Nën patronazhin e presidentes Vjosa Osmani, nesër në ora 12:00 do të mbahet ecja me moto “Zbulimi i hershëm-mbijetesë”, ecje kjo që tashmë është bërë tradicionale për luftën e kancerit të gjirit, kampanjë që ka filluar qysh nga fillimi i muajit tetor.
Ecja do të nisë para Teatrit Kombëtar të Kosovës, dhe është me organizim të Qendrës Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit “Jeta/Vita”./ KultPlus.com
Të enjten mbrëma në Shtëpinë e Evropës në Prishtinë, shkrimtari, aktivisti i të drejtave të njeriut, fituesi i festivalit të poezisë “Tirana Gate” dhe bursës Sakharov, si dhe njëri nga gjashtë evropianët e vitit 2022 që po bëjnë diferencën, Arbër Selmani, do të sjell një natë të veçantë poetike, përcjell KultPlus.
Arbëri, shkrimet e të cilit janë përkthyer në gjuhën angleze, greke, gjermane, frënge, serbo-kroate dhe të tjera, dhe i cili ka të botuar katër libra me tregime dhe poezi, do të rrëfejë copëza të jetës së tij përmes poezisë dhe tregimeve personale, shoqëruar në kitarë nga Endrit Xërxa.
“Sonte, prej orës 19:00, ju pres për një natë poetike shumë intime. Kom vendosë që me u thellu në emocionet prej të cilave burojnë poezitë e mia. Disa histori të miat familjare e personale janë në poezitë e mia, për të cilat po du me folë ma haptazi, sepse janë aq sa intime, edhe universale. Shkrimi është vuajtje që bëhet ma pak e goditshme. Nëse doni me dëgju pak poezi në shqip e anglisht, rrëfime, kitarën e Endrit Xërxa, edhe me i shoqëru me një pije, ju pres te Europe House – Shtëpia e Evropës në kryeqytet (përballë Komunës së Vjetër dhe Zyres së BE-së)”, ka shkruar Selmani në rrjetet sociale.
“Nuk kam asgjë kundër që Prishtina të ketë një regjim pa viza”, kështu është shprehur sot presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, derisa refuzoi të tregojë saktë arsyen e këtij qëndrimi, shkruan Tanjug.
Vuçiqi e dha këtë koment sot para gazetarëve teksa po komentonte vizitën e kryetares së KE-së, Ursula von der Leyen, e cila e vlerësoi Prishtinën për punën e saj të palodhur dhe përkushtimin ndaj reformave evropiane, se ajo nuk ka asgjë kundër Prishtina që të ketë një regjim pa viza.
“Sa i përket lavdërimit të Prishtinës, nuk kam asgjë kundër dhe jam shumë pro që t’u jepet një regjim pa viza dhe do ta mbështes gjithmonë dhe në çdo moment, siç kam bërë gjithmonë, për shumë arsye, e bëj, nuk dua të shpjegoj”, tha Vuçiqi, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari në lidhje me lavdërimet e Von der Leyenit”, ka thënë Vuçiqi, përcjell Insajderi.
“Vendi i Kosovës është në Bashkim Evropian”, tha sot presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke dhënë mbështetje për liberalizimin e vizave për Kosovën./ KultPlus.com
Dyzet e gjashtë vjet me ditar në dorë, nga mosha 19 vjeç kur e kreu Normalen, e deri kur doli në pension. Dyzet e gjashtë vjet, një jetë e tërë, pa munguar kurrë, as edhe një ditë të vetme, pos në rast sëmundjeje a vdekjeje në familje
Ishte privilegj ta regjistroje djalin a vajzën, nipin a mbesën, në klasën e mësueses Halide. Gara ishte e fuqishme. I doje nxënësit si fëmijët e tu dhe i trajtoje të gjithë njësoj: të varfër a të pasur, bij intelektualësh apo fëmijë fshatarësh, gjithsecilit ia jepje hakun që i takonte.
