Kamionët me vaksina anti-Covid nisen drejt Britanisë

Kamionët që morën vaksinat e para kundër COVID-19 Pfizer / BioNTech janë rrugës për në Britani, pas miratimit për përdorim më herët sot nga rregullatori.

Mijëra doza të vaksinës kanë filluar tashmë “udhëtimin” e tyre nga fabrikat Pfizer në Belgjikë këtë mëngjes, vetëm disa orë pasi “Drita e Gjelbër” u dha nga Autoriteti Rregullator për Barnat dhe Produktet Shëndetësore (MHRA), duke e bërë Britaninë vendin numër një në botën perëndimore, që ka aprovuar përdorimin klinik të ilaçit.

Sekretari i Shëndetësisë, Matt Hancock tha se pandemia po mbaronte, ndërsa kryeministri, Boris Johnson u shpreh se kjo “do të na lejojë të rikthejmë jetën tonë në rrugën e duhur”, por gjithashtu paralajmëroi që njerëzit britanikë nuk duhet të jenë tepër entuziast për zbatimin e shpejtë të programit të vaksinimit.

Rreth 800,000 doza të vaksinës Pfizer, e cila kërkon dy doza me 21 ditë diferencë, do të jenë në dispozicion “nga java tjetër”.

Britania e Madhe tashmë ka porositur një total prej 40 milion dozash, me 10 milion që mbërrijnë në vend deri në fund të vitit 2020 dhe pjesa tjetër brenda vitit të ardhshëm./albinfo.ch/ KultPlus.com

Si e ndau një mollë, Ibrahim Rugova

Ahmet Selmani

Në vitin e largët 1989, kur isha student në Universitetin e Prishtinës, duke u solidarizuar me minatorët e Trepçës që ishin hedhur në grevë për të mbrojtur autonominë e Kosovës, ne ishim mbledhur në palestrën e sporteve mbi mensën e studentëve. Bashkë me ne, ia behnin edhe shumë profesorë universitarë, studiues, shkrimtarë, intelektualë etj. Në mesin e tyre më pat rënë në sy edhe dr. Ibrahim Rugova, i cili u afrua pranë një grupi studentësh prej 11 vetash, në mesin e të cilëve kisha rastisur edhe unë. Ngaqë nuk kishte vend për të gjithë, ne ishim ulur në parket. Po ashtu, edhe ai u ul këmbëkryq në mes nesh.

Ajo që më bënte përshtypje, ishin cigaret që i ndizte njërën pas tjetrës, qetësia engjëllore e tij, biseda e ngrohtë, modestia e pakundshok. Fliste pa asnjë eufori, por me një urtësi të rrallë. Teksa qëndronte me ne, në një çast më ra në sy se dikush u shpërndante mollë studentëve. Mirëpo, kur u afrua te ne, fatkeqësisht i mbeti vetëm një kokërr. Duke shprehur keqardhje që s’kishte për të gjithë ne, mollën e vetme ia zgjati dr. Ibrahim Rugovës, mbase në shenjë respekti si më i vjetër që ishte. Dhe ai e mori me një qetësi të mistershme duke e ngushëlluar atë që të mos mërzitej fare se do ta ndante bashkë me ne. Të them të drejtën, në fillim e mora si një shaka të tij. Por, pasi e përfundoi bisedën që e kishte nisur, ktheu kokën mbrapa dhe i numëroi sa veta ishim gjithsej përreth tij. Dhe, me gishtat e tij të gjatë e të ashpër e çau mollën përgjysmë. Pastaj ato i ndau në 11 pjesë të vogla dhe të gjithëve na e zgjati nga një copë. Më të voglën e mbajti për vete.

Kështu 11 studentë, si dhe dr. Ibrahim Rugova arritëm ta hanim një kokërr molle. E pabesueshme, por e vërtetë.Kështu u ngulit në kujtesën time ky njeri i jashtëzakonshëm. Dhe më vonë, kur u bë prijës i shqiptarëve të Kosovës, gjithnjë më binte ndër mend ndarja e mollës. Dhe thoja vetmevete: Ky njeri, një kokërr molle e ndan me gjithë Kosovën, e jo më me 11 veta sa ishim ne studentët afër tij. Këtë e dëshmoi deri në frymën e fundit, ai vetëm i dha Kosovës, nuk i mori asgjë./ KultPlus.com

Rugova: Ju që kujtoni se e keni marrë peng të vërtetën, mos më dilni para sysh se s’mund t’ju shoh

Ish presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova pas vetës ka lënë edhe shumë thënie, të cilat vazhdojnë të jenë koherente edhe sot, shkruan KultPlus

Më poshtë po ju sjellim një varg të shkëputur nga Rilindja e vitit 1969.

“Ju që kujtoni se e keni marrë peng të vërtetën,

mos më dilni para sysh se s’mund t’ju shoh.

Çdo gjë që shoh është këngë,

çfarëdo që prek është dhimbje”- Ibrahim Rugova

(“Rilindja”, gazetë e përditshme prishtinase, 4 prill 1969, f. 14, rubrika “Zenite letrare”)./ KultPlus.com

Ibrahim Rugova dhe Arnold Schwarzenegger, fotografi të rralla së bashku (FOTO)

Varrimi i Presidentit të Austrisë ishte bërë më 10 Korrik të vitit 2004.
Në këto fotografi është ish-Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova me aktorin austriako-amerikan dhe politikanin Arnold Schwarzenegger të cilët në vitin 2004 kanë marrë pjesë në varrimin e Presidentit të Austrisë Thomas Klestil.

Varrimi i Presidentit të Austrisë ishte bërë më 10 Korrik të vitit 2004,Aty kishin marrë pjesë 28 shefa të shteteve./ KultPlus.com

Mysafirët

Poezi nga Nerimane Kamberi

Përgatita listën e mysafirëve,
Ua çova ftesën,
Caktova edhe vendin ku kush do të ulet
Lartë, më të vjetrit
E tu ardh te poshtë, më të rinjtë.
Ia jap fjalën atij që dëshiron ta marr,
Nëse do dikush ta marr.
E nëse dikush më dëgjon kur ia bëj pyetjen.
Përgatita një çaj, se do t’i shikoj nga karrikja duke hyrë në odë,
Mysafirët e “Meet-it”./ KultPlus.com

Këshilla e MPB-së dhe Zafir Berishës: Mos e ndani fjalëkalimin me të tjerët

Ministria e Punëve të Brendshme ka nxjerr një foto me një mesazh që tregon se përdorimi i internetit sjell edhe rreziqe sa i përket sigurisë.

Këtë postim të MPB-së e ka shpërndarë në Facabook edhe koordinatori nacional për siguri kibernetike, Zafir Berisha.

Në postimin e shpërndarë jepen tri këshilla themelore: si “Mos prano ftesa nga njerëz të panjohur”; “Mos e ndaj fjalëkalimin me të tjerët; dhe “Mos ndaj të dhëna personale”.

