Malaga, qyteti i mrekullueshëm spanjoll ku vizitorët gjejnë gjurmët e Picassos kudo

Në qytetin e mrekullueshëm spanjoll të Malagës mund të gjesh sot gjithkund gjurmët e piktorit të famshëm botëror, Pablo Picasso.

Në shtëpinë e tij të lindjes, Casa Natal, vizitorët mund të shikojnë, këpucët e para të piktorit të famshëm. Në shtëpinë ku ka lindur, piktori kaloi dhjetë vitet e para të jetës.

Pablo Picasso lindi në vitin 1881 në jug të Spanjës dhe është ndër më produktivët e shekullit të kaluar. Sipas vlerësimeve, Picasso ka arritur të bëjë rreth 150.000 vepra arti në karrierën e tij.

Thuhet se lindja e tij ka qenë shumë e vështirë. Sa e vërtetë është kjo? “Nuk ishte e lehtë, xhaxhai i tij, Salvadori ishte mjek dhe ndihmoi në lindjen e Pisaccos. Në fillim fëmija nuk jepte shenja se po merrte frymë dhe ishte i gjithi blu. Xhaxhai pinte cigare dhe pasi provoi gjithçka, përdori në fund tymin e cigares. Dhe vërtet djali reagoi” – thotë José María Luna, drejtor i Casa Natal.

Pëllumbi i paqes

Në këtë shtëpi filloi edhe jeta artistike e Picassos. Babai i tij, José Ruiz Blasco, ishte mësues vizatimi dhe i mësoi të birit që herët teknikën e vizatimit. Po çfarë ka pikturuar Picasso si fëmijë?

“Në thelb ato që ka vizatuar edhe babai i tij. Pikturat e tij të pëllumbave ishin shumë të preferuara në tregun lokal në Malaga. Dhe pëllumbat janë shpesh të pranishme në veprat e Picassos. Në pllakatën e Kongresit Botëror të Paqes në vitin 1949 në Paris gjendet një pëllumb i vizatuar nga Picasso – një pëllumb nga Malaga që është kthyer në simbol të paqes” – tregon José María Luna, drejtor i Casa Natal.

Luftimet me dema

Rreth dhjetë minuta nga Shtëpia e Picassos ndodhet arena e luftës me dema “La Malagueta”, që Picasso e vizitonte me babanë. Arena, luftimet me dema, demat dhe kuajt janë motive të shpeshta në veprat e Picassos.

Luftimet me dema janë pjesë edhe e një nga veprave më të njohura të tij “Guernica”. Spanja porositi tek Picasso një punim për ekspozitën botërore 1937 në Paris. Në këtë vit u bombardua gjatë luftës civile edhe qyteti spanjoll Guernika. Picasso e paraqiti këtë katastrofë si një luftë mes demash.

Kubizimi

Në muzeun e Picassos në Malaga mund të mësosh më shumë për kubizmin, një lëvizje artistike botërore, por që famën e mori nga francezi Georges Braque dhe nga Pablo Picasso. “Kubizmi thyen traditat, që mbizotëronin që nga koha e Rilindjes – pra që pikturat duhet të krijonin efektin sikur të hidhje vështrimin nga dritarja, me një perspektivë unike. Picasso punonte shpesh me perspektiva të ndryshme në një punim, ndër të tjera në veprat kubiste” – thotë María José Valverde, drejtuese e muzeut./ VOA

Sopranoja Besa Llugiqi në veprën “Requiem” të Verdit në Teatrin e Operës dhe Baletit në Shkup

Teatri i Operës dhe Baletit të Maqedonisë së Veriut do të prezantojë veprën vokalo instrumentale “Requiem” të Verdit, vepër që do të prezantohet sonte në Shkup, shkruan KultPlus.

Në këtë mbrëmje do të prezantohet edhe sopranoja kosovare Besa Llugiqi e cila në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit do të ngjitet bashkë me solistët e tjerë:  Sanja Anastasia, Nikola Kitanovski e Igor Durlovski.

Solistët do të përcillen edhe nga kori dhe orkestra e Teatrit të Operës dhe Baletit të Maqedonisë së Veriut, dhe krejt ky prezantim do të bëhet nën dirigjimin e Emil Tabakov dhe nën përkujdesjen e mjeshtrit koncertal Vladimir Kostov./ KultPlus.com

Austriakja Hermi Kürner me ekspozitën “Austria dhe Shqipëria” në KultPlus Caffe Gallery

Hermi Kürner është një artiste austriake e cila si pasionante e udhëtimeve ka sjell në pah edhe pikturat nga vende të ndryshme, e që këtë herë vijnë nëpërmjet një ekspozite me punime artistike nga pamjet e Austrisë dhe Shqipërisë, shkruan KultPlus.

24 punime me teknikën e akuariel do të prezantohen në KultPlus Caffe Gallery, ekspozitë që do të hapet më 28 maj, në ora 19:00.