Ishe e para vajzë veleshtare që shkoi në Shkollën Normale në Shkup, në vitin e largët 1960. Normalja “Zef Lush Marku” ishte shkollë dhe konvikt, me profesorë e edukatorë, me orar mësimi e studimi, me restorant (mensë) e mbrëmje vallëzimi. Një çerdhe e vërtetë dijeje e mësimi, por edhe kulture e formimi, ku vijonin mësimet të rinj e të reja nga të gjitha viset shqiptare në Maqedoni e më gjerë… Më kujtohet kur erdhe në gjysmëvjetor, kishe ndryshuar shumë, fytyra të qe pastruar nga njollat e diellit (“leçe” u thonë në Veleshtë), ishe rritur e zbukuruar. Kushtet e jetës në fshat atëbotë ishin të vështira, kurse atje në kyeqytet, sado-kudo, ushqimi ishte më i rregullt dhe kushtet e banimit pak më të mira.
Në udhëtimin tënd drejt dijes kishe shumë shokë e shoqe, por shoqe jote e jetës mbeti ladorishtarja Naze, që u nda nga ti e fundit në varrezat e Prishtinës në Dragodan (Arbëri).
Nuk ishte e lehtë “të thyhej akulli” rreth shtatëdhjetë vjet më parë, kur prapambeturia qëndronte këmbëkryq në vatrat tona. E kush do t’ia bënte fora pos familjes Vinca, një pinjoll i së cilës e kishte sjellë i pari Abetaren në fshat? “Si, or Nexhat, e çove cucën n’shkollë, n’Shkup?”, e kishin ngacmuar babën tonë të urtë e besimtar ca fshatarë zevzekë e fanatikë, kurse hoxha i fshatit nuk i kishte folur një kohë të gjatë. Ishte herezi t’i prisje flokët e të dilje zbuluar në kohën kur edhe ngarja e biçikletës quhej mëkat, sepse “toçaku” ishte vegël e shejtanit!
Në Normale këndoje në korin e shkollës, por shquheshe edhe si soliste. Repertori yt ishte i gjerë, por këngë jotja e preferuar ishte “Si m’ke sytë, m’i ke vetullat”, që e këndoje shpesh në ndeja e gazmende familjare me sy gjysmë të mbyllur. (Si refleks i largët i kësaj kënge të moçme, m’u fiksuan në kujtesë sytë dhe vetullat e tua në çastet e fundit në spital!). Këndoje bukur, sikurse edhe Shpresa, kurse vajtimin, ndryshe nga ajo, nuk e kishe zanat. Ndoshta ngaqë duke qenë më e vogla, këtë “barrë” në familje e kishin mbajtur nëna dhe motrat e mëdha.
Karrierën si mësuese e fillove në vendlindje, për ta vazhduar, pas martesës, në Shkup, kurse nga viti 1973, në Prishtinë, ku fillimisht punove në shkollën speciale për të verbër, duke e mësuar edhe alfabetin e Brajit.
Punove gati një çerek shekulli në “Hasan Prishtinë”, pastaj në shkollën “Gjergj Fishta”.
Nuk pushove për asnjë çast as në kohën e aparteidit, kur ti dhe kolegët e tu mbanit mësim në bodrum, kurse ata të tjerët në katet e sipërme. Pas çlirimit të Kosovës, kur erdhi liria e fituar me aq mund e sakrifica, Dositeji shkoi nga kishte ardhur dhe shkollës iu kthye sërish emri i mëparshëm (“Hasan Prishtina”), tok me bustin e Heroit në oborrin e saj. Kalove në shkollën tjetër me emër të madh, “Gjergj Fishta”, duke u shkëmbyer me një kolege për arsye praktike, për ta vazhduar punën si gjithnjë me zell e përkushtim të madh.
Edhe pse vetëm me Normale e Akademi Pedagogjike, kishe njohuri më shumë se shumë njerëz me tituj shkencorë. Lexoje vazhdimisht, përveç shtypit, edhe vepra letrare: romane, poezi, libra publicistikë etj. Me libër bije e ngriheshe. Gjuhën e flisje bukur, pastër, shqip; edhe e shkruaje pa gabime. E, megjithatë, gjithë jetën emri të mbeti me dy trajta: Alide në vendlindje, në Veleshtë e në Strugë; Halide në Prishtinë e në Shkup.
Me punën dhe sjelljen tënde nderove veten e familjen, por edhe rrethin ku jetove e veprove. Fitove respektin e kolegëve dhe dashurinë e nxënësve, që në punën tënde zinin vendin kryesor, ashtu sikurse edhe ata e kishin në zemër mësuesen e tyre të dashur.
