“Dua Lipa është e ardhmja e muzikës pop”, shkruhet në revistën amerikane “ELLE”, ku Dua është në kopertinën e muajit maj. Në një intervistë me shkrimtaren dhe editoren Lauren Levy, Dua rrëfen mbi disa nga sukseset e fundit, planet për të ardhmen, duke përmendur gjithashtu edhe vendlindjen.
Dua thekson se për të është shumë e rëndësishme që të punojë për fuqizimin e grave në muzikë. Sipas Duas, frymëzimi dhe ndikimi tek masa është një pjesë thelbësore e muzikës si art.
Sigurisht që siç ndodh në shumicën e intervistave, nuk mund të mungonte pyetja në lidhje me vendin e saj.
“Kosova ka përcaktuar atë që jam sot. Kur je nga Kosova ose Shqipëria krijohet një strereotip për ty. Në filma shqiptarët portretizohen me mafian. Po përpiqemi të ndryshojmë mënyrën si njerëzit e shohin vendin tonë”, u shpreh Dua Lipa.
Gjithashtu Dua Lipa foli dhe për albumin e saj të ardhshëm që pritet të jetë një ndërthurje e disa rrymave.
”Shpresoj të nxjerr albumin në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm. Nuk e kam vendosur ende listën e këngëve që do përmbajë. Shpresoj që të gjithë t’i këndojnë. Një nga arsyet pse bëj muzikë është mesazhi ”bëj muzikë me shpresën se dikush tjetër ndihet njësoj”, u shpreh Dua Lipa për albumin që pritet të dal. /atsh
Në Meksikë është gjetur xhirimi i performancës së Beatlesave të famshëm në emisionin e popullarizuar të BBC “Top of the Pops” nga viti 1966.
Xhirimi origjinal nuk është ruajtur, ndërsa videoja të cilën e kishte bërë shikuesi i cili e regjistroi programin televiziv me kamerë zgjat 11 sekonda. Atë e xhiroi një familje nga Liverpooli ndërsa klipi në fund përfundoi në duart e një koleksionisti nga Meksika.
Koleksionisti e ka kontaktuar Kaleidoscope, organizatën nga Birmingham, e cila merret me gjetjen e xhirimeve të humbura televizive, shkruan BBC.
“Mendoj se kjo është kupa e shenjtë për fansat e Beatles. Kemi menduar se xhirimi është i humbur përgjithmonë, sepse videokaseta nga viti 1966 nuk është ruajtur. Është e mahnitshme që e kemi gjetur pas gjithë këtyre viteve”, tha Chris Perry nga organizata Kaleidoscope.
Beatles ka regjistruar disa herë këngë të cilat më vonë janë transmetuar në emision, por live kanë interpretuar vetëm më 16 qershor 1966.
“Nuk e dimë nëse kjo pjesë e historisë së “Top of the Pops” ka humbur përgjithmonë, por programet e BBC nuk janë arkivuar me kujdes dhe disa kanë humbur”, kishte deklaruar menaxheri i marrëdhënieve me publikun i stacionit televiziv në vitin 2000.
Xhirimi i rizbuluar do të shfaqet më 20 prill në BFI në Londër, në kuadër të programit Music Believed Wiped.
“Cilat janë gjasat që diçka e tillë të ndodhë? Ky është me të vërtetë një zbulim i madh”, tha Dori Howard, ligjërues i “Beatles dhe muzika e popullarizuar” në Universitetin Liverpool Hope.
Është gjetur edhe episodi “Top of the Pops” nga viti 1969 me një pjesë të videoklipit promovues të Beatles për singlin e tyre “Something”, transmeton Koha.
Pasi interpretimit live në San Francisko në vitin 1966, kur ishin në kulmin e karrierës së tyre, Beatles kurrë më nuk shkoi në turne. Ata u bashkuan përsëri në vitin 1969 në Londër për të performuar në çatinë e kompanisë Apple Records. Projeksioni filmik “Music Believed Wiped” i përmban 240 performanca muzikore të zbuluara kohët e fundit nga organizata Kaleidoscope.
Ai ka dy gra: një që fle në shtratin e tij dhe një që fle në shtratin e ëndrrave të tij. Ai ka dy gra që e duan: një që që plaket përbri tij dhe një që ia fali rininë për ta fshehur pastaj.Ai ka dy gra: një në zemrën e shtëpisë së tij e një në shtëpinë e zemrës së tij.
I ftuar në programin Ftesë në Pesë me Bieta Sulon, kompozitori Agim Krajka tregoi më shumë për këngët e preferuara, duke e konsideruar “Këngën e gjyshes” si një nga më të dashurat për të.
Ai rrëfeu se ka patur një marrëdhënie shumë të ngushtë me gjyshen dhe se ndihet krenar që ka kompozuar një këngë për të.
Ndër të tjera, kompozitori nuk ngurroi të shprehte mendimin lidhur me këngët e ditëve të sotme, ku, sipas tij, shkruhet më tepër për dashnoret sesa për gjyshet.
Agim Krajka u lind në Kavajë, më 3 maj 1937, në një familje me origjinë dibrane. Babai i tij ishte i pasionuar pas muzikës, dhe si amator luante në disa instrumente muzikore, si violinë, mandolinë, fizarmonikë. Dashuria dhe pasioni për muzikën tek Agimi lindën që në fëmijëri, të cilën ia ushqeu edhe vetë i ati. Fizarmonika u bë shkak që vajti në Shtëpinë e Pionierit, ku filloi të merrej seriozisht me të. Në vitin 1963 Agimi fillon studimet për teori e kompozicion. Degën e Kompozicionit e ka kryer nën drejtimin e të madhit Çesk Zadeja. Në vitin 1964 kalon pranë Ansamblit të Këngëve dhe Valleve popullore; në fillim si instrumentist, e më pas si kompozitor dhe drejtues orkestre. Veprimtaria e tij muzikore është shumë e gjerë dhe përfshin një periudhë prej tri dekadash. Ka shkruar muzikë në shumë lloje dhe është bërë i famshëm si me muzikën e lehtë, ashtu edhe më atë popullore, të përpunuar e orkestrale. Ka kompozuar mjaft pjesë orkestrale për fizarmonikë dhe me qindra këngë të muzikës së lehtë. Ka marrë pjesë në shumë festivale të muzikës deri në festivalet e fundit të pasviteve ‘90, duke filluar me këngën e famshme “Lemza”, kënduar nga Vaçe Zela në Festivalin e Parë të Këngës në Radio më 1961. Ai është nderuar me mbi 15 çmime të dyta, 3 çmime të treta dhe vetëm një çmim të parë në Festivalin e vitit 1987, me këngën “Nuk e harroj”, të kënduar nga motrat Libohova./ KultPlus.com
Këtë pranverë po shënohet 20 vjetori i krimeve të luftës në Kosovë. Gjatë këtyre ditëve janë shënuar përvjetorë të shumë masakrave, vrasjeve, plagosjeve, torturave e keqtrajtimeve dhe krimeve tjera të luftës, njofton QKRMT, shkruan KultPlus.
“20 vjetorin
e këtyre krimeve e kujtojnë edhe shumë të mbijetuar/a të dhunës seksuale
gjatë luftës në Kosovë, por të cilët asnjëherë nuk u deklaruan publikisht për
tmerret e përjetuara.
E mbijetuara
e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë Znj.Vasfije Krasniqi Goodman, me
ndihmën dhe mbështetjen e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve
të Torturës (QKRMT), më 16 tetor 2018 foli për herë të parë publikisht për
përjetimin e saj gjatë luftës”, thuhet në këtë njoftim.
Më poshtë po
e sjellim në vazhdim njoftimin e QKRMT për vizitën e Vasfije Krasniqi Godman në
fshatin Babimost.
Më 14 prill
1999, znj.Vasfije Krasniqi Goodman (në atë kohë 16 vjeçare) u rrëmbye nga një
polic serb dhe u dërgua në fshatin Babimost (komuna e Obiliqit), ku u dhunua
seksualisht nga një oficer policor dhe një civil.
Në 20 vjetorin e këtij tmerri, Krasniqi Goodman ka vendosur që ta vizitojë vendin e krimit, ku përkundër përpjekjeve për të kërkuar drejtësi, dhunuesit kanë mbetur të pandëshkuar.
Këtë të diele më 14.04.2019, ora 13:00, përfaqësuesit e QKRMT-së dhe aktivistë tjerë të të drejtave të njeriut, së bashku më znj.Vasfije Krasniqi Goodman do të bëjnë një vizitë në vendin ku ka ndodhur krimi, në fshatin Babimost, përballë Hotel AMAZONA. Znj.Krasniqi Goodman do të ketë një fjalim rasti para të pranishmëve.
Analisti politik, Nexhmedin Spahiu, ka
thënë se Universiteti i Mitrovicës nuk e meriton që ta bartë emrin e patriotit,
Isa Boletini.
“Nuk e di se kush e ka dhënë atë ide që t’i ngjitet emri i një analfabeti
universitetit”, ka thënë Spahiu, njofton Klan Kosova.
“Ka mundur që t’i ngjitet emri i ministrit të parë të Arsimit në Shqipëri, por është zgjedhur emri i një analfabeti patriot. Unë nuk e mohoj patriotizmin e Isa Boletinit” ka thënë Spahiu .
Ndoshta ka ardhur koha të pranojmë se një shok i keq, një shok tek i cili nuk mund të mbështetesh, s’duhet quajtur fare shok.
Herë pas here më është thënë, nga gra që njoh, se unë qënkam një shoqe e mirë. Kënaqem, por nuk e kam guximin ta them vetë këtë. Në përgjithësi, kam tendencën të mos i shtoj mbiemra fjalës ‘shok’, ose përcaktorë që i referohen hierarkisë së ndjenjave dhe besueshmërisë. Më duken të pakuptimta.
Unë nuk do të thoja kurrë, për shembull, “ajo është shoqa ime e ngushtë”, sepse nga kjo do të nxirrja përfundimin se kam edhe shokë që i pëlqej më pak, të tjerë që nuk i besoj aq shumë, të tjerë që i ndjej më pak të afërt. Dhe në qoftë se do ta bëja këtë, vetvetiu do më lindte pyetja: pse e konsideroj veten shoqe me këtë grua? Pse i konsideroj ata shokët e mi?
Fjala “mik”, në prani të hierarkive të këtij lloji, nuk është e përshtatshme. Ndoshta duhet të pranojmë se një mik i keq, një mik i pasigurt, nuk është mik. Ndoshta, për të qenë i qartë, edhe nëse është e dhimbshme, duhet të mësojmë të mos themi “një mike”, por “një grua me të cilën kaloj kohë ose kam kaluar kohë”. Problemi është se ne na ngushëllon ideja që kemi shumë miq.
