‘Shko zbathur para derës së Ramushit e lyp kundra, shko zhveshur para presidencës e lyp tesha nga Hashim Thaçi’

29 arsye për të protestuar vajzat e djemtë / Kimete Berisha

1. Migjenin nuk e njihni besoj, dhe s’keni kohë deri nesër m’u njoftu me të, në mënyrë që ai me ju frymëzu me dalë në protesta.
Edhe ashtu kalu koha kur ka qenë në modë me ditë vjersha, budallaki e atij zamani, i përshkllijshim librat me pasul, aq të flaktë kemi qenë me nxan dije, sa as pasuli nuk na ndante nga librat, po hangshim pasul me libër në prehër, dhe veç naj ngelaç se s’ka pas nxanës i mirë që nuk e ka pas librën edhe si një lloj sofrabezi.
Ajo kohë ka kalu.

2. Jeni nguju në instagrama e chata, tuj lyp dashni e shoqni, por kur e hapni frigoriferin me lyp me hongër, gjeni tegllën e turshisë së vitit të kaluar (se sivjet veç Pacolli se s’ka kush mundësi materiale me shti turshi).
Nuk lypni punë e bukë, po lypni online lumturi, e cila nuk ekziston, ju garantoj se nuk ekziston lumturia, e edhe sikur të ekzistonte, nuk do të mund të mbijetonte pa bukë.
S’mundesh me qenë i lumtur dhe i uritur;
i lumtur dhe i shkelur; i lumtur dhe i nënçmuar. Fshije atë ide.
Dashnia dhe lumturia si koncepte letrare nuk janë strehë ku fshihet realiteti që për njerëzit e ndershëm gjithmonë është realitet i poshtër.
(Në protesta mund të lind edhe dashuria. Si vajzë e vogël i mbajë mend tregimet e plakave, dever dynjaja, që thonin se filanja e fistekja kanë dalë në protesta të 81′ e 89′ me lyp burrë, demek kur i kanë pa meshkujt patriote janë nxe n’to. Tybe s’besoj që ka bash këso tregimesh të poshtra te popujt tjerë).

3. Më lehtë është me protestu kundër njerëzve të poshtër sesa m’u bë vetë i poshtër.
Nëse nuk bëhesh ‘si ata’, ti bëhesh viktimë e tyre. As drutë nuk i ke ble.
Shtrejtë. U mërdhive. Pranoje, se edhe ti, si unë, po rrin në shpi i mbulum me çebe, i veshur me mont e me tlina.
Pranoje dhe mos t’vjen marre.

4. Çu, mbroje shtëpinë tënde nga i zoti i saj zullumçar.
Çka është gjithë ky ‘lezet’ i Hashim Thaçit dhe i qeverisë me Vuçiçin e Millosheviçit.
S’ka mëkat më i madh se me qenë zullumçar dhe s’ka fatkeqësi më të madhe se me pas punë me zullumçar.
Mos ia blejë Serbisë qumshtin, bukën, kosin, o aman le të vjen inati, mos ia blej bile pasulin e drutë, bojkotoje se askush nuk ta ndalon.

5. Çu prishjau rehatinë, qysh ta kanë prishë ata ty, të kanë lënë të varfër, garib e të mjerë.
Çu pasoje mjerimin te ta.

6. Menzi i gjen dikund 50 centë për një kafe në ditë. Ose ti çon naj vëlla prej gurbeti. A është kjo jetë!

7. Menzi i bën dy çorapë bashkë, herë ta mbath njërën vëllai e herë motra;

8. Edhe në kohë tonën, e pritshim njëri-tjetrin vëllezërit e motrat derisa te përfundon mësimin njëri, që me na lëshu rendin e jaknes tjetri, kqyrshim nga ballkoni derisa çelet dera e oborrit o Zot e na vjen rendi me vesh jaknën që me nxan mësimin.

9. Sikur të kishte drejtësi, të kishte njerëzi dhe rend në këtë vend, ju nuk do të kishit qenë të varfër dhe të pafuqishëm për t’i bërë duart grusht.
Nuk do të kishit qenë të varfër sikur të mos ju kishte vjedhur qeveria.

10. Ata i kanë punësu varg e vijë farë e fisin e tyre, shoqninë e bandat e tyre, gratë e dashoret e tyre; ata ju japin rroga kurvave e kurvarëve të tyre që kurrë nuk dalin në punë.

11. Është zor ta çosh në këmbë një njeri depresiv. Çfarë poezie çfarë bakraçi bën punë.
Ju (edhe ne më të moçmit) gati të gjithë ne jemi të mërzitur dhe gati-gati të dorëzuar.
Për të dalë në protestë duhet të shërohemi më parë nga trishtimi e pikëllimi. Jemi të dorëzuar.
Zoti s’ka thënë kështu.

12. Nuk ka tmerr më të madh që i ndodh një vendi sesa kur i sëmuret populli shpirtërisht;
Çu protesto pse po turpërohet veterani i shkretë dhe po përlyhet lufta e UÇK-së!

13. Çu në këmbë kundër njëfarë Rashitit (Zoti e marroftë) që sillet si Enver Hoxha dhe ua ndalon policëve Zotin.
Çoje te shpija atë manjak. Po ku guxon halli i tij me ia ndalu dikujt me shku në shpi të Zotit.
Po mundohen m’i hy në prapanicë Amerikës me ateizëm, Amerika e ateizmi nuk shkojnë o bal, Amerika moto të veten zyrtare nacionale e ka thënien ‘In God We Trust’ (që e mban edhe në krye të ndërtesës së senatit).
Prandaj, është e para në botë për gjithçka, sepse beson në Zot, para se ta konsiderojë si ‘Rashiti’ veten ‘Zot’.

14. Çu kundër profesorit që të zhagit e ta humb afatin e provimeve veç për shkak se i pëlqen me t’pa edhe në një afat, e edhe në një tjetër. Çu ndala turrin, tharbja hundën.

15. Çu kundër atij që ta nxin jetën; ti numëron të metat dhe gabimet, të fajëson për dembeli dhe s’të lë kurrë me dhënë mendim.
Sa herë i tregon hallet e tua, ti minimizon, e ti bën si ‘kurrgjë’ hiç.
Kurrgjë hiç qenka mërzia jote.
Çu hiqe nga vetja mërzinë e përplasja hundëve mërzinë tënde Ramushit për shembull.

16. Çu kundër atij që s’të thërret me emër, po të ngjet nofka e të thërret me emra të njerëzve të dështuar;

17. Çu kundër elementeve kriminale në sistemin e drejtësisë.
Pyet se si bën që Maqedonci të bëhet cinik, o Zot more çfarë darvilli, përdorë gjuhë sugjestive, dhe luan me mesele, kur nga ai pritet të flas me gjuhë juridike.
Kush ja ka dhënë atij gjithë atë fuqi sa me ba humor me arrestime, me hakmarrje e me Kanun!
Dhe pyeti hetuesitë se sa raste ‘i heshtin’ ata me urdhërin e prokurorëve dhe bandave kriminale që i kanë rrasë hundtë gjithkah në institucionet e drejtësisë.

18. Çu për fëmiun që nuk ka siguri në vendin e punës; që nuk ka të drejtë m’u pëshurr sa herë i pshton shurra, se dugojtë e kriminelëve formojnë komision për me ja jap punëtorit lejen me shku në WC.
Shumë djem kanë treguar se kur kanë kryer punë fizike te disa komandantë dhe i kanë lyp paret për punën e tyre, kanë hëngër dajak ‘qysh guxon ti komandantit m’i lyp pare’!

