Kryeministri Kurti: Ka ardhur koha që Spanja ta njohë pavarësinë e Kosovës

Kryeministri Albin Kurti në një intervistë për gazetën spanjolle “El Mundo”, ka theksuar se është paradoksale që Spanja nuk e njeh ende pavarësinë e Kosovës, derisa bëri të qartë se Kosova është e angazhuar për një integrim të plotë në Bashkimin Evropian dhe se kjo rrugë, sipas tij, nuk duhet të kushtëzohet nga marrëdhëniet me Serbinë.

“Është paradoksale që Spanja, një demokraci e konsoliduar, nuk e njeh Kosovën, një vend pro-evropian që kundërshton ndikimin rus, duke mbajtur një pozicion afër Serbisë. Mendoj se ka ardhur koha që Spanja të njohë pavarësinë e Kosovës”, ka theksuar Kurti.

Ai më pas ka kujtuar dy momente kyçe të historisë së Kosovës që dëshmojnë angazhimin ndërkombëtar për pavarësinë e saj: “Krahas shpalljes së pavarësisë, historia jonë e re përfshin dy momente vendimtare. E para ishte çlirimi në vitin 1999, i mundësuar falë ndërhyrjes së NATO-s nën udhëheqjen e Sekretarit të Përgjithshëm të atëhershëm, spanjollit Javier Solana. Komuniteti ndërkombëtar paralajmëroi se Millosheviçi donte të kryente një gjenocid të dytë, këtë herë në Kosovë, të ngjashëm me atë që ndodhi në Srebrenicë. Kthesa e dytë erdhi në shtator 2012, kur u hoq gjendja e mbikëqyrjes ndërkombëtare”, ka shtuar Kurti.

Tutje kryeministri ka thënë se vendet e tjera, brenda dhe jashtë Bashkimit Evropian, që kanë lidhje edhe më të forta me Serbinë sesa Spanja, megjithatë e kanë njohur Kosovën.

“Ky precedent tregon se njohja e Kosovës nuk kushtëzohet domosdoshmërisht nga lidhjet ekonomike me Serbinë , por nga një vendim sovran i bazuar në parimet e drejtësisë dhe stabilitetit ndërkombëtar. Nëse Spanja njeh Kosovën, do të ishte një hap i nënkuptuar drejt stabilitetit brenda Ballkanit. Zgjerimi i Bashkimit Evropian është në tryezën e negociatave në Bruksel dhe kjo do të ishte një përgjigje perfekte për ata që kërkojnë të dobësojnë integritetin dhe bashkimin e Evropës”, ka nënvizuar Kurti.

Në pyetjen nëse kundërshtimi i Spanjës ndaj pavarësisë së Kosovës lidhet problemet e saj të brendshme, siç janë çështjet katalane apo baske, i pari i ekzekutivit kosovar ka thënë se çështja e Kosovës nuk ka asnjë lidhje me situatën e brendshme politike në Spanjë.

“Republika e Kosovës dhe Spanja nuk kanë asnjë problem bilateral. Prandaj, nuk ka asnjë problem midis dy vendeve që mund të çojë në një bllokim të njohjes. Mendojmë se do të ishte mirë që Spanja t’i bashkohet shumicës së shteteve evropiane që e njohin Kosovën. Ka vende të tjera që, si Spanja, përballen me probleme secesioniste dhe megjithatë e kanë njohur Kosovën”, është shprehur Kurti.

Kryeministri ka thënë se Kosova e dëshiron integrimin e plotë në Bashkimin Evropian dhe rruga drejt kësaj nuk duhet të kushtëzohet nga pajtimi me Serbinë.

“Vullneti ynë për integrime evropiane është i padiskutueshëm dhe nuk duhet të mbetemi peng i qëndrimit të Serbisë. Ne duam marrëdhënie normale dhe rrjedhëse me Serbinë, padyshim. Edhe pse nuk jemi të njohur nga të gjitha vendet, ne jemi plotësisht të integruar në Procesin e Berlinit, si dhe në planin e zgjerimit të udhëhequr nga presidentja e Komisionit Evropian , Ursula von der Leyen. Në këtë drejtim, jemi të sigurt se Komisioni i ri Evropian do t’i kushtojë më shumë kohë zgjerimit sesa ai që sapo ka përfunduar mandatin. Ata po e kuptojnë se me Ballkanin, Bashkimi Evropian bëhet Evropë”, ka thënë Kurti.

Anëtarësimi në Bashkimin Evropian, sipas Kurtit, do të kontribuonte ndjeshëm në përmirësimin e marrëdhënieve fqinjësore, normalizimin e lidhjeve dhe nxitjen e demokracisë brenda Serbisë.

“Ky proces do të forconte institucionet demokratike. Unë besoj se rregullat e brendshme të vendeve të BE-së do të çonin në demokratizim më të madh të qeverive të të dy vendeve. Problemi është se integrimi evropian po pengohet nga Rusia, e cila dëshiron ta mbajë Serbinë sa më larg NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Prandaj, integrimi i Ballkanit në Bashkimin Evropian është një përgjigje dhe rezistencë më e mirë ndaj ndikimit të Rusisë, pasi Kremlini po përpiqet të ndajë vendet evropiane dhe interesi ynë i përbashkët është të jemi të bashkuar”, tha ai.

Ndërkohë, në pyetjen se si e percepton Kosova presidencën e Donald Trump dhe a mund të ndikojë në mbështetjen e SHBA ndaj Kosovës, Kurti është përgjigjur: ”Kosova mban një marrëdhënie të fortë bilaterale me Shtetet e Bashkuara, bazuar në përkushtimin e saj të vazhdueshëm për sovranitetin tonë dhe integrimin tonë në BE dhe NATO. Gjatë mandatit të Trump, marrëveshjet ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ishin prioritet për të promovuar stabilitetin, ndërsa administrata e Biden forcoi institucionet demokratike në Ballkan. Edhe pse këto dallime reflektojnë ndryshime në qasje, nuk besoj se Shtetet e Bashkuara do të ndryshojnë qëndrimin e tyre ndaj Kosovës; Ne punojmë ngushtë me Uashingtonin”.

Riprodhohet në Nju Jork shtëpia ku jetoi Anne Frank para burgosjes nga nazistët

Më pas është një dhomë tjetër, më e vogël, me dy shtretër të tjerë të vetmuar. Në murin e dhomës së dytë janë figura të yjeve të filmit dhe postkartela me ngjyra.

Ka gjithashtu një tavolinë me një ditar të mbyllur me “check” të kuqe mbi të. Pas saj, ka një lavaman, një dhomë pritjeje që shërben gjithashtu si një dhomë tjetër gjumi, dhe një dhomë gjumi e fundit me një biçikletë të varur në mur, me një shkallë që ngjitet në një hapësirë papafingoje.

FOTOT/ Riprodhohet në Nju Jork shtëpia ku jetoi Anne Frank para

Instalimi qendror në “Anne Frank: The Exhibition”, e cila u hap të hënën, në Ditën Ndërkombëtare të Kujtesës së Holokaustit, në Qendrën e Historisë Hebraike në New York, është një riprodhim i kujdesshëm i aneksit sekret ku Anne Frank dhe familja e saj jetuan në Amsterdam midis viteve 1942 dhe 1944, para se ata dhe ata që jetonin me ta të dërgoheshin në kampet e përqendrimit.

Në këtë hapësirë të kufizuar me dritare të errësuara jetonin Anne, motra e saj Margot, prindërit e tyre, Otto dhe Edith, si dhe partneri i biznesit të Otto-s, Hermann van Pels, gruaja e tij, Auguste, dhe djali i tyre Peter. Fritz Pfeffer, ishte pjesë e rrethit social të Frankëve. Ai ndante një dhomë gjumi me Anne.

Anne vdiq, në moshën 15 vjeçare, në Bergen-Belsen në shkurt ose mars 1945, pak para se kampi të hapej. Vetëm Otto Frank mbijetoi burgosjen e tij në Auschwitz, dhe ishte ai që siguroi që shkrimi i vajzës së tij të bëhej i njohur në mbarë botën.

FOTOT/ Riprodhohet në Nju Jork shtëpia ku jetoi Anne Frank para

Ekspozita hapet me valixhen e hapur të Otto-s, dhe ka dokumente të ndryshme të familjes Frank, enë, valixhe dhe pasuri personale.

