Manastiri i Deçanit fiton, nuk e lejon ndërtimin e rrugës për në Mal të Zi

Përfundimisht Manastiri i Deçanit triumfon ndaj komunës. Arrin ta ndalojë ndërtimin e rrugës që e lidh këtë komunë me Malin e Zi përmes zonës së mbrojtur rreth manastirit.

Kryetari i kësaj komune, Bashkim Ramosaj, pret që të arrihet mirëkuptim me përfaqësuesit e këtij institucioni fetar, në të kundërtën, do ta ndërtojnë rrugën nëpër një fshat tjetër, raporton KTV.

Pesë kilometrat e rrugës, e cila e lidh Deçanin me kufirin e Malit të Zi përmes zonës së mbrojtur të Manastirit, nuk do të asfaltohen.

Ditë më parë, i gjithë kori diplomatik dhe akterët e përfshirë shkuan në Deçan, për t’u njoftuar nga afër me gjendjen reale në terren dhe u dakorduan që në atë pjesë të ndërpriten punimet.

Ata njëzëri thanë se edhe pa pëlqimin e Komisionit për Monitorim dhe Mbikëqyrje të Zonave të Veçanta, nuk do të mund të ndërtohet asgjë në këtë zonë.

Kështu ministrit Lekaj dhe kryetarit të komunës iu bë e ditur nga ndërkombëtarët se duhet respektuar Ligji për Mbrojtjen e Zonave të Veçanta.

E pikërisht neni 5 i këtij ligji thotë se në zona të veçanta nuk mund të ndërtohen rrugë.

Sipas kryetarit të komunës, këtë gjendje e krijuan dhjetë vjet më parë deputetët e legjislaturës së vitit 2008, kur e miratuan këtë ligj.

Shoqëria Civile në këtë komunë këtë e sheh si lojë të dyfishtë të ndërkombëtarëve.

Ndërkaq, Ministria e Infrastrukturës zotohet se do ta respektojë ujdinë e arritur me ndërkombëtarët, duke besuar se në një të ardhme të afërt do ta asfaltojnë edhe atë pjesë.

“Të gjitha marrëveshjet që janë në frymën e ligjeve dhe kushtetutës së Kosovës do t’i respektojmë me përpikëri dhe investimet do të bëhen gjithnjë në frymën e mirëkuptimit e të bashkëpunimit me të gjithë faktorët relevantë”.

Punimet për rrugën Deçan- Plavë nisën në muajin maj, derisa në pjesën rreth zonës së mbrojtur të manastirit u lejua të vendoset vetëm pllaka por jo edhe ndërtimi i rrugës.

Kjo për shkak se Manastiri nuk po lejon që të ndërtohet asfalt brenda zonës së mbrojtur.

‘Bekimi e do këngën’, 1979

Lajmi për vdekjen e regjisorit Bekim Lumi ka prekur ata që e kanë njohur por edhe ata që e duan artin në Kosovë.

Një prej regjisorëve më të mirë të teatrit ndër shqiptarë sot u varros në praninë e miqve, familjarëve dhe atyre që e çmuan punën e tij.

Po e kujtojmë sot Bekën edhe me një tjetër moment.

Në një gazetë të vitit 1979, shkrimi në fjalë ka titullin “Bekimi e do këngën”. Bekimi ishte nxënës i klasës së pestë, në Suharekë, ndërsa asokohe është shpallur edhe recituesi më i mirë në shkollë.

Shkrimi i Tafil Ramajt e sjellë burrin që do të bëhej më vonë regjisor, në një fotografi ku Bekimi është maestral në shikimin e tij të pafajshëm. / KultPlus.com

Apologjia ime (Jetës)

