Blerta Basholli do të udhëheqë me kulturën në Prishtinë, ky vendim vjen nga Shpend Ahmeti

Yll Rugova ishte drejtori i fundit i Drejtorisë për Kulturë në Komunën e Prishtinës, dhe si pasojë e përplasjeve politike, ky i fundit pat dhënë dorëheqje nga ky post, shkruan KultPlus.

Ka disa muaj që kjo drejtori është udhëhequr me ushtrues detyre, kurse prej sot, kjo drejtori ka udhëheqësin përkatës.

Blerta Basholli është emëruar në krye të kësaj drejtorie, për të cilën ka njoftuar kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti. Blerta Basholli njihet për punën e saj si regjisore në disa projekte filmike./KultPlus.com

‘Votuesit duhet këshilluar që të mos e shikojnë flamurin partiak, por flamurbartësin’

Shkruan: Kim Mehmeti

“Nëse vajzave duhet dhënë këshillën e njohur se, nuk duhet ta shikojnë makinën e shtrenjtë, por djalin që e drejton atë – ngaqë fëmijët nuk do i ngjajnë dhe nuk do e kenë baba veturën, por drejtuesin e saj – atëherë votuesit duhet këshilluar që të mos e shikojnë flamurin partiak, por flamurbartësin, ngaqë veprimet politike i përcakton koka e atij që e bartë shtizën, e jo flamuri që valëvitet në të!” (Kim Mehmeti)

Jam fëmija që iu frikësua edhe bombardimeve të shpëtimit

Kreshnike Osmani

Një copëz jetë nga ditari im

Unë jam fëmija që e përjetoi vitin 1999!
Jam fëmija i turmës dhe traumave, 
Jam fëmija që i bëra gjashtëdhjetë e pesë kilometra n‘këmbë, vetëm tetë vjeçare!
Jam fëmija që i mbijetoi sulmit në një prej kullave të fshatit!
Jam fëmija që kaloi trupa t‘ vdekun n’ tokë!
Jam fëmija që i bëra dy ditë gjumë, në bankën e një prej shkollave t’ fshatit!
Jam fëmija që i pash muret e ngjyrosta në të kuqe!
Jam fëmija që e ndau kafshatën e gojës me dikë tjetër! 
Jam fëmija që dija ta mbaja qetësinë e kolonës!
Unë jam fëmija që i shpëtoi ortekut të borës, fëmija që e përjetoi acarin deri në palcë!
Jam fëmija i xhamive dhe kishave që u bënë strehim për mua.
Jam fëmija që me trupin tim ushqeheshin insektet. 
Jam fëmija që kishte frikë për babin e mamin!
Unë jam fëmija që tre muaj më m’ bajti mali, u ushqeva nga ai, u bëra shok më të!
Jam fëmija që iu frikësua edhe bombardimeve të shpëtimit!
Jam fëmija që u frikësua edhe nga ushtari i NATO-së!
Jam fëmija që një kohë të gjatë nuk qesha!
Jam fëmija i shpëtimit! 
fëmija, që kujtojnë gjithçka!
Jam fëmija i…

Jam ai fëmijë, që më bëri kjo që jam sot!/ KultPlus.com

Të premten promovohet libri i Sindi Muharremit

Autorja tetë vjeçare Sindi Muharremi do të promovoj librin e saj të parë me poezi “Arushi prej pelushi”,  i cili doli në shitje këto ditë. Libri ndodhet në librarinë “Artini” në Prishtinë.

Sindi tregon se ka filluar të merret me poezi që në moshën 7 vjeçare, ku ka trajtuar jetën reale të saj në përgjithësi, duke e përdorur nga pak edhe imagjinatën e saj.

Poezi në këtë libër vogëlushja i ka kushtuar edhe këngëtares Dua Lipa, pasi që është këngëtarja e saj e preferuar. Shtëpia botuese e këtij libri është “Zero print”. Recensent i librit është prof.Vjollca Dibra si dhe redaktor prof. Xhevat Syla, ndërsa ballinën dhe ilustrimet i ka realizuar Flamur Krasniqi. Ky libër gjithsej përmban  49 poezi. Promovimi i librit do të mbahet më 29 mars, në ora 11:00 në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës./KultPlus.com

Flautistja Entela Demi u prezantua me koncert në Akademinë e Arteve në Tiranë

Flautistja Entela Demi, në mbrëmjen e së hënës është prezantuar me koncert nën përcjelljen e orkestrës simfonike të Akademisë së Arteve në Tiranë, shkruan KultPlus.

Ky koncert është prezantuar nën dirigjimin e Petrika Afezolli, ku Entela Demi është prezantuar me koncert për flaut dhe orkestër në ne D-dur – C.