“Nuk kemi hapësirë për të shfaqur të gjitha artefaktet në Amsterdam, kështu që kjo është një mundësi e mirë për ta bërë këtë”, tha Tom Brink, kreu i koleksioneve dhe prezantimeve në Shtëpinë Anne Frank në Amsterdam dhe kuratori i “premierës botërore” të ekspozitës në New York, për The Times. Ditari në tavolinë është një kopje; origjinali mbetet në Amsterdam.

Brink hedh poshtë akuzat që riprodhimi i vendit të fshehjes është një “pornografi traumatike” shfrytëzuese, duke thënë se ekspozita është një komponent i një projekti më të madh që fokusohet në historinë e familjes Frank. Ne ndjekim historinë e tyre para, gjatë dhe duke shënuar jetën e Otto-s  pas luftës, dhe se si historia e familjes Frank u ndërthur me ngjitjen e dhunshme dhe represive të Nazizmit.

Ekspozita ilustron grafikisht se si hebrenjtë në Holandë, si Frankët, u detyruan të fshiheshin pasi u morën të drejtat dhe liritë e tyre, dhe mundësia e tyre për të shpëtuar u shkatërrua.

“E kuptoj që shumë njerëz përqendrohen tek kopja e saktë e vendit të fshehjes”, pranoi Brink.

FOTOT/ Riprodhohet në Nju Jork shtëpia ku jetoi Anne Frank para

“Por unë kurrë nuk do ta riprodhoja aneksin dhe ta vendosja të qëndronte vetëm në një muze apo jashtë në një treg. E bëra këtë si pjesë të një historie të gjatë familjare që fillon në fillim të shekullit të 20-të dhe mbyllet në vitet 1970. Riprodhimi i aneksit është vetëm një kapitull në një histori më të madhe”, tha ai.

Ai tha: Ajo ishte jashtëzakonisht vëzhguese për jetën e të gjithëve. Ajo filloi ta rishkruante atë dy muaj para se të arrestohej. Mendoj se do të kishte dëshiruar që ditari të publikohej, edhe pse nuk e dinte se kjo do të ndodhte. Ajo ishte 13 vjeç kur filloi ta shkruante dhe ishte kaq e talentuar dhe pastaj duhej të vuante këtë gjë të tmerrshme vetëm sepse ishte hebreje. Unë kam fëmijë, dhe është e pamundur të kuptohet, e tmerrshme, të mendosh që diçka e tillë mund të ndodhte me ta.

Pavarësisht shumë spekulimeve, nuk është zbuluar përfundimisht kush, nëse ka qenë dikush, i informoi nazistët për banorët e aneksit, ose nëse ishte thjesht fat i keq që ata u gjetën.

“Ne ende nuk e dimë, dhe për të qenë të sinqertë, nuk mendoj se do ta dimë kurrë”, tha Brink./oranews/ KultPlus.com

Nis Java Kulturore Zvicerane, Huber: Kultura dhe artet kanë fuqinë për të nxitur ndryshimin

Java Kulturore Zvicerane 2025 filloi dje, duke ofruar një program nëntëditor që shfaq krijimtarinë artistike të komunitetit të pavarur kulturor të Shqipërisë dhe nxit dialogun mbi çështjet sociale.

Java Kulturore Zvicerane nisi me një aktivitet tek Piramida e Tiranës me organizim nga Ambasada zvicerane dhe Fondi Kulturor Zviceran (SCF).

Eventi hapës mblodhi bashkë aktorë të kulturës, artistë të mbështetur nga SCF, partnerë ndërkombëtarë dhe përfaqësues të medias.

Ambasadorja zvicerane në Shqipëri, Ruth Huber theksoi rëndësinë e kësaj nisme, duke thënë se, “kultura dhe artet kanë fuqinë për të nxitur ndryshimin. Zvicra njeh faktin që kultura kontribuon për zhvillimin, demokracinë dhe paqen. Ne jemi të privilegjuar që mbështesim skenën e pavarur kulturore të Shqipërisë përmes Fondit Kulturor Zviceran, duke ushqyer krijimtarinë e saj, duke përforcuar zërat e saj dhe përfundimisht, duke forcuar rolin e saj si një katalizator për ndryshim”.

Ndryshe nga javët tipike kulturore të organizuara nga ambasadat, ky aktivitet paraqet veprat e artistëve shqiptarë të mbështetur nga SCF. Është një partneritet me artistët, duke u fokusuar në tema si mësimet nga e kaluara, barazia gjinore dhe qëndrueshmëria mjedisore.

Java e Kulturës Zvicerane e këtij viti përmban një sërë ngjarjesh të pasura duke përfshirë shfaqje në muzikë, teatër dhe kërcim, të cilat prekin dinamikat sociale dhe kulturore të Shqipërisë.

Ekspozita që eksplorojnë ndikimin në mjedis të konsumerizmit (nxitjes për të konsumuar – shën. i red), si dhe një rindërtim të Pazarit të Vjetër të Tiranës.

Panele dhe diskutime që trajtojnë tema urgjente si vlera e ujit, përfaqësimi gjinor në industritë krijuese dhe trashëgimia e propagandës komuniste në Shqipëri.

Më 28 janar mbahet koncerti “Muzikë për Njerëz të Thyer” – një eksplorim simfonik i historisë komuniste të Shqipërisë.

Më 29 janar jepet shfaqja “Mbi Peizazhe Ujore” – një shfaqje kërcimi dhe diskutim mbi vlerën e ujit.

Më 1 shkurt shfaqet premiera e “Midis nesh” – një dramë që eksploron marrëdhëniet nënë-bijë.

Më 7 shkurt çelet “Horizonte të Ndotura” – një ekspozitë e artit digjital që trajton qëndrueshmërinë mjedisore.

Që nga fillimi në 2017 SCF ka luajtur një rol kyç në mbështetjen e artistëve të pavarur dhe praktikuesve të kulturës në të gjithë Shqipërinë. Aktualisht, SCF fokusohet në shfrytëzimin e arteve dhe kulturës për të ndezur një dialog kuptimplotë mbi çështjet e zhvillimit, duke shfaqur aftësinë unike të artit për të frymëzuar reflektimin dhe lidhjen.

SCF është projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC)./ atsh/ KultPlus.com

Gjirokastër, aktivitete në 89-vjetorin e lindjes së shkrimtarit Ismail Kadare

Në kuadër të 89-vjetorit të lindjes së shkrimtarit të njohur Ismail Kadare, Muzeu “Kadare” në Gjirokastër ka hapur dyert për vizitorët vendas dhe të huaj.

Ky muze, që mbart pasuri të madhe letrare, është një kujtim i vazhdueshëm i veprës së Kadare, ku qyteti i Gjirokastrës është shpesh i pranishëm si motiv i shkrimeve të tij.

Bruno Pjetri, një nga ciceronët e muzeut, theksoi se ky vit është ndryshe, pasi shkrimtari nuk është më mes nesh, por ka lënë një trashëgimi të pasur për brezat që vijnë.

Ai shtoi se për gjirokastritët është një detyrim të lexojnë veprat e Kadaresë, si dhe për ta promovuar më tej në botë.

“Ky 28 janar është ndryshe nga të tjerët sepse shkrimtari nuk është më mes nesh, por ai ka lënë pas një trashëgimi të madhe letrare ku ne të gjithë duhet ta ndjejmë si obligim, sidomos ne gjirokastritët, si detyrim të lexojmë veprën e Ismail Kadaresë,” shprehet Pjetri.

Ndërkohë, turistët që vizitojnë qytetin shpesh e njohin Gjirokastrën përmes veprave të Kadaresë, të cilat përshkruajnë me detaje historinë dhe traditat e kësaj zone.

“Këtu vijnë turistë që thonë e kemi njohur Gjirokastrën nëpërmjet Ismail Kadaresë sepse ai i ka dhënë shumë këtij qyteti ku në pjesën më të madhe të veprave përmendet Gjirokastra. Vepra të tilla si “Kronikë në gur”, “Princesha Argjiro” dhe “Darka e gabuar” janë udhërrëfyes të mrekullueshëm për ata që duan të zbulojnë thellësinë e historisë dhe kulturës gjirokastrite”, thotë Pjetri.