Petro Marko

..Marrëzi, turp turp dhe
mëkate
për jetën e tërbuar
se kur më ndal, o gjeneratë,
që vuan rrugës ndonjë natë,
më merr për të dënuar
dhe, me një zë që vret,
ngaherë me pyet:
-Ku linde, o i ri?
-O jetë, linda në shkreti!
-Ku rron dhe ku vete,
në ç’dhera e në ç’dete?!
-Çudi! Ç’kërkon prej meje ti

dhe si, o jetë, pyet,
kurse në varfëri
më hodhe kur më gjete
të lindur nga skelete
pa dritë, pa liri?
-Njeri!
Nga vete, as më thua?
-S’e di! Jo, Nuk e di!
Po lermë, o jetë, ç’ke me
mua?
-Dua ta di, po dua!
-Atëherë, jetë e krisur,
për mua mos pyet
se qysh në n’agim kam nisur

të shkel si skllav i shkretë
mbi gjurma shprese drite…

Haradinaj fillon procedurat për ndërtimin e shtatores së Adem Demaçit

Sot në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, është vendosur që në nderim të figurës së Adem Demaçit, të formohet Komisioni për vendosjen e shtatores së tij në sheshin “Adem Demaçi” në Prishtinë, gjithashtu me emrin e tij do të emërohet edhe autostrada Prishtinë-Pejë si dhe Parku i Qytetit të Prishtinës.

Formimin e këtij komisioni e ka konfirmuar Kryeministri Ramush Haradinaj, përmes një postimi në profilin e tij në Facebook.

“Në Mbledhjen e sotme të Qeverisë është vendosur që në nderim të emrit dhe veprës jetësore të simbolit të rezistencës shqiptare, Mandelës së Europës, Adem Demaçit, të formohet Komisioni për vendosjen e shtatores së tij në sheshin “Adem Demaçi” në Prishtinë, për emërtimin me emrin e tij të autostradës Prishtinë-Pejë dhe, poashtu, të Parkut të Qytetit të Prishtinës”, ka shkruar Haradinaj.

Ndërron jetë regjisori Bekim Lumi

Ka ndërruar jetë regjisori Bekim Lumi, i cili prej kohësh vuante nga një sëmundje.

Për më shumë do të shkruajmë në vazhdim. Lumi ishte një prej regjisorëve më të mirë shqiptarë.

Kolegu i tij Jeton Neziraj e ka dhënë lajmin në rrjetin social Facebook.

Regjisori Bekim Lumi njihej për shfaqjet e tij me karakter minimalist e eksperimental. Ai e ka përfaqësuar Kosovën në disa festivale teatrore ndërkombëtare, në të cilat është nderuar me çmime të ndryshme. Para tri vitesh, ai, në Teatrin Kombëtar të Kosovës ka krijuar shfaqjen “Nana dhe fëmija”, ndërkaq në Teatrin Laborator “Loja” shfaqjen “John Cage’s Hamlet”.

Regjisori dhe profesori i njohur i Fakultetit të Arteve në Prishtinë, Bekim Lumi, që prej dy vitesh po përballej me një sëmundje të rëndë.

Sot e nesër nuk do të mbahet Beerfest Kosova

Me vendim të Presidentit të Kosovës dhe urdhëresës së Protokolit Shtetërorë, të gjitha festivalet dhe aktivitetet tjera kulturore në territorin e Kosovës pezullohen deri të hënën.

Edhe Beerfest Kosova nuk do të mbahet të shtunën e të dielën – shkruhet në faqen e Festivalit të Birrës në kryeqytet.

Ditët e zisë vazhdojnë tërë vikendin për shkak të vdekjes së Adem Demaçit, i cili u varros sot në kryeqytet. / KultPlus.com

Isa Mustafa e kujton Adem Demaçin me fjalët e Ibrahim Rugovës

Pavarësisht që subjekti i tij politik nuk mori pjesë në ceremoninë e varrimit të veprimtarit të çështjes kombëtare, Adem Demaçit, Isa Mustafa e ka kaluar si në heshtje këtë veprim.

Ai përmes një statusi në Facebook e ka quajtur Demaçin “një disident i pathyeshëm dhe një jo konformist që i duhej botës shqiptare”.

Madje Mustafa ka kujtuar edhe fjalët e Presidentit Historik Ibrahim Rugova, për Demaçin .

“Në këto çaste më bien ndër mend fjalët e Presidentit Rugova i cili thoshte se: “Demaçi është shkrimtar i harmonisë shqiptare dhe njerëzore, humanist i madh”. Andaj, Baca Adem, u prehsh i qetë në dheun e Kosovës së lirë, për të cilën sakrifikove aq shumë”, shkruan Mustafa. / KultPlus.com

Kumbaro: Dokufest, ngjarja më e rëndësishme kulturore që kemi arritur të ndërtojmë

Sot në Tiranë u mbajt konferenca e përvitshme për media e festivalit DOKUFEST, me ç’rast u prezantua programi i plotë i edicionit të 17 të festivalit, i cili do të mbahet nga data 03-11 gusht 2018 në Prizren, Kosovë.

Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Mirela Kumbaro, tha se DokuFest ka sjellë gjithmonë tema të fuqishme, dhe është shndërruar në ngjarjen më të rëndësishme kulturore në botën e artit shqiptar.

“DokuFest është pa dyshim një ngjarje kulturore shumë e rëndësishme kombëtare. Në mos, në botën e filmit, ngjarja më e rëndësishme kulturore që kemi arritur të ndërtojmë në botën e artit shqiptar me një rreze veprimi ndërkombëtare, dhe jo vetëm rajonale”, tha Kumbaro.

Organizatorët e festivalit: Nita Deda (drejtoreshë), Veton Nurkollari (drejtor artistik), Eroll Bilibani (drejtor ekzekutiv) dhe Samir Karahoda (programer i filmave nacional dhe te shkurtë) prezantuan më gjerësisht temën dhe programin e sivjetmë.

Në këtë edicion do të shfaqen mbi 260 filma në kategori të ndryshme, nëpërmjet programeve garuese dhe atyre speciale, do të ketë përformanca, punëtori dhe panele të ndryshme, që synojnë do ta shndërrojnë Prizrenin në pasqyrë, përmes temës së Reflektimit.

DokuFest në po të njëjtën ditë, do të shfaqë disa filma të përzgjedhur në Amfiteatrin e Tiranës nga ora 20:00. / KultPlus.com

Dokumentari ‘Zvicra’, dashuria mes shqiptarëve e zviceranëve (VIDEO)

Është publikuar sot traileri i dokumentarit “Zvicra”.

Me datë 9 gusht, dokumentari “Zvicra” do të ketë premierën në Dokufest.

Filmi vjen me regji dhe skenar nga Fisnik Maxhuni dhe Benoît Goncerut.

Dokumentari i cili ka nisur të xhirohet para dy vitesh, asokohe kur dy vëllezër nga Kosova po luanin kundër njëri tjetrit në EURO 2016, duket edhe më aktual sidomos këtyre ditëve duke marrë parasysh lojën Zvicër-Serbi dhe ndëshkimin e FIFA ndaj Xherdan Shaqirit e Granit Xhakës.

“Identitetet nuk janë absolute, ato ndryshojnë bashkë me kohën. Unë sot jam krenar ta quaj veten një regjisor zvicran, duke mos harruar kurrë vendin ku linda dhe rrënjët e mia nga Kosova” ka shkruar më pas Maxhuni.

Maxhunin e njohim edhe prej filmit “Lost Exile” ndërsa këtë vit është përzgjedhur si njëri prej pjesëmarrësve në Sarajevo Talents.

Me popullatën e saj me numër të madh imigrantësh, Zvicra ka qenë gjithmonë vend i një kërkimi të dyfishtë: së pari, si po zhvillohet ADN-ja e shtetit me që ai e ri-definon veten vazhdimisht? Së dyti, si e artikulojnë kërkimin e tyre të identitetit këta të huaj në mes të pasigurisë dhe nevojës së vazhdueshme për të definuar “veten” në terma të prekshëm? “Zvicra” thekson kompleksitetin e identiteteve të humbura dhe të ri-zbuluara në Zvicër, një shtet që është i destinuar t’i adaptohet arritjeve të popullatës çdo herë e në rritje.

Filmi e trajton pyetjen përmes 7 personazheve shqiptare komuniteti i të cilëve është njëri nga më të rëndësishmit në vend. / KultPlus.com

Kur Fan Noli i përshkruante shqiptarët njësoj sikur ta kishte bërë sot

Noli është nga ato figura komplekse që rrallë mund t’i kuptosh drejtë, pasi gjithmonë ka diçka të fshehur brenda çdo fjale. Në gjithë fjalimet që Noli ka mbajtur, është vlerësuar shumë realiteti që ai shpreh dhe mënyra e mendimit dhe perceptimit të tij.

