Një prej figurave të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare gjatë shekullit XIX, kishte qenë Haxhi Zeka. Një luftëtar dhe atdhetar i pranuar nga të gjithë patriotët e kohës, por që kishte përkrahjen e popullatës shqiptare, emri i të cilit ishte bërë i njohur sidomos kur kishte formuar Lidhjen “Besa-Besë” të Pejës, që ishte mbajtur në vitin 1889.
Haxhi Zeka ishte vrarë më 21 shkurt 1902, derisa po shkonte nga ndërtesa qeveritare në Pejë në drejtim të Urës së Gurit, ishte qëlluar për vdekje nga Adem Zajmi, i cili i kishte zënë pritë me disa persona tjerë.
Ka pasur disa variante të shkrimeve që flasin për qëllimin e vrasjes së Haxhi Zekës. Disa kronika të kohës kishin shkruar se Adem Mehmet Zajmi e kishte vrarë me kërkesë nga Beogradi dhe Stambolli, kurse disa tjerë Zajmin e paraqesin si një bandit, por që kishte pasur pozitë në ushtrinë turke të kohës. / KultPlus.com
Porsi kanga e zogut t’verës, qi vallzon n’blerim të prillit; porsi i ambli flladi i erës, qi lmon gjit e drandofillit; porsi vala e bregut t’detit, porsi gjâma e rrfès zhgjetare, porsi ushtima e nji tërmetit, ngjashtu â’ gjuha e jonë shqyptare. Ah! po; â’ e ambël fjala e sajë, porsi gjumi m’nji kërthi, porsi drita plot uzdajë, porsi gazi i pamashtri; edhè ndihet tue kumbue; porsi fleta e Kerubinit, ka’i bien qiellvet tue flutrue n’t’zjarrtat valle t’amëshimit. Pra, mallkue njai bir Shqyptari, qi këtë gjuhë të Perëndis’, trashigim, që na la i Pari, trashigim s’ia len ai fmis; edhe atij iu thaftë, po, goja, që përbuzë këtë gjuhë hyjnore; qi n’gjuhë t’huej, kur s’asht nevoja, flet e t’veten e lèn mbas dore. Në gjuhë shqype nanat tona qi prej djepit na kanë thânun, se asht një Zot, qi do ta dona; njatë, qi jetën na ka dhânun; edhe shqyp na thanë se Zoti për shqyptarë Shqypninë e fali, se sa t’enden stina e moti, do ta gzojn kta djalë mbas djali. Shqyp na vete, po pik’ mâ para, n’agim t’jetës kur kemi shkue, tue ndjekë flutra nëpër ara, shqyp mâ s’pari kemi kndue: kemi kndue, po armët besnike, qi flakue kanë n’dorë t’shqyptarëvet, kah kanë dekë kta për dhè të’t’Parvet. Në këtë gjuhë edhe njai Leka, qi’i rruzllim mbretnin s’i a, xûni, në këtë gjuhë edhe Kastriota u pat folë njatyne ushtrive, qi sa t’drisë e diellit rrota, kanë me kênë ndera e trimnive. Pra, shqyptarë çdo fès qi t’jini, gegë e toskë, malci e qyteta, gjuhën t’uej kurr mos ta lini, mos ta lini sa t’jetë jeta, por për tê gjithmonë punoni; pse, sa t’mbani gjuhën t’uej, fisi juej, vendi e zakoni kanë me u mbajtë larg kambës s’huej, Nper gjuhë shqype bota mbarë ka me ju njohtë se ç’fis ju kini, ka me ju njohtë për shqyptarë; trimi n’za, sikurse jini. Prandaj, pra, n’e doni fisin, mali, bregu edhe Malcija prej njaj goje sod t’brohrisim: Me gjuhë t’veten rrnoftë Shqypnia!/KultPlus.com
Sot është Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare, e shpallur si e tillë nga UNESCO, në nëntor 1999. Ideja për të festuar Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare ishte iniciativë e Bangladeshit.
Sipas të dhënave të OKB, çdo dy javë një gjuhë zhduket, duke marrë me vete një trashëgimi të tërë kulturore dhe intelektuale.
Të paktën 45% e rreth 7000 gjuhëve që fliten në botë janë të rrezikuara. Vetëm disa qindra gjuhëve u është dhënë vërtet një vend në sistemet arsimore dhe në domenin publik, dhe më pak se 100 përdoren në botën dixhitale.
Shoqëritë shumëgjuhëshe dhe multikulturore ekzistojnë nëpërmjet gjuhëve të tyre, të cilat transmetojnë dhe ruajnë njohuritë dhe kulturat tradicionale në mënyrë të qëndrueshme.
Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare festohet çdo vit për të promovuar diversitetin gjuhësor dhe kulturor dhe shumëgjuhësinë. OKB u bën thirrje shteteve të saj anëtare “të promovojnë ruajtjen dhe mbrojtjen e të gjitha gjuhëve të përdorura nga popujt e botës”.
Sot po rritet vetëdija se gjuhët luajnë një rol jetik në zhvillim, në sigurimin e diversitetit kulturor dhe dialogut ndërkulturor, por edhe në forcimin e bashkëpunimit dhe arritjen e arsimit cilësor për të gjithë, në ndërtimin e shoqërive gjithëpërfshirëse të dijes dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore./ KultPlus.com
Rreth 70% e pakove të supozuara me fletëvotime që mërgimtarët i dërguan në kutitë postare që KQZ i kishte hapur në 22 shtete të ndryshme, përfshirë dhe kutinë postare në Kosovë, janë vlerësuar dhe verifikuar deri më tani Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka treguar për Gazeta Express se sipas të dhënave nga rreth 70 mijë pako që ishin dërguar nga mërgata vetëm në votimin përmes postës, deri më 20 shkurt ky institucion ka vlerësuar 48,018, derisa kanë mbetur edhe 20,938 të tjera.
“Nga data 9 shkurt, kur ka filluar vlerësimi apo verifikimi i pakove me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës dhe deri më 20 shkurt, këtij procesi i janë nënshtruar 48,018 pako, prej të cilave janë aprovuar 45,004 ndërkaq janë refuzuar 3,014. Arsyeja se përse janë refuzuar këto dërgesa, është se ato janë dërguar nga persona që janë anuluar gjatë regjistrimit si votues jashtë Kosovës; u mungon dëftesa e regjistrimit; janë dërguar më shumë se një herë; kanë dërguar më shumë se një fletëvotim; etj.”, tha Elezi.
Më tej, Elezi ka shpjeguar se “sipas procedurave, pakot me fletëvotime i nënshtrohen procesit të vlerësimit, i cili përfshinë verifikimin nëse ato u takojnë votuesve të regjistruar dhe nëse janë ndjekur procedurat tjera të parapara”.
Nga votimi jashtë Kosovës, këto nuk do të jenë votat e vetme që do të numërohen dhe përfshihen në rezultatet përfundimtare. Pjesë e këtyre rezultateve do të bëhen edhe votat nga votimi në përfaqësi diplomatike. Sipas të dhënave preliminare të KQZ-së, nga 20 mijë e 324 votues që ishin të regjistruar paraprakisht për të votuar në këto përfaqësi, në këtë proces zgjedhor kanë votuar 75.54% apo 15,352 votues.
Gjatë periudhës së regjistrimit, nga 104,924 shtetas të regjistruar për votim jashtë Kosovës, pjesa më e madhe e tyre, 84,600, ishin regjistruar për të votuar përmes postës dhe vetëm 20,324 ishin regjistruar për votimin fizik në përfaqësitë diplomatike.
Gjithashtu, KQZ nuk ka numëruar ende votat nga votimi në vendvotime me kusht (56), votat e personave me nevoja të veçanta.