Muzeu “Kadare” ka tërhequr gjithsej rreth 10 mijë turistë në vitin 2024, duke konfirmuar se vepra e Kadaresë vazhdon të mbetet një pikë kyçe e vizitave dhe promovimit të Gjirokastrës, një qytet i njohur për arkitekturën e tij të veçantë dhe lidhjet me letërsinë botërore./euronews/ KultPluscom

Mario Vargas Llosa: Letërsia si burim shqetësimesh

Letërsia është një gënjeshtër që fsheh një të vërtetë të thellë: është jeta ashtu siç nuk ka qenë, jeta siç donin ta jetonin burrat dhe gratë e një epoke të caktuar, por që nuk e jetuan dot, kështu që u është dashur ta shpikin nga mendja. Ajo nuk është fytyra e Historisë, përkundrazi, është ana e kundërt ose ana tjetër e saj: është ajo që nuk ka ndodhur dhe, si pasojë, duhej të fabrikohej me mendje dhe fjalë, për të realizuar ambiciet që jeta e vërtetë nuk mundi t’i plotësonte, për të mbushur boshllëqet që gratë dhe burrat shihnin përreth tyre, të cilat ata u përpoqën t’i mbushnin me fantazma të vetëkrijuara.

Natyrisht, ky rebelim është relativ. Shumë shkrimtarë nuk janë aspak të vetëdijshëm për këtë dhe, në rast se do të ndërgjegjësoheshin për rrënjët kryengritëse të thirrjes së tyre të brendshme për të shkruar, ka të ngjarë të habiteshin dhe të frikësoheshin, pasi në jetën e tyre publike, sigurisht, nuk u ka shkuar ndonjëherë ndër mend se po komplotojnë fshehurazi për të hedhur në erë botën ku jetojnë. Nga ana tjetër, rebelimi i tyre është mjaft paqësor. Fundja, ç’të keqe ka t’i kundërvësh jetën imagjinare jetës reale? Ku qëndron rreziku në një garë të tillë? Në vështrim të parë, nuk ka asnjë rrezik. Është thjesht një lojë, apo jo? Dhe lojërat nuk mendohen se janë të rrezikshme për sa kohë që nuk kanë të ngjarë t’i kapërcejnë kufijtë për t’u përzier me jetën e vërtetë.

Natyrisht, kur dikush, Don Kishoti apo Zonja Bovari, këmbëngul të përziejë letërsinë me jetën dhe rreket ta bëjë jetën të ngjashme me letërsinë, pasojat mund të jenë shkatërrimtare. Kësisoj, loja e letërsisë nuk është e pafajshme. Fryt i pakënaqësisë së thellë me jetën e vërtetë, letërsia është vetë burim pakënaqësish dhe shqetësimesh. Ata që me anë të leximit jetojnë një histori të madhe – si dy historitë që përmenda më sipër, të shkruara nga Cervantes-i dhe Flaubert-i – vijnë në jetën e vërtetë me një ndjeshmëri më të madhe ndaj kufizimeve dhe papërsosmërive të saj, të ndërgjegjësuar prej krijimeve të mrekullueshme të fantazisë së tyre për faktin se bota e vërtetë dhe jeta siç e jetojmë, janë mjaft më mediokre se jeta e shpikur prej romancierëve. Kur lexuesi përballet me jetën e vërtetë, turbullimi i ngjizur nga një letërsi e mirë, në rrethana të caktuar, mund të kthehet në akte rebelimi kundër autoriteteve, institucioneve apo bindjeve të rrënjosura./Hejza/ KultPlus.com

Në Teatrin Dodona do të jepet premierë shfaqja Lenorë ‘Emotional Exhibition’

Premiera e shfaqjes Lenorë “Emotional Exhibition” është shfaqja e radhës e cila do të jepet në Teatrin Dodona, shkruan KultPlus.

Shfaqja Lenorë “Emotional Exhibition” është një simfoni emocionesh, ku dashuria e sfiduar nga lufta eksplorohet përmes një gjuhe poetike dhe simbolike, duke lënë një jehonë të përjetshme mes kujtimeve, dhimbjes dhe ëndrrave të thyera.

Në këtë valle mes shpresës dhe humbjes, flakët e pasionit ndriçojnë errësirën, duke dëshmuar se edhe në kohë të errëta, shpirti njerëzor kërkon dritën.

Përmes gjuhës poetike, simbolikës së thellë dhe imazheve, shfaqja zhbiron plagët dhe fuqinë e shpirtit njerëzor, duke ofruar një përjetim të paharrueshëm të dashurisë, kujtimit dhe dhimbjes që lufta lë pas.

Shfaqja është e bazuar në poezi, monologje dhe fragmente nga: J. Prévert, Ch. Bukowski, O.Wilde, N. Simon, G.G. Márquez, T. Williams, P. Neruda, R. Frost, K. Kavafis, N. Hikmet, W.H. Auden, A. Pushkin, S. Beckett.

Aktorët të cilët luajnë në këtë shfaqje janë: Luajnë:  Valmira Hoti, Rifat Smani, Armend Zeqiri

Dramatizimi dhe Regjia: Bashkim Ramadani

Skenografia: Burim Arifi; Kostumografia: Blendina Xhema; Dizajni i dritave: Skender Latifi; Lustrimi dhe dizajni: Dardan Luta, Fotografitë: Sovran Nrecaj, Video: Genc Berisha, Teknikë të skenës: Albert Gashi, Bedri Maloku, Fadil Bekteshi; Producent: Bashkim Ramadani.

Premiera jepet në Teatrin Dodona më  29.01.2025, në ora: 19:30. Ndërkaq, repriza jepet më: 30.01.2025, ora: 19:30./ KultPlus.com

Afreske të mrekullueshme në kishën e Prespës

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Korçë risolli në vëmendje afresket e mrekullueshme të Kishës së Shën Marisë në ishullin e Maligradit.

Kjo kishë konsiderohet një gur i çmuar i Prespës por dhe gjithë Shqipërisë. Ajo gjendet në liqenin e Prespës, në ishullin e Maligradit, që prej shekullit të 14-të dhe është një nga monumentet më me vlerë të trashëgimisë kulturore.

Së fundmi, kisha është restauruar falë iniciativës ndërkufitare SMARTFORYOU2, në bashkëpunim të ngushtë me Republikën e Maqedonisë së Veriut. Projekti për revitalizimin e kishës përfshiu restaurimin dhe konservimin e saj brenda dhe jashtë, rehabilitimin e shtegut që të çon drejt saj, dhe ruajtjen e afreskeve të mrekullueshme murale që i japin jetë mureve të shenjtë.

Ndriçimi i ri i kishës dhe shtegut krijon një atmosferë magjike që përforcon bukurinë e këtij vendi të shenjtë.

Mbishkrimet që gjenden në këtë kishë i përkasin periudhave të ndryshme të lidhura me historinë e këtij monumenti. Një mbishkrim në faqen jugore, më i hershmi në këtë kishë i përket vitit 1345 dhe fazës së parë të zbukurimit të kësaj kishe me afreske. /atsh/ KultPlus.com

Dostojevski: Liria nuk gjendet në kufizimin, por në kontrollin e vetvetes

Fjodor Dostojevski kishte lindur më 11 nëntor 1821, për të lënë të pavdekshme veprën e tij, shkruan KultPlus.

Ai vuri themelet e prozës së gjatë për fuqinë përshkruese, depërtimin e thellë psikologjik dhe peshën e madhe që i dha letërsisë në komunikim me lexuesin. Trazirat e mëdha që kishte kaluar, e bën që këto kthesa të mëdha jetësore t’i ketë përvojë edhe në shkrimet e tij, të cilat mbesin unike dhe madhore.

Një nënë e vdekur nga tuberkulozi, një baba alkoolist dhe dënimi me vdekje, ishin përvojat e tij më të rënda. Fatmirësisht cari e anuloi vendimin për pushkatimin e rrethit radikal politiko-letrar ‘’Petrashevski’’, në të cilën bënte pjesë edhe Fjodori.

Mirëpo, ai vazhdoj me burgosje dhe punë të rënda për 4 vite me radhë. Ndërkaq ato që e ngritën emrin e tij krahas klasikëve letrarë dhe që edhe sot e bëjnë të lexohen anë e kënd botës ishin veprat e tij. ‘’Krim dhe Ndëshkim’’, ‘’Një zemër e thyer’’, ‘’Të poshtëruar e të fyer’’ e ‘’Njerëz të varfër”, të cilat janë vetëm disa nga veprat që i dhanë vulë letërsisë ruse dhe botërore.

Sot, KultPlus ju sjell thënie nga Fjodor Dostojevski:

Duhet ta duash jetën, më shumë se sa vetë kuptimin e jetës.

Kur ndaloni së lexuari libra, ju pushoni së menduari.

Liria nuk gjendet në kufizimin, por në kontrollin e vetvetes.

Në një zemër që dashuron vërtet, ose xhelozia vret dashurinë, ose dashuria vret xhelozinë.