Zafir Berisha është edhe zv.ministër i Punëve të Brendshme./koha.net/KultPlus.com

Memorial për Ibrahim Rugovën, Bytyqi: Jeta dhe vepra e presidentit Rugova paraqitet në tërësi në këtë memorial

Sot, në shenjë të datëlindjes së presidentit historik të Kosovës, në vendlindjen e tij është përuruar shtatorja e Ibrahim Rugovës, por në të njëjtën kohë është përuruar edhe “Memoriali Ibrahim Rugova”, që konsiderohet të jetë një memorial nacional, shkruan KultPlus.

Arkitekti i këtij projekti Esat Bytyqi në një intervistë për KultPlus ka treguar për këtë memorial të rëndësishëm kulturor, i cili ka treguar edhe për specifikat e këtij projekti që tashmë ka marë formë dhe është i qasshëm për qytetarët e Istogut dhe më gjerë.

“Qëllimi i ndërtimit të këtij memoriali është që të kujtojmë të kaluarën dhe të nderojmë dhe respektojmë arkitektin e shtetit të Kosovës, presidentin Ibrahim Rugova”, ka thënë Bytyqi për KultPlus, i cili ka shtuar se ky memorial tash e tutje duhet të vlerësohet si pika kryesore ku edhe do të kujtohet presidenti Rugova.

“Për herë të parë, qyteti i Istogut do të ketë një muze dhe një shesh qendror, ku si pikëlidhje ka të kaluarën, kulturën dhe trashëgiminë tonë kulturore”, ka thënë ai.

Bytyqi, krenarë për punën që i është besuar, ka kujtuar se presidenti Rugova, me një të kaluar si shkrimtar dhe studiues, afër dy dekada të jetës së tij, punoi për  zgjidhjen e problemit të Kosovës, dhe që nga ajo kohë përcaktonte hapur pozicionin gjeopolitik kosovar dhe shpallte idenë për shtet te pavarur.

“Jeta dhe vepra e presidentit Rugova paraqitet në tërësi në memorial. Jo vetëm vitet ku shërbeu si udhëheqës i popullit të Kosovës por edhe pjesa tjetër e jetës së tij si shkrimtar dhe studiues”, ka thënë Bytyqi, i cili ka njoftuar se sipas këtij projekti, edhe Ministria e Kulturës do të ndajë një buxhet shtesë për artefakte që lidhen me figurën e Rugovës, e që do të vendosen në këtë memorial. 

Bytyqi më pas ka treguar se memoriali ndahet në dy pjese funksionale: pjesa e lartë e hapur ku përfshihet parku dhe sheshi, dhe pjesa e poshtme e mbyllur ku përfshihet muzeu.

“Pjesa e lartë, rreth 1000m2, është një shesh modern me ulëse dhe hapësira që shfrytëzohen nga qytetaret. Me një fjale do të bëhet një park funksional, atraktiv dhe do te jete pikë kryesore e qytetit.  Memoriali ofron një hapësirë modeste, e cila mund të shfrytëzohet si hapësirë publike në formë sheshi-parku si edhe për rekreacione të ndryshme si:  organizimin e koncerteve, ceremonive  të ndryshme, pushimore dhe vendtakim për qytetaret”, ka thënë Bytyqi, i cili shpjegon në detaje se në këtë memorial, përmes xhamave në formë elipse, të cilët janë të vendosur në pjesën e lartë të memorialit, mund të shihet pjesa e poshtme e mbyllur.

“Lidhja me pjesën e poshtme bëhet përmes shkallëve dhe poashtu i tërë kompleksi ka qasje edhe për persona me aftësi të kufizuara”, ka thënë Bytyqi.

Kurse për pjesën e muzeut, arkitekti Bytyqi ka thënë se një pjesë e këtij muzeu është e rezervuar për historinë e qytetit të Istogut,  ndërsa  pjesa tjetër për jetën dhe veprën e presidentit Rugova,  si dhe një hapësirë për ekspozita të ndryshme që paraqiten kohë pas kohe.

Ky memorial i cili është përuruar në praninë e figurave të rëndësishme të Kosovës, duke përfshirë edhe kryeministrin Avdullah Hoti dhe vajzën e presidentit Rugova, Teuta Rugova, po konsiderohet si një ndër projektet që do të zhvillojë turizmin në Komunën e Istogut, dhe si i tillë është në harmoni me planin urbanistik të këtij qyteti. /KultPlus.com

Zbulohet shtatorja e Ibrahim Rugovës në Istog (FOTO)

Ceremonia e inagurimit të Kompleksit Memorial “Dr. Ibrahim Rugova”

Në ditëlindjen e presidentit Ibrahim Rugova është zbuluar shtatorja e tij në qendrën e Istogut.

Atë e zbuloi vajza e tij Teuta Rugova, kryeministri Avdullah Hoti dhe kryetari i Istogut Haki Rugova, njofton Klan Kosova.

Skulptor i shtatores së Rugovës është Gëzim Muriqi.

Ndërkaq, Haki Rugova në fjalën e tij ka thënë se është një ditë tepër e rëndësishme e tij që ka arritur ta bëjnë zbulimin e shtatores së tij dhe Kompleksin Memorial “Dr. Ibrahim Rugova”.

“Kënga e Dorës” një këngë e performuar nga të rinjtë, sjell shumë vlera artistike (VIDEO)

Kënga e mirëpritur tani më është publikuar në YouTube me titullin “Kënga e Dorës” nga kompozitori Agron Elezi.

Përndryshe ky kompozitor, ne vitin 2018 është klasifikuar si kompozitor elitar dhe finalist ne konkurrencën botërore të konkursit internacional “Creative Composer” të organizuar nga Italia dhe Spanja me kompozimet “Ikja e Vashës Kosovare” dhe “1468”.

Shkruan: Bekim Rexhepaj

Kuptimi i këngës & analiza e lirikës

Këtu kemi të bëjmë me një këngë të gjallë, harmonike, sublime dhe të kapshme, si karakteristikë e kompozitorëve te pastër dhe plotë madhështi të aftësive muzikore. Teksti, që n’dukje është i thjeshtë, duke evokuar mesazhin fisnik shqiptar të trashëguar nga rilindësit, por, në të njëjtën kohë ka thellësi të veçantë, sepse përkon me kahjet humanitare revolucionare të botës moderne.

Kënga fillon në frymën rilindase me vargjet e Naim Frashërit për gjuhën tonë të ëmbël, e që janë familjare për çdo shkollar shqiptar, si të vogël si të madh. Pastaj vazhdon me mesazhin e prejardhjes dhe stërgjyshërve tanë, e që gjithashtu ka qenë temë e vazhdueshme artistike e poetit tone të madh Naimit – në rizgjimin, rikultivimin, mbajtjen gjallë, dhe kujtimin e vendeve tona, dhe heronjve kyç tanë ndër më të ndritshmit, për zgjimin e dinjitetit dhe forcës, mu në kohën e formësimit të shteteve në baza nacionale, kur tokat dhe populli ynë sakatosej nga interesat dhe planet e superfuqive të Evropës në marrëveshje me armiqtë sllav, fqinjë tanë.

