Të hënën promovohet monografia e këngëtarit Qamili i Vogël ‘Gjurmët e Qamilit të Vogël në Muzikë’

Të hënën, do të promovohet monografia e këngëtarit Qamili i Vogël “Gjurmët e Qamilit të Vogël në Muzikë” nga autorët Krenar Doli dhe Bestar Vula, shkruan KultPlus.

Në ceremoninë promovuese për monografinë “Gjurmët e Qamilit të vogël në Muzikë” do të flasin Bekim Ramadani dhe Albin Sadiku. Ndërsa me performancë artistike do të paraqiten Jahja Shehu dhe grupi muzikor “Rilindja”.

Aktiviteti do të moderohet nga Ardiana Salihu Gashi.

Promovimi do të bëhet më më 24 shkurt, në ora 19:00, në Menzën Ramiz Sadiku./ KultPlus.com

Paditet këngëtari i njohur, ofendoi Melonin gjatë koncertit në Torino

Lideri i grupit muzikor Placebo, Brian Molko, është akuzuar për shpifje pasi kishte fyer kryeministren e Italisë Giorgia Meloni gjatë një koncerti.

Brian Molko nisi të ofendonte në italisht Melonin, e cila drejton partinë e ekstremit të djathtë “Vëllezërit e Italisë”, në skenë në festivalin Sonic Park në Torino, në korrik të vitit 2023.

Duke folur para rreth 5000 fansave, vokalisti i grupit të rock-ut alternativ e quajti kryeministren një “copë m***” dhe e përshkroi atë si “fashiste” dhe “raciste”.

Fjalët e tij nxitën brohoritje nga publiku.

Prokurorët në Torino hapën zyrtarisht një hetim ndaj Molkos për “përçmim të institucioneve” në gusht të 2023-shit.

Raportet në Itali thonë se Ministria e Drejtësisë tani po i lejon prokurorët të ecin përpara me procedurat ligjore.

Ai mund të gjobitet deri në 5,000 euro nëse shpallet fajtor.

Për nder të 17-të vjetorit të Pavarësisë, Opera e Kosovës sjell koncert artistik dhe librin ’14 këngë popullore shqiptare’

Në kuadër të festimeve për 17-të vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, Opera e Kosovës do të prezantojë një koncert artistik nën interpretimet e solistëve Liridon Sadriu (tenor) dhe Elona Sadiku (mexosoprano), të shoqëruar nga Albanian Brass Quintet nga Shqipëria dhe me pjesëmarrjen si mysafir të ansamblit vokal “Okteti Plus“.

Po ashtu, Opera e Kosovës do të bëjë edhe promovimin e librit “14 këngë popullore shqiptare” për kuintet tunxhi dhe zë, me autor dirigjentin dhe orkestruesin e mirënjohur nga Shqipëria Edmond Doko.

“Një kombinim i tillë i muzikës tradicionale me një qasje të re instrumentale dhe vokale, pritet të sjellë një përvojë artistike të veçantë për publikun”, thuhet në faqen zyrtare të Operës së Kosovës.

Ngjarja mbahet më 20 shkurt (e enjte) pranë Modelariumit të fakultetit të Arkitekturës në Prishtinë, duke filluar nga ora 19:00./ KultPlus.com

Presidenti i Panamasë uron Presidenten Osmani me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar një mesazh urimi nga Presidenti i Republikës së Panamasë, Jose Raul Mulino Quintero, me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Në mesazhin e tij, Presidenti Mulino i ka përcjellë Presidentes Osmani urimet më të sinqerta për këtë ditë të rëndësishme për Republikën e Kosovës, duke shprehur vullnetin e qeverisë së Panamasë për të vazhduar forcimin e marrëdhënieve miqësore dhe të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

Presidenti i Panamasë ka theksuar rëndësinë e ruajtjes dhe zhvillimit të këtyre marrëdhënieve në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, duke shprehur dëshirën që ato të vazhdojnë të avancojnë në vitet e ardhshme.

Me vepra premierë që rrëfejnë historinë, Filharmonia shënon 17-të vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Vjollca Duraku
Foto: Arben Llapashtica

Mbrëmë, Orkestra dhe Kori i Filharmonisë së Kosovës ka mbajtur Koncertin Festiv pothuajse premierë dedikuar 17-të vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, me solistët Shkëlzen Baftiari dhe Flaka Goranci nën drejtimin e dirigjentit Baki Jashari, shkruan KultPlus.

Intonimi i Himnit të Republikës së Kosovës ishte pika e parë e cila u interpretua në ditëlindjen e 17-të të shtetësisë së Kosovës. Ngjajshëm me vitet e vendit ka vazhduar të rritet edhe vet institucioni i Filharmonisë, i cili edhe sot e kësaj dite vazhdon të performojë në salla të improvizuara.

Koncerti Qendror i Filharmonisë i mbajtur më 17-të shkurt 2008 është drejtuar po nga Dirigjenti Baki Jashari, i cili në atë kohë para vetes ka pasur pothuajse mbi gjysmën e instrumentistëve të huazuar nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Ky përvjetor Filharmoninë e gjen të kompletuar në kapacitetin artistik. Mirëpo, mungesa e sallës dinjitoze është evidente edhe 17 vite pas Pavarësisë dhe 25 viteve të Lirisë.

Vepra “Suitë Ilire” e autorit Mark Kaçinari ishte vepra e parë e programit Festiv të Filharmonisë, e cila dërgonte memorien në histori dhe ngjarje të paraardhësve. Njëtrajtshmëria e tingujve e përshkonte veprën që herë pas here prekte në mallëngjim. Me radhë në interpretim vijnë frymorët dhe harkorët që i shtojnë vlerë një epoke të historisë.

Pjesa e radhës interpretative ishte “Fantazi për piano dhe orkestër” e autorit Blond Krasniqi. Tingujt e pianos që emetoheshin nga pianisti Shkëlzen Baftiari ishin kryefjala e veprës.  Notat e  fuqishme që shkonin duke u shuar deri në tinguj shumë të qetë të pianos, e karakterizonin veprën premierë, përderisa kombinimi i instrumentëve në interpretim krijonte harmoninë dhe kulminacionin e veprës.

“Poema Simfonike MIZER- Reçak” e autorit Liburn Jupolli që poashtu u soll premierë është pjesë e një cikli më të madh veprash simfonike të dedikuara viktimave të masakrave në Kosovë në vitet 1998 dhe 1999. Vepra erdh si homazh i të gjitha viktimave që janë vrarë më 16 janar 1999, në fshatin Reçak. Shqiptimi i emrave të të vrarëve dy herë në fillim të veprës e gdhendte në kujtesë identitetin e tyre.