Ish-nxënësit e tu të vizitonin; të shkruanin e të telefononin; të dhuronin lule e libra; të ftonin për kafe a edhe për drekë a darkë në ndonjërin nga restorantet e Prishtinës, ku ktheje shpesh me shoqet e tua pas shëtitjeve të mëngjesit në Gërmi e Taukbahçe.
Ishe e urtë e paqësore dhe u qëndroje larg sherreve, por nuk lëshoje pe kur duhej mbrojtur shkolla shqipe dhe gjuha amtare. Nuk po përdori fjalë të mëdha si “çështja kombëtare” dhe “interesi kombëtar”, që kanë nisur të na i neveritin zhurmaxhinjtë e pasluftës, ata që gjatë tërë jetës kanë kënduar ashtu siç u diktonte pushteti i kohës. (Të kujtohet peticioni i vitit 1989 me 1200 nënshkrime në mbrojtje të emrit të shkollës sate, tekstin e të cilit e shkrova unë, kurse ti me nxënësit e tu u kujdesët që t’i mblidhnit nënshkrimet e prindërve, disa prej të cilëve, nga frika, nënshkruanin në mënyrë krejt të palexueshme?).
E doje shumë natyrën… Në pushimet e verës shkoje me dëshirë në vendlindje për t’i vizituar të gjithë me radhë, familje e farefis, por edhe për të pushuar pak buzë Drinit a në plazh nën rrezet e diellit…
Ndejën e fundit e patëm në ditëlindjen time, më 22 maj të këtij viti, në Prizrenin e bukur. Ishte dreka jonë e fundit e përbashkët, thellë në grykën e Lumëbardhit. Sapo ishin shfaqur shenjat e sëmundjes, që do të të shtronin në spital dhe në shtrat pas operacionit.
Nuk më heq zemra të shënoj përvjetor a të bëj promovim libri pa ty, që ishe vizitore aq e rregullt e tyre, tok me shoqe, edhe pse e di, jam plotësisht i sigurt, se ti nuk do ta doje këtë.
Dëgjimi i rënduar në vitet e fundit, që ishte pasojë e “muzikës” gjysmëshekullore të “kosheres së bletëve”, klasës përplot me nxënës, ishte burim humori për ne. Një ditë në mëngjes, në ditët e mbylljes në karantinë, zhvilluam këtë dialog me telefon: “A e ke dëgjuar Këngën e mjekut?” – të pyeta unë, ndërsa ti m’u përgjigje: “Vetëm unë jam zgjuar. Të tjerët janë në gjumë”. Ishte koha kur u mbyllën rrugët dhe sheshet e Prishtinës, por jo edhe dyert e zemrës.
Jeta jote nuk qe pa sfida, por të gjitha i përballove me durim e qetësi.
Nënë, motër, gjyshe, teze e hallë, ti ishe edhe lexuese e rrallë. Ndër librat e fundit që lexove qenë Ditari im i pandemisë, ku je edhe personazh dhe libri bestseler i Lea Ypit “Të lirë, të jetosh në fund të historisë”, që flet për Shqipërinë e diktaturës dhe të tranzicionit, parë me sytë e një vajze të zgjuar shqiptare, që po bën emër në botë. Në “muajin e librit”, si quhej dikur tetori, unë humba motrën, por edhe lexuesen time të rregullt. (Ky është shkrimi im i parë që ti nuk do ta lexosh si zakonisht, fizikisht, por besoj se do ta ndjesh edhe atje tek je, çuditërisht!). Në kohën kur lexuesit si ti janë specie në zhdukje kanë arsye të pikëllohen edhe miqtë e mi shkrimtarë.
Nuk kanë të sosur kujtimet, motër dhe unë s’di nga t’ia nisi e ku të bitisi.
Kur rashë në spital tre-katër vjet më parë, më the: “Dua të vdes para teje, jo vetëm pse jam më e madhe, por edhe që të më kushtosh poezi si Vaes e Zinijes”. (Nuk e përmende dhimbjen tonë të madhe, Shpresën). “Ty do të të kushtoj për së gjalli dhe jo poezi, por tregim” – të thashë.
Nuk e mbajta premtimin, sepse nuk e prisja që ti, motra ime e vogël, e vetmja që më kishte mbetur, të ikje kaq shpejt.
I deshe shumë “loçkat e tua”: Vjolën e Tanën, Borën e Lean, Marinin e Lirin (ah!), por nuk arrite ta njihje anëtarin më të ri të familjes, Nolin e vogël. Do t’i flasim për Ty kur të rritet dhe urojmë që të ketë një mësuese si ti kur të shkojë në shkollë.