Entela Demi deri më tash është prezantuar në disa koncerte, ku për prezantimet e saj disa herë edhe është shpërblyer, si në ARS Kosova, në garat ndërkombëtare “Pjetër Gaci”, në Shkodër. Ajo poashtu ka marë pjesë edhe festivalin DAM, sikurse edhe në prezantime të tjera brenda dhe jashtë Kosovës./KultPlus.com

I pari që fal do të jetë më i fortë, ndërsa i pari që arrin të harrojë, do të jetë më i lumtur

Fal dhe harro, kjo është mënyra e vetme me të cilën ne mund të ndihemi më mirë edhe me veten tonë. Vetëm duke harruar, ne mund të themi se e kemi kaluar plotësisht atë që na ka lënduar dhe që ka qënë e rëndë për ne.

Duhet ta pranojmë se njerëz të këqinj ka kudo; njerëz që duan t’i shohin të tjerët keq ekzistojnë kudo; njerëz që nuk pendohen për gabimet e tyre po ashtu vihen re kudo. Nuk e kemi ne në dorë për ta ndryshuar gjithë realitetin që ekziston. Ne mund të përpiqemi, por duhet një përpjekje madhore dhe me përfshirje masive që të ndryshojë diçka, por deri në një moment të tillë, gjithçka e ligë që na bëhet, do të na dëmtojë. Kjo është arsyeja se pse duhet të falim përherë, thuajse çdo ditë, duke kuptuar se ligësia është pjesë e karakterit të dikujt që nuk është mjaftueshëm i fortë për t’i përballuar problemet e veta dhe zgjidhjen e vetme ka të lëndojë edhe të tjerët, për t’i parë edhe ata keq. Ndaj, ne nuk duhet të bëhemi pjesë e stuhive që nuk na përkasin ne dhe në errësirën që nuk është pjesë e udhëtimit tonë. Falja është një nga strategjitë më të mira të mbijetesës, pasi vetëm kështu mund të ndihemi se jemi të fortë. Të gabosh është njerëzore, pra është në duart e gjithsecilit, ama të falësh është hyjnore. Fal pa marrë parasysh që të kanë lënduar; fal sepse je mjaftueshëm i/e fortë, sa për të mos u kapur pas së shkuarës.

Por çfarë ndodh pas faljes? A duhet të mjaftojë me kaq gjithçka?

Dua të citoj një thënie të Ismail Kadaresë: “Të falësh nuk do të thotë të harrosh”. Dikush e interpreton në të njëjtën mënyrë dhe mbështet të njëjtin mendim. Dikush tjetër thotë se të falësh do të thotë edhe të harrosh, pasi ndryshe nuk do të quhej falje. Personalisht mendoj se duhet të kesh një forcë shumë të madhe për të falur gjithçka që të bëhet, por duhet edhe ta duash mjaftueshëm veten për të harruar gjithçka që të jesh i/e lumtur. Të falësh do të thotë ta bësh tjetrin të kuptojë se ti ke harruar të shkuarën, ndaj bëje këtë gjë. Harro dhe lëre të shkuarën pas krahëve. Kështu do të jesh tepër i lumtur për të ecur përpara në jetë. Mos jeto me hijet e së shkuarës. Nuk ia vlen, më beso! / bota.al/ KutPlus.com

Momenti i parë kur Shyhrete Berishës pas lufte nuk i lejohet të futet në shtëpinë e saj (VIDEO)

Pas vendimit të Gjykatës Themelore të Prizrenit që Shyhrete Berishës i takon gjysma e shtëpisë dhe e njeh si pronare legjitime të shtëpisë në të cilën i’u kishin vrarë nga forcat serbe burri dhe fëmijët e saj.

Shyhrete Berishës nga familjarët e bashkëshortit tashmë të ndjerë i’u kishte mohuar për vite më radhë pronësia e shtëpisë, shkruan GazetaBlic.

Në një dokumentarë të realizuar nga Parrotlla është një sekuencë kur Shyhrete Berisha pas luftës për herë të parë viziton shtëpinë e saj dhe nuk lejohet të futet brenda.

Familjarët e bashkëshortit të saj të vrarë në luftë i’a kishin lëshuar me qira shtëpinë OSCE duke e lënë atë jashtë shtëpisë ku i’u vranë fëmijët.

Momentet e dhimbshme kur Berishës nga zyrtarë të OSCE i kumtohet lajmi se ata nuk e njohin atë si pronare mund t’i shihni në videon më poshtë prej minutës së 18:34.