Vlora, Kruja, Ura e Mesit në Shkodër, Tirana, Shën Gjini dhe piktura nga vende të ndryshme austriake do të prezantohen në këtë ekspozitë, e cila do të sjell ngjyrat e artistes Kürner.

KultPlus Caffe Gallery po e sjell për herë të parë në Kosovë artisten Hermi Kürner, punimet e së cilës do të qëndrojnë për tri javë.

Kürner është pasionante e madhe e udhëtimeve, ajo edhe në Kosovë vjen me mercedesin e saj old timer nga viti 1974, e cila me makinat e saj ka përshkuar pothuajse shumicën e bregdeteve Slloveni, Kroaci, Mal të Zi e Shqipëri, pa përfshirë udhëtimet e saj në Evropë./ KultPlus.com

Rrëfimi i artistes Margarita Xhepa: Poezia e Naim Frashërit më ka ngjitur në skenë për herë të parë

Pasioni, dashuria për profesionin dhe puna e palodhur ishin ato që shtynë përpara artisten e madhe Margarita Xhepën që të arrinte majën e karrierës, pavarësisht vlerësimit të ulët monetar.

Që në fëmijëri, Xhepa kujton se poezia e shkrimtarit të madh Naim Frashëri, ishte indicia e rrugëtimit të saj kinematografik…

Poezia më ka ngjitur në skenë për herë të parë…më ka bërë përshtypje vargu i Naim Frashërit, “Shqipëri o nëna ime”, isha fare e vogël në bankat e shkollës, kur nisa ta interpretoj, dhe që nga ajo kohë, e kam dashur dhe do e dua gjithmonë poezinë….poezia është forca e fjalës. Mendoj se sot, marrëdhëniet njerëzore janë tronditur paksa, dhe në çdo poezi gjej plot ngjarje”, thotë aktorja.

Pa para, net pa ngrëne e pa gjumë, kështu e kujton Xhepa vështirësinë e suksesit…

Ka vështirësi ç’është e vërteta, unë e krahasoj me jetën tonë, kur shoh disa filma them shyqyr që i kam bërë, nuk kemi fituar gjë por ishte pasioni i  madh për punën. Ne kemi punuar pa para, sot janë të prirur më tepër të dhënë mbas fitimit. Është dashuri për profesionin. Janë xhiruar filma që punohej më orë të tëra pa u ankuar, shumë sakrificia, kemi fjet edhe pa ngrënë, nëpër dëborë, me filmin e fundit kemi qëndruar 8-9 orë në dëborë, të gjithë gra”, rrëfen ajo.

E teksa sot arti nuk ka më ‘fuqinë e dikurshme’, Xhepa bashkëpunimin me plejadën e vjetër të aktorëve e quan ‘koha e të mëdhenjve’.

Po të them 3 emra do të gaboj, por edhe 13 emra po të të them, prapë do të gaboj, ishte koha e të mëdhenjve…ishin aktorë të zgjedhur, që vinin me pasion të madh dhe në emër të artit. Ajo kohë nuk e di nëse do të ekzistoj më, ndihmonin njërit-tjetrin, bashkëpunim i ngushtë. Më mungojnë tani, kam nostalgji të madhe për atë kohë, për ato aktorë që mbeten të pa vdekshëm në memorien e aktorit”, shprehet e madhja Margarita Xhepa.

I vetmi peng  i artistes, ishte roli nga antikiteti…

Kisha peng të luaja mbretëreshën  e trojanit, te Euripidi, por një regjisor grek ma besoi dhe ishte rol i pjekurisë time artistike dhe fituam disa çmime, ai peng mu realizua”.

Xhepa ka një mesazh për të rinjtë sot: “Të rinjtë duhet të kenë dashuri përgjegjësi, të mos mendojnë direkt anën materiale, por mbi të gjitha të provojnë të bëjnë diçka cilësore dhe gjithçka vjen vetë, i ftoj ta duan artin, të mos kënaqen më pak.” / KultPlus.com

Nga familja Obama tek Elton John, mesazhet ngushëlluese në nder të Tina Turner

Emra të njohur të botës së muzikës dhe fansa i kanë bërë nderimet e saj këngëtares legjendare, Tina Turner e cila ndërroi jetë një ditë më parë në Zvicër në moshën 83-vjecare.

Beyonce e quajti yllin e hiteve “The Best” dhe “What’s Love Got To Do With It” si mishërimin e “pasionit dhe forcës”. “Ajo ishte me të vërtetë një interpretuese jashtëzakonisht e talentuar,” shkroi në rrjetet sociale Mick Jagger.

“Ishte frymëzuese, e ngrohtë, bujare dhe plot humor. Më ndihmoi shumë kur isha i ri dhe unë këtë, nuk do ta harroj kurrë,” shtoi ylli i Rolling Stones.