Ike pa e thënë fjalën e fundit, pa na thënë “lamtumirë”, sepse në muajt e fundit të jetës ishe në komë. Nuk di në ishte komë a diçka tjetër, por di se na brengosi pa masë gjendja jote. Merrje frymë dhe i pranoje ushqimin e ilaçet, por nuk flisje. Gojë kishe, gojë s’kishe! Shpresoj t’i kesh dëgjuar dhe t’i kesh marrë me vete, si peng dashurie, fjalët që t’i thoshin të dashurit e tu që të rrinim mbi krye ditë e natë dhe në mënyrë të veçantë mbesa Vlerë, që tregoi një kujdes të pashembullt dhe një dashuri të paparë prej bije, por edhe familjarët e tjerë, që u kujdesën për ty deri në fund, ashtu siç u kujdesën edhe për përcjelljen tënde në banesën e fundit dhe për pritjen e njerëzve që hynë e dolën varg në shtëpinë tënde në Taslixhe në ditët e “të pames” tradicionale.
Tri ditë rresht si në ekran e kam parë motrën time me sytë e të tjerëve: miqve, kolegëve, prindërve, ish-nxënësve. Gjithë ai respekt e dashuri e paparë, që jo vetëm të mallëngjen, por edhe të bën krenar. Dhe nuk e kam për turp të them me keqardhje dhe ndoshta edhe me një dozë kritike se nuk e kisha njohur sa duhet motrën time!
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, kanë vënë sot gurëthemelin për ndërtimin e një çerdheje të re në Prishtinë.
Me këtë rast, kryeministri Kurti përmendi investimet në ndërtimin e çerdheve në gjithë Kosovën dhe tha se Qeveria e Kosovës e ka arsimin prioritet, e veçanërisht zhvillimin në fëmijërinë e hershme, kur dihet rëndësia që ka ky nivel i edukimit në zhvillimin e mëtutjeshëm të secilit fëmijë.
Ministrja Nagavci, ndërkaq, theksoi se do të vazhdohet me ndërtimin e çerdheve të reja dhe përmendi faktin që Qeveria ka ndarë dhe e ka rritur buxhetin për ndërtimin e çerdheve dhe shkollave edhe për vitin 2023.
Pasi që tha se po punojmë shumë për të përmirësuar rezultatet në arsim, ministrja Nagavci theksoi synimin për gjithëpërfshirje në edukimin e hershëm. Ajo tha se ky nivel i edukimit është parakusht për zhvillimin e individit dhe shoqërisë në përgjithësi.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, e vlerësoi fillimin e punimeve për ndërtimin e kësaj çerdheje si shumë të rëndësishme për kryeqytetin.
Objekti i çerdhes, vlera e të cilit është 743 mijë euro, do të jetë me sipërfaqe 1300 metër katror dhe i destinuar për 120 femijë. Çerdhja është projektuar në dy kate dhe përmbanë 5 dhoma për qëndrim të fëmijëve, 3 dhoma të gjumit për femijë, hapësirën për shumë qëllime, kuzhinën, trapezarinë, dhomën e mjekut, dhomën e psikologut, administratën, si dhe hapësira teknike./ KultPlus.com
Sopranoja e njohur kosovare Elbenita Kajtazi e cila po shënon suksese të panumërta, së fundi ka zënë edhe ballinën e një prej revistave më prestigjioze operistike, shkruan KultPlus.
Për muajin nëntor, sopranoja Elbenita Kajtazi është zgjedhë të jetë në ballinën e revistës Das Opernglas.
Sopranoja Elbeniota Kajtazi ka njoftuar për këtë intervistë të dhënë për këtë revistë, intervistë që ka zënë edhe ballinën e kësaj reviste.
“Nder i madh të jem në kopertinën e revistës së mirënjohur Das Opernglas , intervistë të cilën do e mbaj mend gjatë!”, ka shkruar Kajtazi./ KultPlus.com
Të enjten në Teatrin Shqiptar të Shkupit do të prezantohet me premierë shfaqja “Tri motrat” e Çehovit’ që vjen me regji të Qëndrim Rijanit, shkruan KultPlus.