Ndaj edhe sot do të flasim për një nga fjalimet e tij të mbajtur para Parlamentit të Shqipërisë në vitin 1924, ku tregon për pesë anarkitë që ka Shqipëria. Ja si shprehet ai:

“Në vendin tonë mbretëron konfuzioni i të pesë anarkive:

E para, anarkia fetare: katër fe të ndryshme, që s’kanë zënë rrënjë në zemrën e një populli pagan.

E dyta, anarkia sociale: këtu s’ka as klasë bejlerësh, as klasë bujqësh, as klasë burxhoazie. Këtu bujku është më bej se beu, beu më bujk se bujku. Kini një shembull të bukur në Partinë Popullore, e cila mbahet sot në fuqi prej bejlerëve dhe oxhakët më të vjetër, kur anëtarët e kësaj partie lëvdohen që kanë shpëtuar prej bejlerëve.

E treta, anarkia morale: këtu qeni s’njeh të zotin; këtu karakteret lopësohen, qullosen dhe ndërrojnë forma dita-ditën si në kaleidoskop. Këtu ambiciet janë pa fre e pa kufi. Këtu i padituri i di të gjitha dhe i pazoti është i zoti për të gjitha.

E katërta, anarkia patriotike: këtu brenda në një ditë, si me magji, tradhëtori bëhet patriot dhe patrioti tradhëtor. Këtu shohim përpara syve tanë të kapardisen si patriotë të mëdhenj, ata që kanë lëftuar për “harfet” e për flamurin e babës, që kanë djegur Shqipërinë e Mesme ose ata që janë puthur me andartët e i kanë ndihmuar për të shkreptuar anembanë Toskërinë; këtu, si më thoshte një mik, është më mirë të jetë njeriu tradhëtor e të shikojë interesin e tij e të jetë i sigurt që të nesërmen do të proklamohet patriot i madh.

E pesta, anarkia e idealeve: këtu idealet janë të errëta, të shtrembëra e të mumifikuara të Fanarit e të Buharës përfyten e përleshen në një luftë për vdekje me idealet e gjalla, elegante dhe të ndritshme të Perëndimit; na mungojnë vetëm idealet e antropofagëve.

Po për të zënë vendin e tyre kemi kolltukofagët, krimba të verdhë me kokë të zezë, që rriten me plagët e infektuara të Shqipërisë në lëngim, këpushë, që mund t’i copëtosh, po jo t’i çqitësh nga trupi që kafshojnë e thëthijnë.

Herodoti na tregon se në betejën navale të Selaminës, një athenian kapi një anije persiane me dorën e djathtë e s’e lëshonte gjersa ia prenë; ahere e kapi me dorën e dorën e mëngjër; ia prenë edhe këtë; ahere e kapi me dhëmbë dhe s’e lëshoi gjersa i prenë kokën.

Sikur të ngjallej Herodoti përsëri do të shikonte që kolltukofagët tanë janë më të fortë se ky trim legjendar i vjetërsisë greke. Që t’i çqitësh këta tanët nga kolltuku duhet t’u preç jo vetëm duart e kokën, po dhe këmbët e trupin…”

(Pjesë nga fjalimi i mbajtur në Parlamentin e Shqipërisë në vitin 1924 por që tingëllon njësoj aktual edhe sot)

LDK bojkoton ceremoninë e varrimit të Adem Demaçit

Zyrtarët e lartë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, nuk kanë treguar pse ky subjekt politik ka bojkotuar ceremoninë komemorative dhe ceremoninë e varrimit të veprimtarit të cështjes kombëtare Adem Demaçit.

Gazeta Insajderi ka kontaktuar nënkryetarin e kësaj partie, Agim Veliu i cili nuk ka dashur fare ta komentoj mospjesëmarrjen e zyrtarëve të kësaj partie në ceremoni.

Ai shkurt tha “Nuk dua të komentoj fare këtë gjë”.

Por nga ana tjetër disa deputet të LDK-së kanë filluar shpërndarjen e fotografive të presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova nëpër profilet e tyre në Facebook.

Pas deputetit Rugova dhe postimit të tij të çuditshëm, deputetja Doruntina Maloku ka publikon fotografinë e Rugovës me babin e saj veprimtarin Enver Maloku, shkruan Insajderi.