Duke u mbështetur në të dhënat e KQZ-së, numri i zarfeve me fletëvotimeve nga vendvotimet me kusht është 12,801, të cilat gjithashtu do t’i nënshtrohen verifikimit, i cili përfshin krahasimin me listën e votuesve të nënshkruar në vendvotime të rregullta. Ndërkaq, numri i votave të personave me nevoja të veçanta është: 2,597 vota./ KultPlus.com
Lah Nimani ka qenë legjenda e boksit kosovar. Edhe boksieret tanë shqiptar si Luan Krasniqi, Elvir Muriqi etj, u mbetet pikë në zemer se do të arritnin më shumë në boksin amator dhe profesionist po të kishin punuar me profesorin që të gjithë e quanin Baca Lah.
Ai fitoi çdo gjë në boksin amator duke fituar pesë here titullin e ish-Jugosllavisë, gjashtë herë nënkampion i ish-Jugosllavisë dhe tre here vendin e tretë në ish- Jugosllavi. Ai përgaditi për katër herë boksier për Lojrat Olimpike (1976,1980,1984,1988). Baca Lah ka edhe medaljen e artë në Lojrat Olimpike si trainer në Moskë (1980) të Rusisë me boksierin serb, Sllobodan Kacar, gjë që asnjë shqiptar deri më sot nuk ka sjell medalje të artë.
Shkollën fillore e kreu në vendlindje në Skënderaj ndërsa atë të mesme në Prishtinë (Shkolla normale) për të vazhduar studimet në Universitetin e Beogradit (Fakuleti i Edukatës Fizike).
Gjatë studimeve në Beograd ai kishte fatin të punonte me një profesor të zotin i cili e mësoj shumë gjëra të sporteve luftarake dhe këtë Lahu e shfrytëzoi mjaft mire dhe sjelli mësimin a atjeshëm në vendin tonë çka nuk e kishte bërë asnjë shqiptar më pare.
Fillimisht Lah Nimani të cilët të gjithë e kishin njohur me nofkën “BACA LAH” pas diplomimit ishte punësuar si Arsimtar i edukatës fizike në qytetin e Mitrovicës. Pas një kohe fillon të punoj në klubin e boksit “Akumulatori “ ku ishte edhe zanafilla e parë për boksin e atëhershëm. Pas suksesit që kishte me ekipin Akumulatori ekipi i boksit Prishtina kishte filluar t`a gjurmonte dhe në mes të stinorit 1973-74 baca Lah transferohet në ekipin e Prishtinës. Ekipi i Prishtinës kishte boksier të shkëlqyer mirpo i mungonte një strateg i cili do të arrinte suksese me ta.
Prishtina u bë ekip me nam jo vetem në Kosovë por edhe në tërë ish-Jugosllavinë. Boksieret si Nazif Gashi, Bajram Hashani,Mehmet Bogujevci, Xhevdet Peci, Aziz Salihu, e shumë tjerë filluan që popullit tone t`ju sjellin medalje krejt këto falë punës së palodhshme të Lah Nimanit.
Në vitin 1998 Lah Nimani shkoj ta vizitonte të birin në Oklahoma të SHBA-ve, atëhere filloj Lufta në Kosovë dhe nga ajo kohë legjenda Nimani jetoi atje derisa vdiq më 20 shkurt 2008./ KultPlus.com
Kontributi i etnomuzikologut, Haxhi Dalipit në sferën muzikore është tejet i madh, aq sa ai mori titullin “Artist i Merituar”.
Ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në etnomuzikologjinë shqiptare, ka krijuar dhe riorkestruar shumë këngë e valle popullore shqiptare, nga të gjitha trevat e Shqipërisë, që nga Kosova, Tropoja, Shqipëria e Mesme e Labëria, duke i sjellë rifreskuara për publikun. Ka shkruar romanca, balada, rapsodi e opereta për fëmijë.
Në shkollën e mesme e studioi për flaut. Më pas ndoqi studimet e larta pranë Institutit të Lartë të Arteve në Tiranë për kompozicion dhe dirigjim. Pas përfundimit të studimeve, për vite me radhë drejtoi Ansamblin “Labëria” në Vlorë, duke e bërë atë një nga ansamblet më të mira në vend. Në vitin 1988 krijoi orkestrën simfonike dhe filarmoninë e qytetit. Punoi si dirigjent kori në Vlorë, si pedagog në Akademinë e Arteve dhe Orkestrën e Radio Televizionit Shqiptar.
Deri një vit më parë, Dalipi ishte drejtor i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore. Në krye të këtij institucioni i cili e kishte humbur shkëlqimin e dikurshëm, Dalipi u mundua të rikthente publikun, të organizonte koncerte dhe të ringjallte edhe njëherë korifenjtë e muzikës dhe valles shqiptare.
Të munguara për vite me radhë, ai i ktheu ansamblit turnetë nëpër rrethe dhe pjesëmarrjen në aktivitete dhe festivale ndërkombëtare. Ai u dorëhoq nga drejtimi i Ansamblit, kur Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve vendosi ta kalonte atë sërish nën varësinë e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Ai vdiq në vitin 2006./ KultPlus.com
“Adio, gjakftohtësi, armë e shkrimeve të mija! Pse vallë? Kjo siç duket është merita jote. Unë në përgjithësi kurrë nuk kam hapur sytë rrugëve pas fustaneve, po tani i kam mbyllur fare – kudo vetëm ty të shoh”. Deri në fund të jetës, Dritëro Agolli e deshi Sadijen, jo sa vetja. Ai thotë, edhe më shumë. Do të mjaftonin vetëm disa letra, shkëputur nga një letërkëmbim i gjatë, për të kuptuar, ndoshta jo gjithçka, por diçka nga ajo ndjenjë e thellë që i lidhte. Ai, tashmë poet e shkrimtar i konsoliduar, “në moshën e Krishtit”, siç thotë ai, ndërsa ajo, një vajzë, që sapo kishte mbaruar shkollën e punonte si mësuese letërsie në Shkodër.
Ai në Tiranë, ndërsa ajo në Shkodër. Një distancë e gjatë asokohe, kur mjetet e transportit ishin të kufizuara, ndërsa ato të komunikimit përmblidheshin në ndonjë telefon të rrallë, letra e telegrame, shkruan Panorama. Sot, në botën e teknologjisë, së skype-it, whatsapp-it, facebook-ut, ato letrat e zverdhura nga koha dhe të shkruara me dorë, janë edhe më të vyera dhe të papërsëritshme. Aq më tepër kur shkruhen nga njerëz të letrave. Në ditën e 75-vjetorit të Sadijes dhe në prag të ditëlindjes së Dritëroit, po botojmë disa letra që dy të dashuruarit i dërgonin njëritjetrit në vitet ’60. Dritëroi, që nuk para i kishte shumë qejf telefonat, vlerësonte në veçanti letrat, kur ato shkruheshin me vërtetësi e ndjenja të pastra. “Njerëzit zakonisht në këto letrat e dashurisë kanë qejf të bëhen ose hamletë, të tregojnë sa vuajnë e sa janë të mërzitur nga bota, ose të bëhen si xhaxhallarë të urtë me shprehje plot mirësi e didaktikë, t’i mësojnë vajzat të mos bijen në gabime, t’u thonë atyre se ka njerëz që janë të liq e ku të di unë. Këta u shëmbëllejnë atyre njerëzve, të cilët kur flasin me femra i venë më shumë rëndësi intonacionit të zërit, gjesteve elegante, manierës së të qëndruarit dhe harrojnë të mjerët, natyrën e tyre. Fatkeqët!”, shkruan në një prej letrave dërguar Sadijes, Dritëroi. Ai është më pasionant, ndërsa ajo më e përmbajtur dhe më koncize në letrat e saj. Ndjenjat dhe mallin për Dritëronë i shpreh në pak rreshta, ndërsa ai duket se nuk lodhet duke i shkruar se sa e do dhe sa ia ndien mungesën kur janë larg. Veç dy stileve të ndryshme të të shkruarit, por edhe dy karaktereve të ndryshme, nëpër letra zbulojmë edhe dy të folme. Ai me të folurën e Devollit, ndërsa ajo të Shkodrës. “Tashti fillon edhe shkolla, kështu që do të jem gjithëmonë e zanun, por mos kujto që s’do kem kohë të lirë të mendoj për ty. Çdo natë mendoj dhe due që të shohë në andër. Ti je njeriu ma i mirë dhe ma i afërt për mue, edhe atëherë kur jam e inatosur me ty”, i shkruan Sadija. Letërkëmbimi, si forcë zakoni, por edhe si një dëshmi dashurie, ka vijuar deri në vitet e fundit të jetës së shkrimtarit, atëherë kur mendonte se fluturimet e pulëbardhave mbi liqenin e Pogradecit do të ishin të fundit që do të shihnin së bashku
Nuk e dij se ç’ka ndodhur me mua. Në moshën e Krishtit unë të bëhem kaq i papërmbajtur në çfaqjen e ndjenjave të mija? Mjafton të qëndroj pakëz në vetmi e të jepem i tëri pas teje. Kurse kur jam me shokët nuk e kam mëndjen në muhabetin e përgjithshëm. Më thonë se paskam ndryshuar kaq shumë sa s’njihem. Unë nuk kam qejf të ndryshoj natyrën time, prandaj ngushëlloj vehten, duke menduar se shokët, me që dijnë historinë time me ty, gabojnë në gjykimet e tyre. Po ç’është e vërteta unë ju jap të drejtë atyre se diçka ka ndodhur. Në mesditë të jetës dashuria qënka e çuditshme. Dua që në këtë çast të jem me ty. Ti të rrish karshi meje, të flasësh, të qeshësh. E di ti se më pëlqen qeshja jote? Ti qesh fare, fare. E sheh si është natyra e njeriut e dyfishtë? Unë në tregime e në vjersha jam shumë i përmbajtur, apo jo? Edhe në shkrimet e dashurisë bile jam i përmbajtur. Po kur nis të të shkruaj ty dhe e humb gjakftohtësinë. Adio, gjakftohtësi, armë e shkrimeve të mija! Pse vallë? Kjo siç duket është merita jote. Unë në përgjithësi kurrë nuk kam hapur sytë rrugëve pas fustaneve, po tani i kam mbyllur fare – kudo vetëm ty të shoh. Letra është një shprehje e çastit.