Në këtë shfaqje që më pas reprizën do ta ketë më 29 tetor, me rolin e Olgës do të shfaqet Amernis Nokshiqi, Xaka Jonuzi në rolin Mashës dhe Sabina Memishi në rolin e Irinës.
Në role tjera vinë: Andrea-Arben Rasimi, Natalia-Sara Bajrsmi, Anfisa-Drita Kaba Karaga, Çebutikini-Adem Karaga, Kulligini- Hamdi Rashidi, Vershenini-Fisnik Zeqiri, Tuzenbahu-Dritero Ame, Solioni-Abedin Aliji, Fedotiku-Rrahim Ramadani, Rodeja-Mentor Kurti, Aleksej-Genci Mirzo, Ferraponti-Hetem Etemi. Në këtë shfaqje kompozitor është Trimor Dhomi, koreograf Artan Ibershimi, kostumografe Maria Papuçevska dhe skenograf Bujar Muça.
“Tri Motrat” janë të mbushura me konflikte dhe emocione, përfshihen në afera të trazuara dashurie./ KultPlus.com
Të shtunën dhe të dielën do të nisë së mbajturi në Prishtinë, Forumi Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.
Presidentja Vjosa Osmani ka njoftuar se gjatë këtij forumi do të nderohen me Medaljen Presidenciale të Meritave gratë ukrainase. Ajo ka thënë se në forum do të ketë edhe përfaqësues nga Ukraina dhe atyre do të ju ndahet medalja.
Më tej Osmani tha se për dy ditë në Prishtinë do të organizohen 16 panele me 400 pjesëmarrës dhe aty do të ketë një adresim edhe Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken./ KultPlus.com
Dubai njihet si vendi i shkëlqimit, ndërtesave gjigande, hoteleve luksoze dhe qendrave tregtare vezulluese, përshkrimi i botës së vërtetë kapitaliste.
Mes gjithë rrëmujës, gjendet një oaz i bukur qetësie, ku vizitorët mund të përfshihen brenda një libri, të hapin laptopët e tyre dhe të punojnë apo studiojnë, të mahniten pas dorëshkrimeve të rralla dhe botimeve të para në ekspozitën e katit të shtatë të BibIiotekës Mohammed Bin Rashid, e cila u hap në Qershor.
Hyrja në bibiliotekë është falas për të gjithë, vendas e turistë, me vende që duhet të rezervohen më parë. Bibilioteka mbart një etiketë çmimi tipike për Dubain sepse ndërtimi i saj kushtoi 1 miliardë Dihramë ose 272 milionë Dollarë. Emri u vendos në nder të sheikut Mohammed Bin Rashid Al Maktoum, drejtuesi i Dubait, i cili njoftoi për ndërtimin e saj në vitin 2016.
Mbi 1.1 milionë kopje të printuara dhe dixhitale ndodhen brenda kësaj ndërtese prej 54.000 metra katrorë, që pritet të mbledhin turmat e apasionuara pas kulturës dhe jo konsumit. Forma e bibiliotekës i përngjan një libri të hapur, në të vërtetë është frymëzuar nga një mbajtëse librash ku dikur vendosej Kurani i shenjtë.
9 biblioteka të dedikuara medias, arteve, biznesit, gazetave ndërkombëtare, hartave dhe atlaseve, librave për fëmijë e të rritur dhe një koleksion thesaresh të çmuara të arkivës ndodhen në këtë “shtëpi” gjigande.
Koleksioni vijon të zgjerohet, por që tani shifrat e tij janë mbresëlënëse. Përveç kopjeve të shtypura dhe dixhitale, vizitorët kanë akses në mbi 6 milionë kopje shkrimesh akademike, 73.000 partitura, 75.000 video, 35.000 gazeta ndërkombëtare dhe 5000 të përditshme historike që mbulojnë një periudhë 325-vjeçare.
Dhe kur nevojitet një pushim, ka edhe një kafene./tvklan.al/ KultPlus.com
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, tha se ka marrë garancion nga shumica e ambasadorëve në Kosovë që nuk do të ketë kritere shtesë për liberalizimin e vizave.
Ajo tha se jo vetëm që nuk do të kërkojnë kritere shtesë, por edhe do të kundërshtojnë dhënien e kritereve shtese teknike, pasi sipas saj, ato kanë përfunduar më 2018.