Kjo na bën të ndihemi më popullor, të dashur, më pak të vetmuar. Për këtë arsye ne preferojmë të përshkruajmë si “miq” gra me të cilat kemi pak ose aspak të përbashkëta, por me të cilat, nëse është e nevojshme, plotësojmë një zbrazëti: kalojmë një pasdite në një kafene, pimë një gotë verë, asgjë në veçanti. Asnjëherë mos u shqetësoni nëse më vonë, në rastin e parë që ju jepet, i quani ato thashethemexhie, gjarpërinj, të tharta, tepër të ndjeshme.
Fakti është se një mike është aq e rrallë sa një dashuri e vërtetë. Fjala italiane për “miqësinë”, amicizia, ka të njëjtën rrënjë si folja “të dua”, amare, dhe një marrëdhënie midis miqve ka pasurinë, kompleksitetin, kontradiktat, mospërputhjet e dashurisë. Mund të them, pa frikën e ekzagjerimit, se dashuria për një shoqe, gjithmonë ka qenë një marrëdhënie shumë e ngjashme me dashurinë për njeriun më të rëndësishëm në jetën time.
Ku është dallimi? Marrëdheniet seksuale. Dhe nuk është një ndryshim i vogël. Miqësia nuk vihet vazhdimisht në rrezik nga praktikat seksuale, nga sa rrezik ka në përzierjen e ndjenjave kryelarta dhe presioni i trupave për të dhënë dhe për t’u marrë kënaqësi.
Është e vërtetë se sot, nga ajo që unë mund të shoh, miqësia seksuale është gjithnjë e më e përhapur (në italisht, ndonjëherë kam dëgjuar termin trombamiko me zemër të zjarrtë, ose “mik me përfitime”). Por është një lojë që kërkon të mbajë në gjirin e saj njëkohësisht: edhe fuqinë e përhapur të dashurisë, edhe ritin e seksit të pastër. Ne e kemi njohur njëri-tjetrin për njëfarë kohe, ne i besojmë njëri-tjetrit më tepër se të huajve, shkojmë në një bar, një restorant, të shohim një film, kemi marrëdhënie seksuale.
Por unë ende nuk do të thoja se seksi është normal midis miqve. Ashtu si dashuritë e mëdha janë të rralla, nga ana tjetër, miq të shumtë dhe të mirë janë të rrallë. Ndërkohë, të njohurit me të cilët ne mund, herë pas here, të përfundojmë në shtrat janë të shumtë gjithashtu./The Guardian-Bota.al
Me 300 ditë me diell në vit, Shqipëria paraqitet si destinacion i dëshiruar në të gjitha stinët, fillon reportazhin e saj të gjatë gazeta e njohur italiane “Il Sole 24 Ore”.
“Në të vërtetë, pa nxehtësinë e verës, mund t’i vlerësoni më mirë qytetet në brendësi të vendit dhe zonat arkeologjike me të cilat është i mbushur Vendi i Shqiponjave. Ju nuk mund ta vizitoni vendin pa kaluar nëpër historinë e saj, nga ilirët deri te romakët, nga osmanët deri te mbreti Zog, nga kolonizimi italian deri te diktatura e Enver Hoxhës që e bëri të paeksploruar Shqipërinë për rreth 40 vjet. Ajo që perceptohet sot është një dëshirë e madhe për të promovuar bukuritë dhe vlerat kombëtare përmes turizmit, para së gjithash mikpritjen dhe bujarinë.
Tirana
Zgjedhja e Tiranës, kryeqytetit të Shqipërisë, si faza e parë e udhëtimit, ju lejon të perceptoni një paraqitje të shkurtër të shenjave të një rilindjeje urbane që fokusohet në bukurinë dhe në hapësirat ku jetohet. Duke ecur nëpër rrugët e qendrës mund të vlerësoni zonat e gjelbra, pastërtinë e rrugëve dhe gjallërinë e banorëve të ulur në tavolinat e bareve. Nga kati i 23-të i hotelit ”Plaza” ju mund të shijoni një pamje të veçantë mbi gjithë qytetin dhe sheshin e madh, dedikuar heroit kombëtar Gjergj Kastriot, i njohur si Skënderbeu.
Bunkart 2
Në një pozicion pak të izoluar me sheshin ”Skënderbej” do të hasni në Bunkart 2, një ish-bunker i shndërruar në një muze. Kubeja e sapondërtuar, e ngjashme me ato të qindra mijëra bunkerëve të shpërndarë në të gjithë Shqipërinë, të ndërtuar për terrorin e sulmeve bërthamore në diktaturë, përfaqëson kujtimin e viktimave të komunizmit. Secila prej 24 dhomave nga të cilat përbëhet kjo strukturë, e lidhur me tunele drejtpërdrejt te zyrat e ministrit të Brendshëm, zbulon sekretet e sigurisë dhe policisë politike, të të famshmit “Sigurimi” si dhe metodat e përdorura. Dhoma e fundit është ajo për ministrin, e kompletuar me një tualet dhe e pajisur me mjetet e tij të punës.
Pallati i Mbretit
Edhe Pallati i Mbretit ose siç quhet ndryshe Pallati i Brigadave meriton të vizitohet kur jeni në Tiranë. Konceptuar nga Giulio Bertè në vitin 1936 për mbretin shqiptar Ahmet Zogu dhe më pas i kompletuar nga Gherardo Bosio në vitin 1941, është i vetmi pallat mbretëror që nuk ka qenë i banuar, por është përdorur vetëm për pritjet institucionale. Në 1 400 metra katrore, të gjitha orenditë e pallatit janë dizajnuar tërësisht nga Giò Ponti: një gjurmë e arkitekturës italiane të kohës në Shqipëri.
Berati
Nëse nga Tirana do të kaloni në zonën qendrore të vendit duke ecur për rreth 100 kilometra në zonat rurale, ku prodhohen dhe shijohen ullinj të shkëlqyeshëm dhe verë tradicionale, do të arrini në Berat, qytet i shpallur Trashëgiminë Botërore e UNESCO-s. Në të djathtë dhe në të majtë të lumit Osum, që e përshkon atë mespërmes, shikimi humbet në “1 000 dritaret” e dy lagjeve, Goricës (së krishterë) dhe Mangalemit (mysliman), të lidhura me një urë që mund të kalohet vetëm më këmbë. Shtëpitë me çatitë me pllaka të kuqe të shkallëzuara me njëra-tjetrën, i gjejmë edhe në Kështjellën e Beratit. Këtu ndodhet muzeu ikonografik i Onufrit. Përtej mureve të kalasë qëndrojnë malet shqiptare që ende kanë majat e mbuluara me dëborë në fund të marsit. Nëpër rrugët e pjerrëta ju mund të thithni ajrin e historisë, të cilën mund t’ua tregojnë banorët e paktë që kanë mbetur në kala.
Drejt detit të Vlorës
Tërheqja drejt detit është e fortë, prandaj kthehemi në drejtim të Vlorës duke u shtyrë kështu drejt jugut. Rrugët nuk janë ende krenaria e Shqipërisë, por kjo lejon, nëse nuk nxitoni, të vëzhgoni dhe kapni shumë detaje: shumë njerëz ndodhen në anët e rrugës, ndoshta duke pritur për një autobus ose një udhëtim. Çifte të moshuar të veshur me rroba festive ose familje të vogla që përshëndesin një anëtar duke u larguar me një valixhe. Nuk është e pazakontë që të shkëmbehesh me karroca të tërhequra nga gomarët dhe barinjtë me kopetë e tyre të vogla të deleve dhe dhive. Shihen gjithashtu edhe shitës që shesin fruta dhe perimet që i prodhojnë vetë. Vlora, port i Shqipërisë, është absolutisht kryeqyteti i bregdetit shqiptar të jugut. Më afër me Italinë sesa me Tiranën, Vlora është një qytet që ndodhet mes detit Adriatik dhe atij Jon, me një plazh me rërë dhe me një rrugë të gjerë të mbjellë me palma, shtuar këtu ndërtesat e viteve të fundit me disa kate dhe restorante me të dyja llojet e gatimeve, si ato tipike vendase, ashtu edhe ato ndërkombëtare.
Apolonia
Shumë mbresëlënëse është edhe zona arkeologjike e Apolonisë, e vendosur në një fshat pranë qytetit të Fierit. Këtu, me ndihmën e një udhërrëfyesi, është e këndshme të imagjinohet jeta në një qytet antik të origjinës ilire, dedikuar Apolonit, ku edhe perandori Oktavian iu dedikua studimeve të filozofisë dhe oratorisë në vitin 44 para Krishtit. Apolonia, një qytet antik me origjinë ilire, dedikuar Apolonit, zotit të Diellit dhe mbrojtës i kolonive, u bë në shekullin III para Krishtit një protektorat romak. Në sajë të pozitës së saj strategjike, ”civitas libera et immunis” përjetoi një periudhë lulëzimi të lirisë së madhe derisa një tërmet, në shekullin III detyroi braktisjen e qytetit, i cili mbeti një qendër kishtare deri në shekullin V për t’u zhdukur më pas nga burimet e shkruara.
Jo e gjithë trashëgimia arkeologjike është gërmuar deri tani. Pranë agorasë u gjetën mbetjet e tempullit të Artemisës (ose Diana), si dhe kolonat e harkut të triumfit. Romakët e përshtatën tregun (agoranë) duke e transformuar atë sipas nevojave të tyre: janë gjetur shenja të një biblioteke dhe dyqane. Gjithashtu interesant është amfiteatri i madh që është rreth gjysmë ore larg nga ish-tregu. Në krye të kodrës së Apolonisë, tamam aty ku gjendet tempulli i Apollonit, arkeologu francez, Leon Rey ndërtoi shtëpinë e tij, që tani shërben si një restorant. Më shumë se 1 000 gjetje arkeologjike, përfshirë statuja dhe orendi, ruhen mirë në muze brenda kompleksit të manastirit që daton prej shekullit XII, një muze unik në Shqipëri./
Chopin Piano Fest në Prishtinë, në mbrëmjen e së mërkurës kishte përzgjedhë që të sjellë pranë audiencës kosovare francezin Eriz Ferreri, i cili për më shumë se një orë tregoi mjeshtërinë nën tingujt e pianos, tinguj të cilët magjepsën të pranishmit, shkruan KultPlus.
Mjeshtri i
pianos Ferreri i cili luan në piano që nga mosha pesë vjeçare theu edhe
rregullat e festivalit, i cili duke parë entuziazmin e krijuar në sallë, nuk përfilli
pushimin e shkurtë që i është ofruar, duke sjellë kështu një mbrëmje melodike
me vepra të ndryshme të Chopen.