19. Mos lejo mos me ta kthy kusurin.
Çu çartu për centat që çdo ditë t’i vjedhin të gjitha dyqanet pa përjashtim.
Pse haptas na vjedhin e qeveria s’i ndal. Pse i lejojmë të pasurohen me varfërinë tonë.
A jemi normal?!

20. Kujtoje Zotin dhe beso e krenohu me veten dhe me rriskun tënd, kujtoje se qysh vjen dita e ua bën Zoti haram hajnave bukën e gojës.
Kur i tubojnë milionat, vjen puna e nuk i gëzojnë, sepse u del sheqeri, kripa, yndyra që ua mtrash gjakun dhe ua ndalon me hëngër e me gëzu ‘hajninë’ e tyre.

21. Protesto pse për me ble një pallto me astar duhet me hy në kredi, dhe pse krejt jetën ke punuar e nuk ke pare një nevojtore me maru.

22. Bëhu vetjak, duaje veten, dashurohu në vetveten, se nuk e ke askend më të ngatë, mos prit që ta bjen dikush te dera drejtësinë, ti je njësh, beso, si ti nuk është kurrkush, je i veçantë, askush mbi këtë tokë nuk është, nuk ka qenë dhe nuk do të jetë si ti.

23. Si shtëpinë tënde nga hajnat, mbroje Kosovën nga qeveria e saj.
Shteti është i joti, jo i Ramush Haradinajt.
Jo i Hashim Thaçit. Fëmijët e tyre hanë me lugë të dukatit.
Pyet pse! Bërtitë. Refuzo. Rrotulloje.

24. Erdh vjeshta.
Shko zbathur para derës së Ramushit e lyp kundra të reja.
Shko zhveshur para presidencës e lyp tesha nga Hashim Thaçi;
Bëhu i gjallë.
Protesto për çfarëdo padrejtësie që të bjen në mend.
Protesto për naj padrejtësi ‘100 vjeçare’. Protesto thjesht veç pse nuk ndjehesh mirë.

25. Protesto pse pleqve t’u krejt pensioni u shkon në ilaçe, kurse pleqtë e qeveritarëve shërohen nëpër spitalet më të shtrejta.
Pse gjithë kjo padrejtësi;
A ka thënë Zoti kështu, i keqi mos me pas kufi!
Vëja kufirin qafirit!
Qitja gurin.

26. Protesto për vajzat e nuset që i kushtëzojnë me seks për një vend pune dhe lyp m’u depolitizu administrata.

27. Shko prekja dorën Pacollit dhe tregoji rrastë çka është prekja e vërtetë, le ta kupton a më e rëndësishme është prekja e popullit tënd a e Donald Trump.
Kur t’ia prek dorën, mundesh edhe me ja picku.

28. Çoji në rr.s. këta kriminela, këta hajna, këta dhunues.
Këta s’janë kurrkushi. Mos ua rras se s’kanë çka me të marrë tjetër, ti kanë marrë të gjitha.

29. Çu, kfillu, mos e rrej veten me fotografi, mos i këqyr nëpër rrjete sociale njërëzit e smutë psikikisht, ‘këngëtare’, manikene e turli idioti kah e jetonë jetën e tyre të pasur (që nuk u dihet donatori), po ndërtoje tënden, së pari shëroje veten nga mërzia, çu në këmbë dil nga shtëpia dhe mbroje shtëpinë tënde, mbroje veten, bukurinë tënde, trupin tënd, shpirtin dhe rininë tënde.
Zoti është me ata që i thonë të keqes Jo.

P.S. Kimeten, nesër kismet e keni mbas vetes.

Istrefi: Do të dal në protestë, për të treguar një qëndrim qytetar timin

Aktori Shkumbin Istrefi do t’i bashkohet nesër protestës së paralajmëruar në Prishtinë. Në Facebook sot ai ka shprehur mendimin e tij rreth protestës dhe ndryshimeve që mund të vijnë nga atjo.

Pjesemarrja ne protesten e neserme nuk duhet te perceptohet si perkrahje e nje partie politike por si qendrim qytetar ndaj nje fenomeni qe po quhet “korrigjim i kufirit”, dhe per te cilin nuk ka asgje transparente. Ka vetem thashetheme te mjegullta.
Prandaj, mendoj, se pavaresisht qe protesta eshte e thirrur nga VV (heren tjeter mund te thirret nga dikush tjeter), duhet te mesohemi te reagojme per ceshtje te caktuara dhe mos ta kemi prioritet faktin kush po therret dhe te mirremi dhe hipotezojme me motivet se pse dikush po therret proteste.
Eshte e qarte qe partite politike tentojne te perfitojne nga aktivitetet, dhe s’ka asgje te keqe ketu. Keshtu eshte ne te gjithe boten. Por, une mendoj, se per ne qyetaret (e sidomos per ata qe konsiderojne veten te pavarur politikisht) eshte me e rendesishme ceshtja per te cilen protestohet se sa kush e organizon.
Prandaj, une, si qytetar i pavarur, neser do te dal ne proteste, per te treguar nje qendrim qytetar timin per nje ceshtje, dhe jo per t’i dhene vote nje partie.
Ne fund, voten do t’ia jap asaj partie qe mendoj qe do te kontribuoje me shume ne permiresimin e jetes sone dhe zhvillimin e vendit.
Me vone mund te organizoje proteste edhe ndonje parti tjeter, dhe nese qendrimet e mia lidhur me ate ceshtje perputhen, do te dal edhe aty.
Vendi dhe ardhmeria jone jane me te rendesishme se perkatesia politike dhe intereset partiake.

‘Të gjitha dhomat janë të zëna’ tha recepsionisti, të nesërmen dolën duke qeshur me të madhe

Shumë vite më parë në një natë të stuhishme, një burrë i moshuar dhe gruaja e tij, hyjnë në sallonin e një hoteli të vogël në Filadelfia, SH.B.A.

Duke u përpjekur që t’i largoheshin shiut, çifti iu afrua tavolinës së recepsion me shpresën se do të gjenin një strehë për të kaluar natën.

“A është e mundur të na jepni një dhomë?” – pyeti burri.

Punonjësi, një djalosh miqësor, dhe me një buzëqeshje të çiltër, vështroi çiftin dhe u shpjegoi se atë ditë ishin mbajtur tre konventa në qytet.

“Të gjitha dhomat tona janë të zëna,” u tha punonjësi.

“Por nuk ma bën zemra të dëboj një çift të moshës tuaj jashtë në shi në ora 1 të mëngjesit. A do të donit mbase të merrnit dhomën time? Nuk është taman një suitë, por do të jetë e mjaftueshme për t’iu mbajtur komod për natën.”

Kur çifti refuzoi, djaloshi insistoi.

“Mos u shqetsoni për mua, do të jem për mrekulli,” u tha punonjësi.

Ndërsa po paguante faturën mëngjesin e nesërm, burri i moshuar i tha punonjësit, “Ti je ai lloj menaxheri që duhet të jetë shefi i hotelit më të mirë në botë…

ndoshta një ditë do ta ndërtoj një për ty.”

Punonjësi e shikoi dhe buzëqeshi. Të tre qeshën me të madhe…

Ndërkohë që, çifti i moshuar po largohej ata ranë dakort se punonjësi ishte i jashtëzakonshëm, sepse të gjesh njerëz që janë si miqësorë dhe të dobishëm nuk është e lehtë.

Dy vjet më vonë. Punonjësi pothuajse e kishte harruar ndodhinë kur ai mori një letër nga i moshuari.

Zotëria e takoi në Nju Jork, dhe e ftoi tek cepi i Bulevardi të V-të në rrugën 34.