Kurse dje gjatë ditës zyrtari, Besim Hoti ka ofenduar rëndë të ndjerin Demaçi duke e quajtur monstrum dhe përqarës, postimin e tij e ka pëlqyer Naser Rugova. Kurse deputeti Armend Zemaj i shkruan “Respekt Besim shoqi”.

Shtatore, autostradë dhe park me emrin e Adem Demaçit

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë se ka marrë disa propozim-vendime, për ta nderuar figurën e Adem Demaçit.

“Sot, pas ceremonisë mortore, në nderim të Adem Demaçit, kam marrë propozim-vendimin për vendosjen e shtatores së Adem Demaçit në sheshin “Adem Demaçi” në Prishtinë, emërtimin e austostradës Prishtinë – Pejë – “Autostrada Adem Demaçi” dhe për të emërtuar Parkun e Qytetit të Prishtinës – “Parku Adem Demaçi””, ka shkruar Haradinaj.

Haradinaj thotë se vendim-propozimi do të procedohet në mbledhjen e radhës së Qeverisë së Republikës së Kosovës për respekt të emrit dhe veprës së tij, si pjesë e identitetit shpirtëror dhe politik të Kosovës, një figurë unike në përpjekjen tonë për liri. / KultPlus.com

Varroset Adem Demaçi

Me ceremoni mortore, tashmë është varrosur Adem Demaçi.

Demaçi, një figurë që do të kujtohet nga secili, është varrosur në “Varrezat e Dëshmorëve” në Velani.

Pas varrimit, presidenti Hashim Thaçi, presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli dhe ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi, më pas, kryeministri Ramush Haradinaj me ish-kryeministrat Agim Çeku e Bajram Kosumi, kanë vendosur kurora lulesh mbi varrin e tij.

Demaçi u cilësua si hero jo vetëm i Kosovës, por i gjithë shqiptarëve.

Demaçi vdiq të enjten në moshën 82 vjeçare. / KultPlus.com

Një numër i madh qytetarësh në nderim të Adem Demaçit

Një numër i madh qytetarësh janë duke qëndruar prapa kortezhit të veprimtarit të ndjerë Adem Demaçi.

Ata me nderime të larta shtetërore janë nisur nga sheshi ”Skënderbeu” për ta dërguar arkivolin e tij në varrezat e lagjes Velania për ta përcjellë në banesën e tij të fundit.

Varrimi i trupit të Demaçit do të bëhet nga ora 12:00, vetëm pak metra larg varrit të Ibrahim Rugovës.

Veprimtari Adem Demaçi, vdiq të enjten pas një sëmundje të rëndë në moshë 82 vjeçare. / KultPlus.com

Kortezhi i Demaçit mbërrin te “Varrezat e Dëshmorëve” në Velani

Kortezhi i Adem Demaçit, tashmë është nisur drejt varrezave të Velanisë, ku në orën 12:00 pritet të varroset në “Varrezat e Dëshmorëve”.

Kortezhi i Adem Demaçit, tashmë ka mbërritur te “Varrezat e Dëshmorëve”, në Velani.

Demaçi, pas pak pritet të varroset aty. / KultPlus.com

Abetare Demaçi: Kisha një baba që e ndava me të gjithë shqiptarët

Abetarja: Babai im tha, po ta njihnin shqiptarët mirë veten, do luftohej e keqja

Abetare Demaçi, vajza e Adem Demaçit, mori fjalën para të pranishmëve ku po mbahet ceremonia mortore.

“Para se të vdiste më thoshte se më e rëndësishmja është ta njohësh veten. Ishte njeri që u sakrifikua për shqiptarizmin. Po ta njihnin shqiptarët mirë veten do përpiqeshin ta përmirësonin veten, dhe në mënyrë kritike të luftohej e keqja, më thoshte ai. Kështu si jemi, nuk e njohim as veten, nuk e dimë rëndësinë e bashkimit dhe do na përsëritet historia”, ka thënë Abetare Demaçi, duke i kujtuar mesazhet që i kishte lënë babai i saj. “Qoftë i lehtë dheu i Kosovës për të”, përfundoi ajo.