Paralelisht, vargjet e para të këngës nxjerrin në pah edhe një kuptim më të avancuar bashkëkohorë. Të kujtosh Naimin dhe vargjet e tij, është sikur të rikujtosh pastërtinë e gjuhës sonë dhe origjinalitetin e shpirtit tonë. Ne ditët e sotme, kur industritë e huaja muzikore të fuqishme ndikojnë me të madhe në rininë tonë dhe kahjet e tyre artistike, ky mesazh ndjell shpresë dhe fuqi në rimëkëmbjen e artit tonë, origjinalitetit tonë që ka për bazë mbijetesën dhe rrënjët e tona të fuqishme historike.

Kujtoj poetin Naim
Dhe Pirron bashkë me Skënderbenë
Këndoj me plot mallëngjim
Epirin me Morenë

Nëse kanë patur guxim dhe vullnet që Pirroja dhe Skënderbeu ynë t’i kundërvihen superfuqive dhe ndikimit të tyre pushtues në ato kohëra, jemi edhe ne, stërnipërit e tyre, që munden të nxjerrin në pah origjinalitetin e tyre artistik përkundër pushtimit dhe ndikimit të superfuqive industriale të artit. Pra kujtoni ata, stërgjyshërit e guximshëm – Pirron dhe Skënderbenë.

Strofat e tjera si më poshtë vazhdojnë të japin mesazhin e prejardhjes sonë fisnike, dhe përkujton të kundërtën e asaj që pushtuesit vazhdimisht janë mundu: të na poshtërojnë dhe shuajnë lavdinë dhe krenarinë tonë, si krijues te zotnave dhe luftëtarë të shquar që nga Akili e deri te Adem Demaçi, duke abuzue me emrat e heronjve tanë në baza fetare, duke cenzurue çdo vlerë shqiptare dhe duke vjedhur historinë tone të pasur, e që fatkeqësisht ka mbet zyrtarisht akoma e shtrembëruar. Aq më shumë, jo vetëm që historia e vërtetë do të dëshmon se luftëtarët më të shquar të historisë njerëzore i takojnë flakës dhe tymit të madhështimit të popullit tonë, por në anën tjetër, mu ky popull ka falur edhe simbolin më të madh të mëshirimit human, Gonxhe Bojaxhiun, Nënën Terezë – qiriun e mishërimit njerëzor. Pra të dy ekstremet e madhështive të karakterit njerëzorë rrjedhin mu nga ky popull, e që sot quhemi populli shqiptar.

S’jem t’pashpirtë as barbarë
As t’mjerë shkatërrimtarë
Jem hiri i Perëndisë
Oh! Bijat dhe bijtë e Arbërisë
S’jem djallëzorë as hileqarë
Përtacë as nepsqarë
Jem qirinj t’mishërimit
Hej! Flaka dhe tymi i madhështimit

Klimaksi dhe tejkalimi i mesazheve të lartpërmendura në një mesazh universal human arrihet në rreshtat:

Kem kodin tonë bujar
Për një botë t’bashkuar dhe të mbarë

Ajo që e dallon popullin shqiptar përkundër përpjekjeve të armiqve në mjegullimin dhe turbullimin e historisë, është kodi mijëvjeçarë i jonë me vlera të larta njerëzore – Kanuni i Lekës. Dhe mu ky popull me traditë për kod dhe civilizim, në kohën kur popujt e tjerë të Evropës shquheshin si barbarë, është më se i gatshëm dhe më së lehti do t’pranojë një botë t’bashkuar dhe të mbarë me ligje të unifikuara. Pra, këtu mesazhi i then barrierat nacionale dhe merr kahjen e mrekullueshme të një mesazhi revolucionar të botës humane moderne. Poashtu me strofën e fundit, autori kalon nga reflektimi nacional në atë universal me një thellësi të filozofisë poetike:

S’jem laikë as t’përçarë
Por unik dhe krenarë
Jem’ brumi i njerëzimit
Oh.. pluh’ri i yj’ve dhe amshimit

Është një fakt ende i gjallë qe shqiptarët janë fetarë të besimeve të ndryshme. Pra ka musliman, katolikë dhe ortodoks, si pasojë e vendit të tyre mu në portën e Perëndimit dhe Lindjes, në vatrën e luftërave fetare dhe racore. Aq më shumë shqiptarët, krijuesit e zotërave si Zeusi, Afërdita etj, nuk mund ti quajmë laik. Mirëpo, përkundër dallimeve fetare, ata mbeten unik me gjuhë, me kod, me plis të bardhë dhe me flamur.

Që nga antikuiteti, e deri në ditët e tona të shekullit 21, influenca e eposit të Homerit ishte jashtëzakonisht i madh. Iliada dhe Odhiseu shprehin arketipet e madhnishme të heronjve të popullit më të vjetër në Ballkan, mu nga fiset tona, ku inspiruan dhe evokuan një mori të panumërt të veprave t’famshme në literaturë, muzikë, art dhe film. Pra, brumi i njerëzimit ngërthen mesazhin e arketipit, gjenezës, pluhurin e yjeve dhe amshimit, apo prototipet pas të cilit vazhdon cikli i pakufishëm i kopjeve njerëzore rrespektivisht heronjve.

Refreni i këngës shprehë vlerat e rëndësisë se mençurisë të njeriut modern.

Rroftë e qoftë mençuria
Dhe shkenca e arti i jonë
Rroftë e qoftë fisnikëria
Me paqe dhe dashni përgjithmonë

Mençuria diplomatike sjell lehtësim dhe komoditet për shtetin tonë. Njeriu jo i duhur, jo i prirur dhe i mençur në krye te çfarëdo detyre, e sidomos të atyre udhëheqëse shtetërore sjell pakënaqësi, zhgënjim, dëme dhe në fund, mjerim. Zhvillimi i shkencës, ekonomisë dhe artit sjell jo vetëm fuqi dhe stabilitet shtetëror, por lumturi dhe mirëqenje të gjithëmbarshme. Pra, mesazhi i refrenit është mjaftë i fuqishëm për kohën tonë aktuale: Kemi nevojë t’a shprehim mençurinë, e jo përçamjen, fanatizmin dhe kështu naivitetin. Dhe ajo mund të arrihet kur i kemi njerëzit e duhur në pozitat e tyre të duhura, e jo anasjelltas. Në anën tjetër, fisnikëria shqiptare është e gdhendur në kodin tonë të kamotshëm. Mu kjo fisnikëri do t’mbahet gjallë dhe do t’rimëkëmbet aq me shumë, sa më shumë të fitojë mençuria dhe pastërtia jonë.
Dhe në fund, aty ku sundon mençuria dhe fisnikëria, aty sigurisht që do t’ketë paqe dhe dashuri.

https://www.youtube.com/watch?v=rBBcK2XXrv0&feature=youtu.be&fbclid=IwAR2uD2zWxtUxZ7OACltcbHTVS_o4e83bfwLU-S_ZByuYHHHho_87rJ1PJnA./ KultPlus.com

Fjalimi i Rugovës që ngriti në këmbë deputetët e Parlamentit Evropian (VIDEO)

Në Strasburg, më 16 dhjetor 1998, në selinë e Parlamentin Evropian në Strasburg, Ibrahim Rugovës, në një ceremoni madhështore iu dorëzua Çmimi Saharov nga kryetari i Parlamentit Evropian, Hoze Maria Robles Delgado.