Më pas ai drejtoi gishtin tek një ndërtesë e re e madhe, me kulla dhe qiellgërvishtëse që dukeshin sikur preknin qiellin…

“Ai,” tha burri i moshuar, “është hoteli që të kam ndërtuar që ta menaxhosh.”

“Duhet të jesh duke u talluar.” – tha djaloshi.

“Të siguroj që jo.” – i tha plaku, me një buzëqeshje të lehtë në fytyrë.

Emri i zotërisë së moshuar ishte William Waldorf-Aster, dhe ajo strukturë madhështore është Hoteli Waldorf Astoria.

Punonjësi i ri që u bë menaxheri i tij i parë ishte George C. Boldt.

Ai djaloshi i sinqertë, i sjellshëm dhe me pamjen e çiltër kurrë nuk e kishte parashikuar se si do të rridhte situata që e bëri menaxherin i një prej hoteleve më të mira dhe më me emër të botës.

Rasti Zeqir Veselaj, doktoratura me shumë përshkrime dhe kopjime

Rasti Zeqir Veselaj / ADMOVERE

Në vitin 2006 Zeqir Veselaj kërkon nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) që t’ia nostrifikojë doktoraturën e mbrojtur më 2005 në Universitetin e Tiranës me titull «Mycoflora në disa masive pyjore të Kosovës». MAShT-i kërkon vlerësimin e një komisioni për këtë doktoraturë. Komisioni i krijuar nga profesorë të Departamentit të Biologjisë të Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore në UP konstaton në raportin e lëshuar se doktoratura e Veselajt, «përmban gjëra që nuk janë rezultat i punës së kandidatit», «ka shumë përshkrime dhe kopjime» dhe se «kapitujt ku bëhet fjalë mbi […] njohuri për vegjetacionin, kandidati i merr tërësisht nga dr. Ferat Rexhepi». Megjithëkëtë, MAShT-i e nostrifikon diplomën e Veselajt. Gjetjet për plagjiaturë të këtij raporti bëhen publike nga «Zëri» vetëm më 2015, kur Veselaj emërohet anëtar i Këshillit Drejtues të UP-së. Veselaj i paraqet ankesë Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) kundër raportimit mediatik me pretendimin se i është dëmtuar rëndë personaliteti. KMShK, pasi siguron një kopje të raportit të ekspertëve të FShMN-së, vendos se nuk ka shkelje të Kodit të Mediave të Shkruara. Veselaj ligjëron në Fakultetin e Edukimit në UP që nga viti 2007, madje më 2011 avancohet në profesor të asocuar dhe ligjëron në nivelet Bachelor dhe Master.

—–
ADMOVERE ka përmbledhë të gjitha rastet e plagjiaturave të pjesëtarëve të stafit akademik të UP-së, për të cilat është raportuar në media përgjatë viteve, që nga vetë themelimi i UP-së. Nga gjithsejt 16 pjesëtarë të stafit akademik të UP-së të cilëve u janë shpalosur plagjiaturat në media, shumica nuk kanë reaguar asnjëherë ndaj akuzave. Prej këtyre 16 rasteve, vetëm tre janë suspenduar nga procesi mësimor, mirëpo që të tre më pas janë kthyer. Vetëm njërit – që nuk ka qenë mësimdhënës i rregullt, por i angazhuar – i është ndërprerë kontrata e punës. Pra, edhe kur zbulimet e plagjiaturave të pjesëtarëve të stafit akademik janë publikuar nëpër media, plagjiatorët jo veç që nuk kanë dhënë dorëheqje, por në shumicën dërrmuese të rasteve, as që u janë nënshtruar masave. Në ato pak raste kur ndonjë masë është ndërmarrë, ajo është shfuqizuar më pas.

Uta Ibrahimi nuk ndalet, pushton majën Cho Oyu në Himalaje

Uta Ibrahimi, alpinistja e parë dhe e deri tash e vetmja shqiptare që po ngjitet majave më të larta të botës, pas ngjitjes së më të lartë në botë – Majës së Everestit, pas ngjitjes së dy majeve tjera – Manaslu (e 8-ta më e larta) dhe Lhotce (e 4-ta më e larta) – më 26 shtator, në ora 11.06 (China Time) e ngjiti me sukses edhe Majën Cho Oyu (maja e 6-ta më e lartë) 8,201 metra lartësi mbidetare, Tibet- Kinë. Këtë ngjitje ajo e bëri pa sasi shtesë të oksigjenit, edhe shënon edhe një rekord të ri për alpinistën shqiptare Uta Ibrahim.

“Kjo ngjitje ka qenë më sfiduese nga të gjithat deri me tani. Rotacionet e aklimatizimit kryesisht i kam bërë vet dhe të gjitha paisjet personale i kam bajt vet, pra pa ndihmën e Sherpave, deri në ditën e majës kur ju kam bashku ekipeve të tjera. Këtu kam pas pak ndihmë nga sherpat e ngjitjes, por kryesisht jam ngjitur me shumë peshë shtesë.” – thotë Uta.

Uta kishte planifikuar që të ngjitet pa sasi shtesë të oksigjenit, mirë në natën e majës, dikun në 7,800 metra, kanë filluar ti ngrihen gishtat e dorës, që e ka shtyer atë të përdor oksigjen vetëm deri në lindjen e diellit (afërsisht deri te maja e Cho Oyu-së).

“Këto ngjitje të harxhojnë shumë nga vetja. Të duhet forcë dhe motiv i bollshëm për me arritë drejt majës. Motivi dhe shtyrësi i ngjitjeve të mia është populli im dhe ndjenja e krenarisë kur valvoj flamurin e shtetit dhe të kombit. Për popullin tim, malet e mia” – shprehet Uta, e emocionuar.

Uta Ibrahimi tani gjindet në kampin bazë dhe së shpejti do të zbret në Kathmandu, Nepal. Pastaj me 7 tetor fillon ngjitjen në Amadablam, maje mjaft teknike, por jo e lartësisë 8,000m+.

Brenda 18 muajve, Uta Ibrahimi ka ngjitur 4 nga gjithsej 14 majeve më të larta në botë, që njihen si majet 8,000-jëshe (sepse të gjitha janë mbi 8,000m lartësi mbidetare).

Ekspedita është përkrahur nga: Qeveria e Kosovës, e në vecanti nga zv. Kryeministri Enver Hoxhaj, Federatën Bjeshkatare të Kosovës, Shba Pashtriku, Shba Dajti, Turkish Airlines, Familja Begeja dhe Birra Puka, UN Kosovo, UN Woman, UNICEF, UNFPA Kosovo.

Ekspedita “14 majet e Himalajeve” e ndërmarrë nga vet Uta Ibrahimi, ka për qëllim që të pushtojë të gjitha 14 majet më të larta në botë, që gjinden në malet e Himalajeve. Këtë e kanë bërë shumë pak njerëz në botë, dhe Uta synon që të jetë shqiptarja e parë që e arrinë këtë.

Eliza Hoxha tregon arsyet pse u tërhoq nga muzika

Ishte fillimi i viteve 2000 kur kënga “Me ritëm do vallëzoj” u bë hit i kohës, ndërsa këngëtarja ishte ende e panjohur nga publiku.

Kjo ishte pikënisja e këngëtares nga Prishtina, Eliza Hoxha që më vonë zëri i veçantë dhe hitet do ta rendisnin ndër më të mirat e trevave shqipfolëse. Por muzika e mirë nuk ishte e vetmja rrugë që Eliza ndoqi. Ajo gjithashtu iu përkushtua profesionit të saj arkitekturës. Pas studimeve Master në Belgjikë, ajo u kthye në Kosovë për të kontribuar në vendin e saj.