Sir Elton John e cilësoi Tina Turner një “legjendë totale në rekord dhe në skenë”. “Ne kemi humbur një nga performueset më emocionuese dhe elektrizuese që mund të ekzistojnë. Ajo ishte thjesht e paprekshme,” u shpreh këngëtari i madh.

Familja Obama e lavdëroi atë për “faktin që i këndoi të vërtetës si përmes gëzimit, ashtu edhe përmes dhimbjes. Atyre iu bashkua presidenti aktual i SHBA-së Joe Biden, i cili vuri në dukje sakrificat e këngëtares që e nisi jetën si bijë fermeri, ndërsa përshëndeti “talentin e saj të rrallë, që vjen një herë në brez”.

Lëvdata të mëdha patën për këngëtaren e ndjerë edhe Mariah Carey dhe Oprah Winfrey, të cilat e vunë theksin veç të tjerash tek forca e saj për të kapërcyer vite të tëra abuzimi në familje.

E pagëzuar si Mbretëresha e Rock ‘n’ Roll-it, zëri i Turner është krahasuar me një uragan, e po kështu edhe performanca e saj skenike ishte e pashoqe. E lindur në Tenesi dhe e rritur në kishë, këngëtarja preku majat e famës në vitet 1960.

Fillimisht në një grup me të shoqin Ike Turner, pas ndarjes ajo gjeti suksesin e saj të madh si artiste solo me hite, duke përfshirë What’s Love Got To Do With It, Let’s Stay Together, Steamy Windows, Private Dancer dhe temen e James Bondit,  GoldenEye.

Shumë prej homazheve iu referuan faktit që ajo arriti t`i largohej abuzimeve të bashkëshortit. Organizata e bamirësisë Women’s Aid zgjodhi pikërisht njërën nga këngët e Tina Turnerit për t`i bërë këngëtares këtë përshkrim: Ajo gjithmonë do të jetë thjesht më e mira./shqip/ KultPlus.com

Tina Turner: Për një kohë të gjatë besova se trupi im ishte një bastion i paprekshëm dhe i pathyeshëm

Ylli i “Rock and Roll”, Tina Turner, ka ndërruar jetë në moshën 83-vjeçare. Këtë lajm e ka konfirmuar dje zëdhënësi i saj. Në një deklaratë u tha se:

“Tina Turner, ‘Mbretëresha e Rock’n Roll’-it ka ndërruar jetë sot e qetë në moshën 83-vjeçare pas një sëmundjeje të gjatë në shtëpinë e saj në Kusnacht afër Zyrihut, Zvicër. Me të, bota humbet një legjendë muzikore dhe një model”.

Ylli i lindur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishte një nga këngëtaret më të pëlqyera të rrokut, e njohur për praninë e saj në skenë dhe një varg hitesh, duke përfshirë The Best, Proud Mary, Private Dancer dhe What’s Love Got To Do With It.

Por çfarë ndante Turner me fansat e saj dy muaj para se të ndërronte jetë?

83-vjeçarja ka bërë një postim të trishtë në “Instagram”, ku foli për problemet e saj shëndetësore.

Në Ditën Ndërkombëtare të Veshkave, më 9 Mars, Turner zbuloi se e vuri veten në ‘rrezik të madh’ duke mos e marrë seriozisht diagnozën e saj të hipertensionit të vitit 1978.

“Veshkat e mia janë viktima të faktit që nuk e kuptoja se presioni i lartë i gjakut duhej të ishte trajtuar me mjekësi konvencionale”, shkroi Turner, duke shtuar: “E kam vënë veten në rrezik të madh duke refuzuar të përballem me realitetin që kam nevojë për terapi të përditshme, të përjetshme me medikamente”.

Këngëtarja me famë botërore vdiq të mërkurën në shtëpinë e saj në Zvicër, pas një sëmundjeje të paspecifikuar. Mbetet e paqartë nëse veshkat e saj kontribuuan drejtpërdrejt në vdekjen e saj.

“Për një kohë të gjatë besova se trupi im ishte një bastion i paprekshëm dhe i pathyeshëm”, shkruante ndër të tjera në postimin e saj të muajit mars.

Ndërkohë në një intervistë rrëqethëse me “The Guardian” nga prilli, Turner zbuloi se nuk kishte frikë nga vdekja.

Ndërsa e pyetur se si do dëshironte që të kujtohej, ylli i muzikës përgjigjej:

“Si Mbretëresha e Rock ‘n’ Roll-it. Si një grua që u tregoi grave të tjera se është në rregull të përpiqen për sukses sipas kushteve të tyre”.

Yjet e ABBA tregojnë nëse do të shfaqen në skenën e Eurovision

Dy anëtarë të ABBA kanë këmbëngulur që ikonat suedeze të popit nuk do të performojnë në festivalin e ardhshëm të Eurovision.