Këtë
paraqitje pandërprerë nga pianisti francez e ka vlerësuar edhe Besa Luzha,
drejtoreshë artistike e këtij festivali, e cila ka potencuar se përgjatë dhjetë viteve sa po shënon ky
festival, të rralla janë paraqitjet e pianistëve që nuk përdorin pushimin e
shkurtë.
Poashtu
Luzha ka thënë se nuk ka pas raste që në një mbrëmje të veçantë të prezantohet
komplet mbrëmja me vepra të Chopen, pasi që, sipas saj, interpretuesit në të
shumtën e rasteve kombinojnë vepra të kompozitorëve të ndryshëm.
Pas
përfundimit të koncertit, publiku nuk i ndali duartrokitjet për disa minuta, e
për të nderuar publikun për duartrokitjet,
pianisti Eric Ferrer u kthye përsëri në skenë dhe luajti edhe një vepër
të Francis Poluenc e cila titullohej “Dream of Love”. Ai u mundua të flasë edhe
në shqip ku tha se këtë vepër e prezantoi në shenjë kontributi për
Kosovën, dhe se përmes kësaj
vepre dërgon mesazh paqeje dhe dashurie për Kosovën.
E mysafiri i
mbrëmjes Eric Ferrer tha se e do Kosovën, dhe se për të ishte një nderë që të luaj në
festivalin Chopin Fest pasi që sipas tij shqiptarët janë një komb i madh, dhe paqja është shumë e rëndësishme për të
rinjtë.
“Jam shumë,
shumë i lumtur që shohë sonte kaq shumë të rinj që kanë ardhur për të dëgjuar
Chopin. E dua muzikën, i dua njerëzit, e dua pianon dhe unë kur të luaj dërgoj
mesazh nga zemra ime dhe mesazhi i natës së sotme është paqja dhe dashuria” tha
Eric Ferrer për KultPlus.
Gjatë kësaj
nate nga veprat e Chopin-it u luajtën veprat
si: Mazurkas, Valses, Etudes, sikurse që janë luajtur dhe dy balada. E loja e këtyre veprave,
sipas drejtoreshës së këtij festivali
Lejla Haxhiu-Pula u cilësua si performancë jashtëzakonisht e bukur dhe
sipas saj loja e këtyre veprave është mirëpritur shumë mirë edhe nga publiku.
“Ishte një
atmosferë jashtëzakonisht e bukur, publiku i cili ishte mbledhur sonte këtu e
ka mirëpritur jashtëzakonisht bukur. Ky pianist po vjen për herë të parë në
Kosovë dhe është jashtëzakonisht i kënaqur me mikpritjen, me sallën, me
publikun dhe po ashtu me ne organizatorët. Neve është duke na ardhur mirë që po
i përjetojmë këto qaste të bukura me këta
artistë të njohur” tha për KultPlus Haxhiu-Pula.
Ndërsa sonte duke filluar nga ora 20:00 në Amfiteatrin e ri të Bibliotekës Qendrore Universitare në Prishtinë me piano do të luaj pianisti norvegjez Hakon Austbo. G. Mujaj / KultPlus.com
Një jetë tek nëna, kokën e mbështeta Nga gjoksi i saj, unë kurrë s’u ndava Një jetë të tërë, më rriti malli.. Dhe kurrë me nënën, unë nuk e çmalla!
Kur isha i vogël, nëna më thoshte; – do bëhesh gjysh, e s’do jetë vonë.! Më mori malli, për të gjith’ nënat sa shumë mallë kam, sa më mungojnë….
Kur isha i vogël, mes qiellit e tokës Më dukej se nëna, më e mirë e botës.. Ish nëna ime …. askush tjetër… Legjenda e nënës, e re dhe e vjetër…..
S’je mbretëreshë, as perëndi Ndonëse e gjithë bota, të bie nën gjunjë Fjala e nënës, si me magji Dritë i jep jetës, të bën fatlum.!
Do ishte qielli dhe më i kaltër…!? Do ishte hëna më pak e zbehtë?… Do ishte toka, ndoshta më e pasur?! Kur mungon Nëna…nuk është e lehtë.
Më merr shpesh malli, ta puth në duar. Më merr shpesh malli, t’ia dëgjoj zërin para pasqyrës… s’e kam harruar Kur Nëna merrte në duar krehërin…
Dhe zbukurohej, siç di veç nëna… Kur nga shërbimi kthehej babai. Ia kish zili, madje dhe hëna…! Nga malli i madh..më vjen te qaj.
Tani jam plakur, zbardhur nga thinjat Madje dhe mbesat : – O GJYSH! – më thonë. Seç NDJEVA MALL, PËR TË GJITHË Nënat.!!! Sa shumë kam mall…sa më mungojnë.
Ju nuk e keni njohur nënën time Ajo hijeshon e buzëqeshur në fotografi Më vjen në ëndrra…më vjen në kujtime Ajo ishte si të gjitha Nënat – det me dashuri
Nuk e mbaj mend, të zemëruar Me mall kujtoj, fjalën e ngrohtë Sa dashuri, më ka dhuruar. Në sytë e saj, nuk pashë kurrë lotë.
Ndaj themi Nënë, kur na ther zemra! Ndaj vjen çdo natë, nëna në ëndrra! Dorën e saj, e ndjej në gjumë…. Ndonëse më fal, kurrë s’i thashë unë!…
Në ëndrra Nënë, po më vjen rrallë Ndonëse tek varri, kam ardhur shpesh Çdo lot i imi, pikon veç mallë Ti nuk më flet, vetëm buzëqesh…..
Për prozën e Nasi Lerës është folur
dhe është shkruar mjaftueshëm, si nga kritika ashtu edhe nga lexuesi i
rëndomtë. Ky shkrimtar posedon atë mjeshtërinë, përmes së cilës tërheq
vëmendjen e çfarëdo lloj lexuesi, sapo libri të dalë në skenë.
Sepse, mund ta them me bindje, që
secili prej nesh mund ta gjejmë veten në secilën histori e në secilin personazh
të thurur nga autori në fjalë.
Këtë e dëshmon edhe romani i tij i
fundit “Kishim një ëndërr” i botuar më 2016, që ndryshe do të mund ta
interpretonim edhe si një klithmë për realitetin e rëndë shqiptar, një realitet
që vazhdon të përjetohet çdo ditë nga ne.
“Kishim një ëndërr” është roman i
shkruar për njeriun e zakonshëm, për vajzat e reja me shpresë e pa shpresë, për
përpjekjet e vazhdueshme të shoqërisë shqiptare, për politikën e dështuar dhe
për tërë mentalitetin shqiptar.
I shkruar si historia e një
regjisori të dështuar, Astit, i cili zë punë si mbledhës i kredive të këqija në
një nga bankat e qytetit dhe ish të dashurës së tij, Fedrës, e cila gjithashtu
nuk mund të zë një vend pune pa zbërthyer kopsën e parë të këmishës, ky roman
kthehet në një histori të tmerrit të realitetit shqiptar.
Në këtë roman do të hasim në një
botë ndryshe, në një botë në të cilën njeriu mundohet t’i bëjë keq njeriut, në
të cilën njeriu mbijeton vetëm nga urrejtja për tjetrin dhe në të cilën nuk
ekzistojnë mirësia, shpresa e ëndrra.
Prandaj vetë autori shprehet se
“njeriu ngjall një ëndërr, vetëm për ta vrarë më pas”.
Ajo që e karakterizon romanin e
fundit të Nasi Lerës është toni krejt i ndryshëm nga krijimtaria e mëparshme e
tij.
Te “Kishim një ëndërr” autori na
vjen me një kompozicion krejt origjinal dhe me një teknikë rrëfimi mjaft të
veçantë.
Strukturalisht romani përbëhet nga
gjithsej njëzet e një kapituj, në numrin e të cilëve kemi ndërrim të
vazhdueshëm të narratorëve. Teknikë kjo e cila e bënë ngjarjen edhe më të
besueshme.
Ngjarja rrëfehet nga tri personazhet
kryesore, nga Asti, Fedra dhe Tim Funerali. Këta të tre përveç se personazhe
vendosen edhe në rolin e narratorit autodiegjetik, meqenëse ata rrëfejnë
ngjarje ku janë vetë të implikuar, rrëfejnë pjesë nga jeta e tyre.
Por e gjithë veçantia e veprës
qëndron te karakteret. Ato zhvillohen pa ndërhyrjen e autorit dhe gjatë leximit
të veprës na krijohet një përshtypje sikur vepra është shkruar nga vetë
personazhet dhe se autori nuk ekziston fare.
Autori arrin ta shkruajë veprën në
vetën e parë dhe njëkohësisht të futet në disa personazhe.
Këto personazhe nuk tregohen por
zhvillohen me ngadalë përmes ngjarjeve që në shikim të parë na duken të
parëndësishme por që në të vërtetë janë thelbësore.
Vetë titulli i romanit asocion me
fatin e karaktereve përmes të cilëve autori na e jep tablon e këtij realiteti
aktual.
Asti, një djalë i ri, i cili studioi
për regjisurë nuk realizon dot ëndrrën e tij, ai nuk arrin të vë në skenë
gërshetimin e Çehovit me Beketin. Ai portretizohet si një dështak i cili kërkon
një teatër që ekzistonte vetëm në mendjen e tij.
Në anën tjetër kemi Fedrën në të
cilën autori pasqyron një numër të madh të femrave shqiptare të cilat, njëjtë
si personazhi ynë janë të detyruara të sakrifikojnë parimet e tyre në mënyrë që
të arrijnë diçka në jetë.
Ndërsa kur hedhim sy mbi personazhin
e Tim Funeralit, përpara na del një njeri me ëndrra të shuara, një njeri i cili
jeton sot për neser, pa asnjë arsye për të vazhduar më tej.
Pra, në këtë roman hasim një galeri
të larmishme të personazheve, të cilët edhe pse nuk kanë lidhje me njëri
tjetrin, gërshetojnë historitë e tyre duke na sjellë deri te ky realitet i
hidhur, që është edhe boshti kryesor i këtij romani.
Personazhet e këtij romani mund t’i
ndajmë në dy grupe: në personazhe kryesore, si Asti, Fedra e Tim Funerali dhe
në personazhe dytësore si sekretarja, hetuesi, drejtori i bankës, mësuesja e
moshuar, vejusha e bukur etj. Ndërsa një numër i madh i personazheve njihen
vetem me iniciale. Këto personazhe nuk mund të kalojnë mbi nivelin e idesë, ato
mbesin të pazhvilluara.
Të paemërtuara mbesin edhe vendet ku
zhvillohen ngjarjet. Përpos Tiranës, ne do të hasim në një numër të madh
qytetesh pa emer, si qyteti F, qyteti B, qyteti S e qyteza R.