Ajo ishte sot e ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan ku rrëfeu se arsyeja përse braktisi këngën dhe zgjodhi arkitekturën ishte se pikturonte shumë mirë dhe situata e paqëndrueshme politike.

“Arsyet se përse braktisa këngën dhe zgjodha arkitekturën ishin sepse kam qenë vizatuese dhe piktore e mirë në kohën e shkollës fillore dhe të mesme. Dhe e dyta situata politike. Nuk kishte asnjë kuptim që unë të shkoja dhe të studioja muzikë sepse e kisha lënë përgjysmë shkollën e muzikës. Arkitektura është ajo që më përmbush sepse lidhet me dimensionin socio-kulturor që unë e kam shumë të rëndësishëm. Më ka mbajtur mirë me veten dhe me kontekstin ku jetoj. Arkitektura vetë është profesion shumë i gjërë dhe më ka dhënë mundësi për të eksploruar edhe në fusha të tjera. Fokusi im kryesor ka qenë aspekti socio-kulturor në atë qytet. Gjërat që unë bëj i kam lidhur me profesionin që unë kam. Shtëpia që unë kam nuk është shtëpia ime e ëndrrave, nuk jam afruar te ëndrra ime. Në fakt kjo shtëpi ka qenë shtëpi e nevojës sepse pas kthimit nga Belgjika ka qenë e pamundur që unë të jetoj me prindërit dhe anëtarët e tjerë të familjes. Ishte momenti kur duhej të bëja diçka për vete. Shtëpia ime është një oaz i vogël ku unë bëj punët e mia. Unë e dua si shtëpi, por qëllimi është të ndërroj vend dhe të kem një hapësirë më të madhe sepse nevojat e mia janë ndryshe sot nga ato të 10 viteve më parë. Për mua është e rëndësishme që shtëpia të jetë e rehatshme, ndryshe mbetet vetëm një projekt i bukur”, tha Eliza Hoxha./ tvklan.al / KultPlus.com

Libri i Ismail Kadaresë botohet edhe në gjuhën portugeze

Libri “Kamarja e turpit” nga Ismail Kadare do të botohet për herë të parë në Portugali.

Libri i botuar në Tiranë në vitin 1978, një libër historik dhe me një tregim siç di Kadare ta thurë, vjen për herë të parë para lexuesit portugez në fund të këtij viti.

Shtëpia Botuese ‘Sextante’ do të sjellë kësisoj librin në titullin ‘O Nicho da Vergonha’, të shkrimtarit shqiptar që ishte laureati i parë i çmimit Booker International në vitin 1998, shkruan KultPlus.

“Kamarja e turpit” ka qenë botuar për herë të parë më 1978, si pjesë përbërëse e librit “Ura me tri harqe”, me titullin “Pashallëqet e mëdha”. Romani që ka në qendër fatin e Ali Tepelenës, pashait rebel shqiptar, që u ngrit kundër sulltanit dhe shtetit osman, dhe është konsideruar nga kritika botërore si një nga veprat më tragjike të Kadaresë, ku përshkruhet terrori shtetëror. Libri ka 208 faqe.

Versioni anglisht i librit ishte në listën e ngushtë të Man Booker International Prize vitin e kaluar. / KultPlus.com

Safete Rogova, ndër aktoret e para në Kosovë

Safete Rogova u lind në Gjakovë me 1 mars 1946.

Fëmijërinë e kaloi në Gjakovë, para se të jetonte në Prishtinë.

Ka diplomuar për Gjuhë dhe Letërsi dhe për Dramë. Ajo është ndër aktoret e para gra në Kosovë dhe aktiviste për të drejtat e grave.

Në 2013, ajo u dekorua me Medaljen Presidenciale të Meritave për karrierën e saj në teatër, dhe fushatën kundër analfabetizmit dhe për fuqizimin e grave përmes Shoqatës Motrat Qiriazi, të cilën e bashkëthemeloi me motrën e saj Igballe Rogova dhe bashkëshortin e ndjerë, kostumografin dhe skenografin, Nuredin Loxha.

Burimi: Albanian Women / Instagram dhe Oral History
KultPlus

Leninistët e djathtë

Shkruan: Veton Surroi

Në Universitetin e Prishtinës 72 për qind e profesorëve nuk justifikojnë titujt e tyre sipas ligjeve në fuqi. Por justifikojnë natyrën e shtetit të kapur.

1.

Kur lexova statistikën për profesorët e Universitetit të Prishtinës, më ra në mend barsoleta e viteve shtatëdhjetë të shekullit të kaluar për hapjen e striptiz-barit të parë në Moskë.

Barsoleta thotë se në konkursin për valltare nudo u paraqitën disa dhjetëra kandidate dhe sipas kërkesës u zgjodhën pesë sosh. Kryetari i Komisionit raportoi në Komitet Qendror sukses të plotë: që të pestat kishin mbi 35 vjet stazhi anëtareje të Partisë.

Statistika e Universitetit të Prishtinës, publikuar nga organizata ORCA, thotë se në vitin 2017 kanë dhënë mësim 500 profesorë, prej të cilëve 322 nuk i justifikojnë titujt e tyre sipas ligjeve në fuqi.

Në analogji me barsoletën e Moskës, kushdo që i ka pranuar në punë në këto vite nga çlirimi mund të raportojë sukses të madh, edhe pak e bile të plotë. Pra, nga numri i përgjithshëm i profesorëve, 72 për qind nuk i justifikojnë titujt e tyre. Kjo do të thotë se kriter për atë vend pune nuk ka qenë përgatitja akademike, por një kriter tjetër, që i përngjet atyre të valltareve: devotshmëria ndaj Partisë (Idesë, Liderit, Regjionit, Klanit).

Tash në analogji me barsoletën, ata 28 për qind e profesorëve që janë përvjedhur, e që i justifikojnë titujt, kanë ende kohë të riedukohen, pra të shohin se kredencialet partiake (“patriotike”, klanore etj) janë më të rëndësishme se puna kërkimore-shkencore, e lëre më publikimi i kësaj pune në ndonjë revistë prestigjioze.

Nëse tregojnë vendosmëri në rrugën tashmë të trasuar, suksesi për rekrutuesit e profesorëve në UP mund të jetë, një ditë, i plotë.

2.

Nuk mendoj se duhet harxhuar shumë kohë për të shpjeguar se për cilën parti është fjala kur flitet për “devotshmërinë ndaj Partisë” (dhe rrjedhimisht Liderit të saj). Në këta gati dy dhjetëvjetësh një parti ka pasur Shërbimin e vet sekret dhe kryesisht për anëtarët e një Partie flitet kur duhet të ngrihet ndonjë aktpadi (të institucioneve ndërkombëtare) për vrasje, zhvatje, uzurpim prone, vjedhje vote dhe formave të tjera më “beninje” të krimit të organizuar. Po ashtu, nuk mund të anashkalohet një Parti kur duhet vendosur për drejtor të KEK-ut, PTK-së, anëtar të bordeve të ndërmarrjeve publike, licenca për telefoni,vendosjen e pikave të karburanteve nëpër autostrada, emrat e rrugëve të qytetit, tokat private nëpër të cilat do të kalojnë autostradat… Madje, Partia do konsultuar edhe për renditjen e lajmeve të mbrëmjes në RTK.

Këto do të ishin simptoma të sistemit njëpartiak, por si të kuptohet një gjë e tillë kur në Kosovë ekziston sistemi shumëpartiak, e brenda atij sistemi Partia në pushtet nuk ka qenë gjithherë vetëm në pushtet, madje gjatë një periudhe nuk ka qenë formalisht as pjesë e pushtetit?