Pjesa e parë e veprës “Rrethimi në mëngjes” paraqiste fillimin e ngjarjes tragjike. Pjesa “Granatimet dhe bastisjet” jepnin ciklin e sulmeve në mënyrë të përsëritur, derisa goditja e tupanit jepte kulminaconin e dramacitetit të ngjarjes makabre. “Ekzekutimi i Banushit”, “Shkatërrimi i fshatit dhe shtëpia e Sadi Osmanit”, “Kolona Tragjike”, “Masakra te gropa e Bebushit” dhe “Të mbijetuarit” ishin pjesët tjera interpretuese. Te pjesa “Masakra te gropa e Bebushit” që shënonte momentet më të dhimbshme të kësaj ngjarjeje kori në nderim thërret një nga një përsëri emrat e të rënëve, që rrënqethnin pashmangshëm.

Vepra e Korab Shaqirit “I miri i motrës” u dha nën interpretimin e mexosopranos Flaka Goranci. Veshja e solistes në të zeza, e kombinuar me përgatitjen profesionale që në sfond përcillej nga Orkestra dhe Kori i Filharmonisë paraqisnin një ngjarje tragjike në një dasmë shqiptare. Vepra përbëhej nga pjesët Intro, Ninulla, Pastorale, Dasma, Lufta, Drama, Balada dhe Elegjia.

Vepra “Dies Irae nga “Rekuiem” nga Guiseppe Verdi qe një vepër që po ashtu nderonte viktimat. Kurse vepra emblematike “Mallëngjimi” nga autori Valton Beqiri erdh në fund si një pjesë për ta përmbyllur programin në mënyrë festive të oranizuar për nder të 17-të vjetorit të Pavarësisë.

Pas koncertit, kompozitori Liburn Jupolli në një prononcim për KultPlus ka thënë se vepra “MIZER- REÇAK” është një projekt i vazhdueshëm, i cili ka më shumë se tre vjet që është duke u zhvillluar.

“Vazhdimisht po studioj dokumentacionin e disponueshëm lidhur me këto ngjarje makabre. Bazuar në këto dokumentacione, po përpiqem të krijoj vepra simfonike që janë të denja dhe shërbejnë si homazh për të gjitha viktimat. Kjo pjesë është dedikuar viktimave të masakrës së Reçakut dhe trajton ditën specifike kur ndodhi masakra, duke përfshirë edhe ngjarjet pas saj, si vizita e William Walker-it dhe raportimi ndërkombëtar për masakrën”, ka thënë kompozitori Jupolli.

Tutje, kompozitori Jupolli tha se është shumë e rëndësishme që të edukojmë veten me të gjitha informacionet që lidhen me historinë e republikës, e cila ka kaluar nëpër sakrifica të mëdha për të qenë aty ku gjendet sot.

“Është e rëndësishme që ta kujtojmë këtë jo vetëm si Kosovë, por edhe si Evropë dhe si botë. Po ashtu, është e rëndësishme që të kemi përfaqësime të historive tona të përbashkëta si njerëz. Dhe që të mbajmë një kujtesë emocionale në respekt të njerëzve që kanë rënë viktima të këtyre ngjarjeve makabre. Prandaj, emrat e tyre në këtë vepër shërbejnë edhe si një nivel tjetër i përkujtimit të ekzistencës së tyre, pasi ata nuk janë thjesht numra, por njerëz me emra, jetë, histori, marrëdhënie, familje dhe mendime që janë krejtësisht njerëzore dhe nuk duhet të harrohen kurrë si të tilla”, ka thënë Jupolli.

Kurse, solisti Shkëlzen Baftiari interpretimin në koncertin qendror për 17-të vjetorin e Republikës së Kosovës e ka cilësuar si nder të madh.

“Është nder për mua dhe për secilin instrumentist të interpretojë në Koncertin Festiv të organizuar për 17- të vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Unë jam nga Maqedonia, ne jemi rritur me mendje dhe zemër drejtuar nga Kosova. Kujtoj ditën kur është shpallur Pavarësisa e Kosovës, kemi festuar tërë natën. Tash, pas 17 vitesh unë jam pjesë e koncertit të Filharmonisë pikërisht në përvjetorin e 17-të Pavarësisë së Kosovës. Është kënaqësi dhe nder i madh”, ka thënë solisti Baftiari, duke shprehur kënaqësinë e tij që ka interpretuar një vepër të një kompozitori të talentuar.

Ndërkaq, dirigjenti Baki Jashari ka thënë se ndihet i lumtur që koncerti me sens tradicional që çdo përvjetor organizohet nga Filharmonia e Kosovës ka përfunduar me sukses.

“Veçantia e këtij përvjetori është përmbajtja programore shumë specifike, me vepra ekskluzivisht premierë të kompozitorëve shqiptarë duke filluar nga Mark Kaçniari me një “Suitë Ilire”, një vepër që është shkruar më herët por që asnjëherë nuk është interpretuar. Vazhduam me veprën e kompozitorit Blond Krasniqi, më pas edhe me veprën e Liburn Jupllit që ishin vepra krejtësisht me një fizionomi të veçantë. Vepra “Mizer Reçak” është një vepër me përmbajtje tragjike ku përshkruhet tmerri dhe masakra e Reçakut, ku gjatë interpretimit dëgjohen emrat e viktimave të cilët nuk do të harrohen kurrë edhe pse ne jemi në ditën që festojmë. Është e paimagjinueshme të mos kujtohen të gjithë martirët e lirisë, andaj edhe në këtë program muzikor e gjetën vendin”.

Dirigjenti Baki Jashari ka kujtuar edhe ditën e shpalljes së Pavarësisë, ku edhe e ka drejtuar koncertin e Filharmonisë.

“Kur e kujtoj 17 shkurtin e vitit 2008, mbrëmjen kur ne e kemi mbajtur koncertin inaugurues, kujtoj që në skenë gjysma e orkestrës ka qenë nga Shqipëria. Ndërsa sonte, 17 vite më vonë praktikisht kemi pasur si musafir dy apo tre për dallim nga ajo kohë. Natyrisht, nuk është edhe kohë e shkurtër por megjithatë kuadri i profesionistëve të Filharmonisë nuk krijohet lehtë, andaj ne jemi pothuajse të kompletuar”, ka thënë Dirigjenti Jashari duke e potenduar edhe mungesën e sallës adekuate.