Ndërsa, djali i Demaçit, Shqiptar Demaçi, falënderoi të gjithë ata që janë sot të pranishëm për të nderuar babanë e tyre Adem Demaçin. / KultPlus.com

‘Demaçi nuk ka as mundësi të klonohet në këtë depresion kosovar’

Arbër Selmani – bursist i Sakharov 2018

Si njëri prej Sakharov bursistëve për këtë vit, reflektova shumë këto ditë mbi karrierën e Demaçit. Sidomos kur prej udhëtimit në Bruksel muajin e kalum i pata së paku dhjetë biseda të ndryshme me njerëz të tjerë rreth Demaçit, i cili kishte qenë i ftuar në ceremoninë e 30-të vjetorit të ndarjes së çmimit, por shkaku i shëndetit të përkeqësuar nuk erdhi.

Demaçi e ka marrë çmimin Sakharov në vitin 1991, vitin kur linda unë.

Ma shumë e dojshin Demaçin në Bruksel, se në Kosovë. Ose së paku, ma shumë atje fola për Demaçin sesa këtu. Në Facebook, ku bën roje gjithëdijësia e shqiptarëve, me rastin e vdekjes së Demaçit pashë komente prej “pak i ngushtëm” deri te “edhe ky ia ka huqë shpesh”, përfshirë këtu ngushëllimet për familjen. Në Bruksel, treguan për shëndetin e tij të përkeqësuar, për punën e tij, burgosjen disa herë, plus ishte interesant prej tyre me e taku dikë prej Kosovës për faktin se në tri gjenerata të bursistëve unë jam i vetmi prej Kosovës. Aspak i krahasueshëm me Rugovën e Demaçin që kanë marrë çmimin e madh Sakharov në vite të ndryshme. Në Bruksel Demaçin e përshkruanin si njeri të qetë, të butë, një mendje që e pati mahnitur edhe Parlamentin Evropian kur e pranoi çmimin Sakharov. Demaçin në Bruksel e pashë të barazuar me njerëz që kanë luftuar për kauzat e njëjta si ai, pa analizën shqiptare e cila shpesh është e vakët.

***
Demaçi ka kalu vite në burg, duke pasë ëndrra.
Demaçi nuk është Nelson Mandela i askujt. Ai është Adem Demaçi – një jetë si disident dhe një harresë kolektive e shqiptarëve në vitet e fundit të jetës së tij. Mandela poashtu e ka marrë Sakharovin, në vitin e parë të ndarjes. Demaçi dhe Mandela e kanë secili karrigen e vet në atë botë ku drejtësia ekziston dhe ku pishtarët e luftës për drejtësi e barazi kanë kolltukun e tyre pa komentet e të gjithëdijshmëve shqiptarë e kosovarë.
Politikanë, Demaçin kujtojeni, duke ndjerë pështirosje për veten tuaj dhe kuazi-kulturën që e shitni për njerëzillak.
Demaçi ka shkruar “Gjarpijt e Gjakut”, politikanët tanë që po i bëjnë nderime nuk i kanë lexuar as fletat e bardha që ju servohen në Parlament.

– Në momentin që më kanë tregu për bursën Sakharov 2018, dy emra më janë kujtu: Demaçi e Rugova. Duke i zhveshur prej çdo mangësie terciare, Rugova e Demaçi nuk ka as mundësi të klonohen në këtë depresion kosovar, edhe për shumë vite. Personalisht për mu janë dy prej emrave që të drejtat e njeriut në Kosovë i patën mendimin e parë të mëngjesit dhe misionin e vetëm në jetë. / KultPlus.com

Fëmijët e vdekur

Yiannis Ritsos

Fëmijët e vdekur nuk ikin kurrë nga shtëpia.
Vërdallosen atje, ngatërrohen në palat e mëmës,
në çastin që ajo përgatit gjellën
e dëgjon ujin që zien,
si të jetë duke studiuar avullin dhe kohën.
Gjithmonë atje –

Dhe shtëpia ngushtohet e zgjerohet tjetërsoj,
si shiu i ngadaltë beharor, kur fillon të bjerë mbi fushat e shkreta.