Në një intervistë për t’u transmetuar në Britani të enjten, Björn Ulvaeus dhe Benny Andersson, e përjashtuan mundësinë që të performonin në finalen e festivalit, pavarësisht se Suedia do të organizojë Eurovision-in në vitin që përkon me 50-vjetorin e fitores së ABBA në Eurovision me këngën e famshme “Waterloo”.

Kombi nordik do të organizojë festivalin pasi këngëtarja suedeze Loreen fitoi konkursin e këtij viti.

“Unë nuk dua,” tha Benny Andersson. “Dhe nëse nuk dua unë, as të tjerët nuk duan. Është e njëjta gjë për të katërt ne. Nëse dikush thotë jo – është jo.”

Ulvaeus shtoi: “Ne mund të festojmë 50-vjetorin pa qenë ne në skenë.”

Grupi ABBA – që përbëhet edhe nga Agnetha Faltskog dhe Anni-Frid Lyngstad – fitoi famë ndërkombëtare pas suksesit të tyre në Eurovision në 1974.

Hite të tjera globale përfshijnë “Dancing Queen”, “Super Trouper”, “Money, Money, Money” dhe “Knowing Me, Knowing You”.

Xhudo u demonstrua për herë të parë si pjesë e FSK-së

Programi “Kosova, shtet i xhudos” po realizohet me plot rezultate dhe punë konkrete. Përveç komponentës, “Xhudo në shkolla – xhudistët e rinj”, që ka për qëllim të zhvillojë masovizimin dhe integrimin e dispilinës së xhudos në të gjitha shkollat dhe komunat e Kosovës, çertifikimit të trajnerëve, xhudistët elitarë tash janë zyrtarisht pjesë e FSK-së.

Demonstrimin e parë si pjesë e FSK-së e realizuan në ceremoninë e fillimit të ushtrimit më të madh ndërkombëtar ushtarak, “Defender Europe ’23” që u mbajt në Prishtinë./ KultPlus.com

Ambasada e Kosovës në ShBA ndërron lokacionin

Ambasada e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka njoftuar se e ka ndërruar lokacionin.

Këtë e kanë bërë të ditur përmes një njoftimi në llogaritë e kësaj ambasade në mediat sociale.

“Jemi të lumtur të ju njoftojmë se Ambasada është zhvendosur në një lokacion të ri”, thuhet në njoftimin e ambasadës së Kosovës në Uashington.

“Nga tani, mund të na gjeni në adresën: 3612 Massachusetts Ave NW, Washington, D.C. 20007”.

Luljeta Aliu zgjidhet anëtare e KPM-së

Më 48 vota të marra në Kuvendin e Kosovës, Luljeta Aliu tashmë do ta ketë një ulëse si anëtare e Komisionit të Pavarur për Media.

48 deputetë votuan për zgjedhjen e Aliut në pozitën e anëtares së KPM-së. Kundër-kandidatja e saj, e rekomanduar po ashtu për këtë pozitë, Violeta Hyseni-Kelmendi, mori 28 vota.

Kreu i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca konkludoi se votimi për zgjedhjen e anëtares së KPM-së nga radhët e grave, përfundoi me sukses në raundin e parë të votimit.

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) është një organ mjaft i rëndësishëm që ka kompetencat për rregullimin, menaxhimin dhe mbikëqyrjen e spektrit të frekuencave të transmetimit në Republikën e Kosovës./ KultPlus.com

MKRS: “Arti në shkolla” nisma që mund të arrijë rezultate transformuese

Programi më i ri qeveritar “Arti në shkolla”siç duket po sjell plot energji, mundësi e kreativitet artistik tek nxënësit e shkollave në të cilat po pilotohet.

““Artisti në klasë” është një nga pikat e tij më të veçanta, ku fëmijët po zgjerojnë njohuritë për operën, instrumentet muzikore, shfaqjet teatrale e aktrimin, pikërisht nga personat që ushtrojnë këto profesione. Aktivitetet po udhëhiqen nga artistë dhe ekipi profesional i institucioneve qendrore të kulturës”, thuhet në njoftimin e MKRS-së.

Ndër tjera në këtë njoftim të ministrisë kulturës  thuhet se u mbajt edhe  një koncerti u mbajt nën udhëheqjen e Operës së Kosovës dhe Korit Okarina.

“Rrugëtimi i programit ka vazhduar me një koncert në Shkollën e Muzikës, që u mbajt nën udhëheqjen e Operës së Kosovës dhe Korit Okarina. Koncerti u dha për rreth 200 nxënës të katër shkollave fillore “Selami Hallaçi” dhe “Sadullah Brestovci” nga Gjilani, “Ibrahim Uruçi” nga Bresalca dhe “Skënderbeu” nga Përlepnica. Koret performuan pika të ndryshme artistike, pjesë operistike nga autorë shqiptarë e kryevepra botërore”, thuhet në njoftim.