Këto qytete e qyteza shndërrohen në
vende të shëmtuara ku personazhet e Nasi Lerës vrasin e varrosin ëndrrat e
tyre:
“Kur u nisa për në qytezën R, isha
një njeri që kishte ende një ëndërr, ndërsa kur u ktheva në qytetin F, nuk e
kisha më. Kisha lënë ëndrrën time në një qytezë të humbur. Ndoshta jeta ime e
vërtetë do niste pas vdekjes së saj.”[1]
Një ndër elementet më të rëndësishme
të romanit të Lerës është edhe përshkrimi. Një pjesë e madhe e veprës është e
mbushur me përshkrim. Autori në një mënyrë reale e deri në detaje na jep
përshkrimin e personazheve dhe ndjenjave të tyre, përshkrimin e vajzave të
bukura, të qyteteve të varfëra, të hoteleve të vjetra e të pista, të shtëpive
të rrënuara e kështu me rradhë.
Përveç përshkrimit, romani në fjalë
karakterizohet edhe nga shumësia e ngjarjeve. Në çdo kapitull ne do të njihemi
me një histori të re e me një personazh të ri. Këto digresione të njëpasnjëshme
i mundësojnë autorit të krijojë atë realitetin e shoqërisë së sotme në mënyrë
sa më të besueshme.
Gjithashtu, autori fut edhe një
numër të madh temash e motivesh si jetën e rëndë, humbjen e ëndrrave, humbjen e
dinjitetit, varfërinë e sidomos vdekjen që është shumë e pranishme në ngjarje:
“E vetmja gjë që nuk shmangej, që
nuk kishte vdekur dhe nuk do të vdiste, ishte vetë vdekja”[2] shprehet autori.
Madje romani përfundon me skenën e
një varrimi, e që konsiderohet si skena më e fuqishme e romanit, përmes së
cilës lidhen tragjizmi e komikja, të cilat bashkë na japin të vërtetën e madhe
se ky realitet përjetohet çdo ditë nga ne.
Varrimi na shfaqet si një skenë, ku
ne njerëzit jemi aktorë e shikues në të njëjtën kohë. Ndërsa drama që e luajmë
është vetë vdekja.
Jo rastësisht ngjarja fillon me
hapjen e agjensisë së varrimit nga Tim Funerali. Që në fillim autori synon të
na tregojë që nuk kemi të bëjmë vetëm me vdekjen e natyrshme të njeriut dhe me
varrimin e tij, por edhe me varrimin e shpresës, të mirës, ëndrrës.
Lokali, simbolikisht kthehet në një
skenë e cila herë shndërrohet në floktore, herë në bastore, e krejt në fund në
një agjensi varrimi.
Pra, në mënyrë simbolike, fati i
këtij lokali na paraqet edhe shpresat e shuara dhe ëndrrat e dështuara të
njeriut.
Romani në fjalë na zbulon njeriun si
qenie mjerane duke e krahasuar atë me ëndrra të vdekura të kthyera në skelete.
Njeriun e Nasi Lerës e hasim kudo në jetën tonë të përditshme.
Secili prej nesh njeh një Asti, i
cili edhe pas studimeve nuk arrin të zë punë në drejtimin e tij. Madje vetë
Asti mund të jemi edhe ne.
Secili prej nesh njeh një Fedra, e
cila është në gjendje të bëjë gjithçka që të arrijë në postin që dëshiron.
Madje vetë Fedra mund të jemi edhe ne.
Dhe secili prej nesh njeh një Tim
Funerali, në të cilin nëse hedhim një shikim, në sytë e tij nuk do të shohim
asgjë tjetër përpos zbrasëtirës.
Dhe prapë, vetë Tim Funerali mund të
jemi edhe ne!
Veten mund ta gjejmë edhe në shumë
personazhe dytësore, si personazhi i P.A-së, e cila në pamundësi për të
vazhduar këtë lloj jete të hidhur vetëvritet, apo te personazhi i një të
droguari i cili gjithashtu vendosë t’i japë fund jetës së tij në mënyrën më të
keqe.
Të pasqyruarit e ndjenjave dhe
mendimeve tona në personzhet në fjalë e shndërron romanin e Lerës në një ndër
romanet më unike të letërsisë aktuale shqipe. Tek e fundit, kjo është edhe
mjeshtëria e këtij autori.
Nasi Lera me “Kishim një ëndërr” na
krijon një realitet të papërsëritshëm në letërsinë shqipe, duke futur dukuri të
cilat i gjejmë të pranishme, sidomos në kohën aktuale. Sepse aty autori na
shfaqë një realitet përmes një skene të përsëritur, ku secili nga ne ka një të
përbashkët me tjetrin. Ndoshta humbjen e një ëndrre!
“Isha unë vetë që nuk thosha dot unë
kam një ëndërr. Pohimi i vetëm që mund të bëja, ishte: unë jam njeri pa ëndrra,
si të mos kisha pasur kurrë të tilla.”[3]
Gruaja si viktimë
Viktima e parë e realitetit të Nasi
Lerës është gruaja. Me romanin “Kishim një ëndërr”, autori dëshmon edhe njëherë
se është gruaja ajo e cila mbetet viktima e meskinitetit, dhunës psikologjike,
e mashtrimit dhe gënjeshtrave të shumta të kësaj shoqërie.
Autori, në mënyrën më reale, arrin
ta paraqesë gruan si viktimë të shoqërisë së sotme.
Përmes katër personazheve, arrin ta
shpërfaqë para lexuesit rolin e gruas përpara kësaj shoqërie.
Në ngjarje hasim në historitë e
katër vajzave, të Fedrës, të Ledi B, të Lora Rebit dhe të P.A, me historitë e
të cilave mund të mishërohen një pjesë e madhe e vajzave shqiptare.
Fedra është një ndër personazhet
kryesore të cilën e hasim edhe në rolin e narratorit. Në faqet e para të librit
Fedra na shfaqet si një vajzë e dashuruar dhe e mbushur me përplot ëndrra. Ajo
bënte pjesë në grupin e njerëzve që ëndërronin të bëheshin dikushi. Por në vend
të një dikushi ajo bëhet asgjë më shumë se vegël e shefit të saj. Në vend të
një dikushi ajo shndërrohet në një njeri, që gjithashtu trupin e saj e sheh si
një vegël, një vegël përmes së cilës arrihen shumë gjëra:
“Unë e ndjeja se nuk kisha mposhtur
thjeshtë një mashkull, por një pushtet të frikshëm. Nuk kishte pushtet që nuk
mund të shtihej në dorë.”[4]
Por pas çdo pushteti që Fedra fut në
dorë, ajo nuk plotësohet. Përkundrazi, ajo përgjysmohet.
P.A-në autori e vendos në rolin e
një gruaje, historinë e së cilës e dëgjojmë çdo ditë në lajme apo gazeta. P.A
më shumë se grua është pronë e një burri. Është burri ai i cili vendos për
fatin e saj dhe e shtyen atë drejt vetëvrasjes. Personazhi i saj karakterizohet
nga rrënimi i parakohshëm, rrënim ky që ndodh me femrat me të cilat është
abuzuar.
Ledi B është njëra nga vajzat jeta e
së cilës fillon natën. Ajo është vajza e makinave të shtrenjta, vajza e jetës
luksoze. E një jete që kushtonte sa vetë trupi i saj.
Ndërsa Lora Rebi shfaqet në maskimin
e një këngëtareje të bukur e cila shoqërohej vetëm me shtresën e lartë, me
deputetët apo njerëzit e pasur.
Por në anën tjetër, autori me pak
rreshta shfaqë anën e pafajshme dhe të dëlirë të këtyre dy personazheve, anë
kjo e cila mbetet e panjohur si per personazhet e tjera, ashtu edhe për
lexuesin.
Nasi Lera me “Kishim një ëndërr”
dëshmon se edhe sot, në kohën aktuale, asgjë nuk ka ndryshuar. Në syrin e kësaj
shoqërie të sotme, gruaja përveçse e bukur, nuk përfaqëson asgjë. Sa më e bukur
ishe, aq më e papranueshme ishe, nëse nuk ishe dikush apo gruaja e dikujt.
Krejt në fund, në letërsinë shqipe
askush më mirë se Nasi Lera nuk arrin ta krijojë një teatër ku luhet ky
realitet i hidhur, në të cilin njerëzit si personazhe e si regjisorë lujanë pa
u ndalur me veten dhe me të tjerët. Askush më mirë nuk e shpërfaq rezultatin e
dështuar të politikës shqiptare. Dhe askush më mirë nuk na e hedh fytyrës se
ndjenja më madhore e njeriut është urrejtja e jo dashuria:
“Kur ishim studentë, dashuronim,
ëndërronim dhe nuk e dinim se, duke ëndërruar, ktheheshim në viktima të politikës
së pamoralshme. Ne nuk duhej të donim, duhej të urrenim, por nuk e dinim se
urrejtja është forca më e madhe që ka njeriu brenda vetes. I trembeshim dhe i
shmangeshim kësaj force, sepse ëndërronim, dashuronim. Tani më vjen për të
qeshur me pafajsinë tonë, me faktin që urrenim urrejtjen dhe dashuronim
dashurinë.”[5]
(Më 9 prill 1999 ranë 187 dëshmorë për ta fshirë kufirin. Ndër të plagosurit është vëllai im. Ky është rrëfimi i tij.)