Kryetari i Republikës Kosovës Ibrahim Rugova, duke u falënderuar për këtë mirënjohje të lartë të Parlamentit Evropian, tha:

Gjendja ne Kosovë mbetet serioze dhe e rrezikshme. Ne shpresojmë qe misioni i SHBA-së dhe ndërhyrja e Kombeve të Bashkuara do të sjellë rivendosjen e paqes në Kosovë dhe krijojmë kushtet e nevojshme për zgjidhjen e konfliktit. Unë do të doja të theksoj që zgjidhja më e mirë për Kosovën është pavarësia, kuptohet me të gjitha garancitë për serbët që jetojnë në Kosovë.

Për të ardhmen unë do të doja instalimin e protektoratit ndërkombëtarë për një periudhë kalimtare. Pavarësia e Kosovës do të lejojë kthimin e paqes dhe stabilitetit ne këtë pjesë të Evropës, duke filluar me Shqipërinë, Maqedoninë e madje edhe Serbinë.

Pavarësia e Kosovës do të përbëjë një faktor stabilizues në rajon. Për momentin ne jemi duke punuar në një marrëveshje të përkohshme për Kosovën e cila do të hapë rrugë për rivendosjen e paqes në rajon.

Zotëri President, kam kënaqësi të madhe në marrjen e çmimi Saharov në 10 vjetorin e krijimit të saj.

Këtë vit në jemi duke e festuar 50 vjetorin e Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut e cila ka ngritur botën nga vetëdija çështjeve të të drejtave të njeriut.

Faleminderit edhe njëherë deputetëve evropianë. Shpresoj dhe uroj që Kosova një ditë do të ketë një vend në këtë institucion të nderuar të parlamentit evropian, siç thoshte mësuesi im i dashur Roland Barthes “Politika fillon me një dëshirë dhe pastaj atë dëshirë duhet ta ktheni në veprim”.

Zotëri President më lejoni të përfundojë fjalën time me një proverb nga Shqipëria, si një nga qytetërimet më të vjetra të Evropës, “Drejtimi i shtëpisë pa miq është i pamundshëm”. /BS/

Janaq Paço punoi mbi dhjetë vjet për këtë monument në Krujë

61 vite më parë u vendos në qendër të qytetit të Krujës, monumenti i Gjergj Kastriotit Skënderbeut, një ekuestër monumental, unik dhe madhështor, vepër për të cilën skulptori Janaq Paço punoi mbi 10 vite.

Monumenti i Gjergj Kastrioti Skënderbeut në Krujë është i lartë gjithsej 12 m (6 m lartësia e monumentit dhe 6 m bazamenti).

Ekuestri u vendos në Krujë më 27 Nëntor 1959 dhe është ekuestri i parë i vendosur në Shqipëri, dhe ndër më të bukurit dhe më të veçantët nga zgjidhja kompozicionale në Ballkan dhe Evropë.*

*(Janaq Paço – Veprat, Ylli Drishti,Tiranë 2019)./ KultPlus.com

Mulliqi: Në Kosovë ka shtatore shumë më të këqija se sa kjo e Skënderbeut

Rrëmuja mediatike për shtatoren e Skënderbeut e Adem Jasharit në Prizren ka ndikuar që me këtë çështje të merret edhe Komuna e Prizrenit, duke diskutuar edhe formimin e një komisioni për vlerësimin e shtatoreve, që të shihen mundësitë e rimodelimit të tyre, shkruan KultPlus.

Mirëpo për shtatoren e Skënderbeut në Prizren, të punuar nga Sinan Aliaj, skulptori i njohur kosovar Luan Mulliqi nuk e ka mendimin e njëjtë me të shumicës, ku e vlerësuan shumë jo profesionale shtatoren e Skënderbeut.

Në një intervistë për KultPlus ai ka thënë se Sinan Aliajn nuk e njeh personalisht, po punën që e ka punuar edhe nëpër shtatore të tjera ia njeh, dhe e vlerëson si skulptor.

“Unë mendoj që kjo shtatore nuk është e keqe ashtu sikurse e ka vlerësuar shumica. Sinan Aliajt ia njoh punën, e ka një punë të mirë, edhe pse nuk e njoh personalisht, mendoj që e bën një punë të mirë”, ka thënë Mulliqi për KultPlus, i cili ka thënë se nëse do të vlerësonim me kritere profesionale, në Kosovë ka shumë shtatore në gjendje më të keqe se sa kjo e Skënderbeut.

Mulliqi të vetmen kritikë që ka për Aliajn, potencon faktin se ai në një debat televiziv ka deklaruar se për punën e kësaj shtatore është bazuar në literaturën otomane, dhe Mulliqi ka thënë se shqiptarëve i duhet një shtatore e bazuar në historinë shqiptare, e jo e bazuar në literaturë otomane./ KultPlus.com

U përurua edhe shtatorja e Donika Kastriotit, gruas së Skënderbeut

U perurua në Vlorë shtatorja e Mbretëreshës së parë shqiptare Andronika Kastrioti, gruas së heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skëndërbeut.

Personaliteti i saj post mortum, që mbajti lart figurën madhore të Mbretit të parë të shqiptarëve, Skënderbeut.

Mbreteresha Andronikë vdiq në oborrin Mbreteror në Sevilja më 1504.

Art kosovarë në mes të Stambollit, Kamberi e Goranci prezantojnë gruan shqiptare

Shqipe Kamberi e Mjellma Goranci janë prezantuar me ekspozitë në Stamboll të Turqisë, ekspozitë që është hapë më 5 nëntor dhe do të zgjasë deri më 5 dhjetor, shkruan KultPlus.

Kamberi ka njoftuar për KultPlus se të dy artistet nuk kanë pas mundësi të shkojnë në hapjen e kësaj ekspozite, si pasojë e pandemisë, por punimet e tyre tashmë janë duke qëndruar në Arnavutköy Art Gallery.

Kamberi ka thënë se të dy artistet në këtë ekspozitë të përbashkët janë prezantuar me nga shtatë punime, dhe kjo ekspozitë është pasuar pas ekspozitës në Panairin e IIAF të Stambollit, ku artistet kosovare janë prezantuar atje, dhe puna e tyre është pëlqyer ku ka rezultuar më pas edhe ftesa për ekspozitën e fundit. /KultPlus.com

Tri gra të Kosovës nominohen në New York, promovojnë Kosovën

Zana Hoxha, Ilire Vinca e Burbuqe Berisha janë nominuar në “2020 Gilder/Coigney International Theatre Award” që ndahet një herë në tre vjet nga “The League of Professional Theatre Woman” (Liga e Grave Profesioniste të Teatrit), shkruan KultPlus.

Për këtë arritje ka njoftuar regjisorja e njohur Zana Hoxha, e cila bashkë me dy koleget tjera do të jenë të pranishme në këtë ceremoni. Përderisa Hoxha dhe Berisha janë nominuar për herë të parë në këtë ngjarje të madhe të teatrit, Ilire Vinca një nominim të tillë ka pas edhe para disa viteve.

KultPlus ju sjell të plotë statusin e Zana Hoxhës.