Heshtja është gjithmonë e bukur, dhe një person i heshtur është gjithmonë më i bukur se një që flet.

Kurrë nuk do të mbërrini në destinacionin tuaj, në qoftë se ndaleni dhe qëlloni me gur çdo qen që leh.

Unë dua të flas për çdo gjë me të paktën një person, ashtu si unë flas për gjërat, me veten time.

Çfarë është Ferri? Unë mendoj se është vuajtja e të qenit të paaftë për të dashuruar.

Asgjë në këtë botë nuk është më e vështirë se sa thënia e të vërtetës, dhe asgjë më e lehtë se lajka.

Misteri i ekzistencës njerëzore, nuk qëndron vetëm tek të qenit gjallë, por në gjetjen e një qëllimi për të jetuar. / KultPlus.com

Kënga “Zjerm” e teta në radhë në gjysmëfinalen e parë të Eurovision-it

“Shkodra Elektronike” me këngën e tyre “Zjerm”, do të jenë të kenë numrin tetë në radhë në gjysmëfinalen e parë të Eurovision 2025.

Eurovision 2025 do të zhvillohet në Bazel të Zvicrës. Vendi ynë, pas hedhjes së shortit, është përcaktuar se do të jetë i 8-ti në radhë, të martën e 13 majit 2025.

Me triumfin e tyre, në Festivali e Këngës në Radiotelevizion, artistët e grupit “Shkodra Elektronike” fituan të drejtën të përfaqësonin Shqipërinë në Eurovision, një aktivitet artistik që merr vëmendjen maksimale mediatike në Evropë dhe më gjerë.

Përzgjedhja e radhës së interpretimit bëhet në mënyrë rastësore përmes një shorti, ndërsa Franca, Gjermania, Italia, Spanja dhe Mbretëria e Bashkuar, të konsideruar si vendet “big”, nuk garojnë në gjysmëfinale. Po ashtu edhe Zvicra, si fituese e edicionit të kaluar të Eurovizion, nuk garon në gjysmëfinale.

Finalja madhe e Eurovizion 2025 do të zhvillohet më 17 maj./atsh/KultPlus.com

“Aida” e Verdit, së shpejti në TKOB me produksion të Zeffirelli-t

Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit po përgatitet të vërë në skenë një nga operat më të fuqishme të repertorit operistik botëror, “Aidën” e Verdit.

“Aida” do të vijë me një produksion madhështor të të mirënjohurit Franco Zeffirelli. Burime nga TKOB bënë të ditur se, së shpejti do të bëhet publik kasti i artistëve që do të interpretojnë, ku vendin kryesor e zënë artistët shqiptarë por do të ketë edhe emra të huaj.

Kryevepra e Xhuzepe Verdit është drama e një dashurie të ndaluar.  Në sfondin e Egjiptit të lashtë do të zhvillohet një trekëndësh dashurie pasionante dhe të ndaluar mes princeshës etiopiane Aida, komandantit egjiptian Radamès dhe Amneris, vajzës së Faraonit.

Tradhtia, sakrifica dhe lufta mes ndjenjave personale dhe detyrës të mbajnë pezull deri në notën e fundit. Muzika e Verdit, e pasur me emocione të thella dhe pasione shpërthyese, shoqërohet nga një skenografi madhështore dhe kostume magjepsëse që sjellin në jetë atmosferën unike të kësaj opere të pavdekshme, vendosur në Egjiptin e lashtë.

“Aida” do ta ketë premierën më 6 shkurt./atsh/KultPlus.com

Poezia madhështore për Kosovën nga Ismail Kadare

Një nga vjershat e rralla të Kadaresë ku përmendet Kosova. Përgjithësisht tema e Kosovës në atë kohë, konsiderohej tabu në letërsi.

E hidhur vjeshtë e këtij viti
Kosovën gjeti nën terror.
Korba të zez mbi të ia mbërritën,
Hetues, gjykatës e prokurorë.

Me dhjetë vjet burg, me tetë, me shtatë,
Me dymbëdhjetë dënojnë diku.
Kështu mes jush shekullin ndani,
Dhe mijëvjeçarin ndani ju.

Kështu e prekni historinë,
Mbi supe e mbartni ju sërish.
Prangat në shkollë që i mësonit
Në duar ndjetë befasisht.

Dhe patë se koha e mesjetës
S’qe larg dhe veç në libra s’qe,
Dhe u kthye nata e Prishtinës
Në natë Shën Bartolemeu.

U ngritët ju viganë, fisnikë
Me korrektesë e madhështi.
Ngaqë kërkuat Republikë,
U shtypët si në monarki.

Por koha kurrë s’vjen përgjysmë,
Natë e masakrës vetëm s’mbërrin,
Se pas Dushanit car të frikshëm
Rrufeshëm Skënderbeu arrin.

S’kish dëshmitarë, TV nuk pati
Zinxhiri i tankut kur ju griu,
Por retë e globit veg ju panë,
Ndërgjegje e botës te ju mbërriu.

Kështu në vorbull të epokës
U ngritët ju si monument,
Ju që e prekët historinë,
Dhe n’histori u kthyet vetë. / KultPlus.com

Poezia ‘Vetëm të jesh këtu’ e Jashar Rexhepagiqit dedikuar Fehmi Aganit

Vetëm të jesh këtu

(Kushtuar Fehmi Aganit)

Një njeri i rrallë,
i zoti, mendar,
Edhe në pësim i madh
Dhe t`isha ai që nuk jam
Këtu të ishe
shumëçka do të kishim.

Kot nuk krrokati korbi
sot me ag.
Çerdhen derdhi.
E nga hardhia ime
pikëlloi loti.

Shpesh vras mendjen,
këtu të ishe,
më i ndritshmi yll
ndoshta do kishim më shumë
dritë e dikushi të ishim. / KultPlus.com

Astrid Lindgren dhe veçantia e saj

Arritjet e Astrid Lindgren janë unike dhe të rëndësishme. Ajo ishte një humaniste e përkushtuar që luftoi për të drejtat e fëmijëve, për barazi, ekologji dhe mirëqenie të kafshëve, si dhe kundër dhunës dhe shtypjes. Ajo i mbajti besimet e saj me guxim dhe seriozitet, si dhe me humor dhe dashuri, transmeton KultPlus.

Astrid Anna Emilia Lindgren lindi më 14 nëntor 1907 në fermën Näs jashtë Vimmerby, në qarkun e Småland, dhe vdiq më 28 janar 2002 në shtëpinë e saj në Dalagatan 46 në Stokholm.

Ajo shkroi 34 libra kapitujsh dhe 41 libra me figura, që të gjithë së bashku kanë shitur 170 milionë kopje dhe janë përkthyer në më shumë se 100 gjuhë.

Ndikimi global i Astrid Lindgren është i paprecedentë. Asnjë autore suedeze nuk është përkthyer në aq gjuhë sa Astrid Lindgren dhe shitja totale e librave të saj llogaritet aktualisht në rreth 170 milionë kopje. 

Çdo vit botohen botime të reja të huaja të librave të saj, pavarësisht se janë bërë më shumë se 20 vjet që kur ajo u nda nga jeta dhe mbi 40 vjet që nga botimi i historisë së saj të fundit madhështore, Ronja, vajza e grabitësit.

Çmimi Përkujtimor Astrid Lindgren është një çmim ndërkombëtar letrar për fëmijë i krijuar nga qeveria suedeze në vitin 2002 për të nderuar autoren suedeze për fëmijë Astrid Lindgren. /KultPlus.com

Të huaj jemi

Poezi nga Ismail Kadare

Të huaj jemi ne prej kohësh,
C’ish për t’u thënë është thënë,
Si gurët që zënë vend në tokë,
Në jetë vend ne kemi zënë.

Drejt njëri-tjetrit kemi mbyllur
Të gjitha rrugët edhe shtigjet,
Si dy qytete mesjetare
Me mure, heshta dhe me pirgje.

Por natën, kur i lodhuri truri,
Portat i mbyll me qetësi,
Ti gjen një shteg dhe futesh brenda,
Nje shteg qe vetëm ti e di.

Pastaj si në rrugica parqesh,
Shëtit mes cirkovolucionesh,
Hyn nëpër ëndrra e shkujdesur,
Fanitesh, qesh, ma bën me dorë.