edhe po desha ta harroj Kosharen nuk më lini ju
më kapni pa fjalë për fyti e ma bëni me gisht nga rrasat mbi krye
edhe po desha të tërhiqem nga Rrasa e Zogut nuk më lini ju
se më bjen hise t’i zdirgjem kokulur Kosovës t’i bie derë më derë
e të jap kudo kumtin e vdekjes suaj
si ju fikën shkëndijat e fundit në sy sa ftohtë sa trishtë ishte kur e dhatë grahmën e mbramë
e unë nuk mundem more nuk mundem se qaj
ndaj nuk i lëshoj dot këto rrëpira
më mirë ta mbrojmë edhe sonte bashkë Rrasën e Zogut unë në këtë botë e ju në atë botë
le ta fusim prapë gishtin nëpër helmeta të shpuara e të tallemi se kujt i ra sonte bingo granata hije nga balta e gjaku në transhe te moçme vëllezërit e mi motrat e mia
le të presim edhe sonte bashkë përforcime me tjerë të rinj të padërsirë që do të vriten nesër
mos ta lëshojmë frontin as sonte edhe këtë natë ta mbrojmë Rrasën e Vdekjes
unë e ju hijet e mia
se edhe kur dua ta braktis Kosharen nuk më lini ju
më kapni pa fjalë për krahu e ma bëni me gisht kah fushat e Kosovës
Studiuesi i gjuhës shqipe, Xhevat Lloshi, për “Shekullin” bën një analizë të problematikave reale të gjuhës shqipe. Mësues që nuk njohin gjuhën letrare, mangësitë në administrata dhe qeveritarë që përdorin fjalë të huaja, pa ditur se ç’thonë. Përfshirja e gjuhës shqipe në universitete, hallka e fundit e procesit
Anila Dedaj
Përvetësimi i gjuhës shqipe është një cikël i plotë, ku përfshirja e kësaj lënde në programet universitare, do të ishte hapi i fundit i procesit ose kurorëzimi i tij, siç e quan studiuesi i gjuhës shqipe Xhevat Lloshi. Për gjuhëtarin, krahas teksteve zanafilla e kësaj problematike, duhet kërkuar tek mësimdhënësit. “Në asnjë shkollë të ciklit të parë, ose siç quhet ndryshe fillore, të mos ketë mësues që nuk dinë të flasin gjuhën letrare!”, shprehet studiuesi për “Shekulli”-n, duke theksuar se është e pamundur që një mësues që nuk di mirë gjuhën letrare, t’ia përçojë atë nxënësit. Një fenomen ky, që sipas tij, nuk haset në asnjë vend tjetër të Evropës. Ndërsa, instancat përkatëse nëse duan realisht të zgjidhin problemin duhet t’i japin prioritet. Kërkesa, apo deklarata e fundit e kryeministrit Edi Rama (duke qenë se një vendim i tillë nuk është brenda kompetencave të tij, pasi duhet të vijë nga bota akademike), se:“Duam që ta fusim gjuhën shqipe në universitet, në të gjitha degët”, specialistëve të fushës, u sjell ndërmend një tjetër iniciativë verbale të tij. Ishte viti 2012, kur ai premtoi përfshirjen e stafit redaktorial për të bërë korrigjimin dhe vëzhgimin e dokumentacioneve për çdo institucion publik. Një nismë që si shumë të tjera, nuk funksionoi dhe ngeli në kuadër të propagandës. Sipas gjuhëtarit Xhevat Lloshi, njohja e mirë e gjuhës shqipe nga ana e funksionarëve publikë është e domosdoshme. “Në shumë vende të botës, nuk mund të punësohet në shtet një njeri që nuk di të shkruajë mirë. Vetëm Shqipëria ka ngelur këtu, ku njerëzit që shkruajnë dokumente zyrtare i bëjnë me gabime”, shprehet ai, duke nënvizuar nevojën e një teksti të posaçëm për administratat, që të përshtatet me stilin e veprimtarisë shtetërore.
Zoti Lloshi, kryeministri Rama ditët e fundit ka propozuar përfshirjen e gjuhës shqipe në të gjitha degët universitare. Sa efikase mendoni se mund të jetë një nismë e tillë për minimizimin e problematikave të gjuhës shqipe?
Nuk ka asnjë dyshim, që në të gjitha shkollat e larta kryesore të vendeve që njohim ne, në vitin e parë jepet detyrimisht gjuha, por jo në atë kuptim që shumë kujtojnë. Pra nuk flitet për zgjedhime e lakime, por për një fushë që quhet “Ndërtimi i teksteve”. Unë kam bërë një vepër të tërë që quhet “Stilistika e gjuhës Shqipe”, ku e kam shtjelluar hollësisht këtë gjë. Domethënë nëse shqyrtojmë degët juridike, unë kam një krye të veçantë në këtë libër apo cili është stili i veprimtarisë shtetërore administrative dhe kështu me radhë. Domethënë, jo një përsëritje të disa gjërave thjesht mekanike. Kurse në shkollën nëntëvjeçare që kemi tani, çështja themelore duhet të jetë patjetër në të mësuarit e drejtshkrimit dhe të gramatikës, kryesisht morfologjisë. Në shkollën e mesme do të zgjerohet më tej, për shembull me elementë më shumë të sintaksës e kështu me radhë. Pra, është një cikël i plotë, i cili në universitet merr kurorëzimin e vet.
Cili duhet të jetë hapi i parë që duhet ndërmarrë për përvetësimin e gjuhës shqipe nga të rinjtë sipas jush?
Mendoj se fillimisht duhet të përcaktohet një plan nga Ministria e Arsimit, që për shembull brenda 5 vjetëve, në asnjë shkollë të ciklit të ulët ose të quajtur ndryshe fillore, të mos ketë më mësues, që nuk dinë të flasin gjuhën letrare. Duhet filluar që këtu, nëse kërkohet realisht zgjidhje, sepse nuk mund të mendohet që mësues, që nuk dinë mirë gjuhën letrare, t’ia përçojnë atë nxënësve. Kjo është diçka e pamundur! Mendoj se në një shtet që pretendon të zhvillohet diçka e tillë nuk duhet të ekzistojë… Në asnjë vend të Evropës nuk të fut njeri mësues, nëse nuk di gjuhën letrare.
Problematika jo të vogla janë hasur edhe në gjuhën e përdorur në administratat publike, në dokumentacione, letra apo komunikata të ndryshme zyrtare. Në 2012-ën, po nga ky kryeministër u premtua përfshirja e një stafi redaktorial në institucione. Si e shikoni një situatë të tillë dhe çfarë do të sugjeronit për rregullimin e saj?
Përpara se të bëhet diçka e tillë, unë mendoj se do të ecim në rrugën e vendeve të tjera. Në Francë pothuajse çdo vit botohet një libër që quhet “Stili administrativ”, domethënë është e meta jonë, e gjuhëtarëve, e specialistëve që nuk kemi përgatitur një libër, që të jetë pikërisht për stilin e veprimtarisë shtetërore. Aty të japim modelet kryesore dhe të shtrojmë çështjet themelore. Madje po ju rrëfej, se në shumë vende të botës, nuk mund të punësohet në shtet një njeri që nuk di të shkruajë mirë. Nuk ka shtete të këtilla, vetëm Shqipëria ka ngelur këtu, që njerëzit të cilët shkruajnë dokumente zyrtare, i bëjnë me gabime. Domethënë, detyra e parë është e jona. Pastaj, sigurisht që duke e bërë këtë detyrë tonën, në mënyrë të organizuar, kualifikohen njerëz të caktuar të institucioneve, të cilët janë në gjendje ta bëjnë këtë. Shembulli më i mirë është ky: Për shumë vite, jo më për një vit, në Kuvendin Popullor ka pasur dhe vijon të ketë redaktor gjuhësor, i cili, sjell në formë korrekte gjuhësore ligjet dhe materialet e tjera.
Edhe pse gabime të vogla ndonjëherë janë njerëzore, dua të theksoj se problematikave u dilet përpara me njerëz të përgatitur për këtë punë. Të cilët gjithashtu duhet të kenë në duar materialet përkatëse, mbi të cilat duhet të mbështeten. Nuk janë punë që bëhen sipas mendjes së njërit, apo tjetrit.
Ju keni propozuar gjithashtu të hapet një muze për albanologjinë…
Unë kam hedhur idenë se duhet të ngremë një kënd me buste të albanologëve. Të njerëzve të huaj që kanë lartësuar popullin dhe kulturën tonë. Dhe unë do ta quaja këtë “Kopshti i albanologjisë”. Është një ide e mundur, tani për shembull që është menduar të bëhet një bibliotekë kombëtare, ose që kemi Bulevardin e ri që sapo është hapur. Natyrisht që nuk mendohet të fillohet me një milion, por mund të fillohet me një. Mjafton të caktohet nga Bashkia vendi ku do të bëhet. Të jetë një kopsht i kulturës, që me kalimin e kohës, kur të shtohet me një, dy…, katër buste, të shoqërohet edhe me fletëpalosje, ku të thuhet diçka nga biografia e tyre. Kështu fëmijët të sillen në atë kopsht, të shëtisin dhe të shohin se kush ka kontribuar për shqipen, për kulturën tonë. Unë kam bërë një libër të titulluar “Shqipja qysh u është dukur?”, ku kam përmbledhur thëniet më të mira të shqiptarëve dhe të të huajve për gjuhën shqipe. Pra mundësitë janë dhe nëse bëhej do të ishte diçka e këndshme.
Aktualisht në Fakultetin e Histori Filologjisë, për degën e redaktimit nuk ka kërkesa, kjo edhe për shkak të tregut. Si e shikoni një fenomen të tillë?
Kjo sigurisht është një gjë jo e mirë për kulturën tonë, por bënë pjesë në të gjitha ato mangësitë e mëdha që kemi në këtë fushë. Unë kam shkruar dhe kam folur vazhdimisht dhe dëshiroj t’ju them këtë fjali shumë të rëndësishme: Rënia e nivelit të shkollës dhe rënia e kujdesit për gjuhën nuk janë dukuri të veçuara, janë dukuri shoqërore. Kemi nevojë të ngremë interesimin e përgjithshëm të shoqërisë, për kulturën në përgjithësi dhe për kulturën e gjuhës. Në këtë fushë kanë një vend shumë të rëndësishëm pikërisht edhe mjetet e komunikimit masiv, gazetat, televizioni dhe radio. Në radhë të parë, unë mendoj, se për këto duhet të ngulim këmbë. Që tek gazetat, të cilat dalin përditë, televizionet që japin filma e lëndë tjetër të shkruar, atje duhet në radhë të parë të jetë kujdesi më i madh. Sepse, mjetet e komunikimit masiv, si të thuash me një fjalë “e bombardojnë” përditë vëmendjen e njerëzve edhe nga ana gjuhësore.
Përdorimi i anglicizmave apo ndërkombarizmave, veçanërisht nga brezi i ri ndikon negativisht në përdorimin korrekt të gjuhës shqipe, si në ligjërim ashtu edhe në gjuhën e shkruar?
Mendoj se nuk është brezi i ri që fut fjalë të huaja. Unë ngul këmbë në idenë time, që e kam shprehur edhe më parë, se nuk mund të ngrihet kultura e gjuhës shqipe, nëqoftëse njerëzit nuk përvetësojnë në mënyrë të drejtë e të rregullt gjuhët e huaja. Tani sapo është bërë me dije sondazhi, se “Në Shqipëri vetëm 17% e njerëzve dinë anglisht”. Thënë shqip, sipas meje, fjalë të huaja përdorin ata që nuk i dinë mirë gjuhët e huaja. Nuk është puna thjesht tek brezi i ri, se këtu ka deri edhe parlamentarë, anëtarë të Qeverisë që përdorin fjalë të huaja, pa kuptuar se çfarë thonë.
Mendoni se zgjidhja e këtij problemi duhet të vijë nga bota akademike dhe albanologët, e jo nga Qeveria (parlamentarët), ndoshta edhe për problemin që ju cekët më sipër?