“Minusi i tërë kësaj është objekti, infrastruktura, salla koncertale. Ne vazhdojmë edhe pas 17-të vitesh të koncertojmë në Sallën e Kuqe, që krahas respektit historik që e ka kjo sallë për zhvillimet e shumta që kanë ndodhur, megjithatë nuk është sallë koncertale dhe nuk i përmbush kushtet për gjithë orkestrën dhe korin interpretativ. Ishte dashur të kemi një sallë dinjitoze për shkak të akustikës por edhe për akomodimin e publikut të shumtë” ka thënë ai.

Tutje, Drejtori i Filharmonisë, Dardan Selimaj ka thënë se si institucion kanë hyrë në fazën që koncertet që janë pjesë e festave të rëndësishme, janë njëkohësisht edhe pjesë e kalendarit të rregullt të Filharmonisë.

“Mua më vjen mirë për këtë. Filharmonia në agjendën e saj e ka koncertin që i dedikohet Pavarësisë, ajo  është edhe pjesë e agjendës shtetërore, por koncerti  funksionon si ngjarje e veçuar në raport me pjesën protokolare. Kjo na ofron mundësi që artistikisht të jemi më të lirë në kuptimin që të programojmë vepra që janë edhe premierale dhe janë të shkruara posaqërisht për raste të tilla, që e pasurojnë edhe literaturën e muzikës klasike tek ne, e në të njëjtën kohë edhe muzikën e angazhuar që i dedikohet tregimit të popullit të Kosovës edhe përmes tingujve, jo vetëm ndoshta një ekspozite apo librave që mund të shkruhen ose të këngëve të cilat janë shumë popullore”, ka thënë Selimaj.

Ai gjithashtu ka thënë se veprat vendore të muzikës klasike përbëjnë një repertor që përfaqëson denjësisht Filharmoninë kur ajo të prezantohet jashtë Kosovës, ku bashkë me kapacitetet artistike bart me vete edhe një copë të historisë së vendit./ KultPlus.com

Presidenti i Finlandës uron Kosovën për 17-vjetorin e Pavarësisë

Presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, e ka uruar presidenten e vendit, Vjosa Osmani, në 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Në mesazhin e tij, presidenti finlandez i ka përcjellë Osmanit urime për popullin e Kosovës, duke dëshiruar prosperitet dhe mirëqenie.

“Gjithashtu, Presidenti i Finlandës ka shprehur pritshmëritë e tij për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe  në mes dy shteteve dhe ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit në çështjet aktuale të politikës së jashtme”, thuhet në njoftimin e presidencës, transmeton Klankosova.tv.

E para e shtetit gjatë ditës së djeshme ku Kosova festoi 17-vjetorin e Pavarësisë ka pranuar një sërë urimesh nga liderë botërorë.

Presidentja Osmani pranon urime nga presidenti i Estonisë për 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Me rastin e Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Presidentja Vjosa Osmani ka pranuar një mesazh urimi nga Presidenti i Estonisë, Alar Karis.

Në mesazhin e tij, Presidenti Karis ka potencuar marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë sot midis dy shteteve dhe ka shprehur dëshirën për ta forcuar më tej miqësinë në vitet e ardhshme, veçanërisht në fushat e digjitalizimit dhe qeverisjes elektronike.

Ai ka ritheksuar mbështetjen e vazhdueshme të Estonisë për zgjerimin e Bashkimit Evropian dhe integrimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, duke konfirmuar gatishmërinë për të ndarë përvojën e Estonisë në procesin e integrimit në BE dhe reformat përkatëse.

Duke iu referuar takimit të fundit me Presidenten Osmani në Konferencën e Sigurisë në Mynih, Presidenti Karis ka shprehur shpresën se diskutimi ka dhënë një shtysë të re për bashkëpunimin e ardhshëm dhe se iniciativat e diskutuara do të hapin rrugën për një bashkëpunim domethënës në fusha kyçe me interes të përbashkët.

Eurovizion-`Shkodra Elektronike` zbulojnë datat e turit në Europë

Shkodra Elektronike ka realizuar videoklipin e këngës “Zjerm” me të cilën do përfaqësojnë Shqipërinë në Eurovizion më 13 maj në Bazel.

Ka qenë vetë dyshja e këngëtarëve Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca të cilët kanë njoftuar në rrjetin social Instagram përfundimin e xhirimeve të videoklipit të “Zjerm”.

Por Beatriçja dhe Kola ende nuk kanë dhënë detaje mbi datën e lëshimit të videoklipit të këngës së tyre e cila fitoi zemrat e publikut dhe votat e jurisë në Fest 63.

Më herët, Beatriçja dhe Kola kanë bërë me dije në emisionin “Miqtë e Pasdites” në RTSH se performanca dhe veshja skenike në Eurosong, do të jetë e njëjtë me atë të Fest 63.

Po ashtu, dyshja e këngëtarëve kanë ndarë me publikun edhe disa detaje mbi vendet të cilat do të “njohin nga afër” këngën “Zjerm” para performimit në Eurovizion.

Shkodra Elektronike ka bërë me dije se më 3 mars do të performojnë në Berlin, më pas në Selanik më 14 mars, duke vijuar me Marseille të Francës më 20 mars, më tej në Oslo më 22 mars, duke vijuar me Amsterdamin më 5 prill, me Manchesterin më 12 prill, më pas me Londrën më 13 prill dhe duke e mbyllur me Madridin më 19 prill.

“Shkodra Elektronike” do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurosong të martën e 13 majit.

Shqipëria do të performojë në natën e parë gjysmëfinale të Eurovision 2025 që do të zhvillohet në Bazel të Zvicrës.

Shqipëria, pas hedhjes së shortit, është përcaktuar që të konkurrojë të martën e 13 majit, në gjysmën e dytë të natës së parë.

Shqipëria do të përfaqësohet nga “Shkodra Elektronike” me këngën “Zjarr”, me të cilën triumfuan në Festivalin e Këngës.

Përzgjedhja e radhës së interpretimit u bë në mënyrë rastësore përmes shortit. Nga pesë vazo të përgatitura nga EBU-ja për 31 shtetet pjesëmarrëse në gjysmëfinale, Shqipëria u listua në vazon e tretë.

Franca, Gjermania, Italia, Spanja dhe Mbretëria e Bashkuar, të konsideruara si vendet “e mëdha”, janë kualifikuar automatikisht pa u dashur të garojnë në gjysmëfinale. Po ashtu edhe Zvicra, si fituese e edicionit të kaluar të Eurovision, nuk garon në gjysmëfinale.