Përmes praktikave të tilla krijuese në kuadër të këtij pilot programi, po sigurohemi që brezi i ardhshëm të marrë një arsimim të plotë që përfshin artet, të identifikojmë talentët e rinj, të kultivojmë ndjenja kreativiteti si dhe të zhvillojmë kapacitetin për reflektime kritike tek fëmijët.

Dua Lipa dhe Versace lansojnë koleksionin, këto janë çmimet

Dua Lipa ka qenë prej kohësh një muzë për “Versace”. Ajo hapi dhe mbylli sfilatën Pranverë 2022 në Milano dhe ishte imazhi i fushatës Dimër 2021. Shpesh ajo është fotografuar në krah të Donatella Versace dhe ka parakaluar me fustane “Versace” në tapetin e kuq. Dua dhe Donatella e kanë çuar bashkëpunimin e tyre një hap më tej.

Dua njoftoi në rrjete sociale se ka bashkë-dizenjuar një koleksion për Versace, “La Vacanza”, i cili u prezantua në Kanë. Këtij koleksioni i është gëzuar pa masë Donatella Versace, e cila ka një miqësi të ngushtë me Duan. Për Donatellen, Dua është supermodelja e “Versaces”, superdizajnerja e “Versaces”.

https://www.versace.com/international/en/home/?fbclid=IwAR3GtjP-UnJ2lPZ-SWhhSO-RCtXnldK_NOS17NWucR0XCl81ZXCUQOH699w

Sonte në natën e tretë të PITF jepet shfaqja “Now you see her” nga Shqipëria

Shqipëria do të marrë pjesë në Prishtina International Theatre Festival me shfaqjen “Now you see her” me regji të Klaudja Pirolli.

Në një konferencë për media disa orë para shfaqjes e cila do luhet në Teatrin Kamertal në ora 20:00, regjisorja Klaudja Pirolli dhe aktorja Loredana Gjeçi thanë se mezi presin të dalin në skenë para audiencës nga Kosova.

“Kjo shfaqje flet për marrëdhëniet ndërpersonale të gruas, ka nevojë të flitet për këto marrëdhënie që shpeshherë nuk janë të dukshme”, u shpreh regjisorja Pirolli. Pas shfaqjes së sontme do ketë afterparty për të pranishmit të cilët do argëtohen me muzikë nga Dj Robi.

Kosova shpall të mbyllur emergjencën me Covid-19

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për mbyllje të emergjencës së shëndetit publik, pas tre vitesh betejë me pandeminë Covid-19.

Kërkesën për mbyllje të kësaj gjendje e bëri ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, gjatë mbledhjes së Qeverisë të mërkurën, prej ku tha se institucioni qe ai drejton ka marrë parasysh situatën epidemiologjike në Kosovë, dhe kërkesa e tij bëhet në përputhje me rekomandimin e Institutit Kombëtar për Shëndetin Publik dhe deklaratën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

OBSH, më 5 maj, duke theksuar tendencën në rënie të vdekjeve nga Covid-19 në gjithë botën, si dhe nivelet e larta të imunizimit të qytetarëve ndaj sëmundjes, këshilloi se është koha për të kaluar në menaxhimin afatgjatë të pandemisë.

“Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së përcakton se Covid-19 tani është një çështje shëndetësore e vazhdueshme që nuk përbën më një emergjencë të shëndetit publik me shqetësim ndërkombëtar”, thuhet në deklaratën e OBSH-së të cilën e përmendi ministri Vitia.

Members of the University Clinical Center of Kosovo in protective gear walk past a sign reading “Ambulance For Coronavirus” at the University Clinical Center of Kosovo in Pristina on March 14, 2020. – Kosovo reported its first coronavirus (COVID-19) case on March 13, 2020, in a 22-year-old Italian woman and a 77-year-old Kosovar man, both recently returned from Italy. (Photo by Armend NIMANI / AFP)

Dita Europiane e Parqeve, Rama ndan video nga Vjosa

Në ditën Europiane të Parqeve, kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetin e tij social një video me parqet natyrore në Shqipëri, mes tyre edhe Vjosën, i cili u shpall Park Kombëtar vetëm pak javë më parë. Rama shkruan se si asnjëherë më parë,  zonat e mbrojtura përbëjnë 21% të territorit shqiptar

“MIRËMËNGJESI dhe në Ditën Europiane të Parqeve me këtë buqetë të disa prej mrekullive të natyrës shqiptare, të ruajtura si zona të mbrojtura që si asnjëherë më parë sot përbëjnë 21% të territorit shqiptar, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.