Por kur mëngjesi zë afrohet,
Nis shqetësohesh befas ti,
Dhe heshturazi del perjashta
Nga shtegu, që del vec ti

E dita vjen. Rrjedh prapë jeta.
Dhe ne të dy si dhe me parë
Te ftohtë rrimë e të pamposhtur
Si dy qytete mesjetare./KultPlus.com

Durrës: Drejt fundit rikonstruksioni i Galerisë së Arteve Pamore “Nikolet Vasia”

Galeria e Arteve Pamore “Nikolet Vasia” në Durrës është drejt fazës përfundimtare të rikonstruksionit tërësor të saj.

Kryetarja e bashkisë së këtij qyteti, Emiriana Sako përmes një galerie fotosh të shpërndarë në rrjetet sociale, thekson se ky investim ka përmirësuar cilësinë e kësaj galerie si nga ana teknike e funksionale ashtu edhe nga ana estetike e vizuale.

Sako thotë se “kjo galeri do të hapë dyert për eventet e shumta artistike që zhvillohen aty”.

Galeria e arteve pamore në Durrës që nga viti 2011 mban emrin e piktorit Nikolet Vasia, duke përjetësuar kështu një nga artistët me emër të Durrësit.

Nikolet Vasia la pas një sërë veprash kryesisht në pikturë, një cikël me disa mijëra skica të objekteve arkeologjike të Durrësit, si dhe disa punime mozaikësh në Durrës dhe në Krujë./atsh/KultPlus.com

15 vite nga vdekja e intelektualit, Jashar Rexhepagiqi

Jashar Rexhepagiqi lindi në Plavë më 16 janar 1929. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa gjimnazin në Beran dhe në Pejë. Grupin e lëndëve pedagogjike e studioi në Fakultetin Filozofik të Zagrebit, ku diplomoi në vitin 1953.

Gradën doktor shkence e mori në vitin 1965 në Fakultetin Filozofik të Zagrebit, ku mbrojti me sukses tezën “Zhvillimi i shkollave dhe i arsimit të shqiptarëve në territorin e Jugosllavisë së sotme deri në vitin 1918”.

Ushtroi detyra të ndryshme në shkolla dhe në arsim: profesor i Shkollës Normale dhe Gjimnazit në Prizren, profesor e drejtor i Shkollës Normale të Prishtinës, këshilltar pedagogjik për shkolla të mesme i Pleqësisë së Arsimit të KAKM, ligjërues dhe profesor i Shkollës së Lartë Pedagogjike të Prishtinës, kurse nga viti 1962 punoi në Fakultetin Filozofik të Prishtinës.

Në këtë institucion, profesor i rregullt, veproi deri më 1990, kur u pensionua.

Që nga themelimi i Shoqatës së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, gjegjësisht të ASHAK është anëtar i rregullt i këtij institucioni të lartë shkencor të Kosovës. Pos detyrës së sekretarit të Seksionit të Shkencave Shoqërore, dy herë qe sekretar i Përgjithshëm i Akademisë dhe në dy mandate nënkryetar i ASHAK. Rexhepagiqi ka marrë pjesë në kongrese, në simpoziume, në tryeza të rrumbullakta dhe në tubime të tjera shkencore e profesionale të pedagogëve në vend dhe jashtë. Në konferenca ndërkombëtare shkencore ka mbajtur referate ose kumtesa: në Pragë, Moskë, Jenë, Ankara, Mahaçkalla, Tiranë, Teheran (dy herë), Prishtinë, Sarajevë, Novi-Sad. Ka bashkëpunon në afro njëzet revista e fletore pedagogjike e të tjera. Ai ka qenë redaktor i Buletinit të Fakultetit Filozofik të Prishitnës, redaktor i revistës shkencor Studime të Seksionit të Shkencave Shoqërore të ASHAK dhe redaktor i Vjetarit të ASHAK, anëtar i Këshillit redaktues të bibliotekës “Pedagogë bashkëkohor”, anëtar i Këshillit redaktues të Enciklopedisë pedagogjike I, II, kryetar i Këshillit botues të revistës shkencore Përparimi e të tjera.

Ai u morr me historinë e përgjithshme të pedagogjisë, me historinë nacionale të pedagogjisë, veçanërisht me historinë e shkollave e të arsimit në Kosovë, pastaj me pedagogjinë teorike e komparative, me didaktikën, me pedagogjinë shkollore e familjare dhe me metodologjinë e gjurmimeve pedagogjike dhe albanistike. Është përqendruar në gjurmime iranologjike në këto treva të Ballkanit. Është marrë edhe me poezi (5 libra të poezisë) dhe me kritikën shkencore e letrare. Është autor i mbi njëzet librave dhe i më se 360 punimeve shkencore e profesionale. Gjatë hulumtimit botoi disa vepra monografike, një numër të konsiderueshëm të studimeve, disa tekste shkollore, shqyrtime të shumta, artikuj, ese kritikë dhe kontribute të tjera. Është bashkautor i një varg projektesh shkencore dhe udhëheqës i disa prej tyre. Laureat për punën shkencore, pedagogjike e shoqërore, pos të tjerash, i Shpërblimit të Dhjetorit të KSA të Kosovës për punë shkencore dhe për rezultate në pedagogji (1972). Është bartës i Urdhrit të Punës me Kurorë të Artë (1980) dhe i Urdhrit të Republikës me Kurorë të Argjendtë (1988).

Vdiq më 28 janar 2010. / KultPlus.com

Kadare: Gjer më sot, Lasgush Poradeci ka mbetur për mua njeriu më i jashtëzakonshëm

Ajo çka, në vend që të më mundonte, më mahniste gjithmonë, sa herë që takoja Lasgush Poradecin, ishte ndjesia e së pamundurës.

Ishte e pamundur të merreshe vesh me të si me të tjerët. Porsa hyje tek ai, madje porsa trokisje në portë, aty për aty gjithçka tjetërsohej.

Tjetër logjikë në të biseduar, tjetër kod, të tjera fjalë, të mbështjella me kuptim tjetër. Diçka mungonte përherë, e diçka qe e tepërt. Ai vetë ishte aty, i vëmendshëm për gjithçka, e megjithatë, ti e ndjeje se sa ç’ishte , aq edhe mungonte.

Më e habitshmja ishte se ty të pëlqente kjo, se nuk doje aspak që të prishej kjo magji, ashtu si nuk doje që fjalëve që thuheshin t’u ikte dysia, velloja me të cilën sapo ishte mbështjellë dhe t’u ktheheshin kuptimet e tyre të mirëfillta, që ngjanin tani të zbehta.

Një njeriu meskin do t’i dukej i krisur, një tjetër mund të mendonte se atë mjegullirë ia krijonte pleqëria. Por s’ishte as e para, as e dyta.

Lasgushi ishte aty, disa qindra hapa larg, megjithatë, përse nuk nisesha me ngut, me panik, për të mos humbur kohë? Përse nuk kam shkuar më shpesh, thosha me vete. Dhe prapë shkoja rrallë. S’kisha kurrfarë droje se do ta shqetësoj. Ai më priste përherë me kënaqësi, madje më çonte fjalë t’i shkoja. Ishte një pengesë e tjeterfartë. Pengesa që shkakton ëndrra. Askush nuk ngutet të shkojë drejt saj. Sepse, në fund të fundit, vonesa dhe ngadalësia bëjnë pjesë në mekanikën e saj.

Të shkoje tek ai, ishte më shumë se të dilje jashtë shtetit. Të dukej se dilje jashtë kohës, jashtë sistemit të zakonshëm të të menduarit. Edhe një hap dhe kishe ndjesinë se do të kapërceje kufijtë e jetës për të shkelur në shkretinë danteske.

Prej vitesh, qysh pas mbarimit te Luftës së Dytë Botërore, ai kishte qenë përherë i tillë: i gjallë dhe i vdekur njëkohësisht. Shumë gjimnazistë, që e bënin në mësim, e kujtonin të vdekur. Të tjerë ua shpjegonin se nuk ishte ashtu, se ishte gjallë, por as të parët, as të dytët nuk habiteshin nga kjo. Ishte një gjendje e dyzuar që i shkonte atij dhe shumë njerëz qenë mësuar me të, si me dikë që e kundrojnë përherë nën syprinën e ujit. Ishte nga të rrallët njerëz dhe, ndoshta , i vetmi shkrimtar i madh që arriti për një kohë aq të gjatë , duke qenë i gjallë, të përjetojë vdekjen e tij.

