‘Aida’ udhëton në Varna

Princesha egjiptiane Amneris, nën interpretimin e mezzo sporanos Ivana Hoxha pas suksesit në Shqipëri, udhëtoi në Varna të Bullgarisë, atje përkrah yjeve ndërkombëtare të operas në botë.

Roli i Amneris e Guissepe Verdit, është një nga më të vështirët për mezzo sopranot, por në skenën bullgare për Ivana Hoxhën përgjegjësi ishte edhe përballja me një sfidë të njohur botërisht si sopranoja Kazimira Stojanova.

Ivana Hoxha ka qenë pothuajse në të gjithë premierat e këtij sezoni të Teatrit të Operas dhe Baletit, dhe nën syrin kritikëve, një mezzo soprano që njeh vetëm rritje. Por këtë rol ajo e kishte ëndërr qysh kur ishte në korin e Operas, si studente 16 vite më parë.

Por veç skenës së Operas, Ivana ndër synimet e tjera ka edhe interpretimin ne skenat ndërkombëtare.

Por përkushtimi dhe angazhimi i Ivana Hoxhës në veprat më të rëndësishme të repertorit, merr një tjetër peshë kur kujton që ajo është nënë e dy fëmijëve të vegjël.

Ivana Hoxha ka interpetuar edhe në vepra të tjera madhore si Karnavalet e Korçës, Il Trovatore, Rekujem, etj./tvklan/KultPlus.com

Opera “Aida” tejmbush sallën e TOKB me artdashës shqiptarë e të huaj

Këto netë vere kanë sjellë pasionin e magjinë e një kompozitori të të gjitha kohërave, si Giuseppe Verdi, në Teatrin Kombëtar të Operas e Baletit.

Vënia në skenë e operës “Aida” është mirëpritur nga publiku kryeqyetas e kjo u duk që nga shitja në kohë rekord e biletave të premierës.

“Salla ka qenë e tejmbushur nga artdashës shqiptarë e plot turistë të huaj nga Evropa, të ardhur enkas për këtë shfaqje”, thuhej në një njoftim të TKOB në rrjetet sociale.

Kjo vënie në skenë, në TKOB, i ka qendruar besnike regjisë së të madhit Franco Zeffirelli.

Libreti i operës “Aida” rrëfen trekëndëshin e një dashurie pasionante të ndaluar mes princeshës së Etiopisë, Aida, komandantit të ushtrisë së Egjiptit, Radamès, dhe të bijës së Faraonit, Amneris.

Ngjarja merr tjetër rrjedhë kur Radamès urdhërohet të luftojë në betejën kundër kombit të Etiopisë, duke mos ditur se Aida është princesha e tyre, dhe i tregon asaj të gjithë planin ushtarak. Aida duhet të vendosë mes besnikërisë ndaj vendit të saj dhe përkushtimit ndaj djalit që ajo dashuron. Dilema e zgjedhjes mes dashurisë dhe detyrës përballët edhe nga Radamesi, i cili në fund tradhton atdheun e tij për shkak të Aidës.
Muzika magjepsëse e Verdi-t me korale të fuqishme, arie magjepsëse dhe pasazhe gjithëpërfshirëse orkestrale përforcon thellësinë emocionale të operës.

Kjo vepër e përmasave të mëdha, erdhi përmes Orkestrës Simfonike, Solistëve, Korit dhe Trupës së Baletit të TKOB-së, me dirigjimin e maestros Jacopo Sipari di Pescasserolli dhe maestros Dritan Lumshi./atsh/KultPlus.com

Margariti: Ngjitja e “Aida”-s në TKOB, ngjarje e jashtëzakonshme

Teatri Kombëtar i Operas e Baletit organizoi një konferencë për shtyp për vënien në skenë të operës “Aida” të Giuseppe Verdi-t. E pranishme, së bashku me drejtoren Abigeila Voshtina e dirigjentin Jacopo Sipari di Pescasseroli, ishte edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti. Ministrja shprehu mirënjohje për gjithë trupën e TKOBAP, që nga orkestra, kori, solistët, balerinët dhe  prapavijën teknike që po përballon me sukses një kalendar sfidues.

“Sa herë që “Aida” vihet në skenë është një ngjarje e jashtëzakonshme jo vetëm sepse është një nga veprat më madhështore të repertorit operistik botëror, por për impenjimin që kërkon realizimi i një vepre të tillë”, është shprehur Margariti.

Hera e fundit kur “Aida” është ngjitur në skenën e TKOBAP ka qenë viti 2007.

“Jam e kënaqur që na rijepet mundësia të shohim një opera të këtyre përmasave, me regji, skenografi dhe kostumografi nga mjeshtri Franco Zeffirelli dhe që kërkon angazhimin e rreth 200 artistëve”, është shprehur në rrjetet sociale ministrja Margariti.

Opera e  famshme e Giuseppe Verdi-t, vjen si premierë nga 23-27 qershor, në Teatrin e Operës dhe Baletit.

Trekëndëshi i një dashurie pasiononte të ndaluar mes princeshës së Etiopisë, Aida, komandantit të ushtrisë së Egjiptit, Radames, dhe të bijës së Faraonit, Amneris. Ngjarja merr tjetër rrjedhë kur Radames urdhërohet të luftojë në betejën kundër kombit të Etiopisë, duke mos ditur se Aida është princesha e tyre, dhe i tregon asaj të gjithë planin ushtarak./atsh/KultPlus.com