Finalja madhe e Eurovizion 2025 do të zhvillohet më 17 maj./rtsh/ KultPlus.com

‘Lonely Planet’: Tetë plazhet më të mira të Shqipërisë

Plazhet shqiptare kanë qenë një trend kohët e fundit në TikTok.  Ky vend ballkanik ofron një formacion të jashtëzakonshëm plazhesh, shkruan Joel Balsam në një artikull të botuar në revistën globale të udhëtimit “Lonely Planet”.

Të zbukuruar nga ujërat e kristalta dhe të thellë blu, plazhet në Shqipëri rivalizojnë çdo vend të Evropës.

Të rrethuar nga detet Jon dhe Adriatik, plazhet shqiptare variojnë nga vendpushimet e populluara dhe argëtuese deri te limanet sekrete idilike të arritshme vetëm me varkë.

Në bregdetin jugor të Jonit, Riviera Shqiptare është e mbuluar nga dallgë bruz që mbulojnë anijet e përsosura për zhytje.

Vizitoni bregdetin e thyer dhe shumë të bukur verior të Adriatikut, i aksesueshëm nga kryeqyteti, Tirana.

Plazhet e Shqipërisë janë më të frekuentuara në muajt e ngrohtë – qershor deri në shtator, megjithëse mund të gjeni ditë të ngrohta pa turma vizitorësh në maj.

Ne ju rekomandojmë tetë plazhet më të mira në Shqipëri:

1. Ksamili
Plazhi më i mirë me ujëra bruz

Nëse keni parë imazhe të një plazhi të mahnitshëm në Shqipëri, ai është Ksamili.

Rëra e imët dhe ujërat blu e bëjnë atë vendin perfekt për kërkuesit e diellit.

Notoni në plazhin e Ksamilit ose merrni me qira një varkë me pedale për të arritur në disa ishuj afër bregut, ose zhyteni për të parë gjashtë ish-anijet ushtarake nën sipërfaqe.

Popullariteti i Ksamilit ka bërë që normat e akomodimit të rriten në pikun e sezonit veror dhe plazhet e tij të mbushen plot me karrige dhe çadra.

Mos e humbisni atraksionin më të bukur të krijuar nga njeriu: rrënojat arkeologjike 2500-vjeçare në Butrint.

2. Borshi
Plazhi më i mirë për hapësirë ​​personale

Shumë vizitorë akomodohen në Sarandë për shkak të komoditetit dhe çmimeve më të lira. Megjithatë, plazhi publik i Sarandës nuk është aq i qetë sa ai i Ksamilit.

Për diçka më qetësuese, drejtohuni në veri për në plazhin e Borshit me guralecë të bardhë 7 kilometra të gjatë.

Nëse jeni aventurier, vizitoni plazhin e izoluar të Kakomës, me ujëra të pastra dhe pa turma. Do t’ju duhet të ecni 30 minuta për të arritur atje.

3. Gjipe
Plazhi më i mirë i izoluar

Gjipeja, një nga plazhet më piktoreske dhe private të Shqipërisë, ndodhet midis qyteteve të Himarës dhe Dhërmiut.

Do t’ju duhet të ecni për 30 minuta nga vendi ku parkoni.

Qëndroni në qytetin e Himarës, ku mund të bëni një turne me varkë për t’ju çuar në plazhe të izoluara ku do të jeni vetëm ju dhe rëra.

4. Dhërmi
Plazhi më i mirë për festivale muzikore

Qyteti i Dhërmiut në bregdetin e Jonit është kthyer në destinacionin e ri më të nxehtë në bregdetin shqiptar. P

lazhi i gjatë dhe me guralecë ka shumë restorante elegante me çadra me kashtë dhe akomodime krejt të reja buzë plazhit që ofrojnë një pushim të rehatshëm.

Dhërmiu po bëhet i njohur, veçanërisht falë festivalit EDM Kala të qershorit.

5. Spille
Plazhi më i mirë – lehtësisht i arritshëm nga Tirana

Shpëtoni nga kryeqyteti i gjallë shqiptar për një arratisje në plazhin Spille.

Plazhi i gjatë nuk ka muzikë me zë të lartë dhe klube buzë detit, dhe rrethohet nga pylli i bukur me pisha.

Bëni një udhëtim ditor dhe vizitoni qytetin e afërt të Durrësit, ku do të zbuloni një amfiteatër romak.

6. Kepi i Rodonit
Plazhi më i mirë për historinë

I ndodhur në detin Adriatik në veriperëndim të Tiranës, Kepi i Rodonit është një mrekulli natyrore për të cilën pak vizitorë ndërkombëtarë kanë dëgjuar.

Kepi ​​është i mbushur me plazhe, limane të fshehura dhe rrënoja, duke përfshirë Kalanë e Rodonit, e cila u ndërtua nga heroi kombëtar Skënderbeu në shekullin XV.

7. Velipoja
Plazhi më i mirë verior

Qyteti i mrekullueshëm, Shkodra është porta e ecjes malore në Bjeshkët e Nemuna të quajtura edhe Alpet Shqiptare.

Qyteti është vetëm 30 kilometra larg nga plazhi i gjatë dhe me rërë të imët të Velipojës, i cili ofron një atmosferë rinore të Rivierës Franceze falë bareve të shumta të tij të lezetshme buzë detit.

Ecni në majat e shtegut të Ballkanit përmes Thethit dhe Valbonës. Shumica e akomodimeve në Shkodër organizojnë udhëtime shumëditore.

8. Divjaka
Plazhi më i mirë për jetën e egër

E vendosur në një rrip të gjatë rëre që ndan lagunën më të madhe të Adriatikut dhe Shqipërisë, brenda Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta – plazhi i Divjakës është një vend i mrekullueshëm për të zbuluar zogjtë dhe breshkat e detit – që ngrenë folenë në rërë.

Parku në tërësi është shtëpia e arinjve, ujqërve, rrëqebullit dhe më shumë se 200 lloje zogjsh, duke përfshirë pelikanë dalmat, flamingot dhe shqiponjat e arta./atsh/ KultPlus.com

‘E plotë nata kurrë s’mundet të jetë’

Poezi nga Pol Elyar

Edhe një buzëqeshje

E plotë nata kurrrë s’mundet të jetë,
Besomëni për çka po ju them,
Besomëni për çka ju betohem.
Çdo hidhërim ka një dritare të hapur,
Një dritare të ndezur,
Ka një ëndërr që lind,
Ka një dëshirë që pret të përmbushet,
Ka një uri që pret të shuhet,
Ka një zemër fisnike,
Ka edhe një dorë të zgjatur,
Ka edhe dy sy në pritje,
Ka edhe një jetë që hyn në një jetë./ KultPlus.com

96 vite më parë, Akademia e Arteve dhe Oscars shpalli fituesin e parë të çmimit ‘Oscars’

Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit shpalli fituesit e çmimeve të parë të Akademisë më 18 shkurt të vitit 1929. Emrat e marrësve të parë të çmimeve u shtypën në faqen e pasme të buletinit të akademisë. Disa ditë më vonë, Variety publikoi informacionin – në faqen shtatë. Ceremonia u mbajt më pas në maj.