Nuk përjashtohet Qeveria, sepse për mendimin tim, Shteti është shkresë. Nëqoftëse shteti nuk i ka në rregull shkresat, nuk është shteti në rregull. Prandaj nuk është thjesht çështje gjuhe, është çështje e veprimtarisë shtetërore. Ju e dini fare mirë, se në gjyqe debati shpesh herë është thjesht gjuhësor. Kakëtë kuptim, është përdor kështu, është thënë ashtuetj. Pra, Shteti është i interesuar drejtpërdrejtë për të pasur një gjuhë të rregullt në veprimtarinë e tij. Një shtet pa gjuhë të rregullt në veprimtarinë e tij, nuk është si shtet në rregull. Dhe pastaj mund t’u thuhet gjuhëtarëve, pse s’na i kini zgjidhur këto probleme?
Zyra për informim e kryeministrisë së Kosovës ka bërë me dije se nesër do të vihet gurthemeli i Muzeut të gjenocidit serb “Bllaca 99”.
“Në kujtim dhe nderim të gjithë shqiptarëve që e përjetuan Bllacën dhe eksodin e 99-ës, në kujtim dhe nderim të gjithë të rënëve për liri, dëshmorëve dhe të zhdukurve, në respekt dhe falënderim për të gjithë ata që ndihmuan popullin shqiptar dhe Kosovën në vitin 1999, Zyra e Kryeministrit, më 10 prill 2019, organizon ceremoninë e vënies së gurthemelit të Muzeut të gjenocidit serb ‘Bllaca 99’”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë.
Vënia e gurthemelit të Muzeut të gjenocidit serb do të bëhet në orën 14:00 në Bllacë të Komunës së Hanit të Elezit.
Pas fjalimeve të liderëve të Kosovës dhe të ftuarve të tjerë në këtë ceremoni dhe një programi artistik të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve “SHOTA”, do të hapet edhe ekspozita me fotografi nga kampet e refugjatëve e fotografit profesional nga Brukseli, Asllan Krasniqi.
Në orën 15:05 do të bëhet hapja e mitingut të poezisë “Bllaca 99”, me pjesëmarrjen e mbi 90 poetëve nga të gjitha trevat shqiptare;
në ora 15:15 do të bëhet mbjellja e 99 fidanëve.
Për të gjithë qytetarët e interesuar, Hekurudhat e Kosovës kanë organizuar transport të posaçëm nga Mitrovica, që niset në ora 11:00 dhe ndalet në të gjitha stacionet, deri në arritjen në Bllacë, në ora 14:00.
Siç është paralajmëruar, këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora mbrëmë ka arritur në Kosovë.
28-vjeçarja do të qëndrojë në Kosovë në kuadër të një misioni bamirësie në bashkëpunim me Fondin e Kombeve të Bashkuara për Fëmijë (UNICEF).
Rita në Kosovë po shoqërohet nga nëna e saj Vera Ora, e cila ka thënë se ndihet krenare me vajzën e saj.
“Duke mbështetur @unicef_uk dhe @ritaora për punën e palodhshme për të ndihmuar fëmijët. Krenare për Ritën që po gjen kohë përgjatë turneut të saj muzikor që ta vizitoj Kosovën”, ka shkruar Vera në Instagram.
Sapo qarkulloi në Francë romani “Valsi i lumturisë”, i shkrimtarit Ylljet Aliçka, botuar nga shtëpia e njohur botuese “L’esprit du temps”, përkthyer nga Michel Aubry (Mishel Obri).
Në parathënien e këtij botimi në gjuhën frënge shkrimtari Ismail Kadare shkruan ndër të tjera: «Një roman i shkruar me art dhe dinjitet», ndërsa botuesi francez shkruan për këtë libër:
«Një rrëfim jashtëzakonisht ironik dhe absurd, i frymëzuar nga një histori e rrallë, ku zbulohen dy botë, gjë e rrallë kjo për romanin tradicional.
Është kjo qasje që e bën letërsinë e Aliçkës origjinale dhe njerëzore.”
Ndërsa pas botimit të këtij romani në Itali, gazeta “Corriere della sera” ka shkruar “Qesh hidhur tek lexon këtë roman, e megjithatë qesh.”
Ndërsa ish-ambasadori italian në Shqipëri, Mario Bova shkruan në revistën L’indic: «Si vepër letrare, “Il sogno italiano” (“Valsi i lumturisë”) i kapërcen fuqishëm kufijtë e një hapësire kombëtare e lokale, për të arritur fuqinë e një reflektimi mbarëeuropian, për tragjedinë e tmerrshme të fenomeneve të emigracionit drejt kontinentit.»
Romani «Valsi i lumturisë» i botuar nga shtëpia botuese Toena mbështetet në një ngjarje të vërtetë.
Në dhjetor të 1985-s gjashtë anëtarët e familjes Popa, hynë ilegalisht në ambasadën italiane. Rasti i tyre bëhet çështje ndërkombëtare për Shqipërinë e vogël e të izoluar. Familja Popa, një familje e thjeshtë nga Durrësi hyn tinëzisht (duke u hequr si turistë) në ambasadën italiane dhe aty kërkon menjëherë strehim politik. Shteti totalitar shqiptar pëson një tronditje të madhe nga ky gjest. I quan shtetasit e vet “kriminelë”. Një gjë të tillë, kush kishte guxuar ta bënte më parë ishte pushkatuar. Ngjarja që erdhi nga këta njerëz të thjeshtë, mori përmasa të paparashikueshme ndërkombëtare. Gjashtë anëtarët e familjes Popa, nga frika e dënimit, deklaruan se do të vetëvriteshin, nëse ambasadori italian i dorëzonte në duart e sigurimit të shtetit shqiptar. Ata u mbrojtën për rreth 5 vjet në ambasadën italiane, veprim që u bë shkak për tensionimin e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, por edhe shkak për kthimin e vëmendjes të ndërkombëtarëve drejt Shqipërisë. Ambasada italiane rrethohet me mbi 600 mijë policë. Përtej brigjeve, televizioni italian transmetonte ngjarjen reale nga Tirana.
Këtë javë në Kino ARMATA do të vijnë një seri filmash të regjisorëve të ndryshëm, shkruan KultPlus.
Nga data 8 deri me 14 prill, në Kino ARMATA do të
vijnë filma si: Superman (1941) me regjisor Dave Fleischer, “First
Spaceship on Venus” (1960) me regjisor Kurt Maetzig, “Return of the
Kung Fu Dragon” (1976) me regjisor Chick Lim Yu.
Po ashtu gjatë kësaj kohë do të jetë edhe WORKSHOP-i “Changing the Story”. Më poshtë mund të shihni edhe listën e plotë të filmave si dhe orarin e shfaqjes së tyre./ KultPlus.com
Kur ishim të vegjël dilnim pa frikë se mos dikush të na rrëmbente, na mësonin mos t’i flisnim të panjohurve por shokë dhe shoqe kishim plot. Luanim përjashta që me mëngjes dhe na tërhiqnin mamatë prej veshi ose na bërtisnin: futu brënda të qaftë jot ëmë se ngele rrugëve.
Kishim lojëra si: ore ore lule bore, roza rozina, lojë me peta, topa djegësi, lojën me litar(o litar litar i gjatë që nuk pushon as ditë as natë), lojën (t’a lashë), kush qesh i pari? I pari? Bëhej konkursi i famshëm Miss Pallati dhe Missi merrte një çmim ( lule të këputura, një pasqyrë,)
Shokët dhe shoqet i donim shumë merrnim kukullat dhe i bënim sikur flisnim me to, iknim e vinim nga shkolla duke kënduar e lozur dhe jo si sot që 13 vjeçarë flasin për marrëdhëniet seksuale, kirurgji plastike, çanta të shtrenjta, ndërkohë që brezi jonë ka luajtur deri në moshë të vonët me kukulla.
Në televizor shihnim kukulla prej vërteti dhe jo me këtë zhargon të fëlliqur që është sot, ishte dhe festivali i fëmijëve që shihnim në RTSH dhe këngë për fëmijë plot. Sot fëmijët kanë nga telefonat më të shtrenjtë nëpër duar ne kishim baltën dhe gjunjët me gjak.
Fëmijët e sotëm nuk komunikojnë me njëri tjetrin dhe mbizotëron bulizmi dhe janë sipas interesit kush të jetë me 10 ose LEKUN ndërkohë që brezi ynë bënim detyrat me njëri tjetrin dhe recitonim nganjëherë bënim dhe role (Borëbardha Hirushja dhe filma të tjerë)
Sot një brez i djegur nuk ishte si dikur ndaj themi: Na ishte Dikur. Kemi nostalgji sepse kemi patur një fëmijëri të mrekullueshme.
Mund t’a kem gabim ky është mendimi im personal Por unë jam falenderuese që pata një fëmijëri të vërtetë dhe jo lojra nga app/PlayStore
Bendi kosovar Gipsy Groove, i cili është themeluar në vitin
2010-të, është një ndër bendet më të pëlqyera në vend.
Gipsy Groove ka gjashtë
anëtarë dhe ky është mbase bendi i vetëm multi-etnik i cili përfshin rom,
shqiptarë dhe turq në një grup të vetëm, të cilët i bashkon muzika më shumë
sesa mund t’i ndajë përkatësia e tyre etnike.
Dhe mu ky fakt ka
kontribuar që bendi të krijojë muzikë shumë unike që është miks i kulturave,
këngëve dhe traditave të gjithë popujve të Ballkanit, e cila pëlqehet në
secilin vend të rajonit.
KultPlus, po ju sjellë sot këngën “Herdelezi” nën interpretimin e këtij grupi./ KultPlus.com
Rita po vjen në Kosovë tani në punën e ambasadores, pasi ajo me projektin më të fundit ka vendosur që t’i dalë në krah grave që janë viktima të dhunës.
Ajo ka bashkëpunuar me
firmën e njohur ndërkombëtare, Escada, për të cilët ka dizejnuar disa çanta
ndërsa 15 euro nga shitja e çdo çante do të ndahen pikërisht për Kosovë.
28-vjeçarja do të qëndrojë tri ditë në vendin tonë në kuadër të një misioni bamirëse dhe do të takohet me viktimat e dhunës seksuale. Këto janë fotografitë që tregojnë se ajo tashmë ka arritë në Kosovë/ KultPlus.com
Një nga thëniet e Albert Einstein është edhe kjo të cilën po ua sjellë KultPlus.
“Nuk ekzistojnë zbulime të mëdha, as progres real deri sa mbi tokë të ekzistojë një fëmijë i palumtur”.