Së bashku me Aktoren Ilire Vinca dhe regjisoren Burbuqe Berisha unë jam renditur në mesin e 27 grave të 18 vendeve të botës si të nominuara për çmimin prestigjioz që njeh kontributin e grave në botën e teatrit. Ilirja për herë të dytë ndërsa unë dhe Buqja për të parën, e kemi futur Kosovën në hartën e shteteve, ku gratë ia dalin të jenë profesioniste të zonja, edukuese përmes artit e edhe frymëzuese për gjeneratat e reja.

Të tria jemi pjesë e listës së të nominuarave për “2020 Gilder/Coigney International Theatre Award” që ndahet një herë në tre vjet nga “The League of Professional Theatre Woman” (Liga e Grave Profesioniste të Teatrit)./ KultPlus.com

Nëse vaksina anti-covid ka sukses, Fauci thotë se vaksinimi mund të fillojë muajin tjetër

Derisa Moderna njoftoi se ka zbuluar vaksinën kundër koronavirusit dhe se është efektive për 94.5 për qind, Anthony Fauci, infektologu i njohur botëror, ka thënë se vaksinimi mund të fillojë në muajin tjetër.

Fauci ka potencuar se planifikon të aplikojë në Administratën Amerikane të Ushqimit dhe Barnave për autorizim të vaksinës, pasi të sigurojë më shumë të dhëna gjatë këtij muaji. Ai ka shtuar se nuk fillimisht nuk do të ketë vaksinë të mjaftueshme për të gjithë dhe njerëzit që do ta marrin të parët vaksinën, janë punonjësit shëndetësorë dhe të moshuarit, shkruan cnn.

“Unë mendoj se të tjerët do të fillojnë të vaksinohen nga fundi i prillit”, tha Fauci. “Kjo do të ndodh në muajin maj, qershor, korrik. Do të duhen disa muaj për të bërë”, pohoi ai.

Përpos Modernas, Pfizer dhe BioNTecha, janë firmat e tjera medicinale që thonë se kanë zbuluar vaksinën anti-covid me efektivitet të lartë.

Luan Durmishi nënshkruan kontratë me Label-in ‘’Lahuta Music’’

Label – i  ( shtëpia muzikore ) ‘’ Lahuta Music’’, i cili menaxhohet nga ONIMA nënshkruan kontratë me Luan Durmishin si trajnues vokali ( Vocal Coach ).

Kjo shtëpi muzikore bëhet a para shtëpi në të gjitha trojet shqiptare dhe me gjerë, me trajnues ( profesionist ) të vokalit, i cili do t’i trajnojë të gjithë këngëtarët me të cilët kjo shtëpi do të lidhë kontrata me ta.

Nga tash e tutje ‘’ Lahuta Music ‘’, e cila drejtohet nga Erkand Shabani do të nxjerrë  artistë të rijnë dhe që janë në skenë në mënyrën me profesionale si këngëtar profesionist, të cilët do ta kenë target industrinë e muzikës moderne, pop etj… , duke ju ofruar kushtet më moderne në rajon si dhe me një ekip profesional e të përkushtuar për zhvillimin e artistëve.

Këngëtarët e kësaj shtëpie muzikore ekskluzivisht do të kenë mundësi të marrin instruksionet, teknikat vokale dhe ato interpretative më bashkëkohoret , të cilat aplikohen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të cilat Luan Durmishi ka specializuar dhe është certifikuar për teknikat vokale dhe ato interpretative‘’ Zëri për trupin, trupi për zërin’,’ në klasën e një prej pedagogeve më të mira në SHBA , Dorothy Stone./ KultPlus.com

Nëna Terezë: Ju keni sy të mirë dhe mund të lexoni, si do të ishte nëse Zoti do t’ju kërkonte para që ju fali sytë

Nga Thesaret e Nënë Terezës

“Shumë njerëz thonë: “Nënë Terezë, Ju i llastoni të varfrit, sepse u jepni gjithçka pa asnjë kundërshpërblim”.
Mirëpo, neve nuk na llaston më shumë, se sa Zoti vetë. Shikoni: Ju keni sy të mirë dhe mund të lexoni. Si do të ishte, nëse Zoti Juve do t’ju kërkonte para, që Ai ju ka falur juve sytë. Ose, shikoni përjashta, se si ndriçon dielli. Si do të ishte, nëse Zoti do të na thoshte neve, ju duhet të punoni pesë orë, që të fitoni dy orë ndriçim të diellit.”/ KultPlus.com

Entela Tabaku sjell në gjuhën shqipe Anne Swärd

Këto ditë nëntori në Shqipëri  nuk i përkasin vetëm panairit të librit, por edhe promovimit të letërsisë suedeze, autorja e radhës që vjen në gjuhën shqipe nga përkthyesja Entela Tabaku është Anne Swärd.

“Botimet Pegi e pritën shumë me entuziazëm përkthimin e këtij romani dhe me gëzoi shumë se kisha dëshirë ta kishim në shqip. Prania e romanit, kjo lidhje kaq internsive mes dy fëmijëve në mes të luftës dhe fati i tyre. Po duke lexuar dalë ngadalë lexuesi zbulon se protagonisti i vërtetë i romanit nuk është prania po mugnesa, mungesa e së vërtetës, e komunikimit, e vendlindjes dhe meqënëse të gjithë personazhet janë të shpërngulur në një farë mënyrë”, rrëfen përkthyesja Tabaku

Ajo thotë se autorja suedeze Anne Swärd ka një stil të vetin të pazakontë të për përkthimin tonë shqip, që synon përkthim të plotë të rrjedhshëm që gati gati tingëllon më mirë se origjinali. “Ndërsa Ana Swärd shkruan një prozë të ngjeshur, intensive në një bashkërenditje të dendur që gati gati e lë fizikisht lexuesin pa frymë. Këto mungesa të papritura të fjalisë për ta paraqitur këtë ankth që personzahet ndjenë në libër dhe kjo do më pëlqente ta kishim në shqip”, vijon Tabaku.

Anne Sward është shkrimtare suedeze mjaft e njohur në vendin e saj. Ka debutuar më 2003 me një roman që u bë pjesë e finalistëve August Prize (çmimi më i lartë letrar skandinav). Romani i saj i tretë, `Deri në frymën e fundit`, u shpall romani më i mirë i vitit nga Bokcirklar Stora Lasarpriset (Çmimi i Lexuesve). Librat e saj janë përkthyer në mbi tetëmbëdhjetë gjuhë. Në vitin 2019, ajo u bë pjesë e Akademisë Suedeze./ diaspora shqiptare/ KultPlus.com

Anna Tafani një yll në ngjitje në operan australiane

Për shkak të COVID-19 çdo aktivitet kulturor, zbavitës dhe argëtues ishte anuluar për disa muaj me radhë në Australi, lehtësimet e reja të kufizimit pritet që të ringjallin disa prej tyre. Një ndër to do të jetë dhe aktiviteti i “Brisbane Concert Orchestra”  të cilët kanë përfunduar përgatitjet dhe kanë shitur tashmë  biletat për shfaqen e tyre “Festimi i muzikës” e cila do të ketë premierën në dhjetor.

Në këtë performancë do të marrë pjesë dhe shqiptarja Anna Tafani, e cila është një soprano lirike shqiptare e diplomuar në “Konservatorin Queensland” në Universitetin Griffith.