E udhëhequr nga manjati i filmit Louis B. Mayer, Akademia u organizua në maj 1927 si një organizatë jofitimprurëse e dedikuar për avancimin dhe përmirësimin e industrisë së filmit. Çmimet e para shkuan për filmat e prodhuar më 1927 dhe 1928. Megjithëse njoftimet u bënë në shkurt 1929, çmimet aktuale nuk u dhanë deri më 16 maj 1929, në një ceremoni dhe banket të mbajtur në dhomën e luleve të hotelit Hollywood Roosevelt. Rreth 270 njerëz morën pjesë në darkë, shumë prej të cilëve paguanin 5 dollarë secili për një biletë.

Fituesit e parë të çmimit Oscar morën statuja ari të dizajnuara nga drejtori i artit, Cedric Gibbons, dhe të skalitura nga George Stanley. Presidenti i parë i Akademisë, aktori i filmit pa zë, Douglas Fairbanks, ua shpërndau statujat fituesve, të cilët përfshinin Janet Gaynor për Aktoren më të Mirë (për tre filma të ndryshëm: Seventh Heaven, Street Angel dhe Sunrise) dhe Emil Jannings me origjinë gjermane (The Last Command dhe The Way of All Flesh) për aktorin më të mirë. Frank Borzage dhe Lewis Milestone fituan çmimet e regjisorit më të mirë, respektivisht për Seventh Heaven dhe Two Arabian Knights. Nderimet për filmin më të mirë shkuan për Wings, drama e Luftës së Parë Botërore me regji të William Wellman.

Në vitin e dytë të çmimeve të saj, Akademia ndryshoi politikën e saj dhe filloi të publikonte emrat e fituesve të çdo viti në shtyp në orën 23:00, natën e ndarjes së çmimeve. Kjo praktikë përfundoi në vitin 1940 pasi Los Angeles Times shkëputi traditën dhe publikoi rezultatet në edicionin e saj të mbrëmjes, që do të thoshte se ato u zbuluan para ceremonisë. Akademia më pas krijoi një sistem zarfesh të mbyllura, i cili mbetet në përdorim edhe sot. Çmimet nuk morën nofkën “Oscars” deri në vitin 1931, kur një sekretare në Akademi vuri në dukje ngjashmërinë e statujës me xhaxhain e saj Oscar, dhe një gazetar e shtypi komentin e saj.

Çmimet u transmetuan në radio deri në vitin 1953, kur u transmetua programi i parë televiziv i Oscars. Që atëherë, Çmimet e Akademisë janë bërë një nga ngjarjet televizive më të ndjekura në botë./ KultPlus.com

Dashurisë…

Poezi nga Ndoc Gjetja

O perëndeshë e gjithëpushtetshme
e universit mashkull-femër!
Bëj ç’të duash me veten time
jam instrumenti yt i verbër.

Në jetë më solle kaq shumë dhimbje
dhe shqetësime pa mbarim
po s’jam ankuar kundër teje
as me gojë e as me shkrim.

Të jam nënshtruar e të nënshtrohem
gjersa në botë të jem i gjallë
ndën pushtetin tënd të përbotshëm
më pëlqen të jem skllav.

Ma ktheve gjuhën në përçartje
më bëre plak me shpirt fëmijë
herë më hodhe qefinin krahëve
herë më ngrite gjer në yje.

Më hidh në zjarr, në det, në ferr!
Më hidh në baltë, më hidh në hon!
Veç të lutem mos më lër…
në atë vend ku ti mungon. / KultPlus.com

“Trashëgimia letrare e Dritëro Agollit”, në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit

Në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit u organizua aktiviteti “Trashëgimia letrare e Dritëro Agollit”, me pjesëmarrjen e studiuesve dhe lexuesve të shkrimtarit të madh.

Në aktivitet u analizua figura e Dritëroit në shumë dimensione. Analiza e profesor Behar Gjokës u përqendrua te proza e shkrimtarit të madh, veçanërisht te romanet e tij “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” dhe “Njeriu me top”. Sipas tij, satira te “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” ishte rebelim ndaj kohës, ndërsa “Njeriun me top”, e quajti analizë sociale të fshatit, zakoneve të tij, të marrëdhënieve të njeriut me pronën, vatrën familjare, etj.

Studiuesja Rovena Vata foli për poezinë e Dritëro Agollit, larminë e saj, duke veçuar shpirtin e tij lirik që mbizotëron në të gjithë krijimtarinë e tij.

Ndërsa pedagogia Anila Mullahi vlerësoi rëndësinë e krijimtarisë së Agollit, pas viteve ’90, që është pak e analizuar, ndonëse është e konsiderueshme nga pikëpamja sasiore. Madje, ka vepra si “Arka e djallit” që sipas saj, mund të quhen fare mirë, kryevepra./atsh/KultPlus.com

Angelin Preljocaj dhe Erion Kruja sjellin në skenën e TKOB dy balete të fuqishme

Dy emra të shquar të skenës ndërkombëtare në fushën e baletit, Angelin Preljocaj dhe Erion Kruja, sjellin në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit dy balete të veçanta: “La Stravaganza” dhe “Intricate Threads of Humanity”. Këto dy vepra artistike vijnë si një eksplorim i përvojës njerëzore, ku baleti bëhet gjuha universale që shpreh ndjenjat, kontrastet dhe kompleksitetin e jetës.

“La Stravaganza”, e cila rivjen në TKOB, është një vepër që ndërthur elementet e traditës me ato të modernitetit. Ajo është krijuar nga Angelin Preljocaj, një nga koreografët më të njohur bashkëkohorë me origjinë shqiptare.

Me një koreografi të fuqishme dhe ekspresive, ky balet eksploron kalimin mes epokave, ndikimin e ndryshimeve kulturore dhe përplasjen mes botës së vjetër dhe asaj të re.

Ndërkohë, koreografi Erion Kruja, një tjetër artist shqiptar me karrierë të suksesshme ndërkombëtare, sjell premiere absolute në skenën e TKOBAP-së “Intricate Threads of Humanity”, një vepër që zhytet në thellësitë e sjelljes dhe emocioneve njerëzore.