Ndër studiues amerikanë ka lindur gjatë këtij shekulli emërtimi “shtet hibrid” apo “sistem hibrid”, pra sistemi a shteti në të cilin ekziston njëkohësisht një kornizë formale e shtetit shumëpartiak e demokratik me institucionet e veta të pavarura dhe ekziston një forcë politike, e cila i ka zaptuar (kapur) në një masë ato institucione. Pra, Kosova do të vendosej fare mirë brenda një përshkrimi të këtillë: ekzistojnë zgjedhje dhe Kuvend e institucione formalisht të pavarura si Prokuroria e gjykatat, por njëkohësisht ekziston kapja e këtyre institucioneve në një masë a tjetër nga ana e Partisë në pushtet (asaj që gjithherë është në pushtet, edhe kur nominalisht është në opozitë).

3.

Anne Applebaum , historiane dhe gazetare konservatore amerikane, mund të ndihmojë, pa dashje, edhe më tej në të kuptuarit e asaj që po ndodh në Kosovë. Muajin e ardhshëm do të botojë një artikull në “The Atlantic” ku përpiqet të shpjegojë, si kërcënim se çka e pret Amerikën me se çka po ndodh në Poloni e Hungari, shtete anëtare të Bashkimit Evropian, demokraci shumëpartiake që prej shembjes së Murit të Berlinit. Këto tash janë “demokraci joliberale”, për të përdorur përshkrimin që i dha kryeministri i tanishëm hungarez, Viktor Orban, opsionit të vet politik, pra janë demokraci ku jodomosdo vlen i njëjti kut si në ato të konsoliduara të Evropës Perëndimore. Në këto demokraci joliberale, partitë në pushtet, shkruan Applebaum, pos nacionalizmit e ksenofobisë (që janë ideologjike, pjesë të së djathtës së skajshme) përdorin edhe leninizmin, diçka që gjithsesi vështirë të identifikohen me të djathtën, të skajshme a jo.

Sipas Applebaum, partitë në pushtet në Poloni dhe Hungari janë në përpjekje e sipër e të suksesshme për vendosjen e kontrollit mbi gjyqësor, media dhe në ambientin biznesor- drejt një shteti njëpartiak. Dhe, këtu kopjojnë leninizmin, ndonëse ideologjikisht deklarohen si të djathta.

“Për dallim prej marksizmit, shteti njëpartiak i Leninit nuk është filozofi. Është mekanizëm për mbajtje të pushtetit. Funksionon, sepse në formë të qartë definon se kush mund të bëhet elitë-elita politika, kulturore, financiare”. Në Poloni e Hungari, sipas saj, po tejkalohen 100 vjetët e kaluar të historisë. Në monarki elitat aristokratike janë caktuar nga lindja, në demokracitë perëndimore elita përcaktohet nga kompeticioni, gara zgjedhore, testet merikrotatike për qasje në arsim sipëror, shërbimi civil, tregjet. Shteti njëpartiak synon sërish me modelin bolshevik, por në kondita të demokracisë që përmbush kërkesat formale zgjedhore, që krijimi i elitave të kalojë nëpër Parti.

4.

Kosova mund të thyejë një rekord zulmëkeq. Mund të marrë merita se ka filluar të ndërtojë “demokraci joliberale” para se të shpikej ai nocion, bile nja dhjetë vjet më herët. Mund të tregojë se Partia, e cila u lind me marksizëm-leninizëm, hoqi dorë nga ideologjia e Marksit dhe e para adoptoi kapitalizëm-leninizmin, sistem i tregut të lirë aq sa të pasurohet elita e re, e cila e bën këtë me kapje të përgjithshme të shtetit.

Dhe mund të tregojë se asnjë përshkrim i lirshëm intelektual për pasojat e shtetit të kapur, partiak, nuk është i ekzagjeruar. Siç dëshmon njëra prej shtyllave kryesore të identitetit kosovar, arsimi, që ngriti një popull drejt shtetësisë, ka mënyra se si e tëra mund të kthehet mbrapsht. Kur nxënësi kosovar, në shumicë absolute prej gati 80 për qind, nuk e kupton tekstin që e ka lexuar, e ka të garantuar avancimin shoqëror vetëm duke qenë student në Universitetin kur tri të katërtat e profesorëve nuk përmbushin kriteret për të qenë të tillë e pastaj për të hyrë në tregun e punës me një certifikatë tjetër, atë partiake.

Hanna Arendt, thotë Applebaum, që në vitet dyzet të shekullit të kaluar e përshkroi shtetin më të keq njëpartiak. Është ai që “detyrimisht zëvendëson të gjitha talentet e klasit të parë, pa marrë parasysh simpatitë e tyre, me ata dalldaukë dhe budallenj, mungesa e inteligjencës dhe e kreativitetit të të cilëve është garancia më e mirë e besnikërisë së tyre”.

Ky është sistemi i radhës: sundimi i injorancës së përgjithshme.

KOHA / KultPlus.com

Dua Lipa, e para në botë në Spotify

Dua Lipa është artistja më e dëgjuar këtë muaj në platformën Spotify.

Këngëtarja nga Kosova ka arritur kësisoj të lërë pas vetes emrat e tjerë që kanë mbizotëruar në këtë platformë muzikore, ndërsa me projektin e saj të ri e ka ndezur prapë zjarrin tek fansat e saj.

Shtatori i këtij viti duket se ka qenë fort i suksesshëm për Dua Lipën, e cila edhe e lansoi projektin e saj të ri muzikor “Eletricity”, shkruan KultPlus.

Në Twitter ajo ka shprehur gëzimin me këtë fakt dhe thotë se është e bekuar që njerëzit e duan dhe e çmojnë muzikën e saj, në një kohë kaq të shkurtër prej kur ajo doli në skenë.

Kënga, nga 5 shtatori, është klikuar 21 milion herë në platformën Youtube duke e sjellë Dua Lipën më të bukur se kurrë dhe duke u cilësuar si një rikthim i fuqishëm i saj pas hitit “New Rules”. / KultPlus.com

Drama e ambasadave me viza, në ekspozitën e Nita Zeqirit dhe Ajete Kërqelit

Alberina Haxhijaj

Mbrëmë në Hapësirën Ekspozuese “Motrat” është hapur ekspozita “Raffle” nga Nita Zeqiri dhe Ajete Kërqeli.
Në ditët e sotme, një numër i madh i kosovarëve kanë kaluar nëpër procesin e marrjes së vizave. Në një proces të tillë, respektivisht aplikim për vizë studentore kanë kaluar edhe Nita Zeqiri dhe Ajete Kërqeli. Ato së bashku kishin aplikuar për të ndjekur studimet në një universitet jashtë Kosovës, në universitetin e njëjtë dhe në degën e njëjtë. Përkundër kushteve që i kanë pasur të njëjta dhe dokumenteve të njëjta që i kanë dorëzuar, Ajete Kërqelit i është dhënë viza ndërsa Nita Zeqirit i është refuzuar.

Këto të dyja, të gjendura përballë këtij vendimi burokratik dhe aspak të drejtë siç e konsideron vetë Nita, kanë vendosur që pakënaqësinë e tyre ndaj procesit të tyre por edhe procesit nëpër të cilin kanë kaluar shumë kosovarë ndër vite, ta shprehin përmes artit. Sipas tyre, pas procesit të aplikimit për vizë qëndron “mundësia”. Çka është mundësia?

Mundësi: Shfaqja e ngjarjeve në mungesë të ndonjë qëllimi apo shkaktari të dukshëm. E ka marrë vizën rastësisht. Një mundësi që diçka të ndodhë. Ka pak shanse për të marrë një vizë.