Gjatë studimeve të saj, ajo është prezantuar në shumë shfaqje prestigjioze përfshirë “Simfoninë e 8-të Mahler” në Qendrën e Arteve Performuese të Queensland dhe Simfonia e 9-të të Beethoven në Konservator drejtuar nga Johannes Fritzsch. Ajo mori pjese në produksionin e ri të Mozartit “La Finta Giardiniera” drejtuar nga regjisori fitues i shumë ccmimeve Immara Savage.

Aktualisht Anna po përgatit rolin e gruas së 2-të në operën e “Purcell Dido dhe Aeneas” nën drejtim e lektorit të saj të zërit dhe njëherazi President Kombëtar i ANATS, Shelli Hucombe.

Anna Tafani ësht përshkruar nga stafi i Konservatorit si një këngëtare premtuese me një zë karakteristik. Një nga rolet e saj të ëndërruara është ai i Vilotës bë opera “La Traviata” të e Verdit dhe është shumë entuziaste për interpretimin.

Anna ka lindur në qytetin e Belshit ku dhe ka mbaruar shkollimin deri në gjimnaz. E pyetur se si dhe kur lindur dashuria ndaj muzikës, ajo u përgjigj:

“Nga kujtimet e mia, besoj që dashuria ime për muzikën ka ardhur shumë natyrshëm dhe gradualisht. Fillimisht, si fëmijë, merrja pjesë nëpër festivalet që organizoheshin në shkollë dhe në lagje, por duke qenë se nuk vij nga një familje me formim artistik, nuk e mendoja që muzika do të ishte profesioni im në të ardhmen. Asokohe, isha me shumë e lidhur me muzikën e lehtë dhe idhujt e mi ishin këngëtarët e tipit Whitney Houston apo Celine Dion, por nuk kisha dëgjuar asnjëherë opera. Në vitin e parë të gjimnazit fillova të marr mësime private kantoje (me idenë që do këndoja muzikë të lehtë) dhe pianoje në Elbasan, në të njëjtën kohe ndiqja edhe  gjimnazin e përgjithshëm në Belsh. Në fillim kisha shumë hezitim për interpretimin e muzikës klasike, por dalëngadalë u kthye në pasionin tim më të madh të cilin vazhdoj ta përvetësoj deri në ditët e sotme.

A ka ndikuar profesioni dhe shkollimi në emigrimin tuaj  në Australi?

Kam ardhur në Australi para 4 vitesh, ku mu desh të konkurroja sërish në Konservatorin e Queensland-it, dhe një nga arsyet madhore të emigrimit ka qenë për të pasur mundësi më të mira shkollimi dhe zhvillimi të profesionit tim. Gjatë qëndrimit tim në Australi, jam munduar të marr pjesë në aktivitete të ndryshme me organizatat shqiptare, si për të ruajtur kulturën dhe për t’ia trashëguar dashurinë për Shqipërinë brezave të ardhshëm, por edhe sepse lidhja ime me Shqipërinë është shumë e fortë dhe ndihem mirë kur gjendem në “Shqipërinë e vogël” të Australisë.

Jeni prezantuar para publikut shqiptarë në Melburn në festivalin dhe mbrëmjen e Pavarësisë, me këngë popullore, patriotike dhe ato qytetare, kur do të shohim Annën në një prezantim klasik ndoshta në duet me tenorin shqiptar Agim Hushi i cili jeton në Sidnej?

Po, është e vërtetë që deri më tani jam prezantuar vetëm me këngë popullore dhe qytetare dhe kjo për faktin sepse nuk ndihesha gati profesionalisht të jepja një koncert recital klasik. Unë do të diplomohem në pak javë dhe kam koncertin tim të parë recital në Dhjetor, por në të njëjtën kohë po përgatis një repertor me romanca dhe arie shqiptare për të organizuar koncerte për komunitetin Shqiptar në shtete të ndryshme në Australi. Absolutisht që do të kisha shumë dëshirë të performoja bashkë me tenorin tonë Z. Agim Hushi.

Nëse një ditë do të kishit mundësi të performoni në skenë së bashku me një artist tjetër, cilin do ta kishit zgjedhur?

Normalisht që ka shumë artistë të shkëlqyer nëpër botë qe do të doja të bashkëpunoja, ama të ndash skenën me artistë të tjerë shqiptarë, siç ka bërë për shembull Ermonela Jaho dhe Saimir Pirgu, është një krenari shumë e madhe për ti treguar botës që Shqipëria, një vend shume i vogël, ka nxjerrë artistë me suksese ndërkombëtare. Unë jam shumë krenare për prejardhjen time dhe nuk do ngurroj asnjëherë të flas për vendin tim.

Ndoshta në këto momente Anna Tafani është në fillim të karrierës së saj por jemi të bindur që një ditë ky emër do të ngrihet në piedestalin më të lartë botëror të muzikës klasike./ diaspora shqiptare/ KultPlus.com

“Vendi ku nuk vdiset kurrë” nga Ornela Vorpsi vjen edhe në shqip

Nga ALBERT SHEQI “Vendi ku nuk vdiset kurrë” – Ornela VORPSI

Ky libër i sjellë në gjuhën shqipe nga Botimet Dudaj me përkthimin e rrjedhshëm të Parid Teferiçit është ndër romanet më të bukura që unë kam lexuar nga autorët bashkëkohorë shqiptarë. Absurditeti i realitetit të dhunshëm socialist të “vendit ku nuk vdiset kurrë” përshkruhet nga një këndvështrimi i dyfishtë, edhe ai i vajzës së pafajshme që e jetoi dhe provoi në lëkurë dhunën shumëplanëshe të regjimit, edhe ai i gruas së pjekur që reflekton mbi atë realitet të helmatisur, por tanimë nga një kohë dhe botë krejt tjetër me atë ku asaj i ra për hise të rritej si fëmijë. Ndërthurja e këtyre dy këndvështrimeve krijon në roman dy rryma të fuqishme: të vërtetat e dhimbshme dhe traumatike të rrëfyera nga pafajësia fëminore që përplasen fort me humorin e zi dhe sarkazmën therëse të “fëmijës së rritur” që i mbijetoi traumës së fëmijërisë së dhimbshme.

Në rrafshin e përbotshëm, romani trajton mekanizmat e përdorura nga superstruktura së shtetit diktatorial në përçudnimin e individit dhe shpirtit njerëzor qysh në fëmijëri. Këtu mund të nënvizojmë shkollën, me shoqen Dhoksi, “komunisten e thekur, me këmbë të shtrembra” apo “stërvitjen ushtarake” me komandant Kasemin. Rreth kësaj teme përbashkuese qendrore ndërthuren tema të tjera të rëndësishme. Agresioni shoqëror ndaj bukurisë, brishtësisë, dhe pafajësisë (i mishëruar në roman nga dhuna e përhershme fizike dhe verbale si edhe ndrydhja e skajshme kundër vajzës rrëfimtare, por edhe kundër vajzave dhe grave të bukura, në një shoqëri ku bukuria të kthehet në mallkim.)