Me vendim të Këshillit të Ministrave Vjosa u shpall Park Kombëtar, çka do të thotë se në nuk do të lejohet asnjë lloj ndërtimi që cenon lumin Vjosa. E gjithë sipërfaqja e lumit Vjosa, zona bregore, një pjesë e sipërfaqes tokësore, bashkë me tre degët e lumit Drino, Bënsh, Shushicës është shpallur Park Kombëtar, me një sipërfaqja totale 12 727 hektarë. Shpallja e lumit Vjosa si Park Kombëtar ndihmon ruajtjen e një prej lumenjve të fundit të egër të Europës. Ky status nuk do të mbrojë vetëm lumenjtë, por pritet të kthehet edhe në një burim të ardhurash për zonën.

Ramë Beqiri me ekspozitë personale në Gjenevë

Ramë Beqiri është artisti i njohur, i cili jeton dhe vepron prej disa vitesh, në kantonin e Gjenevës. Ai njëkohësisht aktron në disa teatro në Zvicër dhe jashtë saj. Piktori Beqiri në muajin e ardhshëm, pritet të hap një ekspozitë personale në Gjenevë për të zhdukurit në Kosovë.

Beqiri do të sjell për artdashësit zviceran historinë e dhimbshme të Kosovës dhe plagën e hapur për të zhdukurit e luftës, përmes një ekspozite në Gjenevë.

‘Në kujtim të të zhdukurve të luftës së Kosovës’ do të jetë motoja e ekspozitës që pritet të hapet me 12-20 qershor në kuadër të festivalit ndërkombëtar të filmit Fifog.

Pjesë e këtij festivali pritet të jetë edhe filmi shqiptar ‘I treturi’ me pas do pasoj edhe debati për këtë me pjesëmarrës regjisorin Arben Thaqi dhe aktori i njohur kosovar, Afrim Muçaj.

Rrëfehet violinistja Ina Kosturi: Kam bërë 16 vite shkollë, nuk mund ta kuptoj dot jetën pa muzikë

Ina Kosturi është një ndër violinistet më të talentuara shqiptare. Ajo aktualisht është pedagoge në Universitetin e Arteve dhe shkruan herë pas here pjesë të ndryshme muzikore.

Si rrallëherë, Ina ka bërë një rrëfim për jetën dhe karrierën e saj në emisionin “Pas Mesnate” në ekranin e ABC News. Ndër të tjera, ajo ka thënë se nuk e imagjinon dot jetën e saj pa muzikë, pasi ka bërë plot 16 vite shkollë për violinë.

“Nuk mund ta kuptoj dot jetën pa muzikë, është diçka që ti e nis nga fëmijëria. Ndoshta nuk e nis nga violina, e nis duke kënduar, improvizuar, pastaj merr një violinë dhe pastaj ndryshon mendoj unë. Merr një violinë se ajo është një instrument që kërkon shumë përkushtim, impenjim jo vetëm të studimit, por dhe impenjime të tjera të të qënit në skenë dhe kjo për mua ka qenë shumë e rëndësishme, ka qene ajo motoja kryesore. Kërkon studim të vazhdueshëm, pastaj duket se unë i kam devijuar ndonjëherë. Kam bërë 16 vite shkollë faktikisht”, u shpreh Ina.

Më tej, ajo theksoi se zakonisht frymëzimi i vjen natyrshëm dhe shkruan në një fletore të saj, të cilën e ka nisur që në klasën e dytë kur ishte ende fëmijë.

“Koha më e mirë për të shkruar që kam frymëzim është në darkë. Si të qëlloi është ajo, me kompjuterin përpara, ndonjëherë dhe me violinën.

Di që që kur kam qene fëmijë, kam nisur një herë një fletore. Mund të kem qene në klasën e dytë në shkollën “Kongresi i Përmetit”, pedagogia ime e parë fare ka qene Tefta Bogdo. Kisha fatin që ishte një zysh shumë e butë, në të kundërtën nuk do e kisha vazhduar violinën. Gjithmonë kam pasur atë dëshirën që të mos bënin atë lloj presioni, gjithmonë ka ardhur natyrale. Kam pasur fatin që edhe më vonë të kem pedagogë shumë të mirë, kanë qenë vellezërit dy instrumentistë që unë i shikoja në skenë dhe kisha kënaqësinë që unë të dilja në skenë”, rrëfeu violinistja./abcnews.al

Mira Murati nga OpenAI, folëse në edicionin jubilar të Dokutech në Kosovë

Shefja e teknologjisë në kompaninë OpenAi, që zhvilloi programin tashmë të popullarizuar ChatGPT, Mira Murati, përmes një video-mesazhi ka ftuar të gjithë që të marrin pjesë në edicionin jubile të konferencës së teknologjisë, Dokutech, që mbahet në Prishtinë më 27 dhe 28 maj.

Gjatë konferencës, Mira Murati do ta adresojë fjalimin e saj online, në të cilin do të flasë për misionin e OpenAI dhe planet e së ardhmes, transmeton albinfo.ch.

Gjatë nëntë edicioneve të kaluara, DOKUTECH ka shënuar suksese të mëdha, duke sjellë në Kosovë disa prej emrave më të njohur botërisht në fushën e teknologjisë dhe inovacionit.