Sikur ne t’i shkruanim letrat e t’i mbanim pa i dërguar qoftë edhe një ditë, natyrisht po të ishim në gjëndje shpirtërore normale, të tretën ditë do t’i grisnim e do të thoshim me vehte: ç’marrëzi kemi shkruar! Të tri letrat që të kam nisur para kësaj kanë plot marrëzira, se shpirtërisht nuk kam qënë mirë. Po mos u mërzit, njeriu duhet të ketë edhe çaste marrëzie, se do të na mbyste atëherë monotonia. Duhet të zbavitemi me ndonjë letër me nuanca anormale. Njerëzit zakonisht në këto letrat e dashurisë kanë qejf të bëhen ose hamletë, të tregojnë sa vuajnë e sa janë të mërzitur nga bota, ose të bëhen si xhaxhallarë të urtë me shprehje plot mirësi e didaktikë, t’i mësojnë vajzat të mos bijen në gabime, t’u thonë atyre se ka njerëz që janë të liq e ku të di unë. Këta u shëmbëllejnë atyre njerëzve, të cilët kur flasin me femra i venë më shumë rëndësi intonacionit të zërit, gjesteve elegante, manierës së të qëndruarit dhe harrojnë të mjerët, natyrën e tyre. Fatkeqët! Me këtë, pa ditur edhe vetë, bëhen të mërzitëshëm. Unë sot gjithënjë kam jetuar me ty. Shkonja në rrugë – isha me ty, shkonja në kafe – isha me ty, shkonja në bibliotekë të kërkonja ndonjë libër – isha me ty. Po ç’u bë kjo, thosha me vehte, ëngjëll mbrojtës? Dreq o punë. Është mirë kur të duan, apo jo? Po jo kur të duan “se na bashkojnë zakonet dhe afërsitë krahinore”! Kur të duan krejt ndryshe, krejt pa përcaktuar, pa rregulla, atëherë mund të jesh e lumtur. Unë nuk kam qef të më duan me rregulla, nuk dua të hyj nëpër unazë si akrobat. Bile unë kam qejf kështu: nuk e ndjen vehten mirë me mua një ditë, thua: më mërzite, Dritëro, sot nuk të dua, nesër mund të të dua, m’u çduk tani nga sytë! Çaste të tilla ka, apo jo? Po njeriu është edhe rrufjan-hipokrit, që ka frikë të hapet e të shprehë gjithënjë të vërtetën. Megjithëse ti kështu nuk më ke thënë asnjëherë, po unë ka patur raste, që çaste të tilla, të shkurtra fatmirë- sisht, i kam nuhatur. E dij që këto janë në natyrën e njeriut, prandaj as jam mërzitur fare. Po mos nuhatnja të tilla çaste, unë nuk do të të desha dhe nuk do martohesha me ty. I marrë, do thuash, po është e vërtetë. Tani të të them pse nuk të kam marrë në telefon. E di ti se unë nuk kam qef të flas në telefon se më mbarohen fjalët? S’di ç’të them. Që të flas, unë dua ta shoh njerinë, ose ta përfytyroj. Në telefon as e shoh, as e përfytyroj. Nuk e kuptoj se si më ka lindur kjo mani e pse më mbyllet goja në telefon. Duhet të jetë ndonjë sëmundje! Prandaj mos ma merr për të keq që nuk të kam telefonuar. Në Durrës nuk kam shkuar për të pyetur atë shokun tim, se ç’bëri me syzet që kam porositur për ty. E kam marrë ca herë në telefon, po ka qënë me leje dhe nuk më ka dalë. Kam filluar të bëj një jetë më normale, më realiste. Për librin tim* me tregime kam pyetur në ndërmarrje të botimeve e më kanë thënë se së shpejti duhet të dalë në qarkullim. Më nxori mjaft telashe ky libër. Sipas numrit ky është libri i katërt që botoj, po më i vështiri dhe më i ngatërruari. Ky i pesti me vjersha që po pregatit s’besoj të ketë fatin e tregimeve. Në vjersha jam në terrenin tim dhe di të orientohem, megjithëse një zvaranik më tha se shumë vjersha duhet t’i heq. Lexova një libër nga Dostojevski dhe më ka lënë pa gjumë me tipat dhe figurat e tij të tmerrshme. Një burrë tërë natën mendon para qivurit të gruas së tij, që ka vrarë vehten. Cilat kanë qënë arësyet që gruaja e tij vrau vehten? Rreth kësaj shkruhet tregimi. Ka një moment të hatashëm Burrin e ka ftuar një njeri në duel (përpara se ky të martohej). Ai refuzon, nuk pranon të bëjë duel. Të gjithë e quajnë frikacak. Pas shumë situatash gruaja e çdashuron atë. Ai është shtrirë e fle. Ajo merr revolen dhe ia vë në tëmbth tytën e hekurt. Ai hap sytë, e shikon me gjakftohtësi tytën dhe i mbyll prapë. Gruaja tronditet. Përherë të parë kupton se ky nuk është frikacak. Po si është e mundur që refuzoi duelin? “Të refuzosh duelin – tha ai – kërkon më shumë burrëri!” Me të vërtetë është tregim i fortë. Gjynah që ti nuk e lexon dot. E kështu, moj e dashur, mjaft griva, po e mbyll letrën. Të puth, Dritëro 19.8.1964 *Bëhet fjalë për librin “Zhurma e erërave të dikurshme”, botim i ndaluar në vitin 1965.