Me një qasje të guximshme ndaj koreografisë dhe një ndjeshmëri të veçantë ndaj muzikës dhe skenografisë, Erion Kruja do të krijojë një eksperiencë të paharrueshme për publikun.

Këto dy balete do të vijnë për publikun artdashës në datat 24, 25 dhe 27 shkurt./atsh/KultPlus.com

Ikonat e rëndësishme të Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar

Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar është vendi i duhur për të zbuluar ikonat dhe domethëniet e tyre, duke u përfshirë në botën e mbinatyrshme.

Aty, artdashësit mund të njihen me rregullat që bota bizantine vendosi për të përcjellë fjalën e saj, figurativisht.

Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar përmes ciklit “Zbulo ikonën bizantine” publikon vazhdimisht imazhe të ikonave që gjenden në fondin e tij.

Sot MKAM përzgjodhi të publikojë ikonën “Shën Dhimitri” IN 7610, me autor Kostandin Jeromonaku.

Shën Dhimitri ashtu si Shën Gjergji janë ikona që vijnë nga kisha e Shën Kollit në Voskopojë. Ato janë vepra të një cilësie superiore artistike, pikturuar në periudhën kur arti postbizantin në Shqipëri pati një rilindje të dytë me një plejadë artistësh të shquar që pikturuan afreske dhe ikona të lëvizshme.

Ikona është punuar nga Kostandin Jeromonaku, në vitin 1725. Shën Dhimitri, një nga shenjtorët më popullorë, paraqitet mbi kalin e kuq duke vrarë mbretin bullgar, për të mbrojtur qytetin e Selanikut. Bishti i lidhur i kalit tregon rangun e lartë të shenjtit në hierarkinë ushtarake. Figura e Shën Dhimitrit paraqitet në një shkallë disa herë më të madhe në raport me kalorësin tjetër dhe dominon gjithë kompozimin. Ikona është e pasur me detaje të shumta.

Ikonografi ka pikturuar muret rrethuese të qytetit me kishat, ku në pjesën e sipërme shihen shtatë kullat të cilat janë edhe sot në këtë qytet. Paraqitja në mënyrë të stilizuar shfaq mjeshtërinë e lartë të artistit. Poshtë paraqitet deti i dallgëzuar me anijet luftarake.

Shën Dhimitri është shenjti mbrojtës i qytetit të Selanikut dhe kjo paraqitje lidhet me mrekullinë që ai bëri gjatë rrethimit bullgar./atsh/KultPlus.com

Dy vite nga vdekja e Stella Stevens, ylli i Hollywoodit që luajti krah Elvis Presleyt

Aktorja e Hollywoodit Stella Stevens, e cila luajti bashkë me Elvis Presleyn në filmin “Girls! Girls! Girls!” dhe me Jerry Lewis në “The Nutty Professor”, ka vdekur para dy vitesh në moshën 84-vjeçare.

Ajo mbahet mend edhe për rolin e saj në filmin aksion “The Poseidon Adventure”, raportoi BBC.

Stevens ka punuar edhe në televizion, në seriale si “Murder She Wrote” dhe “Magnum, P.I”.

Stevens fitoi një Golden Globe për debutimin e saj në film në vitin 1959.

Tek “Girls! Girls! Girls!”, duke luajtur përballë Presleyt në vitin 1962, Stevens tha se nuk i pëlqente skenari, por Paramount i tha asaj se ishte e detyruar ta bënte atë sipas kontratës. / KultPlus.com

30 thënie të mençura nga Gabriel Garcia Marquez

Ai kujtohet më së shumti për veprat “100 Vjet Vetmi” dhe “Dashuri në Kohën e Kolerës”.

Gabriel Garcia Marquez konsiderohet si shkrimtari më popullor në gjuhën spanjolle që nga Miguel de Cervantesi.

Veprat e tij letrare kanë qenë shkrimet më të shitura në spanjisht, përveç Biblës. Romani i tij epik “100 Vjet Vetmi” është shitur në mbi 50 milionë kopje në 25 gjuhë të ndryshme.

García Márquez fitoi çmimin Nobel në letërsi në vitin 1982 për tregimet dhe romanet e tij. Në fjalën e falenderimit kur mori çmimin, ai u shpreh “Amerika Latine është një burim i pashtershëm krijimtarie, dëshpërimi dhe bukurie”.

‘Gabo’ siç thirrej shpesh, pionieri i zhanrit të realizmit magjik i dhanë një perspektivë tërësisht të re letërsisë dhe botës së fjalës së shkruar.

Por puna e tij gjithashtu mbart grimca mençurie rreth dashurisë, luftës dhe jetës, të cilat janë bërë tashmë të përjetshme në veprat “Njëqind vjet vetmi”, Dashuria në kohërat e kolerës, dhe klasikët e tjerë.

Ja disa nga leksionet e “Gabos” përzgjedhur nga librat e tij që do të jetojnë përgjithmonë:

1- Unë nuk besoj në Zot, por i frikësohem Atij.

2- Jeta nuk është ajo që jetojmë, por ajo që ti kujton dhe si e kujton atë.

3- Ai që pret gjatë ka pritshmëri të vogla.

4- Një person nuk vdes kur duhet, por kur mund.

5- Seksi është ngushëllimi kur ju nuk mund të keni dashurinë.

6- Kam zbuluar për kënaqësinë time, se është jeta, jo vdekja, ajo që nuk ka kufij.

7 – Asnjë ilaç nuk mund të shërojë atë që s’mund ta shërojë lumturia.

8- Një burrë e kupton kur plaket, sepse ai nis t’i ngjajë babait të tij.

9- Liria është shpesh viktima e parë e luftës.

10- Mençuria vjen tek ne në atë moment kur nuk na hyn më në punë.

11- Mbetet gjithmonë diçka për t’u dashur.

12- Të gjitha qeniet njerëzore kanë tri jetë: publike, private dhe sekrete.

13- Trillimi u shpik ditën, kur profeti hebre Jonah u kthye në shtëpi dhe i tha gruas se ishte tri ditë me vonesë sepse ishte përtypur nga një balenë.

14- Problemi me martesën është se përfundon çdo natë pas aktit të dashurisë dhe duhet të rindërtohet çdo agim përpara vaktit të mëngjesit.

15– Nuk do t’i këmbeja kënaqësitë e vuajtjes sime për asgjë në botë.

16- Sekreti i një moshe të madhe nuk është asgjë tjetër përveç një pakti të ndershëm me vetminë.