Shqiptarët, populli më i ‘paditur’ në gjuhën angleze

Rreth 840 milionë njerëz flasin anglisht në mbarë botën. E njohur si gjuha globale e biznesit, ka 335 milionë njerëz në planet që e flasin atë si gjuhë të parë dhe 505 milionë që e flasin atë si gjuhë të dytë.

Ndërsa sasia ka rëndësi, cilësia gjithashtu luan një rol thelbësor, veçanërisht kur bëhet fjalë për gjuhët. Aftësia e nevojshme për të komunikuar dhe kuptuar çështjet gjuhësore dhe vendet që mburren me numrin më të lartë të folësve, nuk mund ta pasqyrojnë atë domosdoshmërisht. Jo çuditërisht, Europa ka zotësinë më të fortë të të folurit të gjuhës angleze ndaj çdo rajoni në botë.

Ndonëse dalja e Britanisë së Madhe si pjesë e BE-së nuk mendohet se do të ketë një ndryshim masiv. Duke përdorur indeksin e aftësisë angleze (EPI), aftësia e folësve anglisht në vende të ndryshme mund të përcaktohet lehtësisht, ashtu sikurse përllogaritet edhe përqindja e personave që nuk e flasin dot gjuhën angleze, ose siç emërtohet “injorantë’ në gjuhën angleze.

Sipas një harte të përpiluar nga MapChart, me të dhënat e Indeksit EPI, Shqipëria rezulton me përqindjen më të lartë të ‘injorantëve’, me vetëm 17% të popullsisë që e njohin dhe e flasin mirë gjuhën angleze. E njëjta panoramë duket edhe për të gjithë rajonin e Ballkanit.

Duke përjashtuar vendet që flasin anglisht, si SHBA dhe Britania e Madhe (ku aftësia është natyrisht e lartë), vendet më të mira me aftësi më të lartë në gjuhën angleze janë: Holanda (71.45); Suedia (70.40); Danimarkë (69,93); Norvegjia (67.77); Singapori (66,03); Finlanda (65,83); Luksemburgu (64.57); Afrika e Jugut (63.37).

Duke lënë mënjanë hegjemoninë gjuhësore, anglishtja zakonisht është një shenjë e mirë për zhvillimin e një vendi dhe ka një lidhje me kualitetin e lartë të jetës dhe të ardhurat mesatare. Është gjithashtu një aftësi bazë për të gjithë fuqinë punëtore globale./Monitor

ToniBler dhe Klinton në Kosovë, mediet e huaja shkruajnë për Klinton Bajgorën e ToniBler Dajakun

AFP shkruan për falënderimin shqiptar që kanë për forcat e NATO-s, që kanë ndërhyrë  para 20 viteve për të ndaluar gjenocidin e serbëve mbi Kosovën, dhe të njëjtit kanë shkruar se si familjet shqiptare kanë pagëzuar edhe fëmijët e tyre me emrat e udhëheqësve të cilët patën ndikim në këtë ndërhyrje, si Bill Clinton e Toni Bler.

Ky medium ka vënë në pah Klinton Bajgorën e ToniBler Dajakun, por duke shtuar se familjet e Kosovës kanë pagëzuar edhe vajzat me Madeline, në shenjë mirënjohje për Madeleine Albright.

Ky medium ka shkruar se Klinton Bajgora tashmë është 16 vjeç.

“Pa Clinton, ne të të gjithë do të ishim të vdekur, ky vend nuk do të ishte i pavarur, dhe unë nuk do të luaja futboll me shokët e mi,” ka thënë djali nga Dobratini, 30 kilometra në veri të Prishtinës.

“Ishte e vetmja mënyrë për ta falenderuar atë. Nuk mendoj se Kosova ka një mik më të mirë se Bill Clinton “, thotë nëna e tij, Selvije Bajgora, një amvise 50 vjecare.

Kurse për ToniBler, 18 vjeç ky medium citon. “Unë e mbaj këtë emër me krenari”, ka thënë ky i ri, i cili ka njoftuar se babai i tij kishte luftuar për UÇK.

AFP poashtu ka spikatë se në Kosovë ka edhe shumë të tjerë të pagëzuar me emra të Toni Blair e Bill Clinton./KultPlus.com

Ismail Kadare, tashmë pjesë e librarisë më të bukur në botë

Të përkthyer në rreth 50 gjuhë të huaja, librat e shkrimtarit Ismail Kadare tashmë mund të gjenden edhe tek “El Ateneo Grand Splendid”.

Kjo librari, e cila ndodhet në Buenos Aires të Argjentinës, është vlerësuar nga National Geographic si “libraria më e bukur në botë”. Pa dyshim, një ndër shkrimtarët më të rëndësishëm të letërsisë shqipe, Kadare është vlerësuar me çmime të shumta.