“Mirëkuptim kemi nga shumica dërmuese, ka 2-3 shtete që i kanë disa shqetësime që po merremi intensivisht jo vetëm ne por edhe diplomatët tanë që po merren me këtë temë me shpresën e plotë që në takimet e radhës që do të mbahen në nivel të grupeve punuese për vizat të sigurohemi që të mos ketë ndonjë bllokadë”, është shprehur Osmani, njofton Klankosova.tv.
Tutje, Osmani tha shpreson që vendimi për vizat të merret më së largu në dhjetor dhe pastaj të hyjë në fuqi sipas praktikave të deritanishme që është deri në 6 muaj e të mos lidhet me procesin ETIAS./ KultPlus.com
Në hapje të edicionit të parë të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili fillon punimet nesër (e shtunë) dhe mbahet me iniciativë të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, pjesëmarrësve do t`i drejtohet me një adresim të veçantë, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
Forumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë me temë “Ndërtimi i Aleancave për Paqe të Qëndrueshme”, organizohet për herë të parë në historinë e re të Kosovës dhe përbën një nga zotimet në kuadër të Samitit për Demokraci.
Fjalimi i Sekretarit Blinken është dëshmi e mbështetjes së vazhdueshme dhe e partneritetit të palëkundur ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve që bazohet mbi vlerat e përbashkëta të demokracisë, paqes dhe prosperitetit.
Ndryshe, Forumi në edicionin e parë të tij do të mbledhë 126 folës nga 33 shtete, 6 kontinente dhe mbi 400 pjesëmarrës, të cilët gjatë dy ditëve do të trajtojnë çështje që ndërlidhen më gratë, paqen dhe sigurinë.
Në këtë Forum, pritet të marrin pjesë liderë botërorë, ekspertë, akademikë, përfaqësues të shoqërisë civile, të rinj dhe përfaqësues nga grupe të tjera të interesit./ KultPlus.com
Donjeta Sadiku përballet sot me kampionen olimpike Tokyo 2020, njëherit kampione e botës 2018, irlandezen, Anne Harrington, në gjysmëfinale të Kampionatit Evropian të boksit, që po mbahet në Budva të Malit të Zi.
Sadiku ka kaluar me sukses lëndimin e pësuar në këmbë gjatë çerekfinales, dhe është e gatshme për sfidën e sotme.
Sesioni i kategorisë 60 kg, nis prej orës 17:30. Lufta e Donjetës është e gjashta me radhë.
Anëtarja e Këshillit Prokurorial, Jehona Grantolli, ka thënë se stafi i prokurorisë çdo ditë po rrezikohet nga gjendja në Pallatin e Drejtësisë, duke thënë se Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi ka pësuar arrest kardiak, si pasojë e mungesës së ajrit.
Ajo ka përmendur edhe prokurorë dhe anëtarë tjerë të stafit që, sipas saj, po përballen çdo ditë me probleme shëndetësore si pasojë e kushteve të renda në Pallatin e Drejtësisë, shkruan Frontonline.
Garntolli, ka kërkuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) në takimin e 220-të të mbajtur të premten që si pikë të diskutimit në rendin e ditës të vendoset për diskutim edhe kjo gjendje.
Sipas anëtares Grantolli, një propozim i tillë është mirë të miratohet nga Këshilli pasi, sipas saj, gjendja në Pallatin e Drejtësisë është e rëndë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ajo tha se për shkak të gjendjes së ventilimit, personat që punojnë në këtë objekt janë duke rrezikuar shëndetin e tyre.
“Siç e dini e kam dërgu edhe një e-mali dje dhe kam propozu që me u diskutu çështja e Pallatit të Drejtësisë, kjo duke marrë rast që Kryeprokurori i shtetit ka pësu arrest kardiak dhe tani gjendet në pushim mjekësor, i cili i ka edhe raportet mjekësore”, tha anëtarja Grantolli.
Tutje, ajo ka shtuar se probleme shëndetësore kanë edhe një numër i madh i stafit, ku ka përmendur edhe prokurorin Fatmir Behrami dhe administratoren e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Feride Isufi për të cilën tha se ka pësuar një lloj sulmi.
“Një numër i madh janë duke pësuar në mungesë të oksigjenit”, u shpreh ajo, duke shtuar se gjendja është bërë e padurueshme dhe se nga dita e hënë nuk do të futen më në objektin e Pallatit të Drejtësisë.
Lidhur me këtë çështje, kryesuesi i Këshillit, Jetish Maloku tha se nuk mund të marrin asnjë vendim pasi kjo është kompetencë e dikujt tjetër.