Pamja e tij e jepte shpeshherë në mënyrë të saktë këtë dyzim, sidomos kur vishte kostumin e zi dhe vinte borsalinë të zezë. Në një rast të tillë të dukej e natyrshme ta pyesje nëse dilte apo shkonte drejt arkivolit. Më e çuditshmja ishte se ky fat i tij nuk zgjonte keqardhje. Ndjenja e keqardhjes, e mëshirës së mundshme, e pikëllimit që ai qe harruar pa të drejtë, thërrmohej si një enë kristali sapo ndeshej me të.

Kur ai hynte në kafenetë e Pogradecit, shkrimtarët që vinin për verim kishin ndjesinë se po strukeshin nga një stuhi e padukshme. Ai ishte i paparashikueshëm, gërryes si acid, i rrezikshëm, i beftë. E qeshura e tij ishte si e tejtejshme, pa gëzim, mërzitja e tij e papikëllueshme. Kështu e kishte edhe zemërimin, luksoz, të ftohtë, kurse përbuzjen, rrezatuese që larg, si të stolisur me argjend.

Por gjëja më e jashtëzakonshme ishte e folura e tij. Gjë më të pangjashme me bisedën e përditshme, nuk mund të përfytyroje dot. Ndonëse ishte e qartë, pa stërhollim, fare e rrokshme, madje për gjëra të ditës, ajo e kishte kryekëput të ndryshme gjithçka: ndërtimin e saj, logjikën, ritmin, kthimet prapa. Ishte e papërftueshme, të mendoje që ai ose ti, në fillim të bisedës, të thoshit diçka për kohën, shëndetin, ose shprehjen ç’të reja kemi? Ai mund të shikonte ftohtë, të mos përgjigjej dhe të harronte që ti ishe aty. Çdo takim me të ishte përherë befasues, jashtë çdo skeme dhe parashikimi…

…Mekanizmi i kohës së tij ecte herë përpara, herë mbrapsht e herë në vend. Edhe oraret ashtu i kishte: çohej nga gjumi në orën 11. Hante mëngjes. Flinte përsëri në 12. Hante drekën në 5 mbasdite. Flinte në 6. Çohej në 8 dhe punonte gjer më 3 pas mesnate. Pamja e tij, po aq sa e folura, i shpëtonte çdo cilësimi. Ai ishte aristokrati dhe fshatari njëkohësisht, vjenezi i përkorë dhe ballkanasi me shkop shtogu, bjondi dhe bruni, i ashpri dhe fini. Ai herë të kujtonte aktorin gjermano-shqiptar të viteve ’30, Aleksandër Moisiun, herë grekët e lashtë të mbështjellë me zhgun jashtëkohor, e herë Papa Gjon Pali II.

Gjatë udhëtimeve në shumë vende të botës më ka qëlluar rasti të njihem me njerëz të pazakonshëm, nobelistë, filozofë, aktorë, politikanë, shkrimtar të mëdhenj, por gjer më sot Lasgush Poradeci ka mbetur për mua njeriu më i jashtëzakonshëm , më i ndërlikuar e më i pakuptueshëm që kam njohur. Kam biseduar për të me njerëz që i kishte edhe më të afërt: të shoqen, vajzat, gruan që ka qenë pasioni i tij i fundit, por askush nuk ka kuptuar diçka më shumë prej tij.

Me sa duket, kodin zbërthyes ai e mori me vete në varr. Duke e parë, dhe sidomos duke e dëgjuar, gjithmonë mendoja se si ishte e mundur që njeriu ballkanas, njeriu shqiptar, të arrinte një ndërlikim të tillë, përkryerje, mëvetësi dhe mister.

Ismail Kadare “Ftesë në studio”. / KultPlus.com

Zemrën askujt mos ia fal krejt

Poezi nga William Butler Yeats
Përktheu: Orjela Stafasani

Zemrën askujt mos ia fal krejt
se grave pasionante dashnia u duket e lehtë,
e padenjë për kujdes, kur për të siguri kanë
dhe ato s’andrrojn’, n’mend s’e mbajn’
se prej puthjes n’puthje atë e kap nji dobësi;
çdo gja e bukur asht veç nji knaqësi
andrruese, e kandshme, që kalon përherë.
Oh, zemrën kurrë mos e jep përnjiherë
se, pavarsisht çka buza e ambël nxjerr,
zemrat si zaret n’lojë i kanë hedhë.
Dhe si mundet vallë n’lojë me fitu’ ndonja
që shurdh, memec e qorr dashnia e ka ba?
Kush e ka provu’ e di cili asht çmimi dhe mundi
sepse e fali gjithë zemrën dhe humbi. / KultPlus.com

Letra e dashurisë së Kadaresë për rusen Ljuba

Një nga periudhat më të bukura në jetën e shkrimtarit Ismail Kadare ka qenë dhe koha e studimeve në Moskë. Në këtë kohë ai ka bërë vargje të ndjera për dashurinë. Në librin “Ftesë në studio”, ai tregon për herë të parë detaje mbi njohjet me vajzat ruse, duke treguar dhe disa copëza letrash që ua pat çuar vajzave me të cilat ishte shoqëruar. Shqiponline po boton disa pjesë nga këto letra, që vetë shkrimtari i ka bërë publike në këtë libër.

Një prej tyre ishte Ljuba, një mikeshë që në kohën që ka shkruar letrën kishte vetëm dy javë që e kishte njohur. Ja çfarë i shkruan ai asaj, duke pasur në mëndje letrën që Pushkini ia kishte dërguar Anne Kern:

“Ljuba ime e shtrenjtë. Një javë më parë kur me ndihmën e Zotit të shtiva në dorë, (pa guxuar ta shkruaj krejt fjalën e ndyrë ruse, shënova vetëm shkronjën e parë j…. me tri pika), ishte vërtet një gjë e mrekullueshme, një cudnoje mgnovjenje, siç e shkruan Pushkini i madh.

Veç në mos më ke ngjitur triperin (në gjuhën tonë ai emërtohet me një fjalë me tingëllim madhështor skullamendo, e huajtur nga italishtja dhe që të kujton termat e muzikës, andando moderator, apo jo?), pra veç në mos ma ke ngjitur triperin, ndonëse një shkrimtar, Heminguej më duket ka thënë se kur e marr prej teje edhe triperi më duket i mrekullueshëm.

Kështu, pra, as ai s’ma zbeh dot dashurinë për ty, veç në mos e ke marrë prej ndonjë çifuti uzbek, se pavarësisht nga simpatia që kam për çifutet, kam dëgjuar se çifutet e Uzbekistanit e kanë triperin më të keq se sifilizin”. Ja përgjigja që i kthen Ljuba: “Që kishte në natyrën tënde diçka anormale, madje prej krimineli këtë e pikasi qysh në fillim nëna ime kur erdhe për të pirë çaj tek ne. Por ajo, fisnike siç është, nuk më tha asgjë për të mos më dëshpëruar. Veç kur i tregova letrën tënde të ndyrë më tha se ti ishe më i keq se ce kishte menduar.

Një përbindësh i vërtetë, pjellë tipike e një bote që shtypi ynë i shkretë sovjetik e quan me të drejtë të zvetënuar, por që ne mezi i besojmë. Të pije çaj me ty ishte njësoj si të pije çaj me djallin. Edhe këto janë fjalë të nënës sime, e cila njësoj si unë e ndjen veten të fyer si njeri, si grua. Ti iu duke asaj dhe tani më dukesh edhe mua si mishërimi i së keqes….

Do të mjaftonte urrejtja jote ndaj poezisë (Pushkinit) e sidomos ndaj muzikës veneriane për të kuptuar se cpërbindësh je. I poshtër gjer në fund duke e parë se me prindët e mi nuk do të ecte, ti u përpoqe të bësh për vete gjyshen, e cila ishte e vetmja që pasi dëgjoi poshtërsitë e tua, tha “Zoti e ndjeftë”.

Më vjen shumë turp që jam shoqëruar me ty. Duke të urryer shumë shumë. Ljuba” Të njëjtin zemërim shpreh edhe Llora në një tjetër letër. Vetë shkrimtari e shpjegon kështu këtë kohë në libër “Nga vinte kjo ndjenjë shkatërrimi, që kishte kohë që më kishte kapur? I prishja të gjitha lidhjet, i zëvendësoja me të përkohshme, të cilat ngutesha ti prishja gjithashtu. Ishte padyshim një sëmundje që zotëronte rreth e rrotull, por që mua më kishte zënë rëndshëm”.