Përmendim këtu anëtarësimin në Akademinë e Shkencave Morale dhe Politike në Francë, çmimet prestigjioze si “Prince of Asturias Awards” apo “Man Booker International”, e deri tek nderimi që iu bë prej presidentit francez me titullin “Komandant i Legjionit të Nderit.”

Gazeta Shqip

Parada Shqiptare 2019 në New York, i dedikohet Çamërise

Ne takimin e parë të Parades Shqiptare për vitin 2019 organizatat Shqiptare në Nju Jork u mbledhen në shtëpin e Vatres në Bronx Nju Jork. Organizatat Shqiptare votuan të gjitha që parada Shqiptare 2019 ti dedikohet Çamërise dhe të perkujtojm 75 vjetorin e gjenocidid Shqipatar (Çam) nga shovenistet Grek! Në mbledhje mori pjes edhe deputeti i bashkis së Nju Jorkut Z. Mark Gjonaj. Greqija akoma nuk ka kërkuar falje dhe nuk e pranon gjenocidin! Përveq paradës shqiptare do ket edhe aktivitete tjera për të informuar komunitetin amerikan për gjenocidin që shteti Grek i beri popullsis të pa fajshme shqiptare.

Parada Shqiptare ështe me daten 8 Qërshor 2019 në Manhattan Nju Jork!

Duaje gruan edhe me gabime, ashtu siç do një libër të bukur edhe me gabime shtypi

Shkrimtari, publicisti, dhe anëtari i Akademise së Shkencave te Shqipërisë, Dritëro Agolli ka lindur në Menkulas të Devollit. Mësimet e para i mori ne vendlindje, të mesmen në Gjirokaster. 


Me veprimtarinë e tij, Agolli konsiderohet ikonë e letrave shqiptare, duke sjellë risi në Letërsinë shqipe. Shkrimtari ka vdekur më 3 shkurt të vitit 2017 në Tiranë. Më poshtë janë disa nga thëniet më të mira të Agollit.


“Gabimi i një doktori varroset në tokë. Gabimi i një arkitekti bie në tokë, kurse gabimi i një mësuesi ecën nëpër tokë”. 
“Vetëm gjuha e muzikës, verës dhe dashurisë nuk ka nevojë të përkthehet”.
“Nëse njeriu nuk ndjen as kënaqësi, as dhimbje; nëse nuk ndjen as gaz, as hidhërim, as shpresë, një gjë po jua them me ndershmëri dhe bindje, lëreni të vdesë”. 
“Ka fjalë që qajnë dhe lotë që flasin”. 
“Për të gjetur miqësinë e vërtetë kapërcehet lumi, për të gjetur dashurinë e vërtetë deti”. 
“U zumë të dy aq shumë për punën Dhe s’flasim dhe s’vemë e s’vijmë! Eh, budalla! Edhe dhëmbët zihen me gjuhën, Zihen dhe bashkë rrinë”. 
“Dashuria është një libër që e lexojnë të gjithë, por të paktë janë ata që arrijnë deri në faqen e fundit”. 
“Duaje gruan edhe me gabime, ashtu siç do një libër të bukur edhe me gabime shtypi”. 
“Dashuria nuk i dhuron, por i jep të gjitha. Ndofta kjo mund të mos jetë e përjetshme, por i përjetshëm mbetet çasti”. 
“E vërtetë e pabesueshme E mbajta në krah tërë ditën Edhe zemër i dhashë: ‘Mbahu!’ Të nesërmen ne fshat kur arritëm, U tha te tjerëve: ‘Më rrahu!’” 
“Jeta është e vështirë . Po vdekja ? Kur do të kthehet ndonjëri të na tregojë?”.

Vasfije Krasniqi në takimin me Dukeshën e Luksemburgut: Dhunimet e Kosovës do ti dëgjoj gjithë bota

Me rastin e ditëlindjes së saj më 23 mars, Dukesha Maria Tereza  në  Luksemburg, mirëpriti 50 të mbijetuar të abuzimit seksual, në mesin e të cilave ishte edhe Vasfije Krasniqi, e cila së fundi foli për tmerret që ka përjetuar gjatë luftës në Kosovë, si e mbijetuar nga dhunimet seksuale.

Vasfija bashkë me të mbijetuarit e tjerë kanë marë pjesë në Forumin Ndërkombëtarë të Dukeshës ” Stand Speak Rise Up! , që do të mbahet më  26 dhe 27 mars.