Albert Einstein, (14 Mars 1879 – 18 Prill 1955) ishte një fizikant i cili llogaritet si një nga shkencëtarët më të rëndësishëm të shekullit XX. Ai përcaktoi teorinë e relativitetit dhe dha shumë kontribute në fushat e mekanikës kuantike, mekanikës statistikore dhe kozmologjisë. Në vitin 1921 fitoi çmimin Nobel për fizikë për shpjegimin e efektit fotoelektrik dhe për shërbimin në fushën e “fizikës teorike”./ KultPlus.com
Kushdo që në kullën e tij mirditase, në fëmijërinë e largët, ka parë të varur një çifteli, nuk e ka të vështirë të kuptojë se Ansambli “Mirdita” më parë se në skenën e pallatit të Kulturës Rrëshen, apo në kalanë e Gjirokastrës, ka qenë i shpërndarë gjithandej ndër mirditorë, shtëpi më shtëpi e vatër më vatër, deri në rrëzë të Munellës. Ndaj ishte aq e dëgjuar shprehja “shtëpi e çifteli”.
Skena e parë ishte oda, veçmas ajo e dasmës, ku njëri nga 11 krushqit duhej të ishte këngëtar. Njeriu i kullës në shkrep shpesh në mbrëmjet familjare, apo të kremtesh popullore, merrte çiftelinë dhe niste t’i luante gishtat dhe t’i thoshte fjalët. Nuk kishte rëndësi sa mirë dinte ta bënte ai këtë gjë, çiftelia, lahuta apo sharkia ishte pjesë e kulturës së tij të jetesës.
Përndryshe malësori kishte shpirt prej artisti dhe ai e shfaqte këtë thelb të tijin herë pas here. Ndaj dhe bariu në mal kishte me vete fyellin dhe merrte melodi baritore njëlloj si në antikitetin ilir, grek, romak. Ai gjithë ditën e ditës pas tufave në kullosë gdhendte dhe bishta frashëri për veglat e punës, dhe bilbila, zumare, me të cilat luante melodi baritore.
Bjeshkët tona janë ateliea e parë për shumë artistë të shquar të folkut, pse jo dhe për kompozitorët që i ulen motivet e bjeshkëve mbi pentagram. Mirditori krijonte melodi e muzikë gjer me kumbonët e bagëtive, ku kishte dhe një punishte të tyre prej bakri te Marlaskajt e Kuzhnenit, ku kumbonët që kishin shtegtuar deri në Shkumbin tingëllojnë prej shumë vitesh në arenën artistike-folklorike të Ansamblit “Mirdita”. Kësisoj Ansambli i sipërthënë është jo vetëm kënga e vallja e traditës, por dhe veshja, kostumet, ritualet, lojërat popullore, shenjat apo elementet dalluese, nga perkrenarja e princërve te kaculita e bariut etj.
Pjesë nga parathënia e Ndue Dedaj për monografinë e Ansamblit “Mirdita”/KultPlus.com
Në shtypin e shkruar, në emisione të organeve të medias audio-vizive ose në portale zënë vend ngandonjëherë edhe vlerësime shpërfillëse për kontributet e Shqipërisë dhe njerëzve të saj gjatë luftës së Kosovës. Janë deformime të shëmtuara të të vërtetave historike që, për fat të keq, shkojnë paralel me disa zhvillime aktuale në Shqipëri, Kosovë, hera-herës edhe në mjediset shqiptare në Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi dhe Luginën e Preshevës. Të shfaqura si koincidenca të rastit, në fakt janë djallëzore, sepse nxijnë realitetin dhe nxitin artificialisht, ngrenë në kult ndasi, grindje ose konflikte brenda forcave politike, zhvillime këto që nuk iu shërbejnë aspak shqiptarëve dhe të ardhmes së tyre euroatlantike. Kjo thashethemnajë e padobishme është e përgënjeshtruar vazhdimisht nga publikimi i të vërtetave të pamohueshme, që nxjerrin në dritë solidaritetin vëllazëror të shqiptarëve në të dy anët e kufirit, veçanërisht gjatë kohës së luftës në Kosovë.
Përkundër ndonjë tentative të pasuksesshme diversioniste, si dhe për ta risjellë sërish në vëmendjen e lexuesve këtë çështje, shfletuam librin Lufta e Kosovës në labirintet diplomatike (Gjenevë, 1998-2002), botim i UMSH-Press & ONUFRI, Tiranë 2018. Autori Ksenofon Krisafi, ka mbajtur postin e ambasadorit, përfaqësuesit të përhershëm të Shqipërisë në Zyrën e Kombeve të Bashkuara dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare me seli në Gjenevë, në vitet 1998-2002, kur kriza kosovare dhe lufta e Kosovës ishin objekt diskutimesh edhe në forumet ndërkombëtare të Gjenevës. Prej tij shkëputëm pjesën e mëposhtme.
Dhimbje e dashuri për popullin e Kosovës
Shqipëria, vendi i prekur që në fillim dhe drejtpërsëdrejti nga kriza kosovare, provoi ndër të parat dhimbjen e madhe për dramën e bijave dhe bijve të saj të përtej kufirit, viktima të politikës së egër të genocidit dhe të spastrimit etnik serb. Ajo u përball befasisht me një fluks të konsiderueshëm refugjatësh, të cilët nisën të kalonin kufirin qysh në qershorin e vitit 1998. Numri i tyre shtohej vazhdimisht duke krijuar probleme të mëdha në pikat kufitare të Padeshit, Morinës, Zogajt dhe Qafa e Prushit, në rrethet e Tropojës dhe të Hasit, në pikat kufitare të Vermoshit dhe Hanit të Hotit, në Qafë Thanë etj. Mbërritja e vazhdueshme e grupeve të shtuara të njerëzve, në kushtet e rënda të dimrit që kishte trokitur në derë në ato kohë të vështira, e përkeqësonte gjithmonë e më shumë gjendjen dhe punën e autoriteteve qendrore e lokale. Qeveria shqiptare e vlerësoi me seriozitetin maksimal situatën dhe mori me shpejtësi masat e nevojshme për të ndihmuar të sapoardhurit, duke i furnizuar me ushqime, strehim, tenda, veshmbathje, medikamente, asistencë mjekësore e shëndetësore etj. Me vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 330, të datës 5 qershor 1998 dhe me ndihmën financiare të UNHCR, në Ministrinë e Pushtetit Vendor u krijua një Zyrë e posaçme për refugjatët, kurse në Prefekturën e Kukësit u caktua një i plotfuqishëm. Ndërkohë u krijuan shtabet lokale për përballimin e situatave që rëndoheshin nga çasti në çast. Vëmendje e veçantë iu kushtua grupeve vulnerabël, fëmijëve dhe grave shtatzëna, të moshuarve, të sëmurëve, të plagosurve dhe handikapatëve.
Kaloi kështu dimri i 1998-1999 dhe nisi pranvera, e cila për shqiptarët në të dy anët e kufirit, nuk erdhi si stina e ringjalljes, e shpresës për jetën dhe për ditë më të mira, por si koha e gjëmës së madhe, tepër e rëndë dhe e dhimbshme. Në muajt e parë të 1999, Kukësi, porta hyrëse e Shqipërisë, po përjetonte kohë epike. Ajo ishte hapur tej e ndanë, për pritjen e disa qindra mijëra qënieve njerëzore, që kishin lënë pas vatrat, shtëpitë e shkrumbuara, të mbjellat e shkatërruara, trupat e pajetë të të dashurve të vet. Në fytyrat dhe shpirtin e tyre shfaqej dukshëm hija e dhimbjes së papërshkrueshme të luftës, tmerrit, egërsisë, barbarisë së kriminelëve, të cilët kishin vite që po përgjaknin njerëz të pafajshëm, me të cilët kishin jetuar si shtetas të njëjtë të një shteti të përbashkët…
Pikërisht në ato ditë, si ambasadori i Shqipërisë, trokita në zyrën e Sadako Ogatës, për t’ia ripërsëritur dhe përshkruar tashmë më në hollësi, atë që ndodhte në Kukës, si dhe për t’i kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme të strukturave të organizatës që drejtohej prej saj, me qëllim që të shpëtoheshin jetë njerëzish. Ajo, me sa duket, e mësuar me ngjarje të tilla, shprehu keqardhjen e çastit dhe u përpoq të më qetësonte, duke thënë se, sipas njoftimeve të saj, situata nuk ishte aq dramatike sa u përshkrua prej meje. Disa ditë më vonë, në seancën e 24 marsit 1999, të Komisionit të të Drejtave të Njeriut (KDNj), do të pranonte se kishin të drejtë ambasadori i shtetit shqiptar dhe strukturat e tjera të tij, që e ndjenin nga afër realitetin e vërtetë kosovar, të shfaqur dhimbshëm në të gjitha dimensionet, në territorin shqiptar.
Skenat që zhvilloheshin ato ditë në Kosovë, ngjanin së tepërmi me ndodhi të tjera, të rënda, që ishin vërtetuar në territoret e saj, shumë kohë më parë. Në vitin 1913, Dotation Carnegie, i alarmuar nga lajmet që mbërrinin nga skenat e luftës dhe mizorive me të cilat ajo shoqërohej në viset shqiptare të ish vilajetit të Kosovës, dërgoi një komision hetimi në vend, për verifikimin e situatës. Në raportin e vet ai mblodhi fakte dhe prova të shumta, midis të cilave bënin pjesë edhe dëshmi të publikuara në shtypin gjerman. Aty lexohet ndër të tjera se “Djegie shtëpish dhe fshatrash të tëra, vrasje në masë e popullsive të çarmatosura, dhunë e padëgjuar, plaçkitje dhe brutalitet i çdo lloji,- ja mjetet me të cilat kanë vepruar dhe veprojnë ende tupat serbo-malazeze, me qëllim që ta transformojnë tërësisht fizionominë etnike të rajoneve të banuara ekskluzivisht nga shqiptarë.”
Këtyre Komisioni iu shtonte edhe konstatimet e veta, duke thënë se “në fshatrat gjysmë të shkretuara, kur ato nuk ishin tërësisht të braktisura…, atyre iu mjaftonte që t’iu vinin zjarrin. Të paralajmëruar nga ndriçimi i zjarreve njerëzit largoheshin me nxitim të madh. Një migrim i vërtetë popullsish po kryhej…. Përgjatë hekurudhës vijonin radhë të pafundme karrosh, qerresh me buaj, të ndjekura nga familjet e emigrantëve dhe në rrethinat e qyteteve të mëdha ne gjetëm të vendosur grupe të ikurish.”