Tek romani “Muzgu” Kadare e shpjegon këtë krizë. Por pavarësisht zemërimit të Ljubës, Kadare është ndër të parët shkrimtarë që ka folur hapur për këtë anë kaq njerëzore në jetën e një shkrimtari, duke treguar kohët e bukura të jetës studentore në Moskë, të vajzave që takoi dhe që e bënë të shkruante poezitë më të bukura mbi dashurinë./ KultPlus.com

89-vjetori i lindjes së Kadaresë, Begaj: Krenarë për vendin që ka zënë në panteonin e letërsisë dhe kulturës botërore

Presidenti Bajram Begaj, vlerësoi sot veprën e shkrimtarit Ismail Kadare si një dëshmi për lashtësinë e shqiptarëve dhe identitetin evropian.

Në një mesazh në 89-vjetorin e lindjes së shkrimtarit Iamail Kadare, i cili u nda nga jeta vitin e kaluar, Presidenti Begaj u shpreh se “Kadare do të jetojë për t’i treguar botës mbi Shqipërinë dhe shqiptarët, dramën historike, krenarinë dhe vitalitetin e kombit tonë”.

“Sot, në datëlindjen e parë të Ismail Kadaresë pas ndarjes së tij nga jeta, ne ndihemi krenarë që gjeniu shqiptar i letrave ka zënë një vend të nderuar në panteonin e letërsisë dhe kulturës botërore. Me prozën dhe poezinë e vet, ai i prezantoi botës autenticitetin dhe lashtësinë e ekzistencës sonë kombëtare”, theksoi Begaj.

Presidenti Begaj u shpreh se “Kadare dëshmoi në çdo faqe të veprave të tij forcën titanike, sakrificat dhe përkushtimin e popullit tonë për të qenë pjesë e kulturës evropiane dhe botës progresiste. Për aq kohë sa lexuesit në mbarë botën do të vijojnë të lexojnë librat e tij, Kadare do të jetojë për t’i treguar botës mbi Shqipërinë dhe shqiptarët, dramën historike, krenarinë dhe vitalitetin e kombit tonë”.

Kadare lindi më 28 janar 1936 në lagjen Palorto të Gjirokastrës. Vokacioni i tij për letërsinë zuri fill në moshë të hershme. Shkrimtari i madh Kadare është vlerësuar me një sërë çmimesh ndërkombëtare (“Man Booker Prize”, “Princi i Asturias” etj), si i përzgjedhur në radhët e shkrimtarëve botërisht të njohur, sikurse Gabriel Garcia Marquez, Günter Grass dhe Milan Kundera. Deri tani, veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të botës.

Kadare është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit”, nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit” dhe nga mbreti i Spanjës me çmimin “Princi i Asturias”.

Shkrimtari Isamil Kadare u nda nga jeta në moshën 88-vjeçare më 1 korrik 2024./atsh/KultPlus.com

Sot, Dita Ndërkombëtare e Mbrojtjes së të Dhënave Personale

28 janari njihet si Dita e Mbrojtjes së të Dhënave Personale. Ishte Këshilli i Evropës që fillimisht e shpalli këtë datë në vitin 2007, si Dita Evropiane e Mbrojtjes së të Dhënave dhe dy vjet më pas edhe Dhoma e Përfaqësuesve të SHBA e votoi në unanimitet, duke e quajtur Dita Kombëtare e Privatësisë.

Nevoja për të mbrojtur të dhënat personale është një shqetësim në rritje në shoqëritë informative bashkëkohore, të cilat karakterizohen me zhvillime teknologjike. Përderisa individët duhet të mbrohen nga mbledhja e padëshiruar, përdorimi dhe transferimi i të dhënave të tyre nga palët e treta,  kjo nuk duhet të pengojë në rrjedhën e lirë të informatave që është e nevojshme për të nxitur debatin lidhur me çështjet me interes të përgjithshëm në shoqëritë demokratike.

Nenet 8 dhe 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut mbështesin të drejtën për respektimin e të drejtës për jetën private dhe të drejtën për lirinë e shprehjes dhe kërkojnë një drejtpeshim të duhur mes tyre në raste konflikti. Para 40 vitesh, Konventa 108 e Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Individëve lidhur me procesimin automatik të të dhënave personale ka qenë traktati i parë ndërkombëtar që ka përcaktuar standardet në këtë fushë, duke formësuar kështu mbrojtjen e privatësisë dhe të dhënave në Evropë dhe më tej.

Në vitin 2018, është miratuar një protokoll amandamentues për të modernizuar Konventën (i njohur si Konventa 108+) në mënyrë që të trajtojë sfidat, të cilat rezultojnë nga përdorimi i informatave të reja dhe teknologjitë komunikuese si dhe për të fuqizuar zbatimin e vet efektiv.

Në nivel të BE-së, Rregullorja e vitit 2016 për Mbrojtjen e Përgjithshme të të Dhënave (RMPD) (në origjinal: GDPR, Regulation (EU) 2016/679) parasheh një kornizë konkrete dhe ligjore për mbrojtjen e të dhënave dhe konsiderohet si një rregullore më gjithëpërfshirëse dhe e avancuar në mbarë botën.

Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në kuadër të aktiviteteve për Javën e Mbrojtjes së të Dhënave Personale dhe në funksion të interesit publik, ka përgatitur një video ndërgjegjësuese, me qëllim rritjen e njohurive të qytetarëve për ushtrimin e kësaj të drejte./atsh/ KultPlus.com

89 vite nga lindja e shkrimtarit Ismail Kadare

Më 28 janar të vitit 1936, 89 vite më parë, lindi poeti dhe shkrimtari i shquar shqiptar, Ismail Kadare. Ai ka vdekur me 1 korrik të vitit 2024.

Kadare lindi në Gjirokastër, ku përfundoi edhe arsimin e mesëm. Kadare është një nga shkrimtarët më gjenialë bashkëkohorë, disa herë i nominuar për çmimin “Nobel” në letërsi. Ai shquhet për novela, romane, por ka botuar edhe vëllime me poezi dhe sprova.

Në vitin 1958 mbaroi degën e Gjuhës e të Letërsisë në Universitetin e Tiranës, për të vazhduar më pas në Moskë me studime për dy vjet në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki” (1958-1960). Kadare ishte një nga shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë shqipe dhe gjithashtu një nga shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë botërore bashkëkohore.

Me veprën e tij, që ka shënuar një numër rekord të përkthimeve (në mbi 45 gjuhë të huaja) ai e ka bërë të njohur Shqipërinë në botë, me historinë dhe me kulturën e saj shekullore. Rrugën e krijimtarisë letrare e nisi si poet që në vitet e gjimnazit Frymëzimet djaloshare, 1954, “Ëndërrimet”, (1957), por u bë i njohur sidomos me vëllimin Shekulli im (1961), që u pasua nga vëllimet e tjera poetike, si: Përse mendohen këto male (1964), Motive me diell (1968) dhe Koha (1976). Vepra poetike e Ismail Kadaresë shquhet për idetë e thella dhe për figuracionin e pasur e origjinal; rol me rëndësi për pasurimin e poezisë shqiptare.

Në fushën e prozës, Ismail Kadare ka lëvruar tregimin, novelën dhe romanin. Vepra e parë e rëndësishme e Ismail Kadaresë në prozë është romani “Qyteti pa reklama”, që nuk u lejua të botohej i plotë deri në vitin 2003. Prozën e tij e karakterizojnë përgjithësimet e gjëra historiko-filozofike, subjekti i ngjeshur dhe mendimi i thellë i shprehur shpesh me anë të parabolës, mbi bazën e asociacionit apo të analogjive historike. Ideja e romanit Gjenerali i ushtrisë së vdekur (1964) është shpirti liridashës i popullit shqiptar. Temën e shpirtit të pamposhtur të shqiptarëve nëpër shekuj autori e trajtoi edhe në romanin Kështjella (1975). Në romanin Kronikë në gur (1970) Kadare kritikoi psikologjinë provinciale dhe traditat prapanike, transmeton kp.

Probleme të rëndësishme të historisë janë trajtuar edhe në përmbledhjet me tregime e novela Emblema e dikurshme (1977), Ura me tri harqe (1978) dhe Gjakftohtësia (1980). E veçanta e talentit të Ismail Kadaresë shfaqet sidomos në trajtimin, nga një këndvështrim i ri, i temës historike dhe në tingëllimin e mprehtë aktual që është i aftë t’i japë asaj. Një nga krijimet më të shquara të Ismail Kadaresë dhe të të gjithë letërsisë së re shqiptare është romani Pallati i ëndrrave (1981). Shumica e veprave të Ismail Kadaresë janë përkthyer e botuar në mbi 45 gjuhë të botës dhe janë pritur shumë mirë nga publiku lexues. Ai është shkrimtari shqiptar më i njohur në botë.