17- Nuk është e vërtetë që njerëzit ndalojnë së ndjekuri ëndrrat kur plaken, ata plaken sepse ndalojnë së ndjekuri ëndrrat.

18- Zemra ime ka më shumë dhoma se një bordello.

19- Asgjë nuk e përfaqëson një njeri më shumë sesa mënyra sesi vdes.

20- Jo, nuk jam pasur. Unë jam një njeri i varfër me para, por kjo nuk është e njëjta gjë.

21- Kur një grua vendos të flejë me një burrë, nuk ka asnjë mur që ajo nuk mund të ngjisë, asnjë fortesë që s’mund ta shkatërrojë, asnjë konsideratë morali që ajo nuk do injorojë dhe mbi të gjitha: nuk ka Zot për të cilin t’ia vlejë të shqetësohesh.

22- Thuaji atij po. Edhe nëse po vdes nga frika, edhe nëse do të të vij keq më vonë, sepse çfarëdo që të bësh, do të pendohesh për gjithë jetën nëse thua jo.

23- Në qoftë se Perëndia nuk do të pushonte dielën, do të kishte pasur kohë për të përfunduar botën.

24- Vjen gjithmonë mëngjesi dhe jeta ne na jep prapë mundësi t’i bëjmë gjërat si duhet.

25- Kur të vdes, të vetmen keqardhje do ta kem është nëse në vdekje nuk do të ekzistojë më dashuria.

26- E nesërmja nuk është e sigurt për askënd, i ri apo i vjetër. Sonte mund të jetë e fundit herë që i shikon njerëzit që do. Prandaj mos prit, bëje sot sepse e nesërmja nuk vjen kurrë.

27- Nevoja e ka fytyrën e një qeni.

28- Askush nuk i meriton lotët e tu, por ai që i meriton ata, nuk do të të bëjë të qash.

29- Në gazetari vetëm një fakt i rremë, e vë në dyshim të gjithë punën e bërë, ndërsa në fiksion vetëm një fakt i vërtetë e legjitimon të gjithë punën e bërë

30- Në fund të fundit, letërsia nuk është tjetër vetëm se zdrukthtari. Me të dyja ju keni punë me realitetin, me një material po aq të vështirë sa druri./KultPlus.com

142 vite nga lindja e autorit të njohur grek, Niko Kazantzakis

Niko Kazantzakis është absolutisht një nga autorët dhe filozofët më të rëndësishëm të përkthyer nga greqishtja në shqip.

Niko Kazantzakis ka lindur më 18 shkurt të vitit 1883 në Heraklion të Greqisë nën Perandorinë Osmane dhe e mbylli jetën më 26 tetor të vitit 1957 në Frajburg të Gjermanisë. Është absolutisht një nga autorët dhe filozofët më të rëndësishëm të përkthyer nga greqishtja.

Nuk ishte shumë i njohur deri më 1964, kur Michael Cacoyannis, realizoi filmin, “Zorba, greku”, bazuar në romanin e tij dhe përkthyer dhe në anglisht me të njëjtin titull. Në fakt dhe para kësaj jo se ishte aq i panjohur.

Më 1946, Shoqëria e Shkrimtarëve Grekë, e rekomandoi atë bashkë me Angelos Sikelianos për Çmimin në Letërsi. Më 1957, ai e humbi çmimin para Albert Camy, për vetëm me një votë.

Më vonë shkrimtari francez do të thoshte me modesti dhe shumë respekt se “Kazantzakis e meritonte njëqind herë më shumë” sesa ai vetë. Më 1957, ndërsa vuante nga leuçemia, bëri dhe një udhëtim të fundit në Kinë dhe Japoni.

Por, kur u kthye ishte shumë i sëmurë dhe do të dërgohej menjëherë në Frajburg të Gjermanisë, ku vdiq. / KultPlus.com

Presidentja sllovene Nataša Pirc Musar uron Presidenten Osmani për 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar një mesazh urimi nga Presidentja e Republikës së Sllovenisë, Nataša Pirc Musar, me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Në mesazhin e saj, Presidentja Pirc Musar ka shprehur urimet më të përzemërta për Presidenten Osmani dhe qytetarët e Kosovës, duke theksuar përkushtimin e vazhdueshëm të Sllovenisë për ta mbështetur Kosovën në rrugëtimin e saj për përparim dhe zhvillim të gjithanshëm. Ajo ka ritheksuar mbështetjen e Sllovenisë për reformat dhe angazhimet ndërkombëtare të Kosovës, si dhe për integrimin e saj në strukturat euroatlantike.

Presidentja Pirc Musar ka nënvizuar rëndësinë e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor për zhvillimin e të gjithë rajonit dhe ka shprehur gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin mes dy vendeve në kuadër të Procesit Brdo-Brijuni dhe nismave të tjera ndërkombëtare./KultPlus.com

Plaku

Poezi nga Aleksandër Pushkin

Unë nuk jam më ai dashnori i mbushun me pasion
Ai i riu, që e bën botën të mahnitet
Mjerisht, pranvera e vera ime kanë ikur tashma
Dhe s’kanë lanë asnjë gjurmë.

Kupid, ti perëndi i rinisë, dashnisë e vyrtytit!
Unë kam qenë shërbëtori yt i bindun
Oh, nëse kisha mujt me rilind prapë e me të shërby ty
Kisha me të shpërby edhe me ma shumë pasion e zjarr!

Përktheu: Shkëndije Berisha / KultPlus.com

50 vite nga vdekja e Naim Frashërit – aktori që me Tinka Kurtin dhanë puthjen e parë në kinematografinë shqiptare

Naim Frashëri (Leskovik, 15 gusht 1923 – Tiranë, 18 shkurt 1975) ka qenë aktor i njohur shqiptar.

Karrierën profesionale si aktor e filloi në fillim të vitit 1945, por dashuria për teatrin i lindi që në 1942. Naim Frashëri do të luante me sukses një sërë rolesh kryesore e të suksesshme.

Disa prej roleve janë: Valeri në “Tartufi”, Smithi në “Çështja ruse”, Gjoni “Trimi i mirë me shokë shumë”, Selimi “Familja e peshkatarit”, gjenberali “Gjenerali i ushtrise së vdekur”, Leka “Përkolgjinajt”, Nikolla “Armiqtë”, Sasha Ribakov “Orët e Kremlinit”, Lubeni “Proçesi i Lajpcigut”, Ferdinanti “Intrigë dhe dashuri”, Hauardi “Rrënjët e thella”, Hamleti “Hamleti”, Jonuz Bruga “Familja e Peshkatarit”. Për fat të keq roli i Jonuzit ishte i 80 dhe i fundit i tij.