Vasfije Krasniqi tashmë ka shpërndarë fotografi nga pritja e Dukeshës, e cila ka shkruar se për dhunimet e Kosovës do të dëgjojë e gjithë bota.

Me Vasfije Krasniqin në Luksemburg po qëndron edhe Feride Rushiti, Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT)./KultPlus.com  

Haradinaj shkarkon zëvendësministren e Drejtësisë Vesna Mikiq

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj e ka shkarkuar sot zëvendësministren e Drejtësisë Vesna Mikiq, raporton KTV .

Shkarkimi ka ardhur një ditë pas Mikiq kishte thënë se “në ditën e sotme, para 20 vitesh ndaj një shteti sovran që një dekadë më herët luftoi kundër terrorizmit shqiptar në kuadër të kufijve të saj, është bërë qëllimisht gjenocid i planifikuar nga NATO”.

Lidhur me këtë shkarkim, kryeministri Haradinaj ka shkruar në Facebook:

Në Qeverinë dhe institucionet e Republikës së Kosovës, nuk kanë vend individët, pavarësisht përkatësisë etnike, që denigrojnë vlerat e përbashkëta euro-atlantike. Aq më tepër kur shteti i Kosovës është krijuar pikërisht në bazë të këtyre vlerave. Deklarata e zëvendësministres në Ministrinë e Drejtësisë, Vesna Mikiq, se bombardimet e NATO-s ishin gjenocid ndaj shtetit dhe popullit serb, janë të papranueshme dhe përkojnë me gjuhën e urrejtjes, që sanksionohen me Kushtetutë dhe ligj. Prandaj, sot kam liruar nga detyra zëvendësministren Mikiq.

Deklarimet e Vesna Mikiqit dje kanë shkaktuar shumë reagime.

Vlora Çitaku organizon pritje për nder të Gjeneralit Wesley Clark

Për nder të 20 vjetorit të ndërhyrjes ushtarake të NATO në Kosovë, ambasadorja e Kosovës në Washington DC, Vlora Çitaku ka organizuar një pritje për të falënderuar Gjeneralin Wesley Clark, i cili ka pasë një rol kyç në kohën e vështirë të Kosovës.

Çitaku për këtë ceremoni ka njoftuar nëpërmjet rrjetit social facebook, e cila ka ndarë edhe fotografi nga kjo pritje.

“Pata nderin dhe kënaqesinë e veçantë që me rastin e 20 vjetorit të ndërhyrejs ushtarake të NATO në Kosovë të organizoj pritje për nder të Gjeneralit Ëesley Clark. 
Dua të falenderoj Kryetarin e Komisionit për punë të jashtme të kongresit amerikan z. Eliot Engel per fjalimin domethënës. Jemi te inkurajuar nga prezenca dhe fjalim i ndihmes sekretarit per Europe zotit Phillip Reeker .Falenderojme zotin Jim O’brien, zotin Matt Palmer, Daniel Server, Mike Hatzel, Jim Hooper dhe shume e shume te tjere qe na nderuan sonte.
Falenderim i veçantë për komunitetin shqiptaro amerikan. Pa punën dhe sakrificën e tyre liria jonë do të ishte e pamundur.
Jemi te fortë, bashkë.”, ka shkruar Çitaku./KultPlus.com

Nuk dua të harroj, por të kujtoj

Erich Maria Remarque (fragment nga romani, “Thuamë se më dashuron”)

E dashura ime, mora prej teje një letër që më ka lumturuar.

Në të thuhet çdo gjë që një njeri mund t’i thotë një tjetri e sidomos thuhen ato që vetëm ti mund të m’i thuash. Secili nga ne është bërë tashmë aq shumë fat i tjetrit saqë fjalët mund të shkojnë këtu fare pak. E prapë se prapë çdo herë çuditem pa masë dhe jo për gjë, por nga fakti që në një kohë të rrëmujës së madhe, dy jetë kaq të ndryshme që kishin bërë aq e aq kërkime që shpesh hiqni dorë nga këto kërkime, u bashkuan kokërr për kokërr.

Sa ngrohtësi të pashpenzuar kam ende në veten time, kjo ngrohtësi është aq e madhe, sa mund të mbajë brenda zemra ime. Është e çuditshme si u kthye çdo gjë në dashuri. Si ndodhi që shumë gjëra që gjithë jetën i kam urryer, u bënë të rëndësishme e tërheqëse e të tjera gjëra që më parë i lakmoja e i kërkoja, u zhytën në harresë.

E ç’mund të jetë më i mrekullueshëm se zakoni, më e dëshirueshme se shpresa, çfarë mund të lumturojë më tepër se përputhja e plotë e ndjenjave tona.