Pikërisht ky agresion ndaj së bukurës nxjerr në pah edhe anën tjetër të medaljes: mbizotërimin e plotë të shëmtisë dhe imoralitetit që ai sistem e nxiste me aq zell.Temat të tjera kryesore janë: shpartallimi i familjes, sidomos nëpërmjet luftës së klasave, si një forcë shkatërruese që mbillte ngado në shoqëri pasiguri dhe tmerr të pandërprerë; dëshpërimi i skajshëm që përjetonin vajzat e reja që shpesh i shpinte në vetëvrasje; mbytjen e të gjitha dëshirave njerëzore, në atë shoqëri ku çdo gjë, përfshirë edhe fatet njerëzore, ishte e planifikuar nga të tjerët; uria për libra dhe art të mirëfilltë, që pafajësisht duhej të paguhej “me unazat apo vathët e florit të vjedhura të mamasë”.Galeria e personazheve të romanit është e jashtëzakonshme dhe ajo çka i bën këto personazhe të paharrueshme është se ato shërbejnë si sinekdoka shoqërore.

Në roman, lexuesi gjen: mësuese Dhoksin, me vizoren ndëshkuese që e skuqte mbi sobë; komandant Kasemin; Babakon, kapitalistin me prirje pedofilie; Bukurien me të bijën, Ganimeten; Blertën dhe Dorinën me fate tragjike; po ashtu gjen edhe dervishin e mrekullive; Nimeten, hajduten e bizhuterive dhe mjaft personazhe të tjera të paharrueshme.Romani duket se është ndërtuar duke përdorur episode tragjike të përzgjedhura nga shpirti i traumatizuar i një fëmije. “Vendi ku nuk vdiset kurrë” është një lexim shumë i këndshëm, për vendin që mëtoi se do të ndërtonte parajsën shoqërore ku çdo gjë do të blihej “pa para fare”, por përfundoi duke ndërtuar ferrin vrastar për të gjithë banorët e vet.Unë dëshiroj t’ju rekomandoj që ta lexoni këtë roman të veçantë dhe të shkruar kaq bukur, nëse e pëlqeni prozën artistike cilësore.Lexoni letërsi të mirë!/ KultPlus.com

Kur Anna Oxa këndonte “Imagine” (VIDEO)

Ajo është një ndër këngëtaret më të suksesshme shqiptare jashtë kufijve, e cila kishte shënuar sukses edhe në skenën e madhe të Sanremos, shkruan KultPlus.

KultPlus ju sjell interpretimin e Oxa të këngës Imagine, këngë që e ka interpretuar në një ndër televizionet prestigjioze italiane./ KultPlus.com

https://www.facebook.com/plugins/video.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2F333oxa%2Fvideos%2F3463771237010967%2F&show_text=0&width=560

‘Shëndeti është njësh të cilit mund t’i shtosh shumë zero si vlera të tjera, por që pa të gjitha mbeten zero’

Me shëndet çdo gjë na duket e kënaqshme, kurse kur jemi të sëmurë asgjë nuk na kënaq. – Artur Shopenhauer

Shëndeti është njësh të cilit mund t’i shtosh shumë zero si vlera të tjera, por që pa të gjitha mbeten zero. – Kineze

Jemi tre: unë, ti dhe sëmundja; nëse ti do të bashkëpunosh me mua, ne të dy do ta mposhtim sëmundjen, por nëse ti nuk bashkëpunon me mua, sëmundja do të na mposhtë të dyve. – Një mjek arab

Nuk ka asnjë dobi nga të gjitha të mirat, pa përjashtim, po që se mungon shëndeti. -Lukiani

Shëndeti dhe mendja janë dy të mira të mrekullueshme në jetë. Çdo njeri i shëndoshë shumë kollaj i jep këshilla atij që është i sëmurë. – Menandri

Më e bukura nga ditët tona është ajo kur qeshëm. – Aristoteli

Gjellë, pije, gjumë, dashuri trupore, të gjitha me masë.

Parandalimi i sëmundjes është më i mirë se terapia.

Dietat që arrijnë cakun e fundit të dobësimit janë të dëmshme, por edhe të ngrënët e shumtë gjithashtu është i dëmshëm.

Sëmundja që përballohet në mënyrë të studiuar qëndron më lart se mirëqënia e shthurur. – Hipokrati

Mjeku i të sëmurëve është gjumi i rregullt. – Teofil

E qeshura ndihmon tretjen, nxit zemrën për punë dhe përforcon muskujt, ngacmon në veprimtarinë krijuese të trurit dhe ruan gatishmërinë e reflekseve. – Ë.Fry

Një sëmundje e rëndë mund të shërohet, përveç të tjerash, edhe me forcën e të qeshurit; një e qeshur e mirë, nga ato që të shkrijnë, lëviz edhe i bën të dridhen të gjitha organet trupore, njësoj si lëvizjet fizike. – N.Kousins

Gëzimi hyn në jetën tonë, kur kemi diçka për të bërë, diçka për të dashur dhe diçka për të cilën shpresojmë. – J.Addison

I gjithë interesi për sëmundjen dhe vdekjen është një shprehje tjetër e interesit për jetën. – Tomas Man

Morgu është vendi ku vdekja gëzon t’i vijë në ndihmë jetës. – Latine

Nuk ka qelizë ose ind aq të vogël, saqë të mos ketë shpirtin dhe forcën jetësore brenda tij. – J.Kent

Trupi i njeriut ëshët një shtet i individëve të barabartë, një shtet demokratik i qelizave, një federatë qelizash. Megjithëse qelizat e një shteti të individëve të lirë me të drejta të barabarta nuk kanë aftësi të njëjta, në të vërtetë ato persitojnë për shkak të varësisë së ndërsjellë që kanë nga njëra-tjetra.

Nëse sëmundja është një shprehje e jetës vetjake në rrethana të pafavorshme, atëherë epidemitë duhet të jenë tregues i çrregullimeve të popullatës. – Rudolf Virchov

Natyrës i takojnë falenderime të mëdha sepse i ka dhënë jetës së qënieve aq shumë fuqi shteruese. – Gëte

Më mirë të të shtypë tramvaji se sa të të marrë inat virusi. – J.J. Ëalsh

Mesazhi im për biznesmenët e këtij vendi kur ata udhëtojnë jashtë shtetit për punë është që, për të parandaluar infektimin nga SIDA, ka një gjë mbi gjithë të tjerat që ata duhet ta marrin me vete, dhe kjo është gruaja. – Edëina Currie

Zemra është një organ i fuqishëm, një mekanizëm i mrekullueshëm, që, pa riparime, mund të bëjë një shërbim të fortë pompues që zgjat deri në 100 vjet. – Villis J. Potts

Gjaku është ajo pemë e kuqe dhe e brishtë të cilin e mbajmë gjithmonë me vete. – Osbert Sitëell

Veshkat janë kimistet mjeshtre të mjedisit tonë të brendshëm, të cilat, si të thuash, bëjnë sintezën në sensin invers. – Homer Villiam Smith

Të ushqehem, të pi ujë, të meditoj. Edhe me kaq mund të jem i kënaqur. Pasuria dhe nderimet janë si retë, ikin. – Konfuc./ KultPlus.com