*** E dashur Sadije, Kjo është letra e fundit për 1964-n. Bukur ndodhi me ne. Na ishin dy njerëz diku në një qytet, u takuan, u dashuruan. Viti ecte, ecte. Dhe kështu erdhi dita e fundit e 1964. Njeriu ditën e fundit të vitit bëhet pak fillosof, apo jo? Të kujtohet kur më ke takuar mua me një shishe në dorë vjet në këtë kohë? Ku ta dinje ti se ai njeri me atë shishe një ditë do të bëhej burri yt? E sheh sa të papritura ka në një vit? Po ti mund të mos bëheshe gruaja ime. Kudo që të ishe e me këdo që të takoheshe ti do të ishe njeri i mirë dhe i bukur. Ndofta unë ty të kam ëndërruar edhe në vite të tjerë, edhe pa të parë? Ë, ku ta dish? Po bëhem pak mistik e qesharak. Në fund të këtij viti, plot dashuri për ty, të uroj të jesh e mirë, e bukur, e dashur. Unë jam ngaherë edhe burri, edhe i dashuri yt. Të puth shumë, shumë.
Dritëro
*** E dashur Sadije, U ktheve në shtëpi e lodhur, po me fitore. U bëre zyrtarisht gruaja ime. S’ka tani tërc mërc. Emrin tim e ke edhe në pashaportë. Bëjmë shaka, se s’ka ndonjë rëndësi një vulë e thatë. Ne edhe sikur mos e kishim atë vulë prapë bashkë do të ishim. Sa u lodhe dhe sa nerva prishe ato nja dy ditë që isha unë në Shkodër. Po kushdo që të ishte ashtu do të mërzitej si ti. Nisesh për një gjë serioze e të del përpara një pengesë mizerabël! Mua më vinte shumë keq për ty. Po mirë që mbaruam shpejt. Unë ty të dua gjithënjë e më shumë. Mos kij për këtë asnjë dyshim. Edhe celebrimin e bëmë, edhe e duam shoku shokun. Vetëm, me që janë bërë tërë formalitetet, ti duhet të vish ndonjëherë në Tiranë. Llogjikisht tani nuk duhet të kesh asnjë pengesë nga asnjeri. Të them të vijsh se mua ngaherë më merr malli për ty. Dje, pas celebrimit tonë të famshëm, unë kam qirasur gjithë ata njerëz. Të trashëgohesh, thosh njeri; të trashëgohesh, thosh tjetri. Sikur ne u fejuam dje! Siç duket ajo e djeshmja paska rëndësi dhe u quajtka si martesë. Sot më erdhi telegrami yt dhe u gëzova që e ndjen vehten mirë. Kur u nise dje unë u trëmba, se do të sëmureshe shumë rrugës. Lutjen a e bëre? Mos e lërë pasdore dhe mos i nënvleftëso formalitetet, si unë se ngatërron punën siç e ngatërrova unë në zyrën e gjëndjes civile në Shkodër. Po më mirë që e bëmë celebrimin në Tiranë, u bë më natyrshëm e më njerzishëm. Edhe Qakua me Vaskën ishin simpatikë. Eja papritur ndonjëherë. Të puth shumë Dritëro 7.1.1965
*** I dashtun, në Shkodër po bjen borë. Ç’mrekulli? Sikur të ishe dhe ti do të ishte edhe ma mirë. Megjithëse ndejta deri tashti tue ba plane simestrale, gëzimi i dëborës së parë që po bjen nuk më asht shue. Kjo dëbora lidhet gjithëmonë me kujtime të bukura. Nesër filloj edhe shkollën, do dalë të bajë disa fotografi. Sot më dukesh sikur të përcillnja në ndonji vend të afërt, sikur ti do të vijsh përsëri së shpejti. Vetëm kur ikën më kap mërzija. Tashti e shoh sa e lidhun jam me ty. Mirë thue ti jemi lidhë me fije të padukëshme aqë keq sa nuk mund të zgjidhemi ma. Tashti hajde mbas tre javësh se këtu harxhon edhe shumë të holla. Unë të premtoj se nuk do të mërzitem. Tashti fillon edhe shkolla, kështu që do të jem gjithëmonë e zanun, por mos kujto që s’do kem kohë të lirë të mendoj për ty. Çdo natë mendoj dhe due që të shohë në andër. Ti je njeriu ma i mirë dhe ma i afërt për mue, edhe atëherë kur jam e inatosur me ty. Mor fishek meqënëse ke premtue se do të mbarojsh novelën, puno, mos u sill shumë. Artikullin a e shkrove, do të kesh mendue mjaftë në autobuz. Katër orë nuk i thojnë pak, mandej bashkëudhëtari nuk besoj të të ketë mbajtë me muhabet. S’kisha pse të bahesha xheloze. Po shkoj të fle se ora shkoi vonë. Të puth përpara se të marrë gjumi, sidomos synin që nuk të sheh para mirë. Do ta shëroj edhe atë me të puthuna. Të puth shumë Sadija P.S. Sot sa ika prej shkollës së tregtisë, mora tre letrat e tua. Natën e mirë i dashtun 8.II.1965
*** Gjëra të padukshme Kam lënë tek ti mishin, kockat, flokët qime për qime. Dhe po ta hapësh shpirtin e gjen dhe zemrën time Ku fshihet një koleksion që as ti s’e kupton… Në verë do të shkojmë në një hotel buzë liqenit. Atje do të ndjekim me sy pulëbardhat që shpërndahen e bashkohen mbi cipën e kaltërt, duke formuar një lule të bardhë të madhe, që zhduket e shfaqet, që shpërbëhet dhe bëhet përsëri mes thirrjesh të sinqerta gëzimi. Ne, dy pleqtë të ulur në ballkon, do t’i ndjekim me sy këto qenie të bardha duke psherëtirë. Pak kohë na ka mbetur ta soditim këtë mrekulli! A mbase do të jetë hera e fundit… Verë 2014, Tushemisht, Pogradec
*** E dashur Sadije, Të dua si jetën time, madje edhe më shumë; dëshiroj sinqerisht që unë të vdes dhe ti të jetosh. Unë edhe i vdekur, do të ndjek për të të parë buzëqeshjen tënde, megjithëse kjo buzëqeshje, brenda errësirës së varrit nuk duket, por unë do të bëj të pamundurën, qoftë edhe me anën e një fluture, që do të dalë nga kockat e mia. 13 maj 2014. /KultPlus.com
Unë e desha përtej vdekjes, Ashtu dashurova unë Edhe prap s’ia fal dot vetes: S’i s’e desha pak më shumë… Pak më shumë ku shpirti thyhet, T’i them ndarjes: – Prit, ca pak… Të gënjejmë mallin që s’shuhet, Kujtimin të gënjejmë pak. Përtej vdekjes, përtej botëve, Atje ku nis “ca pak” tjetër,- Asaj që më rri mes Zotave: “Si s’të desha pak më tepër…”. /KultPlus.com
Kryeveprat më të mëdha letrare kanë pasur si protagoniste dashurinë. Lumenj ndjenjash janë derdhur, duke bërë të rrjedhin fjalë të paharrueshme. Njerëz të mëdhenj, artistë, shkencëtarë: “I gjithë universi i bindet dashurisë”.
Ja përse në vite, kujtohen për të tjera arritje dhe suksese, por nga sirtarët e jetës së Einstein, Johnny Cash, Beethoven, Winston Churchill dhe shumë të tjerëve, dalin edhe letrat e dashurisë që u kanë shkruar të dashurave të tyre.
Një sondazh në Angli ka zgjedhur më të bukurat, ku ndoshta mungojnë ato që mund të presim, shkruan revistaclass. I bën mirë zemrës megjithatë, të lexosh këto radhë për të rizbuluar dhe kuptuar që kjo ndjenjë, është kaq e thjeshtë për t’u provuar, kaq e thjeshtë për t’u shprehur.
Johnny Cash gruas së tij June Carter Cash (1994) “U plakëm dhe u mësuam të rrimë bashkë. Mendojmë njëlloj. Komunikojmë me mendje. E dimë çfarë do tjetri pa qenë nevoja ta kërkojmë. Ndonjëherë njëri e nevrikos tjetrin. Ndoshta ndonjëherë e marrim tjetrin të mirëqenë. Por herë pas here, si sot, mendoj për ne të dy dhe e kuptoj sa me fat jam që ndaj jetën me gruan më fantastike që kam takuar në jetë”.