Këto rreshta duket sikur iu referoheshin ngjarjeve që ndodhnin jo në vitin 1913, por rreth 90 vjet më pas, kur në këto rajone kishte sërish të vrarë, gjak, plagë, shtëpi të djegura, të shkatërruara, vend i shkretuar, radhë të pafundme njerëzish, të lodhur, të rraskapitur, me dhimbje e plagë shpirti. Tabloja dhe imazhi nuk dallonin shumë me përjashtim të faktit që vendin e karrocave dhe qerreve e kishin zënë traktorët dhe kamionët. Mijëra burra, gra, fëmijë e pleq, hipur mbi ta ose edhe në këmbë ecnin pa u ndalur për t’iu larguar të keqes që i ndiqte nga pas. Ecnin drejt një shprese, drejt një destinacioni, që edhe pse i panjohur, dihej se ishte toka e tyre, atdheu i vet i munguar. Më tej, në Kukës, në mbarë Shqipërinë, sikurse edhe në Maqedoni, Mal të Zi dhe vende të tjera, zhvilloheshin aktet e tjera të dramës së nisur në qytetet dhe fshatrat kosovare. Aty ndalte për pak çaste rrugëtimi rraskapitës i dhjetëra e qindra mijëra njerëzve që iknin përmes “shiut të plumbave” të ushtrisë serbe.
Në mesditën e 28 marsit 1999 kishin kaluar Morinën dhe kishin marrë rrugën e Kukësit rreth 300 vetë nga Krusha e Madhe dhe Krusha e Vogël. Ishin ata që shpëtuan nga masakra e forcave serbe e datave 25, 26 dhe 27 mars. Tragjedia e Krushës së Madhe dhe Krushës së Vogël, ishte pjesë e operacionit famëkeq “Patkoi”, që kishte për qëllim neutralizimin e aksioneve çlirimtare të UÇK-së. Në masakrën e Krushës së Vogël u vranë 113 vetë nga mosha 13 vjeçare deri në atë më të vjetrin, ose rreth 70% e 178 meshkujve. Në Krushën e Madhe, siç shkruan Hashim Thaçi, u krye një ndër krimet më të mëdha të shtetit të Serbisë kundër popullatës civile shqiptare. Përfaqësuesit e Tribunalit të Hagës gjetën 2 krematoriume, 8 varreza masive dhe 243 të vrarë – gra, fëmijë dhe pleq, çka ka bërë që masakra të cilësohet si Aushvici i Krushës së Madhe. Mbërritja e tyre në Kukës u pasua nga “ortekë” të tjerë refugjatësh prej dhjetra e qindra mijëra vetësh, kryesisht gra, fëmijë e të moshuar. Ata vinin në këmbë, mbi traktorë dhe automjete të tjera dhe mbushnin çdo hapësirë të lirë në qytet, në rrethinat e tij dhe në rrugën Morinë – Kukës. Siç thuhet në librin librin “Kukësi në 79 ditë”, streha e parë ishin shtëpitë e kuksianëve dhe pastaj, kur numri rritej, strehë bëhej çdo mjedis, nga sheshi qendror, hapësira ndërmjet xhamisë dhe ndërtesës së Prefekturës, ish-këndi i lojërave për fëmijë, mjediset e brendshme të magazinave, xhamia dhe Pallati i Kulturës “Hasan Prishtina”, hapësirat rreth tyre, traktorët etj. Gjëndja rëndohej sepse në qytet mbaronte buka, mielli dhe mallrat e tjerë ushqimorë, ndërsa fluksi i të ardhurve shtohej pandërprerë. Autoritetet shqiptare vunë me shpejtësi në dispozicion miell dhe ushqime nga rezervat e shtetit, rreth 20 mijë çadra etj.
Njerëzit e Kosovës ndalnin në Kukës “për të marrë frymë” nga lodhja, traumat, dëshpërimi, për të shkarkuar dhimbjen për njerëzit e vrarë e të masakruar, për shtëpitë e rrënuara, për dëbimin nga trojet e veta. Më pas niseshin me kolona automjetesh për në qytete të tjerë. Por qyteti mbetej kurdoherë plot. Apartamentet e banorëve vendas ishin të tejmbushura, po ashtu shkollat, magazinat e braktisura etj. Aty kishin mbërritur gjithashtu edhe rreth 500 gazetarë të huaj.
Me porosi nga MPJ, më 29 mars 1999, i kërkova takim Drejtorit të Organizatës Ndërkombëtare të Migracionit, Brunson Mackinley, i cili më dëgjoi me vëmendje të veçantë dhe më premtoi se do të bënte gjithëçka ishte në kompetencën e organizatës që drejtonte, për të lehtësuar gjëndjen e refugjatëve kosovarë.
Tre ditë më vonë, më 1 prill, i mbushur me shqetësim e dhimbje të thellë nga aktet e shumta të kësaj tragjedie që luhej me fatet e vëllezërve tanë të përtej kufirit, do t’i drejtohesha seancës plenare të KDNj, në atë që u quajt Debat special për Kosovën, duke thënë ndër të tjera se “Ajo që po ndodh sot në Kosovë nuk është një episod i izoluar dhe as i rastit. Është vazhdim i një politike konstante dhe i përpjekjeve të dështuara të Beogradit për të realizuar ëndrrën shekullore të qarqeve shoviniste serbe, spastrimin etnik në Kosovë. Është një nga aktet më të rënda në historinë e popullit shqiptar të Kosovës, i cili që prej gjysmës së dytë të shekullit të kaluar ka qënë sistematikisht viktimë e shovinizmit serb. Siç jeni në dijeni, brenda një kohe shumë të shkurtër, mbi 500 mijë persona janë dëbuar nga Kosova. Mijëra të tjerë janë mbledhur në kampe përqëndrimi dhe mbahen peng në vende ku serbët mendojnë se do të jenë objekt i sulmeve ajrore të NATO-s. Sipas dëshmive të refugjatëve, qindra dhe ndoshta mijëra të tjerë janë vrarë egërsisht. Këto masakra çnjerëzore si dhe shkatërrimi total i qindra fshatrave dhe qyteteve shqiptare, që tregojnë vënien në jetë nga ana e Beogradit të politikës së tokës së djegur, përbëjnë një katastrofë humanitare në përpjestime të pashembullta. Ky është një nga aktet më të rënda në historinë e popullit shqiptar të Kosovës, i cili që nga gjysma e dytë e shekullit të kaluar ka qenë sistematikisht viktimë e shovinizmit serb.”
Çmimi Nobel i Paqes për Kukësin?!
“Qyteti i Kukësit, gjatë kësaj krize, mbajti dhe përballoi barrën më të rëndë të pasojave të krizës… Në këtë qytet prej vetëm 15 000 banorësh, të mbidhjetëfishuar nga refugjatët kosovarë, nuk pati asnjë incident, asnjë grabitje, asnjë vrasje dhe asnjë akt tjetër të tillë, madje as në rrethinat dhe rrugët e rrënuara, gjatë transportit të të shpërngulurve kosovarë. Vetë qytetarët e Kukësit treguan një përkujdesje të veçantë në trajtimin e refugjatëve kosovarë, kujdes i cili i vuri pritë përhapjes së epidemive dhe vdekjeve… Shumë nëna kuksiane u kthyen në nëna edhe për shumë fëmijë të Kosovës, të ngelur jetimë pas masakrimit të prindërve të tyre nga forcat policore serbe. Gjatë kohës së krizës së Kosovës, qyteti i Kukësit u bë një simbol i gjallë i humanizmit dhe paqes.” Vlerësimet e mësipërme bëheshin në një letër që mban datën 5. 2. 2000, të cilën Kryeministri shqiptar i asaj kohe, z. Ilir Meta, ia drejtonte znj. Sadako Ogata. Nëpërmjet saj kërkohej ndërhyrja “pranë Komitetit të Institutit norvegjez të Çmimit “Nobel” për Paqen, për të përkrahur e mbështetur qytetit shqiptar verior të Kukësit si kandidaturë për dhënien e Çmimit “Nobel” të Paqes.”
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Kabineti i Kryeministrit na shkruan që të ndërhynim te organizatat ndërkombëtare në Gjenevë për t’iu kërkuar që edhe ato të lobonin në Komitetin e Institutit norvegjez të Çmimit “Nobel” për Paqen. I kërkova takim znj. Ogata, e cila më priti menjëherë. Pasi iu referova përmbajtjes së letrës, i fola për “sakrificat e banorëve të Kukësit për pritjen dhe strehimin e refugjatëve kosovarë duke kryer kështu një akt të paprecedent në historinë e njerëzimit.” I kujtova se para disa vitesh, Çmimi “Nobel” i ishte dhënë një shqiptareje, Nënë Terezës, duke i theksuar se populli shqiptar i trashëgon këto virtyte fisnike. Banorët e Kukësit, pjesë e këtij populli, e meritojnë vlerësimin me këtë çmim.
Zonja Ogata më bëri të ditur se Kukësin dhe banorët e tij, kishte patur rastin t’i njihte gjatë vizitës që kishte bërë në atë qytet në kohën e luftës në Kosovë. Foli me admirim e simpati për humanizmin, bujarinë, mikpritjen dhe solidaritetin e tyre me refugjatët kosovarë, që meritojnë të vlerësohen me një çmim të tillë. Por shpjegoi se Komisariatit i vijnë me qindra kërkesa për mbështetje propozimesh për dhënie çmimesh të ndryshme që e vështirësojnë ndërhyrjen e saj dhe, në rast se do ta bënte një gjë të tillë, mund të krijonte komplikacione e precedentë të papëlqyer, megjithatë ajo premtoi se do të përpiqet ta bëjë një gjë të tillë në rrugë të tjera.
Kërkesën e kryeministrit shqiptar për mbështetjen e kandidaturës së Kukësit për Çmimin “Nobel” për Paqen, me nismën tonë, ia transmetuam në 5 mars 2000 edhe Drejtorit të Përgjithshëm të OIM, z. Brunson Mackiley, gjatë një dreke, ku merrte pjesë edhe zëvendëspërfaqësuesi i përhershëm i misionit amerikan Michael Arietti. Pranoi menjëherë, duke premtuar se do të ndërhynte energjikisht, por për të vepruar priste letrën e Kryeministrit. Gjatë drekës u bisedua gjerësisht rreth çështjes së Kosovës, krizës së rëndë në atë vend, kontributit të OIM, organizatave të tjera ndërkombëtare, Shqipërisë dhe vendeve të tjerë. Z. Mackinley, i karakterizuar nga ndjenja objektiviteti dhe paanshmërie, ishte takuar ato ditë në Bruksel me Bodo Hombah, drejtues i Paktit të Stabilitetit. Më njoftoi se kishte biseduar edhe rreth nismës së krijimit të një organizmi permanent rajonal dhe me këtë rast kishte propozuar kandidaturën e Tiranës për vendosjen e selisë së tij…
Mbështetje i kërkuam edhe Presidentit të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, Jakob Kellenberger si dhe Presidentes së Federatës Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq, Dr. Astrid N.Heiberg.