Pashka e dogji veten dhe e dogji vdekjen

Një fije shprese, një fije shkrepëse (Fragmente)

Dikur dilte, shëtiste, fliste e qeshte, derisa një ditë erdhi e shtuna dhe ia zuri derën, për të mos u larguar kurrë më. Ditë e ndalur. Ditë e nemun. E shtuna. E shtuna e tmerrshme. E shtuna e përjetshme. Ditët ndërrohen dhe përsëriten, vetëm e shtuna mbetet e njëjtë. Ajo nuk kalon. Ka njëzet vjet që është ndalur. Ju mund të shkoni edhe në ditë pune te shtëpia e Ferdonijes, por, sapo të hyni brenda, jeni në të shtunën e saj. Një ditë e saj është më e fortë se çdo ditë juaja. Ajo i gëlltit ditët e tjera, i transformon në një, në një të shtune të zezë.Duke ndenjur, duke dëgjuar historinë e saj, duke shikuar fotografitë e saj, e ndieni se dalëngadalë jeni duke u transformuar së brendshmi. Si Nioba mitike, që ndjeu nga brenda ngurtësimin e organizmit derisa u kthye e gjitha në gur, ju, duke e parë atë, e ndieni sesi çngurtësoheni, dobësoheni, thërrmoheni së brendshmi. Nioba jonë është shkëmbi para të cilit lotojmë ne. E goditur nga fati, e kthyer në heroinë, ajo është forca që neve na mungon. Me dhimbjen dhe durimin e saj ajo qëndron më lart se ne, si të gjithë heronjtë tragjikë. Jo, ata nuk do të vdesin sa të jetojë ajo. Dhe kur të mos jetë ajo, ata do të jenë këtu, sepse nëna është kujdesur edhe për këtë, duke e vënë pllakën dhe duke e kthyer shtëpinë në muze. “E kemi vu pllakën aty. Ju s’jeni të humbun… Ju jeni gjithmonë këtu. Gjithmonë. Sa t’ekzistojnë toka e qielli, ju keni me rrnu’.”Dhe kështu, ditë pas dite, vit pas viti, u harxhuan të gjitha temat, mbeti vetëm një: pritja; u tretën të gjitha ëndrrat, mbeti vetëm një: kthimi; u zhdukën të gjithë anëtarët, mbeti vetëm një: nëna; ikën të gjitha ditët, mbeti vetëm një: e shtuna.Njëzet vjet e shtunë. Përgjithmonë e shtunë.

(…)

Pashka u dogj nga indiferenca. Djemtë e saj ishin më të mirët, dhe ajo donte t’ia tregonte botës këtë. Armiku ia mori, ia vrau, si gjithë të tjerët, pa dallim. Ia sollën në qese si gjithë të tjerët, pa dallim. Ushtria i varrosi si gjithë të tjerët, pa dallim. Ky mosdallim, kjo indiferencë, e sosi durimin e saj. Djemtë e mi, mendonte ajo, ishin më të mirët, ishin ndryshe për së gjalli, ndryshe duhet të jenë edhe për së vdekuri. Ajo nuk e kishte inatin vetëm me dheun indiferent që i mbulonte të gjithë njësoj. Një inat, më të madh, e kishte edhe me Hyjin. Si kishte mundur të rrinte indiferent ndaj lutjeve të saj dhe ndaj krimeve mbi bijtë e saj? Para se të vdiste, diçka brenda saj kishte vdekur. Tashmë për të, ai atje lart nuk ishte qiell, po qefin. Prandaj ajo, në mëngjes, kaloi rrugën, shkoi pranë një shkurreje dhe dogji veten. Po të ishte ndonjë Mojsi në malin përreth, do të shihte shkurren që nxirrte flakë. Një shkurre që djeg Zotin brenda saj, si një e dashuruar që vret të dashurin, për shkak se nuk mund ta durojë xhelozinë e vet, apo shpërfilljen e tij. Kështu, Pashka e dogji veten dhe e dogji vdekjen. Guri gjigant, i vënë për kujtim të saj në vendin e ngjarjes, do të thërrmohet një ditë, do të harrohet një ditë. Por, vepra e saj do të jetojë sa të ketë qiell indiferent sipër. E, sa të kujtohet ajo, do të kujtohen edhe dy bijtë e saj. Ajo u fut në zjarr për t’i nxjerrë ata nga harrimi, nga mosdallimi, nga anonimati i viktimave. Në aktin e saj ka pak egoizëm, pak narcisizëm, pak altruizëm, pak fanatizëm, pak humanizëm, pak barbarizëm. Flaka e saj është jehu i të parëve. Ajo s’flet me fjalë, ajo flet me zjarr. Asaj nuk i pëlqen të moralizojë, prandaj ia jep fjalën zjarrit, flaka e të cilit buron në zemrën e saj të djegur. Ai zjarr thërret për kujdes ndaj zemrave të djegura, ndaj zemrave të përvëluara. Pashka, duke djegur veten, shpëtoi edhe Ferdonijen. Ajo tregoi që nënat që presin kthimin e bijve dhe bijave, mund ta humbin durimin, prandaj s’duhet t’ua ndajmë sytë. Dy vjet më pas, edhe Ferdonijes ia sollën dy bij në arkivole. Por ishte sinjali i Pashkës, që imponoi kujdesin ndaj saj dhe, sado që nuk u shmang dhimbja, nuk u realizua një vetëvrasje e re. Zonja prej zjarri e shpëtoi gruan prej guri. Larg shkrepsë, ka ende shpresë! E nëse një ditë edhe të tjerët kthehen kështu, prapë do të ketë shpresë, shpresë se ata do të jenë të lumtur në qiell dhe të paharruar në tokë.Kësaj here emrat e tyre ua kishin përcaktuar fatin këtyre nënave. Pashka një mëngjes “kaloi” oborrin, fushat, varret, rrugën dhe kërceu nga përditshmëria në përjetësi. Ndërsa Ferdonija mbeti “ferdane”, e vetme dhe unike. Pashka dhe Ferdonija. Dy nëna, dy dhimbje të së njëjtës tragjedi. Ato kishin mbetur si titrat në fund të një filmi që ishte kryer në fund të shekullit të kaluar. Njëra ndali hapin përgjithmonë në një livadh, midis varreve dhe shtëpisë. Tjetra rri në shtëpi dhe pret qe njëzet vjet. Njëra është ndalur në të martën e saj, tjetra në të shtunën e vet. E si mund të ecin nënat përpara, kur e ardhmja është mbrapa tyre?

(Fragment nga romani dokumentar “Një fije shprese, një fije shkrepëse”, Bard Books, Prishtinë, 2020. Nënës Ferdonije më 27 mars 1999 kriminelët serbë ia kanë marrë katër djemtë dhe burrin. Mbetjet e dy djemve i janë kthyer më 2005, ndërsa tre të tjerët ende janë të zhdukur. Ajo jeton e vetme në shtëpinë-muze. Nënës Pashkë më 27 prill 1999 kriminelët serbë ia morën dy djem, mbetjet e të cilëve iu kthyen më 2003. Pak ditë pas varrimit të djemve të saj, ajo dogji veten me benzinë)/ KultPlus.com