“Përvoja jonë na ka kriju një ndjenjë që ky proces është më shumë si punë e lotarisë sesa si punë e dëshmive që po dorëzohen me rast të aplikimit për vizë. Pra e kemi dokumentuar këtë përvojën tonë personale pasi shumë njerëz arrijnë me u identifiku me këtë. E dimë se sa të shpeshta janë këto raste në Kosovë, momentet kur aplikon për vizë edhe nuk e ke idenë se a ki me e marrë a jo, pastaj edhe ajo ndjenja që të krijohet gjatë procesit të aplikimit”, u shpreh Ajete Kërqeli për KultPlus.

Ajetja dhe Nita kishin vendosur që në njërin mur të hapësirës ekspozuese “Motrat” të vendosnin dokumentet që u janë kërkuar dhe datën kur u është kërkuar një dokument i caktuar, kështu muri ishte mbuluar me letra të bardha, përkrah të cilave gjendej edhe vendimi i ambasadës, pozitive për Ajeten ndërsa negative për Nitën. Dokumentet janë edhe në gjuhën gjermane, ku shpesh supozohet që qytetari duhet ta dijë gjuhën respektive të shtetit ku aplikon. Pra vendimi ndonjëherë merret në një gjuhë tjetër.

Viza: Një miratim i lëshuar nga një përfaqësues i autorizuar i një vendi dhe i shënuar në një pasaportë, që lejon mbajtësin e pasaportit të hyjë, të udhëtojë ose të banojë në atë vend për një periudhë të caktuar kohe, për qëllime turizmi, arsimi, punësimi etj.

Pjesa e dytë ishte një video-instalacion, në të cilin llogariteshin shpenzimet që kanë bërë, e që së bashku arrinte shifrën afër 6 mijë euro. Kalkulatori numëron shifrat. Pjesa e tretë përfshinte një kabinë brenda së cilës hynin njerëzit një nga një dhe pasi linin shenjat e gishtave, merrnin një përgjigje në gjuhë të huaj rreth aplikimit të tyre. Siç shprehet edhe Nita, ekspozita është një protestë ndaj procesit të aplikimit të vizave.

Refuzoj: Refuzoni t’i jepni (diçka të kërkuar ose të dëshiruar) dikujt. ‘kërkesa për vizë u refuzua’

“Ajo që fshihet pas kësaj ekspozite është një reagim ndaj gjithë këtij sistemi burokratik dhe jo të drejtë. Një thirrje për liri të lëvizjes. Kishim dëshiru që me e tejkalu këtë jo vetëm njerëzit në Kosovë por edhe në gjithë botën, pra të kenë të drejtën për lëvizje të lirë, të drejtën për edukim kudo që ata dëshirojnë”, u shpreh Nita Zeqiri për KultPlus.

Në anën tjetër Ajetja tregon se pas gjithë kësaj drame të panevojshme rreth aplikimit të tyre ajo ka vendosur që të mos vazhdojë me procesin për marrjen e leje qëndrimit pavarësisht që e ka marrë përgjigjen pozitive.
“Le të shpresojmë që ka me ndodhë liberalizimi më shpejtë dhe nuk kemi me pasë nevojë për viza, edhe pse mund të ndodhë përsëri që të kemi nevojë me lëvizë në ndonjë vend tjetër e që nënkuptoj që do të duhet të aplikojmë përsëri”, tregoi ajo.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 26 tetor. / KultPlus.com

‘Më kujtohet nana që u mundojke me na ofru ngat vetit’

Në mars të vitit 1998 forcat serbe sulmuan bazën e figurës kryesore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së), pra familjen e Jasharëve, të cilët kanë marrë pjesë në sulme me policinë ku shumica e popullatës ka qenë me origjinë shqiptare .

Pas tri ditë bombardime, Adem Jashari, themeluesi i UÇK-së dhe më shumë se 50 anëtarë të familjes së tij janë vrarë.

I vetmi person që ka shpëtuar ka qenë Besarta e cila ka qenë 10 vjeçe në atë kohë. Ajo ka folur për atë ditë kur e ka humbur famljen e saj.

“Për axhën tim Ademin më kujtohen shumë gjëra.
Gjithmonë ka pasur qejf kur ne fëmija ishim duke luajtur në arë. Kemi qenë thjesht shkurt një familje e lumtur.
Gjithmonë axha Adem u mundu me na largu atë se çka po ndodh në Kosovë. Unë në atë kohë sa ka ndodh ngjarja kam qenë 10 vjeçe.
Po ashtu më kujtohet nana që u mundojke me na ofru ngat vetit , e mos me na lanë mu frikesu dhe t’u na jep bukë e ujë.
Kjo është dhoma ku jemi kanë gjithë familja. Këtu është vendi ku kam qenë unë me nanën e motrat e mia, edhe të tjerët gratë e mixhallarëve me fëmijë dhe gjyshja.
Mbasi janë ofruar serbët këtu unë kam ardhur në drejtim kah kjo dhomë këtu, ku ka qenë bali Adem i vrarë këtu.
Dhe unë jam ardhur dhe jam strehuar këtu te magjja e bukës.
Kanë gjuajtur granata dhe bombe dhe janë vrarë të gjithë mirëpo unë nuk jam plagosur dhe asnjë grithë nuk e kam marr prej atyre granatave apo bombave si muj me thanë.”

Burimi: Albanian Women / Instagram

Hamidi dhe Xhemja, dy të panjohur dhe 81 vite martesë (VIDEO)

Në familjen Hoxha ka festë.

Hamidi, 105 vjeçar dhe Xhemja që pret të mbushë të 100-tat celebrojnë 81-vjetorin e martesës. Dy të panjohur që u panë vetëm në ditën e dasmës se tyre, i thanë “po” njëri-tjetrit në 24 Shtator të 1937-ës.

“Nuk e njihnim njëri-tjetrin”.

“U pamë ditën e dasmës.”

Po Hamidi e kujton edhe sot të parin mendim kur Xhemja u shfaq në dasmë.

“Vallaj e bukur”.

Si prindër të 11 fëmijëve, për Hamidin dikur tregtar dhe Xhemen rrobaqepëse durimi dhe mirëkuptimi në çift kanë qenë shtylla e martesës 81-vjeçare.

“Unë kam qenë njëçikë e durueshme, nuk e kam kundërshtuar.”

“I kemi dëgjuar fjalën njëri-tjetrit, e kemi respektuar njëri-tjetrin.”

E megjithatë mes çiftit Hoxha nuk kanë munguar as xhelozitë.

“Ka qenë fanatik, ashtu ka qenë koha. Kur dilnim në rrugë me çadër me thoshte “ule çadrën mos të të shohë kush”, tregon Xhemja.

“Sepse pleqtë kishin shumë fjalë”, shprehet Hamidi.

Po Xhemja bëhej xheloze për ty?

“Po bëhej”.

Për fëmijët e çiftit Hoxha, jeta e prindërve të tyre ka qenë shembulli më i mirë.

“Na kanë edukuar me dëshirën për të punuar”, thotë Hasani, djali i madh i çiftit Hoxha.

“Kam dëshirë që edhe fëmijët e mi të vazhdojnë sipas edukatës që na kanë dhënë prindërit”, shprehet Xhevria.

Edhe për më të vegjlit e familjes, stërgjyshërit shekullorë mbeten kalaja e familjes. / TV Klan / KultPlus.com

Prindër, kurrë mos i krahasoni fëmijët me moshatarët e tyre!

Prindërit kanë tendencë që zakonisht për model të marrin fëmijët e tjerë të fqinjëve apo në mesin e familjes, në rastin kur fëmija i tyre dështon në ndonjë fushë të caktuar, apo edhe sepse thjesht ata nuk janë të kënaqur me ta për çfarëdo arsye tjetër.