Nuk ikin fëmijët e vdekur. Rrinë në shtëpi
dhe parapëlqejnë të lozin
në korridorin e mbyllur,
dhe çdo ditë rriten në zemrat tona, aq
sa dhimbja që ndiejmë nën brinjë,
nuk vjen më nga mungesa,
por nga shtimi i saj.
E nëse gratë nxjerrin ndonjë britmë
në gjumë,
është se i ndjejnë përsëri ne bark.

Përktheu: Eleana Zhako

Thaçi: Demaçi ishte lufta e lavdishme e UÇK-së

Nën përkujdesjen e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në sheshin e Prishtinës po mbahet ceremoni përkujtimore për nder të jetës dhe veprës së veprimtarit Adem Demaçi.

Ceremonia filloi me intonimin e himnit shtetëror pastaj kombëtar, dhe me një minutë heshtje.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se Kosova është në zi dhe bota shqiptare në pikëllim.

“Adem Demaçi ishte lufta e lavdishme e UÇK-së, pasi me qëndresën e tij u bë simbol i lirisë kombëtare. Shpirti i tij ishte më i fuqishëm se burgu jugosllavë dhe rrezatoi humanizëm”, tha presidenti Thaçi.

Thaçi tha se Demaçi ishte dhe do të mbetet ndërgjegjja jonë kombëtare, simbol i humanizmit. Ai tha se Demaçi u shndërrua më frymëzues.

Gjatë fjalimit të tij Thaçi tha se Demaçi ishte i madh edhe kur fliste dhe kur kritikonte. Thaçi tha se Demaçi ishte kolos i mendimit të lirë. / KultPlus.com

‘Kujt do t’ia shpreh pikëllimin tim’, hiti tjetër i Armendit (VIDEO)

Para se ta nisim javën e re, ta nisim mbrëmjen e së dielës me muzikë.

Një këngë që pikëllon por edhe sjellë nostalgji, “Kujt do t`ia shpreh pikëllimin tim” është një nga baladat tjera që Armend Rexhepagiqi realizoi në kohën e famës së tij më të madhe.

Pjesë e koleksionit të baladave të Armendit, me titullin “Tragjikomedia”, edhe kjo këngë është e veçantë dhe sjellë një njeri të paplotësuar në jetë, mes tjerash edhe në aspektin e dashurisë, një njeri të vetmuar.

Sot po e sjellim këtë këngë jo për të sjellë pikëllim, por nostalgji për vitet e kaluara dhe për reflektim duke dëgjuar zërin e dashur të Armendit. / KultPlus.com

Sopranoja Marigona Qerkezi me çmim special në ‘Portofino’

Sopranoja kosovare Marigona Qerkezi është vlerësuar me çmimin special në garën e 4-të të këndimit operistik në Portofino të Italisë.

Qyteti i vogël italian i njohur për limanin piktoresk dhe resortet luksoze, për një javë qe nikoqir i garës në mes 250 këngëtarëve lirik që vinin nga 48 shtete të botës.

Emra të njohur të botës operistike kanë gjykuar këngëtarët, teksa roli i kryetarit të jurisë i është besuar Dominique Meyer – drejtor i Shtëpisë Shtetërore Operistike të Vjenës. Përmes një statusi në Facebook, Qerkezi ka thënë të ndihet e nderuar për fitoren në këtë garë të rëndësishme.

Sopranoja Qerkezi është përzgjedhur në mesin e 40 këngëtarëve që do garojë në prestigjiozen “Operalia”, konkurs i cili drejtohet nga Placido Domingo, e që këtë vit do të mbahet në Lisbonë të Portugalisë nga 27 gushti deri më 2 shtator. / KultPlus.com

Sot i jepet lamtumira e fundit Adem Demaçit

Këshilli Organizativ i ceremonisë së varrimit të veprimtarit Adem Demaçi, ka njoftuar se ceremonia komemorative do të mbahet sot në sheshin “Skënderbeu”, duke filluar nga ora 08:30.

Pas përfundimit të ceremonisë komemorative, kortezhi së bashku me qytetarët do të niset drejt varrezave të Velanisë, nga ora 11:00, kurse varrimi bëhet në orën 12:00.

Ceremonia komemorative dhe varrimi i Adem Demaçit, me nderimet më të larta shtetërore, bëhen për ta nderuar jetën dhe veprën e tij. / KultPlus.com