Rrëmbeu fansat qysh në fillim të garës, Iam Tongi fitues i American Idol 2023 (VIDEO)

Qysh në fillim të garës, Ima Tongi u shndërrua në konkurrentin më të dashur të edicionit të 21 të American Idol, ku së fundi edhe u shpall fitues, shkruan KultPlus.

Ai në fillim u prezantua me këngën e James Blunt “Monsters”, këngë që i dedikoi babait të tij të ndjerë, dhe në finalen prestigjioze të kësaj gare, ai arriti edhe një ëndërr. Ai ndau skenën bashkë me James Blunt, ku të dytë kënduan këngën “Monster, ku Tongi shpërtheu në vaj.

Konsiderohet të jetë një shpërthim për këtë talent, pasi që është vetëm 18 vjet dhe arriti të mposhtë shumë konkurrentë për disa muaj sa edhe u zhvillua kjo garë.

KultPlus ju sjell video e performancës në fillim të kësaj gare dhe atë të finales./ KultPlus.com

Ka filluar “Arti në Shkolla”, Kori i Fëmijëve “Okarina” me koncert në Gjilan

Në kuadër të programit “Arti në Shkolla” të inicuar nga MKRS dhe MASHT, sot në shkollën e muzikës në Gjilan, Opera e Kosovës (EduOpera) ka mbajtur koncert me korin e fëmijëve “Okarina” nën udhëheqjen e Elikona Hysaj Shala, me mysafirë korin nga shkolla e muzikës në Gjilan nën udhëheqjen e Artan Jerliu dhe korepetitor Melos Buza, të cilët performuan fragmente nga koralet e Operave më të njohura botërore dhe atyre kombëtare.

Koncerti u dha për nxënësit e katër shkollave fillore “Selami Hallaçi” dhe “Sadullah Brestovci” nga Gjilani, “Ibrahim Uruçi” nga Bresalci dhe “Skënderbeu” nga Përlepnica, ku paraprakisht janë mbajtur punëtori, ligjërata…

Ky program do të vazhdoj më tutje edhe nëpër komunat dhe shkollat e ndryshme të Kosovës./ KultPlus.com

Në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani”, KultPlus me mbrëmje letrare për Ernest Koliqin

Në kuadër të Javës së Bibliotekës, Biblioteka Kombëtare “Pjetër Bogdani” ka organizuar shumë aktivitete të ndryshme në shënimin e kësaj jave, e në mesin e këtyre aktiviteteve do të jetë edhe një mbrëmje letrare për Ernest Koliqin, shkruan KultPlus.

Kjo mbrëmje organizohet nga KultPlus me mbështetje të Bibliotekës Kombëtare, kurse me kumtesa do të paraqiten: Agim Vinca, Albana Mehmetaj dhe Ndue Ukaj.

Kurse studentët e Fakultetit Filologjik do të prezantohen me poezi dhe fragmente nga veprimtaria e Ernest Koliqit.

Mbrëmja do të mbahet më 23 maj, në ora 18:00 në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani”./ KultPlus.com  

Ekspozitë për veshjet e Manastirit në shtëpinë muze të Sterjo Spasses

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore-Korçë paraqiti ekspozitën “Veshjet e qytetit” Manastir, në shtëpinë Muze të Sterjo Spasse, në Gollomboç.

Ky aktivitet u realizua në zbatim të projektit SMART4YOU2 projekt i implementuar nën Programin Ndërkufitar Shqipëri – Maqedoni e Veriut, ku DRTK Korçë është partner.

Ekspozita “Veshjet e Qytetit – Manastir”, prezanton objekte nga koleksioni i NI “Instituti dhe Muzeu”- Manastir, të cilat sipas DRTK, datojnë nga fundi i shekullit të 19-të dhe fillimi i shekullit të 20-të.

Ndonëse, numri i mostrave nuk është i madh, megjithatë pasqyron zhvillimin kulturor dhe historik të Manastirit e veçanërisht zhvillimin e veshjeve urbane./ KultPlus.com

“Miss Shqipëria 2023” çel siparin e edicionit të 25-të

“Miss Shqipëria”, eventi më i madh i bukurisë shqiptare, çeli siparin e edicionit të 25 në një mbrëmje, ku ishin të pranishëm emra të njohur nga showbizi shqiptar, artistë të fushave të ndryshme të artit, por edhe vajzat pjesëmarrëse ndër vite në këtë konkurs bukurie.

Risia e këtij viti është se ky produksion i madh i bukurisë shqiptare rikthehet këtë vit aty ku kishte zanafillën në vitin 1998, në ekranin e Radio Televizionit Shqiptar, i cili ka të drejtën ekskluzive të transmetimit të drejtpërdrejtë të Miss Shqipëria.