Winston Churchill gruas Clementine Churchill (1935) “E dashura ime Clemmie, në letrën që më dërgoje nga Madras kishe shkruar gjëra që për mua janë shumë të rëndësishme, që ta kisha bërë jetën më të bukur. Nuk mund ta them çfarë kënaqësie më dha kjo, sepse ndihem gjithmonë tmerrsisht në borxh me ty, nëse lejohet që në dashuri të bëhen të tilla llogari”.
John Keats i shpreh dashurinë Fanny Brawne (1819) “Nuk mund të jetoj pa ty, harroj çdo gjë, por kur të shoh, jeta duket sikur ndalet, nuk shoh asgjë tjetër. Më ke përthithur”. Ernest Hemingway, Marlene Dietrich (1951) “Nuk arrij të përshkruaj sesi sa herë që të përqafoj, ndjehem në shtëpi”.
Napoleone Bobaparte, Josephine de Beauharnais (1796) “Që kur të kam lënë, jam gjithmonë i trishtuar. Lumturia ime është pranë teje. Sjell gjithmonë në kujtesë përkëdheljet e tua, lotët e tu, ngrohtësinë tënde të dashur. Magjepsja e së pakrahasueshmes Josephine Kindle ndez një zjarr dhe një flakë të pashuar në zemrën time”.
Richard Burton, Elizabeth Taylor (1964) “Sytë e mi të verbër presin dëshpërimisht të të shohin ty. Ti nuk e kupton, natyrisht , EB, sa e bukur dhe tërheqëse ke qenë gjithmonë dhe sesi ke fituar një vlerë më shumë mirësie të veçantë e të rrezikshme”.
Mbreti Enrico VIII, Anna Bolenas (1527) “Po guxoj të të kërkoj të ma thuash prerë çfarë mendon për dashurinë tonë. Nevoja më shtrëngon ta di përgjigjen tënde, duke qenë që kam një vit që jam plagosur nga dashuria dhe ende nuk jam i sigurt nëse kam apo jo një vend në zemrën tënde”.
Lasgush Poradeci i njohur si shkrimtari i poezisë së dashurisë, pas vete ka lënë shumë dorëshkrime, thënie, që publikohen herë pas herë nga studiuesit, por edhe nga ata që e kanë njohur nga afër këtë shkrimtar të madh, shkruan KultPlus.
Meri Lalaj më herët kishte botuar pjesë të shkëputura që kanë ndërlidhje më Poradecin, dhe një pjesë e këtij botimi ka të bëjë edhe me Kosovën, ku Lasgush Poradeci as dasmat po as vdekjen nuk i dëshironte pa bashkimin e Shqipërisë me Kosovën.
Meri Lalaj mbi këtë cështje kishte botuar këtë pjesë:
Diku Lasgushi ka shkruar: “Do të vijë një kohë, kur do të vemë në dasmë e do të urojmë: Mos e pifshim këtë gotë, po të mos bashkohemi me Kosovën! Dhe do të vemë në vdekje dhe do të ngushëllojmë: Mos e pifshim këtë gotë në mos u bashkofshim me Kosovën…Do të vijë një kohë kur dollia do të fillojë me këto fjalë: Mos e pifshim këtë gotë në mos u bashkofshim me Kosovën.”/KultPlus.com
Ish-solisti i grupit Nirvana i dha fund jetës së tij, në gjendje të rënduar psikologjike dhe emocionale, në vitin 1994. Përpara aktit final, la një letër për bashkëshorten dhe vajzën.
“Po ju flas nga këndvështrimi i një njeriu të thjeshtë disi me përvojë, i cili do të preferonte të ishte një fëmijë. Kjo letër duhet të jetë mjaft e thjeshtë për t’u kuptuar. Të gjitha paralajmërimet bazë të shkollës që më janë bërë ndër vite, që në fillimet e mia, si etika e pavarësisë dhe komunitetit, kanë rezultuar të sakta. Nuk ndjej më emocione në dëgjimin e muzikës apo edhe në krijimin e saj.
Kjo më bën të ndihem tmerrësisht fajtor. Për shembull, kur jam në prapaskenë dhe dritat fiken dhe dëgjoj të bërtiturën e publikut që ngrihet me zë të lartë, nuk e ndjej atë që ndjeu Freddie Mercury, i cili u ndje i dehur nga turma, ai merrte energji prej saj. E kam admiruar gjithmonë dhe e kisha zili për këtë. Fakti është se nuk mund ta gënjej asnjërin prej jush. Thjesht nuk do të ishte e drejtë. Krimi më i madh që mund të bëj është që të pretendoj dhe të besoj se po argëtohem 100%. Ndonjëherë më duket se e bëj këtë krim sa herë që ngjitem në skenë. Unë kam provuar gjithçka që kam në dorë, kam Zotin dëshmitar, por kaq mundem.
Unë jam shumë i ndjeshëm. Më duhet të trullos veten për të rifituar entuziazmin që kisha kur isha fëmijë. Gjatë tre turneve tona të fundit kam qenë në gjendje të vlerësoj shumë më tepër njerëzit që kam njohur personalisht dhe fansat e muzikës sonë, por ende nuk mund ta kapërcej zhgënjimin, fajin dhe ndjeshmërinë që kam për të gjithë. Pse nuk argëtohem? Nuk e di. Unë kam një grua hyjnore me ambicie dhe ndjeshmëri, dhe një vajzë që më kujton kohën kur isha si ajo, plot dashuri dhe gëzim…
Të puth të gjithë njerëzit që takoj, sepse të gjithë janë të mirë dhe askush nuk mund të bëjë keq, kjo më tmerron deri në atë pikë sa humbas funksionet e mia jetësore. Nuk e duroj dot idenë që Frances të bëhet një rokere e mjerë, vetëshkatërruese si unë. Më ka shkuar mirë, shumë mirë gjatë këtyre viteve dhe jam mirënjohës, por jam rritur me urrejtje për njerëzimin që në moshën shtatë vjeçare. Faleminderit të gjithëve nga fundi i stomakut tim të djegur e të sëmurë, për letrat dhe mbështetjen që më keni dhënë ndër vite. Unë jam një fëmijë i paqëndrueshëm! Dhe nuk kam më asnjë emocion, dhe më besoni është më mirë të digjem shpejt sesa të zbehem ngadalë!
Më 20 shkurt 1989, në horizontet e minierës së Trepçës, jehoi zëri i fuqishëm i qëndresës shqiptare. Me shpirtin e pathyeshëm, minatorët nisën një grevë urie që tronditi themelet e padrejtësisë.
Tetë ditë në galeritë nëntokësore, ata nuk kërkuan pasuri për vete, por të drejtat kushtetuese të Kosovës. Ata protestuan, duke sfiduar një regjim që donte ta shuante identitetin tonë kombëtar.
Greva e tyre nuk ishte vetëm një akt sindikal, por një shpërthim i ndërgjegjes kombëtare.
Nderim dhe kujtesë e përhershme për minatorët, të cilët ishin dhe mbeten pishtarët e lirisë, dëshmitarë të guximit dhe krenarisë sonë kombëtare./KultPlus.com
Më datë 20 shkurt të vitit 1815, lindi Sulejman Vokshi, një prej figurave më të rëndësishme në zhvillimet e Lidhjes së Prizrenit.
Në gjirin e një familjeje gjakovare të spikatur për veprimtari patriotike, u mbrujt i gatitur për t’u flijuar në emër të lirisë së kombit. Ai ishte në vijën e parë të luftës për e pavarësinë e plotë të trojeve shqiptare. Themeloi dhe priu, politikisht dhe ushtarakisht, Lidhjen e Prizrenit.
Në një hark kohor të shkurtër, nën drejtimin e tij, pushteti administrativ e ushtarak i Lidhjes së Prizrenit mundi të konsolidohej duke u shtrirë drejt Shkupit, Prishtinës, Mitrovicës, Gucit, Vuçiternës, Preshevës etj.