“Jemi angazhu, kemi pas angazhim, ju e dini sakte kush është me detyre për ta kryer këtë çështje, po ne kurrfarë vendimi nuk mund të marrim”, u shpreh ai.
Edhe u.d Kryeprokurori i Shteti, Besim Kelmendi tha se mbështet çdo veprim të stafit të Pallatit të Drejtësisë lidhur me këtë çështje, pasi sipas tij kjo gjendje është e rrezikshme për shëndetin e tyre.
“Jeta e prokurorëve dhe stafit është në rrezik, në kemi përditë staf dhe prokuror që merren nga emergjenca edhe shkojnë në spital dhe nuk jam për me rreziku jetën e askujt dhe unë ju kam thanë që e kanë mbështetjen time për çdo gjë që marrin”, tha Kelmendi.
Në fund Këshilli vendosi që propozimi i anëtares Grantolli të vendoset për diskutim.
Grantolli ka thënë se kjo është kërkesë gjithë stafit të Pallatit të Drejtësisë.
“Është kërkesë edhe kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë por edhe e prokurorëve të tjerë, stafi administrativ që duke filluar nga dita e hënë ne do të marrim masa drastike dhe nuk futemi më në objektin e Pallatit të Drejtësisë”, ka deklaruar ajo.
Grantolli ka thënë se po rrezikohet shëndeti derisa presin veprime urgjente institucionale për të zgjidhur këtë problem.
“Meqë nuk është dhënë zgjidhje deri me sot, është në pyetje shëndeti i jonë me të cilin ne përballemi çdo ditë, më nuk do të vazhdojmë procesin e punës por do t’i ndërprejmë më qëllim që ndoshta edhe akterët tjerë të cilët janë të angazhuar me këtë çështje të ndërmarrin veprime urgjente”, ka shtuar ajo.
Takimi po vazhdon me pika tjera të rendit të ditës./KultPlus.com
Pallati i Drejtesise, Prishtine, 03.06.15. Photo:Atdhe Mulla
Nora Gjakova ka vazhduar me performancë fantastike në Grand Slamin e Abu Dhabit.
Kampionia olimpike e mundi në çerekfinale xhudisten serbe, Marica Perisic, pasi kjo e fundit mori tri penalizime, shkruan Gazeta Express.
Kësisoj, Gjakova kualifikohet në gjysmëfinale, ndërsa aty do të përballet me gjeorgjianen, Eteri Liparteliani.
Në raundin e parë, Gjakova mundi xhudisten nga Koreja e Jugut, Yuna Shin, ndërsa në raundin e dytë eliminoi holandezen, Pleuni Cornelisse./ KultPlus.com
31 vjet janë bërë nga ndarja nga jeta e kompozitorit Lorenc Antoni, një prej personaliteteve më të çmuara të muzikës dhe figurave më emblematike të kulturës shqiptare në Kosovë.
Në fushën e studimit të folklorit, Lorenc Antoni mblodhi dhe botoi shtatë vëllime të muzikës popullore shqiptare të Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi.
Antoni i takon brezit të parë të kompozitorëve të Kosovës dhe veprat e tij bazohen në idiomën muzikore popullore shqiptare. U lind në Shkup (1905). Si fëmijë aktivizohet në ansamble të ndryshme muzikore të shqiptarëve. Ka studiuar në Fakultetin Filozofik në Shkup derisa edukimin muzikor e mori privatisht në Shkup dhe Beograd. U nda nga jeta me 21 tetor të vitit 1991 në Prishtinë. KultPlus ju sjell veprën “Na ka dalë nusja e mirë”./ KultPlus.com
Një “thesar” i veprave të artistit Bansky do të shfaqen për herë të parë në publik.
Punimet, të cilat përfshijnë kartolina ditëlindjesh u krijuan nga artisti për të dashurën e tij të atëhershme midis vitit 1994-1998.
Ish e dashura e artistit që kërkoi të mbetej anonim, i ofroi veprat për ekspozitën “Arti i Bansky-t”.
Ekspozita e cila do të hapet në Salford’s MediaCityUK do të bashkojë afër 145 vepra të artistit, duke përfshirë “Girl with Balloon 2002”, “Flower Thrower 2003”, “Rude Copper 2002”.