Si ka mundësi që për mua çdo gjë që ekziston në këtë botë, ndriçohet nga këto rreze, të një ndjenjësi e të pafund! Sa larg e pa vlerë duket tani shkëlqimi i rremë i aventurave, shqetësimet, prirja fëminore për të prishur, shpenzim të parave pa kriter e harresë.

Nuk dua të harroj më, por të kujtoj që të mbledh sa me shumë për ne të dy.

Ti je kupë, je zemër e hapur për të tjerët, ti që je gjithmonë e gatshme. Unë të dua dhe çdo gjë tek unë rritet e turret prapë drejt teje.

Era fryn e lëkund kallinjtë që fëshfërijnë si krahë të mëdhenj. Përqafomë fort e dashur, përqafomë, sepse nganjëherë më kaplon frika nga gjerësia e plotësia e ndjenjave, aq të reja janë ato për mua. Mund të mendosh se malli i ngarkuar është më i rëndë se vetë anija dhe se tani po i çon era në det të hapur.

Kjo është një frikë e kotë dhe në përgjithësi nuk është fare frikë, vetëm se është grumbulluar aq shumë dashuri, saqë mbrëmjeve më erren sytë e çdo gjë mbulohet me hije; ja pra, sa shumë përulem e gjunjëzohem para asaj që ndiej.

Kjo është pjekuria e stinës së verës që ka mbjellë lulëzimin, megjithëse askush nuk ka mbjellë asgjë, kjo është një verë me bimë të egra e një dashuri e harlisur, një lule e bukur dhe e fortë e jetës, lule që ka qëndruar shumë kohë e vetmuar…/telegrafi/ KultPlus.com


Restoranti i parë nënujor evropian, është hapur në një bregdet të Norvegjisë (VIDEO)

Mbi 7,000 mysafirë kanë bërë rezervimet, që të jenë ndër të parët që shërbehen në restorantin e parë nënujor evropian.

I ndodhur në një bregdet të pjesës më jugore të Norvegjisë, objekti  nga jashtë, më shumë ngjanë sikur të jetë fundosur pjesërisht në Detin e Veriut, transmeton Telegrafi.

Under që në gjuhën norvegjeze nënkupton mrekulli, është ndërtuar nga e njëjta kompania që ka krijuar Pallatin e Operës në Oslo, si dhe memorialin 9/11 në New York.

“Kalimi nga rruga për në hapësirën nën ujë, është shumë e shpejtë. Këtu pamja është e mahnitshme, origjinale dhe jo akuarium” ka thënë një prej inxhinierëve.

Tavani i lartë tetë metra si dhe paneli gjigant prej xhamit, lejon 40 mysafirëve të shikojnë botën nënujore. Ndërtimi është i fortë dhe mund t’i përballojë të gjitha kushteve atmosferike, madje edhe valëve të fuqishme.

Mirëpo, të interesuarit për shërbimet e këtij restoranti, duhet të përgatisin 380 euro, për një drekë me disa lloje ushqimesh deti dhe specialitete të zonës. /Telegrafi/KultPlus.com

Miqësia frymëzuese e Granit Xhakës dhe djalit me sindromë down

Sot është Dita Botërore të Sindromit Down dhe kjo datë e shënuar po shënohet me aktivitete të ndryshme.

Edhe Granit Xhaka i është bashkuar kësaj dite të shënuar duke publikuar një video mjaft të veçantë dhe domethënëse.

Futbollisti shqiptar ka treguar se ka miqësi me një djalosh, i cili është i prekur nga ky sindromë dhe është tifoz i Arsenalit.

“Granit Xhaka dhe Julian kanë pasur një lidhje të veçantë me vite të tëra”, shkruan klubi londinez në kanalin zyrtar në YouTube.

Xhaka e kishte ftuar mikun në një udhëtim special në qendrën stërvitore dhe më pas luajti në Emirates pas triumfit ndaj Southamptonit.

Ndryshe, Granitin do ta shohim gjatë ditës së hënë në ndeshjen kualifikuese që Zvicra e zhvillon kundër Danimarkës, e cila sot do të ballafaqohet me Kosovën në Prishtinë./Telegrafi/KultPlus.com

“Tumankuqja” në versionin rege

Këngëtarja e njohur shqiptare e muzikës folk, Enkelejda Arifi ishte e ftuar në studion e “Ftesë në Pesë” me Bieta Sulon, për të folur rreth projekteve të reja muzikore.

Ashtu siç pritej, Enkelejda e ndezi atmosferën dhe këndoi disa prej këngëve më të pëlqyera nga publiku, duke u përqendruar kryesisht te muzika çame, raporton tch.