Ndërsa sa i përketë kinematografisë ai ka interpretuar në filmat: Gjurma – (1970), Plagë të vjetra – (1968), Ngadhnjim mbi vdekjen (1967), Fortuna (1959), Qamili (dokumentar), Tana – (1958), Fëmijët e saj – (1957), Skënderbeu – (1953).

Në filmin “Tana” në të cilin ndan rolet kryesore me Tinka Kurtin, shkëmbyen edhe puthjen e parë në kinematografinë shqiptare.

Naim Frashëri është nderuar me shumë tituj dhe çmime të ndryshme, ndër të cilët janë urdhëri i lartë “Hero i punës socialiste” dhe titulli “Artist i Popullit”. Ai mbetet nga ikonat e teatrit shqiptar.

Ai ka vdekur më 18 shkurt 1975 në Tiranë./ KultPlus.com

Karnavalet, Gonxhja: Shkodra, qyteti që feston me traditë dhe shpirt artistik

Qyteti i Shkodrës është në periudhën e tij më magjike, atë të karnavaleve. Prej ditës së djeshme në Shkodër kanë nisur paradat të cilat ia shtojnë gjallërinë edhe Kalasë së Rozafës, ku mes legjendave dhe mureve të lashta të rinjtë e të rejat e qytetit kanë shpalosur kreativitetin e tyre.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ndau në rrjetet sociale pamje të një qyteti që feston me ngjyra, traditë dhe shpirt artistik.

“Këtë vit, mjeshtëria e artizanatit vjen në duart e studentëve të rinj të shkollës profesionale “Hamdi Bushati”, të cilët me pasion dhe kreativitet po rikthejnë në jetë kostumet dhe maskat e dikurshme”, u shpreh ministri Gonxhja.

Ministri i konsideroi karnavalet, një trashëgimi që vijon të jetojë, falë duarve të talentuara të këtyre të rinjve.

Paradat e karnavaleve të Shkodrës nisën dje dhe do të vijojnë deri më 23 shkurt.

Atmosfera festive ka nisur me interpretimet e shkollave të qytetit, ku fëmijët, të shndërruar në personazhe të ndryshme, kanë dhuruar spektakël dhe gëzim në rrugët e qytetit. Parada madhështore, koncerte dhe performanca artistike do të shoqërojnë qytetin për shtatë ditë, duke ruajtur traditën e pasur kulturore dhe duke e kthyer Shkodrën në një destinacion të vërtetë festash./atsh/KultPlus.com

Kel Kodheli, piktori që zbuloi psikologjinë e gruas shqiptare nën bukurinë e veshjeve kombëtare

Kel Kodheli (Shkodër, 24 tetor 1918 – Tiranë, 18 shkurt 2006) ka qenë piktor shqiptar, i brezit që u formua në akademitë italiane në vitet ’40 të shekullit XX.

Familja e tij më 1925 vendoset në Tiranë dhe Keli i ri kryeu shkollën teknike amerikane “Harri Fullz”. Njëkohësisht Kodheli ndiqte kurset e vizatimti pranë shkollës së vizatimit. Ishte student për pikturë në ateljenë e akademikut C.Siviero dhe D’amato në Institutin e Arteve të Bukura në Romë (1939 – 1943).

Me kthimin në Tiranë Kodheli caktohet në Bankën e Shtetit Shqiptar si piktor i kartmonedhave. Për shumë vjet ishte pedagog në liceun artistik “Jordan Misja”,Tiranë dhe më tej emërohet mësues i thjeshtë vizatimi në shkollat 7 vjeçare deri sa doli në pension. Që student vlerësoi delikatesën e dritës së natyrës në raport me portretin. Në vitin 1942, fitoi çmimin e parë në Konkursin e studentëve (Firence) me figurën e një vajze me veshje tradicionale italiane.

Kodheli gjatë qëndrimit në Itali, ndikohet nga arti i Ticianit, por kur kthehet në Shqipëri ai tërhiqet nga natyra dhe jeta e zonave të veriut të Shqipërisë dhe pjesën më të madhe të veprave ia kushtoi peizazheve nga këto zona, zakoneve e jetës së malësorëve.

Artisti Kodheli ishte portretist dhe ka cikle të plota veprash me portrete të ndryshëm (gra, vajza dhe burra me veshje kombëtare) gjithmonë realiste. Në këto punime mbizotëron drita e fuqishme e diellit dhe spikat dukshëm një paletë piktorike me prirje impresioniste.

Pas piktorit Simon Rrota, që trajtoi kryesisht figurat e grave shkodrane me veshje të ndryshme tradicionale, Kel Kodheli është ndër të pakët piktorë shqiptarë që krijimtarinë e tij ia kushtoi kësaj teme.

Në portretet e tij, Kodheli zbuloi psikologjinë e femrës shqiptare të kohës nën një këndvështrim tjetër, të papolitizuar, por të “zbukuruar” nga dashuria e tij për njeriun dhe veshjet kombëtare. Tablotë e Kodhelit janë më pak të “prekura” nga  “arti i komanduar”, ai ka realizuar kryesisht tablo historike dhe galeri të tëra portretesh nga populli, luftëtarë popullorë dhe tablo nga jeta dhe zakonet e festave tradicionale.

Kodheli njihet dhe për pastelet e tij, ku spikat kryesisht drita e fortë e diellit, delikatesa në trajtimin e formës dhe një paletë shumëngjyrëshe. Artisti Kodheli ishte pjesëmarrës në ekspozitën e parë të pasluftës (prill 1945) dhe i pranishëm në të gjitha konkurset, ekspozitat kombëtare dhe ndërkombëtare (Evropë dhe Australi). Piktori në vitet e fundit të jetës pikturoi natyra të qeta dhe nudo kryesisht në pastel.

Në vitin 2003 Presidenti i Republikës së Shqipërisë e dekoroi me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”. 

Në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve, Tiranë, ndodhen tridhjetërdy punime të artistit, ndërsa katër punime të mjeshtrit Kel Kodheli ruhen edhe në Galerinë e Arteve, në qytetin e Shkodrës si dhe një koleksion i rëndësishëm ruhet në studion e artistit nga familjarët e tij.

Pikturat e tij më të njohura janë: “Vallja e shpatave”, “Shote Galica”, “Bajram Curri”, “Dropullitja”, “Skënderbeu”, “Lahutari”, “Portret shkodraneje”, “Kthimi”, “Gruaja që i ka vdekur burri” (Nëna e dëshmorit)./ KultPlus.com