Organizatorët i cilësuan si një thesar kartolinat e shkruara me dorë të artistit, të cilat tani do të jenë të hapura për publikun në Salford.
Ekspozita hapet nga 21 tetor 2022 deri më 8 janar 2023./KultPlus.com
Multimiliarderi Elon Musk ka paralajmëruar shkurtim me 75% të stafit të Twitter muajin e ardhshëm. Lajmi për planet e Musk, nëse ai përfundimisht merr përsipër biznesin, vijnë në një moment të vështirë për Twitter. Kompania tha në korrik se tashmë kishte “ngadalësuar ndjeshëm punësimin”.
Ndërkohë, marrëveshja e Musk për blerjen e Twitter ka sjellë largimin e shumë punonjësve javët e fundit. Kujtojmë se Twitter është përfshirë në një betejë ligjore me miliarderin për muaj të tërë pasi Musk u përpoq të largohej nga marrëveshja e blerjes prej 44 miliardë dollarësh, përpara se të kthente kursin në fillim të këtij muaji.
“Twitter duket se është pa timon, dhe në një spirale në rënie, dhe është përkeqësuar vetëm nga Musk. Duket se do të jetë lundrim i vështirë për ca kohë”, tha Carl Tobias, kryetar i drejtësisë Williams në Universitetin e Richmond./ KultPlus.com
Me iniciativë të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, më 22-23 tetor, në Prishtinë i zhvillon punimet Forumi Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, një organizim i pari i këtij lloji në historinë e Kosovës. Forumi organizohet në bashkëpunim me zëvendëskryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme, znj. Donika Gërvalla Schwarz dhe mbështetet nga partnerë vendorë dhe ndërkombëtarë.
Në edicionin e parë të tij, WPS, pritet të grumbullojë mbi 400 pjesëmarrës, nga vende të ndryshme të botës, në fokus të të cilit do të jetë trajtimi i çështjeve që ndërlidhen më gratë, paqen dhe sigurinë.
Në këtë Forum, pritet të marrin pjesë liderë botërorë, ekspertë, akademikë, përfaqësues të shoqërisë civile, të rinj dhe përfaqësues nga grupe të tjera të interesit.
Forumi synon të diskutojë jo vetëm sfidat në përballje me paqen dhe sigurinë globale, por edhe trajtimin dhe zgjidhjet eventuale.
Ndryshe, WPS është Forum, i cili paraqet një nga zotimet e institucioneve të Republikës së Kosovës për Samitin për Demokraci, të organizuar nga presidenti i SHBA-ve, Joe Biden.
Detajet për Forumin WPS, Presidentja Osmani do t`i bëj të ditura në një konferencë për media, sot në orën 13:30, në objektin e trashëgimisë kulturore- Hamami i Prishtinës./ KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim, zyrtaren e lartë të Sekretarit të Shtetit në Zyrën për Çështje Globale të Grave (S/GWI), Katrina Fotovat.
Në takim me znj. Fotovat, Presidentja Osmani ka theksuar se Forumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë me temë “Ndërtimi i Aleancave për Paqe të Qëndrueshme”, po organizohet për herë të parë dhe përbën një nga zotimet në kuadër të Samitit për Demokraci.
Sipas Presidentes Osmani, Forumi është ngjarja e parë e përmasave të tilla me pjesëmarrës nga 6 kontinente.
Gratë e Republikës së Kosovës, sipas Presidentes Osmani e kuptojnë shumë mirë rëndësinë e kësaj Agjende.
Presidentja Osmani theksoi se gratë e Kosovës janë shembulli në i mirë i angazhimit rreth kësaj agjende. Sipas Presidentes Osmani, ato shquhen posaçërisht për angazhimin aktiv drejt lehtësimit dhe ballafaqimit me pasojat e luftës dhe drejtësinë tranzicionale. Tutje, Presidentja ka veçuar punën e Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës. Sipas Presidentes Osmani edhe gratë nga shoqëria civile kanë ndihmuar, gjithashtu të mbijetuarat e dhunës seksuale.
Presidentja Osmani ka shfaqur bindjen se me përfshirjen e grave në proceset e paqes dhe sigurisë, rriten shanset për paqe të qëndrueshme.
Palët janë dakorduar për bashkëpunim dhe koordinim të rregullt drejt realizimit të projekteve të përbashkëta drejt avancimit dhe zbatimit të Agjendës GPS./ KultPlus.com