Ajo pranoi se “tumankuqen’ ia kërkojnë në çdo event që merr pjesë, madje ka filluar ta këndojë në stile të ndryshme.

Versioni jazz apo rege ishin ndër më interesantët, edhe pse këngëtarja zgjodhi të performonte vetëm versionin rege, për vetë faktin se version tjetër kishte nevojë për mbështetje vokale.

21 Marsi, Dita Botërore e Poezisë

Që nga viti 1999, 21 marsi është shpallur nga UNESCO dita botërore e poezisë. Vendimi i marrë në kongresin e 30-të të kësaj agjencie, zhvilluar në Paris, ka si objektiv kryesor mbështetjen e diversitetit linguistik përmes shprehjes poetike.

Në të njëjtën kohë, caktimi i një dite ndërkombëtare për poezinë bëhet edhe me qëllimin për t’i kthyer kësaj gjinie të letërsisë funksionin e saj të parë, traditën gojore.

Ndërsa në kohët antike, në Greqinë e lashta poemat e Homerit mësoheshin përmendësh nga aedët dhe recitoheshin kryesisht në ambiente publike tashmë duket se poezisë i ka humbur ky tipar i vet kryesor. 

Ekskluzive për KultPlus: Erza Muqolli kontratë me dy shtëpi muzikore në Francë

Erza Muqolli do të bashkëpunojë në këtë album me kompozitorin e njohur francez Vianney. I çertifikuar dy herë me albume platini, Vianney është një ndër këngëtarët dhe kompozitorët francez që është vlerësuar me çmimet më të rëndësishme në Francë dhe jashtë saj, shkruan KultPlus.

Erza Muqolli e cila ka shënuar një sukses shumë të madh me këngët e saj në Francë, tashmë ka nënshkruar kontratë me dy shtëpi muzikore në Francë, dhe brenda vitit do të prezantohet me albumin e saj të parë solo, shkruan KultPlus.

Mehmet Muqolli, menaxheri i Erza Muqollit ka konfirmuar për KultPlus se tashmë kjo kontratë është nënshkruar dhe këngët do të bëhen në bashkëpunim me tekstshkruesin, këngëtarin dhe kompozitorin më të njohur francez Vianney.

“Do të jetë një album shumë i veçantë, është duke u përgatitë një album madhështor, do të jetë një album i mirë jo vetëm për francezët, por edhe për shqiptarët. Ky projekt është një projekt që do të sjellë risi në muzikën franceze, por edhe në atë botërore”, ka thënë Muqolli për KultPlus.

Kurse Erza Muqolli ka treguar për KultPlus se ky album do të përbehet nga 12 këngë.

“Publikimi i albumit besoj që do të realizohet në fund të këtij viti, kurse videoklipi i parë po nga ky videoklip do të publikohet rreth muajit maj ose qershor”, ka thënë Erza Muqolli, e cila poashtu ka njoftuar se ky album do të shënojë edhe rrugëtimin e saj në karrierën muzikore si e rritur.

Kurse Mehmet Muqolli ka treguar se tematika e këngëve do të jetë e ndryshme, por ai ka thënë se ka edhe dicka shumë të rëndësishme rreth këtij albumi, por sipas tij, ai këtë eksluzivitet do ta ndajë poashtu me KultPlus, sapo të vijë momenti i duhur.

Erza Muqolli me këngët e saj si e vogël është konsideruar si një ndër fëmijët më të suksesshëm në Francë. Ajo poashtu është prezantuar në skenë edhe me artistët më të mëdhenjë shqiptarë si: Dua Lipa, Inva Mula e artistë të tjerë të rëndësishëm.

Kurse ky bashkëpunim me kompozitorin e njohur francez, konsiderohet të jetë një etapë tjetër për Erza Muqollin, pasi që përgatitjet rreth këtij albumi premtojnë sukses të madh./KultPlus.com

Në Arizonë të SHBA-ve u dha premiera e filmit “Lufta ime e fshehtë” nga Rina Hajra

Në kinemanë Pollack Tempe Cinemas, të qytetit Tempe të Arizonës u shfaq premiera e filmit me metrazh të shkurtër “Lufta ime e fshehtë” (“My Sekret War”). Skenariste dhe producente është Rina Hajra, e cila në këtë film luan dhe rolin kryesor. Regjinë e ka bërë Kevin R. Phipps, kurse rolet kryesore i luajnë Harlie Phipps, David Aulov, Jason Isaak, Andrew DeCarlo, Shane Dean, Jared Keesling, Kristina Sabbagh e të tjerë. Kameraman është Nicholas Fornwalt, autor i muzikës Bruce Bray, kurse producent ekzekutiv Allen Valor.