Në cilësinë e kryetarit të shtabit të forcave shqiptare, Sulejman Vokshi mori pjesë në luftën e zhvilluar kundër forcave osmane të Dervish Pashës, për mbrojtjen e Lidhjes në Shtimje e Slivovë. Shfaqi qëndresë të patundur ndaj pushtuesit osman, edhe pas shpërndarjes së qeverisë së Lidhjes. Në vitin 1885 organizoi në Kosovë kryengritjen e radhës kundër zgjedhës së huaj. Për aktivitetin e tij atdhetar, Gjykata e Jashtëzakonshme e Prizrenit e dënoi me vdekje, vendim ky që nuk gjeti zbatim, pasi Vokshi u lirua nga burgimi.
Sulejman Vokshi radhitet ndër udhëheqësit e luftëtarët më ngulmues të popullit shqiptar në luftën për arritjen e sigurimit të unitetit kombëtar e shtetëror. Figura e tij u përjetësua jo vetëm në historiografi, por edhe në këngët popullore historike të asaj periudhe, dramaturgji etj. / atsh / KultPlus.com
Sot është Dita Botërore e Drejtësisë Sociale, e shpallur si e tillë nga Asambleja e Përgjithshme e OKB më 26 nëntor të vitit 2007.
Për OKB, avancimi i drejtësisë sociale duhet të jetë synimi kryesor që drejton të gjitha politikat kombëtare dhe ndërkombëtare.
Mbështetësit pretendojnë se promovimi i punës së denjë dhe një axhendë e drejtë globalizimi e fokusuar në të drejtat themelore, mundësitë e punësimit, mbrojtjen sociale dhe dialogun social konstruktiv midis qeverive, punëdhënësve dhe punëtorëve është çelësi për vendosjen e drejtësisë sociale.
Megjithatë, avokatët vënë në dukje padrejtësitë e rënda të vazhdueshme, pasigurinë e përhapur të punës, pabarazinë e lartë dhe zbërthimin e kontratave sociale të përkeqësuara nga krizat globale. Këto realitete të ashpra kërcënojnë përparimin e bërë në çështjet sociale. Përforcimi i institucioneve dhe politikave që vërtet avancojnë drejtësinë sociale shihet nga OKB, si një prioritet urgjent. / atsh / KultPlus.com
Karnavalet e Shkodrës janë kryefjala e organizimeve artistike në këtë qytet prej datës 17 shkurt, ndërsa pritet të kulmojnë në 23 shkurt me një festë madhështore me muzikë dhe pjesëmarrjen e shumë personazheve publikë.
Bashkia Shkodër ka shpërndarë sot disa foto nga atmosfera festive e karnavaleve, ku protagonistë kanë qenë fëmijët nga shkollat e qytetit.
Me kostume shumëngjyrëshe dhe interpretime të ndryshme, ata kanë sjellë gjallëri në rrugët e qytetit përmes paradave, koncerteve dhe aktiviteteve artistike. Një festë që ruan traditën dhe sjell gëzim për të gjithë.
Prej tri ditësh në Shkodër ka nisur Festa e Karnavaleve, ku kostumet shumëngjyrëshe, maskat si dhe atmosfera festive po mbizotërojnë në të gjitha rrugët, sheshet dhe në kalanë e Rozafës. Të rinjtë dhe fëmijët e qytetit kanë shpalosur kreativitetin e tyre.
Shkodra është qyteti që e ka festuar më herët Karnavalen. Festimet e para i përkasin gjysmës së dytë të shekullit XIX, saktësisht vitit 1860, duke krijuar një traditë solide që vazhdoi deri në vitin 1946, ku për shkak të regjimit komunist, u ndalua së festuari për t’u rikthyer sërish si traditë pas viteve ’90./atsh/KultPlus.com
Dhe nëse do që të më duash mos me duaj me asgjë tjetër, veçse me dashuri. Kurrë mos thuaj “E dua për buzëqeshjen, për vështrimin, për mënyrën fisnike të të folurit, për idetë e saj që përkojnë, me të mija të cilat një ditë më bënë të qetë.” Këto gjëra,i dashur, mund të ndryshojnë në vetvete ose të ndryshojnë për ty. Kështu një dashuri mund të zhduket. Dhe ti mos më duaj gjithashtu me keqardhje për të fshirë lotët në faqet e mia. Të qarat mund t’i harrojë kush e pati gjatë komfortin tënd, e të humbasë, kështu, dashurinë tënde. Por ti më duaj, vetëm me dashuri të dashurisë, që rritet në ty, me një dashuri eterne !/ KultPlus.com
Britanikët po vërshojnë në një vend të rrallë mesdhetar të quajtur “Maldivet e Evropës”, ku kostoja e jetesës është më e lirë se në BM dhe ku 300 ditët e vitit janë me diell, sipas një artikulli të publikuar në të përditshmen britanike “MailOnline”.
Britanikët në kërkim të destinacioneve të përballueshme po zgjedhin të jetojnë në Shqipëri, një shtet ish-komunist i rrethuar nga detet Adriatik dhe Jon, dhe i konsideruar si më i bukur dhe shumë më lirë se Greqia.
Popullariteti i vendit mesdhetar është rritur – duke u shndërruar në një destinacion pushimesh, me mbi 100 000 vizitorë britanikë që udhëtojnë atje çdo vit.
Si një nga destinacionet më të lira në Evropë, Shqipëria ka tërhequr, kryesisht vëmendjen e pensionistëve – falë kostos së ulët të jetesës, atmosferës së qetë, peizazheve mahnitëse dhe vendasve miqësorë që mirëpresin vizitorët e huaj – ndryshe nga çfare po ndodh në disa vende të njohura të Evropës Perëndimore.
Moti i mirë, akomodimet e lira dhe interneti me shpejtësi të lartë e bëjnë Shqipërinë, vendin e përsosur për të punuar në distancë, sipas sipërmarrësve të rinj.
Ndër ata që kanë zgjedhur një jetë të re në Shqipëri është Chris Knight, së bashku me partneren e tij Suzy, duke blerë një shtëpi ëndrrash në janar 2023.
“Duke parë perëndimin e diellit nga shtëpia jonë e re në Sarandë pasi zbulove një plazh të fshehur – ndihem vërtetë shumë me fat dhe shumë i bekuar”, tha ai duke ndarë foto të shtëpisë së tij luksoze në resortin Riviera të Sarandës.
“Të jesh anglez është shumë e vështirë të kuptosh se sa miqësor dhe ndihmues është populli shqiptar. Do të na pëlqejë jetesa këtu”, shtoi ai.
Pas vendimit për t’u zhvendosur në Shqipëri – dy vjet më parë, Chris është angazhuar në komunitetin lokal të emigrantëve, duke përfshirë një organizatë bamirësie lokale për shpëtimin e kafshëve.
Ai gjithashtu ndan rregullisht foto të perëndimit të diellit mahnitës në mediat sociale dhe komente duke vlerësuar ndershmërinë dhe miqësinë e vendasve, si dhe çmimet e përballueshme, duke përfshirë një vakt mëngjesi për dy persona për vetëm 8,50 paund.
Ai postoi fotot e menusë së restorantit buzë detit. Pjata me kallamar të pjekur në skarë kushtonte 10 paund, bërxolla derri 6,75 paund dhe pica varionte nga 5,89 paund deri në 12,63 paund. Birra dhe vera shiteshin për 2,50 paund.
Një vizitë te dentisti për një mbushje i kishte kushtuar vetëm 35 paund – krahasuar me çmimet në BM – që arrinin deri në 240 paund për të njëjtin trajtim.
“Shqipëria është një nga vendet më të lira në Evropë. Nëse keni akses në internet dhe flisni anglisht, mundësitë janë të pafundme”, tha një tjetër britanikë, Volky – që ka zgjedhur Shqipërinë për të jetuar.