Kjo praktikë tashmë po njihet si e keqe, e në lidhje me këtë ka folur edhe mjekja pediatër në NYU, Dr. Robin Jacobson.

Sipas saj, nënat janë gjithmonë të shqetësuara për peshën e fëmijës së tyre, por ajo që duhet të kuptojnë dhe të fiksojnë mirë është që fëmijët nuk janë njëlloj.

“Burimi më i mirë për të mësuar rreth zhvillimit të fëmijës është pediatri”, tha ajo.

Dr. Jacobson pranoi se të gjithë prindërit shqetësohen kur shohin një fëmijë më të vogël se fëmija i tyre që flet ose ecën më mirë. Por prindërit duhet të kuptojnë që të gjithë fëmijët janë të ndryshëm.

Zakonisht, pediatrit nuk japin receta me gramë dhe as nuk thonë sa duhet të shtojë një fëmijë gjatë një muaji.

Mirëpo, këtu nuk është fjala vetëm për peshën në kohën kur fëmijët janë më të vegjël. Edhe mësimi, shoqëria, aktivitetet jashtë mësimore, apo sjellja e tyre, asnjëherë nuk duhet të krahasohet me të tjerët, sepse kështu mund ta dëmtoni fëmijën tuaj, duke i mbjell atij xhelozi për të tjerët, dhe pasiguri për veten. / KultPlus.com

Fillon të nënshkruhet peticioni për mbrojtjen e ish Qendrës Tregtare Gërmia

Një peticion për mbrojtjen e ish Shtëpisë së Mallrave Gërmia ka nisur të nënshkruhet nga qytetarët e Kosovës.

Me iniciativë nga DoCoMoM_Kosova, peticioni kërkon të mbrohet kjo ndërtesë së cilës i kanoset rrënimi për ti hapur rrugë Sallës Universale.

Ish qendra tregtare Gërmia është njëri nga objektet më ikonike të modernizmit në qytetin e Prishtinës dhe pjesë e kujtesës kolektive të saj.

Sot ky objekt është në rrezik të demolimit me pretekstin e hapjes së rrugës për ndërtimin e sallës koncertale.

“Me këtë peticion dëshirojmë ta nxisim Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës që sa më parë ta mbroj ligjërisht këtë objekt dhe kështu parandaloj demolimin e tij. Peticioni do i dërgohet Ministrisë së Kulturës, Komunës së Prishtinës si dhe Kryetarit të saj” shkruhet në peticionin që po qarkullon online në internet dhe të cilin e kanë nënshkruar mbi 300 persona deri tash.

Këtu e gjeni linkun ku mund të bëheni pjesë e kësaj iniciative. / KultPlus.com

Të gjithë anëtarët e rregullt të Akademisë së Shkencave janë burra

Raporti “Kriza në Akademi” sjellë një analizë të thellë lidhur me Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, shkruan KultPlus.

Raporti i realizuar nga Shkelzen Gashi, i botuar nga Integra, tregon rreth ASHAK-ut dhe mbarëvajtjes së punëve brenda këtij institucioni dhe përbërjes së tij.

Sipas këtij raporti nga 22 anëtarë të rregullt të AShAK-ut, të gjithë janë burra ndërsa nga 16 anëtarë korrospodentë, 12 prej tyre janë burra ndërsa 4 janë gra të pranuara në vitin 2012, përkatësisht 2016. In memoriam janë 28 anëtarë, që të gjithë burra, e anëtarë të jashtëm janë 19, që të gjithë burra. Anëtar nderi është vetëm një dhe edhe ai është burrë.

Sipas raportit “Kriza në akademi”, këto të dhëna flasin për shenja përmirësimi në këtë drejtim ndërsa rekomandon që të zbatohet kuota prej 30%.

Anëtarët e rregullt të AShAK-ut
1. Ali Aliu
2. Anton Berishaj
3. Ekrem Myrtezai
4. Eqrem Basha Pr
5. Fejzullah Krasniqi
6. Feriz Krasniqi
7. Hivzi Islami
8. Idriz Ajeti
9. Isa Mustafa
10. Isuf Krasniqi
11. Jusuf Bajraktari
12. Mehmet Kraja
13. Minir Dushi
14. Nexhat Daci
15. Rauf Dhomi
16. Rexhep Ferri
17. Rexhep Ismajli
18. Rexhep Qosja
19. Sabri Hamiti
20. Tahir Emra
21. Zejnullah Rrahmani
22. Zeqirja Ballata

Anëtarët korrespodentë të AShAK-ut
1. Arsim Bajrami
2. Arsim Morina
3. Bardh Rugova
4. Edi Shukriu
5. Fetah Podvorica
6. Frashër Demaj
7. Gjyljeta Mushkolaj
8. Justina Pula
9. Kujtim Shala
10. Luan Mulliqi Pr Bg
11. Mehmet Halimi
12. Muhamedin Kullashi
13. Muzafere Limani
14. Qamil Haxhibeqiri
15. Salih Gashi
16. Xhevdet Xhafa

11 vjet nga vdekja e At Zef Pllumit

Me datë 25 shtator u bënë 11 vite nga vdekja e At Zef Pllumit.

At Zef Pllumi lindi më 7 prill 1924 në Malin e Rencit në rrethin e Lezhës dhe u nda nga jeta më 25 shtator 2007. Që në moshën e vogël hyri në Kolegjin Françeskan në Shkodër dhe ndoqi mësimet fillore e të mesme në Liceun “Yllyricum”.
Në 1946 At Zef Pllumi ishte ndër klerikët që u dënua nga regjimi i asaj kohe.

Në vitin 1990 u kthye në Tiranë si klerik ku përveç aktivitetit, përpiqet t’i vëjë arna kulturës dhe edukimit shqiptar aq të dëmtuar gjatë pesëdhjetë vjetëve.
Nga viti 1993 deri 1997 rinxjerr revistën Hylli i Dritës, e cila pas një ndërprerjeje del sërsih në vitin 2003.

Ai shkruan dhe boton trilogjinë “Rrno vetëm për me tregue”, vëllimet “Françeskanët e mëdhenj”, “Frati i pashallarëve Bushatli”, “Erazmo Balneo”, ndërkohë, me gjithë moshën e thyer e vështirësitë e shikimit, i ndihmuar nga nxënësit e vet, punoi vazhdimisht edhe për libra të tjerë.

Një ndër nismat e tij me vlerë të pamasë është dhe ribotimi i kolanës së plotë të veprave të etërve françeskanë, të zhdukura barbarisht nga qarkullimi dhe nga raftet e bibliotekave, si dhe ka shkruar artikuj në mjaft organe të shtypit shqiptar. Shkrimtari i njohur At Zef Pllumbi është dekoruar me çmimin “Nderi i Kombit” dhe nga Konkursi i Shkrimtarve me çmimin “Penda e Artë”. / KultPlus.com

Aktori serb i cili luan në serialin e famshëm ‘La Casa de Papel’

Momentalisht, seriali “La Casa De Papel” është seriali më i shikuar në platformën Netflix në gjuhën spanjolle.

Seriali i famshëm që merret me një grup të rinjsh që marrin pengje brenda një Banke të madhe në Spanjë po merr zemrat e njerëzve kudo nëpër botë.

Madje më interesant është fakti se në këtë serial, në një prej roleve kryesore është edhe një aktor serb. Me prejardhje nga Kladova e Serbisë, Darko Peric luan rolin e Helsinkit.