Filmi u shfaq më 14 mars 2019 për afro 200 mysafirë të ftuar (shqiptarë e amerikanë), ku ishin të pranishëm edhe pothuaj gjithë ekipi realizues i filmit. Para fillimit të shfaqjes së filmit, Rina Hajra, e cila pasi ka përfunduar studimet për drejtësi e aktrim në Universitetin Shtetëror të Arizonës (Arizona State University), aktualisht është studente e shkallës së tretë, dega e aktrimit (njëherësh dhe mësimdhënëse), në Universitetin Shtetëror të Ohajos (Ohio State University), falënderoi gjithë ekipin e filmit për punën e madhe që kanë bërë si dhe të gjithë ata që kanë ndihmuar materialisht realizimin e këtij projekti të filmik.

Filmi është një dramë psikologjike e luftës për shpengimin, faljen dhe efektet e luftës. Një vajzë e re ballafaqohet me vendimin e errët që ajo kishte qenë e detyruar ta bënte si fëmijë gjatë luftës. Filmi përqendrohet në psikologjinë e njeriut, se si ai gjen forcë që t’i tejkalojë tragjedinë edhe sfidat dhe çfarë pasoja të tmerrshme shkakton lufta. Mision i filmit është që t’i frymëzojë njerëzit të jenë më paqësorë, të luftojnë për drejtësi, ta kuptojnë tragjedinë e luftës dhe të kenë forcë njerëzve që t’i tejkalojnë të këqijat në jetën e tyre.

Pas përfundimit të filmit që u prit me duartrokitje të gjata, po edhe me lot, pasuan pyetje të shumta për autoren e filmit, e cila u përgjigjej me shkathtësi. Krejt në fund, pasi spektatorët e kishin mbuluar Rinën me tufa lulesh të freskëta, të gjithë dolën në hollin e kinemasë ku ishte shtruar tapeti i kuq dhe bënë fotografi të shumta me autoren e filmit dhe me anëtarë të tjerë të ekipit të filmit./H.H/ KultPlus.com

I mahnitur nga zëri i saj, Kanye West do të bashkëpunojë me këngëtaren shqiptare

Kanye West njoftohet se po shqyrton mundësinë e një bashkëpunimi me Dua Lipën për albumin e ri, “Yandhi”.

Reperi i famshëm raportohet se po planifikon të bëjë një bashkëpunim me këngëtaren shqiptare pas sukseseve të njëpasnjëshme të artistes sonë.

Çifti u takua në një nga restorantet e Los Angelosit gjatë ditës së diele dhe besohet se marrëveshja tashmë është arritur.

Një burim i afërt me dyshen ka konfirmuar për The Sun se “Kanye është shumë i impresionuar me zërin e Duas dhe e di që për momentin është këngëtarja më e kërkuar në botën e industrisë muzikore”.

“Ai ka disa këngë që mendon se Dua do të ishte e përkryer për të dhe është me të vërtetë e zellshme sa që dëshiron ta ketë në albumin Yandhi”, tha burimi.

Këngëtarja ‘New Rules’ ka qenë prej kohësh një fanse e muzikës së Kanyet dhe këtë e ka treguar në disa raste të ndryshme.

‘Yandhi’ akoma nuk ka ndonjë datë se kur do të dalë në shitje, megjithatë, pritet që në të të shfaqen edhe Ty Dolla Sign, 6ix9ine, Rihanna, Kid Cudi, Young Thug, Teyana Taylor, Lauryn Hill, Nicki Minaj./telegrafi/KultPlus.com

Themelohet Akademia e studentëve shqiptaro-amerikanë në New York

Në Queens të New York-ut, SHBA themelohet Akademia e studentëve shqiptaro-amerikanë.

Lajmi u bë i ditur nga Ministria e Shtetit për Diasporën, e cila thekson se të shtunën, më 16 mars 21 studentët e parë firmosën aktin e themelimit të saj.

Dega e “Vatrës” në Queens deklaroi publikisht se nisi nga funksionimi Akademia e studentëve shqiptaro-amerikanë. Akti i themelimit është firmosur nga 21 studentët e parë.

Në të njëjtën mbrëmje, dega e “Vatrës” në Queens me kryetar dr.Skënder Murtezani organizoi një veprimtari përkujtimore kushtuar 54-vjetorit të ndarjes nga jeta të themeluesit të “Vatrës”, editorit të parë të “Diellit”, dhe Atit të Kishës Autoqefale Orthodokse shqiptare, Fan S. Noli, si dhe përkujtimit të demonstratave të marsit të vitit 1981 në Prishtinë.