Në vjeshtën e viti 1990 Ismail Kadare vendosi të largohet nga Shqipëria dhe të qëndrojë në Paris. Shkrimtari në atë kohë e përligji këtë largim me “mungesën e ndryshimeve demokratike”. Autoritetet e kohës e dënuan largimin e Ismail Kadaresë, por krijimtaria e tij nuk u ndalua. Në vitin 1990 e më pas vepra e tij bëhet shprehja më e fuqishme e vlerave gjuhësore dhe artistike të shqipes letrare. Letërsia e Ismail Kadaresë pas vitit 1990 bart të njëjtat tipare thelbësore të asaj të mëparshme: frymën etnografike dhe shpërfaqjen e identitetit shqiptar.

Ismail Kadare ishte laureat i shumë çmimeve letrare kombëtare dhe ndërkombëtare. Që nga v. 1994 I.K. është anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës dhe anëtar i jashtëm i ASHAK.

Ka qenë delegat në Kongresin e Drejtshkrimit (1972). Në vitin 2005 fitoi çmimin “The Booker Prize Man”. Ismail Kadare është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit” dhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”. Ismail Kadare më 23.06.2012 u nderua me Çmimin e madh spanjoll, “Princi i Asturias për Letërsi”, një nga çmimet me prestigjioze letrare në botë. Ai doli fitues mes 31 kandidateve nga 25 vende të ndryshme të botës ku dallohet emri i Milan Kunderas apo italiani Antonio Cabucchi. Ismail Kadare shkroi edhe veprën e njohur “Gënjeshtër nga dashuria e Galdimi ndaj Arife-s” 2013./ KultPlus.com

Paul McCartney: Mos e lejoni AI-në t’i dëmtojnë artistët

Këngëtari i njohur Paul McCartney ka paralajmëruar se ndryshimet e mundshme në ligjin për të drejtat e autorit mund të ndikojnë në “shfrytëzimin” e artistëve dhe të dëmtojnë krijimtarinë.

The Guardian ka shkruar se ish-anëtari i grupit “The Beatles” ka thënë se qeveria duhet ta mbrojë punën e krijuesve, duke i kërkuar që të sigurohet që artistët të kenë kontroll mbi materialet e tyre të mbrojtura me të drejtat e autorit.

McCartney e ka shprehur shqetësimin se përdorimi i materialeve të mbrojtura për të trajnuar modelet e inteligjencës artificiale (AI) mund të çojë në humbjen e motivimit për tekstshkruesit dhe artistët, dhe për pasojë të sjellë “humbje të kreativitetit”.

Ai ka shpjeguar situatën për BBC-në.

“Djemtë dhe vajzat e reja krijojnë këngë të bukura, por ata nuk e zotërojnë atë. Dhe kushdo mund t’i kopjojë dhe të përfitojë prej tyre. E vërteta është, paratë po shkojnë diku … Dikush po paguhet, pra pse të mos jetë ai që u ul dhe e shkroi këngën ‘Yesterday’’”, ka thënë McCartney.

Ky debat ka lindur pasi janë shfaqur pasiguri rreth përdorimit të materialeve të mbrojtura për të trajnuar modelet e AI-së. Ka pasur padi nga individë dhe kompani në industrinë krijuese që pretendojnë se përdorimi i paautorizuar i materialeve të tyre është shkelje e të drejtave të autorit.

Ndërkohë, disa organizata botuese dhe media kanë nënshkruar marrëveshje licencimi me kompanitë e AI-së për të lejuar përdorimin e materialeve të tyre për trajnim të modeleve.

McCartney ka paralajmëruar se AI-ja mund të “marrë kontrollin” në botën e artit, dhe ka firmosur një peticion bashkë me aktorë të njohur si Julianne Moore, Stephen Fry dhe Hugh Bonneville, ku shprehen se përdorimi i paautorizuar i veprave krijuese për trajnim të AI-së është një kërcënim i padrejtë për mbijetesën e artistëve dhe nuk duhet të lejohet.

Në një fushatë të ngjashme, autorja Kate Mosse ka mbështetur një kërkesë për ndryshime në ligj për të dhënë mundësinë që krijuesit të negociojnë një pagesë të drejtë kur i licencojnë materialet e tyre.

Qeveria britanike ka njoftuar se do të mbajë një konsultim publik për të shqyrtuar çështjet kryesore të debatit deri më 25 shkurt, duke përfshirë mënyrat për të përmirësuar marrëdhëniet mes industrisë krijuese dhe AI-së, si dhe mënyrat për të siguruar që krijuesit të mund të licencojnë materialet dhe të paguhen drejt.

McCartney i bëri thirrje qeverisë që t’i rishikojë këto plane.
“Ne jemi njerëzit, ju jeni qeveria. Duhet të na mbroni ne, kjo është puna juaj”, ka thënë ai.

Në një notë pozitive, McCartney dhe Ringo Starr përdorën teknologjinë AI për të krijuar këngën “Now And Then” në muajin nëntor të vitit 2023, duke ndarë vokalet e anëtarit të njohur të grupit të tyre, John Lennon nga një demo e incizuar në vitin 1977.

Sekretarja e Kulturës, Lisa Nandy, ka thënë se qeveria beson se artistët, tekstshkruesit dhe krijuesit e tjerë duhet të kenë mundësinë të kontrollojnë përdorimin e materialeve të tyre nga kompanitë e AI-së dhe të mund të negocionin marrëveshje licencimi dhe pagesa të drejta./alsatm/ KultPlus.com

‘Shpirti është plot me yje që bien’

Thënie nga Viktor Hygo

Mos i edukoni fëmijët tuaj të jenë të pasur. Mësoni ata të jenë të lumtur, kështu që ata do të njohin vlerën e gjërave dhe jo çmimin.

Femrat mbajnë mend vetëm meshkujt që i kanë bërë të qeshin; meshkujt vetëm femrat që i kanë bërë të qajnë.

Asnjë ushtri nuk mund të përballojë forcën e një ideje, koha e së cilës ka ardhur.

Kush hap dyert e një shkolle, mbyll dyert e një burgu.

Mund t’u rezistosh pushtuesve, por jo ideve.

I shtypuri që e pranon shtypjen, bëhet bashkëpunëtor.

Njerëzve s’u mungon forca, por vullneti.

Lumturia ekstreme është kur të duan për atë që je, ose kur të duan pavarësisht se kush je.

Ka një spektakël më madhështor se detin: është qielli. Ka një spektakël më madhështor se qiellin: është shpirti.

Po të mos ishte femra, diamantet do të ishin gurë të rëndomtë.

Liria nis nga ironia.

Zoti është e padukshmja e qartë.

Zoti pati bërë veç ujin, por njeriu bëri verën.

Shpirti është plot me yje që bien.

Ka njerëz që do të paguanin për t’u shitur.

Melankolia është gëzimi i të qenët i trishtuar.

Spiuni del për gjueti për llogari të të tjerëve, si qeni. Ziliqari del për llogari të vet, si macja.

Një poet është një botë e mbyllur brenda një njeriu.

Atë çfarë ka krijuar përralla, nganjëherë e përsërit historia.

Suksesi është diçka mjaft e ndyrë. Ngjashmëria e rreme që ka me meritën, i mashtron njerëzit.

E gjithë historia është vetëm përsëritje. Një shekull i ngjason një tjetri.

Tek këmba e secilit zog që fluturon është e lidhur fija e pafundësisë.

Gjatë ditës është një orë gjatë së cilës mund të thuhet se mbretëron qetësia: është ora e qetë e muzgut.

Njerëzit duhet ta kenë korruptuar pak natyrën, pasi nuk linden ujqër dhe u bënë të tillë.

Edhe ideja është ushqim.

Liria e dashurisë nuk është më pak e rëndësishme se liria e mendimit. Çfarë sot quhet tradhti bashkëshortore, dikur quhej herezi.

Një femër që ka një dashnor është një engjëll, një femër që ka dy dashnorë është një përbindësh, një femër që ka tre dashnorë është një femër.

Femra nuk është tjetër veçse pendë në ajër.

Është e lehtë të jesh i mirë; të jesh i drejtë është e vështirë.

Dashuria: dy veta që janë një person i vetëm.

Dashuria nuk do që të ketë, do që të dojë.

Buzëqeshja është dielli që dëbon dimrin nga fytyra njerëzore.

Nëse Zoti nuk do të kishte krijuar femrën, nuk do të kishte krijuar as lulen./ KultPlus.com