“Për një apartament me dy dhoma gjumi – me qira në qendër të qytetit po paguaj 750 paund në muaj”, tha ai.
Volky tha se tani, paguhet 2,000 paund në muaj nga kompania e tij me qendër në BM – por me të gjitha të ardhurat e tij që vijnë nga puna në internet, ai nuk mendon se ka ndonjë kuptim të qëndrojë në Britaninë e Madhe.
“Njerëzit kanë ide të gabuara se në BM ka më shumë mundësi, më shumë vende pune dhe punët janë më të paguara, por shpenzimet e jetesës janë gjithashtu më të larta”, shtoi ai.
“Një arsye tjetër e madhe që u largova ishin taksat”, tha ai.
“Britania e Madhe është në një tendencë në rënie dhe Shqipëria po zhvillohet shumë shpejt. Ju nuk do të dëshironit të kishit një jetë të mjerueshme – këtu njerëzit janë shumë të lumtur në krahasim me BM-në”, tha ai.
“Në Shqipëri mendoj se je shumë më i lirë, thjesht të lënë të vazhdosh me biznesin tënd për sa kohë që nuk i bën keq askujt”, shtoi ai.
“Një arsye tjetër është moti, në BM – shumicën e kohës moti është i zymtë – dhe kjo mund të ketë ndikim në cilësinë e jetës tuaj. Në Shqipëri, shtatë deri në tetë muaj të vitit – ka mot vërtet të mirë”, tha ai.
Vitet e fundit Shqipëria është bërë një destinacion popullor për pushuesit britanikë – me më shumë se 120 000 vizitorë britanikë çdo vit – që tani vizitojnë vendin ballkanik.
Një vakt mesatar për dy persona në një restorant të nivelit të mesëm në Shqipëri kushton vetëm 29 paund në total, ndërsa një birrë kushton mesatarisht 1,67 paund, sipas një hulumtimi të kryer nga “MailOnline”.
Qytetet më të lira për një vakt që kushton vetëm 21 paund për dy persona – janë Shkodra dhe Vlora. Ndërsa një birrë në Berat kushton vetëm 80 qindarka.
Të dhënat e përpiluara nga databaza e kostos së jetesës “Numbeo” zbuluan gjithashtu se kryeqyteti, Tirana është vendi më i shtrenjtë për një vakt jashtë – 33 paund për dy persona, ndërsa një birrë kushton 1,70 paund.
Shqipëria ka një popullsi prej 2,7 milionë banorësh dhe është një destinacion relativisht i pazbuluar për britanikët – ndërsa italianët – aktualisht përbëjnë numrin më të madh të turistëve.
Shqipëria është me diell 300 ditë në vit, me temperatura të ngrohta deri në nëntor – dhe plazhe mahnitëse që janë konsideruar si ‘Maldivet e Evropës’.
“Ryanair” dhe “Wizz Air” ofrojnë fluturime drejt Tiranës nga një numër aeroportesh në Britaninë e Madhe. / KultPlus.com
Macet janë një nga kafshët shtëpiake më të dashura për njerëzit. Disa studime shkencore kanë nxjerrë në pah disa karakteristika të tyre si intuita e cila është e një shkalle të lartë për to, shkruan focus.it.
Le të shohim disa fakte shkencore të tyre.
1) Pse shikojnë dhe hyjnë në vende të çuditshme?
Në mjediset natyrore, gjahu natyrshëm priret të fshihet në vende të vështira për t’u arritur. Instinkti që i shtyn macet e shtëpisë të futen në qoshet e fshehura të shtëpisë, është një trashëgimi e kuriozitetit që ka siguruar mbijetesën e tyre gjatë gjithë historisë së tyre evolucionare.
Ata që jetojnë me një mace nuk mërziten kurrë: mes “pritave” të papritura, arratisjeve, vendeve të fshehta, lojërave pafund. Macet ruajnë ende shumë nga sjelljet që i kanë lejuar të mbijetojnë në natyrë për miliona vjet. Kjo është arsyeja pse disa nga këto zakone na duken kaq të çuditshme.
Për macet, shtëpia jonë është një xhungël për t’u eksploruar, plot me pre dhe armiq imagjinarë.
2) Pse ngjiten në vendet më të larta të shtëpisë?
Në natyrë, aftësitë e shkëlqyera balancuese të maceve dhe muskujt e skalitur posaçërisht i kanë lejuar gjithmonë të arrijnë pikat e favorshme dhe të eksplorojnë rrethinën e tyre nga lart, duke kërkuar pre.
Dhe pse sot me siguri nuk kanë nevojë të ngjiten te perdet për të parë gjërat … ato janë të programuara instinktivisht për të dominuar shtëpinë vetëm me një shikim.
3) Pse ata sulmojnë çdo objekt të vogël që u futet në rrezen e shikimit?
Macet janë grabitqare oportuniste dhe ushqehen me çfarëdo gjahu që është në dispozicion. Zakonisht hanë vakte të vogla dhe për të qëndruar të ngopur gjuajnë dhe hanë disa herë në ditë, në doza të vogla.
Kjo është arsyeja pse ato “kanë uri”.
4) Pse njerëzit inatosen kur ato gërvishtin me thonj divanet?
Nuk është se ato e urrejnë divanin tuaj, tapetin tuaj të ri ose perdet tuaja të varura rishtazi. Thjesht, ata bëjnë atë që kanë bërë gjithmonë në natyrë: mprehin kthetrat e tyre në përgatitje për gjueti, ngjitje ose mbrojtje. Për paraardhësit e tyre të egër, të pasurit kthetra të mprehta ishte çështje mbijetese. Dhe dje, si sot, ky aktivitet ka gjithashtu përfitimin për të relaksuar muskujt e këmbëve dhe për të hequr pak stresin.
5) Pse i zë gjumi në vendet më të çuditshme?
E thjeshtë, sepse ndihen të sigurt në ato vende. Në natyrë, macet bënin më shumë sesa thjesht gjueti. Ata kanë qenë edhe objektiv i grabitqarëve të tjerë. Të biesh në gjumë në vende që janë të vështira për t’u arritur ose të paparashikueshme është një formë mbrojtjeje kur ato janë më të cenueshme.
6) Pse ato janë kaq të kujdesshme për pastërtinë?
Për të njëjtën arsye, ata e vlerësojnë veçanërisht kur kutia e tyre e mbeturinave është e pastër dhe pa aroma të pakëndshme. Nuk është (vetëm) çështje higjienike: aroma e urinës do të tërhiqte lehtësisht një grabitqar aty pranë duke zbuluar vendndodhjen e tyre.
Prapa prirjes së dukshme për të qenë të shqetësuar, ekziston një instinkt i rëndësishëm mbijetese.
7) Përse mjaullijnë?
Një nga sjelljet e tyre më të njohura është edhe ajo me arsyet më misterioze. Macet lëshojnë zhurmat e tyre karakteristike mjaullitëse kur janë të uritura ose të stresuara, kur janë të lumtura ose kur kanë nevojë për vëmendjen tonë.
Por sipas disa studimeve, frekuenca e veçantë në të cilën lëshohet tingulli (midis 25 dhe 150 herc) do të kishte gjithashtu një funksion rigjenerues në inde dhe mund të shërbejë për të riparuar kockat ose muskujt e dëmtuar.
8) Pse i duan kutitë?
Për të paktën tre arsye: e para, më e dukshme, është nevoja instinktive për t’u fshehur nga grabitqarët. E dyta është funksioni antistres i kutive të zbrazëta të kartonit: është fakt se macet me një kuti në dispozicion përshtaten më mirë me mjediset e reja, dhe e treta sepse kanë një vend ku të shpëtojnë kur perceptojnë armiqësi.
9) Pse i fërkojnë nofullat në duart e atyre që i përkëdhelin?
Ata e bëjnë këtë për të shënuar njeriun me aromën e tyre: macja shtyp pjesën e sipërme të kokës në duart, ose në këmbë, pastaj njërën anë të gojës dhe në fund fërkon të gjithë anën, duke e përdredhur pak bishtin.