Secili personazh ka një emër të një qyteti: Moska, Tokio, Berlin, Rio…

Darko është aktor i cili prej vitesh jeton në Barcelonë. Rolet e tij tjera kanë qenë të vogla në krahasim me rolin në “La Casa de Papel”, shkruan KultPlus.

https://www.youtube.com/watch?v=YSES7ZCQ48U

“Aktrimin e kam nisur kur isha 14 vjeç. Më pas nisën luftërat dhe ëndrrat e mia mbetën në gjysmë, derisa më vonë vendosa të largohesha nga Ballkani. Ndalesa ime e parë ishte Berlini, më pas Barcelona ku edhe mbeta” tregon aktori Peric.

“Për mua ky serial është një master. E meqë është edhe një prej serialeve momentalisht më të shikuara, më ka dhënë mundësi të reja dhe shikueshmëri në karrierën time” tregon Peric.

Ai ka luajtur edhe në “Ahora o Nunca”, “A perfect day”, “Kamikaze” dhe në projekte tjera ndërsa për ata që duan ta njohin më shumë, duhet ta përcjellin “La Casa de Papel”. / KultPlus.com

‘Unë nuk mundem ma me pa shtetin tem kështu, prandaj po du me protestu’

Aktorja Adriana Matoshi

Për nji za, për nji kumbanë, për nji çirrje!

Nuk e di nëse diçka e mirë n’këtë venin tem ka zgjatë njitrajtshëm e vazhdueshëm mjaftë gjatë sa mos me vërejtë të keqën mbi të mirën. E keqja asht që ne po mësohemi me jetu keq, po mësohemi me marrë frymë keq përmes ajrit të ndotun, po mësohemi me pa keq, po mësohemi me dashtë dhe me e promovu të keqen si diçka krejt normale për ne. Pavetëdijshem. Sepse e keqja po na servohet si vlerë, si standard e si pamundësi e jashtëzakonshme me e ndërru. Normalisht, nëse rrijmë e pijmë kafe. Nëse flasim mbi të dhe “fenomenet” e saj (të keqes) e në anën tjetër nuk ndërmarrim as ma t’voglin hap për me e ndryshu atë, ateherë po. Por, unë nuk po mundem ma kështu. Nuk po mundem me durue. Nuk po mundem me pa të keqen tu ia zanë frymën të mirës. Po du me protestu. Me bërtitë. Me u çjerr! Deri në kupë të qiellit me bërtitë edhe me e nxjerrë edhe frymën e fundit jashtë se nuk po mundem ma:

Me pa fëmijë e fytyra të zbehta të tyne tu e lyp’ nji copë bukë e në anën tjetër fëmijët e politikanëve tanë tu e malltretu “peshkaqenin” në Maldive.
Me pa shkolla e objekte po jo edukim, mësim e asesi arsim!
Me pa improvizim të teatrit e mjerim të aktorëve pa rrogë të dinjitetshme, status të zgjidhur e buxhet qesharak, e mos të flasim për strategji të kulturës e planifikime afatgjate të saj!
Me pa politikanë e njerëz jo kompetentë të Ministrisë së Kulturës tue vizitue vendet e festivalet më të rëndësishme të filmit duke abuzue me paren e shtetit e duke mos përkrahe teatrot por duke i lanë ato në mëshirë të askujt!
Me pa njerëz të sëmurë që sorrollaten nëpër dyer të spitaleve, pa sigurime shëndetësore, me mjekë që zhvatin xhepin e tyre deri në fund pa marre.
Me pa pleq e pensione për turp.
Me pa rritje të rrogave të politikanëve e jo ngritje në jetën sociale.
Me pa terr në vend të dritës.
Me pa fund.
Me pa hajgare e jo shtet.
Me pa e mos me dashtë me pa!

Unë nuk mundem ma me pa shtetin tem kështu. Unë nuk mundem me i rritë fëmijët e mi kështu. Prandaj po du me dal:

Për nji za, për nji kumbanë, për nji çirrje!

Akademia e Shkencave e harxhon gjysmën e buxhetit në paga dhe mëditje

Raporti “Kriza në Akademi” duket se është futur thellë në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës duke e analizuar këtë institucion të rëndësishëm.

Raporti i realizuar nga Shkelzen Gashi, i cili u është shpërndarë edhe medieve, tregon rreth ASHAK-ut dhe mbarëvajtjes së punëve brenda këtij institucioni.

Që nga viti 2007, sipas raportit, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave të Republikës së Kosovës, AShAK-u ka marrë nga buxheti shtetëror gati 10 milionë euro. Në gjashtë vitet e fundit, buxheti i AShAK-ut ka qenë pak mbi 1 milion euro në vit dhe rreth 2/3 e buxhetit vjetor gjatë këtyre viteve kanë shkuar në paga dhe mëditje.

Viti 2007 406, 724 €
Viti 2008 449, 371 €
Viti 2009 423, 772 €
Viti 2010 449, 371 €
Viti 2011 437, 151 €
Viti 2012 804, 017 €
Viti 2013 1, 040, 700 €
Viti 2014 1, 149, 170 €
Viti 2015 1, 145, 644 €
Viti 2016 1, 142, 501 €
Viti 2017 1, 094, 851 €
Viti 2018 1, 113, 425 €
TOTAL: 9, 666, 697 €

Për më shumë, honoraret për bashkëpunëtorët e jashtëm të AShAK-ut janë minimale, kurse honoraret për anëtarët e brendshëm – të rregullt e korrespodentë – janë të përmuajshme dhe të majme. AShAK-u nuk i publikon raportet financiare në faqen e vet zyrtare të internetit. Përgjegjësja për Financa në AShAK nuk pranoi të intervistohej.

Sipas këtij raporti, edhe pse do të duhej që Akademia të publikonte në faqen e saj zyrtare raportet financiare, kjo gjë nuk ndodhë dhe përgjegjësja për financa nuk ka pranuar të intervistohej në lidhje me këtë çështje.

Në kuadër të projektit “Vlerësim i shoqërisë civile dhe dialog publik për insitucionet e ‘heshtura’ të Kosovës të financuara nga fondet publike” Organizata Integra ka publikuar raportin “KRIZA NË AKADEMI: Vlerësim i Shoqërisë Civile për Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës”, që është produkt i hulumtimit të realizuar nga Shkelzen Gashi. / KultPlus.com

Ditëlindja e demonit

Qëndrim Morina

Hajde m’thuaj…

A ëndërrojnë lulet?
A çohen natën sytë?
Ku është dera e turpit?
Ç’na duhet dashuria…

Sa vjeç është mashtrimi?
Kur ka ditëlindjen gënjeshtra?
A fle turpi?
Kur është pensionimi i tyne…

Ç’na duhen fytyrat
Kur ka shumë maska…

Ç’na duhen engjujt
Kur ka shumë satanë…

Hajde m’thuaj…

Kartolinat e dikurshme, mënyra tjetër për të propaganduar

Në kohën e Bashkimit Sovjetik, kartolinat shërbenin si një formë e mirë e propagandës së suksesit të sistemit komunist.

Duke shpalosur hotelet e mëdha, urat futuristike nëpër qytete dhe arkitekturën brutaliste, secila fotografi tregon një transformim të këtij blloku nga viti 1960 deri në vitin 1990.

Brutal Bloc Postcards është një seri interesante e këtyre kartolinave nga shtetet e bllokut sovjetik dhe shtetet e bllokut lindor, aty ku futej edhe Rumania e Jugosllavia.

Sot një pjesë e këtyre objekteve janë lënë në harresë, janë braktisur ose vetëm përjetohen si relikte të kohës së shkuar, disa janë zhdukur në tërësi. / KultPlus.com