Një pasdite në muze” me temë: “Veprimtaria e Dedë Gjo Lulit në kryengritjen e Malësisë së Mbishkodrës në vitin 1911”.

Sektori i Menaxhimit të Koleksioneve në bashkëpunim me sektorë të tjerë organizon këtë takim shkencor, ku referuan dr. Dorian Koçi, drejtor i Muzeut Historik Kombëtar dhe dr. Paulin Marku, Instituti i Historisë, Akademia e Studimeve Albanologjike, Tiranë. Në fjalën e tij drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, tha se, nën udhëheqjen e Dedë Gjo Lulit malësorët e Hotit, të Grudës e të Kelmendit korrën suksese të rëndësishme kundër forcave osmane dhe e detyruan qeverinë xhonturke të hynte në bisedime me ta.

“Shtypi i kohës vinte në fokus se, megjithëse kryengritja e Malësisë së Madhe e vitit 1911 zhvillohej në një trevë të ngushtë, kryengritësit dolën me kërkesa kombëtare, ku kërkuan autonominë e Shqipërisë. Dedë Gjo Luli është simboli i rezistencës shqiptare, i cili luftoi deri në fund të jetës së tij për bashkimin e trojeve shqiptare” vijoi dr. Koçi. Ndërsa, dr. Paulin Marku tha se, programi i memorandumit të Greçës dhe kryengritja e vitit 1911 jo vetëm uli në tryezën e bisedimeve krerët shqiptar, por edhe hapi rrugën e sendërtimit të autonomisë së Shqipërisë që u finalizua më 28 nëntor 1912, me shpalljen e pavarësisë. “Kryengritja e Malësisë së Madhe ishte një prelud i shpalljes së pavarësisë. Dedë Gjo Luli nuk kishte luftuar për lavdi por për Shqipëri. Lavdinë, zërin e mirë ja sjellin veprat e tij me kontribut të madh për atdhe, që i sigurojnë përjetësinë e pavdekësinë. Heronjtë jetojnë përjetësisht, sepse e tillë është vepra e tyre, Nderi i Kombit Dedë Gjo Luli”, u shpreh mes të tjerave dr. Paulin Marku.

Në vitet e fundit të shekullit XIX Dedë Gjo Luli u aktivizua përsëri në lëvizjen për autonominë e Shqipërisë, mori pjesë në mbledhjen e përfaqësuesve të popullsisë së Shkodrës që vendosi bashkimin me Lidhjen e Pejës. Aftësitë e tij si organizator, si prijës luftarak dhe si udhëheqës popullor, u shfaqën sidomos gjatë Kryengritjes antiosmane të 1911. Nën udhëheqjen e tij malësorët e Hotit, të Grudës e të Kelmendit korrën suksese të rëndësishme kundër forcave osmane dhe e detyruan qeverinë xhonturke të hynte në bisedime me ta. / KultPlus.com