Ajo shpesh e përsërit këtë disa herë, pastaj largohet, ulet dhe fillon të lëpijë anët. Macet kanë gjëndra aromatike, të cilat përdoren gjithashtu për të shënuar territorin e tyre, veçanërisht në tempujt e tyre, përgjatë nofullave, në bazën e bishtit dhe në putrat e tyre.
10) Pse ato shpesh hanë bar?
Në realitet, macet e shtëpisë, të ushqyera siç duhet për nevojat e tyre, nuk kanë nevojë për bar. Ato që jetojnë të lira, nga ana tjetër, hanë bar kryesisht për të vjellë pjesët e patretshme të asaj që kanë ngrënë, për shembull puplat ose qimet e miut.
Bari zakonisht shërben për të çliruar stomakun nga mbetjet e padobishme, duke shkaktuar të vjella./ KultPlus.com
Muzeu “Marubi” dhe Galeria e Artit Tiranë do të bëhen bashkë për të sjellë një ekspozitë të jashtëzakonshme me imazhet e dinastisë Marubi, në 100 vjet jetë të kësaj studioje fotografike.
Ekspozita do të çelet në mjediset e GAT-it, më 27 shkurt dhe do të qëndrojë e hapur për publikun përgjatë dy muajve, deri më 27 prill 2025. Ajo do të përmbajë një përzgjedhje imazhesh nga arkiva (1865-1959), me mbi 150 mijë xhama negativë të Muzeut Kombëtar Marubi, Shkodër.
Ekspozita “Dinastia Marubi – Njëqind vite të studios fotografike shqiptare” është e kuruar nga Kim Knoppers. Në ekspozitë, për herë të parë do të shfaqen fotografi të jashtëzakonshme nga koleksionet e autorëve të njohur Pietro, Kel dhe Gegë Marubi, imazhe të cilat në vitin 2016 u ekspozuan në Muzeun e Fotografisë të Amsterdamit FOAM dhe në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” në 2019.
Muzeu Kombëtar “Marubi” e konsideron këtë si një moment të veçantë për të shfaqur trashëgiminë e Marubëve, dhe një mundësi të rrallë për t’u zhytur në botën e imazheve që kanë dokumentuar historinë tonë. “Marubi” ftoi të apasionuarit pas fotografisë të mos e humbasin këtë mundësi të veçantë./ KultPlus.com
Më 24 shkurt nga ora 20:00 në Teatrin Oda do të luhet premiera e shfaqjes “Kufiri” me regji të Sovran Nrecaj, shkruar nga Ana Ristoska Trpenoska.
Për shfaqjen:
Një djalë 12-vjeçar është i shtirë në mes të skenës. Sikur ëndrra Evropiane, ashtu edhe shfaqja është po aq e vërtetë sa është e imagjinuar. Kufiri është një eksplorim teatror mbi migrimin, zhvendosjen dhe politikat e përkatësisë. Katër aktorë kalojnë nga një rol në tjetrin, duke shkrirë kufijtë mes teatrit dhe jetës, faktit dhe iluzionit. Shfaqja rrëfen historinë e një familjeje që rrezikon gjithçka për një të ardhme të pasigurt, e ndërthurur me rrëfime të tjera të frymëzuara nga përvoja të vërteta të emigrantëve. Nga policia kufitare te trafikantët, nga media te vetë emigrantët, shfaqja zbërthen realitetet e ndërlikuara të udhëtimeve të migrimit.
Kufiri përballet me një nga krizat më urgjente të kohës sonë: migrimin masiv nga Ballkani, veçanërisht Kosova. Kufiri trajton migracionin e shtyrë nga politikat kufizuese të Evropës dhe pabarazitë tjera globale. Shfaqja pyet: kush mund të kalojë, kush mbetet pas, dhe me çfarë çmimi?
Qendra Kinematografike e Kosovës ka shpallur Listën e Projekteve Fituese të konkursit për mbështetjen e projekteve filmike të metrazhit të gjatë artistik, të hapur me datën 12 dhjetor 2024.
Në këtë thirrje kanë aplikuar gjithsej 12 projekte, dhe pas shqyrtimit nga juria vlerësuese (Tin Dirdamal, Norika Sefa, Antoneta Kastrati, Thomas Logoreci dhe Alireza Ghasemi) dhe komisioni financiar (Ilir Hasanaj, Ujkan Hysaj dhe Virgjina Peja) janë përzgjedhur 3 projekte për mbështetje financiare.
Këto projekte janë: Dua nga regjisorja Blerta Basholli, Dua të shkoj sërish në det nga regjisori Leart Rama dhe Gjurmë nga regjisorja Rita Krasniqi.
Listën e projekteve fituese e gjeni në fotografinë në më poshtë:
Artizanati shqiptar po pushton botën, falë mjeshtërve shkodranë që krijojnë maska veneciane të cilat udhëtojnë nga Shkodra drejt Venecia-s, Rio de Janeiro dhe deri në Hollywood.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, theksoi në një postim në rrjetet sociale se këto maska, të punuara me dorë sipas traditave të hershme, mbajnë gjallë një trashëgimi të vyer dhe përfaqësojnë mjeshtërinë shqiptare në skenën ndërkombëtare.
“Nga duart e mjeshtërve shkodranë, maskat veneciane të ‘Venice Art Mask Factory’ udhëtojnë nga Shkodra drejt Venecia-s, Rio de Janeiro-s dhe deri në Hollywood, duke rrëfyer një histori suksesi dhe pasioni për artin e maskave”, shkruan Gonxhja.
“Këto vepra mjeshtërore, të punuara me dorë sipas traditave të hershme, nuk janë thjesht maska – ato mbajnë gjallë një trashëgimi unike, ku mjeshtëria shqiptare takon elegancën e skenës ndërkombëtare”, vijon Gonxhja.
Sipas Ministrit, ky është një shembull frymëzues i fuqisë së artizanatit dhe shpirtit krijues shqiptar./ KultPlus.com
58 vjet nga lindja e Kurt Cobain, ndikimi dhe popullariteti i të cilit nuk ka humbur aspak, përkundër që kanë kaluar disa vite që ai edhe ka vdekur, shkruan KultPlus.
”Ai kishte një ndjeshmëri që i bënte njerëzit të ndiheshin më pak të çuditshëm, më pak të vetmuar”, shpjegon Danny Goldberg, i cili ka qenë në biznesin e muzikës që në vitet ’60, transmeton KultPlus.
Autor ose bashkautor i të gjitha sukseseve të Nirvanës, Kurt Cobain vrau veten më 5 prill 1994 në shtëpinë e tij në Seattle, në veriperëndim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, prej nga kishte origjinën, ndërkohë që grupi i muzikës rock ishte bërë një fenomen global në më pak se tre vite.
”Imazhi i tij në media u deformua disi dhe u lidh më shumë me vdekjen e tij se sa me jetën dhe veprën”, vë në dukje Sonic Youth, i cili ka pasur në drejtim një tjetër grup të pavarur rock-u.
Në librin e tij «Në shërbim të shërbëtorit: në kujtim të Kurt Cobain», të publikuar këtë javë, Danny Goldberg flet për një muzikant të avancuar për kohën e tij, një personazh melankolik dhe me një shpirt të gjallë dhe shumë human.
“Zëri i tij kishte një shpirt të pabesueshëm”, thotë ai duke shtuar se «ai reflektonte cënueshmëri dhe afrimitet si rrallë kush».
Për të, muzika e Kurt Cobain vazhdon të dëgjohet në të gjithë botën nga një brez që ka lindur pas vdekjes së tij.
«Ai është një artist vepra e të cilit është e përjetshme», thotë Danny Goldberg që e kishte njohur kitaristin dhe kompozitorin amerikan në vitin 1990, pak para daljes së albumit «Nevermind», që e ngriti në qiell popullaritetin e Nirvanës./ KultPlus.com