Dikur, Hygerta Sako, ka mbajtur kurorën e më të bukurës shqiptare, ndërsa sot, si pjesë e Produksionit “Miss Shqipëria”, i bën thirrje të gjitha vajzave që të përjetojnë eksperiencën magjike që të jep ky event bukurie.

Këtë vit Drita Ziri, vajza shqiptare që u shpall më e bukura e vitit që lame pas, do të dorëzojë kurorën këtë vit tek një tjetër vajzë e bukur. E teksa shprehet se çdo vajzë duhet ta provojë këtë eksperiencë unike, pohon se ky event bukurie ka qenë një trampolinë për suksesin që e ka ndjekur pas kurorëzimit si më e bukura, për të pasur një karrierë edhe si moderatore, në një tjetër event tjetër që transmetohet në RTSH, Netët e Klipit Shqiptar.

Audicionet e Miss Shqipëria 2023, do të mbahen nga dat 1-8 Qershor, në studio e Radio Televizionit Shqiptar.  Më pas do të fillojë periudha e grumbullimit dhe turi i zakonshëm, nëpër disa qytete, në të cilat është mbajtur ky event bukurie ndër vite, për të ardhur më pas në Tiranë ku do të kurorëzohet më e bukura në sheshin Italia, në datë 8 Korrik. 

Tingëllimë dashurie nga Ernest Koliqi

Kangët qi t’i  kndova, ka me i tretun era,/ Emni i yt në zêmer t’eme ka me u shlye,/ Ti duej ke të duesh tash qi ka dalë Prenvera,/ Së na lidhë mâ gjâ, u zgidh, u zgidh ky nye.

“Tingëllimë”, kështu titullohet soneta e dashurisë, e shkruar nga Ernest Koliqi në prill të vitit 1923. Ishte në moshën 20 vjeç kur e shkroi këtë poezi dhe kishte vetëm dy vite që ishte kthyer në Shqipëri. Pas katër vitesh studime në Itali, ku kishte botuar edhe krijimet e para poetike në italisht, Koliqi u kthye në Shkodër, ku Luigj Gurakuqi e shtyu të merrej seriozisht me krijimtari letrare. Dy vjet më vonë, së bashku me patër Anton Harapin themeloi gazetën “Ora e malevet” mjaft e sukseshme në fushën politike e letrare të kohës. 27.al publikon dorëshkrimin e kësaj tingëllimë dashurie të rinisë së hershme të Ernest Koliqit. Dorëshkrimi ruhet në Arkivin Qendror të Shtetit ka në fund datën e krijimit 29 prill 1923.

Një variant i këtij soneti është botuar nga Koliqi në vëllimin poetik “Gjurmat e stinëve” në vitin 1933, por ka shumë ndryshime. Rezulton, pra të jetë botuar plot 10 vjet, pasi është shkruar.  Më poshtë botohet varianti original i tingëllimës së dashurisë së bashk u me variantin e ripunuar e i botuar bashkë me fotokopjen e dorëshkrimit original

Dorëshkrimit të vitit 1923

Tingllim

Hjek keq por së kthej te ti. Qe, lott i tera.

Mbas tashit nji pikë lodje së derdh për ty.

S’ke mbetë ti vetëm, ka edhe varza tjera

Por nuk më kan bâmun dritë der’ sot këta sy.

Kangët qi t’i  kndova, ka me i tretun era,

Emni i yt në zêmer t’eme ka me u shlye,

Ti duej ke të duesh tash qi ka dalë Prenvera,

Së na lidhë mâ gjâ, u zgidh, u zgidh ky nye.

Pertrihet në ket stinë të bukur marë natyra,

Dhe shpirti i em në kto dit ka m’u pertri,

E krejt jets’ s’eme do t’i ndrrojë, po, ftyra.

Mbas tashit ti në dash më duej e në dash mos më duej,

Por lulet qi shperthejnë sivjet në ket shtëpi

Nuk çilin ma per ty. Janë të tjeterkuej.

29 prill 1923

Varianti i botuar në vitin 1933 në vëllimin poetik “Gjurmat e stinëve”

***

Vuej por spajtohem mâ. Qe, lott I tera:

Pikën e lotit s’e qes mâ për tye.

Kâng’t qi t’i knova le t’i humbi era

Si emnin qi prej zêmret due me shlye.

Mallet e mija si ndër stina tjera

Pran’ teje mâ për t’gjall’ nuk kam me i shfrye:

Ti duej kê t’duesh tashti qi u çel prendvera

Pse kurgjâ mâ s’na lidhë: u zgjidh ky nye.

Si përtrihet kso stine mbar’ natyra

Ashtu edhe shpirti i im ka m’u përtri:

ty n’andrra t’mija mâ s’do t’ndrisi ftyra.

Kujtimin t’and me rrâjë un due m’e zhbi.

Flakën hyjnore, dashunis qi t’fala,

t’ia shuej heshtueshëm e harresës vala./ KultPlus.com